Mehmet ELEZI
1.
Një telefon prej profesorit dhe mikut tim Eshref Ymeri për të pirë një kafe ditën e dielë, u shoqërua me një lajm të bukur: profesori mbante në duar një libër befasues: "Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe".
Eshtë hera e parë që hartohet e botohet një fjalor sinonimik i gjuhës sonë; në një kuptim të ngushtë profesional mund të thuhet se autorët kanë ecur nëpër një rrugë të pashkelur për shqipen.
Në foto:Prof.Dr.Eshref Ymeri
Botimi i këtij fjalori është ngjarje për gjuhësinë dhe për kulturën kombëtare në tërësi. Një vepër me mbi 30.000 zëra, punë e përbashkët e tre emrave të njohur të gjuhësisë e të përkthimit: Ali Dhrimo, Edmond Tupja, Eshref Ymeri. Studimi e përzgjedhja e sinonimisë është një punë tejet e hollë. Siç kallëzon Ymeri, ishte pikërisht nevoja gjatë punës si përkthyes që i çoi autorët drejt kësaj nisme, fryti i së cilës është më i madh se synimi për të cilin u fillua. Nëqoftëse në kuptimin e ngushtë kjo vepër është pronë e autorëve, në një vështrim më të gjërë tashmë është shndërruar në një pasuri të përbashkët kombëtare.
2.
Gjuha shqipe është pa dyshim ndër më ta pasurat e familjes indoeuropiane. Ajo është geni, nguli, ashti ynë; ajo është shfaqja më e qenësishme e identitetit tonë kombëtar. Shumë popuj e kombe kanë gjuhë të njëjtë ose shumë të përafërt me popuj e kombe të tjerë, megjithatë ia kanë dalë me e ruejtë identitetin, nuk janë zhbërë, nuk janë shkrirë, përkundrazi. Kjo nuk do të mund të kish ngjarë me shqiptarët. Pa gjuhën shqipe ne shqiptarët nuk do kishim qenë më shqiptarë. Të ndodhur në vijën dramatike të Teodosit, në një trevë kryqëzimi të interesave e erërave therëse të Lindjes e Perëndimit, me fqinj lakmitarë e thuajse pa miq, ne nuk mund të kishim mbijetuar nëpër vorbullat e historisë nëse nuk do ta kishim ruajtur këtë gjuhë kryethesar. Pa të pa dyshim ne do të ishim shpërbërë.
Ajo që na ka mbajtur të ngjizur është parasëgjithash gjuha e shenjtë shqipe.
Mjerisht kësaj gjuhe kurrë nuk i është dhënë në mënyrë institucionale qoshja që i takon. Edhe sot shteti e kundron qetësisht gërryerjen e bjerrjen e saj. Shumë vlera e pasuri të pazëvendësueshme gjuhësore janë të pavjela ose, gati e njëjta gjë, mbahen të drynuara në Institutin e Gjuhësisë, në hinoret tragjike që quhen skedarë. Shumë syresh që janë shfrytëzuar për Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, po të kishin zë do të klithnin, për shkak të frymës së zënë prej parimeve orëelliane, përjashtuese, me të cilat është punuar në FGJSSH.
Gjykuar prej botimeve në këtë fushë, gjuha shqipe i ngjan një miniere shumë të pasur që deri tashti është shfrytëzuar egërsisht, dhunshëm e duke u shpërfillur, kryesisht në sipërfaqe ose, po të shprehemi me një cak teknik të industrisë minerare, "në karrierë". FGJSSH, vepër pesëdhjetëvjeçare e Akademisë së Shkencave, sot e kësaj dite ka mbetur me një numër të mangët fjalësh (35000), shumë herë më të vogël se pasuria e njëmendtë e gjuhës ose afërsisht sa zërat e Fjalorit Sinonimik të sapobotuar të Dhrimos, Tupes e Ymerit.
Ato që kanë nxjerrë në spikamë vlerat e gjuhës shqipe kanë qenë më shumë nismat vetiake të disa dijetarëve me palcë. Kjo ka ndodhur kur Shqipëria nuk kishte shtet. Kjo ka ndodhur e po ndodh edhe kur thuhet se Shqipëria e ka një shtet.
Edhe Fjalori Sinonimik i Gjuhës Shqipe (Toena 2002) është nismë krejt vetiake. Për këtë ngrehinë të lavdërueshme nuk pati kurrfarë mbështetjeje logjistike, infrastrukturore ose financiare. Mbase ndonjëri prej autorëve ka punuar edhe pa pasur një kompjutër në shtëpi. Asnjë institucion shtetëror nuk i ka sponsorizuar. Asnjë nuk i ka shpërblyer.
Me sa jam në dijeni autorë të tjerë, kryesisht përkthyes, po punojnë për fjalorë dygjuhësh deri në 80.000 fjalë. Në shtyp kam lexuar se shqipëruesi i Iliadës, mjeshtëri Gjon Shllaku, në moshë të thyer e në vetmi të thellë, në shoqërinë e një makinë të vjetër shkrimi po përfundon një fjalor latinisht‑shqip me 70. 000 fjalë.
Për Akademinë e për institucionet e shtetit këta njerëz sikur janë në një planet tjetër!
3.
Nuk e kam studiuar e nuk i kam hyrë në thellësi Fjalorit Sinonimik të Gjuhës Shqipes që sapo ka dalë prej shtypit, pasi dihet se një fjalor nuk lexohet e nuk studiohet si një roman. Synimi i këtij shenimi është një mirënjohje për autorët dhe një kujtesë për gjithë dashamirësit e gjuhës, për studiuesit e intelektualët, lidhur me këtë botim. Një kujtesë edhe për institucionet shtetërore... nëse shteti do të kishte veshë për ta dëgjuar tingëllimin e gjuhës së vendit të vet.
Paradokohësh më kishte bërë përshtypje një punim i N. Paplekës për kulturën popullore, ku thuhej, ndër të tjera, se vetëm për një kafshë si nusja e lalës gjuha shqipe ka 30 sinonime, dhe i rendiste ato. Hapa FGJSSH: gjeta vetëm katër a pesë. Duke shfletuar "Fjalorin Sinonimik të gjuhës Shqipe" ndalesh te një fjalë si "llastar": janë... 110 sinonime! Merret vesh se vetëm për këtë zë, që është njëri prej 30 mijëve që ka vepra, sa punë është dashur për t'i gjetur, për t'i studiuar e përzgjedhur këto fjalë; por edhe sa lehtësi u krijon ky fjalor gjuhëtarëve e sidomos përkthyesve për të gjetur fjalën e duhur me ngjyresën e duhur. Dihet se sinonimet kurrë nuk janë "kopje" e plotë e njëri‑tjetrit; gjuha kurrë nuk mban gjë kot, pa nevojë. Gjuha është e pamëshirshme: ose e fut fjalën në punë me një funksion të caktuar, ose e fluturis, e flak, e shuan.
4.
Mijëra e mijëra fjalë të pastra shqipe kanë vdekur e mijëra të tjera janë në gjendje kome: rinia nuk i përdor më dhe nuk i njeh, pleqtë po shkojnë. Viset fshatare, që janë burim i pakorruptueshëm vlerash burimore, po hollohen e po dêjen; shkrimtarët mjaftohen, shumica, me qindra fjalë në librat e tyre, e kjo ndodh sepse e njohin pak gjuhën por edhe sepse vetëçensurohen, tuten se nuk i kupton lexuesi. Ndërkohë gazetarët e politikanët janë të kënaqur me një xhep fjalë, disa prej të cilave qëllon që janë shqip. Kozmopolitizmi edhe në gjuhë është shndërruar në një modë të parapëlqyer për të paditurit që janë dyndur nëpër zyra e institucione, ndërsa niveli i shkollës është tejet i ulët, për të mos thënë që shkolla vazhdon me mbetë një institucion i papërgjegjshëm për kryevlerën kombëtare të shqiptarëve, për gjuhën shqipe. Shqipëria është i vetmi vend në kontinent e ndoshta në botë ku gjuha amëtare vazhdon të mos studiohet në asnjë shkollë të mesme a të lartë, përveç atyre ngushtësisht të profilizuara për mësues gjuhe. E kam përmendur edhe herë tjetër që në vendet e mëdha me shkallë më të lartë qytetërimi, përfshi SHBA, dy provimeve u kushtohet rëndësi e veçantë nëpër shkolla: gjuhës amëtare dhe matematikës. Dhe jam mahnitur kur e kam parë në vend se edhe në Akademinë e Kulturës Fizike të Sofjes në Bullgari, një shkollë homologe me Institutin tonë të Kulturës Fizike, provimi më i vështirë që duhet të kalojnë kandidatët për t'u pranuar në këtë shkollë që nxjerr mësues fiskulture është pikërisht gjuha bullgare!
Të gjitha këto lëshojnë kumtin se pjesa e nëndheshme e pashfrytëzuar e asaj miniere të florinjtë që quhet gjuhë shqipe po shkon pak nga pak drejt fundosjes, drejt përmbytjes në nënshtresa të historisë, pa u dokumentuar kurrkund. Pa folë për keqpërdorimin e brejtjen e pamëshirshme edhe të pjesës që shfrytëzohet, që është në përdorim të përditshëm.
5.
Dhrimo, Tupja e Ymeri me Fjalorin Sinonimik të Gjuhës Shqipe lëshuan një tjetër morekujehe: ja ku janë këto vlera, ejani t'i nxjerrim, t'i shpëtojmë, t'i shfrytëzojmë, t'ua lëmë brezave. Nuk është një klithmë e dëshpëruar njerëzish të ndershëm por të pafuqishëm, është një zë profesionistësh që në punën e tyre ndihen sa studiues aq edhe shqiptarë. Këto kumte duhen dëgjuar.
Do të kish qenë në nderin e Akademise së Shkencave dhe një ndër detyrat më parësore të saj sponsorizimi e botimi i veprave kësisoj. Kam në duar një fjalor sinonimik të gjuhës frenge, botim shumë cilësor i shtëpisë së mirënjohur Larousse. Edhe ajo nuk është vepër kolektive e akadamisë, rastësisht edhe ajo është vepër vetëm e tre autorëve. Por sapo e hap të bie në sy shënimi "vepër e kurorëzuar prej Akademise Franceze". Akademia e Shkencave e Tiranës, simotrat e së cilës në botën e qytetëruar grumbullojnë, mbështesin e përkrahin yndyrën e trurit të vendit, vazhdon mos me u ndie për vlerat themelore të qytetërimit shqiptar. Ajo akademi që nuk i ka botuar kurrë e vazhdon mos me i botue veprat e plota të një shkencëtari albanolog e indoeuropianist që do ta nderonte cilëndo katedër të kontinentit si Eqrem Çabej, pa folë për të tjerat, natyrshëm shti veshët në shurdhë edhe për punime themeltare si Fjalori Sinonimik i Gjuhës Shqipe.
Vazhdon komploti shtetëror i heshtjes ndaj vlerave. Më e pakta që të vjen ndër mend për një shtet që nuk kujdeset të paktën për gjuhën e atij populli që e ka nën qeverisje, është mendimi se ai shtet nuk e ndien nevojën me u ndërlidhë e me shkëmbye kumte me këtë popull. Ose, siç thuhet, "i ka këputur fijet" me popullin e vet. Mos qoftë e vërtetë!
Do të mjaftonin paret e një simpoziumi prej të cilit në kujtesën kolektive nuk mbetet gjë përveç kronikave të fryra televizive, që kultura shqiptare të pasurohej me botime cilësore të veprave si kjo.
(Mehmet Elezi është publicist, shkrimtar, gjuhëtar dhe diplomat shqiptar.
U lind më 16 maj 1949, në Tropojë, Shqipëri. Eshtë diplomuar në Universitetin e Tiranës (1971) për gjuhë e letërsi shqipe dhe më pas është specializuar për filozofi (1978-1979). Ka punuar si gazetar dhe drejtues në shtypin qendror shqiptar, drejtues i organizatës së Rinisë, gazetar i lirë (opinionist), pedagog (i jashtëm) në Universitetin e Tiranës në departamentet e filozofisë e të gazetarisë, drejtor i një qendre joqeveritare studimesh (Instituti i Studimeve Ndërkombëtare e Strategjike, themeluar prej tij më 1994, i pari i këtij lloji në Shqipëri) dhe diplomat. Që nga 2006 është ambasador i Republikës së Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane (Bernë) dhe në Prinicipatën e Lihtenshtejnit.
Veprat
Letërsi artistike
Poezi
Zhurmojnë ujvarat, 1970
Kurrë s’jam ndalur, 1996
Nën një flok të përlotur bore, 2005
Ulurimë ujku, 2010
Prozë
24 orë me të vdekurit (tregime), 1997
Varri i fatit (roman), Tiranë 1998; Paris 2002 (“Le tombeau du destin”).
Dita e tetë e javës (roman) 1998
Kalendari i Noes (roman), 2000
Ujdhesa e askujt (roman), 2007
ADN-ja e korbave (roman), 2009
Ngjarje në Hotel M. (roman), 2010
Romeo as Zhuljeta (roman), 2011
Ftesë përmes reve" (roman), 2012
Publicistikë dhe sprova
Ajo që më ndjek pas, 1990 (shënime udhëtimi)
Shansi i tretë, 1993
Gjeostrategjia tjetër, 1996
Kosova midis politikës e realpolitikës, 1999
Nuk isha student i dhjetorit, 2011
Gjuhësi
"Gjuha Shqipe në Bunker?", 2005
Fjalor i Gjuhës Shqipe (Nga Mehmet Elezi) , 2006
"Gjuha shqipe me një mushkëri", 2009
"Gjuha Shqipe dhe ëndrra e një nate vere", sprovë (2012)
Autor edhe i një numri të madh shkrimesh publicistike e studimore të botuara ose të mbajtuar nëpër takime e konferenca brenda dhe jashtë vendit.)
No comments:
Post a Comment