Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/05/03

Pema e Jenicereve Jason Goodwin


Pema e Jenicereve Jason Goodwin

Pema e jeniçerëve

Pema e jeniçerëve, një nga romanët më të bukur historik të shkruar vitet e fundit, nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez Jason Goodwin, tashmë mund të lexohet edhe në shqip nga shtëpia botuese Saras, nën përkthimin e Fari Laçkës.
Category: .Product ID: 796

Product Description

Pema e jeniçerëve, një nga romanët më të bukur historik të shkruar vitet e fundit, nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez Jason Goodwin, tashmë mund të lexohet edhe në shqip nga shtëpia botuese Saras, nën përkthimin e Fari Laçkës. Nëpërmjet ngjarjeve të vendosura në Stambollin e viteve ‘1800, libri Pema e jeniçerëve ofron një panoramë nga afër të botës ekzotike të Perandorisë Osmane të vonë. Atmosfera në Perandori shfaqet plot me konflikte dhe luhatje ndërmjet dëshirës për të ringjallur traditat që po humbasin dhe forcave për ndryshim që kërkojnë të revolucionarizojnë perandorinë dhe ta vënë atë përkrah me fuqitë moderne të Europës së asaj kohe. Libri nuk është vetëm një përshkrim i ndier për Stambollin apo Perandorinë Otomane. Libri është dhe një rrëfim për historinë tjetër të Shqipërisë. Asaj historie që ne e gjejmë në rreshta librash qofshin ata dhe letrarë, si në rastin e këtij libri. Në rrugëtimin e tij historik, Goodwin na njeh me shumë personazhe shqiptare që i takoi në Stambollin e atyre viteve, mes të cilëve dhe një personazh të njohur, siç ishte Ali Pashë Tepelena. Libri është një dëshmi për rolin që kanë pasur shqiptarët në zhvillimin e Perandorisë Osmane, duke i përshkruar ata si njerëz me karakter të fortë e të aftë për të t’ia dalë çdo situate. “Një shqiptar nuk e ka problem luftën”, thotë ai. Dhe pse një libër letrar, në të sqarohen shumë raporte historike. “Është e pamundur të shmangesh nga ndikimi që historia ka te ty dhe në momentin kur je duke bërë një rrëfim letrar”, shprehet Goodwin. Teksa është përpjekur të rindërtojë Stambollin e pas viteve 1800, ai ka hyrë në filozofinë që mbajti gjallë një nga perandoritë më të mëdha në Ballkan e më gjerë, duke kuptuar mirë, rregullat e pashkruara që ende janë të forta sot në funksionimin e një shteti. Pema e jeniçerëve është një leksion i madh historie, një lexim i kujdesshëm i të cilit të bën të kuptosh raportet me të tashmen.
Në vitin 2007, libri Pema e jeniçerëve është nderuar me çmimin Edgarpër novelën më të mirë të vitit dhe është përkthyer në mbi 40 gjuhë. Jason Goodwin e ka bazuar librin mbi historinë e një detektivi, Jashimit, i cili do të bëhet protagonisti që do ta frymëzojë dhe për tri novela të tjera që do të vijnë për lexuesin sërish nga shtëpia botuese SarasGuri i Gjarprit, Karta Belini dhe Syri i keq. Seritë portretizojnë Jashimin, një eunuk në rolin e detektivit, i cili njeh shumë mirë kulturën osmane dhe atë perëndimore, gëzon besimin e sulltanit dhe zyrtarëve të lartë dhe më shumë i pëlqen të jetojë në një banesë modeste jashtë pallatit madhështor. Gjithë historia e Pemës së jeniçerëve bazohet në një ngjarje të vërtetë. Në qershor të vitit 1826, sulltani Mahmud II shpërbën dhe vret mijëra prej trupave jeniçere që dikur kishin qenë elita e forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, por që me kalimin e kohës ishin kthyer në elementë turbullues dhe kishin dalë jashtë kontrollit të sulltanit. Dhjetë vjet më vonë, trupat e reja të modernizuara sipas modelit perëndimor, të cilat zëvendësuan jeniçerët, duhet të paraqesin para njerëzve disa manovra dhe taktika ushtarake gjatë një parade. Dhjetë ditë para kësaj ngjarjeje, katër nga oficerët zhduken. Njeri prej tyre gjendet i vdekur. Kryekomandanti ia beson detyrën për të zgjidhur këtë mister Jashimit. Ndërkohë vritet konkubina e re e sulltanit dhe vidhen edhe xhevahiret e nënës së tij. Jashimi duhet të hetojë tri raste të ndryshme në të njëjtën kohë. Për shkak të këtij misioni, këmba e Jashimit shkel në vende të ndryshme si: ambasada, xhami dhe nëpër rrugët e rrugicat e Stambollit. Për të zgjedhur këto vrasje, Jashimi kërkon ndihmën e ambasadorit polak dhe gruas së ambasadorit rus. Ai zbulon se rastet kanë lidhje me njëri–tjetrin dhe përfshijnë jo vetëm intrigën për hakmarrje nga ana e jeniçerëve të mbetur gjallë dhe të fshehur diku, por edhe luftën për pushtet midis eunukëve të pallatit dhe orvatjet pa fund të ushtarakëve për demokratizimin e jetës, shoqërisë dhe vendit.
Në fund, krejt ndryshe nga sa pritej, Jashimi ia del mbanë të parandalojë disa konspiracione me sukses.
Rrëfimi që Goodwin i bën kësaj historie është i jashtëzakonshëm. Stambolli i shekullit XIX shfaqet nga njëra fletë tek tjetra e librit, e duket sikur vetë Goodwin e shpie lexuesin nëpër qytet, ndërkohë që përshkrimet e tij mbi qytetin të ofrojnë një kënaqësi të pafund. E gjitha kjo e kombinuar me një protagonist, të cilit rrethanat e vështira i japin mundësinë që me mendjemprehtësi të zhbirojë natyrën komplekse të pushtetit dhe seksualitetit dhe në mënyrë të pashmangshme detektivi osman i Goodwin del ngadhënjimtar. Më shumë se një mister historik dhe ekzotik, ky libër lexohet si letërsi dhe përjetohet si një thriller. Por ajo çfarë e bën Pemën e jeniçerëve të jetë një libër i cili lexohet me një frymë është dhe mënyra sesi Goodwin shkruan. Vetë ai tregon në një intervistë se është dashuruar me Stambollin, që kur nisi të studionte histori në Kembrixh. Stambolli nuk është vetëm qyteti i pamjeve të bukura historike, por dhe qyteti ku mund të kuptosh më mirë forcën e pushtetit. Jason Goodwin ka lindur në vitin 1964 dhe është shkrimtar e historian britanik. Ai ka studiuar histori bizantine në Universitetin e Kembrixhit. Pas suksesit me librin Kopshtet e Barutit, ose Kohë për një çaj: Udhëtime në Kinë dhe Indi në kërkim të çaji, bëri një udhëtim nga Polonia në Stamboll të Turqisë. Me rrëfimin e tij mbi këtë udhëtim i titulluar Më këmbë deri në Bririn e Artë, në vitin 1993, mori çmimin John Llewellyn Rhys/Mail on Sunday. Më pas shkroi Zotat e horizonteve: Një histori e Perandorisë Osmane. Më vonë u bë i njohur si autori i serive misterioze duke filluar me librin Pema e jeniçerëve. Ngjarjet e novelës tjetër me personazh eunukun Jashim, Karta Belini, zhvillohen në Venecia. Novela e titulluar Syri i heq, me epiqendër haremin e sulltanit, doli në pranverë të vitit 2011 dhe një tjetër aventurë në Stamboll e titulluar Lexuesi latin, pritet të publikohet në vitin 2013.

Ali Pashë Tepelena, krime famëkeqe



Ali Pasha Alexander Dumas


I shkruar gati 40 vjet pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, prej një prej personazheve më të njohura të letrave franceze, një shkrimtar sallonesh do ta quaja Aleksandër Dumas, “Ali Pasha, krime famëkeqe” është konsideruar nga historianët, si një nga biografitë më të mira kushtuar kësaj figure kaq kontroverse të historisë sonë.
Me stilin e një shkrimtari që di të eksplorojë thellë personazhin Dumas sjell një portret të njeriut që arriti të depërtonte në zemër të Perandorisë Otomane, dhe të kryesonte dhe Janinën…
Libri i Dumas është një libër i njohur prej vitesh për lexuesin e huaj. Ai ka qenë një manual referimi për çdo studiues të huaj jo vetëm për të mësuar për Ali Pashë Tepelenën, por dhe për periudhën e Perandorisë Otomane të fillimshekullit XIX, ku Ali Pasha ka pasur një rol të spikatur.
Ky libër është një dhuratë për lexuesin, pasi lexohet shumë lehtë për vetë stilin e Dumas, por ka brenda pasazhe të vërteta të historisë dhe historinë e një njeriu që e ka bërë Shqipërinë pjesë të bibliotekave të botës dhe personazheve të famshme kulturore dhe kur ajo ishte e izoluar, përmes jetës së tij.
Forma kronologjike e shtjellimit të historisë së Ali Pashë Tepelenës krijon mundësinë e ndjekjes funksionale, në ngjashmëri me një kronikë monografike. Që në krye, libri të bën të vetëdijshëm se kemi në dorë një nga historitë më të besueshme për Ali Pashën e Janinës, të zhveshur nga glorifikimet dhe sidomos stisjet për ta hijeshuar me petkun e atdhetarit të kombit shqiptar. Vetëm nga krijimtaria e një gjeniu si A. Dumas, figura e tij merr vlerat e vërteta dhe shndërrohet në një shikim real të stofit që e vesh atë. I venitur apo jo, arrijmë ta kuptojmë Ali Pashain dhe ta vlerësojmë veprimtarinë e tij më me qartësi”, tha Peçi. Sipas tij vetëm kur lexon librin kupton një gjë të sigurt: lënda nga vjen shtjellimi, burimi i informacionit, referimet e bashkëkohorëve të Ali Tepelenës dhe kujtimet e shkruara që vijnë nga një varg bashkëkohësish, nga ambasadori përfaqësues pranë Pashait, Pukëvijit, Lord Bajronit, Felicien Mallefille, Hughes dhe Uilliam Plomer, janë të mjafta për ta pranuar si titullin ashtu dhe jetëshkrimin, si më të saktin për jetën e tij.

VOLTERI: Rikthimi i një mendjeje vezullues

VOLTERI: Rikthimi i një mendjeje vezulluese











FATOS BAXHAKU

VolteriRrallë ndodh që një emër që e ke hasur apo lexuar në të ri të të krijojë sërish, edhe pse kanë kaluar tashmë shumë vjet, një kureshtje të plotësuar me kënaqësi dhe kthjelltësi, si nga e para. Zakonisht kjo ndodh me librat e fëmijërisë a të adoleshencës. Mund të jetë e zakonshme për Tuenin, Kolodin, Rodarin, Hashekun, por asesi për libra hijerëndë të filozofisë. E megjithatë, këto ditët e fundit, kjo ka ndodhur vërtet me disa prej nesh. Ai që na është kujtuar, duke e lexuar sërish me ëndje, është Volteri. (Volter, Traktat mbi tolerancën, përktheu Fari Laçka, SARAS, Tiranë 2015, 235 faqe, 800 lekë).
Zhan – Mari Arue, alias Volteri, e botoi këtë libër në 1763. Ishte 69 vjeç, në kulmin e famës dhe të bëmave. Historia e tij nis me një ngjarje të vërtetë. Në Tuluzë, që ishte bërë prej kohësh shesh beteje mes katolikëve në shumicë dhe hygenotëve në pakicë, një ngjarje e rëndë e ndau opinionin publik në dy palë. Në 1762, Zhan Kalas, një tregtar i mesëm, që jetonte deri atëherë qetësisht me gruan dhe dy djemtë e tij u dënua me vdekje menjëherë pas vetëvrasjes së djalit të tij të madh. Ai dhe familjarët e tij hygenotë (ithtarë të protestantizmit) akuzoheshin se kishin organizuar vrasjen e djalit të shtëpisë meqenëse ky i paskësh mbetur besnik katolicizmit klasik. Një akuzë absurde e cila, megjithatë u ekzekutua falë çmendurisë së përgjithshme që i kaplon në këto raste turmat.
Volteri revoltohet dhe mundohet të bërtasë mendimet e tij mbi tolerancën. Libri më pas nuk është gjë tjetër veçse një thirrje për paqe. Mendje të hapur dhe mirësi.
Përse duhet ta lexojmë ne Volterin edhe sot 250 vjet pas shkrimit? E para sepse është një libër që është shkruar në një mënyrë fare të këndshme, plot ngjyra, harmoni, ironi ndaj së keqes, por respekt për lexuesin. Nuk është imponues, nuk thotë të vërteta që i konsideron të prera, vetëm na shpreh mendjen e tij të hapur për gjërat që ka parë e dëgjuar, pastaj na lë ne, të tjerëve të vendosim, nëse ka pasur apo jo të drejtë. Edhe në mos duam të mësojmë seriozisht prej tij do të zbavitemi vërtet. Vetë ai shkruan në fund të kapitullit IV: Lexuesit e vëmendshëm që i shprehin lirshëm mendimet e tyre shkojnë edhe më larg se vetë autori… Botimi në shqip ka edhe një meritë tjetër. Ai është përkthyer në një shqipe të rrjedhshme bashkëkohore nga Fari Liçaj. Mbase pikërisht edhe andaj hera-herës, na duket sikur libri është shkruar në kohën tonë.
Pastaj ka edhe arsye të tjera. Traktati është një libër që na kujton plot e plot gjëra që kemi kaluar, po kalojmë e ka mundësi të na përsëriten edhe në të ardhmen. Errësimi i syve, mungesa e respektit për tjetrin dhe për jetën e tjetrit, dogma në vend të gjykimit, mendja e ngushtë në vend të dyshimit, a nuk janë këto gjëra që përditë i hasim ende në jetët tona?
Voltaire on a Je suis Charlie posterTraktati është gjithashtu një vepër e jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan të dinë diçka jo vetëm mbi martirët, shenjtorët, papët, apo në përgjithësi për historinë e krishterimit, por edhe për historinë e feve në përgjithësi. Kultura e jashtëzakonshme e Volterit reflektohet sakaq që në kapitujt e parë të librit.
Kapërcimi ynë i madh nga ateizmi i dhunshëm shtetëror në ngazëllimin e rrëmujshëm fetar ka krijuar një konfuzion të madh si në ambientet religjioze, në ato shtetërore, por edhe në vetë ne individët e thjeshtë. Ta zëmë: a e kemi të gjithë të qartë diferencën mes jobesimtarit dhe ateistit, po atë mes ateistit indiferent dhe ateistit aktiv, po atë mes ateistit dhe deistit, po mes deistit dhe besimtarit të devotshëm praktikant? Po antiklerikal çfarë do të thotë? Ku është diferenca mes tolerancës dhe bashkëjetesës? Për të qenë të qartë Volteri, sikurse edhe shumë nga enciklopedistët e tjerë të shekullit XVIII, besonin në Zot, ai ishte një i krishterë. Ajo që ata kritikonin ishin intoleranca e bazuar në dogma dhe privilegjet e tepruara të kishës katolike asokohe, e cila në bashkëpunim me sundimtarë absolutë e mbante peng Europën e etur për liri dhe progres. Përmes rreshtave të librit të tij deisti Volter që këtu e 250 vjet më parë u ka dhënë përgjigje shumë prej pyetjeve që rreshtuam ca më lart.
Tani të gjithë e dimë, të paktën kështu na thonë, se prej kohësh edhe ne shqiptarët mëtojmë të bëjmë pjesë në Bashkimin Europian. Bukur fort, një dëshirë vërtet e ndershme. Por ama sa e njohim ne Europën, sa ia njohim themelet, mentalitetin, historinë, sakrificat? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: pak, fare pak. Tashmë është një mendim i pranuar gjerësisht se fillesat e vërteta të Europës, të të vetëndjerit europian, kanë nisur me Iluminizmin francez dhe me jehonën që ai krijoi kudo në Europë, me mënyrën e tij të mendjes së lirë, të përpjekjeve së tij për kultivimin e tolerancës brenda vetë të krishterëve dhe më pas më gjerë, me besimet e tjera që nga Islami deri te Shintoizmi apo Budizmi. Një nga tiparet e gjenialitetit të Volterit është parashikimi i gjërave, shpresa se do të vijë një ditë, qoftë edhe pas 250 vjetësh që toleranca do ta dallojë Europën nga pjesa tjetër e botës. Ne që kemi aq shumë nevojë, bëjmë mirë t’i hedhim një sy këtij libri të rrallë.
Për herë të fundit, “Traktati mbi tolerancën” u ribotua në Itali në 2010. Parathënien e ka shkruar një nga mendjet më të hapura të kulturës italiane të këtyre dekadave të fundit, historiani dhe gazetari Serxho Romano. Ky na jep një arsye më shumë përse duhet ta mbajmë gjatë këtë libër në dorë. “Volteri kishte bindje të forta – shkruan ai në parathënien e tij – interesa të thella intelektuale, një kulturë të gjerë, një mënyrë të shkruari ironike dhe vezulluese, një kureshtje të jashtëzakonshme për ngjarjet e kohës së tij dhe një kapacitet të pafund për të rrëfyer idetë e tij. Me një fjalë të vetme, ndonëse termi është pak i kufizuar, ai s’ishte tjetër veçse një gazetar”. Volteri i parë si gazetar?! E përse jo? Mbase edhe kjo anë mund të na vlejë në jetë.

 Një i ndritur mes burgut dhe luksit

Kur më 1694 një djalë shëndetlig lindi në familjen e një juristi në Paris, askush nuk besonte se kishte lindur një prej gjenive që ka njohur deri më tani historia. Nga burgu, në diskutimet mes librave të vjetër deri te vezullimet perandorake. Kjo do të ishte jeta 83-vjeçare e Zhan-Mari Arue, që gjithë bota sot e njeh me emrin Volter.
I mbetur jetim nga e ëma që në moshën 7 vjeç, Zhan-Mari jetoi një adoleshencë dhe rini nën tutelën e hekurt të të atit. Madje, për disa kohë studioi edhe jurisprudencë, porse shpejt u dallua për shkrimet e tij në shtypin e kohës dhe për debate ironike, therëse, plot kulturë e guxim në një ambient që mbizotërohej nga monarkia absolute e Luigjit XIV. Shumë shpejt ky qëndrim do t’i kushtonte në fillim burgun, internimin në kufijtë e Francës dhe më pas kalimin në Angli.
“Periudha angleze” e Volterit (1626-1628) la mbresa të thella tek enciklopedisiti i ardhshëm. Monarkia kushtetuese angleze, Shekspiri jo plotësisht i famshëm, toleranca e anglikanëve ndaj priftërinjve të mbetur katolikë, racionaliteti anglez, a nuk ishin pikërisht këto që nuk i kishte parë në atdheun e tij? Kishte një nderim të madh për Njutonin, në varrimin e të cilit mori pjesë me sy të përlotur.
Pas rikthimit në kontinentin e vjetër për disa kohë, shpirti i tij gjeti paqe në udhëtimet e shumta në Holandë apo në Prusi, por duket se ngjarja më e madhe e jetës së tij asokohe ka qenë lidhja e dashurisë me Emili dë Shatle. Pikërisht në shtëpinë e saj, ku ndodheshin mbi 21 000 libra, ai nisi të shkruajë me një prodhimtari të paparë. Në 1746, me ndihmën e mikeshës së tij, Madamë Dë Pompadur, ai arriti një lloj paqeje me oborrin mbretëror duke u emëruar historian në Akademinë Franceze. Paqja nuk vazhdoi gjatë. Emilia e la për një tjetër dhe ai vendosi si gjysmë për hakmarrje, jo vetëm të martohej me mbesën e tij Denisë, por edhe të vendosej si çambelan në oborrin e Kaizerit Frederik I të Prusisë në Berlin. I vendosur në idetë e tij, kundër çdo kompromisi largohet edhe nga Berlini për të bërë jetë private në Zvicër. Në kështjellën e tij në Fernej, miqtë e tij të afërt ishin njerëz të tillë si Didro, d’Alamber, Kondorse, Adam Smith apo Eduard Gibon. Shkonte shumë keq me një tjetër të madh, me Rusoin, me të cilin, me sa duket, i ndanin diferenca të mëdha të karakterit.
Tashmë i plakur dhe i sëmurë, u kthye në Paris, i pritur me brohoritje të mëdha në 1778. Kishte jetuar plot 28 vjet në mërgim. Në të njëjtin vit u regjistrua në Lozhën Masonike së bashku me Benxhamin Frenklin.
Vdiq pak muaj pas rikthimit të tij. Trupi i tij i balsamosur u ruajt për shumë vjet një herë në Bibliotekën Kombëtare të Francës dhe më pas në “Comedie Française”. Kisha nuk pranoi ta varroste në vendet e saj të shenjta, atë që e konsideronte si heretik. A nuk ishte ai që në prag të vdekjes i kishte bërtitur priftit, që po i bënte shërbimet e fundit duke i përmendur Jezu Krishtin: Për atë Zot, mos m’i përmendni tani këta emra?! Por megjithatë në 1791, pas Revolucionit, u varros me madhështi në Panteon, atje ku prehen figurat më legjendare të Francës. Si për ironi të fatit, Panteoni vetë nuk është gjë tjetër veçse një kishë e madhe.

 Mësimet e mjeshtrit të vjetër

  • “Edhe pse shumë i madh, në Paris arsyeja triumfon mbi fanatizmin: kurse në provincë fanatizmi e tërheq arsyen prej hundësh”.
  • “Nderi i gjykatësve, ashtu si i çdokujt tjetër, qëndron në ndreqjen e gabimeve të veta”.
  • “Filozofia, vetëm filozofia, kjo motër e fesë i ka hequr besëtytnisë armët nga duart e gjakosura prej kohësh dhe tani që ka dalë helmi, mendja e njeriut habitet me mynxyrat ku e kishte shpënë fanatizmi”.
  • “Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak”.
  • “Gënjeshtra i ka mbajtur njerëzit gjithnjë nën zgjedhë”.
  • “Ka një Zot i cili, pas kësaj jete kalimtare ku e kemi njohur aq pak dhe gjatë së cilës kemi kryer aq shumë krime në emër të tij, do të begenisë të na ngushëllojë nga të gjitha këto fatkeqësitë tona”.
  • “Po të marrim parasysh… urrejtjet e papajtueshme të ndezura për shkak të opinioneve të ndryshme dhe kur shohim të këqijat që ka shkaktuar devotshmëria e rreme, atëherë del se njerëzit e kanë jetuar ferrin prej kohësh në tokë”.
(Cituar nga Volter, Mbi tolerancën, përktheu Fari Laçka, SARAS, Tiranë 2015).

Maqedonia më e brishtë ndaj fanatizmit fetar


Mustafa Nano

Një rrëfim për konceptet e Volterit mbi tolerancën dhe fanatizmin fetar dhe atë çfarë ndodh sot me fenë në hapësirat shqiptare Kosovë apo Maqedoni
Ka treva ku fanatizmi fetar depërton më kollaj, si p.sh në Maqedoni, e ka treva ku ky fanatizëm gjen më shumë vështirësi për të depërtuar, si fjala vjen në Shqipërinë e Jugut.

Alda Bardhyli

“Në ditët tona ka ende fanatikë në ndonjë skutë të humbur, por kjo është sëmundje që moleps vetëm njerëz të ulët. Në Francë, arsyeja hedh rrënjë, si në dyqanet e tregtarëve, ashtu edhe vilat e zotërinjve. Ne duhen t’i kultivojmë frytet e saj, ca më tepër që nuk i pengon dot kush të rriten. Franca e ditëve tona nuk mund të qeveriset si në kohën e Garasit dhe priftit Meno. Sepse mbi të kanë hedhur dritë Paskali, Nikola, Arnoi, Bosyé, Dekarti, Gasendi, Bejli, Fontëneli etj”. Më 1763, Volter shkruante kështu në esenë “Traktat mbi tolerancën”, një libër që do të kthehej si një kushtetutë e pashkruar e ligjeve dhe shoqërisë njerëzore. Duke besuar te forca e arsyet dhe duke përjashtuar çdo prirje fanatike, Volter sjell në këtë ese filozofike jo vetëm një kronologji historike të raporteve fetare, por dhe një pamflet të mrekullueshëm kundër fanatizmit fetar. Me vështrimin e hollë të një filozofi, Volter duket se parashikon të ardhmen kur na e përshkruan Europën me veshjen që mbajnë sot grupet ekstremiste fetare, si për të treguar pafuqinë e institucioneve dhe shtetit për t’i vënë fre çdo rritjeje të dominimit fetar. Por në thelb, ky libër i sjellë në shqip nga “Saras” nën përkthimin e Fari Laçkës, është një libër që të ndriçon, një literaturë që më shumë se në çdo kohë tjetër duhet lexuar tani. Mustafa Nano, njohës i mirë i kontekstit historik fetar, sidomos të raportit historik të shqiptarëve me besimin, gjë që e ka sjellë në librin “Pax Albanica”, ua sugjeron librin e Volterit sidomos besimtarëve. Më poshtë duke u nisur nga ky botim i Volterit, ai vjen në një intervistë në një kontekst më të gjerë të rolit që ka feja në hapësirën shqiptare, dhe në dy hapësirat e tjera shqiptare Kosovë dhe Maqedoni.

Le ta nisim bisedën nga rasti që Volter trajton në librin “Traktati i tolerancës” ardhur në shqip nga “Saras”. Është historia e një burri protestant 68-vjeçar që ekzekutohet nga Gjykata e Tuluzës (Francë) për një krim që nuk e ka bërë (akuzohej se kishte vrarë të birin se donte të kthehej në katolik). Gati 250 vjet më pas, kjo histori ku përzihet fanatizmi dhe pafuqia për të ndryshuar një të vërtetë, ç’ju zgjon?
Ky libër do të duhej të ishte përkthyer me kohë në gjuhën shqipe, pasi është një nga librat më të rëndësishëm të botës. Por më mirë vonë sesa kurrë. Në këtë rast duket se është më mirë që është vonuar, pasi ka ardhur në një moment shumë të përshtatshëm. Nuk mund të gjeje një moment tjetër më të mirë për ta publikuar këtë libër. Do t’ua sugjeroja të gjithëve që ta lexojnë, sidomos besimtarëve. Nuk është një libër kundër besimit, por një libër kundër fanatizmit.

Volteri parashikonte një Europë të trazuar vite më parë…”Sa bukur do të dukej Europa e veshur me kapuç e maskë dhe me dy vrima të vogla të rrumbullakëta për sytë! Vërtet besojnë se në vend të rrobave të zakonshme Zoti do të parapëlqente këtë lloj veshjeje? …”, shkruan ai. A është Europa e veshur me kapuç e maskë sot?
Po, thënia e Volterit duket tamam për këto kohë, në të cilat po jetojmë. E dini? Gjithmonë mendohet se përsosja e qytetërimit dhe përhapja e dijes do të sjellë vetvetiu dobësimin e fanatizmit, por duket se nuk është kështu. Ose le të themi se nuk është kështu, në çdo rrethanë. Fanatizmi, me sa duket, do të ekzistojë gjithnjë, beteja me të do të jetë vazhdimisht një sfidë për njerëzimin. Unë kam bërë pjesë – dhe ende bëj pjesë, më duhet të them – te njerëzit që e besojnë se lufta ndaj injorancës, dhe edukimi i njerëzve pra, janë kura më e mirë për t’u përballur me fanatizmin. Por kohët që po jetojmë duket se po ma përgënjeshtrojnë këtë besim timin. Është e dhembshme kjo gjë. Ka prova se njerëzimi sot është më i dijshëm e më i arsimuar sesa në çdo kohë të mëparshme dhe prapëseprapë, fanatizmi është më i frikshëm se kurrë. Ja, ky është sandwich-i mes të cilit jam duke jetuar. Nga njëra anë kam besimin se dija e mposht fanatizmin, e nga ana tjetër shoh faktin se fanatizmi është arrogant edhe në këto kohë, kur analfabetizmi e arsimimi i njerëzve është më i madh se kurrë.
Nuk di ç’të them. Ndoshta ky shpërthim fanatizmi në këto kohë është thjesht një aksident historik; apo me fjalë të tjera, një parantezë e parëndësishme historike. Ndoshta.

A ka qenë toleranca e rrezikshme, flas për tolerancën që shteti historikisht ka pasur me raport me fenë…?
Ky është një diskutim delikat. Fanatizmit duhet t’i vëmë frerë, apo frena, por këtë duhet ta bëjmë me mjete të kulturës. Duhet të mobilizohen të gjitha energjitë civile, intelektuale, laike, kulturore, akademike, deri dhe fetare, duhen mobilizuar të gjitha mendjet e hapura të shoqërisë, në këtë betejë, në këtë debat. Me fjalë të tjera, ne duhet ta mundim fanatizmin me ndihmën e të gjithë atyre që besojnë te toleranca si vlerë.
Në këtë kuptim, toleranca nuk mund të vihet në diskutim. Po erdhi momenti që të pyesim veten, nëse ia vlen apo s’ia vlen që shteti, apo shoqëria, të jenë tolerantë, atëherë kemi kapur fundin. Nuk mendoj pra se e keqja duhet kërkuar te toleranca e aktorëve publikë, mes të cilëve është edhe shteti, ndaj ekstremizmit. E keqja duhet kërkuar te rrethanat, kushtet, situatat, që e prodhojnë fanatizmin. E di që mora poza moraliste në këtë rast, por nuk kam përgjigje tjetër.

Shqipëria shihet si një vend me tolerancë të lartë fetare, megjithatë shpesh ndeshemi me terma si veri dhe jug. Ju vetë e keni cekur këtë problem në një nga librat tuaj. A e shihni një tendencë për të dominuar përmes këtyre dy identiteteve?
Dikotominë veri-jug nuk i shoh të rrezikshme. Kjo dikotomi ekziston, nuk e mohoj. Ka njerëz sa të duash që janë të dhënë pas identiteteve lokale, pas patriotizmit tribal, ashtu siç ka edhe të tjerë që ua ka qejfi t’i afirmojnë këto identitete mbi kurrizin e atij nacional (edhe në politikë vihet re kjo sjellje tribale), por nuk jam i shqetësuar kushedi se çfarë lidhur me këtë gjë. Në botën shqiptare, rezultantja e këtyre vektorëve identitarë ecën në drejtim, e në favor të identitetit nacional. Ne jemi një komb i ri, në formim e sipër dhe unë vë re që ka një gjallërim e eksitim të madh nacional, që nuk mund ta dëmtojnë e cenojnë pasionet patriotike lokale. Madje, në doni ta dini, mua më shqetëson më shumë eksitimi nacionalist, sesa eksitimi gegë apo toskë. Pastaj, identitetet lokale kanë për të ekzistuar gjithnjë. Ato ekzsistojnë kudo. Edhe në botën e qytetëruar. Njeriu është i lidhur në mënyrë natyrale me “strofullën a folenë” e vet të origjinës dhe kjo nuk e dëmton idenë e një shtëpie të madhe të përbashkët.

Myslimanizmin e Shqipërisë gjatë periudhës otomane, ju e keni quajtur një proces që shqiptarët, në një masë të madhe, e kanë bërë me vetëdije. Megjithatë, shpesh përballemi me zëra që kërkojnë të nxjerrin në pah një truall të hershëm otoman ku janë ngulitur shqiptarët. Vetëm një javë më parë një imam në Kosovë tha se kosovarët duhet t’u jenë mirënjohës turqve që i sollën në këto toka?
Pretendimi i imamit në fjalë nuk është i bazuar shkencërisht. Nuk ka prova që është kështu. Dhe ai vetë nuk jep prova. Me sa duket, i flet zemra, e jo mendja. Të gjithë autorët seriozë që janë marrë me historinë e Shqipërisë nuk kanë bërë nënvizime të këtij lloji. Madje, të gjithë ata theksojnë të kundërtën, theksojnë pra që në këto viset tona, në ndryshim me atë që ka ndodhur në disa vise të tjera, nuk ka pasur ngulime turke, nuk ka pasur kolonë turke. Ka përjashtime, sigurisht, por këto përjashtime janë të vogla e të parëndësishme. Të kuptohemi, këtë thotë shkenca deri më sot. Nesër mund të dalin prova që vërtetojnë të kundërtën, por puna është se deri më sot këto prova nuk ekzistojnë. Prandaj, imami sipas meje thotë një gjë që ai vetë ka qejf të jetë e vërtetë. Ngatërron dëshirën me realitetin.

Në fakt, dëshira me realitetin duket sikur po ngatërrohet me kast në Kosovë…si e sheh realitetin atje…ku numri i kosovarëve që i bashkohen ISIS është rritur?
Nuk besoj se duhet të shqetësohemi prej numrit të atyre që rekrutohen nga ISIS-i. Këta mund të ishin edhe më shumë sesa kaq, por prapëseprapë nuk do shqetësohesha. Ashtu siç nuk do më ngushëllonte situata hipotetike, në të cilën nuk do kishim asnjë shqiptar të rekrutuar nga ISIS-i. Problemi për mua është flama e fanatizmit fetar, sepse është kjo që kap masa të mëdha të popullsisë, e që prodhon më pas edhe mish për topat e ISIS-it. Më duhet të them se në Kosovë nuk ka shumë fanatizëm të këtij lloji. Ka, por jo aq sa bëhet.

Megjithatë, ju jeni marrë me historinë e raporteve fetare në vend…Si e shihni terrenin ku operojnë fetë…është një terren i brishtë?
Është një terren, në të cilin, më lehtë sesa gjetkë, mund të kultivohet fanatizëm fetar. Por edhe ky fakt nuk është i vërtetë kudo njësoj në botën shqiptare. Ka treva ku fanatizmi fetar depërton më kollaj, si p.sh në Maqedoni, e ka treva ku ky fanatizëm gjen më shumë vështirësi për të depërtuar, si fjala vjen në Shqipërinë e Jugut.

Le të ndalemi pak në Maqedoni, aty ku shqiptarët duket se kanë përpara besimin pastaj kombin?
Është një argument që kërkon një thellim e fokusim të veçantë, por mendoj se më së shumti shpjegimi duhet kërkuar te historia e shqiptarëve atje. E kam fjalën për historinë e kohëve moderne, të këtij shekullit të fundit. Shqiptarët e Maqedonisë kanë pasur e kanë ndjesinë e vetëdijen e të qenët të margjinalizuar. Në fakt, kanë qenë e janë të margjinalizuar. Të margjinalizuar në botën shqiptare, e të margjinalizuar në shtetin maqedonas. Janë të harruar prej shqiptarëve e të shtypur prej maqedonasve. Fanatizmi i tyre fetar është një koracë mbrojtëse. Isha para disa javësh në Shkup. Dhe atje pashë qendrën e Shkupit, ku ishin ngritur monumente kolosale të Aleksandrit të Madh e të Filipit, të atit të Aleksandrit(vetëm një mendje e sëmurë mund të ngrinte monumente të tilla të çmendura, do thosha). E në anën tjetër, ishte lagja shqiptare e zhytur në një mjerim biblik. Çfarë mund të presësh në këto rrethana. Në këto rrethana edhe unë do isha bërë fanatik e ekstremist. Në mos ekstremist fetar, me siguri ndonjë ekstremist i ndonjë lloji tjetër.

Volteri do të thoshte se këtu duhet të ndërhyjë shteti?
Nuk e di cila do mund të ishte zgjidhja në këtë mes.

Megjithatë, le te ndalemi te një event gati provokues juaji. Është show juaj me titull “Dhe profetët dinë… të puthin” që do të realizoni më 24 prill?
Po, kam vendosur të bëj një show timin, një one-man show, ku do të flas po për këtë argument: fetë dhe shqiptarët. Nuk është show televiziv. Është një show në skenë. Provokativ? Nuk e di. Di që do të jetë një show ku do të tentoj të bëj një “desakralizim” të feve, ku do të hedh një vështrim laik e historik, më saktë historicist, mbi fetë. Për rrjedhojë, do t’u bëhet një kritikë doktrinave fetare, por do të jetë një kritikë e balancuar (nëse ky fakt vlen për të qetësuar ndokënd). Në përgjithësi, e kam menduar si një show për jo fetarë, ose për besimtarë që kanë një marrëdhënie të shpenguar me fetë.
Lidhur me leximin që ju i bëtë titullit (“Dhe profetët dinë… të puthin”), më duhet të them se puthja e profetëve nuk duhet marrë në mënyrë literale. Por nuk po ju them më shumë …

Intervista/ Ardian Ndreca - Besimi fetar keqpërdoret për qëllime politike


Besimi fetar keqpërdoret për qëllime politike

 Ardian Ndreca 

 Cili është raporti që kanë sot shqiptarët me besimin dhe a mund të quhet toleranca e rrezikshme… Kritika ndaj Ben Blushit, duke i quajtur sulm deklaratat e tij ndaj kreut të Kishës Ortodokse…
Kemi asistue së fundi përpara nji sulmi që nji përfaqsues i popullit i bante nji drejtuesi të naltë të Kishës ortodokse tue kufizue lirinë morale që ai ka mbrenda nji ndërtese kulti me përdorë për arsye komunikative nji gjuhë të huej. Sulmi vinte nga nji përfaqsues i popullit dhe nji jobesimtar, pra krijonte nji precedent dyfish të rrezikshëm.

Për me ia ba ma të kuptueshëm problemin atyne që nuk e kapin, po jap nji shembull: pse duhet që nji besimtar i krishterë t’u kërkojë autoriteteve të bashkësisë islame që hoxha në xhami të mos falet arabisht? Le t’ua kërkojnë besimtarët myslimanë në qoftë se nuk u pëlqen ajo gjuhë. Pse duhet që nji ateist të fusë hundët në punët e komunitetit katolik apo bektashi?


Alda Bardhyli


Ardian Ndreca e quan Volterin antisemitin më të ashpër të kohës së tij, ndërsa i beson më shumë shpirtit të lirë të Locke. Por toleranca dhe çështja e lirisë te Volteri dhe Locke ndahen në dy mendësi të ndryshme që kanë themeluar dy botë: e para kalon prej revolucionit francez, tek revolucioni i vitit 1948, deri tek ai bolshevik, e dyta projektohet nga idetë e liberalizmit anglez te revolucioni amerikan. Nisur nga “Traktati i tolerancës”, libri i kthyer në një himn kundër fanatizmit fetar, sjellë në shqip nga “Saras”, Ndreca vjen në një intervistë më poshtë mbi raportin e brishtë mes shqiptarëve dhe besimit, por dhe për ndërhyrjet që politika bën shpesh te çështjet fetare. Ai merr rastin e fundit duke e quajtur atë të një deputeti, por që i referohet një deklarate që deputeti i PS-së, Ben Blushi, bëri kundër përdorimit të greqishtes në liturgjinë fetare. Për Ndrecën, sa më modern e ligjor të jetë shteti, besimi fetar nuk do të jetë problem për të.
Ju e quani Volterin ati i antisemitizmit modern, ndërsa tolerant të vërtetë quani Xhon Lok. Ku ndryshon “Traktati i tolerancës” së Volterit nga “Letra mbi tolerancën” e Lok?
Varri i VolteritQë Volteri ka qenë nji prej antisemitëve ma të ashpër të kohës së tij e edhe ma vonë, tue pasë parasysh se shkrimet e tija janë përdorë deri edhe prej qeverisë së Vichy gjatë pushtimit nazist të Francës, nuk e mohon kush. Shpeshherë ka ndodhë që ndjeksat e iluminizmit, tue u turpnue për antisemitizmin e tij janë mundue me e mbulue diellin me shoshë. Për shembull, ka shumë botime, sidomos përkthime, të “Dictionnaire philosophique”, që i dorëzohen lexuesit pa skajin “Juifs”, ku Volteri derdh gjithë vnerin e mundshëm kundër hebrenjve, tue i quejt popull injorant, barbar, koprrac, që përfiton prej popujve tjerë që i japin strehë e shpifje tjera që un parapëlqej mos me i citue këtu. “Traktati mbi tolerancën” mishnon atë lloj tolerancet që ushqeu ma vonë revolucionin francez dhe u projektue përfundimisht në terrorin revolucionar. Në bazë të saj qëndron pikësëpari instanca themelore e arsyes (l’apanage de la raison) dhe ideja e kundërshtisë së dogmës kristiane të “mëkatit të rrjedhshëm” nëpërmjet idesë të së keqes të interpretueme si injorancë. Pra, kemi natyralizimin e së keqes në histori e si rrjedhojë edhe mundësinë njerzore me e çrranjosë atë pa ndihmën e Zotit apo të nji realiteti metahistorik. Identifikimi i besimit fetar me supersticionin dhe lufta ndaj iluzioneve të fesë, sjellin me vete shumë konsekuenca politike e në këtë pikë princat e kohës duhet të toleronin të gjithë ata që ndiheshin të çliruem prej autoritetit të besimit. Revolucioni asht hapi i dytë, mbasi mohon autoritetin e “ancien régime” dhe themelon nji rend të ri. Mund të themi se toleranca volteriane asht premisë e nji veprimi politik shumë ma të thellë në histori, krejt ndryshe prej tolerancës dhe iluminizmit deist kantian e aq ma shumë prej tolerancës së Xhoh Lok. Ky i fundit si në “Letrën mbi tolerancën” ashtu edhe në “Esenë mbi tolerancën” tregon nji shpirt liberal. Asht po ai shpirt që themeloi qytetnimin e ri përtej oqeanit. Lok sheh nevojën e ndamjes së pushtetit të magjistratit prej atij kishtar, dhe i koncepton të dy pushtetet të lira e të pamvaruna. Filozofi anglez kërkon me ia pre hovin absolutizmit tue kërkue struktura kushtetuese solide për me ruejt paqen, pronën dhe me shmang grumbullimin e pushtetit në pak duer dhe si rrjedhojë edhe mundësinë me humbë paqen për shkak të vullnetit të pak vetëve. Toleranca dhe çështja e lirisë te Volteri dhe Lok ndahen në dy mendësi të ndryshme që kanë themelue dy botë: e para kalon prej revolucionit francez, te revolucioni i vitit 1948, deri tek ai bolshevik, e dyta projektohet nga idetë e liberalizmit anglez te revolucioni amerikan.
Në kohën kur Volter shkroi këtë libër, kritikat e tij binin mbi Kishën Katolike. Ishte kjo e fundit që dënoi thjesht duke u ndikuar nga fanatizmi Zhan Kalasin, protagonistin e këtij libri.
Nuk due me hy në hollësinat historike të çeshtjes së Jean Calas, pse do t’i hiqja etjen lexuesit për me marrë në dorë veprën e Voltaire, e cila meriton me u studjue me vemendje, tue shijue stilin e tij pikant. Protagonizmi i masës injorante dhe fanatike në rastin Calas ia vodhi skenën Kishës, por kjo gja nuk e ulë numrin e atyne që Kisha katolike asokohe ka dënue dhe ia ka dorëzue forcës shekullare. Pse kanë ndodhë këto gjana? Arsyet janë të shumta, simbas rasteve dhe rrethanave historike. Rasti Calas i përket vitit 1762 dhe lidhet me luftat fetare në Europë, të cilat janë të ndotuna rranjësisht me interesa të forta politike. Fillimisht Kisha katolike asht nji prej aktorëve, por në fazën e dytë, me ndërrimin e disa Papëve, del në plan të dytë. Por, po kthehena mbrapa, në fillimet e shek. XVII. Asokohe Kisha, tue e ndie valën e shekullarizimit dhe progresin e shkencës, nuk e kishte kuptue në tansi, se asnjena prej tyne nuk e rrezikonin misionin e saj të mirëfilltë, e aty ku dukej se e rrezikonin nuk ishte “domaine” i saj. Sot ketë keqkuptim po e kalojnë besime tjera që paraqiten me vonesë përpara procesit të pashmangshëm të shekullarizimit.
Volter parashikonte një Europë të trazuar vite më parë…”Sa bukur do të dukej Europa e veshur me kapuç e maskë dhe me dy vrima të vogla të rrumbullakëta për sytë! Vërtet besojnë se në vend të rrobave të zakonshme Zoti do të parapëlqente këtë lloj veshjeje? …”, shkruan ai. A është Europa e veshur me kapuç e maskë sot?
Jo, nuk besoj aspak. Bashkimi Europian, siç shkruente para do vitesh te The National Interest, studiuesi Peter Berger, asht kthye në nji agjenci shekullarizuese dhe homogjenizuese. Ekziston rreziku i humbjes të karakteristikave të veçanta, të cilat i mbartin edhe religjioni e kultura e kombeve pjesëmarrëse në BE.
A mund të flasim sot për një luftë mes besimeve… një dëshirë për të dominuar, duke u nisur nga lajmet e trishta që vijnë çdo ditë nga lëvizjet ekstremiste?
Luftë mes besimeve apo edhe mes qytetnimeve! Këtu na del në shteg Samuel Huntington. Nuk mendoj se ka luftë mes besimeve. Besimi fetar keqpërdoret, si në rastin e fondamentalizmit islamik, për qëllime politike. Në qoftë se divergjencat politike dhe problemet ekonomike, do të zgjidheshin, tue rritë njikohsisht nivelin e kulturës, edhe konfliktet do të tulateshin disi. Sigurisht, nuk zgjidhen vetëm me bomba, nga asnjena palë.
Një nga pikëpyetjet që ngre Volter dhe e lë pa përgjigje është fakti në është toleranca e rrezikshme?
Toleranca absolute asht mohimi i thelbit të tolerancës, lirisë. Mbas Volteri reflektimi rreth tolerancës asht zhdrivillue e përpunue gjithnji e ma shumë. I. Kant asht pesimist për “drunin e shtrembt të njerzimit”, siç e quen ai. Ndërsa J.G. Fichte për shembull, tek nji vepër kushtue së drejtës natyrale, thotë se nuk mund të ketë tolerancë ndaj së keqes, dhe se shoqnia asht e autorizueme me përdorë nji forcë të arsyeshme e të përpjestueme ndaj çdo shfaqjet që e rrezikon bashkëjetesën dhe sferën e përbashkët.
Shqipëria është një vend ku dominon harmonia fetare, megjithatë kohët e fundit shihet një nevojë identitare për të ndarë dy skajet në veri dhe jug. A mund të flasim për dy identitete?
Jam kundër idesë së dy apo ma shumë identiteteve. Nuk ka identitet toskë apo gegë, apo edhe kosovar. Gjithçka të mirë e kemi bashkë, e po bashkë duhet të përpiqemi me zhdukë të metat tona. Te ky identitet i vetëm ndërthuren vlera të ndryshme, që s’kanë autonomi të marruna veçmas. Mendoni sesa e vorfën do të ishte kultura jonë pa polifoninë labe apo eposin e kreshnikëve. Në të kaluemen mosnjohja ka sjellë mosbesim, sot punët kanë ndryshue, njohja ka sjellë nji besim që asht në proces diskutimi të ndërsjellë. E randësishme asht të qëndrojmë mbrenda nji diskursi dhe asnji të mos ndihet i autorizuem me dalë prej tij. E kam fjalën si për disa shfaqje folkoristike të nacionalizmit shqiptar ashtu edhe për disa tendenca centrifugale të ndonji pakice. Me nji gjuhë të vetme që asht ajo politike, mundet dhe duhet të zgjidhim gjithçka. Për shembull nji gjuhë e papranueshme asht ajo e përdhosjes së simboleve dhe emblemave kombtare prej ndonji individi të randomtë, tue shpikë figuracione tjetërsuese të idealeve tona bashkimtare. Asht kundër ligjeve të sotme themelore të Republikës, edhe në qoftë se Shqipnia do të donte të bashkohej vullnetarisht me Islandën, që dikush të ndryshonte arbitrarisht flamurin tonë kombtar. Por, çka të bajmë kur garanti i unitetit asht nji figurë qesharake dhe e pakuptimtë dhe nuk ka hapsinën e duhun shpirtnore me i konceptue këto gjana! Shqipnia e sotme politike asht fryt i nji padrejtësie historike. Këtë e dijmë. Mirëpo në nji rend ku drejton ligji dhe jo historia, ne, që jemi të vegjël, kemi shumë ma pak arsye se të tjerët me dalë kundër ligjeve. Nji padrejtësi nuk mund të shlyhet tue shkue kundër ligjeve, konventave, premtime solemne që kemi nënshkrue përpara familjes së kombeve dhe partnerëve tanë. Ne jemi pjesë e sistemit demokratik, kemi aspirata integruese, jemi vend që gjithmonë ka mbështetë paqen në rajon, dhe nuk kemi pse të humbim durimin sidomos tashti që betejën e kemi të fitueme, tue veprue në nji mënyrë që çon ujë vetëm në mullinin e atyne që nuk e duen bashkimin e shqiptarëve.
Megjithatë, shpesh përballemi me zëra që kërkojnë të nxjerrin në pah një truall të hershëm otoman ku janë ngulitur shqiptarët. Vetëm një javë më parë një imam në Kosovë tha se kosovarët duhet t’u jenë mirënjohës turqve që i sollën në këto toka?
Do të ishte shumë e thjeshtë me e vulos imamin në fjalë si tradhtar, injorant, spijun, neo otoman etj. S’do të kishte kurrfarë vleret nji gja e tillë. Ajo që do t’i vlente bashkësisë shqiptare asht nulifikimi social i individëve të tillë në funksionin që ata kryejnë. Sigurisht që ai imam apo ndonji tjetër nuk mund t’i mësojë kujt historinë, pse ai s’din ku ka kryet e vet. Bashkësia e besimtarëve myslimanë, e cila ka ndjenja kombtariste dhe nuk e pranon falsifikimin e historisë as kur bahet prej podeve të nalta të besimit, duhet ta izolojë imamin në fjalë, atëherë fjalët e tija do të kthehen në nji monolog pa sens. Ne kemi të drejtë ta presim nji veprim të tillë nga bashkësia në fjalë, pse imami nuk po merret me çeshtjet e fesë, por po ban politikë dhe po përdorë për ketë gja madje keqeshkronjat serbe të shekullit XX. Por nga ana tjetër imami asht pararoja groteske e nji aradhe pseudo-studiuesish e bloggersash shqiptarë që tue pasë mbetë jetima prej komunizmit, janë hedhë në krahët e nji ideologjie tjetër. Disa prej tyne ishin ma pak të damshëm kur ishin komunista mirëfilli apo famuj të përkëdhelun të atij sistemi.
Sa të brishtë e kemi raportin mes shqiptarëve dhe fesë?
Un nuk e mendoj të brishtë raportin mes feve dhe as mes shqiptarëve dhe feve. Në qoftë se shteti do të jetë modern dhe ligjor, besimi fetar nuk do të përbajë kurrë nji problem për të. Sa dhe si besojnë shqiptarët? Ekziston ma shumë sensi i përkatësisë sesa vetëdija fetare! S’asht për t’u çuditë, kemi kalue nji shekullarizim të dhunshëm dhe intensiv që ka prodhue indiferencë, por edhe injorancë të thellë në çështjet fetare, kjo gja vehet re edhe kur bahet fjalë për vetë klerin. Te ne bashkësitë fetare gëzojnë liri legale dhe liri morale, të dyja të pacenueshme dhe të harmonizueme me sistemin. Rreziqet ekzistojnë, por jo gjithmonë vijnë nga ndonji imam çaprashitës. Për shembull kemi asistue së fundi përpara nji sulmi që nji përfaqsues i popullit i bante nji drejtuesi të naltë të Kishës ortodokse tue kufizue lirinë morale që ai ka mbrenda nji ndërtese kulti me përdorë për arsye komunikative nji gjuhë të huej. Sulmi vinte nga nji përfaqsues i popullit dhe nji jobesimtar, pra krijonte nji precedent dyfish të rrezikshëm. Për me ia ba ma të kuptueshëm problemin atyne që nuk e kapin, po jap nji shembull: pse duhet që nji besimtar i krishterë t’u kërkojë autoriteteve të bashkësisë islame që hoxha në xhami të mos falet arabisht? Le t’ua kërkojnë besimtarët myslimanë në qoftë se nuk u pëlqen ajo gjuhë. Pse duhet që nji ateist të fusë hundët në punët e komunitetit katolik apo bektashi? E para e punës ai nuk asht antar i atij komuniteti, e dyta këto lloje bashkësish nuk janë parti politike dhe mbrenda tyne nuk bahen diskutime politike, ndjekja e të cilave mund t’i interesonte nji jobesimtari, aty për definicion kultivohet raporti me Zotin. Mënyrën e kultivimit të raportit me Zotin mbrenda nji bashkësie fetare nuk e dikton as nji deputet dhe as nji jobesimtar apo besimtar i nji feje tjetër. E kam të qartë se deputeti në fjalë hedh shashka të tilla, pse jehona e librave që shkruen i zgjat veç dy javë, nga ana tjetër në partinë e tij nuk e përfill fort kush. Tue i pasë zgjidhë problemet e zonës së tij elektorale s’i mbetë se çka me ba tjetër: o me shkrue ndonji libër ose me fut hundët ku nuk i takon. Po ku ishte ky zotnia, që ushqehet me paret e taksapaguesve shqiptarë, kur komisioni famëkeq vendoste kufinin detar me Greqinë, mos kishte shkue me leje krijimtarie? E pra në atë komision nuk kishte asnji klerik vendas apo të huej, por disa palo politikanë dhe eksperta shqiptarë, disa prej të cilëve vijojnë ende me u pague prej shtetit shqiptar. U desht të dilte nji ushtarak pensionist ta denonconte planin, pse sa për deputetët tanë, Shqipnia ka mbetë kërcune.

Volter “Traktati i tolerancës”




I shkruar në vitin 1763 nga Volter “Traktati i tolerancës” është kthyer në bestseller jo vetëm në Francë pas ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo”.

Traktat mbi tolerancen

“Toleranca dhe harmonia fetare, nuk i ka bërë keq askujt, është mostoleranca ajo që ka shkaktuar këtë kasaphanë në të cilën jemi bashkëjetues”. Kështu shkruan Volter më vitin 1763 në librin “Traktat mbi tolerancën”, një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë për besimin fetar dhe raportin mes fesë dhe individit. Në qendër të rrëfimit të Volterit është historia e Zhan Kalasit, një tregtar protestant i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij, pasi ai dëshironte të ndryshonte besimin fetar, duke u kthyer në katolik. Ngjarja ku bazohet libri ka ndodhur në Francë, në një zonë të Tuluzës. I bindur për pafajësinë e të atit, Volteri e merr sërish çështjen në dorë duke shkruar këtë traktat mbi tolerancën. Aty ai paraqet të gjitha gjasat e rreme dhe mangësitë e padisë së procesit kundër plakut Kalas dhe shpjegon se si paragjykimi kundër protestantëve shtyu njerëzit dhe gjykatësit të merrnin vendimin më të rëndë: dënimin me vdekje. Gjykata e Tuluzës, më 9 mars të vitit 1762 , megjithëse ky nuk ishte një krim i kryer prej tij, pasi i biri kishte vrarë veten. Torturat ndaj Kalasit e bënë atë të pranonte krimin. Volter e merr këtë histori të ndodhur në Tuluzë për ta kthyer në një himn të akuzave që bëheshin në emër të fesë, dhe se si kjo e fundit shpesh keqinterpretohej duke u akuzuar dhe për krime. “Atje ku rreziku mbart edhe anë të mira, frika davaritet dhe mëshira fashitet. Por, kur një baba i pafajshëm bëhet pre e gabimit, pasionit, apo fanatizmit; kur i akuzuari ka për mbrojtje vetëm virtytin; kur nëse dënojnë dikë, gjykatësit e fatit të tij ia hedhin pa u lagur dhe ky dënim quhet thjesht një gabim; kur ia shkojnë kokën në satër dikujt, por nuk u hyn gjemb në këmbë, atëherë zëri i popullit çan qiejt, gjithkush kërkon të ruajë kokën, duket që askush nuk është i sigurt para një gjykate të ngritur për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe të gjithë zërat së bashku thërrasin për të kërkuar shpagim. Në këtë mesele të çuditshme, bëhej fjalë për fe, vetëvrasje dhe atëvrasje. Çështja ishte nëse babai dhe nëna kishin mbytur birin e tyre për hir të Zotit, nëse vëllai kishte mbytur vëllain, nëse miku kishte mbytur mikun, apo nëse ishte edhe faji i gjykatësve që kishin shpënë mbi rrotën e vdekjes një baba të pafajshëm, apo që i kishin falur jetën një nëne, një vëllai, një miku fajtor”, shkruan Volter në kapitullin e parë të librit. I konsideruar gjithnjë si një nga traktatet më të mira të shkruara ndonjëherë për besimin dhe mënyrën sesi duhet ta shohim atë, ky libër është kthyer këto kohë në një nga librat më të shitur në Francë pas ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo”, ku humbën jetën 20 vetë. Redaktori i “Charlie Hebdo”, Stephane Charbonnier, i cili humbi jetën gjatë sulmit fatal, kishte shkruar dy libra bazuar në historinë e Volterit. Më shumë se dy shekuj jetë, libri i Volterit vazhdon t’i flasë kohës dhe shoqërisë së sotme, duke apeluar mbi rëndësinë e tolerancës fetare. Shtëpia botuese “Saras” pritet ta nxjerrë shumë shpejt librin në treg për lexuesin, duke e futur gjuhën shqipe në hartën e gjuhëve në të cilat ka folur ky libër. I përkthyer nga Fari Laçka, libri i cili mund të quhet dhe një ese e gjatë filozofike, nuk tregon thjesht një histori, por të bën të lexosh përmes saj. Duket sikur Volter e parashikon të ardhmen, atë çfarë po ndodh sot në emër të fesë, trazirat në Lindjen e Mesme, apo vrasjet në emër të IS. Në paragrafin e parë të librit ai shkruan se “kjo është jo vetëm një ‘nga ngjarjet më të pazakonta që meritojnë vëmendjen e brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm’, por edhe një mësim i mirë që duhet të nxjerrin të gjitha kombet e shoqëritë e sotme”. Traktat mbi tolerancën është ese e shkruar në vitin 1763 nga shkrimtari dhe filozofi i shquar francez, François Marie Arouet, ose siç njihet ndryshe, Volter. Lindur më 21 nëntor të vitit 1694, ai ishte një nga ata filozofë të shekullit të Përndritjeve, një figurë shumë komplekse që u dallua për mprehtësinë, kritikat e ashpra drejtuar fesë, në veçanti asaj katolike, mbrojti lirinë e besimit, të shprehjes, ndarjen e shtetit nga kisha dhe luftoi sidomos kundër dogmave fetare dhe mostolerancës. Shekulli i tetëmbëdhjetë kur jetoi Volteri, është kohë ndryshimesh të mëdha në shumë aspekte të jetës, veçanërisht në shkencë e filozofi dhe siç thotë ky shkrimtar ‘në shpirtrat e mendjet e njerëzve ka ndodhur një revolucion’… “Drita po përhapet nga të gjitha anët”, shkruan ai në vitin 1765. Por, edhe në këtë atmosferë të re ku ishte futur shoqëria njerëzore, siç shprehet ai përsëri “te njeriu ka mbetur ende zgjyra e fanatizmit”. Ndaj dhe ky shkrimtar i jashtëzakonshëm bëhet pishtar i lirisë dhe armik i përbetuar i paragjykimeve, fanatizmave, dogmave dhe fesë, por asaj feje që në disa periudha e zhyti njerëzimin në padituri dhe rrënim, pavarësisht se, me sa kuptojmë nga ato që shkruan, vetë Volteri e pranon se Zoti ekziston. Kjo ese është një kambanë e cila lajmëron se fanatizmi i ka rrënjët ende të forta dhe vështirë se mund të shkulen nga mendja dhe shpirti i disa njerëzve, të cilët besojnë te feja ose verbërisht, ose qëllimthi për të përfituar prej saj. Mjeshtërinë e tij e kanë vlerësuar të gjithë ata që kanë lexuar edhe vepra të tjera të njohura, apo të panjohura. Mjafton të përmendim këtu Zagigun, apo Kandidin, dy pamflete të fuqishme kundër dhunës, urrejtjes, vrasjeve, luftërave e gjëmave të historisë, shtypjes dhe zvetënimit të qenies njerëzore. Historia e Zhan Kalasit është kthyer në një histori simbol të krimeve në emër të fanatizmit fetar. Si njohës i mirë i çështjeve fetare dhe ligjore, gjatë gjithë esesë shkrimtari sjell fakte mbresëlënëse nga epoka, shoqëri dhe bashkësi të ndryshme fetare dhe duke i gërshetuar me njëra-tjetrën, ai përfundon librin pikërisht aty ku ka zanafillën, rehabilitimi i figurës së plakut Kalas si nder i tolerancës dhe turpi i mostolerancës, një tregues i qartë se deri ku mund ta shpjerë fanatizmi mendjen dhe shpirtin e njeriut. Volteri është një nga ata luftëtarë të cilin arsyeja e udhëheq gjithmonë drejt qëllimit që i ka vënë vetes: të jetë avokati mbrojtës i dinjitetit njerëzor dhe armik i përbetuar i çfarëdo lloj shtypjeje, tiranie e fanatizmi. Ashtu si në shumë vepra të tjera, ironia e tij shumë e hollë dhe therëse, nxjerr më në pah paradokset njerëzore të ndikuara nga rryma e teori të ndryshme fetare. Nuk ngurron ky shkrimtar i guximshëm të kritikojë edhe figura të njohura fetare, në shënjestrën e të cilit vihen edhe vetë ‘mëkëmbësit e Zotit mbi tokë’, papët e Romës, duke treguar se vetëm duke pasur guximin t’u kundërvihemi dukurive të tilla, atëherë do të mund njeriu që ta shndërrojë shoqërinë dhe vlerat e krijuara deri më sot në një qytetërim më fisnik, më të dhembshur e fundja, thjesht më njerëzor.

Lutje Zotit*
Volter
Tani nuk po u drejtohem njerëzve, por ty, Zot i të gjitha qenieve, botëve dhe kohërave. Nuk e di nëse lejohet që krijesa të dobëta, të përhumbura në pafundësi dhe të papërfillshme në gjithësi, të guxojnë të të kërkojnë diçka ty që ke dhënë gjithçka, në bazë të rregullave të pandryshueshme dhe të përjetshme, të denjosh të shikosh me zemërgjerësi gabimet që edhe pse vijnë nga natyra jonë, të mos bëhen mynxyrat tona. Nuk na ke dhënë zemrën të urrejmë, e duar të theremi. Bëj që t’i ndihim njëri-tjetrit për të mbartur barrën e kësaj jete të vështirë kalimtare; që dallimet e vogla mes rrobave në trupat tanë të dobët, mes gjuhëve tona të cekëta, mes zakoneve qesharake, mes ligjeve të papërsosura, mes opinioneve të pamend, mes kushteve kaq të ndryshme në sytë tanë, por që s’kanë dallim para teje; që të gjitha këto çikërrima mes thërrmijave të quajtura njerëz të mos jenë shenja urrejtjeje dhe përndjekjeje; që ata të cilët ndezin qirinjtë në mes të ditës për të kujtuar emrin tënd, të përkrahin ata që kënaqen me dritën e diellit që u fale; që ata të cilët mbulohen me pëlhurë të bardhë për të thënë se duhet të të duam, mos urrejnë ata që thonë të njëjtën gjë, por nën rasën e zezë; që adhurimi ynë të jetë njësoj, qoftë në një gjuhë të lashtë, qoftë në një të re; që ata të cilët veshin petkun e kuq, që zotërojnë një grusht baltë nga kjo tokë dhe që kanë copëza metali vezullues, të gëzojnë përultësisht atë që e quajnë madhështi dhe pasuri dhe të tjerët t’i shohin pa smirë. Sepse ti e di që për këto kotësira nuk ka, as pse të zilepsesh, as pse të mburresh. Kurrë mos u harroftë se njerëzit janë vëllezër! Paçin urrejtje vetëm për tiraninë që rëndon mbi shpirtra, ashtu siç neveriten nga banditizmi që rrëmben me dhunë frytet e punës dhe të djersës. Nëse gjëmat e luftës nuk shmangen dot, mos e urrejmë, mos e shqyejmë njëri-tjetrin në prehrin e paqes dhe ta përdorim këtë jetë për të bekuar njësoj nga Azia në Amerikë, në mijëra gjuhë, mirësinë tënde që na ka sjellë në këtë botë.

STRATEGJIA E SERBOCENTRIZMIT AUTODESTRUKTIV

Analiza



Prof.Dr.Mehdi HYSENI


STRATEGJIA E SERBOCENTRIZMIT AUTODESTRUKTIV

*** Shkaku i paknaqsisë së minoritarëve serbë në Kosovë (2000-2015), qëndron në faktin se, ata nuk e njohin shtetin e pavarur të Kosovës, edhe pse janë të përfaqësuar dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në institucionet dhe në organet e tij. -Edhe pse ata janë deputetë, ministra dhe zëvendësministra, ata nuk e njohin, por vetëm e shfrytëzojnë politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht shtetin e pavarur të Kosovës, sepse Serbinë e njohin si shtet të tyre. Vetëm për këtë qëllim, Beogradi zyrtar ka “lansuar” dialogun në Bruksel me palën shqiptare të Kosovës, duke shpresuar se një ditë, Serbia (duke keqpërdorur minoritetin e saj në Kosovë), me ndihmën e BE-së dhe të Rusisë, do të rikthente sovranitetin e saj të dikurshëm kolonial në Kosovë (1912-1999).

Rikthimin në institucionet e filluan me “Povratakun” dhe e mbyllën me “Srpska Lista” të Aleksandar Jabllanoviqit në qeverinë e koalicionit Thaçi-Mustafa (dhejtor 2014).

Edhe pas inaugurimit të institucioneve shtetërore të Parlamentit dhe të Qeverisë multietnike të Kosovës(2000-2015), në të cilat participon edhe minoriteti serbomalazez, sipas përqindjes së paritetit të vet, pala serbe(me gjithë hipotekën e saj, si levë nismëtare dhe kryesore e viktimizimit të shqiptarëve dhe të Kosovës nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë), kursesi të pajtohet me realitetet e reja, të krijuara në Kosovë pas dështimit të politikës gjenocidale dhe të agresionit luftarak të "RFJ-së"(Serbia+Mali i Zi), kundër Kosovës, të drejtuar nga Slobodan Milosheviqi, vrasësi i shqiptarëve, i kroatëve dhe i myslimanëve boshnjakë të Bosnjë-Hercegovinës. Nuk pajtohet sepse ushqehet dhe vepron sipas strategjisë së serbocentrizmit autodestruktiv shekullor të përmbajtjes programore të Serbisë së Madhe(1844-2015).

Këtë konstatim, e provojnë edhe përpjekjet e para (pas përfundimit të luftës në Kosovë) të përfaqësuesve të "Povratakut" (të komanduar dhe të këshilluar drejtpërdrejt nga qeveria serbe e Beogradit me nënkryetarin e saj në krye, Nebojsha Qoviq ),që të nxirrnin "extra" koncesione nga kryeshefi i UNMIK-ut, Mihael Shtajner, ashtu siç vepruan paraprakisht, edhe me kryeshfat paraprakë të UNMIK-ut, francezin Bernard Kushner dhe danezin Hans Hekerup.

Histeria e serbocentrizmit autodestruktiv

Për këtë syndrom të pakënaqësisë dhe të rebelimit të serbëve në Veriun e Kosovës, të cilët të ndihmuar nga qeveria e Beogradit, plot 15 ia arritën ta copëtojnë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, me ç’rast , duke përdorur forma të ndryshme të terrorizmit shtetëror serb, të drejtuar drejtpërdrejtë nga struktura të kamufluara policore, paramilitare dhe të sigurimit, jo vetëm që t’i dëbojnë mbi 30 mijë shqiptarë nga banesat, nga shtëpitë dhe nga pasuritë e tyre të patundshme, por edhe të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e Serbisë në pjesën e okupuar veriore të Kosovës.

E, së fundi, ajo që është më skandaloze dhe më e papranueshme, strukturat e barrikaduara parale serbe së bashku me Beogradin ia arritën që të “internacionalizojnë” problemin e Kosovës Veriore, duke shpikur “dialogimin historik” kinëse në emër të zgjdhjes së “çështjeve teknike” të minoritetit serb, përkatësisht të “normalizimit” të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë. Këtë e provon edhe lidhja e Marrëveshjes së Brukselit (19 prill 2013), të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel nën monitorimin e shefës së diplomacisë së BE-së Katherine Ashton.

Është me interes që në formë të një kronologjie të shkurtër dhe përmbledhëse, të trajtojmë historikun e histerisë së serbocentrizmit autodestruktiv, karakteristikë kjo,e cila gjatë gjithë periudhave historike ka mbisunduar,duke luajtur rolin më negativ në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Pikërisht, duke u ushqyer me recidivat e këtij fenomeni patologjik, serbët kanë kryer disa gjenocide mbi kombin dhe truallin etnik shqiptar,në veçanti nga viti 1842 e deri në vitin 1999(prill). Mirëpo, në saje të mbështetjes së përhershme dhe të njëanshme të aleatëve të tyre tradicionalë sllavë(Rusia cariste) dhe të atyre prosllavë (Franca dhe Britania e Madhe), asnjëherë nuk kanë dhënë llogari para bashkësisë ndërkombëtare për krimet gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Përkundrazi , këto akte të shëmtuara kundër njerëzimit, Serbia ua ka atribuuar shqiptarëve të pafajshëm ngase ata nuk gëzonin kurrfarë përmbajtje, as mbrojtje ligjore të bashkësisë ndërkombëtare (1878-1999)

Ndërkombëtarizimi dhe mbështetja e UÇK-së në Rambuje

Nuk ka asnjë dyshim se me daljen në skenë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës(UCK) në vitin 1998, e cila në saje të luftës së saj çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale kundër Serbisë gjenocidale dhe agresive, bashkësisë ndërkombëtare iu imponua si faktor vendimtar ushtarako-politik, si rrjedhim u përfundua Marrëveshja e Rambujesë (mars 1999).

Në rastin konkret, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, shqiptarët arritën që të përkrahen dhe të gjejnë mirëkuptim objektiv nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Në ndryshimin e baraspeshimit të forcave politike ndërkombëtare, përkatësisht në kthimin e "balances" diplomatike të kancelarive diplomatike evropiane në favor të faktorit shqiptar, rolin kryesor e ka luajtur zhvillimi i luftës drejtë çlirimtare të UCK-së dhe mbështetja e saj direkte nga administrata amerikane me presidentin Bill Klinton në krye, këta dy faktorë relevantë sollën në ndërkombëtrarizimin dhe në çlirimin e Kosovës nga bandat kriminele serbe të regjimit pushtues gjenocidal të Serbisë.

Më pas (me të përfunduar kufta në Kosovës, pas kapitullimit të Serbisë militariste, policore dhe paramilitariste të Sloboda Milosheviqit), në kohë paqeje regjimet reformuese “demokratike” të Vojsilav Koshtunicës, Zoran Gjingjiqit dhe të Nebosha Çoviqit, (edhe pse kryetari-përfaqësuesi i tij, S.Milosheviq ishte nxjerrë në bangën e zezë të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë), kursesi të vetëdijësohej dhe të kuptonte gjendjen reale në Kosovë. Në vend se të ndikonin pozitivisht në minoritetin e tyre, duke i motivuar që, në përputhje me ligjet dhe me ligjshmëritë, të dala nga Korniza kushtetuese e Kosovës, si dhe nga paragrafët e Rezolutës 1244 të OKB-së, të kooptoheshin në organet dhe në institucionet përkatëse të Parlamentit dhe të Qeverisë multietnike të Kosovës, sikurse përfaqësuesit e minoriteteve të tjera, Beogradi (sikurse gjatë mandatit të kryeadministratorëve të mëparshëm, Bernard Kushner dhe Hans Hekerup), e nxiste palën serbe, që të vazhdonte me shantazhe dhe me obstruksione të pajustifikueshme të bojkotit, që kishin përllim të fundit destabilizimin e gjithë asaj, që kishte investuar dhe kontribuar bashkësia ndërkombëtare në Kosovë për të ndërtuar një shoqëri të re civile me parime dhe me standarde demokratike të botës së qytetëruar moderne, të pavarur nga Serbia, ku të të gjithë qytetarët e saj, do të ishin me të drejta dhe detyrime të barabarta para ligjit.


Kisha ortodokse dhe shkenca serbe në funksion të gjenocidit serb në Kosovë

Ndër forcat centrifugale të politikës pushtuese serbe ndaj territoreve etnike shqiptare dhe të ushtrimit të sundimit të sistemit kolonial të saj, janë pa dyshim Kisha ortodokse dhe kuazishkenca serbe, institucione këto, që ndër shekuj, objekt parësor të programit të tyre nacionalshovinist kanë pasur asgjësimin e qenies shqiptare dhe të sundimit kolonial të territoreve indigjene të Shqipërisë etnike.

Mirëpo, zbatimi në praktikë i një programi të këtillë me karakter afatgjatë historik nga ana e politikës serbe, është provuar si i suksesshëm vetëm në një segment të saj-ankesimin dhe kolonizimin e trojeve dhe të popullit shqiptar, por jo edhe në asmilimin dhe në shfarosjen definitive të shqiptarëve nga trungu i tyre i lashtë etnik.

Me gjithë pretendimet territoriale megalomane (që nga Beteja e Kosovës 1389 e deri në qershor të vitit 1989, kur në saje të makinerisë së terrorizmit dhe të gjenocidit të institucionalizuar shtetëror serb, u pezullua përfundimisht autonomia e Kosovës së vitit 1974, duke dëbuar, duke përndjelur, duke vrarë, duke plagosur, duke torturuar dhe duke burgosur me mijëra shqiptarë të të gjitha moshave.

Këtë tragjedi të shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës, e vulosi para gjithë botës, kryekrimineli i Ballkanit, Slobodan Miloshviq me fjalimin e tij të mbajtur në Gazimestan, me rastin e kremtimit të Vidovdanit (28 qershor 1989). I sfaqur si "feniksi", i ndërsyer dhe "i bekuar" nga Kisha Ortodokse Serbe, i cili mbajti "liturgjinë politike", duke apostrofuar se Serbia sërish do të hidhet në beteja të reja të përgjakshme, por të "suksesshme" sikurse ajo e Kosovës (1389), gjithnjë duke llogaritur në mbështetjen e kryegjësë sllave-Rusisë dhe të aleatëve të tjerë tradicionalë saj për asimilimin dhe për spastrimin e shqiptarëve nga Kosova, duke qenë se sipas mitilogjisë së krijuar ndër serbë, kjo pjesë e territorit të Shqipërisë etnike, gjithmonë paskësha qenë "zemra dhe djepi i Serbisë").

Pikërisht në prag të kremitimit të 610-vjetorit të disfatës së betejës së Kosovës, më 24 Mars 1999, Serbia okupatore mposhtet dhe thyhet edhe më keq sesa në Betejën e Kosovës, si rrjedhim i luftës së drejtë çlirimtare kombëtare të UCK-së dhe të bombardimeve 78-ditëshe të Aleancës së Atlantikut Verior(NATO),sepse me këtë rast përfundimisht "përshëndetet" nga zotërimi i mëtejmë kolonial i Kosovës.

Ia vlen të nënvizojmë se "humbja" e Kosovës nga jurisdiksioni dhe sovraniteti kolonial serb, në perspektivën e afërt, paralajmëron edhe çlirimin e territoreve të tjera shqiptare nga çizmja shekullore barbare sllave në Ballkan. Një shthurje e tillë, së shpejti pritet të manifestohet edhe në Anamoravë(Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Këtë, do ta stimulojë dhe do ta përshpejtojë pikërisht "agjenda" e kërkesave permanente të skjashme dhe nacionalshovinste të minoritetit serb në Kosovë, të cilat janë vazhdimisht të njëanshme dhe në disfavor të ineteresave vitale të palës shqiptare dhe të përpjekjeve serioze të misionit paqësor të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila pareshtur akuzohet nga pala serbe: Kisha Ortodokse Serbe (si gjithnjë “flamurtare” për shfarosjen e shqiptarëve nga territroret e Shqipërisë etnike) dhe regjimi aktual i Beogradit, se gjoja, minoriteti serb në Kosovë, edhe pas përfundimit të luftës, “është zhveshur” nga të të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, "jeton i getoizuar" në Kosovë(!)


Antinomia e ndërrimit të tezave-vazhdimësi e paranojës dhe e deformitetit shkencor të "kujtesës historike" serbe


Duke mos pretenduar, që të hedhemi në historinë e largët të këtij fenomeni absurd të politikës dhe të historiografisë falsfikatore serbe, ia vlen të përqëndrohemi në pasqyrimin e tij, që i përket periudhës më të re të marrëdhënieve serbo-shqiptare, duke filluar që nga viti 1981, kur përmes demonstratave studentore shqiptare në Prishtinë dhe në qendrat e tjera të Kosovës, të organizuara dhe të prira nga vepritarët e dalluar të Lëvizjes Kombëtare për Clirimin e Kosovës, siç ishte z. Hydajet Hyseni, botërisht iu bë e ditur si regjimit të egër kolonialist serb, ashtu edhe mbarë opinionit ndërkombëtar, se kërkesa e popullit shqiptar, që Kosova të jetë republikë mëvete ishte e drejtë dhe imperativ i domosdoshëm historik i kohës.

Mirëpo, fatekqësisht edhe në këtë rast, regjimi totalitar çetniko-fashist-komunist i Serbisë (sikurse të gjitha regjimet e mëparshme hegjemoniste serbe), duke u mbështetur drejtpërdrejt nga agjenturat e klerikëve të Kishës ortodokse serbe dhe të shërbimeve sekrete të zbulimit dhe të kundërzbulimit policor dhe ushtarak serb, jo vetëm se u tregua i "shurdhër" ndaj kërkesës Kosova Republikë, por këtë e sofistikoi sipas "shijes" së politikës tradicionale të antinomisë së ndërrimit të tezave të deforimitetit të "kujtesës historike" dhe të paranojës kolektive serbe kundër ekzistencës dhe të drejtës historike të popullit shqiptar në Kosovë. Për arritjen e një objektivi të këtillë antishqiptar, përpos ushtrimit të forcës ushtarake, policore dhe paramilitare kundër shqiptarëve në Kosovë, regjimi shtypës i Beogradit angazhoi dhe shfrytëzoi në maksimum "shërbimet e vullnetit të mirë" të Kishës ortodokse serbe dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, ku pa u penguar fare nga faktori ndërkombëtar, institucionalizoi terrorin gjenocidal në Kosovë, i cili mbretëroi tërë dekadën e fundme të shekullit XX.

Sipas së “drejtës ndërkombëtare” serbomadhe, - “Kosova republikë-gjenocid”!!!



Në funksion të mbështetjes dhe të avancimit të politikës kolonialiste dhe militariste të Serbisë dhe të Malit të Zi kundër qenies shqiptare në Kosovë ( në prag të përmbysjes së ish-RSFJ-së nga virusi nacionalshovinist-çetniko-serb), janë shkruar vëllime të shumta tekstesh nga autorë të fushave të ndryshme të shkencës, të publicistikës, të informimit serb etj. Mirëpo, ne në këtë rast po japim vetëm një shembull karakteristik nga "shkenca e së drejtës ndërkombëtare publike” serbe, që autorët e saj prof.dr.Smila Avramov dhe prof.dr.Milenko Kreqa, përmes librit të tyre:"Medjunarodno javno pravo"(E drejta ndërkombëtare publike", botuar më 1990, e "zgjerojnë" përkufizimin e nocionit të gjenocidit, duke i shtuar "atributin": Republika e Kosovës(!)


Kjo përpjekje tendencioze e qarqeve të caktuara politike, kishtare dhe shkencore serbe për të mistifikuar të vërtetën historike të shqiptarëve në Kosovë, nuk është kurrfarë risie për opinionin shqiptar. Këtë e provojnë edhe dokumentet historiko-diplomatike gjermane dhe austriake, të cilat vënë në dukje se Patrikana e Pejës(1557) e ka luajtur rolin dominant në ndërtimin dhe në përhapjen e ideve serbomëdha.

“Shfaqja e kësaj ngrehine të re shtetërore teokratike ortodokse serbe(në kuadrin e shtetit turk), 100 vjet pas shthurjes së Serbisë Mesjetare(1459-1557), i kishte vënë vetes për detyrë, që në emër të idesë ortodokse serbe, të pushtonte gjithë Ballkanin, në veçanti pjesën veriperëndimore të tij”.


Duhet të nënvizojmë se shtrembërimi i historisë së popujve të Ballkanit, sidomos të popullit shqiptar, nga ana e kishës dhe e shkencës serbe, ndikoi negativisht edhe në rrjedhat e politikës dhe të shkencës evropiane, të cilat Serbisë i hapën shtigje të reja për shtrirjen e hegjemonisë dhe të pushtimeve ekspansioniste koloniale.

Prof.Dr.Smila Avramov, një antishqiptare e tërbuar!

Pikërisht, mbi këto baza edhe shkenca e sotme serbe është në funksion të zhvillimit të politikës së këtillë. Këtë e provon edhe botimi i tekstit ("Medjunarodno javno pravo",Naucna knjiga, Beograd,1990), shkruar nga prof.Dr.Smila Avramov dhe prof.Dr.Milenko Kreqa, nga përmbajtja e të cilit shihet, se këta autorë, nuk kanë mundur të lirohen nga paragjykimet dhe konceptet stereotipe të nacionalshovinizmit serb, edhe pse ky tekst është me përmbajtje juridike ndërkombëtare,ku sipas metodologjisë dhe kritereve shkencore, assesi nuk lejohet,që normëzimi i së drejtës ndërkombëtare, të ndërtohet dhe të interpretohet sipas "riformulimeve" arbitrare dhe tendencioize individuale, siç kanë vepruar në këtë rast dr.Smila Avramova dhe dr.Milenko Kreqa.


Edhe pse në këtë tekst universitar janë eliminuar njësitë e mëparshme mësimore të karakterit ideologjik të sistemit paraprak komunist, autorët e theksuar, të prirur nga idetë nacionalshoviniste serbomëdha nuk kanë mundur të heqin dorë nga recidivat e dikurshëm të historiiografisë tendencioze dhe subjektive serbe , të krijuar në dëm të interesave të popullit shqiptar. Këtë e ilustrojnë "shkencërisht", me këtë shembull:" Na primer, genocid na Kosovu ostvaruje se pod gestom-etnicki cisto Kosovo",f.207, ku flitet për veprat penale dhe për përgjegjësinë individuale me karakter ndërkombëtar.

Në të vërtetë, citati "Për shembull, gjenocidi në Kosovë po realizohet nën parullën:Kosova etnikisht e pastër", këtu është përdorur, me qëllim që, Smila Avramov dhe Milenko Kreqa, të zgjerojnë përkufizimin e nocionit të gjenocidit në mohimin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës shqiptare.

Mirëpo, për fat të keq, në rastin konkret e kanë bastarduar përkufizimin ekzistues të gjenocidit, ngase deri tani në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare publike nuk ka ndodhur që, migrimet e ndryshme të popujve, të trajtohen si elemente të gjenocidit, duke qenë se ato kanë thjesht karakter ekonomik. Futja e "parullës" (Kosova etnikisht e pastër), si element i zgjerimit të përkufizimit të gjenocidit, në normëzimin e kësaj disipline shkencore, jo vetëm që nuk ka kurrfarë peshe shkencore, por mbi të gjitha është një nonsens me elemente barbarie, që në esencë nënkupton kultivimin dhe vazhdimësinë e politikës së egër shtypëse të kolonializmit serb, që tani përputhet plotësisht me kryerjen e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë(1998-1999)..

Si mund të cilësohet "parulla" Kosova etnikisht e pastër (që në këtë rast Smila Avramov dhe Milenko Kreqa aludojnë në kërkesën Kosova republikë), se ka karakter gjenocidi?! Kur kjo kërkesë e ka bazën e vet në të drejtën natyrore dhe historike kombëtare, etnikisht, politikisht dhe ligjërisht e qëndrueshme dhe racionale, de jure e pakontestueshme, sepse kjo nuk përmban kurrfarë elementi apo "motoje" diskriminuese a segregacioni ndaj minoriteteve të tjera që jetojnë në Kosovë. Kjo është një tezë spekulative, që ka karakter dhe prapavijë të thellë propagandistike dhe politike antishqiptare, që përputhet plotësisht me “irredentizmin”, "separatizmin" dhe me "secesionizmin", që gjithashtu janë prodhim dhe "zbulim epokal" i kishës, i shkencës dhe i politikës serbe, se gjoja shqiptarët nuk kanë kurrfarë të drejte në truallin e vet etnik shekullor, dhe se janë pakicë, që pretendojnë të shkëpusin territorin "integral të Serbisë-Kosovën, me qëllim që t'ia bashkëngjesin Shqipërisë së Madhe"(!)

Sofistikimet dhe trillimet e këtilla me të drejtën legjitime të popullit shqiptar në njohjen e së drejtës së vetëvendosjes, janë kompatibile vetëm me pikëpamjet dhe me idetë serbomëdha të Kishës ortodokse serbe,që pikëmbështetjen e kanë në Programin e "Naçertanisë" së Ilija Garashaninit(1844), në veprat nacionalshoviniste të Dositej Obradoviqit(1783), në Memorandumin e krijimit të Mbtretërisë së Përbashkët Serbosllave" të mitropolitit të Karllovcit, Stefan Stratimiroviqit(1804),drejtuar Oborrit Mbretëror të Rusisë,gjatë periudhës historike të sundimit të Katarinës II, në veprat e Jovan Subotiqit (1839), i cili konsiderohet si një nga armiqtë më të përbetuar të ilirëve dhe të Ilirizmit. Pra, edhe sot, pas sa e sa shekujsh, nga idetë dhe programet e këtilla serbomëdha, nuk kanë mundur të lirohen(dekada e fundme e shekullit XX) as prof.dr. Smila Avramov,as prof.dr.Milenko Kreqa, edhe pse në tekstin e tyre "E drejta ndërkombëtare publike", nuk bëhet fjalë për "çështjen ilire", megjithatë në kaptinën e tretë "Të drejtat e njeriut-etapa e re në zhvillimin e bashkësisë ndërkombëtare" edhe pse konkretisht nuk i emërtojnë - shqiptarët i akuzojnë me paturpësi për "vepër gjenocidi"(!)


Parulla "Kosova etnikisht e pastër", nuk është "produkt" i shqiptarëve, por në të kundërtën, program afatgjatë i politikës pushteuse të Serbisë, që t'i shfarosë shqiptarët nga territoret e tyre shekullore.

Pra, këtu, nuk kemi të bëjmë me kurrfarë "parulle", që u referohet shpërnguljes së serbëve,malazezëve apo pakica të tjera nga Kosova,por këtu është bërë ndërrimi i tezës, në këtë kontekst Serbia është ajo, e cila në vazhdimësi ka spastruar Kosovën, Anamoravën dhe viset e tjera të banuara me etnikumin shqiptar(ku janë sot shqiptarët e Bllacës, të Kurshumlisë, të Toplicës, të Vranjës etj.?).

Tani në kontinentet e ndryshme të botës ndodhen më se 3 million shqiptarë të shpërngulur nga Kosova, Plava,Gucia, Ulqini,Tivari, Hoti,Gruda, Ilirida dhe Anamorava si rrjedhim i gjenocidit dhe i hollokaustit shekullor serbomalazez e maqedon.

Në këtë vështrim, është dashur të analizohej dhe të trajtohej sintagma "Kosova etnikisht e pastër", e jo, kjo të keqinterpretohet me tendencë, që të inkorporohet si "elementi i ri" i përkufizimit të nocionit të gjenocidit. Këtë "novus" kuazishkencor mund ta zhvatë vetëm paranoja politike kolektive, Kisha Ortodokse Serbe dhe "shkenca" serbe e dr.Smila Avramovit dhe e dr.Milenko Kreqës, e kursesi normat dhe parimet e standardizuara të së drejtës pozitive ndërkombëtare.

ANALIZA

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...