Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/14

Gjuhë komuniste

Profesor Abas Ermenji
Duke lexuar librin e përkthyer në italisht “Il sangue tradito” , (Gjaku i trathëtuar) botim i Ministrisë së Jashtëme Jugosllave.
Në një fjalim që mbajti Enver Hoxha në Shkodër pakë muaj më parë, thosh se njerëzit e Ballit Kombëtar ishin duke u marrë vesh me Titon, në dëm të interesavet të Kosovës, për të vepëruar në Shqipëri.
E ç’nuk ndëgjuaka njeriu në këtë botë! Enver Hoxha që lindi prej Titos si Eva nga brinjë e Adamit, që u-emërua kumandar i t’ashtu-quajturës ushtëri nacional-çlirimtare të Shqipërisë nga Dushan Mugosha, ai që gjer dje i quante ‘megallomani reaksionare’ të drejtat t’ona mbi Kosovën, ai që, i shtytur prej jugosllavit Svetozar Vukmanoviç-Tempo, prishi Lidhjen e Mukajt pikërisht pse Balli Kombëtar kish vënë si bazë të programit Shqipërinë Ethnike, ai që dërgoi fuqi në Kosovë për të shuar kryengritjen e shtytur nga Balli Kombëtar dhe për t’i a dorëzuar Titos të nënështruar, po ai na dalka sot me një moral patriotik t’u tregojë Ballistëvet detyrat kundrejt Kosovës !
Në një botim të Ministrisë së Jashtëme Jugosllave, punuar nga Vladimir Dedijer dhe nxjerrë si një farë ‘Libër i Bardhë’ pas prishjes së marrëdhënievet me Shqipërinë, përkthyer tani vonë n’italisht ndënë titullin ‘Il Sangue Tradito’ mund të kuptojë njeriu mjaft gjëra rreth komunistëvet dhe Ballit Kombëtar.
1. Partija Komuniste Shqiptare është krijesë e Jugosllavëvet
Partia Komuniste Shqiptare është fund e krye një krijesë e Jugosllavëvet dhe, pa ndërhyrjen e ngultë të këtyre, as që do të kish parti komuniste në vendin t’onë. Përpara se të vinin Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha për t’organizuar dhe udhëhequr komunizmin në Shqipëri, aty s’kish veç disa grupe të vegjël e të parëndësi që s’ishin aspak të lidhur me masat, “që ishin larg nga veprimtarija komuniste e vërtetë, që ishin në kundërshtim me njeri tjetrin, gjë kjo që ka shkaktuar luftë t’ashpër e të paprerë midis tyre. Ndër ‘ta sundonte shpirti i ngushtë i sektarizmës, oportunizmës dhe i lokalizmës”. (Sang. Trad. f. 3, nxjerrë nga rezoluta e Konferencës së parë të përgj. të P.K.SH., mbajtur në Labinot, në prill 1943).
Situata që mbretëronte midis grupevet komuniste në Shqipëri më 1941, u-karakterizua kështu nga Miladin Popoviç :
– “Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodheshin grupe dhe grupthe (gjithësejt tetë, ndër të cilët dy Trotskistë). Seicili prej tyre tërhiqte nga anë e tij. Shpeshëhere bënin edhe ‘bashkime’, ‘marrëveshje’ për të paditur tek ne njeri tjetrin. Bënin nga këto ‘marrëveshje’ deri me Fundon. Mund të kish çdo gjë tek këto grupe, por asgjë komuniste…” (Sang. Trad. f. 8, nga relacioni i Miladin Popoviç, Komitetit Qendror të partisë komuniste jugosllave, 21 Maj 1942).
“Bisedimet me këto grupe vazhduan prej dhjetë gjer më njëzet ditë. Kalonim nga një pjekje ilegale në tjetrën. Me grupin e Korçës i rrahëm çështjet në shtëpinë e Enver Hoxhës e të Koço Tashkos. Ky grup nuk donte t’i njihte gabimet e tij; kërkonte të shpallej si parti e pastaj gjithë grupet e tjerë të mblidheshin rreth tij, por arritëm t’a bindim me argumenta të forta që të pranojë krijimin e partisë. Në grupin ‘Korça’, ndihma m’e fortë na erdhi nga punëtorët Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo…” (Sang. Trad. f. 9, nga shënimet e Dushan Mugoshës mbi aktivitetin e tij në Shqipëri në vitet 1941-1944).
Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, dhe pakë më vonë Blazo Jovanoviç e Svetozar Vukmanoviç-Tempo, qenë shtytësit, krijuesit, udhëheqësit dhe kumandarët e vërtetë të partisë komuniste shqiptate. Ata çdukin mosmarrëveshjet, ata vënë disiplinë, ata bëjnë mbledhjet, ata emërojnë kumandarët, ata organizojnë, ata urdhërojnë. Ata shtyjnë të krijohet ushtërija ‘nacional-çlirimtare’, dhe, me t’u-formuar brigata e Parë, Dushani shkon si këshilltar pranë Mehmet Shehut, por në të vërtetën është ai që kumandon ; ata e shtyjnë më në fund partinë komuniste shqiptare në luftën vëllavrasëse me Ballin Kombëtar.
Dushani e cakton edhe Enver Hoxhën si kumandar të përgjithshëm t’ushtërisë ‘nacional-çlirimtare’.
“Para se të nisej për Jugosllavi, Dushan Mugosha u-ftua në mbledhjen e K.Q. të P.K. Shqiptare, ku ishin prezent disa antarë të komitetit, dhe aty parashtroi mendimin se kumandari i përgjithshëm, Spiro Moisiu, nuk ishte në lartësinë e detyrës, dhe propozoi t’emërohej në vënt të tij Enver Hoxha, deri atëhere komisar i komandës së lartë. K.Q. i P.K. Shqiptare e pranoi këtë propozim të Dushan Mugoshës dhe, në konferencën e Përmetit, nga fundi i Majit 1944, Enver Hoxha u-emërua kumandar i përgjithshëm me gradën kolonel-gjeneral.” (Sang. Trad. f. 61).
Dushani emëron edhe Mehmet Shehun si kumandar të divizionit të Parë, me gjithë që Enver Hoxha nuk donte.
“Dushan Mugosha propozonte emërimin e Mehmet Shehut si Kumandar i divizjonit të Parë, kurse Enver Hoxha nuk qe d’akord. Por, pas shpjegimevet të Dushanit, më në fund e pranoi këtë propozim… etj..” (Sang. Trad. f.61).
Që Jugosllavët e kishin në dorë të tërë punën, dëshmohet edhe nga dallkaukllëqet që u bënin kryeterroristët, të cilët mundoheshin kush e kush t’ë fitonte favoret sa më shpejt. Kur Dushan Mugosha do të kthehej në Jugosllavi, kryeterroristët i çfaqnin servilizmat më të ulta, me anë letrash. Ja ç’i shkruan Mehmet Shehu :
– “Nuk kishim parti, por kishim e ishim ‘komunistë bazhibuzukë’, ishim një ‘turli me zarzavate të hidhura’, e me udhëzimet e Miladinit e të tuat, me ndihmat t’uaja mundëm të seleksionohemi, të formojmë partinë t’onë komuniste, t’a forcojmë. Na dhat dorën, na mësuat, na ngritët si mëma foshnjen… etj..” Më në fund i thotë :
– “O Salë! (pseudonimi i Dushanit) po për interesat e larta të brigadës tënde, kë do të lësh pranë shtabit të përgjithshëm ? Kujt do t’i a besosh këtë misjon special… ? ! !”
Domethënë se brigata është e Dushanit dhe, passi po ikën, ai di se kujt do t’i a besojë misionin e tij special.
Bedri Spahiu :
– “Ne mësuam nga ti o Salë, atë çka është e nevojshëme dhe e domosdoshme që të mendojmë e të ndjejmë vehten si komunista. Prandaj unë për vehte, e besoj të gjithë ne, na duket sikur kemi diçka nga qenia e jote. Jeta e jonë si komunistë është lidhur me ty… Unë ngushullohem duke parë ndryshimin që kam bërë prej çastit të parë që jemi parë dhe se kam përfituar nga ti me sa ka qenë e mundur.”
Erë servilizmi mban edhe letra e Enver Hoxhës, e Nexhmije Hoxhës, e Hysni Kapos, e Koçi Xoxes, e Ramazan Çitakut. Pa le i shkreti Omar Nishan që është mbyllur n’odë dhe qan me ngashërime duke “kujtuar poshtërsitë që ka thënë armiku për Dushanë”. (Sang. Trad. Facsimili. Fotokopjet e të gjitha këtyre letravet.)
Servilizmi kundrejt drejtuesve Jugosllavë arrin kulmin me fjalën e Enver Hoxhës, në Berat, në mbledhjen e plotë të K.Q. të P.K., në Nëntorin e 1944-ës :
– “Shoku Blazo (Blazo Jovanoviç delegati i K.Q. të P.K. jugosllave, pranë K.Q. të P.K. shqiptare) ka dhënë ndihmën më të madhe në pregatitjen e konferencës dhe në përpunimin e relacionit. Blazoja qe për ne si të kish zbritur Zoti nga qielli.” (Sang. Trad. f.26, shënimi 28)
2. Kush e bëri qëndresën kombëtare prej Prillit të 1939 -ës gjer në Nëntor të 1941 -së ?
Të vimë tani tek qëndresa kombëtare ose lufta që i u-bë pushtuesit të huaj. Libri në fjalë e vë në dukje qëndresën e popullit Shqiptar në ditët e Prillit të 1939 -ës, vazhdimin e asaj qëndrese gjatë luftës italo-greke, tregon sesi populli Shqiptar nuk ndëgjoi n’asnjë mënyrë të luftojë kundër grekëvet, përkundrazi mbajti anën e tyre, edhe ata pakë bataljone që ndodheshin të mobilizuar u-hodhë nga anë e Grekëvet, u-shpërndanë ose sabotuan luftën. Por nga ana tjetër thotë se grupet komunistë kishin qëndruar si të mpitë gjatë kësaj periudhe, dhe s’kishin bërë asgjë gjer sa formuan partinë, ndënë shtytjen e Miladinit e të Dushanit, në Nëntorin e 1941-së. I vetëmi aktivitet që patën treguar komunistët gjer në këtë datë – thotë libri – qe një trakt që hodhi grupi Shkodrës kur Hitleri sulmoi Bashkimin Sovietik.
“Me sulmin e Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik, kushtet për fillimin e një kryengritjeje me armë të popullit shqiptar kundër pushtuesit u-bënë më të pjekura akoma. U-shkundën nga letargjija gjer disa drejtuesi grupesh (komuniste). Kështu për shembull, grupi i Shkodrës lëshoi një çpallje duke ftuar popullin të ngrihej me armë. Më gjithë këtë për shkak të veprimtarisë politike të mangët dhe në mungesë të ndonjë pregatitjeje organizative, kjo çpallje nuk pat, në të vërtetë, asnjë përfundim praktik.” (Sang. Trad. f.44).
Kur bën fjalë për qëndresën e popullit Shqiptar në këtë periudhë të parë të luftës, auktori shton :
– “Krerët komunistë nuk dijtën t’i çfrytëzonin këto kondita objektive për t’i dhënë dallgë luftës nacional-çlirimtare. Pushtuesi shkonte gjithnjë duke e shtuar tmerrin. U-krijuan kampe përqëndrimi më të mëdha akoma, në të cilat ishin hedhur në dimrin e 1940-1941-së qindra Shqiptarë. Ndërkaqë, drejtuesit e grupevet komuniste nuk e pregatitnin popullin në luftë t’armatosur kundër pushtuesit. Ata mbajtën një qëndrim të tillë edhe në rastin e sulmimit të Jugosllavisë nga ana e trupavet fashiste e Hitleriane.” (Sang. Trad. f. 43-44)
Auktori harron të thotë, se n’atë kohë, një pjesë e tyre ishin milicë, dhe disa, si Omer Nishani, bënin apollogjinë e fashizmit !
Në konferencën e parë për formimin e partisë komuniste shqiptare, 8 Nëntor 1941, dhe rezolutën e së parës konferencë të përgjithëshme të P.K. shqiptare, mbajtur në Labinot në Prill të 1943-së, ky qëndrim i mpitë i grupevet prej Prillit të 1939-ës gjer në Nëntor të 1941-së, u-qortua rreptësisht.
Në rezolutën e konferencës së Labinotit është thënë tekstualisht :
“Lufta midis grupevet (komuniste) nuk i linte të merrnin një qëndrim siç duhet :
a) në çështjen e pushtimit të Shqipërisë më 7 Prill 1939 ;
b) në të tjera ngjarje të mbrendëshme të rëndësishme të Shqipërisë ;
c) në çështjen e luftës së Dytë imperialiste, si edhe në çështjen e luftës s’Italisë kundër Greqisë dhe Jugosllavisë.” (Sang. Trad. f. 4).
Atëhere vjen pyetja, pasi grupet komuniste paskan ndejtur të mënjanuar e të mpitë gjersa u dha shtytjen Miladini me Dushanë, qëndresën e popullit Shqiptar kundër pushtuesit të huaj kush e frymëzoi dhe kush e udhëhoqi prej Prillit të 1939-ës deri më Nëtor të 1941-së ? Ata qindra njerëz që, gjatë kësaj periudhe, u-dergjën burgjevet dhe ishujvet, cilët qenë ? A nuk qenë ata burra që hodhë themelet e Ballit Kombëtar ? Ty s’t’a nxë goja një hata të këtillë, Z. Vladimir Dedijer, por po t’a themi ne.
3. Qysh u-prish Lidhja e Mukajt dhe si filloi lufta vëlla-vrasëse.
Libri në fjalë, natyrisht, është plot sharje për Ballin Kombëtar dhe e quan këtë organizatë si një krijesë të reaksionit për të mbytur lëvizjen ‘nacjonal-çlirimtare’, në bashkëpunim me të huajin. Neve s’na bëjnë më përshtypje këto gjepura, pse kemi më shumë nga gjashtë vjet që po i ndëgjojmë, që n’atë mëngjes kur partija komuniste, e shtytur nga Vukmanoviç Tempo, e grisi marrëveshjen e Mukajt dhe i vuri gramafonit të saj zë-çjerrë një tjetër pllakë kundër Ballit Kombëtar. Por vetëm duamë të vëmë në dukje këtu disa të vërteta që s’mbulohen dot, e që dalin vetvetiu në shesh, si konkluzion logjik, nëpër kritikën e shtrëmbët t’armikut.
“Balli Kombëtar ish munduar të gënjejë masat me parullën se luftonte për një Shqipëri të lirë e të pamvarur, e cila kish për të pasur një rregullim republikan ku fshatari dhe beu të kishin të drejta të njejta, ku zotnia dhe shërbëtori do të kishin po ato të drejta përpara ligjit. Një nga parullat themeltare të Ballit Kombëtar, që e kanë shfrytëzuar për së tepërmi Italianët dhe qeveritë e ndryshme kuislinge, ishin krijimi i një ‘Shqipërie të Madhe’ në të cilën duhej të përmblidheshin Kosova e Metohija si edhe Çamëria.”
“Balli Kombëtar, me këto parulla, kish arrijtur të hyjë në disa shtresa popullore. Krerët e Ballit Kombëtar janë reaksionarë të cilët bëjnë një politikë të dyfishtë, por rreth tyre është mbledhur një numur mjaft i math njerëzish me të vërtetë të nderçim dhe me influencë, të cilët besojnë verbërisht tek kryetarët. Kështu ndodhen në’ të njerëz që gjer tani nuk kanë qënë përqafuar nga lëvizja nacjonal-çlirimtare, dhe s’marrin dot një qëndrim të këputur.” (Sang. Trad. f. 77, nga relacioni i Miladin Popoviçit, me K.Q. të P. K. Jugosllave, 19 Prill 1943)
Ja ku na dolli tani, nga vetë raporti i Miladin Popoviçit, që Balli Kombëtar s’paska qënë fund e krye korb i zi por pëndët e trupit i paska pasur të bardha dhe vetëm kokën të zezë ! Por sesi mund të shkonin verbërisht gjithë këta njerëz të nderçim pas kryetarëvet trathtarë, këtë i-a lëmë për shpjegim llogjikës së Popoviçit.
Më poshtë :
– “Drejtuesit e Ballistëvet nuk donin të njihnin ekzistencën e të tjera organizatash përveç Ballit Kombëtar, dhe e shikonitn komitetin qëndror të nacjonal-çlirimtares si një organizatë tipikisht komuniste. Me Ballistët qenë zhvilluar në vend bisedime të gjata e të pafrytshëme. Ndër’to i shtyjmë për bashkëpunim, por drejtonjësit pastaj i bindin në të kundërtën. Ky Balli na ka bërë të humbasim shumë kohë dhe punë. Vetem se ky vepërim, në tërësinë e tij, nuk ka mbetur i pafrytshëm. Shumë fshatra kanë qënë çkëputur nga influenca e Ballit, jo nga që kemi zhvilluar një luftë të hapët kundër tij, por me guximin tonë në luftën kundër pushtuesit.” (Sang. Trad. f. 77)
“Disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha, u epnin tepër rëndësi bisedimevet për marrëveshje me Ballin Kombëtar, ndërsa linin pas dore aktivitetin që duhej zhvilluar në rradhët e Ballit Kombëtar për të demaskuar kryesinë e sajë reaksionare dhe trathtare.” (Sang. Trad. f. 78)
Partia komuniste nuk donte të zbatonte vendimet që kish marrë në konferencën e saj të përgjithëshme të Labinotit, përsa i përkiste krijimit të një ushtrije komuniste ose ‘nacional-çlirimtare’, pa u-marrë vesh me Ballin Kombëtar pse kish frikë mos zgjuante dyshime në Ballin dhe dështonte marrëveshja. Por Svetozar Vukmanoviç-Tempo dhe Blazo Jovanoviç e shtyjnë me pahir në këtë drejtim.
“Zbatimi i vendimevet të konferencës përsa i përkiste formimit t’ushtërisë nuk po ecte shpejt, nga qëndrimi i mvarur i disa antarëve të K.Q. të P.K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha. Shkaku i këtij qëndrimi të pavendosur duhej kërkuar në përçapjet për marrëveshje me organizatën e Ballit Kombëtar.”
“Disa ditë pas konferencës së Parë të përgjithëshme, arriti në katundin Labinot, ku ndodhej një pjesëe e K.Q. të P.K. shqiptare, shoku Svetozar-Vukmanoviç-Tempo. Në bisedimet e tij në Labinot me disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare, shoku Vukmanoviç-Tempo, bashkë me Blazo Jovanoviçin, nënvizoi edhe njëherë detyrat kryesore të partisë në çështjet ushtarake. Ai u-mundua të vërtetojë se ish i domosdoshëm formimi i komandës së lartë t’ushtërisë nacional-çlirimtare të Shqipërisë pa pritur rrjedhën e bisedimeve me Ballin Kombëtar, i cili ish duke organizuar me ngulme ushtërinë e tij dhe i zgjatte me qëllim bisedimet me lëvizjen nacional çlirimtare. Mos me ia hyrë menjëherë formimit të komandës së lartë t’ushtërisë nacional-çlirimtare, donte të thosh t’i shkoje pas qejfit Ballit Kombëtar dhe planevet të tij trathtare. Këtë nuk e kuptuan, pra, disa antarë të K.Q. të P. K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha e Dr. Ymer Dishnica, nga papjekuri e tyre politike dhe pse s’kishin kurrfarë prespektive. Ata besonin se ish m’e dobishme të mbaronin njëherë bisedimet me Ballin Kombëtar, pa pastaj të mendonin për formimin e komandës së lartë e të njësivet sulmonjëse, sepse po t’i a hynin kësaj pune shpejt, Balli Kombëtar mund të tërhiqej nga bisedimet. Po t’a shpejtojmë mëkëmbjen e ushtërisë, thoshin ata, do të ngjallim dyshime tek Balli Kombëtar, gjë kjo që do t’na e bëjë të pamundur marrëveshjen.” (Sang. Trad. f. 53, nga bisedimet me Svetozar Vukmanoviç-Tempo)
“Për të njëjtat arsye, disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare ishin kundër krijimit të njësivet të lëvizëshme. Shoku Vukmanoviç-Tempo këshilloi si – të domosdoshëm kalimin prej kompanish fushore (që nuk bëjnë jetë ushtarake) në detashmente partizane, që duhet të bëjnë jetë ushtarake të tamamtë, të jenë vazhdimisht n’ofensivë, lehtësisht të trasferuarshëm. Gjithashtu duheshin formuar me doemos njësira ushtarake më të mëdha…etj..” (Sang. Trad. f.53)
“Nga ky qëndrim i Enver Hoxhës, u-arrit në formimin e kumandës së lartë vetëm katër muaj pas konferencës së Parë të përgjithëshme, dhe në formimin e brigatës së parë vetëm pesë muaj pas konferencës. Njësitë ushtarake të trasferuarshme e sulmonjëse u-krijuan vetëm pas një ndërhyrjes së re të shokut Svetozar Vukmanoviç-Tempo, i cili, nga gjysma e dytë e Korrikut të 1943-së, duke u-kthyer prej Greqie, arriti në katundin Kucakë, afër Korçës, dhe parashtroi rishtas në gji të mbledhjes së K.Q. të P. K. shqiptare pikpamjen e tij :
– Insistova rishtas mbi nevojën kalimit të domosdoshëm prej kompanish territoriale të fushavet në detashmente partizane të transferuarshëm dhe në njësira ushtarake më të mëdha e të rregullta. Mbasi aktiviteti përsa i përket organizimit të fuqisë në tokat e çliruara ish lënë mbasdore krejt, kam nënëvizuar nevojën e fillimit të menjëhershëm të një organizimi t’autoritetit ushtarak të prapavijavet, më parë se të mbaronin përpjekjet për marrëveshje me Ballin Kombëtar.” (Sang. Trad. f. 54)
“Svetozar Vukmanoviç-Tempo, pasi u-pranuan definitivisht propozimet e tij nga anë e K.Q. të P.K. shqiptare, u-nis për në Maqedhoni.” (Sang. Trad. f. 55)
Auktori mendon se ky qëndrim i antarëvet të K.Q. të P.K. shqiptare në lidhje me Ballin Kombëtar u-vinte nga papjekuri e tyre politike, nga mungesa e një pregatitjeje theorike, dhe nga që s’kishin prespektiva se qysh do të zhvilloheshin ngjarjet pas përzënjes s’okupatorit, as vendosmëninë në luftën kundër reaksionit të mbrëndshëm.
“Për këtë shkak u-arrit në kapitullimin e turpshëm t’antarëve të K.Q. të P.K. shqiptare, të delegatëve të K.Q. të nacional-çlirimtares, përpara drejtonjësve të Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukajt më 1 dhe 2 Gusht 1943. Në krye të delegatës të K.Q. të nacional-çlirimtares ndodhej një nga antarët e lëkundshëm të zyrës politike të K.Q. të P.K. shqiptare, Ymer Dishnica, intelektual nga familje bejlerësh, i cili kish jetuar gjatë në Francë, dhe ish ndënë influencën e social-demokracisë, siç ishin shumë intelektualë komunistë shqiptarë që kishin studjuar në Francë. Dërgata e K.Q. të nacional-çlirimtares ra kryekëput në pozicionet reaksionare të drejtonjësve të Ballit Kombëtar, duke pranuar krijimin e një t’ashtuquajturi ‘Komitet i Shpëtimit Kombëtar’, të cilit i u-dhanë të gjitha kompetencat për të drejtuar lëvizjen e çlirimit kombëtar, ndërsa komiteti qëndror i nacional-çlirimtares nuk zihej ngoje fare dhe s’flitej për të sikur edhe një fjalë. Në rezolutën e nënëshkruar nga dërgata e komitetit qëndror të nacional-çlirimtares me krerët e Ballit kombëtar, nuk shënohet aspakë lufta kundër okupatorit, as bëhet fjalë për lëvizjen nacional-çlirimtare dhe fitoret e saj në të kaluarën. Në vënd të përshëndetjes ‘Vdekje Fashizmit – Liri Popullit’, u-vu fjala nacionaliste ‘Ja Vdekje – Ja Liri’. Ndër detyrat e ‘Komitetit të Shpëtimit Kombëtar’ figurante edhe krijimi i ‘Shqipërisë së Madhe’, parrullë me të cilën vepëronin pushtuesit italianë, gjithë qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar dhe trathtorët e tjerë.”
Nga mbarimi i Korrikut të 1943-së, në vegjiljen e konferecës së Mukajt, shoku Svetozar Vukmanoviç-Tempo kish arritur rishtas pranë selisë së K.Q. të P.K. shqiptare që ndodhej në katundin Kucakë. Në mbledhjen e K.Q. të P.K. shqiptare, me kërkesën dhe institimin e Koçi Xoxes, ai parashtroi pikpamjen e tij në lidhje me qëndrimin e tij kundër Ballit Kombëtar dhe qëndrimin rreth krijimit të brigatavet sulmonjëse, do me thënë njësivet ushtarake në lëvizje, t’ushtërisë nacional-çlirimtare të Shqipërisë. Në lidhje me shpjegimet në gji të kësaj mbledhje të K.Q. të P.K. shqiptare, shoku Vukmanoviç-Tempo thotë :
– “Duk’me qënë që K.Q. i P.K. shqiptare, me Enver Hoxhën në krye, i-jep rëndësi të madhe marrëveshjes me Ballin Kombëtar, kam dashur t’i bind që ish shumë më e dobishme të forcohej lufta e armatosur kundër okupatorit në të gjtha anët e Shqipërisë, të zhvillohej një ativitet politik m’i fortë në qarqet e ulëta dhe në njësitë ushtarake të Ballit Kombëtar, të bëhet i mundur dallimi midis tyre, kështu që të shihej kush ishte për luftë kundër okupatorit, dhe të demaskoheshin përpara masavet elementet trathtare. Të shpartalloheshin në çast, me forcë ushtarake të gjitha ato njësi të Ballit Kombëtar që do të bashkëpunonin me okupatorin. Me një fjalë, duhej luftuar gjallërisht për të bërë ndarje e dallime ndër rradhët e Ballit Kombëtar, për të tërhequr në lëvizjen nacional-çlirimtare elementet patriotë, dhe për të ç’farosur me armë bashkëpunëtorët e ç’faqur t’okupatorit. Disa antarë të K.Q. të P.K. shqiptare, ndër të cilët edhe Enver Hoxha e Dr. Ymer Dishnica, thoshnin që ish e dobishme të pritej gjersa ky dallim të bëhej vetë në rradhët e Ballit Kombëtar. Mbasi u-vu mirë çështja edhe nga ana e Koçi Xoxes dhe e shumicës së komitetit, u-muar më në fund qëndrimi që duhej. Komiteti Qëndror i P.K. shqiptare e dënoi trathtinë e turpshme të Mukajt.” (Sang. Trad. f. 79)
Ja se ç’thotë edhe Miladin Popoviçi në raportin që i bën komitetit qëndror të P.K. jugosllave, më 19 Tetor 1943 :
– “Shokët delegatë ranë në Mukaj mbi pozicjonet e nacionalistëvet dhe qenë mbushur me opurtunizmë, duke u-kënaqur vetëm me ndonjë ndryshim fjale ose fraze të programit. Ndodhej atëherë këtej shoku Tempo. E rrahëm çështjen edhe me komitetin qëndror duke e studjuar krejt punën, gjendjen, etj., dhe vendosëm t’a kthejmë manifestën e të mos e njohim mënyrën e organizimit të ‘Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë’, as fonksonin e tij si autoriteti m’i lartë në luftën e çlirimit kombëtar, të mbledhim menjëherë konferencën dhe të zgjerojmë komitetin qëndror të nacional-çlirimtares.” (Sang. Trad. f. 79 e 80)
– “Menjëherë pas konferencës së Mukajt u-thirr në Labinot konferenca e dytë e komitetit qëndror të nacional-çlirimtares, në gji të së cilës u-muar një qëndrim i qartë e i prerë kundër Ballit Kombëtar.” (Sang.Trad. f. 80)
Pasi i rreshton të gjitha këto fakte, auktori i mëshon Ballit Kombëtar me gjuhën komuniste, e quan organizatë trathtare, bashkëpunëtore me okupatorin etj..
Le njëherë s’janë jugosllavët ata që gjykojnë se kush është trathtar e kush është patriot në Shqipëri, por, sido qoftë, një njeri që ka pesë pare mend, arsyeton kështu.
Sikur Balli Kombëtar t’ish një organizatë në bashkëpunim me okupatorin, pse do të kërkonin aq fort komunistët të merreshin vesh me’ të, aqë sa s’donin të krijonin ushtëri, s’donin të bënin kumandë ushtarake, s’donin të merrnin asnjë inisjativë pa u-bashkuar me Ballin Kombëtar ?
Sikur Balli Kombëtar të kish bashkëpunuar me okupatorin, përse në Mukaj partia komuniste i u-nënshtrua vijës politike të tij, dhe s’kuxonte n’asnjë mënyrë të shqepej nga ajo vijë gjersa Vukmanoviç-Tempo dhe Miladin Popoviçi e shkulën që andej me shqelm ?
Në këtë mes, kujt i mbetet përgjegjësia e luftës vëlla-vrasëse, Ballit Kombëtar që s’i luan marrëveshjes apo partisë komuniste që, e-shtytur nga Vukmanoviç-Tempo, e-theu Lidhjen e Mukajt dhe e sulmoi befas Ballin Kombëtar ?
Ç’kuptim kanë fjalët e Vukmanoviç-Tempos kur thotë se ‘duhet luftuar gjallërisht për të bërë ndarje e dallime ndër radhët e Ballit Kombëtar, për të tërhequr elementët patriotë në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe për të çfarosur me armë bashkëpunëtorët e okupatorit’ ?
Me fjalë të tjera a nuk do të thotë kështu :
– Të shikojmë në rradhët e Ballit Kombëtar cilët janë ata që mund t’i nënshtrohen partisë komuniste, dhe të tjerët t’i quajmë sikur bashkëpunojnë me okupatorin e t’i çfarosim me armë ? Dhe çfarosja filloi menjëherë. Pse Mehmet Shehu bashkë me Dushanin, menjëherë pas prishjes së marrëveshjes së Mukajt, zunë afër Lushnjes 68 ushtarë të Ballit Kombëtar dhe i-therrë të gjithë në një gjak, sikur ishin zoq pule dhe jo bujq Myzeqeje ? Një mizori të tillë se kanë bërë as Hunët e Atilët as Jeniçerët e Otomanëvet, s’di në se e kanë bërë Tartarët e Gengis-Khanit. Dhe pastaj përgjegjësinë e luftës vëlla-vrasëse e paska Balli Kombëtar ! Pse ky, kur pa që antarët e tij po binin ndënë thikën e përgjakur si bagëtia në kasaphanë, s’duhej të kish luftuar, por t’ulte xverkun ndënë satërin e Dushanit dhe t’i thosh : – ‘prema kokën në qetësi’ !
Një nga përpjekjet më djallëzore të komunistëvet ka qënë që t’a paraqesin Ballin Kombëtar si bashkëpunëtor të Gjermanëvet. Kurse e vërteta është që Balli Kombëtar i priti me luftë Gjermanët, në Barmash, në Qafë të Thanës, në rrethet e Vlorës, dhe pikërisht në këtë kohë partia komuniste e goditi me trathëti befas që mbrapa krahëvet. Atëhere ç’të bënte Balli Kombëtar, nëse ai luftonte me komunistët për të mprojtur vehten, duke goditur edhe Gjermanët nga ana tjetër, atje ku mundte dhe me ato fuqi që kishte.
Kjo ishte gjendja ku e kish hedhur vendin Partia komuniste me shtytjen e Serbëvet.
4. Balli Kombëtar dhe Kosova
Sa për pikëpamjen e Ballit Kombëtar në lidhje me problemin e Kosovës, shih se ç’thotë Libri i Bardhë i Ministrisë së Punëvet të Jashtëme Jugosllave :
– “Një nga parrullat themeltare të Ballit Kombëtar, që e kanë çfrytëzuar përsëtepri italianët dhe qeveritë e ndryshme kuislinge, ishte krijimi i një ‘Shqipërie të Madhe’, në të cilën duhej të përmblidheshin Kosova Metohija si dhe Çamëria.” (San. Trad. f. 77.)
“Në konferencën e parë për formimin e partisë komuniste shqiptare, më 8 Nëntor 1941, u-dënua ashpër pikpamja e ‘gabuar’ që kishin patur gjer atëhere disa grupe komuniste, kur mendonin se ‘zmadhimi i Shqipërisë do të kishte shtuar edhe numrin e komunistëvet e të proletarëvet, të cilët do të na kishin ndihmuar në krijimin e partisë ; kjo është pikpamje shoviniste më e errët dhe në të vërtetën i shërben imperializmit.” (Sang. Trad. f. 44)
E shihni patriotizmën komuniste ?
Edhe ata grupe që, përpara se të formohej partia, ‘e pranonin’ një Shqipëri të madhe, nuk e kishin këtë nga dashuria kombëtare që kërkon të mbledhë mbrenda kufivet ethnike të gjithë bijt e shqipes, por nga pikëpamia e dobisë që do të kish pasur partia komuniste, se “zmadhimi i Shqipërisë do të shtonte edhe numrin e komunistëvet e të proletarëvet, të cilët do të ndihmonin n’organizimin e partisë”.
Komiteti qëndror i partisë komuniste Jugosllave, në një letër të drejtuar komitetit qëndror të P.K.Shqiptare në Nëntorin e 1943-së, i jep udhëzime këtij të fundit se ç’qëndrim duhet të mbajë përsa i përket çështjes së Kosovës e të Metohisë. “Të vesh sot problemin e aneksimit, kjo do të thotë të hedhësh ujë në mulli të reaksjonarëvet… etj..”
Kjo letër e këshillon komitetin qëndror të partisë komuniste shqiptare që të mos shikojë tjetër gjë vetëm luftën kundër okupatorit pse lufta do të sjellë demokracinë e vërtetë në Jugosllavi e Shqipëri, dhe atëhere problemi i Kosovës nuk paraqitet fare, mbasi populli i asajë krahine do të mund të jetojë në vllazëri të plotë me popujt e tjerë të Jugosllavisë.
“Sot në popullsinë Shqiptare të Kosovës e të Metohisë duhet zhvilluar një dashuri vëllazërore kundrejt popujvet heroikë të Jugosllavisë e për luftën e përbashkët kundrejt shtypësvet Gjermanë. Vetëm nëpërmjet të një lufte të këtillë populli shqiptar mund të sigurohet se lëvizja nacjonal-çlirimtare në Jugosllavi nuk është dhe nuk mund të jetë armike e tij, por mike dhe bashkëpërpjekëse në luftën për një t’arthme më të mirë të të dy palëvet. Jugosllavija e re që po krijohet, do të jetë një vend popujsh të lirë ku nuk do të ketë shtypje kombësish, as edhe për pakicat shqiptare.” (Sang. Trad. f. 116, letër e K.Q. të P.K. Jugosllave drejtuar K.Q. të P.K. Shqiptare)
Origjinale është edhe kjo : – Partia Komuniste shqiptare pret udhëzime nga K.Q. i P.K. Jugosllave mbi qëndrimin që duhet të mbajë në çështjen e Kosovës !
Krijimi i Shqipërisë Ethnike që u-caktua në programin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, në Mukaj, me këmbënguljen e Ballit Kombëtar, qe ajo që u-dogji më tepër këshilltarëvet jugosllavë. Ata e quajnë këtë si një parullë me të cilën ‘vepëronin pushtuesit italianë, gjithë qeveritë kuislige, Balli Kombëtar dhe trathëtarët e tjerë’. Natyrisht, për këshilltarët jugosllave ishin trathëtarë ata që kërkonin këputjen e Kosovës nga Jugosllavija. Por çudija është se këtë fjalë e kishin në majë të gjuhës edhe komunistët shqiptarë, të cilët flisnin si papagalli që përsërit atë çka dëgjon. Me këtë rast, na kujtohet përgjigjja aqë e thjeshtë sa dhe e bukur që Hysni Lepenica u-dha disa komunistëve, kur thoshin se të kërkosh Kosovën është trathëti, passi atë e kërkojnë edhe fashistët.
“Po mirë, tha Hysniu, fashistët hanë bukë, pinë edhe ujë, atëhere të mos hamë bukë e të mos pimë ujë edhe ne pse hanë e pinë ata ? “.
Megjithëse ‘Shqipërija e Madhe’ e fashistëvet me Shqipërinë Ethnike të Ballit Kombëtar janë dy ide aqë të ndryshme sa nata me ditën. Fashistët kërkonin ‘Shqipërinë e Madhe’ vetëm për të përdorur fjalë të mëdha që ishin bomba tymi të stilit fashist, pse, në të vërtetën, Shqipëria ndënë fashizmin, e madhe ose e vogël, ishte mollë në xhep të tjetërkujt. Kurse Balli Kombëtar nuk kërkon ndonjë Shqipëri të Madhe për hatër të madhësisë, por kërkon Shqipërinë e Shqiptarëvet, Shqipërinë Ethnike, një Shqipëri që të përmbledhë mbrenda kufivet të gjithë bijt e saj.
Sipas mendimit të komunistëvet jugosllavë Balli Kombëtar e kërkonte Kosovën i shtytur prej qarqeve reaksjonare të Perëndimit.
“Një nga mjetet me të cilat reaksjonarët e Perëndimit donin t’a minonin lëvizjen nacjonal-çlirimtare, ishte parulla shoviniste e Shqipërisë Ethnike, e veçanërisht e Kosovës dhe Metohisë. Kjo parullë, për shembull, zinte vendin e parë në programin e Ballit Kombëtar.” (Sang. Trad. f. 115).
“Gjithë oficerët anglezë janë barabar t’interesuar në Kosovën. Interesohen shumë të dinë se ç’mendojnë Shqiptarët për’të, që nga fshatari gjer te kryetari i qeverisë, dhe në këto gjurmime janë këmbëngulët.” (Sang. Trad. f. 117).
“Pranë disa grupevet terroristësh (kështu quhen në gjuhën komuniste ata që luftonin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë) në Kosovë e Metohi, me 1944 e 1945, ndodheshin oficerë ndërlidhës të një fuqije të huaj perëndimore. Kryetari i gjithë bandavet terroriste (d.m.th. i fuqivet që luftonin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë), Ejup Binaku, mbante kontakte të vazhduarshëme me misjonet e huaja në Tiranë. Një nga miqt’e ngushtë të Ejup Binakut ishte Haki Taha, mësues në Tiranë, i cili vrau trathëtish në Prishtinë, më 1945, heroin kombëtar (të cilit komb?!) Miladin Popoviç.” (Sang. Trad. f. 118).
Kjo është puna që bënte Balli Kombëtar në Kosovë. Kurse partia komuniste, jo vetëm që e dënonte idenë e një Shqipërije Ethnike, por më 1945 dërgoi fuqi t’armatosura në Kosovë për të shtypur kryengritjen që kish frymëzuar Balli Kombëtar, dhe për t’i a dorëzuar Titos të nënështruar.
Nga fillimi i 1945-së, komanda e lartë e ushtërisë jugosllave kërkoi hyrjen e dy divizioneve shqiptare në Jugosllavi, gjoja për të ndihmuar në luftën kundër Gjermanëvet. Qëllimi i vërtetë ish që këta Shqiptarë të thyenin lëvizjen e Kosovës duke i treguar popullit Kosovar se Shqipëri e Jugosllavi u-bënë një gjë e përbashkët, dhe se s’ish më nevoja të kërkonin bashkimin e krahinës së tyre me Shqipërinë.
“Divizjoni i pestë shqiptar u-dërgua drejtë për drejtë në Kosovë e Metohi, ku, bashkë me njësitë e ushtërisë nacjonal-çlirimtare të Jugosllavisë, mori pjesë në çlirimin e Prizrenit e të Gjakovës.” (Sang. Trad. f. 69).
Trathëtinë kundrejt Kosovës dhe krimet kundrejt kosovarëvet të pafajshëm i pohon vetë qeveria e Tiranës, si pa gjë të keqe, në përgjigjjen qe i jep qeverisë jugosllave ‘mbi denoncimin unilateral të traktatit të miqësisë dhe të ndihmës reciproke midis të dy vendevet’. Vetëm se këtë faj i a heth Koçi Xoxes, i cili është bërë sot cjapi gjynahqar i të gjitha krimevet komuniste në Shqipëri, kurse këta të shkretët që kanë mbetur tani, janë engjëj të bardhë dhe s’kanë pasur gisht aspakë n’ato krime. Shif gazetën ‘Zëri i Popullit’, datë 23 Nëntor 1949, pikën 14 të notës që i është dhënë qeverisë jugosllave :
– “…Populli Shqiptar i Kosovës është masakruar dhe po masakrohet barbarisht, më keq se në kohën e Gestapos, nga organet e U.D.B.-së të qeverisë jugosllave. Me mijëra Kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht, pa gjyq nga organet e U.D.B.-së gjatë luftës dhe pas luftës. Në këto masakra të pashembullta të popullsisë të Kosovës ka marrë pjesë edhe agjenti i qeverisë jugosllave në gji të qeverisë shqiptare, trathëtari Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur, në cilësinë si ministër i mbrendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e U.D.B.-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në tokën Shqiptare më tepër se 1000 Kosovarë të pafajshëm.”
Këta janë komunistët e Shqipërisë, me ndihmën e të cilëvet oficerët jugosllavë paskan vrarë, vetëm në tokën Shqiptare, më tepër se 1000 Kosovarë të pafajshëm që kishin ardhur të gjejnë strehë në atdhenë-mëmë, si ata zoqt e mjerë kur i shtërngon dëbora ; po merreni me ment se ç’kasapanë është bërë në Kosovë. Qeveria shqiptare i paska ditur krimet që bënin komunistët jugosllavë në Kosovë, duke ‘pushkatuar në masë, ilegalisht, pa gjyq, me mijra Kosovarë të pafajshëm, gjatë luftës dhe pas luftës’ ; dhe, me gjithë këtë, gjer n’atë ditë që u-prish me Moskën, Titua ndodhej “jo në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por në zemrat e popullit Shqiptar” – thosh Enver Hoxha.
Ah, Komuniste ! Vetëm ata qo ju kanë parë për s’afërmi ju njohin juve se ç’ini. Ju monstra që ushqeheni me mish njeriu ; ju fytyra t’errëta e katile që bini erë gjak, që frymëzoni tmerr, ju që, gjer dje, si xhelat-ndihmës të Jugosllavëve, lost satërin mbi Kosovarët, ju na dalkeni sot me një cinizmë të ndyrë, t’i tregoni Ballit Kombëtar detyrat kundrejt Kosovës !
Këto rreshta nuk i shkruam për t’u dhënë ndonjë përgjigjje komunistëvet, se tek komunistët s’ka vend arsyeja. As për t’i treguar popullit në Shqipëri se ç’janë komunistët, pse ai ka vjetë me radhë që po i sheh. Ai e di qe komunistët nuk vepërojnë as pas kokës së tyre as pas llogjikës kombëtare, por zbatojnë pikë për pikë atë çka u vinte dje nga Belgradi, sot nga Moska. Sikurse Balli Kombëtar që u-gdhi befas një mëngjes – me shtytjen e Vukmanoviç-Tempos – organizatë trathëtare, bashkëpunëtore e të huajit, etj., ashtu pesë vjet më vonë Titua, që në mbrëmje ndodhej ‘jo në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por në zemrat e popullit Shqiptar’, me një telegram që erdhi nga Moska pas-darke, u-gdhi fashist, murtajë e nëmur, e djall i zi !
Populli Shqiptar i a ka njohur aqë mirë partisë komuniste natyrën e qenit, të papagallit e të majmunit, saqë s’ka nevojë t’i a tregojmë ne. Por këto rreshta i shkruajmë për ata Shqiptarë që, gjatë këtyre dhjetë vjetëve, kanë jetuar jashtë Shqipërisë dhe s’kanë asnjë ide mbi zhvillimin e ngjarjevet atje brenda. Dhe qe, t’influencuar nga gramafoni i propagandës së Tiranës, nga ndonjë politikan-hamall si Tuk Jakova ose ndonjë cinxami ferre si Behar Shtylla, i hedhin gurë edhe ata Ballit Kombëtar, kësaj organizate martire që, në këto dhjetë vjetë, u-bë kështjellë e përgjakur kundër çdo vale imperjaliste që i u-turr Shqipërisë.

BEN BLUSHI, KALORESI DHE SHKRIMTARI I FYTYRES SË VREROSUR

Shkruan, Dr. Artur Roshi, Kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat
“Kandidati” i Ben Blushit ishte zhgënjyes siç pritej nga gjithçka me ngjyrë mavi. Kjo ndërthurje e fikcionit me realitetin, e letërsisë me stilin gazetaresk, e “leksioneve” historike me ato politike, ka rezultuar në këtë libër e dështuar duke bërë që, njeriu i cili e projektoi, “ai tipi që bënte politikanin dhe shkrimtarin me kohë te pjesshme, pa bërë në fakt asnjërën nga të dyja”, siç i kanë thënë njerëzit e Partisë së tij, të godiste jo me të vërtetën, por duke fabrikuar një gënjeshtër të madhe. Sepse, sipas tij, “Popujt kanë qejf të gënjehen”.
Më tepër se një roman i trilluar, sepse Blushi vetë kështu e ka quajtur, ”Kandidati” është një shkrim, jo me ndonjë stil të spikatur i Kandidatit të ringjallur (të rilindur), që rilindja e Blushit hodhi me shumicë në qarkullim në zgjedhjet e qershorit. Kandidatët e vdekur, pa ide, që vijnë në politikë për përfitimet e tyre nëpërmjet ndonjë tenderi, vijnë si biznesmenë dhe votojnë platforma kundër biznesit në parlament, vijnë si biznesmenë por përfaqësues për të varfrit, vijnë si njerëz me eksperiencë por nuk dinë të flasin asnjëherë.
Blushi nuk thellohet në analizën e këtij fenomeni, që e majta e tij, të cilën ai bëri të pamundurën t’a sillte në pushtet, po u servirë për ditë shqiptarëve mbylljen e shanseve për të jetuar në emër të emergjencave kombëtare për të tejkaluar “tragjeditë” e qeverisjes së djeshme. Blushi, si një kërcimtar i shkëlqyer tangoje vazhdon të hedhi hapa jo-konformiste në politikë dhe pastaj të hedhi hapa prapa, pa patur kurajën e të çuarit të kauzave të nisura deri në fund.
Ȅshtë nga romanet e rrallë, ku një personazh që përmendet shpesh, është vetë ai. Ai është shkrimtari pesimist, libri paraardhës i të cilit vlerësohet pa masë. Ȅshtë Blushi që endet në roman, si kalorësi i fytyrës së vrerosur, ose si shkrimtari i fytyrës së vrerosur, duke shprehur vetëvlerësimin. Nëse Kadareja merrte mitet dhe i rikthente ne letërsi për t’i çmitizuar, Blushi merr personazhe nga historia e Shqipërisë, personazhe që e kanë bërë Shqipërinë, për t’i përbaltur ata, punën dhe bindjet e tyre politike që shkojnë në të kundërt të bindjeve të tija. Si mund të vazhdosh të përbaltësh historinë dhe personazhet që e bënë atë? Ku e gjen moralin ky zotëri të bëjë e të shkruaj deklarata të tilla poshtëruese dhe të vazhdojë në mënyrë sistematike të dhunojë historinë?
A ka kërkuar ndonjëherë falje ky njeri për falsifikimin që i është bërë e po i bëhet historisë? Po për krimin e shëmtuar të shpëlarjes së trurit të individëve me anë të propagandës së librave dhe filmave që i gënjenin të rinjtë duke u treguar sesa e mirë ishte kooperativa dhe sa i pasur ishte fshati dhe sa mire jetohej aty, a ka kërkuar falje? Jo. Justifikimin e kanë tek postulati i famshëm: “ajo kohë ishte atëherë”, por harrojnë se kohën e bëjnë njerëzit. Këta njerëz që i shërbyen atij regjimi jo vetëm nuk kanë kërkuar falje, qoftë kjo edhe formale, por vazhdojnë të mos i lënë shqiptarët të jetojnë dhe të shijojnë atë pak liri që kanë krijuar në këto vite.
Po nëse për mijëra të vrarë, të masakruar, të internuar, për mijëra krime, dhunime prone dhe përdhunime, për mijëra të tjerë që nuk u dihet varri, për katandisjen e historisë në një përrallë me elozhe për diktatorin, për falsifikimin e fotografive të shpalljes së pavarësisë (në fakt janë të një-vjetorit të shpalljes), për falsifikimin e aktit të pavarësisë, e për të tjera krime monstruoze, zoti Blushi duhet të ketë një qëndrim më të moderuar për të treguar diferencën e brezit të tij nga brezi paraardhës në raport me të vërtetën.
Nuk kërkon dot falje për paraardhësit e tij, por t’a bëjë këtë akt duke u kërkuar shqiptarëve falje për rilindjen që u propagandoi, për të cilën harroi t’u thoshte që ishte një mall i skaduar, i cili e sigurt ishte që do t’i vriste shqiptarët si në trillin tuaj. Një intelektual politikan e shkrimtar duhet të udhëhiqet në jetë dhe në punën e tij nga e vërteta dhe vizioni. Një shkrimtar duhet të njoh historinë e vendit të tij, jashtë kontekstit politik që ajo mund të mbaj mbi vete. Nuk mund të flasësh sot për historinë ashtu siç e ke mësuar në klasë të shtatë dhe më keq akoma nuk mund të hedhësh versione false të saj si teza me vlerë në publik.
Z.Blushi, ju ka prekur fakti që Ismail Qemali, personazhi ne moshë të thyer, që shëtiti kancelaritë europiane për të bërë të mundur pavarësinë e Shqipërisë paska qenë lekist, para 103 vjetëve dhe nuk shqetësoheni që rilindja e juaj po i rrjep shqiptarët dhe ky është një realitet i sigurt ndryshe nga i pari. Historia nuk është matematikë me veprime matematikore që dy plus dy bëjnë katër dhe kushdo që e shkruan nuk ndërron dot përfundimin. Ajo shkruhet nga historianë që kanë referenca të formimit të tyre në raport me të vërtetën, por sado që ti afrohesh të vërtetës të një kohe të shkuar nuk mund të pretendosh se e ke bërë plotësisht atë.
Përse nuk merret me ndonjë reference arti apo të historisë së letërsisë me që e keni profesion, por me referenca të historisë politike? Është e qartë, sepse ajo prodhon pushtet politik. Kjo është e vërteta që i largoheni të vërtetës. Ju intereson pushteti politik dhe historia e çdo gjë tjetër në shërbim të tij. Lef Nosi ishte një nga figurat më me vlerë të Elbasanit që pasi e torturuan. e vranë ashtu siç vranë komunistët çdo njeri që mbarte vlera. Pasi e plaçkitën, i dhunuan pronën, e dogjën etërit, bijtë i kërkojnë deklaratën e pavarësisë, deklaratë që e kanë fallsifikuar dhe zhdukur po vet.
Gënjeshtrën më të madhe Blushi nuk e ka shkruar në libër po e ka thënë në një emision me audience të madhe, kjo gënjeshtër më detyroi të lexoj këtë roman dhe t’i përgjigjem autorit të tij, shkrimtarit me fytyrë të vrerosur që bën pesimistin nga studioja në studio dhe me tangon e tij mjeshtërore nuk shkon më larg seç duhet tek e vërteta, por zhytet thellë në gënjeshtër, për shkak të dhimbjes që i shkakton humbja e pushtetit politik. Zoti Blushi nuk i shërbeni askujt me këto lojëra bajate politike që kanë vetëm instinkt por jo vlerë. Mid’hat Frashëri nuk ka qenë pjesë e regjencës, nuk ka marrë pjesë në asnjë prapaskenë politike dhe ashtu si dhe i ati dhe xhaxhallarët e tij i ka shërbyer vetëm Shqipërisë.
E vërteta dhe e ardhmja e vendit tonë është paqja e vërtetë.

A do ti mbeten lulet ne dore kryeministrit

Shkruan, Rexhep Shahu
Shoqerise civile ne Tirane i duhet t’ia vertetoje kryeministrit se nuk ka vdeke, se nuk ka hy ne varr, se nuk ka ku te vendose lulet kryeministri, se nuk eshte vegel, arme, pistolete, cifte me kripe a pushke me leje e kryeministrit, i duhet te binde skeptiket se Shoqeria civile nuk drejtohet e udhehiqet nga kryeministri apo nga partia socialiste, nuk perdoret nga kryeministri, nuk mblidhet te protestoje me porosi e shkjelje syri nga kryeministri sic u akuzua shoqeria civile ne rastin e protestave kunder armeve kimike siriane si e perdorur mjeshterisht nga kryeministri, – shoqeria civile duhet t’i tregoje kryeministrit se eshte gjalle, duhet t’i tregoje kryeministrit se shoqeri civile nuk jane vetem zyrtaret aktuale te tij qe dje ishin eksponente te shoqerise civile.
Shoqeria civile ne Tirane duhet te tregoje e pohoje se eshte gjalle, se nuk merr sorum me pikatore nga kryeministri e qeveria sa me mbete gjalle. Duhet te tregoje se eshte shoqeri civile dhe nuk eshte shoqeri qeveritare dhe nuk furnizohet me fonde legale e ilegale qeveritare.
Ne qe besojme te shoqeria civile, nuk vuajme me shume se ajo nese ajo varroset, nuk na dhemb me shume se asaj nese ajo pushkatohet nga kryeministri, nuk poshtrohemi me shume se ajo vete nese ate e terheq per zingjiri si kone kryeministri.

Kush e përgatiti planin italian për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe Çamërinë

7 prilli 1939 e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi. Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë, për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog ia shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Por, asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu nuk ka pasur mundësi ta shmangë. Fatkeqësisht, edhe sot besohet propaganda komuniste.
Shqipëria u pushtua më këtë datë. Mbreti kishte ikur e vendi ishte nën pushtim. Shqipërisë iu kursyen dëmet e luftës që, në pjesën më të madhe të tyre bien mbi popullin e thjeshtë. Që në fillim u morën masat për të fuqizuar e shtuar institutet shëndetësore me mjekë italianë e shqiptarë, edhe jashtë qyteteve. U bë një luftë e vendosur kundër malaries e rezultatet qenë të kënaqshme. Veçanërisht e rëndësishme qe Shtëpia e Nanës dhe Fëmijës në Tiranë. Po kështu, një punë e mirë u bë për kurimin e tuberkulozit, ku pacientë në gjendje të rëndë çoheshin në spitalet italiane.
U bënë projekte të vlefshme, nga specialistë të njohur italianë, për furnizimin e Vendit me energji elektrike që sipas llogarive mund të arrinte në 10 milion kw/orë në vit. Sipas këtyre specialistëve, të gjithë lumenjtë e Shqipërisë mund të shfrytëzoheshin për hidrocentrale. Ende sot, mbas 70 vjetësh, nuk është arritur të vihen në zbatim ata studime. Parashihej një uzinë siderurgjike në Elbasan, ku u bë në fakt Kombinati Metalurgjik.
Në fushën financiare u bë barazimi i frangut shqiptar me 6,25 lira italiane. Frangu, që ishte bazuar në arin, tani duhej të bazohej në liretën pasi monedha shqiptare nuk mund të vazhdonte kursin e saj në gjendjen e re të krijuar. Bankat u shtuan dhe shtuan vëllimin e kredive. Kështu p.sh. Banka e Napolit, që kishte përfshirë dhe Bankën Bujqësore, shtoi shumat që i jepeshin si kredi bujqësisë shqiptare, nga 500.000 fr. në 1939 në 30 milionë në 1942. Banka e Punës, që i u shtua panoramës së Instituteve të kreditit, këto të fundit i shtoi nga një 1,5 milion më 1939 në 15 milionë në 1942, ndërsa depozitat e saj nga më pak se një milion arritën në 20 milionë.
Një hov morën dhe ndërtimet, sidomos në Tiranë. Qendra me ministritë dhe hotel Dajti janë punime të asaj periudhe. Popullsia e Tiranës nga tridhjetëmijë vetë më 1939 arriti në rreth njëqindmijë më 1942. U hartuan projektet për bonifikimin e vendit, nën drejtimin e inxhinierit senator Prampolinit, autorit të bonifikimit të Kënetës Pontine në Itali. U llogarit që në dhjetë vjet të përfundonte gjithë tharja e kënetave shqiptare.
Krahas arritjeve në fushën ekonomike, duhet theksuar edhe një përparim në fushën e kulturës. Ky ishte i lidhur edhe me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, që filloi të merrej me çështjet më të rëndësishme, si gjuha letrare kombëtare. Në këtë Institut bënin pjesë personalitetet më të njohura të jetës kulturore shqiptare, arbëreshe e mjaft studiues italianë.
Por, sukseset më të mëdha të Qeverive nacionaliste ishin të lidhura me hapjen e shkollave shqipe në trevat e bashkuara, kryesisht në Kosovë. Buxheti i qeverisë së Mustafa Krujës për arsimin pothuajse u dyfishua: nga 7.978.380 franga kishte kaluar në 13.950.000 fr. Rilindja kosovare mobilizoi gjithë inteligjencën atdhetare dhe rininë nacionaliste shqiptare që në figurën gjithmonë të respektuar të mësuesit u dyndën në “tokat e lirueme” për të hapur shkollat shqipe, edhe të mesme, të cilat vazhduan të funksionojnë edhe mbas ribashkimit me Jugosllavinë. Në gjithë këtë entuziazëm kombëtar për Kosovën, vetëm komunistët mungonin, sepse për ta, ashtu si dikur për funksionarët otomanë, shkollat shqipe nuk ishin të dobishme. Në gjithë këtë punë të madhe duhet veçuar roli i shkëlqyer i dy ministrave të Arsimit në dy Qeveritë e para, të intelektualëve të rrallë Ernest Koliqi dhe Xhevat Korça, që iu kushtuan çështjes me një zell të jashtëzakonshëm, duke bërë të pamundurën jo vetëm për ndërtimin dhe hapjen e shkollave, por edhe për plotësimin e tyre me kuadrin e nevojshëm mësimdhënës.
Të gjitha këto veprimtari shkonin në dobi të zhvillimit të Shqipërisë e të afrimit me Evropën. Edhe se italianët shikonin së pari interesat e tyre, kur ata përkonin me interesat shqiptare, përsëri shqiptarët ishin të fituar. Në atë kohë vetëm tri vende ishin të lira në Evropë: Anglia, Zvicra dhe Spanja e dalë nga lufta civile. Në këtë kuadër, një pushtim i tillë, me një Qeveri shqiptare që çdo ditë ngulte këmbë për plotësimin e interesave të saj kombëtare, herë-herë me rezultate mjaft të kënaqshme, nacionalizmi shqiptar e shihte me optimizëm rrugën e tij.
Faik Konica, ish ministër i Shqipërisë në Washington, ishte madje i gatshëm të jepte pëlqimin e tij për regjimin e ri, kur ai të vërtetonte se donte të bashkonte të gjithë shqiptarët në një shtet. Sepse, çështja kombëtare ishte bërë ajo kryesore e politikës shqiptare, por në të njëjtën kohë dhe një problem me shumë rëndësi për Italinë dhe marrëdhëniet e saj me shtetet e Ballkanit. Francesko Jakomoni mëton, në kujtimet e tij, të paraqesë anën pozitive të problemit çam. Në të duket se italianët e ngrinin këtë për të plotësuar premtimin kundrejt nacionalizmit shqiptar.
“22 maj 1940. Shqiptarët janë hedhur në rrugën e ndërhyrjes: duan Kosovën e Çamërinë! Për ne është e lehtë ta rritim popullaritetin tonë, duke u bërë eksponentë të nacionalizmit shqiptar”
Edhe Konti Çiano, si Jakomoni kalëron çështjen e shqiptarëve. Instrumentalizimi i vrasjes së Daut Hoxhës kishte për synim bindjen e opinionit publik shqiptar, se ishte ky shkaku i një lufte të mundshme me Greqinë. E vërteta ishte se i mëshohej atij argumenti për të fshehur motivin e vërtetë të një sulmi të paracaktuar kundër Greqisë, që ishte element kryesor i strategjisë italiane për Ballkanin.
Por, le të shohim se çfarë shkruan Çiano në ditarin e tij:
“Viti 1940. 17 gusht. Alfieri ka patur një takim interesant me Ribbentropin. Rezulton: 1) Qeveria gjermane nuk dëshiron një afrim të ri, shumë të theksuar midis nesh e Rusisë; 2) Duhet të lihet mënjanë çfarëdo projekt sulmi mbi Jugosllavinë; 3) Një aksion eventual kundra Greqisë nuk është i mirëpritur në Berlin. Ky është një bllokim i plotë në të gjithë linjën. Sipas Ribentropit ‘çdo përpjekje duhet të përqendrohet kundër Britanisë së madhe, sepse ajo – dhe vetëm ajo – është çështje jete a vdekje’. Duçja e redaktoi vetë përgjigjen: natyrisht pranojmë pikëpamjen berlineze! Edhe përsa i përket Greqisë: e futim në kasafortë notën që tashmë ishte gati.
12 tetor. Duçja është i indinjuar mbi të gjitha për pushtimin gjerman të Rumanisë. Thotë se kjo ka bërë përshtypje të thellë e të keqe në opinionin publik italian, sepse nga arbitrati i Vjenës, askush s’e priste këtë rezultat. ‘Hitleri më vë gjithmonë përballë faktit të kryer. Këtë herë do ta shpërblej me të njëjtën monedhë: do ta mësojë nga gazetat që kam pushtuar Greqinë’. Kështu do të rivendoset ekuilibri.
14 tetor. Musolini më flet sërish për aksionin në Greqi dhe fikson ditën e 26 tetorit. Jakomoni jep informacione shumë të favorshme, veçanërisht për gjendjen shpirtërore të popullsisë çame që është në favorin tonë”.
Cilido që nuk ka yzengji në tru e kupton se nuk mund të ketë asnjë lloj veprimi që ngarkon me përgjegjësi Qeverinë shqiptare në atë rast. Dihet se si rrodhën ngjarjet në luftën italo-greke. Humbja e italianëve qe i pari dështim i Boshtit në fushën ushtarake, në Luftën e Dytë Botërore. Por, thyerja e italianëve në Epir u pasua me sulmin gjerman në Ballkan dhe baraspeshat e Versajës u rrëzuan më 18 dhe 27 prill, me hyrjen e gjermanëve në Beograd e në Athinë. Këto veprime luftarake ndryshuan edhe hartën e Ballkanit, me krijimin e shteteve të Kroacisë e të Malit të Zi, me zgjerimin nga lindja e jugu të Bullgarisë e me bashkimin me Shqipërinë të Kosovës, Dibrës, zonës së Liqenjve e, më vonë të Plavës e të Gucisë. Mbetën jashtë kufijve ende Çamëria, Pindi dhe zona e Janinës, Artës e Prevezës.
Nacionalizmi shqiptar vazhdoi gjithmonë të shpresojë se dhe ato treva do t’i bashkoheshin Atdheut, por ajo mbeti vetëm një ëndërr. Arsyeja e kësaj mungese nuk gjendet as në Ditarin e Çianos dhe as në librin e Jakomonit. Na ndriçon këtë pikëpyetje diplomati Karlo Umiltà, në veprën e tij “Jugosllavia e Shqipëria”. Duke qenë emëruar Komisar i Lartë i Qeverisë italiane për krahinat e bashkëngjitura Shqipërisë, ai bën një udhëtim me një grup pune në të gjitha ato treva e, më së fundi, i dërgon një relacion Ministrisë së Jashtme që, siç thotë ai, u muar për bazë prej asaj, për sa i përket Çamërisë e zonave të tjera të Epirit. Por, qëndrimet e tij ishin antishqiptare.
“Sapo mbarova këtë detyrë, ndërsa Komisari i Lartë, Alizoti, kishte shkuar të merrte në dorëzim zyrën e tij në Kosovë e Dibër, Ministria e Jashtme më ngarkoi për të kryer një rreth vëzhgimesh në krahinën që quhej Çamëri e që duhej t’i bashkëngjitej më vonë Shqipërisë, nën Komisariatin e Lartë të Xhemil Dinos…
Territori i ri paraqitej i varfër e i shkretë e në qytetin e Kosturit pata shpejt përshtypjen se nuk kishte as hije shqiptarësh…
Ata ishin maqedonas dhe donin të bënin pjesë në shtetin maqedon, që do të mund të formohej me popullsi të tjera maqedone deri në Follorinë, Monastir e Shkup. Nëse në fund të luftës shteti maqedon nuk mund të krijohej, ata dëshironin të vazhdonin të bënin pjesë në Shtetin grek. Nëse dhe ajo nuk do të ishte e mundur, do të kishin mbetur me qejf nën administrimin dhe mbrojtjen italiane, por në asnjë rast nuk do t’i përshtateshin bashkimit me Shqipërinë, madje kundër një bashkimi të tillë, ishin gati për një kryengritje të përgjithshme…
Nga Kosturi u drejtuam për në Gravenè, një qytet i vogël, i banuar në shumicë nga maqedonë e grekë. Asnjë këmbë shqiptari. Dëshirat e tyre ishin të njëjta me ato të Kosturit… Asnjë nuk donte të dëgjohej të flitej për Shqipërinë….
Mbas Grevenès morëm një lloj rruge sapo të hapur që na çoi rrëzë Pindit e prej andej… deri në Mecovo, qyteti më i rëndësishëm i gjithë territorit. Edhe këtu popullsia është e përzierë prej arumunësh dhe grekësh e më shumë se për bujq bëhet fjalë për barinj e pylltarë. Nëpërmjet ushtarakëve tanë, munda të flas me shumëkryepleq fshatrash e me ndonjë kryetar bashkie. Aspiratat e tyre ishin të mbeteshin të bashkuar me Greqinë, mbasi të mbaronte lufta dhe pushtimi ynë ushtarak, për të cilin folën shumë mirë.
Për Shqipërinë as që bëhej fjalë, sepse ata e quanin një vend të prapambetur e pa të ardhme.”
Duke vazhduar udhëtimin e tij në Janinë, Prevezë e Artë dhe në Çamëri, diplomati italian përsërit gjithmonë të njëjtat pohime. Arrin deri aty saqë edhe në Delvinë e Sarandë “të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin si të papërshtatshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të tjera, të banuara, pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.
Megjithë ankesat e Xhemil Dinos dhe të atyre si ai që ishin të interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, Qeveria jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe Qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë, pa dobi për askënd.
Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më Qeverinë tonë”.
Këto ishin disa nga konsideratat e diplomatit Umiltà, që nuk shquhet për simpati karshi shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre politikë, sidomos për Mustafa Krujën dhe Eqerem Vlorën, “ish diplomat turk e nacionalist i zjarrtë, jo më pak se kryeministri i tij Kruja”
Diplomati Umiltà që nuk më duket shumë bindës dhe objektiv në përfundimet e tij, në sajë të mungesës së personave të lartpërmendur në Qeverinë shqiptare, arriti ta varrosë çështjen çame, duke menduar se i ka bërë mirë atyre popullsive. Ai, së bashku me një pjesë të mirë të ushtarakëve italianë, shquheshin për qëndrimin kundër shqiptar gjatë luftës, në territoret ku ishte vendosur ushtria italiane. Kjo ndodhte, sipas tij, sepse pakicat serbe e maqedonase ishin më të “emancipuara”, në kuptimin e botës femërore, se sa shqiptaret myslimane të Kosovës apo Dibrës. Kuptohet qartë se pse ushtarakët italianë, në sytë e Komisarit Umiltà, tjetërsonin dhe opinionet e popullsisë, duke e çuar atë në përfundime të gabuara e me aq pasoja të hidhura për çështjen tonë kombëtare.
“Ajo që ka dëmtuar më shumë forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve qe politika jashtëzakonisht autoritare e Qeverisë shqiptare që, fatkeqësisht u përpoq vazhdimisht të kundërshtonte këshillat e matura e të arsyeshme që vinin nga Roma. Kur u formua Qeveria Libohova, e keqja ishte bërë dhe maturia arriti shumë vonë”.
Ky ishte përfundimi i përfundimeve të analizës së diplomatit Umiltà, një akuzë e fortë kundrejt Qeverisë Kruja, që kishte në qendrën e veprimtarisë së saj çështjen kombëtare, në të gjitha shfaqjet dhe problemet e saj, një Qeveri që propaganda komuniste e kohës dhe historiografia, deri në ditët tona, vazhdon ta quajë “bashkëpun[tore”, “tradhtare” e “vegël” e pushtuesit italian. Ajo Qeveri erdhi në fuqi më 3 dhjetor 1941 e pati një jetë prej 13 muajsh deri më 4 janar 1943.
“Ministrat shqiptarë shëmbëllejnë me njëri-tjetrin. Janë të gjithë të rinj, nuk them si moshë, por si shërbim. Janë të gjithë të veshur thjesht, pak të ashpër, të përgatitur mirë teorikisht. E shkuara e tyre është pothuajse e njëjtë: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: bashkimi i Shqipërisë, autonomi e brendshme, mbrojtje e racës dhe pasurisë së saj kulturore, bashkëpunim me Italinë në bazën e të drejtave dhe detyrave të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë…
Komandon ministri shqiptar që, teorikisht, mundet edhe të mos kërkojë kurrë këshillën e këshilltarit. Këshilltari pret të pyetet për të dhënë mendimin e tij. Mbasi e ka dhënë atë nuk e imponon; ministri vendos nëse është apo jo rasti për ta pranuar. Kështu thotë rendi juridik që rregullon marrëdhëniet mes ministrit e këshilltarit, pra, në praktikë marrëdhëniet mes Shqipërisë e Italisë.”
Kjo është fotografia e Qeverisë Kruja, e bërë nga njëri ndër më të mëdhenjtë e gazetarisë botërore, shkrimtari e historiani Indro Montaneli. Besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment, ndoshta është kuadri ideal për çfarëdo Qeveri, në çdo vend të botës, në çdo kohë. Dhe ja portreti i kryetarit të Qeverisë, gjithnjë simbas Montanelit, në intervistën e botuar në “Corriere della Sera” të datës 21 maj 1942:
“Nuk e shihnja Merlika-Krujën prej dhjetë vjetësh dhe e gjeta pak të ndryshuar. Suksesi dhe nderimet kanë ndryshuar pak në karakterin dhe qëndrimet e jashtme të këtij njeriu. Ai ishte veshur pak a shumë si dhjetë vjet më parë e nuk nxjerr në pah rëndësinë e tij me poza e fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë i matur e jep përshtypjen se çfarë thotë është e vërtetë…
Dua një Shqipëri të bashkuar brenda kufijve të saj natyrorë. Dua që kjo Shqipëri e bashkuar të zhvillojë jetën e saj në paqen e siguruar nga Roma. Ne jemi lidhur me Romën nga rrethana të pandryshueshme historike e gjeografike. Fakti që edhe ne jemi në luftë nuk rrjedh nga që kemi hequr dorë nga një politikë e jashtme e pavarur, por ngase Shqipëria për vetë pozitën e saj gjeografike është e lidhur me fatin e Italisë”.
Kjo është paraqitja e kryeministrit shqiptar në opinionin publik italian, por portretin e tij, në një nga këndvështrimet më të rëndësishme të figurës, e plotëson vetë Mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni:
“Një shfaqje nga ana e Mustafa Krujës të asaj që ishte ‘burrnia’ e tij, pra të aftësisë për të përballuar situata me guxim e zemërgjerësi, e pata pak mbas marrjes së funksionit si kryetar i Qeverisë. Kishte shkuar tek ai Konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë gojore, me të cilën Qeveria naziste kërkonte dorëzimin e më shumë se treqind hebrenjve që, të ikur nga Jugosllavia, kishin gjetur strehë në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit i kishte dhënë lajme të sakta mbi emrat e tyre dhe vendet ku ishin strehuar në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më kërkojë lejen për t’i lënë të patrazuar në Shqipëri. Nuk kishte në të gjithë vendin ushtarë gjermanë që të mund t’i njihnin. E quajtëm me vend që hebrenjtë e ikur të shpërnguleshin në krahinën e Gjirokastrës, që kufizohej me zonën greke, të pushtuar nga trupat italiane. Ata do të ishin pajisur me një pasaportë shqiptare me emër të rremë e, aty ku do të kishte qenë e nevojshme, të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do t’i premtonin Mustafa Krujës t’i përgjigjej, mbas pak ditësh, Konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, se të gjitha kërkimet e bëra në Kosovë, sa i përket emrave të shënuara, kishin dalë të kota.
Nuk u njoftua zyrtarisht Roma për këtë gjë, por u njoftua privatisht për të drejtori i përgjithshëm i çështjeve sekrete, ministri i plotfuqishëm Vidau. Ai ishte njeri me zemër dhe me të merrnim masa, nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, të furnizonim hebrenjtë gjermanë, çekë, polakë, hungarezë e rumunë me pasaporta shqiptare. Ata mund t’i shpëtonin kështu përndjekjeve racore, duke shkuar në Shqipëri.”
Ky pohim i Mëkëmbësit të Mbretit italian në Shqipëri është një fletë nderi ndërkombëtare, jo vetëm për Krujën dhe Qeverinë e tij, por për gjithë Shqipërinë e banorët e saj. Me këto veprime Shqipëria vihet në e atyre pak Vendeve të Evropës së pushtuar nga nazifashistët, që nuk morën mbi vete turpin e një krimi, nga më të shëmtuarit e më mizorët në historinë e botës, atë të Holokaustit. Shqipëria e vogël, në sajë të bijve të saj fisnikë, vuri mbi krye një kurorë, të cilën nuk patën guximin e meritën ta kenë as popuj shumë më të mëdhenj, më të zhvilluar e më të fuqishëm. Ajo kurorë mbante emrin e humanizmit në shkallë eprore, e vlerave njerëzore të respektuara edhe në rrethanat më të errëta të historisë njerëzore. Në sajë të këtij gjesti, Shqipëria ballëlartë mes gërmadhave të përfundimit të luftës, kishte të drejtën e ligjshme të kërkonte vendin e saj të nderit, në renditjen e fituesve moralë të tragjedisë më të madhe që kishte kaluar njerëzimi.
Ja si na e përshkruan një nga studiuesit më të përgatitur të historisë sonë, Mërgim Korça, këtë episod të rrënjosur thellë në kujtesën e tij rinore:
“Atëherë Mustafa Merlika Kruja i tha babait (Dr. Xhevat Korça) se duhej të merrnin masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë hebrenjve në Kosovë. I telefonuan ministrit të Punëve të Brëndshme Mark Gjomarkaj, si edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Çoba, dhe e lanë të mblidheshin menjëherë në zyrën e Kryeministrit.
Mbas disa ditësh mësova se Mark Gjomarkaj kishte dërguar në krye të një ekipi të tërë prefektësh, nënprefektësh, si edhe nëpunësish të besuar të Ministrisë së Brendshme, duke mobilizuar edhe të gjithë autobusët e shoqërisë S.A.T.A., e Engjëll Çobën në Prishtinë si i plotfuqishëm të pajiste me dokumente shqiptare si edhe me emra shqiptarë sa më shumë hebrenj që t’ishte e mundur e t’i transferonte në Shqipëri…”!
Por, për shtatëdhjetë vjet, përfshirë këtu edhe njëzet prej tyre të demokracisë, kjo meritë e madhe e kombit, kjo meteorë e ndritshme në qiellin e historisë së tij, nuk u zu në gojë, nuk u bë e njohur. Njëzet vjetët e fundit ishin inercia e pesëdhjetë viteve të regjimit, që u mundua ta varrosë në katakombet e harresës këtë monument të krenarisë kombëtare, shpëtimin e hebrenjve. Kjo ndodhte vetëm e vetëm sepse ai lidhej me emra si Ahmet Zogu, Mustafa Kruja, Mark Gjomarkaj, Xhevat Korça, Engjëll Çoba, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, at Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Xhafer Deva, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku e sa e sa qeveritarë të tjerë të Shqipërisë etnike, në të gjitha nivelet, që nderuan me veprën e tyre emrin e saj e i lanë brezave t’ardhshëm krenarinë e të qënit bir i një populli që dhunës i kundërvu humanizmin e vërtetë. (Artikull i botuar në të përditshmen BS)

BASHKIMI KOMBËTAR, SHTETI UNITAR DHE VIZIONI EUROATLANTIK

Balli Kombëtar Demokrat në Republikën e Kosovës vlereson se bashkimi kombetar i shqiptareve eshte i pashmangshem. Per bashkimin e trojeve eshte derdhur gjak neper shekuj te tere, prej kohes se ilireve e deri ne ditet tona. Qellim i vetem i lufterave per bashkim kombetar ka qene gjithmone ruajtja e kultures, identitetit, çenjes etnike dhe shtetformimi ne trojet autoktone. Ne ditet tona, politika aktuale synon te joshe dhe mashtroj elektoratin me fjalet bashkim kombetar brenda strukturave konfederale te BE-se. Bashkimi kombetar nuk do pallavra. Shumica e politikaneve dhe opinionistëve nuk e kane idene se ne ç’fare forme dhe sistemi do te behej bashkimi! Ne anen tjeter, disa analiste dhe intelektuale vendor, ne mendimet e tyre te shprehura publikisht me shume ju sherbejne shkizmave, mohimit dhe trullosjes se masave popullore, se sa idese së bashkimit kombetar.
Te mos jemi perkrahes te ideologjise per bashkim kombetar ne shekullin XXI, kjo d.m.th., se ne jemi dorezuar plotesisht para sfides dhe veprojme ne perputhshmeri te plote me qellimet e armikut shekullor, i cili ka synuar dhe synon te realizoje planprogramet shfarosese te çenjes shqiptare, te frymes kombetare shqiptare, te zhdukjes se shtetit shqiptar dhe identitetit te tij, ashtu siç e paten ne programet e tyre idete pansllaviste, greke dhe ato otomane. Prandaj, ne besojme se bashkimi kombetar kerkon vetebesim, vetedijesim, angazhim, planprograme dhe projekte konkrete, te gatshme per akcion e realizim. Balli Kombetar Demokrat në Republikën e Kosovës angazhohet per nje SHTET UNITAR SHQIPTAR.
Alternativat tjera, si p.sh. konfederata dhe federata nuk i kenaqin nevojat, kerkesat, interesat dhe vlerat kombetare ne kuptimin dhe esencen e vertete. Opinioni shqiptar duhet ta kete parasysh, se zgjidhjet e mundshme konfederale dhe federale nuk e bashkojne kombin ne kuptimin e vertete te fjales bashkim kombetar. Shteti UNITAR shqiptar, Shqiperia etnike, me nje sistem te kombinuar parlamentar e presidencial, nje demokraci te zhvilluar dhe standarde te pranuara nderkombetare, shtet i cili qendron mbi parime dhe vlera te botes se lirë eshte synim legjitim dhe zgjidhja me e mire per shqiptaret, komunitetet qe jetojne ne token shqiptare dhe per paqen e sigurine rajonale. Po e theksoj edhe kete, sidomos per ata qe se kane ditur dhe zakonisht flasin e shkruajnë, se per bashkim kombetar referendumi nuk eshte aq i rendesishem sa qe eshte forma e shtetit unitar, ç’fare sistemi do te kete shteti dhe ku do te jete kryeqyteti? Keto çeshtje duhet te kene konsensus nacional qe ende nuk e kemi. Eshte per tu habitur dhe legjitime te shtrohet pyetja, se ku jane idete dhe projektet e intelektualeve tane, qe ne parim duhet te jene ne sherbim te politikes dhe kombit pergjithsisht?! Ku jane projektet e institucioneve tona? Pse kaq shume zvarritje?!
Per Organizaten Balli Kombetar Demokrat në Republikën e Kosovës, bashkimi kombetar eshte qellim madhor e fisnik dhe nuk e ka synim shfryrjen e epsheve nacionale apo grumbullimin e njerzve te pa perspektive ne nje shtet te drejtuar prej diktatoresh. Domethenja dhe esenca e bashkimit kombetar ngerthen vlera dhe dimensione me te gjera, siç eshte p.sh. tregu i perbashket, i cili mundeson shkembime kualitative brenda organizimit te ekonomise kombetare dhe i cili, si force bazike e ekonomise, mundeson fuqizimin e shtetit dhe sherbimeve qe ofron shteti. Tregu i perbashket shqiptar siguron mireqenjen e qytetareve dhe ndikon dukshem ne rritjen graduale te sigurise se vendit. Si i tille, tregu i perbashket shqiptar eshte kontribut per paqen ne rajon e me gjere.
Organizata Balli Kombetar Demokrat në Republikën e Kosovës vlereson te gjithe shqiptaret, kapacitetet dhe kontributin e tyre intelektual, humanitar dhe politik; atribute keto qe i kane dhene vlera te medha perandorive, shteteve, koherave dhe fushave te ndryshme te dijes. Meqenese kapacitetet tona kombetare ne shekullin XXI jane reduktuar tej mase dhe ato nuk mjaftojne te mbajme gjalle dy-tri shtete, siç po bejme tani, ne mendojme se, bashkimi kombetar dhe shteti unitar i shqiptareve imponohet vetvetiu edhe si nevoje racionale. Nje administrate shteterore, nje ekonomi kombetare, nje ushtri dhe nje politike te jashtme eshte me e lehte per tu menaxhuar dhe me pak e kushtueshme se sa zgjidhjet qe kemi tani. Shqiptaret do te ishin shume me te fuqishem dhe efikas; si ne sferen politike, ekonomike, juridike, shkencore, kulturore, shendetsore, arsimore, sportive etj.
Për arsyet e sipercekura, Organizata Balli Kombetar Demokrat në Republikën e Kosovës vlereson se bashkimi kombetar i shqiptareve ofron mundesi me te medha per te gjithe qytetaret e vendit. Dinjiteti i qytetareve, perspektiva e perbashket euroatlantike, mireqenja e tyre dhe siguria qe ju ka munguar do te njihnin nje ndryshim pozitiv. Fuqizimi i shqiptareve ne nje shtet te perbashket do te hapte perspektive dhe do te mundesonte oferta serioze per te gjithe shqiptaret, brenda e jashte vendit.

PËRPJEKJET E XHAFER DEVËS DHE TË REXHEP KRASNIQIT PËR NDËRKOMBËTARIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Shkruan, Idriz Lamaj
Në korrik të vitit 1937, këtu e 67 vjetë më parë, dy kosovarë takohen rastsisht, në një kafene të Vjenës; njëri i arsimuar në shkollat më të mira të kohës së tij, në Selanik e në Satmboll që kishte kryer studime pasuniversitare në Zagreb, Pragë e deri në Aleksandri të Egjiptit, tjetri, jetim i rritur pa prindër, i adaptuar dhe i dërguar në shkollë nga Bajram Curri, që kishte mbaruar studimet në Vjenë dhe që kishte doktroruar në shkencat politike mbi “Kongresin e Berlinit dhe Shqipërinë Verilindore”, doktorati i parë i një shqiptari në këtë fushë. I pari, mesatar nga shtati, tregtar dhe poliglot, burrë me karakter të hekurt dhe i dyti malësor, i hollë e i gjatë, historian, por për nga karakteri po aq i fortë sa i pari. I pari jetonte në Kosovë, i dyti jetonte në Shqipëri. Për nga origjina, u përkisnin dy shtresave të ndryshme shoqërore: njëri rridhte nga një familje shumë e pasur qytetare, tjetri nga një familje malësore tradicionale, skajmnisht e varfër. Siç shihet pra, të dy me origjinë, fizionomi, paraqitje fizike e profesione të ndryshme. Që në takimin e parë ata bëhen miq e bashkëpunëtorë të ngushtë dhe vetëm vdekja në dhe të huaj do t’i ndante. I pari ishte Ing. Xhafer Deva, i lindur në Mitrovicë më 1904, dhe i dyti ishte Prof. Rexhep Krasniqi, i lindur në Gjakovë më 1906.
Si u njohën këta dy burra në Vjenë dhe a u takuan rastësisht nuk e di tamam, por nga biseda që kam zhvilluar me ata, del se ajo ishte një njohje e planifikuar nga dikush, pasi në atë takim ishin të pranishëm edhe dy miq të tyre austriak. Megjithëse ata kanë shkruar se u njohën me njeri-tjetrin gjatë Luftës së Dytë Botërore; unë i përmbahem kësaj, sepse të dy i kam njohur personalisht nga afër.
Me Xhafer Devën kam bashkëpunuar 10-të vjetë, e kam njohur në person, kemi shkembyer vizita dhe kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij. Përveç kësaj, kam shfletuar me kujdes të gjithë korrespondencën e tij, përfshirë edhe letrat familjare. Me Rexhep Krasniqin kam punuar 17-të vjet në zyrën e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, e kam përcjellur për në banesën e fundit dhe e kam varrosur pranë varrezave të familjes time. Së fundi dua te shtoj se kam trashëguar të gjithë arkivin e Komitetit, të cilin ai e drejtoi për 35 vjet.
Bazuar në letrat e tyre dhe në disa burime të tjera, do mundohem të paraqes në rend kronologjik përpjekjet e tyre për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së pari le të shohim si i lanë ata lamtumirën atdheut, për të mos u kthyer kurrë më në të.
Në mbrëmjen e 17-të nëntorit të vitit 1944, dy ditë pas largimit nga Prizreni, përmes gjëmimit të bombardimeve dhe sulmeve të tërbuara mbi qytetin e Prishtinës, ku rrugët ishin shndërruar në gërmadha dhe gati të gjitha vijat që lidhnin qytetin me periferitë ishin shkatërruar dhe ndërprerë, Rexhep Mitrovicës, Rexhep Krasniqit, Tahir Zajmit dhe Gjelal Mitrovicës, Xhafer Deva u siguroi tërheqjen në drejtim të Kralevës. Ata nuk munden të nisen deri në orët e vona të asaj nate të stuhishme me shi e luftë sepse mungonte Rexhep Mitrovica. Që besnikëria e patundur e shokëve të tij dhe njëfare mrekullie që ai shpëtoi pa u vrarë ose rënë në dorë të partizanëve. Më në fund, me automobilin personal të Xhafer Devës ata arritën pikën ku do t’i merrte aeroplani për në Zagreb. Kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliqi bashkë me ministrin e Jashtëm, që ishte një boshnjak, mik i shqiptarëve, megjithese ndodheshin para shkatërrimit të shtetit, i mirëpritën dhe u dhanë zemër. Në Zagreb ky grup, me Xhafer Devën në kryeqëndroi dy javë dhe përkujtoi me nderime të qeverisë kroate edhe festën tonë kombëtare, 28 Nentorin.
Në fillim të dhjetorit të atij viti grupi Kosovar prej pesë vetësh kaloi me shumë mundime alpet slloveno-austriake, të cilat ishin mbuluar me borë deri në brez. Veriu i rreptë dhe ngrica memzi i lejonin të shihnin njëri tjetrin. Të pestë, vetëm me nga një palë rroba në shtat e Deva me një çantë ushqimesh të thata në shpinë e një revolver në brez, kaluan kështu alpet dhe u strehuan për disa ditë tek një mik i Devës për t’u shlodhur. Prej aty hynë në Vjenë për t’u takuar me aleatet perëndimorë, në zonën e kontrollit të të cilëve kishte ra Austria perëndimore, e kthyer në gërmadhe dhe në një gjendje kaotike, ku endeshin gjithandej grumbuj emigrantësh të çveshur e të rraskapitur nga lufta për t’iu shmangur përvlimit të lavës komuniste që po vërshonte kahdo. Pasiguria dhe uria mbretëronin gjithandej. Aty edhe miku kishte frikë t’i shtrinte dorën mikut. Burra shtetesh të Evropës lindore vuanin për një copë bukë dhe dridheshin qosheve të tmerruar, duke parë qëndrimin e vdekur të aleateve perëndimorë ndaj lubisë ruse, qe po vinte kufirin në zemër të Evropes.
Grupi kosovar, në saje të miqve personale të Devës, u vendos në Vjenë, siguroi jetën si refugjat dhe u vu në shërbim të sistemimit të grupeve nacionaliste shqiptare që po mbrrinin aty përmes vështirësish të pa përshkruara. Grupeve të Ballit Kombëtar, grupit të Mirditës me Kapidan Gjon Marka Gjonin në krye, Nuredin Bej Vlorës, Shefqet Verlacit, Mehdi Frashërit me familje, Kolë Bibë Mirakës e shumë e shumë të tjerëve, Xhafer Deva u siguroi strehim të përkohshëm e shpetim nga furia e ushtrisë së kuqe që kishte mbrrijtur në pragun e Vjenës. Në mënyrë të veçantë Deva dhe Krasniqi u kujdesën për Rexhep Mitrovicën shëndetlig, të cilin arritën ta strehonin në një senatorium në rrethë të qytetit Feldkirch, afër kufirit me Zvicrrën.
TAKIMI I PARE ME AMERIKANËT DHE ANGAZHIMI XHAFER DEVËS PËR PËRFSHIRJEN E KOSOVËS NË PLANIN USHTARAK TË WASHINGTONIT
Në gusht të vitit 1945, Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi patën kontaktin e parë me një ushtarak amerikan, me gradën kolonel, i cili quhej Karl Thomson. Arsyeja e takimit ishte thjeshtë për çështje sigurie sepse, rrjeti i fortë në veprim i spiunazhit sovjetik kishte filluar të rrembente njerëz, e t’i dorëzonte pranë qeverive të sapo vendosura komuniste, të cilët i ekzekutonin nën akuza për krime lufte, me qëllim për të përforcuar me anën e frikes dhe të terrorit regjimet e tyre shtypëse. Deva meqë e fliste anglishtën shume mirë dhe pa aksent britanik, shkon me gjithë z. Krasniqi në një bazë ushtarake amerikane, tregon letrat që kishte siguruar si refugjat politik dhe kërkon takim me dikë që kishte pozitë drejtuese në bazë. Ata, jo vetëm që u pritën me përzemërsi nga Koloneli Thomson, por këshillohen menjëherë nga ai që mos të largoheshin nga zona e kontrollit të tij ushtarak. Koloneli amerikan i vendosi Devën,dhe Krasniqin me banim në një hotel të boshatisur dhe i furnizoi me ushqime. Të dy u strehuan aty deri në shkurt të vitit 1947, kur Kolonelit Thomson i ndërrohet vendi i shërbimit ushtarak. Gjatë asaj kohe Deva dhe Krasniqi e njohën kolonelin me veprimtarinë e tyre politike në Shqipëri, dhe në veçanti me vuajtjet e tmerrshme që kishte përjetuar popullsia shqiptare e Kosovës nën regjimin e Jugosllavisë monarkiste dhe me vazhdimësinë e shtypjes së egër nën regjimin e ri komunist jugosllav. Deva shpeshherë thonte me buzëqeshje: “Rexhepi dhe unë kemi krye shërbimin ushtarak amerikan në uniformë civile”.
Nga fundi i vitit 1947 Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi largohen nga Austria, bredhin si refugjat nëpër Itali dhe përfundojnë në Siri. Deva kishte besim të plotë se një ditë jo të largët, një fjalë e mirë e kolonelit amerikan do të binte në vesh të Zotit. Në shkurt të vitit 1948 “erdhi haberi i mirë”, siç thonte ai. Ftohet nga ambasada amerikane në Romë dhe kthehet menjëherë në Evropë, por shokët i mbetën në Damask. Një vit më vonë Rexhep Krasniqi dhe Gjelal Mitrovica marrin rrugën e gjatë të mërgimit për në Australi ndërsa Tahir Zajmi vendoset në Turqi. Rexhep Krasniqi dhe Gjelal Mitrovica botuan në Australi gazetën “Vatra Shqiptare”, ku trajtuan tema të mprehta politike dhe historike. Gjelal Mitrovica ishte një prej gazetarëve më të mirë të kohës së tij.
Gjatë viteve 1948-1949 Xhafer Deva ishte i angazhuar me amerikanët në zbatimin e strategjisë së Washingtonit për Ballkanin, ku në veçanti bëheshin përpjekjet për fillimin e një kryengritje në Shqipëri e cila do të sjellte përmbysjen e regjimit komunist dhe ndërhyren e ushtrisë amerikane. Megjithëse faktori politik shqiptar në mërgim, i mbledhur rreth Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” kishte pranuar përqëndrimin e kryengritjes vetëm në Shqipëri, Deva me udhëhqësit e “Bllokut Kombëtar Indipendent”, arriti të bindë një krah të fortë miqsh amerikanë se duhej provokuar me çdo kusht edhe një konflikt i armatosur në Kosovë, se jugosllavt nuk do të lejonin përmbysjen e rregjmit komunist në Shqipëri dhe ardhjen e forcave nacionaliste në pushtet.
Më 9 prill të vitit 1950, Xhafer Deva i shkruan Rexhep Krasniqit në Australi: “Shpërthimi i një lufte në Ballkan dhe ma gjanë nuk duhet t ‘na gjej të papërgaditun. Na nuk mund të bajmë mrekulli por me nji bataljon, të cilin besoj se mund ta krijoj dhe udheheqi, do të zbarkojmë në Tropojë dhe nga aty mund të thejmë nji pikë të kufinit sa me hy në Rrafsh të Dukagjinit”.
Më 26 qershor të vitit 1950, pak para mesnate, fillon hedhja e parashutistëve të Xhafer Devës në Shqipëri. Aty ishte i vetmi vend ku mund të zbarkonin. Ata ishin të gjithë kosovarë dhe të veshur me uniformë ushtarake amerikane. Ata ishin përgatitur në një kamp ushtarak amerikan duke pasur Devën ditë për ditë në fushën e stërvitjes. Parashutistet e Xhafer Devës hyjnë në Kosovë të përcjellur deri në Tropojë nga grupet kryengritëse të Kapidanit të Mirdites, Gjon Marka Gjonit, që vepronin në Shqipëri të Veriut e deri në Elbasan ku ndodhej prof. Alush Leshanaku me grupin e tij.
Fatkeqësisht, edhe sot disa studiues shqiptarë, në shkrimet e tyre atë periudhë e cilësojnë si periudhë diversioni e spiunazhi. Parashutistët që u stërviten në kampet ushtarake amerikane dhe hynë në Shqipëri e në Kosovë i quajnë diversantë dhe spiunë të CIA, pikërisht ashtu siç i quajti edhe propaganda e regjimeve kornuniste të Beogradit dhe të Tiranës, e si figurojnë në dosjet e UDB-ës dhe të Sigurimit, që tani quhen arkiva shtetërore; ose përshkruhen si në librin “Tradhëtia e madhe”, autori i të cilit mbulon faktorët politik të kohes dhe trajton temën në formën e aventurave të spiunazhit.
Kur shkruhet për atë periudhë, që përbën edhe kulmin e luftës së ftohët, në asnjë mënyrë nuk duhet të lihen me një anë vendosja e regjimit komunist në Kinë, lufta e përgjakshme e Koresë dhe kërcënimi i Evropës perëndimore nga Bashkimi Sovjetik. Këta ishin faktorët politikë që i detyruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përgatitin terrenin për fronte të reja veprimi ushtarak. Një prej atyre frontev ishte Ballkani, me pikë të veçantë strategjike Shqipërinë. Përsa i përket përfshirjes së Kosoves në konflikt, si pjesë e pandarë e Shqipërisë, Xhafer Deva është strategu i parë shqiptar dhe aleati më besnik amerikan që futi vendlindjen e vet në dosjet e zonës së influencës ushtarake amerikane, që për atë kohë përbën një ndërkombëtarizim të pashoq për Kosovën.
Në dy botimet e mija modeste: “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” 1948-1956″ dhe “Xhafer Deva në dritën letrave të veta“, janë dhënë disa burime, të pabotuara më parë, të cilat pasqyrojnë shumë qartë atë periudhë. Tani të kthehemi rreth veprimtarisë të z. Krasniqi.
NY YORKU-SELIA E REXHEP KRASNIQIT PËR NDËRKOMBËTARIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Largimi i Rexhep Krasniqit nga Australia dhe vendosja e tij në SHBA lidhet me planet që kishte bërë Xhafer Deva për konsolidimin e një veprimtarie kombëtare në rrethana të reja të politikës ndërkombëtare. Më 13 dhjetor të vitit 1954, Deva i shkruan z. Krasniqi:
“Gjasat janë se përpjekjet amerikane për lirimin e Shqipnisë nga komunizmi kanë marrë fund. Kosovës mund t’i shërbejmë ma mirë prej Amerike se prej Evrope. Për shumë arsye duhet të shkojmë atje“. Në këtë letër Deva vë në dukje gjithashtu se një mik amerikan e kishte këshilluar që ai bashkë me familje të emigronte në Amerikë.
Më 22 dhjetor 1954, miku i tij i ngushtë amerikan, Roger Holingshead i shkruan Devës: “I dashur Xhafer! Komiteti “Evropa e Lirë” ka ra në hall me Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lire”. Siç dihet, që prej fillimit aty asgjë nuk shkoi në rregull. Nga lartë kam marrë vesh se Komiteti “Shqipëria e Lirë” mund të mbyllet shumë shpejtë në qoftë se nuk gjendet zgjidhje. Të lutem më shkruaj diçka për këtë çështje.
Në korrespondencën midis Devës dhe Krasniqit nuk gjendet ndonjë gjë e shkruar, por dihet se ishte Deva ai që ua rekomandoi prof. Krasniqin qarqeve kompetente amerikane për zgjidhjen e problemit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Në fillim të vitit 1956 një zyrtar i ministrisë së jashtme amerikane shkoi në Australi dhe u takua me z. Krasniqin. Në prill të atij viti z. Krasniqi merr një telegram nga kjo ministri me anë të cilit ftohet në Washington për bisedime rreth riorganizimit të Komitetit. Pas pak ditesh z. Krasniqi shkoi në Washington dhe filloi bisedimet me kushte.
Krasniqi riorganizoi Komitetin “Shqipëria e Lirë” brenda disa ditësh dhe filloi menjëherë nga puna. Nga 40-të antarët e Komitetit të mëparshëm ai zgjodhi vetëm katër persona: Ing. Vasil Gërmenjin, Kapidan Ndue Gjomarkajn, Prof. Nexhat Peshkopinë dhe Sotir Avramin. Sekretar të zyrës emroi prof. Konstandin Vangjeri. Një vit më vonë Krasniqi emëroi tre këshilltarë të Komitetit: Mehdi Frashërin, Prof. Karl Gurakuqin dhe z. Ali Këlcyrën. Krasniqi i dërgoi këtë letër Mehdi Frashërit:
I ndershëm z. Mehdi Bej! Kam marrë përsipër drejtimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” të riorganizuar. Ju jeni emëruar Këshilltar i Komitetit. Qëllimi i emërimit tuaj ka qenë dhe mbetet të ndihmoheni me një ndihëm të vogël mujore. Buxheti i Komitetit të sotëm, i dhënë nga qeveria amerikane është tepër i kufizuar. Siç e dini, tani veprohet në kushte të reja politike. Këshillat tuaja janë të mirëpritura në çdo rast. Një letër të tillë njoftimi për emrimin si këshilltar të Komitetit i kam dërguar z. Ali Këlcyra dhe prof Karl Gurakuqit. Komiteti vepron në nivel mbi partiak por bashkëpunimi i tij me partitë politike shqiptare në mërgim zë një vend me rëndësi. Të fala Rexhep Krasniqi. Neë York, 11 shtator, 1957.
Një kapitull i ri për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në SHBA filloi kështu menjëherë. Po sjell vetëm dy shembuj: Deva i dërgon Krasniqit një plan sekret të Jugosllavisë për një valë të re shpërnguljesh të shqiptarve nga Kosova. Për këtë Kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” shkoi në Washington dhe e shtroi direkt këtë çështje me autoritetet amerikane.
Albanian Desk”, zyre e ministrisë së Jashtme amerikane për çeshtje shqiptare, i shkruan z. Krasniqit më 21 gusht, 1957: “Një zyrtari ynë me kompetencë të ministrisë së Jashtme e ka njoftuar Beogradin se Washingtoni ka dieni të plotë rreth planifikimit sekret jugosllav për një valë tjetër shpërnguljeje të shqiptarëve nga Kosova në Turqi. Zyra jonë këtë çështje nuk do ta lej në heshtje“.
Në shtator të vitit 1958, përfaqësuesi i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, pranë Asamblesë së Kombeve Evropiane të Robëruara, ing. Vasil Gërmenji, e ngriti çështjen e Kosovës në një sesion të veçantë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi jugosllav i cili u largua nga salla në shenjë proteste. Për këtë konflikt të z. Gërmenji me përfaqesuesin jugosllav, shkroi edhe gazeta Neë York Post (18/9/1958).
Tani nuk do të zgjerohem shumë me të dhëna konkrete sepse ka materiale të bollshme të botuara dhe të pabotuara, duke filluar nga libra, gazeta e memorandume, dhe deri tek raporte pune e korrespondenc që provojnë mbrojtjen e çështjes së Kosovës nga Komiteti “Shqipëria e Lirë dhe ndërkombetarizimin e saj në Washington. Po sjell vetem një fakt. Komiteti çdo tre muaj kishte takime të drejtpërdrejta me ministrinë e Jashtme amerikane, dhe secilën herë, kur flitej për Shqipërinë flitej edhe për Kosovën. Në saje të nxitjes së Komitetit “Shqipëria e Lirë”, për problemin e Kosovës ngritën zërin edhe përfaqesuesit e Komiteteve të tjera kombëtare që përbënin Asamblenë e Kombeve Evropiane të Robëruara.
Komiteti “Shqipëria e Lirë” u drejtua nga prof. Rexhep Krasniqi 35 vjet, deri me përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Komiteti kishte shtypin e vet, shqip dhe anglisht. Qe vendosur me seli në Neë York dhe prej shumëkujt cilësohej si qeveri shqiptare në mërgim. Komiteti ishte e vetmja organizatë politike shqiptare, në botën e lirë që kishte mbështetjen financiare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikes.
Më 1962, prof. Rexhep Krasniqi, organizoi në Neë York “Lidhjen e Prizrenit në Mërgim”, të cilën e drejtoi Xhafer Deva derisa vdiq. Edhe për këtë organizatë, e cila kishte shtypin e vet, është shkruar gjerë e gjatë dhe ka edhe të dhëna të tjera të bollshme, ku pasqyrohen përpjekjet e parreshtura të Devës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Kryetari i Lidhjes kishte edhe një rrjet të pashoq informimi mbi zhvillimet në Jugosllavi dhe në Kosovë. Po sjell këtu vetëm dy shembuj: afër 20 vjet, një turk, shok shkolle i tij në Robert Kolegj,punoi ne ambasadën e Turqisë në Beograd dhe e njoftonte Devën mbi çdo veprimtari në atë vend. Deva atë e thërriste me emrin Hajdar aga.Emri i tij i vërtet ishte Adnan Çellek. Siç shihet nga materialet dërguar Devës, Hajdar aga kishte njohuri të thellë mbi zhvillimet e brendshme në Jugosllavi. Ai kishte edhe Keqën, Alia Ketiq, një sanxhakli mik të vjetër që punonte në Zagreb në një sektor të rëndësishëm e nevralgjik ushtarak. Përmenda këta dy persona me emër sepse, me sa di unë të dy kanë vdek nga fundi i viteve 80-të. Deva vizitonte Evropën dhe Turqinë vitë për vit, merrte informime të gjithanshme dhe i shkëmbente ato me miqtë e vet amerikan. Kjo ishte edhe një metodë tjetër e Devës për ndërkombëtarizimin e Kosoves në zyrat shtetërore amerikane. Deva nuk la gur pa lëvizur për të tërhequr vëmendjen e amerikanëve te çështja e Kosovës. Jo më kot, në shtypin e Beogradit dhe të Tiranës, shpesh jane botuar artikuj të gjatë me titull: “Xhafer Deva në lëvizje”. Dhe kjo është e vërtetë: asnjë lëvizje shqiptare jashtë atdheut nuk i ka trazuar regjimet komuniste të Beogradit dhe të Tiranës më shumë se veprimtaria e Devës. Lëvizjen e Devës, dy regjimet në fjalë e kanë shikuar gjithmonë si lëvizje të Washingtonit.
Përfundimisht: Xhafer Deva dhe Rexhep Krasniqi ishin dy burra të shtetit etnik shqiptar që ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës pranë diplomacisë amerikane më mirë dhe me më kompetencë se askush tjetër. Ata i shërbyen me nder dinjitetit dhe kauzës kombëtare për realizimin e Shqipërisë etnike dhe vdiqën me bindje të plotë se një ditë jo të largët do të realizohet shteti i lirë etnik shqiptar.
Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitit 1978; pak ditë para festimeve madhështore në atdheun etnik të 100 Vjetorit të Lidhjes Historike të Prizrenit. Kryetari i “Lidhjes Prizrenit në Mërgim” mbylli sytë duke lanë popullsinë shqiptare të Kosovës me ndërgjegje të lartë kombëtare, drejt realizimit të misionit të madh historik, për të cilin mision ai nuk kurseu pasurinë, mundin dhe jetën e tij. Pas vdekjes së Devës, organizatën “Lidhja e Prizrenit në Mërgim” e mbajti gjallë z. Ismet Berisha, nipi i Sadik Ramë Gjurgjevikut. Si kryetar i kësaj organizate, ai edhe sot i qëndron besnik vijës tradicionale për realizimin e Shqipërisë etnike.
Rexhep Krasniqi vdiq më 12 shkurt të vitit 1999. Kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë” arriti të shohë shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe rënjen e komunizmit në Shqipëri. Ai arriti të shohë presidentin e Kosovës duke u pritur me nderime shtetërore në Washington. Ai ngazëllehej kur shikonte në ekranet e televizionit amerikan bijtë dhe bijat e Kosovës të veshur me uniformë ushtarake dhe të mbërthyer në armë për të mbrojtur trojet e tyre. Ai edhe pse nuk arriti të shohë në ato ekrane skenat e tmerrshme te dyndjes Biblike, ndeshjet e përgjakshme fyt për fyt me serbët dhe varrezat masive anembanë Kosovës; vdiq me bindjen e patundur se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta mbronte edhe me gjak vijën e kuqe që i vuri Serbisë. Kontributi i tij bashkë me atë të Xhafer Devës, përgatiti terrenin për vazhdimin e punës nga brezi i sotëm i politikanëve tanë. Udhëheqja e sotme e Kosovës, mbështetur në trashigiminë e paraardhësve të saj, me mprehtësinë dhe urtësinë e vet politike, e mbi të gjitha, në saje të sakrificave të pashoqe të shqiptarëve të Kosovës, e kurorëzoi me sukses fitoren. Për kurorëzimin e kësaj fitoreje të madhe historike dhanë ndihmes të gjithë shqiptarët, brend e jashtë atdheut etnik. Zonja dhe zotërinj të nderuar, Kosova sot ka ngjyrimet e veta politike, si çdo vend tjetër demokratik. Nga ngjyrimet politike ndikohen edhe njerëzit e letrave, përfshirë këtu edhe historianët. Për mua historia është shkencë objektive që nuk bën lëshime as për miq e dashamirë, dhe as për kundërshtar e armiq. Për mua histori është vetëm ajo që mbështet në fakte, dhe në burime të pavarura nga kahjet politike. Duke qenë i vetëdijshëm për të gjitha këto, u përpoqa të sjell këtu ndihmesën time modeste, për gjithë sa thash më sipër. Une nuk jam as avokat as amanetxhi i Xhafer Devës as i Rexhep Krasniqit. Ata nuk më lanë asnjë amanet. Por, do të më brente ndërgjegjja sikur mos të thoja këtu: Eshtrat e Xhafer Devës dhe të Rexhep Krasniqit është mirë të sjellen në Kosovë. Besoj se është në nderin e shqiptarëve të Kosovës sjellja e tyre në atdhe dhe rivarrimi me nderim të merituar.

BASHKIMI KOMBËTAR DHE JAKUP KRASNIQI

Jakup Krasniqi dhe bashkmendimtarët e tij nga Tirana e Shkupi, nuk kanë të drejtë morale t’ua “shesin” shqiptarëve kinse përkushtimin historik të së majtës shqipfolëse për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Deklaratat e tilla janë as më pak e as më shumë, një gënjeshtër e ripërsëritur e sllavokomunistëve dhe në funkcion të qëllimeve të tyre për të mbajtur sa më gjatë në jetë pushtetin e krimit, korrupcionit, vrasjeve të pasqaruara, dosjeve të mbyllura dhe manipulimit të qëllimshëm të fakteve historike. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve kërkon reflektim dhe sinqeritet, sepse shqiptarët e pandikuar nga vizionet e së majtës, tashmë janë të bashkuar në Evropë dhe ky “bashkim” nuk varet aspak nga inkuadrimi i shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe atij të Shqipërisë në strukturat konfederale të BE-së! Bashkimi kombëtar është synim legjitim për krijimin e shtetit të përbashkët e unitar të shqiptarëve dhe ai fillon të realizohet vetëm atëherë kur edhe e majta shqipfolëse të kuptojë realitetin, se doganat e integruara dhe kufijtë ndarës mes shqiptarëve nuk e posedojnë asnjë vlerë të vetme. Prandaj, trumbetimet e Jakup Krasniqit për bashkimin kombëtar, nuk janë gjë tjetër vetëm se një stërgjatje e agonisë opozitare dhe përpjekje për të faktorizuar subjektin politik, NISMA “e shokëve komunist, vetëm” për Kosovën.
Jakup Krasniqi me shokë i kanë miratuar doganat dhe kufijtë ndarës mes shqiptarëve. Këta kufijë ndarës janë imponuar nga lufta e së majtës për revolucionin komunist, nga të uriturit për pushtet personal, fisnor e krahinor, nga uzurpatorët e vlerave, nga ata që nuk e kanë vlerësuar asnjëherë drejt dhe kombëtarisht heqjen e gurëve ndarës në Betejën e Koshares, nga ata që djegin “libra të papërshtatshëm” dhe flamuj të kundërshtarëve politik, nga ata që e penguan armatosjen e mirëfilltë të UCK-së gjatë kohës së luftës. Bashkimin kombëtar dhe shtetin unitar shqiptar nuk e realizojnë dot vizionet e së majtës, sepse projektet që ofrohen prej saj nuk janë dëshmuar si projekte në shërbim të shqiptarëve. Historikisht, përballë pushtetit me çdo kusht dhe përpjekjes për bashkim kombëtar, të majtët shqipfolës kanë zgjedhur gjithmonë pushtetin me çdo kusht në kurriz të shqiptarëve. Heronjtë e luftërave çlirimtare dhe të bashkimit kombëtar i vranë pas shpine dhe i “konvertuan” brenda natës në heronj të pavarësive të mbikëqyrura nga “ndërkombëtarët”.
Mungesa e synimit programor dhe moral të së majtës shqipfolëse për realizimin e mundshëm të bashkimit kombëtar, buron nga historia e luftës për pushtet dhe revolucion sllavokomunist, nga historia e likuidimeve të pamëshirshme komuniste ndaj shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Programi i bashkimit kombëtar dhe shtetit unitar (DEKALOGU) është program shqiptar, përmbajtja e të cilit dëshmon vizionin euroatlantik, fisnikërinë kombëtare, drejtësinë sociale dhe vlerën demokratike. Shqipëria etnike, demokratike, me bazë ligjore moderne dhe e cila garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, mbrojtjen e të drejtave të bashkësive fetare, të minoriteteve, lehtësirave fiskale për biznesin vendor, hapjen e mundësive për investime dhe garantimin e tyre, prioritetet urgjente në sistemin e arsimit, kualitetin profesional te forcat e armatosura, e shumë e shumë të tjera si këto.
Bashkimi kombëtar i Jakup Krasniqit me shokë dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve, janë dy projekte të ndryshme. Përderisa e majta shqiptare vazhdon të angazhohet dhe nuk është distancuar asnjëherë nga projekti i emërtuar Ballkania dhe përderisa veprimtaria e saj praktike të synojë realizimin e këtij projekti me çdo kusht, bashkimi i mirëfilltë kombëtar dhe shteti unitar i shqiptarëve do të vazhdojë të sfidohet edhe në dekadën e ardhshme të shekullit XXI.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...