Akademik Rexhep Ferri u lind më 1937 në Kukës (Shqipëri). Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë e para nga cikli “Shëtitësit e vonë” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë. Më 1966 u diplomua në Degën e Pikturës, në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1967 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë.
Më 1968 hapi ekspozitën e pavarur në galerinë “Grafiıki Kolektiv” në Beograd, e më 1969 në Galerinë Darte II Cenacolo në Vicenca në Itali. Më 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Më 1972 mori pjesë në Bienalen Mediterane të Aleksandrisë në Egjipt. Më 1973 hapi ekspozitën e pavarur në galerinë “Grafiıki Kolektiv” në Beograd.
Më 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë e më 1975 mori çmimin për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1976 hapi ekspozitën e pavarur në galerinë “Kulturni Centar” në Beograd, e më 1977, në galerinë “Lambert” në Paris.
Më 1978 botoi librin me poezi “Punë gjaku”, “Rilindja”, Prishtinë, më 1981 botoi “Qafa e diellit”. Më 1982 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë e Arteve në Prishtinë e më 1982 u prezantua në ekspozitën kolektive në galerinë “Forum” në Zagreb. Më 1983 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë e Arteve në Sarajevë.
Në vitin 1984 botoi librin me poezi “Këmisha e bardhë”, “Rilindja”, Prishtinë. Më 1985 mori pjesë në ekspozitën “Arti bashkëkohor i Kosovës” në galerinë “Breht” në Munih. Më 1988 botoi librin me poezi “Trekëndësh me detin”, “Rilindja”, Prishtinë. Në vitin 1989 hapi ekspozitën e pavarur në galerinë “Vakko” në Ankara, e më 1992 botoi librin me poezi “Në profil”, “Rilindja”, Prishtinë.
Në vitin 1995 hapi ekspozitën e pavarur në Kullën e Balshajve në Ulqin. Anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh më 1996. Në vitin 1997 mori shpërblimin “Penda e artë”, për poezinë më të mirë të botuar në revistën “Fjala” gjatë dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë. Më 1997 hapi ekspozitën e pavarur në galerinë “Dodona” në Prishtinë e po atë vit botoi librin me poezi “Ndoshta ishte dashuri”.
Në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Më 2001 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Kombëtare në Tiranë.
Me 2007 mori pjesë në ekspozitën “L‘art moderne kosovar” në Cite internationale des arts, Paris.
Me 2012 me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë mori titullin: “Qytetar Nderi i Vlorës”. Më 2013 hapi ekspozitën e pavarur në Galerinë Kombëtare në Tiranë .
Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.
Tituj të veprave
"Ndoshta ishte dashuri", Prishtinë: Gazeta "Rilindja", 1997
“Punë gjaku”, “Rilindja”, Prishtinë,1998
"Atdheu im Torzo, Prishtine: Rilindja, 1998
"Kuartet për harqe : partiturë, Autorët" Rauf Dhomi, Rexhep Ferri. Prishtinë, 2001
“Portreti i një vetmie”, “Rilindja”, Prishtinë,2003
Frikë nga Guernika: roman, Tiranë: Onufri, 2004
Njeriu po kush tjetër: roman, Tiranë: Onufri, 2005
Shapo Albane: roman, Tiranë: Onufri, 2006
Humbës i lumtur, Tiranë : Toena, 2007
“Historia e hijeve”, Onufri, Tiranë,2008
“Atdheu im torzo”, “Onufri”, Tiranë,2009
“Harrimi antik”, Onufri, Tiranë,2009
“Britma e Munkut”, “Onufri”, Tiranë,2011
“Portreti në monedhë”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë,2013
“Gabime të bukura”, ASHAK, Prishtinë,2015.
Etj.
Midis atdheut dhe vetvetes, Rexhep Ferri ka zgjedhur një rrugëtim që i përshkon të dyja, shkruan “Shqip”. Dhembja e atdheut ka qenë e ngjashme me dhembjen që ndiente mbrëmjeve teksa shihte sytë e trishtuar të së ëmës që nuk qeshën kurrë. Çdo të hënë ajo priste një shenjë
Tiranë, 22 nëntor - Midis atdheut dhe vetvetes, Rexhep Ferri ka zgjedhur një rrugëtim që i përshkon të dyja, shkruan “Shqip”. Dhembja e atdheut ka qenë e ngjashme me dhembjen që ndiente mbrëmjeve teksa shihte sytë e trishtuar të së ëmës që nuk qeshën kurrë. Çdo të hënë ajo priste një shenjë shpresëdhënëse nga Daja Peshk. “Hatixhe, kam disa lajme nga Malësia e Gjakovës. Shabanin e ke gjallë… Nëna nuk e di në e besoi, por u gëzua. Daja Peshku, duke pirë cigaren e vazhdonte rrëfimin… Komunizmi i ka ditët e numëruara.
Lufta i kishte çuar nga Plava në Pejë, nga Peja në Babaj të Bokës, nga aty në Gjakovë. Ishte koha e miqësive të rrejshme, atëherë kur shqiptarët mes Tiranës dhe Prishtinës besonin në iluzionin e dashurive të tepruara. Në këtë tablo historike, Rexhep Ferrit, vetëm një adoleshent nuk i mbetej gjë tjetër veçse të kapej fort pas librave dhe ngjyrave. Shumë shpejt do ta kuptonte se mes tyre mund të gjente zgjedhjen për t’iu larguar të gjithave, dhe syve të trishtë të nënës. Pas përfundimit të shkollës së mesme të artit në Pejë, ai u nis për studime në Shkollën e Artit në Beograd për të studiuar pikturë ku u diplomua në vitin 1966. Ferri i përket brezit të atyre artistëve që hodhën piketat mbi atë çfarë do të përfaqësonte arti pamor në Kosovë pas viteve ‘60. Në një situatë jo të lehtë politike në Kosovë ai do t’i përfundojë studimet përmes shumë rreziqesh.
Sot, gjithçka nga ajo kohë i vjen në formën e kujtimeve të ngjashme me ngjyrat që hedh në telajo. I kujtohet profesor Pavle Vasiqit, thënia e tij, kur ai i druajtur hyri në klasën ku rrinin arsimtarët. “Eja Ferri, pse po hyn aq turpshëm. Ti më je më i moçëm se grekët në Ballkan”. I kujtohet, Marta, fjalët e saj se “Ruaje zemrën, mos e jep lehtë”. Qeshja e saj, kur ai i fliste për të dashurat e Modelianit, ngjyrën e kuqe, fjalët e profesor Rajkut kur u ndal para pikturës së tij e i tha “Ferri nga piktura në pikturë, pjesa e dytë e sfidave po të pret. Të çlirohesh nga vetvetja e prapë të mbetesh vetja. Procesi nuk është i lehtë. Nga sfidat mësohet shumëçka. Koha para se të kthehet në famën e vet kërkon magji…”. Frikën për të pikturuar portretin e Martës. “Për të larguar frikën shko në Muzeun e Luvrit në Paris dhe bëje një fotografi me Mona Lizën.
Ajo gjatë fotografimit mund të thotë: ”A do kesh kohë sot për mua?! Për suksesin tim, për famën time!”. E ti, duke shprehur rebelimin e krijuar nga rebelimi thuaj: “E dashura zonjë e madhe e romantikes, buzëqeshja jote është diçka që nuk e prisja. Shkurt: tani njoha edhe një grua. Sot botën po e sundon afërsia artistike”. Këto kujtime Rexhep Ferri nuk ia ka lënë vetëm kujtesës. Ashtu si piktura shkrimi ka qenë një tjetër fuqi brenda tij, e cila shpeshherë kërkonte të dilte në sipërfaqe. Vitet e fundit shkrimi është më tepër brenda tij. Teksa Tirana është e zhytur në shi, ai nuk di ta shpjegojë, këtë ndjesi të hershme. Në duar mban librin “Portreti në monedhë”, i cili sapo ka dalë nga tregu në Prishtinë, që është në një farë mënyre portreti i tij artistik.
Një portret që ka dalë nga tabloja e një pikture e është shndërruar në fjalë pafund, për të treguar jetën e një të riu, mes pasioneve të mëdha dhe atdheut. Kjo jetë ndihet dhe në tablotë e mëdha që prej disa ditësh ndodhen në sallën kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në ekspozitën e kuruar nga Suzana Varvarica Kuka “Afër dhe larg”. Arti i Rexhep Ferrit ndryshon nga arti i piktorëve të brezit të tij në Shqipëri. “Në Kosovë ne edhe pse ishim nën robëri, kishim fatin të kemi lirinë e mendimit artistik. Ish-Jugosllavia nuk e kishte dogmën e komunizmit në Shqipëri. Ne kishim një dritare të hapur nga Europa dhe filluam të krijojmë një art me mesazhe moderne duke qenë bashkëkohorë me kohën në të cilën krijuam”, thotë Ferri. Akademia e Beogradit ku ai dhe një brez i tërë piktorësh të Kosovës dhe vendeve fqinje studioi ishte e njëjtë me Akademinë e Brerës në Itali, apo De Bozaro në Paris.
Pedagogët vinin nga e njëjta shkollë, çka i bënte studentët e tyre të ndiheshin sikur ishin diku në Perëndim. Ky qe fat për Ferrin, një fat që ai e reflektoi në pikturat që krijoi. “Është e dhembshme që kjo liri nuk ishte në Shqipëri, por parullat e komunizmit”, thotë Ferri. Por në ato vite ai e ëndërronte Shqipërinë, jo vetëm për faktin se këtu ishte babai i tij, i cili e la 8 vjeç dhe do ta shihte vetëm pas 35 vitesh kur ishte 40 vjeç, por se Shqipëria ishte si një totem për Kosovën. “Në ato vite isha i verbër të shihja dramën e popullit shqiptar gjatë atyre viteve. Edhe Enver Hoxhën e donim pasi e lidhnim me Shqipërinë e nuk e dinim atë çfarë ndodhte këtu”, kujton Ferri. I kujtohet një vizitë në Shqipërinë e viteve 1974, vizita në studion e Abdurrahim Buzës, dhe frikën e tij për çdo bisedë… Rexhep Ferri i përket atij brezi artistësh që kanë shumë për të treguar… Ai zgjodhi pikturën dhe të shkruarin, si një formë për t’u thënë të gjitha përmes ngjyrave dhe fjalëve, edhe pse Ballkani ku ai jeton vazhdon të jetë vendi i dramave njerëzore. “Për artin tim nuk dua të flas, sepse arti është më shumë se një reagim, për ne që i takojmë kohës. Gjithmonë duam që koha të na sjellë mitet, mjegullat, legjendat. Sepse aty ku ka mjegull e legjenda ka dhe art”, thotë Ferri. E gjithë këtë rrugëtim drejt artit ai ia dedikon nënës, vështrimit të saj që edhe sot pas kaq vitesh i shfaqet si një tablo, ngjyrat e së cilës nuk mund t’i prishë koha…Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966.
Akademiku dhe njeriu i letrave të Kosovës, piktori Rexhep Ferri prej disa ditësh ka hapur një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, kuruar nga Suzana Varvarica Kuka. Në ekspozitë paraqiten 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë së tij 50-vjeçare. Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX. Rexhep Ferri, u lind në Kukës, më 10 tetor 1937. Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë Veriun e Alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966. Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar së bashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin “Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në Galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.
Rexhep Ferri u përket artistëve që e formuan stilin e tyre, përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Ai kapërceu me shumë sukses kahet e forta e ndikuese të tyre dhe arriti të ketë gjuhën e tij pamore. Ajo spikat për imazhin e pastër figurativ, ku subjekti i nisur tretet si një mbresë e lënë dhe mediumi imagjinar merr pushtetin kryesor dhe dallon i pangatërrueshëm në mesin e pasurisë së pafund të eksperiencave ndërgjegjësore figurative.
*****
Profesor Ferri, cili është për ty kuptimi i këtij rikthimi pas një decenie në Galerinë Kombëtare të Arteve?
-Unë nuk mund ta kuptoj veten pa praninë time në Shqipëri. Një pjesë e trungut tim ka jetuar këtu, një pjesë në Kosovë. Ndaj këtë herë ndihem shumë i kënaqur. Më vjen mirë që jam këtu dhe që kjo galeri tani më duket ka një drejtor të mirë. E them nga instikti, sepse është hera e dytë që e shoh dhe as një kafe nuk kemi pirë bashkë.
Çfarë raportesh ke krijuar me vizitorët e pikturave të tua që në pamje të parë duken të vështira për t’u interpretuar?
Një krijues që nuk beson në atë që e krijon vet është falso. Unë kisha dalë nga atdheu im dhe unë nuk e kisha me vete atdheun tim, por në vetvete më mbante gjallë mendimi se unë isha prej një fisi krenar. Dhe kjo më mbajti më të fortë. Unë si në letërsi, si në pikturë kam besuar tek ajo që kam krijuar. Kjo është një rrugë shumë e gjatë që ka nisur nga mosha 20-vjeçare. Këtu në Tiranë më kanë vlerësuar. Fjalët që më kanë thënë kuratorja Suzana dhe drejtori e artisti Artna Shabani, në një farë mënyre m’i kanë thënë edhe në Paris në ‘97-n, kur kishte shkruar atëhere dhe “Le monde” për pikturat e mia. Dhe më kujtohet kur çela atë ekspozitë, ku meqë kishtë shkruar “Le monde” galeria kishte interesin e vet që të shiste ndonjë pikturë timen. Ne dalim të pinim një kafe dhe ata më thanë “Mëkat që nuk je spanjoll!”.
Atëherë ishte gjallë Pikaso, Dalia, Miroja e shumë e shumë spanjollë të tjerë të famshëm në Paris dhe nuk asnjëri prej tyre s’më kishte penguar mua në karrierën time, dhe shpesh e kam përsëritur këtë mendim timin dhe u thashë edhe atyre të galerisë. Unë kisha ardhur nga një vend i panjohur në Paris. Aman thashë, si mundet një Sali Shijak në Tiranë dhe një Myslim Mulliqi në Prishtinë të pengonin për t’u bërë krijues i njohur. Që nga ajo kohë unë kurrë nuk jamë xheloz me krijuesit e brezit të ri, ose me ata që janë edhe para meje.
Pse t’u kujtua në konferencën për shtyp historia kur të thanë “Mëkat që nuk je spanjoll!”
-Ne shqiptarët mundohemi me rrëzu njëri-tjetrin. Ne jemi duke penguar njëri-tjetrin dhe një qind piktorë të Spanjës nuk kam pasur mundësi të më pengojnë në karrierën time, por sot dy-tre piktorë ose dy-tre klane kanë mundur mua të të më pengojnë. Është e dhimbshme që kombi im nuk e pati fatin që shpitëroren e vet me kohë ta ushqente. Njëqind vjet para Naim Frashërit ka kaluar nëpër shqipëri babai i romantizmit Bajroni, dhe ne nuk e kemi krijuar romantizmin edhe njëqind vjet të tjera. Themi se nisi me Naimim.
Po ne e kishim romantizmin në fakt edhe para Naimit. E kishim te kënga popullore. Nuk ka poezi më romantike dhe më të bukur sesa “O bylbyl të bëra benë/Një të gjeça dot folenë/, Po të marrë të flakë në lumë/ se na le çupat pa gjumë. Është poezi e jona, e shpirtit të popullit tonë, e nuk ka pritur Naimin të na e thotë. Nuk është Naimi fillimi i romantizmit. Edhe nj rast tjetër ku ne nuk i studiojmë gjërta siç duhet. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka një koleksion të pikturave, por nuk është asnjë pikturë e Eduart Lirit. Në Shqipëri, edhe në Kosovë ka pasur e ka njerëz të pasur, dhe kurrkujt nuk i shkon mendja me e ble një pejsazh të Lirit, i cili para 150 vjetësh i ka pikturuar ullishta e Elbasanit, Urën e Shhkodrës, Kalanë e Gjirokatrës, dhe në Shqipëri ne nuk e kemi një pikturë të tij. Drita e pikturave të Lirit nuk është përsëritur ende në pejsazhin shqiptar. Ne themi se Vangjush Mion të parin e pejzazhit. Ajo është një pikturë shkollore, e mirë, por shkollore.
Ju keni një të bardhë interesante në pikturën tuaj, ç’shenjon për ty kjo ngjyrë?
-E bardha me ngjyra. E bardha nuk është vetëm e bardhë, është e bardha ftohtë, e nxehtë që shkkon nga kafeja te qumështi, por piktori nganjëherë nuk duhet të bëhet rob i ngjyrës, duhet ta thotë atë, sikur ai ushtari që është në front e lufton me çka ka. Unë kur pikturoj në studion e Galerisë së Arteve, që është e vogël, bëj piktura të vogla, por kur shkoj në studion time me hapësirë bëj piktura të medhaja. Kjo është edhe me ngjyrat. Por unë nuk flas për pikturën time. Ju brezi i ri jeni i mençur dhe i ndjeni vetë disa gjëra dhe më shumë nisa të besoja tek brezi i ri tek këto demonstratat për helmet. Dhe u mahnita. Brezi i ri e paska fjalën e vet të lirë.
Si është situata e artit pamor sot në Kosovë, çfarë ndodh atje?
-Unë para dy diëtve në gazetë pashë një artikull të gjatë për raportet kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës, por gjatë tetë viteve këto kanë mbetur vetëm në letër. Sinqerisht më vjen shumë inat ndodh kjo kështu. Nga Prishtina janë vetëm 200 km për të ardhur në Tiranë. Në perëndim njerëzit shkojnë 200 km në vikend. Ne fatkeqëisisht kemi krijuar nja ndarje të madhe, kemi krijuar dy mentalitete. Duket sikur kjo ndarje po vjen duke u zbehur, por do të marr fund kur të kemi harruar partitë dhe të merremi me shpirtëroren.
Artan Shabani: Si e shoh unë artin e Rexhep Ferrit
E quan “ogur të mirë” që ekspozitën e parë të Galerisë Kombëtare tashmë të drejtuar prej tij e ka nisur me ekspozitën e akademik Rexhep Ferrit. Artan Shabani, drejtori i Galerisë Kombëtare të arteve u shpreh dje se “Rexhep Ferri nuk është thjesht një piktor, por ka në dorë penën dhe inteligjencën për të shprehur idetë e tij, dhe asnjëherë piktura nuk ka hyrë në letërsi dhe anasjelltas”.
Përballë veprave të Rexhep Ferrit, Artan Shabani u shpreh se “Unë artikulova në këtë espozitë një vallëzim që ka një dimension global, por me aromë shqiptare, ndihet autori që ka një rrënjë të fortë që është mjeshtri Rexhep Ferri, dhe jo vetëm shkrimtari, jo vetëm filozofi, por ka në linjë dhe kjo ëshë një dans, si i Matiseit me njolla të forta dekorative. Ka një lojë piktorike që shfaqet një pjesë që të denoncon, por në mënyrë ineteligjente dhe në mënyrë delikate dhe mjeshtri të mrekullon. Ky është një penel që e kam ndeshur më muzeume të Europës dhe do të ishte një nder jo vetëm për Galerinë Kombëtare të Arteve, do të ishte nder për çdo koleksion prania e tij.”
Ferri, nga piktura te letërsia
Akademik Rexhep Ferri i përket artistëve që e formuan stilin e tyre, përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Vepra më e hershme, e vitit 1967, është “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX. Rexhep Ferri, u lind në Kukës, më 10 tetor 1937. Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë veriun e alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966. Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar së bashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin “Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i akademisë së arteve figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.
Vlerësimet e Jean-Marie Dunoyer
Ja më në fund një piktor që nuk i lëshon pe aspak publikut dhe i cili, duke iu përkulur thirrjes për kthjelltësi të thellë dhe perandorake, me gjithë rininë e tij, paralajmëron një shpuplim shembullor. Ai quhet Rexhep Ferri. Edhe më shumë se pëlhurat e tij, vizatimet e tij me tush krijojnë personazhe dhe masive malesh të shformuara e të zhveshura dhe gjithsesi me një prani që të pushton. Personazhet shumicën e herave pa gjysmë koke, me trup e gjymtyrë të skematizuara janë të mbërthyera e të mbyllura në ekzistencën e tyre ("Le monde", 28 novembre 1977, Paris - Miti për njeriun)