Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/01/03

VOAL :Fjalimi i At Gergj Fishtës në Konfrencën e Paqes më 1919*


fishtaparis

GJERGJ FISHTA NË PARIS  

Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.
Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i Ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.

Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.

Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.

Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë. Por çka se, simbas teorisë wilsonjane (të Presidentit amerikan Willson) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete, përpos kombësisë, duhet të mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar ?

Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrenë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni:

“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Botën mbarë në zi do ta mbështillte. – Të flegruem droje shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, stuhi bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo besa, por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.

Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.

Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë ; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.

Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë :
a) barbarë,
b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun…

Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe evropiane, kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, – e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; – po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme?

Kongresi i Versajës më 1919

Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato garanci që ka pasë kombi shqiptar. Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.

Asht gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte lexohen këto fjalë: Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”… Il prezzo qualcuno accetta del’ucciso figlio o del fratello; e l’uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri vrasjen – fyerjen e parë.)

Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por “JO!” thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej faktoreve të jashtëm, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetë! – se poezia popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.

Përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, – sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë qenë shtet më vete. Por edhe po e zamë se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin bash mbrenda kufijve të vet.

E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?

Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktoreve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue. E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar.

U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj… E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.

E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.

Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.

Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “ Histoire et descriptions de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.” Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.

Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë
a) për nji pamvarësi politike;
b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e pamvarësisë.Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me përgjakje arma e armikut. – Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skutë toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.

Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet.
Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar. “

Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit.

Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qindra e mijëra vëllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.

Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.

Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci – asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”

Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.

Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë që me 24 nandor 1880 thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri ? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit ? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë… Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull !”

Intervista – Doris Pack: Kosova është Shqipëri dhe nuk mund të jetë kurrë Serbi

Anëtarët e ekipit për veprim në Kuvendin e Serbisë për reformimin e sistemit politik, kanë theksuar se definicioni i Kosovës në preambulën e kushtetutës nuk do të hiqet ose ndryshohet kur të bëhen ndryshimet kushtetuese.
pack-doris

Doris Pack, duke folur për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë, thekson se nuk duhet të anashkalohet problemi i përcaktimit kufijve të Serbisë dhe numrit të qytetarëve të saj, gjë që është çështje e patejkalueshme për shtetet që mëtojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

“Të gjithë e dinë se deri në momentin kur Serbia do të hyjë në Bashkimin Evropian, çështja e marrëdhënieve me fqinjët duhet të zgjidhet. Kështu që, jam e bindur që do të nevojitet ndryshimi i sërishëm i Kushtetutës së Serbisë, në qoftë se kjo nuk ndodh tani”, ka thënë ajo.

“Në fakt, ky është moment i mirë për të eliminuar preambulën, por kam përshtypjen se kjo do të ishte e parakohshme, për shkak se politikanët nuk i kanë përgatitur qytetarët. Është përsëritur shumë herë dhe tone të tilla po dëgjohen edhe nga burrështetasit e huaj, se çështja me preambulën, duhet të pastrohet, gjë që nënkupton edhe një ndryshim të Kushtetutës”, ka thënë Pack.

Siç ka thënë ajo, ende nuk ka ardhur momenti i hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, por, sipas saj, çështja e heqjes së preambulës do të aktualizohet përsëri në fund të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe autoritetet serbe do të duhet të ballafaqohen me këtë çështje.

“Në këtë moment, askush nuk do të insistojë në ndryshimin e preambulës, në qoftë se për këtë nuk ekziston gatishmëria. Nuk jam nga ata që sugjeroj që kjo duhet të bëhet menjëherë, por është definitive se kjo duhet bërë kurdo qoftë. Mbetet tek ata që të gjejnë momentin e duhur, sepse kjo është e pashmangshme”, është shprehur ajo.

“Momenti final për pranimin e rezultatit të pashmangshëm është oborri i Bashkimit Evropian, ndërkohë që bisedimet janë në vazhdim e sipër. Në këtë proces, do të kalojë koha dhe në fund do të arrijmë deri te një pikë kur Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Pack.

Ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë një shtet, kufijtë e të cilit nuk janë të përcaktuar në mënyrë precize. “Kjo thjeshtë nuk është e mundur”, ka thënë Pack.

Nënë Tereza shkruan shqip, ja letra që ia dërgon vëllait të saj!

letrashqipv




Është dyshuar shpesh ndër vite, nëse Nënë Tereza dinte apo jo të shkruante në gjuhën shqipe. Gazeta Zëri në Kosovë ka publikuar disa letërkëmbime të sajat, të zbuluara së fundi nga Albert Ramaj nëpër arkiva të ndryshme në Europë. Me këtë letërkëmbim nuk lihet më asnjë dyshim se Nënë Tereza e dinte Gjuhën Shqipe.
Letrat i dërgohen vëllait të saj në vitet ’75-’79.
Përmbatja e letrës së Nënë Terezës:
Vllau jem dhe Maria e dashtun Mbaj uzdaj (shpresë) se je mir dhe qi operacioni asht marue. Motrat dhe une jemi tuj u lut shum per ty. Me shum dashuni vllau i jem t’puthi fort Motra jote TERESA

FOTO NGA GAZETA ZËRI,PRISHTINË

NGA FLORI BRUQI: KUSH ËSHTË MUSTAFA MERLIKA KRUJA(15 mars 1887-27 Dhjetor 1958)

Mustafa Kruja.gif




Mustafa Merlika-Kruja ,lindi në Krujë më 15 mars 1887, i biri i Mehmet Merlikës (Meta i Fajës së Merlikës) dhe Hanke Corkës. Arsimin fillor e mori në shkollën e qytetit, ku mësimet konsistonin n'ushtrimin e leximit t'arabishtes dhe turqishtes. Pas shpërnguljes së familjes së tij për shkaqe gjaku në Durrës, vijon mësimet i çmuar nga mësuesit. Pas shpërthimit të Luftës Turko-Greke, më 1897, i ati dhe i ungji thirren nën armë, familja e tij rikthehet sërish në Krujë, ku djaloshi rifillon nxënjet me mësuesit e tij të parë të fillores, dhe më pas hyn në gjimnazin e ulët (ruzhdije) të qytetit, të cilin e përfundon pas 3 vjetësh. Fryma e lëvizjes kombëtare ndjehej edhe në mjedisin krutan.

Një vend i tillë ishte dhe dyqani i tregtarit Miftar Seseri, ku në kthinat e tij zhvillohej mësimi i gjuhës shqipe dhe këndimi i letërsisë kombëtare. Mustafa, që punonte aty shegert, pati mundësinë të mësonte gjuhën amtare, të lexonte letërsinë e Naimit. Ky dyqan ishte dhe ambienti i parë që ndikoi vetdijen kombëtare shqiptare të Mustafa Merlikës dhe aty ndoshta, mbiu në shpirtin e tij dhe filizi i atdhedashurisë e shtysa për t'u angazhuar në lëvizjen kombëtare. Më 1902 me të mbaruar mejtepin e Mulla Hysenit - i ati, që ishte rreshter i trupave mbrojtëse të Esad pashë Toptanit në Janinë, e thërret të birin për t'u regjistruar me ndihmën e Esad Pashës, në gjymnazin (idadije) e Janinës.

 Aty adoleshenti hasi pengesat e para, dhe kuptoi mangësitë e formimit të tij shkollor të kryer në vendlindje.[Cito burimet] Fillimet e gjimnazit me atë turqishten e mësuar çalë-çalë, ishin tepër të vështira, derisa pas kritikave t'ashpra të profesorit të vet, vendosi ta mësojë me themel. Vitin e tretë të shkollës e mbaron pranë gjimnazit "Nymunei Terakki" në Stamboll.

 Si në Janinë edhe në Stamboll, qoftë në ambientet e shkollës, si me profesorë dhe nxënës shqiptarë, qoftë edhe jashtë saj, ai u aktivizua në rrethin e shqiptarëve të cilët përkrahnin përpjekjet kombëtare, mësimin e gjuhës shqipe dhe shpërndarjen e literaturës në shqip. Pas mbarimit të gjimnazit, duke qenë se ishte shumë i aftë në lëndët ekzakte dhe kishte dalë i pari në matematikë, Mustafai dëshironte të studionte për inxhinieri, por ndikimi dhe këmbëngulja e Esad Pashës për t'u bërë kajmekan duke studiuar në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore "Mülkiye-i-Sehahané" (Fakulteti i Shkencave politike-administrative), prej së cilës dilnin elitat e Perandorisë Osmane, e çuan t'i bindej këtij të fundit, për të cilin kishte respekt si bamirësi i familjes Merlika. Por ai parapëlqente që shkollën ta fitonte me konkurs dhe jo me dekret të posaçëm sulltanor, që do të nënkuptonte ndërhyrjen e pashës tek rreth'i ngushtë i sulltanit.

Kështu bëri, u rendit i 11-ti, në rënditjen totale të 40 fituesve, nga 200 konkurrentë që hynë gjithsej në konkurs. Edhe gjatë viteve të larta në Stamboll, ai nuk rreshti së përpjekuri në rrethin e studentëve shqiptarë, përkrahës kombëtar dhe qe autor i disa shkrimeve e artikujve të botuar nën inicialet A.X. të pseudonimit «Asim Djenan» (Xhenan). Angazhimi i tij politik në lëvizjen e propagandimin e ideve kombëtare shqiptare ndër studentët e Stambollit, i kushtuan edhe përzënien e tij prej xhon-turqve nga shkolla, pas të cilit mendoi t'emigronte në ShBA. Ishte koha kur lëvizja xhonturke kishte përfshi mbarë Turqinë me pretekstin e rivendosjes së Kushtetutës së 1876. Në këtë periudhë Mustafai fillon t'interesohej për politikë duke shkruar artikuj të ndryshëm e duke marrë pjesë në një shoqëri revolucionare. Megjithatë, këmbëngulja e bashkëstudentëve bashkë me disa profesora dhe ndërhyrjet e disa deputetëve shqiptarë, bënë që ai të ripranohej në Mylkije, ku u laureua më 1908;[1] e prej nga do të dalë në vitin 1910: "licencié en sciences politiques et sociales". Më 1909 do të fejohej prej dëshirës të së ëmës me Caje Gunin.

Kur M. bej Frashëri, S. Gjuka, R. bej Mitrovica e B. Pejani shkuan në Tiranë tek A. Toptani, shkojnë të pestë në Durrës tek Dom Nikolla. Thërrasin dhe Mustafën, që atbotë ishte prof. matematike në gjimnazin e qytetit  dhe si mësues i gjuhës turke në një shkollë fillore italiane.

Betoi parinë e Krujës për kryengritje. Bashkëpunon ngushtë me Abdi Beun n'organizimin e çetave dhe kujdeset për letërkëmbimin e tij.

 Për këtë veprimtari e transferojnë në Urfa të Irakut. Por tepër vonë, kishte hy n'emër të Shqipërisë së Mesme e veçan të bejlerëve të Toptanit me u marrë vesh me Prenk Pashën për një kryengritje të përbashkët me Mirditën në pranverën e 1912 në Shkodër.

Në gusht të 1912 gjendet në Shkup me Abdi beun dhe Marka Gjonin për të bashkërenduar lëvizjet e trupave që përfaqësonin me ato kosovare por gjetën çdo gjë të kryer. Shpallja e Pavarësisë e gjen në Vlorë, në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, në cilësinë e delegatit të popullit të Krujës. Me formimin e qeverisë u emërua zëvendës-prefekt në Vlorë e më vonë sekretar i kryesisë së Këshillit të Ministrave. U martua me Caje Gunin dhe pati katër fëmijë Petritin, Fatosin, Bashkimin, Besimin. Shkruan për të Karl Gurakuqi:

"Kishte nji shpírt arsimtari. Natyra e tij e pat shty qyshë në riní me u marrë me arsimin, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim sidomos n'atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të rí, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në prefekturën e Elbasanit".


Detyra të së njëjtës natyrë pati edhe gjatë sundimit të shkurtër të Princit Vid, në vitin 1914, të cilin e mbështeste. Burgoset nga Esat Toptani nga hasmëritë që lindën me tê rreth çështjes së Shkodrës, e nga irritimi i Pashës Toptan që Mustafa Kruja s'ishte dakord t'i shërbejë, më tej e degdis n'internim në Bari.

Mbas lirimit punon si kryeredaktor te "Kuvêndi" deri kur u mbajt Kongresi i Durrësit.


Në 25 dhjetor 1918 Mustafa Kruja ishte delegat i Durrësit në atë Kongres. Me propozim të Luigj Gurakuqit ai shërbeu si sekretar i Kongresit; në qeverinë e re, me kryeministër Turhan pashën, ai u caktua ministër i Post Telegrafës.

Në atë kongres Mustafa Kruja propozoi Shkodrën për kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, propozim që u fut në procesverbal, por kryeqyteti i Shqipërisë u përcaktua trembëdhjetë muaj më vonë, në një kongres tjetër, ku Mustafa Kruja nuk mori pjesë.

Më 1920 gjendet përkrah Imzot Bumçit, Atë Fishtës, L. Gurakuqi e L. Nosit në Konferencën e Paqes në Paris si sekretar i dërgatës, delegacionit të azhornuar nga Kongresi ndërkohë që ai i vjetri me kryeministrin Turhan pashë Përmetin u shfuqizua me rënjen e qeverisë. Më 1920 rrekej t'ia mbushte mendjen Atë Fishtës të hartonin një program partie politike, Ai i kishte thanë,

"... Pse po lodhe, more Mustafë, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet!"


Deputet i pref. së Kosovës dalë nga zgjedhjet e 5 prill 1921, me mandat deri më 30 shtator 1923, që do zëvendësohej nga ish-mësuesi i vet në Janinë Q. Bala[9]. Me përfshirjen ndër trazirat e viteve 1921-22, ikën në (Kragujevaci) Mbretërinë SKS mbasi u përfshì në kryengritjen e marsit 1922 t'organizuar nga Elez Isuf Ndreu e Bajram Curri me emrin "Lidhja e Shenjtë". E shoqja me fëmijët ndejti në Tiranë, ndërsa i ati iu arrestua vetëm sepse ishte i ati - dhe shtëpia në Krujë iu dogj. Gurakuqi bën të mundur nëpërmjet një marrëveshjeje që të kthehet[10]. Anon nga krahu i opozitarëve shkodran kur këta të fundit themeluan grupimin "Ora e Maleve" në pranverë të 1923.


Pas Lëvizjes së Qershorit, emërohet prefekt i Shkodrës, ku merr me vehte dhe biblioteken e tij të madhe me vëllime nga frëngjishtja. Gjatë pranisë së tij si prefekt në Shkodër jep urdhër për djegien e shtëpive të kundërshtarëve politikë të mëparshëm, si shtëpia e M. Jukës. Me ardhjen e Legalitetit në pushtet mërgoi në Itali. Mustafa Kruja e përshkruan kështu grupin në arrati: “Ishim nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fe mundsije me e çue kryet ma përpjetë.”[7] Vendoset në Zara, qytet i njohur për tradita arbëreshe, ku rreth tij, grumbullohen edhe intelektualë të tjerë si Xh. Korça, E. Koliqi, K. Tasi, etj.

Kahu nacionalist i emigrantëve politik i mbledhur në Hotel Exelsior-Gallia të Milanos ishin mbledhë me diskutue ramjen e regjimit të Zogut me ndihmën e Italisë. Por kur përfaqësuesi i qeverisë italiane, G. Giro, i shpjegon pikat e marrëveshjes ku nder to ishin integrimi i simboleve fashiste e të Savoiave në flamurin kombëtar, shkrirjen e dy administratave në një, etj. Për patriotat shqiptarë flet Mustafa:

"Me këto kushte, njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnisë".
Duhet thënë se Mustafai, me intuitën e tij të mprehtë kishte qenë ndër ata të pakta personalitete shqiptare që kishin kuptuar se aleati më i mirë për me rrëzuar Zogun ishte Italia. Në vitin 1927, me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Aleancës ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, Mustafa ishte i vetmi emigrant politik që i telegrafoi Mussolini-t duke vlerësuar ketë marrveshje.

Më 4 gusht 1939 u thirr me 3 personazhe tjera, që me veprimet e tyre ndikuan në këtë "bashkim" dhe në sajë të kësaj merite të nominoheshin si senatorë, Sh. bej Vërlaci, Gjon Marka Gjoni, V. Turtulli. Në prill të 1940-ës me kontributin personal të tij krijohet Instituti i Studimeve Shqiptare (Istituto di Studi Albanesi) i fondacionit "Skanderbeg". Kruja qe jo vetëm themelues por edhe president i këtij Instituti.

Ky institut mëtoi të ndërtohej mbi trashëgiminë morale dhe ideale të Kongresit të Manastirit dhe të përftonte trashëgiminë e nismave kulturore që patën lindur në Shqipërinë e fillimshekullit të njëzetë. Qysh në krye të punës Kruja u paravendoi studiuesve të Institutit problematikat më të rëndësishme që shtroheshin në lëmë të albanologjisë asokohe. Iniciativa e parë e ndërmarrë nga Instituti qe përgatitja e Leksikonit të Madh të Gjuhës Shqipe megjithë vështirësitë e skajme që një ndërmarrje e tillë paraqiste në raport me kohën dhe momentin historik që kalonte vendi. Mustafa Kruja, atëherë Kryetar i Komisionit të Përshpagimeve shqiptare, e quajti ditën më të bukur të jetës së tij kur në prill të 1941 u vendos nga qeveria italiane që trevat shqipfolëse, deri atëherë pjesë e Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene, të pushtuara nga trupat aleate të Rajhut të tretë, do t’i bashkangjiteshin Perandorisë fashiste të Romës, në kuadrin e Shtetit shqiptar të bashkuar me këtë të fundit, qe sendërtimi i ëndrrës tridhjet-vjeçare.

Në një shkresë që Mustafa i dërgonte konsullatës amerikane në Aleksandri, tregon që edhe pse e kishin ftuar me marrë postin e ministrit të punëve të brendshme nuk kishte pranuar. Por kur qarkulluan fjalë se çetat komuniste po lëviznin nën organizmin e dy anëtarëve të Partisë Komuniste Jugosllave atëherë zgjodhi jo pa brerje ndërgjegjeje të merrte detyrën e kryeministrit për të ndalë veprimtarinë komuniste, e cila do rrezikonte vendin nëse lufta do humbej nga Boshti. Arsye tjetër ishte rivendosja e kufijve etnikë të Shqipërisë, Kosovën, Maqedoninë veri-përëndimore dhe Plavën me Gucinë. Sipas një fjalie dëshmohet në letërkëambimin me fratin françeskan Át Paulin Margjokajn, që në letren nr.50 shkruan,

"... Njerzt, qi nuk shofin veçse sa t'u mbërrijë maja e hundës, mâ vonë, edhe ata kanë me justifikue veprimin t'Ând politik... Shqypnija e shkretë në periudhen ndërmjet dy luftave nuk ka pasë tjetër alternativë, posë asaj: Itali-Jugosllavi".

Si pasojë e sulmit gjerman kundër Bashkimit Sovjetik më 1941, komunistët në Shqipërí nisin të lëvrijnë. Qeveria Vërlaci bie në dhjetor të 1941-shit. Mustafa Kruja ngarkohet të formojë qeverinë e re. Min. i Jashtëm italian Ciano, shënon në ditarin e vet që vënja e Krujës në postin e kryeministrit "... i përgjigjet një lëshimi të matejshëm ndaj ekstremistave të nacionalizmit shqiptar". Ndërsa në datën 23 dhjetor, Ciano shkruan që Vërlaci urren Krujën, por s'ka argumenta të fortë kundër tij, kufizohet duke thënë se nuk mund të qeverisë vendin djali i një qehajai. Pak mbasi formon kabinetin kërkon nga autoritetet italiane vrasësin e Luigjit, Baltjon Stamollën që të vazhdonte dënimin në Shqipëri. Pak ditë pas mbërritjes Stamolla vdes në rrethana të paqarta.

"Qyshë të parën herë që Mustafa vjen në Romë si kryeministër, në shkurt të 1942, siç dëshmon Çiano në Ditarin e vet, fillon duke i kërkuar italianëve "ndreqje të vogla të kufijve nga Mali i Zi e rishikimin e flamurit" - ndreqjet e vogla bëhej fjalë për krahinat e Hotit, Grudës, Triepshit, Plavës, Gucisë e Rugovës. "Nuk e duan, - vazhdon Çiano, duke folë për nacionalistët e Tiranës, - shqipen e «burgosur» midis fashiove e nyjeve të Savojës. Çështja është delikate e nuk mund të mos pranohet a priori". Emërimi i Krujës kryeministër, shkruan konti Çiano, bëri bujë "... ndër italianë pse ai është shumë nacionalist, ndër shqiptarë pse rrjedh prej një familje të përvuajtur Me 23 prill 1942 italianët ranë në godi që të hiqnin fashot e Savojës nga flamuri kombëtar. Sipas gjykimit të Carlo Umiltà bashkë me një koleg e mik të tijin cilësohen "ish-diplomat turk dhe nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja..

Një tjetër hierark i fashizmit, Mëkëmbësi i Mbretit F. Jacomoni, në kujtimet e tij, analizon figurën e Krujës dhe vëren: " Nacionalist që nuk lëshonte pê kur bëhej fjalë për interesat e vendit të vet, por që inteligjenca e çelun e kultura e shëndoshë perëndimore e bënin të vlerësohej, idenë konfederale e cila duhet të kryesonte atë që vetvetiu u quante Bashkësia e Romës".

 Në një intervistë të dhënë atij që do bëhej babai i gazetarisë italiane, I. Montanellit, më 21 maj 1942 shpreh qartazi qëndrimin e tij ndaj bashkimit me Romën duke shprehur se vlera absolute për të nuk është shteti por atdheu, që i përfshin: etninë, gjuhën, kulturën materiale e shpirtërore e besimin. Nëpërmjet djalit që ishte me studime për inxh.elektrike në Grenoble të Francës vendos kontakte me P. Markon, të cilin e ndihmonte dhe e grishte të kthehej në Shqipëri me postin e zv/Ministrit të Kulturës.

Pakënaqësi në qarqet fashiste kishte shkaktuar gjithashtu edhe fjalimi i tij i mbajtur më 22 Nëntor 1942 në Teatro Savoia në Romë. Çka shtyu përfundimisht Mustafën me dhënë dorëheqjen përveç tjerrjes në Romë për përmbushjen e kërkesave ishte vrasja e Qazim Koculit, komisar special Vlorë. Një vrasje me natyrë politike e në të njëjtën kohë edhe hakmarrje ndaj drejtuesit luftarak të Luftës së Vlorës.

Në janar të 1943 Mustafa lë qeverinë në duart e Eqrem bej Libohovës. Mbas dhënjes së dorëheqjes i jep gjithë përkrahjen e tij forcave të A. Kupit. Më 12 tetor 1943 i bëhet një atentat në Tiranë, në dalje nga klinika e Xhevdet Asllanit, prej ku del me një plagosje. Vazhdon të merret me çështje gjuhësie dhe tërthorazi u vinte në ndihmë miqve në mal. U largua nga Tirana më 1 shtator 1944, ngaqë djali i vogël, Besimi, ishte sëmurur rëndë dhe mjekët e quanin të domosdoshme praninë e tij për të vendosur mbi operimin e tij. Pas dhjetë ditësh udhëtimi nëpër Shqipëri, Jugosllavi, Hungari dhe Austri, arrita në Vjenë. I biri vdiq më 21 nëntor. Kupi duke marrë vesh se Kruja s'e përballon jetesën në Italí e thërret n'Egjipt, pranë Ahmet Zogut ku shkon më 25 shkurt 1948. Kruja shkruen "... rrethanat më kanë pasë pajtue me Zogun qysh më 1943, kur mu mbush mêndja se populli shqiptar ka nevojë për Tê. Tash po pajtohem edhe për s'afri".

Pjesën tjetër të jetës ishte i detyruar nga regjimi enverist ta kalonte në mërgim në Francë dhe ShBA ku edhe vdes pas një operacioni, në Niagara Falls më 27 Dhjetor 1958. Fjalët e fundit që ka thënë në agoni ishin në gjuhën turke.

Vetëm në dy gjëra Mustafai do të mbesë gjithë jetën i patundur: nuk do të pranojë kurrë asgjë që është kundra interesave të kombit e nuk do të shklasë asnjëherë parimet e tij. P. Z. Valentini ka shkruar që Mustafai, megjithëse i lindur në fe myslimane, ka pasur të vetat shumë vlera shpirtnore të katoliçizmit).

Krahas virtyteve qytetare, ai do të kultivojë gjithë jetën një ndjenjë të fortë përgjegjësie e detyre që ndoshta e ka dëmtuar në marrëdhëniet me të tjerët, por e ka lartësuar personin e tij, sa jeta e tij përkon krejtësisht me idealin që ai ka dëshmuar.

"Tek, Aj, nuk gjêjshin mirëpritje formulat si «Shif e bân!" e «Shkel e shko!». Nuk i pat pervetuem kurrë këta formula. (...) Dikushi, e kritikoi Mustafën, tue thânun se, në Shqipní, programet, nuk janë të zbatueshme; prandej, Aj, duhet t'ishte nji akrobat politik dhe t'i përshtatej gjendjes. Mirëpo, Mustafa, mendonte krejt ndryshe. Aj, thonte se: - «Në kët botë, nuk ká gjâ mâ kollajt se me bâmë idarei maslahat, qi na tash, po i thomi oportunitet. Un, për të dijtë, e dij këtê, por, nuk e bâj; sepse , «Idare-i Maslahat-i», të lêjon me e pranuem e me e vazhduem gjendjen ashtu si ç'âsht, ani pse nuk mbërrijhet në ndonji përmirësim".


Që në rini të tij qe aktiv në shtypin e Stambollit, e më pas në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Shkruan artikuj të shumtë në të përkohshme të ndryshme, si p.sh. në faqet shqip të "Corriere delle Puglie", te "Kuvêndi" i S. Gjikës, te "Mbrojtja Kombëtare" e Dom Mark Vasës, te "Ora e Maleve" e Sh. Gurakuqit.

 Pas mërgimit politik me dështimin e Lëvizjes së Qershorit, nuk reshti së qeni aktiv në gazetat e mërgimit si te "Lirija Kombëtare" e O. Nishanit, te "Ora e Shqipnisë" e Shantojës, por edhe brenda vendit tek "Përpjekja shqiptare" e B. Merxhanit, "Hylli" i françeskanëve e "Leka" e jezuitëve.

Por, mbi të gjitha nuk reshti së punuari asnjë çast për atë që do të ishte vepra monumentale e jetës së tij: "Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe". Vepër e cila përshkruhet në nr. e 11/1952 nga Karl Gurakuqi si një fjalor që Merlika vetë la për shtyp para se të mërgonte përfundimisht. Kishte rreth 30.000 lema e mbi 2.600 fletë të daktilografuara. Në daktiloshkrimin që trashëgojmë ne sot ka afro 260 fletë.


Do të përkthejë "Shqiptart dhe fuqitë e mdha" nga Vladan Gjorgjeviq, 1927. Gjatë kultivimit të pasionit të tij për gjuhësinë punon "Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe", daktiloshkrim që autori ia ka dorëzuar Institutit për Studimet Shqiptare më 1943. Tashmë i humbur, autori ka ripërpunuar gërmat "A" dhe "B" në mërgim pas '45.

Punon veprën "Abetari i të mërguemit" në Aleksandri të Egjiptit, 1952, me qëllim për t'ia shpërnda fëmijëve t'emigrantëve. "Vëzhgime Iliro-Shqiptare", 2004. "Aleksandr'i Madh", postume 2005. "Letërkëmbim (1947-1958), Kruja-Margjokaj", 2006. "Fjalori i Frangut të Bardhë", e botuar po ashtu pas vdekjes më 2007. Kujtimeve të vogjlisë e të rinisë, postume, 2007. "Problema gjuhe", postume, 2011. "Shkrime historike: (nga Egjypt'i vjetër deri tek shpallja e Pamvarsis së Shqipnis)", 2011.

 Me nismën e nipit të vet, Eugjen Merlika, iu botua tërësia e letërkëmbimeve që kishte përgjatë viteve të mërgatës së fundit.



Mustafa Kruja2
Ka qênë nji kohë kur fort pak njihej në botë Populli i ynë. E na vetë përgjithsisht s’e njohim as sod! E errët historija e tij e e koklavitun shumë, e trazueme me atê të popujve tjerë mâ të mëdhaj me të cilët fati e kishte vûmë në të përpjekun e ndën të cilën i ishte dashun t’ulte qafën : kolosi Romak, vala Sllave, duhija Turke. Nj’aty kah mbarimi i Mesjetës shfaqet për pak kohë si nji meteor i shkëlqyeshëm para sŷve të bindun të botës, por prap eklipsohet. E gati harrohet. Pesha e nji vargu të gjatë shekujsh parahistorikë e historikë të kaluem me luftime të pandame vetroje e ka lodhun e rrëgjuem tepër, por s’ka mundun t’a shuej. Âsht gjallë se gjallë. E nj’aty kah fillimi i shekullit të kaluem studjuesit e Oksidentit nisin të merren me tê. Nga gjânat qi ka mbërrîjtun të shpëtojë prej rrenimit të kohës si veçorí të çmueshme të tija, ajo që u bie në sŷ mâ fort dijetarëvet âsht gjuha që flet. Shkênca e gjuhsís krahasore porsa ka lemë. Por rritet e zhvillohet me hapa të shpejta e plot shëndet e gjallsí. Kërkon fusha e lândë studimi e krahasimi.
Qysh në vjetin 1835 J.v.Xylander u muer me shqipen në veprën e tij “Die Sprache der Albanesen”, tue i njohun ksaj origjinën indoevropjane. Vijnë mbas tij dijetarë tjerë, si A. Shleicher e G. Stier (Ist die albanesische Sprache eine indogermanische ? në Allgemeine Monatschrift ( 1854, f. 860 – 872) ; por sidomos Franz Bopp-i që në “Ueber das Albanesische”, (1855), e provon me mâ shumë hollsina e me argumenta mâ të bindshëm karakterin indoevropjan të gjuhës s’onë.
Mirë po mbetej nji problemë e dytë mjaft e rândë e e rândsishme për t’u zgjidhun. Cila ishte veriga që e lidhte shqipen t’onë të soçme me indevropishten mijvjeçare ? Ishte folun për ilirishten, por rrëshqitas e me ndoshta, pa prova. I pari që u mundue me e qarue me nji farë metode këtë lidhní, tue u pështetun mbi emna të përveçëm ilirikë, qe J.G. von Hahn-i në veprën e tij “Albanische Studien”, botuem qysh në 1853. Nji vepër me rândsí themelore për Albanologjín. Por vlera e studimit të Hahn-it shtohet shumë ma tepër ndër sŷt t’anë kur shohim se nji kompetent i madh si Gustav Meyer-i (1850 – 1900), mâ i madhi Albanolog i shekullit të kaluem, vjen e e vërteton plotsisht dhe themelon mbi tê të tânë veprimin e tij për gjuhën shqipe. E çfarë veprimi ! E ç’fat i keq për gjuhën t’onë vdekja e tij aq e pakohshme.
Me gjithë qi gjenealogjija ilirike e shqipes ka pasun e ka edhe sod antarë të bindun ndër gloto – albanologë, shumë tjerë, ndër të cilët meriton të përmêndet veçan Pederseni, e lidhin gjuhën t’onë me thrakishten e jo me ilirishten. Albanologu serb z. Bariq thotë se shqipja âsht nji thrakishte e ilirizueme, e kryealbanologu i soçëm z. Prof. Norbert Jokl e tregon te rrjedhun sa prej njânës aq prej tjetrës, me nji fjalë si nji gjuhë thrako – ilirishte.
Këtyne mêndimeve qi nuk largohen aq shumë prej shoqi-shoqit, duhet t’u shtojmë edhe dy tjera krejt të ndryshme. Njâni âsht i gjuhtarit gjerman August Schleicher, qi e vên shqipen në nji degë indevropjane bashkë me italiken e greqishten e vjetër, të cilat ai i përmbledh ndën emnin “grupi pelazgjik”. Ky mêndim nuk âsht pamë i dênjë prej gjuhtarvet mâ të shquem m’u marrë para sŷsh. Tjetri mêndim âsht krejt origjinal dhe me nji rândsí kryekrejet për shqipen e pra edhe për origjinën e popullit t’onë. Âsht mêndimi i nji glotologu nga mâ të dijshmit e shekullit të kaluem, August Friedrich Pott. Ky thotë se shqipja nuk mund të jetë veçse nji gjuhë iliro – pelazgjike paraindoevropjane.
Pra, mbas mêndimevet të shfaquna prej kompetentavet mâ të mëdhaj qi ka njohun bota deri sod në fushën e gjuhsís, shqipja qênka nji gjuhë iliro – indevropjane (G.Meyer), ase thrako – indevropjane (Pedersen), ase iliro-thrako indevropjane (Jokl), apo iliro-pellazgo-paraindevropjane (Pott), tue e lânë mbë nj’anë “grupin pelazgjik” të Schleicher-it.
*****
KËNDUESI i kujdesshëm qi na ka ndjekun deri këtu e ka kuptue se origjinën e gjuhës na e kemi marrë si origjinë të popullit qi e flet, e nuk do të zêmrohemi aspak në qoftë se ai s’ka pritun qi të na ndjekë deri në fund për me formulue në mênde të vet rezervat qi ndiell ky identifikim aprioristik. Kemi m’u spjegue.
Por mâ parë e mâ dalë më duket se kënduesi profan, qi s’ka mâ pak të drejtë se i dijshmi, e dëshiroj qi mos të ketë as mâ pak kureshtë e lakmí se ky, për me e njohun origjinën e popullit të vet, më duket pra, po thom, se ai ka nevojë të kuptojë mirë se kush janë këta Indevropjanë, këta Thrakë e këta Ilirë qi po i paraqisim si stërgjyshën të largët, fort të largët të Shqiptarvet.
Në dritën e shkêncës qi kemi përmêndun qysh në krye të shkêncës së gjuhsís, tue krahasue gjuhët e foluna prej popujsh të ndryshëm, tue vëzhgue e hetue fjalë e grimza fjalësh e rregulla morfologjike të përbashkëta a të përgjashme në gjuhë të ndryshme, tue studjue zhvillimin historik të këtyne në krahasim të pandamë me shoqja-shoqen, dijetarët e kësaj shkênce kanë mbërrîmë me caktue me sigurí se dikur, në nji kohë parahistorike, disa nga këto gjuhë, qi ndër sŷt e profanit s’kanë kurrfarë gjasimi e lidhnije njâna me tjetrën, s’kanë qênë veçse nji gjuhë e vetme e folun prej nji populli të vetëm. Në këtë mënyrë âsht gjetun se të tâna gjuhët qi njihen sod në faqe të dheut, të gjalla apo të vdekuna,
d.m.th
. qi fliten edhe sod a që janë folë dikur e sod nuk njihen veçse prej shkrimesh a emnash të përveçëm të mbetun, të tâna këto gjuhë të botës janë dega të dame prej disa trungjesh të vjetra, janë bija, mbesa e stërmbesa të disa gjuhve-nâna qi kanë vdekun mâ para, e prandej ato gjuhë qi kanë lemë prej nji gjuhe-nânë, qi janë damë prej nji trungu të vetëm, ato quhen gjuhna-motra, ase në nji kuptim mâ të gjânë, gjuhna-gjiní. Nji nga këto trungje të vjetra, nga këto gjuhna qi po i thërrasim nâna, âsht indevropishtja. Shkaku qi thirret kështu âsht se prej saj kanë lemë gjuhët qi janë folë e fliten qysh prej Indísë e gati në të gjithë Evropën. Në kontinentin t’onë vetëm dý gjuhë rrjedhin prej nji trungu tjetër qi s’ka të bâjë me indevropjanishten : finishtja, qi përfshin finlandishten dhe estonishten edhe hungarishtja. Këto rrjedhin prej trungut uralo-altaik, madje jo prej trungut, por prej grupit uralo – altajik, mbasi me gjithë qi gjuhët e përmbledhuna ndën kët’emën paraqesin përgjasime të mëdhá ndërmjet sosh, dijetarët s’janë edhe të sigurtë qi vijnë prej nji trungu të vetëm. Natyrisht s’kanë të bâjnë me indevropjanishten as gjuhët e atyne allogjenve të shpërdamë andej e këndej në mes të popujve t’Evropës, si për shêmbull Çifutnit (semitikë) ose Turqit, uralo-altajikë edhe këta. Mâ në fund duhet të përjashtojmë nga trungu indevropjan edhe gjuhën e Baskvet, të cilët janë pa dyshim nji popull fort i vjetër n’Evropë, nji popull autokton i gadishullit iberik, ndoshta i vetmi popull paraindevropjan qi ka teprue n’Evropë.
Të gjitha gjuhët e tjera t’Evropës, pra, e bashkë me këto edhe ato t’Indís, t’Iranit e armenishtja, janë dega, gema e bisqe të trungut indevropjan. Me fjalë tjera, para disa mijë vjeç ka qênë nji popull qi flitte këtë gjuhë, indevropjanishten. Ky popull quhej Arja ose Arjan. Nuk dihet me sigurí ku banonte ky popull. Mêndimet e dijetarvet ndryshojnë shumë mbi këtë pikë. Gjasa mâ e madhja âsht për Evropën lindore a nj’atje ndërmjet Uralesh e detit Kaspjan, n’Azín perëndimore. Prej këtij populli janë shkëputun fise mbas fisesh shekuj mbas shekujsh dhe kanë mbsŷmë në drejtime të ndryshme, do për Evropë e tjerë për Azí, tue u ndalun me vjet, dhetvjeta a qindvjeta ndër krahina të ndryshme deri qi kanë zânë vênd diku për gjithmonë. Shkaqet e këtyne shpërngulje popujsh hŷjnë në kompetencën e Sociologjís me i tfillue. Për studimin t’onë këtu do të mjaftojë m’u dijtun se të gjithë popujt e Evropës, veç atyne pak përjashtimeve qi u shënuen, dhe popujt e kontinentevet të tjerë të shpërngulun prej Evrope në kohna historike, si edhe nji pjesë e madhe Azjatikësh, kanë për origjinë atë popull të moçëm parahistorik qi quhej Arjan e gjuhën e të cilit dijetarët e kanë quejtun indoevropjane. Këta Arjanë, tue u shpërdamë e hallakatun anembanë, tue u damë e larguem fise-fise nëpër treva të ndryshme, tue u kapërthyem e përpjekun edhe me popuj tjerë nëpër viset e shkeluna prej sish, brez mbas brezi e shekull mbas shekulli, âsht e dijtun se nuk mund t’i shpëtonin zhvillimit të natyrshëm qi solli ndryshime të mëdhá në gjuhë, zakone e kulturë të tyne. Kështu prej nji populli të vetëm lindën e u formuen nji shumicë popujsh indevropjanë, të cilët u danë edhe këta mâ vonë ndër dega të ndryshme a u ndryshuen vetë tue formue popuj të tjerë mâ të rij, ata qi rrojnë sod.
Kur vallë filluen Arjanët të shpërngulen nga atdheu i tyne origjinar ? As ksaj pyetjeje s’ka mundun kush deri sot t’i përgjigjet më nji mënyrë të preme, mâ se asaj tjetrës qi i përket vêndit. Por me nji numër rrumbullak e me shumë gjasë kjo shpërngulje ka nisun nja pesëmijë vjet parandej. Tue lânë mbë nj’anë popujt tjerë indoevropjanë t’Evropës e aq mâ fort ata t’Azís, këtu do të merremi në mënyrë të posaçme vetëm me ata që erdhën e zûnë vênd në gadishullin ballkanik rreth kësaj treve.
Para se të fillojshin me i a beftun në gadishullin t’onë fiset arjane, ndoshta aty kah gjysma e mijvjetit të tretë para Krishtit, ky vênd ishte i banuem prej popujsh autoktonë, qi kishin nji qytetnim neolitik. Por këtu duhet të shënojmë, për profanin, se fjala qytetnim s’ka atë kuptim qi i epet sod, veç don me thânë nji mënyrë jete kolektive. Kishin nji qytetnim neolitik, pra, don me thânë qi për nevojat e tyne përdorshin vegla të punueme prej guri, se metali ishte ende i panjohun për ta.
Ç’ishin këta popuj pararjanë të Ballkanit ? Si quheshin ? Auktorët e vjeter grekë e shumë tjerë nga të rijtë i kanë quejtun Pelazgj, sidomos ata të Ballkanit jugor. Por do kritikë janë kundër këtij emni, tue thânë se Pelazgjit s’kanë qênë veçse nji fis helen i Thesalís, qi mâ vonë ka ndërrue emën e âsht quejtun Thesal, e prej emnit të tij ka lemë edhe ai i krahinës. Bukur. Për tezën qi jemi tue zhvillue në këtë studim emnat kanë, si gjithmonë e gjithkund, nji rândsí krejt relative. Rândsín kryesore e ka jo emni, por gjâja vetë qi bár emnin. E këtu popujt qi banojshin në sinisín ballkanike para Indoevropianësh. E pra, për me largue ç’do keqkuptim, ata popuj na po i thërresim këtu paraindevropjanë ase pararjanë.
Popujt arjanë qi kanë ardh’e mbushun gadishullin ballkanik në kohna të lashta parahistorike, tue u varë prej Veriu kah Juga e tue ndërrue karakterin etnik e qytetnimin e Pararjanvet me të vetin kanë qênë Helenët (Grekët e hershëm), Thrakët, Maqedonët dhe Ilirët (Illyrët). Nuk mund t’i dijmë me siguri epokat e shkeljes së tyne në Ballkan. Por mund të gjindemi fare afër së vërtetës tue pranue për Helenët si datë mâ të vonë shekullin XXI para Krishtit. Fill mbas sish i a mbërrîjnë Thrakët e njâni mbas tjetrit Maqedonët e Ilirët, aty kah shekujt XVI e XV para Krishtit As ky vargim s’âsht krejt i sigurtë. Mâ e shumta e dijetarëve vênë në krye të këtij vargu Helenët, por nuk mungon edhe ndonji qi vên si prîsa Ilirët.
Këta popuj, përgjithsisht e sidomos për kohnat parahistorike, nuk duhet t’i mêndojmë të përmbledhun secilin në nji organizëm politike kombtare mbas kuptimit qi kemi na sod për nji Shtet me kufîj të caktuem. As nuk âsht vêndi këtu qi të flasim për institutat politiko – shoqnore të cilit do prej sish. Me gjithë këtê nji idè afrore mbi trevat qi kishin zânë ata në Ballkan âsht mirë t’a ketë kënduesi për qëllimin e këtij artikulli.
Helenët qysh në fillim kishin zânë vênd mû në Jugë, atje ku shohim sod fqîjt t’onë Grekët, bijt e tyne, e ku fati i njerzís i kishte çue për t’i dhânë botës dritë e jetë shpirtnore me atë gjení të frymzueme prej hyjve t’Olimpit, si nji diell të shkëlqyeshëm e t’amshueshëm.
Thrakët kishin zânë gjitha anën lindore ndërmjet Egjeut, Marmarás, Detit të Zi, Danubit, Moravës e Strumës.
Maqedonët piqeshin në Jugë me Helenët, me Egjeun nëpër gatishullin e Halqidikës, në Lindje me Thrakët, në Perëndim mbërrîishin në nji vijë vertikale qi shkonte prej Pindit deri përmbi liqênin e Prespës, dhe në Verí në nji vijë horizontore qi shkon nëpër qytetin e Shkupit e piqet në Lindje me Thrakët e në Perëndim me Ilirët.
Ilirët, mâ në fund, kishin në dorë të gjithë pjesën perëndimore të gatishullit ballkanik, qysh prej gjînit të Nartës (Arta, motit Ambrakija) e deri në Verí t’Adrijatikut, dhe të tânë anën verijore përmbi Maqedonín. Në Verí-Lindje piqeshin me Thrakët.
E përsrisim qi këta kufîj nuk duhen marrë si të përpiktë, si t’ishin kufîj Shtetesh të ksokohshme, por fare afrisht.
*****
Tashti e dijmë se kush ishin Indevropjanët e vjetër e kush janë përgjithsisht popujt qi kanë dalë prej atij trungu. Njohim edhe kartën e moçme të Ballkanit me popujt qi banojshin në tê. Mund t’a kapim pra përsrí e tash me nji mënyrë mâ të kthielltë e mâ të bindshme se përpara bisedën e origjinës s’onë.
Në katër pika i kishim përmbledhun mendimet e dijetarvet të gjuhsís mbi burimin e shqipes e pra edhe mbi origjinën e popullit shqiptar : 1) Origjinë iliro-indevropjane ; 2) Or. Thrako-indevropjane ; 3) Or. Iliro-thrako-indev. E 4) Or. Iliro-pelazgjike (iliro-paraindev.).
Nji glotolog fort i squet e i dijshëm i ditvet t’ona, Z. Carlo Tagliavini, profesor i gjuhsís shqipe n’Universitetin e Padovës, shkruen në “Enciclopedia Italiana” (II, 124) se origjina ilirjane ase thrake e shqipes ka nji rândsí të veçantë nga pikpamja e autoktonís së popullit shqiptar. Sepse në qoftë se shqipja lidhet me indevropjanishten nëpër ilirishten, s’ka dyshim atëherë se populli shqiptar âsht autokton n’atdhén e tij, mbasi motit ky vênd ka qênë i banuem prej Ilirësh ; por në qoftë se shqipja nuk rezulton nji gjuhë ilirike por thrake, atbotë shqiptarët janë dynd’e ardhun në Shqipní nga Thraka. Auktori nuk shkon mâ gjatë e prandej nuk dijmë se në ç’epokë do t’a vênte Z. e tij këtë ndërrim vêndi të shqiptarvet nga Thraka n’Ilirí po të provohej se shqipja rrjedh nga thrakishtja. Por mbas mêndimit t’onë nji shpërngulje e tillë nuk mund të kish ndodhun veçse në nji kohë shumë të lashtë. Se ndryshe nuk mund të spjegohej nji influencë aq’e madhe e ilirishtes mbi thrakishten e shqiptarvet sa m’u quejtun nji thrakishte e ilirizueme apo nji gjuhë thrako-ilirishte, siç e pohojnë Bariqi, Jokli e Tagliavini, posë tjervet.
Sidoqi të jetë, edhe autoktoníja, si shumë gjâna tjera të ksaj bote, âsht relative. Po t’a marrim autoktonín në kuptimin absolut, duhet të quejmë autokton vetëm nji popull qi, mbas teorís poligjeniste, të parët e tij origjinarë të jenë krijue në vênd ! E atëherë asnji nga popujt indevropjanë, për me folun vetëm për këta, nuk do të quhesh dot autokton në krahasim me popujt e mâparshëm të Ballkanit të cilve kanë ardhë e u zânë vêndin. E në qoftë se popujt pararjanë të Ballkanit, si edhe ata t’Evropës mbarë, qi janë zhdukun tue u shkrimë etnikisht me Arjanët qi u ranë mbi shpinë, në qoftë se ata nuk hŷjnë mâ në numër dhe do të quhen këta autoktonë, të këtillë janë atbotë në Ballkan Grekët, bijt e Helenvet, e të këtillë edhe Shqiptarët, bijt e Thrako-Ilirvet. Kurse, në krahasim me këta, Sllavët janë ardhacakë, pse kanë zdrypun në këto vise jo mâ pak se nja dymijë vjet mâ vonë. Po qe se do t’i quejshim Shqiptarët ardhacakë ndër viset ilirike, tue i njohun si Thrakë, cilët do t’ishin atëherë autoktonët e këtyne viseve sod ? Sepse po e përsrisim, fjalët ardhacak e autokton s’kanë kuptim veçse për dy popuj qi rrojnë në nji vênd ase përbrí shoshoqit, nga të cilët i pari të ketë ardhun e pushtue vêndin a nji pjesë të vêndit të të dytit tue e shtŷmë e shtrënguem këtê në nji qark banimi mâ të ngushtë. Qoftë pra edhe tue pranue tezën e Gustav Weigandit – qi për ne âsht nji hipotezë absurde – qi Shqiptarët të kenë ndrrue vênd nga Thraka n’Ilirí në Mesjetë, b.f. nën shtrëngimin e valës sllave, prap se prap përfundimi logjik qi do të nxiret âsht po nji : qi Shqiptarët janë autoktonë dhe Sllavët ardhacakë. Ase këto dý fjalë s’kanë asnji kuptim !
Mâ së fundi, themeli thrako-ilir i shqipes besojmë se mund të spjegohet fare mirë me kontaktet e drejta e të zhdrejta t’atyne dy popujve të moçëm pa qênë nevoja qi nji fis Thrakësh të jetë shkëputun prej trevës së vet për me ardh’ e m’u futun në tokën ilire.
Të vijmë tashti te origjina pelazgjike (pararjane) e gjuhës e e popullit t’onë. A âsht vallë me të vërtetë për t’u hjedhun poshtë pa tjetër ky mêndim i Pott-it ? Ky dijetar i madh ka qênë plot 54 vjet (1833 – 1877) profesor i glotologjís n’Universitetin e Halle-s (Gjermaní). Poliglot me nji dituní të gjânë tejet, ka qênë i specjalizuem në studime etnografike me anën e gjuhsís. Ka lânë grumbull të madh veprash me rândsí. Tezën e tij mbi gjuhën shqipe s’e ka hjedhun përpara si nji hipotezë të thatë intuitive, por e ka zhvillue me argumenta gjuhsorë dhe ka qëndrue në tê deri në fund. E quen shqipen nji “tepricë paraindevropjane iliro-pelazgjike” (Carlo Tagliavini, Enciclopedia Italiana II, 123/2). Ç’duhet të kuptojmë nga këto fjalë ? E para qi auktori gjerman quen pelazgj popujt paraindevropjanë të Ballkanit a të nji pjese të Ballkanit ; dhe e dyta, qi Shqiptarët, për tê, janë Pelazgj t’ilirizuem. Ç’thonë kundërshtarët e tij ? Thonë se s’ka pikë dyshimi mbi karakterin indevropjan të gjuhës shqipe. Fare mirë. Por a nuk mund të jetë nji paraindevropjane e indoevropjanizueme ? S’ka asnji arsye, na duket neve, qi të na ndalojë me pranue për shqipen, pranë hipotezës së nji thrakishtje t’ilirizueme edhe atê të nji paraindevropishtje t’ilirizueme a të thrako-ilirizueme.
Le të ndëgjojmë tashti edhe nji dijetar italjan, Z.in Piero Sticotti, Drejtorin e muzeut të qytetit të Trieshtës :
“Ilirishtja njihet përgjithsisht si nji dialekt indoevropjan. Mbas mêndimit të disave, populli ilir qi flitte këtë gjuhë, të cilën duhet me e rendue ndër ato të tipit satem mbasi të këtillë e karakterizojnë përgjasít toponomastike, po ky popull ilir po u diktueka në Verí deri në viset balltike e në Jugë deri në Kretë (Gjirit). Në Greqí e në Kretë ai na qênka parahelenik : tash vonë, tue u mundue me decifrue do shkrime vorresh parahelenike, kanë gjetun fjalë qi spjegohen me gjuhën shqipe. Ky fakt na bân me mêndue se, edhe tue mos qênë ndoshta të parët e Shqiptarvet krejt të njâjtë me banorët parahelenikë, ata mund të kenë pasun lidhní fort të ngushta me këta, lidhní qi duken të vërtetueme edhe prej legjendavet beotike mbi heroin ilir”. (Enciclopedia Italiana, XVIII, 833/1).
N’i besofshim pikë për pikë këtij versioni, Shqiptarët na dalin Indevropjanë Ilirë parahelenë. E në këtë rasë Ilirët duhet të kenë zdrypun në Ballkan para Helenvet. Për ndryshe edhe këtu gjêjmë nji vërtetim të tezës së Pott-it.
Nga sa u shkrue deri këtu kuptohet qartë pra se Shqiptarët janë ase nji popull pelazgo-pararjan, banues në Ballkan qysh prej kohës neolitike nja pesmijvjeçare dhe i arjanizuem prej Thrako-Ilirvet ; ase drejt për drejt nji popull thrako-ilir, banues në Ballkan prej nji kohe nja 3500 vjeçare.
*****
E kemi titullue kët’artikull “Origjina e Popullit shqiptar”, edhe gjithkund po këtë fjalën popull kemi përdorun kur na âsht dashun të përmêndim grumbuj të përbâmë prej njerzish qi kanë nji origjinë të përbashkët. Âsht nevoja të merremi vesht mirë me kënduesin mbi kuptimin e ksaj fjale. Siç dihet, populli ka pikë së pari kuptimin e banorvet të gjithë bashkë : të banorvet të nji katundi, të nji qyteti, të nji krahine a të nji Shteti. Këtu, me këtë kuptim, të vetmet lidhní ndërmjet njerëzvet (individëvet) qi përbâjnë popullin, janë banimi i përbashkët në nji vênd e marredhânat shoqnore qi rrjedhin si pasoja të faktit të këtij banimi. Ky pra âsht nji kuptim thjesht shoqnuer. Populli këtu âsht sinonim me neologjizmën popullsí. E me gjithë qi jemi përpara nji emni përmbledhës, kur e flasim a e shkruejmë, e ndëgjojmë apo e këndojmë, në mênden t’onë çfaqen fare kthielltë individët qi formojnë bashkarín, na dalin para sŷvet të mêndes nji nga nji si pjesë të dame. Krahasonie fjalën popull , në këtë kuptim, me fjalën komb. Kjo e fundit nuk na sjell aspak ndër mênd persona të veçanta, por nji gjithsí krejt të pandame e të pandashme, m’u nj’ashtu sikur s’na bie ndër mênd kurrë për atomet e nji trupi fizik kur kemi të bâjmë me nji të këtillë.
Besojmë se kënduesi i ynë e ka marrë vesht hollë qi ky kuptim s’ka vênd në këtë studim.
Nji tjetër vështrim i popullit âsht turma, bota, gjindja, gërdhja : kur thomi, po zâmë, shumë popull âsht mbledhun. Kuptohet vetiu se as me këtë vështrim s’kemi punë këtu.
Të tjera vështrime të popullit qi s’na interesojnë në kët artikull janë edhe këto : shtetasit e sunduem, kur thomi, b.f. popull e qeverí, popull e parlament. E mandej kur e përdorim për vogjlí, në kundërshtim me klasat e nalta të shoqnís. Mâ në fund, populli ka edhe nji kuptim politiko-juridik, si element kryesuer ndër ata tre qi përbâjnë bazat e nji Shteti : popull, tokë e qeverí. Por ky vështrim nuk duhet ngatrrue me atê të parin qi spjeguem si gjithsí të banorvet të nji Shteti. Atje kuptimi âsht thjesht shoqnuer, demokratik e gjeografik, kurse këtu âsht vetëm politik e juridik, filozofik e shkêncuer. Atje kemi para sŷsh banorët e Shtetit të gjithë bashkë e njikohsisht edhe veç e veç, si t’ishim tue i numrue e regjistrue këtu popullin gangull, të pandamë e të papjestueshëm. E si të këtillë duhet të kemi kujdes qi mos t’a ngatrrojmë as me kombin, me gjithë qi këtë trazim gati s’ka shkrimtar qi s’e bân pa vumë ré. Nuk âsht pun’e madhe, mbasi as ai qi e flet e e shkruen as ai qi e ndigjon e e lexon nuk i ep dum gabimit, në qoftë madje se s’jam un vetë i gabuem qi quej gabim nji përdorim gati të përgjithshëm në sheshin e politikës, due me thânë përjashta shkencës. Me gjithë këtê, mbasi këtu bâjmë shkêncë e jo politikë, qe ndryshimi midis dy skanjevet : e par’e punës si element juridik nuk thuhet kurrë se “Shtet pa komb s’ka, por “Shtet pa popull s’ka”. Dhe e dyta kur thomi populli, kuptojmë nji lândë të papunueme, t’aftë me marrë çdo formë, nji brumë të pagatuem ; por kur thomi kombi kemi ndër mênd nji aparat kolosal të gjallë, nji makinë të ngrehun e në punim e sipër, nji organizatë me të tânë organët e saj në vênd. Këtu kombi âsht sinonim me Shtetin, gati si nji metaforë e Shtetit.
As ky s’âsht kuptimi qi ka populli n’artikullin t’onë. Na e kemi përdorun këtë fjalë me vështrimin etnologjik. Âsht gjithsia e atyne njerëzve qi zakonisht flasin nji gjuhë të përbashkët, të trashigueme brez mbas brezi qysh prej nji kohe qi mund t’arrijmë na me dijen t’onë me i gjetun fillesën. Shqiptarët flasin shqip. Shqipja âsht faza e ré e ilirishtes apo e thrakishtes. Pra Shqiptarët qênkan nji tepricë e Ilirvet dhe Thrakvet, nji tepricë qi ka mundun t’a ruej qysh atëherë themelin e asaj gjuhe të lashtë, kurse Ilirët dhe Thrakët e tjerë e kanë humbun, në vênd të saj kanë nxânë nji gjuhë tjetër, janë bâmë nji si ai, janë shkrimë me tê, pushtues e të pushtuemt janë bâmë të tânë nji brumë.
Edhe thrakishtja e ilirishtja janë faza mâ të vjetra se shqipja të nji gjuhe mâ të moçme qi flitte nji popull i quejtun Arja e qi sod, ajo gjuhë, thirret indevropjane. Pra shqipja rridhka prej ksaj gjuhe e populli shqiptar prej Arjanvet të hershëm. E s’ka pikë dyshimi se edhe indevropishtja vetë âsht nji tjetër fazë mâ e moçme se thrako-ilirishtja e nji gjuhe shumë mâ të lashtë. Veçse shkênca s’ka mundun sod për sod me shkue mâ përtej, dhe për këtë arsye na jemi të shtrënguem të qëndrojmë atje e të thomi se origjina mâ e vjetra e shqipes âsht indevropishtja, origjina e shqiptarvet janë Arjanët.
Mirë po ndokush nga dijetarët don të thotë se në shqipet të soçme ka disa elementa qi nuk mund të spjegohen kurrsesi me indevropishten e se, krejt për kundra, do shkrime vorresh parahelenike vetëm shqipja mund t’i spjegojë. E po, atbotë, në qoftë puna vërtetë ashtu, shqipja paska nji themel mâ të vjetër në Ballkan se indevropishtja, e në këtë rasë shqiptarët qênkan nji popull par-arjan në këtë trevë.
Populli, me këtë kuptim, s’ka kufîj gjeografikë e aqë mâ pak kufîj politikë. Përfshin të gjithë ata qi kanë nji gjuhë të përbashkët. Kështu kur thomi pra, me këtë vështrim, “Populli shqiptar” – kështu, me P të madhe do t’ishte mirë t’a shkruejshim – kemi ndër mênd jo vetëm Shqiptarët e Shqipnís, por edhe të tânë të tjerët qi rrojnë përjashta saj : në Jugosllaví, në Greqí, n’Italí, në vênde tjera t’Evropës, n’Amerikë a në tjetër kontinent, qofshin vêndas apo të mërguem. Mb’anë tjetër as allogjenët as alloglotët e Shqipnís nuk bâjnë pjesë në Popullin shqiptar me këtë kuptim.
Por vallë a s’ka populli tjetër veçorí, në vështrimin etnologjik, posë gjuhës qi flet ? Jo po, ka ! Ka doket e zakonet, kulturën e traditat dhe nji tog shfaqjesh të tjera shpirtnore të trashigueme. Por sipër të gjithave e në themel të të gjithave rrin gjuha si elementi mâ dallues se të tânë, si edhe mâ i qëndrueshmi. Për individët mâ fort se gjuha kanë qëndrim trashigimet e tjera psiqike, por për popujt, për bashkarít kombtare shum’a pak të gjâna âsht e vërtetë e kundërta. Posë ksaj fenomenet psikologjike janë aq të pleksuna, aq të ndërlikueme, qi âsht punë tepër e vështirë me i analizue me nji farë sigurije për të caktuem nji vijë, disi të shqueme, ndërmjet psikologjisë së nji populli e të nji tjetri. Prandej i vetmi element i sigurtë e praktik a së paku elementi kryesuer për caktimin e individualitetit të nji populli sod e gjatë shekujve të kaluem deri në origjinën e tij, âsht gjuha.
*****
Me këtë kuptim qi e kemi përdorun këtu, vallë a s’kishte mundun fjala popull me i a lëshue vêndin kombit ase racës (farës, fisit) ?
Të flasim mâ parë për këtë të fundit. Raca a fara ka për njerín, para çdo gjâje tjetër, nji kuptim fizik, morfologjik. I dán njerzit me ça sheh sŷni në trupin e tij : rac’e bardhë, e zezë, e verdhë, simbas ngjyrës së lëkurës. Racë brakyqefale (kokshkurtën) a dolikoqefale (kokgjatë), simbas trajtës së krês. E kështu mandej varg e vistër të gjitha veçorit e tjera trupore qi dallojnë farët e njerzís. S’ka asnji dyshim qi popujt n’origjinën e tyne kanë qênë shque prej shoqi-shoqit si me veçorít trupore ashtu edhe me ato të shpirtit. Mirë po sa mâ fort qi të jenë largue nga origjina në kohë e me vênd, aqë mâ tepër janë përzie e kapërthye me popuj të dalun prej tjetër rrânje, e atbotë aqë mâ shumë âsht ndryshue edhe trajta e tyne fizike. Në mënyrë qi âsht e pamundun të ndiqet nji popull, nga pikpamja raciale, nëpër fazat e ndryshme ku âsht përshkrue e me mbërrîjtun kso dore n’origjinën e tij. Për shêmbull Shqiptarë e Sllavë rendohen sot në nji racë të vetme, të pagzueme dinarike (nga Alpet Dinarike). Âsht fara thrako-ilire qi ka bâmë për vete edhe Sllavët ? Mirë po qe se popujt arjanë të soçëm, qi pra, mbas provës së pakundrështueme të gjuhvet kanë dalë të tânë prej nji trungu, dahen në shumë raca të ndryshme. Janë bâmë e po bâhen pa prâjtun tentativa shkêncore për të mbërrîjtun në nji dallim të sigurtë racash nëpër analizën mikroskopike të gjakut. Por rezultatet qi janë shtimë në dorë, deri tash, janë fare pak të kënaqshme për qëllimin e fundit.
Për me tregue se sa pak të sigurta e të përpikta janë veçorít e caktueme prej Antropologvet për secilën farë njerzore, po shënojmë këtu poshtë se ç’thonë ata për tipin dinarik, qi na përfshin edhe né : shtati i gjatë shumë ; rrasht’i krêsë tepër i naltë, si nji pirg, rrafshatak e me nji rreth fort pak mâ të gjatë se të gjânë (pra brakyqefal) ; hunda mâ e madhja e të tânë njerzís, tepër e naltë dhe me majë të kthyeme si grep ; fytyra e hollë e e gjatë ; veshët të gjatë ; sŷt mesatarë ; buzët të holla ; flokët pa rrudha e të murrët !
Sa për qind vallë janë ata (këndo : Ballkanas, veç Grekvet të cilët rendohen në racën mesdhetare a mediterrane) qi mund të bâjnë bé se shohin bash vetveten në nji pasqyrë të këtillë ?
Antropologjia, qi âsht shkênca e studimit të tipavet njerzorë, ka për të mundun ndoshta nji ditë me na bindun mâ fort me rezultatet e saj mbi karakterizimin e klasifikimin e farve të ndryshme, mbi origjinën e tyne dhe sidomos mbi lidhjet e tipit racial me psikën e njeriut. Se po, njeriu i mjerë, i xhveshun prej aktivitetit psiqik, jet nji gjâ verevërte fare pak tërhjekse e pa ndonji ndryshim nga kafsha përgjithsisht ! E sadoqi tepër zhurmë âsht bâmë deri sod e sidomos në këto kohët e fundit rreth eprís (superioritetit) së ndonji race përmbi tjerat, e drejta âsht qi provat shkêncore mungojnë gati kryekëput në këtë fushë. E pa këto prova fjala fjalën s’e mund kurrë. Antropologjia psikologjike âsht ende embrionale.
Tashti besojmë të jetë kuptue fare qartë se pse nuk mund të flitet për origjinën e nji race shqiptare. Origjina e racës shqiptare âsht ajo e racës së gjithë popujvet arjanë a indoevropjanë, tue qênë se të gjithë këta n’origjinë kanë qênë po nji popull e nji racë. Por sod asnji popull i qytetnuem nuk paraqet veçorí të nji race të veçantë, siç paraqet veçori kombtare të veçanta.
E tash na ka mbetun me u marrë vesht edhe mbi kombin. Në kuptimin etnologjik qi i kemi dhânë na këtu popullit, ky njisohet me kombin në të tâna veçorít e tija. Edhe vetë fjala greqishte ethnos don me thânë komb përgjithsisht e popull në kuptimin qi i kemi dhânë ksaj fjale këtu. E prandej, mbasi të jemi marrë vesht kso dore se ku e kemi qëllimin, mund t’a kthejmë fare mirë titullin t’onë “Origjina e Kombit shqiptar”. Veçse duhet dijtun qi kombi, edhe në kuptimin etnologjik si n’atë tjetrin politik qi kemi spjegue mâ nalt, tregon nji shoqní t’organizueme me instituta shoqnore në nji shkallë etike mjaft të naltë, pjestarët e së cilës i ndîejnë thellsisht lidhjet morale qi kanë ndërmjet shoqi-shoqit. Sod populli i ynë ka mbërrîjtun në këtë shkallë. Por mbasi këtu kemi pasun para sŷsh nji popull shqiptar të konsideruem qysh prej origjinës së tij e nëpër fazat e ndryshme të jetës së kalueme deri në këtë ditë, fjala popull, qi ka nji kuptim mâ të gjânë se kombi, na përshtatej mâ mirë.
*****
QËLLIMI praktik i këtij shkrimi âsht me bâmë të njohun shqiptarit veten e vet si pjestar të nji kombi. A, mâ mirë me thânë, nji pjesë të vogël të vetvetes, atê qi i përket origjinës. Kemi pasun para sŷsh, si lexues, mâ fort intelektualin mesatar, e me këtê spjegohet edhe stili i përdorun e disa përsritje në kambëngulje. “Gnothi seaftón” (njih vetveten) qi na kanë lânë orakujt e Olympit apo t’urtët e Helenve të mrekullueshëm vlén sa për individët aq edhe për kombet, e ndoshta mâ shumë për këto se për ato, sod sidomos qi âsht bâmë modë me i ramë mohit kombsís për dashuni…. të njerzís !
*Shpend BARDHI
Marrë nga “PËRPJEKJA SHQIPTARE” Tiranë, maj 1938(Ky artikull eshte nxjerre nga Libri i fundit i Mustafa Krujes “Gjysme shekulli me pende ne dore”.)


Literatura:

"Vëzhgime Iliro-Shqiptare" Përpilue prej: Dr.Ludwig von Thalloczy

Paraqitje
Parathânë
Kap. I Shqipnija në të kalueme, Dr. Konstantin Jireçek-ut: ''Albanien in der Vergangenhei'', 63-93
Shënime të Përkthyesit mbi kapitullin e I
Kap. II Historija parake e ilirvet në qarkun e Bosnes; Dr. Ludwig v. Thallóczy: ''Die Urgeschichte des Illyrertums auf dem Gebiete Bosniens'', 3-38
Kap. III Kruja e qarku i saj bërthâmë e Shqipnís mesjetore; Dr. Ludwig v. Thallóczy und Dr. Konstantin Jireèek: ''Zwei Urkunden aus Nordalbanien'', 125-151
Kap. IV Pozita e e kaluemja e qytetit të Durrsit në Shqipní; Dr. Konstantin Jireçek: ''Die Lage und Vergangenheit der Stadt Durazzo in Albanien'', 152-167
Kap. V Shkodra e krahina e saj në Mesjetë; Dr. Konstantin Jireçek: ''Skutari und sein Gebiet im Mittelalter'', 94-124
Kap. VI Vlora në Mesjetë; Dr. Konstantin Jireçek: ''Valona im Mittelalter'', 168-187
Kap. VII Shqipnía mesjetore; Dr. Milan v. Sufflay: ''Das mittelalterliche Albanien'', 282-287
Kap. VIII Kufijt e Shqipnís në Mesjetë; Dr. Milan v. Sufflay: ''Die Grenzen Albaniens im Mittelalter'', 288-293
Kap. IX Gjêndja Kishtare e Shqipnís paratyrke; Dr. Milan v. Sufflay: ''Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien'', 188-281
Kap. X Kontribute së mbrêndshme të Shqipnís në QV. XIX; Theodor Ippen: ''Beiträge zur inneren Geschichte Albaniens im XIX Jahrhundert'', 342-385
Kap. XI Djaspora shqiptare; Dr. Ludwig v. Thallòczy: ''Die albanische Diaspora'', 299-341
Fjalorth neologjizmash, fjalësh e ligjiresash të rralla të përdoruna në këtë vepër (përkthyesi Mustafa Kruja)
Diftues i emnavet e veçorë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...