Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/19

Ngjitja dhe Rënia e Millosheviqëve, në Libër 1000 Faqësh


Sllobodan Millosheviq (Слободан Милошевић) ka lindur në Pozharevc, Jugosllavi më 20 gusht 1941 dhe ka vdekur në Hagë, Holandë më 11 mars 2006. Gjatä karrierës së tij politike, Millosheviq mbajti postin e Presidentit të Republikës së Serbisë për periudhën 1989-1997, dhe postin e presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë për periudhën 1997-2000, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë nga krijimi i saj më 1992 deri në vitin 2001, dhe i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prindërit e Sllobodan Millosheviq, Svetozar Milosheviq dhe Stanislava Milosheviq u divorcuan pak vite pas lindjes së Sllobodan Millosheviq. Babai i tij, prift në Kishën Ortodokse Serbe kreu vetëvrasje në vitin 1962. Nëna, Stanislava, mësuese shkolle, do të kryejë vetëvrasje (varje) në vitin 1974.

Gjatë viteve të gjimnazit Millosheviqi e takon gruan e tij të ardhshme Mira Markoviq (Marković), figurë fondamentale e politikës Serbe në vitet 90 dhe inspiruese e rilindjes së nacionalizmit serb. Diplomohet jurist më 1964 në Beograd dhe i bashkohet Lidhjes Komuniste të Serbisë.

Millosheviq fillon të punojë si funksionar në firmat shtetërore të Serbisë: së pari në kompaninë e gazit e pastaj në Beogradska Banka.


Ngritja e karrierës së tij fillon në vitin 1986: Millosheviq zgjidhet president i Lidhjes Komuniste të Serbisë, falë përkrahjes së Presidentit të Serbisë, Ivan Stambolliq (Stambolić), mikut të tij personal dhe tutorit politik. Vitet 90-të karakterizohen nga ringjallja e nacionalizmit serb dhe për largimin nga modeli i Jugosllavisë titiste.

Nacionalizmi merr hovë kur më 24 shtator 1986 e përditshmja beogradase Veçernje Novosti (Večernje Novosti) publikon pjesë të një dokumenti të titulluar Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (Memorandum SANU ose Memorandum Srpske Akademije Nauka i Umjetnosti).

Në këtë vepër, të redaktuar nga intelektualët serbë të udhëhequr nga novelisti Dobrica Qosiq (Ćosić), përpunohet aktakuza kundër Titos për veprimtari antiserbe, dhe përshkruhet një projekt për eliminimin e plotë të Serbëve nga Kosova. Edhe pse elita komuniste distancohet nga ai memorandum, Millosheviqi heshti.


Në mesin e viteve 80-të situata paraqitej më e vështirë në Kosovë, me tensione ndërmjet serbëve e shqiptarëve, kurse në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë situata ishte relativisht më e qetë. Më 1987 Presidenti i Republikës Socialiste të Serbisë, Stambolliq dërgon Millosheviqin në Kosovë për të dëgjuar ankesat e Serbëve kundër udhëheqjes partiake dhe shtetërore në Kosovë. Në një situatë të tensionuar, të krijuar artificialisht nga grupe të Serbëve, banorë të Kosovës, Milosheviq deklaron para turmës së Serbëve të mbledhur se “askush më nuk do të guxojë tju rrahë juve.”


I aftë për të drejtuar (nëse jo për të krijuar dhe nxitur ) ndjenjat e opinion publik serb, Millosheviqi pastron klasën e tërë politike serbe, nën akuzën për paaftësi. Më 1987 Stambolliq detyrohet të japë dorëheqjen dhe Millosheviqi bëhet President i Republikës së Serbisë në vend të tij.

Më 1988 acarohet edhe më tej situata në Kosovë dhe në republikat tjera, veçanërisht në Slloveni. Ndërsa Millosheviqi mbështeste një model centralist në planin ekonomik dhe politik, në drejtim të cilit do të ishte Serbia si republika më e madhe e federatës, Lubjana me kryetarin Millan Kuçan (Milan Kučan) mbështeste të drejtën për vetëvendosje të republikave dhe respektimin e pakicave dhe autonomisë.

Millosheviqi e kuptoi që zotëronte përkrahje të madhe popullore: Serbët panë në të një udhëheqës të një kombi krenar, një udhëheqës karizmatik. Kisha Ortodokse Serbe e përkrahu atë po ashtu. Propaganda serbe e ringjalli mitin e fitores së thyer, i cili sipas Serbëve ju pengua bashkimi politik i të gjithë Serbëve ndërsa në Serbi ishin ndarë dy krahina, Kosova dhe Vojvodina.

Në mars 1989 modifikohet njëanësisht kushtetutat kosovare dhe serbe, që ja hoqi autonomin Kosovës. Më 28 qershor 1989, 600 vjet pas betejë së Fushë Kosovës, mblidhen qindra mijëra Serb në Fushën e Mëllenjave ku Millosheviqi jep një fjalim luftënxitës. Shqiptarët qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Më 19 nëntor 1989 mblidhen një milion manifestues në Beograd.


Në janar të 1990 mbahet kongresi i 14-të dhe i fundit i LKJ-së. Millan Kuçan (Milan Kučan), që udhëhiqte delegacionin slloven, vendos që delegacioni i Sllovenisë të tërhiqet, dhe pastaj të njëjtën e bëri edhe Kroati Ivica Raçan (Ivica Račan). Ky ishte fundi politik i Jugosllavisë federale dhe multietnike.

Në qershor të 1990 Millosheviqi riemëron lidhjen komuniste serbe në Partia Socialiste Serbe, nga e cila zgjedhet kryetar. Në janar 1991 zbulohet shtypja ilegale e monedhës federale nga ana e qeverisë serbe, ndërsa në janar Millosheviqi dërgon ushtrinë për të ndërprere protestat e opozitës në Beograd. Pas referendumeve popullore më 25 qershor të 1991, Sllovenia dhe Kroacia shpallin pavarësinë.


Ushtria federale intervenoi në Slloveni. Millosheviqi nuk ishte i interesuar në vendin, etnikisht kompakt dhe i përkrahur nga Austria dhe Gjermania. Lufta përfund pas dhjetë ditëve, më 8 gusht. Vëmendja e Millosheviqit zhvendoset në Kroaci, në veçanti në regjionet e banuara me Serb në fushat e Sllavonisë dhe të regjionit malor të Krajinës.

Milosheviqi nuk pranoi që popullatat serb të jetonin jashtë Jugosllavisë së re ku përfshihet Serbia dhe Mali i Zi. Projekti i tij ishte që të aneksoj territoret e banuara me Serb në Kroaci dhe gjysmën e Bosnje-Hercegovinës ku lufta më 1991 ende nuk kishte filluar.

Në gjysmën e vitit 1991 Millosheviqi, ushtria federale jugosllave dhe trupat paraushtarake fillojnë një luftës të ashpër kundër Kroacisë. Viktima e parë është qyteti multietnik i Vukovarit, ku bashkëjetesa mes kroatëve dhe serbëve ishte historike. Ushtria jugosllave futet në thellësi të territorit kroat duket arritur të granatoj Zagrebin.

Mas referendumit për pavarësi në Bosnje të mbajtur më 29 shkurt 1992, i cili u bojkutua nga Serbët e Bosnjës, filloi lufta e Bosnjës. Millosheviqi përkrahu ushtarakisht dhe politikisht Radovan Karaxhiqin (Karadžić), udhëheqësin e serbëve të Bosnjës dhe kriminelin e luftës.

Lufta e Bosnjës u përfundua më 21 nëntor 1995 me marrëveshjet e Dejtonit (Dayton), të cilin Millosheviqi e nënshkruan për Serbët e Bosnjës përkundër dëshirës së tyre. Millosheviqi pas kësaj u cilësua njeri i paqes dhe u la në pushtet.Vlenë të thekësohet se Bosnja nga marrëveshja e Daytonit humbi shumicen e qeverisjes vendore, kështu shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës edhe pse i dëmtuar nga lufta humbi përparsinë politike duke marrë vetem 49% të qeverisjës, ndërsa 51% iu takonin Serbve.


Në nëntor 1996 Millosheviqi u zgjedh president i Republikës Federale Jugosllave (ku përfshihet Serbia dhe Mali i Zi). Në të njëjtin vit koalicioni opozitar Zajedno (Së bashku) i fiton zgjedhjet lokale në disa komuna, por fitoret nuk pranohen nga pozita.

Pas protestave të vazhdueshme të studentëve dhe popullit në Beograd për 11 javë me radhë, Milosheviqi i pranoi zgjedhjet. Më zgjedhjet presidenciale serbe, më vonë, fiton Millan Millutinoviq (Milan Milutinović), bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit.

Në këtë kohë u intensifikuan sulmet e UÇK-së në Kosovë. Në Rambuje (Rambouillet) dështuan përpjekjet për zgjedhjet e konfliktit të Kosovës. Në mes marsit dhe qershorit 1999 NATO bombardoi Jugosllavin duke e detyruar Millosheviqin të tërheq forcat nga Kosova.

I izoluar në nivelin ndërkombëtar dhe kombëtar (Mali i Zi nuk i pranonte më institucionet federale), Millosheviqi u rikandidua në zgjedhjet e 24 shtatorit 2000, falë një reforme kushtetuese. Ai u mund nga Vojisllav Koshtunica (Vojislav Koštunica), një nacionalist më i moderuar, dhe me 6 tetor u shty të pranoj humbjen pas një proteste të madhe që shpiu te zënia e parlamentit nga protestuesit.

Kryeministri serb Zoran Gjingjiq (Đinđić) e dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi në Hagë me 28 qershor 2001, edhe përkundër kundërshtimit të Koshtunicës dhe një pjesë të opinionit publik serb.

Millosheviqi u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e ushtrisë jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Ai po ashtu u akuzua për vrasjen në mënyrë barbare të Ivan Stambolliqit, mentorit të tij nga vitet 80 dhe kundërshtarit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000.

Millosheviqi u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë më 11 mars 2006 disa muaj para se të përfundoj gjykimi i tij në Hagë.






E veja e diktatorit të Serbisë Sllobodan Millosheviçit, Mirjana Markoviç, ka publikuar një autobiografi prej 1000 faqesh, që tregon për fëmijërinë e saj, martesën dhe ngritjen në pushtet dhe rrëzimin e bashkëshortit të saj.

Mirjana Markoviç ka publikuar historinë e jetës së saj, “Bilo je në Ovako” ("Ja sesi ishte”). Botuesit, kompania “Novosti” e Serbisë, thonë: “Pas 15 vjetësh heshtjeje në mërgim, në një përpjekje për të përmbushur dëshirën e fundit të burrit të saj të ndjerë, Mira Markoviç i paraqet publikut historinë krejtësisht të panjohur të familjes së saj.”

Kujtimet e Markoviçit, e cila u largua nga Serbia menjëherë pasi burri i saj u transferua në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë në vitin 2003, do të jenë në shitje nga e enjtja.

"Ne jemi të sigurt se ky libër prej dy vëllimesh me titullin simbolik do të shndërrohet në një libër të rëndësishëm,” pohojnë botuesit.

Kujtimet datojnë që nga fëmijëria e saj dhe marrëdhëniet me prindërit e saj, rënia në dashuri me Sllobodan Millosheviçin, fëmijët e tyre, si edhe “ngjitjen e vështirë dhe rrëzimin edhe më të vështirë” të çiftit.

Markoviç e përfundon historinë e saj me vdekjen e Millosheviçit dhe jetën e saj në mërgim në kryeqytetin rus, Moskë.

Sllobodan Millosheviçi erdhi në pushtet në vitin 1987, fillimisht pas zemërimit serb mbi pozitën e serbëve në krahinën e Kosovës, të cilët ndiheshin të diskriminuar.

Duke përfituar nga nacionalizmi serb në përgjithësi, ai u bë president i Serbisë dhe në vitin 1997 presidenti i Jugosllavisë së mbetur. Ai udhëhoqi Serbinë në luftëra shkatërrimtare në Kroaci, Bosnje dhe në fund, edhe në vetë Kosovë, luftë e cila përfundoi me bombardimin e Serbisë nga ana e NATO-s dhe detyrimin e Serbisë të hiqte dorë nga Kosova në vitin 1999.

Tashmë i diskredituar, më 5 tetor 2000, regjimi i tij u rrëzua në mes të protestave në rrugë të udhëhequra nga opozita.

Më pak se një vit më vonë, ai u arrestua me urdhër të kryeministrit të ri Zoran Djindjic, dhe u transferua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për gjykim, duke u bërë kreu i parë evropian i shtetit të ndiqet penalisht për gjenocid dhe krime lufte.

Para përfundimit të gjyqit, në mars të vitit 2006, ai vdiq nga infarkt në qelinë e tij të burgut në Hagë.

Disa e shikonin Markoviçin si pushteti pas fronit dhe si këshilltarja kryesore e bashkëshortit të saj. Në vitin 1994, ajo krijoi vetë partinë e saj, Jugoslovenska Levica, JUL, e majta e bashkuar jugosllave, e cila qeverisi me socialistët e Millosheviçit.

Markoviç dhe djali i saj jetojnë në Moskë, ndërsa vajza e tyre Marija në Mal të Zi.

Ata kërkohen të gjithë në Serbi për krime duke filluar nga korrupsioni, abuzimi me postin dhe armëmbajtje të paligjshme. Ata besohet të kenë grumbulluar me dhjetëra miliona euro në llogari të huaja.

Interpoli nxori një urdhër ndalimi pasi autoritetet serbe e akuzuan Markoviçin për abuzim me pushtetin dhe ndërhyrje të paligjshme. Megjithatë, Rusia ka refuzuar ta ekstradojë atë në Serbi, thuhet se për shkak të lidhjeve të forta që familja ka ende me Rusinë.

Markoviç dyshohet gjithashtu të jetë personi që fshihet pas vrasjes së gazetarit të njohur Slavko Curuvija në Beograd më 11 prill 1999, një prej vrasjeve më famëkeqe të epokës së Millosheviçit. Ajo mohoi të ketë qenë e përfshirë në këtë vrasje.

Ditë para se ai të vritej, Markoviçe e akuzoi atë për tradhti sepse ajo u shpreh se ai mbështeste bombardimet e NATO-s në Jugosllavi.

Në gjyqin për vrasjen e tij, vajza e Curuvijas tha në gjykatë se ai u vra jo shumë kohë pas bisedës së tij me Markoviçin, bisedë e cila nuk shkoi aspak mirë.

Prokurori dyshon se Curuvija u vra për të ndihmuar në ruajtjen e regjimit dhe “për shkak të fjalimeve të tij publike në vend dhe jashtë tij, në të cilat ai kritikonte autoritetet politike dhe për shkak të ndikimit të mundshëm që ai mund të kishte te publiku”.

Pse hodhëm gazin lotësjellës në kuvend

Shumë kanë qeshur e janë zgërdhirë në këtë parlamentin e Kosovës. Deputetë, ministra e kryeministra janë shkulur gazi derisa edhe lotët u kanë dalë. Tash e 15 vjet pajada. Në anën tjetër, për ata që nuk u qeshej por protestonin, e kishin policinë që e kishte gazin lotsjellës. Qofshin ata veteranë të luftës, familjarë të të pagjeturve, shqiptarë të Kroit të Vitakut apo sindikalistë të punës. E, sidomos nëse ishin aktivistë apo simpatizantë të VETËVENDOSJE!-s. Mijëra boca gazi lotësjellës janë hedhur mbi të pakënaqurit protestues në Kosovën e lirë. Nëse nuk t'i sjell lotët gazi i të qeshurit sikurse tek ata në parlament, atëherë këtë ta garanton gazi lotësjellës i policisë që e mban rendin, apo jo? Në seancën e fundit të parlamentit ishte ndryshe. Deputetë e ministra të kënaqur lotuan porsi të pakënaqurit qytetarë. Njëmend vetëm për disa minuta por ama ato ishin domethënëse. Natyrisht, jo aq domethënëse për qytetarët që i shikonin sa për vetë ata të cilëve situata ua imponoi gjendjen e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë. Ishte ky çasti kur ata njëmend u bënë përfaqësues të denjë të popullit të Kosovës. Pra, ishin disi porsi populli, qanin nga gazi i jashtëm lotësjellës e jo nga ai i brendshëm i kënaqësisë. Ishte ky momenti kur ata u bënë deputetë të popullit të Kosovës! Zaten, fjala 'deputet' do të thotë zëvendës, pra deputeti është zëvendës i popullit, është njëfarë zëvendësimi për popullin: në sallën e parlamentit nuk i zë dot 2 milionë qytetarë por i zë 120 deputetë. Të tillë ishin deputetët atë ditë: aty, të gjithë, deputetë të përlotur, pra, deputetë ngase të përlotur. Vërtetë shkurtimisht, por ama ndodhi më në fund! Ishte ky çasti sublim i demokracisë përfaqësuese. Sundimi i popullit nëpërmjet përfaqësuesve as nuk ishte sa për sy e faqe dhe as përfaqësim i sundimit me popullin. Megjithatë, këta deputetë të bërë deputetë nga gazi lotsjellës ishin edhe diçka tjetër këto javët e fundit. Ata ishin (dhe janë sërish tash që nuk lotojnë më) edhe deputetë që e kanë shkelur betimin e deputetit, deputetë të 'Zajednicës' së komunave me Serbinë dhe të 'dhuratës' 10.000 hektarëshe Malit të Zi. Pra, deputetë që janë ngritur kundër Republikës dhe kushtetutshmërisë, kundër kombit e shoqërisë sonë, kundër identitetit e historisë sonë. Me një fjalë, që prej 25 gushtit ata ishin deputetë të rebeluar, ishin rebelë që s'ishin më deputetë. Prandaj, kundër rebelëve të tillë gazi lotsjellës ishte i domosdoshëm. Rrjedhimisht, të enjten ne e hodhëm gazin lotsjellës të Republikës kundër të rebeluarve kundër Republikës. Rebelët kundër Republikës e kishin uzurpuar sallën e parlamentit, shtireshin se janë deputetë, dhe dëshironin të funksiononin sikur asgjë të mos kishte ndodhur më 25 gusht. Fatmirësisht gazi lotsjellës i shpërndau dhe i largoi prej andej. Ndërkohë, në shikim të parë, njeriu nuk arrin ta kuptojë pse gjithë kjo histeri e panik kundër gazit lotsjellës në parlament. Ama porsa mendon për atë që shfaq dhe jo vetëm për shfaqjen, sakaq e zbulon që histeria e paniku i regjimit më së miri pasqyrohen pikërisht në mediet e tij. Këto medie të regjimit për qytetarin janë sikurse sklepat në sy: mu atëherë kur zgjohesh ta pengojnë shikimin e ti vrasin sytë. Në atë çast natyrisht që duhet të shkosh në banjë. Gazi ynë lotsjellës më 8 tetor 2015 në parlament ishte i përmasës së vogël dhe një i vetëm. Të tilla ne i kemi ngrënë në protesta me mijëra sosh, ndërkaq po ashtu me qindra aso që janë në mbushje më të mëdha e shumë më të rrezikshme. Pra, nuk pati kurrfarë sulmi masiv me gaz lotsjellës nga ana jonë. Një sulm i tillë masiv i policisë në protestën tonë për shembull e pat dërguar në komë znj. Iris Von Der Ehe më 22 tetor të vitit 2012 dhe mandej edhe në vdekje para tri javëve sivjet. Për më tepër, dihet që ne nuk përdorëm fare plumba gome të enjten që shkoi në parlament. Kundër nesh janë përdorur edhe plumbat e gomës, psh. kur i vranë Mon Balajn e Arben Xheladinin më 10 shkurt 2007, ose kur i plagosën Hysni Hysenin, Zenel Zenelin e Mustafë Nerjovajn po atë ditë, apo edhe kur ia dëmtuan rëndë syrin Uran Qarollit në protestën kundër Jabllanoviqit më 27 janar 2015. Ne të enjten nuk përdorëm fare plumba gome, apo jo? Ç'është kjo histeri e ky panik? Assesi s'mund të jetë i qytetarëve të Republikës por veçse i qeveritarëve të 'Zajednicës'. Mediet e regjimit pasqyrojnë regjimin, kur ai qeshej me lot (sipër popullit), por edhe tash që qan nga gazi lotsjellës (para popullit). Njerëzit e këtij regjimi njëherë patën thënë që Gjykata Speciale do të jetë në paketë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Nuk ndodhi. Mandej thanë se 'Zajednica' do të jetë në paketë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Sërish nuk ndodhi. Sepse, paketa, në fakt, përbëhej prej Gjykatës Speciale dhe 'Zajednicës'. Ato të dyja instalohen formalisht në të njëjtën mënyrë: brenda sistemit të Kosovës por të kontrolluara prej jashtë pa llogaridhënie për neve. Ato të dyja janë përmbajtësisht komplementare: Gjykata Speciale do të shkruajë një rrëfim ndryshe për luftën në Kosovë duke legjitimuar 'Zajednicën' e Serbisë, ngjashëm si në Bosnje. Ato të dyja bashkë janë në kahjen e kundërt të shtetndërtimit në Kosovë: Gjykata Speciale e bën drejtësinë në Kosovë çështje të jashtme kurse 'Zajednica' në Kosovë e bën Serbinë çështje të brendshme. Me dialogun Thaçi-Daçiq dje dhe atë Mustafa-Vuçiq sot, Serbisë po i hiqen pengesat drejt integrimit evropian ndërkaq Kosovës po i shtohen pengesat në shtetndërtim. 'Zajednica' është garancion që edhe fëmijët tanë jo vetëm se do të dalin në demonstrata të rrezikshme ku gazi lotsjellës është veçse fillimi, por do ta kenë edhe një luftë të re në Kosovë së cilës në rastin më të mirë nuk i dihet epilogu. Ne duam dhe duhet ti parandalojmë këto. Për hir të së kaluarës (atyre që u vranë e u zhdukën në vend tonin) dhe për hir të së ardhmes (atyre që do t'i rrezikojmë nëse heshtim) duhet të ballafaqohemi e të mos ndalemi. Pa ardhmëri dhe histori nuk ka të tashme. Prishtinë, 11 tetor 2015

Me apo pa Ilir Metën

Kryeministri Edi Rama po vazhdon të shmangë një qëndrim publik ndaj kërkesës së aleatit të tij të LSI për ndryshime në qeveri dhe po përpiqet të fitojë kohë duke u takuar me Ilir Metën në dy ditë, aq sa nuk është takuar në dy vjet. Ndërsa deri dje topi gjendej në fushën e Ilir Metës, tashmë ky i fundit, duke e bërë publik qëndrimin e tij kritik për qeverinë dhe nevojën e saj për “impulse të reja” ia ka lënë radhën Edi Ramës të vendosë për të ardhmen politike mes tyre. Dhe kur është fjala për të vendosur, kryeministri shpesh ka treguar se ka talent të veçantë për të humbur kohë, duke mos u dhënë drejtim gjërave që varen prej tij, por duke u tërhequr ai zvarrë prej tyre.
Nga shenjat e para duket sikur edhe në raportin me Ilir Metën, kryeministri po përsërit hezitimin e tij të njohur. Rama gjendet përballë një kërkese konkrete, të cilës deri më tani i është përgjigjur me vajtje- ardhje në zyrën e kryeparlamentarit. Pas takimit të tyre të parë kokë më kokë të shtunën e kaluar, ku thuhet se Meta këmbënguli për heqjen e disa ministrave si shenjë pajtimi dhe garancie nga Edi Rama, ky i fundit siguroi grupin e tij parlamentar se qeveria nuk do të prekej. Por Ilir Meta vendosi të dalë për të shpallur publikisht atë që Ramës ia kishte kërkuar privatisht: ndryshimet në qeveri. Me këtë lëvizje, Ilir Meta i dha fund lojës së tij, (që herë nga paranoja e herë nga fakte konkrete, u ngrit mbi një komplot të madh të organizuar me bekimin e kryeministrit), një lojë që në 48 orët e fundit e shtoi presionin duke përfshirë direkt dhe indirekt aktorë si Sali Berisha, partia çame, media të caktuara e deri tek letra e krisur e Spartak Brahos dhe publikimi i pamjeve intime të Dritan Priftit. Një artileri e plotë e Metës që e detyroi Edi Ramën të përsërisë formulën bajate të “koalicionit që funksionon më së miri” me shpresën për ta qetësuar aleatin që ka në dorë numrat e qeverisjes dhe për të fituar kohë për ndonjë skemë alternative në rast ndarje me LSI.
Ilir Meta, një ujk i vjetër i prapaskenave politike, vendosi të mos i japë kohë kryeministrit. Pasi i luajti të gjitha, ai e hodhi topin në fushën e Ramës duke e vënë atë përballë zgjedhjes. Nëse Edi Rama do të pranojë ndryshimet në qeveri, Ilir Meta konsolidon pozitën e tij si njeriu kyç i mazhorancës që mund ta kushtëzojë në çdo kohë kryeministrin e vendit. Ky kushtëzim do të përkthehej jo vetëm nga lësëistët, por edhe nga socialistët se kryetari i Kuvendit është ai që vendos për fatin e tyre politik. Dhe kështu, kryeministri dhe kryetari i PS do të tërhiqej zvarrë deri në fund të mandatit me ankthin e madh se nga do të shkonte Ilir Meta në zgjedhjet e ardhshme.
Rruga tjetër që i mbetet Ramës është t’i qëndrojë deklaratës së tij që nuk do të ketë ndryshime në qeveri, jo sepse disa ministra nuk e meritojnë të shkarkohen e të dalin përpara drejtësisë, por si demonstrim force përballë kushtëzimit të LSI. Nëse kryeministri nuk humbet kohë, por del tani për të qartësuar pozicionin e tij, atëherë i mbetet Ilir Metës të vazhdojë ose jo të mbështesë një qeveri që sipas tij ka nevojë të ndryshojë. Sigurisht që Edi Rama nuk e ka të lehtë të sfidojë Ilir Metën. Frika e një krize qeveritare, ideja e zgjedhjeve të parakohshme dhe pasiguria se LSI mund t’i rikthehet dashurisë së kaluar, PD, e bëjnë të hezitojë dhe të kërkojë kohë. Takimet me Metën, më shumë se negociata, janë përpjekje të Ramës për të blerë se çfarë ka në kokë personazhi i tij i “Kurbanit” dhe koha i duhet që në rast ndarje me të, të përgatisë terrenin që ky akt t’i vendoset në gjoks si medalje për zgjedhjet e reja dhe jo si thikë pas shpine ndaj aleatit më të vogël. Deklarata e Bashës se nuk do të bëjë kurrë koalicion me Ilir Metën, sondazhet e opinionit publik pas shpërthimit të aferës së CEZ, presioni ndërkombëtar dhe ideja e një kompromisi me opozitën për një ligj të ri zgjedhor me prim, mund ta trimërojnë Edi Ramën që ta sfidojë Ilir Metën, qoftë edhe me koston e zgjedhjeve të parakohshme. Por ai është mësuar që si politikan të mos marrë asnjë vendim pa qenë plotësisht i siguruar. Rama nuk ka qenë dhe nuk është lideri i akteve të mëdha, por politikani i hapave të kalkuluar dhe të sigurt. Prandaj këtë herë, ndërsa ndodhet në udhëkryq pas vitit të dytë të qeverisjes, vjen vërdallë nga Kryeministria tek Kuvendi, duke përsëritur me vete “me apo pa Ilir Metën, kjo është çështja”. Dhe duke mos e pasur sigurinë e plotë, nën presionin edhe të atyre që janë të gatshëm të pranojnë kushtëzimin e Metës por jo rrezikimin e pushtetit, Rama po heziton të marrë një qëndrim të qartë publik. Ai do të kishte dashur ta kalonte edhe këtë krizë me variantin “nuk e dua Ilir Metën, por koalicioni i programeve funksionon”, por për të gjithë është e qartë se në një rast të tillë do të funksiononte etja për pushtet dhe jo vullneti për shtet. Në këtë dilemë që e ka mbërthyer, kryeministri Rama ka rrezik që në vend të fitojë kohë, ta humbasë atë, dhe atëherë, çdo vendim që do të merrte nuk do të kishte vlerën që mund të ketë sot. 

Baton Haxhiu:A do të ndodhë dhe në Kosovë skenari Ukrahinas?












A jemi në krizë? Po. Kush është në krizë më të madhe: Pozita apo Opozita? Natyrisht, Opozita. Atëherë, ç’duhet bërë? Së pari, duhet të zhbëhet gabimi kolosal i procesit postzgjedhor nga viti i kaluar, duke krijuar marrëveshje brenda natës në kafene. Zotërinjtë që kanë marrë këso vendimesh të rënda është dashur ta kenë parasysh edhe daljen nga to. Ata nuk e kishin kuptuar se veprimet e tyre do të jenë me pasoja të pariparueshme duke lënë peng një qëndrim të pakuptimtë dhe pa adresë. Duke i lënë në ankth dy milion qytetarë. E dimë se politikanët me dinjitet të tepruar e kanë vështirë për ta kuptuar se me akte të tilla mund ta humbin edhe fytyrën. Në fund të fundit, ata bëjnë politikë për të fituar – e jo për të tentuar të bëjnë gjëra të pamundura. Prandaj, dinjiteti i tepruar nuk është privilegj. Është mashtrim prej dinjiteti. Burrështetasit kurajozë dhe të mençur duhet t’iu paraqesin palëve një kompromis të studiuar mirë, që do t’ia lejonte secilit të thirrej në fitore. Duke mos e gjetur këtë kurajë, ata gjetën tradhtarin, sic ndodh zakonisht në Ballkan. E gjetën Isa Mustafën, si njeri që tradhtoi marrëveshjen e VLAN-it, por nuk patën kurajën që t’i shihnin edhe gabimet e veta, duke mos gjetur kësisoj mundësi për kompromise tjera. A ka kjo Qeveri paaftësi dhe a bën gabime? Shumë. Ka ministra që as idenë s’e kanë se çfarë është kjo punë. Ministrat kanë poste të dhuruara nga liderët, jo të merituara. Shikojeni Zyrën e Kryeministrit dhe përbërjen e saj. As për Komunën e Shtimjes nuk është, e lëre më që ajo zyrë ta përfaqësojë ndonjë strukturë shtetërore vendimmarrëse. Por, kjo është edhe natyrë – është mentalitet. Shteti që punëson dhe merr këshilltarë që vendin e parë të punës e kanë “këshilltar” – i ka punët keq. Shumë keq. Më habit fakti se si kjo Opozitë nuk bën gjënë e duhur për ne, qytetarët, por krijon kauzë jo për vete, por për ta forcuar Pozitën. Krijon kauzë për Asociacionin dhe Demarkacionin. Dy gjëra që u krijojnë shumë armiq dhe nuk fitojnë asgjë. Përveç rrëmujës ku humbet gjithçka, përfshirë edhe gjasat për zgjedhjet që vijnë.   Atëherë, ku jemi?   Para dy viteve, Vitali Kliçko bashkë me ithtarët e tij bllokoi disa herë punën e Parlamentit në Ukrainë. Njëjtë pikë për pikë si këtyre ditëve në Prishtinë. Madje, 244 deputetët e shumicës bashkë me Qeverinë e prorusit Janukoviq ndërruan ndërtesën për të vazhduar punën. Dihet çfarë ndodhi mandej. Ukraina sot nuk është më ajo para “Revolucionit të Portokalltë”. Rusia ka marrë rajonet më të rëndësishme të saja dhe Vitali Kliçko është shpërndarë duke folur, sërish, nëpër shumë studio të mediave gjermane. Analog me ngjarjet në Ukrainë, dy javë pas zgjedhjeve nacionale, opozita bullgare me protesta bllokoi hyrjen në Parlament për 41 ditë, me kërkesën për shpartallimin e Qeverisë së porsazgjedhur socialiste, duke synuar të imponojë zgjedhje të reja. Në natën e 42-të ndërhyri policia dhe shpartalloi opozitarët. Gjatë përleshjeve u lënduan rëndë 20 policë dhe demonstrues. Ndërhyri BE-ja dhe organizatat tjera ndërkombëtare, duke kërkuar dialog. E njëjta Qeveri bullgare vazhdon punën edhe sot – në dialog me opozitën. Nga cilët këta shembuj të para dy viteve mund të mësojmë për ta përshkruar më së miri situatën në Kosovë? Dinamika, intensiteti, gjuha politike, aksionet dhe praktikat – siç është në natyrën e proceseve të këtilla – janë identike. As synimi nuk dallon – në shënjestër gjithmonë është pushteti! Në njëfarë mënyrë, zhvillimet në Ukrainë janë më të përshtatshme për të bërë krahasime me Kosovën ngase si atje rusët, edhe në Kosovë serbët, mezi presin që krizat e brendshme dhe “revolucionet” t’i shpërdorin për ta riaktualizuar çështjen e territoreve – më troç marrjen e tyre. Domosdo dhe fatmirësisht, Serbia për veriun as minimalisht nuk mund të bëjë si Rusia, mirëpo – me kartën e sigurisë – mund ta shkoqë për vete një autonomi maksimale, apo një zonë “neutrale dhe krejtësisht të pavarur”. Rreziku ekziston. Opozita nuk e përfill këtë duke menduar se KFOR-i është ai që ruan sigurinë dhe territorin e Kosovës. Por, nuk është kështu. Përkundrazi, opozita i jep një dimension krejt hiperbolizues Asociacionit të Komunave, duke e trajtuar si Supershtet. Ajo e do pushtetin dhe për këtë ka zgjedhur mjetet adekuate: bllokimin e Parlamentit (si në Ukrainë), demonstrata rrugëve nëpërmjet tubimit të nënshkrimeve, me protesta (si në Bullgari), dhe ashtu siç kanë paralajmëruar; finalizimi i gjithë këtyre do të kurorëzohet me “tërmete politike” (Kurti), çka përkthyeshëm do të thotë: trazira masive. Por, deri në çka? Shumica prej nesh jemi të bindur se masat nuk do t’iu përgjigjen thirrjeve të Opozitës. Megjithatë, gjithçka është e mundur dhe çdokujt i lejohet të profetizojë dhe parafytyrojë për vete skenarët se çka mund të ndodhë. Do ta pësojë Kosova si Ukraina, apo do të ndodhë si në Bullgari? Do të shndërrohet Kosova në një vend të përgjysmuar, në anarki, si zonë eksperimentesh parapolitike, apo do të ngjajë si në Bullgari, ku opozita dhe pozita u detyruan të dialogojnë?   Aktualisht, Opozita duket të jetë e gatshme të djegë shumëçka për të mos i pranuar marrëveshjet e nënshkruara me serbët rreth Asociacionit, si dhe me malazezët për demarkacionin. Thirrjen e Kryeqeveritarit për dialog treshja opozitare e kualifikoi si dobësi dhe komunikoi edhe më me këmbëngulje se do të vazhdojë barrikadimin. Parlamenti mbetet arena ku opozita e bashkuar do ta animojë popullin deri sa të jenë pjekur kushtet për trazirat në përgatitje e sipër. Në stilin e atyre arabe? S’ka gjasa. Në gjithë këtë situatë ndodh edhe një afekt që ka të bëjë me rikonfigurimin e forcave politike në vend: tkurret opozita, respektivisht ndodhë fuzionimi, përbashkimi, shkrirja e forcave opozitare në favor të alternativës njëdimensionale politike të VV-së. Çka ndodh vërtet me opozitën e përbërë nga tri parti të vogla, që të gjitha me një histori relacionesh jo aq të këndshme ndërmjet vete? Bashkimi në veprim i tyre nuk del si përbashkim i tri koncepteve politike, siç ilustroi më së miri “seanca e vezëve”, por më shumë del si absorbim i opozitës – AAK-së së dobësuar dhe Nismës së pashpresë – nga ana e VV-së. AAK dhe Nisma dorëzuan profilin e tyre politik dhe përbashkuan stilin në favor të praktikave dhe aksioneve të trazirave të VV-së, që partia e Albin Kurtit e ka patent të saj që nga fillimet e deri sot. Vetëvendosja ia imponoi suksesshëm agjendën, metodën dhe kulturën politike pjesës tjetër të opozitës. Me vetëdije dhe strategji të VV-së, apo për shkak të naivitetit të të tjerëve, mbetet çështje analizash për më vonë. Sot Kosova nuk disponon më me një opozitë plurale partish, por më tepër gjendet nën tensionin e një komandimi që bashkë me qeverinë rrezikon ta djeg edhe shtetin.   Në ashpërsimin e krizës patjetër se ndihmon edhe sjellja e Pozitës. Në vend të ndonjë komunikimi intensiv për të bërë sa më transparente luftën e saj në dialogun me Serbinë, ajo mezi gjen kohë për të komunikuar me opinionin e brendshëm, e sidomos me Kuvendin. Opozita manipulueshëm ka arritur t’i interpretojë marrëveshjet me Serbinë si dëshira personale të “duos tradhtare” Mustafa–Thaçi, edhe pse realiteti është totalisht i kundërt: konsensusi në fund u imponua nga BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë, duke i lënë të pakënaqura të dyja palët e motivuara nga interesat e tyre etnonacionaliste. Marrëveshjet janë ndërkombëtare. Parlamenti ndoshta nuk do të ishte shndërruar në arenë të tillë nëse kryesia e Kuvendit do t’i përmbahej rregullores së punës dhe ligjeve që garantojnë ecurinë e punës së Kuvendit. Kryekuvendari, përherë duke u zbavitur me bllokuesit, duhet ta kuptojë se nuk është si Presidentja, nga e cila kërkohet ta ketë mirë me të gjithë, por roja ligjore që e ka obligim të sigurojë rend në Parlament.   Për shumicën absolute të përfaqësuesve të shoqërisë civile, si mediat, analistët, OJQ-të, institutet e varura e të pavarura, akti permanent i bllokimit të parlamentit konsiderohet suspendim flagrant i demokracisë pluraliste. Mos të flasim për reagimet e dy partive më të mëdha për nga votat. Ky qëndrim nga të gjithë argumentohet me shpërfilljen, mohimin, e së drejtës së qytetarëve për t’u përfaqësuar me të dërguarit e tyre në parlament. Pothuaj nuk ka mbetur shtet dhe instancë ndërkombëtare e lidhur me Republikën e Kosovës që nuk e ka dënuar publikisht bllokadën dhe sjelljen aktuale. Për cilat interesa vepron atëherë Opozita? Për cilin “Popull”? Për shumicën e qytetarëve sigurisht jo.Kjo është absolutisht e pamundur. Mbetet vetëm një gjë si shpjegim: Opozita nën komandën e VV-së nuk beson se ndonjëherë do ta marrë pushtetin nëpërmjet votës dhe besimit të shumicës dhe ka vendosur që këtë ta bëjë me rrugë tjera. “Në emër të popullit, kundër shumicës, drejt suspendimit të demokracisë pluraliste, qoftë edhe me trazira dramatike” – kjo duket të jetë deviza praktike e bllokuesve të Parlamentit. Me çfarë çmimi? Kjo pyetje nuk i intereson opozitës. Gjithçka që ajo do është pushteti. Mbase më shumë si në Ukrainë, sesa si në Bullgari. A do t’ia dalë? Asnjëherë! Për një fat të Kosovës, sigurinë e saj ende e garantojnë ata që ia bashkëmundësuan lirinë. * Autori eshte drejtor i Klan Kosova. Titulli origjinal:Bllokada: Ku jemi, çfarë duan, si do të përfundojë?

Enver Robeli: Qeverisja e Shqiperise nuk behet nga galerite e Gjermanise

 Ditëve të fundit në München kanë arritur rreth 64 mijë refugjatë – dhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë erdhi për të hapur një ekspozitë me disa vizatime, shkarravina e shkraba, siç i quajti gazeta “Süddeutsche Zeitung”. Punimet, siç tregohej më tutje në artikull, ishin krijuar derisa politikani Rama po e kalonte kohën në zyrë – duke menduar për qeverisje dhe për ngjyrosje të Tiranës, duke pritur palë, duke u zemëruar dhe entuziazmuar. Nga Müncheni, Rama – natyrisht – postoi në “Facebook” një grumbull fotografish ku shihen artistë dhe kam-qejf-me-qenë-artistë, dashamirë të artit dhe adhurues të snobizmit, si dhe aktivistë kulturorë gjermanë. Muaj më parë Rama me të njëjtën ekspozitë u paraqit edhe në Berlin. “Lulëzime nga kalendari” u quajtën vizatimet e tij, sepse janë krijuar mbi fletë kalendari, notes e fletoreje.
Me këso ngjarjesh të vogla kulturore, pothuaj të papërfillshme për opinionin e madh gjerman, Rama me gjasë po përpiqet të përmirësojë imazhin e vendit të tij. Është një nismë mbase qëllimmirë, por, për fat të keq, pa ndonjë efekt të matshëm, sepse piktori që edhe si kryeministër dëshiron të jetë (vetëm) piktor, ka një detyrë tjetër të madhe: ai duhet të qeverisë. Dhe duket se qeverisja pas dy vjetësh në post e ka lodhur Edi Ramën. Slogani i dikurshëm i aleancës së majtë “Rilindje” dalëngadalë është zbehur dhe gjithnjë e më shumë po lexohet në stilin dadaist si “Lirindje”.
Në mediat prestigjioze gjermane janë shtuar kritikat e ashpra kundër qeverisjes së keqe në Tiranë. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) së fundi shkruante: “Krimi i organizuar lulëzon më së miri në sferën e hirtë të nepotizmit. Ithtari i një klani që hyn në politikë mund të llogarisë në votat e fshatit ose qytetit të tij, pavarësisht nga përkatësia politike që ka. Si kundërvlerë, ai e shpërblen klientelën e tij. Krimi i organizuar e kërkon afërsinë me pushtetin, për të janë të huaja paragjykimet politike apo ideologjike. Deri në zgjedhjet parlamentare të 2013-s në pushtet ishin konservatorët, Partia Demokratike dhe partnerët e saj; tani janë socialistët dhe ‘Aleanca’ e tyre për ‘Shqipërinë evropiane’. Sikurse kryeministri i mëparshëm dhe kryepartiaku demokrat Sali Berisha, edhe kryeministri socialist dhe kryepartiaku Edi Rama premton se do t’i luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Deri tani nuk ka ndryshuar asgjë”. Gazeta përshkruante se si dhjetëra deputetë të Partisë Socialiste janë të lidhur me struktura të fuqishme të krimit të organizuar, dhe Rama është treguar i shurdhër përballë kërkesave të diplomatëve në Tiranë që t’i ndëshkojë keqbërësit në partinë e tij. Presioni me gjasë ishte aq i madh muajve të fundit, saqë Rama nën peshën e fakteve qe i shtyrë të ndahej nga disa deputetë dhe të lejonte drejtësinë e korruptuar të ndërhynte. Prapëseprapë gjendja mbetet e rëndë: “Në qershor, me autorizimin e Qeverisë, u publikua një raport i hartuar nga specialistët shqiptarë dhe ndërkombëtarë si një dokument pune për reformën në drejtësi. Raporti përshkruan se si krimi ia del të amnistohet me ryshfet. Duke filluar nga nëpunësit e policisë, të cilët për relativisht pak para i zhdukin provat. Prokurorët për 1000 deri 2000 euro janë të gatshëm të heqin dorë nga akuza. Për ta nxitur një gjykatës për një gjykim më të lehtë, duhen 60 mijë deri 80 mijë euro. Në proceset civile, thuhet në raport, gjykatësit marrin para nga të dyja palët. Ata vetë paguajnë 100 mijë deri 300 mijë euro për t’u ngjitur më lart në karrierë, siç është ngritja në qarkun gjyqësor të qytetit ose thirrja në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, shkruante FAZ.
Në një tekst tjetër botuar në fillim të gushtit “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tregonte se vetëm gjatë korrikut në Gjermani kanë kërkuar azil 7000 shqiptarë – dhjetë herë më shumë se në korrik të vitit 2014. Burime nga qyteti i Kukësit, për shembull, bëjnë me dije se vetëm në 12 muajt e fundit qytetin me rrethinë e kanë braktisur 7000 veta – shumica në drejtim të Gjermanisë. Një tekst mjaft kritik mbi mjerimin shqiptar, sidomos në zonat rurale, së fundi e ka publikuar edhe revista me ndikim “Der Spiegel”.
Cila është strategjia e Edi Ramës për t’i zgjidhur problemet? Duket se nuk ka kurrfarë strategjie. Në intervista për mediumet e hapësirës gjermane ai paraqitet si i hidhëruar, ironik, sarkastik, akuzues ndaj Evropës, që gjoja po i injoron shqiptarët. Asnjë fjalë për domosdoshmërinë e luftimit radikal të krimit. Asnjë fjalë për domosdoshmërinë e një reforme radikale për reformimin e administratës. Asnjë fjalë për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e lidhur me krimin. Asnjë fjalë për nevojën urgjente për të çliruar Shqipërinë nga oligarkët që kontrollojnë ekonominë përmes monopoleve të tyre dhe kështu pengojnë çdo konkurrencë serioze dhe zhvillim të ekonomisë së tregut. Në vend të kësaj, Qeveria e Tiranës organizon aksione teatrale për shkuljen e bimëve të kanabisit. Por para se të shkuleshin bimët e pafajshme do të duhej të shkuleshin nga postet komandantët e policisë që bashkëpunojnë me tregtarë droge, do të duhej të shkuleshin nga postet politikanë të nivelit të lartë, që përfaqësojnë vetëm interesat e baronëve të krimit.
Ja çfarë thotë Rama me cinizëm në një intervistë me gazetën “Süddeutsche Zeitung”: “Ne nuk jemi si Zvicra. Por ne as që duam të jemi si Zvicra, sepse kjo do të ishte monotone. (…) Është e tmerrshme të shohësh se si disa vende të mëdha dhe të pasura po dështojnë t’i pranojnë refugjatët. BE-ja sot duket si një federatë përplot me egoistë që mendojnë vetëm për kombet e tyre. Jo si familje me vlera të njëjta, e cila bashkëpunon. (…) Derisa të jetoj unë ne nuk do të arrijmë që gjermanët të vijnë në Shqipëri, sepse shpresojmë në një jetë më të mirë. Udhëtimi do të shkojë përherë në drejtimin tjetër. Nuk mund ta mendojmë më të ardhmen vetëm brenda kufijve të vendit tonë. (…) Do të isha i lumtur nëse shqiptarët do të kishin mundësi të punonin në Gjermani. (…) Nuk jam magjistar”.
Me të njëjtin ton, ai vazhdon të flasë edhe për gazetën zvicerane “Ostschweiz am Sonntag”: “25 vjet nuk mjaftojnë për ta bërë Shqipërinë prej një vendi dikur komunist dhe plotësisht të pazhvilluar në një shtet model si Zvicra. Kjo ndoshta nuk do të ishte qasja e duhur për neve, sepse ndoshta do të ishte monotone. Mirë, momentalisht mbretëron pak kaos – si në Itali -, por kjo disi është edhe joshëse. (…) Por unë nuk kam shkop magjik për t’i zgjidhur brenda dy vjetëve problemet që ekzistojnë në Shqipëri dhe për të bërë atë që presin dhe e meritojnë njerëzit”.
Pjesa tjetër e intervistës është një përzierje rrëfimesh familjare dhe llafe për rëndësinë e artit, artistëve, pikturës. Vërtet kultura është shumë e rëndësishme për një vend. Por më e rëndësishme për një vend është kultura e shtetndërtimit. Nëse kjo nuk arrihet për 25 vjet, atëherë diçka nuk është në rregull me establishmentin politik, pjesë e të cilit është edhe Edi Rama që nga fundi i viteve ‘90, kur u bë ministër i Kulturës, pastaj kryetar i Tiranës, kryetar i Partisë Socialiste dhe kryeministër. “Dhuna dhe korrupsioni, privatizimet mashtruese, pengmarrja dhe krimet e ndryshme e kanë shoqëruar kalimin nga regjimi totalitar në demokraci”, shkruan sociologia amerikane e kriminalitetit Jana Arsovska mbi lidhjet e krimit të organizuar me partitë shqiptare, në një studim të botuar së fundmi («Decoding Albanian Organized Crime», University of California Press, 2015).
Për këto plagë duhet të flasë Edi Rama dhe të punojë pandërprerë për të përmirësuar gjendjen. Të vizatosh dhe të ofendosh ministrat, të cilët, fundja, i ka zgjedhur vetë, përfundimisht nuk mjafton për ta rilindur Shqipërinë. Rama mund ta akuzojë për të gjitha dështimet paraardhësin e tij në post, por shqiptarët i dhanë atij një mandat mbresëlënës, me të cilin ai duhet të qeverisë dhe jo të tallet e ironizojë.
*Titulli i redaksise. Titulli origjinal: Qeverisja e Shqiperise nuk behet nga galerite e Gjermanise  

Hajvani i rëndomtë Ismail Morina













Më ka rastisur, pa dashjen as kënaqësinë time, por me përgjegjësinë time intelektuale, të shkruaj aqherë për heronjtë tanë kombëtarë kriminelë, banditë a hajvanë të rëndomtë (pothuajse të gjithë janë të tillë). Përshkrimet, interpretimet, analizat, porositë edhe mund të jenë të njëjtat, por rastet e reja prore kërkojnë dhe meritojnë qoftë edhe vetëm një përsëritje.
 
Së fundmi, olimpit të ndyrë të atyre heronjve kombëtarë kriminelë, banditë a hajvanë të rëndomtë iu është shtuar edhe Ismail Morina, i njohur me shumë me nofkën Ballisti. Ky budallai i rëndomtë, u bë hero kombëtar për shumicën e shqiptarëve anekënd me një gjest prej nacionalisti të çmendur, krejtësisht jo sportiv në një ndeshje futbolli. Për pasojë, ndeshja u ndërpre dhe për më tepër rrezikoi edhe jetët e vetë futbollistëve në fushë.
 
E megjithatë, nuk mbeti pothuajse kush pa u ndier i kënaqur nga veprimi i tij. U ekzaltuan edhe vetë ata që u rrezikuan. Kështu e ka marrëzia nacionaliste, natyrisht.
 
Korit të glorifikuesve pra nuk i shpëtuan as mediet, as intelektualët.
 
Ndërkohë, dikujt i ra ndërmend të bënte edhe dokumentar për të. Por, më mirë s'ka ku të vejë, ngase cilido që të ketë qenë qëllimi i fundmë i autorit, që nën dritën e diellit duket të jetë glorifikimi, për ata që duan të kuptojnë përtej tij, shumë gjëra flasin qartë.
 
Ja një e dhënë me rëndësi: ai, të paktën në kohën e realizimit të dokumentarit, na paska pas qenë i varfër. Një emigrant i pafat, i zvarritur rrugëve të botës. Jo një i varfër që ka zgjedhur vetë të jetë i tillë, por një i varfër që paska pas përfunduar i tillë në pamundësi pune. Nga dokumentari doli se tipi paska një ëndërr të blinte një vinç (jo më për të bërë ndonjë skandal prej debilli) për të punuar dhe të krijonte familje.
 
Gjë më të fisme se një ëndërr e tillë zor të ketë.
 
Kjo, në të vërtetë, përveç shpalosje e një ëndrre, ishte një kërkesë për ndihmë. Tash jo aq e fisme, të kuptohemi. një kërkesë për ndihmë jo nga njëri në pamundësi, por thjesht nga njëri në dembeli.
 
E megjithatë, një i varfër, sidomos kështu kur nuk e shohim më thellë problemin, zgjon te ne përherë ndjenjën e dhembshurisë, ani pse edhe vetë ne mund të jemi të varfër, të varfër të lodhur dhe të rraskapitur nga puna, fizike a çfarëdo, që nuk paguhet aq sa të kemi një jetë dinjitoze. Bashkëndjenja është e natyrshme. Bashkëndjejnë edhe kafshët, e lëre më njerëzit.
 
Ia blenë vinçin?
 
Nisi të punojë me vinçin apo diçka tjetër?
 
Jo.
 
Jo, nuk ia blenë viçin.
 
Jo, nuk nisi të punojë (nuk i ofroi askush punë në një bar si kamerier?).
 
Porse, diçka ai tipi bleu. Ai tipi bleu diçka të shtrenjtë. Bile, ai bleu një gjë, të cilën, kur ne varfanjakët e shkretë, me një punë që s'na nxjerr nga muaji në muaj, e shohim rrugëve, e shohim si simbol të pasurisë, luksit. Në të vërtetë, kur e shohim rrugëve një makinë të tillë, në vendet tona, pothuajse në të gjitha rastet ne e identifikojmë saktësisht pronarin e saj: një kriminel, një bandit, një gangster. Sepse ajo është:
 
Range Rover! Një makinë që ç'ke me të!
 
Epo, të mos punosh, ja e bukura e fatit. Të mos punosh dhe të kesh një makinë të shtrenjtë sa të të rrëqethen qimet e kresë.
 
E nga arrestimi i tij i fundit, del se në makinë i janë gjetur një armë pa leje (siç shkruaja edhe herave të tjera: se armë me leje na qenka në rregull!) dhe disa bileta të falsifikuara. Heroi kombëtar, hajvani i rëndomtë, me armë dhe bileta të falsifikuara.
 
Varfanjaku i shkretë, emigranti i përvuajtur, heroi kombëtar!
 
Hajvani i rëndomtë.
 
Por, këtë hajvanin e rëndomtë, për shkak se është hero kombëtar, marrim vesh, na e paska pritur dhe nderuar edhe familja Jashari (edhe ata ndakan medalje, o Zeus!). Sa lehtë budallai i rëndomtë, hero kombëtar, gjen strehë të budallenjtë e tjerë të rëndomtë. Kudo.
 
Nuk ka, këtë mund ta them në kupë të qiellit, gjë më të shëmtuar dhe absurde se afria, bashkëndjenja nacionaliste, përkrahja dhe bashkëndarja e qëndrimeve dhe veprimeve të këtij hajvani të rëndomtë. Duke e mbështetur këtë hero kombëtar, hajvan të rëndomtë, mbështesim qëndrimet më jonjerëzore, më barbare të mundshme. 

Me apo pa Ilir Metën

Kryeministri Edi Rama po vazhdon të shmangë një qëndrim publik ndaj kërkesës së aleatit të tij të LSI për ndryshime në qeveri dhe po përpiqet të fitojë kohë duke u takuar me Ilir Metën në dy ditë, aq sa nuk është takuar në dy vjet. Ndërsa deri dje topi gjendej në fushën e Ilir Metës, tashmë ky i fundit, duke e bërë publik qëndrimin e tij kritik për qeverinë dhe nevojën e saj për “impulse të reja” ia ka lënë radhën Edi Ramës të vendosë për të ardhmen politike mes tyre. Dhe kur është fjala për të vendosur, kryeministri shpesh ka treguar se ka talent të veçantë për të humbur kohë, duke mos u dhënë drejtim gjërave që varen prej tij, por duke u tërhequr ai zvarrë prej tyre.
Nga shenjat e para duket sikur edhe në raportin me Ilir Metën, kryeministri po përsërit hezitimin e tij të njohur. Rama gjendet përballë një kërkese konkrete, të cilës deri më tani i është përgjigjur me vajtje- ardhje në zyrën e kryeparlamentarit. Pas takimit të tyre të parë kokë më kokë të shtunën e kaluar, ku thuhet se Meta këmbënguli për heqjen e disa ministrave si shenjë pajtimi dhe garancie nga Edi Rama, ky i fundit siguroi grupin e tij parlamentar se qeveria nuk do të prekej. Por Ilir Meta vendosi të dalë për të shpallur publikisht atë që Ramës ia kishte kërkuar privatisht: ndryshimet në qeveri. Me këtë lëvizje, Ilir Meta i dha fund lojës së tij, (që herë nga paranoja e herë nga fakte konkrete, u ngrit mbi një komplot të madh të organizuar me bekimin e kryeministrit), një lojë që në 48 orët e fundit e shtoi presionin duke përfshirë direkt dhe indirekt aktorë si Sali Berisha, partia çame, media të caktuara e deri tek letra e krisur e Spartak Brahos dhe publikimi i pamjeve intime të Dritan Priftit. Një artileri e plotë e Metës që e detyroi Edi Ramën të përsërisë formulën bajate të “koalicionit që funksionon më së miri” me shpresën për ta qetësuar aleatin që ka në dorë numrat e qeverisjes dhe për të fituar kohë për ndonjë skemë alternative në rast ndarje me LSI.
Ilir Meta, një ujk i vjetër i prapaskenave politike, vendosi të mos i japë kohë kryeministrit. Pasi i luajti të gjitha, ai e hodhi topin në fushën e Ramës duke e vënë atë përballë zgjedhjes. Nëse Edi Rama do të pranojë ndryshimet në qeveri, Ilir Meta konsolidon pozitën e tij si njeriu kyç i mazhorancës që mund ta kushtëzojë në çdo kohë kryeministrin e vendit. Ky kushtëzim do të përkthehej jo vetëm nga lësëistët, por edhe nga socialistët se kryetari i Kuvendit është ai që vendos për fatin e tyre politik. Dhe kështu, kryeministri dhe kryetari i PS do të tërhiqej zvarrë deri në fund të mandatit me ankthin e madh se nga do të shkonte Ilir Meta në zgjedhjet e ardhshme.
Rruga tjetër që i mbetet Ramës është t’i qëndrojë deklaratës së tij që nuk do të ketë ndryshime në qeveri, jo sepse disa ministra nuk e meritojnë të shkarkohen e të dalin përpara drejtësisë, por si demonstrim force përballë kushtëzimit të LSI. Nëse kryeministri nuk humbet kohë, por del tani për të qartësuar pozicionin e tij, atëherë i mbetet Ilir Metës të vazhdojë ose jo të mbështesë një qeveri që sipas tij ka nevojë të ndryshojë. Sigurisht që Edi Rama nuk e ka të lehtë të sfidojë Ilir Metën. Frika e një krize qeveritare, ideja e zgjedhjeve të parakohshme dhe pasiguria se LSI mund t’i rikthehet dashurisë së kaluar, PD, e bëjnë të hezitojë dhe të kërkojë kohë. Takimet me Metën, më shumë se negociata, janë përpjekje të Ramës për të blerë se çfarë ka në kokë personazhi i tij i “Kurbanit” dhe koha i duhet që në rast ndarje me të, të përgatisë terrenin që ky akt t’i vendoset në gjoks si medalje për zgjedhjet e reja dhe jo si thikë pas shpine ndaj aleatit më të vogël. Deklarata e Bashës se nuk do të bëjë kurrë koalicion me Ilir Metën, sondazhet e opinionit publik pas shpërthimit të aferës së CEZ, presioni ndërkombëtar dhe ideja e një kompromisi me opozitën për një ligj të ri zgjedhor me prim, mund ta trimërojnë Edi Ramën që ta sfidojë Ilir Metën, qoftë edhe me koston e zgjedhjeve të parakohshme. Por ai është mësuar që si politikan të mos marrë asnjë vendim pa qenë plotësisht i siguruar. Rama nuk ka qenë dhe nuk është lideri i akteve të mëdha, por politikani i hapave të kalkuluar dhe të sigurt. Prandaj këtë herë, ndërsa ndodhet në udhëkryq pas vitit të dytë të qeverisjes, vjen vërdallë nga Kryeministria tek Kuvendi, duke përsëritur me vete “me apo pa Ilir Metën, kjo është çështja”. Dhe duke mos e pasur sigurinë e plotë, nën presionin edhe të atyre që janë të gatshëm të pranojnë kushtëzimin e Metës por jo rrezikimin e pushtetit, Rama po heziton të marrë një qëndrim të qartë publik. Ai do të kishte dashur ta kalonte edhe këtë krizë me variantin “nuk e dua Ilir Metën, por koalicioni i programeve funksionon”, por për të gjithë është e qartë se në një rast të tillë do të funksiononte etja për pushtet dhe jo vullneti për shtet. Në këtë dilemë që e ka mbërthyer, kryeministri Rama ka rrezik që në vend të fitojë kohë, ta humbasë atë, dhe atëherë, çdo vendim që do të merrte nuk do të kishte vlerën që mund të ketë sot. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...