
Abdi Baleta
Politika një shekullorëshe
Gjatë gjithë vitit 2012, që ishte shpallur si viti i përgatitjeve për kremtimet e njëqind vjetorit të pavarësisë, politikat zyrtare e partiake dhe propaganda shqiptare në përgjithësi i patën lënë në harresë copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe aspiratën e shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Shqiptarët i kanë bërë me vonesë disa punë me rëndësi kombëtare dhe politike që të tjerët i kanë kryer më herët dhe në kohë. Kjo ka ndodhur si për dobësitë e dukshme të vetë shqiptarëve, ashtu dhe për shkak të pengesave të qëllimshme që u kanë nxjerrë të tjerët. Më dëmprurëset kanë qenë vonesat në mendimin e veprimin politik të shqiptarëve për t’u ballafaquar me problemet që u kanë dalë në proceset e kombformimit e të shtetndërtimit.
Përpjekjet e rilindësve nuk u kurorëzuan ashtu siç duhej me njohjen ndërkombëtare të kombësisë shqiptare dhe me bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të Perandorisë Osmane në kohën e Lidhjes së Prizrenit e të Kongresit të Berlinit, atëherë kur ribëhej harta politike në Ballkan. Shteti shqiptar nuk u bë ashtu si lypsej, deri në kufijtë e Shqipërisë Etnike, kur u shpall pavarësia e kombit shqiptar më 1912, as pas dy luftërave botërore në shekullin XX, kur rikonfigurohej disa herë harta politike e Europës dhe Ballkanit, as kur u shpërbënë ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish-Jugosllavia komuniste në fundin e shekullit XX.
Vonesat kanë qenë të dukshme edhe në zhvillimet brenda kombit, shtetit dhe shoqërisë shqiptare Komunistët dogmatikë shqiptarë ishin “të vonuar” në analizat e tyre politike dhe ideologjike për të kuptuar dështimin e socializmit si sistem dhe domosdoshmërinë e përmbysjes së regjimit monist komunist në vitet të ’80-ta dhe në fillim të viteve të ’90-ta. E njëjta dukuri është vënë re edhe në fushën e mendimit e të veprimit nacionalist, në paraqitjen e mbrojtjen e çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare. Në dekadat e para të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar mbizotëroi realpolitika e shpëtimit të shtetit të cunguar shqiptar dhe heshtja për copëtimin e trojeve shqiptare. Në periudhën gati gjysmëshekullore të sundimit komunist mbizotëroi (anti)politika internacionaliste, proletare e socialiste dhe u la pas dore puna për parashtrimin dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Në periudhën 22-vjeçare pas rënies së regjimit komunist ka mbizotëruar realpolitika e “demokratizimit të shoqërisë” dhe e “integrimeve euroatlantike”.
Idealpolitika nacionaliste gjatë gjithë kësaj kohe ka munguar ose ka qenë e vonuar, episodike dhe anemike. Ndërsa një lloj antinacionalizmi shqiptar i prapambetur, në konceptim e në praktikë politike, ka gjetur fushë më të gjerë veprimi. Me nacionalizmin e vonuar dhe antinacionalizmin e prapambetur në trajtimin e çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare u ballafaquam edhe një herë, si papritmas, pikërisht në ditët e fundit të kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë gjithë vitit 2012, që ishte shpallur si viti i përgatitjeve për kremtimet e njëqindvjetorit të pavarësisë, politikat zyrtare e partiake dhe propaganda shqiptare në përgjithësi i patën lënë në harresë copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe aspiratën e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Dukej sikur shqetësimi më i madh ishte të mos lejohej ndezja e shkëndijave të nacionalizmit. Kjo sjellje politike nuk mund të ndalonte shpërthimet e natyrshme nacionaliste popullore shqiptare, as të pengonte forcat politike e shoqërore të përkushtuara ndaj nacionalizmit që të gjenin mjetet e mënyrat për ta lidhur kremtimin e shpalljes së pavarësisë me çështjen e madhe të bashkimit kombëtar. Këtë e dëshmuan fryma e lartë atdhetare dhe dekori e folklori festiv shqiptar, që u shpalosën më fuqishëm se kurrë në ditët e kremtimeve në të gjitha trojet etnike shqiptare, si dhe në bashkësitë shqiptare nëpër botë. Zymtësia që kishin krijuar politikat shtetërore e partiake shqiptare gjatë vitit 2012 me grindjet e sherret e tyre pa mbarim për pushtet e për pasurim nuk e topitën dot entuziazmin popullor në ditën e 28 Nëntorit. As manipulimet politike me ceremonitë zyrtare të ndërtuara pa shumë përgjegjësi ose me qëllime ngacmuese, nuk ia hoqën madhështinë kremtimit popullor.
Megjithatë, kremtimet e 100-vjetorit nuk kaluan pa lënë edhe gjurmë të këqija dhe pasoja ngatërrestare. Ato i nxorën edhe më shumë në pah, madje i thelluan, ndasitë politiko-ideologjike, krahinore, fetare dhe partiako-klanore që rëndojnë mbi jetën kombëtare e politike të shqiptarëve. Historiografia shqiptare nuk e përballoi si duhet detyrën e shpallur për të bërë ndreqjet e duhura në vlerësimet e ngjarjeve e të figurave historike të kombit e të shtetit shqiptar. Përkundrazi, kremtimet u shfrytëzuan për një revanshizëm të theksuar e të shfrenuar historiografik nga përkrahësit e rrymës së mendimit nolisto-enverist në politikën e historiografinë shqiptare.
Edhe ngjarja më e lavdërueshme, nderimi për figurën e Mbretit Zogu I, u prit me zemërim dhe ripërtëritjen e sulmeve banale, të njohura nga forcat politike e shkencore që qëndrojnë në llogoret krahinariste antinacionaliste të së kaluarës. Megjithatë, rëndësi pati fakti që të dy kryetarët e shteteve shqiptare, të Shqipërisë e Kosovës, e theksuan solemnisht se nderimet që iu bënë Ahmet Zogut duheshin parë si një shlyerje borxhi ndaj figurës dhe rolit të tij historik, si i pari mbret në këtë shtet që gëzojmë ne sot. Edhe dy politikanë e pushtetarë të lartë, që për mjaft kohë nuk i kishin kursyer anathemat për Ahmet Zogun, kryeministri i sotëm Sali Berisha dhe diktatori i djeshëm komunist Ramiz Alia, u gjetën në të njëjtën fjalë se Mbreti Zogu I duhet vlerësuar si “themelvënësi e ndërtuesi i shtetit shqiptar” (mendimin e Ramiz Alisë e bën të njohur Januz Januzaj në “Shqipëria ime. Unë dhe Ramiz Alia”, Toena 2012, f. 89).
Nuk munguan aspak nderimet e duhura zyrtare për figura të tjera madhore të historisë shqiptare që janë vlerësuar lart gjatë gjithë kohës, sidomos nën regjimin komunist. Nuk qëndrojnë aspak ankesat inatçore të disa politikanëve e propagandistëve se figurat më të rëndësishme u lanë në hije, se u lartësua figura e Ahmet Zogut për të ulur figurën e Ismail Qemalit. Disa fanatikë enveristë kërkuan që si kundërpeshë ndaj nderimeve për Zogun të rikthehej në piedestal të politikës shqiptare figura e Enver Hoxhës, ndonëse edhe ata e dinë mirë se si populli i Shqipërisë e kishte përmbysur atë me shumë urrejtje 22 vite më parë, si simbolin e diktaturës më të egër komuniste nga e cila Shqipëria vuajti për 45 vite. Një këmbëngulje pa vend për të trajtuar njësoj figurën e Enver Hoxhës me atë të Ahmet Zogut vihet re edhe nga ithtarë të enverizmit në Kosovë, çka të shtyn të mendosh se nuk bëhet fjalë për rastësi.
Njëqindvjetori i pavarësisë tashmë kaloi, bashkë me harenë dhe me emocionet që solli. Tani kemi hyrë në njëqindvjetor tjetër që të ngjall trishtim. Është njëqindvjetori i copëtimit të trojeve etnike shqiptare nga fqinjët ballkanas të babëzitur për pushtime. Fillimin e njëqindvjetorit të dytë nuk duhej në asnjë mënyrë ta prisnim në heshtje. Fatmirësisht, në çastet e fundit, kryeministri i Shqipërisë e mblodhi veten dhe nga mitingu i Shkupit e ngriti zërin për bashkim kombëtar të shqiptarëve. Që nga ai çast në fjalimet e tij, kryeministri filloi t’i përmendë padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar, të kujtojë se ku ishin kufijtë e etnisë shqiptare në Ballkan në prag të shpalljes së pavarësisë, të pohojë se historia nuk mund të harrohet dhe ta denoncojë albanofobinë e hapur që rrethon shqiptarët sot.
Kryeministrit të Shqipërisë ia ngarkonte detyra që në ditët e jubileut të madh të 100-vjetorit të pavarësisë të mbante qëndrime të tilla, edhe sikur të mos i ketë sinqerisht fort për zemër deklaratat që bëri. Por “Kjo ishte (me të vërtetë) një befasi pozitive për gjithë shqiptarët, sepse Sali Berisha paraprakisht përmes prononcimeve të tij zyrtare është deklaruar kundër bashkimit kombëtar shqiptar dhe Shqipërisë Etnike” (Prof. dr. Mehdi Hyseni, gazeta “Metropol”, 4 dhjetor 2012). Prandaj, deklaratat e kryeministrit për bashkimin kombëtar dhe për kufijtë etnikë të shqiptarëve duheshin mirëpritur e përshëndetur nga të gjithë shqiptarët, qoftë vetëm për vlerën e tyre simbolike e paralelizmat historike që na kujtojnë.
Megjithatë ky “nacionalizëm i vonuar” i kryeministrit të Shqipërisë ishte një gjë shumë më e mirë se “nacionalizmi i munguar” i tij prej shumë vitesh me radhë dhe se “antinacionalizmi i prapambetur” që shpërtheu kundër fjalëve të tij për problemin e bashkimit kombëtar. Termat “nacionalistë të vonuar” më është dashur t’i përdorja edhe para shumë vitesh për të karakterizuar qëndrimet e rralla, episodike me ngjyrime nacionaliste të kryetarit dhe të disa drejtuesve të Partisë Demokratike të Shqipërisë ndaj problemit madhor të bashkimit kombëtar. Kur Partia Demokratike hyri në skenën politike shqiptare, si e para parti opozitare ndaj Partisë së Punës, u duk se ajo krahas shndërrimit demokratik të shoqërisë shqiptare, kishte si objektiv kryesor edhe çështjen kombëtare shqiptare. Ajo u paralajmërua si parti me fizionomi nacionaliste, sepse në shpalljet e para politike programatike shprehej dhe për bashkimin kombëtar. Por, idili i bukur me çështjen kombëtare zgjati fare pak në sjelljet e drejtuesve të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Një gazetar francez në vitin 1992 i shkëputi kryetarit të PD-së, Sali Berisha, një intervistë për gazetën “Le Figaro”, në të cilën figuronin fjalët e pamatura mirë të të intervistuarit se Shqipëria e bashkuar nuk paska ekzistuar asnjëherë dhe se tërë shqetësimi e kujdesi i Berishës do të përqendrohej tek integrimi i Shqipërisë në Europë e jo te ndonjë bashkim hipotetik kombëtar i shqiptarëve në një “Shqipëri të Madhe”. Këto fjalë ishin pezmatuese dhe zhgënjyese për shumë shqiptarë që reaguan me mospajtim me ndaj tyre.
Në verën e vitit 1999 PD-ja, gati e shpartalluar nga invazioni grek e rebelimi komunist shqiptar në Shqipërinë e Jugut në vitin 1997, kishte mbetur e gozhduar dhe e trullosur në opozitë. Për ta rimarrë veten në sytë e shqiptarëve, ajo organizoi një kuvend partiak kushtuar çështjes kombëtare dhe e shpalli këtë si “yllin e karvanit në politikën e saj”, siç po e shpall edhe tani. Ishte një lëvizje taktike që nuk të ngjallte besim dhe entuziazëm. Megjithatë, ishte një hap që duhej përshëndetur. Duhej uruar që ai “nacionalizëm i vonuar” të vazhdonte. Por nuk shmangej dot as dyshimi se kjo prirje në politikën e PD-së mund të mos zgjaste shumë.
Më të sakta dolën hamendësimet dyshuese. PD-ja dhe, sidomos, kryetari i saj kaluan shpejt e vendosmërisht në pozitat e njohura antinacionaliste në politikën shqiptare. Pasi kaluan vështirësitë e para nën hijen e nacionalizmit, braktisja dhe mohimi i çështjes së pazgjidhur kombëtare u bënë kali i tyre i betejës në luftën për t’u rikthyer në pushtet. Antinacionalizmi u bë platforma e tyre e vetme politike, aq sa në një rast Sali Berisha u shpreh me sarkazëm nga ekrani televiziv se “ajo parti që do të përfshijë në programin e saj politik çështjen e bashkimit kombëtar nuk do të marrë as njëqind vota në zgjedhje”. Tani me sa duket ka mbërritur në përfundimin e kundërt, se po të hysh në zgjedhje me flamurin e bashkimit kombëtar mund të marrësh më shumë vota.
Prandaj, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bashkë me disa udhëheqës dhe renegatë të viteve të ’90-ta të kësaj partie, që sot janë edhe pushtetarë që e qeverisin Shqipërinë, po marrin sërish pamjen dhe rolin e “nacionalistëve të vonuar”. Kemi të drejtë të shprehemi kështu për ta përderisa nuk e zunë fare në gojë çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare dhe as domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar deri në “aksham pazarin” e festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë. Ky fakt na shtyn të mbetemi skeptikë ndaj seriozitetit dhe vazhdimësisë e qëndrueshmërisë të tyre në pozitat e këtij “nacionalizmi të vonuar”. Këtë skepticizëm na e përforcon platforma kyeministrore që ka paraqitur në fund të vitit 2010 kryeministri Berisha në një intervistë dhënë një gazetari shqiptar nga Kosova për gazetën zvicerane “Tages Ancajger”, në të cilën binin në sy këto vlerësime e teza dëshpëruese: 1) Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i gabuar. Kush mendon se me këtë bashkim zgjidhet çështja shqiptare në Ballkan, gabohet ose ka për qëllim të nisë konfliktin. Berisha pohonte se dikur edhe ai kishte qenë në favor të bashkimit, por kishte hequr dorë nga kjo ide, pasi e kishte kuptuar se ishte e gabuar; 2) Me pavarësimin e Kosovës kufijtë në Ballkan janë formësuar përfundimisht; 3) Ne do të bashkohemi në kuadrin e bashkësisë së vlerave evropiane; 4) Për këtë nuk nevojiten ndryshime kufijsh. Duhet të bashkëpunojmë ngushtë me fqinjët që kufijtë të humbasin rëndësinë. Krijimi i kufijve të rinj do të na largonte nga Europa dhe nga ambiciet tona për integrim në BE edhe për 20 vitet e ardhshme dhe 5) Të përmirësohen marrëdhëniet me Serbinë, të cilat historikisht kanë qenë të ngarkuara. Këtyre argumenteve ai u shtoi edhe një tjetër të çuditshëm pak ditë para se të bënte kthesën në fjalimin e Shkupit: “Po të bëhet bashkimi kombëtar i shqiptarëve, atëherë këta do të humbasin territore”, një “argument” që më herët e kishim dëgjuar nga politikanë shqiptarë në FYROM.
Atëherë është e natyrshme që edhe pas deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë në mitingun e Shkupit të shtrohet pyetja: Çfarë ndodhi që ai papritmas kaloi nga qëndrime antinacionaliste në qëndrime prej “nacionalisti të vonuar”?! Rivalët e tij në luftën për pushtet në Shqipëri (nga i gjithë spektri politik, “majtas e djathtas”) nuk ngurruan ta qortojnë e ta ironizojnë kryeministrin se gjithçka po e bën në funksion të fushatës politike propagandistike për zgjedhjet e qershorit 2013; se Berisha e ka huq të keq që sa herë e sheh veten ngushtë në lojën politike fillon të bëjë “zhurma nacionaliste”; se nacionalizmi dhe “irredentizmi” i tanishëm i papritur i Berishës qenka thjesht “antishqiptarizëm”. Kundër deklaratave “nacionaliste” të Berishës vërshuan njëra pas tjetrës plot deklarata akuzuese të kundërshtarëve të tij politikë se “po i hedh benzinë zjarrit për interesa elektorale”; se “nacionalizmi i Berishës është i rremë dhe spekulues”; se ky nacionalizëm qenka “një lojë e kurdisur bashkë me agjenturat serbe e greke” dhe “një shantazh mbi diplomacitë ndërkombëtare” etj., etj..
Kur i sulen me kaq arrogancë kryeministrit të vendit për disa deklarata në frymë të “nacionalizmit të tij të vonuar”, rivalët politikë e pushtetarë të tij nuk e marrin fare mundimin të kërkojnë edhe ndonjë element të dobishëm për Shqipërinë në deklaratat e kryeministrit. Ata nuk e vrasin mendjen fare se me të tilla sulme në tym po i shërbejnë praktikisht taktikës që po përdor ai, sepse njerëzit gjithsesi do të parapëlqenin që në qëndrimet e drejtuesve të tyre politikë më mirë të shohin njëfarë “nacionalizmi të vonuar”, qoftë dhe hipokrit, sesa “antinacionalizëm të prapambetur”, trashanik e smirëzi. Rivalët politikë të Berishës shohin në deklaratat e tij “nacionaliste të vonuara” vetëm dredhitë dëmprurëse për strategjinë dhe taktikat e tyre politike elektorale, edhe pse hiqen sikur merakosen shumë nga ndikimi negativ i këtyre deklaratave berishiane në vendimmarrjen e Brukselit për t’i dhënë ose jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në BE.
Në vend që të bëjnë një analizë gjakftohtë të natyrës së deklaratave të Berishës në funksion të parashtrimit me seriozitetin e duhur të çështjes kombëtare shqiptare sot, rivalët e tij politikë hidhen në akuza që, edhe pse kanë ndonjë element të së vërtetës, çështjen kombëtare e dëmtojnë shumë tepër. Ata përpiqen që në sytë e shqiptarëve edhe të botës kryeministrin e vendit ta paraqesin si politikan krejt të papërgjegjshëm, që nuk ditka se çfarë bën, kur lëshon deklaratat për bashkim kombëtar, kur përmend Prevezën si truall të dikurshëm etnik shqiptar. Por, harrojnë se vetë ata bëhen edhe më të papërgjegjshëm e më mëkatarë duke iu kundërvënë kështu bashkimit kombëtar.
No comments:
Post a Comment