Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/06

UNITETI I SHQIPTARËVE NË MBROJTJEN E SHKODRËS (1912/13) SIPAS EPIKËS HISTORIKE

Prof. Dr. Sadri FETIU
 Instituti Albanologjik i Prishtinës
Nuk ka dyshim se qëndresa e Shkodrës në luftë me pushtuesit sllavë (Serbinë dhe Malin e Zi), tetor 1912 – prill 1913, është një ndër ngjarjet e rëndësishme historike të gjysmës së parë të shekullit XX. Historikisht kjo çmohet, si qëndresë e popullit shqiptar dhe e ushtrisë së rregullt të garnizonit turk të Shkodrës të komanduar nga Hasan Riza Pasha, që jo vetëm se ua ndali hovin hordhive pushtuese sllave, që bënë krime të pashembullta mbi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Mal të Zi dhe në malësitë e Veriut, por e nxiti edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për t’i zvogëluar sadopak apetitet e pushtuesve të aleatëve ballkanikë, që, në emër të luftës për çlirim nga sundimi i Turqisë, po i copëtonin e ndanin midis tyre viset shqiptare.

Hasan Riza Pasha (në mes)
Hasan Riza Pasha (në mes)

Për këtë ngjarje janë shkruar më shumë se pesëmbëdhjetë libra të autorëve të ndryshëm, të cilët pos analizave historike, përmbajnë edhe shënime e kujtime të pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në to. Midis tyre shquhen disa botime të organeve ushtarake të Turqisë, si edhe botimet e autorëve të tjerë, siç është italiani B. Gerri, pastaj disa autorë serbë e malazezë. Për luftën e Shkodrës kanë dhënë vlerësime edhe autorë të ndryshëm, si: Gjergj Fishta, Edit Durhami, autorët turq Abdurrahman Gyrmani dhe Nafiz Koxhamani, Fevzi Çakmak, Hamdi Ertuna, e shumë të tjerë. Për një periudhë relativisht të gjatë, lufta e Shkodrës, si ngjarje e veçantë është trajtuar me shumë kujdes edhe nga të gjitha organet e shtypit evropian të asaj kohe.
Sado që në historinë shqiptare të kohës sonë nuk kemi ende ndonjë studim monografik për këtë ngjarje, që çështjet do t’i shtronte me objektivitet të plotë historik, jashtë çdo ndikimi të kufizuar ideologjik, ose shpjegimi romantik e pseudopatriotik të mendësisë së kufizuar krahinore, historianët tanë, brenda paraqitjes së ngjarjeve të periudhës, që i përkasin fillimeve të shekullit XX, i kanë dhënë vlerësimet e veta për Shkodrën e viteve 1912-1913. Në mënyrë të veçantë janë trajtuar rrethanat e përgjithshme historike-shoqërore dhe veprimi aktiv i faktorit ndërkombëtar, sidomos brenda veprimtarisë për përcaktimin e kufijve nga ana e Konferencës së Londrës.
Këto ngjarje i ka vlerësuar edhe populli në mënyrën e vet meritore, duke i ruajtur kujtimet e hidhura dhe duke krijuar këngë popullore, të cilat, përveç rëndësisë njohëse, shquhen edhe për vlerat e tyre poetike e muzikore. Këngët popullore historike, të frymëzuara nga qëndresa e Shkodrës e viteve 1912-1913 kanë një shtrirje të gjerë në viset shqiptare të Veriut, por jehona e tyre është e hetueshme edhe në jug të Shqipërisë, deri në Çamëri[1].
Këngët kanë një përhapje të gjerë në shumë vise të Kosovës, midis shqiptarëve në Maqedoni e në Mal të Zi, pastaj në krahinat e Shqipërisë së Veriut, duke u shkuar kah jugu deri në Durrës, në Tiranë e në Elbasan, e në ndonjë rast edhe në Fier, midis mërgimtarëve kosovarë[2].
Pesëdhjetë këngët, që i trajtuam me rastin e hartimit të kësaj kumtese, dëshmojnë se këngët historike për luftën e Shkodrës, si tekste poetike, kanë një strukturë të përcaktuar unike. Brenda traditës poetike të këngëve popullore epike të Veriut, ato i përkasin grupit karakteristik të këngëve pa narracion të zgjeruar epik. Kështu për shembull, një këngë e shënuar në Tiranë ka gjithsej 17 vargje dhe i kushtohet kryesisht trimërisë shkodrane, që i kundërvihet në mënyrë të vendosur ushtrisë së Kral Nikollës:
Dalin Shkodra si sokola:
– Ku po shkon o kral Nikola?
Nuk të lshoj, pa më lshue toka,
Se kët punë na dau Europa.[3]
Duhet theksuar se në këto këngë, krahas Kral Nikollës, theksohet edhe Serbia si agresore:
Dalë kadalë mori Serbi.
Tash ke hasë ne trima daji…
Ni taborr e kam Dibranë.
Ata i rrinë Serbit kallkan…
Kta janë topat e halis.
Qi luftojnë djemt e Shqipnis.[4]
Në vëllimin “Zana popullore” të Kasem Taipit, Shkodër, 1933, ku mbizotërojnë këngët shkodrane, është botuar vetëm një këngë për Luftën e Shkodrës, dhe ajo e sistemuar pa ndonjë kriter të veçantë, në fund të veprës. Kjo këngë sjell të dhëna të plota historike për ngjarjet e kohës, qoftë ato në frontin e luftës me serbë e malazezë, qoftë edhe për konfliktet e brendshme midis Esat Pashës dhe Hasan Riza Pashës. Mirëpo këtu theksohet uniteti ndërfetar dhe qëndresa e popullit në luftë të pabarabartë me pushtuesit sllavë, që e mbanin Shkodrën të rrethuar, duke u përpjekur që të dorëzohet për shkak të mungesave më elementare për jetesë, ushqimit dhe veshmbathjeve.
Këngë të tilla paraqesin sinteza të vlerësimit të rrethanave historike me një ndjeshmëri të theksuar emocionale, në të cilën gërshetohet tragjikja dhe heroikja.
Siç shihet nga epika jonë  popullore, dhe nga realiteti historik, që nga fillet e Rilindjes Kombëtare, Shkodra është shembull i një uniteti ndërfetar, që manifestohet  në mënyrë të veçantë në luftën e saj kundër pushtimit serbo-malazez (1912/13). E përbashkët është gatishmëria për flijime tepër të mëdha e të gjithëve (popullit dhe ushtrisë) për mbrojtje të Shkodrës, gjë që shihet edhe në pohimin e heroit të kësaj lufte, Hasan Riza Pasha: “Shkodra është fati ynë ose varri ynë, por jo turpi ynë”. Heroi i kësaj lufte pohonte kështu, sepse për një kohë të shkurtër e kishte njohur mentalitetin e shkodranëve dhe kishte krijuar lidhje të forta me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, në mënyrë të veçantë me komunitetin katolik, që e kryesonte arqipeshkvi i qytetit, Jak Sereqi.
Uniteti ndërfetar manifestohet edhe në veprimet e Hasan Rizasë, që në bashkëpunim me udhëheqjen klerikale katolike, në mënyrë të veçantë me ndihmën e poetit kombëtar, Gjergj Fishta, përpiqej që luftës t’i jepte karakter kombëtar, duke e ngritur flamurin kombëtar dhe duke vënë lidhjet me Qeverinë e Ismail Qemalit.
Davi diten me çue bajrakun
Si mbas planit qi kish shenjue
Thehet Serbi me Karadakun
E pshton Shkodra qi ish rrethue.[5]
Kur është fjala për bashkëpunimin me poetin Gjergj Fishta, bashkëkohësit e poetit pohojnë se pashai kishte kërkuar nga poeti që ta hartonte tekstin e një himni, që do të këndohej në gjuhën shqipe nga luftëtarët që e mbronin Shkodrën e rrethuar[6].
Por kjo vendosmëri bazohej krejtësisht në unitetin e shkodranëve që siç pohohet në njërën nga këngët, janë të gatshëm të flijohen:
Xhevapë Shkodra i ka dhanë
Jemi gadi me të ndihmue
Karadakun mos t’a lamë
Der’ sa të mund’ na me qindrue[7].
Në vëllimin e dytë “Kangë popullore të Kosovë Metohis”, Prishtinë 1951, gjendet vetëm një këngë që i ka gjithsej 54 vargje. Në kuadër të ndërlikimeve ndërkombëtare, ku siç thuhet “shtatë ballkanat” i shpallin luftë “mbretit të Stambollit”, ngjarjet e këngës  përqendrohen në jetën e vështirë në Shkodrën e rrethuar, ku popullsia detyrohet të jetojë, duke ngrënë edhe mishin e kalit, por djemtë e Shkodrës janë të vendosur të qëndrojnë deri në fund për mbrojtjen e atdheut të tyre:
S’po kanë dert qata djem t’ri;
Huten n’ dorë, barutin n’gji
N’ istikam në borë e n’shi,
Gjith tuj nejtë dushmanit karshi.[8]
Në shumicën e këtyre këngëve, qëndrimi subjektiv i këngëtarit si vlerësim për ngjarjen, pastaj nama dhe anatema ndaj pushtuesit ose tradhtarit të popullit, bëhet motiv kryesor i këngës.
Esad Pasha, kjoftë mallkua,
Murtat i turkit ish qillua;
Ish murtat e haj medet
E ka pre dar çadër t’ vet![9]
Mënyra e këtillë e trajtimit të ngjarjeve të rëndësishme historike dhe e ndërtimit të personazheve që marrin pjesë në to, ka kushtëzuar që në këngë, brenda strukturës së saj poetike të mbizotërojnë përbërësit artistikë ndaj lëndës thjesht historike, që e ka nxitur frymëzimin për krijimin e këngës si tekst poetik dhe si melodi muzikore. Duke kufizuar narracionin epik këngët për qëndresën e Shkodrës së rrethuar nga forcat pushtuese serbo-malazeze, shpesh marrin trajtat e kushtrimit, të alarmit për mbrojtjen e atdheut, ose edhe të mallkimit të plotë të agresorit:
Bini, trima, bini, burra,
Mun ta shtym gjakun te ura!
Bini trima, pashallarē,
Mun ta shtijm gjakun n’pazar![10]
Ato me një shprehje të saktë sintetizuese përshkruajnë telegrafikisht edhe atmosferën e rëndë të ekzistencës së njerëzve në rrethana rrëqethëse të bllokadës së plotë, të mungesës së ushqimit dhe të municionit për luftë:
Hajmedet, si m’ ja bam hallit,
Na ardh’ vakti me har’ mish kalit
Hajmedet, shum’ medet,
Nji mexhite nji peksimet,
Fort e lyp e nuk u gjet![11]
Duke pasur parasysh se synimi i këngëtarit popullor ishte paraqitja e unitetit heroik të popullit shqiptar të Shkodrës, por edhe të viseve të tjera, vullnetarët e të cilave kishin ardhur në ndihmë, në këto këngë nuk kemi heronj të veçantë të individualizuar në aspektin poetik. Ndër të paktët kënga e përmend individualisht: Dan Alinë, Zog Sadrinë, Brahim Zenelin dhe Adem Haxhinë:
Adem Haxhija, ‘i trim drangue,
Komandatit i ka shkrue:
-Pak nimadin me ma çue,
iqind trima i kam bashkue,
nesër n’ Bardhaj dum me liftue![12]
Midis këngëve të botuara në vëllimin 3 të “Epikës historike” të Institutit të Kulturës Popullore të Tiranës, krahas heroizmit të viseve, që vijnë për ta ndihmuar Shkodrën, siç janë: Boksi, Postrriba, Bardhajt etj., pastaj emërtimeve të vendeve si, Taraboshi, Bërdica, Maja e Helmit, Bregu i Shtodrit, Myselimi etj., në të cilat bëhen luftimet që shndërrohen në simbole të qëndresës, paraqiten edhe heronjtë e individualizuar midis atdhetarëve të thjeshtë të popullit, si p.sh.:
Dem  Haxhija, ‘i djal’ pej djalit,
pes’ petica i ka marr’ krajlit!…
Dem Haxhija, i gjat’ e i hollë,
ja ka marr’ kaçakun n’ llogorë…[13]
Si vendet ku ndodhin ngjarjet luftarake, ashtu edhe heronjtë e këngëve përshkruhen me mjete tradicionale të epikës shqiptare, si burra të hollë e të gjatë, sypatrembur, me zë të theksuar mobilizues e të gatshëm për t’u flijuar për interesin e popullit dhe të atdheut.
Me simpati të veçantë këngët e paraqesin edhe komandantin e famshëm turk, Hasan Riza Pashën, si hero legjendar të kësaj lufte, duke rrëfyer me një gjuhë të drejtpërdrejtë pa ndonjë ngarkesë figurative edhe për qëllimet e tij në këtë luftë që janë të pandashme nga kërkesat e luftëtarëve shqiptarë, që sakrifikohen për mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare:
 Hasan Rizaja e kish mendue,
Për këtë tokë të bajmë hyzmet,
Të njallim shqipen qi asht harrue
E ta pshtojmë na nji këtë milet.[14]
Ose
Vali Shkodra po bon gajret,
Shprazke topa me dorë t’ vet,
Vorri tyrbe iu boftë n’atë bjeshkë![15]
Kënga jonë popullore me një vlerësim objektiv di të bëjë dallimet e rolit të personaliteteve, prandaj krahas paraqitjes së madhështisë heroike të Hasan Riza Pashës, me shprehje të thjeshtë e të kuptueshme për nivelin e përgjithshëm të njohjes së popullit shqiptar do ta stigmatizojë tradhtinë e Esat Pashës:
 Esat Pasha me tradhti,
Vret Hasanin me tinzi,
Ban marrveshje me Mal t’ Zi,
Ta lshoj’ Shkodrën, mbrend’ me hi.[16]
Figura e Esat Pashës në këto këngë është paraqitur në përmasat e saj reale, brenda kontradiktave të plota që e shquajnë ambicien e tij për pushtet, që bëhet faktor vendimtar për veprimet e tij kundër interesave të përgjithshme të atdheut. Në disa nga këngët ai anatemohet plotësisht si tradhtar me shprehje përbuzëse, por është krejt e kuptueshme se ka edhe këngë që e heshtin në tërësi aktin e tradhtisë, dorëzimin e Shkodrës, pas të gjithë atyre sakrificave të popullit dhe ushtrisë.
Këngët në shumë raste mallkojnë kral Nikollën si shkaktar të të gjitha vuajtjeve të popullit të pafajshëm, por e nxjerrin në pah edhe dyfytyrësinë e tij ndaj malësorëve, që nën maskën e ndihmës për luftë kundër sundimit turk, me premtim për lirinë dhe të drejtat e tyre, i shfrytëzoi për interesa të luftës së tij, por në fund edhe i vrau me pabesi:
O, Kral Nikolla, pra, kopil Kopilit
Se na u ndau armet, o, pra te tane kshtenimit…
Kral Nikolla, po, ti kjosh i zi,,
E, s’ merret Shkodra, mor-o, me fuqi![17]
Duhet theksuar se brenda këtyre këngëve bashkë me jehonën e fuqishme të atmosferës së përgjithshme të krismave të topave e të armëve të tjera, bashkë me kushtrimin mobilizues kombëtar, populli e di fare mirë se koalicioni sllavo-serbo-malazez, kishte synime të qarta, që të mos lejonte funksionimin e shtetit shqiptar, që ishte shpallur në atë kohë dhe t’i pushtonte të gjitha viset e tij, gjë që është shprehur qartë në vazhdimësinë e politikës sllavo-ortodokse edhe në periudhat e mëvonshme, deri në kohën tonë. Megjithatë, brenda këtyre këngëve, bashkë me paraqitjen e unitetit të përgjithshëm të popullit shqiptar, me krenarinë ngadhënjyese dhe urrejtjen ndaj armikut, hasen edhe shenja të ndjeshmërisë humaniste, madje, edhe për humbjet e mëdha të kundërshtarit, sidomos për vrasjen e shumë të rinjve në llogoret e luftës në Tarabosh, në Bërdicë e në vija të tjera të frontit.
Në fund të kësaj kumtese mund të pohojmë se në aspektin e përgjithshëm artistik, këngët për qëndresën e Shkodrës në vitet 1912-1913, janë krijime origjinale, që e pasurojnë poezinë tonë popullore me vlera të tjera të artit, të realizuar me gjuhë të pasur e figuracion të ri, që krijohet në mënyrë origjinale ose ripërtërihet bashkë me strukturat tradicionale të krijimtarisë poetike popullore.

———–
[1]. Shih, Fatos Meri Rrapaj, Këngë popullore nga Çamëria, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1982.
[2]. Shih përmbledhjen e këngëve popullore “Për vend tonë jem tuj liftue”, Tiranë, 1969.
[3]. Shih, Epika historike, v. III, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1990, f. 30.
[4]. Po aty, f. 32.
[5]. Kasem Taipi, Zana Popullore (Kangë popullore). Shkodër, 1933, f. 279-280.
[6]Prof. Dr. Gazmend SHPUZA, Hasan Riza Pasha dhe mbrojtja e Shkodrës; Shih, Dom Ndoc Nikaj, Kujtime të nji jete së kalueme, Tiranë, 2003, f. 156-162.
[7]. Po aty, f. 281.
[8]. Kangë popullore të Kosovë-Metohis, bl. II, Prishtinë, 1952, f. 60.
[9].  Po aty, f. 341.
[10]. Epika historike, v. III, Tiranë, 1990, f. 53.
[11]. Po aty, f. 48.
[12]. Epika historike, v. III, Tiranë, 1990, f. 51.
[13]. Po aty, f. 54.
[14]. Kasem Taipi, Zana Popullore (Kangë popullore) Shkodër, 1933, f. 279.
[15]. Po aty, f. 60.
[16]. Epika historike v. III, Tiranë, 1990, f. 48-49.
[17]. Këngë popullore historike II, IAP, Prishtinë, 2007, f. 330.

Fjalori sinonimik i gjuhes shqipe": ndihmese dhe kujtese



Mehmet ELEZI


1.

Një telefon prej profesorit dhe mikut tim Eshref Ymeri për të pirë një kafe ditën e dielë, u shoqërua me një lajm të bukur: profesori mbante në duar një libër befasues: "Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe".

Eshtë hera e parë që hartohet e botohet një fjalor sinonimik i gjuhës sonë; në një kuptim të ngushtë profesional mund të thuhet se autorët kanë ecur nëpër një rrugë të pashkelur për shqipen.

Image result for eshref ymeri


 Në foto:Prof.Dr.Eshref Ymeri


Botimi i këtij fjalori është ngjarje për gjuhësinë dhe për kulturën kombëtare në tërësi. Një vepër me mbi 30.000 zëra, punë e përbashkët e tre emrave të njohur të gjuhësisë e të përkthimit: Ali Dhrimo, Edmond Tupja, Eshref Ymeri. Studimi e përzgjedhja e sinonimisë është një punë tejet e hollë. Siç kallëzon Ymeri, ishte pikërisht nevoja gjatë punës si përkthyes që i çoi autorët drejt kësaj nisme, fryti i së cilës është më i madh se synimi për të cilin u fillua. Nëqoftëse në kuptimin e ngushtë kjo vepër është pronë e autorëve, në një vështrim më të gjërë tashmë është shndërruar në një pasuri të përbashkët kombëtare.

2.

Gjuha shqipe është pa dyshim ndër më ta pasurat e familjes indoeuropiane. Ajo është geni, nguli, ashti ynë; ajo është shfaqja më e qenësishme e identitetit tonë kombëtar. Shumë popuj e kombe kanë gjuhë të njëjtë ose shumë të përafërt me popuj e kombe të tjerë, megjithatë ia kanë dalë me e ruejtë identitetin, nuk janë zhbërë, nuk janë shkrirë, përkundrazi. Kjo nuk do të mund të kish ngjarë me shqiptarët. Pa gjuhën shqipe ne shqiptarët nuk do kishim qenë më shqiptarë. Të ndodhur në vijën dramatike të Teodosit, në një trevë kryqëzimi të interesave e erërave therëse të Lindjes e Perëndimit, me fqinj lakmitarë e thuajse pa miq, ne nuk mund të kishim mbijetuar nëpër vorbullat e historisë nëse nuk do ta kishim ruajtur këtë gjuhë kryethesar. Pa të pa dyshim ne do të ishim shpërbërë.

Ajo që na ka mbajtur të ngjizur është parasëgjithash gjuha e shenjtë shqipe.

Mjerisht kësaj gjuhe kurrë nuk i është dhënë në mënyrë institucionale qoshja që i takon. Edhe sot shteti e kundron qetësisht gërryerjen e bjerrjen e saj. Shumë vlera e pasuri të pazëvendësueshme gjuhësore janë të pavjela ose, gati e njëjta gjë, mbahen të drynuara në Institutin e Gjuhësisë, në hinoret tragjike që quhen skedarë. Shumë syresh që janë shfrytëzuar për Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, po të kishin zë do të klithnin, për shkak të frymës së zënë prej parimeve orëelliane, përjashtuese, me të cilat është punuar në FGJSSH.

Gjykuar prej botimeve në këtë fushë, gjuha shqipe i ngjan një miniere shumë të pasur që deri tashti është shfrytëzuar egërsisht, dhunshëm e duke u shpërfillur, kryesisht në sipërfaqe ose, po të shprehemi me një cak teknik të industrisë minerare, "në karrierë". FGJSSH, vepër pesëdhjetëvjeçare e Akademisë së Shkencave, sot e kësaj dite ka mbetur me një numër të mangët fjalësh (35000), shumë herë më të vogël se pasuria e njëmendtë e gjuhës ose afërsisht sa zërat e Fjalorit Sinonimik të sapobotuar të Dhrimos, Tupes e Ymerit.

Ato që kanë nxjerrë në spikamë vlerat e gjuhës shqipe kanë qenë më shumë nismat vetiake të disa dijetarëve me palcë. Kjo ka ndodhur kur Shqipëria nuk kishte shtet. Kjo ka ndodhur e po ndodh edhe kur thuhet se Shqipëria e ka një shtet.

Edhe Fjalori Sinonimik i Gjuhës Shqipe (Toena 2002) është nismë krejt vetiake. Për këtë ngrehinë të lavdërueshme nuk pati kurrfarë mbështetjeje logjistike, infrastrukturore ose financiare. Mbase ndonjëri prej autorëve ka punuar edhe pa pasur një kompjutër në shtëpi. Asnjë institucion shtetëror nuk i ka sponsorizuar. Asnjë nuk i ka shpërblyer.

Me sa jam në dijeni autorë të tjerë, kryesisht përkthyes, po punojnë për fjalorë dygjuhësh deri në 80.000 fjalë. Në shtyp kam lexuar se shqipëruesi i Iliadës, mjeshtëri Gjon Shllaku, në moshë të thyer e në vetmi të thellë, në shoqërinë e një makinë të vjetër shkrimi po përfundon një fjalor latinisht‑shqip me 70. 000 fjalë.

Për Akademinë e për institucionet e shtetit këta njerëz sikur janë në një planet tjetër!

3.

Nuk e kam studiuar e nuk i kam hyrë në thellësi Fjalorit Sinonimik të Gjuhës Shqipes që sapo ka dalë prej shtypit, pasi dihet se një fjalor nuk lexohet e nuk studiohet si një roman. Synimi i këtij shenimi është një mirënjohje për autorët dhe një kujtesë për gjithë dashamirësit e gjuhës, për studiuesit e intelektualët, lidhur me këtë botim. Një kujtesë edhe për institucionet shtetërore... nëse shteti do të kishte veshë për ta dëgjuar tingëllimin e gjuhës së vendit të vet.

Paradokohësh më kishte bërë përshtypje një punim i N. Paplekës për kulturën popullore, ku thuhej, ndër të tjera, se vetëm për një kafshë si nusja e lalës gjuha shqipe ka 30 sinonime, dhe i rendiste ato. Hapa FGJSSH: gjeta vetëm katër a pesë. Duke shfletuar "Fjalorin Sinonimik të gjuhës Shqipe" ndalesh te një fjalë si "llastar": janë... 110 sinonime! Merret vesh se vetëm për këtë zë, që është njëri prej 30 mijëve që ka vepra, sa punë është dashur për t'i gjetur, për t'i studiuar e përzgjedhur këto fjalë; por edhe sa lehtësi u krijon ky fjalor gjuhëtarëve e sidomos përkthyesve për të gjetur fjalën e duhur me ngjyresën e duhur. Dihet se sinonimet kurrë nuk janë "kopje" e plotë e njëri‑tjetrit; gjuha kurrë nuk mban gjë kot, pa nevojë. Gjuha është e pamëshirshme: ose e fut fjalën në punë me një funksion të caktuar, ose e fluturis, e flak, e shuan.

4.

Mijëra e mijëra fjalë të pastra shqipe kanë vdekur e mijëra të tjera janë në gjendje kome: rinia nuk i përdor më dhe nuk i njeh, pleqtë po shkojnë. Viset fshatare, që janë burim i pakorruptueshëm vlerash burimore, po hollohen e po dêjen; shkrimtarët mjaftohen, shumica, me qindra fjalë në librat e tyre, e kjo ndodh sepse e njohin pak gjuhën por edhe sepse vetëçensurohen, tuten se nuk i kupton lexuesi. Ndërkohë gazetarët e politikanët janë të kënaqur me një xhep fjalë, disa prej të cilave qëllon që janë shqip. Kozmopolitizmi edhe në gjuhë është shndërruar në një modë të parapëlqyer për të paditurit që janë dyndur nëpër zyra e institucione, ndërsa niveli i shkollës është tejet i ulët, për të mos thënë që shkolla vazhdon me mbetë një institucion i papërgjegjshëm për kryevlerën kombëtare të shqiptarëve, për gjuhën shqipe. Shqipëria është i vetmi vend në kontinent e ndoshta në botë ku gjuha amëtare vazhdon të mos studiohet në asnjë shkollë të mesme a të lartë, përveç atyre ngushtësisht të profilizuara për mësues gjuhe. E kam përmendur edhe herë tjetër që në vendet e mëdha me shkallë më të lartë qytetërimi, përfshi SHBA, dy provimeve u kushtohet rëndësi e veçantë nëpër shkolla: gjuhës amëtare dhe matematikës. Dhe jam mahnitur kur e kam parë në vend se edhe në Akademinë e Kulturës Fizike të Sofjes në Bullgari, një shkollë homologe me Institutin tonë të Kulturës Fizike, provimi më i vështirë që duhet të kalojnë kandidatët për t'u pranuar në këtë shkollë që nxjerr mësues fiskulture është pikërisht gjuha bullgare!

Të gjitha këto lëshojnë kumtin se pjesa e nëndheshme e pashfrytëzuar e asaj miniere të florinjtë që quhet gjuhë shqipe po shkon pak nga pak drejt fundosjes, drejt përmbytjes në nënshtresa të historisë, pa u dokumentuar kurrkund. Pa folë për keqpërdorimin e brejtjen e pamëshirshme edhe të pjesës që shfrytëzohet, që është në përdorim të përditshëm.

5.

Dhrimo, Tupja e Ymeri me Fjalorin Sinonimik të Gjuhës Shqipe lëshuan një tjetër morekujehe: ja ku janë këto vlera, ejani t'i nxjerrim, t'i shpëtojmë, t'i shfrytëzojmë, t'ua lëmë brezave. Nuk është një klithmë e dëshpëruar njerëzish të ndershëm por të pafuqishëm, është një zë profesionistësh që në punën e tyre ndihen sa studiues aq edhe shqiptarë. Këto kumte duhen dëgjuar.

Do të kish qenë në nderin e Akademise së Shkencave dhe një ndër detyrat më parësore të saj sponsorizimi e botimi i veprave kësisoj. Kam në duar një fjalor sinonimik të gjuhës frenge, botim shumë cilësor i shtëpisë së mirënjohur Larousse. Edhe ajo nuk është vepër kolektive e akadamisë, rastësisht edhe ajo është vepër vetëm e tre autorëve. Por sapo e hap të bie në sy shënimi "vepër e kurorëzuar prej Akademise Franceze". Akademia e Shkencave e Tiranës, simotrat e së cilës në botën e qytetëruar grumbullojnë, mbështesin e përkrahin yndyrën e trurit të vendit, vazhdon mos me u ndie për vlerat themelore të qytetërimit shqiptar. Ajo akademi që nuk i ka botuar kurrë e vazhdon mos me i botue veprat e plota të një shkencëtari albanolog e indoeuropianist që do ta nderonte cilëndo katedër të kontinentit si Eqrem Çabej, pa folë për të tjerat, natyrshëm shti veshët në shurdhë edhe për punime themeltare si Fjalori Sinonimik i Gjuhës Shqipe.

Vazhdon komploti shtetëror i heshtjes ndaj vlerave. Më e pakta që të vjen ndër mend për një shtet që nuk kujdeset të paktën për gjuhën e atij populli që e ka nën qeverisje, është mendimi se ai shtet nuk e ndien nevojën me u ndërlidhë e me shkëmbye kumte me këtë popull. Ose, siç thuhet, "i ka këputur fijet" me popullin e vet. Mos qoftë e vërtetë!

Do të mjaftonin paret e një simpoziumi prej të cilit në kujtesën kolektive nuk mbetet gjë përveç kronikave të fryra televizive, që kultura shqiptare të pasurohej me botime cilësore të veprave si kjo.

Mehmet Elezi.TIF

(Mehmet Elezi është publicist, shkrimtar, gjuhëtar dhe diplomat shqiptar.


U lind më 16 maj 1949, në Tropojë, Shqipëri. Eshtë diplomuar në Universitetin e Tiranës (1971) për gjuhë e letërsi shqipe dhe më pas është specializuar për filozofi (1978-1979). Ka punuar si gazetar dhe drejtues në shtypin qendror shqiptar, drejtues i organizatës së Rinisë, gazetar i lirë (opinionist), pedagog (i jashtëm) në Universitetin e Tiranës në departamentet e filozofisë e të gazetarisë, drejtor i një qendre joqeveritare studimesh (Instituti i Studimeve Ndërkombëtare e Strategjike, themeluar prej tij më 1994, i pari i këtij lloji në Shqipëri) dhe diplomat. Që nga 2006 është ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane (Bernë) dhe në Prinicipatën e Lihtenshtejnit.

Veprat
Letërsi artistike
Poezi
Zhurmojnë ujvarat, 1970
Kurrë s’jam ndalur, 1996
Nën një flok të përlotur bore, 2005
Ulurimë ujku, 2010
Prozë
24 orë me të vdekurit (tregime), 1997
Varri i fatit (roman), Tiranë 1998; Paris 2002 (“Le tombeau du destin”).
Dita e tetë e javës (roman) 1998
Kalendari i Noes (roman), 2000
Ujdhesa e askujt (roman), 2007
ADN-ja e korbave (roman), 2009
Ngjarje në Hotel M. (roman), 2010
Romeo as Zhuljeta (roman), 2011
Ftesë përmes reve" (roman), 2012
Publicistikë dhe sprova
Ajo që më ndjek pas, 1990 (shënime udhëtimi)
Shansi i tretë, 1993
Gjeostrategjia tjetër, 1996
Kosova midis politikës e realpolitikës, 1999
Nuk isha student i dhjetorit, 2011
Gjuhësi
"Gjuha Shqipe në Bunker?", 2005
Fjalor i Gjuhës Shqipe (Nga Mehmet Elezi) , 2006
"Gjuha shqipe me një mushkëri", 2009
"Gjuha Shqipe dhe ëndrra e një nate vere", sprovë (2012)
Autor edhe i një numri të madh shkrimesh publicistike e studimore të botuara ose të mbajtuar nëpër takime e konferenca brenda dhe jashtë vendit.)

SONJA HAXHIA : "UJEVARA E SHPIRTI"








































“Ujevara e shpirti”, është vëllimi me poezi botuar së fundmi nga autorja Sonja Haxhia .Ne 97 poezit e librit paraqitet dashuria per njerëzit, per familjen, zhgenjimin dhe varferine e tyre . 



Autorja me delikatesë ka ditur të shpalosë një anë interesante të gjinisë së poezisë.



PROMOVIMI I LIBRIT ME POEZI "UJEVARA E SHPIRTI" POEZI NGA SONJA HAXHIA

https://www.youtube.com/watch?v=7Y3MRCSwzHM

http://telegraf.al/kulture/dhimo-tarusha-mendime-rreth-vellimit-poetik-ujevara-e-shpirtit-i-poetes-sonja-haxhia


LUTEM PER TY


QE ERRSIRRA SHPIRTIN,TA KA PUSHTU...
S'MUND TA URRESH DIELLIN...
NESE DO, MUND TA SHOHESH...
AI SHKELQEN,PER KEDO !!!



POESSIA S

FORTUNA E NENTORIT
FORTUNA E NENTORIT
RREMBEU CADRAT, KASHTORET, 
NGRITI VELLON E RENDE
PREJ KOKRRASH RERE
DHE BASHKE ME MENDIMET E MIA
I SHPERNDAU ME SHPEJTESI,
MEA DALLGEVE TE EGERSUARA,
SI TE JENE FARE PA VLERE...
E TE FLUTUROJNE NE TE TJERE OQEANE,
MENDIME............
QE IKIN E VIJNE NE C'DO STINE
GJERSA PRANVERA TE HARLISE PERSERI.



POESSIA


TRENDAFIL I BARDH
I SHPIRTIT,
JE POEZI !
NGJASON ME SHIKIMIN
NE LARGESINE PA FUND,
ME MUZIKEN NE SFOND..
JE NJERZORE,
MENDON SE EKZISTON
NJE BOTE TJETER,
DASHAMIRESE
SOLIDARE
E URTE..
LARG NGA KETU.



POESSIA S


SHTEPIA IME E VOGEL
SHTEPI IME E VOGEL

RREZE MALIT TE GJELBER,
RRI E VETME SI DIKUR,
QE KUR IKA UNE.
QENDROVA TE PORTA TE THASHE:
KURR S'KAM PER TE HARRUARR, KURRE !
QINDRA MIJRA FAQE
LEXOVA BASHKE ME TY,
QE ME BENE ME MIJRA SY,
JA ATJE ESHTE VENDI IM.
NE RRUGEN E MBULUAR NGA BARI
E PRET TA KEPUS UNE.
KEMBET E ZEMRES,ME COJNE ATJE
DHE SHOH NE QETESI,
E MBUSHUR PLOT NOSTALGJI.
JAM ATY
POR CUDITERISHT ASKUSH SME SHEH.
ECIN ENDE CA KUJTIME,
QE ME GLLABEROJN PERJETESISHT.


POESSIA S

TASH ,NE ENDERR TAKOJM
LART, NGA QIELLI ME SHIKON,

NGA SYTE E TU, BLU, TE KRISTALTE,
RREZE DRITE VEZULLOJN,
E HENES NE KRAH I KALON,
NGA NJE RE,NE TJETREN FLUTURON,
GJITHE GRINE LARGON.
TE NDJEK ME SY,
ECEN
NDALESH
DUART TRASPARENTE MI ZGJAT,
ME TE MIAT, I BASHKON.
HESHTJA MISTERIOZE
FRYMEN MA NDALON,
BEJ TE THERRAS FORT
OOO NEENEEEE
ZERI MEKET,NUK DEL
GJUHE E SHKRETE NGRIN,
SI NE AGONI,JAM E MBETUR , KUR PRAN MEJE S'TE SHOH...
........................................................
MENDJE E ZEMER 
GERTHASIN FORT:
SA TMERRSISHT 
ME MUNGON ME MUNGON,
O NENE !

( e nje pjes e zemres sime, eshte atje me ty....)
PRANOJ


POESSIA S

AI ZE...
LODHJA E MENDIMIT,

SYTE MBYLL.
A THUA NE GJUME JAM?
MENGJES VEZULLUES,
RREZET E DIELLIT,
DEPERTOJN NE CDO HIJE GRI.
GJITHE FORCA E SHPIRT NE DRITHME,
KTHJELLTESI E LOGJIKES,
PASTERTIA E SE VERTETES,
MBLIDHET,
DHE PESHON SA NJE PLANET,
QE KOMETEN VRASESE PRET,
SA DOJA, QE TE THERRMOHEJ,
DHE TE MOS NDJEJA ASGJE!..
MBIEN EMBEL AI ZE,
AI ZE,QE NGA DHEU DEL:
NRIHU,MOOJJ,NDIZ NJE QERI!
SE JETON E VERTETA
VEC NE DRITEN E TIJ...



(ottobre 2008)



POESSIA S

CAPRICIOT E NATES
NATE,

QE SYTE SI GJILPERE SHPON,
OSTAKEL,I NDALESES
E MENDJEN CALON,
DRITAT E XIXELLOJAVE GLLABEREON,
HILEQARE,
RRYMAT E OKSIGJENIT I SHTERON,
E PABESE,
QE DHE HENEN E MASHTRON.
KACAVJERRESE,
SIKUR KURRE SMBARON,
PA GJUM...
PA FUND...
SI NUSE,NADJA E MENGJESIT,
MASKEN E SURRATIT,
TA CJERR,
TE ZBULON,
PER FAT,NE ENDERR ISHA,
PASHE ,QE PRANE ME S'TE KISHA.



POESSIA S


VORBUULL ( 2001)
TUJ PERCELLUAR DJELLI, I ZI,

ERA DUNAT SHUM PO I NGREH ,
ZBATHERUAR VRAP PO TURREM,
SYTE MI VERBOJN,
KOKRRIZAT E RERES,
QE SI BRILANTE VEZULLOJN.
NE SHKRETETIREN E MENDIMIT TIM,
DIKU SHFAQET OAZI, I RREME,
I ROBETUAR NIS KERKOJ
QE SHPIRTIN TEND ,DHE TE MBYTUR TA GJEJE,
E NGA MENDJA SHKRETE
FJOLLE PO ME DEL TYMI,
TE KERKOJ VEC, TY E DASHUR,
GJERSA RRAHJET E ZEMRES , , TE MI MARRE GJUMI.




POESSIA S

UNE ERDHA SI FEMINJE...
(1992...).


UN ERDHA NE SHTATOR,
E ULUR SI FEMINJE,
NE FUND TE NJE BANKE.
TI ERDHE PA STINE,
AS VERE, AS DIMER,
NUK E DI SAKTE SE CFAR ISHTE,
POR ISHE TI,
VETE TI !
QE ME PARE DUART,
PA DESHIREN TIME ,
SHPESH MI NGISJE.
DHE SOT TI PRAP VJEN,
I MBUSHUR PLOT ME STINE,
PRANVERE,VERE,VJESHT E DIMER,
ME TREGON KU DUHET TE SHIKOJ,
PA ME TREGUAR SE C'DO TE SHOH...
TE GJITHA DRITAT MI HAP,
POR UNE, FATKEQSISHT,
PRAP PENGOHEM NGA RETE.



POESSIA S

MENDIMI
MENDIMI FLUTURON
E MPIKS SI FTOHTI NE ACARE,
VERSHON ,E DJEG ZEMREN, 
SI LLAVA PA MBARIM,.
E ,AQ PAK KUR TE NDIGJOJ,
GJUHA MPIHET, NGRIN,
ZERI ME NUK DEL,
SHIKIMI ZHDUKET,SI YJET
NE ERRESIREN PA FUND,
NDIEJ VECC MELODIN E PUTHJEVE
TE KETIJ DANCING,QE KOMPOZOVA VETE, UNE.




Me 8 tetor 2015 shpallet fituesi i çmimit Nobel për Letërsi

Me 8 tetor shpallet fituesi i çmimit Nobel për Letërsi

Gazeta Guardian ka bërë të ditur se fituesi i çmimit Nobel për Letërsi do të shpallet këtë të enjte. Për të marrë këtë epitet  janë të nominuar autorë nga vende të ndryshme të botës  dhe për këtë arsye është shumë e vështirë që të parashikohet se kush do të jetë fituesi, ani pse tashmë janë bërë të ditur disa nga emrat të cilat janë si favoritë për të fituar këtë çmim.
Paddy Power, Svetlana Alexievich, Haruki Marakami, Philip Roth, Joyce Carol Oates dhe John Banville janë emrat të cilat janë nënvizuar si fitues të mundshëm të çmimit Nobel për Letërsi. Fituesi i të enjtes do t’i bashkohet emrave si  Alexander Solzhenitsyn,  Albert Camus e Gabriel García Márquez.
“Nuk është shumë e vështirë të gjesh kandidatë potencial për ta fituar këtë çmim sepse ka shumë sepse bota është e madhe”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i Akademisë Suedeze Peter Englund.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...