Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/10

LETËR LETRARE PËR MIKUN TIM, POR QË MUND TË LEXOHET EDHE NGA TË TJERË

Thani Naqo

Të sqaroj, miku im, se ajo foto, ku jam kapardisur në sofatin magjik të vendlindjes, është e pesë viteve të shkuara. Në 25 vite emigrim më kanë firuar 12 kilogram, pra, afërsisht, gjysëm kilogram në vit. Lëkura më është nxirrë e trashur dhe ndodh që më flasin spanjisht, mbasi pandehin se jam meksikan. Më thonë se më janë rralluar flokët në çaçkë, por unë nuk mërzitem,; s'kam si e shoh çaçkën time. Megjithëse i kam lënë të 60-tat, por, nga që jetoj së bashku me prindërit, harroj moshën time dhe përpiqem të jem djalë i mbarë. Të siguroj, miku im, se "huqet xanxare" rinore i mbaj nën fre. Këtë e vërteton ish studentja e ekonomikut dhe, këtë tetor që hyri, i lamë 37 vjet që jetojmë së bashku e në harmoni. Mirëpo, këtu, ku jetoj, që prej 18 vjetësh, fillimisht u mburresha amerikanëve për jetëgjatësinë e martesës time; më shihnin të habitur, sikur të kisha erdhur nga tjetër planet. Xho-ja, suvaxhiu, kur unë iu mburra shqiptarçe "hej, kuleta ime është me dy emra", më kapi për veshi e më tha me ironi: "lum si ti!" Porse, miku im, jeta ime rrjedh normalisht, njëlloj si e burrave ballkanas,martuar me dashuri. Mos u çudit kur të pohoj se deri më sot nuk di si zjehet veza, si lahen pjatat dhe si bëhet pazari, ama punën e përditshme nuk e lë një ditë dhe kafen amerikane e bëj shumë të mirë! Me përjashtim të ndonjë rasti, për shembull, kur unë nuk kombinoj këmishën me pantallonat, ose, kur shkruaj në fcb status - idera "hithrore", ime shoqe më bën vërejtje, edhe zemërohet, por, për hatër të dashurisë, ajo qesh kur ia spegoj se ato, së pari, ia adresoj veten time. Jam i çiltër e dëshiroj të përmirësohem... Por, miku im, siç ta spiegova, lëkura më është trashur e nxirë dhe, kur unë mundohem të bëj sadopak humor, askush nuk e kupton, në zverdhem nga inati apo skuqem nga turpi...Këtë të mirë e ka kur argaset lëkura...Ndonjë nga miqtë e mikeshat e mia përdredh vetullat, kur pohoj se vdiq epoka e njëshave, e dyshave edhe e treshave. Për shembull, jo vetëm në politikë, por edhe në letërsi njësha, dysha e tresha e sot ka me mijra dhe kjo, miku im, nuk është për fajin tim... Në botën anglo-saksone, si unë mendojnë edhe miliona të tjerë, prandaj, mos u habit kur unë pohoj se ne, shqiptarët, nga që jemi mësuar me Njësh e nuk jetojmë dot pa Njësh, sajojmë furka që Njëshit t'ia mbajmë hundën të ngrehur...Mirëpo, sot, në shekullin XXI edhe bufi e di se, Njëshit, po t'ia ngresh hundën me furkë, i duket Shtatë ...Bota ka të papritura, miku im, por ajo nuk është aq e koklavitur dhe e ngatëruar sa na duket...Që kur u shemb kloni në kufi e morëm vesh se qeleshe të bardhë nuk mbajnë vetëm malet shqiptare, por edhe ato të Tibetit, Afganistanit e gjer tek imamët e kardinalët kudo nëpër botë. Ajo, (bota de!), është shumë e thjeshtëzuar, mjafton ta përjetosh...Teto Dabucka, personazhe romanesh, thotë se shumica e shkrimtarëve dhe poetëve janë "bythëverdhë"; nuk e kanë qejf e nuk e përballojnë dot punën e krahut si ata të Shqipërisë ashtu dhe të diasporës. Prandaj të shkruarat u dalin revoltuese e të trishtuara dhe nuk i këndojnë jetës, por vajtojnë veten e tyre për së gjalli...Ajo, mbase nga që kërkon të më marë me të mirë, e unë mos hedh vickëla në fcb, pranoi se, NJËSHIT, po t'ia ngresh hundën me furka, hunda i duket SHTATË. Kështu, tha, më ndodhi edhe mua, por jo me hundën. Nga që dëshiroja të dukem më e re, sepse do shkoja në një ceremoni festive, duke shkulur qimet e vetullave dhe ngrirjen e qerpikëve, që vetullat të më dukeshin më të holla e qerpikët si hala pishe, për pak do kisha verrbuar veten me dorën time dhe pinguinët do më shërbenin gjersa ta dridhja këmbën...Teto Dabucka sot pohoi se deri tani ka njohur vetëm dy shkrimtarë, që e hanë punën e puna nuk i ha; Xheku,(Londoni) dhe një tjetër, që jeton e punon nën saçin e nxehtë të Floridës... Më fal se i rashë ca si gjatë, miku im... Sonte, që ta dish, më kanë futur në listë që të recitoj dy poezi në takimin me poetë e shkrimtarë të Floridës. Mirëpo, ti e di, unë jam i turpshëm, nuk di të recitoj, sepse nuk kam bërë prova në fëmijëri e rini para pasqyrës. Kam dyshim se do më mjegullohen sytë nga sikleti e lotët mallëngjyese për dashurinë universale e do t'i ngatëroj strofat e vargjet...Pavarësisht se nuk besoj shumë tek ai që na shikon nga lart, tani që po të shkruaj, kam parandjenjën e mirë se Perëndia është me mua e do më ndihmojë; nuk do më meret goja e as do pohoj status-idera që nuk duartrokiten...Të siguroj, miku im, se atë, fenomenin e Njëshit që bëhet Shtatë, nuk do ta them. Por, nuk do pohoj edhe se poezinë lirike të shekullit që jemi e përfytyroj herë si nuse e veshur me fustan të bardhë, e herë si dhëndër i prapë, që shkel pellgashet ku është shumuar hëna...Të përshëndes nga larg, miku im, bromp! shëndet e mbarësi! (P.s.Këtu, në Florida, moti u freskua dhe në mot të tillë unë ngre dollira me raki shqiptare, por edhe me verë të kuqe Kalifornie. Është verë nga rrushi që e shtypin me këmbë të zbathura e ngritur fustanet mbi gjunjë, jo një apo shtatë, por njëmijë shtojzovalle kaliforniane!...Miku juaj, Thani.




(Thani Naqo ka lindur në vitin 1953, në Ziçisht të rrethit Korçë. Diplomuar ekonomist i lartë, ka mbaruar kursin pasuniversitar në Institutin e lartë të Arteve Tiranë në degën e skenarit kinematografik. Jeton në Florida të SHBA-së që nga viti 1997.



Botimet


Tregime e novela:

Shtëpia e përgjumur - 1977

Kabina e kuqe - 1985

Vatra njerëzore - 1987

Skenar i filmit artistik:

"Përsëri pranverë"

Roman "Përgjumje iluzionesh" - 2006

Libra me poezi:

Fate paralele - 2007

Çapkënët e mëhallave të botës - 2008

Simfonitë e stinëve - 2009

Etj.)

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...