
Poezi nga Fatime Kulli
Baladë nënës sime
Era e tërbuar e shekujve
U përplas ndër gjokse engjujsh të pafaj
koha u trullos dhe u bë qameti
nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur,
këndon:
“Janinës ç’i panë sitëeee, Jaaaninoooo
Ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo”
Oh, nënë, ç’është ky zë si në legjendë
Që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë
Ah moj bije e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë
ish shtrëngatë e stuhi, në atë kohë
yjet ranë nga qielli të përgjakur, një e nga një
Kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë
barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd…
Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak…ohhhhhhhh
Po bijë, sa gjak është derdhur në tokën Arbënore
Toka e përgjakur nga kufomat më rrinë ende në sy…
Shkëmbinjtë shekullore u copëtuan nga dhimbja
ia ndërruan format, ngjyrat, emërtimet…
Eh, s’munda të ngjyej as hijen e gishtit,
të shkruaj emrin mbi një varr,
në oxhakun ku kam qarë për herë të parë…
O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë
dielli po më rrezohet para këmbëve të mia
Në qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit…
Ku rënkon e thinjur në vetull, Çamëria…
Janinës ç’i panë sitëeeee, Jaaaa janinoooooooo…
Të lutem nënë, mos këndo më, se më lëndon
Po moj bijë, do këndoj, sa të plas, se kështu është historia
Lule nën gur
Lulet e erës nën gurët e shpirtit
Si valë të butëza më përkëdhelin damarët
Përmbytem në detin e ëndërrt
Rizgjim i diellit të vonuar
Shkëlqim i heshtjes së vdekur.
Ëndrra çel hormone të reja…
Tingull zjarr-pritës…
Lëshoje tingullin
E ëndrrës shpëtimtare,
Në kryqëzim sirenash
Të çlirosh ankthin
E zërit zjarr-pritës.
…adoleshente
Dëgjoj zërin tim
përmbi rërën e ëndrrës,
buzë frymëzimit
ndjej njelmësinë
e ringjalljes sime
adoleshente…
Testamenti i pritjes…
Re të zeza në hapësirë
puthin valët e trishtuara
të detit.
Ëndrra, buzë-bregut, këputur
Nënshkruan testamentin
e pritjes…
Dëshirës që lëngon…
O qenie e fshehur
Brenda dëshirës që lëngon…
Më jep pak jetë tingullore
Nga shpirti yt i butë,
i butë burrëror…
Nën gjuhë të pasionit…
Shkëmbi u lëkund
Nën gjuhë të pasionit…
Shtrëngata u fsheh
Nga frikë e saj.
Do të laj ëndrrën hyjnore
Më prit natë e bardhë
Po vij në duart e tua
më prangos pa mëshirë!
Ndjehem e shqetësuar
Do të laj ëndrrën hyjnore
Me duart e engjëllit të paprekur.
ëndërr çalë….
Rilexoj SMS e tua
Mendim i bardhë
Ndjehem e mbrojtur nën çati
të hënës së vrarë
shkel mbi emrin
e shkruar në rërë…
padrejtësisht, ujët e detit fshinë
gjurmët, ëndërr çalë….
Muzgu dëshmitar…
Më the:
Mos ma shkruaj në rërë
Emrin tim, se ma merr deti…
Por unë
pyes muzgun dëshmitar,
emrin tënd
do ta balsamos
në rërën e shpirtit tim
…pres sytë e shuar
Kam uri
për flladin burrëror
brenda frymës së lterit…
Pres perëndimin
e syve të shuar….
Veç unë…
Do të doja të të lëndoja
Që të trishtohem shumë
Të të kërkoj në qiell të pambarim
Të vdekur të më puthje
Brenda teje të jetoja veç unë…
Në varr të ëndrrës…
Shpirti im ka pësuar
vdekje klinike.
Zëri gjëmimtar
i zemrës mëkatare
në varr të ëndrrës
ka heshtur, i gjallë.
Do rrëzuar shkëmbi…
U mbyta me të puthura
platonike,
lëkurë tharë
u bëra shkëmb
pa ajër, pa dritë,
pa frymë, pa jetë.
Do rrëzuar shkëmbi…
Këpucët e diellit
Hëna e shqeu
lëkurën e yjeve.
Unë i grisa
këpucët e diellit.
Ndër gishtërinjtë e gjilpërës
Engjëll shkatërrimtar
i shpirtit tim.
Dua të tretem nën rigat
e shiut dhe të ndjej drithërimat
e frymëmarrjes tënde,
Si lule e pafishkur nën gur…
Dua të jem gjilpërë
në dritëzën e fundit të pusit
të të shoh kur dridhesh
ndër gishtërinjtë e gjilpërës,
për të shpikur ëndrrën.
Kambana e qelqtë
Flladi yt ndonjëherë si errësira
Brenda të fuqishmes stuhi
Të pashterur nga gjoksi yt
Në krahëzën e muzgut
Që valëviten nën shkëmbinjtë e valëve,
Të skeleteve të puthjeve mizore
Si drurët e ngrëna nga mizat e dheut,
Unë puth flladin e egër
Në dorën e kambanës së qelqtë.
No comments:
Post a Comment