Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/11/30

A e meriton përkrahjen në Siri, diktatori,Vladimir Putin?

Nga Skënder Mulliqi



Pasi qe Vladimir Putin e fitoi edhe mandatin e tretë si kryetar i Rusisë, është duke arritur një rejting politik të lartë në Rusi edhe përkundjës gjendjës së keqe ekonomike , më të cilën po përballet ky shtet.Shtetet Perëndimore dhe Amerika sikur kan “harruar” aneksimin e Krimesë dhe agresionin rus në Ukrainë. Putin deri tash shumë herë ka deklaruar së do të këtë qendrime të prera kunder Perëndimit dhe Amerikës. Putin është në qender të vemendjës së politkëbërjës botërore, edhe pse më qendrime diktatoriale.Luftën kunder ISIS-it po e shfrytëzon për zgjerimin e hegjemonizmit rusë, influencës në Lindjën e Mesme dhe futjës së ndikimit ushtarakë po ashtu në Evropë. Diktatori, Putin duke përkrahur diktatorin sirian, Bashar El Asad dhe indiferenca deri diku amerikane dhe perëndimore në këtë drejtim, kan bërë që më mijera njerëz të largohen nga Siria dhe vendet për rreth , duke prodhuar krizën e madhe edhe të refugjatëve , më të cilët po përballën vet shtetet Perëndimore.Amerika largoi diktatorët Sadam Hysein dhe Gadafin etj ,por u ndal për ta larguar edhe Asadin . Idiferenca amerikane në luftën në Siri, ku ju la terren I hapur Putinit, për ta mbrojtur Asadin , solli vetem krizë edhe të nivelit global.Të gjithë i dimë pasojat e mëdha të ekstremizmave fetare , ashtu edhe ekstremizmit fetar islamik.Pamjet filmike nga lufta në Siri tregojnë se Putin duke luftuar ISIS-in, nuk po bën selekcionime. Bombat ruse shpesh dhe jo pa qëllim po godasin caqët civile atje, duke vrarë njerëz të pafajshem , madje edhe shumë fëmijë,.

Rusia është duke vepruar haptazi që të kthej namin e humbur të viteve të 90-ta.Me luftën në Siri po dëshiron që shteti rus ta këtë fjalën vendimarrëse në arenen ndërkombëtare.Putin kishte deklaruar së në Ukrainë nuk është duke e bërë luftë kunder ushtrisë ukrainase , por kunder legjionarëve te huaj , duke aluduar në NATO. Këtë luftë edhe popullësia ruse po e sheh si fitore kunder Amerikës duke vu paralele me Gjermaninë hitleriane.Paqja në një shtet arrihet kur hiqën nga pushteti diktatorët , e jo kur mbrohën si tash në Siri.Unë mendoi së kjo gjë edhe rriti ekstremizmin fetarë.Sigurisht së po të ishte larguar Asadi nga pushteti, së pari nuk do të kishim aq shumë të vrarë madje gra , pleqë dhe fëmijë, pastaj që është më e rëndësishmja nuk do ta kishim këtë shkallë të lartë të terrorizmit në botë . Vetë fakti së në radhët e ISIS-it po gjenden edhe rusë, fletë së Rusia jetikisht është e interesuar që përmes kësaj organizate terroriste të ngritet edhe si forcë ushtarake.Kjo po ia ngjallë pozitën në arenën ndërkombëtare dhe po ia forcon pozitën pushtetare mbreda.Rusia e ka perjashtuar humanitetin e veprimit, duke tentuar të arrijë kështu qëllime politike dhe ushtarake ndikuese në botë. Për vendosmerinë ruse dhe indeferencën amerikane kemi edhe reagime te opinionistëve dhe ushtarakëve të lartë në Amerikë. Madje ditë më parë ushtarakët ishin kategorik, që Putin duhet të kufizohet ne veprimet e tija ushtarake në Siri.

Duke parë ngritjën politike dhe ushtarake të Rusisë, edhe qarqet shoveniste serbo-maqedonase po ndihen të trimëruar .Vizitat e tyre Kremlinit kishin për qëllim marrveshjët e përbashkëta kunder shqiptarëve. Diktatura si sistem shoqëror mizor, dhe ekstremizmat fetar ,nese nuk lufohën më kohë bëhën shumë të rrezikshme për paqën botërore , siq edhe janë bërë…

Nga lufta mes shteteve në luftërat civile


Nga Aurel Dasareti



Historia shqiptare është histori e luftës për liri. Megjithatë, shpeshherë udhëheqësit tanë kanë përdorur parulla të rreme duke u shprehur se po çonin popullin drejtë lirisë, kurse në realitet nuk kishin tjetër qëllim veç ta vinin në vargonj popullin e vet.

***

Lufta civile: konfliktet e brendshme, konfliktet e armatosura gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në mes të dy ose më shumë grupeve brenda një vendi apo në mes të qeverisë në detyrë dhe një grup rebel. Qëllimi i një lufte civile është për të fituar pushtetin politik në një vend apo shkëputjes së një pjese të territorit të vendit për të formuar një shtet të pavarur prej saj.

Për ndryshim nga rebelimi apo grushtit të shtetit, një luftë civile presupozon që palët mund të bëjnë operacione reale ushtarake kundër njëri-tjetrit, dhe ndryshe nga një luftë midis dy ose më shumë shteteve, tradicionalisht nuk mbulohen nga rregullat e zakonshme të së drejtës ndërkombëtare të luftës. Përveç kësaj, palët ndërluftuese të luftës civile synojnë një nënshtrim të plotë të palës tjetër.

Kjo gjithmonë e bën një luftë civile jashtëzakonisht mizore, dhe veçanërisht të vështirë për civilët.

Shumica e konflikteve të sotme nuk ndodhin në mes të shteteve, por brenda shteteve. Trendi gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një ndryshim nga lufta midis shteteve gjithnjë e më shumë konflikte të brendshme, të tilla si luftërat civile. Aktualisht ka shumë më tepër konflikte të brendshme se luftëra në mes shteteve. Rasti aktual, Siria.

Edhe në trojet arbërore: Shqipëri, Kosovë etj ekziston rreziku i një lufte civile/vëllavrasëse, si mund t`i shmangemi katastrofës?

***

Çfarë mund të mësojmë për të menaxhuar konfliktin? Në çfarë mënyre mund konfliktet të jenë shkatërruese?

Konfliktet bëhen shkatërruese kur ato nuk janë të njohura nga palët e përfshira, kur ato nuk janë të përpunuara (trajtuara) me ndihmën e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të hapur dhe kur me qëllim nuk janë ndjekur zgjidhjet e menduara, dmth të ngrira dhe bllokuara. Por edhe më shkatërruese është situata kur konfliktet janë trajtuar në mënyrë të gabuar.

Konfliktet shkaktohen për shkak të mosmarrëveshjeve të ndryshme. Ato mund të zbulohen dhe të trajtohen. Konfliktet ndodhin kur sistemet e vlerës, interesat, modelet e sjelljes, njohuritë dhe përvojat janë të papajtueshme me njëra-tjetrën.

Mendo për një situatë të veçantë ku ti dhe një person je në konflikt.

***

A mund konflikti të ndahet në disa konflikte?

Konfliktet janë dinamike dhe mund të zhvillohen që të bëhen më komplekse dhe të rënda. Është e rëndësishme për të ndarë një konflikt në disa pjesë konfliktesh të vogla ose lloje konfliktesh (të mendimit, interesit, rastit, relacionit, konfliktet e rolit etj). Kjo, për të kuptuar se prej çfarë përbëhet ai, vlerësimi i pjesëve të afërm me njëri-tjetrin dhe projektimi (zhvillimi) i strategjive te përshtatshme për menaxhimin e konflikteve .

***

A mund format e të kuptuarit të shkaktojnë konflikte të rreme?

Konfliktet mund të jenë (ose të lindin) për shkak të qëllimshme manipulimi nëpërmjet psh metodës “përça dhe sundo” ose imtësive dhe tensioneve të vogla. Por ato gjithashtu mund të jenë për shkak që ne e keqkuptojmë dhe keqinterpretojmë njëri-tjetrin. Konfliktet e shkaktuara nga format e të kuptuarit shpesh bazohen në informacion të pasaktë, pamje të veçanta të botës, supozimet dhe teoritë “personale”.

***

Ku qëndron ndryshimi nga njëri-tjetri i termave “zgjidhja e konflikteve” dhe “menaxhimi i konflikteve”?

Një zgjidhje e konflikteve ka për qëllim për t’i dhënë fund konfliktit. Një menaxhim konflikti përqendrohet në menaxhimin e pasojave të konfliktit.

***

Çfarë strategjie të menaxhimit (trajtimit) të konflikteve kemi ne dhe për çka janë ato të përshtatshme?

Ekzistojnë shumë strategji apo mënyra të trajtimit të konflikteve:

Ushtrimi i pushtetit (forcës), votimi, kompromisi dhe konsensusi janë strategjitë e themeluara të menaxhimit të konflikteve. Këtu zgjidhja me konsensus konsiderohet e vetme, sepse ajo do të thotë se konflikti do të zgjidhet përmes një procesi që transformohet drejt një konsensusi. Zgjidhja e konflikteve ndodh gjithashtu përmes betejës, negociatave, zgjidhjen e problemeve apo zgjidhjen e planit.

Sipas meje, strategjia e fundit është më e mirë për shkak se ajo nuk është e ndikuar nga opinionet (mendimet) e para-konceptuara. Një zgjidhje plani nuk bazohet në: se ka një “problem” për t’u zgjidhur apo që ne duhet të përgatitemi për negociata. Natyrisht se zgjedhja e strategjisë varet nga lloji i konfliktit (të mendimit, interesit, rastit, relacionit, rolit të konflikteve etj).

***

Çfarë pre-supozon një zgjidhje konsensus dhe kur është e mundshme që strategjia të jetë e paefektshme?

Qasja- Konsensusi kërkon një takim të drejtpërdrejtë në mes palëve të përfshira.

a) Që të jenë të qarta dhe të dukshme të gjitha aspektet e rëndësishme të konfliktit.

b) Se një palë i njeh të drejtën palës tjetër për të pasur qëndrimin e tyre.

c) Se palët janë të gatshëm të shikojnë me një sy të paanshëm mbi këndvështrimet e të tjerëve, dhe për të shqyrtuar në mënyrë kritike motivet e veta.

d) Zhvillimi i një vullneti të vërtetë për të arritur një zgjidhje të përbashkët dhe jo vetëm palës tjetër t`i imponoj zgjidhjen e vet.

Zgjidhja-Konsensusi mund të jetë e paefektshme dhe e rreme, kur mospajtimi është i ndaluar. Njeriu është i kapur në një normë që dikton se konsensusi patjetër të arrihet.

***

Në çfarë mënyre mund të pasqyrojnë ”diçka për veten” konfliktet e relacioneve, dmth konfliktet emocionale me të tjerët?

Termat “projektimi” dhe “vendosja e kufirit” është i pranishëm pothuajse në të gjitha konfliktet e relacioneve.

***

Si t`i trajtoni konfliktet serioze dhe komplekse?

Këtu janë fazat e modelit:

1) Punë-motivimi.

2) Pastrimi ajrit: Plasje e kontrolluar. Sqarimi i shkakut të konfliktit. Rindërtimi i procesit historik. Ventilohen mendimet, njohuritë, kujtimet, fantazitë e njëra-tjetrës.

3) Zgjidhja: Sqarimi i emëruesit më të vogël të përbashkët. Qëllimi thelbësor i përbashkët.

4) Përpjekje për konsensus të mundshëm: Kuptimi për tjetrin. Evidentimi i zgjidhjes së propozuar. Vendimi për një zgjidhje të përbashkët. Zbatimi i vendimit të zgjidhjes së përbashkët. Vlerësimi.

At Vitor Demaj: Fjala fshikulluese e Fishtës…Perla fishtiane




144 vjet ma parë lindi At Gjergj Fishta, Zefi i vogël, në Fishtë fshat i vogël i Zadrimës. Nuk asht nevoja me parqitë para lexuesit jetëshkrimin e tij, por duem me pa Fishtën si themelues e krijues të nji mendësie të re nder shqiptarë, si krijues e promovues vlerash sëbashku me bashkëvëllaznit e tij françeskanë. Sot jetojmë në vjetin 2011 e kur e hjedhim nji veshtrim të kaluemes tonë shohim se krijimtaria e Fishtës na paraqitet aktuale sot ma shumë se asnji herë tjeter, si në jetën shoqnore poashtu në jetën politike e shkencore. Prandej e kanë gabim ata që e konsiderojnë krijimtarine e Fishhtës dhe të Farnçeskanëve si ‘konservatore’, jo e përshtrime në të ardhmen, as për të ardhmen.
Prej do hukubetënve fqinjë e të disa fletoreve që botoheshin në Europë pa as nji kriter shkencorë, populli shqiptar kosiderohej si nji popull i egër, pa identiet e pa kulturë, me bishtë ndekambë qe jetonte nëpër pemë, pra nji kombë e vend për me u shkel prej gjithëkuj.
Fishta e bashkëvëllaznit e tij Françeskanë, tue pa këto akuza të pavend ndaj popullit shqiptarë, e për me thanë se në si kombë kemi kulturën tonë e mund tu rrijmë përkrah popujve të tjerë të qytetnuem të Europës u muren me mbledhjen e folkorit, poezinë e popullit, traditave popullore, prrallat kombëtare, me mbledhjen e kanunit, të fjalve të urta, gojëdhanve që ishin ruejt në popull, etj., për me pasqyrue shpritin, psiken e kulturën e popullit shqiptarë, me vetdijësue ndergjgjën kombëtare për histori e kulturë tipike arbnore.
Prandej mbledhja e poezisë popullore e tarditave popullore, kishte për qellim më ba të qartë përpara Europës se, populli shqiptarë njimend qendroi për 450 nën nji sundim barbar e antinjerzorë që nuk e la me përparue kurrsesi, por që nuk asht nji popull i prapambetun dhe se ka ruejt nën zgjedhen turke identitetin e shpirtin autokton të tij.
Françeskanët në krye Fishtën nuk u mueren vetëm me mbledhjen e folklorit dhe të zakoneve shqiptare, ata u mueren më gjuhësi, me letërsi, hapën shkolla, projektuen nji atlas gjuhësor, shkruem fjalore, novelistikë, histori, folozofi, sociologji, pedagogji, pikturë, etj. Hylli i Dritës pomendore e kësaj tradite asht shprehja ma e gjallë e veprimtarisë shkencare të Françeskajve shqiptarë.
Shqipnia asht nji vend i vogël e nuk çon peshë në historinë e mendimit europian, kjo ndoshta për fajin tone që nuk dimë me vleresue të mirat tona, e me kerkue të drejtat tona, e pra edhe në vitet 30 të shekullit të kaluem e njejta Shqipni ishte, por kjo gja nuk i pengoi françeskanët si At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, At Gjon Shllaku, etj., ta donin atë nëpërmjet studime të mirëfillta filozofike, sociologjike e kulturologjike tue u ndej për krah mendimtarve ma në shej të mendimit botnorë.
Jo vetëm në krijimtarinë e tyne shkencorë ata kjenë të parët, por edhe në jetën fetare e shpirtonore, të udhëhequn e të frymzuem prej shpirtit universal të krishtënimit e të Shën Françeskut i qëndruen afër gjithkuj, të tanë atynë që patën nevojë për keshill e mborjtje. U mueren me të vorfni, ma të fundit të shoqnisë, atyne që kush i sheh rrugës shmang rrugën mos me i takue, tue u dhanë nji cop bukë, tue u gjetë nji strehë.
Fishta sëbashku me At Shtjefen Gjeçovin, At Pashko Bardhin, At Pal Dodën, Mons. Vinçenc Prennushin krijuen nji “shkollë” të modelit perendimor, formuen mendimtar françeskanë të mavonshëm e laik me kulturë të madhe.
Fjala e mendimi i Fishtës dhe i Françeskanëve nuk kje e shterbë, e pa vlerë, pafrytë, ata nuk e braktisën kurr Shqipninë, ata dhanë jetën për Shqipni.
Sot në ket kohë të veshtirë që gjindet Shqipnia kemi nevojë për mendimin e Fishtës, per krijimtarinë e tij, pse tue pa sjelljet e politikanve tonë kemi nevoj edhe nji herë për Gomarin e viskun e Babatasit:

“Prá nji herë e pikë mâ s’parit
Po i diftoj rodit t’Shqiptarit,
Se un ktû s’kndoj burrnín e t’Parit,
As trimnit e ndo’i luftarit,
Veç nji gaç, nji zog gomarit,
Që, qyqari, për send tjetër
- N’dashtë i rí t’jét, n’dashtë i vjetër -
S’duhet gjâ, veç se me bartë
E me ngranë, t’thuesh, si Shqiptarët…
M’thotë, por, mendja se ndokujë
Ká m’iu dukë, se un mifi n’ujë
Me këtë kangë, e se mâ gjasë
Sod për mue do t’kishte pasë,
Ndo’i send tjetër po t’kish’zgjedhë
Tortë me vjerrsha ktû me dredhë.
Po, por shka, se ata e dijn vetë,
Që ká cofë mikrobi i shkretë
I burrnís e i trimënís,
E që sod në Shqiptarí,
Besà ká nji t’madhe zí
Jo aq për bukë e miredí
Sá për burra – burra t’dheut,
Që për komb e nderë t’Atdheut
Me jetue t’dijn e me dekë.
Jo, po âsht kot, besà, me u rrekë
Se po gjen fatos ndër né,
Se po gjen burra n’këtë dhé -
Burra fjalet e atdhetarë:
Ktà veç, Zot! kjoshin për farë;
Se, për tjetër mbyti n’ujë
Gjâ – ha’ i keq – s’i duhen kujë.
E vërtetë që njadisá
Ndër né flasin fjalë të mdhá,
E na mbahen se ata kjén
Që shpëtue na kanë Atdhenë:
Sado që, kúr ishte puna
Me u shpëtue Shqipní kërcuna
E për tê n’luftë me qindrue,
Ata rrijshin tue guksue
Npër Stambollë e np’r Anadoll,
A se viellshin kund n’ndo’i stjoll
T’ndo’i hoteli npër Europë
Alkool’n, me t’cilin ngopë
E ki’n barkun si bagtija,
Dér sá n’gjak lahej Shqipnija”.

Duhet thanë se shkrimet publicistike të Fishtës janë kryesisht shkrime polemike në mbrotje të Shqipnisë përpara kombeve të tjera, si dhe në mbrojtje të popullit shqiptarë përball politikave të ndyeta, të mrapshta të politikanëve e zyrtarvë shqiptarë që abuzonin me të drejtat e popullit, tue e çue drejt nji mjerimi të skajshem. Shpirti i Fishtës bahej pezëm tue pa ket vepër të shemtueme të drejtuesve të shtetit shqiptarë. Penda e tij pervishet, bahet shpatë e mprehtë tue mos pas frikë, tue mos u ba bashkëpuntor me të keqen, por tue thanë gjithmonë të vertetën, të drejtën, tue mbrojtë popullin ndaj politikanëve të pabesë, të korrupsionit, të cilët u pasunuen në shpinë të atyen që u kishin besue votën e tyne për nji jetë ma të mirë. Kjo sjellje e Fishtës kishte ba që të kishtë armiq e kundershtar kodo që shkelte kamba e tij. Fishta asht e mbetet aktual sot e gjithë ditën, per ne, per politikanët tonë, për kulturën shqipatre, për diplomacinë europiane në Shqipni, ejt.
Mjafton vetëm me ndryshue datat e krijimtaria politike e Fishtes me sfumatura të ndyshme paraqet sëmundjen e poltikës sotme njizetë vjeçare të Shqipnisë. Populli duhet të zgjohet e të dij se kuj ja beson të drejtën me e udhëheq për nji jetë ma të mirë, por ndërkohë të gjithë ne jemi të thirrun të mos rrijm duerkryq pa ba gja, kur shohim se të drejtat tona po shkellen, institucione janë pre e politikës, pasunia e jonë po grabitet e fati i Shqipnisë ka ra në dorë të gabueme. Duhet të çohemi e atyne që u kemi dhanë votën e besue të drejtat tona, tu kërkojmë llogari se ku po e çojnë Shqipninë. Europa nuk na ka faj, faji asht i joni. Deri diku kanë të drejtë që politikanët tallen me ne, e nuk na kanë faj, faji asht i joni që shkojmë mbas ‘ngjyrave’ u mbushim sheshet, e jo mbas vlerave që krijojnë e formojnë Shqipninë europiane, Shqipninë e andrrës tonë.
Po paraqesin per lexuesin do pjesë të zgjedhuna prej Prozës së Fishtës, për me shijue fuqinë shprehëse të fjalës, e shpirtin e madh të nji françeskani, që të jetë për ne shtysë për “meditim” e “analizë” për jetën shoqnore e politike shqiptare të kohëve të sotme.
I. Mbas mendimit tonë, pra, elementi mâ i rrezikshem a, mâ mirë me thanë, rreziku mâ i madhi i Shqipnís janë vagabondat: njatà shqiptarë që, pa mûjtë me perftue kurrnji mendim të shndoshtë në mendje të vet, s’janë të zott me i rreshtue dý shkrola bashkë pa gabim; që per Atdhé filluen me u kapë së parit a m’atëherë kúr banë rrush e kumlla gjan e të parve të vet e mâ s’u mbet asnji dysh, sa me ble nji konop e me vjerrë vedin në tê; ose kúr ndonji qeverí e huej, neveritun prej sish, i xuer me shtjelm prej pune edhè i hodh si stervina të cofta në Shqipní. Njerz rrugaça, njerz shakllabana e të pa kurrfar njerzije e mirërritje, të pa kurrfarë msimi të vlefshem, që gjith jeten e vet s’kjenë të zott me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shpí, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nen dorë, të harli-sum nga mendja, të perdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; kû mbillen, s’korren; kû bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pa krye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të rí, gjithkund tue lán ndonji mârre të ré per Shqipní. E ktà të plogshtë, të dekun në shpírt, coftina të qel-bta, që s’janë të zott me xjerrë nji mizë prej qumshtit, pa nji ideal para swsh, gjithkund duen me u perzíe, gjithkund duen me vû gojë e sidomos në politikë të Shqipnís. Jo, po, ktà parazi-ta, por sa ndîejshin se po lot kund ndoj punë per Shqipní, se po u çilet kund ndoj shteg per me u dalë me rrnue në shpín të tjeterkuj pa punë, si rriqni, as nji as dy s’ja bâjshin, por “pupa” në kambë, shpluhno petkat, lustro kundrat, shtërngo krava-tat e, valixhen nen dorë, kapelen tutël në krye, bjeri Europës kryq e terthuer, herë tue u shtî beglerë, herë kapitana, dikû profesora, dikû princa, tue shtue hyj në qafzë per majora, kolone-la, gjenerala, dér që, së mbrami, hasshin në ndonji krye-matare di-plomatit, që me ua pague rrugen per Shqipní. T’ardhmen në Shqipní, kapelen në valixhe, ksulen e thijtë në krye e vrap, si or-lat kû po ishte zhurma mâ e madhe, potera mâ e fortë; e aty, nji zhel kuq e zí majë nji huni, hypë në nji karrige kafeje, kce në nji tryezë mejhaneje, ngrefë mustakët kacadre perpjetë ose rrepë turíjsh si mij të perclluem, me do fjalë të shterzueme, të mârra, dokrra të papuna foli popullit: Hani! Bini! Kû jeni? Kû jeni, nipa të Skanderbegut? Me derdhë gjakun per Atdhe! S’na duhet gjâ feja. Na duhet qytetnija, policija, xhandarmërija. Ah! Ktà derra! Ktà domuza!… Veç me rrjepë popullin! Ká mbarue sod koha e tyne. Sod âsht dija, lirija, qytetnija. Grueja shqiptare sod do të dalë, do të shëtisë, do të duket, do të njifet, e jo me ndejë si të gjitha qyqet, mbrendë në shpí të vet. Grueja âsht lulja e jetës, âsht engjelli – meleku – i njerzís. Ah!… Po!… Rrno-fshin zojat shqiptare! Rrnoftë Shqipnija! Rrnofshin aleatët! Poshtë tradhtarët! E kso dokrrash të mârra, mos me i hanger as qentë. Por shka se, mbasì punët e Shqipnís atëherë si gati gjithmonë shkojshin tue marrë në thue, kshtû ktà fatosa-kukulla, të ndîemen që ndîejshin se per ta po niste me frw nji erë e ftohtë, vali-xhen në dorë, bishtin nder kambë e… tym dosë prapë në dhe të huej, si gjysagjeli, tue ua lanë të tjerve barrën që me i xjerrë gështejat prej prushit, edhè me gishta, po ta kishte lypë puna.
Qe, pra, se kush janë rreziku mâ i madhi i Shqipnís: vagabon-dat, sallahanat, rrugaçat. Por, me gjith kta, ktà njerz, ktà mik-robe të kombit, jo veç se po kan sw e faqe me lypë, por edhè po munden sod me shpresue se hynë nder zyra të Shtetit shqiptár e me marrë, madjè, rrogat ár. Po a pernjimend se, per me ushqye e me majë ktà njerz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugâjave e të sokaqeve, bujku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vshtira?… E po kû jemi na, o Zot? A pernjimend se edhè kuptimi i burrnís âsht harrue në ket dhé, që njerzve kaq të poshtëm po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqiptár?…
Shqiptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqipnje, ose ndryshe kemi sharrue me t’eger e me të butë.
II.Do kulima, ngrehaluca të kqi – djè dalë prej shpergâjsh; do pseudo-profesora e pseudo-doktora, analfabeta e semi-analfabeta, ngallitë neper “kursa të shpejtë” si kpurdhat në shí; do ftyrë-fodulla vagabondash, sallahanash e derbedera muhaxhirësh, nenshtetas adoptiv të Shqipnís – pak e aspak Shqiptarë – e llaca të zdraluem logjash masonike; kshû edhè njadisa nder atà teneqexhít, kallajxhít, hallvaxhít, nallbanat, kasapët, matrapazat, që sod me sod, me gjith ktà që po ká qesát punet, atà po kan fatin e bardhë me rrue petulla e pogaçë, na janë ngrefë per okcidentala të lmuem e të pipiriquem, e pa pasë kurrnji vehtí okcidentalizmit m’vedi, posë nji kravatet – si bisht micet të percullueme – që u vjen per rreth fytit, në vend t’atij konopit të karmanjolles, prej të cilit s’dihet si e shumta e tyne ká mûjtë me pshtue… na pshtwejn n’e djathten e t’errmakten fjalë të mdhaja kulturet e perparimit, thue se vertè ktà kan prekë qiellen me dorë per kah msimi e dija. Ardhë prej shkretívet të zharrituna t’Azís, na fla-sin mbí lirí; dalë prej bordeleve mâ të poshterm t’Europës, na predikojnë moralin.

III. Nuk kam nieri, që me u perkujdesë per të shndoshun tem. Kshtû, kujtojmë na, edhè Shqipnija, po ta pvesë kush: pse s’perparon, do të thotë: Hominem non habeo – nuk kam nieri, që të m’prîjë kah e mbara e e mira e qytetnija e vertetë – per nieri na ktû kuptojm njatà njerz, që mbajn autoritetin në dorë e gjinden në krye të Shtetit, të cilt, posë burrnijet, nderet, be-set, atdhedashunijet, pa të cilat nuk do të kuptohej nji nen-shtetas shqiptár, kan edhè nji nderim të thellë per parime fe-tare, nji kuptim të drejtë ndaj moralin, nji kulturë të gjanë e nji kompetencë teknike, të papiksueshme: që Shqipnín e mbajn per Atdhé, e jo per kush e di se shka tjeter; që per Shqiptár nuk mbajn nji çdo nieri, veç pse i thonë emnit Hasan a Ysen, Pandeli a Prokop, Prend a Mark; që e kuptojnë mirë punën, se Shqiptari atjè e ká Shqipnín, kû ká qifllekun, se muhaxhirve u do qitë buka, por jo me i vû zotshpijet në Shqipní, se rrugaçat, va-gabondat, pseudo-profesorat e pseudo-doktorat duen çue me thye gúr nder rruga, se bozaxhijt duhen lanë me shitë bozë, por jo me i çue me msue Filozofí, se âsht mirë, që atà, që sundojnë, ekonomí-kisht e financjarisht të perparojnë krahas me popull e në pro-porcjon t’aftsís s’vet vehtjake, e jo, djè në kambë, e sod m’automo-bil; djè pantallonat me gjyslykë, e sod në”smoking”; djè buken thatë, e sod barkun lodër me “kuzuiqi”, “imam bajalldi”, “tullumba”, “gjel prej furri”, “tash-qebab” etj., si me thanë: djè rezil, e sod vezir: njerz që dijnë se tjeter âsht financë e tjeter ekonomí; tjeter orjental e tjeter okcidental; tjeter ksulë e tjeter krye; se vetëm nji “redingot”, nji kravatë, nji palë tureçka të repuna, me nji palë mustakë të ndukun qimesh, si dý sterpika mereqepit nen hundë, nuk duen me thanë dije, qytetní.

IV. Veç shka se, tue thanë që Shqipnija s’ká nieri, nuk thomë, se në Shqipní nuk ká njerz të zott, që me i dhanë të mbaren popul-lit. Ká, po, Shqipnija njerz të vlefshem per politikë e admini-stratë; veç se shumica e atyne âsht lanë krejt mbas dore, e atà pak vetë sish, që populli i vuni m’pushtet, kû prej mndorjeve e kû prej kontaktit me do elemente refraktare çdo perparimit e qytetnímit të vertetë, mjerisht s’kan mûjtë me zhdrivillue të gjith aktivitetin e energjín e vet per dobí të popullit. I takon popul-lit, prá, me çilë swt, me ja vû gishtin krés e me mendue mirë, se kujë do me ja lshue autoritetin e fatin e vet në dorë; pse per ndryshe hupë Shqipnija.

V. Për me u mbajtë nji Shtet m’kambë e me perparue, mbas mendimit tonë, duhen trí sende: nji njiní mirë e perkueme; nji organizëm shtetnor i arsyeshem, e nji kulturë omogjene. Njinín e perbán socjabiliteti i elementave, prej të cilve mbrûhet kombi; organizmin shtetnor t’arsyeshem e trajtojnë ligjët e preme mbas nevojve reale të kombit, që do t’i mbajë, e jo mbas egoizmit të sunduesve e mbas ligjve të kombeve të hueja; kulturen omogjene e mkambë nji moral omogjen me parime themelore mbas cilave ndertohet Statuti e vendohen ligjët.

VI. Por edhè dija nuk do lanë mbas dore. Perlimi i nji deputeti a delegati âsht nji perlim i randë e lypë mendje të hollë, kulturë të haptë e nji praktikë jete e rrjedhë fjale të madhe fort. Deputetsija âsht, jo, nji shajak që mund ta masë kuti, mund ta presë gershana e dokujdo. Ndokush mundet me kenë i mirë per bakall, terzí, tallaganxhí, senksér, msues, kopist.

VII. Në sw t’Atdheut nuk âsht çashtja që n’Asemblé të shkojë njani e jo tjetri; por çashtja âsht që mos të shkojn intrigantat, vagabondat, rrugaçat – rriqnat e popullit. Brumi i kombit shqiptár, si thamë sypri, në dashtë muhamedan, në dashtë kristjan t’jét, âsht i shndoshtë, e si atà që mbahen me parti qeveritare, si atà që perkrahin Opoziten, në ket brumë munden me gjetë mjaft burra të ndershem e të zott e punës: ktà le t’i zgjedhin e ktà mbasandej, si të shkojn n’Asemblé, në dashtë të mbahen me Qeverí, në dashtë me Opozitë. Burrat e ndershem kan me pá vetë se kah âsht e drejta, e kan me diejt se kah me ja mbajtë, mjaft që mbrendë mos të ketë piça, rrugaça, sallahana e intriganta të pa turp e mârre. Sistemi politik e administrativ i sodshem do shgulë me gjith rrâjë, per në daçim që Shqipnija të jetojë e të perparojë.
VIII. Të gjith politika e permbrendshme e nji shteti, mbas mendimit tonë, permblidhet mbí kto dý pika themelore: njiní autoriteti e bashkim interesesh. Por, per me u mbajtë shteti m’kambë mâ i fuqishem e mâ i perkueshem, posë interesesh të perbashkta, hinë edhè dy faktorë tjerë: njinija e kombsís e njinija e kulturës, e kshtû të gjith ndryshimi, që mund të ketë vend ndermjet elementash të nji shteti, rrjedhë vetëm a prej ndryshimit të kombsís, a prej ndryshimit të kulturës; pse, pa njiní autoriteti e bashkim interesesh, nuk mund të kuptohet nji shtet civil, si mbahet me kenë ky shteti i jonë shqiptár.

Nga Fritz RADOVANI: “RINGJALLJE” APO RIPERSËRITJE.!?



Imazh
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...

Dy fjalë që në “politikë”, përdoren shpeshë me “një” kuptim...kur e lypë nevoja!

Kam lexue disa artikuj plot “optimizem” për vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd... Shpesh ngjet, që ndër disa rrethana të veçanta asht perdorë edhe një shprehje nga Bibla: “Je ba si Shën Toma!”... Për Shqiptarë asht thanja ma e drejta!

Eksperienca e ngjarjeve në këta 100 vjetë, shpeshë, ka shkue tue “ringjallë” ose ma mirë me thanë tue “ripersëritë” të maparshmën... sado e idhtë t’ ishte ajo!
Imazh
                                          Lufta Civile në Shqipni gjatë viteve 1943-1944

Deri tashti, nuk dij se ka ndryshue gja në politikat e qeverisjes 100 vjeçare, flas për faktet dhe dokumentat historike që vertetojnë vazhdueshmëninë pasuese të tyne.

Janë të njohuna ndonse, me vonesë dokumentat e nënshkrueme që në vitin 1914 me Serbi, Malin e Zi... Jugosllavi, Rusi, Greqi, Itali, “Konferenca Islamike”...

 Po, mos të harrojmë, se njohja e tyne asht kenë gati kur janë dukë se u shfuqizuene, tue fillue nga Esad Pasha, Ahmet Zogu, dhe tashti mujtëm me njohtë dokumentat e vitit 1941, kur edhe Enver Hoxha si paraardhësit e vet, “shiti Trojet Shqiptare”...

Kur janë nënshkrue këta dokumenta, u publikuene ata?! Ne Bristolin e kemi pa vetem si ndertesë!!
– Asnjë! Kush i tregoi? – Vetëm Historia!

Cila qeveri pasuese hodhi poshtë dokumentat e nënshkrueme perpara? – Asnjena!

Nga të gjitha pazarlleqet e bame prej qeveritarëve tanë, asht vertetue ndonjë nga këta, që asht ba pa dokumenta dhe nenshkrime me firma të kryeministrave? – Asnjë!

Po, takimi i fundit i kryeministrit Rama, a ka pasë DEKLARATA bashkpunimi, mirkuptimi, ose të ndonjë ANULUMI të dokumentave të maparshëm, të trashiguem nga Enver Hoxha?

Imazh

Enver Hoxha me vllezërit kanibalë sllavë - 8 NANDOR 1941

As këte, askush nuk di me e tregue.

Po, me logjikë të shndoshtë, a duhet të na shkojë mendja tek ndonje “dokument” që nënshkruhet në Beograd, flas për takimin e fundit, ku mund të “rifreskohet” edhe ndonjë nga dokumentat e para 72 ase 73 vjetëve perpara?! – Ndoshta! Edhe mundet!!

Të vërteten e tregojnë VETEM nënshkrimet e deklaratave të qeveritarëve.



Se çka asht nenshkrue sivjet në Beograd a e di kush?! – Jo, askush!

A ka takim zyrtar pa nënshkrime deklaratash nga të dy palët?! – Jo...Jo...Jo...

Kryeministri Rama ka deklarue se do të “ringjalli”... ose do të “ripersëris”... ose do të “rilindi”... dhe pa kalue java që u “rikthye” në Tiranë, shihet i knaqun me foton e Enver Hoxhës, në sfondin festiv të 17 nandorit 2014...

Imazh
Pikrisht, 70 vjetorit të fillimit të qeverisjes sllavokomuniste të Tito – Enver – Stalinit...

A e do Serbia këte?! – Besoj, se po!

***
Bisedat e qeveritarëve në ekrane TV, janë si kangët e dasmave...

“Sa e bukur na ka dalë nusja!”

Edhe kur.., nuk ka dreq që e sheh me sy...

Melbourne,22 Nandor 2014.

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri

"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani

Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria.

At Gjergj Fishta“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.

Nga Daniel GÀZULLI– Dom Mikel Beltoja – Martir i Atdheut dhe i Fesë (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974)






Viti 1966, Kongresi V famëkeq i PPSH, do të shënonte një ndër periudhat ma të zeza të jetës politike e shoqnore të Shqipnisë, thuejse si në vitet e përgjakëshme 1944-1949. Mbas tij erdhën si fortunë shkatrrimtare lufta kundër fesë, shkatrrimi barbar i Kishave e i Xhamive dhe kthimi i tyne në depo armatimesh apo prodhimesh bujqësore; kundër kulturës e artit ma të mirë kombtar e ndërkombtar; denigrimi i çdo tradite të shëndoshë shqiptare; militarizimi politik i shkollës; kthimi i grues në një robot sfilitës nëpër aksione (punë pa pagesë), stërvitje ushtarake e shpërfytyrime të tjera në emën të të ashtuquejtunit emancipim; tjetërsimi i rinisë; kallja e frikës tek të gjithë nëpërmjet riakutizimit të luftës së klasave, e sa e sa shëmtimeve të tjera.

Nuk kanë qenë të shumtë ata që mundën t’i banin ballë një presioni të tillë politik, social, ekonomik, psikologjik, e deri thjeshtë policesk. Ata që i rrezistuen pa u lëkundë një çast në udhën e një jete kalvar, ishin thjeshtë heroj. Mjaft të kujtojmë dy prej tyne: Të madhin At Pjetër Mëshkalla dhe stoikun Dom Mikel Beltoja.

Për njenin prej tyne, për të thjeshtin, por madhështorin, të paharrueshmin Dom Mikel Beltoja do të përpiqem të them dy fjalë.



Me pushkatimin e legjendarit Dom Dedë Malajt e të Dom Ejëll Kovaçit, sidhe dënimin me 20 vjet burg të At Kondrad Gjolajt, si të thuesh, ishte mbyllë cikli edhe i eliminmit fizik të Klerit Katolik Shqiptar. Tashma kundërshtari ma i vendosun e i nivelit ma të naltë të komunizmit ishte eliminue thuejse krejtësisht. Terrori psikologjik ndërkohë kishte ba punën e vet: Ata të paktë meshtarë që kishin ngelë ende gjallë, dhe ende “të lirë”, duhej të mësoheshin të heshtnin.

Në këto rrethana, e mbas izolimit të plotë nga bota perëndimore, veçanarisht nga Vatikani, Imzot Çoba u përpoq të zëvendësonte numurin e reduktuem të meshtarëve pothuejse në zero tue hapë pranë Arqipeshkvisë në Shkodër një kurs teologjik e filozofik të drejtuem prej atij vetë, që të mund të përgatiste edhe ndonjë meshtar të ri. Në atë kurs morën pjesë kryesisht ish studentë të Seminarit Papnor të Shkodrës, mbyllë në vitin 1946. Përjashtim bante vetëm një djalë i thjeshtë nga Beltoja, Hilë Gjergji, i njohun ma vonë me emnin Dom Mikel Beltoja.

Ata që ndiqnin atë kurs ishin të vetëdijshëm çfarë mund t’i priste: si paraardhësit e tyne – burgjet, pushkatimet, persekutimi i gjithëfarëllojshëm.

Por ndërsa të tjerët, në fund të fundit, e kishin pasë me kohë vokacionin drejt meshtarisë, ishin pra të përgatitun edhe shpirtnisht e psikologjikisht me përballë çfarëdo rreziku, çfarë e kishte shty atë djaloshin fshatar nga Beltoja me marrë në sy ashtu rrezikun?

Hilë Gjergji kishte le me 17 prill 1935 në një familje të thjeshtë fshatare, por të devotëshme ndaj fesë. U rrit në një mjedis ku thjeshtësia e një jete gati biblike dhe atdhetarizmi kishin rrajë të lashta: në ato treva historia shqiptare ishte shkrue me shkronja të arta, ashtu siedhe ruente në kujtesën e vet historike tradita të shqueme të katoliçizmit.

Një ndikim të veçantë në edukimin e djaloshit të ri pat edhe ishseminaristi Pjeter Gjoka, një prej studentëve të fundit të Seminarit Papnor të Shkodrës, i cili ishte dënue me 10 vjet burg në gjyqin famëkeq kundër At Gjon Shllakut, At Giovanni Faustit, At Daniel Dajanit e themeluesit të së parës organizatë demokratike dhe antrikomuniste në Shqipni, semianristit Mark Çuni, të katërt të dënuem me vdekje.

Vitet e para të jetës së Hilës së vogël nuk kanë asgja të veçantë për t’u shënue. Ai kreu shkollen e detyrueshme, 7-vjeçaren, si i thonin atëherë, punoi në kooperativë bujqësore ndër punët ma të randa për moshën e tij të njomë, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Asgja për t’u shënue në jetën e tij të përvuejtë, por me një devotshmëni shembullore ndaj fesë.

Paraqitja e Hilë Gjergjit në Arqipeshkvi për t’u regjistrue në kursin e meshtarisë ishte befasuese për të gjithë: për bashkfshatarët, që pyesnin, “po ky, a e di se çfarë do ta gjejë”; për vetë Imzot Çobën, i vetëdijshëm për nivelin e ultë arsimor të djaloshit, por i befasuem për kthjelltësinë dhe vendosmëninë e tij për të marrë rrugën e meshtarisë. Sa fillonte pyetjen Imzot Çoba për ta paralajmrue se çka mund ta priste e nëse ai ishte i përgatitun me i përballue vështirësitë, Hila i ri i përgjigjej pa mbarue: “Po, e di. Edhe Jezusi e dinte se do të shkonte në Kryq. Çka jam unë para Tij?!”

Mbas tre vjetësh përgatitje intensive, ditë e natë mbi libra të shejta, Hilë Gjergji u shugurue meshtar me datë 08/12/1961. Andërra e tij me u ba shërbëtor i fesë së Krishtit e mos me lanë të krishtenët pa bari, ishte ba realitet.

Ata që e njohën nga afër do të kujtojnë se Dom Mikel Beltoja nuk dallohej për ndonjë gja të veçantë: Nuk ishte erudit si paraardhësit e tij; nuk shfaqte ndonjë mprehtësi të jashtëzakonëshme as në shtjellimin e predikimeve; nuk ishte ndonjë orator i shquem si përmendeshin At Anton Harapi, Dom Ndre Zadeja, Dom Kolec Prennushi etj.; por në vendosmëni e përkushtim ai nuk i lëshonte radhë askujt.

Po në fund të fundit edhe ato vite të pakta meshtarie, pse më 1967 u mbyllen Kishat, nuk asht që lanë ndonjë gjurmë të veçantë ndër besimtarë gjatë shërbimit të tij në Dajç të Bregut të Bunës, Shllak e Barbullush.

Kur famëkeqi revolucion kulturor çoi në mbylljen e Kishave, Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë pranë familjes. Kishte fillue arrestimi në masë i atyne pak meshtarëve që ishin ende në shërbim (shumica e të cilëve e kishin provue burgun të paktën edhe një herë ma parë). Dom Mikeli u tërhoq në Beltojë, por nuk u tërhoq për anjë çast nga shërbimet fetare që ia kërkonin besimtarët. Ndërsa meshtarët tjerë, ende “të lirë”, ishin strukë të tmerruem në ndonjë barakë apo pranë ndonjë të afërmi, ai shkonte kudo e thërriste detyra: prej Barbullushit deri në Shllak, atje ku njerëzit kishin nevojë ma shumë të besonin se ky nuk mund të ishte fundi. Ai vinte kunora martese (tinëz, natyrisht), pagëzonte e krezmonte fëmijë, pa pyetë se cilat do të ishin rrjedhojat.

Prifti fshatar, i heshtun, por edhe i ambël, i thjeshtë deri aty, por edhe trim deri aty, nuk desht t’ia dinte si e ndiqte rrjeta e merimangës së zezë, Sigurimit të Shtetit. Kur ndokush e paralajmronte se çka po i përgatiste vetes, ai i përgjegjej buzëgaz: “Mirë, kështu thanka partia? Po ligji? A asht kund e ndalueme me ligj me pagëzue fëmijtë?”

Prangat e zeza, të trashëgueme pa numur qysh kur punët me Jugosllavinë ishin grunë, e “dhurue” me zemërgjansi për duer të shqipatrëve, ranë edhe mbi duert e ndershme të priftit fshatar. Ishte data 19 prill 1973.

Motivi? Agjitacion e propagandë kundër partisë. Ia dëshmuen dhe ai e pranoi se kishte thanë: “Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia (padrejtësia) e njerëzve asht e përkohëshme… Bashkë me bukën e përditëshme duhet t’u jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijëve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.”

Ja, pra, “agjitacioni e propaganda”, për të cilat dënohej deri në 10 vjet burg: “Atdheu forcohet nga virtyti i bijëve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.”

Prokurori kërkoi shtatë vjet burg e poaq i dha edhe trupi gjykues.

Por pikërisht atëherë, në fjalën e tij të fundit, aty në sallën mjerane të Kandit të Kuq (si quheshin atëherë disa godina gjoja për “edukim e argëtim”), para bashkëfshatarëve të tij, Ai, i thjeshti Dom Mikel Beltoja, u ngrit me tanë madhështinë e tij dhe tha: “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”

A mund të parafytyrohet sot si iu hodhën bishat sipër, si ia shpunë trupin me biza, aty në sallë, para trupit gjykues e bashkëfshatarëve, a mund të parafytyroni se si gjaku i të pafajshmit Dom Mikel Beltoja shndriti mbi rrobat e tij e deri mbi dyshemenë e pistë të sallës, ndërsa Ai, kafshonte dhimbjet dhe lutej: “Fali o Zot, vëllaznit e mi, se nuk dinë çka bajnë!”.

Kanë kalue vetëm shumë vjet nga ajo ditë. Janë ende gjallë mjaft ata që u gjenden të pranishëm para atij masakrimi.

Gjykata vetë (jo Prokuroria) iu drejtue Gjykatës së Naltë të ”lejonte” zhvillimin e një gjyqi tjetër “plotësues”. Bashkë me kërkesën e saj, Aranit Çelës i arrinte edhe një relacion i Degës së Punëve të Mbrendëshme të Shkodres nga kryetari i saj Tomas Beqari dhe një shënim nga katili Feqor Shehu, ku kerkohej ndryshimi i denimit “për ta pushkatuar”.

Aranit Çela, që kishte firmosë pushkatimin e sa e sa klerikëve, nuk kishte si të mos e pranonte këte kërkesë.

Nuk vonoi edhe gjyqi i dytë. Me datë 04 shtator 1973 Dom Mikel Beltoja dënohet me vdekje me pushkatim.

Ç’fakte të reja u sollën në gjyq, që të përligjte ndryshimin nga shtatë vjet burg në pushkatim? Asnjë. Nëse “e re” nuk do të konsiderohej fjala e tij e fundit në gjyqin e parë: “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”

E Ai nuk pranoi as të bante ankesë, as kerkese për falje jete dhe as të shprehte pendim. Për çfarë pendim? Po, “jam i penduem se nuk kam mundë ma ba gja nga ajo qe duhej me ba po, jo se kam krye ndonjë vepër”.

Në pritje të “miratimit” të pushkatimit, Dom Mikeli provoi një ndër kalvaret ma ngjethëse në burgun e Degës së Mbrendëshme në Shkodër.

Ato ditë ishte arrestue edhe gjashtëmbëdhjetëvjeçarja shkodrane Laura Keçi, që do të ishte fqinje qelie me Dom Mikelin e që ka shkrue në një letër të Saj këte dëshmi . Ja disa fragmente nga kujtimet e saj:



“Kur isha ende pa u arrestue, kisha ndigjue se një prift i ri predikonte pa frikë për Jezu Krishtin dhe bante shërbime fetare ……………… prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vëndim kundrejt një njeriu të pafajshëm, që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhë njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë.

Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi, ishte: “Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë, do ta pushkatoja pa mëshirë me priftin që sonte…” – dhe, më futën në një birucë aty afër tij.

Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me zingjir në birucën e tij tue pritë vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët, mbasi nga djegëja e saj ndigjohej britma e Priftit, që nuk mund ta kapërdinte. Kur mbyllte gojën, dëgjohej krisma e tasit të aluminit, që rrokullisej nëpër çimento, mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë, ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, e veç kur ndigjohej krisma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta, sa që, betohem, se kam ndigjue me veshët e mi kockat e Don Mikelit tue u thye…

Një ditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne… E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët tonin dhe komandantin që ishte aty me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna, si fëtyra të vdekunish, që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime, që shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçare… mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme, e u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli …… Ai ka fitue mbi ju, edhe pse fizikisht ndoshta Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej, mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dishmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit, përmes dyshepullit të tij Don Mikelit …………

Përgjigja e tyne kje vetëm kjo: “Prandej asht tue ju ndihmue…”

Kur pashë gjunjëzimin e tyne, mora edhe njëherë zemër dhe u thashë: “Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e tij, ju e torturoni dhe Ai lutët për shpirtin tuej ……. Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju, që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?…

Veç një virrëm qeni ndigjova: “Dil jashtë!… Jashtë!…” Aq shumë ishte torollosë, sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrige. Kur u kujtue komandanti, më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht, por e kënaqun … fjeta …

Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i predikuesit të Ungjillit. Dom Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të tij: “Mos torturoni vëllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se, Ai asht aq i mëshirëshëm, sa ka me i falë mëkatet tueja………..

Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet që kanë ba, sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue ……. Tregoni atyne që me krimet që kanë ba, kanë shkretnue familjet shqiptare dhe kanë vorfnue kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos vishni në zi nanat, motrat e gratë shqiptare, që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë………….

Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma, mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne ………………..

………………………..

Kishin kalue disa muej që Ai vuante pandërpremje e bashkë me të edhe unë, që ndigjojsha me veshë dhe shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë, ku vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…por gjithmone zharg…

…………………………

Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë, dhe rrugës i kanë ba një inxheksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

…………………………………..

Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit!

Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet e mija!

Shkodër, 15 shtator 2000 Bashkëvuejtësja e Tij, Laura Keçi d.v.



Dosja e Dom Mikel Beltojës, edhe pse ishim në vitin 1974, asht ndër ma të paplotat. Duket se fashikuj të tanë janë heqë prej saj.

Asgja nuk shënohet për rrethanat e pushkatimit të tij, nuk thuhet cili ishte prokurori që mori pjesë (nëse u pushkatue, apo u shkye gjymtyrësh, apo u vra gjatë rrugës për në Tiranë, ku ua kishin kërkue trupin e tij për studentët e mjeksisë).



Mjeku S. Rr. deklaron: “Na shumicën e herës as e dinim i kujt ishte trupi … Na thonin që ishte i një të pushkatuemi …. E mbaj mend mirë atë trup të gjymtuem para se të na e sillnin ne …. Por nuk e dinim i kujt ishte”.

Ku përfundoi trupi i masakruem i Martirit Dom Mikel Beltoja? Ku?!

Pa varr, si sa e sa Martirë të tjerë. Vetëm pse kishte thanë “Këtu, në bankën e të akuzuemëve duhej të ishte Enver Hoxha, jo unë!”

Pa varr. Por në Pavdeksi.

2015/11/29

Kosova paraqet filmin “Babai” për Çmimet Oskar

babai
http://www.zeriamerikes.com/
Me afrimin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar, Kosova ka paraqitur filmin "Babai" për të konkuruar në kategorinë e filmit në gjuhë të huaj. Ky film dallohet për një trajtim të veçantë nga ana regjizoriale, për identitetin estetik dhe interpretimin e veçantë dhe në mënyrë autentike të aktorëve. 
0:00:00
"Babai" – është filmi i parë i regjizorit dhe skenaristit Visar Morina, që ka qenë mjaft i suksesshëm. Morina është fituesi i Çmimit të Regjizorit më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary të Republikës Çeke disa muaj më parë.
Ky film po ashtu ka fituar tre çmime të tjera në kategorinë e talenteve të reja, në Festivalin e Filmit të Mynihut, për skenarin, regjisorin dhe aktorin më të mirë. Ai është përzgjedhur gjithashtu si konkurues në Festivalin e 28-të të Filmit  Europian, fituesit e të cili shpallen më 7 nëntor.
"Babai," që është filmi më i kushtueshëm i krijuar në Kosovë vitet e fundit, tregon historinë e Norit, të interpretuar nga Val Maloku dhe të babait të tij Gëzimit, nën interpretimin e Astrit Kabashit. Të dy ata janë shitës ambulatorë cigaresh në periudhën e regjimit të Millosheviçit në vitet ’90.
Gëzimi merr vendimin të emigrojë ilegalisht në Gjermani, por ai e le djalin e tij në Kosovë. Me zemër të thyer, Nori vendos të shkojë pas të atit, me çfarëdo lloj mënyre. Ai lidhet me një bandë trafikantësh, për të realizuar udhëtimin e tij drejt Europës Perëndimore.
Të njëjtin mendim ka edhe  aktori Astrit Kabashi.
Tema e filmit është e njohur për aktorin Kabashi, por ai mendon se historia baba-bir që është në qendër të filmit zhvendoset paska nga fokusi fillestar, ndërsa kritikët përqëndrohen më tepër tek elementi i refugjatëve në këtë ngjarje.  
Filmat kandidatë për Çmimet Oskar të Akademisë së 88-të të Filmit, do të njoftohen më 14 janar të vitit 2016 dhe ceremonia do të zhvillohet më 28 shkurt në Los Anxhelos. 
Vitin e kaluar, Kosova paraqiti si kandidat në kategorinë e “filmit më të mirë në gjuhë të huaj” filmin "Tre dritare dhe një varje” të regjizorit Isa Qosja.

Pse Irani nuk mori pjesë në Panairin e Frankfurtit ?

​Irani mund të mos marrë pjesë në Panairin e Frankfurtit sherri i Selman Rushdies

Irani nuk mori pjesë në Panairin e Librit në Frankfurt, për shkak të Salman Rushdies. Paralajmërimin e kishte bërë zëvendësministri për çështje kulturore të Iranit, Seyyed Abbas Salehi

Salman Rushdie, autor i romanit 'Vargjet satanike', mbajti  fjalimin kryesor në ceremoninë e hapjes së edicionit të 67-të të Panairit të Librit në Frankfurt, më 13 tetor 2015. 
Salehi e ka cilësuar vendimin e organizatorëve të Panairit të Librit në Frankfurt si “hap jokulutor” dhe ka shtuar se “fatvaja e lëshuar nga imam Khomeini është një pikëvështrim religjioz për këtë temë dhe asnjëherë nuk do të tërhiqet”. Ai kishte  kërkuar nga organizatorët e panairit që të anulojnë planet e tyre lidhur me fjalimin e Rushdies.
Irani më herët kishte njoftuar se 12 shtëpi botuese dhe katër unione botuesish do ta përfaqësojnë shtetin në Panairin e Librit në Frankfurt.Përveç kësaj, dhjetëra botues të pavarur iranianë ishin caktuar të prezantonin ofertat e tyre më të reja në panairin që është një prej ngjarjeve më të mëdha botërore në industrinë e botimeve.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...