Agjencioni floripress.blogspot.com
2015/09/18
Nga PROF. DR. HAJRI SHEHU : Edhe njëherë për gjuhën e televizioneve dhe radiove tona
Siç dihet, gjuha e televizioneve dhe e radiove është kryesisht gjuhë e folur. Por ajo nuk mund të jetë më pak standarde se gjuha e shkruar. Edhe për arsye jashtëgjuhësore–dhënëmarrja dhe ortakëria me shikuesin e dëgjuesin. Kjo do të thotë se, edhe pse e paparapërgatitur, kjo gjuhë e folur e tryezave televizive, e bisedave televizive, e intervistave etj. duhet të orientohet nga normat e gjuhës së shkruar. Kjo do të thotë, atëherë që drejtuesi i emisionit, analisti, i intervistuari, pjesëmarrësi i tryezës televizive, shtetari, politikani, deputeti etj. duhet të jetë i kujdesshëm me fjalën e tij. Sa për lajmet e konferencat e shtypit, ato janë gjuhë e folur vetëm për nga forma; ato janë gjuhë e shkruar sepse parapërgatiten dhe nuk mund të dalin jashtë kufijve të normave drejtshkrimore, drejtshqiptimore, gramatikore, fjalësore etj. të gjuhës së shkruar. A është gjithmonë e tillë gjuha e folur (e parapërgatitur dhe e paparapërgatitur) e televizioneve dhe e radiove tona?
Tregohet kujdes për t’i shqiptuar drejt fjalët. Tregohet kujdes edhe për t’i ndërtuar drejt gramatikisht fjalët dhe fjalitë. Por, jo gjithmonë. Ju (kur themi ju, kemi parasysh folësin e lajmeve, paraqitësin e programeve, drejtuesin e emisioneve, të bisedave etj., intervistuesin, por edhe të ftuarit në tryeza televizive etj.) keni marrë përsipër të dilni përpara popullit. Atëherë, gjejeni që te Muhurr theksi bie në rrokjen e parë. Gjejeni, gjithashtu që nuk ka fshat Terpanë (ju thatë: flakë në Terpanë), por Terpan dhe është në Berat. Mund të mos i dini, sigurisht të gjitha katundet e Shqipërisë. Atëherë, para se të lexoni lajmet, hapni fjalorin e emrave gjeografikë. Mos thoni recension (buxheti i recensionit), por recesion. Njerëzit nuk e duan as recesionin sepse është fjalë e huaj. Mos thoni orthodoks, sepse është shqiptim grek, por ortodoks. Ju, zoti kryetar a ju zonja kryetare mos thoni kunra (kunra s’ka), por kundër, kur votohet hapur sepse kunra është shqiptim krahinor. Kur të bëhet pasqyra e shtypit, të mos thuhet kush janë titujt e gazetave…, por cilët janë titujt e gazetave sepse kush përdoret për njerëzit. Atëherë, edhe kur të tregoni rrugët për te horoskopi (!), mos thoni kush janë rrugët…, por cilat janë rrugët. Shumë shpesh thuhet i para foljes, kur emri në dhanore është në shumës (tipi i drejtohet të pranishmëve). Duhet u dhe jo i. Mos thoni jonë, por ynë me emrat e gjinisë mashkullore; pra, jo universiteti jonë, por universiteti ynë.
Rasti me recensionin mund të jetë rrëshqitje gjuhe. Nuk besojmë të jetë kështu me rastet e tjera. Gabimet shqiptimore e gramatikore dhe përdorimi i trajtave dialektore a krahinore nuk janë çështje e kulturës së gjuhës, siç mund të jetë zgjedhja e fjalës. Ato janë padije. Në raste të tilla, mund të thuhej ajo që shkruan “Përlindja” më 30.8.1913: “Nëpunësit do të japin provim në gjuhën shqipe. Të zotët do të konfirmohen, të tjerët për një kohë të mësojnë, po qe se duan të mbeten në shërbim”.
Ky është një problem. Problemi tjetër, po aq i rëndë sa i pari, janë fjalët e huaja të panevojshme a me prejardhje të huaj, gjithashtu, të panevojshme në kumtimet televizive e radiofonike*.
Duam të përveçojmë më së pari lajmet ,sepse ato parapërgatiten e besojmë se ndiqen nga shumë njerëz. Pa përdorur thjerrën në vëzhgimet e vrojtimet tona, na del se përdoren pa vend, sidomos për lajmet e jashtme, shumë fjalë të huaja të panevojshme (kryesisht anglicizma) ose përkthime a mënyra të thëni që nuk janë të natyrës së shqipes. Shih, p.sh. rastet e mëposhtme: kanë ngritur flamurin në shenjë celebrimi; protestë gjenerale në Kili; përmbytjet dhe bllekautet;
në Unionin Evropian (ende s’e ka mësuar përkthyesi që është Bashkimi Europian); masat e adoptuara nga BE (masat nuk adoptohen, por miratohen; këtu është keqkuptuar fjala e huaj); Byroja Federale e Investigimit (FBI) (është Zyra Federale e Hetimeve); aeroplani ishte përballur me turbulenca; rrjedhja e naftës … mund të jetë 60 barrela në ditë; progres raporti; duke ngritur kërcënime (kërcënimet në shqipe nuk i ngremë, por i bëjmë); deklarata u krye (në gjuhën shqipe, deklarata nuk kryhet, por bëhet); ndërtimi i një konfidence (konfidenca = mirëbesimi / nuk ndërtohet por krijohet); kanë lëshuar të dhëna; të dhëna që prodhojnë implikim etj. Kështu ndodh edhe me emisione të marra nga burime të huaja. Ja një shembull: A besoni se fati … apo e caktojmë ne destinacionin tonë? Merret vesh që nuk është thënë nga ne shqiptarët, por është përkthim dhe është përkthyer keq. Në gjuhën nga është marrë fjala (duhet të ketë qenë destiny), ka kuptimin “e ardhme” e jo “destinacion”.
Po, kur kemi të bëjmë me emisione shkencore, teknike, fetare etj.? edhe këtu nuk kanë vend fjalët e huaja të panevojshme. Termat, po. (Termi është fjalë ose tog fjalësh për një koncept të një fushe të shkencës, të teknikës, të artit etj.). Po, cilët terma? Ata terma që, për arsye të përdorimit të vijueshëm në jetën e në veprimtaritë e përditshme, sidomos në veprimtaritë popullore, i kanë kaluar ose mund t’i kalojnë kufijtë e ngushtë të shkencës, të teknikës etj. dhe kanë hyrë ose mund të hyjnë në përdorim të përgjithshëm, duke u bërë kështu pjesë e shtresës së përgjithshme të gjuhës standarde ( të tilla si: hekurbeton, hekzaklorant, hibrid (në bujqësi), automobilizëm etj.). Ata mund të jenë edhe fjalë ndërkombëtare (bronshit, nikotinë, skaner, telefaks etj.), çka i bën më të pranueshme se fjalët, thjesht të huaja. Mund të jenë edhe huazime nga gjuhë të tjera, kur sjellin vlera të domosdoshme gjuhësore, që pasqyrojnë zhvillimin e dijes e të kulturës botërore e që gjuha shqipe i ka bërë ose i bën të vetat (për arsye gjuhësore e jashtëgjuhësore), të tilla, si blister, rokenroll etj. Kjo do të thotë që nuk mund të mos intelektualizohet gjuha e emisionit e nuk mund të mos përdoren terma, sepse televizioni e radioja, si mjete të informimit masiv, kanë edhe emisione me rreze të gjerë, nga të gjitha fushat e jetës, pra, edhe shkencore, teknike, fetare etj. Por ajo që është për t’u qortuar në gjuhën e folur të mjeteve tona të informimit masiv është se përdoren shumë fjalë të huaja të panevojshme (ky është njëri problem), por edhe shumë terma shumë të ngushtë e shumë të veçantë, të njohshëm vetëm për specialistët e të panjohshëm për masat, të cilave u drejtohet emisioni a tryeza në televizion a në radio (problemi tjetër). Shih, p.sh., në një emision krejt të zakonshëm që kishte të bënte me kujdesin për lëkurën: benefite, sharm, opsion (për të bërë një opsion), kolagjen, antioksidantë, tonifikimi i lëkurës, hidraton në mënyrë perfekte etj.
Ndër emisionet shkencore-popullarizuese, ato për shëndetin janë më të ngarkuarat me fjalë të huaja të panevojshme a me formime nga fjalë të huaja të panevojshme e me terma shumë të ngushtë. Flitet për shëndetin e njeriut, por harrohet shëndeti i gjuhës. Të tilla mënyra të thëni, si ka një vazodilatacion, menopauzë, andropauzë, shenjat zagale, i bien palpitacionet, kolagjen,kongjestion hundor, për të evituar dehidratimin, formë mutante e bakterit,mutacion, sindrom, artikulacione, inflamator, peroksid, hemolitik, handikap, kalerazh (?) (= kaloritë), këto krampe (anglisht është kremp dhe do të thotë ngërç), suspekt (janë suspekt këto zona), habitazh (për të bërë habitazhin e tij), intuboj, overdozë e shumë të tjera si këto janë për tubime mjekësh, por jo për publikun. Ç’do të ndodhte sikur në një emision, një agronom, në vend të fasule a bizele, të thoshte bimë leguminoze, sikur veterineri të mos përdorte fjalën çalë, por fjalën e huaj a edhe termin shkencor? Si do ta gjykonin mjekët? Mundet që mjekëve u është mësuar goja dhe nuk flasin dot ndryshe (!). Po, ç’të bëjë publiku që do t’i dëgjojë e si kupton?
Si mund të mënjanohej problemi? Së pari, duke mos përdorur fjalë të huaja të panevojshme. Së dyti, duke parapëlqyer një fjalë a tog fjalësh që ka kuptim të njëjtë a shumë të afërt me kuptimin e termit që e përdor specialisti, domethënë që përputhet patjetër me konceptin shkencor, por që mund të analizohet e të kuptohet nga publiku i zakonshëm (p.sh., fërkim në vend të friksion; rrjedhje tatimore në vend të evazion fiskal ; mungesë oreksi në vend të anoreksí; pangopësí në vend të bulimí; shëndoshje e tepërt në vend të obezitet etj.). Fjalorët e termave të fushave të ndryshme, të botuar deri më tani janë një ndihmesë e vyer. Së treti, duke mënjanuar tema e shpjegime që janë për tubime specialistësh sepse në fund të fundit, emisionet shkencore-popullarizuese televizive e radiofonike nuk e kanë për detyrë profesionalizimin e publikut të zakonshëm.
Te reklamat televizive e radiofonike problemi bëhet edhe më i rëndë, sepse ato përsëriten, madje, disa prej tyre edhe shumë herë në ditë. Paraqitja e tyre shkrimore është çështje më vete. Reklamat janë për jetën e jetesën e përditshme, për blerje e shitje, për shkolla e universitete private etj. Atëherë, përse ka reklama që thuhen me një gjuhë aq të ngarkuar, me aq shumë fjalë të huaja të panevojshme e edhe me terma aq të ngushtë e aq të veçantë? Për kë është reklama për dyshekun, kur thuhet “komforti i dyshekut”, “fitoni (!) komfortin” dhe “konturohet dysheku”? A mendohet, për shembull se nuk mund të vihet në gojën e fëmijës fjala “hyjnor”, kur thuhet “pastërti hyjnore” në reklamën për një pluhur larës, sepse fëmija (mbase, edhe ndonjë i rritur) nuk i koncepton dot as hyjin e as hyjnorësinë te çarçafët tanë të pastër? A na shkon ndër mend se jemi shprehur gabim kur themi “Universiteti … të adoptohet me …”? Dhe, më në fund, a na shkon ndër mend se mund t’i ngulim në mendje dëgjuesit atë që është këpushë (rriqër) në trupin e shëndoshë të gjuhës shqipe? Si zgjidhet problemi? Fare thjesht. Reklamuesit të këshillohen, në mos me një redaktor gjuhësor, me një mësues gjuhe.
Vijmë tek drejtuesi i emisionit. Drejtuesi i emisionit, zakonisht gazetari televiziv ose radiofonik, është nismëtari i tryezës, i intervistës etj. Nuk themi se nuk ka drejtues të kujdesshëm në punë të gjuhës. Por jo të gjithë e jo gjithmonë. Drejtuesi i emisionit nuk mund të jetë e nuk duhet të jetë më poshtë se i ftuari i tryezës, i intervistuari, teleshikuesi a dëgjuesi në punë të zgjedhjes së fjalës. Ai duhet të dijë, p.sh. të zgjedhë të paktën, pretendues e jo pretendent, predominues e jo predominant, si formime brenda shqipes. Por, pse të mos zgjedhë para tyre mëtues e mbizotërues, që janë fjalë shqipe? Ai nuk duhet të përdorë impresion, sepse është fjalë e huaj e panevojshme në gjuhën amtare e kemi fjalën shqipe përshtypje. Ai nuk duhet të përdorë mentalitet sepse duhet të dijë që kemi mendësi, madje, e kemi që në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Ai duhet të dijë që ka në dorë fjalën e tij. Por, më shumë se kaq, duhet të dijë që përdorimi i fjalës së tij ka vlera shoqërore. Mënyra se si flet dikush tregon çfarë është e çfarë dëshiron të jetë – ai dhe dëgjuesi i tij. Ai e ka për detyrë të jetë i saktë në atë që thotë, sepse saktësinë nuk e ka vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Saktësia ka të bëjë me mënyrën si flasin folësit e shkolluar e të kulturuar të gjuhës. Pasaktësia ka të bëjë me përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme. Në fund të fundit, ai e ka për detyrë të mos e thyejë standardin. Standardi ruhet e nuk thyhet kur nuk ka përdorime të tilla. Pasaktësi është edhe kur përdoren në një emision për publikun fjalë shumë të veçanta që janë për tubime specialistësh.
Profesor E.Çabej dhe prof. A. Kostallari i kanë vlerësuar qortueshëm jo vetëm fjalët e huaja të panevojshme, por edhe ato fjalë ose shprehje që formohen duke përkthyer një për një pjesët përbërëse të një fjale ose shprehjeje të huaj (gjuhësisht: kalke; tipi vetëkënaq, tregu i punës, burime njerëzore etj.). Prof. E. Çabej shkruan: “Sot ka gjer diku dy gjuhë ndër ne: më një anë, gjuha e shkruar e intelektualëve, në anën tjetër gjuha e thjeshtë e popullit”. Kurse prof. A. Kostallari shkruan: “Po rrudhet relativisht pesha specifike e fjalëve bazë të shqipes, që janë fjalët e burimit popullor dhe po krijohet njëfarë rreziku i largimit të papërligjur të gjuhës letrare kombëtare nga gjuha e folur e popullit. Njëra ndër rrugët themelore të zgjidhjes së këtij problemi, – shkruan ai më tej, – është kufizimi i kalkimeve (përkthimi një për një i pjesëve përbërëse të një fjale a shprehjeje të huaj – H.Sh.), sepse pikërisht këto kalkime janë burimi kryesor i përpjesëtimeve jo të përligjura në mes fondit popullor e libror të shqipes së sotme letrare”. Nëse kalket (përkthimet e huazuara) janë të tilla, kur, sidoqoftë, pjesët e tyre përbërëse janë shqipe ose formime brenda shqipes e kur në to mund të kërkohet edhe gjedhja (modeli) e shqipes, atëherë, ç’mund të thuhet për fjalët e huaja të panevojshme a formimet nga fjalë të huaja, gjithashtu, të panevojshme?!
Televizionet e radiot flasin për të tjerët e jo për vete. Është e vërtetë që ka një shikues a dëgjues me nivel jo të vogël kulturor, me një fjalor vetjak të pasur e me njohje gjuhësh të huaja. Por është edhe një shikues a dëgjues që nuk e ka këtë nivel. Kur përdoren fjalë të huaja të panevojshme a terma të ngushtë, të veçantë, shikuesit a dëgjuesit, sidomos ata të dytët, nuk marrin atë që presin nga televizioni a radioja, sepse nuk i kuptojnë. Gjuha është dhënëmarrje e ortakëri. Por kështu, dhënëmarrja e ortakëria prishen, çka nuk i intereson as televizionit e as radios. Pak shembuj do të mjaftonin për të kuptuar se edhe shikuesit e dëgjuesit me nivel jo të vogël kulturor mund të mos e rrokin thënien në këso raste: policia ka sekuestruar një shotgan; të startojë axhendën; shërbim alert; specialist i promocionit shëndetësor; për qëllime promocionale; të prevalojnë regjistrat; po intimidojnë qytetarët; bien remitancat; stafi terciar; u përgjuan nga investigatorët; numërimi preliminar i votave; filmi është nominuar për festivalin …; në botën fashinante; janë habitati i gjysmës së botës (u thuhet fëmijëve në një emision fëmijësh); kjo çështje është prezumuar; fusha barike do të dobësohet; për të obstruktuar; jemi konsistentë në kërkesat tona; kapacitete interceptive; e lidhur me kompjuterin portabël; problem i superuar; konçesione hidrike; ambasadorët e kuintit; qytetarët janë të frustruar nga situata në veri të Kosovës; jam i vetëdijshëm për frustrimin e qytetarëve; do të paguhen sipas indikacionit të performancës;kapi një moment krucial;agjencitë tona të inteligjencës; kompani ofshor (anglisht offshore); janë target; është involvuar edhe mafia etj.
Përdoret fjala e huaj e panevojshme për të thënë edhe mendime fare të thjeshta: graviteti i krimit të tij; nëse situata do të agravojë; pasojat nuk do të jenë selektive; qëndrime operacionale; nuk kanë asnjë akses për ujë të pijshëm; vijnë nga familje vulnerabël; mbas interventit; kamionistët abandonuan punën; Velipoja do të presë të huaj, por edhe rezidencialë; kjo diplomë emetohet; në një rezort pushimi në Kavajë; ka rritje të performancës së policisë; kasti i aktorëve, skripti (i filmit); promovohet shefi i ri i klinikës; personazh kontestiv; marrëveshje preliminare; vranësirat do të gjenerojnë shira; uji i ftohtë dhe kompresioni; falënderojmë sponsorin tonë gjeneral etj.
Jo rrallë, fjala e huaj e panevojshme përdoret për të sqaruar (!) fjalën shqipe a formimin shqip (taktika bllokuese, obstruktive; a ka ekzistuar kjo lloj tërheqjeje, ky lloj atraksioni; nuk dinte ta thoshte, ta artikulonte; rojat ose siç quhen ndryshe reinxhërs, vende të nxehta ose siç quhen ndryshe hot spote), ose fjala shqipe sqaron si e dytë fjalën e huaj të panevojshme (në kompeticion, në garë; lindje premature, domethënë, lindje e parakohshme).
Nganjëherë ngatërrohen edhe regjistrat e përdorimit të fjalës, domethënë, bashkëlidhen fjalë të ligjërimit bisedor, madje, edhe fjalë kuzhine me fjalë të ligjërimit libror; krahaso, p.sh.: gropa septike; e kemi lënë pataten në ujë që të mos oksidohet; bukë integrale; do të prevalojë qetësia; aksesi në vend (te fshati ku ka rrëshqitur dheu) është i pamundur për shkak të shirave; ngërçi që gjeneron etj.
Jo rrallë, fjalë të huaja të panevojshme sjellin edhe keqkuptime e habi; shih, p.sh.: u instaluan policë rreth ambasadës (instalohet një makineri, por jo njeriu); sot instalohet libri … (as libri nuk instalohet); opozitë aksidentale; operojnë jashtë ligjit (nuk është fjala për në mjekësi); për promovimin e grave në zgjedhje (mund të promovohet një libër, por jo një grua); të gjithë vijnë nga jurisprudenca dhe implementohen në sektorë që nuk kanë lidhje me jurisprudencën (pra, implementohen njerëzit siç implementohet një marrëveshje); reporterët e sekuestruar në Libi (si sekuestrohen gazetarët e reporterët?!); në qoftë se Parlamenti nuk investohet në çështjet e minatorëve; do të procedojmë sipas kushtetutës (nuk është fjala për në gjyq); procedimi në zyrat e gjendjes civile; Organizata për Konservim (të Gjirokastrës) ( konservohet Gjirokastra?!); grevistët të akomoduar në lulishte; situatë hidrologjike; koha të jetë më fleksibël; fluks i madh … (a thua ka fluks të vogël ?!) ; një vepër e rafinuar si ajo e Umberto Ekos etj.
Ka edhe sajesa të habitshme gjuhësore: kanceloj; decidoj; performant; në pritje të dispozitimit; regjim semiushtarak etj.
Arsyet e përdorimit të fjalëve të huaja të panevojshme janë kryesisht subjektive: formimi i pamjaftueshëm gjuhësor, njohja e pamjaftueshme e kulturës së gjuhës, prirja për të menduar e për t’u shprehur si në Perëndim, prirja intelektualiste për t’u dukur i mësuar e i ditur para të tjerëve, buja për t’i rritur vlerën dikujt a diçkaje, por edhe kryemëvetja për të thënë atë që di unë a shpërfillja e fjalës shqipe. Shihni për këtë, i nderuar lexues shembujt e mëposhtëm: duke prezumuar dëshirën; premtimi u kthye në obligacion; për të relaksuar mendjen dhe trupin; eksplorim në jetën e …; për të bërë shopin; do të startojnë (Netët Apoloniane); ky event do të zhvillohet në Shqipëri; pjesë e kësaj galaje të madhe; terreni nuk lejon ekzekutimin e veprës; konfidenca ndërkombëtare; horror në Tiranë; të limitonte dëmet (nuk thotë dot i gjori njeri “të kufizonte dëmet”); për të disponuar listën e zgjedhësve; riskon të futet në këtë kategori; avionë militarë; a janë kapërcyer diskrepancat; të bëjë diferencën; fjalët kompetitive; elementë substancialë; na bëj një rezume të lajmeve që dispononi; nuk është një proces semplist; agrikultura përfaqësonte …; kërkon kualitativitet; bëjnë difinicionin e tyre; të definojë pozitën e vet; reshjet do të gjenerojnë edhe javën e ardhshme; duke avantazhuar importet; Shqipëria me soliditet; ka vënë fondamentin e shtetit; sipas termave që përcakton (= sipas kushteve); krijimi i një korridori rekreativ; për të intimiduar opozitën; ndryshime unilaterale; nuk mund të vazhdojmë të selektojmë; averturë e gazetës (të ishte, të paktën uverturë si në muzikë) etj. Shihni i nderuar lexues edhe gjashtë të thënat e mëposhtme (janë të thëna të një njeriu; brenda pak minutash): ta divulgoj thënien; për të deciduar votën; ka një diskordancë; prezumoj atë që thashë; për shkak të sensibilitetit; përsa u përket observatorëve (në zgjedhje). Po t’i ndash thëniet në dy pjesë, gjysma del shqipe, gjysma del e huaj. Se kështu di ai a se kështu do të duket ai.
Një arsye subjektive madhore na duket se gjendet te shteti e te roli i shtetit. Teorikisht, duket se shteti ka një politikë gjuhësore objektive përderisa Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, me një nen të posaçëm merr në mbrojtje trashëgiminë kulturore dhe gjuhën kombëtare; por, praktikisht, na duket se shteti ose nuk e ka autoritetin e duhur, ose nuk pyet për gjuhën, përderisa e bën një sy qorr dhe një vesh të shurdhër për institucione e veprimtari shqiptare, por me emërtime të huaja (tipi Albanian Screen, Albanian University, top story, art shoping etj.) e për tabela shitoresh e lokalesh (disa herë, edhe kryqëzime anglisht-shqip për të qeshur), sikur të kishte dygjuhësi në Shqipëri, përderisa në vetë Kuvendin e Shqipërisë e në vetë veprimtarinë shtetërore që jepet për t’u pasqyruar në televizione e në radio e në vetë botimet e shtetit (“Gazeta zyrtare” etj.) përdoren fjalë të huaja të panevojshme. Çfarë mund të bëjë shteti? Shteti ka në dorë ligjin për mbrojtjen e gjuhës kombëtare. Po të dojë shteti, nuk e emërton një pjesë të vetvetes “Ministria e Inovacionit (!)” ose “Ministria e … Shanseve (!) të Barabarta”. Po të dojë shteti, nuk i lejon reklamat televizive e radiofonike që dëmtojnë gjuhën kombëtare. Po të dojë shteti, nuk lejon të thuhet ei bi si (po ndiqni televizionin ei bi si, madje, edhe më keq se kaq – po ndiqni ei bi si njuz) sepse kemi emërtimin tonë alfabetik të shkronjave A B C. Po të dojë shteti , organizon, të paktën një diskutim në një komision të Kuvendit të Shqipërisë , që ka të bëjë me arsimin, me kulturën a me shkencën për të këshilluar rrugë e masa për ta ndaluar ndotjen e mjeteve të informimit masiv me fjalë të huaja të panevojshme. Po të dojë shteti, urdhëron të vihet redaktori gjuhësor në gazeta, radio e televizione.
Më se 450 vjet më parë, Gjon Buzuku ishte i shqetësuar se gjuha jonë “po bdaret”. A është për t’u frikësuar se mos gjuha jonë “po bdaret”? Natyrisht, jo. Për këtë ajo ka dhënë prova në kohë më të vështira. Por, fjalë të veçanta që na i zëvendësojnë me fjalë të huaja të panevojshme, mund të bdaren në mos sot, mot. Sot, p.sh. po bdaret fjala “mirë” në emisione televizive për sportin e për shëndetin, në tryeza televizive “opinion”, në veprimtari kulturore televizive (jo vetëm tek “E Diela Shqiptare”), madje, edhe në emisione për fëmijë (!), duke u zëvendësuar me anglicizmin “okei” (një fjalë e ligjërimit bisedor, me histori të paqartë formimi dhe në vetë anglishten amerikane). Akses, anuncoj, fokusohem, gjeneron, impakt, impenjohem, implementoj, kompeticion, laiv, lendfill, luk, performancë, relaks, relaksohem, resurs, startoj, shou, varion etj. janë bërë fjalë kuzhine në televizionet tona. A është për t’u trembur se mos fjalë të tilla të huaja të panevojshme mund të bëhen pjesë e gjuhës shqipe standarde? Edhe mundet (sidoqë gjuha bën të veten në të mirë të saj). Në ç’mënyrë? Fjala e huaj mund të hyjë në gjuhën e shkruar e më pas, edhe në fjalorë (sidoqë pasqyrimi në fjalorë bëhet sipas kritereve normative), sepse objekt themelor i fjalorëve është gjuha e shkruar. Përfundimi? Shtohet edhe më shumë rreziku i largimit të papërligjur të gjuhës standarde nga gjuha e folur e popullit. Nuk është ky roli i televizioneve dhe i radiove në punë të gjuhës. Roli i televizioneve dhe i radiove është të japin më të mirën në gjuhë . Si të veprojmë?
Të na dhimbset fjala shqipe. Të gjithëve. Atëherë, ju i nderuar deputet gjeni emërtimin shqip për komisionin (tuaj) regjional. Atëherë , ju i nderuar gazetar, folës a përkthyes në televizion mos përdorni event, sepse e dini që kemi fjalë tonë, ngjarje . Ju përdorni shoubiz, por ky emërtim (shoëbiz) është i ligjërimit bisedor edhe në vetë gjuhën angleze. Nëse na dhimbset fjala shqipe a formimi shqip, përse thuhet deciziv e jo vendimtar, preliminar e jo paraprak, intervent e jo ndërhyrje, eskortë e jo shpurë a përcjellë, represoj (një sajesë) e jo shtyp, startoj e jo nis a filloj, akord e jo marrëveshje? Nëse na dhimbset fjala shqipe, përse në emisionin e fëmijëve përdoren fjalët e huaja performoj (ju keni performuar shumë mirë), evident (talenti i saj është shumë evident)? A mendojmë për fëmijët tanë? Ata e marrin gjuhën aty ku e sjell brezi i mëparshëm. E, brezi i mëparshëm jemi ne. Ata mund të marrin nga ne edhe fjalën e gabuar. Edhe fjalën e huaj të panevojshme që në tekstet e tyre shkollore quhet barbarizëm.
Ta ruajmë sa më shumë që të jetë e mundur fjalën shqipe. Të mos themi agravoj kur kemi përkeqësoj, kompeticion kur kemi garë, resurs kur kemi burim, predator kur kemi pretar (ndaç për kafshë, ndaç për njerëz), insistent kur kemi këmbëngulës ose ngulmues, iniciues kur kemi nismëtar, iniciativë kur kemi nismë, prioritet kur kemi përparësi etj.
Ta kërkojmë fjalën shqipe. Ajo është. Ka fjalë shqipe për handikap, indikator, oshilacion, bllekaut, hidrik, aferë, pervers, perversitet, opsion e për dhjetëra fjalë të tjera të huaja që përdoren pa nevojë. Të hapim fjalorët e shqipes dhe fjalorët gjuhë e huaj-shqip, po s’e ditëm. Edhe fjalorët e termave. Janë botuar dhjetëra fjalorë të tillë. Kështu, p.sh., shumë nga termat e huaj që përdor ndonjë mjek në emisionet televizive, do t’i gjeni të shqipëruar në fjalorë të mjekësisë shqip – gjuhë e huaj ose gjuhë e huaj – shqip ; për fjalën overdraft do të gjeni formimin shqip në Fjalorin e bankës ; rrjedhje tatimore do ta gjeni në Fjalorin e termave të financës etj .
Të përdorim fjalë a formime, qofshin edhe të huaja a me prejardhje të huaj, por me traditë shkrimore në gjuhën shqipe, kur nuk kemi mundësi tjetër (le të themi personel në vend të staf). Të pranojmë edhe formime a përkthime pjesërisht shqipe, kur nuk kemi rrugë tjetër (p.sh., paraprojekt në vend të draft).
Një fshatar (bujk, por me arsim të mesëm e me dije) pyeti një herë përse përdorej aksh fjalë e huaj në gjuhën shqipe. Iu shpjegua se bashkë me sendin kishte ardhur edhe fjala etj. etj. Ai pyeti përsëri: Po, kur e kemi vetë sendin, pse i vëmë emër të huaj? Fjala e tij fliste shumë. Po ta “përktheje” fjalën e tij, ajo do të thoshte se gjuha nuk mund të mos varet nga njerëzit që e flasin dhe njerëzit që e flasin shqipen, jemi ne. Ne të gjithë.
*Plotësim:Në gjuhën e folur të televizioneve dhe të radiove bie në sy përdorimi i fjalëve të huaja të panevojshme për shqipen standarde që, jo vetëm e vështirësojnë të kuptuarit prej shikuesve dhe dëgjuesve, por dhe dëmtojnë atë. Më poshtë po japim një sasi fjalësh të tilla që ndeshen më shpesh në përdorim, të cilat i kemi shqyrtuar disa si shembuj dhe shumë të tjera që përdoren shpesh dhe nuk i kemi përmendur në këtë artikull.
Ka ca kohë që në televizionet tona nuk thuhet më divizioni (? !) i energjisë elektrike sepse ka hyrë Cez. Por, po të bësh një listë të fjalëve të huaja të panevojshme ose të formimeve nga fjalë të huaja të panevojshme që dëgjohen ditë për ditë, çfarë nuk thuhet: abandonoj, absorboj, aferë, afilacioj, agravim, alert, i animuar, anuncoj, aparent, aset, asistohet, atakoj, atraksion, atrakti ekstraparlamentar, ekuivalentohet, elaborim, eskortë, faliment, fans, fascinohem, fashinant, feërplej, fenotip, fiskal, fizibël, fizibilitet, fleboton, fleksibël, fokusoj, folk, fraksional, frekuent, frustrim, frustroj, frustruar (i), fondament, fundamental, galá, gjeneron, haker, handikap, heteroseksual, hidratim, hidrik, hidrologjik, horror, impakt, impenjim, impenjohem, implementoj, implikoj, impresion, incidencë, indeksion, ingranohem, inkorporoj, instalacion, interceptim, interceptiv, interkoneksion, intervent, intimidoj, intuboj, invencion, investigativ, investigator, investigim, investigoj, involvoj, kanceloj, kardinal, kolagjen, kolaps, komemorativ, kompatibël, kompatibilitet, kompeticion, kompetitiv, komplementar, konfidencë, konfidencial, v, audicion, avantazhoj, barrelë, barrierë, benefit, bilateral, bipartizan, bllekaut, badigard, çertifikoj, decidoj, deciziv, definoj, dehidratim, demontoj,disbursoj, disfunksional, diskomfort, diskordancë, diskordinim, diskrepancë, disponim, disponoj, diversitet, divulgoj, dizain, dizainer, djuti-fri, domen, dominoj, efiçencë (efiçensë), efiçent, ekstrakurrikular, konform, konkluzë, konkurrencial, ko(n)stant,konsistent, konstituim, konstituohet, konstabël, kontaminim, kontestiv, kontestoj, kontinuitet, kontravers, kontraversal, konvoj,koshiencë, kreativ, kreativitet, kredibël,kredibilitet, kualitativ, kualitativitet, laiv, lendfill, lider, lidership, limitoj, lukativ, luk, meikap, menaxhment, mukozë, multifunksional, naval, nonsens, nuklear, obligim, observator (për vëzhgues), obstruksion, obstruktiv, obstruktoj, okurrencial, oportunitet (për rast, mundësi), overdozë, performancë, performant, performim,perfomoj, permanent, pervers, perversitet, preliminar, premature, prevalent, prerogativ, prevalon, prezumim, prezumoj, privacion, procesion, produksion, programacion, promocion, promocional, prudent, puntatë, radiacion, receptoj, refleksion, refraktar, regjional, relaks, relaksoj, relaksohem, relatoj, relevant, remitancë, reperkusion, represion, represoj, rezort, rezume, riskoj, rivitalizim, sedentar, selektoj, septik, sindrom, sit, soliditet, stabil, stanjacion, starton, substancial, superohet, superoj, supervizion, suport, suportoj, surprizoj, shokues, shotgan, shoubiz, task fors, terciar, termin, tonus, transnacional, trend, trendi, turbulencë, unilateral, vakuum, varion, vizionalitet etj.
Prof. Dr. Hajri Shehu : “FJALORI FRAZEOLOGJIK RUSISHT-SHQIP" I PROF. ESHREF YMERIT VEPËR MADHORE E LEKSIKOGRAFISË SONË DYGJUHËSHE
Këto ditë doli nga shtypi "Fjalor frazeologjik rusisht-shqip". Fjalori është vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe (leksikografia është teoria dhe praktika e hartimit të fjalorëve) edhe për nga vëllimi, edhe për nga përmbajtja, edhe për nga ndërtimi e barasvlerësia (ekuivalenca) shqipe. Ai është rezultat i një pune të madhe shumëvjeçare të autorit dhe i një përvoje të gjatë si hartues e redaktor fjalorësh, si përkthyes me shkrim nga gjuha ruse në gjuhën shqipe e nga gjuha shqipe në gjuhën ruse, si pedagog i gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës dhe si hartues tekstesh mësimore universitare të gjuhës ruse. Kësisoj, profesor Eshref Ymeri e njeh me rrënjë e me degë gjuhën ruse. Gjithë këtë përvojë e gjithë këtë njohje ai e ka vënë në shërbim të Fjalorit. Këtë e tregon çdo faqe e Fjalorit e çdo artikull i Fjalorit.
Prof.Dr.Eshref Ymeri
Fjalori përfshin 25160 shprehje frazeologjike, fjalë të urta e proverba të gjuhës ruse. Barasvlerësit në shtyllën e gjuhës shqipe e tejkalojnë shumë këtë numër sepse autori ka dhënë shumë sinonime frazeologjike. Në parantezë: Ato mund të jenë një lëndë thuajse e gatshme dhe e sigurt për një fjalor frazeologjik sinonimik të gjuhës shqipe.
Ky është fjalori i parë frazeologjik dygjuhësh me gjuhën shqipe me këto përmasa e me këtë lëndë. Fjalori paraprihet nga një "Hyrje" e autorit, e cila është një studim i mirëfilltë shkencor në fushën e frazeologjisë e të pasqyrimit të saj në fjalorë. Ajo është ilustruar me shembuj për çdo rubrikë a çështje, çka e bën atë edhe një udhërrëfyes shumë të këndshëm për përdoruesin e fjalorit.
Nga një konsultim që çdo hartues fjalori mund ta bëjë me fjalorët e përgjithshëm shpjegues e frazeologjikë të rusishtes, del se në Fjalorin e prof. Eshref Ymerit, frazeologjia e gjuhës ruse standarde është dhënë në sistem e me të gjitha vlerat e saj. Nga lënda që pasqyrohet në Fjalor, shihet shumë qartë se autori ka qëmtuar e ka vjelë shkencërisht gjithë fondin frazeologjik të gjuhës ruse standarde dhe të gjuhës shqipe standarde. Më shumë se kaq, shihet qartë se autori ka qëmtuar e ka mbledhur shprehje frazeologjike të shqipes, siç mbledh bleta nektarin e luleve. Jo gjithkush mund ta bëjë këtë për një fjalor dygjuhësh, me shqipen si gjuhë përkthimore. Ky është mielli i situr në sitë mëndafshi. Domosdo, buka do të dilte shumë e mirë.
Fjalorët bëhen edhe për të diturit, edhe për më pak të diturit. Dhe autori e ka pasur parasysh këtë. Prandaj struktura e Fjalorit të tij është e thjeshtë e për këtë arsye, edhe udhërrëfyese: Jepet fjala që është vatër e frazeologjisë. Vihet një katror i vogël si shenjë ndarëse. Pas tij vijnë shprehja frazeologjike, fjala e urtë a proverbi, përkthimi i drejtpërdrejtë në thonjëza, barasvlerësi në gjuhën shqipe dhe ndonjë e dhënë enciklopedike për motivimin a historikun e njësisë. Kur ka disa a shumë frazeologji që kanë një vatër kuptimore (a janë edhe sinonime), renditja bëhet alfabetikisht sipas fjalës së parë. Frazeologjia jepet vetëm një herë, siç u tha, te vatra kuptimore. Përkthimi i drejtpërdrejtë fill pas frazeologjisë ruse përafërson njësinë e huaj, strukturën e gramatikën e shprehjes etj. Mbase, është dhe një mënyrë për t’i thënë përdoruesit se si mund ta futë në përdorim. Në fund të fundit, është një ndihmë për përdoruesin e Fjalorit, sepse është njëherësh edhe përkthim i fjalëve të rusishtes, që përbëjnë frazeologjinë, fjalën e urtë a proverbin. Shpjegimet enciklopedike për historikun e kësaj a të asaj shprehjeje frazeologjike, fjale të urtë a proverbi janë, vërtet një informacion i gjerë kulturor. Fjalorët janë libra referimi. Por ky Fjalor është shumë më shumë se kaq. Ai mund të lexohet, madje, me shumë ëndje. Edhe për këto shpjegime enciklopedike.
Në teorinë dhe praktikën e hartimit të fjalorëve dygjuhësh gjithnjë bëhet fjalë për përkthim, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës nga gjuha burimore në gjuhën përkthimore. Një ndër rrugët e përkthimit dhe më kryesorja është gjetja e barasvlerësit frazeologjik. Është punë e vështirë. Edhe për fjalët ka vështirësi gjetja e barasvlerësit e jo më për frazeologjitë. Vështirësia vjen sepse ka një lidhje të ngushtë midis gjuhës dhe kulturës dhe frazeologjitë janë simbole të kulturës (p.sh., frazeologjia djesjatnaja vina vinovata “faji i dhjetë është fajtor” lidhet me mënyrën e ndëshkimit me short në Rusi / 1693-1740). Vështirësia vjen edhe nga vetë natyra e frazeologjisë si njësi gjuhësore e figurshme, nga ndryshueshmëria e gjuhëve në strukturën fjalësore dhe kuptimore (krahaso, p.sh., utro vjeçera mudrenjeje në rusisht dhe ditë e re, nafakë e re në shqip), nga mënyra e motivimit të frazeologjive (shih, p.sh., në këtë Fjalor: villami na vadje pisano (shkruar me sfurk në ujë) dhe në shqip shkruar mbi rërë (akull); koshka, katoraja guljajet sama na sjebje (mace që shëtit në qejfin e vet) dhe në shqip njeri kokë më vete; koshkami pallaskat (e shpëlaj me kamxhik dikë) dhe në shqip ia bëj kurrizin (shpinën) më të butë se barkun etj.). Problemet përkthimore në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh janë të ndryshme e më të ndërlikuara sesa në fjalorët njëgjuhësh, sepse këta të dytët hartohen për përdorues që e njohin kulturën që përshkruhet, kurse të parët hartohen për përdorues që nuk e njohin kulturën që përshkruhet e që dallon në përmasa të ndryshme nga kultura e tyre. Kësisoj, te frazeologjitë, barasvlerësi i përputhshëm maksimal nuk është gjithmonë i mundshëm. Nuk është i mundshëm edhe për arsye se gjuha përkthimore ka mënyrën e vet origjinale të krijimit të mjeteve formale dhe përmbajtjesore, por është e ndërvarur nga gjuha burimore e prandaj, nuk është gjithmonë e lirë t’i zgjedhë këto mjete formale dhe përmbajtjesore. Por kjo nuk do të thotë që barasvlerësia frazeologjike është krejt e pjesshme dhe asnjëherë e plotë a e përsosur. Kjo mund të vërtetësohet me “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” të prof. Eshref Ymerit. Shih, p.sh. zhivmja zhit = ngrin e mbin te dikush a diku, ngulet e s’shkulet prej dikujt a prej diçkaje; kak v kotle kipjet (varitsja) = më zien koka, s’kam nge të marr frymë; gadat na kafjejnoj gushçe = i bën petullat me ujë, sheh ëndrra me sy hapur (me sy çelur, në diell, në mes të ditës, zgjuar).
Gjetja dhe zgjedhja e barasvlerësve në gjuhën shqipe ka qenë detyra kryesore e hartuesit të Fjalorit. Siç u tha, frazeologjitë bëjnë pjesë te njësitë kulturore. Në raste të tilla mund të pranohet njëfarë përshtatjeje. Autori nuk ka gjurmuar përshtatjen. Ka gjurmuar dhe ka gjetur barasvlerësin, që e mbulon plotësisht kuptimisht e stilistikisht njësinë e huaj në një fjali a kontekst të shqipes. Autori ka analizuar shterueshëm e me kujdes të madh përmbajtjen e frazeologjisë ruse, për të dhënë barasvlerësin e saktë e për t’i vënë në kontekste ligjërimore shqipe. Shih, p.sh, shkojnë (venë) si macja me miun – barasvlerësi në shqip ka përputhje të plotë kuptimore me njësinë frazeologjike ruse zhit kak koshka s sobakoj dhe e zëvendëson plotësisht atë në një kontekst përkthimor shqip; po kështu, edhe pikë e dobët e dikujt a e diçkaje me sllaboje mjesto kavo-çevo; rrjedhje e trurit me utjeçka mozgov (umov) etj. Ky është treguesi i barasvlerësisë maksimale. Përmbajtja kuptimore kombëtare e rusishtes ka ardhur me përmbajtjen kuptimore kombëtare të shqipes. Kjo do të thotë që në Fjalor nuk ka përkthim të fjalëpërfjalshëm, përveçse, siç u tha, në rastin kur autori ka dashur të motivojë kuptimisht a historikisht njësinë. Nëse një përkthyes nga gjuha ruse do të këshillohej me këtë Fjalor, nuk do të kishte probleme e pasaktësi përkthimi në punë frazeologjish.
Në një fjalor frazeologjik dygjuhësh nuk mund të mos ketë kalkime kuptimore e edhe strukturore (kalkimi është përkthim një për një i pjesëve përbërëse të një shprehjeje frazeologjike, sidomos kur njësia frazeologjike është ndërkombëtarizëm ose huazim / tipi shtet brenda shtetit për gosudarstvo v gosudarstve). Por, edhe në raste të tilla, autori i Fjalorit ka bërë të gjitha përpjekjet për ta dhënë kalkimin sa më shqip e më shumë se kaq, për të dhënë barasvlerësin maksimal shqip; shih, p.sh., “dasmë minjsh” te Dantov ad; “mish në mashë” te v kostjume Adama; “e filloj te lind e te perëndon, ia nis që nga lisi me dega” te naçinat (naçat) s Adama etj.
Në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” të Eshref Ymerit ka edhe një barasvlerësi zgjedhjesore krahas barasvlerësisë së njëmenjëtë. Është barasvlerësia me sinonime frazeologjike. Tri argumente vlerësuese në punë të sinonimeve: a) Sinonimet i japin përdoruesit shprehje të ndryshme për variacion stilistik. b) Meqë sinonimet kanë ngjyrime kuptimore ose stilistike, sa më shumë sinonime që të jepen, aq më i pasur është informacioni. c) Me sinonime i jepet përdoruesit të Fjalorit një mundësi e pakufishme për njohjen e pasurisë frazeologjike të shqipes e të sistemit të saj stilistik dhe sigurisht, për ballafaqimin me frazeologjinë e rusishtes e përkthimin e saj në tekste e kontekste ligjërimore të gjuhës shqipe. Mund të ketë edhe mendim tjetër: të shmanget grumbullimi i sinonimeve (për shkurtësi etj.). Autori e ka zgjidhur problemin (e grumbullimit) duke i dhënë përparësi sinonimit të parë. Në Fjalor ka vargje sinonimike frazeologjike me shumë njësi. Shih, p.sh., për zrja zhit, me kuptimin “jeton kot”: bën pallë, dredh (tund) tespihet (zinxhirin), e kalon gjumë e brumë, hap gojën e shikon qiellin, i bie jongarit, është ndiz e shuaj, kërcet gishtërinjtë, kruan thonjtë, luan (tund) derën, ngroh vezë, ngrohet në shullë, numëron (vret, zë) miza, numëron yjet, ruan erërat, rri me duar kryq, rrokullis gurë, tredh qentë, vret kohën, zë (shtyp) pleshta etj.; për rastjekatsja mëislju po drjevu: rrëfen për dasmën e mizave, bën si çakalle mulliri, bën si turtull etj.; për sorvat pup: lë kockat (leshtë, lëkurën, rruazën), më hollohen kikëzat, më bien (më këputen) gërbet; etj. Është e rëndësishme të theksohet se frazeologjitë sinonime renditen alfabetikisht sipas vatrës kuptimore (shih shembujt e mësipërm). Një punë, vërtet e mundimshme, por me shumë vlera shkencore. Një zgjidhje shumë ndihmëtare për përdoruesin e Fjalorit.
Një pasuri tjetër e Fjalorit te barasvlerësia shqipe është variantësia frazeologjike. Siç dihet, si edhe për fjalët, kufiri i variantësisë së njësive frazeologjike është njëjtësia (identiteti) e kuptimshmërisë dhe e figurshmërisë. Më tipike është variantësia fjalësore; p.sh: dredh tespihet / zinxhirin; shtroj rosën / vë rosën të ngrohë vezë; ia bëj jetën ferr / skëterrë; e bëri fërtele / lakër / lakror / pelte dikë etj.).
Siç dihet, pjesa më e madhe e frazeologjive, përveç kuptimit të tyre themelor objektiv, kanë edhe ngjyrim shprehës-emocional. Ngjyrimi shprehës-emocional e shoqëron gjithnjë kuptimin e frazeologjisë. Madje, është shprehësia e veçantë (e njëherësh, figurshmëria) që e fuqizon përdorimin e frazeologjive në gjuhë. Ky ngjyrim kuptimor është dhënë mjaft mirë në Fjalor për frazeologjitë e rusishtes me shënimet stilistikore (shak., iron., keq. etj.). Edhe shënimet ligjërimore (libr., vjet. etj.) janë vënë mjaft mirë. Për përdoruesin e Fjalorit ato janë shumë të dobishme sepse tregojnë përdorimin stilistik dhe ligjërimor të njësive. Te sinonimet frazeologjike në shqip, diferencimi stilistik i mbetet sigurisht, përdoruesit të Fjalorit sepse nuk ka qenë detyrë e hartuesit. Ky diferencim mund të bëhet, siç dihet, duke vëzhguar jo vetëm përmbajtjen kuptimore, por edhe ngjyrimet shprehëse-emocionale e stilistike, madje, mundësisht, edhe dendurinë e përdorimit në ligjërim.
Çdo fjalor parakupton një gramatikë (morfologji dhe sintaksë) të gjuhës dhe hartuesi i fjalorit duhet ta njohë mirë atë. Në fjalorët dygjuhësh ka dy gramatika. Autori i këtij Fjalori i njeh dhe i zbaton shumë mirë të dyja gramatikat. Kësisoj, ky Fjalor shërben edhe si një udhërrëfyes gramatikor për përdoruesin. Shih, p.sh., dallimet formale (strukturore-gramatikore) në shtyllën e rusishtes, kur jepet në frazeologji folja në aspektin e kryer dhe në kllapa, në aspektin e pakryer (tipi sovljekat / sovljeç, otdavat / otdat etj.).
Thonë që fjalorët janë librat më të mirë që mund të shkruhen për të tjerët. Nga këto pak përshkrime tonat, besojmë që del se ky Fjalor është libri më i mirë që është shkruar deri tani në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe me kolonë të dytë shqipen. Në Fjalor, shqipja ballafaqohet denjësisht me një gjuhë të madhe e të lëvruar si rusishtja. Fjalori mund të shërbejë si model për fjalorë të tjerë dygjuhësh (me shqipen si gjuhë përkthimore ose burimore) për mënyrën e hartimit, por edhe për lëndën që mund të vilet nga shtylla shqipe. Fjalori është për pedagogët dhe studentët e gjuhës ruse, për pedagogët dhe studentët e gjuhës shqipe në Shën Petërburg etj., për studentët shqiptarë që studiojnë në Rusi, për të gjithë ata e për të gjitha ato që kanë mbaruar studimet e larta në ish-Bashkimin Sovjetik, për përkthyesit nga gjuha ruse në gjuhën shqipe, për albanologët e ballkanologët, për hartuesit e fjalorëve dygjuhësh dhe për këdo që është i interesuar t’i njohë më mirë gjuhën ruse e frazeologjinë e saj dhe barasvlerësinë e saj në shqip.
Siç dihet, shprehjet frazeologjike, fjalët e urta dhe proverbat janë të rëndësishme jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si burim të dhënash shoqërore për kulturën materiale e shpirtërore të një populli. Për këtë arsye, “Fjalori frazeologjik rusisht-shqip" i prof. Eshref Ymerit është me interes jo vetëm për gjuhëtarët shqiptarë e rusë, por edhe për folkloristët, etnografët, historianët, sociologët etj.
Fjalori është botuar nga "Bota Shqiptare", një shtëpi botuese me emër. Gjithçka që ka të bëjë me shtypshkrimin, është e përkryer. Kjo ia shton edhe më vlerat Fjalorit.
PROF.DR.RASIM BEBO: PSE NUK FITOI “BALLI KOMBËTAR” I NACIONALIZMIT SHQIPTAR?
Pse u bë gjithë ajo gjakderdhje, pse gjithë ajo urrejtje kundra Klerit Katolik?
Cilat janë shkaqet e dështimit të Ballit Kombëtar? ...
Prof.Dr. Isuf Luzaj jep këtë përgjigje: “Faji kryesor i mosorganizimit, ishte te bejlerët, të cilët ishin anëtarë të Komitetit Qendror. Balli, për të mos fituar komunistët, do të duhej të bënte këto veprime: Të mbante tri grupe të ushtrisë nën komandën e vet; një grup në Shkodër, ndërsa dy të tjerët në Tiranë dhe Elbasan, që përbënin rreth 120.000 ushtarë të armatosur. Po t’i kishte udhëhequr Balli këta ushtarë, komunistët nuk do të fitonin... Komandantët e grupeve erdhën ilegalisht me ne, ndërsa oficerët e ushtarët lanë kazermat e shkuan në shtëpitë e tyre, vetëm gjeneralët erdhën me ne! Balli, po ashtu, nuk ishte në gjendje të formonte çeta në tërë Shqipërinë. Çeta pati vetëm në Vlorë, Berat e Korçë. Në Berat ishte Abaz Ermenji, që nuk zbrazi asnjë pushkë kundër italianëve. Vetëm në Dibër, kuptova se e kishim humbur luftën, për shkak të bejlerëve, nga të cilët Shqipëria kurrë s’ka pasur ndonjë përfitim. Bëjmë përjashtim për Ismail Qemalin dhe Mit’hat Frashërin... Mit’hati ishte një njeri shumë i ndershëm. Atdhetar qind për qind dhe i sinqertë. Demokrat në teori, aristokrat në praktikë. (Por Mit’hati nuk kishte një qëndrim të prerë, ndaj kundërshtarëve të tij: “Janë bijtë tanë – thoshte ai për kundërshtarët”. U tregua “Pacifist e tolerant ndaj komunistëve, në një kohë kur atyre po t’u binte në dorë e zhduknin në moment, si armik e tradhtar. shën. im”). Komunistët ishin shumë të organizuar. Kishin përvojë, sepse u vinin urdhra dhe mësime nga Beogradi. Balli Kombëtar nuk kishte as statut, as kod apo ligj. Çlirimi i Shqipërisë, ndodhi nga vdekja e boshtit Romë – Berlin. Luftën e humbi Hitleri dhe Musolini. Shqipëria mbeti zonë e asnjërit.
Nuk ka njeri që e ka njohur më mirë Enver Hoxhën. Cili është Enver Hoxha? Ai qëndroi 11 vjet në Francë dhe nuk fitoi diplomën. I jepte para i kunati i tij, që ishte një milioner nga Gjirokastra. Kur ai vajti e pyeti në Universitet dhe mori vesh se s’ka dhënë asnjë provim, ia ndërpreu ndihmat. Enveri mbeti pa burim financimi dhe u fut në Partinë Komuniste, sepse ajo u jepte të huajve dreka e darka, ushqim dhe strehim. Mbante një çantë të madhe, për t’u paraqitur para të tjerëve, se kishte libra në të. Ndërroi disa fakultete, por nuk u diplomua kurrë. Tregojnë edhe një barsoletë për të: Një ditë ai më telefoni vonë. ”Ç’ke bërë ashtu”- më pyeti i nervozuar.” Ke nxjerrë nga çanta ime librat e ke futur ca tulla në të”. Iu betova se nuk e kisha bërë unë një gjë të tillë. Kur i tregova për këtë Dhori Panos, ma ktheu duke qeshur: “Unë kam gjashtë muaj që ia kam futur në çantë ato tulla, po ai tani i paska parë”. Enver Hoxha na pat treguar një ditë, se e kishte të vështirë ta gjente universitetin ku ishte regjistruar, sepse shkonte njëherë në gjashtë muaj. Pata rast të takoja një doktor japonez në Amerikë… Ai kishte qenë 5-6 vjet mjek i Enver Hoxhës. Më tha se diktatori shqiptar ngrihej shpesh natën nga gjumi dhe bërtiste: “Erdhën, erdhën të më vrasin!”... Vinte roja me vrap, e më thërrisnin mua për t’i bërë injeksion. (Vehbi Bajrami “Shqiptarët e Amerikës”, bot 2003, f. 195, 196).
Kur në fund të luftës, situata në Shqipëri u bë shumë e nderë për nacionalistët, miqtë e Harapit e këshilluan atë të mërgonte jashtë vendit, por ai refuzoi. Në këtë kohë u larguan 118 profesorë, edhe pse kishin marrë doktorata të Sorbonës, Berlinit e Romës. ( këto figura të ndritura, Mit’hati nuk i shfrytëzoi për t’i bërë anëtarë të K. Q. të Ballit, por e mbushi me trutharët bejlerë. Isuf Luzaj tregon një barsoletë për beun e Elbasanit Shefqet Vërlacin: “…në një restorant të shtrenjtë në Paris, hante ushqimin me dorë dhe kjo e kishte neveritur menaxherin e lokalit: –Ose hani si duhet, ose do t’ju nxjerr jashtë!, -i kishte thënë francezi. Ndërsa Shefqet Vërlaci, pasaniku më i madh i Shqipërisë në atë kohë, i mllefosur ia kishte kthyer: - Më thirr pronarin, dua të bisedoj diçka me të!... –Sa kushton ky restorant? - e kishte pyetur të zotin e lokalit. – Nuk e kam për shitje, - ia kishte kthyer ai. Pas insistimit te Beut, pronari francez i kishte dhënë një çmim të lartë dhe Shefqet Vërlaci kishte nxjerrë paratë nga çanta... - Një herë pata shkuar ta vizitoja si i dërguar i Ballit, -tregon prof. Luzaj… - I thashë, po si nuk keni asnjë libër në shtëpi? -Nuk më duhen librat. –Të gjitha i kam në kokë”.
At Anton Harapi, nuk i ndoqi pas korifenjtë, që u larguan para dhe pas kësaj mërgate, por refuzoj largimin duke thënë: “Kam punue për Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënim, nuk kam pse me pritun. Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë s’i tradhtova. Me ta vuajta, me ta punova, me ta qëndrova. Me ta edhe do të vdes”. (U. Q).
Rreth 50 vjet më parë, shkruan në librin e tij komisari i forcave të ndjekjes, Fadil Paçrami,” fill pas çlirimit, filloi ndjekja kundër armiqve dhe klerit katolik, duke krehur vendin me një kontroll të imtë në çdo anë e kënd. Në qershor të vitit 1945 hymë në fshatin Pluth, mbi Shkodër, afër një shtëpie, në luadh pamë një çoban me kërrabë në dorë dhe para tij disa dhën. U përshëndetëm me çobanit dhe iu drejtuam shtëpisë dhe trokitëm. Me pak rezistencë u hap dera nga një zonjë që gjetëm në atë shtëpi të vetme. Pas një kontrolli të imtë, në dollap gjetëm një gotë me ujë dhe në të proteza me dhëmbë floriri. Zonjës iu kërcënua jeta dhe djegia e shtëpisë, nëse ajo nuk tregonte se të kujt janë ata dhëmbë. Pas hezitimit, ajo u tregoi nga dritarja çobanin... E arrestuan. (F. P.). Kënaqësia e madhe e komisarit Fadil Paçrami.
Me vendim të datës 19 shkurt të 1946, të gjykatës speciale të Tiranës, At Anton Harapi është shpallur si kriminel lufte, armik i popullit dhe sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit. Nuk dihet ku gjendet varri i tij.
Kryevepra e Anton Harapit, “Andrra e Prekashit”, kushtuar bashkëveprimtarit të tij të dashur, Luigj Gurakuqit, ka vlerë të madhe dokumentare. “Me veprën e përvuejtë të virtytetve shqiptare do ta ngrehim madhinë e kombit tonë” shkruan Harapi. Tragjikja e Anton Harapit, mbetet me pranimin e tij të tezës së hidhur “armiku i armikut tim, duhet të jetë miku im”. Ai pranoi pushtimin gjerman, si mbrojtës kundër komunizmit, sepse gjermanët ishin armiq të betuar të popujve sllavë.
Kur Lufta e Dytë Botërore zhvillohej ndërmjet dy blloqeve dhe nuk dihej se kush do të fitonte në fundin e saj, atëherë Patër Antoni bëri mirë që përqafoj anën e Gjermanisë dhe në vend të mirënjohjes, e pushkatuan. “Në gjyq i hodhi poshtë akuzat me thëniet e trupit gjykues për dënim si tradhtar, jo nga populli, por nga armiqtë e kombit që trillojnë shpifje. Theksoj burrnisht me fakte pafajësinë, tue mos pranue me lypë falje. U tha: “Zoti pastë mëshirë për ju, që nuk keni dashtë me dijtë, se çfarë krimesh po bëni kundër popullit e atdheut, jo vetëm për dënimin tem e të qindra të tjerëve të pafajshëm sikurse unë, po për tragjedinë që keni vulosë kundër tanësisë kombëtare, në dhunim shqelmues të tagrit të shqiptarëve për atdheun etnik. Mundimet dhe jeta ime i qofshin falë kombit”.
“Mbas vrasjes së Patër Anton Harapit, ambasadori jugosllav ka shkue për vizitë zyrtare te Enver Hoxha. Në bisedë e sipër, Enveri asht mburrë për zhdukjen e Harapit. Ambasadori i ka thënë se i gjithë kleri katolik shqiptar ashtë Patër Antona, prandaj për mbarëvajtjen e partive e të qeverive tona motra, kam porosi të shpejtë rezervate prej Beogradit, që me çdo mjet, duhet me i likuidue të gjithë sa më parë. Ata janë lidhun me Vatikanin, me atë çerdhe të spiunazhit të kapitalistëve imperialist”. E atëherë a ka se si besohet shestimi i kësaj katastrofe për ne, prej Beogradit? Pse Enveri pranon me u ba vegël serbe kundër shqiptarëve? Ma në fund, pse komunistët serb nuk e hjekin qafet klerin e tyre, që gjatë luftës përgjithësisht ka qenë me çetnikët”. (UQ) Fantazma e komunizmit mjegulloj edhe Shqipërinë. Ajo la këtu thikën e serbëve në shpinë të klerit katolik dhe të intelektualëve shqiptarë. Këllëfi i thikës, ishte doktrina ateiste komuniste. Asnjëherë nuk u prezantua rezultati i konferencës së Teheranit midis Rusveltit , Çurçillit dhe Stalinit për Shqipërinë. Por fabula e La Fontenit “over lupe credit”. “Ujku ka gjithnjë më të drejtë se qingji”. Në tetorin e vitit 1943, në këshillin e Shpëtimit Kombëtar, që përbëhej nga 4 veta, u zgjodh edhe Patër Anton Harapi. Ky njeri i nderuar i kombit, në bankën e të akuzuarve tha: “Feja nuk e dobëson njeriun, por e naltëson, i jep vlera dhe e plotëson në jetë, në marrëdhënie shoqërore e familjare”. Për këto mendime progresive, ai arriti në bankën e të akuzuarve si armik i popullit. Pas akuzës, Patër Anton Harapi pyeti: “Po pasi të mbarojnë armiqtë, me kë do të merreni z. prokuror? A po do të filloni me njëri-tjetrin”?... Çërçilli ka thënë: “Komunizmi ha foshnjën e tij”. “Druri i pemës, i ushqen krimbat dhe krimbat e thajnë drurin, duke shpërndarë helm nën etikën e mjaltit, përgatisin shkatërrimin, në vend të përparimit, robërimin në vend të lirisë”. Diktatori gjakatar ndoqi këtë mendim për qytetarët e vet: “E mbytëm Patër Anton Harapin, dhe me të, kemi plagosur për vdekje klerin katolik”. Kjo ishte shprehja e një “burri shteti” që tërhoqi zvarrë Shqipërinë për një gjysmë shekulli. “O…po kemi ende gjallë At Gjon Shllakun që peshon shumë”. Në një tavolinë përplaset një dosje ku lexohet: Aprovohet dënimi me vdekje për: -At Gjovani Faustin, nga Breshia. –At Danieli Darjanin, nga Shkodra. –At Gjon Shllakun nga Shkodra. –Mark Ndoc Curin nga Shkodra. –Qerim Sadik Myftarin, nga Gucia. –Gjelosh Lulash Barjaktarin nga Shoshaj i Dukagjinit. Ministri i Luftës e i Mbrojtjes, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha. (M. T.).
Populli i Finlandës, që sovjetikët i ka fqinjë në kufi, shpëtoi nga kthetrat sovjetike për arsye të forcës së bashkimit kombëtar. Po ne, pse nuk fituam? Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, mbushi Komitetin Qendrorë me anëtarë bejlerësh e nuk mori asnjë nga gjeneralët e nga brumi i inteligjencës së kombit, nga brumi i nacionalizmit dhe nga figurat e ndritura të klerit katolik. Forcat ushtarake prisnin në kazermë për organizimin e ri (që në fillim, pas 7 rillit 1939) nën drejtimin e gjeneralëve të tyre të varur nga komanda supreme e Ballit Kombëtar, që numëronin rreth 120.000 trupa, për t’i ndarë në grupe të vazhdonin luftën kundër komunizmit, që ishte akoma në djep dhe kundra fashisto-nazistëve. Mit’hati nuk veproi për organizimin e ushtrisë dhe ushtarët e oficerët lanë kazermat e shkuan në shtëpitë e tyre. (Me një fjalë, kjo ishte tradhti, kjo ishte vdekja. Do të ishte normale dhe do të fitonte Balli Kombëtar, në qoftë se vendin e kryetarit të “Ballit Kombëtar" do ta kishte njëri prej gjeneralëve më të zotë, ose Abaz kupi, apo Muharrem Barjaktari dhe t’u kërkonte bejlerëve e agallarëve të zgjidhnin qesen për organizimin e armatës shqiptare, ku të zgjidhej një komisar atdhetar i vendosur si (prifti Simurden që zgjodhi Robespieri për armatën e Vandesë, të komanduar nga Goveni zëmërbutë “Viti 93, V. Hygo”). Dhe komisar për në shtabin e armatës, do të ishte më i përshtatshëm Patër Anton Harapi. Mit’hati mbajti anën e bejlerëve, se ishte vetë aristokrat dhe bej, ishte me bejlerët e Toptanit, farefis edhe me ata të Elbasanit, të Korçës e të Shkodrës. “Ata bejlerë, ishin armiku i popullit, sepse ata e mbajtën 500 vjet në hu e në litar popullin shqiptar nën sundimin turk. (Isuf Luzaj). Nuk fitoi Balli Kombëtar. Pse? Sepse duhet të kishte mbajtur ushtrinë të komanduar nga gjeneralët e saj, që nga fillim të vitit 1939 pas pushtimit të Italise fashiste dhe të detyronte pasanikët të derdhnin paratë në tavolinë si dhe në Komitetin Qëndror të Ballit Kombëtar të mos mbante këta bejlerë injorantë si Shefqet Vërlaci që folëm më sipër. Të vendoste në Komitetin Qendror dhe në Shtabin e armatës e në gjithë vendin, Brumin e pastër të inteligjencës së kombit, të nacionalizmi dhe të klerit Katolik. Ju la rruga e lirë Jugosllavëve, ndërsyen Enverin e pa diplomuar me shpirtin katran, vrau inteligjencën me klerin katolik shqiptarë, që ishin më shqiptar se shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë. Kujt do t'i ngarkohet faji për këtë masakër? Që vetë kryetari I Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri i ktheu krahët atdheut dhe nuk qëndroi, që në gjyq, ku të dilte të demaskon Enver Hoxhën me komunistët Jugosllavë. Por u largua dhe militoi si kryetar i Ballit Kombëtar në diasporë, pa asnjë përfitim për atdheun, vetëm “Dhunë e Iiri - mërgimtar në qiej të zi…” Dhe ja shkëndrit Fytyra jote / Fatlum, O Lumo, drita jote tmerr për 70 vjet. Dhe së fundi gjeti vdekjen në hotelin Leksikton të New Yorkut, ndofta me llahtari të madhe. Megjithatë poeti në ceremoninë e varrimit e poetizoi: “Ehu, flamur i vjetër / ehu flamur, Historia ka filluar për tu zgjidhur. Ajo që nuk u zgjidh më 1913 dhe 1944, për bashkimin e Shqipërisë / Ty frymë e fundit Frashëri / Vakëf për ne, për Shqipëri”. (Nga Bardhyl Pogoni). Ndërsa Patër Antoni Harapi nuk i ktheu krahët atdheut. Ishte shqiptar i kulluar, siç kemi treguar më lartë. Lëvizja Etnike, vazhdon sot, me shumë shqiptarë patriotë.
Addison IL, USA,Shtator 2015
Subscribe to:
Comments (Atom)
Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.
Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...