Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/07

RRYMAT POLITIKE KATOLIKE SHQIPTARE


Dr. Hysamedin Feraj
Dr. Hysamedin Feraj
Përpjekjet e priftërinjëve shqiptarë për të ruajtur shqiptarësinë e klerit të kishës katolike në Shqipëri përballë prirjes së papës për të emëruar priftërinj të huaj, kryesisht sllavë përbëjnë një pjesë të madhe të dokumenteve të shek.XVII. Ndërkohë që prisnin një ndihmë të veçantë nga Papa për shkak se gjendeshin në pushtimin osman, priftërinjtë shqiptarë tregojnë zhgënjimin e madh të tyre nga politika e Vatikanit që emëronte priftërinj të huaj. Vetëm sa për ilustrim këtu po përmendim një prej tyre, memorialin drejtuar kardinalit Matej nga Nikoll Mekjashi dhe Nikoll Bardhi më 1602: “I përndrituri dhe i përnderuari zot. Nikoll Mekjashi dhe Nikollë Bardhi, për hir të zotit dhe të Selisë së shenjtë, peshkop të mbretërisë së Shqipërisë, priftërinjtë, fretërit dhe të parët e kësaj mbretërie, përvujtësisht i parashtrojmë zotërisë suaj të përndritur se si… Nga kjo ne si shërbëtor shumë besnikë, duke derdhur djersë vazhdimisht në vreshtin e perëndisë, prisnim të përqafoheshim, të ndihmoheshim, të përkraheshim dhe, nëse jo të shpërblyer në këtë botë, së paku të ishim të ngushëlluar nga ati i familjes dhe zevendësi i Jezu Krishtit në tokë. Por nga përvoja e vazhdueshme po shohim se po ngjet krejt e kundërta, sepse nga selia e shenjtë po trajtohemi si shërbëtorë të panevojshëm dhe pa asnë vlerë, meqë, pa i marrë parasysh statutet e shenjtëruara dhe ligjet e papëve të shenjtëruar, po na hiqet selia, kurora dhe së bashku me to edhe nderi, sepse pasi kemi shpenzuar të gjithë moshën tonë më të mirë, kur plakemi po dëbohemi si të padobishëm prej të mirave atërore dhe prej vendit ku zoti e natyra na kanë bërë të lindemi. Për këtë punë ne s’kemi mundësi tjetër veçse të ngrejmë padi dhe të ankohemi tek bariu më i lartë që lejon një poshtërim kaq të madh ndaj nesh…” (Dok. të shek. XII-XVIII për historinë e Shqipërisë, v.II. dok. 195).
Priftërinjë të huaj, kryesisht kroatë por edhe të kombeve e racave të tjera vazhdojnë të emërohen edhe sot e kësaj ditë nga Papa në kishat katolike në Shqipëri. Roli i tyre në përcaktimin e politikës së Vatikanit ndaj shqiptarëve është i rëndësishëm në masën që me raportimet e veta, me paraqitjen e situatave dhe përshkrimin e shqiptarëve e ndikojnë këtë politikë. Roli i tyre deri edhe lidhur me identitetin kombëtar duket veçanërisht në rastin e Janjevës ku kanë shërbyer vazhdimisht priftërinjë kroat dhe ku popullsia tani nuk e di mirë nëse janë shqiptarë apo kroatë, jetojnë me një identitet të dyzuar dhe të paqartë.
Panballkanizmi katolik shqiptar
Katolicizmi shqiptar është prirja e dokumentuar e një rryme të herëshme politike shqiptare panballkanike, ideja themelore e të cilës qëndron në idenë e bashkëpunimit të shqiptarëve me popujt e Ballkanit, para së gjithash fqinjtë sllavë-ortodoksë dhe grekë-ortodoksë kundër ‘armikut të përbashkët’ jashtëballkanik. Filozofia e kësaj ideje dhe programi politik më vonë u sintetizua nga autori i ‘Naçertanies’ së njohur si programi qeveritar serbomadh që drejtohej kundër territoreve dhe kombit shqiptar si dhe ndaj popujve të tjerë joserb në parullën “Ballkani ballkansve!”. Më vonë kjo rrymë do të përfshijë shumë shqiptarë dhe jo vetëm katolikët e, ndoshta ka ekzistuar edhe më parë. Por më e qartë, më e dokumentuar dhe më e hershme konstatohet tek një rrymë e katolicizmit shqiptar. Përballë saj dhe në ndeshje me te qëndron po ashtu një rrymë tjetër katolike që krijon njëfarë bashkëpunimi me armikun jashtëballkanik kundër armiqëve ballkanikë. Për t’i çuar shqiptarët tek serbët nga katolikët shqiptarë janë përdorë dy argumente kryesore (ka edhe të tjera po jo kaq kryesore), janë përdorë dy parulla ose porta mendore për tek serbët: ‘kristianizmi’ dhe ‘armiku i përbashkët osman’.
Përvijim i shkurtër
Për realizimin e projekteve kundër shqiptarëve nacional-shovinizmi serbomadh i shekujve të fundit ka gjetë shpesh bashkëpunëtor shqiptar. Kjo prirje bashkëpunimi është shumë e herëshme, ka një traditë të shumë shekujve më parë dhe këtë traditë e ka krijuar në mënyrë të veçantë një rrymë e katolicizmit shqiptar. Më vonë ai ka përfshi laik dhe njerëz të besimeve të tjera. Ajo mund të gjendet ndoshta tek këshilltari i Skënderbeut, Pal Engjëlli, për afrim të Skëderbeut me sundimtarët serb të Kosovës, dhe mund të gjendet para tij. Por raste ilustruese për panballkanizmin katolik shqiptar janë disa kuvende të mbajtura radhazi si kuvende gjithballkanike (panballkanike) ose ndërballkanike gjatë shekullit XVII. Kështu në një periudhë të shkurtër dhe intensive u mbajtën disa kuvende ndërballkanike: Kuvendi i I-rë në korrik 1614 në Kuç të Malsisë së Madhe, Kuvendi i II-të më 8 shtator 1614 po në Kuç, Kuvendi i III-të në Prokuplje (nën Serbinë) në nëntor 1616, Kuvendi i IV-të më 1620 ne Beograd. Në këto kuvende merrnin pjesë katolikët shqiptar e dalmatë dhe ortodoksët shqiptar (të ritit biznatin ose grek, siç thuhej, p.sh. mitropoliti i Durrësit), ortodoksët serbë (ndër të cilët p.sh. i njohuri antishqiptar, patriku i Pejës), malazezë, bullgarë, ‘maqedonas’, hercegovas etj. (HSH, I, 1959:363-364).
Në gjysmën e dytë të atij shekulli Pjetër Bogdani u bashkua në koalicion me serbët, austriakët dhe rusët kundër ‘armikut të përbashkët’ mysliman dhe osman duke tërheqë në këtë koalicion edhe një masë të madhe besimtarësh katolik. Në këtë koalicion Pjetër Bogdani u gjend krah për krah me patrikun e patrikanës serbe të Pejës, Arsenije i III-të Cërnojeviç, i njohur për propagandën dhe veprimtarinë e vet kundër shqiptarëve dhe për ortodoksizimin e katolikëve. Angazhimi i shqiptarëve në këtë luftë, duke pasë përballë një shqiptar tjetër, Qyprilinë, solli një rrënim të tillë të Kosovës nga të dy palët prej të cilit nuk e ka marrë veten as sot. Kështu, p.sh. Pikolomini, komandanti austriak i koalicionit dogji Shkupin: “Shkupi ishte qyteti dukshëm më i madh dhe më i pasur në rajon. Megjithatë mbasi arriti në përfundimin se ai nuk mund të mbrohej i vuri flakën gjithë qytetit dhe e tërhoqi armatën e tij të vogël në Kosovë” (Noel, 1998:146). Dhe se ‘deri nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë qytetet e Kosovës nuk do të ripërtrijnë nivelin e popullsisë që gëzonin para 1690-ës. Kështu p.sh. Prishtina më 1812 kishte vetëm pak mbi gjysmën e numërit të banorëve që kishte më 1680’ (Noel, 1998:177). Po ashtu u shkatërrua Prizereni që kishte madhësinë e Hamburgut të atëhershëm dhe shumë qytete të tjera.
Shteti serb që u krijua nga lëvizja nacionaliste serbe në shek. XIX e vendosi propagandën politike dhe politikën e përvetësimit të shqiptarëve në planet e veta shoviniste mbi baza shtetërore të organizuara strikt. Bazat e administratës agjenturore politike serbe i vendosi veçanërisht autori i programit nacionalshovinist qeveritar serb të njohur me emrin ‘Naçertanie’, kryeministri Ilia Garashanin. Njeriu i parë që rekrutoi agjentura shtetërore serbe për planet e veta antishqiptare ishte një prift katolik, abatin e Mirditës, Gaspër Krasniqi. Në emër të luftës për ‘kristianët’ dhe kundër ‘armikut të përbashkët’ osman, Gaspër Krasniqi mbante lidhje, merrte udhëzime dhe paguhej për veprimtarinë e tij sipas politikës serbe drejpërdrejtë nga Garashanini. Gaspër Krasniqi nuk mbeti një individ, por arriti të krijojë një rrjet priftërinjësh katolik shqiptar në shërbim të politikës serbe, natyrisht në emër të ‘patriotizmit’, luftës kundër ‘armikut të përbashkët’ të shqiptarëve dhe serbëve, armikut mysliman-osman. Kështu ai raporton se ka rekrutuar priftërinjë katolik në Shkodër (Pal Dodmasej), në Kalivore etj., duke krijuar, pra, rrjetin e klerikëve katolik në shërbim të Serbisë. Prandaj ka kuptim të flitet për rrjet priftërinjëshë katolik shqiptar në shërbim të politikës serbe. Po ashtu Krasniqi tërhoqi në bashkëpunim me shovinizmin serb edhe besimtarë katolik si prijësi i Mirditës Bibë Doda etj. (Brestovci 1983:81-90 etj.). Ndër besimtarët katolik për njëfarë kohe ishin tërheqë kah bashkëpunimi me shovinizmin serbo-malazez edhe Zef Jubani, ose figura të tilla që më vonë do të mbajnë qëndrim krejt të kundërt si Pashko Vasa etj.
Bashkëpunimi i një rryme të klerit katolik me nacionalshovinizmin serbo-malazez ndodhi edhe në rastet kur kjo politikë nuk ishte aspak e fshehur, kur ishte e hapur, e dhunshme njëlloj si në kohën e Car Dushanit dhe kur drejtohej hapur jo vetëm kundër myslimanëve, por edhe kundër vetë katolikëve si në rastin mbasi tokat e kombi shqiptar ishin coptuar nga serbo-malazeztë dhe kishte rifilluar dhuna ortodoksizuese ndaj katolikëve e myslimanëve shqiptar në vitin 1913. Kështu, arqipeshkvi i Tivarit, Nikolla (Dobretiq) Dobreci, u bashkua në fushatën ortodoksizuese të shqiptarëve katolik e mysliman që realizohej nga Mali i Zi në vitin 1913 ushtruar prej Savë Batares në terren me terror që s’mbahej mend që nga Car Dushani (Cana 1996:23 etj.).
Në Shqipërinë londineze po ashtu një pjesë e klerit katolik shqiptar vazhdoi bashkëpunimin me politikën nacionalshoviniste serbo-malazeze kundër shtetit dhe qeverisë shqiptare. Rasti më i dukshëm u bë veprimtaria e dom Lorenc Cakës (1926) që tërhoqi besimtarët katolik të Mbishkodrës në kryengritjen kundër qeverisë së Zogut, në bashkëpunim (i paguar) dhe sipas udhëzimeve të politikës serbe që synonte rrximin e Zogut nga pushteti (De la Roka 1994:137; Fisher 1996:200). De la Roka sjellë një argument të çuditshëm për të shfajsuar Cakën: ‘asnjë ipeshkv nuk guxon t’i përkrah kryengritësit, kështu që veprimi i tyre duket se në të vërtetë ishte shkaktuar nga pakënaqësia e bajraktërëve….’. Mirëpo këtë argument e hedhë poshtë vetë, sepse në faqen në vijim pranon se klerikët katolik ‘efektivisht ishin përzier në kryengritjen’ dhe në shënimin (33 f.180-181) për Cakën jep dëshmi të veprimtarisë së tij politike kundër Zogut.
Gjatë gjithë këtyre shekujve dokumentohet edhe rryma e kundërt e klerit katolik shqiptar, rryma që konsideronte sllavo-ortodoksët si armiq njëlloj të rrezikshëm sa osmanët ose më të rrezikshëm se osmanët për besimin katolik dhe kombin shqiptar. Veç Pjetër Budit, Nikollë Bardhit, Nikoll Mekjashit etj., etj., edhe një numër i madhe i klerit katolik shqiptar kundërshtoj me gjithë forcën e vet praktikat e papës për të mbushur kishat katolike në Shqipëri me priftërinjë sllav-katolik. Ata dëshmojnë se rreziku ortodoksizues dhe sllavizues i shqiptarëve mbeti i tillë edhe gjatë pushtimin osman dhe se shqiptarët e serbët nuk kishin një armik të përbashkët me serbët, por kishin dy armiqë: sllavët ortodoksë dhe osmanët.
Në shekullin XVI, në një letër dërguar (më 1578) në emër të 15.000 katolikëve të Kosovës tërhiqnin vëmendjen në rrezikun e islamizimit dhe ortodoksizimit të tyre. Në një raport tjetër të vitit 1599 theksohet rreziku që shumë besimtarë katolike t’i bashkohen kishës serbe dhe të ortodoksizohen. Në shekullin XVII, më 1664, Andrea Bogdani, i cilëson ortodoksët serbë si armiqtë më të rrezikshëm të katolikëve. Për të ardhë në shekujt e fundit (XIX-XX) kur Gaspër Krasniqi bëhej vegël e nacional-shovinistit Ilia Garashanin në emër të luftës së ‘kristianëve’ kundër ‘armikut të përbashkët’ osman, një tjetër abat po i Mirditës, Preng Doçi, bënte të kundërtën, i përcaktonte serbët si armikun kryesor të shqiptarëve dhe osmanët si më pak të rrezikshëm: “Turku nuk është armiku më i egër i Shqipërisë. Vendi vërtetë kishte vujatur tmerrësish nga turku, por Shqipëria nuk vdiq. Përkundrazi. Ndërsa tani është një armik tjetër, madje shumë më i egër se turku, një armik që po forcohej dita-ditës. Ky armik ishte sllavi. Rusia, me kishën e saj fanatike dhe me bandat e saj të egra serbe dhe bullgare, ishte gati të shkretonte Shqipërinë dhe t’i zhdukte njëherësh katolikët dhe myslimanët bashkë” (Durham 1990:351). Po ashtu besimtarë katolik dhe figura të shquara të Rilindjes Kombëtare si Pashko Vasa (i cili, siç u tha, në fillim kishte mendim tjetër) shkruan veprat e veta kryesore për të argumentuar se armiqtë kryesorë të shqiptarëve nuk janë osmanët dhe myslimanët, por sllavët dhe ortodoksët fqinjë, ide që u bë program i gjithë lëvizjes kombëtare shqiptare. Mbas coptimit të Shqipërisë e shqiptarëve, kur arqipeshkvi katolik i Tivarit, Dobreci, iu bashkua tmerreve malazeze për ortodoksizimin e shqiptarëve katolik e myslimanë, të tjerë klerikë katolikë iu kundërvunë deri në heroizma të dhimbshme, si rasti i Luigj Palajt të Gjakovës, që mbasi e masakruan duke i prerë gishtat për së gjalli, e therën më vonë me bajoneta, arqipeshkvi i Prizerenit, Lazër Mjeda etj. Ashtu si Prengë Doçi edhe një nga njerzit më të ditur të kohës, Gjergj Fishta, prift katolik mendonte se rreziku kryesor për shqiptarët kishin qenë serbët e jo osmanët: “Prej kësaj pikëpamje duhet thanë se shqyptarët gabuen e gabuen randë fort, tue u çue aso kohe kundra Tyrkijet; pse për ta do të kishte kenë dam fort ma i vogël me u vu nën zgjedhë të Tyrkut, se me kenë gri prej kristijanvet” (Shejzat, 1972, nr.5-8, f.192-93). Të tjerë klerik katolik shqiptar, dom Nikollë Mazreku, në vitet ’30 u ndeshen me qëndrime antishqiptare të klerikëve katolik si Kordinjano.
Pra, ndarja e madhe që i përshkoj gjithë shqiptarët lidhur me përcaktimin e armiqëve kryesor dhe dytësor e ka përshkuar edhe klerin katolik shqiptar, kishën dhe besimtarët shqiptar: ata që përcaktuan si rrezik kryesor osmanët dhe myslimanët bashkëpunuan në forma të ndryshme me serbët, malazeztë dhe ortodoksët, si mbështetësit e emrimeve nga Papa të klerit sllav në kishat katolike në Shqipëri, si ata që organizuan ose luajtën rol të rëndësishëm në kuvendet ndërballkanike, që nëshkruan marrveshje për zhvillimin e propagandës politike serbe ndër shqiptarët etj. Ose thënë ndryshe, nga njëra anë ekziston rryma e klerit katolikocentrik filoserb si Matija Mazreku, Pjetër Bogdani, Gaspër Krasniqi, Pal Dodmasej, Nikollë Dobrci, Loro Caka etj., etj., etj. Nga ana tjetër gjendet rryma e klerit katolik shqiptar dhe besimtarët katolik që përcaktonin si armik kryesor sllavët dhe ortodoksët si Pjetër Budi, Andrea Bogdani, Nikollë Bardhi, Gjergj Bardhi, Vaso Pasha, Preng Doçi, Luigj Palaj, Lazër Mjeda, Gjergj Fishta, Nikollë Mazreku etj., etj., etj.
Pse katolikocentrikët shqiptarë urrejnë Fishtën?
Pra, tani mund të jepet një përgjigje në pyetjen që u shtrua më parë se, pse një pjesë e katolikëve shqiptar e urrejnë Fishtën dhe i vënë eksploziv bustit të tij. Rryma katolikocentrike që gjithnjë ka bashkëpunuar me serbët e urren Fishtën dyfish: pse ishte antiserbo-malazez ndërsa ata ishin shërbëtor të tyre që paguheshin me para ose sende të tjera, dhe sepse ishte katolik që vinte kombin e jo fenë në qendër dhe kështu përcaktonte si armiq kryesor të shqiptarëve ‘kristianët’ sllavë e jo myslimanët osman e shqiptar. Rryma katolikocentrike urren edhe Pjetër Budin, edhe Vaso Pashën, edhe Preng Doçin, edhe Luigj Palaj dhe gjithë rrymën ‘etnocentrike’ të klerit katolik shqiptar. Në qoftë se nuk u kanë vënë të gjithëve dinamit si Fishtës, ose nuk kanë filluar fushatën e shpifjeve kundër tyre kjo është vetëm çështje rrethanash dhe se disa prej tyre mbahen si simbole nga gjithë kombi. Aq sa urrejnë Fishtën dhe klerin katolik antisllav, katolikocentristët lavdërojnë klerikët shqiptar që bashkëpunuan me serbët dhe armiqtë e tjerë të shqiptarëve, siç është Pjetër Bogdani që u bashkua me Arsenijen e III Cërnojeviç, austriakët dhe rusët. Prandaj Trakti bën thirrje hapur t’i bashkohemi rrugës së Pjetër Bogdanit d.m.th. sot p.sh. patrikut serb të Kosovës, Sava, ose Artemije kundër ‘armikut të përbashkët’ terrorizmit ‘islamik’ dhe njëkohësisht, sipas versionit zyrtar, e njëjta dorë i vë eksplozivin Fishtës.
Rryma e sotme katolikocentrike shqiptare është trashigimtare dhe vijuese e ndjenjave, mendime, praktikave, ideve e gjithçkaje (dikush do thoshte e gjithë qelbit) të rrymës politike katolike që bashkëpunoj me sllavo-ortodoksët dhe nacional shovinizmin serbo-malazez kundër shqiptarëve si komb e si fe për shekuj e shekuj me radhë nën parullën e ‘kristianizmit’ dhe ‘armikut të përbashkët’. Pra është një trashigimi e madhe, e gjatë, e ngarkuar me mesjetarizma dhe e pasuruar me urrejtjet ndërnacionale të kohës së re kundër shqiptarëve dhe veçanërisht myslimanëve që përmblidhet në lutjen e një prifti katolik shqiptar të shek. XVIII, Matija Mazrreku: ‘Ab albanensibus libera nos Domine’ (‘Nga shqiptarët na shpëto o Zot’) (Noel 1998:173).
Portat katolikocentrike për tek serbo-malazeztë
Siç u tha, për t’i çuar shqiptarët tek serbët nga katolikët shqiptarë janë përdorë dy argumente kryesore (ka edhe të tjera po jo kaq kryesore), janë përdorë dy parulla ose porta mendore për tek serbët: ‘kristianizmi’ dhe ‘armiku i përbashkët osman’.
‘Kristianizmi’ porta katolike për tek shovinistët serbë
Për të mënjanuar dallimin ndërmjet ortodoksëve (malazez, serbë, bullgarë, shqiptarë të ritit bizantin-grek etj.) dhe katolikëve, që deri atëherë kishte qenë burim luftërash e kryqëzatash të përgjakshme, përdorej emërtimi ‘kristian’ si emërtim i përbashkët kundër myslimanëve. Kështu duke heqë dorë nga përdorimi i termit ‘katolik’, priftërinjtë katolik shqiptar mendonin se hiqnin pengesat dhe hapnin rrugën për bashkëpunim me sllavët (serbët e malazeztë) kundër shqiptarëve (dhe boshnjakëve). Përdorimi i termit ‘kristian’ dhe heqja dorë nga termi ‘katolik’ tregon një prirje të fuqishme të klerit katolik shqiptar për të bashkëpunuar me sllavët, sepse përndryshe termi ‘katolik’ duhej të ishte shumë i rëndësishmë për ta meqenëse deri atëherë në emër të katolicizmit ishin kryer ‘luftërat e shenjta’, kryqëzatat pikërisht kundër ortodoksëve, kundër atyre me të cilët tani shtërngonin duart. Kjo braktisje e emrit të besimit të vetë, e emrit ‘katolik’ ndoshta mund të merret, pra, si tregues i një ndjenje tek kjo rrymë katolikësh më të fuqishme kundër islamit se i një dashurie për katolicizmin.
U tha se me përdorimin e termit ‘kristian’, priftërinjtë katolik shqiptar hapnin rrugën për bashkëpunim me sllavët (serbët e malazeztë) kundër shqiptarëve. Kjo do një sqarim të shkurtër: Bashkimi i serbëve ortodoksë me priftërinjtë dhe besimtarët katolik kundër myslimanëve nuk i bashkonte ata me shqiptarët kundër serbëve, sepse serbë mysliman nuk kishte. Serbët që islamizoheshin përjashtoheshin nga bashkësia, nuk konsideroheshin më serbë nga askush. Ndërsa priftërinjtë dhe besimtarët katolik duke u bashkuar me serbët e malazeztë ortodoksë nën emrin përbashkues të tyre ‘kristian’ kundër myslimanëve përbashkoheshin me serbët e malazeztë në radhë të parë kundër shqiptarëve sepse mysliman ishin shiptarët (dhe pak adminstratorë të sjellë nga osmanët).
Në kuvendet gjithëballkanike ndoshta kanë marrë pjesë edhe priftërinjë, që mund të klasifikohen si ‘etnocentrik’ në disa drejtime të tjera si p.sh. Pjetër Budi apo Nikollë Mekjashi të njohur për qëndresën ndaj emërimit të priftërinjëve katolik joshqiptar në kishat katolike në Shqipëri. Themi ndoshta sepse për pjesmarrjen e tyre nuk ka dëshmi të sigurta (p.sh. për pjesmarrjen e Budit në kuvendin e Prokupjes), por dihet me një siguri më të madhe se Budi ishte ngarkuar nga kuvendi i Prokupjes për të bindë Romën për mbështetje. Megjithëse mund të gjenden dëshmi që mund të interpretohen si zhgënjim i tyre, në qoftë se kanë marrë pjesë, atëherë kjo është një dëshmi se prirja panballkanike ka qenë mjaft tunduese për katolikët shqiptar.
‘Armiku i përbashkët’ porta katolikocentrike për dërgimin e shqiptarëve tek serbët
Ideja, besimi dhe parulla e ‘armikut të përbashkët’ të shqiptarëve dhe serbëve e malazezëve ka qenë një nga idetë, besimet dhe parullat më të fuqishme të klerit katolik shqiptar (dhe jo vetëm atij por p.sh. edhe i komunistëve shqiptar) për t’i çuar shqiptarët tek serbët e malazeztë, për t’i shtyrë besimtarët katolik të veprojnë sipas urdhërave, kërkesave dhe planeve nacional-shoviniste serbo-malazeze kundër interesave shqiptare. Një numër i madh kryengritjesh kundër osmanëve planifikoheshin, zhvilloheshin ose hiqej dorë nga zhvillimi i tyre sipas interesave të Serbisë dhe urdhërave që merrnin prej saj. Klerikët katolik të lidhur me Serbinë nevojën e kryengritjes ose heqjen dorë prej saj nuk e paraqisnin para besimtarëve katolik, ashtu siç ishte, si kerkesë të Serbisë, por si patriotizëm, si detyrë e luftës për çlirim nga ‘pushtuesi osman’, ndërsa Serbinë e paraqisnin vetëm si bashkëpunëtore kundër ‘armikut të përbashkët’. Edhe vetë Gaspër Krasniqi rrogën që merrte nga Garashanini e merrte në emër të ‘patriotizmit’ dhe etjes për çlirimin e shqiptarëve nga ‘armiku i përbashkët’ i shqiptarëve dhe serbëve.
Disa rrjedhoja të bashkëpunimit katolikocentrik me nacional-shovinizmin serb
Nga bashkëpunimi i gjatë i klerit katolik shqiptar dhe besimtarëve të tyre katolik me nacional-shovinizmin serbo-malazez u morën, u përbrendësuan dhe u bënë të tyre shumë ndjenja, besime, pikëpamje dhe ide të nacional-shovinizmit serbo-malazez. Ato janë pjesë e ndërgjegjes së një pjese katolike shqiptare.
Nga bashkëpunimi i gjatë i klerit katolik shqiptar me serbët u krijua, u forcua dhe u përbrendësua ideja e armikut të përbashkët që u përmend.
Nga bashkëpunimi i gjatë i klerit katolik shqiptar me serbët u krijua, u forcua dhe u përbrendësua ndjenja e fortë urryese ndaj myslimanëve në përgjitëhsi dhe myslimanëve shqiptar ne veçanti. Nacionalizmi serb (ashtu si ai grek) që luftoi për pavarësinë e Serbisë nga Perandoria Osmane dhe për krijimin e shtetit të pavarur serb e pushtimin e tokave shqiptare mori ngjyrime të forta fetare, të luftës së ‘kristianëve’ ortodoksë kundër myslimanëve ‘turq’. Lëvizja u zhvillua me parullën: “Lufta e kryqit kundër gjysmëhënës!’. Sapo shteti serb po hidhte hapat e parë u ndërmor prej tij programi i spastrimit të ‘Serbisë’ nga myslimanët. Që në fillim të shek.XIX Obrenoviçi i lavdërohet në një letër dërguar (më 1815) Petër Dobërncit se i kemi zhdukur myslimanët në qytezat e marra nga nacionalistët serbë. Dinastia e Obrenoviçëve ‘u nagazhua maksimalisht për pastrimin e Serbisë prej myslimanëve në përgjithësi. Në frymën e asaj politike, Milloshi që në vitin 1832 urdhëron që çdo shqiptari dhe çdo boshnjaku i cili kapet në territorin e Serbisë t’i mëshohen nga 25 të rame shkopi me pretekst se gjoja nuk kanë ditur të luftojnë për lirinë e tyre’. Millosh Obrenoviçi ‘urdhëronte që për t’i detyruar myslimanët të shpërngulen nga Serbia perëndimore të prëdorej edhe ushtria dhe t’u digjen fshtarat (Peruçac, Alluga, Buçja, Kozlla, Peq). Kjo edhe ngjau në vitin 1834, kur pjesa më e madhe e Serbisë perëndimore u dlirë nga myslimanët’ (Brestovci 1983:41-49). Marrdhëniet shqiptaro-malazeze ‘kanë qenë të ngjashme ma ato shqiptaro-serbe’ (Brestovci, 1983:49). Këtë urrejtje dhe veprimtari për ‘zhdukjen e myslimanëve’ e ka përvetësuar rryma katolikocenrtike shqiptare nga bashkëpunimi i gjatë dhe i ngushtë me nacionalizmin serbo-malazez, urrjetje të cilën e shpreh sot.
Nga bashkëpunimi i gjatë i klerit katolik shqiptar me serbët një pjëse e popullsisë shqiptare katolike i lidhi fatet dhe lojaliteitn e tij me serbët. Rast drastik është përvoja shekullore e Kelemndasve që për shekuj, derisa konfliktoheshin me malazezte për çështje të vogla si kufij arash e kullosash, viheshin nën urdhërat e tyre për ndërmarrje të rëndësishme politike e luftarake. Por edhe viset e tjera katolike si Mbishkodra dhe Mirdita, nën shtytjen e klerit katolik, shpesh u vunë në shërbim të projekteve luftarake e politike malazeze dhe serbe. Kështu për t’i ngritë katolikët shqiptar, veçanërisht Kelmendasit në luftë kundër osmanëve, perandori austro-hungarez Leopold I nuk i drejtohet ndonjë prifti shqiptar po patriarkut serb, të njohurit Arsenie III Cernojeviç, sepse mendonte se ai kishte autoritet mbi ta, ose thënë ndryshe katolikët shqiptar e njihinin si autoritet ndaj të cilit kanë detyrim të binden dhe t’i jenë besnikë: ‘Më 6 prill 1690, pernadori duke marrë parasysh propozimet e memorialit të Raspasanit, i drejton një letër patriarkut Arsenije III, me të cilën i kërkon të ndikoj me autoritetin e vet shqiptarët (e Kosovës) dhe ‘serbët’ të marrin armët kundër Perandorisë Osmane’ (Rizaj, 1996:72). Pra, dëgjueshmëria e besimtarëve katolik shqiptar ndja klerit ortodoks serb ishte e njohur për oborret mbretërore evropiane. Jo vetëm dëgjueshmërinë por katolikët shqiptar lidhën edhe shumë fate të tjera me serbët. Kështu bashkë me Arsenijen u larguan edhe një masë e madhe shqiptarësh, sidomos kelmendas, nga trojet e tyre dhe u vendosën në rajonet e Novi Pazarit, Peshterit etj., ku edhe sot gjenden mbeturina të tyre (Noel 1998:170). Numëri i kryengritjeve dhe veprimtarive në të cilat janë përfshirë një pjesë e madhe e katolikëve shqiptar sipas planit antishqiptar serbo-malazez është tepër i madh. Madje kryengritja e vitit 1911 p.sh. ishte aq e kontrolluar nga krajl Nikolla i Malit të Zi, ishte planifikuar prej tij, dhe ishte aq e sigurtë se nuk i del nga kontrolli dhe kthehet në dobi të shqiptarëve sa atë kryengritje vendosi ta përkrah edhe qeveria shoviniste greke e asaj kohe (Kondis 1997:30-31). Ndërsa në kryengritjen e vitit 1912 që nuk ishte planifikuar nga Serbia ose Mali i Zi këto krahina në shumicë katolike nuk u përfshinë.
Veprimtari të tilla të një pjese të madhe të popullsisë katolike shqiptare në rajonet shqiptare në Mal të Zi, të Mbishkodrës dhe Miriditës janë të shumëta gjatë gjithë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Ato nuk janë përmendë shumë nga kombi shqiptar, sepse në tërësinë e tij katolikët janë pakicë e vogël dhe nuk kanë luajtur ndonjë peshë të rëndësishme. Madje shumë pasoja negative i kanë pësuar vetë të parët. Kështu p.sh. mbas kryengirtjeve të viteve 1910 dhe 1911, ashtu siç ishte planifikuar dhe pritej nga krajl Nikolla i Malit të Zi, katolikët shqiptar jo vetëm u vranë, ç’armatosën etj., nga somanët por edhepërfunduan në gjirin e krajl Nikollës si refugjat duke u vënë kështu edhe më shumë në varësi të tij. Por në stilin përgjithësues që është thënë për ortodoksët se, “kristianët të ndikuem nga kleri orthodoks që ish i lidhun me Greqinë, çojshin krye sa herë që e kërkonte puna dhe interesi i grekëve’ (Shkodra 1959:57; Skëndi 1967), dhe në stilin që është thënë për myslimanët se ngriheshin në luftë sa herë e donte interesi i osmanëve për të ruajtur kufijtë e perandorisë dhe të vetët kundër coptimin nga serbët e grekët (Kondis 1997), ashtu mund të thuhet edhe për katolikët se “katolikët ngriheshin në luftë sa herë e kërkonte puna dhe interesi i nacional-shovinizmit antishqiptar serbo-malazez” (Feraj, 2002).
Veprimtari të sotme katolikocentrike
Katolikocentrizmi i sotëm shqiptar si vijues i kësaj tradite shekullore të bashkëpunimit me serbo-malazeztë ka trashiguar të gjitha këto karakteristika të saj: idenë e ‘armikut të përbashkët’ të shqiptarëve e serbëve, idenë e ‘kristianizmit’ si rrugë e bashkimit me serbët në luftë kundër shqiptarëve, ka marrë e ruan dhe ushtron antimyslimanizmin e kultivuar nga nacionalizmi serb, dëgjueshmërinë ndaj serbëve etj.
Kështu, katolikocentrizmi i sotëm, ashtu si ai shekullor, ka rimarrë formulën e ‘kristianizmit’ si rrugë për afrimin me ortodoksinë, para së gjithash atë serbe e greke kundër myslimanëve. Siç u tha, ‘kristianizmi’ ka qenë një nga ‘portat’ që ka përdorë tradicionalisht dhe në shekuj katolikocentrizmi për t’i çuar shqiptarët tek serbët dhe vendosjen e tyre nën komandën serbe. Heqja dorë nga emri ‘katolik’ si emër dallues nga ortodoksizmi dhe si emër kujtimesh të kryqzatave e luftrave shekullore kundër ortodoksizmit, përdorimi i emrit përbashkues ‘kristian’ (përballë mysliman) konstatohet qartë edhe sot. Raste të tilla janë p.sh. bashkimi para shumë vitesh i priftit katolik, Zef Pëllumbi, me ‘intelektualin’ ortodoks, Aurel Plasari, nën ombrellën e ‘kristianëve’ dhe shumë veprimtarive fetare-politike të tyre. Edhe Myftaraj në librin e tij ‘Nacional-islamizmi shqiptar baleta&feraj’ i përdor këmbyeshëm termat ‘katolik’ me ‘kristian’. Kështu ai herë ngulë këmbë se Evropa nuk i ndihmon shqiptarët pa u kthyer në katolik, herë thotë se duhet të kthehen në kristian. Po ashtu toskninë e lë si zonë ndikimi të Janullatosit dhe ortodoksisë greke, ndërsa kthimin në katolik e kërkon veçanërisht për gegninë që e sheh si zonë ndikimi të Vatikanit. Gjersa prej tij, tosknia lihet të zgjedhë vetë nëse do t’i bashkohet Greqisë (ortodoksisë) apo do të qëndroj brenda Shqipërisë, për gegninë nuk le shteg tjetër veç kthimit në katolik. Nga Myftaraj ravijëzohen qartas aleancat katolikocentrike dhe ortodokse-janullatiste për ndarjen e zonave të influencës dhe coptimin e Shqipërisë duke eliminuar rezistencën myslimane ndaj këtij coptimi përmes konvertimit të tyre në katolik dhe ortodoksë. Aleanca katolikocentrike me ortodoksinë duket edhe në aleancën e Berishës (mbasi i është nënshtruar katolikocentrizmit) me Nanon për fshirjen e 555 vjetëve histori dhe kthimin e shqiptarëve tek Perandoria Biznatine ku konkuronin vetëm katolicizmi me ortodoksinë pa praninë e myslimanëve. Derisa e paraqet Nanon si përfaqësues të ortodoksizmit, Berisha përpiqet për vete të marrë flamurin e katolicizmit. Trakti i shpërndarë në Kosovë e Shqipëri, po ashtu, drejtohet vetëm kundër islamizmit dhe myslimanëve, e mbështetë në heshtje ortodoksizmin kur nuk e përmend si një rrezik për shqiptarët dhe e mbështetë hapur duke thirrë shqiptarët të ndjekin shembullin e ‘patrikut’ katolik shqiptar, Pjetër Bogdani, që u bashkua me patrikun serb, Cërnojeviç, kundër myslimanizmit. Në qoftë se ndiqet shembulli i Pjetër Bogdanit sot kjo do të thotë të bashkohet Lush Gjergji, Mark Sopi etj., me atin Sava të serbëve të Kosovës, ose Artemijen, në luftë kundër myslimanëve, e kjo do të thotë shqiptarëve sepse serbë mysliman nuk ka. Në Shqipërinë londineze kjo do të thotë bashkim i Rrok Mirditës me Janullatosin, kundër ‘armikut të përbashkët’ të tyre, myslimanëve shqiptar, sepse mysliman grek nuk ka. Për Janullatosin që është grek kjo aleancë është shumë e dëshiruar, ndërsa Mirditës do t’i duhet të luftoj kundër bashkëkomabsve të vetë. Ky është problemi i bashkimit të shqiptarëve nën termin ‘kristianizëm’: për serbët e grekët është bashkim për luftë kundër shqiptarëve si një komb tjetër, ndërsa për shqiptarët është bashkim me serbët e grekët për luftë kundër bashkombasve të vet. Thënë ndryshe ky bashkim është gjithnjë në të mirë të serbëve e grekëve kundër shqiptarëve. Bashkimi nën termin ‘kristianizëm’ është njëkahësh: vetëm kunër shqiptarëve, por asnjëherë kundër nacionalshoviznizmit serbo-grek.
Porta tjetër, ‘armiku i përbashkët’ i serbëve dhe shqiptarëve, e përdorur në shekuj nga katolikocentrizmi shqiptar për t’i çuar shqiptarët tek serbët, po ashtu, është hapur dhe vënë në përdorim prej tyre edhe sot. Propaganda serbe e luftës kundër shqiptarëve, veçanërisht në prag dhe gjatë bombardimeve nga NATO e ka paraqitë myslimanizmin dhe myslimanët shqiptar si rrezik për Serbinë e gjithë Evropën, e ka paraqitë veten si mbrojtëse e kristianizmit evropian etj. Tani katolikocentrikët shqiptar u thonë shqiptarëve se edhe ata kanë këtë armik kryesor të përbashkët me serbët. Në vija të përgjithshme argumentimi i tyre thotë se qenia në shumicë e shqiptarve mysliman po përdoret për propagandë në favor të Serbisë, prandaj myslimanizmi dhe myslimanët janë vërtetë armik i Serbisë, por kështu po bëhen edhe armik i shqiptarëve. Si përfundim, shqiptarët dhe serbët kanë një armik të përbashkët: myslimanizmin. Me këtë hiqen pengesat për aleancë me serbët kundër një ‘armiku të përbashkët’ më të rrezikshëm, siç thuhej tradicionalisht, armikut osman dhe mysliman. Mbi këtë bazë shkohet lehtë tek ideja se nuk është marrdhënie e natyrshme konflikti shqiptaro-serb, po aleanca shqiptaro-serbe kundër armikut të përbashkët mysliman ne emër të vlerave perëndimore ‘kristiane’. Fakti që ‘kristianët’ perëndimor bombarduan ‘kristianët’ lindor për të mbrojtë ‘myslimanët’ shqiptar (dhe boshnjak) e përgënjeshtron argumentin katolikocentrik. Por katolikocentrikët dallohen, ndër të tjera, nga vetë fakti se përpiqen të gjejnë ‘armikun e përbashkët’ të shqiptarëve dhe serbëve. Për ta nuk ka rëndësi nëse shqiptarët dhe serbët kanë vërtetë ndonjë armik të përbashkët, ai mund të jetë real ose imagjinar, por kryesore për ta është të shtyhen shqiptarët të mendojnë gjithnjë për të gjetë një ‘armik të përbashkët’ e të hyjnë në alenacë me serbët kundër tij. Kriteri për t’i dalluar katolikocentrikët është i lehtë: ata përpiqen të gjejnë ose të sajojnë një armik të përbashkët të serbëve e shqiptarëve.
Trashigimia tek katolikocentrizmi i sotëm shqiptar i ndjenjave antimyslimane të nacionalizmit serbo-malazez (dhe grek, Raça 1990) të shekujve XVIII-XIX e më vonë dëshmohet edhe në ndjenjat e forta të urrjetjes ndaj myslimanëve. Numëri i madh i artikujve të botuar në shtypin shqiptar gjatë këtyre viteve nuk mund të përmendet këtu. Këtu mund të ilustrohet vetëm me rastin e Myftarajt. Urrjetja tipike katolikocentriste shqiptare e marrë nga nacional-shovinizmi serb (dhe grek) shprehet veçanërisht në traktin e shpërndarë në Kosovë e Shqipëri dhe në librin e Kastriot Myftarajt ‘Nacional-islamizmi shqiptar baleta&feraj’ në të cilat islami sulmohet në atë mënyrë që për të nxitë urrjetjen kundër tij shpifet, fallsifikohet kurani etj., vetëm për të arritë qëllimin që nuk mund të arrihet ndryshe. Kështu, në librin e vet Myftaraj thotë se Kurani jep porosinë për të vrarë të gjithë jomuslimanët: ‘Kurani thotë për jomuslimanët: ‘I vrisni kudo që t’i gjeni’ (f.266). E vendosur në thonjëza duket sikur shprehja është marrë nga kurani, por kurani nuk e përmban këtë urdhër. Sipas Myftarajt që kërkon kthimin e shqiptarëve në katolik, besimi islam është fashist (f.111), totalitarist (po aty), fe e poshtnimit njerëzor (f.102), bota shpirtërore dhe shoqërore e myslimanëve është barabare (f.120) etj., etj. Ky fjalor vjen drejtpërdrejtë nga kryqzatat mesjetare dhe nacional-shovinizmi serbo-grek i shekujve XVIII-XIX-XX.
Siç shihet, pra, në çdo vështrim mund të konstatohet e dëshmohet qartë se katolikocentrizmi i sotëm shqiptar, propaganda dhe veprimtaria masive e intensive dhjetëvjeçare deri tek shpërndarja e traktit në Kosovë e Shqipëri, e librit të Kastriot Myftarajt ‘Nacional-islamizmi shqiptar baleta&feraj’ dhe shpërthimi i eksplozivit tek busti i Fishtës në Shkodër është vazhdim i një rryme katolike shqiptare bashkëpunëtore shekullore e serbo-malazezvë me mbështetës, frymëzues dhe urdhërues në Vatikan. Nga ky bashkëpunim, siç u tha, katolikocentrizmi mori: a) urrejtjen karakteristike të nacionalizmit serbo-malazez kundër myslimanëve shqiptar, b) besimin në ‘armikun e përbashkët’ të shqiptarëve e serbëve, c) veprimin sipas planeve serbo-malazeze kundër ‘armikut të përbashkët’ veçanërisht kunër myslimanëve, d) përbashkimin me ortodoksët serbo-malazezë nën emrin e përbashkët ‘kristian’ kundër myslimanëve shqiptar etj., etj.
Katolikocentrizmin e kanë lënë mendtë
U tha që në fillim se me veprimtarinë e tij katolikocentrizmi po dëshmohet si një rrymë iracionale, ose siç thuhet në popull: me mendje të dalun. U tha se katolikocentrizmin e sotëm shqiptar e kanë lënë mendtë jo pse kërkon që besimtarët e besimeve të tjera të kthehen në katolik, por sepse: a) është më agresiv se e ka fuqinë dhe, b) se konvertimin e shqiptarëve në katolik përpiqet ta legjitimoj me arsyen kombëtare. Tani mbas shtjellimit të shkurtër që ju bë kësaj rryme në ecurinë e vetë hsitorike është më lehtë të kuptohet ky iracionalizëm.
Agresiviteti vetërrezikues
Fondamentalizmi katolikocentrik është më agresiv, më cinik, dhe më provokues se ai ortodoks në Shqipëri. Në qoftë se me agrsivitetin, cinizmin dhe provokimet e veta nuk ka çuar në një reagim të ashpër ndaj tij dhe në luftë fetare, kjo ka ndodhë kryesisht se përfaqëson një pakicë jo shumë të rëndësishme në tërësinë e kombit shqiptar. Por duket sheshit se po të ishin më shumë, ta zëmë sa ortodoksët, katolikët shqiptar me kohë do ta kishin shndërruar Shqipërinë në Liban, Irlandë etj., shkurt do ta kishin shndërruar Shqipërinë në fushë kaspahanesh fetare.
Por, ashtu, të pakët siç janë, katolikët për këtë pafuqi të tyre, nga shumica e kombit, madje, janë parë gati si gjynah (për t’u mëshiruar) dhe prandaj as nuk është krijuar ndonjë ndjenjë veçanërisht dyshuese dhe e keqe për ta, as nuk është ndërmarrë ndonjë fushatë kundër tyre. Provokimi, agresivitieti, ligësia, pamëshira e përqëndruar në këtë rrymë katolike është në disproporcion të jashtëzakonshëm me madhësinë e tyre. Prandaj mund të thuhet se një koncentrim kaq i madh i të keqes sa në këtë rrymë katolike nuk gjendet në asnjë tjetër. Cinizmi i tyre e kalon shfaqjen e çdo besimi tjetër fetar në fushën e politikes. Megjithatë, një qenie e tillë kaq e ligë, edhe pse shumë e egër dhe agresive zakonisht nuk ngjallë frikë po neveri kur e sheh se si e ha veten nga inati se është e pafuqishme të realizoj ligësinë e vet.
Ky qëndrim neveritës, megjithatë është e zakonshme sa kohë që kombi e përjeton katolikocentrizmin si të parrezikshëm seriozisht për të tërën. Por në qoftë nga kombi përjetohet se katolikocentrizmi po rrezikon të tërën, atëherë qëndrimi i të tërës ndaj kësaj pakice të rrezikshme mund të jetë i ashpër. Jo rrallë me bashkëpunimin e vet dhe me vënjen në shërbim të Serbisë, Greqisë dhe Vatikanit katolikocentrikët u kanë sjellë tragjedi katolikëve shqiptar, por kanë rrezikuar edhe gjithë kombin. Në qoftë se e tëra ndjehet e rrezikuar seriozisht, atëherë pakicën katolikocentrike, cinike, agresive e provokuese nuk do të mund ta mbrojnë nga dëmtimet e rënda as gjithë armët bërthamore të ‘kristianëve’. I gjithë kombi shqiptar do të rrezikohet e dëmtohet shumë nga një ndeshje fetare, por edhe vetë katolikocentrikët do të dëmtohen për shumë arsye:
‘Më katolik se papa’
Katolikocentrizmi shqiptar paraqitet më katolik se papa. Kështu kur Shqipëria u pranua në Organizatën e vendve islamike, katolikocentrikët ‘laik’ reaguan ashpër, veçanërisht Frrok Çupi, Preç Zogaj etj., etj. Shqipëria u pranua në organizatën e vendeve islamike rreth një muaj para vizitës së papës së katolikëve në Shqipëri. Derisa papa nuk shfaqi asnjë rezervë p.sh. duke e shtyrë pak vizitën etj., katolikocentrikët reaguan vrazhdë ndaj këtij antarësimi.
Derisa papa ka pranuar si gabime të kishës katolike dhe ka kërkuar falje për kryqëzatat, inkuizicionin, djegien e plakave dhe shkencëtarve në turrën e druve, ka kundërshtuar bombardimet amerikane në Afganistan, ka bërë thirrje për bashkëjetesë paqësore ndërmjet besimeve fetare, ka pritë presidentin iranian etj., etj., katolikocentrikët shqiptar duke dalë ‘më katolik se papa’ nuk pranojnë asnjë gabim të kishës katolike duke dalë hapur në kundërshtim me qëndrimet e Vojtilës.
Qëndrimet e veta të kundërta me Vojtilën, katolikocentrikët i arsyetojnë si qëndrime në fakt në përputhje me vullnetin dhe dëshirat e tij, por që ai nuk mund t’i shpreh hapur. Pra sipas tyre, papa bën demagogji (thënë ndryshe është demagog), por realisht dëshiron dhe vepron çka dëshirojnë dhe si veprojnë katolikocentrikët. Kështu, duke komentuar deklaratat antimyslimane të Oriana Falaçit, Kastriot Myftaraj, argumenton se: “ndonëse shumësia e perëndimorëve shprehen në eufemizma përsa i përket rrezikut islam, asht e qartë se ndjenja reale asht ajo që shprehu Fallaci” (f.176). Sipas tij pra, gjithë perëndimorët ‘kristian’ duke përfshi edhe Vojtilën, mendojnë si Falaçi dhe kanë ndjenjat e saj kundër islamit, ndyrësisë, barabarisë së tij etj.,, por i fshehin këto ndjenja.
Po ashtu edhe vizitën e papës në Shqipëri në vitin 1993, Myftaraj e përshkruan krejt në kundërshtim me deklarimet e qëllimeve të vizitës nga vetë papa, duke e paraqitë qëndrimin e tij si demgagji. Sipas Myftarajt, papa Vojtila kishte ardhë në Shqipëri për të vazhduar kryqazatat mesjetare, kishte realizuar një vizitë që kishte mbetë pa u bërë nga papa Piu II shumë shekuj më parë. Në librin e tij “Një shenjëtore për rekonkuisten shqiptare” (1998), Myftaraj shkruan për vizitën e papës Vojtila: “ai papë i përgjunjur në më të shenjtin vend të hapsirës shqiptare nuk mund të të mos të sillte ndërmend imazhin e një pape të hershëm, Piut të II, i cili 529 vjet më parë ishte nisur të vinte në Shqipëri në krye të një kryqate evropiane, e cila do ta shpëtonte vendin që me shpirt nën dhëmbë ishte duke i qëndruar Dar al Islamit që donte ta gëlltiste” por nuk kishte arritë në Shqipëri dhe: “Ajme!…Ajme. Dar al Islami e kishte gëlltitur pothuajse krejt vendin (Shqipërinë, H.F.) në intervalin ndërmjet nisjes së njërit pontifik dhe mbërritjes së tjetrit”. Ky interpretim është në kundërshtim me qëllimet e shpallura nga papa, dhe e nxjerrë papën demagog gënjeshtar, por është identik me interpretimet që iu bënë nga kleri fondamentalist ortodoks grek (dhe rus) vizitës së papës në Greqi, Ukrainë etj., pikërisht si diversion dhe vijim i kryqëzatave kundër ortodoksisë (shih p.sh: Levantis, ‘Karvan’, nr.2, 2002, f.33-34).
Nuk mund të thuhet me siguri nëse interpretimi katolikocentrik dhe i Myftarajt është i vërtetë apo i gabuar: ndjenjat e veta të fshehta mund t’i publikoj Vojtila.
Këtu vetëm mund të nxirret një përfundim duke marrë rastin kur intepretimi i Myftaraj për qëndrimin e perëndimorëve, duke përfshi edhe papën, është i saktë, pra duke marrë rastin më të favorshëm për te. Atëherë, në qoftë se perëndimi, pra, mendon si Falçi por sillet ndryshe me demagogji, kjo do të thotë se ka një arsye, ka një shkak që e shtynë t’i fsheh ndjenjat e veta të vërteta dhe veprimet e veta të dëshiruara. Nga ky fakt del se katolikocentrikët rrezikojnë veten dhe besimtarët e tyre katolik duke provokuar kombin shqiptar, sepse në qoftë se katolikocentrikët e bëjnë kombin të ndjehet i rrezikuar prej tyre dhe e tëra fillon të veproj kundë tyre, atëherë ‘kristianët’ perëndimor mund të vazhdojnë të bëjnë ‘demagogji’, të flasin me ‘eufemizma’ ndaj islamit shqiptar dhe të mos i mbrojnë sa duhet katolkocentrikët shqiptar. Ato arsye që e shtyjnë tani të bëj demagogji e të sillet ‘me kulturë e maturi’ ndaj islamit sot, mund të vazhdojnë të veprojnë edhe kur të rrezikohen katolikocentrikët shqiptar. Pra, në qoftë se është e vërtetë çka thotë Myftaraj dhe përshkrimi i papës si demagog, atëherë kjo është një nga arsyet që katolikocentrizmi është iracional dhe rrezikon veten për shkak të agresivitetit kundër tërësisë kombëtare pa pasë fuqinë që i përgjigjet këtij agresiviteti. Realcionet e priftërinjëve shqiptarë gjatë shekujve XVI-XVIII janë të mbushura me lutjet e priftërinjëve shqiptar drejtuar papës me kerkesat për t’i ndihmuar më shumë se të tjerët sepse katolikët shqiptar ndodheshin në një situatë të veçantë, nën sundimin islam e jo si katolikët e tjerë evropian që ishin të lirë (Shihni se janë të botuara disa vëllime). Por Papët më shumë ndihmonin katolikët evropian të lirë se katolikët shqiptar nën sundimin osman-mysliman dhe relacionet shtoheshin. Papa bënte politikë me myslimanët. Nuk do të ishte e dobishme për katolikocentrikët shqiptar t’i shtojnë vëllimet e dokumenteve për Shqipërinë me relacione e lutje të tilla në shekullin XXI. Papa prap mund të bëj politikë me myslimanët.
Për më tepër mbrenda vetë klerit katolik shqiptar gjithnjë ka ekzistuar edhe një rrymë kundërshtare e katolikocentrikëve, një rrymë që vlerësonte kombin shqiptar dhe e vinte atë në qendër. Edhe ky është një faktor që rrezikon katolikocentrikët shqiptar dhe besimtarët e tyre katolik, sepse kleri katolik shqiptar mund të mos dalë unik kundër shqiptarëve të besimeve të tjera. ‘Kristianët’ perëndimor mund të bëjnë ‘demagogji’ dhe të mbështesin klerin katolik ‘të moderuar’, ‘paqësor’etj., kundërshtar të katolikocentrikëve, ekstremistëve fetar etj., ndoshta për arsyen e shmangies së ndeshjes me islamin në prag të shtëpisë, në Evropë, për të realizuar konfliktin më largë, në Azi e ndoshta në Afrikë etj. Shkurt, ekzistenca e një rryme klerikësh katolik shqiptar me prirje kombëtare e ulë edhe më shumë fuqinë e katolikocentristëve, heq edhe më shumë mbështetjen ‘perëndimore’ dhe e vendos edhe më në rrezik pjesën e katolikëve që i bashkohen rrymës agresive, fondamentaliste, cinike katolikocentriste.
Nga rryma katolikocentriste e ndjenë veten të rrezikuar gjithë kombi, sepse me idetë e tij të shfaqura deri tani duket se prekë të gjithë kombin. Së paku si shfaqet në librin e Myftarajt ai prek edhe interesat e ortodoksëve nacionalist shqiptar sepse propozon që Shqipëria e Jugut t’i bashkohet Greqisë, prek edhe myslimanët e të gjitha krahinave, prek edhe laikët, ateistët dhe jobesimtarët e ndryshëm që dëshirojnë ruajtjen e kombit shqiptar e bashkimin e tij etj., etj. Kështu ai deri sa bën për vete ortodoksët (dhe jobesimtarët) filogrek kthen kundër vetes një pjesë të klerit katolik, gjithë myslimanët besimtar, ortodoksët me prirje shqiptare, nacionalistët etj. Të gjitha këto janë vetëm disa nga arsyet pse katolikocentrizmi është iracional në kuptimin se tregohet më agresiv se sa e ka fuqinë.
Iracionaliteti i ‘arsyes kombëtare’ katolikocentriste
Katolikocentrizmi shqiptar është iracional jo vetëm pse tregohet më provokues e agresiv se e ka fuqinë dhe kështu rrezikon veten, por edhe se kërkesën e vet përpiqet ta legjitimoj me ‘arsyen kombëtare’ shqiptare. Ne shqetësohemi dhe bëjmë thirrje që kombi të kthehet në katolik, arsyetojnë ata, sepse përndryshe bota e fuqishme dhe e zhvilluar perëndimore nuk na përkrah.
Iracionaliteti i këtij argumenti është i dukshëm praktikisht dhe logjikisht, por këtu do të përmenden vetëm disa momente pa e zhvilluar me plotë këtë argument. Praktikisht është iracional, sepse, siç u tha, perëndimi i zhvilluar dhe i fuqishëm ka ndërhyrë me armë në mbrojtje pikërisht të dy popujve në shumicë myslimane në Ballkan: boshnjakëve dhe shqiptarëve, pikërisht nga një popull ‘kristian’ dhe që luftonte kundër ‘rrezikut islam’ ndaj perëndimit, Serbisë. Aleanca më e fuqishme ushtarake në hsitornë njerëzore, aleanca më e fuqishme ‘kristiane’ në historinë e njerëzimit, NATO, veprimin e parë ushtarak në historinë e vetë gati 50 vjeçare, promovimin e vet e bëri në mbrojtje të një populli në shumicë myslimane, pikërisht të kombit tonë kundër një agresori ‘kristian’ ortodoks. Ajo mund të zhvilloj edhe shumë luftëra të tjera, ose mund të shpërbëhet, por në historinë e saj mbtetet fakti se luftën e parë e bëri për të mbrojtë një popull në shumicë myslimane. Kjo provon edhe një gjë tjetër: se temri ‘kristian’ për të mbuluar bashkimin e katolikëve me ortodoksët nuk funksion në pernëdim, por është porta, mjeti, emri me të cilin vetëm katolkocentrikët shqiptar dhe jo ‘kristianët erëndimor historkisht dhe aktualisht janë përpjekë të mbulojnë bashkëpunimin e tyre me ortodoksinë serbe e greke. Argumenti i ‘arsyes kombëtare’ i përdorë nga katolikocentrizmi është iracional edhe logjikisht, ndër të tjera, sepse Evropa e sotme nuk është mesjetare e udhëhequr nga arsyeja fetare por udhëhiqet nga interesat kombëtare. Evropa vetë nuk është katolike, por protestane, luterane, anglikane, ortodokse, edhe katolike dhe myslimane. Ndërrimi i fesë vetëm për të marrë pare nga Evropa, siç u këshillojnë katolikocentrikët shqiptarëve duke filluar me Kadarenë e deri tek Myfataraj dhe trakti, do t’i paraqiste shqiptarët më shumë si ateistë që nuk e kanë problem besimin dhe e ndërrrojë fenë sa herë t’iu nevojitet para, se sa si katolik. E ndoshta për një besimtar më i mirë është një njeri që beson diku, qoftë edhe një fe kundërshtare se një ateist. Ndërrimi masiv i fesë, edhe sikur të kenë të drejtë katolikocentrikët, kërkon një periudhë tepër të gjatë kohore, ndoshta shekullore dhe deri atëherë shqiptarët jo vetëm nuk do të marrin mbështetjen perëndimore e do të mbeten të pazhvilluar, por kur të jetë përfunduar konvertimi nuk dihet nëse do të jetë më i dobishëm dhe në përputhje me qëllimin sepse rrethanat mund të kenë ndryshuar dhe qytetërime të tjera mund të jenë fuqia botërore për përkrahjen (paratë) e të cilave mund të kemi nevojë etj., etj.
Ab katolikocentrismus libera nos Domine
Deri tani, siç u tha, zakonisht, por jo gjithnjë, katolikocentrizmi më shumë se me urrejtje është parë me neveri. Përgjitësisht ka mbizotëruar mendimi se nuk është mirë, nuk ëshë e dobishme që feja të politizohet dhe për këtë një numër i madh argumentesh janë përpunuar edhe në Evropë gjatë iluminizmit dhe kalimit nga mesjeta në modernen. Vlera e vetme e pranuar gjërësisht në botë si karaktersitike shqiptare, toleranca fetare, synohet të shkatërrohet nga katolikocentrikët duke e politizuar fenë. Argumentet e zhvilluara gjatë kalimit nga mesjeta në modernen dhe praktikat e ndarjes së fesë nga politika, e lënejs së besimtarëve në vullnetin e vet të lirë për të zgjedhë fenë., e kufizimit të instituciineve fetare në afrimin e shërbimeve besimtarëve dhe në shoejgimin e epërsive të fesë që u këshillohet janë treguar racionale, të dobishme praktikisht, zbutëse të konfliketeve, shamngëse të tragjedive e masakrave etj.
Megjithatë në qoftë se katolikocentrikët e politizojnë fenë duke iu drejtuar kombit, duke iu drejtuar shqiptarëve që të katolicizohen, atëherë kombi bën thirrje për shqiptarizimin e katolicizmit. Myslimanët shqiptar nuk kanë qendër të huaj që i drejton. Ortodoksët shqiptar me sakrifica të mëdha e kanë krijuar kishën e pavarur shqiptare. Vetëm katolikët nuk janë pavarësuar dhe vazhdojnë t’u mbeten besnik të huajve. Pra, katolikocentrizmi, kjo qenie e pështirë me kaq mllef e vner të grumbulluar në shekuj, që bren veten nga mllefet e grumbulluara në trupin e vet të dobët deri tani kryesisht është parë nga kombi me pështirosje dhe njëfarë mëshire për te, por mund të shihet edhe si rrezik Parulla e katolikocentrizmit (bashkë me serbët e grekët) ka qenë lutja e Mazrrekut: ‘Ab albanensibus libera nos Domine’ (‘Nga shqiptarët na shpëto o Zot’). Por parulla dhe lutja e shqiptarëve mund të bëhet: ‘Ab katolikocentrismus libera nos Domine’ (‘Nga katolikocentristët na shpëto o Zot’)
Fondamentalizmi katolikocentrist po bëhet secilën herë më iracional ndër shqiptarët ose thënë më popullorçe, katolikocentrizmin po e lënë mendtë.E kane lënë mendtë jo pse ben thirrje që njerëzit me përkatësi të tjera fetare të kthehen në katolikë, sepse përfaqësuesit e çdo besimi i ftojnë të tjerët të përqafojnë besimin e vet. Por e kanë lënë mendtë, së pari, sepse tregohet më agresiv se e ka fuqinë e kjo i kthehet si bumerang në dëm të vet dhe, së dyti, sepse këtë thirrje përpiqen ta arsyetojnë më një ‘reason d’nation’, më arsye kombetare.
Prandaj, në këtë shkrim do të tregohet në vija mjaft të përgjithshme se si brenda katolicizmit në shekuj ka ekzistuar një rrymë politiko-fetare që u ka sjellë dëme të mëdha shqiptarëve; se veprimtaria e sotme katolikocentriste është vazhdim i kësaj rryme; se si përpjekja për të legjitimuar veprimtarinë e vetë me ‘arsyen kombëtare’ është krejt iracionale etj. Por para se të shqyrtohen këto çështje me rëndësi të madhe për jetën e shqiptarëve, nga konceptimi dhe qëndrimi ndaj të cilave varet shumë nëse shqiptarët do të bëjnë një jetë më të mirë apo edhe më të keqe le të fillohet si hyrje me një dukuri të çuditshme të ditëve më të fundit.
Çuditja me të çuditurit
Për median, analistët, ‘intelektualët’ dhe forcat ‘politike’ në Shqipëti u duk si një çudi, si një rrufe në të kthjellët shpërndarja e një trakti antimysliman në Shkodër dhe një shpërthim pranë bustit të Gjergj Fishtës. Por, për t’u çuditur është vetëm me këtë çuditje të ‘politikanëve’, ‘analistëve’, ‘intelektualëve’ dhe medias shqiptare. Në Shqipëri ka dhjetë vjet që shpërndahen ‘trakte’ si ky që u shpërnda në Shkodër, shpërndahen legalisht në dhjetramijë kopje, në gjithë vendin, në gazetat e forcave kryesore ‘politike’ dhe në gazetat ‘e pavarura’, shkruhen e shpërndahen libra qindra faqesh e mijëra kopjesh, transmetohen emisione televizive e radiofonike.Veç disa intelektualëve dhe veprimtareve të rrethuar rreth ‘Rimëkëmbjes’, dhe veçanërisht kryetari i saj, Abdi Baleta, ndaj kësaj fushate antimyslimane nuk ka kundërvepruar gati askush. Ndërsa tani ‘analistët’, ‘intelektualët’, media, ‘politikanët’çuditen e bëjnë zhurmë për një trakt të shpërndarë ilegalisht, vetëm në një qytet dhe vetëm në disa qindra, ndoshta mijëra kopje.
Në trakt nuk ka ansjë ide dhe as intensitet urrejtjeje e konfliktualiteti më të madh se në artikujt e gazetave, librat, emisionet e medias elektronike që të ngjallin reagim më të madh se këto. Trakti bën thirrje për kthimin masiv të shqiptarëve në katolik ‘për arsye kombëtare’; nxitje urrejtjeje ndaj islamit si besim; e lidh islamin me dhe institucionet e tij (xhamitë etj.) me terrorizmin, ‘fondamentalizmin islamik’; glorifikon disa figura katolike; bën thirrje të largohen nga figurat qëndrore të nacionalizmit shqiptar e të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit si Ymer Prizereni, Sami Frashëri etj.
Por të gjitha këto ide e thirrje dhe, me po kaq intensitet urrejtës janë shfaqë legalisht, publikisht, në gazeta, libra, media elektronike etj., që dhjetë vjet në Shqipëri. Trakte si ky dhe ide si këto janë shkruar nga shkrimtarë, studiues, politikanë, gazetarë të njohur e të panjohur. Kështu thirrjen për kthimin masiv të shqiptarëve në katolik, ashtu si në trakt, ka mbi dhjetë vjet që e ka bërë Ismail Kadare. Ai është pasuar nga një varg pasuesish të njohur e të panjohur. Ashtu si trakti, edhe Kadare edhe pasuesit e tij janë përpjekë të legjitimojnë thirrjen prozelitike me ‘arsyen kombëtare’: se Evropa nuk na mbështetë pa u kthyer në katolik. Trakti, siç u tha, e lidhë besimin islam dhe institucionet e tij me terrorizmin ‘fondamentalist islamik’. Por këtë e ka bërë gati që dhjetë vjet më parë Neshat Tozaj në gazetën ‘Zëri i Popullit’ (10.1.1995) në artikullin “Shqipëria një depo municioni islamik?” dhe para tij kjo ka qenë propagandë e përditshme e shtypit në Shqipëri.
E gjithë kjo propagandë antimyslimane është përmbledhë e shpërnda në Shqipëri në një libër prej 330 faqesh të shkruar nga Kastriot Myftaraj: “Nacional-islamizmi shqiptar baleta&feraj”, dhe është vënë në qarkullim njëkohësisht me hedhjen në qarkullim të traktit në Kosovë. Ngjashmëria ndërmjet traktit dhe librit është fantastike. Ashtu si trakti, edhe libri e lidhë besimin islam me terrorizmin.
Ashtu si trakti edhe Myftaraj bën thirrje për konvertim masiv të shqiptarëve (gegë) në katolik duke e bazuar në ‘arsyen kombëtare’, sepse Evropa nuk i përkrah shqiptarët pa këtë konvertim. Shqiptarët ndodhen para alternativës: “ose islamin, ose shtetin e bashkuem nacional shqiptar” (f.91). Ashtu, dhe më vrazhdë se trakti, libri fallsifikon dhe sulmon përmbajtjen e islamit. Sipas traktit “feja islame është fe e dhunës, krimit, drogës, prostitucionit dhe prapambeturisë”. Sipas Myftarajt feja islame është fe e poshtnimit njerëzor: “Që islami është fe e poshtnimit njerëzor, kjo kuptohet dhe nga fakti që ajo ka adoptu për ritin e faljes, ranien përmbys” (f.102). Po ashtu sipas Myftarajt feja islame është totalitariste dhe fashiste: “Islami në thelbin e vet asht një fe totalitariste (f.110 etj.) dhe fashiste (ff. 111-112). Ashtu si trakti edhe libri sulmon disa figura qëndrore kombëtare të shqiptarëve: “mos shkoni pas mashtrimeve të dijetarëve të rrejshëm të asaj kohe, të homoseksualëve siç ishin Sami Frashëri, Ymer Prizereni etj.”. Edhe Myftaraj në librin e vet sulmon përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar, veçanrisht Hasan Prishtinën (ff. 277;301 etj.) që vijoi programin e Pashko Vasës, Sami Frashërit e Ymer Prizerenit. Trakti ashtu si libri i Myftarajt glorifikon figurat politike sipas kriterit katolik. Sipas traktit: “edhe një herë ju ftojmë të ktheheni tek burimorja – tek feja e të parëve e të mos tradhtoni Gjergj Kastriotin, nënë Terezën, Pejtër Bogdanin”. Ashtu edhe Myftaraj glorifikon Skënderbeun, Pjetër Bogdanin dhe, natyrisht, nënë Terezën, të cilës, i ka kushtuar një libër tjetër të plotë.
Megjithëse me i vrazhdë, me më shumë shpifje dhe urrejtje ndërfetare dhe në më shumë kopje e faqe se trakti, ndaj librit të Myftarajt dhe njerëzve që kan filluar ta shpërndajnë ‘fshehurazi’ si trakt nuk kanë reaguar negativisht as media, as politikanët, as intelektualët veç disa njerëzve të rrethuar rreth ‘Rimëkëmbjes’.
Teza si të traktit e të librit të Myftarajt kanë hedhë vetë politikanët më me ndikim në jetën fatkeqe të shqiptarëve: Fatos Nano dhe Sali Berisha. Para se Myftaraj të shkruante librin ku përpiqet të fshij historinë mbi 500 vjeçare shqiptare duke e thjeshtuar në histori vetëm të katolikëve, Fatos Nano pat bërë thirrjen “të fshihen 555 vjetë histori të shqiptarëve”. Në përgjigje të kësaj thirrjeje dhe si zelltar i devotshëm i Nanos, Kastriot Myftaraj, i është vënë punës menjëherë të fshij 555 vjet të historisë shqiptare, punë të cilën e ka përfunduar në librin “Nacional-islamizmi shqiptar baleta&feraj” disa muaj mbas thirrjes së Nanos.
Edhe Sali Berisha në ballafaqimin televiziv me Nanon u pajtua me tezën e Nanos për fshirjen e 555 vjetëve histori dhe jete shqiptare. Berisha tha se flamuri shqiptar është flamur i krishterimit duke tjetërsuar kështu flamurin kombëtar të shqiptarëve nga kombi dhe duke e njohur si flamur fetar. Kështu, sipas tij, del se Shqipëria përfaqësohet në OKB etj., me flamur fetar. Ashtu si Nano dhe Myftaraj, përkatësinë evropiane të shqiptarëve Berisha u përpoq ta mbështesë në një element të vetëm kulturor, në fenë katolike. Sipas Berishës prova se shqiptarët janë evropian është qenia e tyre i vetmi popull katolik në Perandorinë Bizantine. Ashtu si Nano, si Berisha, që të dy, mendojnë se për të dëshmuar përkatësinë evropiane të shqiptarëve duhen fshi 555 vjet histori dhe, mbi të gjitha, jetë e shqiptarëve, për t’u rilidhë me periudhën e Perandorisë Bizantine.
Nuk është aq e rëndësishme se tezat e Berishës nuk janë të sakta: a) se në kohën e vet flamuri i sotëm shqiptar ka qenë flamur i vetëm një princi shqiptar (Skënderbeut), meqenëse principatat e tjera kishin flamujt e vetë dhe, b) as në kohën e Skënderbeut, dhe aq më pak sot, flamuri nuk kishte asnjë simbol fetar sepse përbëhej nga shqiponja (simbol totem, jo kristian) dhe ylli i Davidit (simbol jo kristian). Po ashtu shqiptarët nuk kanë qenë në shumicë katolike, dhe as të vetmit, as në periudhën e Perandorisë Bizantine. Shqetësimi i Berishës nuk është saktësia e pohimeve, por programi katolik që bartin e mëbshtetin. Prandaj për ‘eruditin’ Berisha, nuk është kryesore padituria e tij. E rëndësishme është se nga pohimet e Berishës provohet: a) se Berisha ose i është nënshtruar presionit katolikocentrist, ose i ka përbrendësuar vetë ndjenjat dhe qëndrimet katolikocentriste. b) e rëndësishme është se edhe Berisha i bashkohet thirrjes së Nanos për të fshi 555 vjet histori e jetë shqiptare që të kthehen tek Perandoria Bizantine. c) E rëndësishme është se me ndikimin që ka Berisha në Partinë Demokratike e ka kaluar këtë parti në programin politik dhe synimet e katolikocentrizmit shqiptar. d) Katolikocentrizmi i PD bashkohet me ortodoksinë e Nanos sipas modelit të bashkimit të Aurel Plasarit (ortodoks) me Zef Pëllumbin (katolik), e kristianizmit (katolicizëm + ortodoksizëm) kundër myslimanizmit, çka shpjegon edhe dashurinë e veçantë të PD dhe Berishës për Aurel Plasarin.
Mbas gjithë kësaj veprimtarie antimyslimane dhjetëvjeçare, publike, masive, agresive, politike dhe publicistike është çudi të çuditesh për një trakt që, në krahasim me to, është i parëndësishëm. Dhe çudia me të çuditurit vërtetë ka bazë, sepse të çuditurit vetë kanë shkruar e shpërndarë ‘trkate’ d.m.th. libra, gazeta, emisione në median elektronike dhe në programet politike partiake e jopartiake njëlloj si trakti i fotokopjuar. Çudia bëhet edhe më e madhe sepse gazeta ‘Rimëkëmbja’ (15.1.2002) e kishte botuar traktin mbas shpërndarjes në Kosovë dhe kishte paralajmëruar për rrezikun e tij duke treguar edhe një herë se është shumë para gjithë të tjerëve në konstatimin e veprimtarive antishqiptare dhe në luftën kundër tyre.
Kundërshtimi dhe vijimi i traktit
Media dhe politikanët u treguan të ndjeshëm ndaj një trakti të hedhur ilegalisht, në pak kopje dhe jo më konfliktuoz e antimysliman se shkrimet e vetë medias dhe mendimet e vetë politikanëve kryesor. Po në reagimet kundërshtuese konstatohej edhe njëfarë vazhdimi i propagandës së traktit. Këtu nuk është vendi të analizohen të gjitha ‘kundërshtimet’ dhe vazhdimet e traktit nga media shqiptare, por do të paraqiten vetëm disa të tilla sa për të tërehqë vëmendjen e të interesuarve dhe veçanërisht shqiptarëve. Kështu të ngarkuarit nga shteti për të luftuar veprimtaritë antishqiptare, policia dhe organe të tjera, u dukën krejt të bëfasuara nga shpërndarja e traktit. Shpërndarjen e traktit fillimisht e morën si diçka joserioze dhe si lojë adoleshentësh: ‘autoritetet policore filllimisht deshën ta kalojnë ngjarjen pa bujë. ‘ka shumë mundësi që të ketë qenë njëlloj adoleshentësh’ – u shpreh të dielën mbasdite një nga krerët e Rendit’ (“Ballkan”, 12.02.2002, f.9). Ka dy mundësi: Ose krerët e rendit ishin vërtetë të befasuar, nuk e kishin pritë këtë veprimtari, dhe atëherë mbajnë përgjegjësi (edhe ligjore) pse nuk kanë informacion për veprimtari antishqiptare me karakter politiko-fetar. Kjo përgjegjësi nuk mund të anashkalohet sepse janë organe të ngarkuara, të specializuara e të paguara për të zbuluar këto veprimtari edhe kur askush tjetër mund të mos di gjë për to. Sepse, siç u tha më lartë, kjo është një veprimtari e dendur dhe legale në Shqipëri që dhjet vjet e se, për më tepër, gazeta ‘Rimëkëmbja’ pa qenë organ i specializuar dhe me mundësitë e organeve shtetërore për zbulimin e këso lloj veprimtarishë edhe e kishte botuar traktin, edhe kishte paralajmëruar për rrezikun e tij. Ose, mundësia e dytë, dhe më e besueshme mbetet që organet shtetërore të kenë pasë dijeni për këto veprimtari, por janë përpjekë ta fshehin atë, ta quajnë ‘lojë adoleshentësh’ për ta mbrojtë duke dëshmuar kështu se janë bashkëpunëtor me shpërndarësit e trakteve dhe të antimyslimanzimit.
Edhe media, ndonëse në dukje e kundërshtoi zhurmshëm, gjeti mënyra ta vazhdoj politikën e traktit. Kështu ndryshe nga rastet që kur shprehen kundër myslimanizmit ‘gazetarët’, ‘politikanët’ e ‘intelektualët’ përdorin gjithnjë emërtimin ‘fondamentalizëm islamik’, për traktin katolik që shfaqej aq vrazhdë e dhunshëm kundër myslimanizmit thuhej vetëm ‘trakt fondamentalist’ pa cilësorin katolik. Në editorialin e gazetës ‘Ballkan’ (12.02.2002) shkruhej: “Fondamentalizmi i pafshehur, me stil të hapur dhe arrogant u shfaq të dielën, kur një trakt…”. Editorialisti nuk dëshiron (ndoshta nuk guxon) të thotë ‘fondamentalizëm katolik’ por e le pa cilësor, thjeshtë fondamentalizëm, sikur të ishte fondamentalizëm ekologjistësh, a budistësh, a alienësh etj. Editorialisti ka frikë nga përdorimi, ose se mos futet në përdorim termi i saktë që i përgjigjet veprimtarisë katolikocentriste shqiptare: fondamentalizëm katolik.
Gazeta që gati me zor dhe kundër vullnetit e shprehi kundërshtimin ndaj traktit dhe politikës së tij fondamentaliste katolikocentriste ishte gazeta e Partisë Demokratike, ‘Rilindja Demokratike’. Kështu, derisa gati gjithë gazetat i kishin kushtuar nga dy faqe ‘kundërshtimi’ rrezikut që paraqet politika e traktit, RD i kishte dhënë vetëm gjysmë faqeje dhe atë vetëm me deklarata të thata e formale të drejtuesve lokal të PD-ës. Ky qendrim i gazetës është shprehje e poltikës së Berishës për të parë flamurin shqiptar si të katolicizmit.
“Analistët” e gazetës ‘Korrieri’ si përherë edhe të paaftë edhe keqdashës ndaj shqiptarëve e shpjegojnë shpërndarjen e traktit me krizën qeveritare: “Këtë herë kjo mund të shpjegohet me krizën qeveritare apo me masat shtërnguese të policisë për kriminalitetin në këtë zonë” (12.02.2002, f.11). “Korrieri” kështu përpiqet të fsheh propagandën antimyslimane dhjetëvjeçare në të cilën vetë kjo gazetë përpiqet të ze vendin e pare. Propaganda dhjetëvjeçare nuk mund të shpjegohet me krizën qeveritare të kohëve të fundit. As thirrjet e Nanos për të fshi historinë 555 vjeçare të shqiptarëve, as tjetërsimi i flamurit nga Berisha, as thirrjet për konvertim në katolik dhe presioni arrogant ndaj myslimanëve nga ana e Kadaresë, Tozajt, Blushit, Mirditës, Sedajt etj., etj., filluar para dhjetë vjetësh e përsëritë gati çdo ditë nga gazetat dhe media elektronike nuk mund të shpjegohen me krizën e fundit qeveritare. Por analistët e “Korrierit” dihet se janë edhe keqdashës, edhe të paaftë.
‘Korrieri” ashtu si trakti bën vetë propagandë fetare kur poetin kombëtar Gjergj Fishta e quan përfaqësues të fesë kristiane: ‘u hodh një granatë pranë një monumenti të një përfaqësuesi të fesë kristiane’ (“Korrieri, 12.02.2002). Gjergj Fishta për shqiptarët nuk është përfaqësues i fesë kristiane, por është përjetuar si përfaqësues i nacionalizmit shqiptar dhe është mbështetë nga myslimanët po aq sa nga katolikët me prirje nacionaliste.
Pse sulmohet Fishta nga katolikët?
Si organet shtetërore, si komentatorët e ndryshëm të traktit dhe të shpërthimit afër bustit të Fishtës bashkoheshin në konstatimin se të dy veprimet janë kryer nga e njëjta qendër. Kjo është një qëndrim i drejtë i tyre, në ndryshim nga qëndrimet e tjera si vijimi i traktit duke ‘e kundërshtuar’ apo përpjekje për mbrojtjen e tij (tyre) që u përmenden më lartë. Çka mbetet për t’u shpjeguar, megjithkëtë, është pyetja se pse rryma fondamentaliste katolikocentriste e sulmon Fishtën? Përgjigja në këtë pyetje kërkon njëfarë njohurie të përgjithshme të rrymave politike brenda vetë katolicizmit shqiptar.
Katolikocentrikët dhe etnocentrikët katolikë: konceptet
Katolicizmi ndër shqiptarët nuk është një qëndrim dhe veprimtari njësh (unike) po është shumës me diferencime të brendshme të ndryshme. Diferencimet brenda katolicizmit mund të shihen si diferencime doktrinare, në kohë (p.sh. interpretimet paramesjetare, mesjetare apo bashkohore të shkrimeve të shenjta) apo sipas urdhërave të ndryshëm si p.sh. françeskan, jezuitë etj. Këtu me interes është diferencimi në rryma politike i katolikëve në Shqipëri.
Edhe diferencimet politike mund të shihen sipas kriteresh të ndryshme, por këtu është me interes diferencimi sipas kriterit kombëtar ose fetar, sipas atij kriteri që vendos kombin (ose etninë) në qendër dhe pastaj faktorët e tjerë i sheh se si janë në marrdhënie me te. Kjo do të thotë se sheh cilët faktorë janë miqësor, cilët armiqësor, cilët neutralë, me cilët duhet bërë aleancë, me cilët luftë etj. Shkurt bën politikë. Ose vendos fenë në qendër dhe pastaj sheh se si janë të rrethuar rreth saj faktorët e ndryshëm. Rryma që vendos në qendër etninë, kombin mund të quhet etnocentrike. Karakteristikë tjetër e këtij drejtimi mendor është komunitarianizmi, vendosja në qendër e bashkësisë (etnike) dhe shikimi i faktorëve të tjerë në marrdhënie me bashkësinë dhe jo me universalen d.m.th. një faktor nuk e shikon p.sh. si armiqësor a miqësor sipas një përcaktimi universal, por miqësor apo armiqësor në lidhje me një bashkësi. Rryma që vendos në qendër (center) fenë katolike mund të quhet katolikocentriste. Karakteristikë tjetër e kësaj rrymë është universializmi në kuptimin se feja katolike mëton se u përmbahet parimeve universale, të vlefshme njëlloj për të gjithë njerëzit dhe bashkësitë.
Ndarja që i ka përshkuar të gjithë shqiptarët lidhur me përcaktimin e armikut kryesor për shqiptarët si etni-komb e jo vetëm si fe në dhjetë shekujt e fundit e ka përshkuar edhe kishën katolike në Shqipëri, priftërinjtë dhe besimtarët katolik. Një rrymë katolike mendonte se armiku kryesor për shqiptarët si etni, komb janë sllavët ortodoks ballkanas ndërsa më pak të rrezikshëm pushtuesit osman. Kjo rrymë u ndesh dhimbshëm me pushtuesit shovinist serb e malazez dhe më pak me pushtuesit osman. Një rrymë tjetër mendonte se armiku më i rrezikshëm për katolikët janë pushtuesit osman dhe jo pushtuesit ballkanas sllav-ortodoks. Kjo rrymë u ndesh me pushtuesit osman dhe bashkëpunoj me pushtuesit serb e malazez ortodoks. Kjo rrymë po ashtu vendosë në qendër fenë dhe vlerësimin e gjithçkaje e sheh nga kjo qendër: miqtë, armiqtë, neutralët, vlersimin e ngjarjeve, proceseve dhe individëve. Prandaj quhet edhe katolikocentriste, d.m.th. që vë në qendër katolicizmin dhe jo aq shumë kombin.
Katolikocentrizmi i sotëm cinik dhe agresiv është vazhdim i një rryme politike katolike shumëshekullore shqiptare, i rrymës që në shekuj u afrua, bashkëpunoj vullnetarisht ose me pagesë me malazezët, serbët dhe shoviznizmin antishqiptar serb kundër ‘armikut të përbashkët’ osman dhe mysliman dhe që në qendër vendos besimin e vet katolik e jo kombin.
‘Feja e të parëve’: ortodoksizmi
Ndarja e kishave më 1054 në të Lindjes (biznatine, ortodokse) dhe të perëndimit (romane, katolike) sjellë edhe ndarjen brenda kristianëve shqiptar. Në fillim të gjitha kishat dhe kristianët shqiptar mbetën të ritit ortodoks, bizantin me dy mitropoli nga të cilat vareshin të gjitha kishat e tjera, mitropolia e Durësit për Shqipërinë e epërme dhe mitropolia e Ohrit për Shqipërinë e poshtme. Përhapja e katolicizmit filloi rreth njëzet vjet më vonë kur u themelua peshkopata e Tivarit nga mbreti i zetës (Serbisë) Mihali. Mihali, ishte pasardhës i zhupanit të Zetës, Vojisllavi, që e kishte pushtuar Shkodrën dhe kishte vendosë slinë e tij aty. Mihali ishte në luftë me Biznatin. Për këtë i kërkoi ndihmë Papës së Romës në luftë kundër Bizantit dhe kurorëzimin mbret e, si kundërshpërblim, i ofroj atij hapjen e një peshkopate katolike në Tivar. Papa i tërehqur nga ideja se mund të krijonte një kishë katolike në këtë rajon të Ballkanit i pranoi kërkesat e Mihalit dhe kështu më 1077 u hap edhe peshkopata e Tivarit. Kështu, pra, vetëm mbas 20 vjet të përfshirjes së gjithë shqiptarëve në ritin ortodoks përems mbretit serb u hap e para kishë katolike dhe filloi përhapja e katolicizmit tek shqiptarët. Megjithkëtë, edhe dy shekuj më vonë shumica e popullsisë shqiptare mbetej ortodokse, ndërsa katolicizmi ishte përhapë në hapësira më të ngushta.
Prandaj thirrja e katolikocentristëve për ‘kthim në fenë e të parëve’ e kthen thirrjen kundër tyre. Në qoftë se duhet kthyer në fenë e të parëve, atëherë del se shqiptarët duhet të kthehen në ortodoksë, siç thotë Janullatosi, dhe jo në katolik siç thonë katolikocentristët. Këta nuk mund të thonë se katolicizmi ka ekzistuar para ortodoksizmit, se ortodoksizmi u themelua vonë, mbas shkëputjes nga kisha romane etj., sepse para ortodoksizmit nuk ka pasë as katolicizëm. Katolicizmi e mori kuptimin pikërisht në marrdhënie me ortodoksizmin. Para tyre kishte thjeshtë kristianizëm, kryçtar dhe rryma të tjera por jo katolik e ortodoks. Për më tepër ortodoksia e mori emrin kështu pikërisht si qëndrim më besnik, dogmatik ndaj kristianizmit të deriatëherëshëm (njëmijëvjeçar). Përkundrazi, katolicizmi u qortua se nuk është vijim i praktikave dhe besimeve njëmijëvjeçare, por është reformuar, ka ndryshuar etj. Nga këto debate teologjike-kishtare, megjithëse një zgjidhje përfundimatre nuk është dhënë kurrë, mbeti se ortodoksizmi është dogmatizëm, nuk pranon ndryshime, riinterpertime etj., pra, i qëndroj strikt kristianizmit të hershëm, ndërsa katolicizmi është besimi i mëparshëm i reformuar, pra, nuk është ai i pari fare. E zbatuar për thirrjen katolikocentriste të kthimit në fenë ‘e të parëve’ kjo do të thotë pra, kthim në ortodoksë, sepse më besnik ndaj besimit të të parëve ka mbetur ortodoksia, sepse katolicizmi është vetëm njëmijëvjeçar, nuk i ka qëndruar plotëisht besnik besimit të të parëve ndërsa ortodoksia është dymijëvjeçare etj., etj. Ose, siç u është thënë shpesh, në qoftë se duhet kthyer tek besimet e para fare, mbasi nuk ka arsye të ndalemi në mes të rrugës se kthimit mbrapa tek të parët, atëherë duhet kthyer në paganizëm, sepse të parët tanë të parë kanë qenë paganë. Pra një debat i tillë nuk është serioz dhe, siç shihet, lehtë mund të banalizohet e të kthehet kundër katolikocentrikëve duke i nxjerrë sheshit si iracional.
Motivi etnik i katolicizimit fillestar
Katolicizmi ndër shqiptarët filloi të përhapet me ritme të shpejta dhe, rrjedhimisht, masivisht vetëm nga gjysma e dytë e shekullit të XIII, mbasi u krijuan kishat autoqefale ortodokse, veçanërisht ajo serbe (1219). Krijimi i kishave ortodokse autqefale e lidhi kishën, besimin fetar me kombin. Kisha e ritit bizantin, megjithëse mbizotërohej nga grekët, mbetej teorikisht universale, e palidhur drejtpërdrejtë me ndonjë etni a (në gjuhën e sotme) komb. Ndërsa autoqefalia ishte procesi i lidhjes së kishës me etninë. Kështu në kishën ortodokse serbe shkrimi, gjuha e shërbimit fetar, lidhja me shtetin etj., ishin serbe. Përmes serbizimit të ritit ortodoks, lidhjes së fesë me kombin kisha ortodokse serbe rrezikonte tjetërsimin kombëtar të shqiptarëve, asimilimin e tyre në serbë. Për t’i shpëtuar këtij asimilimi etnik-fetar (krahas shumë aryseve të tjera) shqiptarët filluan përqafimin masiv të katolicizmit, ritit kristian perëndimor. Në këtë periudhë realizohet katolicizimi masiv i shqiptarëve dhe shënohet përhapja më e gjërë e katolicizmit ndër shqiptarët (Xhufi, 1996:41-44; Noel, 1998:42). Kjo ndarje që në fillim ishte doktrinare, nëse do të zbatohej riti bizantin apo romak, me krijimin e kishave autoqefale mori rëndësi kombëtare. Deri me shtrirjen e Perandorisë Osmane në Ballkan konflikti shqiptaro-serb në vijën fetare është ndërmjet katolicizmit (shqiptarët) dhe ortodoksisë (serbët). Madje katolicizmi quhet prej serbëve ‘feja e shqiptarëve’ (arbanska vera).
Ortodoksia serbe ushtroi një dhunë të jashtëzakonshme kundër katolikëve dhe atyre që u bënë katolik për konvertimin në ortodoks: damkosja me hekur të skuqur, djegia e shtëpisë, dënimet me vdekje, dëbimet ishin vetëm disa nga masat që ushtroheshin për t’i konvertuar të gjithë besimtarët e besimeve të tjera në ortodoksë serbë.
Katolikocentrikët dhe etnocentrikët katolikë: ndeshja historike
Me konsolidimin e pushtetit osman kisha katolike ndër shqiptarët tani ka jo një, po dy rival: ortodoksinë dhe islamin. Mendimi i klerit katolik shqiptar dhe kishës katolike ndahet në dy rryma: njëra palë, vazhdon të mendoj se rreziku kryesor është kisha ortodokse sllave (serbe) e mbështetur nga serbët dhe osmanët, ndërsa pala tjetër mendon se rreziku kryesor është islami i mbështetur nga osmanët.
Këto dy rryma janë të dokumentuara mirë prandaj ka kuptim të flitet për to. Sigurisht, këtu nuk do të paraqiten në mënyrë të hollësishme për të mos ‘lodhur’ lexuesin dhe, sepse, çdo njeri i informuar ose i interesuar mund ta bëj relativisht lehtë këtë gjë meqenëse ka shumë burime, dokumente, analiza etj. Por do të përmenden vetëm ilustrativisht disa momente.
Konflikti ndërmjet dy rrymave katolike shqiptare bëhet i dukshëm p.sh. në problemin e qëndrimit ndaj priftërinjëve sllavë (kryesisht kroat) që emëroheshin nga Vatikani si drejtues në kishat katolike në Shqipëri. Në shekullin XVI vezir i madh në Stamboll ishte Mehmet Sokoloviçi, me origjinë serbe. Megjithëse Papa dukej në armiqësi me osmanët nuk ishte bash pengesë që, i yshtur nga veziri i madh serbo-osman, të emëronte në kishat katolike në Shqipëri priftirinjë sllave. Në pamundësi për të emëruar serbë për shkak se ishin ortodoksë, së paku emëronte sllav, kryesisht kroat.
Një rrymë e klerit katolik shqiptar e mbështeste emërimin e priftërinjëve sllav në kishat katolike në Shqipëri. Ky pranim, pos motiveve të tjera, presupozon një të menduar universialist dhe katolikocentrist. Në qoftë se në qendër vendoset feja katolike, atëherë origjina etnike, racore etj., nuk kanë rëndësi sepse feja katolike është universale, për të gjithë, është karakteristika me të cilën njerëzit bashkohen ose ndahen. Një rrymë tjetër kundërshtonte emërimin e priftërinjëve sllavë në kishat shqiptare, edhe pse këta priftërinjë sllavë ishin katolik. Ky qëndrim presupozon një të menduar etnocentrik, komunitarian. Në qoftë se në qendër vendoset bashkësia, kombi, atëherë rëndësi të parë ka përkatësia kombëtare dhe jo vetëm fetare (katolike).
Është e kuptueshme se mbështetjen e papatit dhe Vatikanit e kishte rryma katolikocentriste që vinte në plan të parë fenë, sepse Vatikani i përmbahej (së paku verbalisht) të menduarit universialist. Ndërsa rryma e përqëndruar tek kombi ishte në kundërshtim me mendimin e Vatikanit dhe, rrjedhmisht kundërshtohej prej tij. Megjithëse ekzistojnë një numër i madh dokumentesh për ndeshjen ndërmjet këtyre dy rrymave katolike shqiptare, rasti i Pjetër Budit është me tragjiku dhe më përfqësuesi për ta përmendur (shkurt). Pjetër Budi nuk ishte një kundërshtar nga paragjykimet ose indoktrinimi antiserb i priftërinjëve sllavë. Ai kishte marë pjesë ose së paku ishte i deleguar në Vatikan nga kuvendi i tretë ndërballkanik që u mbajt në Prokuplje (11.11.1616) dhe në të cilin merrnin pjesë klerik katolik e ortodoksë nga gati të gjitha vendet e Ballkanit, pra sllavë me shumicë dhe serb në veçanti. Nga kuvendi Budi u ngarkua të siguronte mbështetjen e Vatikanit për kristianët e Ballkanit. Por, megjithëse u përpoq për disa vjet, nuk arriti të bindë Papën t’i ndihmojë kristianët e Ballkanit në luftë kundër osmanëve. Mbas kësaj, më 1622 Budi kthehet në Shqipëri dhe mbledh dy koncile katolike në të cilat, nën ndikimin e tij, vendoset që në kishat katolike të mos pranohen priftërinjë katolik që nuk janë të kombësisë shqiptare. Mbas nëntë muajsh Budi u mbyt në Dri.
Budi është interesant në shumë drejtime, por këtu, për të mos u larguar shumë nga tema, do të përmenden vetëm disa.
Budi i jep qartë përparësi përkatësisë në komb ndaj përkatësisë në fe, sepse për te nuk është e rëndësis parësore faktit që priftërinjtë sllavë të emëruar nga Vatikani në kishat në Shqipëri janë katolik, por faktit se ata nuk janë shqiptar. Budi është në mendim komunitarian, etnocentrik në kundërshtim me mendimin e Vatikanit që është katolikocentrik universialist. Në fund, dhe më e rëndësishmja, por edhe më pak e vëna re dhe më pak e analizuara, Budi është gjysmëreformacionist në kristianizmin katolik shqiptar dhe, prandaj, veçanërisht i rrezikshëm për Vatikanin. Lëvizja e tij për emërimin në kishat katolike në Shqipëri vetëm të priftërinjëve me kombësi e gjuhë shqiptare është në logjikën e Reformacionit evropian që çoi në shkëputjen e kishave nga Papati dhe krijimin e kishave kombëtare.
Introdukt: ‘reformacioni’ i mbytur shqiptar 
Megjithë tundimin e madh për të mos u larguar nga tema qëndrore dhe nga premtimi për të përmendë vetëm sa për ilustrim disa momente të ndeshjes se rrymave katolike shqiptare njëra me tjetrën, këtu vlen të bëhet një largim dhe për të theksuar këtë lidhje të Budit me reformacionin evropian.
Mark Krasniqi shprehet se gjatë mesjetës së vonë, “në ecurinë e kohës kisha ortodokse u nda në disa kisha kombëtare që u përgjigjeshin territoreve të popujve ose shteteve… Kisha ortodokse u bë kështu kishë kombëtare, ndërkohë që kisha katolike nuk mori këtë rrugë por mbeti internacionale dhe e bazuar në parimet universale, duke njohur Papën e Romës si autoritetin e saj më të lartë” (Krasniqi 1996:75). Mirëpo kjo është e vërtetë vetëm në kohë, në kuptimin se lëvizjet për autoqefali (pavarësi) të kishave katolike dhe të lidhjes së kishës me kombin nuk filluan në kohën kur filluan lëvizjet e tilla tek kisha ortodokse. Por Reformacioni në Evropë që u zhvillua në shekullin XVI realizoj pikërisht këto dy aspekte: shkëputjen e kishave katolike nga autoriteti suprem i papës, mosnjohja e papës si autoritet suprem, pavarësimi (autoqefalia) prej tij dhe lidhjen e kishës me kombin duke formuar kishën anglikane (1534), luterane (1555) etj., etj. Budi e zhvilloi veprimtarinë e tij kur këto lëvizje (‘autoqefaliste’) reformiste në Evropë kishin arritë sukseset e tyre të mëdha në ndeshjen me Papën dhe afrimin e kishës deri atëherë katolike me kombin. Përpjekjet e tij për të lidhë kishën katolike në Shqipëri me kombin shqiptar janë në këtë logjik të refomacionit, por pa shkuar edhe në ndryshime të thella doktrinare. Meqenëse veprimtaria e Budit ishte në hullitë e reformacionit evropian përbënte një rrezik për Vatianin dhe Papën i cili kishte humbë mjaft nga shtrirja e pushtetit të tij në Evropë dhe nuk do të dëshirohej humbja edhe në Ballkan. Pjetër Budi atë vit u mbyt në Dri.
Bashkë me Budin në Shqipëri u mbytën edhe përpjekjet reformacioniste që krijuan Evropën moderne, përpjekjet për ‘shqiptarizimin’ e kishës katolike, e lidhjes së saj me kombin. Mbas kësaj kisha katolike mbeti vërtetë katolike në Shqipëri në kuptimin universialiste, internacionaliste, siç karakterizon me të drejtë edhe Mark Krasniqi (dhe gjithë studiuesit e praktikuesit e saj). Në këtë kuptim nuk mund të flitet për kishën katolike shqiptare dhe prandaj këtu, aq sa ka qenë e mundur është shmangur ky përdorim, duke folur në vend të saj për kishën katolike ‘ndër (në radhët) shqiptarët’, ‘në Shqipëri’ (duke kuptuar territoret etnike dhe historike) etj.
Kështu sot katolikët mund të shqyrtojnë dy alternativa: thirrjen e katolikocentristëve për konvertim të gjithë shqiptarëve në katolik ose thirrjen e gjithë kombit drejtuar katolikëve për shqiptarizimin e kishës katolike, kryerjen e refomacionit që krijoi Evropën moderne dhe modernizimin e Shqipërisë.
Kjo alternativë e dytë kërkon shumë ndryshime si p.sh. që nga katolikët të mos njihet Papa i Romës si autoriteti dhe urdhërdhënësi suprem i tyre; që lojaliteti (besnikëria) ndaj Papës të kalohet në besnikëri ndaj kombit; që besnikëria ndaj shtetit të Vatikanit t’i kalohet shtetit shqiptar etj. Për më tepër që, ndër shqiptarët, as myslimanët dhe as ortodoksët nuk i kanë borxh besnikërinë dhe dëgjueshmërinë ndonjë qendre jashtëshqiptare. Sepse myslimanizmi nuk ka qendër po çdo njeri i drejtohet drejtpërdrejtë zotit, ndërsa ortodoksët e kanë pavarësuar kishën, e cila tani është e uzurpuar, e pushtuar, por pikërisht pse është e pavarur ka kuptim të flitet për uzurpimin dhe pushtimin e saj. Pra, katolikocentrizmi i sotëm me idhësinë e tij kundër feve të tjera, me politizimin e katolicizmit ka shtruar vërtetë një problem që ka qenë mbytur që më 1622: problemin e shqiptarizimit të katolicizmit.

ORTODOKSIZMI POLITIK I DIPLOMACISË GREKE

Shaban MURATI


Greek Orthodox Patriarch of Jerusalem Th
Një problem i ri shfaqet përpara diplomacisë shqiptare në ballafaqimet e saj të tanishme dhe të ardhshme me diplomacinë greke. Është një problem i ri, i paraqitur për herë të parë publikisht nga diplomacia zyrtare e Athinës në muajin gusht të këtij viti. Problemi është ortodoksizmi politik ose instrumentalizmi zyrtar i fesë ortodokse për zgjerimin dhe konsolidimin e influencës së Greqisë në një shtet fqinj.
Ortodoksizmi politik ose përdorimi i ortodoksisë për qëllimet e politikës së jashtme u sanksionua me qëndrimet e shpallura zyrtarisht nga diplomacia greke kundrejt Shqipërisë. Përmeti është eksperimenti i parë diplomatik dhe shtetëror i Greqisë për të sanksionuar proteksionin e Greqisë mbi ortodoksinë shqiptare. Reagimet e diplomacisë greke kundrejt Shqipërisë deri tani kanë qenë për çështje të minoritetit grek në Shqipëri, me synimin për zgjerimin territorial të tij. Por është hera e parë që dilet hapur nga diplomacia me pretendimin e proteksionit të Greqisë mbi ortodoksët e Shqipërisë. Në mënyrë të pashembullt kemi dy deklarata të njëpasnjëshme të Ministrisë së Jashtme greke për Përmetin, kemi një deklaratë të zëvendësministrit të Jashtëm grek në 25 gusht, që kërcënon se do të ketë pasoja për kursin europian të Shqipërisë, kemi thirrjen e ambasadorit shqiptar në MPJ të Greqisë, kemi një demarsh absurd diplomatik në Përmet të konsullit grek në Gjirokastër, për të mos përmendur përpjekjen për të ndërkombëtarizuar Përmetin me vënien në lëvizje të organizatave “vorio-epirote” në SHBA me peticione drejtuar presidentit Obama për Përmetin.
Ngjarja e Përmetit është një ngjarje e brendshme e Shqipërisë, nuk ka karakter fetar, por ligjor, dhe është përballje mes një grupi njerëzish, që nuk duan të zbatojnë ligjet e këtij shteti, dhe institucioneve, që përpiqen për zbatimin e këtyre ligjeve. Diplomacia greke e shfrytëzoi si pretekst për të dalë dhe për të pretenduar të drejtën e ndërhyrjes së saj, jo thjesht dhe vetëm në punët e brendshme të Shqipërisë, por në një drejtim të ri, që ajo nuk e kishte bërë hapur më parë. Ky është përdorimi i ortodoksizmit politik dhe dalja me një rivendikim fetar dhe gjeopolitik në Shqipëri.
Është me interes të nënvizohet se pretendimin për proteksionin grek mbi ortodoksët shqiptare, duke konsideruar çdo ortodoks shqiptar si grek, diplomacia greke e ka paraqitur si tezë, qëndrim dhe politikë të saj qysh në Konferencën e Paqes në Paris, për të kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për të rivendikuar të drejtën e kontrollit të saj mbi Shqipërinë. Në atë kohë, njerëz të shquar dhe intelektualë të mëdhenj ortodoksë si Mihal Turtulli, anëtar i delegacionit të Shqipërisë, i dhanë përgjigjet me efekte diplomatike e politike se Greqia nuk ka asnjë të drejtë mbi ortodoksët e Shqipërisë. Në një sesion të Konferencës së Paqes, në 27 shkurt 1919, Mihal Turtulli mbajti deklaratën lapidare se “Greqia i ngatërron gjërat. Ajo mendon se të krishterët, siç jam unë, janë grekë. Kjo është e pasaktë. Pretendohet se të gjithë ortodoksët janë grekë. Pse? Rusët, bullgarët, serbët, edhe pse janë ortodoksë, nuk janë grekë”.
Është hera e parë, qysh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve në vitin 1971, që diplomacia greke del zyrtarisht me pretendimin e vjetër 100- vjeçar të proteksionit mbi ortodoksinë shqiptare. Ky zhvillim i ri duket se ka disa motive , të cilat shkojnë përtej ngjarjeve të Përmetit.
Së pari, me ndërhyrjen zyrtare në një problem shqiptar dhe në një sovranitet shqiptar, ku të dy palët që përplasen janë shqiptarë, diplomacia greke hap siparin e një veprimtarie të re të saj për ligjërimin e së drejtës si protektore e ortodoksëve të Shqipërisë. Deri tani, këtë të drejtë të protektorit e ka rivendikuar kisha greke, kurse tani del diplomacia greke.
Së dyti, duke dalë me qëndrimet dhe deklaratat e njëpasnjëshme zyrtare, diplomacia e Athinës synon që të sanksionojë një formë diplomatike dhe juridike të ndërhyrjes së saj. Është për të ardhur keq, që kryetari i Bashkisë së Përmetit pranoi të takohej me konsullin grek të Gjirokastrës për të diskutuar ngjarjet e Përmetit. Unë nuk kam informacion se kush ia ka këshilluar apo lejuar atij pranimin e demarshit diplomatik grek, sepse me Kushtetutë marrëdhëniet politike me shtetet e tjera nuk i zhvillojnë bashkitë dhe komunat, por drejtohen nga qeveria qendrore dhe Ministria e Jashtme. Me aktin e vizitës së konsullit grek për një problem të pastër brenda shqiptar, është hedhur një hap i gabuar, që mund të krijojë precedentin, që diplomacia greke të shfaqet si palë ose si arbitër në punët e brendshme të Shqipërisë.
Së treti, strategjia e diplomacisë së Athinës nuk është vetëm Përmeti, por shtrirja e së drejtës së funksionimit të ndërhyrjes greke në gjithë territorin e Shqipërisë, sepse në gjithë territorin e Shqipërisë jetojnë qytetarë të besimit ortodoks.
Së katërti, Përmeti mund të shfrytëzohet si shkas që veprimtaria diplomatike greke të shtrihet edhe në arenën ndërkombëtare për të gjetur përkrahje për proteksionin e saj mbi ortodoksinë shqiptare.
Nga vorbulla e kësaj fushate diplomatike drejt Shqipërisë është e kuptueshme se po krijohet një situatë, ose jemi në hapat e para të një situate, ku diplomacia greke mund të shkallëzohet në përpjekje për të patur zërin e saj edhe në institucionet ekzekutive dhe legjislative të shtetit shqiptar, dhe në emër të proteksionit për ortodoksinë të kërkojë statusin e një ndikimi të drejtpërdrejtë mbi funksionimin e shtetit shqiptar.
Natyrisht ka disa faktorë të brendshëm në Shqipëri, që kanë ndihmuar në krijimin e një situate të tillë të pakëndshme kombëtare dhe gjeopolitike, ku diplomacia greke del hapur me pretendimin e proteksionit të saj mbi ortodoksët shqiptarë. Faktori i parë i madh është heshtja e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, e cila në emër të Autoqefalisë duhej të ishte e para që të dilte për të hedhur poshtë kujdestarinë e qeverisë dhe të diplomacisë greke për ortodoksinë shqiptare. Faktori i dytë i madh është dobësia e shtetit dhe e diplomacisë shqiptare, të cilët me kompleksin e tyre tradicional të inferioritetit nuk kanë ditur t’i japin përgjigjen e duhur kësaj ndërhyrje të re të diplomacisë greke në punët e brendshme të shtetit dhe të komuniteteve fetare shqiptare. Ka qenë dobësia e shtetit shqiptar, që ka sanksionuar një formë proteksioni grek mbi ortodoksinë shqiptare nëpërmjet legalizimit në protokollin zyrtar të ministrave dhe kryeministrave grekë gjatë vizitave në Tiranë të takimeve të tyre me kryepeshkopin grek të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, në një kohë që ata nuk kanë takuar kurrë as kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe as Primatin Katolik të Shqipërisë. Qeverive shqiptare duhet t’u bënte pak përshtypje se ato nuk kanë pasur asnjëherë kërkesa për takime me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga ministrat dhe qeveritarët e shteteve të tjera ortodokse si Bullgaria, Rumania, Maqedonia, Mali i Zi, Rusia, etj, gjatë vizitave të tyre në Tiranë.
Duhet theksuar se diplomacia greke e ndërmerr këtë uverturë të një politike arkaike të proteksionit mbi ortodoksinë shqiptare në prag të marrjes së detyrës nga qeveria e re e kryeministrit Edi Rama. Duket si një formë presioni e drejtpërdrejtë e diplomacisë greke mbi qeverinë e re për t’i kërkuar të ndjekë vijën servile të qeverive të mëparshme shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë. Nuk është e rastit, që edhe përfaqësues të lobit grek në Tiranë ndërmorën në mënyrë të koordinuar sulme kundër politikës rajonale të formuluar nga Edi Rama, duke i kërkuar prioritarizimin e marrëdhënieve me Athinën.
Mesa duket në Athinë ende nuk e kanë mësuar se Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, dhe në Tiranë deri tani qeveria dhe diplomacia ende nuk janë ndërgjegjësuar se Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s. Asnjë shtet i NATO-s nuk lejon proteksione të komuniteteve të veta fetare kombëtare nga shtetet e tjera. As Greqia nuk do të lejonte një proteksion fetar nga Bullgaria, nga Rumania apo nga Maqedonia. Fetë janë të ndara nga shteti, por nuk janë të ndara nga kombi, dhe ndaj ka edhe kisha kombëtare.
Ortodoksizmi politik i diplomacisë greke pritet të hapë përplasje të reja në marrëdhëniet me Greqinë. Si çdo lloj formë e keqpërdorimit të besimit fetar, që merret me politikë, ky fenomen duhet të marrë një “jo” të vendosur shtetërore qysh në fillim, për të dekurajuar dhe për të neutralizuar vazhdimin e hapave të mëtejshme të presionit dhe të proteksionit të çdollojshëm të diplomacisë greke. Diplomacia shqiptare e bëri këtë 100 vjet më parë. E ka më të lehtë ta bëjë sot.

CILA VESHJE DUHET TË SKANDALIZOJË VËRTET GREQINË



Ruben Avxhiu
Ruben Avxhiu
Sa hipokrit është reagimi i medias greke kundër një futbollisti shqiptar që në faqen e tij në Facebook kishte dalë me një fanellë “të UÇK-së”.
Trajtimi i Ergys Kaces sikur të kishte dalë me shenjat e ndonjë grupi terrorist është tipike e medias greke që siç thotë një fjalë e urtë a klishe në gjuhën shqipe: sheh qimen në syrine tjetrit po jo traun në syrin e vet.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë terroriste. Ndërkohë që anëtarë të saj mund të kenë bërë krime ose abuzime, UÇK-ja vetë ka qenë një model i vetëpërmbajtjes dhe i dallimit të qartë mes armikut luftarak dhe civilëve të pafajshëm. Sikur të gjitha forcat kryengritëse e rebele në botë të ishin si ajo.
Por ironia më e madhe është se Greqia vetë ka qenë aleate me UÇK-në. Si pjesë e NATO-s Greqia mori pjesë në luftën kundër Jugosllavisë dhe çlirimtarët shqiptarë koordinuan veprimet e tyre me NATO-n. Millosheviçi kapitulloi në kohë, pa qenë nevoja e trupavë këmbësore, por harmonizimi NATO-UÇK kishte për të qenë shumë më i gjerë.
Në Greqi, mbase nuk dinë të mbledhin taksa e të tregojnë të vërtetën e financave të shtetit, po për të rishkruar historinë dinë ta bëjnë mirë. Grekët duan të kujtojnë se meqë bënë një numër demonstratash anakroniste e cinike në favor të fashistit Millosheviç, vendi i tyre nuk ishte palë në sulmin e NATO-s dhe aleate me UÇK-në.
Media greke duhet kujtuar për këtë punë. Territori i Greqisë ishte kyç për luftën. Vetë Greqia mund ta kishte ndaluar luftën duke vendosur veton kundër saj. Siç e vendosi veton kundër anëtarësimit në NATO të Maqedonisë, mund ta kishte vendosur edhe kundër luftës me Jugosllavinë dhe kundër ndihmës ndaj UÇK-së.
Çfarë bëri Ergys Kace për UÇK-në? Ai ishte një vogëlush kur UÇK-ja ekzistonte. Nëse media greke janë kaq të shqetësuar kundër UÇK-së le të merren me shtetin e tyre që i shërbeu UÇK-së, le të merren me diplomacinë greke që e vërtit sipas interesave të momentit. Fanella e Kaces është një punë private në llogarinë e tij në Facebook. Ata që përgjojnë fotografitë e djemve të rinj në rrjetet sociale dhe pastaj zbulojnë ndjenja patriotike duhet të nxirren në gazetë për të tjera arsye e jo për denoncime publike.
UÇK u shpërnda menjëherë pas luftës. Si asnjë organizatë tjetër kryengritëse që është bashkëfituese e luftës, ajo pranoi të çarmatosej brenda pak javësh, duke lënë armët në duar të KFOR-it, pjesë e të cilit ishin dhe janë ushtarët grekë. Ushtria nuk ezkiston më. Ajo që ekziston është paranoja ultranacionaliste greke që kur shfaqet kundër fëmijëve shqiptarë në shkolla greke, nuk është çudi që nxjerr kokën edhe kundër sportistëve.
Shqetësimi i bujshëm për simbolet e një ushtrie që nuk ekziston më prej 13 vitesh fsheh sentimentet anti-shqiptare e ksenofobike tradicionale të shoqërisë greke. Media dhe diplomatët e Greqisë ankohen shumë në Perëndim për neonazistët që u janë rishfaqur në politikë. Ata madje fajësojnë për ta shtrëngicat financiare që u janë veshur nga Perëndimi, nacionalizmin e fqinjëve etj. Mirëpo, e vërteta është se Greqia nuk është i vetmi vend me vështirësi të tilla. Neonazizmi në këtë vend ka dalë se ka gjetur përkrahje të natyrshme nga shoqëria greke.
Agimi i Artë nuk ka qenë ndonjëherë në pushtet në Greqi në gjysëmshekullin e fundit. Megjithatë, qeveri pas qeverie në Athinë vazhdojnë të mos njohin pakicat kombëtare në vend. Sipas Greqisë zyrtare, në vend nuk ka as shqiptarë, as maqedonas, as turq etj. Ka vetëm ortodoksë dhe myslimanë (turqve u lejohet të thonë fenë por jo kombësinë). Athina refuzon të dënojë krimet e aleatëve të nazistëve kundër popullsisë çame në fund të Luftës së Dytë Botërore, refuzon të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë, refuzon të lejojë Maqedoninë që të hyjë në BE e NATO për arsye nacionaliste, etj. Çfarë do të bënte më shumë Agimi i Artë po të vinte në pushtet?
Agimi i Artë nuk doli nga asgjëja. Ai doli nga një shoqëri në të cilën emigranti nuk gjen dot punë nëse nuk pranon që ta thërrasin me një emër grek. Një shoqëri ku nuk bën dot “prokopi” nëse nuk pagëzohesh si ortodoks. Një shoqëri ku shumë shqiptarë flasin gjuhën e tyre me zë të ulët, e kur munden hiqen si grekë. Agimi i Artë po artikulon në mënyrë politike, atë që ka qenë normë në shoqërinë greke, por që nuk është pranuar asnjëherë publikisht nga figurat e vendit.
Media greke mund të vazhdojë të merret me fanellën kuqezi të një djali që ka vetëm një ëndërr, të luajë me top në fushën e blertë. Po ndërsa kalemxhinjtë e gazetave zbulojnë rrezikun e madh të 20-vjeçarit Kace, qindra mijëra grekë, duke filluar që nga shkollat fillore, po shijojnë veshjen e bluzave të zeza, po praktikojnë nderimin me dorën e shtrirë lart dhe po mësohen me shijen e dhunës kundër tjetrit.
Mes atyre bluzave të turpshme të luftës që po vjen, sa hipokrite është stuhia ndaj kësaj fanelle të pafajshme të luftës që ka ikur.

Si do të negociohej futja e Turqisë në një luftë për territoret shqiptare?


Hajro Limaj
Hajro Limaj
Politika e gjenocidit milosheviçian për shqiptarët e Kosovës ishte bërë një realitet tronditës edhe për mbarë opinionin ndërkombëtar. Kolonel Hajro Limaj, i cili në marsin e vitit 1999 ishte me detyrën e atasheut ushtarak në Ankara thotë se kryeministri Majko duke ndjerë përgjegjësinë historike të Tiranës, kishte vënë në lëvizje të gjithë arsenalin e afërt politik e diplomatik, dhe i kishte kthyer plotësisht sytë dhe shpresat nga Ankaraja…
Si do të negociohej futja e Turqisë në një luftë për territoret shqiptare? 
Turqia ishte me pushimet e Bajramit të Madh. 9 ditë rresht. Megjithatë, ne vazhdonim punën, ndiqnim nga Ankaraja me shumë kujdes zhvillimet në Kosovë dhe qëndrimet ndërkombëtare ndaj saj. Në katin e dytë të ambasadës, ndodhesha vetëm unë me ambasadorin, S. Bala. Atë ditë, më 29 mars 1999, pa pritur, ambasadori hyri me shpejtësi në zyrën time dhe më kërkoi të shkoja në telefonin e zyrës së tij, mbasi më kërkonte nga Tirana Kryeministri Majko. Nxitova tek telefoni e fola: “Urdhëroni, Zoti Kryeministër!”. “Zoti kolonel” – m’u përgjigj Ai nga ana tjetër. – Realizoni një takim urgjent me Kryeministrin Bülent Ecevit dhe i shpjegoni situatën në Veri të Shqipërisë… Forcat e ushtrisë serbe kanë bombarduar disa herë me artileri dhe nënrepartet ushtarake të saj vazhdojnë të hyjnë në thellësi të territorit tonë. I kërkoni Atij të bëjë një deklaratë të fortë për median, ku të shprehë qartësisht mbështetjen reale të Shtetit dhe të Forcave të Armatosura të Turqisë, në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe pastaj i parashtroni Atij nevojat urgjente të Forcave tona të Armatosura për mbështetje logjistike, sipas faksit që do t’u dërgojë tani Luani, Ministri i Mbrojtjes. Në takim merr edhe ambasadorin e më raportoni për rezultatet e këtij takimi”- përfundoi ai.
Si do të vepronit pas këtyre kërkesave? 
U riktheva në zyrën time dhe kërkova në telefon shefin e kabinetit të Kryeministrit Bülent Ecevit, Zeynel Ye?ilay. Iu prezantova dhe, mbasi e urova për festën e Bajramit, i kërkova një takim urgjent me Kryeministrin Bülent Ecevit. Me atë njihesha nga afër dhe kisha pasur mundësi të takohesha e bisedoja disa herë. Kryeministri Ecevit, atij i besonte shumë. Mbas 5 minutash nga kërkesa që i bëra, më konfirmoi takimin e menjëhershëm. Sa vesha uniformën ushtarake të kolonelit, të cilën e mbaja në gardërobën e zyrës, ambasadori kishte nxjerrë nga parkingu makinën zyrtare dhe menjëherë u nisëm drejt kryeministrisë. Makinën e ngiste ambasadori, sepse shoferi i ambasadës ato ditë ndodhej me pushimet e Bajramit. Rruga kishte shumë pak trafik dhe në orën 13.00 mbërritëm para ndërtesës së kryeministrisë. Në shkallët e hyrjes së kryeministrisë ndodheshin dy gazetarë, të cilët u drejtuan menjëherë drejt nesh. Por, oficeri i sigurimit të kryeministrisë na shoqëroi për në katin e dytë të godinës dhe ne hymë direkt në zyrën e punës së Kryeministrit Bülent Ecevit. Pasi e përshëndetëm dhe e uruam për festën e Bajramit, fillova me një herë t’i transmetoja mesazhet e Kryeministrit tonë, Pandeli Majko: “Vëllai juaj i vogël, Kryeministri Majko, ju dërgon nga Tirana të falat dhe përshëndetjet më të mira”- e fillova bisedën me të. Duke ditur marrëdhëniet e tyre konfidenciale, e fillova takimin pikërisht me të falat e “vëllait të vogël”, siç e konsideronte Kryeministri Bülent Ecevit, Kryeministrin tonë, Pandeli Majko. Pastaj i shpjegova Atij situatën politiko-ushtarake në kufijtë veriorë të Shqipërisë, ku reparte të ushtrisë serbe bombardonin me artileri në thellësi të territorit tonë, ndërsa nënreparte të zbulimit dhe të trupave komando të ushtrisë serbe hynin në thellësi të kufijve tanë, deri 10 kilometra. Ata pretendonin se në ato zona ishin strehuar trupa të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e këtë mund ta përdornin si pretekst për të hyrë në thellësi. Gjithashtu, Shqipërinë, Beogradi e akuzonte për hapësirën ajrore, që i kishte dhënë në përdorim avionëve të NATO-s. Pra, Shqipëria në çdo moment mund të përfshihej në luftë. Në këto rrethana, qeverisë tonë i duhej të përforconte kufijtë dhe të vendoste në gatishmëri njësi dhe reparte ushtarake, por i mungonin pajisjet ushtarake të nevojshme. Divizioni i Kukësit ishte në gatishmëri numër 1, i përforcuar edhe nga Tirana.
Si do të reagonte kryeministri turk ndaj ekspozesë tuaj? 
Kryeministri turk, me gishtat e dorës që i dridheshin për arsye shëndetësore, shtrëngonte stilografin me të cilin shkruante problemet dhe nënvizonte çështjet më të rëndësishme të tyre. –“Po mirë, – m’u drejtua mua, – a keni ju të dhëna të mjaftueshme informative, që vërtetojnë se njësi dhe reparte të ushtrisë serbe do të mësyjnë me forca të organizuara në hapësirat tokësore të Shqipërisë së Veriut?”. – “Deri tani, për një mësymje të tillë nuk mendohet, por do të vazhdojnë të bombardojnë me artileri dhe të shkelin territorin tonë me grupe zbulimi dhe nënreparte të trupave komando. Por, se si do të evoluojë situata ditët në vazhdim, nuk mund të gjykojmë plotësisht që tani. Fakti është se ne jemi përballë një ndërhyrjeje me trupa ushtarake në kufijtë dhe territorin verior të vendit”- iu përgjigja pyetjes së Tij. Ambasadori më ndiqte në sy dhe përpiqej të kapte ndonjë fjalë të veçantë, mbasi ai nuk dinte fare turqisht. Në këtë kohë, Kryeministri Bülent Ecevit shtypi butonin e kuq të linjës telefonike që kishte përpara dhe në anën tjetër i’u përgjigj Komandanti i Forcave të Armatosura dhe Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral armate, Husejin Kevrekoglu. Kryeministri Bülent Ecevit komunikonte me gjeneralin si me një bashkëpunëtor dhe me shumë edukatë. Mbasi mbaroi bisedën me komandantin, Ai me qetësinë që e karakterizonte, m’u drejtua: “Zoti Atashe, nesër në orën 09.30 të presin në Shtatmadhori, mbasi për plotësimin e kërkesave tuaja do të bëhet një mbledhje urgjente”. E falënderuam me përzemërsi Kryeministrin turk për pritjen dhe angazhimin serioz të Tij dhe zbritëm shkallët. Gazetarët ishin informuar për takimin tonë dhe menjëherë filluan të na filmonin dhe pyesnin se cili ishte qëllimi i këtij takimi me Kryeministrin Bülent Ecevit në ditët e Bajramit. Ata m’u drejtuan veçanërisht mua, mbasi u tërhoqi vëmendje prezenca e një atasheu të huaj ushtarak, i cili në takimin me Kryeministrin ishte i veshur me uniformën përkatëse. Duke ecur ngadalë iu përgjigja gazetarëve se “ne erdhëm për të uruar Kryeministrin për festën e Bajramit si dhe shkëmbyem disa mendime për zhvillimet e ditëve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë”.
Po kryeministri turk do të bënte ndonjë deklatarë nga ana e tij? 
Në fakt atë natë kanalet televizive të Turqisë dhanë takimin tonë me Kryeministrin Ecevit si dhe deklaratën që Ai bëri para gazetarëve, në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë. Bülent Ecevit, me atë qetësinë e tij natyrale dhe karakteristike, nënvizoi se “Shteti dhe Forcat e Armatosura të Turqisë janë në krah të popullit vëlla shqiptar dhe nuk do të lejojnë askënd të prekë kufijtë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Në rast nevoje, vazhdoi Ai, Turqia do të mbrojë së bashku me Shqipërinë sovranitetin dhe pavarësinë e popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë”. Kjo ishte një deklaratë, e cila u bë në kohën, vendin dhe formën e duhur. Ajo u transmetua në të gjitha agjencitë e lajmeve të botës dhe u botua në shtypin kryesor të shumë vendeve…
Turqia i garanton Shqipërisë territorin 
Më 2-3 mars ‘99, ish-kryeministri, Pandeli Majko, në krye të një delegacioni qeveritar bëri një vizitë të rëndësishme në Ankara. Delegacioni shqiptar ishte i përbërë nga Ministri i Punëve të Jashtme, Paskal Milo, Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, Ministri i Financave, Anastas Angjeli Ministri i Ekonomisë, Ylli Bufi. Delegacioni u vendos në hotelin “Hilton”, në qendër të Ankarasë. Të nesërmen, Kryeministri u prit nga Presidenti vendit, Süleyman Demirel, Kryeministri Bülent Ecevit dhe Shefi i Shtatmadhorisë dhe Komandant i Forcave të Armatosura, gjeneral armate, Kivrikoglu. Në Shtatmadhori ishin planifikuar të merrnin pjesë në takim vetëm Kryeministri Majko, Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga dhe Atasheu ushtarak i Shqipërisë, kolonel Hajro Limaj. Për temat që do të diskutoheshin, ne kishim punuar dhe koordinuar të gjitha çështjet përpara se të vinte delegacioni në Ankara. Kryesore do të ishin rrugët e zgjidhjes së krizës së Kosovës dhe mbrojtja e sovranitetit të Shqipërisë nga një sulm i mundshëm ushtarak i Forcave të Armatosura të Serbisë, i cili mund të ndërmerrej me justifikimin e goditjes dhe asgjësimit të reparteve dhe njësive ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, një pjesë e të cilëve stërviteshin në territoret veriore të Shqipërisë. Një argument tjetër, i llogaritshëm më shumë si mundësi teorike, do të ishte hyrja në luftë e Shqipërisë, për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga gjenocidi serb, që kishte filluar të zbatohej nga Milosheviçi, variant i cili do të zbatohej nëse NATO-ja nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë. Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral armate Hysejn Kevrekoglu, i cili ndiqte me kujdes nëpërmjet të dhënave të zbulimit strategjik zhvillimet në Veri të Shqipërisë dhe brenda Kosovës, i garantoi Kryeministrit Majko mbështetjen e gjithanshme ushtarake, në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë nëpërmjet rrugëve konkrete, që do të aplikoheshin sipas zhvillimeve të ardhshme në terren. Gjithashtu, ai e garantoi zotin Majko se do ta mbështeste ushtarakisht Shqipërinë, nëse ajo do të detyrohej të futej në luftë me Serbinë, për të shmangur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Vlen të nënvizohet se nga të gjitha shtetet ku Shqipëria kërkoi mbështetje politike, diplomatike e ushtarake, për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës, i vetmi vend, që iu përgjigj pozitivisht ishte Turqia.
Greqia i kundërvihet NATOS, Turqia nis 18 avionë F-16 
Kolonel Hajro Limaj vazhdon rrëfmin e tij: -Bombardimet që vazhdonte NATO përmes korridoreve ajrore perëndimore e jugore që hynin në Jugosllavi, nuk po e gjunjëzonin Milosheviçin. Për këtë arsye, SHBA me Turqinë, vendosën të hapnin një korridor të ri, për ta bombarduar Serbinë nga Veriu e Lindja e saj. Me vendimin 99/12688, datë 27 prill 1999, Këshilli i Ministrave i Turqisë, vendosi që Bazat Ushtarake Ajrore të Anadollit Perëndimor në Ballekesir dhe në Banderma, nëse ishte e nevojshme, edhe e Çorllusë në Trakën Turke, të kalonin në interes të bombardimeve kundër Serbisë. Ishte koha kur qeveria greke nuk e miratoi kërkesën e NATO-s për hapjen e korridorit të saj ajror për kalimin e avionëve ushtarake të NATO-s për në Jugosllavi. Ndërsa Bullgaria, mbas shumë hezitimesh, e miratoi korridorin ajror, që do të fillonte nga Turqia Perëndimore në Bullgari ose Rumani dhe do të përfundonte në hapësirat ajrore të Serbisë dhe Kosovës. Në bazat ushtarake të Turqisë Perëndimore do të dislokoheshin 72 avionë ushtarakë të NATO-s, nga të cilët 54 avionë F- 15 S dhe F-16 S do të ishin amerikanë dhe 18 të tjerët F-16 do të ishin të Forcave Ushtarake Ajrore të Turqisë. Baza Ushtarake Ajrore e Çorllusë u vendos të përdorej për avionët cisternë të tipit KC-135 R dhe avionët e transportit kargo. Fillimisht do të dislokoheshin 2000 trupa amerikane. 54 avionët ushtarakë amerikanë në fund të muajit maj1999 do të ishin të gjithë të dislokuar në këto baza turke dhe do të fillonin operacionin në fjalë. Për këtë skenar ushtarak, më datën 25 maj 1999, Komandanti i Forcave të Armatosura dhe Shefi i Shtatmadhorisë Turke, gjeneral armate Hysejin Kevrekoglu, inspektoi bazën ajrore të Ballekesirit dhe vëzhgoi një stërvitje ajrore me avionë të tipit F-16 dhe F-4. Turqia vazhdonte të ishte i vetmi vend i NATO-s, që argumentonte dhe mbështeste idenë e organizimit dhe realizimit edhe të operacioneve tokësore kundër Jugosllavisë. Në këto kushte Milosheviçi u gjunjëzua. Menjëherë Turqia dërgoi dhe dislokoi në Kosovë 987 trupa ushtarake, në kuadrin e Forcës Ndërkombëtare të Paqes”.
Ankara 
Armata hap depot 
Gjatë rrëfimit të tij, kolonel Hajro Limaj vazhdon: -Të nesërmen, në orën 09.30 mbërrita në Shtatmadhorinë e Forcave të Armatosura Turke. Kur u drejtova për në sallonin e mbledhjeve pashë njëri mbas tjetrit gjeneralët, të cilët ishin në funksionet e drejtuesve të Drejtorisë së Operacioneve, Logjistikës, Zbulimit,… etj. Njëri prej gjeneralëve, mbasi më përshëndeti, me buzën gjysmagaz, m’u drejtua: “Kolonel Hajro, mirë ditët e zakonshme nuk na le rehat ditë e natë, por edhe ditët e Bajramit na e bëre këtë?!”. Duke qeshur edhe unë iu përgjigja: “Zoti gjeneral, miku i mirë njihet në ditë të vështira”. “-Keni plotësisht të drejtë!” – tha ai. Së bashku u futëm në sallën e mbledhjeve. Përveç ushtarakëve të lartë të Shtatmadhorisë, në mbledhje kishte ardhur edhe përfaqësuesi Ministrisë së Punëve të Jashtme, Drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Vendet e Ballkanit, H. Taner Seben. Pa e zgjatur, unë u dorëzova në turqisht listën e mbështetjes, që kërkonte Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Mbasi studiuan listat, ato i shpërndanë sipas drejtorive përkatëse. Por, përpara shpërndarjes së tyre i’u referuan edhe njëherë detyrave që kishte vendosur Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral armate, Hyseyin Kivrikoglu nga takimi që Ai realizoi me datën 3 mars 1999 me Kryeministrin shqiptar Pandeli Majko, kohë në të cilën nuk kishin filluar akoma bombardimet e NATOs në Kosovë. “Atëherë, zoti Atashe – m’u drejtua Drejtori i Përgjithshëm i Logjistikës, – ne sonte do të hapim rezervat e Armatës në Ankara dhe nesër në mëngjes do të nisen avionët e parë të transportit ushtarak me pajisjet përkatëse, për t’i zbarkuar në aeroportet e Shqipërisë”. Duke më dhënë dorën, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, shtoi; “miku i mirë njihet në ditë të vështira apo jo, zoti kolonel?”. Dhe ashtu ndodhi.
Operacionet në përballimin e krizës 
Në agimin e nesërm, nga aeroporti ushtarak i Ankarasë, u nisën drejt Shqipërisë avionët e transportit ushtarak. Në atë kohë për në kufirin verior të Shqipërisë udhëtonte Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, mbasi Shtabi i Përgjithshëm, me në krye gjeneral Aleks Andonin, në rajonin e Kukësit dhe Tropojës kishin dislokuar mbi 60 % të ushtrisë, përfshirë edhe Brigadën e Tankeve nga Tirana. Ata kishin planëzuar përballimin e kërcënimit ushtarak serb, që në brezin e kufirit. Stërvitja “Drini i Bardhë”, që u zhvillua ato ditë në këto rajone, ishte kurorëzimi i kësaj gatishmërie dhe mesazhi që iu dha ushtrisë Serbe për t’u tërhequr nga kufijtë tanë si dhe nga gjenocidi i egër, që kryente ndaj vëllezërve tanë në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës morën mesazhin se Shqipëria dhe Forcat e Armatosura të saj po u afroheshin çdo ditë… Ushtarakët tanë, nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm, gjatë Operacioneve ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës menaxhuan në mënyrë të shkëlqyer operacionet e evakuimit të popullsisë shqiptare. Ata bënë sakrifica sublime për këtë qëllim. Kështu, Kolonel Mehmet Musai, zëvëndës shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u angazhua në përballimin e krizës së Kosovës. Mbas disa ditësh e kërkova në celular zv/shefin e Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Musain, por ai m’u përgjigj nga Kukësi e jo nga Tirana. – “Zoti Hajro, – më tha. – me një grup të Shtabit të Përgjithshëm, po organizojmë evakuimin e popullsisë civile, që kanë ardhur në Kukës dhe Tropojë nga gjenocidi çnjerëzor serb. Situata është shumë e rëndë”.

DERA HAPUR… HYRJA NGA OXHAKU (!)


Abdi Baleta
Abdi Baleta
Turqia e ka zgjidhjen e saj, sepse ka alternativë veprimi. Po si të bëjnë shqiptarët e gjorë që nuk janë të bashkuar as me Europën e integruar tashmë, as ndërmjet vete?! Për më tepër, shqiptarët shënojnë rastin e parë që njëri nga dy shtetet e tyre, Republika e Shqipërisë, për dy vjet me radhë nuk merr as statusin e kandidatit dhe vetëm një mrekulli mund të bëjë që ta marrë këtë status në orvatjen e tretë këtë vit.
Debati më i panevojshëm midis shqiptarëve tani është rreth përcaktimit të pikësynimit të tyre madhor, kryesor dhe përparësor: integrimit europian apo bashkimit kombëtar. Në fakt çështja kështu shtrohet krejt gabim, sepse integrimi europian (që është prirja mbizotëruese në zhvillimet e tanishme në Europë), nuk ka përse të bjerë në kundërshtim me bashkimin kombëtar, që ka qenë prirja kryesore e synimeve të të gjitha kombeve përpara se të hyjnë në rrugën e integrimit europian.
E veçanta në rastin e shqiptarëve është se ne jemi të vonuar në përmbushjen e aspiratës së bashkimit kombëtar në një shtet kombëtar të vetëm dhe jemi të detyruar të përpiqemi për zgjidhjen e të dyja problemeve në të njëjtën kohë. Por, kjo nuk duhet kuptuar se e bën të pashmangshme alternativën që shqiptarët të sakrifikojnë njërën aspiratë për tjetrën, të mendojnë vetëm për integrim europian duke hequr dorë nga bashkimi kombëtar, ose të këmbëngulin në bashkimin kombëtar duke lënë pas dore integrimin e tyre në Europë. Kush do ta shtrojë kështu problemin për shqiptarët, bën shantazh e padrejtësi mbi ta.
Për vite me radhë shqiptarët janë përkëdhelur nga politikanë të vendeve të Europës dhe nga funksionarë të lartë të mekanizmave integruese europiane me nxitjet e llafet e bukura për perspektivën europiane të shqiptarëve. Kemi dëgjuar pa pushim frazat stereotipe “e ardhmja e Shqipërisë është vetëm në Europë”; “e ardhmja e Kososvës është vetëm në Europë”, “e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është vetëm në Europë”; “për Shqipërinë e për shqiptarët dyert e Europës janë gjithnjë të hapura”. Por, gjithë e keqja qëndron në atë se shqiptarët e kanë të vështirë të hyjnë në Europë nëpërmjet këtyre dyerve të hapura. Madje, dhe kur kujtojnë se u janë afruar shumë këtyre “dyerve të hapura” e mund ta kalojnë lehtësisht pragun, del dikush dhe i paralajmëron se “do t’u duhet të hyjnë nga oxhaku”.
Ka disa kohë që në Tiranë është zbehur atmosfera e veprimtarive përkujtimore për 100-vjetorin e pavarësisë për shkak të grindjeve midis faktorëve politikë shqiptarë lidhur me hapat që duhen hedhur për të marrë të famshmin status të kandidatit për në Bashkimin Europian. Kampet politike (lexo grupimet e interesit mafiozo-ekonomik) kacafyten që të fajësojnë njëri-tjetrin që Shqipëria është gozhduar para “dyerve të hapura” të Europës, nuk po bëhet dot kandidate dhe nuk ka as këllqe të hidhet “për të hyrë nga oxhaku”. Për më tepër Shqipëria fshikullohet e fajësohet për këtë “pazotësi” të saj nga europianët.
Kohët e fundit presidenti i parlamentit Europian, Martin Shulc, pasi lëshoi fjalët standarde mikluese se: “Shqipëria, Maqedonia e Serbia janë në rrugë të mirë drejt anëtarësimit”, nuk ngurroi të shtonte paralajmërimin dyshues e akuzues të zakonshëm se “përgjegjësia e anëtarësimit bie mbi vendin kandidat” (gazeta “Panorama”, 11 nëntor 2012). Pra, vetë Europa i lan duart çfarëdo që të ndodhë, edhe sikur të ketë përgjegjësinë e saj që integrimi i shqiptarëve po vonohet, çka ngjet vërtetë. Komisionerja e Bashkimit Europian për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malstrom, në një intervistë televizive në Tiranë theksoi: “Statusin e keni vetë në dorë” dhe “kushdo që të fitojë në zgjedhjet e ardhshme, duhet të punojë me të gjitha partitë për integrimin”, (“Gazeta Shqiptare”, 10 nëntor 2012), çka nënkupton se deri në qershor të vitit 2013 kur do të mbahen zgjedhjet nuk paska status kandidati për Shqipërinë.
Komisionerja Malstrom e vizitoi Tiranën për t’u tërhequr edhe një herë veshin autoriteteve pushtetore shqiptare që të marrin masa më të forta me qëllim që qytetarët shqiptarë që përdorin të drejtën të udhëtojnë pa vizë në Europë të mos kërkojnë strehim politik atje, sepse përndryshe edhe Shqipëria do të kërcënohet si Maqedonia e Serbia me rivendosjen e sistemit të vizave. Vendet europiane kanë gjetur rrugën më të lehtë për shkelësit e rregullave. Ato ndëshkojnë gjithë masën e madhe të njerëzve që duan të udhëtojnë drejt Europës, në vend që të ndërmarrin veprime më efikase, duke mos pranuar kërkesa për strehim politik, kur duket se ato janë spekuluese. Ndërkaq Greqia ka gjetur një rrugë tjetër më të shkurtër e më arrogante: herë pas here ndërmerr fushata ndëshkuese në pikat kufitare me Shqipërinë, duke kthyer mbrapsht njëherësh grupe të tëra udhëtarësh, pa u dhënë asnjë shpjegim dhe duke shkarravitur pasaportat e tyre.
Edhe më troç mesazhin europian se “portat e hapura” të Europës janë të mbyllura për ta ua transmetoi shqiptarëve ambasadori i Hollandës në Tiranë, Martin de la Biej kur në një intervistë tha: “Shqipëria nuk është gati për statusin” (“Java” 10 nëntor 2012). Në fakt ambasadori nuk zbuloi ndonjë gjë të re e të paditur. Shqipëria nuk është gati tani për statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian, madje nuk do të jetë realisht gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian për shumë kohë pasi të bëhet kandidate e të fillojnë bisedimet. Por, mosmarrja e statusit të kandidatit nuk mund të ndodhë për arsyen se Shqipëria nuk i paska plotësuar të gjitha ato 12 detyrat burokratike që i ka përcaktuar mësuesja e rreptë Europë dhe që shpesh në shtypin e mediat shqiptare trajtohen si “detyrat e shtëpisë” që nxënësi i keq shqiptar nuk po i bën mirë e në kohë. Mësuesja Europë ka gjetur shqiptarët për të treguar pedantizmin e saj në “kontrollimin e detyrave të shtëpisë” dhe ndjen njëfarë kënaqësie të fajësojë vetëm shqiptarët që kanë mbetur të vetmit që nuk kanë arritur ende të depërtojnë nga vrima e bravës së “derës së hapur” për ta, as të rrëshqasin nga vrima e oxhakut drejt paradhomës së kandidatëve, ku tani kanë mbetur fare pak bujtës, Serbia e Maqedonia.
Instinktet burokratike duket nuk e lënë Europën ta mbyllë kapitullin dhe regjistrimin e kandidatëve për anëtarë të BE-së dhe ta fshijë njollën e vogël, të ngjyrosur ndryshe në rrobën e saj integruese që ka mbetur në një cep të Ballkanit, përballë Italisë, jo karshi Azisë. Burokratët e të gjitha kategorive historikisht kanë qenë njerëzit më të durueshëm në përsëritjen e formulave e të stereotipave në sjelljet e tyre. Në të njëjtën kohë ata janë të papërtueshëm e të pashpirt për ta vënë në provë durimin e njerëzve hallexhinj që kanë punë për të kryer me ta. Këto tipare tani i marrin dhe mekanizmat pushtetarë që drejtojnë fate vendesh e popujsh ose dhe fate kontinentale e planetare. Mekanizmat që merren me punët e Bashkimit Europian janë një makinë burokratike gjigande që shkërmoq e bluan shumë interesa të veçanta për t’i njëjtësuar e standardizuar dhe fut në kallëpe të parafabrikuara në Bruksel apo në Strasburg shumë veprimtari, që dikur thuhej se i përkisnin vetëm sferës së sovranitetit të kombit e të shtetit. Por, për këtë nuk ka gojë askush të ankohet, madje edhe po të jetë i pakënaqur, sepse kombet e shtetet me vullnetin e tyre “të lirë” (ose për magjepsje pas reklamave) e kanë ngritur përbindëshin e burokracisë në Bruksel dhe kanë autorizuar mekanizmat e përbashkëta europiane të heqin hallet e studimit, planifikimit, zbatimit, ndarjes së atyre punëve të rënda që dikur u mbeteshin mekanizmave të brendshme të çdo shteti t’i kryenin.
Për shumë vite me radhë është thënë me gëzim e entuziazëm se ishte gjetur mjeti magjik për t’i shpëtuar shtetet nga telashet e jashtme e të brendshme, duke u bërë pjesë e integruar e Bashkimit Europian. E vërteta është se herë pas here po dëgjohen zëra që kjo magji nuk po funksionon aq mirë sa kujtohej, si në kohën kur Europa e Bashkuar ishte e parritur ende në shtat, kur ishte “Europa e të gjashtëve”, “Europa e të dymbëdhjetëve” ose “Europa e të pesëmbëdhjetëve”, kur optimistët e mëdhenj të Europës së Bashkuar filluan “marshimin drejt Lindjes e Juglindjes” me besimin se tashmë kishte ardhur koha për ta bërë realitet jo vetëm ëndrrën që kishte francezi Zhan Mone (dhe të tjerët para tij), por dhe formulën e famshme më specifike të gjeneralit francez Sharl Dë Gol për “Europën nga Atlantiku në Urale”. Kanë filluar dyshimet për forcën çudibërëse të Europës së Bashkuar, sepse shihet që edhe duke qenë në Bashkimin Europian mund të telendisesh keq e më keq, siç po dëshmon rasti i Greqisë, kriza ekonomike në Itali, Spanjë e Portugali, pastaj kriza e euros, kryeveprës së Europës së Bashkuar, dhe kërcëllitja e dhëmbëve nga blloku franko-teuton për njëfarë hegjemonie në Europën e Bashkuar dhe paralajmërimet britanike se interesat ishullore kanë përparësi.
Por, përsëri integrimi në BE mbetet ëndërr e bukur, sidomos për ata popuj që nuk e kanë provuar ende shijen e këtij integrimi dhe në ato pak shtete të Ballkanit që kanë mbetur jashtë këtij Bashkimi. Më tutje, në Lindje të Europës, ende nuk shohin shumë ëndrra me Bashkim Europian. Ndërkaq turqve ëndrra po u del zhgjëndërr pas disa dekadash shprese dhe kanë filluar të çojnë sinjale të forta se nuk do të presin me durimin e tyre proverbial më gjatë se viti 2023 (kur mbushet 100-vjetori i krijimit të Republikës së Turqisë) dhe, po nuk u pranuan deri atëherë, do të shikojnë punën e tyre dhe ta kërkojnë fatin e vet më të mirë jashtë Europës së Bashkuar.
Turqia e ka zgjidhjen e saj, sepse ka alternativë veprimi. Po si të bëjnë shqiptarët e gjorë që nuk janë të bashkuar as me Europën e integruar tashmë, as ndërmjet vete?! Për më tepër, shqiptarët shënojnë rastin e parë që njëri nga dy shtetet e tyre, Republika e Shqipërisë, për dy vjet me radhë nuk merr as statusin e kandidatit dhe vetëm një mrekulli mund të bëjë që ta marrë këtë status në orvatjen e tretë këtë vit. Pse të ndodhë vallë kështu me ne shqiptarët, që atë që të tjerët e sigurojnë me njëfarë lehtësie e pa shumë vonesa, ne nuk e marrim dot as duke u lutur natë e ditë, e as duke u përbetuar se jemi më europianistë se vetë europianët që kanë nisur Bashkimin Europian, as duke dërguar sinjale të forta se mund të heqim dorë edhe nga aspirata jonë për bashkim kombëtar, nëse bën emër Europa të na tërheqë një ditë në gjirin e Bashkimit Europian? Europianistët e thekur shqiptarë nuk mund të çojnë në mendje se Europa po gabon në qëndrimet e saj refraktare ndaj ndjesive e përbetimeve shqiptare për dashuri e besnikëri ndaj Europës së Bashkuar. Ata vrasin mendjen se si të fajësojnë ata shqiptarë që tregojnë njëfarë skepticizmi ndaj Europës së Bashkuar, që dëmtuakan integrimin shqiptar në Europë. Disa europianistë fajësojnë edhe ndjenjat e përhapura të proamerikanizmit te shqiptarët, se gjoja janë këto që largojnë simpatitë europiane edhe vonojnë integrimin europian. Disa madje fajësojnë deri një “ringjallje të nostalgjive otomaniste” te shqiptarët që nxitka ngurrimin e Europës për të përshpejtuar integrimin e shqiptarëve në gjirin e saj. Disa të tjerë fajësojnë apo atë forcë politike shqiptare, që nuk bën sa duhet për të plotësuar kërkesat e porositë europiane, për t’u sjellë si “nxënëse e mirë dhe e zellshme në kryerjen e detyrave të shtëpisë” të vëna nga mësuesja Europë.
Shqiptarëve u tregohen nga politikanët dhe propagandistët e vet dhe të huaj shumë projekte zgjidhjesh e modele veprimi dhe rrugë të çuditshme plot lakore, për t’i larguar sa më shumë nga ideja e bashkimit kombëtar mendërisht, shpirtërisht e fizikisht, që kështu të përqendrohen vetëm tek integrimi evropian: herë u thuhet se rruga më e lehtë drejt integrimit europian është ajo e integrimit ballkanik, e herë u sugjerohet se një integrim brendashqiptar do t’i shëronte shqiptarët nga vuajtjet e bashkimit të parealizuar kombëtar dhe do t’ua bënte më të lehtë integrimin europian. Kështu në shtypin shqiptar dalin shkrime me titull “A është i mundur një Benelux ballkanik”? (“Shekulli, 21 qershor 2012), “Beneluksi ballkanik do të përshpejtonte hyrjen në BE” (“Investigimi”, 30 qershor 2012). Nuk kanë munguar edhe shkrimet utopiste për ta krijuar një “Zvicër ballkanase” në Ballkanin Perëndimor, që BE-ja do ta priste menjëherë krahëhapur në gjirin e vet. Projektuesit e këtij projekti utopik duan të përfshijnë në të Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, pra të krijojnë një mini-Jugosllavi të dikurshme. Disa nënkuptojnë aty edhe përfshirjen e Serbisë, por nuk e shpallin ende hapur idenë e tyre. Projekte të tilla janë reklamuar në shtypin e Shqipërisë edhe në vitet 1990, sidomos pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kur u pa qartë se Kosova do të dilte nga thundra e Serbisë. Projekte të ngjashme me emrin “Ballkania” janë qenë paraqitur edhe në Kosovë për “hir të shmangies së ndeshjes së fortë serbo-shqiptare”, e cila gjithsesi ndodhi dhe pati përfundim fatlum për shqiptarët.
Në verën e vitit 2012 në Nju-Jork u organizua një konferencë për projektin e “Fqinjërisë shqiptare në Ballkan” (është quajtur edhe “lagjja ose mëhalla shqiptare”), kjo si një alternativë për ta bërë të panevojshëm e të kapërcyer një bashkim kombëtar shqiptar të mirëfilltë. Pritej që ky projekt të shpalosej më qartë gjatë vazhdimit të kësaj konference në Tiranë në muajin korrik, por çuditërisht kjo konferencë në Tiranë kaloi pa u vënë re fare.
Të gjitha nismat e kësaj natyre nuk bëjnë gjë tjetër, veçse rivënë në qarkullim ide e projekte të stërkonsumuara për t’iu kundërvënë aspiratës e të drejtës së shqiptarëve për bashkim kombëtar, për të penguar krijimin e shtetit real kombëtar unitar shqiptar në Ballkan, që është një synim i vjetër i politikës së fqinjëve armiqësorë sllavo-grekë të shqiptarëve. Për të penguar zgjidhjen reale të çështjes kombëtare shqiptare gjatë 200 viteve të fundit, janë paraqitur lloj-lloj planesh për federata e konfederata shqiptare në Ballkan, për shtete dualiste shqiptaro-greke etj. Zgjidhjet e tilla i kanë propozuar shtetet perëndimore, pansllavizmi e Rusia Cariste, Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia komuniste. Të tilla projekte ishin pranuar edhe nga politikanë e intelektualë shqiptarë, por edhe forca politike shqiptare, si Partia e Punës. Ato i pranojnë edhe sot plot politikanë e forca politike shqiptare, prandaj ringjallen edhe tani lehtësisht idetë e integrimeve ballkanike e europiane si kundërpeshë e kundërvlerë e bashkimit kombëtar shqiptar.
Utopizmi i disave dhe dinakëria e disa të tjerëve që çështjen shqiptare ta shuajnë nëpërmjet skemash të tilla, nuk mund të kenë të ardhme. Këto utopizma e dinakërir mund t’i shërbejnë ndonjë politike europiane që nuk duron dot të ketë në Europë një shtet me shumicën e popullsisë myslimane e me mbizotërim kombëtar shqiptar, por kjo nuk është arsye që shqiptarët të sakrifikojnë interesat e tyre kombëtare shqiptare për t’ua bërë qejfin politikave të tilla, edhe në qoftë se këto projekte ua paraqesin shqiptarëve si kusht për integrimin e tyre në Europë.
Analisti amerikan Ian Brzezinski ka paralajmëruar se “Ballkani Perëndimor është fare pranë një tjetër udhëkryqi” dhe se “marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë shtyllë stabiliteti në një botë përherë e më të pasigurt”. (“Gazeta Shqiptare”, 30 qershor 2012). Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillari Klinton, në fjalimin e saj të shkëlqyer para Kuvendit të Shqipërisë, më 1 nëntor 2012, e përforcoi edhe më shumë rëndësinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare për rajonin e Ballkanit e të Europës, kur deklaroi: “SHBA-të qëndruan me ju në 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë edhe për 100 vitet e ardhshme, edhe për 100 të tjera, edhe për 100 pas tyre”.
Diplomacia e vendeve më të fuqishme europiane i di me kohë dhe i mban parasysh ato për të cilat paralajmëron Brzezinski, ndërsa në Europë e kanë të qartë se problemet që krijojnë tension në Ballkanin Perëndimor dhe jugor nuk janë zgjidhur. Kështu nuk është zgjidhur çështja e Bosnje-Hercegovinës, nuk janë zgjidhur konfliktet midis Serbisë e Kosovës, nuk janë zgjidhur konfliktet kombëtare brenda në FYROM-it, pra grindjet midis Maqedonisë e Greqisë rreth një çështje që në vetvete është qesharake, emri i një shteti. Edhe marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk janë aspak normale dhe mund të sjellin shpërthime në çdo kohë. Në qendër të ciklonit që mund të shpërthejë sërish do të jenë shqiptarët, si komb i ndarë, i copëtuar dhe tejet i dëmtuar.
Europa i mendon mirë punët e saj kur vendos për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Edhe ajo i ka dilemat e veta: t’i pranojë këto shtete me problemet e tyre të pazgjidhura dhe zgjidhjen ta marrë përsipër si problem të brendshëm të Europës së Bashkuar apo të shtyjë anëtarësimin e tyre deri në një kohë kur këto probleme, ose disa prej tyre, të jenë fashitur?! Ajo duhet të pranojë që këto probleme të shpërthejnë si konflikte brenda një Europe të Bashkuar apo t’i lërë ngjarjet të zhvillohen në mënyrë që shpërthimet e mundshme të trajtohen si konflikte ndërkombëtare, e jo si “luftë civile” në Europën e Bashkuar”?!
Diplomacia e ftohtë europiane nuk mund të besojë se amalgamat “Beneluks ballkanik”, “Zvicër ballkanase”, ku shqiptarët të vihen përsëri në pozitën e “ortakut” me sllavët mund të kenë sukses më të madh se “bashkim-vllaznimi” shqiptaro-sllav, që dështoi bashkë me federatën e ish-Jugosllavisë. Ka mjaft arsye, pra, që shqiptarët të mendojnë se vonesat në dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë nuk vijnë vetëm për shkak se Shqipëria nuk po bën si duhet 12 detyrat e shtëpisë që ia ka dhënë mësuesja Europë. Prandaj Europës i duhet në radhë të parë të mendojë mirë që të përcaktojë qëndrimin ndaj çështjes kryesore, bashkimit kombëtar shqiptar në Ballkan, për ta bërë kombin shqiptar faktor real johipotetik paqeje e stabiliteti ose për ta mbajtur të ndarë si sot në udhëkryqin e Ballkanit Perëndimor.

SI U PËRMBYSËN FATET: GREKËT DREJT SHQIPËRISË SI REFUGJATË

Nga Yiannis Elafros (Kathimerini)


“Gjithnjë e më shumë po takoj grekë të tjerë nga krahina të ndryshme të vendit, që gjithashtu kanë ardhur për të punuar në Shqipëri”
ndertim
“Turist shqiptar” ishte batuta e fundit e një shakaje jo fort korrekte politikisht, që përsëritej shpesh këndej në vitet 1990. Shiko sesi u përmbysën fatet. Sikur të mos mjaftonin refugjatët shqiptarë që po kthehen në atdheun e tyre, një numër në rritje grekësh të prekur nga kriza, gjithashtu po drejtohen për nga fqinji i tyre verior duke kërkuar ndonjë vend pune.
“Udhëtoj rregullisht për në Shqipëri, për ndonjë punë në ndërtim”, thotë një punëtor nga Thesprotia në veri të Greqisë, që nuk pranon të tregojë emrin e tij. “Gjithnjë e më shumë po takoj grekë të tjerë nga krahina të ndryshme të vendit, që gjithashtu kanë ardhur për të punuar në Shqipëri”, shton ai.
Shumica e grekëve që e kanë vizituar Shqipërinë në kërkim të ndonjë vendi pune, e kanë bërë me ndihmën e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët kanë vendosur gjithashtu të largohen nga vendi i kërrusur prej borxheve të jashtme.
“Rrogat në Shqipëri janë shumë të ulëta. Punëtorët e ndërtimit marrin 7-10 euro në ditë, kurse mjeshtrat marrin 15 euro apo edhe deri në 20 në ditë, me pak fat”, vijon punëtori grek i ndërtimit. Sigurisht kostoja e jetesës aty është shumë më e lirë krahasuar me Greqinë. “Kuptohet që ata të cilët nisen për punë drejt Shqipërisë janë vërtet në gjendje të dëshpëruar”.
Një numër kompanish shqiptare dhe greke janë duke kërkuar për ekipe të specializuara nga Greqia, duke përfshirë edhe inxhinierë, për të punuar në projekte në të ndryshme nëpër Shqipëri. Është punë e rëndë në shkëmbim të një pagese të relativisht vogël.
“Bëhet fjalë këtu për 10 orë punë në ditë me vetëm katër ditë në muaj pushim, domethënë vetëm dy fundjava”, thotë një punëtor tjetër nga Janina, i cili e ka kapërcyer shpesh kufirin, në kërkim të punëve. Ai thotë se burrat punojnë përt të punuar në Shqipëri e kthehen herë pas here për të takuar familjet e tyre në Greqi. “Në është ndonjë situatë e përkyer, por është mirë se asgjëja – sidomos nëse ke parasysh gjendjen sot në Greqi”.
Eksodi nuk është edhe aq i madh, për arsye të rrogave të ulëta por edhe për shkak të numrit të vogël të punëve në dispozicion. Megjithatë, kjo është hera e parë që grekët po kalojnë kufirin për të punuar në Shqipëri, jo më si ekzekutivë apo të deleguar për ndonjë degë në Tiranë të firmave të mëdha greke porn ë kërkim të ndonjë pune çfarëdo.
Kjo prirje u theksua sidomos gjatë verës. Kur shumë grekë kaluan kufirin në kërkim të ndonjë pune në turizëm, në jug të Shqipërisë, aty ku rrogat janë më të larta, e që mund të shkojnë edhe në 30-40 euro në ditë.
Ndonëse nuk është e sigurtë nëse kjo prirje do të jetë apo jo afatgjatë, fluksi drejt Shqipërisë është konfirmuar tashmë nga drejtoria e emigracionit në Ministrinë e Punës në Shqipëri. Zyrtarët thonë se shumica e punëtorëve të jashtëm vijnë nga Turqia, Greqia dhe nga Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), po edhe nga Italia, Kanadaja dhe Kina.
Numri i kërkesave nga jashtë për leje pune është i vogël – vetëm 2,500 për vitin 2012, ndonëse 8% më i lartë se në 2011. Mirëpo, shumica e punëve të përkohshme nuk kanë nevojë për leje pune dhe kjo ushqen më shumë prirjen e kalimit të kufirit për punësim të përkohshëm.

FUNKSIONI IDEOLOGJIK I MESIANIZMIT TË SKËNDERBEUT


Doan Dani
Doan Dani
Nga periudha e Rilindjes, përgjatë shekullit të kaluar – dhe ka gjasa të vazhdojë ky rrugëtim tashmë i rrënjosur në pavetëdijen kolektive –, qasja ndaj mesianizmit të dyfishtë të rezistencës shqiptare në fundin e mesjetës dhe të figurës së Skënderbeut në veçanti është zhvilluar në tre pikëpamje të ndryshme, që jo domosdoshmërisht nuk përputhen me njëra-tjetrën në disa pika themelore. Është fjala për rolin mesianik, ndaj kombit dhe ndaj Evropës, të ndërtuar nga gjysma e dytë e shek. XIX dhe në vijim, ku nevojat politike të shqiptarëve, në këtë periudhë dhe sipas elitave, kërkojnë një mit themelues me karakteristikat e shpëtimtarit të kombit dhe të kontinentit evropian. Pastaj sa përputhet ky rol me realitetin e shek. XV nuk mund të trajtohet në këtë artikull. Tre qasjet – nacional-romantike, patriotike-marksiste dhe eurocentrike – i përkasin fazave të ndryshme në kërkimin/zbulimin e të kaluarës së kombit dhe tre funksioneve politike të cilave u përshtatet edhe historiografia: duhet të jetë e qartë se shkenca e historisë në këto zhvillime është thjesht e varur nga funksionalizmi i saj në favor të doktrinave politike të rradhës.

Ekskluzivisht shqiptar
Mesianizmi skënderbeian ndaj Evropës, në qasjen nacional-romantike, ishte së pari madhërim i figurës së heroit në nivel ndërkombëtar, por të shkëputur nga Ballkani, tek i cili ideologët e shqiptarizmit nuk gjenin aleat për kombin e shek. XIX: në këtë mënyrë realiteti mesjetar intepretohet nëpermjet tablosë politike të shek. XIX. Së dyti, ky mesianizëm nevojitej për ndërtimin e aleancave politike me Fuqitë e Mëdha perëndimore që kishin në dorë fatet e popujve të Ballkanit dhe gjithashtu, i shërbente idesë së një kombi të lidhur me Perëndimin që në mesjetë.
Megjithëse për Naimin dielli «lind andej nga perëndon», për ideologët e shqiptarizmit nuk ka përplasje mes qytetërimeve dhe Skënderbeu nuk transformohet në mbrojtës i njërës kulturë ndaj një tjetre të prapambetur. Tek Samiu janë turqit dhe jo osmanët ata që përfaqësojnë armikun e shek. XV dhe të shek. XIX, pra janë etnia dhe kombi ata që krijojnë diferencimin, por jo qytetërimi, pasi Samiu i përkiste qytetërimit osman dhe e ndjente veten pjesë të vatanit perandorak, natyrisht duke nënvizuar përkatësinë etnike shqiptare. Nga gjurmët orientaliste të disa fragmenteve të krijimtarisë naimiane nuk dalin qartazi elementët e nevojshëm për ndërtimin e strukturës dalluese mes qytetërimeve, përveç disa identifikimeve gjeografike. Me fjalë të tjera, mungon stigmatizimi i osmanëve si qytetërim, që do të karakterizojë prodhimtarinë e ardhshme publicistike, letrare dhe, çka është më e rëndësishme, historiografike.

Heroi internacionalist
Nga qasja patriotike-marksiste, tipike e periudhës enveriste dhe pak më e hershme, nëse kemi parasysh veprën e F. Nolit, mesianizmi evropian i Skënderbeut merr formën e diferencimit mes qytetërimeve, gjen baza historike, masivizohet në popull, duke krijuar imazhin kolektiv, dhe modelohet sipas nevojave politike e vetëlegjitimuese të regjimit. Ndryshe nga këndvështrimi shqiptarist puritan i rilindësve, këtu Skënderbeu kornizohet (edhe) si hero ballkanik, që lufton përkrah fqinjëve – malazezë, boshnjakë, serbë, bullgarë – të «vëllazëruar» në luftën kundër osmanëve, e për këtë nderohet edhe nga epika e tyre popullore. Mirëpo, në fazat e ndryshme të vetizolimit të diktaturës, e kaluara e kombit shfaqet gjithnjë më e shkëputur nga veprimtaria mesjetare e popujve fqinjë, çka e redukton panballkanizmin e Skënderbeut. Nga kjo qasje, qytetërimi evropian, tek i cili pretendohet projektimi i Shqipërisë së shek. XIV-XV, është pa diskutim «superior» ndaj atij osman, për të cilin krijohet, edhe në sferën e historiografisë, një varg i gjatë epitetesh dhe metaforash stigmatizuese. Sidoqoftë, mbetet një diferencim kulturor laik, dhe kur Skënderbeu pranohet si “mbrojtës i krishtërimit”, sipas A. Budës, nuk duhet interpretuar si mbrojtës i një feje të veçantë ndaj një feje tjetër, pasi, për Budën, nuk është feja karakteristika themelore e qytetërimeve e natyrisht as e kombit shqiptar.
Prodhimtaria e regjimit afrohet me pikëpamjen nacionaliste puritane përsa i përket rolit parësor akorduar fesë politike të nacionalizmit dhe largohet, ndër të tjera, nga raportimi me besimet tradicionale, të cilat për ideologët e shqiptarizmit, përtej leximeve thjeshtësuese dhe folkloristike të parullës së famshme të Vaso Pashës, janë pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të kombit. Skënderbeu nacionalist është ekskluzivisht shqiptar, ndërsa ai patriotik-marksist shfaqet si panballkanik. “Shpëtimtari” i Evropës i nevojitet propagandës së regjimit për të vërtetuar që Shqipëria mesjetare kishte kulturë dhe zhvillim feudal evropian dhe qytetërimi osman ishte tejmase inferior e shkatërrimtar; që Skënderbeu dhe populli shqiptar ishin pjesë e politikës evropiane; që rezistenza shqiptare ishte me rëndësi ndërkombëtare, gjë e cila përforcon formën arketipale të rezistencës, dhe që, në fund, populli, i «tradhtuar» nga «interesat meskine» të Evropës, e vazhdoi luftën i vetëm, «ashtu si Partia».

“Përplasja e qytetërimeve”
Qasja e tretë nënvizon në mënyrë të theksuar mesianizmin evropeist të Skënderbeut, ku me Evropë, në këtë rast, nënkuptohet në radhë të parë kultura e karakterizuar nga feja e krishterë: kështu, lufta e heroit nuk përbën thjesht çlirimin e kombit, por shfaqet kryesisht si shpëtimtare e Evropës së krishterë. Diçka e tillë nënvizohet thuajse në të gjitha reflektimet me karakter historiografik, “shkencore” ose amatoriale, të dekadave të para të shek. XX, të botuara në ndonjë monografi ose në revista. Nëse sakralizimi me simbole e terminologji fetare që Naimi ndërtonte në historinë e tij të Skënderbeut nuk përmbante identifikime të një doktrine specifike, në analizat e këtyre dekadave Evropa dhe Tjetri identifikohen nga feja, normalizohet shoqërimi i Evropës nga epiteti «e krishterë», nënvizohen titujt me ngjyresa fetare-specifike të Skënderbeut. Nga njëra anë qytetërimi «armik» – i përshkruar mjaf mirë si i tillë nga përcaktimi «pushtim shekullor» – merr fasadë fetare, ndërsa, nga ana tjetër, kjo fe, paradoksalisht, i përket bashkëkombasve. Përcaktohet në këtë mënyrë edhe shkalla e shqiptaritetit, ose «pastërtia e gjakut»: sa më e madhe është largësia nga ndikimi dhe përvetësimi i kulturës («inferiore») osmane – që tashmë në shek. e XX është shndërruar në trashëgimi – aq më shqiptar do të jetë individi. Largimi nga trashëgimia osmane përbën një hap drejt shqiptaritetit edhe në ideologjinë e regjimit enverist, por duke mos i njohur një besimi fetar-tradicional rolin themelor në të ashtuquajturën «pastërti të gjakut» qasja historiografike gjatë enverizmit mund të ishte koherente me linjën e nacionalizmit puritan dhe mund t’i madhëronte, për shembull, vëllezërit Frashëri si modele shqiptariteti, përkundër vendosjes terësisht në diskutim të shqiptaritetit të këtyre modeleve nga ato pikëpamje të cilat tentojnë të shpjegojnë «të kaluarën shqiptare» dhe «esencën shqiptare» nëpërmjet konkurrencës asgjësuese fetare. Me fjalë të tjera, Naimi dhe Samiu, për vizione të tilla, nuk janë më shqiptarë ose i përkasin një kategorie dytësore, për të mos thënë tradhëtarëve të «gjakut të pastër». Arsye kjo për t’i nënshtruar këto modele ndaj një transfuzioni kulturor funksional për ideologët e sotëm. E nëse Skënderbeu mund të pasqyrohet edhe nga këndvështrime fetare, e vetmja mënyrë integrimi e këtij këndvështrimi me modelin e vëllezërve frashëri është përjashtimi i tyre nga trendi i llogores evropeiste.

Gabimi i Anthony Smith?
Në arritjen e konkluzioneve të tilla padyshim një ndihmesë të vyer e jep abuzimi me historinë mesjetare, që, fundja, nuk është ndonjë risi për asnjërën nga tre qasjet. Duke përshkuar mitin e Heroit, arketipin e Rezistencës dhe imazhin kolektiv të Tjetrit nëpërmjet ndikimit specifik fetaro-tradicional prodhohet një frakturë me shqiptarizmin rilindës dhe me integritetin e vetë kombit. Dhe kjo rrjedh nga mënyra e interpretimit të veprimtarisë së Skënderbeut që vazhdon të ushqejë epshet ideologjike në dëm të historiografisë si shkencë. Ndonëse qasja eurocentrike u mënjanua nga regjimi enverist, ajo është rishfaqur vrullshëm në dy dekadat e fundit duke propozuar terminologjinë raciste të sintetizuar nga «gjaku i pastër», duke ricikluar linjat themelore të konceptimit marksist të mesjetës, duke e konsideruar mesjetën si epokën në të cilën jetojnë këta “historianë”, pasi vetëm kjo mund të shpjegojë si dhe pse spostohen në mënyrë aq groteske NATO apo BE në shek. XV. Pyetjes ironike të Anthony Smith se “kush do të vdesë për Evropën” një pjesë e elitës sonë i përgjigjet duke i treguar një popull të gatshëm për vetëflijim që në mesjetë: rast unik ky, për të mos thënë grotesk, për të gjitha kohërat.

Antiteza e “idealizmit materialist”
Për Rilindjen ishte themelore gjetja e një emëruesi të përbashkët për shqiptarët e shek. XIX – ata që më vonë sollën Pavarësinë – dhe propozimi i një Epoke të artë mesjetare në gjendje për të nxitur ndërgjegjen kombëtare moderne, e cila u masivizua nga shtypi, arsimi dhe krijimi e konsolidimi i Shtetit shqiptar. Objektivi ishte krijimi i identitetit, çka edhe u arrit. Sot vërehet e kundërta: ky identitet nuk “pëlqehet” dhe e tërë masa duhet “spostuar” në mesjetë, e jo në mesjetën e shekujve bizantinë malazezë, serbë e bullgarë, e as në situatën e atomizuar të të gjithë territorit të atëhershëm shqiptar, por në një fragment të caktuar kohor dhe territorial, të prodhuar në laboratorin modern, ku çdo gjë e zhvilluar jashtë këtij fragmenti nuk konsiderohet më shqiptare.
Por meqenëse identiteti shqiptar është teorizuar prej më se një shekulli, përse nevojitet spostimi abuziv në një mesjetë kaq të sajuar? Mos vallë do ta ndjejmë veten më të bashkuar si komb duke mohuar edhe ato elemente që sot na bashkojnë?
E çuditshme, po të imagjinojmë që sot Greqia rrezikon qëndrimin e saj në BE për mospërmbushje të disa kushteve dhe për një falimentim të mundshëm financiar, përballë indiferencës totale evropiane ndaj simbolit fetar që ky shtet bart në flamurin kombëtar, ndërsa ne shqiptarëve duket sikur na shërben t’i tregojmë këtyre shteteve se diku dhe dikur në mesjetë kishim simbole të tilla! Si përherë mbizotëron fryma e projektimit të problemeve dhe e shpëtimtarëve të rradhës tek Tjetri, por gjetja aktuale shkon akoma më tej, pasi e  ka transferuar Tjetrin nga një entitet material (Porta e Lartë, Evropa, etj.) në një epokë të tejkaluar prej një gjysëm mijëvjeçari, duke pretenduar se koha nuk ndryshon dhe si e tillë do të jetë ajo epokë zgjidhja e problemeve të shqiptarëve.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...