2016-02-20

Shkruan: Rexhep QOSJA PSIKOLOGJIA E MEDIOKRITETEVE





Fjala mediokritet vjen prej fjalës latine mediocritas, me të cilën Plauti, Ciceroni, Lukreci, Vergjili, Seneka, Ta­citi, Juvenali, Ovidi, Marciali dhe shkrimtarët, oratorët dhe filosofët e tjerë të Romës i kishin pagëzuar njerëzit me aftësi, mundësi, prirje, të bëra dhe, sigurisht, vlera mesa-tare. Me të ata i etiketonin të gjithë bashkëvendësit e vet që s'kishin prirje të radhiteshin në krye të rreshtit, por as nuk pajtoheshin të gjendeshin diku në fundin e tij; romakët e mëdhenj i kishin pagëzuar me këtë shprehje, pra, indi­vidët mesatarë, që e ndjenin veten të sigurtë ndërmjet të parëve dhe të fundmëve, duke ju shmangur ashtu peripe­tive, nëpër të cilat mund të kalojnë të parët dhe nënqesh­jeve, të cilave mund t'ju nënshtrohen të fundit.
Të gjitha shprehjet dhe termat, prandaj edhe shprehja mediokritet, që herat më të shpeshta krijohen prej specia­listëve, për të shënuar përmbajtjen e një dukurie që në një shoqëri të caktuar shfaqet në një moment të caktuar histo­rik, kanë fatin dhe historinë e vet. Ato shfaqen, përhapen, pasurohen me nuanca të reja kuptimesh apo çlirohen prej disa nuancash që kishin në zanafillen e tyre; në qoftë se shuhet dukuria që e kishin shënuar, vdesin edhe vetë një ditë. Shprehja mediokritet nuk ka vdekur për shkak se as dukuria e shënuar me anën e saj nuk është shuar dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të shuhet derisa të ekzistojë gjinia njerëzore. Përkundrazi, mediokritetet e kanë vazhduar më me suksese jetën mesatare intelektuale dhe morale, kurse etiketa e tyre ka kaluar në shumicën e gjuhëve të tjera, që janë simotra të gjuhës latine dhe, sikundër e tregon sot për­mbajtja e saj, është zgjeruar mjaft semantikisht. Me këtë shprehje ne sot nënkuptojmë diçka më tepër se ç'kanë nën­kuptuar filosofët, oratorët dhe shkrimtarët romakë; shpreh­ja mediokritet, përpos kuptimit të saj burimor, është pasu­ruar edhe me kuptime të reja, të cilat ja ka dhuruar jeta e saj e gjatë. Për këtë arësye çdo përpjekje që përmbajtja e kësaj shprehje t'i nënshtrohet ndonjë definicioni do ta ngush­tonte kuptimin e saj, duke i leçitur ashtu lexuesit mundësie që të krijojnë një përfytyrim sadokudo të plotë, të tërë­sishëm, mbi mediokritetet.
Në qoftë se mund të pohohet se shprehja mediokritet e ka filluar jetën e saj mesatare që në shkrimet e krijuesve të mëdhenj romakë e, ndoshta edhe në shknmet e paraar­dhësve të tyre shpirtërorë-krijuesve të Greqisë antike, dhe është përhapur, pastaj, edhe në shumë gjuhë të tjera, është e padyshimtë se edhe vetë mediokritetet e kanë vazhduar marshin e prirjeve, aftësive, e vlerave mesatare nëpër me­ridiane dhe vende të ndryshme. Konstatimi, ndërkaq, doe-mos nënëkupton pohimin se mediokritete ka pasur, gjith­monë dhe gjithkund, në çdo mjedis, në çdo shtresë sociale, në çdo shoqëri, në çdo sistem, në vendet e zhvilluara dhe të prapambetura, në vendet e lira dhe të robëruara, kurse numri i tyre ka ardhur duke u shtuar gjithnjë e më shumë jo vetëm pse është shtuar numri i popullatës në botë, por edhe pse janë shtuar fushat dhe format e veprimtarisë nëpër të cilat njeriu, si krijesë psikologjike dhe sociale, manifes­ton vetëveten, prirjet dhe aftësitë e tij të vogla, të mëdha apo mesatare si edhe karakterin e tij të plotë apo gjysmak, pozitiv apo negativ. Mediokritetet, pra, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në shoqëritë diktatoriale dhe demokratike, to­talitare dhe anarko-liberale, feudale dhe kapitaliste, borgjeze dhe socialiste. Kështu, fjala vjen, mund të thuhet se medio kritete ka pasur nën sundimin e Qesarit dhe në ditët e pakta të Republikës së Brutit, nën sundimin e Sulltan Hamidit dhe në kohën e Ataturkut, nën sundimin e Ekaterinës dhe në vitet e Revolucionit të Tetorit.
Dhe, ashtu sikundër ka pasur dhe ka në të gjitha hapë­sirat dhe në të gjitha sistemet shoqërore, po ashtu, medio­kritete ka pasur dhe ka edhe në të gjitha fushat e krijimta­risë dhe të aktivitetit të njeriut: në krijimtarinë artistike dhe krijimtarinë shkencore, në jetën kulturore dhe në jetën poli­tike, në jetën arësimore dhe në komunikimin e përditshëm ndërmjet njerëzve. Mediokritetet janë aq të përhapur saqë mund të thuhet se nuk ka fushë të realizimit të njeriut, si subjek shoqëror, ku nuk shfaqen mediokritetet ashtu si nuk ka fushë të gjelbër, ku nuk shfaqen kërminjtë pas shiut.
Posaçërisht shumë mediokritete mund të ketë në krijim­tarinë letrare dhe mediokritetet e krijimtarisë letrare mund të jenë të interesimeve, profileve, facetave dhe etikave të ndryshme natyrisht, të interesimeve, profileve, facetave dhe etikave të ndryshme mesatare. Numri i mediokriteteve në letërsitë e vogla kombëtare është, veçmas, i madh, megji­thëse opinioni lexues mendon se pikërisht në letërsinë dhe kulturën e tyre nuk ka mediokritete. Disa prej mediokri­teteve të këtyre letërsive e imitojnë me ngulmë letërsinë popullore ose, tekembramja, e shfrytëzojnë thesarin popu­llor me qëllim që të tërheqin interesimin e opinionit — kur shkruajnë vjersha dhe proza, apo të shikuesve — kur shkru­ajnë drama dhe skenarë filmi. Mediokritetet e këtij intere­simi pohojnë se në atë mënyrë duan të jenë autoktonë, por, meqenëse janë përgjysmë të aftë, bëhen epigonë të letërsisë popullore dhe zhyten në folklorizëm dhe në primitivizëm. Disa prej mediokriteteve të tjera të këtyre letërsive i imi­tojnë shkrimtarët e huaj dhe i imitojnë, kryesisht dhe për­fundimisht, ata shkrimtarë të huaj avangardistë, që me shkri­met e tyre kanë zgjuar interesim të madh në qarqet e huaja letrare, por janë shndërruar në idhuj në qarqet periferike evropiane të letërsisë. Duke i imituar idhujt e periferisë medi­okritetet e periferisë me të drejtë shpresojnë se me shkrimet e tyre do ta befasojnë lexuesin e mjedisit të vet. Mediokri­tetet e këtilla, zakonisht, i imitojnë format kompozicionale, teknikën e shprehjes, simbolet, metaforat, veçmas alegoritë, pikëpamjet, disponimet, sëmundjet nervore, apatitë dhe, përgjithësisht, inovacionet e shkrimtarëve të huaj. Medio­kritetet, shpesh, përmbajtjen autoktone, të biberosur me biberin e thesarit popullor, e veshin në rrobet letrare të shkrimtarëve të huaj, që do të thotë se personazheve autok­tonë ju presin rrobe allafranga. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse shumica e personazheve të mediokriteteve, edhe kur kanë emra nacionalë, veprojnë, mendojnë, së­muren, çmenden dhe vdesin në mënyrën e huaj apo në am­biente, në të cilat më së shpeshti vdesin përsonazhet e disa shkrimtarëve bashkëkohorë të huaj. Po t'i hynte punës jomirënjohëse të krahasimit, çdo studjues i kujdesshëm do të shihte se sa simboli, alegoria, metafora, se sa format e disponimit, se sa atmosfera, se sa karakteri i personazhit të shkrimeve të shkrimtarëve të huaj janë shartuar artifi­cialisht në shkrimet e disa shkrimtarëve të këtyre letërsive periferike. Të gjithë shkrimtarët, madje edhe ata me prirje më të madhe, janë të shtrënguar të pranojnë, apo të japin, ndikime, por ndryshimi ndërmjet tyre dhe mediokriteteve qëndron aty se shkrimtarët që mendojnë me kokën e vet i asimilojnë, i përvetësojnë ndikimet, kurse mediokritetet ju nënshtrohen plotësisht, bëhen robër të tyre; ndryshimi ndërmjet të parëve dhe të dytëve qëndron aty se të parët krijojnë vepra artistike autektone me disponim të papër­tëritur, kurse mediokritetet, duke i shkoqur format e huaja prej kontekstit natyror, artistik, krijojnë kiç-literaturë, që në periferinë evropiane shpesh pranohet si literaturë „e vërtetë". Mediokritetet e letërsisë në të vërtetë janë epigonë. Çdo gjë të huaj, çdo inovacion, që është inovacion vetëm brenda kontekstit ku është përdorur, ata e pranojnë, pra, pa kurrfarë rezerve për shkak se janë të qëruar prirjesh dhe vetëdije kritike që t'ja nënshtrojnë gjykimit dhe vlerë­simit të vet kritik. Përse mediokritetet e letërsisë zbresin në nivelin e epigonëve? Sipas të gjitha gjasave, ata vuajnë prej kompleksit të inferioritetit, që ua imponon vetëdija e aftësisë mesatare dhe, në përpjekje e sipër që ta sublimojnë kompleksin, ju nënshtrohen imitimeve të autoriteteve të huaja letrare, të cilave, në çdo rast, në çdo situatë u gjunjë­zohen, ua puthin duart, ua heqin kapelat, ua mbajnë palltot, ua lustrojnë këpucët, ua brushojnë rrobet. Megjithëse shkrimet e mediokriteteve, zakonisht, përfundojnë në shportën e estetikës dhe s'mund të gëzojnë kurrë dashurinë dhe respektin e lexuesve, historianët e letërsisë interesohen për to jo për shkak të vlerës që mund të kenë po për shkak se përmes tyre mund t'i shohin dhe studjojnë më lehtë ndikimet e asimiluara që çdo letërsi kombëtare pranon prej letërsive të popujve të tjerë e, sidomos, prej letërsive të mëdha.
Mediokritete mund të ketë, gjithashtu, shumë edhe në fushën e krijimtarisë shkencore dhe të gjitha ato që mund të thuhen për mediokritetet e krijimtarisë letrare, me disa modifikime, pakashumë vlejnë edhe për këta të dytët. Mediokritetet e krijimtarisë shkencore ju binden pa resiz­tencë autoriteteve të huaja shkencore dhe pohimet apo mo­himet e tyre, pa ja nënshtruar gjykimit kritik, i përcjellin edhe në fushën e shkencës nacionale. Kështu, për shembëll, mediokritetet e kritikës dhe të shkencës letrare do të po­hojnë se çdo pohim i marksistit sovjetik, i strukturalistit francez, i formalistit rus, i fenomenologut gjerman, i lin­guistit amerikan, i stilistikut italian, i sociologut hungarez janë fjala e fundit, e modës dhe shkencës, që duhet të jetë çelësi më universal, me të cilin do t'i çelin dyert e botës akoma modeste të letërsisë nacionale, të cilat kallauzat e huaj, po u përdoren pa kurrfarë përpunimi, më parë i thejnë se ç'i çelin. Në qoftë se mediokritetet e krijimtarisë shken­core kanë pasur fatin e jashtëzakonshëm të gjenden nëpër katedra, atëherë do të kënaqen t'ua transmetojnë dëgjuesve pohimet e huaja shkencore, duke mos u lodhur t'i studjojnë vetë çështjet, që sypozohet se duhet t'i studjojnë. Ata bëhen vetëm përcjellës, transmetues të rezultateve hulumtuese të të tjerëve në vend se të jenë vetë krijues, hulumtues.
Mediokritete mund të ketë posaçërisht shumë edhe në jetën politiko-shoqërore dhe, sikundër e dëshmon për­voja jetësore, këto mediokritete, me cilësitë e tyre, e kom­pletojnë akoma më shumë portretin e mediokritetit në përgjithësi. Disa prej mediokriteteve të jetës politiko-shoqë-rore janë modiokritete vetëvetiu, pse kanë lindur dhe janë formuar si mediokritete, domethënë janë gjysmakë sua sponte, kurse disa të tjerë janë mediokritete përdhunë, të detyruar prej ndonjë fuqie më të lartë qoftë kierarkike, qoftë intelektuale, domethënë janë medioktetete sub poena. Mund të flitet, prandaj, për dy tipe mediokritetesh në jetën politiko-shoqërore: për mediokritetet vullnetare dhe për mediokritetet e dhunuara. Çfarë tipesh ka më shumë? Është vështirë t'i jepet përgjegjja kësaj pyetje për arësyen e thjeshtë se: e para, mediokritetet, shpesh, nuk e dinë dhe nuk e pranojnë se janë mediokritete dhe, e dyta, pse askush nuk del në rrugë të thotë jam apo më kanë bërë mediokritet, gjysmak. Mediokritetet politike vullnetare nuk mendojnë politikisht me kokën e vet ose pse e kanë mesatarisht të vogël dhe në të s'mund t'ju lindin farë ideshë apo mendimesh origjinale ose pse, si edhe gjithë mediokritetet e të gjitha meridianeve dhe të gjitha fushave të aktivitetit të njeriut, kanë qejf të mendojë dikush tjetër për ta. Mediokritetet vull­netare e ndjejnë veten fare mirë në pozitën e mediokritetit: ashtu kanë më tepër gjasa të përparojnë, duke u përbiruar nëpër rrjeshtin e kokave origjinale. Njeriu mund të krijojë karierë politike në dy mënyra: ose me aftësi dhe vendosmëri të rrallë — kur ka prirje të posaçme organizative, kur ka intuitë politike dhe e ndjen pulsin e masës, kur ka vesh të hollë që të dëgjojë zërin shpesh të heshtur të historisë, kur, pra, me talent politik shquhet në mjedisin e vet; ose me pol­tronizëm dhe gjysmaki — kur nuk i ka prirjet e të parit, por ka gatshmërinë që të flasë me gojën e tij. Mediokritetet vullnetare politike herat më të shpeshta janë rezervat e arta të kuadrit, me të cilat plotësohen birat e ndryshme, me rëndësi mesatare ose minore, në jetën politiko-shoqërore. Megjithëse këto mediokritete janë të gjykuara të luajnë role sekundare në shoqëri, duke qëndruar pjesën më të madhe të kohës në odajashtën politike, gjatë historisë ka ngjarë që mediokritetet të gjenden edhe në pozitat, në të cilat janë vendosur fatet e popujve dhe është krijuar historia botërore. Mediokritetet politike të dhunuara, ndërkaq, ndryshojnë prej mediokriteteve vullnetare pse janë më pak stabilë se ata. Në mungesë të forcës morale dhe të vendosmërisë ata përkulen edhe atëherë kur, rastësisht, mund të kenë edhe vetë të drejtë. Të përkulur njëherë, ata shtrëngohen, mandej, ta kalojnë jetën në atë pozitë, por duke pritur rastin më të mirë që të drejtohen dhe t'i hudhin prej qafet urdhëruesit e vet. Mediokritetet e këtilla gjithmonë janë si bombat, që mund të eksplodojnë posa të gjenden në kushte të volitshme që të aktivozohet fitili i tyre. Këso medioritetesh ka më së shumti në pushtetet diktatoriale, tek kërrusen edhe ata persona, që s'do të kërruseshin në kushtet e jetës demokra­tike dhe ku servilizmi, poltronizmi dhe demagogjia janë parakushtet e përparimit. Sistemet ortodokse, në të cilat parimet janë dogma, prodhojnë shumë mediokritete, ashtu siç prodhojnë anarkistë sistemet, në të cilat parimet janë vetëm deklarata.
Mediokritete ka mjaft edhe në jetën e përditshme shoqë­rore, në komunikimin e përditshëm ndërmjet njerëzve. Mediokriteti mund të jetë mediokritet jo vetëm si shkrimtar, piktor, kompozitor, kritik, historian, politikan, nëpunës, por edhe si qytetar, si mik. Disponimi dhe temperatura e ndjenjës së miqësisë së mediokritetit, zakonisht, ngriten apo fashiten varësisht prej mendimeve të të tjerëve. Në qoftë se dikush ja prozhmon apo kritikon personin e ndjenjës së tij atëherë mediokriteti do t'i largohet; në qoftë se miku pëson politikisht, mediokriteti do të ikë prej tij si prej murtajës; në qoftë se dikush ja lavdëron, ja mbron atëherë mediok­riteti do t'i qaset, natyrisht, i gatshëm t'i largohet rishtazi posa t'ja ndryshojnë disponimin e, në qoftë se përparon në kierarkinë shoqërore, mediokriteti do të kujdeset t'i hyjë nen sqetulla, Kështu, në fushën e komunikimit të përdit­shëm qytetar, mediokritetet ose tërhiqen si çakajt e frikë­suar ose sulen si demat e arenave të Spanjës. Le të thuhet, në fund, se mediokriteti është mediokritet edhe në mënyrën e veshjes — duke i imituar të tjerët; në mënyrën e qeshjes — duke u zgërdhirë si ndonjë artist filmi, në mënyrën e sjelljes — duke imituar ndonjë gjeni të çmendur të metro­polave evropiane; në mënyrën e shprehjes gojore — duke përdorë fraza të importuara, e të tjera e të tjera të ngjashme. Në vallen e pandërprerë të jetës njerëzore, mediokritetet e periferisë sillen ashtu gjithmonë rreth idhujve të huaj.
Sikundër mund të shihet prej këtyre shembëllave, që në asnjë mënyrë nuk e shterrin psikologjinë dhe mentali­tetin e mediokriteteve, mund të konkludohet se të gjitha mediokritetet i karakterizon mungesa e origjinalitetit, në radhë të parë në fushën e mendimit e të sjelljes. Psikolo­gjia e mediokritetit përmban doza të mjafta të një infanti­lizmi specifik dhe ky infantilizëm dëshmohet me gatishmë­rinë e mediokriteteve, që t'ju nënshtrohen formave dhe kallupeve të huajtura të mendimit dhe veprimit.
Si individ me aftësi, prirje dhe vlerë mesatare, medio­kriteti është gjysmak në të gjitha pikëpamjet intelektuale, kulturore dhe morale, por gjysmak që në asnjë rast nuk mund të dyshojë në mundësitë dhe vlerën e vet. Përse? Për shkak se aftësia mesatare nuk i lejon të shohë përtej mundësive të veta mesatare. Megjithëse ndonjëherë është skepticizëm dekurajues, dyshimi kur është i frymëzuar prej aspiratash pozitive dhe moralisht të larta është një kualitet, që i kontribuon përparimit. Dyshimi në të vërtetë është nëna e mençurisë. Është afër menç se njeriu që s'është i kënaqur me punën e vet dhe vlerën e saj, do të përpiqet për kualitete më të larta; është afër menç se njeriu, që ka aftësi të dyshojë, jo vetëm për të dyshuar, në pohimet e autori­teteve, por pse sheh më larg, do të mundë të sjellë ide, men-dime, pohime origjinale. Dyshimi i njeriut të prirur nuk ka asgjë të përbashkët me dyshimin e Thomajt të shenjtë, i cili nuk besonte në fjalët e njëmbëdhjetë apostujve të tjerë që thonin se e kishin parë Jezuin, prandaj donte ta shihte vetë dhe t'i fuste gishtërinjtë në plagët e tij. Ky është dyshim intelektual i njerëzve me prirje dhe aftësi të rrallë, që dy­shojnë në mënyrë krijuese. Ky dyshim s'ka të bëjë me skep­ticizimin. Përmes këtij dyshimi krijues është zhvilluar mendimi dhe është pasuruar kultura njerëzore. Dyshimi i individëve me prirje, vlerë dhe aftësi të jashtëzakonshme ka sjellë revidimin, plotësimin apo ndryshimin e teorive, gjendjeve, situatave dhe të sistemeve shoqërore gjatë his­torisë. Në saje të dyshimit të Kopernikut, sistemin geocen­trik të Ptolomejt e ka zëvendësuar sistemi heliocentrik; në saje të dyshimit të Bolait, Gausit dhe Rimanit, elementet e Euklidit janë zëvendësuar prej elementesh joeuklidike; në saje të dyshimit të Marksit, Engelsit dhe Leninit në drej­tësinë e shoqërisë borgjeze është krijuar doktrina e shoqc­risë socialiste dhe komuniste.
Njeriu që nuk vuan kurrë prej dyshimit krijues, na­tyrisht, do të vuajë prej vetëbesimit të verbër, që është poaq destruktiv sa edhe dyshimi skeptik. Mediokritetet i besojnë vetes aq shumë sa nuk mund të dyshojnë kurrë. S'është çudë, prandaj, pse një lloj i posaçëm i mediokriteteve janë llafazanë dhe mburravecë të paturp. Moralisti francez, Zhan de la Brier, thotë bukur se „Cilësi e mediokritetit është dërdëllisja e pandërprerë". Mediokritetit të këtillë i duket e përsosur puna e vet dhe do t'i duket e pavlershme puna e tjetrit. Ky mediokritet të përkujton borizanin e mitur, i cili nga do të shkojë dhe kudo të hyjë, pavarësisht prej durimit të njerëzve, do t'i bjerë instrumentit të tij. Goja e mediokritetit është gjithnjë e plotë për shkak se mendja e tij është e zbrazët. Prej radhëve të këtyre medio­kriteteve, zakonisht, rekrutohen ambasadorët e të keqes në një mjedis kulturor. Dhe, në qoftë se këto mediokritete mund të jenë ndonjëherë origjinalë dhe të mendojnë me kokë të vet, atëherë janë origjinalë vetëm me xhelozinë ndaj njerëzve të aftë dhe të prirur, në njerën dhe me fu­shatat kundër tyre, në anën tjetër. Nuk është çudë, prandaj pse mediokritetet e infektuara prej xhelozisë më së shpeshti bëhen spiunë, tradhëtarë, kolaboracionistë, kriminelë — në kohë të luftës dhe poltronë lakej, lajkatarë, bishtëlëmues, duarfërkues, abuzues, çnderues, kuazipatriotë, matriotë, kokëborokegojëtroke, truthatëgojëplotë, shpirtashtagojë­trokashka, kokëthatëkëmbëgjatë, shpirtkazma, zemërde­rra, këmbëmajtëecdjathtë, kobashë, lalashë, merrmos­dhënës, dorëgjatëxhepthellë, e të tjerë — në kohë të paqes. Biografitë e mediokriteteve të kësaj fare, që, mjerisht, shkruhen vetëm rrallë, do ta dëshmonin pohimin e shkrim­tarit të madh, Gëte, të cilin aq shumë e kanë përcjellë këto hijena gjatë jetës: „Budallenjt dhe njerëzit e mençëm janë njësoj të parrezikshëm. Të rrezikshëm janë njerëzit gjysmë të marrë dhe gjysmë të mençëm".
Në qoftë se mund të jenë të rrezikshëm në veçanti, mediokritetet në përgjithësi mund të jenë më tepër të dëm­shëm se të dobishëm. Në çdo shoqëri dhe në çdo mjedis ka njerëz që, kryesisht, vetëm dëgjojnë dhe disa shoqërive dhe disa sistemeve ju duhen shumë njerëzit e tillë, të cilët i reprodukojnë vetëvetiu. Një shoqërie, që ardhmërinë e vet e bazon në forcat dhe iniciativat kreative të njeriut, mediokritetet nuk mund t'i kontribuojnë. Ata bëhen të dëmshëm pse krijojnë amulli, inercion, pasivitet. Të zhytur në terrin e gjumit, të komoditetit individual dhe të vetë­kënaqësisë, ata krijojnë gjendje të përgjumshme kudo gjen­den. Mediokritetet e pasivizojnë mjedisin, në të cilin je­tojnë dhe punojnë për shkak se nuk mund ta freskojnë me ide, mendime, iniciativa, gjeste, frymëzime, aksione, propozime të reja dhe origjinale. Deshtën apo s'deshtën, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, ata shndërrohën në armiq të lëvizjes dhe të dialektikës së jetës. Duke mos qenë as njerëz të meditacionit, as njerëz të aksionit, ata bëhen pa­razitë të shoqërisë, të cilën kujdesen ta mjelin sa më mirë dhe sa më gjatë. Kur shtohen mediokritetet, zakonisht, fillojnë kompromiset, në plan të parë dalin interesat e ngushta, banale, vdesin idealet e larta njerëzore dhe jeta shoqërore bëhet si një brrakë e madhe në të cilën i kënaqin qejfet e tyre këto krijesa sociale me aq shumë kërkesa e e aq pak fluturime shpirti. Në qoftë se nuk janë vetë të manipuluar prej llojeve të ndryshme të demagogëve të shkathtë, atëherë mediokritetet bëhen vetë manipulues të interesave shoqërore. Një shoqërie që e mendon të nesër­men e popullit i duhen njerëz të aftë të mendojnë me kokë të vet, njerëz që sjellin ide të reja, që i frymëzojnë dhe vejnë në veprim të tjerët, që nxisin aksione. Të tillët edhe i kontri­buojnë më së shumti përparimit të shoqërisë. Për një po-pull gjithsesi është më mirë që të ketë më tepër njerëz krea­tivë në të gjitha fushat e aktivitetit: shkencor, artistik, eko­nomik, politik, qoftë edhe të shqetësuar, se sa të ketë me­diokritete të rehatshëm, llafazanë, mburravecë, e të tjerë. Njerëzit e tillë, kreativë në fushën e aktivitetit së cilës ju kanë kushtuar, i duhen veçmas një populli dhe një mjedisi, siç është yni, për arësye se vetëm me njerëz të tillë krijohen shembëlla pozitive dhe mobilizohen forcat që të tejkalohet mbrapambeturia e trashëguar dhe të zihet hapi me popujt dhe mjediset e tjerë, që kanë pasur një fat më të mirë his­torik.
Mediokritetet, si edhe demagogët dhe snobët, janë një materie interesante për shkrimtarët e, posaçërisht, për prozatorët. Do të dëshiroja që ndonjëri prej prozatorëve tanë të mirret me trajtimin e psikologjisë dhe mentalitetit të mediokriteteve, por, do të dëshiroja që tipin e medio­kritetit tonë ta krijojë ndonjë prozator, që s'është edhe vetë mediokritet. Përse? Për arësye se mediokriteti i pendës ose do të imitonte ndonjë shkrimtar të huaj, ose s'do të mundë të depërtonte në thellësitë e shpirtit të mediokri­tetit, kurse unë jam i interesuar të shoh si duket në jetën e artit mediokriteti i jetës sonë shoqërore. E siguroj shkrim­tarin që, eventualisht, do t'i hynte kësaj pune jomirënjo­hëse se prototipe mediokritetesh do të gjejë mjaft: le të dalë në trotuare — kur është koha e mirë, le të hyjë nëpër disa kafene — kur është koha e keqe dhe e mirë, le të shkojë nëpër disa tubime, le të lexojë disa shkrime në shtyp dhe, ja, mjaft frymëzime të hidhura për ngushëllime letrare.

Pjesë nga libri „Panteoni i rralluar“

Nga Flori Bruqi : Në kthinat e hetuesisë në burgjet serbe,vdisnin patriotët

Skeda:RexhaNuhiu.jpg






Rexhep Mala

Zemra e cila këndonte në zë edhe në brendinë e saj nuk mundi kush me ia ndalur dëshirën për të kënduar...Edhe në qeli kur isha, rrëfente Rexhep Mala "nuk kishte ditë që nuk këndoja edhe pse ishte rreptësisht e ndaluar, posa ndëgjonin zërin gardianët e burgut , vinin dhe më ndërprisnin por nuk mungonin as ndëshkimet nga gjakpirësit e ndytë, ata posa u largonin unë sërish filloja me zë të ultë e dalëngadalë më buronte një energji dhe e ngrisja zërin aq lartë , kujt’ i këndoja vall..?, popullit tim, heronjëve , dëshmorëve të rënë për Liri, qëndresës heroike të vëllezërve e motrave të mia shqiptarë".

Skeda:Rexha.jpg


Rexhep Mala
, atdhetar, simbol i qëndresës kombtare shqiptare, hero i kombit nga Hogoshti, Komuna e Dardanës lindi me 26 mars 1951 nga e ëma Fahrije dhe i ati Mehmeti familje me kushte mesatare ekonomike por me një traditë shumë të pasur atdhedashëse e patriotike. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren në tërësi Rexhep Mala e kreu në Hogosht, më pastaj meqë i ati Mehmeti shpërngulet në Gjilan, Rexhep Mala e vazhdoi gjimnazin në Gjilan.



Si nxënës i vitit të III-të ishte ndër organizatorët e parë në organizimin e demonstratave të 1968-tës.

Në vitin shkollor 1969/1970 Rexhep Malajn e përjashtojnë nga shkolla me çrast Ai gjimnazin e vazhdoi në Preshevë ku edhe e kreu me sukses.

Në vitin shkollor 1970/71 me knaqësi të veçantë ushtroi detyrën si mësimdhënës në fshatin Marec të Prishtinës, mirëpo i etur për dituri dhe për të studiuar, ndërpreu punën dhe u regjistrua në fakultetin Ekonomik në Prishtinë, me plot sukses kryen vitin e parë të studimeve, ishte edhe në ilegalitet dhe pas një ndërprerjeje kaloi në Shqipëri nga edhe kthehet shumë shpejt me bindjen se duhet vepruar nga afër, rrugetimi, shkuarja-ardhja e tij në Shqipëri i kushton me burg që ndëshkohet nga Gjykata për kundërvajtje e Gjilanit, e burgosën plot 28 ditë, del nga burgu për të kaluar një kohë jasht shtetit të jugosllavisë (Francë, Gjermani, Itali dhe në Zvicër) të cilin Rexhep Mala s’e njohu kurr si shtet.


                                          

Denimi me 9-të vite burg

Rexhepi kudo që ishte, kado që shkonte dhe me këdo që ishte në shoqëri, kishte vetëm idealin e tij për një Kosovë të lirë dhe të pavarur por ishte në përndjekje nga barbarët hap pas hapi, me çrast si pjesëtar i Levizjes Nacional Çlirimtare ( LNÇ ) pikërisht ne vitin 1974 së bashku me Adem Demaçi -n (Grupi i Adem Demaçit) e shumë anëtarë të tjerë arrestohet dhe pas 9 muaj hetimesh denohet me 9 vite burgim të rëndë.

Në dosjet e SPB-së të Kosovës cekët kjartë se Rexhep Mala ishte ndër të burgosurit më të pathyer i cili më së gjati kishte mbajtur grevë urie, megjithëkëtë Ai arrin që edhe pse në kushte të vështira të shkruaj ditarin nga burgu “Kujtime nga Burgu” ku paraqet jetën shumë të vështirë dhe torturat më çnjrëzore mesjetare të UDB-së që kishin përdorur e ushtruar kundër tij.

Ndonëse ishte i papërkulur me qëndrimet e tij prej atdhetari, Rexhën e shetisin nëpër shumë burgje të ish jugosllavisë fashiste si në Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë e në Mostar.
Më 23 maj 1983 pas 8 vitesh vuajtje e malltretimesh lirohet nga dyert plot egërsi dhe vuajtje të pashlyera ngase pjesën më të madhe të denimit e kishte kaluar i vetëm nëpër qeli të burgjeve të sipërpërmendura të cilat nuk arritën dot ta thyejnë apo të detyrojnë të jetë i urtë për pushtetin komunist që nuk e njohu kurrë në jetën e tij.

Hoteli Kristal - Sheshi "Rexhep Mala e Nuhi Berisha" Qendra e qytetit ne Gjilan - Kosova


Flaka e Janarit 1984

Doli nga ato dyer të ndyta dhe e gjen atdheun, Kosovën po aty ku e kishte lënë më parë, pas 8 vitesh Rexhep Mala nuk kishte dëshmi se diçka kishte ndërruar, jo… sërish të robëruar me çrast atë jetë me atë robëri Rexha s’e deshti kurrë dhe me plot energji futet sërish në rrugën drejt realizimit të synimeve dhe idealit të tij, gjen shokun e idealit Nuhi Berisha dhe futen prap në ilegalitet. Ndonëse në çdo hap i përcjellur, UDB-ja u bie në gjurmë por trimat lidhën besa-besën për t’mos u ra në dorë të gjallë gjelatëve. Në lagjen e trimave të Prishtinës , në një luftë të pabarabartë por me këngë dhe refale armësh me 11 dhe 12 janar 1984 ranë heroikisht për t’mos vdekur kurrë.

Rexhep Mala e Nuhi Berisha


Ata  shquhen ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare. Sot për veprën patriotike të Rexhep Malës me plot krenari flasin bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët, bashkëfshatarët dhe mbarë Kosova ndonëse emrin e Rexhep Malës e shohim në çdo flamur me shqiponjën dykrenare, e hasim në shumë rrugë të cilat me nderë e krenari mbajnë emrin e tij , e hasim në shumë sheshe e vatra edukativo-arsimore, kazerma e qytetit në Gjilan me krenari mban emrin e bërthamës së UÇK Rexhep Mala e Nuhi Berisha.


Më 11 janar të vitit 2008 në Bibliotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë u promovua monografia “Rexhep Mala - Anteu i Lëvizjes Ilegale” , e autorit Selatin Novosella.

*****************
perm.rexhep malaj nuhi berisha





Kujtime nga burgu


Rashë në sy që nga bankat e shkollës fillore si liridashës, sepse e doja popullin tim, historinë e tij të lavdishme, sepse e doja Kosovën time dhe simpatizoja me gjithë shpirt Shqipërinë. Dhe, mjaftoi kjo që të më fusnin në burg. ”Më mirë ta kemi nën dry sesa të jetë nën vëzhgim tonë pë gjatë gjithë kohës”, kështu sigurisht funksiononte logjika e sëmurë e UDB-së. Tani e ndjë për detyrë që ta njoftoj opinionin e vendit dhe atë botëror mbi arrestimin tim, torturat çnjerëzore që janë kryer mbi mua me muaj të tërë, gjykimin dhe vuajtjen e dënimit. Po përpiqem që me aftësitë e mia modeste t`i përshkruaj të gjitha ndjesitë e mia. Bindja e plotë dhe besimi i patundur se e vërteta dhe drejtësia herët apo vonë do të triumfojnë, si shumë të burgosur të tjerë politikë shqiptarë edhe mua më bënë më të fortë, më të qëndrueshëm, më të papërkulur, para presionit të policisë fashiste jugosllave dhe vështirësive të shumta që më përcollën në burgje. Nuk jam as i pari dhe as i fundit që u dënova pa asnjë faj. Për ne shqiptarët në Jugosllavi kjo është gjë e rëndomtë. Prandaj, edhe pse në burg, dhe në kushte shumë të vështira, i përcjellë hap pas hapi nga gardianët e burgjeve, për fatin dhe përjetimet e mia si dhe të shumë të burgosurve të tjerë politikë shqiptarë në Jugosllavi, duke ngritur edhe në këto kushte zërin e protestës kundër këtij terrori e gjenocidi që po ushtrojnë fashistët e Beogradit kundër popullit tonë.

Arrestimi

Ishte dimër i ftohtë, kur një mëngjes herët, policët, si lukuni ujqish, kishin rrethuar shtëpinë time. Ishin të armatosur me pushkë e automatikë. Kishin zënë pozicione luftarake, të gatshëm për të shtënë në ne, në lëvizjen më të vogël. Që të gjithë qemë në gjumë, kur pa pritur filluan të kërcasin në dyerë, u mëshonin sa mundnin atyre me duar dhe me shqelma. Nuk prisnin as të vishemi. Posa u çelën dyert, u vërsulën si bisha të çartura dhe me armë të gatshme na shpërndanë nëpër dhoma. Filloi një bastisje sa rrënuese aq edhe e poshtër. Ishin shumë dhe nuk mund t’i përcillnim se mos na vidhnin gjë edhe pse ishim të varfër. Rrotulluan dhe përmbysën çdo gjë që patën përpara. Çirreshin si egërsira të uritura. Donin të fusnin tmerr e panik te njerëzit e shtëpisë, por dështuan sepse anëtarët e familjes sime e morën këtë si gjë të rëndomtë. Familja ishte mësuar me arrestime që nga gjyshi e stërgjyshi. Për ne nuk ishte hera e parë të arrestohej një anëtar i familjes. Udbashët me vegla e aparate gjurmonin, si qentë edhe në shportën e bërllogut se mos gjenin gjë. Pas disa orësh rrotullimi e përmbysjeje, si duket, e panë se po lodhen kot, prandaj m’i vunë kllapat që në dhomë. Njerëzit e shtëpisë më përcollën me grushtin lart. Tamam si përcillet luftëtari i lirisë për në luftë. Paj, edhe unë në luftë shkoja, në luftë me bisha që kanë pamje njeriu. Më futën në një makinë të policisë, para dhe prapa së cilës kishte makina tjera përplot policë të armatosur.

Paraloja

Para dyerve të UDB-së më nxorën nga makina dhe të rrethuar nga të gjitha anët më futën brenda. Më çuan në një zyrë, mu aty ku do t’i zhvillonin hetimet ndaj meje. Aty më bënë një bastisje detale: më zhveshën lakuriq, të poshtrit ! Thuajse nuk më kishin bastisur kur m’i vunë kllapat në shtëpi. Tërë ditën më mbajtën në atë dhomë. Gjer në orët e vona të natës. Askush s’më pyeste gjë. Një polic filloi ta luante rolin e njeriut të mirë duke më këshilluar : “Trego çfarë të dish dhe puna do të mbarojë me kaq, sepse këta do të të rrahin dhe do të të torturojnë. Mos e shkatërro shëndetin se je i ri. Nëse m’i thua mua të gjitha ato që i di, unë do të lëshoj që sonte të shkosh në shtëpi...” I thashë se nuk dija sgjë, madje as për çka më kishin arrestuar. Ai nuk më ngacmoi më. Një polic, që të nesërmen do të mësoja se ishte hetuesi im kryesor, kur hyri brenda më pyeti: “Ti je Kushtrim Guri, a” ? Po, i thashë. Duke u zgërdhirë si qen më tha:”Nëna në shtëpi e bënë miellin bukë, e ne atë bukë e bëjmë miell ! Mbaje mend këtë !” Qeshi me fjalët e veta si i marrë dhe iku. M’u kujtuan fytyrat e Gestapos hitleriane që kisha parë në filma. Kurrë farë dallimi nuk kishin prej tyre kriminelët e UDB-së. Siç mësova më vonë, ky ishte gjakpirësi A.S. kaq biseduan me mua ditën e parë. Policët ndërroheshin vazhdimisht, gjersa më në fund, rreth orës 23, më dërguan në burg.

Në burg

U kryen formalitetet rreth pranimit tim dhe nëpër korridorin e ngushtë të burgut më dërguan në birucë, siç i thonë ndryshe qelisë. Aty s’kishte asgjë tjetër veç një teneqeje me ujë dhe një qypi që quhej ‘kibëll’ e që shërbente në vend të një WC-je. Gardiani më çoi në qoshe të korridorit, ku ishin dy dyshekë të vegjël të shqyer e të ndyrë sa s’bëhet. Vetëm emri dyshek u kishte mbetur. Ishin edhe të përgjakur, sigurisht nga ndonjë i burgosur i torturuar. Kishte edhe dy batanie të grisura, të pluhurosura dhe të fëlliqura. Edhe këto ishin të gjakosura. ”Merri !”- urdhëroi gardiani. Ç’t’i bësh, me duhej t’i merrja. Në atë dimër të madh më mirë me to se pa hiç gjë. Posa hyra brenda në qeli u përplas dera pas meje, ndërsa shuli kërciti me kërcëllimë. -Kështu kërcitkan shulat e dyerve të burgjeve jugosllave ! -mendova me vete. Më duhej të mësohesha edhe me këtë, që tani e tutje për shumë vjet do të ishte pjesë e jetës sime.
Policia jugosllave, si çdo polici fashiste e antipopullore, ndjek e persekuton çdo patriot e revolucionar. Nga pamundësia për t’i zbuluar atdhetarët që luftojnë e veprojnë natë e ditë, kudo në Kosovë, UDB-ja arreston njerëz të pafajshëm liridashës, i torturon me metodat më shtazarake për t’i detyruar që t’i pranojë gjërat, të cilat as në ëndërr s’i kishin parë, e pastaj i hedh në gjyq dhe u shqipton atyre dënime të rënda. Ndiqen sidomos simpatizantët e Lëvizjes, nga frika se sot apo nesër mund të inkuadrohen aktivisht në të. Dikush mund të pyes se si policia mund t’i dijë simpatizantët e Lëvizjes. Fare thjesht. Serbomëdhenjtë janë të vetëdijshëm se populli ynë është i ndërgjegjshëm për gjendjen ku e ka katandisur politika e tyre fashiste. Populli shqiptar është i pakënaqur me pozitën e tij prej popullit të shtypur në Jugosllavi. Ai në këto kushte nuk sheh tjetër rrugë veç asaj të qëndresës, nëpërmjet së cilës duhet t’i realizojë aspiratat e veta historike. Prandaj s’është e vështirë të gjesh bazën e dyshimit serbomadh ndaj popullit tonë në përgjithësi. Kështu që nga bangat e shkollës fillore ndiqet dhe përcillet puna dhe sjelljet e çdo shqiptari në Jugosllavi. Pastaj mjafton që një pjesëtar i farefisit të ketë qenë në burg që edhe ti saora të figurosh në dosjen policore si kandidat potencial për ndjekje nga UDB-a jugosllave. Meqë bastisjet e shqiptarëve janë gjëra fare të rëndomta, mjaftojnë të gjejnë ndonjë libër të ndaluar, e këso këtu ka shumë…ndonjë broshurë, fletushkë apo gazetë ilegale, ku flitet për problemet jetike të popullit, ose ndonjë trakt apo afishe të shpërndarë nga Lëvizja, apo fotografi të nxjerra nga gazetat që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe të fusin në burg, të të torturojnë e mundojnë, që të tregosh atë që të ka dhënë apo që e ka shpërndarë dhe, bashkë më të të hedhin në gjyq dhe të dënojnë me vitet të tëra. Gjërat për të cilat njeriu në botën e civilizuar as që guxon të mirret në pyetje. Ndodhë kështu, sepse drejtësia dhe humanizmi ka kohë që e kanë humbur, veçanërisht ndaj shqipëtarëve, kuptimin e tyre në Jugosllavi.
Qelia ku më futën ishte e vogël sa s’bëhet, aq sa nuk mund t’i shtrija këmbët sa duhet. Tavani ishte i ulët, saqë kur ngrihesha e prekja edhe me dorë. Gjatësia e mureve nuk ishte e rregullt, sepse burgu ishte në formë rrethi. Tri të katërtat e rrethit ishin burg, ndërsa pjesa tjetër përbënte ndërtesën e UDB-së, një ndërtesë trikatëshe, mbi njëqind metra e gjatë. As lartësia e mureve të burgut nuk ishte e njëjtë, pasi që nuk kishte kulm, por një pllakë të pjerrtë plumbi e betoni. Dritarja ishte shumë e vogël. Nga jashtë kishte një xham tjetër të trashë e të errët, të larguar nga muri për 25-30 cm. Nga fundi i kësaj plase mund të shihja pakëz qiellin, por kurrë diellin. Kuptohet mes dy dritareve ishin grilat e hekurta. Me hekur e beton ishin edhe muret e tavani. Bënte ftohtë sa s’ka. Qelia kundërmonte erë qelbësire. Aty kishte buba të vogla dhe të mëdha aq shumë sa kurrë s’mund t’i zhdukje. U mbështolla disi me të dy batanijet, por të ftohtit më kishte hyrë në palcë. Edhe pse isha pa ngrënë dy ditë dhe bënte shumë ftohtë, lodhja bëri punën e saj dhe shpejt më zuri gjumi. Të nesërmen herët dëgjova një cingërimë të zgjatur zileje, që ishte shenjë për t’u zgjuar. Pak më vonë kërciti dryri i derës sime dhe rrapëllima e shulit. Me të bërtitura dhe ngërmime, një gardian më urdhëroi që dyshekët t’i paloja në qoshe, duke m’u ngërmuar se gjatë ditës është rreptësisht e ndaluar çdo ulje apo mbështetje në dyshek, ndërsa “çebet”, sipas rregullit, m’i qiti në korridor.
Nga 19 veprimtarë të përfshirë në Procesin gjyqësor të Prishtinës, në vitin 1975, drejtpërdrejt në shkrimin dhe shpërndarjen e trakteve dhe shkrimin e parullave antijugosllave, ishin të përfshirë vetëm Rexhep Mala dhe Ilmi Ramadani. Gjatë hetimeve të tmerrshme, as Rexhepi as Ilmiu, nuk do të pranojnë as edhe një fjalë të vetme me çka do të dënoheshin edhe 17 të arrestuarit e tjerë në krye me Adem Demaçin. Po ashtu, as gjatë procesit gjyqësor Rexhep Malaj nuk do të pranojë se i ka kryer aktivitetet për çka po gjykoheshin 19 veta. Në burgun e Idrizovës, në Maqedoni, në vitin 1977 e pyesin shokët Rexhep Malajn: “Pse Rexhep nuk e ke pranuar se ti dhe Ilmiu i keni kryer ato veprime dhe të liroheshin 17 të burgosurit e tjerë nga ky proces i montuar politik”. Rexhepi përgjigjet: “Kam qenë i bindur se si e pranova se unë dhe Ilmi Ramadani jemi kryes të veprave për të cilat dënoheshim, kurse 17 të tjerët nuk kanë të bëjnë asgjë me këto aktivitete, pra Adem Demaçi dhe shokët e tjerë, ata do të gjykoheshin patjetër. Por do të përfundojë Rexhepi, -sikur edhe gjysmën e Kosovës ta kishin burgosur dhe ta kishin qitur në bankën e zez, nuk do të kisha shkelur fjalën e dhënë për ruajtjen e sekretit”.
Pra gjatë ditës duhej të ulesha vetëm në dërrasat e kalbura të qelisë, që ishin të ftohta sa s’bëhet, pasi që nën to kishte beton. Dritarja nuk mbyllej sa duhej dhe binte nga veriu. Mund të merret me mend se ç’të ftohtë bënte. Në mur ishte e varur një letër. Ky ishte “rendi shtëpiak” i burgut, ku ishin edhe “të drejtat” që i takonin të burgosurit. Çfarë ironie ! Më vonë do të provoja me mijëra herë se ky ishte vetëm një formalitet cinik, sepse në praktikë i burgosuri nuk kishte kurrfarë të drejtash, sidomos i burgosuri politik, i cili ishte nën mbikëqyrjen e policisë politike, pa lejën e së cilës nuk i jepej as ujë. Pas pak ma sollën mëngjesin. Po çfarë mëngjesi se ! Vetëm ujë të nxehtë, të turbullt nga kafeja. S’kishte kurfarë shije, s’kishte as sheqer. E shijova, por u detyrova ta derdh në qyp kibëll. Bukë në mëngjes nuk jepnin. Vetëm në drekë të sillnin një gjysmë buke dhe ti haje kur të duash gjatë 24 orëve ! Pastaj më nxorën gjer te WC-ja. Duhej pastruar qypin dhe duhej marrë ujë për 24 orë. Aty kishte edhe lavabo ku mund të pastroheshin duart. Gjatë kohës, gjersa laja qypin dhe mbushja ujë, derën ma mbyllën me shul, sikur që mbyllej edhe qelia. Nuk vonoi dhe më morën e më çuan në UDB. Hetimet ndaj meje edhe formalisht filluan. Kisha dëgjuar se në UDB më parë fillojnë me lutjet dhe premtimet bashkë, me kërkesat për bashkëpunim, dhe vetëm pasi nuk do t’i arrijnë qëllimit do të fillojnë me kërcënimet dhe torturat. Prandaj rrija pak më shlirë. Mendoja q ët’i shoh se si i bëjnë këto paraloja para torturave. Por filloi krejtësisht ndryshe.

Fillojnë hetimet

Isha ulur në një karrige pranë derës. Në dhomë ishte një polic. Hyri hetuesi kryesor me dy-tre policë prapa. Meqë unë nuk ngrihesha në këmbë kur hynin dhe dilnin policët, nuk u ngrita as para këtyre. Hetuesi kryesor Asllan Sllamniku erdhi pranë meje dhe sikur të ishim miq më goditi lehtas me grusht në shpatullën e djathtë. Mendova : ç’bënë ky njeri kështu ? Mos don të bëhet thuajse shok i imi, por të menduarit ma ndali një shuplakë mbrapsht, ne e quajmë “magjupisht”. Ishte e rëndë që sytë xixa më nxorën. Meqë reagova në këtë të rënë, më mbërtheu për flokësh dhe, duke mos më lënë të ngrihesha nga karriga, filloi të më sjellë me dorën që e kishte të lirë. Ndërsa policët tjerë rrinin gati hyn bren. Nuk po çohesh në këmbë, kur po hyj unë brenda a ? Dije se këtu nuk je te shtëpia, por në UDB ! Duhet të ngrihesh në këmbë për çdo kë kur hyn brenda ! - më tha i poshtri dhe më urdhëroi të ulesha e të ngrihesha. Ia filluan pra, me kërcënime e me të rëna që unë të flisja nga frika, dhe ata të kryenin shpejt punë me mua:Ishin këto të rënat e para, sikur një racion para drekës së majme. Më vonë do të shihja se këto s’ishin asgjë nga ato që do të vinin më pas. Çdo pyetjeje i përgjigjesha me : nuk di, jo, s’kam parë, s’kam dëgjuar, se kam bërë as atë as këtë, etj. Më mbajtën gjer në ora 14 e 30 minuta dhe më çuan në burg. Edhe kur më merrnin në burg për hetime(lexo: torturime) dhe kur më kthenin në qeli m’i vënin prangat, edhe pse burgu, siç thashë ishte i ngjitur me UDB-në. Në qeli më priste fasulja e ftohtë (fasule e i thënqin se ishte e tëra me ujë me vetëm disa kokrra) dhe buka. Kishte 48 orë që s’kisha ngrënë fare dhe e hëngra tërë bukën që ma kishin sjellë, edhe pse ishte për 24 orë. S’vonoi as një orë pas drekës dhe më morën prapë në UDB. Tani kishin ardhur 4-5 hetues. Në përgjigjjen time të parë ‘nuk di’, kërciti grushti në barkun tim, më ranë me shqelm, filloi njëri të më bjerë duarve e pastaj trupit. Pasi u lodh, punën e tij e vazhdoi tjetri. Nga të rënat fytyrës, m’u çanë buzët dhe më shpërtheu gjaku për hunde dhe për goje. Nuk më linin as të merrja frymë. Më çuan shpejt e shpejt në lokalet të më pastronin gjakun nga fytyra e rrobat dhe më kthyen prapë. Më rrëzuan në dysheme, më urdhëruan të zbathaj këpucët dhe çorapat.

Në fallak

- Ta shohim tash në fallak se si do të përdridhet- tha hetuesi. Menjëherë e kuptova. E dija se ç’është fallaku. Këtë metodë e kishin përdorur që në kohët e lashta dhe inkuizicionet e kishës. Filluan të ëm binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh e tjetri kishte hipur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia. Kjo ishte edhe për ata një puën e vështirë fizike, edhe pse e bënin me ëndje të posaçme. Lodheshin dhe shkumbëzonin si kuajt. Po ata kishin një përparësi, sepse sa lodhej njëri, menjëherë e zëvendësonte tjetri, dhe kështu me radhë. Në dy mënyra më goditnin shputave. Ndonjëri më binte vetëm në njërën këmbë nga 15-20 ‘kërbaçë’ e pastaj po aq me tjetrën, e prapë këmbës tjetër dhe kështu gjersa lodheshin. Ndonjë tjetër më binte me radhë herë në njërën e herë në tjetrën gjersa lodhej. Kjo e dyta më dukej më e lehtë. Këtë gjë sigurisht se e dinin edhe ata, prandaj më goditnin herë në një mënyrë e herë në një tjetër. S’mbaj mend të ketë ndodhur që dy veta radhazi të më kenë goditur në një mënyrë. Kohë pas kohe, e sidomos kur e ndienin veten të lodhur më urdhëronin të ngrihesha dhe të shëtisja nëpër dhomë. Ishin këto mundime të mëdha të ecësh me shputa të enjtura e të goditura pa mëshirë sikur të ishin cunga me mish njeriu. Kur nuk ngrihesha, më ngritnin me shqelma e me kërbaç. Dhe prapë fallak. Prapë shëtitje nëpër dhomë, të rëna duarve me "pendrek", të rëna të forta me të dy duart në veshë përnjëherë, nga të cilat edhe sot më dhembin veshët. Të vetmin pushim e kisha kur pushonin edhe vet xhelatët. Dhe kështu vazhdimisht gjer në orët e vona të mbrëmjes.
- Kërkonin t’i identifikoja njerëzit që nuk i njihja fare dhe të thoja se ai është person që ka shpërndarë trakte apo që më ka dhënë material propagandistic për të lexuar. Kërkonin t’i pranoja aksionet që s’i kisha kryer dhe as q ëkisha lidhje me to. Kërkonin të pranoja se kam lexuar këtë apo atë libër të ndaluar, këtë broshurë, fletushkë, gazetë ilegale apo trakt e afishe të shpërndarë.
- Në ndërkohë, nga bisedat e hetuesve në mes vedi, kuptova se kishte edhe të burgosur të tjerë me mua.

Këmbët më dhembnin si drita e syrit

- Në qeli më priste pjata me makarona të ftohta dhe pa pikë yndyre. Kuptohet, bukë nuk kishte. Pjesën e bukës që e kisha për 24 orë e kisha ngrënë në drekë. Makaronat nuk haheshin, s’do t’i kishin ngrënë as derrat e uritur, aq shumë kundërmonin. Drita ishte fikur, s’kishte kohë të mendohesha më duhej të pushoja. Tërë trupin e kisha të dërmuar nga grushtat dhe kërbaçi. Këmbët më dhembnin si drita e syrit. Ishin enjtur aq shumë sa as këpucët nuk mbatheshin dot. Nuk di se si kam ardhur deri tek qelia. Kam ardhur vetë apo më kanë tërhequr nga krahët. Isha krejt i dërmuar, vetëm mendjen e kisha të kthjellët dhe e dija se si po veprojnë me mua, por krejt kjo ishte vetëm fillimi. Fundi ishte akoma larg. Shumë larg. Kisha dëgjuar se pak njerëz kishin mundur t’u qëndronin torturave të këtyre përbindshave me pamje njeriu. Isha i vetëdijshëm për pafajësinë time, por i dhashë vetes për detyrë të qëndroja gjer në fund, të mos tradhëtoja, të mos kallëzoja askënd dhe me asnjë çmim të mos pranoja akuzat e tyre.
- Duhej t’u jepja shembull edhe të tjerëve që do të vinin pas.
-
Në kthinat e hetuesisë vdisnin patriotët

Filluan kështu torturat shatzarake të policisë fashiste jugosllave. Këta nuk ishin hetues, po bisha, që s’kishin kufi në shfrenimin e instikteve shtazarake, ishin të uritur për mish njeriu ; të etur për të pirë gjak. Është fakt se kishte hetues që i thonin vetes “shqiptar”. Ishin këta tradhëtarët më të fëlliqur të popullit tonë, të cilët kryenin punët më ët poshtra. Hetimet i udhëheqte një shovenist serb, i specializuar për torturat më çnjerëzore dhe vetëm formalisht ishin vënë hetuesit “shqiptar”. E pse jo ! Kjo u duhej për propagandën e tyre të ndyer se , gjoja, në UDB punojnë shqiptarët dhe, nëse do të akuzoheshin përpara opinionit botëror për terror e represalje ndaj shqiptarëve, prapë të fajësoheshin shqiptarët, se ata punuekan në UDB. Në kthinat e kësaj UDB-je kishin vdekur, siç vdesin edhe sot, shumë patriotë shqiptarë nga torturat. Por, specialistët e rryer për krimet monstruoze, gjithmonë do të kujdesen dhe do të gjejnë mjekë që do të nënshkruajnë se nga ajo apo nga kjo sëmundje ka vdekur i burgosuri. Mjeku patriot shqiptar, Ali Sokoli-specialist i sëmundjeve të mushkërive, ishte ndër ata mjekë të rrallë që qysh atëherë mundi t’u bëjë ballë presioneve dhe me guxim t’u kundërvihet kërcënimeve të UDB-së, e për të mos nënshkruar se patrioti i pavdekshëm, Fazli Greiçevci, vdiq nga mushkëritë e sëmura ! Edhe pse UDB-ja do të gjente mjek tjetër për të dhënë diagnozë të tillë, populli do të mësojë shumë shpejt për torturat shtazarake dhe qëndrimin heroik të Fazli Greiçevcit, por edhe për qëndrimin burrëror të Ali Sokolit.

Rexhep Mala : Më torturonin udbashët shqiptarë e serbë

Rexhap Malaj herën e parë është burgosur në vitin 1968, për organizimin e demonstratave të atij viti në Gjilan, së bashku me Irfan Shaqirin, Ilmi Ramadanin, Xhavit Dërmakun dhe Ahmet Hotin. Herën e dytë është burgosur në vitin 1973, për kalimin ilegal të kufirit Kosovë-Shqipëri, së bashku meSami Dërmakun dhe Isa Kastratin. Herën e tretë është burgosur në vitin 1974, po ashtu për kalimin ilegal të kufirit Jugosllavi-Austri. Ndërsa, herën e katërt është burgosur në vitin 1975 së bashku me Adem Demaçin, Skënder Kastratin, Isa Kastratin, Osman Dumoshin, Sami Dërmakun, Ilmi Ramadanin, Selatin Novosellën, Ilaz Pirevën, Irfan Shaqirin, Xhavit Dërmakun, Nijazi Korçën, Hetem Bajramin, Hasan Dërmakun, Fatmir Salihun, Sherif Masuricën, Zijadin Spahiun, Nazim Shurdhanin dhe Ahmet Hotin.

Gestapoja do t'ia kishte zili UDB-së

Më tepër se një muaj më merrnin në pyetje dy herë në ditë, para dite dhe në mbrëmje, pos të dielave, që me gëzim i prisja për pushim. Të torturohet njeriu një kohë të gjatë dy herë në ditë kjo zor të shihet e të dëgjohet. As në gestaponë hitleriane nuk i kanë torturuar kaq gjatë. Pastaj është fakt se mua nuk më kanë torturuar aq sa kam dëgjuar se i kanë torturuar të tjerët më parë. Në këtë kohë me torturat intensive nga dy herë në ditë, çdonjëri prej tyre po t’ua kishte lënë në dispozicion të zgjedhtë torturat apo plumbin, pa hamendje do të zgjedhtë këtë të dytin. Kështu do të shpëtonin nga torturat dhe të dilnin faqebardhë, sepse nga torturimi i parreshtur kishte njerëz që do të thyheshin përkundër qëndresës këmbëngulëse. Tërë kohën sa më mbanin në kthinat e UDB-së, 8-12 orë në ditë, kurrë s’më linin të ulesha në karrige e as të mbështetesha për muri. Më ulnin në karrigë vetëm atëherë kur ma fusnin lapsin me zor në dorë dhe më urdhëronin që të shkruaj për gjërat që s’i kisha parë as në ëndërr. Kur më ulnin në karrige më rrinin një para, një prapa shpine dhe dy anash. “Shkruaj”, - më bërtisnin, dhe posa përgjigjesha- s’kam çka të shkruaj, - më kërcitnin grushtat, shuplakat, pendrekët dhe shqelmat nga të gjitha anët. “Atëherë shkruaj për këto që po t’i themi ne”, - gërvalleshin udbashët, dhe posa përgjigjesha se “ato nuk janë të vërteta” më binin me tërë fuqinë me kërbaç duarve të cilat më parë m’i shtrinin në tavolinë.

Të lumtë, nëse qëndron !

Ata: “Shkruaj kush ka mundur të shpërndajë këtë afishe !”. Unë : Nuk di…Aq të poshtër e këmbëngulës ishin sa më thoshin se edhe derr të zi do të pjellësh se çare s’ke pa treguar. Si të duash, nëse do dajak, dajak do të japim. Ne kemi kohë dhe s’po na ngut kush. Nëse s’di të flasësh ne do të të mundojmë kështu nëntë muaj dhe ti nëse qëndron - të lumtë ! Deri sot kurkush nuk qëndroi, e qebesa s’do të qëndrosh as ti, se nuk më thonë kot “specialist”, A.S. - dhe më binte me të dy duart përnjëherë veshëve. Torturuesit kryesorë ishin dy-tre serbë, që emrat s’mund t’ua di, pasi që ishte një praktikë që shqiptarët hetues i thirrnin me emra serbë, e serbët me emra shqiptarë. Mund të mësoje, p.sh. se njëfarë L. e thërrisnin Ramush. Ishte kjo një metodë pune për të mos u identifikuar torturuesit nga ana e viktimave të tyre. Ai kryesori ishte një njeri i madh me trup, me kokë të madhe si derri, fytyrën e kishte vrarë lie me dhëmbë si të kalit. Tamam kriminel, specialist për tortura. Ata vinin vetëm kur bëheshin torturat më të mëdha dhe më intensive. Torturues ishin edhe: F.N., M.D., B.B., e shumë të tjerë që s’ua mësova emrat.

Këtyre duhet t’ua çajmë kokën

Fytyra m’u pat enjtur dhe e bërë mavi nga të rënat. Buzët i kisha të çara dhe nga çdo e rënë shpërthente gjaku. Duart dhe këmbët të enjtura sa s’bëhet më, s’mund t’i mbathja as këpucët dot, e në UDB shkoja me papuçe. Kur kërkoja që të më shihte dhe të më kontrollonte mjeku, refuzonin si të tmerruar. Kur më torturonin e linin derën pakëz çelë. Në fillim nuk e dija pse, por më vonë e kuptova. Donin që torturimin ta dëgjonin edhe të burgosurit tjerë në lokalet e UDB-së. Na torturonin me radhë. Kështu, gjersa torturohej njëri, të tjerët merreshin në pyetje nga ndonjë udbash, kuptohet edhe dyert e tyre ishin pakëz të çelura që të dëgjonin të rënat e shuplakave, të grushtave e kërbaçëve dhe britma e atij që torturohej. Të gjithë hetuesit dhe policët e tjerë, gjashtë-shtatë vetë, ishin në dhomën ku torturohej i burgosuri, dhe të gjithë me radhë ose bashkarisht merrnin pjesë në torturim. Të burgosurve tjerë u mbetej që të dëgjonin dhe të prisnin secili radhën e tij. Nuk kishte gjë më prekëse e më trishtuese se sa kur dëgjoheshin gjëmët e shokëve. Dhe kështu shkonin prej një të burgosuri te tjetri duke shfryrë ndjenjat shtazarake dhe gjithë mllefin e tyre personal mbi ne.
Më binin duarve aq sa duart nuk qëndronin më, dhe për të mos më lënë të pushoja ma mbanin dorën vetë dhe më goditnin pareshtur. Kur lodheshin duke m’i mbajtur duart, atëherë nga mllefi më godisnin ku mundnin nëpër trup. Posa lodhej njëri, e zëvendësonte tjetri menjëherë. Më kapnin me të dy duart për flokësh dhe ma përplasnin kokën për muri. Në këto momente torturuesit e nxitnin njëri-tjetrin. Shtazaraku bëhej gjoja human dhe i thoshte atij që më përplaste kokën për muri: “Mos kokën, ki kujdes po e lëndon !”, kuptohej me sy ia bënte të më binte edhe më shumë. Dhe ky përgjigjej: “Pse kujdes ? Këtyre duhet t’ua çajmë kokën”, dhe më përplaste edhe më tepër. Më kapnin për organe gjenitale dhe më bërtisnin në fytyrë: “Kemi me të tredhë” dhe më shtrëngonin deri në alivanosje. Ujin e mbanin çdo herë gati, që kur të më binte të fikët të më hidhnin ujë trupit dhe fytyrës, dhe menjëherë do të vazhdonin punën. Më fyenin me sharjet më të ndyra, më ofendonin, më përqeshnin, më pështynin. Ishin këto poshtërime të rënda, por e dija se duhej t’i duroja dhe në veten time mbushesha me urrejtje të shumëfishuar për këtë regjim fashist e terrorist. Dhe kam të drejtë të tregoj për trajtimin shtazarak të policisë fashiste jugosllave ndaj meje, ta çjerrë maskën false të shoqërisë “demokratike” e “humane” që e propagandojnë me aq bujë e që në realitet s’ekziston kurrfarë nuance demokratike në këtë sistem të dështuar që mbështet kryesisht dhunën policore.

Ç’linin mangut hetuesit, e plotësonin gardianët

Edhe disa gardianë të burgut famëkeq të Prishtinës ishin të zgjedhur dhe të ushtruar për trajtim brutal të të burgosurve politikë. Në orët e vona të një nate, kur më kthyen nga torturimet, nuk isha në gjendje t’i kapja me duar batanijet dhe i thashë gardianit që më çoi në qeli. Ishte një djalë i ri si unë, që të m’i hidhte “çebet” në duar, sepse vetë s’kisha mundësi t’i kapja, sepse gishtat m’i kishin shtypur ndër tortura. –“Merri vetë !”- m’u përgjigj ai. Duke mbledhur forcat e fundit mezi i tërhoqa batanijet dhe i futa në disa qeli. Shumë të dresuar këta qen roje ! Të mjerët ! Nuk kuptojnë çfarë lodrash të përgjakshme të të huajit që janë. Meqë bënte ftohtë i madh, pata arritur ta vjedh një copë batanije të vjetër, duke shfrytëzuar rastin kur gardiani u detyrua ta ngriste receptorin e telefonit. Ishte rrezik të më shihte, por nevoja më shtyri të rrezikoja. Mirëpo, pasi çdo herë nuk isha në qeli, pra kur isha në UDB, apo në nevojtore, gardianët hynin në qeli dhe bënin bastisje detale. Unë mundohesha që ta fshihja gjysmën e batanijes në dyshek por njëri e kishte zbuluar “fajin” tim dhe më kishte denoncuar në UDB. Kështu që, kur më kthyen në qeli, ma mori me brutalitet dhe duke u çjerrë më tha: “Ty s’të takon batanija, bile edhe këto që t’i kam dhënë i ke tepër”.

Pas torturave - dy ditë pushim në javë

Pas më tepër se një muaji filluan të më merrnin në pyetje dhe të më torturonin vetëm mbrëmjeve, pos ndonjë përjashtimi, intensiteti i torturave ishte i njëjtë, pos që të shtunave nuk më mirrnin fare. Tash i kisha nga dy ditë në javë pushim. Kishte të burgosur që s’kishin mundur t’u qëndronin torturave dhe ishin thyer. Kishin pranuar të deponojnë gjëra çfarë u kishin thënë hetuesit, dhe kishin nënshkruar deklarata shpifëse dhe vetakuzuese. Deponimet e tyre me dorëshkrimin dhe nënshkrimin e tyre m’i sillnin dhe m’i tregonin, bile edhe m’i jepnin t’i shihja nga afër. Duke hasur në pathyeshmërinë time, as me deponimet e nënshkruara nga vet të burgosurit, ata përdornin edhe kartën e fundit: ballafaqimin. Mendonin se po të më thoshte ndonjë nga të burgosurit ( të cilët edhe i njihja), se kisha bërë këtë apo atë punë, se kishte kryer punë bashkë me mua këtë apo atë punë, se kishte kryer bashkë me mua këtë apo atë detyrë, se i kisha dhënë për të lexuar ndonjë libër apo gazetë të ndaluar etj., unë do të thyhesha dhe do t’i pranoja deklaratat e cituara nga udbashët dhe përdhunshëm të nënshkruara nga të torturuarit. Më ballafaquan me një të burgosur. Me atë rast salla qe e mbushur me udbashë për t’i përcjellë reagimet e mia. Kur i hodha poshtë deponimet e të burgosurit, u tërbuan fare. Thashë se do të më shqyejnë, aq keq më mbërthyen dhe më goditën duke më bërtitur: “More gomar, more idiot, në sy të dëshmoi para të gjithë neve dhe thua se nuk është e vërtetë. Vetë ai kërkoi të ballafaqohet me ty, ne e sollëm dhe ti tani na nxjerr bisht !”. Por, unë isha këmbëngulës dhe vazhdova në timen, se s’ishte e vërtetë çfarë thoshte deponuesi i këtyre dëshmive të rrejshme. Si ujq të uritur m’u lëshuan, kush me kërbaç e kush me grushta e shqelma. Nuk besoja se do të shpëtoja i gjallë. Isha i përgjakur dhe i tëri i dërmuar. Atë natë më patën çuar për krahësh në qeli, edhe pse isha në gjendje disi të ecja edhe vetë. Pastaj ma sollën të burgosurin për t’u ballafaquar dhe për të më thënë se kisha bërë këtë apo atë punë më të, se unë njihesha me filan personin, etj. I hodha poshtë me indinjatë edhe shpifjet e përdhunshme edhe të këtij të burgosuri, sepse e dija mirë se ai dëshmitar i shkretë ka kaluar nëpër të gjitha këto që po kaloja edhe unë, prandaj është detyruar ndër tortura që të akuzoj veten dhe mua.
Bile, një fjalë që ai e përmendte vërtetë e kisha dëgjuar, por edhe këtë e mohova me këmbëngulje. Egërsimi dhe tërbimi i hetuesve barbarë s’kishte kufi, kështu që më torturuan më shumë se asnjëherë më parë. Më thoshin: - “A të tha në sy se ti njihesh me filan personin ?” Unë përgjigjesha: - “ Kjo që po e thuani ju dhe ai nuk është e vërtetë...” Ai duke më rënë: -“ Për ty të gjithë po gënjejnë, a ?” Unë: -“ Ai dhe shumë të tjerë janë të detyruar të thonë gjëra që ju ua diktoni…” S’mund të merret me mend tërbimi i tyre.

Buzëqeshja me zor

Në këto situata edhe pse të vështira sa s’bëhet, për mua ishte një kënaqësi e veçantë kur i shihja të tërbuar nga inati duke shkumbuar si qentë e qartur. Shpesh më ndodhte edhe të buzëqeshja, ani pse boll me zor buzët i kisha krejtësisht të çara. Çdo buzëqeshje, natyrisht, më kushtonte shumë shtrenjtë, por mjaftohesha me tërbimin e tyre. Kishin kaluar gadi tre muaj hetime dhe tortura intensive gadi për çdo ditë. Por pas ballafaqimeve intensiteti i torturave filloi të bjerë. Tani më merrnin në pyetje dy ose tri herë në javë. Edhe torturat ishin më të paktat. Pas një kohe, kur kishin kaluar afërsisht katër muaj, filluan të më merrnin në pyetje vetëm njëherë në javë. Më vonë edhe këtë e rralluan, por nganjëherë më thërrisnin për nënshkrimin e procesverbaleve të hetimeve, edhe pse këto ishin kryesisht mohuese. Gjatë kësaj procedure të nënshkrimit provuan për të fundit herë të më mashtrojnë në lidhje me disa persona, por as këtu nuk u përkula dhe qëndrova në deklaratën time të dhënë më parë. Për disa çështje edhe pse nuk kishin të bënin fare me mua, mora përgjegjësinë mbi vete, vetëm e vetëm t’i shpëtoja disa persona, për të cilët interesohej UDB-a dhe mezi priste t’i burgoste.


Skeda:Nuhi Berisha.jpg

Nuhi Berisha, u lind më 3 tetor 1961 në Svircë të Dardanës (ish Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, ndërsa Fakultetin juridik dhe të Kulturës fizike i vijoi në Prishtinë. Ishte nxënës dhe student i shkëlqyshëm. Nuhiu kishte vizion të çartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kunder regjimit të atëhershë qysh nga bangat e shkollës së mesme. Ndërsa si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revulucionar, i cili do ti shërbejë Lëvizjës çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të 1981-it. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në kontunitet, kurse me 1973 fillluan veprimtarin e tij në botimin e gazetës "Zëri i Kosovës".


Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.Shkolla fillore në Tygjec sot, mban emrin e Nuhi Berishës.


Vepra të botuara


  • Pranvera e Luleve të Kuqe,1982(Zvicër)
  • Mbi organizimin, 1983  (Zvicër)

"Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelen"





A mos është i mbivlerësuar roli i grekëve në historinë e Gadishullit Ballkanik? Pas kaq shekujsh, pas imazhit të mrekullueshëm që grekët i kanë dhënë së kaluarës së tyre, është pak e vështirë të ngresh pikëpyetje për kulturën e madhe klasike të helenëve… Por, prej kohësh, studiues të ndryshëm nuk kanë ngurruar të ngrenë pikëpyetje mbi qytetërimin e lashtë grek. Vetëm pak kohë më parë, një studiues amerikan botoi librin "Athina e zezë", ku perëndesha e bardhë me sy ngjyrë deti, perëndesha e diturisë, mbrojtëse e Athinës, sipas tij ka një të kaluar afrikane… Mathieu Aref, një studiues, që tashmë ka tentuar t‘i kthejë përgjigje me studimin e tij prej vitesh këtyre pikëpyetjeve, nuk denjon të vihet në qendër të diskutimeve akademike, duke thënë se "është Shqipëria, ajo çfarë ai e quan odiseja e pabesueshme e një populli parahelen". Dhe ky popull i vogël, sipas tij, ka qenë populli i madh që ka ekzistuar para grekëve. Duket si një guxim nga ana e Aref, një "guxim" të cilin ai e argumenton me prova shkencore, të cilat kërkojnë të hapin një debat, që, sipas tij, synon rishkrimin e historisë. Historia e pabesueshme e pellazgëve, që, sipas tij, janë ilirët e mëvonshëm, të cilët u hodhën në një cep të historisë dhe shumë pak studiues u rrekën të merreshin me ta. Por, pikërisht nga pellazgët nis shpjegimi i gjithë asaj historie "të shkruar keq", sipas Aref, që e bën rolin e grekëve të mbivlerësuar ende në ditët e sotme. Më poshtë, Aref, pas debateve që ka ngjallur në nivele të ndryshme akademike, rrëfen disa nga tezat, që, sipas tij, vërtetojnë studimin e nisur kohë më parë, që i bën të ndihen mirë shqiptarët, por që "trazon" kulturën tashmë të konsoliduar greke.
"Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelen". Libri juaj sapo është përkthyer në shqip. Mund të na rrëfeni se çfarë do të thotë kjo për ju?

Qëllimi kryesor i këtij libri është vënia në vend e së vërtetës. Asaj të vërtete, mbi të cilën rëndojnë plumb 2500 vjet. Nuk kemi të bëjmë asfare me trallisje dhe teka personale, as me fantazime fluturake, aq më pak me shovinizëm, por me një tezë të përpunuar shkencërisht, me argumente të forta, në mos të patundshme, fakte historike të shënjuara, analiza dhe hulumtime të thelluara në disa fusha shkencore, bazuar në referenca të verifikueshme. Ky libër më ka kushtuar vite të tëra studimesh, mjaft mund e djersë, gjithashtu para. Pra, nuk e kam bërë këtë vëllim të madh pune për të bërë sensacion apo për lavdi vetjake.

Çfarë e shtyu Aref të merret me një studim të tillë, që në shumë qarqe letrare është quajtur edhe si një provokim, që ju kërkoni t‘i bëni historisë greke?

Si dhe për çfarë e kreva gjithë këtë punë? Para së gjithash, natyra më pajisi qysh fëmijë me një shpirt kritik, të zhvilluar dhe me kureshti të madhe. Të jetuarit në Egjipt, në një shoqëri kozmopolite, më ka dhënë përparësinë e vështrimit elektrik. Në themel ishte terreni pjellor dhe premisat e një rrugëtimi që do ta nisja disa vite më vonë. Njohja e gjuhës shqipe, e folur qysh në djep (sidomos dialekti gegë) e që zura ta shkruaj fare i ri, më dha shumë dorë. Studimet në gjuhën frënge (letërsi, filozofi, greqisht, latinisht, artet e bukura, gjuhët e huaja, arabe, angleze, italiane) po ashtu nuk janë të huaja ndaj këtyre lloj studimesh e kërkimesh. Shkëndija fillestare ishte dalja në dritë e librit të parë të Za////çharie Mayani, "Etruskët nisin të flasin", në 1961-in, pasuar nga i dyti, "Fundi i misterit etrusk" në 1970-ën. Ja një dijetar, joshqiptar, që ia mbërriti të hedhë dritë mbi misterin e popullit të madh etrusk, falë gjuhës shqipe, që për më tepër nuk ishte as gjuha e tij mëmë. Kjo gjë më tundoi, më befasoi dhe mbi të gjitha më mrekulloi. Qysh atëherë, e përgjatë tridhjetë vjetëve, jam vënë në përndjekje të këtij populli misterioz parahelenik, që, nga zbulimi në zbulim, më ka udhërrëfyer kah shqiptarëve. Pas kësaj periudhe të gjatë më është dashur më shumë se pesë vjet për të kryer pareshtur studime e hulumtime të thelluara në fusha nga më të larmishmet: histori antike, arkeologji, antropologji, etnologji, gjuhësi dhe mitologji. Të thuash të vërtetën nuk përbën në asnjë rast provokim. Ajo mund të lëndojë, të fyejë, por gjithnjë ia vlen ta thuash. Këtu, veçse vë në vend këtë të vërtetë, çiltërsisht pa paragjykime dhe me rigorozitetin më të madh intelektual. S‘kemi të bëjmë me larje hesapesh apo me sulme të paramenduara kundër Greqisë dhe popullit grek, për të cilin ruaj sqimën më të lartë. Një kërkues duhet të mbetet krejt i paanshëm. Ajo që kam bërë është një punë vetëm shkencore dhe jo keqdashësi ndaj cilitdo qoftë. A mos vallë është faji im që shqiptarët rrjedhin prej pellazgëve, të cilët për mendimin e të gjithë autorëve të Antikitetit kanë pararendur grekët në Ballkan, Egjipt e në Azinë e Vogël dhe që këta të fundit u detyrohen për një pjesë të madhe të qytetërimit të tyre? Ta quash këtë një provokim përbën në vetvete një provokim.

Cilat janë pikat e forta, që, sipas jush, argumentojnë atë që shqiptarët janë më të vjetër se helenët?

Ju më pyesni përse i konsideroj shqiptarët një popull më të lashtë se grekët! Thjesht sepse ata rrjedhin prej pellazgëve, të cilët, sipas vështrimit unanim të autorëve më të vjetër grekë (Hekateu i Miletit, Helanikos i Mitilenës, Herodotit, Tuqididit, për të përmendur këtu më të shquarit), u transmetoi grekëve mitologjinë, kultet, si dhe një pjesë të madhe të kulturës e gjuhës së tij. Do më kthehen e të më thonë se përse ata rrjedhin prej pellazgëve e jo prej ilirëve. Sepse, në fakt, s‘është veçse i vetmi dhe po i njëjti popull. Për shumë shqiptarë dhe për një pjesë të mirë të specialistëve të epokës komuniste, shqiptarët mund të rridhnin vetëm e vetëm prej ilirëve! Faktikisht, e për çudi, pak specialistë kanë ndërmarrë udhën e studimeve mbi pellazgët. Edhe pas pothuaj njëqind vjetësh vetëm tre shqiptarë kanë shkruar mbi këtë popull, Adhamidhi, Spiro Konda dhe Dhimitër Pilika. Dhe është shumë pak! Kur shumë studiues të huaj kishin kuptuar ndërkohë rolin dhe rëndësinë e pellazgëve para mbërritjes së grekëve. Përse pra ilirët e kanë prejardhjen prej pellazgëve? Këta të fundit kishin trevat e tyre nga Atlantiku deri në Detin e Zi dhe prej dy brigjeve të Danubit deri në Egje dhe në Azinë e Vogël. Emri i pellazgëve mbetet "një emërtim përgjithësues", duke qenë i përshkruar si popull i lashtë parahistorik, i quajtur emërtim përgjithësues" dhe duke qenë i përshkruar si popull i lashtë parahistorik i quajtur "shpellagji", që do të thotë njerëzit e guvave. Egjiptianët i quanin "pelesët" dhe hebrenjtë "peleshtim". Këto etnonimi na kujtojnë filistinët (pellesh...et, peleshet…im, domethënë "shpellagji"), që nuk është gjë tjetër veçse emri që u është dhënë prej semito-egjiptianëve. Ky popull i përbërë nga tribu të shumta mbante mjaft emra, por fliste të njëjtën gjuhë dhe kishte të njëjtat tradita: trojanët, dardanët, ligurët, lelegët, karientë, likenët, iberët, frigjanët, moskët, filistinët, trakët, ilirët, pikenët, daunientët etj. Për këtë arsye, (autorët modernë) i kanë konsideruar si popuj të ndryshëm. Sidoqoftë, ne do të gjejmë prova të shumta përmes emrave të mitologjisë (të shpjegueshme prej shqipes) dhe miteve parahelenike, që grekët i kanë pronësuar dhe përshtatur sipas nevojave të tyre prej kolonizatorësh, duke i bërë elementet themelore të qytetërimit të tyre: Zeusi u lind në një "shpellë" në Kretë. "I pari njeri" qe "pelazgos" i pjellë prej dheut, "kurerët" ishin rojet e foshnjës Zeus (ku u rrit…Zeusi), emri "autochone" shpjegohet sipas shqipes "Tokët tonë), Jonët (Herodoti) ishin pellazgë të shndërruar në helenë pas mbrujtjes me gjuhën greke etj. Për sa i përket emrit "Ilir", ai e ka bazën ashtu si dhe për Palasges prej "një emërtimi të përgjithshëm", që i përket të vetmit e të njëjtit popull me "tribu të panumërta": Peonët, Dardanët, Tribalët, Pelagonët, Penestët, Autoriatët, Enkelët, Thesprotët, Molosët, Kaonët, Panonët, Istrianët, Venetët (Enetët e Herodotit), Dalmatët etj. Faktikisht, autorët e antikitetit, si Herodoti i kanë klasifikuar banorët e Veriut të Greqisë si një "popull i pavarur" (popull i lirë). Ky emërtim është përgjithësuar për të na dhënë përshkrimin e kësaj mase të madhe tribuje, siç kanë qenë "ilirët", që do të thotë "libres": I lirë, të lirët? A nuk ka rrëfyer Plini i lashtë se populli ilir përbëhej nga më se 300 kombësi?! Herodoti, a nuk ka thënë për trakët (degëzimi lindor i pellazgëve): Trakët janë, pas Induve, populli me numër më të madh në botë, i cili, nëse do të ishte bashkuar mesvedi do të kishte dominuar botën. E kjo nuk është një stisje: ka fakte historike të pakundërshtueshme. E vetmja provë flagrante e ekuacionit pellazgë=ilirë=shqiptarë është gjuha. Nëse shqiptarët e sotëm do t‘ia mbërrinin të deshifronin shumë prej emrave të mitologjisë, toponime dhe gojëdhëna që qarkullojnë në Evropë, ky do të ishte përfaqësimi më i mirë i kësaj trashëgimie mijëvjeçare. Ilirët (degëzimi perëndimor i pellazgëve) kanë qenë kësisoj pellazgët e vërtetë, për sa që gjuha e këtyre të fundit është përcjellur te pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë, ilirët e mandej shqiptarët, ku gjuha (sidomos dialekti gegë) flitet ende sot e kësaj dite, qysh prej më se 3000 vjetësh. Për sa i përket "mikenasve" hipotetikë, në fakt ata ishin veçse pellazgë, për sa grekët ende nuk ishin shfaqur. Ky emërtim u krijua artificialisht nga Schliemann gjatë shkarjeve të tij për "mikenët". Në fakt, nëse ai do të kishte zbuluar gjurmët e tyre në Athinë, ata do të ishin quajtur "Qytetërim Athinas". Nuk ka asgjë shkencore në një të tillë përshkrim të një populli, që nuk ka ekzistuar kurrë nën këtë emërtim. Ndërsa për sa i takon linjës B, deshifruar prej Ventris e Chadwick, ajo bën fjalë për "pellazgjishten e lashtë" të ngatërruar me greqishten antike. Veç të tjerash, në një farë mase mund të thuhet se greqishtja antike (sidomos jonike, meqë jonët ishin pellazgë) ka rrjedhur drejtpërsëdrejti nga pellazgjishtja e lashtë me prurje greke, domethënë semito-egjiptiane. Ja sesi është sajuar historia e Greqisë parahelenike.

Idetë e hedhura nga ju janë interesante për shqiptarët. A mund të ketë iniciativa të tjera, jo thjesht libra, të cilat do të mund të bënin një ndryshim të historisë së shkruar?

Unë mendoj që aktualisht ka argumente të mjaftueshme, prova dhe elemente të spikatura, që u lejojnë historianëve, studiuesve dhe dishepujve të tyre të rishkruajnë historinë e Greqisë parahelenike. Nëse mund të them Greqia "parahelenike", kjo ndodh sepse historia e Greqisë "strico sensu" (ajo para shekullit VIII para Krishtit) është e njohur dhe e klasifikuar pothuajse saktë. Praktikisht është thënë gjithçka për atë Greqi "strico sensu", të cilës unë nuk mund t‘i shtoj dot asgjë. Pra, unë nuk kam absolutisht asgjë çka të them mbi këtë lloj Greqie (atë të Solonit, atë të Pizistratit apo Perikliut), veç faktit të të qenit të admirueshme dhe se njerëzimi i detyrohet për gjithë çka më të bukur e më me vlerë. Mirëpo pellazgët diç kanë lënë aty. Pikërisht këtë diçka historianët, linguistët dhe arkeologët tanë modernë nuk kanë denjuar ta shquajnë. Madje, një Greqi e tillë (pas shekullit VIII: arkaike, klasike, e helenistike) as nuk bën pjesë në studimet dhe hulumtimet që unë kam kryer në dy librat e mi. Kështu, nuk ka asnjë tregues që të provojë se Greqia ekzistonte para shekullit VIII para Krishtit. Ndërtimi i "tempujve", shfaqja e qytezave ("Polis"), konfederatat religjioze (amfiktionet), shpalosja e stileve arkitekturore (dorik, jonik, korintas), zhdukja e mbretërimeve dhe shfaqja e tiranisë, ekspansioni kolonial (emporion=tregje dhe apoikoi=koloni), krijimi i tempullit të Delfit, shfaqja e alfabetit dhe e të parave shkrime greke, shfaqja e lojërave olimpike, shekulli i artë i thënë i "Perikliut": gjithë këto ngjarje marrin jetë pas shekullit VIII. Sa për Homerin, të shumtë janë ata që mendojnë se nuk ka ekzistuar ose që nuk ka shkruar kurrë asgjë. Fakti thotë se ai nuk ka shkruar, pasi gjuha greke është shkruar vetëm nga fundi i shekullit VII. para Krishtit. Ai mundi të ekzistojë si rapsod. Për rrjedhojë, poemat e Homerit ("Iliada" dhe "Odiseja") mundën të shkruhen vetëm në shekullin VI, në epokën e Pizistratit. Këto poema epike kanë për origjinë traditën gojore, të përçuar nga brezi në brez prej rapsodëve pellazgë. Grekët i morën dhe i kënduan (duke i përpunuar për kauzën e tyre) me rapsodët e tyre. Keqkuptimi vjen prej faktit se ngatërruam gjithçka: Greqinë parahelenike (para shekullit VIII) me Greqinë në bllok (pas shekullit VIII). Le të mos harrojmë as faktin se studimet mbi pellazgët jo vetëm sikur u harruan, por edhe u mënjanuan plotësisht. Le të themi se disa studiues modernë (historianë, arkeologë dhe gjuhëtarë) kanë vënë në dukje se pellazgët përbëheshin prej popujsh të ndryshëm, mandej të zhdukur trup e shpirt, pa lënë as më të voglën gjurmë: etni e gjuhë! Ndërkohë që kjo etni vijoi me ilirët në Perëndim dhe trakët në Lindje. Ndërkohë që të gjithë autorët e lashtë lanë gjurmë të shkruara, sipas të cilave ky popull parahelenik ka pas qenë shumë i lashtë (njerëzit e parë) dhe që në kohën e Herodotit në shekullin V para Krishtit popullonin ende krahina të tëra (Arkadia, Argolida, Atika, Tesalia, Lakonia etj.), të kuptojmë ishujt (Kreta Lemnos, Lezbos dhe veçanërisht Samosin)!
Si e shihni historinë e Ballkanin sot?
Ka pak kohë që u konfirmua shprehja "baruti i Ballkanit" me luftën dhe problemin e Kosovës (e mbetur ende pezull). Mendoj se shpirtrat dhe mendësitë kanë evoluar ndopak dhe fantazma e luftës po largohet gjithnjë e më tepër, veç nëse qëllimësitë dhe pozicionet politike të Fuqive të Mëdha, sidomos Bashkimit Evropian, ashpërsohen ose ndryshojnë. Aktualisht, Kosova është një nga problemet më të thekshme në Ballkan. Pa rregullim paqësor, të barabartë dhe të drejtë, ndoshta s‘do të ketë kurrë paqtim në rajon. Sa për vete, jam për pavarësinë e Kosovës, sepse pas gjithë atyre fatkeqësive dhe krimeve (le të themi etnocid) dhe urrejtje mes dy popujve (serbë e kosovarë) nuk mund të bashkëjetojnë dhe të ndërtojnë së bashku një /////shtyhet që të mund të funksionojë. Me t‘u rregulluar ky problem, Ballkani mund të përfytyrojë në gjirin e Evropës së bashkuar një forcë dinamike dhe ndërtimtare për ardhmërinë e këtij rajoni të mbetur fatkeqësisht pa trashëgimi, i shqyer, i tollovitur dhe i izoluar pas shumë shekujsh pushtimi otoman dhe dekadash komuniste.
Shumë njerëz mendojnë se e kaluara nuk duhet trazuar
për hir të së ardhmes, ndërsa ju e trazoni atë. Për
çfarë shërben kjo?

Sigurisht që do të më bëhet pyetja se përse i trazoj kujtimet e vjetra, kur e ardhmja ka vlerë më tepër? Po, por e ardhmja është gjithherë e lidhur me të shkuarën. Nëse ne ekzistojmë, kjo ndodh sepse të tjera kanë ekzistuar para nesh dhe na lejuan të jemi ata që jemi, duke na dhënë atë që kemi më të çmuar. Kur kjo e shkruar mbetet në hijen ku është degdisur, e ardhmja mbetet e errët. Për çfarë shërben të zgjosh të shkuarën? Sigurisht për të kuptuar më mirë të ardhmen. Çështja që na intereson këtu, nuk është të flasim për një të kaluar të qartë dhe të kthjellët, por për një të shkuar që na mbahet e fshehur dhe që manipulohet për një kauzë të njëanshme.

Në kohët e sotme, idetë ndryshe apo përgënjeshtrimi i historisë është bërë si në modë. A keni pasur frikë se do të paragjykoheshit, kur nisët ta shkruanit këtë libër?

Jo, unë nuk jam tipi që ndjek modën. Kam aq karakter dhe personalitet sa për t‘u bërë ballë sirenave të demagogëve, paragjykimeve apo "publikisht e mirënjohur", sidomos kur përpiqen të të largojnë prej së vërtetës. S‘ndiej asnjë influencë në lidhje me këtë çështje. Një proverb francez thotë: "Me ba çka duhet, me ngja çka mundet". Kur nisa të shkruaj librat, mendova fill rezultatin përfundimtar dhe i thashë vetes: nëse gabohesh, nëse argumentet e tua nuk janë bindëse, nëse referencat nuk janë të verifikueshme, do të pësosh kundërshtinë dhe poshtërimin! Ndaj fillova të kërkoj "provën e së kundërtës", atë çka mund të vinte e të shqetësonte tezën dhe vërtetimet e mia shkencore. E pasi shkoqita gjithçka hollë-hollë, s‘gjeta provë për të kundërtën. Trondita qetësisht një seri të tërë studimesh dhe kërkimesh. Me ndërgjegje të lehtë dhe zemër të qetë, karvani im vazhdon më tej bindshëm.

Cili është Aref, jeta që ju bëni?
Është e vështirë për të folur për veten. Gjithë ç‘mund të them është se jeta ime s‘ka të bëjë me veprën time. Gjithsesi, do të flas qartë, veç për të thënë se përherë kam qenë ndër ata "të drejtët", në kuptimin më të fisëm të fjalës. Në jetën time private dhe profesionale e kam dënuar gjithnjë padrejtësinë prej nga vinte dhe cilado që të ishte. Integriteti dhe këmbëngulja ime, lehtësitë në përshtatje, bagazhi kulturor, guximi dhe korrektësia në punë më mundësuan të ushtrojë funksione interesante e të rëndësishme. Posti i fundit ishte drejtor i një filiali të një shoqërie të madhe franceze. Kam lindur në Kajro (ku kam kaluar njëzetë e tre vitet e para të jetës sime dhe kam kryer pjesën më të madhe të studimeve. Prindërit e mi kanë lindur në Shqipëri në krahinën e Matitm, më saktë në Rrembull. Kam dy vëllezër dhe një motër. Gjithashtu katër fëmijë, nga mosha 33 deri në 39 vjeç (tre djem dhe një vajzë). Jam pensionist që prej 1999-ës. Kam pasur disa probleme shëndeti ndaj dhe bëj kujdes. Merrem me administrimin e publikimeve të mia, me letërkëmbime e marrë pjesë herë pas here në konferenca. Kam shkruar dhe disa ese metafizike e filozofike (të pabotuara). Merrem, jo me shumë vrull me pikturë dhe poezi klasike (rreth 250 poema të pabotuara).

Mund të na flisni pak për lidhjet me Shqipërinë?

Lidhjet e mia me Shqipërinë kanë qenë të dobëta (ne kemi vetëm lidhje epistolare me familjen… veç nëse posta përgjohej prej autoriteteve shqiptare dhe nuk mbërrinte në destinacion) për arsye të largimit e të këputjes së shkaktuar prej komunizmit në Shqipëri dhe që nuk lejonte kollaj të vizitonte vendin. Sjell ndërmend kujën e nënës, kur mori lajmin e vdekjes të nënës së saj, motrës, vëllait e të të tjerëve. E s‘mund të rrija pa qarë bashkë me të. Por mbeta shumë i lidhur me mëmëdheun, për shkak të edukimit, rrënjëve dhe me gjithë ç‘mban barku. Në Egjipt, komuniteti shqiptar ka qenë mjaft i rëndësishëm (shpesh në përmbajtje kish njerëz me vlera të larta). Babai im ka pas njohur poetët Çajupin, Asdrenin, shkrimtarin Ernest Koliqi, kumbar i vëllait tim të vogël, Isa Boletinin (një nga heronjtë e pavarësisë së Shqipërisë), Mbretin Zog dhe familjen e tij etj. Mos mendoni as edhe një çast që i shkruaj librat e mi i ngarkuar me ndonjë ndjenjë shovinizmi. Po e përsëris atë që thashë më sipër, puna ime është para së gjithash shkencore dhe nuk përket brenda aspak prej ndjenjave. E dua Shqipërinë, por jam i drejtë dhe i paanshëm me historinë e saj, intransigjent me të.

A keni pasur kërcënime pas botimit të librit?

Pasi kam botuar dy librat e mi (2003-2004) nuk kam marrë asnjë kundërshti zyrtare për sa u përket tezave prej ndonjë sektori universitar apo shkencor… Sigurisht që asistoj shpesh andej-këtej me ndonjë reagim //////epidermik personash dyshues e madje armiqësorë, por pa nivelin e duhur e të mjaftueshëm kulturor për të debatuar mbi këto çështje të mprehta. Kritika është e thjeshtë, por arti i vështirë, thotë një proverb i famshëm. Zakonisht mbizotëron habia. Por, përmbajtja e librave të mi del prej shtigjesh të rrahura. Pedagog universiteti apo studiues rishtar është shumë normale që ata të shqetësohen prej këtij subjekti që i tejkalon: se kanë ndeshur në amfiteatrot e tyre universitarë këtë lloj teze. Ç‘nuk është normale është të kundërshtosh tezën pa sjellë as më të voglën "provë" të së kundërtës".

Të flasësh për Shqipërinë sot, në një moment kur ajo ende nuk e ka marrë veten nga plagët e komunizmit, kur ecejakja e saj drejt vendeve perëndimore sa vjen e bëhet më e vështirë, çdo të thotë ta paraqesësh këtë popull të vogël, si një popull nga më të hershmit e njerëzimit?

Mendoj se në mënyrë të tërthortë iu përgjigja kësaj çështjeje përgjatë kësaj interviste. Sipas gjithë asaj çka thashë, ripohoj se nëse Shqipëria është një nga vendet më të vogla, më pak e qytetëruara ose më e shpronësuara e Evropës, s‘duhet harruar se është "një popull i madh". (Shtet i vogël, por popull i madh!) S‘kemi aspak antinomy. Mund të jesh i varfër, por i fisëm. Së fundi, mund të thuhet se vijimësia etnike (me gjithë përzierjet) kulturore dhe gjuhësore (me gjithë ndërfutjet dhe neologjizmat) nuk reshti kurrë në këtë zonë ballkano-danubiane, me gjithë mësymjet e ndryshme dhe pushtimet romake, bizantine e otomane: shqiptarët jetojnë bash aty ku kanë qenë të paktën qysh prej neolitit. Por, fatkeqësisht historia shtangu në atë çka deshën të na bënin të besonim.

(Autori Mathieu Aref, është studiuesi i njohur francez)

Rishikimi i domosdoshëm i historisë kombëtare



Sabri Selmani

Ata që i njohin mirë vuajtjet, plagët, dhembjet dhe shpërnguljet e çamëve dhe kosovarëve do ta kishin shkruar këtë paragraf: “Pse moj histori çame e kosovare mban shkrimin me një anë?



Pse moj nënë çame nuk po tund djepin çam, pse nuk i këndon ninulla nipit tënd çam, pse ti moj nënë çame nuk dhëndëron nipin, pse odën e madhe të nipit nuk e nusërove…? bëje atë moj nënë se ty të ka hije, ti, e cila linde pavdekshmërinë e çamëve dhe Çamërisë, ty moj nënë Çamëria të ka për shekuj, ty çamët të kanë për xhan, shpirtëroje trashëgiminë çame, lëndoje heshtjen dhe harresën e Enverit…” e ajo thotë: “S’e bëj dot, sepse s’e kam as të parën, as të dytën, as të tretën, as të katërtën, sepse ia lashë amanet Çamërisë, të gjitha m’i rrëmbeu rruga e shpërnguljeve çame”.

Dhe pse ti moj nënë kosovare nuk kërkon ta kthesh buzëqeshjen tënde të ëmbël e të humbur kosovare? A mos t’u shter moj nënë qumështi, a mos t’u shterën shpresat, a mos t’u sosën lotët për luftëtarin tënd të paepur? Pse moj nënë e Kosovës je sikletosur kaq shumë? Pse mban kokën dhe shikimin mënjanë? A mos ta lëndoi shpirtin greku, krajli e serbi?… “Eh mor bir as jam e lënduar e as e sikletosur, por… edhe unë si nëna çame nuk e bëj dot hidhërimin as për një mijë plagët e mia, nuk do lëshoj dot lot pikëllimi. Ata do t’ia dhuroj dasmës së Kosovës, nuk më ka hije sepse luftëtarin tim të paepur vetë ia dhurova lirisë së Kosovës, asaj Kosove të përvuajtur”. Dhe ju “këndonjës të nderuar” nëse ky paragraf i lartpërmendur nuk denigrohet dhe nuk kallkanoset, atëherë Akademia e Shkencave dhe Arteve duhet të rishikojë dhe rishkruajë historinë tonë kombëtare. Unë mendoj se është një ide mjaft humane, një ide krejt fisnike, një ide mjaft e qëndrueshme, një ide që në instancë të fundit do të duhej të jetë gjithëkombëtare. Dhe të gjithë ne nëse nuk e kuptojmë gabimisht këtë ide, atëherë ajo, assesi nuk do të duhej të minimizohet, politizohet, regjionalizohet dhe të diskreditohet. Përkundrazi, asaj duhet t’i hapet rruga drejt emancipimit të saj të plotë, atë duhet ta nxjerrim në një dritë pozitive.

Ky projekt nuk duhet të ketë një këndvështrim të njëanshëm. Ai meriton qasjet dhe pozicionet tona unike dhe mbi të gjitha, institucionale. Ai projekt kërkon hisen e djersës së njerëzve që historinë kombëtare e kanë për zanat. Përndryshe të gjithë ne, në gjykimet tona me siguri s’e kemi hetuar faktin se historisë sonë kombëtare, kështu siç është shkruar dhe shikuar, i ngjiten një mori gjymtimesh, si në aspekt të semantikës, sintaksës, didaktikës, në aspekt të gjenealogjisë dhe metodologjisë së hulumtimit të saj të deritashëm.

Kësaj historie i hetohen edhe ca defekte të tjera që nuk mund të tolerohen si për shembull mungesa e një komunikimi institucional me atë të shqiptarëve të Maqedonisë të cilët në vazhdimësi janë emërtuar si “shqiptarë maqedoncë”, ata të Kosovës si shqiptarë “qaramanë” siç do t’i quajnë serbët apo ata të Malit të Zi “shqiptarë të Podgoricës” apo ata të Luginës së Preshevës “shqiptarë melezë” e të tjera emërtime të bastarduara. Kjo të ndërgjegjëson se historisë sonë, kështu siç është ndërtuar, dita-ditës i zbehet dhe i shteret shpirti kolektiv. Por para se të fillohet me rishikimin, rishkrimin, shkrimin dhe zbardhjen e saj të tërësishëm, paraprakisht duhet të respektohet dimensioni i saj politik, fetar, demografik, dokimologjik, ipsativ, si dhe dimensioni konfigurial dhe, ky i fundit, definitivisht do ta arsyetonte idenë në fjalë nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, asnjë rishkrues apo rishikues nuk do të gjente hapësirë kundrejt një të vetme pakënaqësie qoftë ajo të jetë individuale ose kolektive.

Historia jonë meriton të rishkruhet toptan, asaj duhet t’i rishikohet dhe t’i zbardhet sidomos kaptina e saj e sakatosur, e nakatosur, e shtrembëruar dhe e heshtur, duke filluar nga Bordelet e Konferencës së Londrës, nga koha e Çubrilloviçit, nga koha e shpërnguljeve masovike, nga koha e marrëveshjes turko-serbe, Rankoviçit, Goli Otokut, Zabelës dhe Idrizovës së Titos, Millosheviçit… Ajo duhet të shkruhet në vazhdimësi dhe jo të belbëzohet. Mbase ajo nuk është reflektim i kohës së decenieve, është shprehje e frymëmarrjeve tona shekullore. Ajo u duhet dedikuar njerëzve që u mungoi përlotja jonë pa u thënë asnjë fjalë. Ata merituan së paku një epistolar poetik, së paku një llaf lapidar sepse tek e fundit shpirtrat e tyre janë pronë të vatanit. Le të rishkruhet, rishikohet dhe shkruhet historia çame, historia e shqiptarëve të Maqedonisë, të Kosovës, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi dhe atyre të diasporës, sepse edhe këto histori kanë eposet, doket, plagët, këngët, djepat, llafet, sociolektet dhe kodin e tyre moral. Ata nuk mund të ngelin jashtë anit të shtetit amë. Këtij rishikimi dhe rishkrimi i duhet një gjenealogji dhe një sintaksë e re që do ta kurorëzojë historinë çame, kosovare, të shqiptarëve të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës… me historinë e Shqipërisë politike sepse… historitë e sipërpërmendura “…nuk janë bimë të mbira mbi pleh, por një popull me rrënjë të thella në histori” (Dino Kaja). Mungesa e këtij kurorëzimi do ta anashkalonte historinë tonë autoktone dhe njëkohësisht do ta vagëllonte idenë tonë kundrejt këtij projekti dhe kjo përpjekje jona nuk duhet të perceptohet me dyshim, përkundrazi, gjykimet tona duhet të jenë optimiste.

Ndërkaq, periudha e sundimit despotik dhe diktatorial në Shqipëri duhet të fashitet dhe t’i fshihet edhe sintaksa shqipe, edhe drejtshkrimi e drejtshqiptimi, edhe emri, edhe… unë s’di edhe çfarë tjetër duhet t’i fshihet, një despotizëm i cili plot dyzet vjet për hesap dhe për hatër të internacionalizmit socialist, i futi veshët në lesh sa për të mos dëgjuar hallet dhe dertet e Kosovës, Çamërisë… i cili plot dyzet vjet nuk tha as një të vetmin llaf për shqiptarët këtej kufirit, këtej Shkupit, këtej Podgoricës, këtej Çamërisë, këtej Luginës së Preshevës dhe këtej...!?

Postuar nga AGJENCIONI FLOART-PRESS në 9:49 e pasdites

PRO ET CONTRA-Antiturqizmi, maskë e antishqiptarizmit të serbo-rusofilisë

Abdi BALETA

Tani vemi re fare mirë se është përsëri acari rus që vërshon drejt Ballkanit si në kohën e luftrave kundër Perandorisë Osmane që të ngrijë edhe një herë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të çështjes kombëtare shqiptare në tërësi. Këtë ka bërë Rusia Cariste në kohën kur ishin krijuar Pashallëqet e Mëdha shqiptare dhe shqiptarët ishin më afër krijimit të shtetit të tyre, para shteteve serbe e greke në Ballkan.


Këtë ngrirje solli Rusia për çështjen shqiptare edhe në kohën e "Kongresit të Berlinit", kur duhej njohur kombi shqiptar në Europë dhe duheshin bashkuar në një të katër vilajetet shqiptare, në rrethanat e dobësimit të Perandorisë Osmane. Të njëjtën gjë bëri Rusia kur duhej njohur shteti i pavarur kombëtar shqiptar në vitet 1912- 13, kur duhej zbatuar parimi i vetëvendosjes së popujve edhe për shqiptarët në Ballkan pas LDB. Të njëjtën gjë kërkon të bëjë edhe së fundmi, në kohën kur duhet njohur pavarësia e shtetit sovran shqiptar të Kosovës. Më 9, 10 dhe 11 Janar 2008 në gazetën "Republika" është botuar studimi i Pr. Eshref Ymerit mbi politikat e veprimtarinë e tërbuar armiqsore shumëshekullore të armikes së betuar të shqiptarëve, Rusisë. Analiza që bëhet në këtë studim i jep lexuesit e opinionit publik shqiptar(madje dhe politikanëve e intelektualëve që dëshirojnë) një udhërrëfyes publicistik për të kuptuar edhe më mirë materialin e gjërë faktik që përmban libri i Shaqir Vukajt "Kosova dhe Rusia". Kurse shkrime si ai i Engjël Koliqit, ai i Gjetë Kolës dhe i disa të tjerëve janë në frymë e kahje krejt të kundërt, shkojnë në vazhdën e rrymës që njihet prej kohësh si serbo-rusofile.
Këta shkrime duken të ndikuar nga demagogjia e Beogradit dhe e Moskës, posaçërisht nga intervista e ambasadorit të Rusisë në Tiranë, zotëri Prishepovit, botuar në gazetën "Shqip" më 23 Dhjetor 2006, në të cilën jepej si verdikt i prerë se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër për Kosovën veç asaj që do të pëlqejë edhe Beogradi dhe çështja e Kosovës nuk duhet lidhur me marrëdhëniet e Rusisë e të Shqipërisë, pasi këto marrëdhënie duhet të vështrohen vetëm në prizmin e "miqësisë së popujve".

Nuk ka si të mos bjerë në sy për keq kur dhe autorë shumë të pranishëm në botimet e në publicistikën shqiptare, me studime e shkrime që shpesh kanë mjaft peshë, si Pr. Hulusi Hako, që shpalos dhe mendime për patriotizmin që duhet të kenë shqiptarët, pikërisht në këtë kohë e gjen me vend të derdhë nostalgjitë e tij për kohën e shkuar si student në Rusi, madje të kapërcejë masën duke shpërfaqur e reklamuar me krenari rusofilinë e tij. Në pjesën e serialit nostalgjik "Ditari i Moskës" (të cilën autori e përmend dhe me termat "Moska ime") të botuar më 13 Dhjetor 2007 në "Telegraf" autori ka shkruan: "U mbushën plot 50 vjet që kur jam ndarë nga Moska! Nostalgjia veçse është shtuar... kujtimet e atyre viteve nuk janë thjesht një moment përjetimesh turistike... por u bënë vizioni më dimensional për të qenë i dobishëm për Atdheun tim". Nuk do t'i jepja vetes të drejtën të shprehesha për këto ndjesi të autorit, po të mbeteshin ato thjesht vetanake të Antiturqizmi, Te tij, edhe pse unë si ish-student në Rusi, në Moskë, në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare ( Diplomacisë) nuk kam përjetuar kurrë ndjesi të ngjashme dhe nuk kam asnjë nostalgji për ato dy vitet që kalova atje midis rusëve, ndonëse kam kujtime të mira nga shkolla, nga bashkëstudentët. Por autori i "Ditarit të Moskës" ka shkuar më tej, ka hyrë në terren me interes publik, ku na takon të gjithëve të ngulim belin e lopatën për të shkulur barërat e këqija dhe për të kultivuar bimësi shqiptare; ka hyrë në terrenin e vlerësimit politiko-diplomatik të marrëdhënieve shqiptaro-ruse, madje me një qasje që përputhet shumë me intervistën e para një viti të ambasadorit rus në Tiranë.

Unë kam reaguar ndaj asaj interviste të ambasadorit rus nëpërmjet një "kartoline të hapur" për vitin e ri, sepse dhe intervista ishte si një mesazh drejtuar shqiptarëve në vigjilje të vitit të ri 2007. Shkrimi "S novim godom-gëzuar vitin e ri" është botuar në "Rimëkëmbja" më 26 Dhjetor 2006. Në mënyrë të veçantë theksoja së është e natyrshme dhe e domosdoshme për shqiptarët (pavarësisht si mendojnë e veprojnë pushtetarët e tyre) që në vartësi të qëndrimit të Rusisë për çështjen e Kosovës shqiptarët të ndërtojnë marrëdhënieve ruso-shqiptare. Këto marrëdhënie duhen parë siç janë në realitet, si marrëdhënie midis shteteve e qeverive dhe jo sipas tezës së rreme demagogjike sovjeto-komuniste për "miqësinë e popujve", që na e kishin trumbetuar deri në mërzi në vitet e shkollimit në Moskë dhe që në fakt asnjëherë nuk ka gjetur zbatim konkret për shqiptarët, kur bënin miqësira të mëdha me jugosllavët, rusët, kinezët, apo kur themi të njëjtën gjë me grekët tani. Mund të themi se vetëm marrëdhëniet me Turqinë kanë në bazë të tyre edhe miqësi popujsh. Por disa janë të prirur t'i trajtojnë si armiqësore pikërisht këto marrëdhënie.

Prof. Hako ka shkruar: "Kanë hyrë në pasurinë time edhe rusofonia edhe rusofilia". Kuptohet se rusofonia ka hyrë në pasurinë e të gjithë shqiptarëve që kanë studiuar në Rusi, apo që mësuan gjuhën ruse në Shqipëri. Kurse me rusofilinë puna qëndron krejt ndryshe. Ajo nuk duhet të hyjë tek asnjë shqiptar, qoftë dhe tek ata që kanë studiuar në Rusi dhe nuk nxjerrin dot nga vetja nostalgjitë për atë vend. Rusofonia dhe rusofilia janë e duhen trajtuar si dy gjëra të ndryshme.

Rusofonia është thjesht fakt jete. Rusofilia është ndjesi, madje politikë e mirëfilltë e vetëdijshme. "Filitë politike" kanë implikime politike për individin dhe shoqërinë e vendin që i përket individi. Këtë e di dhe profesori që ka shkruar "Ditarin e Moskës" me nostalgji, sepse është munduar që ta përligjë rusofilinë e tij me një argument të shpëlarë fund e krye demagogjik : "Se Putinët venë e shkojnë, pavarësinë e Kosovës shqiptarët do ta gëzojnë, por dashurinë e veçantë të popullit rus për ne, edhe ndihmesat as i harrojmë , as i ngatërrojmë me putinarinë e llavrovshmërinë! Se tek logjika e hekurt e jetës, drejtësia dhe dashuria e popujve dhe e njerëzve të thjeshtë në fund të fundit do të thyejnë turinjt gjithë politikat e vogla dashakeqe në qoftë se njerëzimi do të hyjë vërtetë në erën e demokracisë".
Ndaj mendimeve të tilla nuk mund të qëndroja pa reaguar për dy arsye: 1-Për arsyen e përmendur më lart se jam bërë palë, qysh në Dhjetor të vitit 2006, në debatin se a mund dhe a duhet të vështrohen marrëdhëniet shqiptaro-ruse sëpari e kryesisht nga këndvështrimi i "miqësisë së popujve"

2- Për arsyen parimore e politike se nuk pajtohem dot me prirjet që midis shqiptarëve të kultivohet rusofili në kohën kur Rusia dhe rusët po bëjnë një veprimtari tejet armiqësore ndaj shqiptarëve ( siç e kanë vërtetuar kohët fundit edhe Shaqir Vukaj me libër prej qindra faqesh dhe Eshref Ymeri më një shkrim të kondensuar publicistik).
Mund të shtoj dhe një shkas të tretë për këtë reagim: zotëri Hako si Kryetar i Shoqatës Atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar ka marrë fjalën përshëndetëse dhe ka përgëzuar "manifestimin madhështor... Vlora Heroike valëvit flamurin e Pavarësisë së Kosovës", ku ndër të tjera,(sipas gazetës "Ndryshe" të datës 13 Dhjetor 2007) ka thënë: "Ka ardhur koha të rimarrim atë që na përket, zemrën e shpirtin tonë Kosovën, sepse ndryshe trupi nuk ka jetë. Europa është e jona dhe ne jemi Europa". Kjo është thënie e bukur. Por nuk kemi si të mos vëmë re një kontradiktë të madhe ideore dhe politike. Rusia, jo vetëm politikanët , por edhe opinioni publik rus janë kundër bashkimit të shqiptarëve. Kurse zotëri Hako pretendon se identiteti shqiptar dhe bashkimi kombëtar shqiptar mund t'u bëkan duke kultivuar, ushqyer e reklamuar rusofilinë midis shqiptarëve.
Kjo nuk shkon, ose njëra, ose tjetra. Rusofilia nuk të ndihmon të ruash identitetin e të bësh bashkimin kombëtar shqiptar, por të tërheq drejt një qëndrimi kobtar për këtë identitet e këtë bashkim. Kush të dojë le ta besojë, kush të dojë të mos besojë, por unë kam bindjen se faktet që i kemi ditur dhe ato që kanë renditur tani vonë Vukaj dhe Ymeri këtë na mësojnë. Ai arsyetimi se Putinët e Llavrovët vinë e shkojnë që e ka bërë Hako si argumentin kryesor për të besuar tek miqësia e popujve shqiptaro-ruse nuk pi ujë fare, sepse kjo miqësi nuk ka ekzistuar ndonjë herë dhe as që mund të krijohet përderisa gjithë sunduesit, politikanët, qeveritarët, intelektualët e Rusisë në opinionin publik, tek njerëzit e thjeshtë rusë, kanë përçuar e përçojnë vetëm shovinizëm, përbuzje, mllefe e urrejtje për shqiptarët. Është e vërtetë se Jelcinët, Putinët, Ivanovët, Llavrovët, Medvedievët do të shkojnë e të vinë në Rusi, siç kanë ardhur e kanë shkuar në shekuj carë, bojarë, gjeneralë, admiralë, hierarkë komunistë.

Por këtu qëndron dhe keqja më e madhe se gjithmonë, të paktën gjatë 3 shekujve të fundit, në drejtimin e Rusisë e të rusve kanë ardhur pa anjë përjashtim komandues e drejtues që ndaj shqiptarëve kanë treguar vetëm armiqësi. Kështu ka ndodhur edhe kur Carë të Rusisë ishin burra, edhe kur ishin gra; edhe kur në krye të Rusisë ishte një careshë gjermane (Jekaterina II) edhe kur padron i Kremlinit bëhej një gjeorgjian (Josif Stalini); edhe kur ministri i jashtëm quhej Sazonov, Litvinov, Molotov edhe kur quhej Shevarnaxe (gjeorgjian); edhe kur poste të tjera me rëndësi i mbanin rusë, edhe kur titullarët e ndihmësit kryesorë ishin çifutë, armenë, gjeorgjianë, polakë, balltikas, dikur më herët dhe ndonjë arvanitas nga Greqia (Kapodistria). Ajo "miqësia e popujve" që do të frymëzoka një ditë rusët ndaj shqiptarëve do të vijë për "Bajramin rus" (kalendat greke) që e përmend Eshref Ymeri dhe që vetë Hulusi Hako e ka bërë me një ekuivalent kushtëzues shqiptar "në qoftë se njerëzimi do të hyjë në rrugën e demokracisë". Kurse populli e ka thënë me kohë më thjeshtë "prit gomar të mbijë bar", që duhet kuptuar në këtë rast "prit shqiptar sa të ngrenë rusët kopshtin e miqësisë për ty".

Po ç'e do se rusët vazhdojnë të edukohen më shumë me Tolstoin, i cilingushëllimin e heroit të tij të dhëmbshur, Vronskit (në romanin Ana Karenina), e ka lidhur me nisjen e tij "heroike" për të ndihmuar serbët në luftën kundër osmanëve.

Shumë rusë në vitin 1999, siç dëshmon Shaqir Vukaj, ndiqnin shembullin e Vronskit, regjistroheshin vullnetarë për të masakruar bashkë me serbët shqiptarët në Kosovë. Është mirë që "Vlora heroike e ka valëvitur flamurin e pavarësisë së Kosvës" në dhjetor 2007, se kështu bëhet një hap për të shlyer kujtimet e këqija që na kanë mbetur nga tundja e tre gishtave serbçe në Sheshin e Flamurit në Vlorë në pranverën e vitit 1997, kur serbët kishin nisur valën e madhe të gjenocidit në Kosovën.

Do të bënin mirë edhe nostalgjikët për Rusinë që ta flaknin rusofilinë dhe të mbeteshin tek shqiptarizmi. Do të bënin mirë t'u largoheshin marrëzisë ata shqiptarë që pa pushim mallkojnë e fajsojnë Perandorinë Osmane për gjithë vështirësitë që provojnë shqiptarët brenda trojeve e shoqërive të tyre dhe në marrëdhëiet ndërkombëtare edhe 100 vjet pas shpërbërjes së saj. Me (a) logjikën e tyre të çuditëshme njerëz të tillë ka të ngjarë të fajsojnë ndonjë ditë Sulltanin edhe për aksidentet e rëndë që ndodhin në furrnaltat e shfrytëzuara nga kompania turke "Kurum" në kombinatin metalurgjik kinezo-shqiptar në Elbasan.

Antiturqizmi sado të mbështetet me propagandë nuk maskon dot armiqësinë serbo-ruse ndaj shqiptarëve, as e përligj rusofilinë e serbofilinë midis shqiptarëve. Cilatdo të kenë qenë marrëdhëniet shqiptaro-osmane në kohën e Perandorisë 600-vjeçare të Sulltanëve, Turqia e re, që nisi jetën si shtet kombëtar në vitet 1920, doli si mike e madhe e shqiptarëve dhe e Shqipërisë. Duan apo nuk duan disa shqiptarë të trullosur nga antiosmanizmi e antimyslimanizmi, Turqia e re dhe kombi i sotëm turk e kanë dëshmuar veten si miqtë më të sinqertë të shqiptarëve gjatë gjithë kohës. Edhe sot Turqia është i vetmi vend që dyert i saj i mban të hapura me dashamiërsi për shqiptarët, i vetmi vend ku po të thuash se je shqiptar (arnaut) rrethohesh menjëherë me kujdes e dashuri, i vetmi shtet që nuk mendon si të izolojë shqiptarët e zakonshëm në botë. Dhe pikërisht me këtë vend duan t'i armiqësojnë shqiptarët njerëzit që u japin "këshilla Djalli" në shkrime si ai mbi "borxhet historike të Turqisë ndaj Kosovës". Pikërisht këtij shteti e kombi i dërgojnë herë pas here mesazhe provokuese disa shqiptarë që duan të njollosin në sytë e turqëve gjithë shqiptarët e tjerë si "mosmirënjohës" ndaj mikut, që të kënaqen hasmit e shqiptarëve.





Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...