Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/21

Ankthi serb i ngritjes së Shqipërisë

Rexhep Shahu


Ky liber, botim i Shtepise Botuese Klubi i Poezise, hyri ne shtyp, financuar nga biznesmeni intelektual Flamur Lutfi Hoxha. Eshte quajtur libri i zi, libri me i zi kunder shqiptareve. Libri gurre e te keqes ku kane pi urrejtje gjithe antishqiptaret dhe gjithe qortuesit dashakqij te shqiptareve.
Ky liber ua tregon tashme njerzve kete gurre urrejtje.

Libri i ankthit serb. Keshtu e ka cilesuar kete liber miku im Izet Duraku i cili eshte ideatori, nxitesi dhe redaktori i ketij botimi.

Lexojeni percjelljen e ketij botimi :

Ankthi serb i ngritjes së Shqipërisë

Librat e zinj të mbushura me rrena, sharje e shpifje poshtëruese për të tjerët, deri në prag të shekullit XXI, qarqet shkencore në Beograd e morën për zakon t’i quajnë libra të bardhë. “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” i autorit serb Vladan Gjorgjeviq, i shkruar më 28 janar 1913 mbahet si një ndër librat më të zi kundër shqiptarëve. Sigurisht nuk është një bombë që mund të të plasë ndër duar. Ngjan më shumë me armët- lodra mësimore ku baruti dhe mekanizmat shkrepës janë hequr me kohë. Por ndonëse lodër, ajo duhet mbajtur gjithnjë afër, duhen zbërthyer e vëzhguar me imtësi pjesët e saj. Sepse ashtu e largët dhe e mistershme, mund të bëhet më e rrezikshme. Të joshur prej saj, siç edhe ka ndodhur, shumë konstruktorë të rinj armësh i janë afruar dhe e kanë studjuar në fshehtësi “maliherin” e vjetër gjorgjeviqjan për të ndërtuar në ngjasim me të armë më shfarosëse.
Vladan Gjorgjeviqit ndoshta i është dukur vetja si Circja homerike, që, me një prekje të shkopit të tij, t’i shndërrojë shqiptarët në derra, që zhgrryhen në flligshti plehu e gjaku, t’i shohë të zhytur në sëmundjet më të rënda të tokës dhe të mbërthyer nga zjarrmia e vrasjes, vetvrasjes dhe epsheve kanibaleske. Të harruar nga zoti e robi, këto krijesa të përçudnuara, sipas tij, na vikan drejtpërdrejt nga prehistoria njerëzore, deri para do kohësh, madje i kishin parë tek mbaheshin me bishtin e tyre nëpër pemë. Egërsirat, doemos, nuk mund të kishin gjuhë, as histori, as figura historike. Artin dhe ndjenjat njerëzore nuk i njihnin. As lirikën, as epikën.Të ndarë më dysh atje ku ndaheshin së lashti ilirët dhe epirotët, gegët dhe toskët kishin shkuar aq larg në ndarje sa ngordhnin nga dëshira për të vrarë e zhdukur njëri- tjetrin.
Duke ua vjedhur e përçudnuar të kaluarën, shpresohej që shqiptarëve tu errësohej dhe e ardhmja.
Pa pikën e turpit, magjia e zezë e autorit e shndërron përrallën në histori dhe ngjarjet historike në përrallë. Mbase kurrë nuk do të merrej me shqiptarët, nëse nuk do të ishte brenga e formimit të shtetit shqiptar, rreziku i ngritjes së këtij shteti, për tmerrin e tij, mu në zemrën e mbretërisë mesjetare serbe, që pati vdekur me kohë, por që ishte ringjallur si me magji ndër tempuj të trashëguar urrejtje plot myk. Pas ritualeve magjike dhe fabrikimit të miteve, kjo mbretëri e ringjallur do të ushqehej me tehun e bajonetave dhe të krimit që ra mbi trupin e kombit shqiptar

***
A do të bëhet Shqipëria?

Kjo pyetje e rëndë tek shqiptarët, e përsëritur nga koha në kohë në 100 vjetët e fundit dhe që ndihet sot e gjithë ditën, është ngritur dëshpërimisht më shumë pas shpalljes së Pavarësisë. Pas ngritjes së saj, bërjes, që ngjante kaq shumë edhe me zhbërjen e Shqipërisë, profecia naimjane “Lum kush të rrojë, ta shoh zonjë…” është lexuar gjithashtu në mënyra të ndryshme. Përmendej, rilexohej, deklamohej ky varg për të dhënë zemër, për të ngjallur shpresë dhe u mbrujt si i tillë, por në përqasje me realitetin, ndillte më tepër trishtim e dhimbje.

Shqipëria ka një sipërfaqe prej 80 mijë kilometra të katërçipta, kishte shkruar apostulli tjetër, Sami Frashëri, po brenda kufijve të saj mbetën 28 748 km2 ose afërsisht sa e një e treta e hapësirës së banuar me shqiptarë. Vetëm Shkodra si qendër Vilajeti mbeti me luftë brenda territorit shqiptar, ndërsa Shkupi, Manastiri e Janina u përfshinë në kthetrat e mbretërive serbe e greke. Si u rrudh kjo Shqipëri kështu? Mallkimet homerike të Fishtës për Europën si “kurva motit”, lidheshin pikërisht me një faktë të tillë dhe jo me një qëndrim antieuropian të autorit.

A do të bëhet Shqipëria? Kjo pyetje në rrethana të caktuara gradualisht filloi t’i bishtnojë thelbit të saj. Cungimi i kryer me një kirurgji të menduar politike do të sillte pashmangshëm varfërinë, grindjet e brendshme, deri konfliktet e përgjakshme për pushtet. Politika e vendeve fqinjë, shkaktare e cungimit të saj, mbeti gjithnjë e interesuar që armiqësitë e hershme midis shqiptarëve të përtëriheshin, konflikti i brendshëm të mos shuhej kurrë dhe që shtetasit e këtij vendi të mbeteshin gjithnjë të varfër dhe në armiqësi me shtetin e tyre. Shërbimet e fshehta të fqinjve arritën të depërtojnë deri në nivelet më të larta të politikës dhe t’i mbajnë të lidhura strukturat e shtetit shqiptar në një luftë të përhershme me armikun e jashtëm dhe të brendshëm. Një luftë sa imagjinare dhe reale luante me nervat e njerëzve që filluan të bëhen me hije, ta shohin armikun në çdo pikë të horizontit. (Hapja e dosjeve të kësaj agjenture të rekrutuar nga sllavët nuk mund të shpresohet.)
A do të bëhet Shqipëria? Midis viteve 20-40 të shekullit të kaluar në vend të ankthit a do të bëhet dhe kur do të bëhet Shqipëria, pyetja filloi të ndryshojë rrjedhë në si do të bëhet kjo copë Shqipërie? Edhe shprehja që i atribuohet Konicës “U bë Shqipëria për të plasur shqiptarët”, lidhet më fort jo me tërësinë tokësore të saj se sa me rrjedhat e padëshiruara të zhvillimeve politike, demokratike dhe sociale në Shqipërinë e asaj kohe.

E mbërthyer nga prambetja e theksuar otomane, nga një varfëri që rrezikonte çdo çast mbijetesën fizike të banorëve të saj, fati i Shqipërisë, si anija pa busull mbeti rob i dallgëve politike të kohës. Si midis Shillës dhe Haribdës rremtarët politikë grahnin të mos binin pre e kthetrave jugosllave në këtë anë të detit dhe robërisë italiane në anën tjetër.

Varfëria dhe agjenturat e huaja do të kujdeseshin që ushtria shqiptare të ishte gjithnjë e vogël në numër, e pa armatosur, e pa aftë për të siguruar mbrojtjen e vendit apo, qoftë larg (!), në situata eventuale për të sulmuar dhe rimarrë tokat që i takonin. Është e vërtetë që në himnin e ushtrisë mbretërore përmendej zotimi se do të vinte koha, kur edhe në Kosovë e Çamëri do të valëvitej flamuri kombëtar, por kapardisja marciale në kushtet e dukshme të pamundësisë së njëmendët, nuk i prishte kujt punë. Edhe emërtimi bezdisës i kryeshtetasit si “Mbreti i Shqiptarëve” ishte më shumë një kërcënim butaforik. Para Luftës I Botërore dhe pas saj deri në pushtimin nazist, Mbretëria jugosllave ushtroi një shfarosje sistematike të shqiptarëve, por në vitet e Mbretërisë, ndonëse Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, nuk pati asnjë protestë ndaj krimeve genocidale. Mbretëria nuk do ta hapte gojën kur qindra mijë shqiptarë të viseve matanë kufirit shtetëror u vranë apo u përzunë me dhunë për në Turqi.

Ndërsa pas Luftës II Botërore regjimi komunist që u instalua e përforcoi idenë se Shqipëria nuk do të luftonte kurrë për ndryshimin e kufijve. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte dhe do të mbetej 28 748 km2. Asnjë milimetër më pak, asnjë më shumë. 28 mijë dëshmorë, 28 mijë lapidarë.
Në vitet 1945-1948 vetëm fati e shpëtoi Shqipërinë të mos gëlltitej plotësisht nga Jugosllavia e Titos. “ Me rrugën që morën ngjarjet menjëherë pas Plenumit të 8-të, - shkruan Enver Hoxha te “ Titistët, - kishte mundësi që Shqipëria jonë, ende e pashëruar nga plagët e luftës, të binte në kthetrat e një robërie të re. Veç tani kjo robëri nuk do të vinte me agresion, po me “lutje”, me “kërkesa zyrtare.” Dhe këtë akt të turpshëm, që s’do na e falnin kurrë as bashkëkohësit, as brezat që do të vinin, nuk do ta kryente e nuk do ta firmoste ndonjë parlament kukull si ai i Zogut, por kishte rrezik ta kryente, vetë Kuvendi ynë Popullor, duke “aprovuar” propozimin e Komitetit Qendror të Partisë. …Prej Xoxes me shokë po përgatitej tu jepej si dhuratë “shokëve” jugosllavë jo një copë Vermosh apo një Shën- Naum, po 28 000 kilometrat katrorë të Shqipërisë.”

***
Në ditët e ngutshme të krijimit të librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, kur siç pohon Vladan Gjorgjeviqi rrjedhën e ngjarjeve edhe me një lloj zhgënjimi “mu në këtë ças, kur na po shkruejmë këto rreshta, gjaku i njeriut po shkon lumë prej Shkodre deri në Çatallxhe dhe prej Janine deri në Gallipol”, atij mbase nuk do t’i shkonte fort ndër mend për jetëgjatësinë e argumenteve të veta. Qëllimi imediat i tij ishte realizimi i interesave shtetërore serbe, ruajtja e territoreve të sapopushtuara, pengimi i krijimit të një shteti shqiptar ose në pamundësi të pengimit të tij, cungimi sa më shumë i hapësirës jetike që do t’ jepej. Shqipëria nuk duhet të kishte det dhe porte, nuk kishte nevojë për qytete, fusha pranë tyre e lugina të begata. Asaj nuk i duhej të mëkëmbej ekonomikisht, të shtohej dhe të forcohej.

E qethur nga të gjitha anët, shteti i shqiptarëve duhej të mbetej gjithnjë në mëshirën e fqinjve. Hapësirë jetike duhej të kishte vetëm Serbia!
Si në qarkullimet folklorike, disa nga klishetë e librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” kanë hyrë në kujtesën e serbit, më saktë jugosllavit të thjeshtë edhe përmes rimarrjeve të shpeshta në libra të tjerë nga autorë pasardhës, për të cilët brerja e ndërgjegjes për krimet e kombit të vet nuk ekzistonte. Çeta të pandërprera shkruesish që nga koha në kohë vijimisht vetëm villnin: “Pse lëshojnë ende hije mbi tokë, si dreqin nuk zhduken shqiptarët”?!

Urrejtja e ushqyer nga brezi në brez u ka dhënë zemër krimeve të reja në kurriz të shqiptarëve. Nuk mund të thuhet me siguri nëse në 100 vjetët e jetës së këtij libri është pakësuar sadopak soji i shovinistëve ndër fqinjët tanë. Duket madje se disa specie politikanësh riprodhohen në zinxhir, sikur uji i kohës për ta nuk shkon përpara, por vorbullohet në të njejtin vend.
Sa herë del në dritë ndonjë përplasje me shqiptarët, sidomos politikanë të tillë si presidenti i fundit serb Nikoliq apo edhe më të parëndësishëm si ministrja e brendshme maqedonase u rikthehen sharjeve të Gjorgjeviqit. Ministrja e përgjuar nga opozita e vet qante kështu hallin me burrin e saj: “Ah bee, shiftarët, lëkurkuq be, indianë të egër… Sa budallenj janë! Po fis janë be, për një orë do t’i zhdukja!...”

Është pikërisht ky mentalitet që kurdis në mënyrë ciklike spektakle të përgjakshme, si në rastin e Kumanovës, kur një grusht shqiptarësh, sipas qeverisë, të armatosur, u sulmuan pa paralajmërim nga qielli e toka në një lagje të banuar ku, përmes gjakut e shkrumbit të gërmadhave, duhej të krijohej pikërisht ideja e shfarosjes.

***
Libri i Vladan Gjorgjeviqit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” erdhi në gjuhën shqipe në vitin 1928, 87 vjet më parë, i përkthyer në mërgim nga Mustafa Kruja, njëri prej atdhetarëve që ngritën flamurin e pavarësisë shqiptare në Vlorë. Libri i tmerrshëm, që edhe në kohën e botimit në shqip nuk bëri bujën që mund të pritej, në vitet e mëvonshme u dënua me heshtje. As u fol, as u ribotua. Ndërsa për përkthyesin e tij, Mustafa Krujën, dënimi me heshtje u konsiderua i butë. Pas Luftës II Botërore ai do të sulmohej gjithnjë si bashkëpunëtor i fashizmit nga kreu më i lartë i Partisë dhe i shtetit.
Sidomos njëri nga “krimet” e Krujës nuk ishte i papërfillshëm. Kishte guxuar si Kryeministër të pranonte ndryshimin e kufijve të Shqipërisë, të zmadhohej Shqipëria, jo aq sa duhej të ishte në fakt, po me mijra km2 më e madhe nga sa u përcaktua në Konferencën e Londrës. Me administratën e qeverisë së Tiranës u bashkua pjesa më e madhe e Kosovës dhe e viseve shqiptare në Maqedoni. U bashkua gjithashtu Uqini që kishte rezistuar aq shumë të mbetej i pandarë nga trungun kombëtar, duke prapsur me sukses turq e malazez së bashku, por që u dorëzua në vitin 1878 vetëm me ndihmën e Flotës ushtarake të Fuqive të Mëdha.

Demagogji fashiste, thanë komunistët. Çështja e Kosovës do të zgjidhej me plebishit pas luftës, mjafton që shqiptarët e viseve të robëruara të përfshihen në luftën antifashiste. “Naivitetin” e premtimit të zbrazët për vetvendosje e aspiratë të popullit shqiptar të Kosovës “për me u bashkue me Shqipninë” që u sanksionua në rezolucionin e Konferencës së Bujanit (31 dhjetor 1943-2 janar 1944) e kishin zhvlerësuar paraprakisht vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJIT (nëntor 1943), mbi bazën e të cilave Jugosllavia do të ndërtohej në mbështetje të parimeve federative, që do të sillnin barazi të plotë midis popujve të saj sllavë, rrjedhimisht të Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe ku përjashtohej çdo mundësi për autonomi e shqiptarëve të Kosovës.

Përkundrazi, gjatë luftës siç dëshmohet përmes projektit të Vaso Çubrilloviqit “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re” që iu dorëzua Mareshalit Tito më 3 nëntor 1944 synohej të zhdukeshen krejt shqiptarët matanë kufirit. Sepse, sipas autorit të projektit, spastrimi që mund të kryhej në luftë për 2-3 ditë, në kohë paqeje do të zgjaste me dhjetra vite

Çështja e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që iu bashkangjiten aso kohe Shqipërisë, siç dihet u shndërrua në mollë sherri midis komunistëve shqiptarë e jugosllavë. Pala jugosllave e kishte bërë të qartë që nuk do ta njihte kurrë një bashkim të trojeve shqiptare. Në themel të Marrëveshjes së Mukjes midis komunistëve e ballistëve qëndronte zotimi i dy palëve që do të luftonin për realizimin e “Shqipërisë etnike”. Pikërisht ky togfjalësh i tërboi Miladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën, dy të dërguarit serb të Titos pranë Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Nacional çlirimtare shqiptare. Marrëveshja midis shqiptarëve përfundoi në kosh dhe fillimi i luftës civile në Shqipëri, më shumë se këdo tjetër do t’i gëzonte serbët.

Edhe në raste të tjera gjatë luftës është i kuptueshëm nervozizmi jugosllav i shprehur me tone alarmuese me gojë e me shkrim për “shokët shqiptarë që manifestonin qëndrime nacionaliste, shoviniste e shqiptaromëdha” që sipas logjikës sllave po fusnin hundët gjatë luftës edhe pëtej kufirit të tyre në Dibër, Gostivar e Kërçovë e gjetkë. Shqiptarët, sipas “vëllezërve të rinj internacionalistë”, në mos duhej të treteshin a të zhdukeshin nga faqja e dheut, së paku duhet të mbeteshin të vegjël aq sa ishin para Luftës.

I pakuptueshëm është nervozizmi i djeshëm i atyre shqiptarëve që në bashkëzanim me serbët, dolën haptas kundër bashkimit shqiptar. Akoma më i pakuptueshëm mbetet nervozizmi i sotëm që ende hungëron sa herë i jepet rasti.

Afërmendësh caktimi i kufijve të Shqipërisë më 23 korrik 1913 në Konferencën e Londrës nuk u bë me vullnetin e saj. Në rrethanat historike të njohura shqiptarët në vjeshtën e vitit 1912 u gjendën krejt të papërgatitur për të përballuar agresionin e fqinjve ndaj tokave të tyre. Madje duhet pohuar me mirënjohje ndërhyrja e faktorëve europianë që ndaloi masakrat e mënxyrshme greke në Jug të vendit dhe masakrat serbe e malazeze në Veri. Që të mos harrohen këto masakra çdo shqiptar duhet të freskojë kujtesën, ndërsa shoqëria civile, së bashku me strukturat e shtetit të sotëm duhet të bëjnë të mundur ngritjen e monumenteve të kujtesës.

Duke i quajtur viktima, ende gjallon një koncept nënvlerësues për njerëzit e përpirë nga barbaria e atyre masakrave. Mijra gra, burra, pleq e fëmijë të grirë nga plumbat e bajonetat apo të shkrumbuar së gjalli bashkë me shtëpitë e tyre nuk kanë një emër në varrin e tyre. Kur në respekt të historisë u ngrihen memoriale ushtrive të huaja, asnjë memorial i tillë nuk është ngritur për të martirizuarit shqiptarë nga ushtritë që deshën ta zhbëjnë Shqipërinë akoma pa lindur. Dhjetra fshatra të shkrumbuar aso kohe, po asnjë prej tyre nuk nderohet e kujtohet ashtu si duhet. Shpallja martire e Borovës që ra pre e egërsisë naziste gjatë Luftës II Botërore, u pasua pas vitit 1997 edhe me nderimin e disa fshatrave të tjerë me të njejtin motivacion. Glorifikimi i një segmenti kohor për çfarëdo shkaqesh politike a ideologjike (?!) nuk mund të errësojë periudhat e tjera të historisë sonë. Shqiptarët nuk kanë lindur gjatë Luftës II Botërore dhe nuk janë gjallë vetëm pse morën pjesë në luftën antifashiste.

***
Prirja për shkenca natyrore e humane do të duhej t’i jepte Vladan Gjorgjeviqit një ndjeshmëri më të madhe ndaj të vërtetave shkencore. Së paku një qëndrim më paqësor ndaj njerëzve me gjuhë e besim të ndryshëm nga vetja e vet. Madje nisur nga disa të dhëna e burime lidhur me prejardhjen e tij edhe shqiptaro-vllehe, urrejtja ndaj rrënjëve të veta ngjan si absurde.

Vladan Gjorgjeviqi lindi në Beograd më 21 nëntor 1844 dhe vdiq pranë Vienës më 31 gusht 1930. Ai ishte kirurg, politikan, diplomat dhe romancier. Për babain e tij, një farmacist, shkruhet se vinte nga një familje që “kishte kohë të gjatë në Serbi.”Ai u rrit në Sarajevë, ku babai i tij hapi farmacinë e parë. Pas diplomimit si kirurg, Vladani u kthye në Beograd, ku bëri emër si mjeku me gradën e oficerit kryesor në ushtrinë serbe dhe si reformator i shërbimit shëndetësor në Serbi.
Në 1880 u martua me të dashurën e tij vjeneze Paulina.

Ai ishte themeluesi kryesor i Kryqit të Kuq serb e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve dhe udhëhoqi Partinë Progresiste me Milutin Garashaninin, birin e Ilia Garashaninit, ish-Kryeministër i Serbisë dhe autor i programit të parë kombëtar serb, “Naçertania”. I përkrahur politikisht, ai arriti të drejtojë me dorë të hekurt Bashkinë e Beogradit, u bë ministër i arsimit, mandej i ekonomisë. Si kryediplomat i Serbisë në Greqi dhe në Stamboll u njoh edhe me përpjekjet e shqiptarëve për tu çliruar nga zgjedha osmane. Kulmi i fuqisë së tij politike shfaqet në vitet 1897-1900, kur bëhet kryeministër dhe ministër i jashtëm i Serbisë. Qeveria e tij aso kohe u përcaktua si një regjim i "rendit dhe i punës."
Gjorgjeviqi më pas ra në kundërshtim me autoritetet dhe u akuzua në 1906 duke u dënuar me gjashtë muaj në burg. Ai vuajti dënimin në mënyrë stoike në burgun e mbipopulluar të Beogradit. Ai shkroi një libër që lidhet pikërisht më këtë episod të jetës së tij.

Gjorgjeviqi mbajti lart interesin e tij në çështjet letrare dhe historike nga një korrespondencë e gjerë dhe shtëpia e tij në Beograd ishte qendra e një rrethi letrar të shquar.

Ndër librat e tij përmendim: “Atdheu” ,1890; “Serbia në Kongresin e Berlinit”, 1890; “Greqia dhe arsimi serb”, 1896; “Historija e shëndetësisë në ushtrinë serbe”, I-IV; “Fundi i një dinastije”, I-III (1905-1906); “Lufta serbo-turke”, I-II, 1907; “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”; “Car Dushani”, roman historik, 1919-1920; “Mali i Zi dhe Austria”, 1924; “Kujtime”, 1927; “Golgota: zbritja nga froni”, 1933.

***
Si në raste të rralla, titulli i librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, i Vladan Gjorgjeviqit shpreh kaq qartë përmbajtjen e tij, vetë thelbin e synimeve të autorit. I ndarë në dy pjesë, ai ka një strukturë të thjeshtë. Në pjesën e parë “Shqiptarët”, (origjinali në serbisht “arnautët”, siç na quanin turqit) përpiqet të trembë dynjanë me sëmundjet, shëmtinë dhe veset tona dhe në pjesën e dytë “Fuqitë e Mëdha” analizon sipas optikës së tij interesat e shteteve më të fuqishme europiane për çështjen shqiptare dhe implikimet e tyre me interesat e Serbisë.

Në këtë libër shqiptarët si emër kolektiv vihen përballë organizimeve politike shtetërore të fuqishme, të cilësuara si “Fuqi të mëdha”, që mund të vendosin ashtu siç e gjykojnë ata edhe për fatet e popujve jashtë bashkësive të tyre. Pra, meqë dashkeni t’i vini re, sikur skërmitet autori, edhe unë po e pranoj se ka shqiptarë dhe po ua tregoj ashtu siç nuk i dini. Shqiptarë, thjesht si njerëz, si individë anarkistë me nam, por edhe si shtëpi të shpërndara larg njëra –tjetrës një të shtënë pushke, si katunde të ndara, qoftë edhe si fise fundja, por aspak më tepër. Kurrsesi si vend, si popull a qoftë larg si shtet. Kurrën e kurrës. Shteti i tyre i mëvetësishëm kurrë s’paskësh qenë dëshirë e këtyre njerëzve. As ëndërr, as zhgjëndërr. As në historinë e largët, as në të sotmen. Ashtu si deviza serbe “Ballkani për ballkanasit”, sipas autorit, po rimerrej djallëzisht nga Austro-Hungaria thjesht për qëllime përçarëse, ndërsa thirrja italiane “Shqipëria për shqiptarët”, fshihte nën gunë qëllime krejt të tjera.

Pa hyrë thellë në arsyetimet e shkaqeve, mund të thuhet se në shekujt e rëndë të robërisë otomane shorti i shqiptarëve brenda perandorisë shumëkombëshe qe pak më ndryshe se i popujve të tjerë në përgjithësi, veçanërisht i ndryshëm nga pozitat e fqinjëve grekë, serbë, bullgarë etj. Ndonëse njiheshin për mrekulli, madje dhe pushtuesi i quante arnautë, politikisht shqiptarët trajtoheshin sipas besimit fetar. Myslimanët do të quheshin turq, ortodoksët si grekë, a sllavë, ndërsa katolikët si latinë. Etikimi i stërpërsëritur në qindra vjet duket se kishte zënë vend edhe në një pjesë shqiptarësh, aq sa përbënte një shqetësim për tu shprehur në poemën e njohur të Pashko Vasës “O moj Shqypni". Sipas kësaj optike, shqiptarëve u mohohej shkollimi në gjuhën shqipe. Ata do të duhej të mjaftoheshin me shkollat në gjuhën greke, sllave a turke.

Megjithatë prania e shqiptarëve qe e vështirë të mbahej e fshehtë nga europianët e shumtë, që, në prag të zgjimit të popujve, duke vërshuar në Ballkan erdhën edhe në territoret shqiptare nën petkun e antropologut, të gjeografit, të diplomatit, politikanit, udhëpërshkruesit, ushtarakut të shërbimeve të hapura apo të fshehta, etj. Sidomos kërkuesit e vërtetë shkencor donin të dinin më tepër rreth këtij populli që i përkiste Europës e që kërkonte t’i ribashkohej familjes. Të shumtët e tyre me profesionalizëm e dashamirësi i treguan me ekzaltim përshtypjet e tyre pozitive.

Vladani e dinte se historia nuk mund grabitej lehtë si gjëja e gjallë apo plaçkat e tezgave në pazaret ballkanase. Qëndresa kundërosmane e shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ishte bërë kaq e njohur në të gjithë Europën. Edhe pasardhësit e heroit, shqiptarët vazhdonin të ishin gjallë si në përfytyrimet e hershme: të shpejtë, luftarakë, miqësorë me mikun dhe ndonëse të varfër dhe me një prapambetje të theksuar kulturore, ruanin një vetëdije të kthjelltë kombëtare.

Ç’mund të bëhej për ta dëmtuar sa më thellë këtë njohje kaq të pafavorshme për synimet e politikës serbe, e cila që prej “Naçertanias” synonte që kufijtë e principatës autonome të Beogradit t’i shtrinte në përmasat e shtetit mesjetar të Dushanit?

Autori zgjodhi shpifjen, poshtërimin. Megjithëse ngutej, ai pati kujdesin e dukjes objektive, që njollat e zeza të shpifjeve, të mos i vinte drejtpërdrejt nga vetja e vet, por tu referohej të tjerëve. Mund të thuhet se ai përpiloi një bibliografi të parë mbi autorët e shekullit XIX që u morën me temën shqiptare. Ai dëshiron të tregojë se për shqiptarët është mbështetur në veprat e miqve të tyre dhe vërtetë përzgjedhë të citojë, kur i pëlqen Georg von Hahn-in, baronin Chlumecky, dr. Liebert, baronin Franz Nopcsa, ing. Karl Steinmetz e ndonjë tjetër. Sigurisht u ndal më tepër te autorët sllavë, që nuk i patën kursyer kurrë shpifjet e sharjet.

“Nji katalog mâ komplet të mungesavet tona kombtare si edhe të gjithë sa shpifjeve qi mund t’ i bâhen nji populli, s' ka mundun bir nâne tjetër me na e vûe përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke”, shkruan përkthyesi i këtij libri Mustafa Kruja në parathënien e botimit të parë në gjuhën shqipe në vitin 1928.

Autori punoi shpejt, i ngutur prej rrethanave të ngjarjeve, duke e shkruar librin fillimisht në gjuhën gjermane për ta botuar në Vjenë. Fill më pas, si një mision i mirëfilltë shtetëror, ky libër u botua në Paris, përkthyer në frëngjisht nga lartësia mbretërore Princ Aleksi Karagjorgjeviq. Libri u shkrua në kapërcyell të viteve 1912- 1913, kur në dimrin e egër, mizoria brutale e bajonetave serbe e përgjaku ngritjen e Flamurit të Pavarësisë.

Asnjë tekst historie në gjuhën shqipe nuk sqaron kaq qartë rrethanat dhe shkaqet që bënë bashkë serbët, malazezët, grekët e bullgarët në një Aleancë që do t’i shpallte luftë Turqisë. Ishte frika e ngritjes së shtetit shqiptar që, sipas Gjorgjeviçit, si çështje u shtrua në vitin 1880 prej Lordit Fitzmaurice, një Shqipëri që do të përfshinte një pjesë të madhe të vilajeteve të Kosovës dhe Manastirit. Ndërsa pas 32 vjetësh, Austro-Hungaria përmes kontit Berchtold me notën e tij qarkore të 14 gushtit 1912 kërkonte autonominë e një Shqipërie akoma më të madhe “se ajo qi kishte ândrrue Lordi Fitzmaurice… Ajo qarkore e kontit Berchtold u tregoi sërbvet, bullgarvet e grekvet se ç' rrezik po u kërcnohej bashkëkombtarëvet të tyne në Sërbí të vjetër e në Maqedoní, e Gaston Gravier-i mendon se vetëm ka vlejtun me shpejtue Lidhjen Ballkanike”.

Autorit i duhet njohur merita e njohjes së zhvillimeve aktuale kur e shkruante librin e tij në ditët e para të vitit 1913. Ai ka ndjekur me interesim të veçantë Konferencën e Londrës, ku për kufijtë e Shqipërisë, krahas variantit austriak që merrte më shumë parasysh kërkesat shqiptare, u paraqit një variant rus që kufijtë e vendit tonë i mblidhte në hapësirën midis Matit e Vjosës dhe varianti italian që përputhet më shumë me kufijtë e sotëm. Midis këtyre varianteve autori zgjedh për librin e tij të shënojë me një saktësi të çuditshme për kohën sipërfaqen e Shqipërisë, që ndryshon kaq pak me sipërfaqen aktuale të saj.

“Ç' âsht me të vërtetë Shqipnía?- pyet Vladan Gjorgjeviqi. Ndên këtë emën duhet me kuptue nji vend qi, mbas specialistëvet ma t'autorizuem, si A. Baldaçi dhe A. Supan-i, përbahej prej dy vilajeteve të Turqísë, Shkodër e Janinë. Sipërfaqja e këtij vendi arrin, në 28.680 kilometra katrore e popullata e tij në 721.706 shpirtë.”

***
Dr. Vladan Gjorgjeviqi ka dashur t’i japë veprës së tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” një ton më tepër se ngazëllyes. Ka synuar të shfaqet triumfues e ngadhnjimtar. Sikur tharmi i lavdisë serbe, i ruajtur me shekuj, për mjerim të përçmuesve e mosbesuesve, ia kishte dalë me forcën e armëve të shfaqej zotërues në brigjet e detit Adriatik duke rimarrë hapësirat ku kishte mbretëruar lavdia e Stefan Dushanit dhe një luzmë emrash të tjerë para tij, gjithashtu sundimtarë serbë të lavdishëm.
Por nën velin bombastik të frazave rreh një zemër që përpëlitet në ankth për fatin e brishtë të Serbisë së ëndërruar. Lajmet që i vijnë nga fronti i luftës nuk janë edhe aq optimiste. Për fatin e zi të autorit, duken shenjat e kobshme se aleatët besëlidhur kundër Turqisë: Greqia, Bullgaria dhe Serbia, së shpejti do të kacafyteshin mes veti për prenë e grabitur. As rrena se shqiptarët mezi kishin pritur të “çliroheshin” prej serbëve dhe kinse po luteshin që të merrnin fenë ortodokse serbe, nuk e mbante ngrohtë autorin.

Lajmet që vinin nga frontet e luftës qenë tronditëse dhe gjaku i njeriut që po shkonte lumë, siç thotë dhe vetë, “prej Shkodre deri në Çatallxhe…” nuk mund të fshihej. Për Luftën e Lumës e ka kyçur gojën, por flet për shqiptarë të plagosur në spitalin e Prizrenit, si për egërsira që në shtrat të vdekjes rrezikonin me akte barbare bamirësinë e “mëshirës” kristiane serbe. Duhej heshtur edhe për aftësinë e shqiptarëve, që edhe në mungesë të shtetit ia dolën të siguronin lidhje ndërkrahinore kundër ushtrisë serbe. Krahas lumjanëve përballë serbëve në Qafën e Kolesianit u vunë edhe dibranë, hasjanë e luras.
Edhe Kosta Novakoviqi socialdemokrati serb ka qenë pjesë e Repartit të Lumës dhe si pjestar në këto luftime nuk dëshiron të kujtojë detyrën e parë të këtij reparti që ishte çarmatosja e saj, por nuk mund të heshtë për këtë përpjekje të dështuar, që, siç shkruan ai “u pagua me jetën e disa qindra njerëzve, duke humbur edhe shumë municion, ushqime dhe kafshë...Pas disfatës së plotë në Lumë, pas katër netëve të pandërprera pa gjumë, pas tërheqjes nga pozita afër fshatit Bicaj dhe pas kalimit në ujë deri në brez- Reparti i Lumës, i forcuar edhe me një batalion, u detyrua të tërhiqet i shpartalluar, i raskapitur deri në pikë të fundit” .

Ankthi i ngritjes së Shqipërisë shfaqet më qartë në analizën që autori përpiqet tu bëjë interesave të shteteve europiane në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë dhe Serbisë. Ndërkohë që për fatin e Shqipërisë në Londër kishin nisur bisedimet e ambasadorëve të vendeve europiane, në trojet shqiptare vazhdonin masakrat mbi popullsinë e pambrojtur. Serbia po përpiqej të merrte maksimumin. Ajo do të donte që kufiri serbo grek të bëhej lumi Shkumbin. Që sipas të drejtës së pushtuesit t’i përjetësonte fitoret e ushtrisë së saj.

Toni i analizës ndryshon në varësi të temës së shqyrtuar. Ai është gjithnjë poshtërues kur flitet për shqiptarët, që në variantin më të mirë do të ishin të detyruar t’i nënshtroheshin vullnetit qytetërues serb. Ndërron regjistri kur u afrohet të mëdhenjve fatpërcaktues dhe nuk e ka për gjë të lutet, të përgjërohet për kërkesat serbe.

“Sërbia kërkon vetëm nji pjesë të vocërr të Shqipnís, nji copëz të vogël nga bregu i detit, prej Leshit e deri në Durrës.”

Po të mos realizohej kjo kërkesë, Adriatiku do të shndërrohej në liqen italian. Në zotrimin e grekëve dhe serbëve, garanton autori, një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Toni lutës e dëshpërues i autorit, arrin të buçasë e shkrepëtijë kërcënime kundër perandorisë Austro-Hungareze në rast se ajo ia delte të kufizonte dëshirat serbe:

“Në qoftë se Austria ngul kâmbë qi vetëm me nji Shqipní autonome mund t'i sigurojë interesat e saj në këtê vênd, e në qoftë se, tue u mbështetun në fuqín e armëvet, edhe i a mbërrin këtij qëllimi, atëhere Sërbís do t'i pritej ç'do udhë për me dalë në det dhe sërbët do t'ishin të shtrënguem me qênë anmiq për vdekje t'Austrís”…

Krahas të drejtës së pushtimit, për jetësimin e synimeve pushtuese serbe ai i referohet të drejtës “historike”, “etnografike”, madje dhe të drejtës “kulturore”, sipas së cilës shqiptarët duke qenë inferior duhej që dikush në jetën e tyre politike “t'i edukojë dhe po të jetë nevoja edhe t’i ndëshkojë… Pra, si popull mâ i kulturuem, na kemi mâ shumë të drejtë me sundue mbi shqiptarët e me u pri atyne.”

***
Kanë kaluar më se 100 vjet nga botimi i librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”dhe ribotimi i tij bëhet në rrethana të reja. Kanë ndryshuar për mbarë rrethanat edhe me kohën kur ai u botua së pari në shqip në vitin 1928 nën përkthimin e patriotit Mustafa Kruja, për të cilin para do kohësh në vlerësim të figurës dhe veprës së tij u mbajt edhe një simpozium përkujtimor. Edhe shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, falë qëndresës së tyre dhe mbështetjes që morën u mbijetuan shtrëngatave vrastare të shekullit XX. Në Kosovë ata kanë ngritur shtetin e tyre të njohur nga 108 vende, midis të cilave dhe shtetet më të fuqishme dhe demokratike të botës. Ndërsa në Maqedoni pozita e tyre kulturore dhe politike është përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Edhe një herë u provua se një popull me rrënjë të hershme si i yni, është vështirë të shfaroset nga dhuna.

Përtej 100 vjeçarit duket se nuk shtrihet më as etja e Vladan Gjorgjeviqit për t’i sunduar shqiptarët, sepse pas 100 vjetësh “edukim e ndëshkim” serb, sipas parashikimit të tij, ata do të emancipoheshin e aftësoheshin për të marrë fatin politik e kulturor në duart e veta.

Po a kanë ndryshuar marrëdhëniet me Serbinë, a kanë filluar të fryjnë tash erëra të reja?! Në vitin 1928 Mustafa Kruja, ashtu si shën Thomai, paraqitej mosbesues. Pavarësisht dëshirës dhe çarjes së akujve të komunikimit, bezdia e kësaj ndjesie nuk është larguar as sot e kësaj dite. Midis Serbisë dhe Shqipërisë janë fantazmat e së kaluarës, qindra mijë shpirtra të zhdukur pa nam e nishan për të cilët heshtet si në varre. Krimi i pandëshkuar serb tremb e largon të dy palët, si viktimën dhe xhelatin e djeshëm. Një ndjesë nga ana e Serbisë nuk do t’i ngjallte qindra mijra fëmijë e pleq të pushkatuar, nuk do t’i ringrinte fshatrat e qytetet e shkrumbuara, por mund të merrej si një gjest njohjeje, si një përshpirtje për të shpëtuar shëndetin e së ardhmes.

Duke lexuar librin e Vladanit do të kuptohen më mirë edhe tezat e tij të amplifikuara dhe të shpërndara shqip për gjatë gjithë shekullit. Së paku manisë për tu vjedhë heronj e virtyte shqiptarëve do t’i dalë autorësia e vërtetë. Edhe tezës se gjoja Europa trembet nga një Shqipëri myslimane, edhe urrejtjes për Vatikanin, paragjykimeve fobike për jezuitët dhe katolikët në përgjithësi gjithashtu do t’u dalë boja. Ky libër do të lexohet si një dëshmi historike e mentalitetit politik serb. Mos u habisni kur të hasni në mina të hedhura në vitin 1913 për të shpërthyer më vonë, kur t’i duhej pushtetit politik në Serbi. Qe një minë me shpërthim të vonuar:

“Shqiptarët që rrojnë përjashta kufîjvet të kësaj Shqipnie të vërtetë janë të shpërdamë nëpër Sërbí të vjetër (Kosovë- shën. im) e Maqedoní , si ishuj mbrênda ndër grumbuj sërbësh e bullgarësh, pa ndonji lidhje me vêndin e tyne. Në Shqipnín e poshtme ka në mes të shqiptarëvet 110.000 grekë dhe aq kuco-vllehë, e në Shqipní të veriut nja 6-10.000 sërbë të shfaqun e të mëshehun.”

Ky falsifikim i hershëm gjorgjeviqjan do t’i shërbente në vitin 1937 Vaso Çubrilloviqit që në elaboratin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve” të planifikonte që “Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgora, Sharri, Istogu e Drenica në veri të maleve të Sharrit, pastaj Dibra e Epërme e të dy Pollogët në jug të këtyre maleve, si qarqe kufitare me Shqipërinë duhen boshatisur me çdo kusht”.
Libri “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” do t’i shërbejë historianit, studentit dhe çdo lexuesi tjetër për të kuptuar më mirë ngjarjet dhe rrjedhat historike. Nëse do të ngrihet ndonjëherë një tribunal për gjykimin e krimeve, ky libër do të merret si dëshmi dhe provë krimi. Mbase do të ngjasë si me dënimin e genocidit turk ndaj armenëve. Një dënim i vonuar, por një ngushëllim për drejtësinë. Le t’i thartojnë turinjtë mohuesit e krimeve, ata që nuk kanë pranuar ende as holokaustin e hebrejve.
Duke besuar që çdo krim do të ndëshkohet qoftë dhe moralisht, atëherë mund të shpresohet se barku që polli Gjorgjeviqin dhe pasuesit e tij të këtë filluar të shterpëzohet. Pas kësaj Ballkani dhe Europa mund të bien në paqe.

Izet DURAKU

REXHEP SHAHU : KUSH UA NGJITI BISHTIN SHQIPTARËVE



(U botua libri “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” i ish kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq, nga Shtëpia Botuese, Klubi i Poezise, Tiranë)

Libri i zi, libri më i zi kundër shqiptarëve, ose libri i ankthit serb, siç shkruan Izet Duraku, ankth i shkaktuar nga ngritja, ngjizja, apo krijimi i shtetit shqiptar, me titull, “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, i shkruar nga ish kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq në janar 1913, i botuar atëhere në gjermanisht dhe frëngjisht për të bindë europianët se shqiptarët janë me bisht, janë të pagdhendur, të trashë, primitivë, të pazhvilluar, s’mund të bëjnë shtet, s’duhen pranuar në Lidhjen e Kombeve, s’mund të jetojnë shtet më vete por i duhën lënë për 100 vjet Serbisë që t’i kulturojë e njerëzojë e pas 100 vjetëve Serbia t’u japë autonomi kulturore, i përkthyer nga gjermanishtja e botuar në serbisht nga i biri i mbretit të Serbisë për ta mbjellë e rritë urrejtjen serbe kundër shqiptarëve deri në zhbërjën e tyre; libër bazë, rrënjë mitër apo nënë e gjithë elaborative apo platformave shkencore, akademike e politike serbe antishqiptare; libër gurrë e të kqiave kundër shqiptarëve, gurrë në të cilën kanë pi urrejtje kundër shqiptarëve gjithë antishqiptarët, gjithë urryesit e shqiptarëve, gjithë oratorët, kritikuesit, qortuesit e shqiptarëve e kombit shqiptar, por pa e ditë shqiptarët se cila është ajo gurrë të cilën për një mijë rrethana e arsye urryesit e qortuesit e shqiptarëve që llomotisin televizioneve e gazetave e kanë mbajtë edhe të fshehtë; libër i përkthyer prej serbishtes në shqip nga ish kryeministri dijetar e atdhetar shqiptar Mustafa Kruja dhe i botuar, me parathënie e pasthënie prej tij, në vitin 1928; libër i mbajtur po thuaj i fshehtë ndaj lexuesit masiv shqiptar dhe i përdorur nga staticienët ballkanas e shqiptarë të veseve njerzore të shpallura nga qortuesit e shqiptarëve si vese vetëm shqiptare, u ribotua këto ditë vere në Tiranë, pas 87 viteve prej botimit të parë, nga shtëpia botuese Klubi i Poezisë në Tiranë, që ka ndërmarrë nismën, të njohim fqinjët, dhe në këtë kuadër po boton libra të fqinjëve serbë, armiq e miq, falë mirëkuptimit, përkrahjes e mbështetjes financiare të biznesmenit intelektual e humanist Flamur Lutfi Hoxha, i cili thotë se asgjë më shumë se libri nuk është gur themeli në kujtesën kombëtare dhe po e mbështetë këtë nismë; falë nxitjes, redaktimit dhe parathënies për këtë botimi të Izet Durakut; me recencë të Skender Zogaj,; falë lejes për botim të Eugjen Merlikës, nipit të Mustafa Krujës, falë ndërhyrjeve gjuhësore të tij dhe të Neritan Kolgjini, i cili është edhe recenzent edhe e ka radhitë librin.
Libri i Vladan Gjorgjeviqit, Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha, nuk është libër vere, limonadë, telenovelë bastarde që ngop me kotësi lexuesit e mjerë që shullëhen e rreziten në diell kotësie të pashpresë se s’dinë çfarë duan në jetë, është libër i frikshëm, i rëndë, tronditës që të ngjeth mishin e të ngre përpjetë flokët e kresë kur gjendesh para furisë e shtjellave të egra të furtunës së shpifjeve të pa dëgjuara, të pa imagjinuara edhe prej mendjes më të lajthitur e të sëmurë, shpifje të pështira që i ndjen se të ngulen si thika të helmëta në trup dhe don të thërrasësh se nuk janë të vërteta, por nuk ke fuqi të nxjerrësh as frymë as zë, dhe dyshon se nuk të beson as zoti, që mbahet si krijues i njeriut.
Mustafa Kruja në parathënie pyet, a ka shqiptarë më bisht?
Lexuesi shqiptar pak i ditur e i lexuar duhet të ketë dëgjuar se diku, dikur në një konferencë në Romë, Gjergj Fishta nuk po ulej në karrige në sallë ku ishte i ftuar dhe po qëndronte në këmbë. Kur drejtuesit e mbledhjes i thanë Fishtes se pse nuk uleni imzot, ai u përgjigj se nuk më le bishti të ulem. Bishti që Vlladani ua kishte ngjitë shqiptarëve u bë problem në atë sallë elitare dhe përfaqësuesi serb në atë mbledhje thonë se doli jashtë.
Po thuaj se një gjest të tillë ka bërë edhe imzot Noli i madh diku në një takim nivelesh europiane kur ka thënë se nuk po di ku ta vari bishtin që ua kishte ngjitë Vlladani shqiptarëve.
Si botues, si gazetar, poet, që me mbështetjen financiare të Flamur Lutfi Hoxhës kam botuar “Shpërngulja e Shqiptarëve” të Vaso Çubrilloviqit, “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” të D’Estournellës De Constant, humanist i madh francez, nobelist i paqes, ish sekretar i komisionit të caktimit të kufijve në veri të Shqipërisë, “Shqipëria në 1921” të humanistit Justin Godart, përkthyer nga Mirdash Shehu – libër i madh i dashurisë për shqiptarët ose libri që i vihet përballë si asnjë tjetër deri sot librit të Vladanit dhe që u këndon hymn e u del zot shqiptarëve si pothuaj asnjë libër tjetër, që kam në shtyp Kosta Novakoviqin e Ballugxhiqin, do të doja që këtë libër të Vladanit ta lexonte çdo shqiptar që din shkrim e këndim. Për me njoftë fqinjët tanë serbë, me njoftë laboratorin e të keqes serbe. Mos me u gjendë si gomari që po e hante ujku e ai kujtonte se ishte në ëndërr. Mos me mbetë në tela çiftelie e sharkie dija jonë për fqinjët tanë serbë me të cilët do të jemi fqinjë sa ta nxehë dielli tokën.
Jo për mua, jo se unë fitoj lekë nga shitja e këtij libri (edhe nëse fitoj nuk është keq pasi dua ta botoj Dimitrie Tuceviqin dhe ndonjë humanist tjetër serb), por për formimin e vetëdijes kombëtare të sejcilit shqiptar, vetëdije që nuk formohet por shëmtohet nga librat e dashurisë së shtirur e sterile të atyre që bëjnë dashuri në letra e jo në jetë.
Në fund fare, i dashur lexues, pasi ta lexosh këtë libër, si të kalojë një farë kohe, ka me t’u ngjallë një ndjenjë mëshire për serbët, për liderët serbë, për akademikët serbë, sepse do të kuptosh se sa shumë energji, mund, djersë, para, ëndrra në diell kanë çue dëm serbët duke urrye, vrarë, masakrue e përdhunue shqiptarët, këtë farë e rracë të pazhdukshme, që zoti i ka falë të paaftë me urrye por edhe fatkeqë se harrojnë shpejt, për të zezën e vet.

Eruditizmi poetik i Rexhep Shahut

FARUK MYRTAJ : MALET NË HËNË KANË QENË GJITHNJË…!


(Duke lexuar vëllimin poetik “Mali i Hënës” të Rexhep Shahut)



Ndër herët e rralla kur e shoh të pranueshme, të nevojshme, madje e shoh të domosdoshme, një parathënie në librat me poezi të sotme shqiptare…





Rexhep Shahu qenka 38 vjeçar, paska shkruar e synuar prej kohësh të botojë (me botuesin shtet!) nuk i ka përpuqur dot vijat e fatit të tij me ato të poezisë së tij , dhe ja më në fund (se ja, çdo gjë e paska një fund, një fat, pra). Shtëpia e mirënjohur botuese “ Koha” ja ka mundësuar këtë gjë. Izet Duraku, që ka marrë përsipër “marrëzi”-në këtë rast, ndër rastet e rralla, mirësinë të shkruajë një parathënie poetike për poezinë , na bën të ditur se “vargjet e para janë tretur shpateve të fëmijërisë si larat e borës “.

Por…Rexhep Shahu i ka shkruar vjershat përpara se përcjellësi i tij të shkruante parathënien dhe ne ç’të bëjmë ne, ne jemi të detyruar të lexojmë poezitë e të mbetemi në to:

“Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm

Që rreket të kalbë fajet e tij,

Por faji në varr është si në serë

Që rritet e rritet në shëmti …”, shkruan Shahu në “Pa krye”.

E ç’rëndësi na paskërka që autori na qenka 38 e nuk qenka 28 apo 18 apo 58 vjeçar! Edhe sikur mos të kishte shkruar, edhe sikur të kishte arritur të merrej vesh me botuesin –shtet, edhe sikur … të gjitha sikuret do të përmbylleshin, gjithsesi me pyetjen: Poezi,a ka shkruar poezi?

Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë
Dhe zëri im s’bën më për fjalë…”

Është kjo një vjershë e tërë, kaq e tëra pra, pa titull. Mund të lexohet gjithsesi ne mënyra e në kontekste të ndryshme: për të dashurën, për poezinë, muzën, për… E, merret vesh, kur arrin të lexohet ndyshe, mu këtu është thelbi i të qenit art.

Pastaj, në të gjitha kohët, fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë. Migjeni, ndër të fundit(!), e ka shpallur mrekullueshëm, madje ca vulgarish: Sokrat i vuajtun, a derr i kënaqun…?!

Është tjetër se në këtë truallin tonë; që jemi marrë vesh ta quajmë edhe për ca kohë, së paku, Shqipëri, na është bërë e mundur të vuajmë si Sokratër e të shtiremi si derra:

“Unë qorri me dy sy endem nëpër ferr

Në këtë ferr që s’lashë lavde pa i thënë…!”

E ca më poshtë në këtë libër:

“Ajri që thithim kutërbon coftinë
………………………………………………


Ti trembesh prej vetes prej botës
Dhe rri në mes.

E s’ngopesh me frymë..”(bëj sikur fle”)

Rexhep Shahu, kuptuar sipas poezisë së botuar të tij, duket se mbase nuk e lexon pjesën “moderne “të poezisë së sotme shqipe; së paku nuk joshet e nuk mashtrohet prej lulkave pa aromë të vërtetë të saj. Ka një varg poetësh që përkëdhelen e vetpërkëdhelen, për bartës të poezisë moderne, poezisë së mendimit të pakuptuar, për vjershërim jashtë të gjitha qëllimeve për t’u lexuar nga tjetërkush.

 Në kuadër të kthimit të të gjithëve në “të pavarur” (siç janë për shembull shumica e gazetave tona!), po kërkohet pavarësimi i artit dhe i letërsisë nga jeta. Madje, së fundi, në TV, dikush mori përsipër të shprehte si vlerë superiore të tij, ndarjen e veprimit të jetës së përditshme të tij nga akti i të krijuarit! Atëherë?!



Rexhep Shahu e vendos veten aty ku është: Qoftë edhe i kërcënuar.

“Thonj të pistë të zi gërvishtin sonte
Xhamat e dritares time,
Gishta , as duar, as krahë s’shoh
Zgavra sysh shoh tek më shohin sonte
Përtej xhamave të dritares
Por nuk shoh as sy as kokë as trup…
Ulërimën s’e shoh, e ndjej, s’e prek
S’di kush e pisket…”

 (Thonj të pistë)

Të jesh është e domosdoshme të shpallesh siç je. Si njeri mbase është më vështirë se si krijues. Si krijues, si poet, është mallkim i detyruar. Mund të shtiresh gjatë si i ri, si gjoja i dashuruar, si gjoja i lumtur, si gjoja qytetar duartrokitës, si mëmëdhetar i paatdhe… Por si poet nuk mund të mbyllësh sytë.

“Rrugës eci, kurrë i qetë
S’më tregon askush me gisht
I futur në arkivol eci
S’më shikon askush.
Të gjitha ritet e të gjallëve bëj,
Hyj në kafe e kudo me arkivol
Asnjë të gjallë mes të vdekurve nuk gjej…”
I mbërthyer në arkivol, të kërkoj mes njerëzve
S’di a jam mes të gjallëve
A të vdekurve…”

Pas këtyre vargjeve asgjë më nuk ka rëndësi: Se nuk i ke pas botuar ca vjersha të mëparshme, se nuk është marrë kritika me poezitë e tua, se nuk e ke akoma triskën e Lidhjes së Shkrimtarëve, se po e botoke librin e parë kur ndodhesh në mesin e jetës…!

 Të gjitha këto janë aq të parëndësishme sa vlersohen nga njeriu i përgjegjshëm rrobet që ke veshur në rininë e hershme, sa yjet (S-të) që mund të kesh fituar në aksione po aq të kota sa kujtimet për luftrat e herëshme kur njerëzimi ndeshej me ushta dhe hobe!

Tërë ato të shkruarat e hershme mund të të ishin shndërruar në një gur në qafë e të të merrnin më qafë…! Më mirë, mbase që të qenkan kthyer e tretur në larat e borës shpatullave të maleve.
Pastaj më kot rreket parathënësi i librit; autori e ka fituar betejën me të shkuarën e shkuar:

“Kush beson dhe flet për shuarjen e ndjenjës së dashurisë mashtron edhe jeton me ¼ e qënies së tij,

¾ e jetës së njeriut që ka dashuruar janë lëngim.

Është e tmerrshme të ecësh gjith jetën mbi shina… të shohësh burra

Gjithmonë me pantallona, me model të njëjtë kostumi.

Është e tmerrshme, që duhet përgjithësisht të bëhesh i moshuar

Dhe pastaj të vdesësh…

Është e tmerrshme të mos jemi sado pak të ndershëm,

Me veten tonë të padukshme…!”

Malet e Hënës dihet që janë. Janë, kanë qenë prej kohësh. U desh dikush të shkonte,t’i prekte, t’i shfaqte për të tjerët…!




**********




Nga Izet Duraku : Origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut



Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që, ashtu të botuara apo të shkruara me dorë, përpiheshin me etje. Ndonëse në kushte të vështira, krijuesit u përpoqën të jenë në një rrjedhë me kohën dhe të krijojnë fizionominë e vet poetike. Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “Mali i Hënës” u botua megjithatë relativisht vonë, në vitin 1998, kur kishin rënë barrierat e kuptueshme të regjimit totalitar. Poezia, letërsia në përgjithësi ashtu si çdo gjallesë për ajrin, ka nevojë për lexuesit e saj, për të hyrë në qarkullimin e madh artistik, për tu ndikuar nga bota e artit dhe për të ndikuar tek ajo. Dëmi më i madh i ndalimit të veprës së shkrimtarëve në diktaturë ka ardhur veçanërisht prej kësaj vonese që i ka shkëputur nga mjedisi letrar, prej mundësisë që, duke u lexuar, të hynte në jetën e krijuesve të tjerë dhe të lexuesve në kohën e shkrimit të saj. Kjo mungesë tragjike, bie fjala si e veprave të Kasem Trebeshinës që u botuan me vonesë vetëm pas viteve ’90, nuk e ka dëmtuar vetëm reputacionin e shkrimtarit, por organizmin e letërsisë shqipe. Po kështu mund të thuhet edhe për njohjen më se një shekull me vonesë të poezisë brilante të De Radës, Serembes etj dhe akoma edhe më me vonesë të Zef Skiroit. Rexhepi ishte 38 vjeç kur botoi së pari herë libër. Në fund të viteve 80 ai pati dorëzuar në shtëpinë e vetme botuese një libër, por botimi iu refuzua, për mungesë të trajtimit të temave të mëdha e entuziaste për të cilat kishte nevojë regjimi. Kur kihet parasysh tash vepra e tij mund të thuhet se Rexhepi në fakt nuk ka humbur shumë prej kësaj vonese, sepse poezia e vërtetë i reziston kohës. Koha rrjedh pa e dëmtuar poezinë, përkundrazi mund të gjallërojë më tepër ngjyrimet e saj. Ajo shijohet njëlloj si të jetë shkruar para shumë vjetësh ose siç mund të shkruhet edhe pas shumë vjetësh. Edhe në letërsinë tonë për fat të mirë, kemi poetë tradicionalë, madje të cilësuar të vjetër, që ngjajnë ende kaq të rinj e modernë. Kur lexoi “Malin e hënës”, shkrimtarit Faruk Myrtaj nuk i hyri në sy vonesa e botimit të tij. Mbi të gjitha ai vlerësonte faktin se u arrit që poezia të shkruhej. Për shkak të lakonizmit, dendësisë së emocionit ajo mund të lexohej gjithsesi në mënyra dhe kontekste të ndryshme.

“Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë,
Dhe zëri im s’bën më për fjalë.”

Mund të thuhet kështu për të dashurën, për poezinë, muzën, për… E, merret vesh, kur arrin të lexohet ndryshe, mu këtu është thelbi i të qenit art”. Që nga botimi i librit të parë poetik të Rexhep Shahut “Mali i Hënës” në vitin 1998, kanë kaluar 16 vjet. “Mali i Hënës” u pasua në vitin 2000 nga libri “Bregu i brengës”. Pas tyre, në 14 vjet të vrullshëm shpeshherë të turbullt, Rexhepi u muar më shumë me publicistikë “me një qiri të ndezur në dorë për me ndritun atë të vobektë dhe”, siç thoshte Bogdani i Sibilave, vendlindja e të cilit është krejt përballë Bardhocit, vendlindjes së Rexhepit. Vitet pas “Malit të Hënës” janë të mbushura me ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit. Mjafton të përmendim luftën e Kosovës, e cilësuar si lufta e fundit çlirimtare në Europë, ku u lartësuan përpjekjet e përgjakshme e heroike të UÇK, në një betejë të pabarabartë me një nga ushtritë më të mëdha të kontinentit, ku trupi i pambrojtur i shqiptarit u përball me marshin e vdekjes së fortifikuar në çelikun e tankeve dhe avionëve të pushtuesit. Ishte koha kur bota u befasua me madhështinë e shpirtit tonë të pamposhtur në shembëlltyrën e qytetit të Kukësit, të cilin për qëndresën dhe bujarinë e pashoqe në pritjen e gjysmë milionë njerëzve, e kandidoi për t’i dhënë Nobelin e Paqes. Duke qenë në qendër të ciklonit si gazetar i radio Kukësit dhe reporter i të përditshmeve të kryeqytetit, si bashkëpuntor i radio Tiranës dhe Top Albania Radios, Rexhepi intervistoi personalite të rëndësishme botërore që erdhën aso kohe në Kukës. Kontributet e tij u transmetuan me sukses dhe u botuan në disa gazeta të njohura, një pjesë e të cilave u rimblodhën në dy libra: “Misioni për Paqen” dhe “Marsi i Minave”. Ndërkohë më shumë se prej publicistikës, drita duket se lind nga poezia, sado e trishtuar, e mjegullt, e zymtë dhe ankthioze të vijë ajo. Rexhepi nuk iu nda për asnjë çast dashurisë së vjetër, dashurisë poetike, që lindi rrëzë malit të Pikëllimës, përballë malit të shenjtë të Pushtrikut, buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë. Krahas publicistikës ku nuk mungojnë motivet migjeniane ai shkroi gjithmonë poezi duke jetuar me trillet e saj, duke i qëndruar besnik vetes në ndjekje të një instinkti të ngulur krijues që vlerat i kërkon te vetja duke rizbuluar e rijetuar brenda të sotmes, të gjitha kohrat njëherësh. Kur ka botuar më shumë se 370 poezi dhe poema të përfshira në katër libra: “Mali i hënës”, “Bregu i brengës”, “Lis i vetëm në fushë” dhe “Qyteti i lutjeve”, mendoj se është me vend të flitet për një kristalizim të mënyrës së tij krijuese dhe nisur nga vlerat e kësaj poezie të tërheqim vëmendjen ndaj origjinalitetit të saj. Ku shfaqet ky origjinalitet? Në mijvjeçarët e ekzistencës së letërsisë që prej eposit homerik duket se është ngjeshur lënda në mënyrë të tillë sa duket se nuk mund të ngrihet diçka e re, e pangjashme me atë që tashmë është krijuar. Një vëtëdije e tillë është e domosdoshme për të ndalur zellin shterp të grafomonënëve të panumërt, që sa vijnë e shtojnë grumbullin e jo vlerave duke rrezikuar t’ia zënë frymën letërsisë së vërtetë. Po kështu, përvoja mijvjeçare, e thithur drejtpërdrejt prej letërsisë sonë gojore dhe letërsisë së kultivuar, duhet të nxit më tepër nevojën e njohjes së vazhdueshme të saj. Sepse nga mosnjohja, edhe nëse rastësisht i shpëton theqafjeve, verbëria të çon gjithnjë në udhë pa krye. Duket paradoksale, por origjinaliteti i veprës letrare vjen nga përthithja e përvojës kombëtare e botërore dhe jo nga injorimi i saj. Ky injorim në të shumtën e herës ndër ne vjen jo për shkak të qëndrimeve novatore apo eksperimenteve moderne a postmoderne, po thjesht për mungesën e plotë të kulturës letrare ose më qartë për shkak të analfabetizmit kulturor. Ndërkohë shkruesit e zellshëm që ia bëjnë qejfin njëri- tjetrit, nuk i lënë askujt hapësirën e duhur për të treguar lakuriqësinë e mbretit. Për këtë shkak, me kohë është bërë e domosdoshme që vendin e djalit naiv që tregon me gisht të vërtetën bërtititëse të lakuriqësisë, duhet ta zërë kritika profesioniste që duhet të rrëzojë jo vlerat dhe t’i paraqesë pa patetizëm, vlerat reale. Poezia e Rexhep Shahut është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit. Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Dashamirës, njohës të poezisë kanë vërejtur se kjo poezi nuk mashtrohet, as joshet nga lulkat pa aromë të përsiatjeve të ashtuquajtura moderne. A mund të shtiresh përjetësisht, a mund t’i mbyllësh sytë para brengave vetjake e njerëzore? Vuajtja është tipar i poezisë së tij, një vuajtje për shkak të dyzimit midis vetes dhe vetvetes. Dyzimi në përmasa planetare përfshin gjithçka edhe kohën që ndrron rrjedhën e saj normale, jo nga e sotmja drejt të ardhmes, por nga e sotmja drejt së kaluarës, drejt zanafillës, kthimit tek kaosi. Ky lloj apokalipsi synon të zhbëjë jetën. Poezia ngjan me librin e lutjeve dhe psalmet. Gjuha biblike parlajmëron ndëshkimin. Profecia të dërmon me gjykimin e ftohtë të saj:

“Ka me ra shi me baltë
Në llomin e fjalëve kemi me rrëshqitë
E kokërdhak kemi me ra…”

Ndihet vuajtja migjeniane, por zymtësia e pesimizmi e tejkalon Migjenin. Njeriu, i lindur tashmë, nuk do t’i kanoset krijuesit të tij duke e sfiduar, por do të mbarojë, do të zhduket për shkak të llumit të vet shpirtëror. Duket se rrufeja poetike e hyut të padukshëm do ta zhdukë sodomën dhe gomorrën që jetojmë. Rrudhja shpirtërore ka asgjësuar vlerat dhe individi është shndërruar në kufomë shetitëse. Qerthulli i humbjeve sa vjen e rritet. Shpesh përmes përsëritjeve ciklike shfaqen mundimet e Sizifit dhe vuajtjet e Tantalit. Por ka një spirancë që të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezinë e Rexhep Shahut si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje. Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fat i individit i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë.

“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më
Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër
Unë shkaku i saj s’do të jem askund
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.
…………………………………………………
…Prej sysh më del
Si hyjni qielli, sirenë deti
Përpara meje e veshur me dritë
Ndërsa zhdukesh pa gjurmë
Nëpër tymin e shkrumbit tim
Unë mekem pa frymë
Lis i shituem prej zanash.”


Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit. Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe mund të thuash me vete si nuk i kam vënë re më parë. Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme , madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor. Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme. Prej këtij shpirti tragjiko- poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme. Dëgjojmë të thuhet se poezia është në vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezinë moderne… Nuk janë poezi. Prej këtij konstatimi të dhimbshëm të përsëritur e të stërpërsëritur si një mallkim, (askush prej vargjeshkruesve nuk e gjen veten te ky përcaktim) shtohet nevoja e diskutimeve letrare ku të shoshiten vlerat. Mbi të gjitha shkruesit, lëvruesit e poezisë vetë edhe për shkak të asaj që quhet konflikt interesi, janë në gjendje të grupohen sipas shoqërisë e shijeve të përbashkëta, por nuk mund të vetëpastohen nga jo vlerat. Ky është edhe misioni i kritikës profesioniste, i katedrave të letërsisë që duhet të arrijnë përmes studimeve të bëjnë analiza objektive, të klasifikojnë prurjet e reja poetike, t’i japin fund kaosit të sotëm duke përcaktuar vlerat reale, gjithnjë duke parë zhvillimet në raport me prirjet e sotme të letërsisë europiane e botërore. Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tonë njerëzore dhe letrare, që meritojnë vëmendjen e studimeve të thelluara. Librat e Rexhep Shahut me vlerat që sjellin e meritojnë një vëmendje të tillë.




Nga Sulejman Dida : Rexhep Shahu dhe kontributi i tij në publicistikë


 Poeti Rexhep Shahu u formua si gazetar në Radio Kukësi e më pas si drejtues i periodikut kulturor Dy Drina etj. në vitet 90 të shekullit të shkuar. Ai ka ecë i sigurtë në udhën e publicistikës së shkruar si autor që nuk i ngjan askujt, sepse nuk ndjek asnjë idhull, ndonëse ka të tillë. Ai ndjek shtegun e vet. Sepse do që të jetë vetvetja. Eshtë i arsimuar në letërsi, i njeh mirë metrat dhe shabllonet e çdo kontributi publicistik por ai ka formën e vet, ka veçorinë e vet në çdo sipërmarrje. E thashë në fillim cilësorin poeti Rexhep Shahu, pasi ai edhe në publicistikë mbetet i tillë. Në të gjitha shkrimet e deritashme karakterizohet nga shpirti i angazhuar, nga ndjenja atdhetare, këmbëngulja për të pohuar identitetin dhe të vërtetën, nga prirja për të qenë vetvetja, nga thirrja që çdo person të jetë vetvetja, që gazetarët, ata të pavarurit (nga Tirana) të lirohen nga sahalëpirja, që njerëzit e kulturës të mos e shesin shpirtin, që për me i ba qefin dikujt të mos e përlloçim atdheun e kështu me radhë. Në vitet e vështira shqiptare 1997 dhe 1998 zoti Shahu, gazetar në Radio, u angazhua plotësisht duke u investuar jo vetëm si krijues por edhe si qytetar. Ai i ka shkruar me shumë kujdes dhe nerv përvojat e veta në ngjarjet e trazuara, shqetësimet e tij, që ishin edhe shetqësimet e kohës shqiptare, se si njerëzit tek e tek dhe kolektivisht vunë në pikpyetje të nesërmen e tyre, se si e dogjën memorjen e shkruar me sakrificë, si i shembën urat integruese dhe ngritën mure që na ndajnë nga njëri-tjetri dhe nga qytetërimi të cilit i përkasim. Të gjitha këto ai i ka përmbledhur te libri i Marsi i Minave (T. 2006). Sepse te shqiptarët, Serbia, e cila e përgjaku Kosovën, duke e parë se muri i vendosur padrejtësisht në vitin 1913 me presionin e Rusisë, kufiri ndërshqiptar pra po binte, instaloi një tjetër mur, e mbolli me mina krejt zonën e kufirit Kosovë-Shqipëri. E, për ironi serbët mbollën me mina edhe zonën e kufirit Shqipëri-Kosovë, pra hynë në territorin e kësaj Shqipërie të 13-tës. E për më tepër serbët mbollën mina edhe në mendjet e shumë njerëzve këtu, dhe prandaj çoroditja jonë vazhdoi bukur gjatë. Edhe në përpjekjet madhore të shqiptarëve për lirinë e Kosovës zoti Shahu ka qenë aktiv në media, madje edhe në terren, në Kukës, aty ku mblidheshin eksponentët e dy kahjeve politike të FARK-ut dhe UÇK-s, me thirrjet e tij në radio Kukësi qysh në vitin 1998 për të mbështetur UÇK-n me armatim dhe gjithçka tjetër. Jo për me ba pazar me djemt që shkonin në luftë duke ua shitë një pushkë sa nuk bën, por duke dhënë gjithçka për luftën. Jo duke mohue dhe denigrue potenciale të mëdha shqiptare por duke i bashkuar ato kundër një armiku që po na rrezikonte si komb. Mbas çlirimit të Kosovës shumë individë apo fraksione dolën si luftëtarë se me demek kishin luftuar, në ndonjë rast na u zbuluan edhe do asish antiamerikanë, por Shahu i ka njohur shumë mirë disa prej tyre dhe për këtë ai shkroi pamfletin e fuqishëm Ku ishe Ti, pra kur shtëpitë kalleshin në flakë e kur fëmijët shqiptarë ekzekutoheshin nga milicia serbe ku ishe ti… Ky ka qenë maraku i Rexhep Shahut. Ai i ka shkruar këto siç i ka përjetuar pa ia bërë qefin askujt. Ky libër përbën një shenjë dalluese, një dëshmi dhe analizë krejt të veçantë të kohës dhe e çmoj si një nga kontributet më të spikatura të krejt publisitikës shqiptare. Rexhep Shahu dallohet për forcën e logjikës, për bukurinë e tekstit por edhe për fuqinë emotive të trajtimit të temës. Ai ka një aftësi të çuditëshme të realizimit të intervistës, ka magjinë e familjarizmit të shpejtë me të intervistuarin, pavarësisht nga homri që mund ta karakterisojë. Ai shkëput prej të intervistuarit rrëfimin e sinqertë, atë që rrallë ndodh në median tonë. Shahu ia ka dalë të shkëpusë qëndrimin individual dhe të sinqertë prej kujtdo të cilit i është drejtuar. Disa nga përsonalitetet që i ka intervistuar, kanë pasë edhe konseguanca. Ishte rasti i bisedës me gazetarin Filip Smakër të Uashington Post-it në prill të 98-tës, bisedë pas të cilës, siç pat thënë më vonë vetë Smakër, kishte kaluar telashe jo të vogla pikërisht për shkak se ishte rrëfyer si tepër në bisedën me Rexhepin. Po nga ana tjetër, ndikimi i asaj interviste ishte i padiskuueshëm te shqiptarët dhe tek të tjerët pasi dëshmoi për genocidin që po ndodhte në Kosovë dhe u shpreh se rruga e zgjidhjes së krizës është lufta, kur në Tiranë thuheshin terman shumë të butë referuar çështjes së Kosovës. Edhe të tjerë kanë pasë rastin ta takojnë të njohurin Smakër, dhe kanë zhvilluar plot biseda me të, por askush nuk pati magjinë ta bëjë atë që të rrefehet. Kështu i ka bërë të rrëfehen edhe Elez Biberin, Daniel Enders, të famshimin Kurt Shcork etj. Nuk do të rendis emra njerëzish të shquar që ka intervistuar Rexhepi, pasi këto intervista, ndoshta jo të gjitha, i ka përmbledhur te libri tjetër publicistik Misioni për Paqen. Poeti Shahu nuk i kërkon temat, nuk ka këtë luks. Ato ndodhin, pra ngjarjet ndodhin. E ndërsa shumkush e ka luksin ti soditë nga distanca ose të përfitojë prej tyre, ai vëren deformimin e të vëttetës dhe bërtet, nuk mund të rrijë indiferent. Duke qenë se ai i jeton ngjarjet edhe si poet, nuk mundet mos me folë kur vendit i mohohet hisja e diellit për shkak se dikush këkron të përfitojë ose të bëjë interesantin, nuk mundet mos me folë kur ne na shahen urat që po ngremë me mundim, kur na shahen udhët po ndërtojmë me shumë sakrificë, nuk mundet mos me folë kur krijohet rrethi vicioz i mendimdhënësve që zaptojnë të gjitha ekranet, ku për tu hequr modernë shajnë çdo gjë të vyer prej antikuareve evropianë që kanë firmën e kombit tonë, që shajnë deri edhe Kanunin e Vjetër, shajnë kostumin që na identifikon, shajnë bukurinë shqiptare. Nuk mundet mos me folë kur opinionbërësit hiqen si internacionalistë ende pa e pasë një vend tonin në tryezën e vendeve evropiane. Kështu pra ai është i ndjeshëm dhe merr përsipër ti bëjë avokaturën të bukurës, autentikës, arritjes, shpresës. Pa u zgjatur duhet të nënvizoj si një kontribut librin Apologji për Udhën e Kombit. Përveç këtyre botimeve zoti Shahu, pikërisht këto ditë na sjell edhe librin tjetër me publcistikë Bukën tonë të Përditëshme. Në dhjetra shkrime ai glorifikon tokën e shenjtë shqiptare, inkurrajon dhe nxit punën me tokën, bekon njeriun e punës, duart që na sigurojnë bukën e përditëshme. Jan shkrime të botuara më herët në revistën Bujqësia Shqiptare të cilën e drejtoi duke shënuar një kontribut në konceptimin dhe në përmbajtjen e saj. Ai, siç e theksova në fillim, ka si kontirbut edhe Revistën Dy Drina që e ka drejtuar shumë vite, gazetën Kallz (për fëmijë) dhe ndonjë botim tjetër të natyrës publicistike siç është monografia Bllaca (si bashkëautor) etj. Rexhep Shahu përbën një rast frymëzues për median në Shqipëri dhe unë e përgëzoj.


Nga Behar Gjoka : Në gjurmët e poetit dhe publicistit Rexhep Shahu



Emri i Rexhep Shahut, poetit dhe publicistit të njohur, në skenën e letërsisë bashkëkohore shqipe, ka ardhur natyrshëm, brenda një ligjësie të pashkruar. Fillimisht, në mendjen time, shpresoj edhe të lexuesve të tjerë, ka ardhur teksti poetik apo publicistik, e mandej vetë autori. Pra, kontakti më krijimtarinë e tij, nuk hyn tek paradoksi i zakontë, që njeh poetin, e pastaj do të duhet të presësh me vite, që të duket ndonjë shenjë poetike, e cila edhe mundet të mos vijë fare. Shkas i rinjohjes, pas leximit rastësor të ndonjë shkrimi a poezie, me veprën e gjerë, u bë vëllimi i katërtë, me titullin domethënës, Qyteti i Lutjeve, që për mua ishte befasi shkrimi, në frymë dhe mendim, në vjershërimin poetik, që në fakt më dha shansin që të hidhja një vështrim me të plotë në librat të autorit. Vëllimi poetik, Qyteti i Lutjeve, nga ana tjetër, është edhe një arsye kryesore, për diskutimin letrar, mbi të gjitha librat e autorit, në të dyja përmasat e përfaqësimit, në poezi dhe publicistikë. Bazuar në shijen e leximit, në besimin se në shumësinë e librave me poezi, nuk është gjithçka terr dhe poetizim ndjesor, ende ligjërimi poetik që gjellin sërish në qerthullin e dritëhijeve. Në hapësirat e librit më të ri të R. Shahut, ndesha në poezinë që bart dhe përçon vlera, si një ekzistencë spektrale. U bëra pjesë e veprimtarisë, si diskutim letrar, me dëshirën e mirë që të kthejmë vëmendjen nga letërsia e shqipe, nga pjesa që kumton shenja dhe vlera letrare, pa zhurmë. Teksti i përmbledhjes, ndërkaq kuptohet se është shtysa parake për të ndërkomunikuar me gjithë krijimtarinë, gjithnjë aq sa na e mundëson një tryezë e diskutimit letrar. Interesimi për poezinë dhe krijimtarinë e autorit, është i hershëm dhe i shumanshëm, në varësi të vlerave, që përçojnë tekstet poetike dhe publicistike. Në këtë diskutim, vërtet do të jemi të përqëndruar më tepër tek poezia, me shumë gjasa, tek poetika e përmbledhjes Qyteti i Lutjeve, por njëherit, në fakt është gati e pashmangshme, që t’i iket profilit të autorit, ku kemi të dëshmuar, me libra të mirëfilltë, tri lami shkrimi të autorit: A – Shkrimi i librave publicistike, ku veçohet gjerësia e problematikës, duke profilizuar një publicist me kontribute, me disa libra: Misioni për Paqen, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës, Marsi i Minave, si dhe Apologji për Udhën e Kombit. Në këto tekste, nga njëra anë vijnë ngjarje të njohura, tepër tronditëse, ku madje kemi edhe ekulibrin në mes ngjarjeve të tmerrshme dhe atyre që sjellin gëzim, si dhe nga ana tjetër, na zbulohet profili i njeriut, qytetar dhe mendjehapur, vëzhgues i hollë, i problematikave të shoqërisë, si dhe një publicist, që rrëmon dhe aspiron të vërtetën dhe mbi të gjitha e thotë pa doreza. B – Sprova e shkrimit të monografisë që vjen me librin Bllaca, një punim i plotë, që i kushtohet një fshati në Suharekë, në Kosovë, që ka nxjerrë deputetin e famshëm shqiptar, Ramë Bllaca, që ndërtonte kullën e tij, në kohën kur shumica e banorëve kishin ngarkuar plackat për Turqi, si një shembull i qëndresës nën tmerrin dhe genocidin serbomadh. Një fshat që ka nxjerrë edhe burrin e shquar, luftëtarin e paepur të çështjes shqiptare, Qazim Bllaca, që për shkak të veprimtarisë patriotike, ka bërë 32 vjet burg, në Shqipëri dhe Kosovë.
C – Shkrimi i poezisë që përmblidhet në katër libra, e ku vëllimi i fundit, është caku dhe shenja se ku ka mbërrit larmia e poezisë së autorit. Poezia e tij, ka nisur me përmbledhjen Mali i Hënës, 1988, që në krye skicon tiparet e ligjërimit poetik. Pas 12 vitesh, pra një kohë e gjatë reflektimi, vjen me përmbledhjen Bregu i Brengës, në vitin 2000, që simbas mendimit kritik, shënon një nivel të ri, të shqiptimit poetik. Në vitin 2006, krijimtaria poetike, pasohet nga përmbledhja: Lisi i vetëm në Fushë, që profilizon poetikën autoriale. Në 2014, boton librin poetik Qyteti i Lutjeve, që evidenton lirikën qytetare dhe intime, që vjen me disa gjetje poetike. Kohështrirja si dhe tekstura poetike, e materies së të katër librave të autorit, ndër të tjera, ka përtheksuar, veçmas dy tipare:
Së pari: Një marrëdhënie reale me letërsinë, sidomos me poezinë, në mes pranisë dhe papranisë, heshtjes dhe zëshmimit, pa kufi distance dhe paragjykimi.
Së dyti: Një shtegtim poetik, që zbulohet përmes një shkallëzimi të rrokshëm në secilin nga librat, duke synuar artikulimin e poezisë që e ka braktisur autorin dhe vrapon drejt lexuesit, pavarësisht nivelit dhe interesit për poezinë. Prania e këtyre tipareve shqiptohet dukshëm në poezitë: kur t’më shohësh në sy, deti të rrijë në punë të vet, jam i lirë të vdes, na urdhëruan, hijet në bulevard, a do t’i shesim varret, një qiell tjetër, lehja e qenëve, një urë për te vetja, asgjë s’ka mbetë nga unë atje, ta ka pa diellin mbi krye, të ka vra bukuria jote, kur ti vdes, me trastë në sup, shpirti i zi, zogjtë e dinë, në motet që do të vijnë, nuk shiten sy askund, dorëcung, zemra e burrit është varrezë, etj. , që përbëjnë një tufë të përveçme poetike, që formëson tiparet me cilësore të shkrimit të poezisë. Pjesë e shenjave autoriale, kryesisht të vargut të lirë, të fjalës së hapur, të metaforikës tërësore, që fytyrëzon tipologjinë shkrimore të autorit, është edhe shkrimi i poemave, shkrimi i distikut, të cilat shpesh shpalosin një energji fjale të pazakontë. Në detin e vargëzimeve që ndeshim përditëzaj, në hapësirën shqiptare, është vështirë të gjesh atë që është e veçantë tek poezia që shkruhet. Megjithatë, udhëhequr nga ideja e Benedetto Kroçes, se poezia duhet kërkuar aty ku gjendet dhe aty ku fshihet, e vlen që të rrëmosh edhe në këtë situatë, jo pak të ndërlikuar të ekzistimit të poezisë shqipe. Poezia e librit të fundit të Rexhep Shahut është e veçantë, sidomos për faktin së është një poezi që shpërfill kodet se si do ta marrë shoqëria ligjëratën poetike, shpërfill në mënyrë të veçantë kodet e akademizmit, shpërfill të gjitha paragjykimet dhe thotë atë që ndien, atë që është poezi, në konceptin autorial. Te ky libër gdhendet “uni” i qytetarit zemërak, që lëshohet kundër mbrapshtive të botës, pa doreza dhe kufizime, por bashkë me të është edhe “uni” i një raporti krejt intim me jetën, me erotikën, me dashurinë. Këto janë dy prani dhe esenca unike, që shpërfaqin përmasën e shkrimit poetik të autorit. Ngjizja e tillë, e unit të dyfishtë, kuptohet se është pjesë e vetëdijes, është pjesë e udhëtimit në krahët e poezisë për të folur me poezinë dhe jo për të jetuar me poezinë, siç ngjet rëndom në hapësirën shqiptare. R. Shahu si poet, në varësi të tekstit poetik, të hapësirave të komunikimit, është nga ato raste, që nuk ka nevojë të ulërasë. Libri i tij, në një kuptim shpërthyes ndaj mbrapështive të realitetit, në vështrimin dhe shijen time, sjellë një atmosferë migjeniane, poetikën e të vërtetave që ne i prekim, por dikush nuk sheh, dikush nuk do, dikush në mënyrë të shëmtuar i mbulon ato me hipokrizi. Poeti thotë të verteta të cilat, kur shndërrohen në poezi, janë të tilla që të mrekullojnë për faktin e një poetike të vargut të lirë, të një fjalësie e cila sjell pranë lexuesit gjithë atmosferën e kohës, rrok shpirtin e qytetarit sot, shpirtin e qenies shqiptare, me gjithë ato mungesa, të dhëna me dritëhije dhe përthyerje të befta poetike. Në ligjëratën e vetë poetike, si një element vetjak që më ka bërë përshtypje, është edhe pashaportizimi tashmë i paskajores, në shkrimin poetik, që me rikthimin e vetë sendërton një hapësirë tjetër, si frymë dhe kumt i mirëfilltë letrar. Poeti flet natyrshëm dhe me art me këtë mjet stilistik-gjuhësor, që dihet se është pjesë e ligjërimit të sistemit të shqipes. Poezia nuk ka nevojë të ulërasë, poezia e ka misionin, parësisht estetik, që gjellin brenda saj. Pra, veçanësitë janë të shumta, janë të prekshme, por vetëm leximi dhe rileximi i tyre na mundëson t’i zbulojmë ato. Qysh me përshtypjen e parë, por edhe në leximin e dytë, erdhi duke u thelluar dëshira, që ky libër të shkojë te lexuesi, sepse kemi shumë poetë gjeni por që nuk kanë poezi, madje pavarësisht marrjes së jo pak çmimeve letrare. Poeti, nuk ka nevojë të jetë gjeni, sepse poeti flet me poezi. Më ndodh rrallë të ndihem mirë në poezi, të mrekullohem në poezinë shqipe të tanishme, për arsyen e thjeshtë se jo çdo ndjenjë është poezi, jo çdo ndjesi tragjike është poezi, jo çdo vargëzim, që na vjen rastësisht në majë të gjuhës, realizon detyrimisht shenjën poetike. Poezi është atëherë, kur imazhi dhe vizioni paraqitet me ligjësi estetike. Harold Bloom, në mes të tjerash, thotë se poezia është e pritur të mos merret shumë me histori por të merret më atë që quhet përthyerje shpirtërore dhe, prizmi i poetit është i tillë që po tingëlliu nuk të le rehat. Nëse nuk tingëllin, jeho sa të duash, bubullo më zhurmë etj. , tashmë se poezia ka mërguar për në brigje të tjera. Në rastin e përmbledhjes “Qyteti i Lutjeve”, më ka bërë për vete vargu i sigurtë, metafora e larmishme, plazmimi i shpirtit të kohës, përmes një uni, që është i vetëdijshëm për atë që thotë, e madje që e thotë jashtë aspiratës me rrëmby breroren. Poezia e këtij libri është një cak krejt i ri i autorit, krejt i veçantë, por në morinë e botimeve, në detin e poezisë që shkruhet, është vështirë të gjesh një libër që të ketë, sipas gjykimit tim, mbi 15 poezi që janë të nivelit antologjik. Mbretëresha e synuar nga të gjithë, siç është poezia, mbretëresha e fjalës, mbretëresha e shpirtit, mbretëresha e të sotmes, e të nesërmes, e atdheut, ku madje vetë qenia ekziston në formën e një kurore të mrekullueshme, le të synohet nga të gjithë. Gara për të mbërritë atje është krejt e hapur dhe zakonisht në cakun e fundëm mbërrijnë shumë pak. Në këtë situatë ku botohet gjithçka, pa sita përzgjedhëse, pa një lexim të vëmendshëm, shumëçka që lidhet me poezinë dhe letërsinë, në përgjithësi do të hante debat pa dyshim. Unë do të thoja që jemi një shoqëri që po shijojmë larinë, natyrisht ajo ka një kufi, kur mbaron dikur, por ne ende nuk po kapim ekuilibrin shpirtëror. Nuk është poezia ajo, që them unë, poezia është ajo që shijohet dhe misioni i poetit është të thotë fjalën e tij dhe, fjala e tij më tutje pastaj është hipotekë shpirtërore që shijohet nga të tjerët.



*******



 




Qyteti i Lutjeve i Rexhep Shahut që doli në qarkullim në mars 2014, është libri i katërt poetik i këtij poeti e gazetari dhe i nënti në radhë nga librat e tij. Libri poetik Qyteti i Lutjeve, në 176 faqet e tij ka 138 poezi, e mes tyre, dy poema, me titujt, Një mijë vjet që pres, dhe, Më ka marrë malli. Shtëpia botuese është “Adonis a.h”, shtypshkronja, Urtësia Bektashiane. Redaktor është poeti e gazetari Izet Duraku, recenzentë poetët Aqif Hysa dhe Elinda Marku. Figura në ballinë është një fragment nga memoriali i skulptorit rumun Amy Keus, kushtuar Masakrës së Nanjingut në Kinë.



Pas vëllimeve poetike Mali i Hënës, 1998, Bregu i Brengës 2000, Lis i Vetëm në Fushë, 2011, vjen vëllimi Qyteti i Lutjeve në të cilin poeti ka derdhë revoltë dhe na shfaq një poezi mjaft të angazhuar qytetare duke mundur të ngrejë në art mjaft dukuri e shqetësime të kohës që jetoj më, shqetësime që në fund të fundit janë të gjithkohëshme, janë brenga të përhershme të njeriut.


“… Dhimbje e butë njeriu, e ardhur me aristokracinë e fjalës poetike, pa bërtitje, plot elegancë. Si në të gjitha dhimbjet e pabuja të zemrës. Më dhe kënaqësi, Rexhep Shahu. E dua këtë lloj poezie, që vjen kështu si një çlirim i vetvetes”, shprehet poeti i njohur shqiptar Petrit Ruka për librin Qyteti i Lutjeve, shënim i cili gjendet në ballinën e pasme të librit.

Po në këtë ballinë është edhe shënimi i kritikut dhe poetit Vaid Hyzoti, i cili shkruan : “Rexhep Shahu ka fjalë të rëndë. Ai flet me zë të ulët edhe kur duhet ta ngresh zërin në kupë të qiellit. Fjala e tij poetike është mbrujtur me bindjen e të vërtetës, që sheh dhe përjeton thellë. Kush ka sy, do e ndjejë. Kush s’ka sy, nuk i gjen, se në Qytetin e Lutjeve sytë nuk shiten as nën dorë…”, pohon Vaid Hyzoti në shënimin e tij për librin Qyteti i Lutjeve.

Rexhep Shahu tashmë ka poezinë e tij, ka vargun e tij qartësisht të dallueshëm e të identifikueshëm shprehen poetë e studiues të ndryshëm njohës të poezisë, ka poezi me nerv,poezi intelektuale por të admirueshme nga çdo lexues poezie.



Poezia e Rexhep Shahut është e përsosur në papërsosmërinë e vet, shprehet redaktori Izet Duraku, është plot figuracion befasues, plot ide dhe revoltë e ngritur në art kundër mjerimit shpirtëror dhe kundër bjerrjes së vlerave njerzore, jashtë skemave e metrikave strikte por që krijon shtratin e vet.

Rexhep Shahu ka të botuar gjithsej 9 libra. Veç librave poetike Mali i Hënës, Bregu i Brengës, Lis i Vetëm në Fushë dhe Qyteti i Lutjeve, ai ka edhe 5 libra publicistikë, si, Misioni për Paqen, Bllaca monografi, Marsi i Minave, kushtuar Kosovës, krizës dhe luftës për Kosovën, Apologji për Udhën e Kombit me polemika me ata që kundërshtonin e pengonin ndërtimin e udhës së bashkimit kombëtar, dhe librin më të fundit të botuar po në mars 2014, Bukën Tonë të Përditshmë, me analiza, veshtrime e polemika rreth zhvillimeve në bujqësinë shqiptare në dekadën e fundit.

Kur lexon librin poetik Qyteti i Lutjeve lexuesi e sheh në fund të fundit se si lutet një qytet e çdo qytet për veten e tij, e sheh se si lutet qyteti të jetojë, shpëtojë, mbijetojë, se si lutet qyteti të jetë qytet, ku banori i këtij qyteti të mos kërkojë të blejë sy nën dorë për të parë, të mos mund të artikulojë dëshprim të thellë e të thotë, “tashmë jam i lirë të vdes…”.



  Biografia letrare e Rexhep Shahut :

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.




Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas deri para disa muajve ishte  drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri. 

Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë.

Rexhep Shahu ka botuar nëntë libra :
 “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988;
 “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000;
 “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës;
 “Bllaca” monografi;
 “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006;
 “Lis i Vetëm në Fushë, Tiranë 2011;
 “Apologji për Udhën e Kombit”, Tiranë 2012;
 “Bukën Tonë të Përditshme”, Tiranë 2014 
 “Qyteti i Lutjeve”, Tiranë 2014.

Etj.



SI KUAJ TË ZI NISUR PËR LUFTË

Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s'dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.

Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.

Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.


TI JE PREJ UJI

Ti je prej uji se nuk të mbaj në duar
Më derdhesh në poret e lëkurës e sërish dua
Të derdhesh sërish e sërish.
Të pi si tokë e kallur nga etja,
ngopem një çast,
Mbush të çarat e thara të shpirtit
Dhe pas pak, prapë dua se prapë digjem,
E prapë pi e s’ngopem me ty.

Ti je prej ajri… Më përkëdhel edhe kur s’të shoh,
Kur kam ftohtë më ngroh,
Më mbush mushkëritë sa herë kam nevojë,
Më ledhaton flokët me dorë të padukshme,
Më ter djersët se mos ftohem,
Më flladit shpirtin kur më kallet zjarrmisë.

Duket se je prej drite, je drita vetë
Je dielli, hëna, ylli
Që hyn në sytë e mi e u jep dritë
Gjithë gjërave dhe botës që më rrethon
Gjithë gjërave dhe botës që kam në veten time,
Udhëve nga shkoj, të mos thej qafën në honet e hiçit
Tek ec mbi tokë, nëpër ëndërr a kur shtroj retë nën këmbë
Edhe hijes e natës time i jep dritë, ta shoh vetë e ta shohësh ti
Skutave ku ikën të natojë që të mos shihet,
Udhëve nga ecën që të mos e shkelin.

Duket je prej ëndrre, prej ëndrre je
Se vjen pa u ndjerë e më derdhësh kur dua,
Pa të parë edhe pse të thërras
Më hyn mes krahëve të hapur që të presin,
Mbështetesh në gjoksin tim që digjet, më puth lehtë
Më mbështjell për beli se e din që dua,
Më gudulis dhe hidhem përpjetë.

Po, po, prej ëndrre je, prej ëndrre
Se ta ndjej frymën që ma lëshon në fytyrë edhe pse je larg
Ta ndjej aromën e trupit mbi gjithë aromat e luleve,
Të ndjej ngjeshë për trupi kurdo,
Kudo ndjehem i mbështjellë me ty,
Si i zhytur në diell, det a Dri,
Më bëhet se ec dhe jetoj jetën brenda syrit tënd
Ndjej çdo çast trokun e hapit tënd në ritmin tim të nxituar
Në udhët e jetës që m’i ke paqtuar
Në tokën ku mbij e në qiellin ku hedh shtat
Ndjej lëngun e buzëve që s’di të teret në mua…


* * *

Ranë gjethet,
ulërimat e tyre ngjethëse
i pashë e dëgjova
ditë e natë në mua.

MË HUMBI VETJA

Më humbi vetja, dheu i zi e përpiu
det’ i pangimë, ëndrra të pangime
në hijen time vetja u mbyt.
S’lashë vend që e rreh dielli pa e lypë
as hije e skuta të errëta të botës e të vetes
pa hy s’lashë...
I kreha retë me gishta edhe ëndrrat po e po
yll pa pyetur s’lashë në qiejt e pafund,
s’lashë dyshim timin pa e pyetur për veten time
thërras sot pa zë me piskamë në breg të detit
thërras kot veten, brenda vetes thërras,
cfarë humbtë mos u gjettë kurrë, mërmërin deti a
thërret dikush zëngjirur brenda meje,
e unë s’e shoh kush thërret,
deti u step më keq se unë i shtangtë
prej dhimbjes sime, turfulloi si kalë i zi plot plagë
me kalorësin të vrarë mbi shpinë
u ndal, më pa e më tha,
meqë e dashke kaq shumë veten,
lype lype se një ditë do ta gjesh
të ngrime bri ndonjë ferre…


* * *

Mbeta me drapër në dorë…
Bari i shpresës mbin
Edhe në majë të shkëmbit.

PA KRYE

Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm
Që rreket të kalbë fajet e tij
Por faji në varr është si në serë
Veç rritet e rritet në shëmti.

Gjithkush në vetvete është i varur
Nga pak në çengelin e fajit të vet
Askush me vetveten s’është në paqe të plotë
Askund, në asnjë botë s’je n’harmoni t’vërtetë.

Askush s’qëndron dot kollaj para vetes
E sidomos para vetes në gjumë
Është njësoj si ta lash të vërtetën
Në të vjellat e botës që rrjedhin si lumë.

1998


* * *

Ti do të ikësh drejt pranverës,
Dimrin do ta lësh tek unë,
Por ngricat brenda syve tu do mbeten
Si copat e akullit në lumë…


JEMI TË GJITHË VETËM

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Dhe kemi nevojë për dikë tjetër
Kush ndryshe bën e thotë
Gënjen të gjallë e të vdekur.

Shpesh vetmia na bëhet parajsë
Udhëkryqet kanë marramendje
Kërkojmë një palë sy, një sup, një krah
S’i gjejmë e drejtë vetmisë rendim me ëndje.

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Drurë prej rrufeje shitur,
Pas syve që s’i gjejmë dot më,
Rendim mashtruar…

2000


RRËNJË E PADUKSHME

Ëndërr që jeton kur nata është tretë
Diell që përvëlon kur vera ka ikë
Rrënjë të padukshme që s'më shkulen kurrë
Dorë që m'i mbyll qëpallat kur të kam pranë
Dhe më zgjon sa herë që s'je
Era dhe ajri që më duhet të thith
Pamja që më duhet për sytë
Lulja dhe kopshti që s'janë më
Ku rri e kundroj ikjen e mosardhjen tënde
Gjurmët që le në tokë, në ajër, në lëkurën time
Ku rri e kundroj ditën pa ty
Ditën pa sy...


QIELLI DIMËROR

Qielli dimëror lotonte në Paris
Grija bëhej më gri
Mijëra njerëz në Shën Elize
S’më hynin në sy.

Ecja mes tyre i pavënë re
Njerzia në punë të vet
Në dhjetra fytyra më bëhet se je
Mashtrim i shkretë.

Këtu gjithçka është gri
Dhe ëndrra më bëhet e hirtë
Ti atje buzë detit të largët
Sheh rërën që lahet.

Buzë Senës java pa ty
Ish e gjatë, ish një jetë
Dhe ky qytet ëndërr
Pa ty ish i shkretë.

Këtu qielli loton shi
Ti lahesh me diell në ato anë
Nata parisiene më përpin
Në tingujt e bardhë.


* * *

Larg më je sot, kaq larg
Të shoh me sytë e mendjes,
Buzët e puthjes s’të mbërrijnë
Veç krahët e zemrës.


NA LINI

Na lini të jemi të pa emra sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo, unë jam Adami
Dashnorët e parë në botë.

Na lini të jemi veç dy njerëz sonte
Të digjemi e të bëhëmi hi,
Mos na spërkatni me pështymë tek flisni
Mos villni nga sytë padi.

Na lini të jemi pa identitet sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo ,unë jam Adami
Dashnorët e fundit në botë.

2000


TRISHTIMI YT

Kulm mbi Dri,
trishtimi i syve tu…

A nuk mjafton mungesa e cicërimave të zogjve
mungesa dhe heshtja e tyre
(ç’tu ketë ndodhur vallë?…)

A nuk mjaftojnë këto drurë pa gjethe e sytha, të fjetur, të trembur
a nuk mjafton plogështia e udhës, supet e kërrusura të njerzve
buzët e vyshkura nga mosputhja të grave e vajzave që më kalojnë pranë,
çapet e zvarrë të njerzve që bëjnë sikur ecin, sikur flasin e sikur qeshin
por që në fakt edhe sot ecin bythëmbrapsht.
(Ka kohë që njerzit ecin me shpinë para e kokë pas,
duke parë me mall të shkuarën e tyre që i poshtëroi,
gjithmonë duke pyetur nga vijmë e kurrë jo, ku shkojmë…)

A nuk mjafton grija e errtë e qiellit të sotëm
që bëj be se nuk ka parë e mbajtë kurrë diell në gji
kurrë hënë në sy, yje përmbi…

Sot, ah të paktën sot, nuk e doja trishtimin në sytë e tu
se zërat që dëgjoj ngado më ngjajnë me mjaullima macesh të pafuqi
sytë e gjithkujt që takoj më duken galeri boshe…

Kurvat që më kalojnë pranë, (disa që i njoh dhe ua di hamshorët)
më thonë se janë perëndesha të gjithpushtetshme,
mbretëresha të virtytit dhe nderit…

Më beso, të gjithë u tremben kurvave sot
edhe ato që kanë shkuar me to
edhe ato që s’kanë shkuar por kanë ëndërruar.

Kurvat të groposin dhe të marrin copën e bukës së fëmijëve
ta plasin publikisht se i ke palluar…

Sot, jo, të lutem, mos loto trishtim
edhe pse më sheh mes burrave kurva
me ligësinë e tyre pa kufi,
po ti mos loto, se unë do të hesht si shkëmb përballë detit
se ndryshe burrat kurva të bëjnë horë
e të marrin erzin…

Sot, në këtë ditë shterpë, në udhën e shkretë plot njerëz
trishtimin e syve tu nuk e mbaj mbi supe,
pasi më shemb përdhe fytyra e ditës
si e vajzës së pafaj kafshuar e nxirë prej maniakut seksual…

Shësht… dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave
derdhet kërcënuese nga kulla në kullë
nga zyra në zyrë, nga selia në seli
merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes…

NËSE MË DO

Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën…

1998


TRE ZOGJ…

Rrufeja ra
Lisin shkrumb e dogj
Edhe po të mbijë ndonjë filiz prej rrënjëve
S’bëhet lis për zogj.

Tre zogj mbeten pa fole
Të vetmuar cicërojnë në shkurrë…
A do t’i gjejë e ëma kur të kthehet
A do të mundet t’i ushqejë ?…

Tre zogj të vetmuar, pa fole
Qajnë në një shkurrë,
Rrufeja ra
E lisi shkrumb u dogj…

2000


* * *

Jemi bërë si gurë
të brejtur,
ngulur rastësisht mbi tokë,
pa mundur t’i gjendemi njëri – tjetrit…



NË UDHË T’PA EMËR ME M’PRITË

Në udhë t’pa emër me m’pritë
në ditë të vdekura veshur me qefin,
në netë të shkreta veshur me vetmi,
në ardhsha me diellin ndonjë ditë,
me ndonjë yll të këputur ndonjë natë,
me pikat e trishta të ndonjë shiu të ngratë,
me hedhurinat që shtjell erë e forte…


ME M’I KPUTË KRAHËT

Me m’i kputë krahët, duart me m’i kputë
e di se kanë me më dalë prapë
se nuk mundem mos me i përkëdhelë
e shtërngue e me i mbushë duart plot me gjinjtë e tu
nuk mundem mos me të kapë e shtërngue gjithkund
në trupin tënd, me ta dëgjue zërin tek bërtet
auuaaa… më vrave, më sakatove, më nxive…
nuk mundem mos me të kapë për beli a për barku
tek më rrëshqet si ngjalë nën krahë e lumë nën urë
nuk mundem të mos ndjej dridhjen e dehjen e trupit tënd
e djersën e lehtë të lodhjes së ëmbël që të bulëzon mbi lëkurë…

Me mi nxjerrë sytë e ballit, me mi qorrue krejt
e di se prapë kanë me më ardhë sytë
se nuk mundem mos me të pa ty
e sytë e tu përmes të cilëve shoh botën…
nuk mundem pa e pa qetësinë hyjnore të syve të tu të qielltë,
s’mundem pa i pi ato dy pika loti që bulëzojnë në ato sy
teksa unë i thith e i pi që të mos rrjedhin faqeve tua,
tek perëndojnë e tulatën e derdhin një dritë qiellore në mua
teksa më thua fjalën tënde të zakonshme, ah i lig, i lig…

Me ma këput kryet në qafë si të pulës
e di se më ngjitet prapë, më del një krye tjetër
se s’mundem me ndenjt pa e vu kryet në gjoksin tënd
mes gjinjve të tu, s’mundem kurrë mos me e futë kokën
mes gjinjve të tu e me heshtë, me heshtë, me heshtë
s’mundem mos me e mbulue kryet me flokët e tu
e me u bë nervoz në çast tek më derdh flokët në fytyrë…

Me më mbytë krejt, me më blue gur për guri a me më djegë
e di se prej hiri kam me u ngritë kështu si jam
njeri që ha përditë fatin e vetën time me dhëmbë
që humbas pa mëshirë si në kumar orët, ditët, kohën time
që i ha e nuk i sos dot as në ëndërr thonjtë e mi
që të puth e të puth e nuk ngopem kurrë me buzët e tua që më çmendin
që qaj, qesh, flas e hesht, ulërij e vdes në të njejtën kohë
që e vras ditën me plumb në ballë dhe ashtu të vdekur e mbaj në krahë
udhës së yjeve me vaj e kujë ditë e natë
e gris, e çjerr përnatë natën e përdalë
ia shpërthej barkun e zi me thonjtë e mi të pistë
në prushin e yjeve ia pjek zorrë e mushkëri

Kam me u ngritë prej hirit të yjeve të djegur e kam me u ba
kështu, si më ke dashtë gjithmonë
ti, që për fatin tim të bardhë, nuk ke kërkue në mua dikënd tjetër...
ti, që më ke dhënë nga vetja jote plot sharm gjithë gruan e botës
dhe pafundësitë e saj…
prej hiri pra kam me u ngritë
e kam me ardhë, i gjallë…


* * *

Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë
Dhe zëri im s’bën më për fjalë…

1998

TASH SA KOHË
Tash sa kohë shoh veten e varme në lis
Mu në mes të fushës
Me litar në qafë, natë e ditë.
Dimër verë njerzit pështyjnë,
Bëjnë shurrën në trung dhe rrënjë.
Lëvores, miza pafund, rrallë ndonjë korb a zog i pafaj
Merr vdekjen e vet në sqep.

S’ka mbetur gjë tjetër në mua,
As vdekje s’ka mjaft për gjithë zogjtë…


NË ËNDRRAT E MIA

Në ëndrrat e mia
Kam vdekë e
Jam varrosë qindra here,
Në tokën e mbretërisë së ëndrrave
Jam lindë,
Përmendore mjegulle jam bërë,
Nëpër varret e ëndrrave kam hyrë e dalë
Me ty në krahë,
Pa ty në krahë,
Me veten për dore
Drejt asgjësë.

LIS I VETËM NË FUSHË

Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithsinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur...

E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je...


PIKTURË E VARUR NË MUR

(cikel poetik nga libri i Rexhep Shahut, Qyteti i Lutjeve)

Bulevardi i mbretit

Në qytetin tim jam sa hala e një pishe
Në bulevardin e madh që ndërtoi mbreti
Në kundërshtim me ata që s’e donin të madh
Bulevardin e të nesërmës së tyre të vogël.

Në qytetin tim, jam sa jehona e emrit tim të parë
Që me dhunë e për interes të parët ma ndërruan
Që unë të mbetëm me kokën pas nga emri im i parë
Dhe të mos shoh ku vë këmbën në udhën e të nesërmës.

Në qytetin tim piskama e minareve dhe meloditë e
këmbanave
Nuk më thonë asgjë, s’janë meloditë e shpirtit tim,
Nuk janë thirrjet e zemrës së tokës time, të malit tim
Të cilëve nëna ime u falet dhe u bën kurban.

Në qytetin tim gjurmët nuk shkruhen thellë në tokë
Që të mos i fshijë mbivendosja e gjurmëve të reja.
Në qytetin tim fshihet përditë dërrasa e zezë
Dhe shkrimi tretet ajrit në thërmija të pambledhshme.

Në qytetin tim gomari vihet para kalit dhe tërheq karrocën
Liliputët bëjnë hatanë urrejnë Guliverin
Sakatët rendin me vrap të jenë kudo të parët
Dhe urrejnë të shëndoshët pse nuk janë sakatë.

Në qytetin tim qiellin e bëjnë dysheme, e shtrojnë në rrugë,
Shkelin nëpër të. Toka dysheme përdoret si tavan a qiell.


Nga të shkoj


Ty po të pyes, nga të shkoj
Në këtë kryqëzim të frikshëm, më thuaj, nga të shkoj.

Dita kullon gjak para syve të mi
Në udhë matrapazët *
Tërheqin për flokësh nënat e tyre,
I zhveshin lakuriq, i ngrehin zvarrë në sheshe.

Nata e zezë vret pas shpinës time nga ana tjetër.

Në të djathtë duhet të shkel mbi veten time që jep shpirt,
Në të majtën time pushkatohen ëndrra dhe gra.
Ty askund nuk të shoh!

Më thuaj nga të shkoj në këtë kryqëzim të frikshëm,

Ose merre atë kryq udhësh e ma vë në gjoks,
Ta shohin ata që do të vijnë nesër
Dhe të dinë nga të shkojnë.


*Fjala “matrapaz”, sipas Eqerem Çabejt, vjen nga fjala perse mader bazë, që do të thotë, ai që shet nënën.


Parada e kufomave

Në paradën e sivjetme shkëlqeu parakalimi i kufomave
Lakuriqe, sup më sup, miq, armiq, kurva, vrasës e të vrarë
Pranga mbërthyer, kyçe prangash në duar
Brinjë e kafkëthyer, me dhëmbë e pa dhëmbë floriri.
Faraoni i vdekur me Zonjën në këmbë i prin solemnitetit
Mizëri eshtrash, përplasje putrash në bulevard.

Byroja politike gjithë shend pret urdhërin
E Faraonit që t’i vrasë prapë. Zonja e Zezë
Ruan harmoninë e të rivrarëve që duhet të jenë bashkë.
Kur Kuadrati më i rëndë i skeleteve i afrohet tribunës
Dridhet Faraoni, Arma e pafjetur e Dhunës së Shtetit
Flakëron kundër të gjithëve dhe vetvetes.


Vetja ime e çmendur më thotë

Vetja ime e çmendur më thotë
Mos më ndiq kot, lermë të shijoj lirinë e munguar,
Më ke ndrydhur një jetë. Lermë se
Do të bëj të gjitha gjërat që ke dashur t’i bësh ti e s’i ke bërë
Do t’i këpus prangat e moralit falls që të ka mbajtë lidhur,
Do të mësoj të qeshësh pa frikë, të fërshëllesh sa do,
Ta derdhësh të qeshurën tënde hokatare në bulevard,
Ta thuash gjithmonë të vërtetën, le të dalë ujë nga ajo,
Të mos mbetesh si gjarpëri nën gur,
Të mos gënjesh as para vdekjes, të vdesësh i bukur,
Të mos mbetesh rob i askujt, as i shëmtive tua,
T’i thuash mosmirënjohjes, mos t’i pafsha sytë,
Ik prej botës time, kolerë e njerzimit. Me emrat që kanë
T’i thërrasësh gjithë të kallaisurit, hajdut e kopukë gërdhu,
Të skuqen para teje. As Presidenti s’vjen nga planeti Mars,
Që të rëndojë mbi shpatullat e tua, deputeti, ministri
Nuk janë me frymë hyjnore,
Kujtova preshin sa herë të mos u kujtohet!
Vetja ime e çmendur më thotë
Bota s’është e ikanakëve, por e qëndrestarëve që s’pajtohen
Me dhunën, që duan pa frikë, çelin lule edhe mes acarit,
Preja hundët krekosjes së sigurimsave që kullosin
Tufën e bashkëpunëtorëve të tyre të vobektë,
Për të ruajtë frikën dhe dy breza njerzorë pas vetes,
Frikën dhe gjithë pasuritë e vendit
Që i vodhën kur u shemb diktatura.
Lëri lakuriq snobët që turpërohen për nënën e tyre,
Që e çojnë të vdesë në azile,
Që duan më shumë qentë se jetimët,
Hidhe në erë kujtimin e Faraonit dhe të piramidës së tij
Mes qytetit, të kullojë e liga dhe të shuhet shpresa spiune
Për varrin në themele.
Detyroi mediat të mos përqyrren nga kurvëritë e Byrosë Politike,
Por të vajtojnë qëndresën e burgosur që lëpinte
Kockat që hidhnin xhelatët në kanalin e ujrave të zeza,
Që hante morrat e vet të mos vdiste!
Nxirri në shesh me dhunë Përdhunuesit,
Të nderojnë monumentin e At Zef Pëllumbit,
Të gjithë hajnat- minj zyrash suvatoi me mut,
Bëji përmendore muti mu në mes të sheshit,
Deri sa të binden të gjithë se nuk është i pazoti
Ai që punon ndershëm në zyrat e shtetit.


Trishtimi yt

Kulm mbi Dri trishtimi i syve tu.

A nuk mjafton mungesa e cicërimave të zogjve
Mungesa dhe heshtja e tyre
(ç’tu ketë ndodhur vallë?)

A nuk mjaftojnë këto drurë pa gjethe e sytha,
Të fjetur, të trembur
A nuk mjafton plogështia e udhës, supet e kërrusura,
Buzët e vyshkura nga mosputhja të grave e vajzave
Që më kalojnë pranë,
Çapet e zvarrë të njerzve që bëjnë sikur ecin,
Sikur flasin e sikur qeshin,
Por që në fakt edhe sot ecin bythëmbrapsht.
(Ka kohë që njerzit ecin me shpinë para e kokë pas,
Duke parë me mall të shkuarën e tyre që i poshtëroi,
Gjithmonë duke pyetur nga vijmë e kurrë jo, ku shkojmë).

A nuk mjafton grija e errtë e qiellit të sotëm
Që bëj be se nuk ka parë e mbajtë kurrë diell në gji
Kurrë hënë në sy, yje përmbi.

Sot, ah të paktën sot, nuk e doja trishtimin në sytë e tu
Se zërat që dëgjoj ngado më ngjajnë
Me mjaullima macesh të pafuqi
Sytë e gjithkujt që takoj më duken galeri boshe.

Kurvat që më kalojnë pranë,
(disa që i njoh dhe ua di hamshorët)
Më thonë se janë perëndesha të gjithpushtetshme,
Mbretëresha të virtytit dhe nderit.

Më beso, të gjithë u tremben kurvave sot
Edhe ato që kanë shkuar me to
Edhe ato që s’kanë shkuar por kanë ëndërruar.

Kurvat të groposin dhe të marrin copën e bukës së fëmijëve
Ta plasin publikisht se i ke palluar.

Sot, jo, të lutem, mos loto trishtim
Edhe pse më sheh mes burrave kurva
Me ligësinë e tyre pa kufi,
Po ti mos loto, se unë do të hesht si shkëmb përballë detit
Se ndryshe burrat kurva të bëjnë horë
E të marrin erzin.

Sot, në këtë ditë shterpë, në udhën e shkretë plot njerëz
Trishtimin e syve tu nuk e mbaj mbi supe,
Pasi më shemb përdhe fytyra e ditës
Si e vajzës së pafaj kafshuar e nxirë prej maniakut seksual.

Shësht… dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave
Derdhet kërcënuese nga kulla në kullë
Nga zyra në zyrë, nga selia në seli
Merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes.


Çfarë të bëj me veten

Çfarë mund të bëj me veten, hijen time shtrirë në tokë,
Që duket e s’duket, por e shkelin të gjithë
Me këpucët ku është ngjitë muti.
Çfarë mund të bëj tani kur gjethet bien
Jo nga vjeshta a dimri,
Por nga dhimbja që ther në palcë të trungut
Dhe i flak era si shpirtra të vdekur.
Çfarë të bëj me buzët e mia që nuk qeshin,
Me sytë e mi që nuk shohin asgjë.
Hëna rri e fikur si në faj, dielli fshihet qiejve si tradhëtar.

Çfarë të bëj unë me shpresën e plagosur,
Që e mbaj në shpinë,
Ku ta lëshoj për pak t’ia pastroj fytyrën buzë burimit,
T’ia heq baltën fytyrës kur e kanë zhgërryer,
T’ia mëkoj plagët kur e kanë kafshuar,
Kur e kanë puthë kafshërisht dhe përdhunuar.

Çfarë të bëj unë me kujtimin tënd,
mungesën që më ther në palcë,
Tokën e shkretë ku krojet pa ujë tmerrojnë,
Ku s’mbin fije bari e s’ka shenjë jete,
Ku s’këndon qyqe, as gjinkallë.

Çfarë të bëj këtu vetëm me vdekjen në mes të fushës,
Të luftosh në luftë, e kotë thotë ajo
Njëlloj të jetosh si mes të gjallëve, mes të vdekurve.
Çfarë të bëj, më thuaj!
Teksa gjethet bien dhe i flak dhunshëm era e çmendur,
Dashuritë vriten nga frika e humbjes,
S’ka varrezë dashurie në këtë qytet.
Vrasja duartrokitet në tribuna, salla e sheshe
Kalërojnë kuajt e inatit dhe urrejtjes,
Tërheqin zvarrë kufomat e ëndrrave të mia të bukura,
Kufomën ende me shpirt të shpresave të përdhunuara
Nën ritmin e ulërimave që çmendin zhgënjimin tim
Tek shoh si vrasin njëri – tjetrin ata që fitojnë humbjet
Dhe kalërojnë kuajt e urrejtjes drejt humnerave të harrimit
Duke sharë me loçkë të shpirtit diellin.

Ti ishe det e unë gjithmonë i mbytur në ty
Në këtë qytet kaosi, që thith ajër urrejtje
Dhe gjithmonë më përzë
Me bandat e tij të hajnave, kurvave dhe maderbazëve
Mua endacakun e përjetshëm,
Që s’di nga të shkoj e ku të thej qafën.


A do t’i shesim varret

Kur të mos kemi ç’të shesim më nga stolitë tona,
Kur edhe trupat tanë në treg mos kenë më vlerë,
As trupat e vajzave tona yje, as grave tona diej,
As burrave tanë që përmirësojnë racat e tjera,
Do të shesim varret tona.

Kur prapë të mos kemi ç’të shesim më,
Shesim të gjitha përmendoret e ngritura
E të pangritura ende,
Permendoret e turpit dhe të lavdisë,
Përmendoret e tradhëtarëve dhe të heronjve
Që ende s’e dimë cili është hero e cili tradhëtar,
Shesim përmendoret e diktatorëve,
Dhe të atyre që ju vjen turp të jenë patriot,
Të atyre që bëhen altoporlantë të armiqve tanë
Përmendoret e frikës sonë madhështore në shëmti
Të ankthit tonë, të hijeve tona,
Përmendoret e spiunëve, ngjizës të frikës,
Të atyre që as me vdekjen e tyre nuk i shërbejnë atdheut,
Përmendoret e ikjeve, tkurrjeve, mundjeve tona,
Të kurvave që shpallen mis ndershmëria,
Të burrave kurva, mosmirënjohësve, sërvilëve, besëprerëve,
Përmendoret e atyre që shplojnë varret
Përmendoret e njeriut të ri duke ngrënë bar.

Do t’i shesim të gjitha këngët, gojëdhënat, legjendat sublime,
Trutë tona do t’i shesim taze për meze qensh,
Kafkat tona për kupa supe.
Sa shijon supa në kupa kafke!

Nëse prapë s’kemi ç’të shesim më
Do të shesim gjithë eshtrat e varreve tona
Eshtra pa fund, male me eshtra,
Miniera më e madhe në vend, ku bashkë me të huajt
Prehen vendasit, bashkë me heronjtë gjenden
Tradhëtarët, viktima e xhelatë duarpërgjakur,
Pranë pafajsisë së ndrojtur, zgërdhihen mëkatarët.


Vetëm halat i kanë mbetë atdheut tim
(E. Hemingueit)

Unë jam Entony Quin i pamposhtur,
Dashnor i çmendur i jetës,
Jam Heminguei i dëshpëruar, midis zotave, zot i njerëzve
Që shkruan me rrufe historinë e botës.

Atdheu im është peshku që ma shqyen peshkaqentë,
Të pangopur me mishin e bardhë të atdheut,
Të pangopur me gjakun e tij që skuq detin
Madërbazët në tokë, peshkaqenët në det
E pinë gjakun e tij për venë.

Vetëm halat i kanë mbetë atdheut!
Luftoj me dëshpërimin tim ta nxjerr
Të pacoptuar në breg të lirisë, po mishi shkoi
Dallgëve të luftës, pjesë-pjesë, madërbazët në breg
Me hala kruajnë dhëmbët e ndryshkur.


Pikturë e varur në mur

Shpesh më duket vetja qese e harruar mbeturinash
Të hedhura jashtë kazanit
Që nuk i merr as makina e plehrave
Dhe neverit njerzit që e shohin.

Shpesh ndjehem pikturë e pakuptimtë varur në mur galerie,
Përgojuar nga sy që bëjnë sikur dinë të më kuptojnë
A lexojnë nga gojë mashtruese
Që u shpjegojnë të dashurave përmbajtjen time,
Për t’u dukë të dijshëm e me kulturë gënjejnë të dashurat,
Gënjejnë e mashtrojnë fëmijët e tyre duke u shitë siç s’janë,
Ndërkohë që s’më kuptojnë dhe as sytë s’duan të mi hedhin,
Se në mua të varur në mur
Lexojnë si në pasqyrë shtirjen e tyre.

Shpesh më duket vetja qen i fyer
Që burra snobë më shëtisin me frikë

Udhëve të qytetit se mos ua kujton ndonjë i njohur i fshatit
Se ishin çobanë dhensh në fshat para pak vitesh,
Që të mos u thotë ndokush në bulevard ke të fala nga fshati,
Që të mos i thotë ndokush ç’e ke këtë zagar,
Kur ke në fshat alamet qen stani që e ke lënë zgjidhë,
Që të mos fërshëllejë ndokush në bulevard
Dhe trembet fshatari,
Se mos qeni i tij i stanit fluturon për tek i zoti për t’i dalë zot.

Qen i fyer ndihem, se s’më lënë të jem qen
Gratë e vajzat snobe të dëshpëruara
Që s’bëhen dot shpejt elitë e qytetit,
Që vuajnë më shumë mungesën e vëmendjes
Se sa të dashurisë,
Edhe pse kanë pafund pasuri të dyshimta, por jo dashuri,
Më mbajnë në krahë, më lidhin zinxhirë të shtrenjtë në qafë,
Më puthin e përkëdhelin në rrugë, në kafene,
Bëjnë ndonjëherë edhe seks me mua në divan,
Ndërkohë që gjithë kohës më përkëdhelin bolet
Dhe më kushtojnë mua më shumë dashuri se fëmijëve
A prindërve të tyre që jetojnë braktisjen dhe harrimin.


Atentat ndaj atdheut

Zoti President,
Poeti Qabban kish frikë nga qentë e Sulltanit
Që ia shqyenin rrobat,
Nga inkuizitorët që i silleshin rreth bythës
Dhe i shkroi Madhërisë për frikën e tij.

Unë, edhe pse s’jam arabi Qabban
Po guxoj të të shkruaj ty
Në pamundësi t’i shkruaj Zotit
Pasi e kam shfronësuar atë
Dhe e derdha tek çdo njeri.
Atributet për të bërë drejtësi ua dhashë njerzve
Gjykatës që cakton ti zoti President.

Na ndihmo të ketë fuqi gjykata, o Njeri,
Të zbatohet vendimi i gjykatës
Para se të ikin të gjithë
Dhe ta lënë atdheun si kullosë dhensh!


Vajtim për ish – burgosurit politik

Si korba sqepuam përditë,
Ua sosëm zemra e mushkëri.

Tash po ua thithim palcën e kockave
E shojet e këpucëve të burgut,
Gjë tjetër s’u ka mbetë.


Parada e fëmijëve të palindur

Armata e fëmijëve të vrarë, të paemër
Vjen nga kazanët e plehërave, nga gjirizet, kanalet e zeza.

Njerzit e ndershëm të qytetit të hijeve
Vetshpallen të virgjër.

Ditënatë tymojnë klinikat e vdekjes, shtohen
Parukeritë ku shëmtohet bukuria, pafajësia
Qep vaginën, lind krimi i moralshëm, helm trëndafili,
Përgjithmonë paguan jeta kamatën e shtirjes.

Qyteti fëmijëvrasës hesht. Dridhet. Nuk merr frymë
Nën plehra, mizëri pastruesish
Nuk e lajnë dot ndotjen e Shpirtit.

Mbretërisë së plastikës të palindurit kërkojnë më kot
Rob e zot me kohë kanë vdekur.


*****


Një mijë vjet që pres

(poemë)

Që kur ike ti
Qyteti në mbrëmje është i shkretë
Si në karantinë kolere.

***
Nga dritarja e botës në majë të Pikllimës
Shoh mos po vjen.

Ka një mijë vjet që pres në dritare.

Sa herë vishen xhamet e kohës me avull
Me gishtat e sosur vizatoj portretin tend.

***
Retë që kanë marrë flakë atje në muzg
Ku po mbytet dielli
Janë flokët e tu.

***
Ai yll që po vjen fluturim drejt dritares time
Ta ka marrë ty dritën e syve për me pa udhën,
Me ardhë tek unë
Në këtë natë të zezë ku ëndërrat po çmenden.

Mos i çel sytë pa mbërri ai yll, mos,
Se ndryshe ylli ka me mbetë në terr,
Ka me ra në hon me gjithë dritë
E s’gjendet më i gjallë.

Mos i çel sytë pa ndjerë puthjen e tyre
Nga buzët e mia,
Se mbetesh pa dritën e syve
E s’ka kush mi bën dritë udhës
Time nëpër natë
Me mbërri tek ti.

***
E dëgjoj trishtimin e hapave tu
Kur kalon rrugës
Si vajtim i vjetër i zemrës së tokës,
E shoh qiellin e vrantë të ëndrrave tua
Dhe buzëqeshjen tënde që pi lotë.

E kuptoj çfarë thonë gjethet e rëna,
Që lëvizin me nderim për ty
Me të përshëndetë
Kur u kalon pranë.

***
Kam harruar si qan shiu në xhama,
Kam kohë që nuk di të lexoj
Çfarë shkruajnë a vizatojnë për fatin tim,
Pikat e tij tek rrjedhin me shqetësim
Dhe ngulmojnë të më thonë diçka për veten time të humbur.

Kam kohë që nuk ndalem pranë gjethes që loton,
As pranë gjethes së rënë e të shkelur që vajton fatin e saj
Dhe i fshihet erës të mos e trazojë,
Siç i fshihem unë vetes sime se nuk guxoj ta shoh në sy.

Kam harruar t’i gëzohem vallëzimit të shiut në liqen,
Kam harruar të vallëzoj nën ritmin e tij,
Kam harruar ta takoj veten time edhe pse kam shumë nevojë
Për të, qoftë edhe të vallëzoj një tango të sertë me veten.

Kam kohë pa trazuar muzgun e flokëve të tu,
Pa përkëdhelë gjinjtë e tu që fryhen kur i puth e shtërngoj,
Kam kohë pa provuar drithërimën e trupit tënd si gjeth
Në ujë, kur të puth dhe loz me gjuhë në qafën tënde.

Kam kohë pa qarë për një zog këmbëthyer,
Pa e ndihmuar për ta shëruar,
Kam harruar aromën e puthjes së tyre,
Të merrem me vetën time kam harruar.

***
Zbrit nga maja e dhimbjes së botës,
Kam hapë krahët e të pres me mall,
Zbrit e më ndihmo ta gjej veten time
Ta shoh veten, nëse është gjallë.

***
Ti je kaq e bukur
Ndërtuar me pasionet, përfytyrimet e mia të çmendura.
Në dejet e tua rrjedh gjaku i ëndrrave të mia,
Në sytë e tu, në të gjithën ty, është shpirti im i trazuar
Që ta dhashë ty, të jetoj unë.

Ti je kaq e bukur
Ndërtuar me të qeshurën dhe harenë time,
Me vrazhdësinë time lënduese dhe heshtjen,
Me nxitimin dhe ngutjen time të qortueshme,
Me padurimin tim me të pa çdo çast,
Me vuajtjen time të rëndë,
Pse çastet e mungesës tënde janë të gjata.

Ti je kaq e bukur,
Sa është shpresa e botës,
Sa shpresa e të verbërit për sy,
Sa shpresa e jetimit se do të takojë prindërit,
Sa shpresa e fëmijës se s’do t’i ndahen prindërit,
Sa shpresa e zogjve për t’ia dalë mbi det.

Je kaq e bukur,
Sa nuk e thotë fjala e gjuhës së njeriut,
Më e bukur se malli i fortë i nënës për djalin në luftë,
Më e fortë se malli i buzës për puthje,
Se malli i gruas për tu përqafuar e mbështetë në gji,
Se malli i gjethit për shi a tokës për ujë,
Se malli që tregon loti kur rrëshqet në sy.

Ti je kaq e bukur, o zot kaq e bukur,
Më e bukur se pritja,
Më e bukur se ardhja,
Je kaq e bukur sa të shiton me të pa.

***
Lejoje diellin zemër të derdhet në ty,
Të shihet në ty, të mburret me ty.
Mos u fshih në hije, mos u bëj hije,
Ti qesh me hare, lumturohet dielli si unë
Nga e qeshura jote prej dielli.
Le të lozin rrezet e tij me flokët e tua,
Le të ngatërrohen rrezet e diellit aty,
Le të mbetet dielli balonë në qiell me litarët rreze,
Lidhur e ngatërruar në flokët e tu.

Lejoje shiun zemër të rrjedhë nëpër ty
Në fytyrën tënde, në qafë e në shpirt
Ku unë të puth, rrëzë veshit ku të pëshpëris
Se je më e bukur se mendimi i bukur.
Të rrjedhë nëpër gjinjtë e tu që kallen nxehtësisë
Prej mallit për duart e mia të mëdha.
Qesh sa mundesh në shi, lëshoja sytë qiellit
Bëja me dorë zotit, këndo nëse mundesh
Me melodinë e shiut, mbush grushtin me kristale,
Janë lot malli, beso, mall i qiellit për token,
Malli im për ty.

Lejoje erën të lozë me ty zemër,
Të t’i marrë flokët në hava,
Të t’i ngjeshë teshat për trupi,
Të knaqet me format e trupit tend,
Të knaqet te përkëdhelë gjinjtë e tu,
Të ta ngrejë fustanin lart mbi gju,
Ta mendosh se është përqafimi im i shpejtë,
Kur ti dëshiron të jetë i ngadaltë.
Lëre erën të këndojë këngën e saj,
Në mundsh vallëzo me të, fluturo,
Hip në krahët e saj dhe eja në mua.
Nga pritja jam bërë gur.

******************************

Më ka marrë malli

(poemë)

Më ka marrë malli për ty
Si për detin ku mbyten mendimet e mia,
Për valët e tij që lazdrohen në breg
Dhe shkruajnë ëndrra në rërë.
Dallgët nervoze godasin shkëmbin me ngulm
(sa herë më bije me grushte ijeve
më thoje i lig, i lig, se s’të lija të flije
e unë bija në tokë duke qeshë…)

Më ka marrë malli me qeshë e me heshtë,
Me paqtue botën në sytë e tu,
Me e vu kokën në supin tend,
Me heshtë aty me lot në sy,
Me e marrë dorën tënde në dorë,
Me u ngrohë, me marrë prej teje
Gjithë ç’i duhet zemrës time,
Me shpëtue prej zhurmave,
Me u mbushë me qetësi.

* * *
S’kam tjetër veç fjalës
Veç puthjes e heshtjes
Veç ngutjes.

***
U binda se të pëlqejnë dhe i mbron insektet e vogla,
Se nuk më le ta mbysja milingonën që ngjitej gotës time,
Tek digjnim me cigare dhe fjalë heshtjen fjalamane
Dhe shuanim zjarrin e ëndrrave që na digjte sytë.

Unë u binda se ti je diamant, jo gur që troshitesh lehtë
Në honet e mungesës që copton njerinë
Dhe një mijë copa të të bluajë deshpërimi
Ti prapë krenare lufton për lirinë.

Unë u binda se udha ty kurrë nuk të mund,
Nuk të lodh qëllimin fisnik ta mbërrish,
U binda nga ti për një të vërtetë të thjeshtë
Fitohet çdo betejë në jetë, qëllimin veç ta dish.

* * *
Nuk di ta spjegoj pse të dua, siç nuk di
Pse trëndafili ka aq petale sa ka,
Siç nuk di pse shiu ka aq shumë pika
Dhe derdhet në atë mënyrë nga qielli,
Siç s’di ku vlon loti që del i nxehtë,
Pse bora e ka lulen aq të bukur,
Siç nuk di pse ka ditë dhe natë,
Pse ditën nuk i shohim yjet,
Pse deti fle ndonjëherë dhe lumi s’fle kurrë.
Nuk di ta spjegoj pse të dua,
Siç nuk di pse ecim me këmbë e jo me duar,
Pse zogjtë fluturojnë në qiell dhe nuk ecin me këmbë atje,
Pse njerzit nuk fluturojnë edhe pse kanë krahë.

Lulet e fjalëve i merr era
Mos harro : të dua.

***
Malli për ty u bë si deti që pi lumenjtë e s’ngopet,
Si qielli i natës terr që s’i mjaftojnë yjet për dritë,
Si sytë e të verbërit që nuk ia di ngjyrën diellit,
Malli për ty u bë breg ku nxjerr dufin dallga,
Pritje që rri varë, gjeth që kalbet, udhë e braktisur
Që vajton mungesën e hapave e të hijeve
Buzë shkrumb për buzë si brigjet për urë.

Malli për ty më bën gjinkallë vere
Që plas prej këngës a vajit të vet.

***
Të dielën tek vrapoje nëpër det përmbi dallgë
Dridhesha nga frika e lumturohesha me ty.
Njëherë më bëheshe shpend i bardhë, njëherë i zi,
Pastaj bëheshe zemër, pastaj perendi.
Të pashë si i vije këmbët fluturake
Mbi supet e dallgëve te dallga tjetër,
Si nga njëri mal mbi malin tjetër,
Të pashë si kacavirreshe nëpër shpatet e thikta
Të dallgëve dhe s’bije në humnerën mes tyre,
Të pashë si lidheshe në rrezet e diellit,
Që përthyhej në supet dhe shpatet e maleve të dallgëve
Rrezet e diellit që laheshin në det, qeshnin bashkë me ty
Nga bregu më bëhej se rrezet dilnin prej syve të tu.
Të pashë që u kape fort në fijet e ëndrrave tona
U mbështolle me to dhe ma bëre me dorë që larg
Më thirre, më prit se mbërrita, më prit, mos ik
Ku të ikja unë, kur caku i ikjes dhe mbërritjes time je ti.

Zbërtheva brinjët në gjoks
Më lehtë se më zbërthen t’i kopsat e këmishës
Dhe prita plot ankth aty në breg të detit.
Duke qeshë hyre në vendin tënd në të majtë të tij
U nisa drejt fushës me ty në gji.

***
Si ta them verën sivjet,
si ta shkruaj verën pa ty?!

***
Në gjithë ditët e heshtjes tënde
Jam zgjua pa bletë, fole pa zogj,
Gëzhojë e ndryshkur predhe
Harruar në fushë nga lufta e fundit.

Buzët më mbetën në gojën tënde,
Duart në gjinjtë e tu kur më shkulën prej teje
Dhe më hodhën tej
Si zog pa krahë, pa gjoks, pa zemër.

***
Gjithë kohën që desha me të harrue,
U bëre mendimi im i çdo çasti.

Mungesa jote është e papërballueshme
Frika kur jam pa ty
Është fati i vetëm i keq që më ndjek.

* * *
Nuk e di çfarë shkruajnë sot rrezet e diellit në tokë,
Ç’mesazhe dielli lanë në fytyrën tënde e flokët e tu,
Ç’fjalë dielli sollën për ty.

* * *
Nuk e lexoj dot çfarë shkruhet në hapsirën bosh
Ku derdhet shikimi i syve tu,
Nuk di ta vizatoj veten në fushën e mungesës
Në shikimin tënd të turbullt,
Por di ta fotografoj çastin kur më le pa frymë,
Përfytyrimi se të kam pranë,
Çastin kur zgjat duart të më prekësh
Dhe shtangesh se nuk ke pranë as ajër…

* * *
Ti jë bërë ëndrra ime
A unë ëndrra jote, nuk di
Veç di se u bë kohë
Që s’ka ëndërr pa ty.

***
Mos më ler të fle,
Mos më ler të fle gjatë se kam frikë se nuk zgjohem më,
Dhe qaj e ulëras në ëndërr për ty,
Ulëras sa dridhet dheu kur s’të kam pranë,
Shpërthej si vullkan, bëj mal të ri
E jo më s’po hedh tej dy metër kub dhe që më hidhni përmbi,

Mos më ler të fle gjatë
Nuk mundem pa ty.

***
Gjithë ç’kisha për të thënë
I shkrova në diell.
Vështroje diellin në mundsh
Dhe lexoji në flakë fjalët e mia
Para se të bëhen shkrumb.

Fjalët që doja të thoja ty
I shkrova në qiell.
Retë e bardha a të murme janë njolla boje
I derdha nga idhnimi
Në letrën që ta shkrova ty,
Por ti plotësoji mendimet e mia,
Nëse s’ke harruar të jesh unë.

Gjithë ëndrrat që thura me ty
I derdha në pikat e shiut
E në flokët e borës
Të çelin lule në tokë,
Lotët i derdha në lumë
Për te deti i dhimbjes ku ti qesh,
Përqafon me deshpërim ujin mos jam aty,
Më sheh në pikat e ujit që mbeten në ty
Dhe kot më kërkon me sy nëpër det.

* * *
Ndërsa të pres në mëngjes
Me frymën e ngrohtë që ngrin sa e nxjerr,
Vizatoj fytyrën tënde në ajrin e ftohtë,
Vizatoj buzët, mjekrën, sytë.

E sa përkulem të vizatoj gushën
Sërish më duhet të t’i puth sytë.

***
Ëndrrat e mia i ruan qielli.
Një dorë e padukshme atje,
I shkruan në kujtesën e zogjve dhe yjeve.

Këtë ma thonë shpesh pikat e vjetra të shiut
Kur më bëjnë qull.
Ma thonë flokët e serta të borës
Dhe fishkëllima e erës kur statujën ma ngrijnë,
Udhëve të shkreta ku s’ka fëmijë të luajnë
Rreth njeriut prej bore të nxirë.

Ma thonë yjet e shuar
Sa herë i vizitoj
Te varret.

Ëndrrat e mia një ditë
Do të çelin lule në tokë.

Por unë
Do të jem bërë ëndrra jote.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...