ARSHIN XHEZO -OPINION-
Në
pranverën e vitit 2005 erdhi në Shqipëri,- e pas pak muajsh, shkoi edhe në
Kosovë, - fotografi amerikano-hebre, Norman H.Gershman, drejtor i Fondacionit
Islamik, të quajtur “Besa”.
Fillimisht,
në Tiranë, pastaj, edhe në qytete të tjera të Shqipërisë,-Berat, Krujë,
Shkodër, etj.,-sipas një liste që kishte me vete,- zoti Gershman kërkonte dhe
fotografonte qytetarë, dëshmitarë nga familje që kishin strehuar e shpëtuar
hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose pasardhës të tyre; por vetëm
myslimanë, për nga besimi fetar, dhe me ta të krijonte një ekspozitë
fotografike dhe një album të veçantë, më vonë.
“Arsyeja,
pse jam fokusuar tek myslimanët në Shqipëri, - tha zoti Gershman,- është se
bota, jashtë kësaj dhome, as nuk e di që shqiptarët janë një vend mysliman”, se
“Besa” e tyre, Zoti, Miku, për ta janë të shenjtë, dhe kjo është arsyeja që
kanë shpëtuar nga vdekja e sigurt qindra e mijëra hebrenj; të gjithë.
Ndoshta,
pikërisht për këtë arsye, pra, që ekspozita dhe albumi duhej vetëm me foto
mysimanësh, pothuaj, të gjithë ata që janë fiksuar nga aparati fotografik apo
kamera e tij, kanë në duar nga një Kuran, ose nderojnë sipas ritit Islam. (Me
sa duket, është zakon i vjetër fotografësh, që neve na kujtojnë ata të
Komunales së dikurshme, të cilët, “të rregullonin” vetë, dhe,- para se të
shkrepnin aparatin, nuk harronin kurrë të të këshillonin: “Qesh pak?!”
Albumi-libër,
ose libri-album, me titull “Besa” nga “Shqipëria myslimane” doli, dhe me akoma
më shumë shpëtimtarë “myslimanë shqiptarë”, dhe fillimisht u reklamua në një
turne në Mbretërinë e Bashkuar.
Pak
më vonë, për librin “Besa” dhe për “Shqipërinë myslimane” u shkrua në gazetën e
madhe gjermane “Die Ëelt” (“Gjatë pushtimit gjerman, myslimanët shqiptarë
shpëtuan gati 2000 hebrenj”. (“Die Ëelt, 2011). Pastaj, mbi bazën e librit u
përgatit një film, “Besa”. Premtimi”, kuadrot e të cilit, me shpëtimtarët e hebrenjve,-pothuajse
të gjithë, po ata qytetarë myslimanë shqiptarë me Kuranin në duar apo duke
nderuar në ritin Islam, u shfaqën edhe në rrjetin e njohur CNN, emision, të
cilin, më pas e mori dhe e transmetoi edhe Top-Channel-i ynë.
Askush
nuk e vë në dyshim qëllimin e mirë të zotit Gershman, dhe për këtë duhet
falenderuar. Por, ndërsa është krejt në të drejtën e tij të punonte për
Fondacionin Islamik britanik, i cili, për motivet e veta kërkon t’i tregojë
botës “një model islami”, kjo gjë nuk ka arsye të bëhet duke deformuar
historinë me të pavërteta apo gjysmë të vërteta, të cilat janë edhe më të
dëmshme se gënjeshtrat.
Vitin
e kaluar, një fotoreporter, i njohur në botë për fotot dhe ekspozitat e tij me
ngjarje dhe njerëz të veçantë, u befasua në Korçë, nga fakti se në këtë qytet,
të “Shqipërisë myslimane”, sipas tij, myslimanët pinin birrë, por pinin edhe së
bashku me të krishterët dhe në të njëtin vend, në “Festën e Birrës”.
Gazetari
që e intervistoi mund t’i tregonte një gjë që e dinë të gjthë, se myslimanët e
Shqipërisë , janë po aq, e ndoshta, edhe më “ustallarë” si pijetarë, se të
krishterët e këtij vendi; pinë birrë, verë, raki e ç‘tu zerë dora. Pastaj, në Shqipëri është kaq e madhe
përzierja e martesave mes besimtarëve të feve të ndryshme, saqë myslimanë, ortodoksë, katolikë, ungjillorë, madje,
edhe jahudinj, i gjen bashkë edhe brenda
një familje dhe jo vetëm në “Festën e Birrës”.
Eshtë
më se e vërtetë, se në Shqipëri ka pasur
dhe ka një Islam normal, madje, edhe model, dhe se nga familjet myslimane janë
strehuar e shpëtuar qindra e mijëra hebrenj gjatë Luftës; është e vërtetë,
gjithashtu, se institucione të tilla tradicionale, si “Besa”, “Mikpritja” etj.,
kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm, edhe në strehimin e shpëtimin e
hebrenjve gjatë pushtimit nazist.
Por, ka një dokumentacion të bollshëm në
arkiva, shtyp e libra, dhe ka ende gjallë dëshimitarë, që konfirmojnë të
vërtetën e madhe e të bukur, se edhe strehimi e shpëtimi i hebrenjve është
vepër, as vetëm e banorëve me besim mysliman, as vetëm e atyre me besim të
krishterë apo bektashinj: është vepër e të gjithë shqiptarëve. Dhe, e një
Shqipërie, as vetëm “myslimane”, as vetëm “e krishterë”, por e një Shqipërie, e
cila, në të gjitha periudhat e shtetit shqiptar, që nga 1912-ta, me kushtetutë,
shteti gjithmonë është shpallur e ka qenë laik, nuk ka pasur asnjëherë fe
zyrtare, por një bashkëjetesë fetare dhe etnike, vërtetë në harmoni dhe model
për shumëkënd.
Ndërkaq
edhe strehimi dhe shpëtimi i hebrenjve, siç nuk është meritë e qytetarëve të
vetëm njerit apo tjetrit besim fetar, nuk është as ekskluziv i institucionit të
“Besës”, “Nderit”, “Mikut” apo
“Mikpritjes”.
Duke
qenë e pamundur ta shpjegojnë shpëtimin e hebrenjve me tërë faktorët e vet;
pra, duke e shpjeguar vetëm me “Besën”, kjo fjalë shndërrohet në magjike, të
mistershme, vë në dyshim edhe të vërtetën, por edhe atë rol që vërtet kanë
luajtur “Besa”, apo Mikpritja shqiptare. Por, gjithësesi, pa e tepruar, sepse,
mikpritja për shembull, “nuk është cilësi përjashtimore e shqiptarit”. Ka edhe
plot popuj të tjerë, madje, mjaft mikpritës.
E
keqja është se, veç të huajve, këto fjalë përsëriten si slogane, më shumë, për
fat të keq,edhe nga ne që, herë nga padija, herë nga kompleksi i inferioritetit
ndaj të huajve, duartrokasim pa u menduar dy herë kur shohim ekspozita apo
filma, me “Shqipëri myslimane”, “shpëtimtarët myslimanë” e të tjera të
pavërteta, mjaft që i përgatisin e shfaqin të huajt sepse “propagandojnë
imazhin tone”…
Ruajtja
dhe përcjellja e kujtesës historike brezave, sidomos, per ngjarje të tilla si
Fashizmi, Komunizmi apo Holokausti ndaj hebrenjve, që i sollën trauma të mëdha
njerëzimit, nuk është çështje erudicioni apo thjesht grumbullimi i fakteve.
“Ata
që harrojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin”,-shkruan Franc Kafka.
Por
“si ta ruajmë?”- Kjo, duket,është çështja.
Trajtimi
i cekët, i njëanshëm, parcial, me gjysëm të vërteta dhe pa analiza të shkaqeve
e pasojave siç po ndodh shpesh edhe me shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë
luftës së Dytë Botërore, që ua atribuon atë vetëm besimtarëve myslimanë apo e bën
eskluziv të institucionit tradicional të “Besës”, “Nderit”, apo “Mikut”, pra
kur nuk bëhet bindës, e shndrron historinë në mit,- shansi dhe dhurata e
mezipritur për antisemitët dhe neonazistët e sotëm.
Këtu
nuk është rasti për t’u zgjatur, sepse, me këto çështje janë marrë e duhet të
merren më mirë, besoj, specialistë të fushës, por për rastin që flasim, ta
monoplizosh shpëtimin e hebrenjve tek besimtarët myslimanë, veç injorimit të së
vërtetës historike, është edhe aspekti etik, moral. (Sa keq do të ndiheshin, në
rradhë të parë, vetë ato familje myslimane që sakrifikuan për hebrenjtë, para
fqinjit, shokut e mikut të tyre të krishter, që bëri të njëjtën sakrificë).
Dhe,
mbi të gjitha, kjo mungesë përgjegjësie, dashur pa dashur, provokon përçarje
tek qytetarët, besimtarë të feve të ndryshme.
“Ideja
se feja jonë është më e mira, është më e pastra, nga këndvështrimi
antropologjik është një mit,- shkruan Akbar Ahmed, shkencëtar islamik në
Universitetin amerikan në Uashington. – Krijimi i urave ndërmjet religjioneve
është një imperativ, nëse dëshirojmë të mbijetojmë në shekullin XXI”.
Myslimanët
e të krishterët, në Shqipëri janë “vëllezër Siamezë”, historikisht, në shekuj.
Edhe punët e bukura, edhe punët e shëmtuara, i kanë bërë bashkë.
Edhe Shqipëria
vet, megjithëse nuk është as “Shqipëri myslimane”, as “Shqipëri e krishterë, dhe,
sidoqë gjeografikisht është në Europë dhe me identitet europian, nuk po arrin
ende të bëhet europiane me standardet e sotme, për përgjegjësinë e të gjithëve,
e jo qytetarëve të njërit besim apo tjetrit.
Në
këtë udhë të fatit të përbashkët, edhe shpjegimi i shpëtimit të hebrenjve është
një shpjegim, besoj, realist vetëm po të analizohen të gjithë faktorët, të cilët
janë komplementarë dhe kanë në themel mbijetesën dhe interesa, së pari,
kombëtare, jetësore dhe ekonomike të të gjitha komuniteteve.
Disa
prej tyre, mendoj se janë:
1-Fqinjësia
e hershme dhe e gjatë. Hebrenjtë, sikurse grekët, janë fqinjët më të vjetër të
shqiptarëve. Ata kanë ardhur që nga shekujt II-I, para Krishtit, dhe fqinjërimi
mëse dymijëvjeçar është në bazat e kësaj miqësie, që reflektohet edhe në
solidaritetin e mëvonshëm.
2-Hebrenjtë
kanë ardhur jo si pushtues, por si emigrantë, hallexhinj, dhe për këtë arsye
shqiptarët u kanë bërë vend e u kanë ardhur në ndihmë, sikurse me vonë, edhe
emigrantëve grekë, serbë, maqedonas, vllehë, etj.
3-Në vitet kur hebrenjtë emigruan në viset
shqiptare, ka pasur ende toka të lira e pjellore në faunë e florë; po ashtu,
edhe nevoja të vendësve për krahë pune, sidomos, në ato zanate që ishin
specifike për ardhësit.
Ky,
besoj, është edhe një nga shkaqet kryesore nga i cili “përfituan” e
“përfitojnë” kudo në botë emigrantët më të hershëm, sepse, siç dihet dhe shihet
më qartë aktualisht, për shkak të komunikimit intensiv e globalizimit në
tërësi, “pritësit”, sa vjen e “ngushtohen” edhe vet në territore e në pasuritë
e tyre kombëtare.
4-Hebrenjtë
gjetën në vendin tonë një traditë të konsoliduar të bashkëjetesës etnike dhe
fetare, dhe pa gjurmë të antisemitizmit.
5-Vendësit
mikpritës nuk ishin fanatikë në fenë dhe ritualet e tyre, dhe e pranonin “të
ndryshmin” të ndryshëm, edhe në besimin fetar, së bashku me ritualet dhe
objektet e tyre të kultit, që i mbronin dhe i respektonin, njëlloj si të vetat.
Perandori i famshëm Kostandini i Madh që njihet si Kostandini nga Iliria,
shkruan:”Ne dëshirojmë me gjithë shpirt, që, të gjithë njerëzit të adhurojnë
dhe të besojnë atë fe që duan”.(Michael Grant:”Kostandini i Madh nga Iliria”,
Sh.B.”Bakus”, Tiranë, 2004,Fq.180)
6-Shqiptarët
kishin doke e zakone të tilla, si institucioni i “Besës”, “Nderit”, “Mikut”
etj., të cilat inkurajonin tek ardhësit hebrenj, sikurse edhe tek ata të komuniteteve
të tjera, sigurinë e jetës, nderimin, respektin për ta, për kulturën dhe fenë e
tyre. Kjo është një cilësi e vyer dhe e njohur e etnotipit shqiptar.
7-Hebrenjtë
e shpëtuar nga nazistët në vitet 1943-1944,për shqiptarët, nuk ishin “përvoja”
apo “prova e pare” e solidaritetit njerëzor dhe e sakrificës për tjetrin në
hall e në fatkeqësi. Vetëm pak muaj më parë (pas 8 shtatorit të vitit 1943, kur
kapitulloi Italia fashiste), shqiptarët e “harruan” armikun që i pushtoi e i
vrau, dhe strehuan e shpëtuan rreth 20 mijë ushtarë dezertorë italianë që mbetën
rrugëve e në pikë të hallit.
8-Antifashizmi
shqiptar dhe lufta Nacional Çlirimtare, jo vetëm e inkurajoi mbrojtjen dhe
shpëtimin e hebrenjve, por edhe vetë shpëtimi i hebrenjve u bë një nga
shfaqjet, aspektet e bukura të antifashizmit shqiptar.
Në
Shqipëri, bashkë me shqiptarët, kanë banuar e banojnë edhe komunitetet e
grekëve, maqedonasve, vllehëve, romëve, etj., dhe, natyrisht, solidariteti e
sakrifica edhe për ta do të ishte krejt e njëjtë si ajo ndaj hebrenjve, nëse
ata do të ndodheshin në kushtet e tyre, pavarësisht etnisë e besimit fetar.
Sikurse
individët, edhe shtetet e kombet vlerësohen, sidomos, nga kultura e konsensusit.
Institucioni
i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare dhe etnike në Shqipëri është një konsensus
i madh dhe i vyer historik, i arritur gjatë shekujve dhe, sigurisht, me kostot
përkatëse. Ky konsensus nuk është, thjesht, një besë, një betim individësh, aq
më pak, një bashkim e shtrëngim duarsh i krerëve të institucioneve fetare, siç
i shohim në qëndrime protagonistësh, në foto e ekrane televizionesh.
Nuk është
një marrëveshje ceremoniale “titullarësh” e politikanësh, pasuar nga firmat e
vulat përkatëse.
Konsensusi
i madh i bashkëjetesës, apo harmonisë etnike dhe fetare në Shqipëri, i shqiptarëve
mes vedi, së pari, por edhe me “të ndryshmit” që bashkuan fatin me ta, si çdo
konsensus i vërtetë e jetëgjatë, është themeluar e ngritur mbi bazë interesash
jetike, ekonomike, të mbijetesës, ekzistenciale, ku dallojnë, sigurisht, ato
kombëtare, e bashkë me to, edhe interesat kulturore, fetare, morale, etike,
etj.
Meritë
e shqiptarëve është, se kanë ditur, jo
vetëm të ndërtojnë e ruajnë konsensusin mes tyre, por edhe t’ua mësojnë këtë
kulturë konsensusi edhe ardhësve, “jabanxhinjve” me kultura e besime të
ndryshme. Por, edhe ardhësit, “të ndryshmit” kanë pasur meritën ta përvetësojnë
këtë kulturë.
Platforma
e Rilindjes sonë Kombëtare, që frymëzoi edhe dashurinë e “shkuarjen” edhe “me
serbë, grekë e bullgarë”, siç shkruan Naim Frashëri, gjen, besoj, mishërimin më
të bukur tek një nga poezitë më të bukura “Himni i Flamurit”, të Fan
Nolit, poet, historian, përkthyes,
muzikolog, ish-kryeministër, por edhe themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale
Shqiptare:
“Flamur
që linde Shën Konstandinin,
Pajton
Islamin me Krishtërimin,
Shpall
midis feve vllazërimin,
Flamur
bujar për Njerëzi”
Eshtë
me shumë interes njohja e teksteve të himneve kombëtarë të popujve të botës.
“Himni i Flamurit”, i botuar në vitin 1926 nga Noli, më ka nxitur të shoh disa
prej këtyre teksteve. Jo pak prej tyre janë tepër agresivë dhe me një fjalor
morboz: “kocka”,”gjak”,”varre”. Nuk besoj, se teprohet, po të them se “Himni i
Flamurit” i Nolit është më i bukuri dhe më i emancipuari, që njoh, i denjë për
Europën e sotme të Bashkuar.
“Nacionalizmi
shqiptar është sekular”, -vëren me të drejtë analisti dhe njohësi i mirë i
Ballkanit, Janush Bugajski.
Në
Europën e sotme, “pa viza”, bashkëjetesa në diversitetin etnik, fetar,
gjuhësor, kulturor është kriter civilizimi dhe kulture, kusht ekzistence.
“Shtetet
unifetarë janë të vjetëruar për Europën moderne”,-shkruan Karl Poper.
Shqipëria
nuk ka nivelin e Greqisë, madje, as të Serbisë, megjithë krizën në këto shtete.
Por, nuk të duket aspak normale që, megjithë ardhjet e mijëra emigrantëve çdo vit,
sidomos nga vendet e Lindjes, ku shumica janë të besimit mysliman, statusi
unifetar, thuajse, nuk preket. Vetëm shifra prej rreth 800 mijë emigrantësh
shqiptarë që kanë emigruar në Greqi, e ku shumica janë të besimit mysliman, do
ta ndryshonte këtë përqindje. Për dekada të tëra në Athinë, në kryeqytetin e
vendit nuk lejohej të ndërtohej, të paktën, një xhami e vetme.
Shqipërisë
dhe shqiptarëve u mungojnë shumë gjëra, por këtë pasuri, këtë “prioritet” e ka,
sidoqë nuk është në listën e “12 prioriteteve” të Bashkimit Europian. Eshtë
ndoshta, nga rastet tepër të rralla, kur, me bindje e jo pa krenari, të thuhet
e të shkruhet fjala “model”.
Në
Shqipërinë, me, së paku katër besime fetare, dhe që nuk ka njohur kurrë luftra
me motive fetare, janë dukur e duken absurde luftra të tilla, si ajo
gjysmëshekullore në Irlandën e Veriut, midis protestanëve e katolikëve, ku u
vranë, më së paku 4000 njerës. Po kështu, sherri e lufta në Irak, mes sunitëve
e shitëve; Qiproja e ndarë në “greke’ e “turke”, etj.
Shqipëria,
megjithë sëmundjet që ka, nuk vuan nga sëmundja e Daltonizmit. Syrit të një
shqiptari do t’i dukej monokron e monoton një qytet “bardhezi”; me vetëm
xhamija, apo me vetëm kisha; vetëm me veshjet e zeza të klerikëve të krishterë, apo me vetëm ato bardhezi apo
vetëm jeshil të klerikëve myslimanë apo bektashinj.
Bashkëjetesa
dhe harmonia fetare dhe etnike ka bërë që qytetet tona, sidoqë, ende, jo si qytetet
më të pasura të Europës, t’u ngjajnë galerive të artit, ku, bashkë me ngjyrat
kombëtare, të rrinë bukur e në harmoni të plotë edhe ngjyrat e “të tjerëve”;
vepra arti e monumente kulture. Bashkë me kishat, xhamijat e teqet, edhe
sinagogat hebreje, aq sa ka lënë pa shkatërruar barbaria e pushtuesve, sidomos,
pushtuesi i fundit, nazistët gjermanë, të cilët, vetëm hebrenj vranë rreth
gjashtë milionë në botë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në
Shqipëri, siç dihet, u shpëtuan të gjithë hebrenjtë, ndërkohë që, në fund të
luftës së Dytë Botërore, rezultonte që, komuniteti hebre ishte shumëfishuar, në
krahasim me paraluftën.
Ndërkaq,
dokumentet tregojnë, se Berati është
qendra që priti dhe shpëtoi më shumë hebrenj. Që nga viti 1941 e në vijim,
qyteti i Beratit priti rreth 600 hebrenj të ardhur nga Kosova; 94 familje dhe
87 individë, të cilët gjetën strehë e shpëtim në popull. Berati shpëtoi, jo
vetëm “hebrenjtë e vet”, rezidentë, por edhe ata të ardhur nga Europa Qendrore
e Ballkani, duke u bërë kështu, një rast tepër i veçantë edhe në botë.
Kjo
shpjegohet me të gjithë ata faktorë që u përmendën, por do të veçoja bashkëjetesën
shembullore fetare dhe etnike, të cilën e sheh cilido fare lehtë në vetë qytetin, që është i tëri
“galeri arti” :kisha të mrekullueshme, me themele në Mesjetën e hershme, me
arkitekturë befasuese, brenda të cilave mund të shohësh piktura murale dhe
ikona mahnitëse; xhami, e teqe bektashinjsh po aq të bukura.
Një
toponimi e tërë dëshmon jetën dhe jetesën e hebrenjve:”Lagja e çifutëve”,
“Varri i Çifutit”, “Qafa e Çifutit”. Këto, bashkë me dokumentet në arkiva,
libra e dëshmitarët që ende jetojnë, në
banesat e të cilëve janë strehuar e shpëtuar gjatë luftës së fundit, i bëjnë
hebrenjtë, të afërt e të përditshëm. Dhe, nuk janë ‘vetëm myslimanë” këta shpëtimtarë.
Nga 38 familje e individë që u nderuan nga Bashkia e qytetit, 18 janë të
besimit të krishterë, përveç shumë familjeve të tjera, nga të gjitha besimet
fetare. Këta “Fisnikë”, nuk janë as në listat e Bashkisë, ndoshta, as në Muzeun
e Holokaustit në Izrael, por ata janë në Berat e në Shqipëri.
Bashkëjetesa
dhe harmonia fetare i ka bërë bashkë edhe në sakrifica të kësaj natyre, siç
janë bashkë, madje, edhe të përzjera në lagje edhe kishat e xhamijat.
Në
lagjen “Mangalem”, përshembull, ku kanë banuar, kryesisht, familje të
krishtera, është një xhami që quhet “Xhamia e Beqarëve”.
Rruajtja
nga të gjithë e objekteve të kultit është një kulturë e hershme. Duket “çudi”,
se si, gjatë pesë shekujve të sundimit osman, kishat dhe veprat e artit brenda
tyre janë ruajtur të paprekura.
Arti
ekumenik në Berat, sikurse dhe në gjithë Shqitparinë e që, shfaqet në veprat e
artit mesjetar, dëshmon edhe për artistë të mëdhenj, por njëherësh, dëshmon
edhe bashkëjetesën qytetare.
Për
të përmendur vetëm një, afreska e piktorit të madh të Mesjetës, Onufrit në
Katedralen e Shën Mërisë, në lagjen “Kala” ka në qendër një klerik të krishter
dhe një klerik mysliman, duke biseduar.
Asnjë
proces penal apo civil për çështje fetare nuk gjen në Berat; në asnjë periudhë,
në asnjë rregjim.
Në
Berat, festat e besimtarëve të njerës fe, ishin e janë edhe të të tjerëve; për
drekën e Pashkës përshembull, miq të ftuar të besimit mysliman, dhe
anasjelltas, në festën e Bajramit të myslimanëve apo ato të Novruzit apo të
“Hashures”, të bektashinjëve.
I
lindur në këtë qytet, mua, atëherë fëmijë, më dukej gjëja më normale që ne
kishim aq shumë festa. Gati çdo javë kishim festa, sepse shkonim te shtëpitë e
shokëve të lagjes e të klasës me fe të tjera, sikurse vinin edhe ata tek tonat.
Vonë e mora vesh, se bota nuk e kishte kështu.
Ka
edhe plot fakte, detaje e dokumenta që, vërtetë, befasojnë gjithkënd, por, në
fund do të doja të citoja një dokument, më saktë, një Ferman. Eshtë Fermani i
Sulltan Abdyl Azizit, i cili e dërgon në Berat, në fund të shekullit XVIII, ose
në vitin 1225, sipas Kalendarit arab:
“Me
kërkesë të popullsisë myslimane dhe ortodokse të qytetit Beligrad Arnaut
(Beratit shqiptar), urdhëroj ngritjen e Kishës së Shën Mitrit në qendër të
këtij qyteti” (Sami Starova, Gazeta “Shekulli”, 21.08.2012).
Por,
ndoshta, ende më i bukur është lajmi që
morëm këto kohët e fundit nga gazetari Marin Mema, në kanalin televiziv Top
Channel, në rubrikën e tij, “Shqipëria tjetër”:
“Në
fshatin Malibardhë të Kurbinit, banorët në shumicë myslimane kanë ndërtuar me
kontributin e tyre një kishë për ata pak
bashkëfshatarë të tyre me besim katolik. Pas kësaj, këta të fundit, kanë
vendosur të ndërtojnë një xhami, në shenjë mirënjohjeje për kishën që ua
ndërtuan bashkëfshatarët e tyre myslimanë”.
“Malibardha duhet shpallur vend pelegrinazhi,
për politikanët…”,-shkruante e vetmja gazetë “Dita” që e publikoi.
Besoj,
se është mirë të shkojmë të gjithë!...
(Falenderojmë shkrimtrin z.Rexhep Shahu ,nga Tirana për dërgimin e materjalit për botim në Agjencionin Floripress)
No comments:
Post a Comment