Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/14

ADEM GLLAVICA, JETA DHE VEPRIMTARIA

Shkruan, Ismail Gashi
Lypjan, 29. 03. 2012 – Personaliteti madhor intelektual, menquria tipike atdhetare e Adem Gllavicës, reflektoi gjysmëshekulli atdhetari shqiptare mbi bllokadën komuniste. Ky personalitet monumental me vlera pozitive kombëtare e historike në vazhdimësi ka ushqyer brezet e rinisë shqiptare në Lypjan e rrethinë. Idetë atdhetare të Adem Gllavica me shokë kanë mbajtur gjallë dhe kanë zhvilluar moral të pastër kombëtar gjatë gjithë sundimit të komunizmit sllav në Kosovë.
Histori tragjike e shqiptarëve në Kosovë
Rrethanat historike rrezikuan etnogjeografinë dhe substancën fizike e biologjike shqiptare në pjesën e dytë të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të. Ky kompleks procesesh e veprimesh rrezikonin vendosjen e fatit të hapësirës shqiptare përgjithësisht. Realisht këto ngjarje zhvilloheshin pas dobësimit të Perandorisë Osmane, kur trevat etnike shqiptare i priste një fat tjetër i hyrjes në okupim të ri, paralelisht veprohej edhe në krijimin i shtetit shqiptar, por të cunguar në vetëm nga më pak se gjysmën e trojeve etnike shqiptare. Fatin e shqiptarëve e kishin marrë në trajtim forcat e qendrave ndërkombëtare të vendosjes. Kongresi i Berlinit 1878 e Shën Stefani, shqiptarët dhe Shqipërinë e trajtuan vetëm për shprehje gjeografike. Kurse më 1913 Konferenca e Londrës me ndihmën e SHBA-ve, përkundër kërkesave të delegacioneve shqiptare, që Shqipëria të jetë në kufijtë “ku bukës i thonë bukë, e ujit i thonë ujë”, kishte marrë vendim që, Shqipëria të vetëvendoset shtet i pavarur me kufij të kufizuar, të cilët që nga atëherë, janë aktual edhe për Shqipërinë e sotme zyrtare, historike apo londineze, siç i thonë dhe e shkruajnë shumica nga analistët e historisë shtetërore dhe historianët. Në Shqipëri e rreth Shqipërisë, mes viteve, që nga viti 1913 e deri më 1919/20, u ndërruan qëndrime e qeveri të ndryshme, në Konferencën e Versajit dhe Konferencën e Paqes në Paris, kur hapësirat shqiptare i ndanë, sipas vendimeve të padrejta ndërkombëtare, shumë troje etnike shqiptare iu dhuruan fqinjëve grabitqar ortodoksë serbë, malazias e grekë.
Fëmijëria e Adem Gllavicës
Në vitet e këtyre vëllimeve në fshatin Gllavicë të Lypjanit, në Kosovës, më 14 shtator 1917, u lind Adem Selim Gllavica, i familjes Reçica, më shumë i njohur në popull, literaturë publicistike e historike, për Adem Gllavica, (mbiemër i marrë nga emërtimi i fshatit të lindjes Gllavicë), se sa Adem Selimi, siç evidentohet në dokumentacionin personal apo edhe nga ndonjë shkrim. Datëlindje të cilën në një shpjegim të publikuar në librin e Gani Demirit-Ratkoceri, “Adem Selimi-Gllavica”, e konteston edhe vet Ademi, që sipas një kallzimi të nënës për kohën e luftërave bullgare, ai duhet të ketë lindur një vit më herët, në shtator të 1916. Adem Gllavica, personalitet që kap dimensione, atdhetari, luftëtari, për çështjen kombëtare arsimdashësi e shkencëtari, intelektuali e veprimtari politik prej demokrati nga vepra e të cilit dekada të tëra do të gjejnë frymëzim dhe inspirim veprues gjenerata të tëra të mjediseve kosovare. Në popull njihet, thuhet e shkruhet në literaturën e deritashme historike, se ai rrjedh nga një familje e ardhur nga trojet etnike shqiptare pas ngjarjeve sa të mëdha historike, aq edhe tragjike për një hapësirë të madhe shqiptare pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fshati Reçicë. Atëherë ky fshat, si edhe afro 700 vendbanime të tjera në Jablanicë, Kosanicë e Toplicë të banuara kryesisht nga shqiptarët, tash të mbetura vetëm emërtime në Serbi, të cilave vetëm toponimia, antroponimia e mikrotoponimia dëshmon se dikur ishin vendbanime shqiptare.
Që kur u lind Ademit i mungoi përkujdesi atëror, ngrohtësia e nënës, ngrohtësi që rrit fëmijën, ishte e mangët. Sepse nënë Fatimës i mungonte bashkëshorti – “dyreku i shtëpisë”. Gruaja shqiptare e asaj kohe, mbështetje dhe siguri fizike, shpirtërore, materiale e morale kishte bashkëshortin. Ademi i njomë dhe Nënë Fatimja, pasqyrojnë portretin real të fëmijës jetim që mbështetje të vetme kishte nënën, grua të vejë, të cilën mungesa e të shoqit e hodhi në erërat e pasigurisë në jetë. Grua e nënë që për dashuri ndaj fëmijës, përplaset në furtunat e rënda të varfërisë materiale, reziston mentalitetin e moralit oriental dhe raporteve primitive shumë të ashpëra gjinore të kodifikuara në kanun dhe besim fetar. Në këto rrethana Ademi pranë të ëmës, në shqetësime shpirtërore kaloi fëmijërinë e hershme herë në vendlindje, në Gllavicë, e herë të dajallarët në Pleshinë.
Pas thyerjes së shpirtit, nga ashpërsia e Kanunit, martesa e së ëmës thyen sigurinë e ëndrrave fëmijërore, largohen e ftohen raportet e Ademit me Nënë Fatimën. Ademi i ri përplasej në shqetësimet e shkaktuara nga këto doket e traditave të ashpra të cilat e bënin të pasigurt qenien e tij fizike dhe thelluan gjurmë në gjendjen e tij shpirtërore. Kjo ngarkesë e shkallëzuar shpirtërore e shqetësuese deri në pafajësi, me gjithë kujtimet për nënën lanë gjurmë të thella të cilat Ademin dhe karakterin njerëzor e intelektual do ta përcjellin gjatë në fazat e jetës dhe formimit të tij.
Ademi u lind kur i ati ishte në shërbim ushtarak gjatë luftës së Parë botërore, i cili humbi diku pa shenjë e pa dok në betejat e kësaj lufte në hapësirat maqedone. Ndërsa e ëma Fatimja, vajza e Islam Magjerëse, e mbetur herët jetime në përkujdesen e axhës së saj në Pleshinë. Pas lindjes së Adem Gllavicës, Fatimja me të birin Ademin dhe nënën e saj e cila jetonte tek e bija Fatimja, e ruante djalin e vetëm Ademin në Gllavicë, këto dy gra të veja qëndruan aty deri më 1921 në pasurinë e trashëguar nga bashkëshorti Hasani. Sa jetuan në Gllavicë për Fatimen e vejë dhe Ademin jetim përkujdesej axha Hysen Reçica. Në Gllavicë ajo kishte një oborr me pemishte dhe tri ara buke.
Pas shkuarje në Pleshinë, pas vitit 1921, Fatimja me të birin Ademin dhe nënën u transferuan në pronën që kishte të trashëguar nga babai i saj Islam Magjera. Ademi me të ëmën në Pleshinë jetonin mirë, meqë nga Gllavica merrnin dridhrat e bukës, kurse në Pleshinë kishin pemishte frutore dhe të lashta të tjera. Fatimja nga ashpërsia e raporteve kanunore të kohës nuk mundi të qëndrojë shumë në Pleshinë dhe të jetë në përkujdesen e përhershëm të djalit të vetëm të saj Ademit. Axha Qazim që ishte përkujdesur për nënën e Fatimës e cila e kishte rritur Fatimen, tash pasi kjo ishte mbetur e vejë detyrimisht e marton diku në Shkup. Ademi, djali i vetëm i sajë tash mbetët jetim, jo vetëm i pa babë, por tash pas martesës së saj në Shkup, Nënë Fatimja Ademin pafajësish e la jetim edhe pa nënë, përkundër se nënë Fatimja ishte e gjallë. Ademi ka përkujtuar me dhimbësuri mungesën e nënës, madje si djalë i saj pak sa pafajësisht është inatosur në Fatimën, e cila po ashtu gjer sa jetoi barti përveç sëmundjes së rëndë që kishte edhe mallin e dhembjen për birin e saj Ademin, për të cilin nuk i mundësohej të takohej e të dijë si është e ku është e si jeton.
Pasi vdiq Nënë Fatimja, Ademi kuptoi me brengosje të madhe shpirtërore se ajo ishte martuar me detyrim dhe gjatë kishte qenë e sëmurë, Nënë Fatimja gjatë kishte bartur mallin për të birin e saj Ademin, Ai veç sa u pikëllua për inatosje e mërinë e paarsyeshme nga pafuqia e saj, si edhe shumë nënave shqiptare të kohës, të cilën gjatë e kishte bartur për nënën të cilën pa arsye e kishte ngarkuar e fajësuar. Ademi i ri e kuptoi pozitën e nënës shqiptare, mundësinë e vogël të saj për të vendosur, madje edhe për familjen dhe fëmijët e saj, ktheu e shkriu mallin e kallur flakë të dashurisë së tij për të ëmën e cila gjatë i mungoi. Madje, Ademi për shkak të moshës së re, pas pjekurisë prindërore kishte shprehur pendim se pa qëllim e pa vetëdije të arsyeshme ka mbajtur qëndrim, bindje dhe gjykim negativ për “mospërfilljen” e tij nga e ëma, Ajo mungesë e nënës dhe ajo ndarje e vrazhdë dhe e rëndë nga nëna, ishe pasojë nga tradita e ligë dhe raporteve të trajtimit negativ të gruas si qenie e papërfillshme në ato kohëra Ademin e ka brengosur e rënduar gjatë në jetë, Ademi në pjekuri kuptoi torturat shpirtërore e fizike që përjetoi Fatimja nga Qazimi për ta detyruar që ta martojë jashtë dëshirës së sajë, ia sollën siç thotë populli “shpirtin te hunda”, sa disa herë jo vetëm që kundërshtoi propozimet e Qazimit për martesën e saj, por edhe tentoi të ikë nga rrezikimi i një martese jashtë dëshire. Fatimja rezistoi kështu deri në vitin 1925. Ajo jashtë çdo mundësie për të rezistuar edhe më tutje ishte martuar në Shkup. Me qëllim që mos ta lëndonte Ademin, djali i axhës Bislimi e mori atë nga Pleshina në Gllavicë, duke shpjeguar se ai do të shkojë për shkollim më të afërt në Llugaxhi, por njëkohësisht edhe për largimin e tij nga shtëpia e dajës Qazimit, ku i mbetur pa nënën nuk kishte asnjë arsye të qëndrojë më tutje.
Ademi shkon në Gllavicë me peshën e rëndë fëmijërore për mungesën e nënës Fatime, por doemos pajtohet me fatin, dhe për pesë vjet ju hyri mësimeve në shkollë e Llugaxhisë. Gruaja e axhës në shpirtin e Ademit të vogël vazhdimisht mbolli dhe arriti të rrisë urrejtje fëmijërore për nënën, sa për pesë vjet Ademi nuk pranoi të shihet me te edhe pse ajo vinte vazhdimisht ta vizitojë në Gllavicë. Këtë mospajtim ai do ta vazhdojë edhe gjashtë vjetet e para nga tetë vjetët e shkollimit të tij në Medresenë e Shkupit.
Për gjashtë vjet Fatimja vazhdimisht vinte e kërkonte ta takojë, ta shohë e të shpërmallej me djalin e saj. Ademi Gllavica rikujton këto vuajtje shpirtërore, më 1936 e 1937 kur vendosi kontaktet me nënë Fatimen thot: “Më erdhën mendtë, mu hoq inati e urrejtja që kisha për nënën. Shkova e u takove, por ishte shumë vonë. Ajo e shkreta kishte marr veremin.” Ademi nga përmallimi e ndjenja e madhe për dashurinë ndaj nënës e përshkruan atë: ”Ishte grua e bukur, me shtat të madh- zeshkane. Tash kur e takova nuk ishte më ajo. Më tha: Biro, unë po vdes, po pasi të takova, zhigu për ty mu hoq, e do të vdes e qetë”.
Shkolla e Llugagjisë
Kur Ademi kishte moshën 7-8 vjeçare, i mbetur jetim pa babë, në fëmijëri të hershme kishte përjetuar katrahurat e shkaktuara nga pasojat e traditave të ashpra. Pesha tjetër shpirtërore e fizike ishte sundimi e okupimi i ashpër nga Mbretëria Serbe Kroate Sllovene, e cila për qëllime asimiluese të shqiptarëve, në vargun e shkollave të hapura në Kosovë, hapi shkolla edhe në trevën e tashme komunale të Lypjanit, njëra mes tyre ishte shkolla fillore në fshatin Llugaxhi e hapur më 1925, me mësuesin e parë Serafin Jovanoviq.
Në këtë shkollë përveç fëmijëve shqiptarë nga Llugaxhia aty mësimet i vijonin edhe nxënësit nga fshatrat Gllavicë, Marec, Rubovc dhe Babush. Kur Adem Gllavica u regjistrua në këtë shkollë, ishte bërë jo vetëm ndërrimi i mësuesit, por për shkak të numrit të shtuar të nxënësve, meqë kjo shkollë atë vit shkollor numëronte afro 100 nxënës, andaj për këtë arsye ishin caktuar dy mësues, Mirko Vujadinoviq dhe Urosh Nedelkoviq.
Për Uroshin thuhej se gjatë luftës nacionalçlirimtare në fshatin Gadime kishte organizuar arrestimin e mbi 300 shqiptarëve me qëllim që në emër të luftës antifashiste, këta t’i pushkatojë për armiq. Ademi ishte nxënës i mësuesit Mirko Vujadinoviqit, për të cilin Ademi si fëmijë kishte një admirim. Thuhej se mësuesi Mirko, me prejardhje malaziase, gjatë kohës sa punoi mësues në Llugaxhi, kishte angazhim të nivelit me nxënës. Meqë siç dihet atyre viteve MSKS në mjediset shqiptare hapte vetëm shkollim fillore katër klasash me qëllim që më atë nivel shkollim të arsyetohej para opinionit ndërkombëtar, se shqiptarët në këtë mbretëri gëzojnë të drejta të plota kombëtare e njerëzore, dhe qëllimi tjetër shtetëror e politik ishte që shqiptarëve mos të ju ofrohet nivel më i lartë shkollimi, i cili do ju mundësonte vazhdimin e shkollimit të mesëm dhe në vazhdimësi edhe shkollimin e lartë.
Andaj shkollat e hapura fillore në mjediset shqiptare, kryesisht ishte shkolla katër klasëshe, me qëllim shkëputjeje të vazhdimësisë e të rinjve shqiptarë në shkollim të mëtejshëm. Kur është fjala për mësuesin Mirko, ai ishte shumë i afërt me nxënësit dhe fshatarët e mjedisit në Llugaxhi, kishte përgatitje profesionale dhe virtyte njerëzore të ofrohet e integrohet me komunitetin. Ai plotësoi kushtin e parë të mundësisë për komunikim me rrethin.
Mësoi mirë gjuhën shqipe, mësoi traditën dhe mënyrën e jetës shqiptare, qëndronte dhe afrohej me fshatarët, dhe pa asnjë kompleks vishej me kostume shqiptare. Adem Gllavicës, ky mësues do ti bëjë përshtypje dhe do mbetet në kujtesë pozitive. Ademi që nga fëmijëria krijonte vija të karakterit kombëtar intelektual, jo shpirt të infektuar të urrejtjes, ai nuk urrente asnjë popull dhe nuk fajësonte tërësinë kombëtare serbe, ai nuk kishte moral e as veprim krimineli, si do ta quajnë gjatë shkruesit e historiografisë komuniste, por ishte njeri me tipare të burrërisë njerëzore.
Ai e deshi mësuesin Mirko, pa e fajësuar atë se mësimet i mbante në atë gjuhë që Ademi nuk e fliste në shtëpi, gjuhë e popullit nga i cili vuante ai, familja e tij, rrethi dhe gjithë populli i pafajshëm shqiptar, por atë padrejtësi e kundërshtoi dhe e luftoi për të huaj, padrejtësi e qeverisje të keqe të sistemit okupues shtetëror. Këtë më së miri e dëshmoi për mësuesin Mirko, familjen dhe katër fëmijët e tij, të cilëve Ademi iu ndihmoi sa ishte nënprefekt në Ferizaj.
Gjatë mësimeve fillore në gjuhën serbe në shkollën e Llugaxhisë Ademi dallohej nga nxënësit e tjerë. Ky sistem arsimi për fëmijët shqiptarë ishte dyfishi i padrejtësisë njerëzore i zyrtarizuar nga shtetit robërim i dyfishtë i padrejtësisë ndaj fëmijëve shqiptarë. Pesha e parë e rëndë mbi kurrizin e fëmijëve shqiptarë ishte se, ata duhej të dëgjonin e mësonin mësimet në gjuhë të huaj, përkundër asaj se shumica nga fëmijët shqiptarë, atë gjuhë-serbishten nuk e njihnin fare. Atë gjuhë, populli i të cilës ishte robërues shpirtëror e fizik të familjeve, rrethit familjar dhe përgjithësisht trevave etnike dhe popullit shqiptar.
Pesha e dytë mbi kurrizin e fëmijëve shqiptar ishte, se nxënësit shqiptarë të këtyre shkollave, kishin ngarkim shtesë edhe mësimet fetare islame të cilat ishin një peshë e veçantë për ndjenjën e tyre fëmijërore, mësime të cilat po ashtu mbaheshin në një gjuhë sa të largët aq edhe të panjohur. Të dy mësimdhënësit kishin qëllim tjetërsimi të qenies kombëtare shqiptare, edhe dhaskalet serbë edhe hoxhët, ndaj nxënësve shqiptar përdornin ndëshkimin fizik për formë dhe mjet në procesin mësimor, dhaskali serb kishte mjet kamxhikun, e hoxha në mësim ndaj nxënësve përdorte fallakun, një formë dhune e torturës shtazarake. Nxënësit në atë sistem arsimor i kufizohej mundësia e pjesëmarrjes subjektive në mësim nxënie.
Nxënësi në procesin mësimor ishte vetëm objekt mbi të cilin zbatohej përdorimi i dhunës për formë dhe mjet mësimor. Përkundër gjitha këtyre rrethanave, Ademi u dallua nxënës shembullor, jo vetëm në mësimet në lëndët laike, ku daskalli kishte vëmendjen e veçantë ndaj zgjuarsisë dhe aftësisë së këtij nxënësi, i cili përveç mësimeve të cilat i zotëronte shembullor, ai kishte aftësi që ato mësime ti zbatonte në jetën praktike dhe ti fuqizonte me kreativitet aktiv dhe zbatueshmëri praktike të vlerave të tyre në jetën praktike. Njëkohësisht, Ademi u dallua edhe në mësimet fetare, ai që në moshën parashkollore, kishte arritur të marrë njohuri fetare dhe të veçohej në leximin e Ku’anit. Përkundër ndjenjës kombëtare që Ademi në vazhdim të moshës së tij, do të këtë vështrim dhe qëndrim të thellë analitik dhe do të ndërlidhet në zhvillimin dhe ndryshimin e këtyre proceseve shoqërore.
Mësimet fillestare në gjuhë dhe kulturë jashtë qenies e moralit të ndjenjës shpirtërore e kombëtare, në gjuhë serbe dhe atë arabe. Ai që fëmijë, sikur gjithë fëmijët të tjerë shqiptar, jashtë dëshirës dhe vullnetit, e kuptoi se kjo për kohën e rrethanat ishte e vetmja mundësi e pasurimin me njohuri të mjaftueshme që mundësonte vazhdimin e mësimeve në shkollim të lartë. Kjo ishte mundësi e vetme, ishte synim i mundshëm dhe nevojë e domosdo e kërkesave të shqiptarëve në ato rrethana të rënda okupuese.
Student dhe veprimtar patriot në Medresenë e Madhe të Shkupit
Arsyet e vonesës dyvjeçare të Ademit për Regjistrim në Medresenë e Madhe të Shkupit, mund ti mbështesim në rrethana ekzistuese personale, familjare e shoqërore në të cilat ai u gjet. Ademi fëmijë pa baba dhe në një mes të trashëguar me tradita të ashpra patriarkale, po ashtu lindur e rritur në rrethana të ashpërsuara shoqërore të një sistemi politik të egër shtetëror, me moral fisnor patriarkal e disponim të zyrtarizuara politik e ligjor antishqiptare.
Meqë Adem Gllavica shkollimin fillor e kreu në vitin 1928 në fshatin Llugaxhi, në Medrese të Shkupit, “Erdhi në vitin 1930, në gushtin kërcëllues, pasi kishin mbaruar provimet pranuese në Medresën e Madhe, por jo vonë! Ademi mund të mos arrinte në kohë të caktuar, por vonë jo kurrë!” Shkruan akademik Idriz Ajeti për Adem Gllavicën, shokun e tij të klasës, punës dhe jetës së përbashkët 15 vjeçare. Kjo bindje “vonë jo kurrë” e profesor Ajetit, ka konotacion mbështetës në aftësitë e përgatitjen arsimore të Adem Gllavicës, aftësi të cilat eprorët e Medresesë i arsyetojnë dhe i përligjin për vonesën objektive të shkaktuar nga rrethanat materiale dhe vështirësitë familjare, të cilat mund të kuptohen kur Profesor Ajeti përshkruan pamjen fizike kur ai erdhi në Shkup djalë me pamje të bukur dhe inteligjencë të lartë në medrese erdhi, meqë kjo shkollë ishte e vetmja që të rinjtë shqiptarë ju mundësonte vazhdimin e shkollimit universitar ”I veshur me rroba të grisura, i mbathur me opinga. Ademi vjen në Medresën e Madhe të Shkupi dhe lut të hyjë te Drejtori i shkollës Mehmedbashiq”, i cili pasi dëgjoi problemet dhe arsyet e vonesës për regjistrim të Ademi në Medrese, drejtori formoi komision të veçantë për pranimin e tij, në të cilin ishte vet Drejtori Mehmedbashiq, orientalist i njohur, dhe Ilia Llapushina profesor i gjuhës serbe, Adem Gllavica provohet në lëndën e Serbokroatishtes, në histori dhe lexim të Musafit, Ku’anit. Meqë përgjigjet e Ademit ishin të shkëlqyeshme, leximi i Musafit e mahniti drejtorin Mehmedbashiq, Ademi pranohet në Medrese dhe me urdhrin e drejtorit, atij ju blenë një palë rrobe. Këtë Ademi e arsyetoi me arritje të suksesit të shkëlqyeshëm gjatë gjithë shkollimit të tij në Medrese.
Kur një avokat që kishte zyrën afër Medresesë, kërkoi nga Drejtori të caktojë një nxënës shembullor që ti ndihmojë në mësime djalit të tij, që ishte nxënës i gjimnazit, propozimi i drejtorit bije në Ademin, nga shpërblimet e të cilit, Ademi bleu tre palë rroba. Ndërsa në konkursin me temë “Shkupi gjatë shekujve”, Ademi fiton shpërblimin e konkursit. Kurse gjatë pushimeve dimërore, punimi i Ademit për Këngën e Demë Ahmetit të shënuar në Kosovë, ndoshta nga ndonjë i moshuar në vendlindjen e tij, Ademi mori vendin e parë, meqë varianti ishte shqip me përkthimin e profesor Vido Llakoviq kjo këngë u botua në revistën “Prilozi”. Variante i cili më vonë 1938/39 siç dëshmon Akademik Idriz Ajeti, në shkrimin, “Si e njoh unë Adem Gllavicën”, pas takimit me kryeredaktorin e gazetës sarajevase botohet në “Muslimanski svjest”. Kënga bën fjalë për përplasjet e serbëve me shqiptarë në kufirin shqiptar-serbë, në kryengritjen e parë serbe 1804 e më vonë. Në këtë punim garues, Ademi dëshmoi se është i përkushtuar punës për zgjimin e ndjenjave kombëtare. Adem Gllavica e donte, e njihte dhe punonte në muzikë. Ai ishte anëtar në korin e shkollë, ishte violonçelist në orkestrën e harqeve, kurse në orkestrën e tamburave i binte braçit (tamburës), mandolinës.
Ademi dallohej nga bashkënxënësit e Medresesë për ndjenja liridashëse atdhetare e demokratike, për marrëdhënie të drejta njerëzore ndër nxënësit shqiptarë në Medrese edhe për ndjenja të vlerave shpirtërore pozitive historike e kombëtare, ku Ademi printe nga shokët e shkollës. Ai veprimtarinë atdhetare e filloi atëherë kur krijoi kontaktet e para me zyrtarë të Konsullatës shqiptare në Shkup nga ku tjetër mund të fillohet më mbarë e më drejtë përveç nga zyrtarët e shtetit kombëtar shqiptar, nga aty Ademi fillon fazën e veprimeve të para ilegale, kërkimin dhe leximin e literaturës me përmbajtje kombëtare përmes së cilës bëhet edukimi njohës, shkencor, historik, politik e shpirtërore për çështjen kombëtare. Nga aty Ademi merrte dhe furnizonte shokët me literaturë shqipe. Andaj, nuk është rastisje që nxënësit shqiptarë në medresenë e Shkupit, që atëherë kishin Lexuar “Bagëti e Bujqësia” të Naim Frashërit apo siç shkruan Profesor I. Ajeti, lexuam edhe shkrimin e Aleksandër Xhuvanit, “Jeta e Mehmet Ali Pashës në Egjipt”. Adem Gllavica edhe nxënës i Medresës edhe student në Zagreb veproi kundër projekteve dhe aspiratës serbe për shpërnguljen e shqiptarëve e pastrimit etnik të Kosovës. Mocanikët ende e mbajnë në kujtim afrimin e Ademit me shqiptarët katolikë në Ferizaj e Moravë të Binqës dhe përgjithësi me shqiptarët e besimit katolik në Kosovë.
Të shumtën e herëve ai merrte pjesë në festat katolike fetare në Letnicë. Bashkë me shokët Halit Ibishi, Idriz A. Ajeti nga Pjetërshtica e Isak Sherifin më 1935/36, Ademi organizoi një vizitë medresantëve të komunës së Medvegjës. Ademi sipas udhëzimeve të konsullatës shqiptare shëtiti dhe inçizoi strukturën e popullatës në Ohër, Resnje e rrethinë të Shkupit. Gjitha këto shëtitje njohëse Ademit më vonë do ti shërbejnë për përvojë njohëse në strategjinë e zhvillimit të luftimeve që nga Beteja e Ferizajt dhe Gadimës, drejt Kopilakës dhe luftimeve e betejave të shpeshta nga Hogoshti e deri në Malet e Sharrit dhe viset e Pollogut. Thënë shkurt e shqip, jo vetëm Adem Gllavica, por shumica e nxënësve nga Medreseja e Shkupit, dolën kuadro kulmore atdhetare, si në luftë kundër ideologjisë komuniste, ashtu edhe në luftë kundër fashizmit, të dyja këto ideologji si edhe racizmi ishin ekstreme dhe prodhonin politikë të rrezikshme. Nxënësit e kësaj medreseje u bënë kulmorë edhe në lëmin e shkencës, arsimit dhe diturisë shqiptare në përgjithësi.
Në mesin e tyre veçohet Adem Gllavica, si për angazhimet e tij në veprimtarinë atdhetare, ashtu edhe në luftë të armatosur kundër komunizmit, kontributin e tij në arsim dhe atë në shkencë.
Ademi natyrshëm e me zhdërvjelltësi nisë veprimtarinë atdhetare, madje këtë veprimtari përkundër rrethanave të rrezikshme shoqërore administrative e shtetërore, ai kishte pengesa edhe nga rrethanat e rënda personale materiale e familjare. Këtë veprimtari ai e fillon dhe e zhvillon si proces logjik sipas kushteve të lejueshme e rrethana të mundshme. Andaj, nuk është rastisje, që këtë e fillon nga Abetarja shqipe dhe kontaktet e para me konsullatën shqiptare në Shkup, kontaktet të cilat ai do ti vazhdojë më vonë edhe me Ambasadën Shqiptare gjatë studimeve në Zagreb. Këtë sakrificë Ademi e bën për shpërndarjen e abetares dhe literaturës shqipe, të cilat i merr në përfaqësinë diplomatike shqiptare dhe ua shpërndante shokëve në dy medresetë dhe rinisë atdhetare në Shkup, dhe në disa mjedise të tjera të Kosovës. Kjo shkathtësi e veprimit ilegal u dëshmua e nivelit, sepse në asnjë rast nuk u zbulua nga regjimi i ashpër serb, nga do pësonte dënim të rëndë. Pushteti mbretëror shqiptar, për këtë zhdërvjelltësi e përkushtim atdhetar, për këtë veprim patriotik Qeveria Shqiptare Ademit dhe disa nga shokëve të tij, Zeqir Bajramit, Sahit Islamit, Selim Gllavicës e Hasan Kaleshit, do ju ndajë bursa për vazhdimin e shkollimit në medrese dhe në vazhdimin e studimeve universitare. Ky kontakt e kjo veprimtari atdhetare, Ademin në vazhdimësi të jetës dhe veprimtarisë atdhetare do të ndikojë të orientohet në përcaktimin politik pro Mbretërisë shqiptare dhe Mbretit Zogu i Parë.
Adem Gllavica kurrë nuk harroi detyrën e shenjtë që të veprojë dhe përgatitë masat e popullit shqiptar në vendlindje dhe rrethinë të Ferizajt, kundër Projektit të Vasa Qubrilloviqit. Në kontakte të vazhdueshme me popull ai zhvillonte aktivitet kundër realizimit të këtij projekti famëkeq në shpërnguljen shqiptarëve. Në këtë veprim dallohej për së miri, me afrimin e tij me shumë familje shqiptare. Ndoshta ky fillim i natyrshëm i veprimtarisë atdhetare, në vazhdimësi të jetës Ademin do ta ndikojë në përcaktimin politik për Mbretërinë e Zogut, Legalitetin, për dallim nga NDSH-ja e mëvonshme, legaliteti ishte drejtim politik pro fashizmit gjerman, të cilin përkrahësit shqiptarë do ta konsiderojnë për çlirimtar të trojeve dhe popullit shqiptar në Kosovë.
Profesor në gjimnazin Sami Frashëri
Në prill 1941 kur Gjermania pushtoi Kosovën, Ademi ishte vetëm pak ditë para diplomimit në Universitetin e Zagrebit. Ai erdhi në Prishtinë mori ditarin në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë dhe postin e Drejtorit në fermën e frutikulturës, pemëtarisë në Fushë-Kosovë. Tash Ademi merrej gjallërisht me politikë, siç njofton Vezire Gjiraku, “Ademi spikaste në takimet e intelektualeve kosovarë dhe atyre nga Shqipëria”, Ademi organizoi një koktej për intelektualët shqiptarë, ku siç thotë Vezirja, në pranverën e 1943, për herë të parë u takova me Ademin, “pas një bisede u pa që mendimet e ndjenjat tona puqeshin. Ndihmoi fakti që unë vetë isha kosovare, u morëm vesh më lehtë”.
Luftëtar për mbrojtjen e Kosovës
Ademi patriot së bashku me bashkëshorten Veziren me të cilën u martua kah fundi i verës 1943, dasma e tyre u bë në hollin e gjimnazit “Sami Frashëri”, bashkëshortët e rinj një vit më parë do të kryejnë celebrimin e martesës në shërbimet civile në Tiranë. Pastaj, dy bashkëshortët rrëmbyen edhe armët kundër pushtetit komunist sllav dhe me ardhjen e ushtrisë gjermane, ai bashkë me Shashivar Alinë, Ismail Goranin, Hizvi Sulejmanin, Ilaz Agushin, Abdyl Hencin e të tjerë, me rastin e ardhjes së forcave gjermane organizoi pritje madhështore në Prishtinë. Në këtë paraqitje të mirëpritjes së organizuar kishte edhe flamur kombëtar shqiptar me shtiza pa Sëpatën e Likorit. Këtë veprim imponues Ademi e bëri për të paralajmëruar çlirimtarët gjermanë, siç vlerësohej nga forcat e Legalitetit ardhja e ushtrisë gjermanëve në hapësirat kosovare, se këtu në Kosovë, gjermanët duhet të vendosin një pushtet shqiptar, edhe pse shumica shqiptare me një rezervë e pranuan administratën e pushtuesit, i cili hapi shkolla në gjuhën shqipe, lejoi përdorimin e flamurit kombëtar edhe pse me dekor ideologjik fashist dhe mundësoi qarkullimin e lirë në gjithë trojet etnike shqiptare. Kërkesë të ngjashme imponuese për vendosjen e pushtetit në Kosovë organizuan edhe serbët.
Kryetar i Rinisë Nacionaliste
Më 1943 Ademi organizoi dhe udhëhoqi Rininë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Kosovës nga forcat serbe dhe ushtria pretendente gllabëruese territoriale bullgare të ndihmuara edhe nga ushtria e kuqe ruse. Këtë kohë ai Organizoi Lidhjen e Dytë të Prizrenit, të cilën Ademi e udhëhoqi dhe u zgjodh kryetar i Rinisë, në këtë Lidhje 1943, u arrit të formohet ushtria shqiptare nacionaliste prej 2000 pjesëmarrësish, ushtri e cila deri më 1944 mbuloi anë e kënd Kosovën dhe arriti të ketë 10.000 ushtarë aktivë. Pas pak ditësh kësaj ushtrie nacionaliste iu bashkuan Mulla Idriz Gjilani, Hysen Terpeza e Shashivar Alia dhe Shefqet Kapedani-Bylykbashi. Në këtë organizim ushtarak njëkohësisht u përfshinë Llap e Gollap e deri në Brezin Kufitar, ndërsa në Fushë-Kosovë ishin emëruar Qazim Sefë Llugaxhia dhe Ismail Gorani, organizim luftarak kishte edhe në zonën kufitare me Serbi e deri në Malet e Karadakut në kufi me Maqedoninë. Kurse në Malet e Sharrit vepronte Abdyl Durra i cili krijoi lidhje me Xhemë Gostivarin në Pollog. Luftimet kishin përfshirë malet e Gjilanit, pjesët lindore të Farizajit me Malet e Jezercit në perëndim e deri në Malet e Ceralevës. Në krahun tjetër komunistet formuan parti politike dhe luftuan kundër Ballit Kombëtar dhe fashizmit.
Zhvillimet tragjike në Kosovë 1944-1946
Ndërkaq pozicioni veprues ushtarak e politik i NDSH-ja praktikisht ishte në mes Ballit Kombëtar dhe Komunistëve. NDSH-ja nuk kishte përcaktim të prerë në mbështetjen e fashizmit, nuk synonte të hyjë në shërbim të fashizmit edhe pse pranonte se kjo rrymë politike e ushtarake solli shkollën shqipe, flamurin shqiptar dhe administratën shtetërore me pushtetarët shqiptarë. Në anën tjetër NDSH-ja për shkak të mbështetjes dhe përkrahjes bindëse në fashizmin gjerman nuk pajtohej me Ballin-Legalitetin, ashtu siç nuk pajtohej as me komunistet, për arsye se këta ishin në bashkëpunim me serbët dhe sllavizmin.
Për ndryshe lirshëm mund të thuhet, se NDSH-ja nuk kundërshtonte luftën për çlirimin e vendit as të komunistëve e as të Ballit Kombëtar për çlirimin e atdheut dhe shtetin sovran. Adem Gllavica kishte njohuri analitike se Balli Kombëtar ishte themeluar në Shqipërinë Jugore, atëherë kur pak ose fare nuk dihej për Kosovën dhe pozitën e rëndë robëruese të saj nën dhunën serbe. Kjo frymë patriotike e ndërtuar nga Mit-hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Ermenji, Skënder Muqo, Ismail Potera, Vasil Andoni e Luan Gashi me shokë, mori shtrirje thuaja në gjithë hapësirën shqiptare dhe arriti në Kosovë me vëndfillim, ku tjetër pos në Gjimnazin e posa hapur shqiptarë “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në Kosovë frymën e Ballit Kombëtar e kishin sjellur profesorët nga Shqipëria Vasil Andoni, Luan Gashi dhe nga këtu me përkrahjen edhe të Adem Gllavicës dhe profesorëve të tjerë të këtij gjimnazi në Prishtinë, kjo lëvizje atdhetare mori shtrirje në gjithë Kosovën, Pejë, Gjakovë e Prizren. Ideologjia e Legalitetit ishte lakmuese për shqiptarët e Kosovës, sepse ajo ofronte mundësinë e shkëputjes dhe lirimit nga robëria serbe si dhe realizimin e aspiratës kombëtare për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm etnik shqiptar.
Ademi, këtij përcaktimi politik, do ti përmbahet edhe me arsyetimin e logjikshëm kombëtar. Sepse në këto rrethana u krijuan raporte konfliktesh, të cilat lehtë mund të vinte, siç edhe pati raste e dukuri, të vëllavrasjeve për shkaqe te përplasjeve mes grupimeve politike ndërshqiptare. Këtë më së miri e dëshmoi Lufta e Ferizajt, ku forcat partizane të Shqipërisë në bashkëveprim me forcat partizane Bullgare të Georgi Dimitrovit dhe ato çetnike serbe, tash me yllin komunist, nga të cilët pësuan edhe luftimet e Shaban Polluzhës dhe luftimet e organizuara nga Ademi me shokë edhe në Gjilan me rrethinë e vende të tjera në të tri zonat gjermane, italiane dhe bullgare siç ishte ndarë Kosova nga takimi i Romës.
Ademi kundër vëllavrasjes
Për të ikur nga vëllavrasjet mes shqiptare u organizua takimi në Cërnillë mes Adem Gllavicës e Luan Gashit nga Balli Kombëtar- Legaliteti, në të cilin për shkaqe të krijimit të rrethana të pasigurisë, Ademi e Luani nuk do shkojnë në këtë takim, në këtë takim ata do ti zëvendësojë Hysen Terpeza, dhe Ali Shukrisë nga pala partizane. Ka mendime të pa argumentuara, se në këtë takim ishte edhe Shefqet Peçi. Ky takim në vend të marrëveshjes ka përfunduar siç thuhet me përplasje e kërcënime të ashpra mes Shefqet Peçit dhe Hysen Terpezës, sa ka ardhur deri në ngrehje të revolverëve. Ademi, siç do shohim edhe më vonë, për asnjë çmim nuk përcaktohet për vëllavrasje. Këtë ai e dëshmon edhe me një kontakt në Plitkoviq mes Ademit dhe Shaban Haxhisë, komandant i Brigadës së Shtatë Partizane në Plitkoviq. Ai dëshmon për veprim të natyrshëm e strategjik prej ushtaraku, kur sheh se forcat antifashiste të Ushtrisë Nacionalçlirimtare arrijnë nivelin e dominimit të lehtë mbi forcat rezistuese, për rrugëdalje planifikon tërheqjen. Fton bashkëluftëtarët të arsyetojnë që mos të hyjnë në konflikt që thellon vëllavrasjen, ky konflikt nuk do sillte as “Fitoren e Pirros” për shqiptarët, konflikt që e planifikonin dhe përfundimin e tij e prisnin forcat sllave partizane jashtë shqiptare. Këtë e dëshmoi edhe në rastet konkrete kur UNÇ në Kosovë të përziera edhe me luftëtarë të përkatësisë serbe e malaziase, të ndihmuara edhe nga njësitë e Ushtrisë Komuniste Ruse forcohet me ardhjen e njësive të UNÇ shqiptare. Ademi vendos të bëjë thirrje bashkëluftëtarëve që të largohen nga lufta e mëtejshme vëllavrasëse. Ata, që, sipas ligjeve ushtarake të UNÇ nuk mund të rëndohen për vepra të rënda, mund të kthehen në familjet e tyre, edhe pse ndoshta mund të pësojnë arrestime, dënime me burgim të rëndë.
Por, Ademi porositë bashkëluftëtarët, ata që janë të bindur dhe kanë përcaktim, janë të pa luhatshëm kundërshtarë të sistemit komunist, të cilëve nuk kanë minimumin e besimit, të bashkohen njësive tona dhe të largohemi nga territoret e fushëbetejat aktuale të shkojmë drejtë Greqisë, meqë edhe qeveritarët komunistë në Shqipëri, pas Mukjes, për shkaqe të përcaktimeve politike, nuk mundësojnë vendosje apo strehim në trevat e Shqipërisë komuniste.
Pasi që Ademi kishte përcaktim Zogist-legalist dhe njëkohësisht ishte edhe veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit e atdhetar i pakontestueshëm për çështjen kombëtare dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, realizimin e të cilës e mendonte jo në formën arbitrare, por sipas parimit të së drejtës për vetëvendosje dhe me plebishit të arsyeshëm të popullit.
Gjatë luftës 1941/45 kishte edhe prapësi e lëshime të rënda ndërshqiptare, ato bëheshin me qëllim, nga ndikimet apo kurdisjet ose nga pa përvoja e veprimit politik e ushtarak, apo ndoshta të dyja së bashku për të cilat nuk mund të thuhen preras. Këto lëshime venerohen në rastin e formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit 16 shtator 1944, në të cilën nuk ftohen e nuk marrin pjesë përfaqësuesit nga Shqipëria, ashtu edhe me rastin e Mukjes 12 shkurt 1943 nuk marrin pjesë përkrahsit e kërkesave për veprim të përbashkët kombëtar e luftarak nga Kosova. Në asnjërën nga këto takime të rëndësisë kombëtare nuk përfshihen përfaqësuesit e gjitha trevave etnike shqiptare. Kjo ndoshta ishte pasojë, apo direktivë nga qendrat e jashtme të interesit, kur dihet se në gjithë hapësirën shqiptare, grupet politike e ushtarake, si Balli Kombëtar, LPLTSH, e cila doli nga Lëvizja e Rezistencës Shqiptare Anti-Jugosllave, Lëvizja e Legalitetit, Lëvizja e Ballit Kombëtar dhe Lëvizja Demokratike dhe nga NDSH-ja, Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, Komiteti Nacional Demokratik KND. Të gjitha këto angazhime ishin për një unitet veprimi për krijimin e një realiteti të ri për çlirimin kombëtar dhe formimin e Shqipërisë etnike.
Përballeshin me njësitë partizane këndej dhe andej Drini, të cilat po ashtu kishin një veprim të koordinuar për dëbimin e fashizmit nga trevat e shteteve dhe popujve të tyre, të cilat pas çlirimit, siç deklaroheshin qendrat e tyre, do të merren vesh për kufijtë shtetërore e kombëtar. Këtë e dëshmon edhe Mbledhja e Bujanit dhe pengimi i realizimit të vendimeve nga kjo mbledhje.
Kjo ideologji lakmuese vazhdoi deri në Kongresin e Tretë në Blinajë (Lipovicë) 25 korrik 1946, ku u mor vendim për formimin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare /LLTSH/, e cila doli me bashkimin e Lëvizjes për Rezistencë Shqiptare Antijugosllave, Lëvizjes së Legalitetit, Lëvizjes së Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Demokratike dhe vazhdoi për shkaqe të Kuvendit të Prizrenit /8-10 korrik 1945/ kur Jugosllavët aneksuan Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit dhe hapësira tjera etnike shqiptare që i bashkëngjitën Serbisë federale, Malit të Zi dhe Maqedonisë. NDSH dhe LPLTSH-ja bënë Thirrje: “Populli shqiptarë nën Jugosllavi, mbi gjysma që jeton në vise etnike kompaktësisht 85-100%, nuk pranon asnjë lidhje me Beogradin dhe dëshira jonë e vërtet është bashkimi me Shqipërinë, pa marr parasysh regjimin që do të jetë në atë, me ligje të njëjta dhe nën kushte morale e materiale të njëjta”
Martirët në rezistencën ndaj okupatorëve të rinj sllavo-komunist
Më 27 shtator 1945 u vu në ndjekje nga OZNA jugosllave, njësiti nën komandën e Adem Gllavicës, nga kjo ditë Ajet Gurguri u nda në Lipovicë prej shtabit suprem të UPNDSH-së të Adem Gllavicës dhe kaloi në mbrojtje të Mulla Arif Shalës, kurse më 14 nëntor 1945 Ademi me një numër bashkëluftëtarësh largohet për në Greqi, nga do të vëzhgojë dhe do të veprojë për çështjen e Kosovës. Në pranverë të 1946, u formua shtabi i Adem Gllavicës në Greqi dhe u pagëzua Shtabi i Zonës së Parë. Shtabi i Zonës së Parë në Greqi me Adem Gllavicën në krye që ishte betuar në Flamurin kombëtar, Librin e shenjët dhe Armën se kanë me punuar e luftuar me besnikëri e vetësakrificë e çmim të jetës për kombin shqiptar dhe për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare të Shqipërisë etnike. Me direktivë të Zonës së Parë të Adem Gllavicës, u thirr Kongresi i NDSH në Blinaja, ish-Lipovicë, në të cilin do të marrin pjesë veprimtarë e komandantë të NDSH-s dhe LPLTSH-së, Kongresin e III-të të NDSH-së e përgatiti Zona e Dytë, por ky organizim u zbulua nga OZNA e Spasoje Gjakoviqit që kishte rekrutuar bashkëpunëtorët e vet, nga të cilët ishte informuar për mbajtjen dhe qëllimet e Kongresit të III të LPLTSH-së, nga filloi veprimi likuidues, ai vrau Ymer Berishën por këtë vrasje e mbajti në mësheftësi. Nga OZNA më vonë do të vritet edhe Halim Orana. OZNA arrestoi shumë anëtarët e NDSH dhe LPLTSH-së para se të fillonte Kongresi në Lipovicë i cili me mjeshtri ishte shpallur se do mbahet në Malet e Kosmaqit, dhe pa pengesa të mëdha u mbajt në Lipovicë, më 25 korrik 1946.
Në kongres morën pjesë 20 delegatë NDSH dhe LPLTSH dhe 180 pjesëtarë të njësive Ushtrisë UNDSH dhe komandantët e tyre. Në kongres Gjon Serreqi hapi diskutimet për tërheqje nga Kosova për Greqi, siç rekomandohej nga Zona e Parë e Adem Gllavicës këtë e prononcuan disa nga pjesëmarrësit në Kongres. Kishte edhe kundërshtime kërcënuese ndaj Gjonit dhe Ajet Gurgurit: “Të gjitha ata, të cilët propozojnë që të shkohet për Greqi duhet të pushkatohen. Për shkak se këtu duhet të luftohet për liri të popullit”. Në kongresin e Lipovicës u formuan Katër zona ushtarake dhe u zgjodhën komandantët e tyre. Kongresi mbylli punimet me qëndrim se do luftohet deri në lirinë e vendit.
Ademi në mërgim
Pas largimit të Ademit në Greqi, tentimit për tu organizua në veprime ushtarake, madje edhe kundër sistemit komunist në Shqipëri, vetëm sa shprehnin pozicion kundërshtues dhe krijonin pozicione të rrezikimit të jetës së diversantëve, të cilët nga Shqipëria thuaja asnjëri nuk arrinte të nxjerr kokën e vet. Ademi nuk pranoi të angazhohet në veprime diversantësh në Shqipëri, ai me siguri nuk kishte ndërruar qëndrim ndaj komunistëve, por nuk dëshironte të hyjë në shërbim të huaj për sulme diversantë në shtetin dhe popullin e tij. Andaj, Ademi jo vetëm që i këshilloi, por edhe i kundërshtoi bashkëluftëtarët e vet, që mos të rrezikojnë me veprime të tilla. Kur, kuptuan se as veprimet diversante, që fatkeqësisht bëheshin vetëm në Shqipëri e jo edhe në sistemin komunist jugosllav, ku shqiptarët ishin dyfish të robëruar, në një anë ishin ndarë nga trojet etnike dhe shteti shqiptar, robërim i dytë se kishin mbetur nën sundimin dhe torturën fizike e shpirtërore sllave, nga i cili kërcënohej me mjete dhune dhe rrezikohej substanca biologjike e qenies shqiptare.
Sistemi titist kishte coptuar trojet etnike shqiptare me qëllim të mos mundësisë së organizimit për tu kundërvu ndaj sistemit komunist sllav. Adem Gllavica pasi kaloi disa kohë në Greqi, analizoi gjitha mundësitë e veprimeve patriotike e ushtarake, në asnjë kohë e rrethanë nuk shihte mundësi të veprimit konkret e fitimtar. Me keqardhje e zemër të plasur edhe fizikisht i largua nga afërsia e atdheut. Ky ishte shqetësim i tij shpirtërore i cili do ta përcjell këtë atdhetar e intelektual gjatë gjithë jetës edhe në Australinë e largët. Pas largimit nga Greqia Adem Gllavica vendoset në Australi, atje do ushtrojë profesionin e agronomit dhe bashkëpunëtorit shkencor profesional në një institut të hortikulturës (pemëtarie).
Ademi në lëmin e angazhimeve shkencore, ka pasur një pikëmbështetje që nga Universiteti i Zagrebit, ku pas diplomimit ju kishte ofruar edhe vazhdimi i punës shkencore profesionale, që të jetë mësimdhënës në këtë universitet. Pas shkuarje në Australi, ndoshta të vetmit, ose ndër të rrallët, Ademit i pranohet diploma universitare të cilën e dëshmoi edhe me aftësi në punën shkencore. Ademi edhe në Australi dhe në emër të dijetarëve australianë pranohet në qarqet institucionale shkencore ndërkombëtare. Në tubime, tryeza e simpoziume profesionale në të cilat nuk janë të pakta e të rralla punimet shkencore në të cilat Ademi shtron teza dhe jep vlerësime të mbështetura shkencore për pemëtari.
Nga ky pozicion Ademi mërgimtar ngelet vetëm vëzhgues i brengosur që përcillte me shqetësim ngjarjet dhe zhvillimet politike në atdheun e tij në Shqipëri, por me vëmendje e shqetësim ai ndiqte ngjarjet që zhvilloheshin në pjesën e popullit të robëruar në Kosovën e tij, sa te dashur, aq edhe të dhimbshme, Gjithë jetën me shqetësime përcillte ngjarjet edhe në trojet etnike shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Nuk ishin të rralla e të pakta shqetësimet për rrezikim të popullit dhe trojeve etnike shqiptare të cilat Ademin patriot e luftëtar për të drejta kombëtare shqiptare dhe njeri të ndershëm e personalitet të njerëzishëm e brengosnin shumë. Andaj nuk janë të rralla as reagimet shqetësuese të këtij personaliteti të historisë sonë të re, të cilit politika komuniste ia ndalonte me ndëshkim publikimet e veprimtarisë së tij patriotike dhe krijimtarinë e tij intelektuale e shkencore. Ademi vazhdimisht mbante kontakte me shqiptarët e diasporës, ai përmes tyre njoftohej për gjitha ngjarjet politike, shoqërore e zhvillimet shkencore të nivelit shtetërore e kombëtar. Edhe ngjarjet e 1990 në rrënimin e komunizmit në Shqipëri, por edhe lëvizjet e mëdha politike në Kosovë që nga 1968, 1981 e sidomos ato të 1989/90 e deri në finalizimin e tyre në qershor të 1999. Adem Gllavica i përcillte jo vetëm me shpirt të trazuar prej atdhetari, por edhe me kujdesin dhe përkushtimin analitik të ecurive të këtyre ngjarjeve në Kosovë e për Kosovën. Me këto shqetësime Ademi priti bashkëkombës të dëbuar nga dhuna e barbarisë serbe gjatë bombardimeve të NATO-së nga 24 mars e deri më 12 qershor 1999. Ngjarje që ndryshuan kahen e lëvizjes së fatit shqiptarë në Kosovë dhe i kthyen shpresë kombëtare atdhetarit e intelektualit demokrat Adem Gllavicës, i cili tash në gjendje të qetësuar shpirtërore, por i lodhur fizikisht, me sy të çelur për ta parë me sy të tij Kosovën e lirë dhe mallin e përvëlues për të shkelur me këmbë në tokën e saj të çliruar nga barbaria e dhunës serbe, tash e dhjetë vjet më parë, Adem Gllavica ndërroi jetë, më 4 shkurt 2001 në Australinë e largët, me të vetmen breng e mall që ti pushojë sytë e venitur të luftëtarit mërgimtar e atdhetarit të flakët, arsimdashësit, shkencëtarit e patriotit të përkushtuar, e të shkel me këmbën e lodhur prej rrugëtari të lirisë në tokën e djegur e shqiptarët e përgjakur të Kosovës së tij të dashur, dhe që në fund të jetës të shuajë mallin, e ti pushojë, jo vetëm eshtrat në tokën e dashur të Kosovës martire, por ti ndal shqetësimet shpirtërore dhe të përmbyll epopenë e jetës së tij atdhetare duke pushuar në vendin e tij, ku balta është më e ëmbël se mjalta.
Literatura
1. Gani Demiri – Ratkoceri: Adem Selimi (Gllavica), Tiranë, 2003.
2. Ing.Adem Selim (Gllavica): Punime shkencore( Eksperimente në Frutikulturë), Tiranë, 2005. Përgatit nga Bardhyl Selimi dhe prof. Bashkim Kabashi.
3. Akademik Idriz Ajeti: Si e njoh unë Adem Gllavicën, Kujtime, lexuar më 14 shtator 2004, me rastin e vendosjes së bustit të Adem Gllavicës në shkollën teknike në Lypjan.
4. Përgjigjet në internet të z-njës Vezire për jetën dhe kohën e kaluar me Adem Gllavicën.
5. Një letër private e Adem Gllavicës, dërguar kusheririt të tij, Shemsi Reçica.

Beteja e fundit e Azem Galicës

Shkruan, Bedri Tahiri
Populli ynë, historikisht, të gjitha luftërat i ka bërë të drejta dhe çlirimtare. Ai kurrë nuk e zgjodhi luftën vetë, por ia imponuan të tjerët, pushtuesit. Kurrë nuk pushtoi troje të huaja, por i mbrojti trojet e veta, nuk i nënshtroi popujt e tjerë, por kurrë nuk u pajtua të jetojë i nënshtruar. Këtë më së miri e dëshmon mësuesja e jetës- historia, e cila, mjerisht, të shumtën e rasteve u tregua njerkë.
Këto luftëra për liri e pavarësi qenë të pashkëputura që nga koha e të madhit Skënderbe e deri të UÇK-ja fitimtare. Dhe, përherë, deri më 1912, kur u formua Shteti Shqiptar, patën karakter gjithëkombëtar. Mëvetësia e Kosovës u sakatos, jo në luftë, sepse kur erdhi ushtria serbe e gjeti të çliruar nga turqit, por në Londër, në tavolinën e gjelbër. Mirëpo edhe pas kësaj kënga e grykëhollave nuk pushoi për asnjë çast.
Njëra ndër format më të përshtatshme të rezistencës u tregua edhe Lëvizja kaçake, e cila zë fill në kohën e Perandorisë osmane dhe vazhdon deri më 1928. Ajo kulmoi në kohën e Azem Galicës (1915- 1924), i cili bashkë me Shotën dhe çetat e veta kreshnike bëri mbi 60 beteja fitimtare kundër tri perandorive pushtuese. Kësaj radhe do të ndalemi vetëm në betejën e fundit që u zhvillua më 15 korrik 1924 e që më shumë njihet si Epopeja e Arbërisë së Vogël.
Pranvera e vitit 1924 popullin shqiptar, në të dy anët e kufirit kombëtar, do ta gjejë në këmbë. Çetat çlirimtare në Kosovë ishin shtuar dhe mobilizuar. Forcat demokratike në Shqipëri kishin marrë hov dhe veçsa nuk kishin shpërthyer. Mjaftonte një shkëndijë e vogël për të marrë flakë. Dhe, momenti erdhi. Më 20 prill 1924, spiuni i Zogut, Isuf Reçi, e plagosi për vdekje, derisa po shëtiste rrugëve të Tiranës me Hoxhë Kadriun, mësuesin libohovas Avni Rustemin, i cili më 13 qershor 1920 e pati shtrirë për tokë në Paris tradhtarin Esat Pashë Toptanin. Pas disa ditësh Avniu vdes dhe populli u ngrit në këmbë. Varrimi i tij u bë në Vlorën heroike, më 1 maj 1924, pranë plakut të urtë, Ismail Qemalit. Atë ditë e tërë Shqipëria ishte në këmbë. Ky ishte fillimi i Revolucionit Demokratik të Qershorit, i cili më 10 qershor përmbysi pushtetin tiranik. Në të morën pjesë mbi 20 grupe luftëtarësh nga Drenica të udhëhequr nga Mehmeti i Vogël (Mehmet Delia) i Radishevës.
Fitorja e forcave demokratike dhe ardhja e Nolit në pushtet ishte një sukses i madh për shqiptarët në përgjthësi. Edhe çetat kaçake të Kosovës u gëzuan, sepse tash e tutje do të vepronin më lehtë. Mbretërsia e SKS këtë fitore e vlerësoi si dështim të politikës së saj të jashtme ndaj këtij shteti fqinj, andaj tash u përqendrua rreth rrëximit të saj.
Ahmet Zogu me klikën e tij kaloi në Jugosllavinë monarkiste. Në Beograd e pritën mirë. Vetë kryeministri dinak, Nikollë Pashiqi, e priti në kabinetin e tij dhe u morën vesh për shumë gjëra. Zogu i premtoi atij se po të ndihmohej për t’u kthyer edhe njëherë në pushtet, jo që nuk do t’u linte vend kaçakëve kosovarë në Shqipëri, por edhe do t’ia lëshonte disa vende Serbisë si Shën Naumin, Vërmoshin etj.
Nuk kaloi kohë e gjatë dhe forcat të mëdha, mbi 10. 000 veta ( vullnetarë, zogistë, mercenarë, bjellogardistë, të burgosur etj.) e sulmuan Shqipërinë në tri drejtime: nga Dibra sulmoi grupi i udhëhequr nga vetë Ahmet Zogu, nga Prizreni grupi i Cena bej Kryeziut dhe nga Mali i Zi grupi i Malo bej Bushatit. Më 24 dhjetor 1924, ende pa u mbushur gjysmë viti, bie Qeveria e Nolit.
Krahas faktorit të jashtëm, në rënien e kësaj Qeverie, ndikuan edhe gabimet e brendshme. Fan Noli dhe Qeveria e tij e brishtë i bënë ca gabime: premtuan reforma të shumta e nuk arritën t’i realizojnë të gjitha dhe ndaj opozitës nuk e përdori dhunën revolucionare. Frytet e revolucionit të Qershorit Noli me shokë duhej t’i mbronte me forcë e me armë të rekrutuar nga populli, sepse vetëm ky mund të siguronte fitoret e korrura.
Këto lëshime dhe gabime i pa edhe vetë Noli, i cili më vonë, në një vend shkruante: “Kemi vrarë veten me dorën tonë”. Kjo vërehet edhe në poezinë “Krishti me kamçikun”, kur thotë:
Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar
Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar.
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin
Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.
Mirëpo para se të ndërmerrej diçka kundër Revolucionit dhe Qeverisë Demokratike të Tiranës duhej shkatërruar “Arbëria e Vogël” e Azem Bejtë Galicës, e cila qëndronte si pararojë besnike mu në ballë të Drenicës heroike. Kjo kala vigane, që në fillim përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së Prekazit.
(Galicën, Lubovecin, Mikushnicën, Dubofcin, Beçiqin, Krasaliqin, Prekazin, Tërnavcin, Kuçicën dhe Stërmcin e Ulët), kurse nga janari i vitit 1924 ishte kufizuar vetëm në tri (Galicë, Lubovec, Mikushnicë), i qëndronte karshi qeverisë së Beogradit. Krali serb ishte i sigurt se po arriti ta shthurë këtë fole shqiponjash fare lehtë do të depërtonte edhe në Shqipëri. Ai bëri të gjitha përgatitjet për ta rrethuar me ushtri, sepse xhandarmëria nuk po bënte punë. Si përherë, edhe kësaj radhe, këtë detyrë e mori përsipër Pashiqi mjekërbardhë, i cili:
Tel Zhupanit n’ Shkup i ka çue
çou Zhupan ti me u shtrengue
me asqerë n’Drenicë me shkue
Azem Bejtën dom me e rrethue
me e rrethue, paj, me asqeri
se nuk po nxinet me xhanari…
Kështu, më 14 korik 1924, forca të mëdha ushtarake nga garnizoni i Shkupit (mbi 1200 veta), të përcjellur edhe nga artileria e rëndë, e përbërë nga shumë mitraloza e 7 topa, i hipin trenit dhe nisen për në Kosovë. Pos ushtarëve të rregullt atyre u bashkangjitën edhe disa vullnetarë, çetnikë, njerëz të liruar nga burgjet, të mobilizuar me dhunë dhe ca xhandarë vendës për t’ua treguar rrugën. Në të vërtetë ata e kishin bërë skicën që më parë. Dy javë më heret, tre oficerë e dhjetëra ushtarë ishin parë në Qyqavicë, mbi Dubofc, dhe kishin pyetur për fshatrat përreth, sidomos për Galicën, Lubovecin dhe Mikushnicën, të cilat edhe i kishin rrethuar në hartë me ngjyrë të kuqe.
Kur zbresin në Mitrovicë, masës së shqetësuar i thonë së po shkonin për ta forcuar kufirin me Shqipërinë. Në të errur, pas orës 20, nisen rrugës për në Pejë. Kur arrijnë në Vojtesh, e lëshojnë rrugën dhe marrin drejt “ARBËRISË SË VOGËL”. Dikur, rreth mesnatës, grumbullohen në vendin Leskova, afër Lubovecit. Aty koloneli Stojanoviq, në prani të zhupanit të madh të Shkupit, lexon urdhëresën se shkonin për ta rrethuar Azem Bejtë Galicën. Pasi marrin udhëzimet e duhura dhe detyrat e qarta: oficerë, nënoficerë, ushtarë e xhandarë nisen për në vendet e caktuara. U morën vesh për një rrethim të trefishtë dhe për një sulm të rreptë e të përnjëhershëm nga të gjitha anët e me të gjitha armët.
Ende pa aguar mëngjesi i 15 korrikut, të tri fshatarat e “Arbërisë së Vogël”; Galica, Luboveci dhe Mikushnica, u gjeten të rrethuara trefish. Dëshmitarët e asaj dite ( Zenel Haxha, Rushit Syla, Vesel Ujkani, Ali Islami, Tafil Islami, Rifat Avdiu, Azize Ferizi etj.) këtë betejë të përgjakshme midis forcave, askund të barabarta, e përshkruajnë kështu:
Ishte festa e Bajramit të vogël. Ditën e dytë, të gjitha çetat e Drenicës u mblodhën në Galicë. Kishin ardhur për ta përgëzuar kryekomandantin e tyre. Në lëndinën e varreve u grumbulluan edhe shumë burra e të rinj. Gjashtë tupana binin sa e dridhnin tokën. Trimat kërcenin e hidhnin valle papushim. Gjuanin gurapesh e përlaheshin shokash të rinjtë. Pleqtë kuvendonin nën hijen e lisave qindvjeçarë dhe pinin duhan. Dikur pasdreke tre djelmosha shkuan dhe i vendosen tri tjegulla të gëlqerosura në Kërshin e Zallinave, për t’i gjuajtur shenjë. Filluan të qesin me radhë. Plumbat fishkëllonin dhe qëllonin. Një shenjë, për çudi, qëndronte e paprekur. Nuk rrëxohej se nuk rrëxohej dot. Kjo është shenjë e keqe, – thanë më të vjetrit. Shota veç po i shikonte. Dikur nuk u durua dhe foli me zë:
“Mjaft, more vllazen, mos harxhoni kot fishekë, se na duhen. Anmikun e kemi te pragu i vatrës. Unë ua heq qafesh atë të mallkuar, se sot as Azemit nuk po i shkon mbarë. Edhe kur është zgjue nga gjumi iu ka lidh shoka nyje, çka kurrë nuk i ka ngjarë”. E mori pushkën, u ul në gjunjë dhe me fishekun e dytë tjegullën e bëri copë-copë.
Kah mbrëmja njerëzit u shpërndanë nëpër shtëpitë e veta. Edhe luftëtarët vepruan njësoj. Në kullën e Azemit atë natë u ndalën vetëm tre luftëtarë: Hazir Rama i Vitakut, Bajram Delia i Tërnavcit dhe Kamer Llausha. Në shtëpitë tjera në Galicë kanë qenë edhe: Hys Popova e Zenel Ujkani në shtëpinë e dajës së vet, Emin Rexhës; Halil Xhemaili dhe Shaban Sherri (Llausha) në shtëpinë e Hasan Lahut dhe Bekë Hyseni në shtëpinë e vet.
Në Lubovec, pos luftëtarëve vendas, atë natë kanë qenë edhe Xhemë Tërnavci meIsë Koshutanin. Ndërsa në Mikushnicë ishte Shaban Manxholli me fshatarët e vet.
Pra, siç po shihet, atë natë të kobshme, nga Çeta kreshnike e Azem Bejtë Galicës, në Arbëri të Vogël nuk kishte më tepër së 13 luftëtarë.
Të nesërmen, ditën e tretë të Bajramit të Vogël, ditën e martë, më 15 korrik 1924, të tri fshatrat u gjenden të rrethuara.
Rrethi i parë mbështillte kullën e kryetrimit, rrethi i dytë Galicën dhe rrethi i tretë gjithë Arbërinë e Vogël. Pos mitralozave të mëdhenj, në kodrat përreth ishin vendosur edhe 7 topat: i pari në Lubovec, në kodrën mbi shtëpinë e Halit Bajramit; i dyti në Kërshin e Zallinave (aty ishte edhe komanda dhe zhupani); i treti në Sukën e madhe të Galicës; i katërti në Kudrinë afër Dubovcit; i pesti te Mrizet e Mikushnicës; i gjashti te Kika e Prekazit, mbi shtëpinë e Hajzer Nezirit nga Mikushnica dhe i shtati te Kodra e Prekazit ( ku gjenet sot shkolla).
Ashtu siç ishin marrë vesh në Leskovë, sulmi duhej të ishte i furishëm dhe i përnjëhershëm. Së pari sulmuan me topa dhe mitraloza nga të gjitha drejtimet. Qëllohej çdo kullë e çdo shtëpi, por zajrri kryesor ishte drejtuar kundërkullës- kala, e cila përballonte suksesshëm. Kur nuk mbeti kullë a shtëpi pa marrë flaka nga artileria u dha urdhëri për këmbësorinë. Ushtarët, që kishin dëgjuar dhe lexuar nëpër gazetat e tyre për heroizmin e trimit, i kishte rrokur paniku. Përkundër komandës ende nuk guxonin të afroheshin.
Gruaja e dytë e Azemit, Zoja, e para i kishte hetuar armiqtë e pabesë. Ishte ngjitur në kullë dhe e kishte lajmëruar të shoqin. Ai, si zakonisht gjakftohtë e pa u ngutur, përgatitet mirë e mirë dhe u bënë zë shokëve që ende po flinin:
-Çonu shokë, se kokmi rrethue,
jemi rrethue more vllazni
s’paskem pas besë me këtë krali
– Sa për vete , s’pi kam dert
hiq s’po m’dhimet jeta me dek
hiq s’po m’dhimet, more vllazni
po po m’dhimen robë e fmijë
nuk asht shaka, more, me asqeri
kanë të nxanë nuk e lëshon pa e gri.
Pas këtyre fjalëve Azem Bejtë Galica del nga kulla dhe në derë të oborrit e vret një kapiten, i cili për t’u dhënë zemër ushtarëve ishte afruar deri aty (shpata i kishte ngelur në avlli- tregon Rifat Avdiu nga Mikushnica, që si fëmijë e kishte gjetur pas disa ditësh). Pas vrasjes së oficerit serb dhe kushtrimit që e lëshoi Azemi (thuhet është dëgjuar deri në Prellofc, 1. 5 orë larg Galicës) ushtarët zbrapsen dhe marrin vrapin nëpër arën me misër. Në anën tjetër të kullës del Bajram Delia, i cili nga një pusi lufton derisa vritet. Qëndrimi heroik i këtij trimi (ishte djalë hasreti) i zbrapsi për një moment hordhitë serbe që vinin togje-togje
Për ta çarë rrethimin e parë dhe për të dalë nga kulla, Azemin e ndihmoi heroina Shotë dhe sulmi i shpejtë i trimave të Lubovecit. Ata, me të krisë pushka e parë, ngritën në këmbë dhe të prirë nga luftëtari plak, Halit Bajrami, me vrap arrijnë te kulla, duke i sulmuar pas shpine ushtarët që kishin rrethuar kullën.
Në atë moment Azemi pat thënë:
-Trimit hakun mos me ia ngranë
Luboveci gjthmona janë kanë
Sa herë ngusht që jam qëllue
Djemtë e Gashit më kanë ndihmue.
Lufta u ndez edhe në shtëpitë e tjera në Galicë. Kush kishte pushkë luftonte aty ku qëllonte. Askush nuk e mendonte vdekjen. Edhe në dy fshatarat e tjera, në Lubovec e në Mikushnicë, luftohej për jetë a vdekje. Çdo gjë mori flakë. Digjej gruri nëpër ara e nëpër lama, digjeshin shtëpitë, digjeshin stallat bashkë më bagëtinë brenda. Gratë, fëmijët dhe pleqtë nuk dinin kah t’ia mbanin. Tymi e flaka kishin mbuluar qiellin…
Në sulmin e parë, pos Bajarm Tërnacvcit vritet edhe Hys Popova, i cili 10 ditë më parë kishte ikur nga burgu i Mitrovicës dhe kishte ardhur në “Zonën e lirë të Drenicës”.
Azem Bejtë Galica nga rrethimi i parë doli me një plagë në krahërorin e majtë. Ai, në të dalë e porosit Shotën që t’i marrë dy gratë e tjera dhe të bashkohen me të gjitha gratë dhe fëmijët galicas e të nisen drejt Qyqavicës. Vetë, pasi e lidhi plagën u nis drejt malit Gamna. Në Livadhet e Frashërit, serbët nga frika kishin futur kokat në dhe. Ka raste që edhe kanë shkelur mbi ta e nuk kanë bërë zë. Nga vendi i quajtur Qafa një mitraliz i madh ua prente rrugën dhe nuk i lëshonte të ecnin përpara. Trimi pushon pakëz dhe e merr në shenjë gjuajtësin, të cilit ia hoqi kapakun e kokës. Kur afrohen pranë e gjejnë një toger që ende po përpëlitej. Te Azemi i Ademit në Mikushnicë ndalet dhe e pi një gjysmë kënate ujë.
Rrethi më i vështirë ishte vu në livadhet e Mikushnicës. Ishte rrethi i fundit, rrethi i tretë. Aty takohen shumica e luftëtarëve nga të tri fshatrat e rrethuara. Nëpër livadhe dhe në një arë me misër kishin zënë prita armiqtë e panumërt. Ishte vështir të kalohej andej. Si zakonisht, Azem Bejtë Galica , u nis i pari për të çarë rrethimin. Pushka nuk bënte punë, se ishte afërsi e madhe. E nxori revolën 15-tëshe, me mulli dhe u sul si vetëtima duke qëlluar në të dy anët. Kur kalon nëKodrën e Karadanit, pak para se të futej në malin e madh, plagoset për vdekje. Një plumb tinëzar i passhpinës e qëllon në pakon e fishekëve të vet, të cilët eksplodojnë dhe ia këpusin boshtin kurrizor, duke e bërë të palëvizshëm.
Fill pas tij sulen edhe të tjerët. Për disa orë rresht u bë luftë e rreptë. Pati të vrarë e të plagosur nga të dy anët. Livadhet u mbushen me kufoma. U vranë edhe shumica e shokëve të Azemit. Kryetrimin e plagosur rëndë e marrin në krah (me shoka e rregulluan një si vig) Halil Avdia e Smajl Shabani nga Galica dhe Kamer Llausha, të cilët e nisen drejt Qyqavicës.
Tërheqjen e tyre në thellësinë e maleve e mundësoi lufta heroike e Qerim Shashit-Qollakut nga Luboveci. Ai ishte plagosur rëndë, predha ia kishte këputur të dy këmbët. E kishte zënë një pusi të mirë dhe e mbante frontin i vetmuar. Shokët i kishin lënë mjaft municion. Armiqtë e mendonin për Azemin dhe e sulmonin me të gjitha forcat. Ai, herë-herë pushonte derisa ata i afroheshin e paskëtaj i qëllonte duke i vrarë nga dy e tre me një plumb. Tri herë e kishin dërguar një grua (Zepën e Mikushnicës) që të dorëzohej, por kot, nuk pranonte. Kur i harxhohen fishekët e shkatërrojnë me bomba, si Oso Kukën në Vraninë. Dhe, më vonë, në atë vend u gjeten, dy gjarpërinj të copëtuar, një breshkë të dërrmuar dhe ferrat e shkrumbuara.
Shotë Galica, edhe pse atë natë qe e sëmurë, u tregua heroinë e vërtetë. Pasi i ndihmoi burrit për ta çarë rrethimin e parë, sipas porosisë së tij, mbi rrobat e veta luftarake veshi rroba grash dhe me pushkë nën sqetull u nis drejt qendrës së fshatit. Pas saj shkonin edhe Zoja me Hatën. Shumica e grave, pleqve dhe fëmijëve ishin tubuar dhe po u printe plaku me mjekër, Shaban Tahiri. Cerberët serbë posa i hasin e vrasin plakun dhe ata i mbyllin në një stallë. Dy ushtarë i caktojnë roje. Dikur, njeri prej tyre, i lodhur nga vapa, ua hedh një bombë brenda. Një grua e shpejtë e kap bombën ende pa eksploduar dhe ua kthen prapa, duke i mbytur që të dy. E çelin derën dhe dalin përjashta. Te Ftojt e Tahirit, arrin edhe Shota, e cila u jep zemër dhe u prinë drejt Qyqavicës.
Te Varret e Lahajve i gjejnë edhe familjet e asaj lagjeje, të cilëve po u printe halla Gjylë me djalin e vdekur, Murselin, që ende po e mbante në krah. Pranë tyre edhe një i vdekur, Sylë Aqareva, që kishte sjell para për Vasën e Ferzit, të cilën e kishte fejuar për djalë. Shota afrohet, e kthen mbarë dhe ia nxjerr kutinë e duhanit nga xhepi. Pasi e mbështjell një cigare ia dha Gjylës, e cila që nga ai moment e deri në vdekje, më 1956, e ka pirë vazhdimisht.
Rrugës për në Qyqavicë i takojnë edhe dy xhandarë shqiptarë: Bajram Selacin dhe Kasum Gërdofcin, të cilët pas një kërcënimi që ua bën Shota se: “Nëse vetëm një fëmijë e gjen diçka ju do të përgjigjeni para Azemit”, ata i përcjellin pa ferrë në këmbë deri te Mon Kozhica. Siç dihet, në atë betejë ka pasur edhe të tjerë xhandarë shqiptarë dhe që të gjithë kanë shëbyer në të mirë të saj. Dëshmitarët tregojnë se ata, ku u jipej raqsti, qëllonin dhe vrisnin sa mundnin ushtarë serbë.
Vetëm familjet e lagjes Fetahaj morën drejtim tjetër. Ata shkuan kah Kërshi i Zallinave. Rrugës takohen me një oficër të plagosur, i cili nisi t’i vras, por për fat aty afër qëllon një xhandar shqiptar, Mehmet Vushtrria. Ai i merr dhe i dorëzon te zhupani dhe koloneli Stojanoviq. Meqenëse të gjithë ishin pleq, gra e fëmijë i lejonë të kalojnë jashtë vijës së zjarrit.
Edhe dy fshatrat tjera kishin marrë flakë. Burrat kishin shkuar në fronte në drejtim të Qyqavicës, ndërsa familjet kishin mbetur si pa kokë. Ca prej tyre i dërguan te kulla e Azemit dhe i pushkatuan.
Armiqtë kur morën vesh së Azem Bejta Galica doli jashtë rrethimit dhe shpëtoi i gjallë u harlisën fare. Tërë mllefin zunë ta shfrenin mbi të pafajshmit. Masakronin këdo që e hasnin; pleq, gra e fëmijë në djepa. Në Mikushnicë u bë një vrasje lëmëritëse. Një gruaje shtatëzënë, Hasime Musliut, me thikë ia nxorën fëmijën nga barku.
Të gjithë të vrarët i bartnin te kulla, për t’u arsyetuar para ndonjë komisioni eventual se gjoja ata kishin rezistuar. Çka i kishte shpëtuar zjarrit të artilerisë nuk i shpëtonte dot zjarrit të piromanëve me una në dorë. Bagëtinë e mbetur gjallë e grabitnin dhe e merrnin me vete. Në fund grupin e galicasve të mbajtur peng, i pushkatuan në qendër të fshatit. Dhe, pas kësaj, kolonisti vendas, Maksim Ujakoviqi, i rrotullonte kufomat me këmbë dhe ai që kishte mbetur gjallë e qëllonte me revole. Aty e vrau edhe të riun 18 vjeçar, Sinan Ujkanin, i cili nën kufoma kishte shpëtuar.
Krahinari i Shkupit (Zhupani i madh) dhe koloneli që e udhëheqte ekspeditën të mllefosur dhanë komandën:
Te Zhupani po bërtete burija
Ngreh asqerin, hiqmu tina
Hiqnu tina për me e lanë
Të shtatë kralat mu çue n’kamë
S’ka asqer Azemin qi e nxanë.
Nime koka qysh kanë pas thanë
Veç se Muja nat vakt n’ koft kanë.
Pasi shkretuan çdo gjë mbi dhe u nisen andej nga kishin ardhur. Me vete morën plaçka të ndryshme. Në mbrëmje sollën qerre për t’i bartur kufomat dhe të plagosurit e vet. Numri i tyre i saktë nuk dihet, por dëshmitarët thonë se ka pasur shumë. Për të mos rënë në sy, ata i ndajnë në dy grupe; ca për Vushtrri, ca për Mitrovicë. Kryetari i atëhershëm i komunës së Zhabarit, Shaban Rexha, nga naçallniku i Zveçanit, e kishte dëgjuan shifrën 85. Shaban Hamiti nga Ashlani, atëbotë 12 vjeçar, thoshte se vetë i kishte numëruar 97 kufoma. Të tjerë pohojnë se vargoi i qerreve bartëse ka qenë i gjatë nga Galica në Vushtrri.
Të vrarët e Arbërisë së Vogël mbeten mbi dhe. Nuk lejonin të varroseshin kinse pa ardhë një komision i jashtëm. Në atë vapë të madhe, trupat e tyre zunë të prisheshin. Kufoma e Nezir Zeqirit u frye derisa pëlciti. Tek pas disa ditësh burrat e fshatrave përreth, shumica nga Prekazi, erdhën e i varrosen si munden, disa aty ku i gjenin, nëpër ara, male e livadhe, kurse ata që i patën grumbulluar te kulla i varrosen në varreza të përbashkëta.
Të plagosurit fshehurazi u mjekuan nëpër shokë e miq. Tri fshatrat e Arbërisë së Vogël u shuan për ca kohë…
Lufta e Galicës, apo thënë më mirë Epopeja e Arbërisë së Vogël, pati jehonë të madhe. Ajo u vlerësua dhe u komentua në mënyra të ndryshme. Pos nëpër gazeta e komente, ajo u diskutua edhe në Kuvendin e Jugosllavisë monarkiste. Dr. Millan Sershkiqi, ministri i punëve të brendshme i qeverisë serbe, fill pas betejës, e informoi Parlamentin me rrjedhën e asaj ngjarjeje dhe duke u munduar të arseytohet pos tjerash thotë:
“Azem Bejta me kullën e tij dhe me fshatrat përrth ka qenë shteti në shtet. Ajo ka qenë një krahinë e pamposhtur në shtetin tonë…kjo ka qenë turp dhe një provë e dobësisë dhe paaftësisë së shtetit tonë që të durojë një shtet në shtetin tonë. Azem Bejta ka mbajtur lidhje me Komitetin e Kosovës në Shqipëri. Kulla e tij ka qenë strumbullar i propagandës kaçake, e cila ka kushtuar një mori jetërash të qytetarëve, xhandarëve e ushtarëve tanë. Kurrë, zotëri, që nga çlirimi e deri para pak ditësh nuk ka shkelur këmba e organeve tona në atë territor. Në Galicë na kanë sulmuar që në fillm, edhe pse i kemi lutur që të dorëzohen, dhe na i kanë vrarë 14 ushtarë serbë, sllovenë e kroatë, midis tyre edhe një gjerman. Atëherë jemi detyruar të hapim zjarr nga të gjitha armët. Me “keqardhje” konstatoj se aty u vranë shumë njerëz nga zjarri i armëve artilerike, midis të cilëve edhe dy gra. Në mesin e të vrarëve gjenden edhe 80 kaçakë, 10 prej tyre të shantazhuar”.
Këto të dhëna nuk përkonin aspak me të vërtetën, por i duheshin për ta arsyetuar atë barbari mbi banorët e pafajshëm e të paarmatosur. Edhe ndonjë kokë e arsyeshme serbe u distancua nga ato veprime shtazarake. Kështu një deputet u ngrit dhe tha :” Kjo nuk duhej të ndodhte dhe nuk do të lejoja që organet e mia të vrasin gra e fëmijë e të djegin fshatra të qeta”.
Ndërkaq shkrimtari kroat, Miroslav Kërlezha, që ato ditë ishte në Beograd, për muajin korrik qe shprehur:”Kjo është dështim, sepse; edhe burgosja e Kosta Novakoviqit edhe masakrimi i qindra kaçakëve të Azem Bejtës ndodhen në muajin korrik (1924).
Kjo ngjarje ngjalli reagime edhe në shtypin serb. Gazeta “Vreme” e datës 16 korrik 1924, pos tjerash shkruante:”…Lufta pati dimensione të mëdha, në të cilën u përleshen qindra kaçakë me njësi të shumta ushtarësh e xhandarësh…Në thirrjen e zhupanit të madh tri çeta nga garnizoni i këtushëm me 4 topa mbrëmë kanë hyrë në Galicë… Me shpejtësi është reaguar me zjarr pushkësh e mitralozash. Edhe katër topat , të cilët koloneli Stojanoviq i pati me vete vepronin pa pushim”.
Gazeta tjetër “Pravda”, e datës 17 korrik të atij viti, shkruante:” Lufta me kaçakët, që u zhvillua dje pas dite në rrethin e Drenicës, me ashpërsinë dhe numrin e viktimave ua kalon të gjitha luftërave të deritshme me kaçakët. Lufta qe e gjatë dhe shumë e ashpër. Numri i viktimave arrin në 200…Fshatrat, në të cilat u zhvillua lufta janë shndërruar në grumbuj gurësh të shembur, nëpër të cilët spikasin trarë të copëtuar dhe kufoma të përgjakura e të masakruara. Nuk dihet a është vrarë Azem Galica apo ka shpëtuar?…”.
Pra, siç po shihet, vlerësimet dhe komentimet ishin të ndryshme. Manipulime të shumta bëheshin sidomos me numrin e të vrarëve. Organet serbe nga Mitrovica dërgonin shifra alarmuese. Në to thuhej se atë ditë në Galicë dhe në dy fshatrat e tjera, u vranë 190 kaçakë. Ndaj tyre reagoi Ferat Draga, duke shkruar se atë ditë u vranë 19 kaçakë, ndërsa të tjerët civilë të pambrojtur.
Të interesuar , të mësojmë të vërtetën, dolëm në terren dhe nga biseda me dëshmitarët e gjallë nxorëm këto përfundime: Më 15 korrik 1924 në territorin e Arbërisë së Vogël u dogjën 100 shtëpi, u plagosen rëndë 28 , ndërsa u vranë 82 veta. I përafërt me këtë është edhe lajmi i atyre ditëve, botuar në gazetën “Hak”.
Pra, epilogu i të vrarëve të asaj dite është si më poshtë:
Në Galicë:
1. Bahtir Beka
2. Hasan Lahu
3. Ismail Lahu
4. Mursel Ferizi
5. Sylë Sahiti
6. Selamn Ademi
7. Sadri Ahmeti
8. Sinan Ahmeti
9. Ferat Hyseni
10. Sherif Rrahmani
11. Mehmet Rrahamani
12. Hamide Rrahmani
13. Osman Mehmeti
14. Hajdin Osmani
15. Rrustem Behrami
16. Jashar Behrami
17. Veli Halili
18. Avdi Halili
19. Shaban Tahiri
20. Qerim Shabani
21. Kamer Xhema
22. Sylë Idrizi
23. Hazir Fetahu
24. Sinan Ujkani
25. Nezir Beqiri
26. Zahide (Zaha) Beqiri
27. Një fëmijë i Nezirit
28. Hys Popova- Popovë
29. Bajram Delia- Tërnavc
30. Sinan Aqareva-mysafir
31. Isa Shabani- Rashan
32. Abaz Bajrami- rom
33. Shak Basjrami- rom
34. Ibrahim Bajrami- rom
35. Man Bajrami- rom
Në Lubovec:
1. Halit Bajrami
2. Murat bajrami
3. Asllan bjarami
4. Bajrush Bjarami
5. Salih Xhemaili
6. Sadik Rama
7. Qerim Shashi
8. Zyhër Miftari
9. Behram Delia
10. Cek Ismaili
11. Xheladin Veliu
12. Tafil Jetullahu
13. Zenun Sherifi
14. Maksut Islami
15. Tahir Islami
16. Islam Neziri
17. Demë Beqiri
18. Zeqë Beqiri
19. Idriz Isufi
20. Shaban Ademi
21. Kurt Osmani
22. Mustafë Abazi
23. Selman Beqiri
24. Bajram Koshtova- mysafir
25. Bajram Hyseni- mysafir
Në Mikushnicë:
1. Ismail Manxholli
2. Ahmet Manxholli
3. Vesel Shabani
4. Jashar Behrami
5. Ali Behrami
6. Sadik Behrami
7. Hafie Avdiu
8. Bahtie Avdiu
9. Rexhep Hyseni
10. Muharrem Cena ( Cen Muharremi)
11. Sadik Salihu
12. Ujkan Mehmeti
13. Mehmet Alia
14. Munish Ademi
15. Bajram Sahiti- nip nga Baica
16. Ajete Sadriu
17. Hasime Musliu
18. Bajram Bajra
19. Hajzer Barja
20. Sadik Rrahmani
21. Sadri Zeneli
22. Salih Fazliu
Mbrëmjen e 15 korrikut 1924, te Kroi i Ftohtë në Qyqavicë u grumbulluan shumica e të plagosurëve dhe familjet e arratisura. Aty, midis tyre edhe Azem Bejtë Galica, i shtrirë në vig. Rojet ishin vendosur në të gjitha anët. Arbëria e Vogël ende po digjej flakë. Shota të shoqit ia mbante kokën në prehër dhe i jipte kurajo. Lajmi për luftën heroike u përhap si me krah. Aty, si vetëtima, mbërriti edhe çeta e Mehmet Konjuhit dhe e Shyt Bajqinofcit. Mehmeti kur e sheh kapedanin shtrirë zu të qajë me zë. Kryetrimi i dha zor, u ngrit në bërryla dhe iu drejtua shokëve:” Tash mbasi u bëmë bashkë me Mehmetin s’kanë çka na bajnë as shtatë kralat. ”
Dhe, pas një jave, kur u bënë rreth 30 luftëtarë, vendosën të nisen për në Shqipëri. Azemit ia sollën edhe kalin (Allçin) nga Palluzha ( ia kishte dhënë Shaban Palluzhës). Rrugës ndalojnë në Abri, në Kullën e Hadanit, derisa ia sollën një jorgan nga Rrustem Smakiqi dhe pastaj vazhdojnë për në Gjurgjevik, te Sadik Rama. Atje u bashkohen edhe dy çeta tjera; çeta eMehmet Delisë dhe ajo e Met Imerit.
Në malet midis Përçevës dhe Gllarevës Azemi lodhet shumë. Ndalojnë për të pushuar. Pasi ua lë amanet që trupi i tij kurrësesi të mos bie në dorë të armikut dhe se lufta të mos ndërpritej, mbylli sytë njëherë e përgjithmonë. Shota me shokët besnikë ia çojnë porosinë në vend; e lëshojnë në shpellën e thellë “Çuku që kërcet”, të cilën e dinte njeriu i asaj ane, Halim Ngucati- Përçeva. Kur e lëshojnë komandantin në thellësinë e tokës mëmë, Shota vëhet në krye të ÇETËS dhe me zërin e saj rrëqethës, edhe njëherë lëshon kushtrimin sa ushtuan edhe malet: “O, PRITE, PRITE AZEM GALICËN!”

Kombi – Branko Merxhani

Ideologjia e neo-shqiptarismës si të vetmin burim të saj ka nevojat e realitetit kombëtar. Një fuqi, që do të veprojë në fushën e krijimit shoqëror, duhet më parë të jetë armatosur me masën e vlerës sociologjike, masë e cila të mos jetë marrë nga theoritë subjektive të mendimit, po t’i përshtatet njohjes objektive të konditavet së jetës së një vëndi. Një vënd siç ka emrin e vetë, shtëpinë e vetë, karakterin e vetë, ashtu ka dhe sociologjin e tij të veçantë. Nuk është e drejtë, bile as e mundur, që të mendojmë ne në Shqipëri siç mendon, për shëmbëllë, një frëng për çështjet që i përkasin realitetit të tij kombëtar-sociologjik. Sidomos kur është puna që të vëmë themelet e jetës s’onë mendore, gjë të cilën e ka për qëllim edhe neoshqiptarisma.
Shkenca është universale, po jo si vepër, jo si jetë, po vetëm si theori dhe si princip. Kur, për shëmbëllë, një frëng i sotmë i cili ka shkuar një pjesë shumë të madhe të jetës së tij intelektuale, brënda në kaq shekuj mendimi dhe eksperience, thotë fjalën e famshme: “Tout par la science et pour l’humanite” (“Të gjitha me anë të shkencës dhe për njerëzinë”), ne, të cilët as që kemi filluar akoma të hedhim themelet e ekzistencës s’onë mendore, ne djemt e mendimit, duhet t’i përgjigjemi kësisoj:
Sigurisht, çdo përparim arrihet me anë të shkencës, po edhe çdo përparim nuk ka tjetër qëllim përveç se vetëm lartësimin e jetës së kombit dhe shpëtimin e atdheut…
Shkënca nuk është për shkëncën. Shkënca është për jetën. Dhe jeta është kryesisht një ide konkrete. Njerëzimi është shumë herë një ëndër, po kurdoherë një gjë po. Vetëm realiteti, që ekziston me të vërtetë, është kombi. Dhe e vetmja jetë e vërtetë është jeta kombëtare.
***
Neo-shqiptarisma i jepë vlerë shkëncës vetëm kur është e zonja t’u shërbejë qëllimeve të jetës kombëtare. Domethënë, ideologjia jonë e përdor shkëncën si mjet për realizmin e qëllimevet dhe të nevojavet të përparimit t’onë kombëtar për dobi vetëm të shvillimit të arthëshmë të Kombit. Ky është edhe i vetmi shërbim, e vetmja dobi e shkencës, kur është puna të krijojmë një shoqëri. Qëllimi është jeta e Kombit dhe mjeti është fuqia e shkencës.
Pra, sa nga ne diturin e tyre ua detyrojnë vëndeve të huaja – dhe përgjithësisht dituria e sotme shqiptare ësht e huajë, – sa nga ne mund të mendojnë siç mund të mendojë, për shëmbëllë, një intelektual frëng, gjerman, turk, grek, më parë duhet të orientohen brëndësisht për në realitetin kombëtar, të mbajnë nga kultura e tyre vetëm principet e shkëncës. Mendimet frënge, gjermane, turke, greke duhet të transformohen në mendime shqiptare në mënyrë që të hedhim themelet për një mendim shqiptar, nga suksesi i zhvillimit të së cilit vetëm do të mundemi të krijojmë një syllogjismë shqiptare, një Shqipëri mendonjëse. Qytetërimi nuk është veprë e Imitimit, po vepër e një pune të brëndëshme harmonike. Qytetërimi është një krijim.
***
Liria e mendimit intelektual është e pakufishme. Po, si elemente shoqërore, duhet të orientohemi me nevojat e jetës shoqërore. P.sh. si njerës të mendimit të lirë, mundet të mos besojmë në gjë. Po, si elemente shoqërore, si elemente të përparimit dhe të rregullit, ai nga ne që do t’i mësojë vëndit t’onë, p.sh, atheismën, duhet të quhet kriminel përkundrejt nevojës shoqërore.
***
Duke u nisur nga bazat ideologjike të sipërme dhe bile pa u trembur nga akuza e Reaksionismës brënda në Europën e Sotme të Materialismës Historike, them:
Filosofia e Neo-Shqiptarismës është: Idealisma Kombëtare.
Po kjo idealismë e jonë ndryshon shumë nga idealisma e bukur, po e dëmshme për neve, p.sh., e një Ernest Renan-i. Nuk jemi nga ata që thonë:
“Atje ku gjej të Bukurën, të Mirën, të Drejtën – atje është dhe atdheu im.”
Nuk jemi edhe nga ata, të cilët, në një çast marrëzie dhe enthusiasmi, i a marrin këngës së “Atdheut të Math”, që përmban gjithë tokën…
Ne preferojmë të themi:
Atdheu ynë gjendet në anën e një rëkeje të freshkët, që vadit arat, dhe kënga e së cilës dëgjohet nëpër shpellat e maleve të Shqipërisë. Ku janë të varrosuna kockat e stërgjyshërvet t’anë, atje në hirin e oxhakut të hidhërimit ku ka rënë loti i parë i mëmavet t’ona, në pyllin e dashurisë që na çeli mysterin e jetës në kohën e djalërisë – atje është atdheu ynë…
***
Një komb nuk është gjë tjetër përveç se një ndjenjë, një ide, një harmoni shpirtërore, një “kuptim shoqëror”. Që të jemi shqiptarë me të vërtetë, më parë na duhet doemos një një gjë: Na duhen njerës që të thonë:
“Jam Shqiptar!”
Ai që e ndjen veten “Shqiptar” është pa tjetër Shqiptar. Dyshimi më i vogël mbi këtë gjë është mjaftë që të kuptojmë të kundërtën.
Demokratia, 23 janar 1929
(Marrë nga libri “Branko Merxhani, vepra”, Plejad, Tiranë, 2003, faqe 28-30)

HAKËRRIMI IDEOLOGJIK MBI LETËRSINË KOMBËTARE

Nga Mr. Sinan Gashi
Injorimi i figurave të mëdha kombëtare, konfiskimi a asgjësimi i veprave të krijuesve më të talentuar, si dhe ndjekja, arrestimi e dënimi i atyre që kombëtaren e kishin parësore në jetë dhe në krijimtari letrare, ishte dëshmia antikombëtare e sistemit totalitar gjysmëshekullor.
Mendime përgjithësuese
Sistemet totalitare kishin mënyrën e njëjtë të veprimit dhe të sundimit, kudo që ishin, ngase kishin burimin e njëjtë ideologjik dhe frymëzues. Për ta mbajtur postin pa të drejt, ata përdorin mjeshtëritë perfide, siç ishte kontrolli mbi gjithçka, e në veçanti mbi artet e letërsinë, e cila u shërbente për programin, qoftë të ideologjisë komuniste të personaliteteve pushtetore. Ata për t’i pasur nën zap, përdornin frikën, dhunën deri edhe asgjësimin. Që më 1945 filluan aksionet kundër krijuesve kombëtarë, e disa edhe pse nuk ishin më ndër të gjallët, i kishin mallkuar zyrtarisht dhe as ata as veprat e tyre nuk guxonin të ziheshin ngoje. Fatkeqësia kombëtare ishte e madhe, ngase të gjithë ata ishin krijues të temave të mëdha kombëtare dhe që e kishin mbajtur gjallë kombëtarizimin brenda e jashtë atdheut politik të shqiptarëve. Kur anatemohej “Lahuta e Malcis” ne shpirtërisht varfëroheshim, e kombëtarisht shkonim deri në zvetënim. U dënua liriku i përjetshëm Vinçenc Prenushi, u shpall i padëshirueshëm Arshi Pipa, u fye në dinjitet Ernest Koliqi, iu nënshtrua ikjes Martin Camaj, la kantierin e dhunës shtypëse Bilal Xhaferi, e qindra të tjerë, deri në ditët e demokracisë, u mbuluan nga terri i propagandës komuniste. Autorët nuk kishin parasysh vlerat dhe veprimtarinë kombëtare të tyre, po kërkesë e përgjithshme ishte: ideologjia mbi gjithçka dhe shteti kontroll fizik e shpirtëror i njeriut, madje edhe i krijuesit. Kjo bëri që për pesë dekada mos ta njohim historinë tonë të vërtetë, krijuesit tonë madhorë, traditën tonë të lavdishme. Fatkeqësisht të vërtetat e fatit tonë, po i njohim me vonesa të mëdha dhe hutimi para personaliteteve të imponuara, po na ngadalësojnë ecjen tonë përpara.
Gjergj Fishta ose Homeri Shqiptar
Nër fytyrat madhore dhe të papërsëritshme është poeti, dramaturgu, publicisti, eseisti, themeluesi i shoqërive kulturore, i revistave e gazetave të ndryshme Gjergj Fishta (1871-1940), i cili kishte besimin e deputetit të Parlamentit të parë shqiptar, apo ai që edhe ishte përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Parisit (1919) dhe dy herë në Konferencat ndërballkanike, më 1930 dhe 1931. Ishte po ky njeri që, më 1908, në Kongresin e alfabetit të mbajtur në Manastir, propozoi versionin e alfabetit në emër të shoqërisë “Bashkimi” që e udhëhiqte, i cili u pranua dhe me të cilin shkruajmë sot e gjithë ditën gjuhën tonë të mirë. Veç veprave të shumta letrare e të tjera, me veprën epike “Lahuta e Malcis” me gjithsej 15.613 vargje, dëshmoi një talent të rrallë të cilën e punoi për tridhjetë vjet. Veç tjerash, kjo vepër ia dha përjetësinë dhe e bëri të njohur jashtë Atdheut. Edhe mbi këtë personalitet të madh, u veprua në mënyrë makabre: e zhvarrosën më 1968, me një frikë dhe sadizëm njëkohësisht. Vetëm në vitet e demokracisë, rifilloi jeta e vërtetë dhe filloi të bëhet vlerësimi real i letërsisë kombëtare. Retushimet dhe prerjet e tekste, fshehjet e dokumenteve, ishin mënyra e përhershme e atyre ideologjive. Po e zëmë, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjedja dhe Gjergj Fishta kishin bërë fotografi së bashku në Shkodër. Ajo fotografi është botuar disa herë me Fishtën e hequr mjeshtërisht.
Pa i cituar studiuesit tanë se ç’thonë për krijimtarinë e Fishtës apo personin e tij, të cilët janë të shumtë, me interes është të thuhet se Maximilian Lambertzi i shquar bën krahasime homerike të veprës së tij. Dr.Wilhelm Scauster dhe Dr.Max Wieser në “Letërsinë e sotme botërore”, botuar në Berlin, shkruajnë se Fishta është poeti më i dalluar shqiptar, që ka zgjuar vetëdijen kombëtare dhe ka ngjallur kuptimin për liri, ndërsa Dr.Ivan Esih, pohon se me të drejtë është quajtur “poet kombëtar” dhe “Homeri Shqiptar”
Dhunimi i këtij personalitetit për së vdekuri, ishte paralajmërim për hakërrim mbi ata që ishin gjallë.
Romancieri i parë shqiptar u arrestua dy herë
Autori i më se tridhjetë e pesë veprave, e mbi të gjitha autori i romanit të parë të letërsisë shqipe “Marcja” (1889) dhe i cili dijen, mundin dhe pasurinë e fituar e shkriu për kombin e vet, është Ndoc Nikaj. Ai madje kishte blerë shtypshkronjën e parë më 1909. Pas burgosjes së parë nga Qeveria e Lushnjës, ai lirohet i pafajshëm pas dyzetë e gjatë ditësh, por ndihet shumë i fyer. Megjithatë punën krijuese e atdhetare nuk e ndalon. Bashkëpunimi i tij ishte edhe me të përkohshmet “Koha”, “Bashkimi”, “Besa Shqyptare” e “Zani i Shkodrës”.
Arrestimi i dytë ishte më banali. Kur më 1946 ai kishte 82 vjet, me një pushkë në krah e endin mes popullatës. Ata veç vrasjes fizike, kënaqeshin me varjen morale dhe shpirtërore.
Peripecitë e krijuesve janë të shumta dhe natyra të ndryshme, por vetëm ajo që quhej dhunë ishte e njejtë.
Fati i burgosjes shtatëvjeçare nga komunistët e kishte sfilitur Kristo Floqin nga Korça. Ai kishte arsim të lartë. Kishte doktoruar drejtësinë në Athinë më 1889 dhe pastaj kishte kryer punë të shumta kombëtare e pushtetore, si kryetar i gjyqeve e pastaj sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit e së dyti në qeverinë e Durrësit, prokuror në gjyqin e Korçës, avokat në Shkodër, Ministër i Arsimit në vitin 1920, dy herë deputet i parlamentit shqiptar, njëherë përfaqësues i Dibrës e pastaj i Korçës, në Qeverinë e Mbretit Zog, është anëtar e më vonë nënkryetar i Këshillit të Shtetit. Pos tërë këtij aktiviteti, shkruan vazhdimisht poezi në të përkohshmet, por ajo që e përjetoi në letërsi janë më se tridhjetë veprat dramatike, që kapin aktualitetin e kohës së autorit e disa edhe tashti. Njihen pesë veprat poetike dhe disa administrativo-ekonomike. Është e veçanti të ceket vepra “Shqiptarët”, e cila kishte pikënisje takimin e autorit me baronin austro-hungarez Dr.Jozef Kraus, të cilën bisedë e vjershëron në 83 faqe të një libri të vogël. Këto vepra të lëna në harresë ndoshta për bindjet e autorit, kanë bërë që të vjetërsohen si aktualitet letrar.
Doktori i parë i politikologjisë që aftësitë e veta i ishte dashur t’i tregojë në vende të huaja (prefekt i Thrakisë e Maqedonisë e më vonë i Sanxhakut e Samsunit, si dhe bej i Jerusalemit dhe guvernator i Palestinës, nënkomisar i Turqisë në Misir), punoi edhe punë të rëndësisë shtetërore e kombëtare në Shqipëri nga 1923-1939 (përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, kryetar i Qeverisë shqiptare të 1935-tës, kryetar i këshillit të Regjencës), i duhet të degëdiset në dhe të huaj (Itali) dhe atje t’a mbyll jetën. Le që ky person u harrua përjetësisht, por edhe veprat e tij, që do të pasuronin traditën e romanit (“Nevruzi”) apo të dramës (“Trathëtia”).
Krijimet ia mbajtën jetën ngrohtë dhe më afër atdheut, si dhe e lanë shenjën e përjetësisë te brezat.
Kërkesa e ideologëve komunistëve ishte t’a dëshmojnë veten si të parët në historinë e jetës, të shtetit, si dhe të krijimtarisë. Ernest Koliqi me ndjenjën prej krijuesi, ndien dhembjen për fatin e tij. Thotë: “me drydhë fuqit ma të pastra të mendes e të zemrës në shërbim t’atdheut e mos me mujtë me gzue frymën ringjallëse t’ajris së tij: me ushqye një dashuni të pamasë për kombin e vet, një dashni të plleshme e ndërtuese, edhe me ndejun tue njeh larg aty një nga një ditët e muzgut të jetës, pa ngushllimin e nji shpërblimi moral të stërmerituar – asht drama njerzues vërtetë i pikëllueshëm”.
Një fat hiq më të mirë e pat edhe Midhat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit. Kishte ky një kulturë të gjerë, të cilën e kishte degëzuar në lëmin e kulturës si dhe në veprimtari politike, gjithnjë me synim bërjen e Shqipërisë, jo kësaj sa një dorë, siç shprehej Asdreni një kohë e njëherë. I rritur dhe i edukuar në familjen e mendjeve të ndritura të babait të madh e të xhaxhallarëve krijues (Naimit e Samiut), dëshmohet me organizimin e Kongresit të Alfabetit ku zgjidhet kryetar i Kuvendit të tij, pastaj ishte përfaqësues i shpalljes së pavarësisë në Vlorë (1912), i Konferencës së Paqes në Paris dhe, së fundi, prijës i Ballit Kombëtar. I ra fati të jetë edhe pjesëmarrës i Konferencës së Mukjes, që ishte tragjike, si dhe për fatin e tij – vdiq në Nju Jork.
I injoruar deri në harresë “enciklopedia që ecën”
Madhështia e disa personaliteteve, sado mundohesh, nuk mund të rrëfehet me fjalë. Ta merr mendja se s’ke thënë gjithçka për të, kur më pastaj të dalin para dëshmi të tjera për bëmat e tij, Për Faik Bej Konicën mund të thuhet shpejtazi se kishte një kulturë të barazuar me fytyrat madhore evropiane të kohës, se njihte gjashtëmbëdhjetë gjuhë të huaja, se ishte bymuar me njohuri në shkollat e ndryshme në Stamboll, në Paris, në Londër e në Amerikë, se ishte krijuesi i parë i modernitetit në letërsinë shqipe, me veprat e tij në poezi, kritika letrare, ese dhe romani i papërfunduar “Dr. Gjilpëra”; se, kishe nxjerrë revistën enciklopedike “Albania” në Bruksel e Londër, apo edhe “Trumpeta e Krujës” e tjerë. Angazhimi i tij në jetën politiko-shoqërore po ashtu është jo i pakët: ishte pjesëmarrës në Kongresin e Trishtës (1913), në Qeverinë e Vidit (1914) dhe deri në përfundim të jetës ambasador i Shqipërisë në SHBA.
Edhe pse këtë krijues dhe stilist të rrallë nuk e patën në dorë përfaqësuesit e regjimit komunist, krijuan një propagandë të ulët, me të gjitha format e mundshme, nga politikan analfabetë e deri te studiuesit e ideologjizuar e karrieristë. U tha për të se është një kopje e antishqiptarit apo edhe se “ia ka ngjitë kulturës për bishti në vend se për koke”. Konica dallonte nga të tjerët, se kritikonte të metat, të cilat ia kishin zënë frymën përparimit, se nga këta nuk kërkonte postin e lajkatarëve, që interesi vetjak i çonte në falsifikim të dhënash e fshehjesh të tragjikave. Ai kishte thënë guximshëm se “Shqipërinë mund të prishin vetëm shqiptarët”. Një reagim të tillë ndaj të këqijave në shoqërinë shqiptare e kishte bërë artistikisht edhe Gjergj Fishta, kur shihte se si vlerat kombëtare dhe sakrificat e shumta, matrapazët “patriotë sheshesh” i kthenin në të mira materiale.
Personalitete që sollën frymën oksidentale në Shqipëri, gjithsesi ishin të urryer. Ata ishin shkolluar jashtë vendit, si në Romë të Italisë, Tiroli të Austrisë, Insbryk po të Austrisë, Firence të Italisë, Mynih të Gjermanisë e tjerë, dhe ishin ngulfatur nga dëshira që edhe vendin e tyre ta shihnin një ditë ashtu. Ofrua vepra të përkthyera nga shkrimtarët e përbotshëm. Këta ishin të urryerit e të anatemuarit e kohës. Përfaqësuesit e regjimit komunist, krijua një propagandë të ultë, me të gjitha format e mundshme, nga politikanët analfabetë e deri te studiuesit e ideologjizuar e karrieristë. Kështu u veprua me Anton Harapin (1888-1946), i cili me romanin e lënë dorëshkrim “Andrra e Pretrashit” “desh që t’u lajë të shkrueme breznive të ardhshme se fiset e Hotit e të Grudës, të mbetuna jashta kufinit politik të soqëm janë thjeshtë shqyptarë…”
Po ashtu Zef M.Harapi (1891-1946), i cili kishte shërbyer mësues në Pejë, Durrës e Shkodër, la dëshmi romanet “Peng a rob” (1930) dhe “Pushka e tradhëtisë” (1914), dhe shkroi edhe vepra për personalitete të rëndësishme shqiptare, si për Oso Kukën, Mustafa Pashën e Dedë Gjo Lulin. Krijuesi i melodramave origjinale: “Ora e Shqypnis”, “Hijet e zeza”, “Ruba e kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa” dhe “Shpella e Bogdanit”, por edhe i krijimeve poetike, polemike, përkthimeve…Ndre Zadeja arrestohet më 1945 kur edhe ekzekutohet së bashku me 13 të tjerë. Shtypi i kohës shkruante se “u pushkatuan 14 tradhëtarë”. Është një konstatim krahasues se, ashtu si kishin arritur vlera kulmore efektet lirike të teksteve në krijimtarinë e Wagnerit e Puçinit, apo ashtu siç i kishte ndihmuar Lorenze da Pontes veprës së Moxartit, u bëhet krah i fortë libreti i Zadesë kompozitorëve shqiptar, si Mikel Koliqit apo Tonin Harapit.
Bernardin Palaj është mitologu i parë shqiptar, poeti i talentit të shquar dhe atdhetar i dëshmuar. U arrestua më 1946 dhe pas torturave të rënda, vdiq në burgun e Shkodrës, nga tetanosi. Veç gjashtë veprave letrare, kishte publikuar vepra shkencore: “Doke e kanun në Dukagjin”, “Mite, besime e legjenda”, “Kanuni i maleve”, “Kangë kreshnike dhe Legjenda”, e tjerë. Për punën e tij kaq të madhe dhe me vlerë, kishin dhënë vlerësime studiues të shquar të artit e të letërsisë, si albanologjia ruse Desnickaja, shkrimtarja e studiuesja italiane Dr.Angela Cirricione, biografi i tij Vinçenc Malaj, Ernest Koliqi, Pal Dukagjini e të tjerë. Po këso vlerësimesh do jepeshin për Donat Kurtin e shumë të tjerë, të cilët lnë përjetësinë me punën, sakrificën njerëzore dhe krijimtarinë letrare-shkencore.
Hakërrim edhe ndaj atyre që ishin bashkëveprimtarë një kohë
Shkodrani që studioi në Bergamo të Italisë dhe i cili tërë jetën e kishte vënë në shërbim të krijimtarisë letrare dhe të arsimit shqiptar, madje edhe në Kosovë, Ernest Koliqi kudo që ishte, madje edhe viteve të pas 1942-tës në Romë, veproi po në këtë drejtim. I shtyrë të krijonte letërsi nga Luigj Gurakuqi, ai merr krah dhe lë trashëgimi romanin “Shija e bukës mrume”, vëllimin e prozave “Hija e maleve”, “Gjurmët e stinëve”, “Tregtarë flamujsh” e tjerë. Ishte edhe poet i frymëzimeve autoktone. Rolin e intelektualit në raport me kombin, e shihte si domosdoshmëri. Thotë: “Intelektualët e vërtetë, që me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesinë e letrave janë syni i kombit;…Pa veprën dritëpërhapëse t’intelektualve të njimendët, një komb është si i verbti mbi një udhë plot gropa e qarravina të rrezikshme”.
Është ndër themeluesit e fletores “Ora e Maleve”, themelues i së përkohshmes “Shkëndija” apo edhe i revistës së rëndësisë së veçantë “Shëjzat” që doli në Romë. Si mos të përmendet merita e madhe e tij për përhapjen e arsimit edhe në Kosovë, kur më 1941-’42 dërgoi për atje 200 mësues e mësuese, për t’a krijuar bazën e një kombëtarie të vërtetë. Apo si mos të çmohet lartë puna e tij dhe autoriteti i madh për hapjen e Katedrës së Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Romës, e cila më vonë bëhet Institut i Studimeve Shqiptare.
Heshtja dhe injorimi vazhdoi me dekada edhe për këtë fytyrë të lakmueshme të kulturës e arsimit shqiptar. Veprat e tij që njiheshin nga lexuesi gjerman, italian, anglez, arab, grek nuk kishte mundësi të lexoheshin nga ai shqiptar.
Dhimitër Pasko që u bë i përjetshëm si Mitrush Kuteli, kishte fatin e rëndimit të përditshëm, edhe pse vendi ishte “çliruar”. Ishte njeriu që kishte gradën e doktorit të shkencës së ekonomisë dhe që atë dituri kthehet për ta sjellë në vendlindje, për ta themeluar bankën shqiptare, ishte një nga ata që themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ishte një i vetmi deri tashti që interesoeht dhe sakrifikon edhe ekonominë vetjake për t’u botuar vëllime të plota me poezitë e shpërndara si Fan Stilian Noli ashtu edhe Lasgush Poradecit, të rrallë ndër letra shqipe. Është i vetmi që të gjitha veprat e veta i kishte botuar me paratë e shtëpisë, me gjithë skamjen që e përcillte, pra një idealist i vërtetë. Për të gjitha këto shpërblim dënimi, duke u arrestuar më 1947 dhe duke u liruar më 1949, me pasojat shëndetësore të hipertensionit arterial, angjinës pektorale, reumatizmit dhe pagjumësisë duke e shtyrë jetën me vuajtje. Dhe mbi të gjitha e kishte dashur Kosovën dhe shqiptarin e Kosovës deri në idealizim, vetëm për shkak të atdhedashurisë së madhe. Veprat e tij kryesore duheshin pritur vitet e dekadat për t’u rizbuluar para lexuesit shqiptar, për të cilin ishte një befasi e këndshme. Deklarimi i Kutelit në emër të shqiptarit të Kosovës, ishte deklarim në emër të shqiptarimës:
Jam shqiptar e Kosovar
Zot e krenar, Zot e bujar…
“Intelektualët shqiptarë nuk kishin rrugë tjetër, ose të pranonin plotësisht vijën e partisë, ose ndryshe, përfundon në burg” – rrëfen më vonë shkrimtari e intelektuali i shquar Arshi Pipa, në librin e botuar në Nju-Jork “Contemporary Albanian Literature”, 1991, duke folur për fatin e vet dhe të bashkëmendimtarëve. Ky i dënuar fillimisht me dy vjet burg për një ligjeratë për Migjenin apo një poezi me titullin “Bushtra”, që aludonin ata për Bashkimin Sovjetik, i ishte shtuar dënimi në njëzet vjet. Pas fazës së parë me punë skllavi, në fazën e burgut izolues qëndroi në Burrelin famëkeq. Arshiu ngroh shpirtin e ndjeshëm me vargje, të cilat përmes një gardiani të ndershëm, i qet jashtë. Duke mos mundur ta durojë punën e rëndë me kazmë dhe përcjelljen e vazhdueshme të aparatçikëve, kushtëzohet arratisja, për ta dëshmuar aftësinë intelektuale si profesor në Universitetin e Minnesota-s, ku edhe e gjen vdekja. Ai dha mësim edhe në shumë vatra të arsimit superior në Amerikë, si në Georgetoën, University, School of Languages and Linguistics, Columbia University, profesor në shtetin e Minnessota-s, në Adelphi University, Californias University e tjerë. Veprat e tij dolën vetëm kohët e fundit, ku veç talentit të pakontestueshëm, thekshëm del interesimi për fatin e Kosovës e Çamërisë, dy tema të rrezikshme për kohën (lexon poezinë “Kosovës” të Pipës), që regjimit i prishin punë. Aktivitetin kombëtar, edhe në moshë të shtyrë, nuk e ndalon, kur organizon në Qendrën Universitare të Neë-York-ut (The University Graduate Center) Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën, më 6 nëntor 1983. Kumtesat e më se dymbëdhjetë ligjëruesve, prej të cilëve vetëm katër shqiptarë botohen në “Studime mbi Kosovën”, duke aktalizuar gjithçka lidhur me të. Ai vendlindjen do ta shohë tek në vitin 1982, pesë vjet para vdekejs në vend të huaj. Edhe hirin e eshtrave të tij e derdhin në Adriatikun e vendlindjes. Martin Camaj e çmonte drejt, kur thonte: “Besoj se Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë edhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhenj si Arshi Pipa”.
Martin Camaj (1925-1992) bëri rrugëtim të gjatë. Nga vendlindja e tij në fshatin Temal të Malësisë së Shkodrës, emigron në Kosovë, pataj në Itali të Malësisë së Shkodrës, emigron në Kosovë, pastaj në Itali e së fundi në Gjermani, në Munih, duke qenë gjithmonë krijues e studiues i veprave shqipe.
Jo që nuk njiheshin e botoheshin veprat e tij shkruar e botuar jashtë, por u la në harresë e madje as që ziheshin ngoje dy vëllimet poetike që i ishin botuar në fillim në Prishtinë, “Një fyell ndër male” 1953 dhe “Kanga e Vrrinit” 1954. Camaj çmohet lart edhe nga të huajt për artin e tij modern dhe krijimtarinë e larmishme.
Regjimi komunist nuk i kursente as shokët e vet të luftës, kur ata mendonin a thonin ndryshe, se për të vepruar, ishte e pamundshme nga përcjellësit lakej të të gjitha niveleve dhe detyrave. Kasëm Trebeshina, po e zëmë, edhe pse ishte pjesëmarrës i luftës, që si kujtim i ruante plagët nga ajo, thirret dhe burgosët më se tri herë në vazhdimësi. Veprat e tij në dorëshkrim arrijnë numrin 1000. Minush Jero, një oficer me shërbim në Durrës, dënohet dhe mbetet i palexuar dhe i pabotuar, edhe pse tri dramat e tij paralajmëronin një talent të lakmueshëm, e mjaft të tjerë.
Ky vargan është i gjatë dhe me peripeci të shumta, të dhimbshme
Edhe në Kosovë nuk është hiç me mirë. Herë për shkak të autorit e herë për shkak të ideve të “zbiriluara” të veprës, anomalitë e tilla manifestoheshin me dekada. Talenti i Murteza Nurës u vyshk (edhe pse me një vonesë nxori disa tituj veprash të përnjëhershme) duke u munduar të fshihej pas pseudonimeve. Burgjet e tij e ndrydhën mendjen e freskët dhe prodhimtare. I ndalonin dhe merrnin dënime atyre që u gjendej romani i Adem Demaçit “Gjarpijtë e gjakut”, mu për autorin e burgosur me vite për idetë e tij të ndryshme nga sistemi. Nuk duhej t’i botohej Teki Dervishit, sepse “helmonte rininë me shkrimet e tij”, siç qe shprehur një funksionar partiak i viteve. Kështu e pësuan veprat për bindjen e autorit, si romani “Njerëzit” i Hivzi Sulejmanit, që njëherë ishte edhe pushtetar, duke e botuar me vonesa disa vitesh apo duke mbetur dorëshkrim edhe sot pjesa e dytë e romanit po me këtë emër. Apo vonesa e madhe në botim e romanit “Jeta e një maturanti” e Xhemil Dodës, edhe pse i vëllai i ishte vrarë për ditët më të mira të këtij populli. Ishin të shumtë madje krijuesit e rinj të kohës, të cilëve u merrej e drejta e publikimit.
Edhe këndej vargani ishte i gjatë i këtyre peripecive të autorëve për shkak të veprave, apo të veprave për shkak të autorëve
Duke i larguar, ndjekur, burgosur apo pushkatuar ajkën e kombëtarizmit dhe trurin e një kombi, nuk varfërohet vetëm letërsia, por errësohet e ardhmja e atij kombi. Akademiku freng Leon Bourgeois, thonte me një rast, se “në periodën kombëtare çështjet politike zënë radhën e dytë. Në këtë periodë njerëzit më me rëndësi janë artistët, poetët e shkencëtarët. “Po ashtu konstatime të larta për vlerat kulturale e artistike për një shoqëri kombëtare të përparuar e sheh edhe shkencëtari gjerman Vierkandt, i cili shprehet” “Shoqëria kombëtare është e mundur vetëm në shkallët e larta të kulturës, sepse qenia e saj varet kryesisht nga parimi dhe njohja e ndërgjegjshme e vlerave shpirtërore (“Gesellschaftslehre”).
E çfarë mund të thuhet për një sistem apo për ideologët e vonuar të tillë, nëse dhunojnë mendimin e lirë, nëse kërkojnë me çdo kusht ta asgjësojnë tjetrin, me të cilin nuk mund të barazohet as me forcën morale, as politike e as profesionale. E si duhet t’u thuhet atyre që urrejnë kombëtaren për hir të internacionales!
Dikush ia ka siguruar vetes vendin e antikombëtares në historinë tonë të panjohur ende mirë.
Mjerë për guximet e tilla?

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...