Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/24

NËNA TEREZE: I DESHA NJERËZIT ME DASHURINË E HYJIT

Nga Prof. Anton Berisha/

“…në kohë të errëta, ajo është një dritë që flakëron dhe ndriçon; në kohë të egra është një personifikim i gjallë i Ungjillit të dashurisë së Krishtit; në kohë që Zotin e duan të vdekur, ajo paraqet Hyjin që jeton midis nesh, plot e përplot me hire e të vërteta[1]…Kurrë nuk e kam provuar një ndjesi aq të përsosur të njëjtësimit njerëzor ashtu si me Nënën Tereze midis të varfërve të saj. Dashuria e saj për ta, reflektimi i dashurisë së Zotit, i bën aty të gjithë të njëjtë si vëllezër e motra në kuptimin e një familje, megjithëse ndryshojnë dukshëm për cilësi intelektuale e kulturore, për bukuri trupore e për hijeshi[2]”./Malcolm Muggeridge/(Londër 1971)

Ta njohësh mirëfilli Agneze – Gonxhe Bojaxhiun[3] – Nënën Tereze dhe veprën e saj domethënë shumë më tepër se sa ta njohësh punën e një motre, e cila nga viti 1928 hyri në Rendin e Loretos (në Dublin të Irlandës) [4] dhe nga viti 1948[5], kur e braktisi këtë rend të shquar e të nderuar kishtar – për arsye se “Zotynë dëshiron që unë të jem një motër e lirë, e veshur me varfërinë e kryqit[6]”, e deri në ndërrimin e jetës, më 5 shtator 1997, iu përkushtua krejtësisht njeriut, veçmas të varfërve nga më të varfrit, duke u kujdesur e duke vuajtur bashkë me ta.

Ta njohësh mirëfilli punën e saj të bërë në Kalkutë të Indisë e në qytete të tjera të këtij shteti, po dhe në shumë vende të ndryshme të botës, dhe besimin e palëkundur të saj për Hyjin, domethënë ta njohësh më mirë shpirtin dhe fatin e njeriut në përgjithësi, mundësitë e pakufishme të veprimit e të mbarësisë së jetës njerëzore, sidomos nevojën për t’u flijuar për tjetrin, që në qenësi nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur dhe më i mirë, më i dobishëm për njerëzit me të cilët jeton dhe për botën që i përket.

Të merresh me tekstet e lutjeve, me letrat dhe me mendimet e Nënës Tereze, të shkruara ose të thëna në raste të ndryshme, dhe t’i interpretosh ato nënkupton ta njohësh mirëfilli Biblën dhe një varg veprash të shquara të kësaj fushe[7], që vetvetiu të ndërlidhin me trashëgiminë që krijoi krishterimi tek njerëzimit për 2000 vjet, po dhe me pjesë të trashëgimisë më të hershme të dijes së njeriut në përgjithësi; nënkupton ballafaqimin me disa nga dukuritë më të qenësishme dhe më komplekse të njeriut e të botës së tij, të cilat u bënë objekt shqyrtimi shekuj me radhë nga mendjet më të ndritura të njerëzimit dhe që do të bëhen objekt interesimesh përderisa do të ketë jetë njerëzore.

Kjo gjë shprehet përmbledhtas dhe në parathënien e librit Nëna Tereze. Kujtimi dhe mesazhi të shkrimtarit spanjoll, José Luis González – Balado: “E them me bindje se ende, pas botimit të librave të mi mbi Nënën Tereze dhe veprën e saj, jeta e saj dhe shpirti i saj (…) nuk mund të përfshihen në faqet e një libri ose të shumë librave[8]”, mendim që të kujton atë që thuhet në Ungjillin e Gjonit për librat që do të mund të shkruheshin për Birin e Hyjit, Krishtin: “Ka dhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin” (Gjn 21, 25).

Edhe fjalët e ipeshkvit, Angelo Comastri, përligjin faktin se secili që merret me jetën dhe me veprën e Nënës Tereze, dashur e padashur, gjendet para vështirësive të madha, të thuash të pakapërcyeshme:

“Me dëshirë i vë në formën e shkrimit disa kujtime personale për Nënën Tereze të Kalkutës, po në të njëjtën kohë ndihem pak ngushtë të flas për të. Në të vërtetë, e kam parasysh se Nëna Tereze nuk mund të definohet, nuk mund të përshkruhet, nuk mund të rrëfehet për arsye se burimi i jetës së saj kridhet në misterin e vetë Zotit[9]”.

Është fakt i pamohueshëm se vepra e Nënës Tereze ishte dhe mbetet një shembull i rrallë në historinë e njerëzimit për dashurinë për Hyjin dhe për dashurinë dhe flijimin që bëri për njeriun, sidomos për të varfrit, për fëmijët jetimë e për të braktisurit. Ajo zbatoi me përpikëri urdhrin e Ungjillit: “Duajeni njëri – tjetrin sikurse unë ju desha juve” (Gjn 13, 34) dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” (Mt 22, 39).

Nëna Tereze iu përkushtua Zotit, dashurisë së tij me gjithë qenien e saj me qëllim që, po me atë dashuri, t’i donte njerëzit dhe të kujdesej për ta. Ajo ishte e bindur se Hyji është krijues i çdo qenieje dhe se jeta njerëzore në qenësi “është vetë jeta e Zotit në ne[10]”. Qysh në moshën e re ajo ishte e bindur se Hyji na ka dhënë “shpirtin e virtytit, të dashurisë e të urtisë” (2Tim 1, 7).

Besimin e Nënës Tereze në Hyjin e përligjin në mënyrë të pamëdyshtë edhe këto fjalë të saj:

Çdo frymëmarrje imja, çdo shikim im, çdo veprim

do të jetë një akt i Dashurisë hyjnore

e çdo gjë që do të bëj

do ta bëj për dashurinë tënde, o Zot i dashur[11].

Nëna ia pati dhënë Zotit besën shqiptare, që, sipas Kanunit të maleve nuk bëhet dysh, se çdo veprim të saj do t’ia kushtonte Atij dhe Birit të tij, Krishtit, Zotit konkret, tokësor, duke pranuar dhe pësimin më të rëndë nëse nuk do t’i përmbahet fjalës së dhënë:

“I kam dhënë besën Zotit, që ka për pasojë mëkatin vdekjeprurës, t’i jap çdo gjë që Ai do të më kërkojë[12]” me qëllim që “ta ndez dritën e dashurisë në zemrën e secilës krijesë të Zotit[13]”.

Dashurinë për njeriun për njeriun Nëna e përligj duke filluar nga motrat e rendit[14], Misionaret e Dashurisë, që flijoheshin për më të varfrit e të varfërve me dashurinë hyjnore dhe tek çdo jeriu që e takoi[15]. Për të ato ishin dhurata më e çmueshme dhe më e madhe që i kishte dhuruar Zoti:

“Po nisem për Amerikë, mirëpo zemra ime, mendja ime dhe gjithë qenia ime mbetet me ju…S’kam frikë t’ju lë për arsye se e di se ju jeni dhurata më e madhe që Zoti më ka dhënë[16]” dhe “Nuk e di çka provojnë njerëzit e tjerë, po unë i dua motrat e mia ashtu siç e dua Krishtin, me gjithë zemër, me shpirt e me mendje, me të gjitha forcat e mia[17]”.

Nëna kishte një besim e dashuri të pakufi për motrat; çdo gjë që mbërrinte e lidhte me flijimin dhe me lutjet e tyre; edhe gëzimi dhe vuajtja e tyre ishin të sajat: “Edhe pse nuk mund t’ju takoj dhe personalisht t’i flas secilës prej jush, për çdo ditë jeni të pranishme në lutjet e mia. Juve ju përket mirënjohja ime më e thellë për ndihmën që jepni për t’i shërbyer të varfrit dhe për të gjitha flijimet tuaja e për lutjet tuaja. Vuajtjet tuaja, të pranuara për dashurinë e Jezusit, janë burim i shumë mirësive (hireve). Ju merrni pjesë me gjithë zemër në gjithçka që bëjmë[18]”.

Arsyeja e një dashurie të këtillë të Nënës Tereze dëshmohet me faktin që e pohonte ajo vetë:

“Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri. Sa më e thellë është dashuria ime për Krishtin, aq më e thellë është dashuria për motrat e mia, aq më i madh është zelli për të shkuar drejt të varfërve[19]”.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Javair Pérez De Cuéllar-i, më 26 tetor 1985, me rastin e 40- vjetorit të themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar, para anëtarëve të Asamblesë dhe të mysafirëve të tjerë pati thënë midis të tjerash:

“Gjendemi në një sallë të diskutimeve. Në rrjedhë të kohëve në këtë podium kanë kaluar njerëzit që janë çmuar më të fuqishmit. Sot kemi mundësinë t’i urojmë mirëseardhjen gruas realisht më të fuqishme në rruzullin tokësor. Nuk e besoj se ka nevojë ta paraqes, për arsye se ajo s’ka nevojë për fjalë. Nëna Tereze kërkon fakte. Jam i bindur se ajo që do të ishte më e mira është t’i shpreh nderimin e të them se ajo është më e fuqishme sesa unë dhe sesa të gjithë ne. Ajo është Kombet e bashkuara! Ajo është paqja në botë[20]”!

De Cuéllar-i nuk e vlerësoi Nënën Tereze – gruan më të fuqishme në botë – për ndonjë fitore të saj luftarake ose të dëshmimit të fuqisë së saj fizike, por për pasurinë e saj shpirtërore, për arsye të kujdesit, të flijimit e të dashurisë së jashtëzakonshme që tregoi sidomos për të varfrit e më varfërve, për të braktisurit dhe të harruarit nga familjaret dhe shoqëria, që vdisnin rrugëve në mjerim e të përbuzur, pa pasur, së paku, qoftë edhe një “vdekje të qetë e të denjë”, siç thoshte Nëna. Në çdo të varfër, në çdo fëmijë me të meta fizike e mendore, në çdo të gërbulur Nëna shihte krijesën e Hyjit, njeriun, vëllain, motrën, të afërmin, dhe për të shfaqte dashurinë hyjnore: “Për mua secili prej tyre është Krishti[21]”.

Nëna dhe Misionaret e Dashurisë i donin me dashurinë e Hyjit të gjithë njerëzit – të gjithë të varfrit – pa dallim: “Kjo është ajo që Jezusi ka ardhur të na mësojë: si të duam, si ta duam njëri tjetrin, pa shikuar ngjyrën e lëkurës, kombësinë, pa shikuar se kush është i pasur ose i varfër, të gjithë jemi vëllezër e motra. Unë dua që ju (u drejtohej motrave të saj) ta ndani me mua kënaqësinë që të duam[22]”. Së këndejmi, vazhdon Nëna, “Absolutisht s’kemi asnjë vështirësi të punojmë në vendet me besime të ndryshme religjioze. Të gjithë i trajtojmë si fëmijët e Zotit. Janë vëllezërit dhe motrat tona dhe dëshmojmë për ta një nderim të madh. Detyra jonë është t’i ndihmojmë këta persona, të krishterë ose jo të krishterë, të bëjnë vepra të dashurisë. Secila vepër e dashurisë, e bërë me zemër, të afron te Zoti”[23].

Duke e qartësuar dhe më tej qëllimin e punës e të flijimit të Misionareve të Dashurisë, Nëna thoshte: “S’kemi kërkuar kurrë që t’i konvertojmë në krishterim ata për të cilët kujdesemi. E qenësishme është që, çfarëdo qoftë ai, ta gjejë Zotin nëpërmjet religjionit të vet. Ajo që shpëton është besimi në Zotin. Është më pak e rëndësishme se nga çfarë pikëvështrimi mbërrihet tek Ai[24]”.

Nëna dhe motrat e saj jetonin për të tjerët, duke dhënë “gjithçka për kujdesin ndaj varfërve pa kompensimin më të vogël[25]…”. Me flijimit për të tjerët: “Motrat, si dhe Nëna Tereze, duken sikur të mos kenë nevoja personale. Gjithë kujdesi i tyre duket t’i drejtohet Hyjit dhe nevojave të atyre që ato u shërbejnë në emrin e tij. Ndjekin shembullin e Nënës duke parë atë që nuk e vërejnë të tjerët dhe duke përmbushur veprat e tyre shpirtërore e të mëshirësisë në mënyrë të jashtëzakonshme[26]”.

Nga viti 1948, kur mori lejen e eprores së rendit të Loretos, nënës Gertrude, dhe vendimin e papës, Piu XII, të dilte nga rendi i përmendur dhe të themelonte Misionaret e Dashurisë, gjithë jetën e vet e shkriu për të varfrit e më të varfërve dhe të mjerët e më të mjerëve. Këtë përcaktim Nëna Tereze e mbështeti në parimin e qenësishëm që e përmbledh me këto fjalë: “Nuk mund të lejojmë që një krijesë e Zotit të vdesë buzë rrugës si një kafshë[27]”.

Rreth flijimit të jashtëzakonshëm e të vijueshëm të Nënës Tereze për këta njerëz ati Brian Kolodiejchuk, postulator i procesit të lumturimit[28] të saj, shkruan sa vijon:

“Me jetën e saj të flijuar në shërbim të të varfërve, Nëna Tereze përqafoi të njëjtin fat të Krishtit[29]”.

Pra, Nëna Tereze me jetën e vet dhe me flijimin e bërë për njerëzit e harruar nga të tjrerët, zbatoi urdhrin e Ungjillit: “Kush dëshiron të jetë i pari le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve” (Mt. 9, 35) dhe “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le të mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje” (Mt 16, 24).

Për Nënën, përkatësisht për Misionaret e Dashurisë të jesh i varfër nuk nënkuptonte të mos kesh ta hash bukë, të mos kesh kulm mbi krye, po nënkuptonte dhe braktisjen nga njerëzit, varfërinë shpirtërore, tërheqjen në vetmi, dhënien pas shfrimeve të kota që shpien në rrënimin e jetës, siç ndodh me ata që përdornin drogën. Nëna thoshte “Varfëria nuk nënkupton vetëm të kesh uri për bukë, po, para së gjithash, është uri e tmerrshme për dinjitet njerëzor. Kemi nevojë të duam dhe të jemi dikush për dikë tjetër. Bëhet gabim kur i dëbojmë (largojmë) njerëzit nga ne. Jo vetëm ua kemi mohuar të varfërve një copë bukë, po duke menduar se ata s’kanë asnjë vlerë e duke i lënë të harruar nëpër rrugë, e kemi mohuar dinjitetin njerëzor, që është e drejta e tyre si bij dhe bija të Zotit. Bota sot nuk është e uritur vetëm për bukë, por të jetë e dashur dhe e dëshiruar[30]”.

Shkrimtari dhe gazetari i shquar anglez, që, ndër të parët e bëri të njohur në mënyrë të denjë punën dhe flijimin e Nënës Tereze dhe të Misionareve të Dashurisë jashtë Indisë, Malcolm Muggeridge[31], në bisedën “historike” që e bëri me Nënën (për BBC) theksoi ndër të tjera “Duke e mohuar vetveten, ajo do ta gjejë vetveten[32]”, ose “Duke hequr dorë nga vetvetja, ajo bëhet e vetvetes[33]”.

Me besimin në Hyjin dhe me veprimin e vet të nxitur e të drejtuar prej Tij, Nëna Tereze bëhet krejtësisht e Hyjit dhe shndërrohet në vegël të Tij: “Gjithçka që bëjmë e bën Zoti nëpërmjet nesh[34]”.

Në rrjedhën e zbatimit konkret të parimit të rëndësishëm – t’i dojë të gjithë njerëzit njësoj pa marrë parasysh shtresën shoqërore dhe përcaktimin – Nëna i deshi dhe u kujdes veçanërisht për të varfrit e të braktisurit, pa dallim se dhe nga vinin, ç’moshë kishin dhe cilit besim i përkitnin. Këtë gjë më së miri e shprehin fjalët e saj drejtuar Hyjit:

“Zoti im, sipas vullnesës sime të lirë e me ndihmën e dashurisë sate, unë dua të rri këtu nëpër rrugë me të varfrit për të përmbushur dëshirën tënde. Nuk dua të kthehem prapa: komuniteti im janë të varfrit (…) Shtëpia ime është shtëpia e të varfërve. Jo thjeshtë e të varfërve, po e të varfëve më të varfër (…) Të atyre që nuk ia dalin të qajnë, pse i kanë derdhur të gjithë lotët. Të atyre që shtrihen në kalldrëmet e rrugëve, duke ditur se po vdesin, ndërsa të gjithë të tjerët u kalojnë pranë pa u kushtuar atyre kujdes. Të atyre që kanë nevojë jo aq shumë për një shtëpi me tulla, po për një zemër që i kupton. Të atyre që janë të uritur, jo aq shumë për ushqim, sesa për fjalën e Hyjit. Të atyre që kanë nevojë jo aq shumë për t’u veshur, po për dinjitet, pastërti e drejtësi. Të atyre që janë të braktisur, të padëshiruar, ata që nuk i do askush, që kanë pësuar në rrjedhën e jetës, për arsye se dhe ata janë të varfër, shpirtërisht më të varfrit e të varfërve, në ngjasimin e të cilëve, ti, Zoti im, fshihesh, duke pasur etje për dashurinë time, saktësisht ashtu siç fshihesh në bukën e eukaristisë[35]”.

Me flijimin e vet e të motrave të veta për më të varfrit dhe më të mjerët Nëna nuk mendoi ta ndërronte botën. Ajo ishte e vetëdijshme se puna që bënte ajo dhe motrat e saj ishte punë e përvuajtur, nuk ishte tjetër pos një pikë ujë në oqean:

“Ne vetë jemi të bindura se ajo që bëjmë është vetëm një pikë (ujë) në oqean. Mirëpo, sikur kjo pikë të mos ishte në oqean, besoj se oqeani do të kishte diçka mangu, për arsye se i mungon ajo pikë. Për shembull: sikur të mos i kishim shkollat tona në lagjet e varfra (të qytetit të Kalkutës – v. ime) – s’janë gjë, janë vetëm shkolla të vogla fillestare, ku u mësojmë fëmijëve ta duan shkollën, të jenë të pastër e gjëra të tjera – sikur të mos i kishim këto shkolla të vogla, ata fëmijë, ata mijëra fëmijë do të mbetnin nëpër rrugë. Pra, kemi dy mundësi: ose t’i marrin dhe t’u ofrojmë diçka atyre, qoftë edhe krejt pak, ose t’i lëmë në rrugë. E njëta gjë vlen edhe për shtëpinë e njerëzve që janë në prag te vdekjes dhe për shtëpinë e fëmijëve. Sikur të mos e kishin këtë shtëpi, ato kreatura që i kemi mbledhur do të kishin vdekur nëpër rrugë. Besoj se e paguan barra qiranë që ta kemi atë shtëpi, qoftë edhe për pak persona që mund të vdesin në mirësi me Zotin dhe në paqe[36]”.

Qenësia e punës – flijimit të Nënës dhe të Misionareve të Dashurisë është se ato dhanë shembullin konkret, të bërë me përkushtim e përvujtëri të paparë, si mund dhe është e nevojshme që njerëzit e varfër dhe të mjerët të duhen me dashuri hyjnore, të kujdeset për ta me mirësinë dhe me dinjitetin më të madh.

Për të konkretizuar rëndësinë e jashtëzakonshme të veprës së Nënës Tereze po sjell në vijim disa mendime, që, besoj, janë të rëndësishëm për ta kuptuar atë në disa përbërësit kryesorë të saj.

Kryeipeshkvi i Kalkutës, mons. Henry D’ Souza, theksonte se varfëria e jashtëzakonshme në Indi, sidomos në qytetin e Kalkutës, ku Nëna Tereze jetoi nga viti 1929, e tronditi atë thellësisht sa e bëri të ndryshojë, siç ndodhi me faktin që me punën dhe me flijimin e vet e të motrave – Misionaret e Dashurisë dhe të Vëllezërve misionarë të Dashurisë për më të varfrit dhe të mjerët, Nëna e ndryshoi Indinë:

“Po, India e ka ndryshuar Nënën Tereze, duke e detyruar me dhunën e varfërisë, ta përfillë çështjen e të varfërve nga më të varfrit. Mirëpo edhe Nëna Tereze e ka ndryshuar Indinë, duke e kundërshtuar mentalitetin fatalist dhe duke e rivendosur vlerën e pazëvendësueshme të individit[37]”.

Pra, në “ferrin e jetës së Kalkutës”, ku të varfrit vlerësoheshin “rrobë e pavlerë” dhe të “dënuar” nga Zoti, Nëna dhe motrat e saj me flijimin e pashembullt përligjen domosdonë e vlerës e të dinjitetit të çdo qenie njerëzore.

Duke folur për këtë dukuri Sandro Bordignano vë në dukje: “Për Nënën Tereze i varfi bëhet ‘profet i humanitetit të ri’. Ndoshta ende e adhurojmë për së tepërmi hyjnoren e përparimit për të pranuar njerëzoren e thellë të fjalëve të saj[38] (…) Besoj se asnjë filozof e as humanist nuk e ka ndjesinë kaq të gjallë të njerëzimit e të vlerës së secilës qenie njerëzore; takimi me kryetarin e bashkisë ose me kardinalin, me të gërbulurin ose me të varfrin, e shqetëson në të njëjtën mënyrë[39]”.

Nëna u kushtoi kujdesin e pashembullt të varfërve, po me veprimin e saj dhe i shenjtëroi ata, siç thekson bashkëpunëtori i saj, ati Langford:

“…Nëna Tereze ka punuar jo vetëm për shpëtimin e të varfërve, por edhe për shenjtërimin e tyre, domethënë për shndërrimin e tyre të plotë, me qëllim që të përmbushet plotësisht potenciali i tyre dhe dinjiteti i tyre në Zotin[40]”.

Për ta zbërthyer veprën e Nënës Tereze, që shumë prej atyre që qysh gjatë jetës e quajtën “Ungjilli i gjallë[41]”, çdo gjë duhet lidhur me besimin e saj të patundur në Hyjin dhe në Birin e tij, Jezu Krishtin, dhe në lutje[42], që ishte mjeti dhe burimi kryesor i jetës dhe i flijimit të saj për njeriun. Nëna jo rastësisht e pati shpallur veten “Shërbëtorja vullnetare e vullnesës së Zotit[43]”.

Në të vërtetë, Nëna na shpalos vetë, me qartësi mahnitëse, qenësinë e jetës e të veprimit dhe të gjithë asaj që mbërriti në jetë dhe në Misionaret e Dashurisë:

“Jam vetëm një grua e varfër që lutet. Duke u lutur, Zoti më ka mbushur zemrën me dashuri dhe kështu kam mundur t’i dua të varfrit me dashurinë e Hyjit[44]”.

Edhe rëndësinë e lutjes Nëna e shpreh në mënyrë thellësore, që është nga mendimet më të veçanta në gjithë traditën e krishterë:

“Lutja nuk është të kërkosh. Lutja është të vihesh në duart e Hyjit, të vihesh në shërbim të Tij dhe të dëgjosh zërin e Tij në thellësinë e zemrës sate[45]”.

Përmes lutjes Nëna Tereze i njësoi tokën dhe qiellin[46], konkreten dhe hyjnoren; lutja i bëri të mundur të vepronte me përkushtim e me dashuri hyjnore dhe t’i pranonte vuajtjet e njerëzve si të vetat dhe të bashkëvuante me ta. Ajo i shërbeu ta përballojë varfërinë, zhgënjimin, t’i përballojë dhimbjet, vuajtjet e veta dhe të të tjerëve. Varri i saj në Shtëpinë amë në Kalkutë, ndodhet pikërisht në vendin ku ajo, e gjunjëzuar, lutej me orë të tëra.

S’do mend se Nëna Tereze ishte një qenie njerëzore si të gjithë të tjerat, që në jetën e përditshëm përjetoi gëzimin dhe vuajtjen, dhimbjen dhe mjerimin. Mirëpo, ajo e bëri themel të veprimit të saj grishjen e Krishtit në kryq “Kam etje”, që e frymëzoi, i dha fuqi dhe guxim t’i përballonte vështirësitë dhe të papriturat e jetës konkrete. Këtë ajo e thotë në Letrën e Varanasit – Testamentin shpirtëror (25 mars 1993), dërguar motrave të Misionareve të Dashurisë[47] dhe pjesëtarëve të degëve të tjera misionare[48], të gjitha të themeluar nga ajo.

“Kam etje” për të ishte dashuria konkrete për tjetrin, ishte mirëkuptimi që secili njeri duhet të ketë për të afërmin; ishte etja për dashuri që e bën shpirtin e njeriut të pasur, njerëzor, hyjnor. Kush ka etje – dashuri për të afërmin – sidomos për të mjerët, ai ka etje – dashuri dhe për Hyjin. Nëna thoshte:

“Qe dashuria të jetë e vërtetë, para së gjithash, duhet të jetësohet për të afërmin tim… kjo dashuri më shpie tek dashuria e Zotit[49]”.

Në tekstet e ndryshme e të shumta, Nëna vë në dukje një gjë me rëndësi të shumëfishtë: Hyji ka nevojë për dashurinë e njeriut, për dashurinë tonë për arsye se duke u njësuar dhe duke u bërë njeriu një me dashurinë e Tij, ai (njeriu) pasurohet me dashuri të tillë për ta dëshmuar atë tek të tjerët, duke filluar nga prindërit, nga vëllai e motra, nga më i afërmi e për të vazhduar tek secila krijesë e Zotit.

Në Letrën e Varanasit, Nëna e bëri publike atë që i kishte ndodhur duke udhëtuar për Darjeeling, të Indisë (rrëzë Himalajeve) më 10 shtator 1946 (ku ishte nisur për të marrë pjesë në ushtrimet shpirtërore), me ç’rast përjetoi “Thirrjen brenda thirrjes” të Birit të Hyjit, Krishtit (thirrjen e parë të Tij ajo e përjetoi më 15 gusht 1922 në Kishën e Letnicës në Kosovë).

Thirrja e dytë e ndryshoi rrjedhën e jetës e të veprimit të Nënës Tereze. Pas 10 shtatorit të vitit 1946 veprimin e saj e cilësoi një përmasë e dukshme hyjnore, që e theksuan shumë nga njerëzit që bashkëpunuan e jetuan me të, “një praní të dritës”[50] së Hyjit që kishte dhe rrezatonte. Gazetarja e shquar italiane, Franka Xambonini, shkruan për takimin e saj me Nënën Tereze në Romë (më 26 prill 1990):

“Edhe një herë tjetër përjetova magjepsën e pranisë së saj. Më dha atë bekimin që buron nga fytyra e një qenieje hyjnore; një ndikim shpirtëror që indianët e quajnë dershan, një perceptim i së vërtetës së një qenieje më të lartë. Një minutë në praninë e një shenjti i fshin malet me mëkate, thonë shkrimet indu. Për të pranuar dershan rradhë (të tërë) turmash pritnin të kalonte Mahtma Gandhi. Sot ngarendin rreth Nënës Tereze kur e shohin nëpër rrugë të Kalkutës[51]”.

Kjo cilësi dhe kjo veçanti e Nënës përligjet edhe nga fjalët e kardinal Martini, i cili u takua shpesh me të:

“Sa herë që, në dhjetëvjetëshat e shkuar, e kam takuar Nënën Tereze të Kalkutës(…) kam fituar përshtypjen e thellë, si të një krijese jashtë asaj të përditshmes, gati si vegim të një qenieje që nuk i përket kësaj toke, edhe pse me aftësinë t’i administrojë gjërat konkrete tokësore. Kishte në të një të përbashkët unike të butësisë e të forcës, të shpirtshmërisë e të konkretësisë, të përvujtërisë e të vetëdijes së dinjitetit e të misionit të saj, që me bënin të më shfaqej si diçka, rrënjët e së cilës nuk dukej të ishin në këtë botë[52]”.

Edhe fjalët e motrës Nìrmala e përligjin thellësisht përmasën hyjnore të Nënës Tereze:

“Më kujtohet se sytë e Nënës Tereze shikonin përtej kësaj bote. Nëna Tereze i qe dorëzuar në mënyrë të thellë, absolute, vullnesës së Zotit e, Zoti, e përdori si vegël për dashurinë e tij[53] (…) Zemra e Nënës digjej nga dashuria për Krishtin – Eukaristinë (në kungim), të cilit ajo ia kushtoi krejtësisht dhe paanësisht jetën e saj, me një besim të përzemërt në Të, e Ai e shndërroi (Nënën Tereze – v. ime) në Veten e vet. Kështu, kur njerëzit e shihnin atë, në realitet e shihnin vetëm Krishtin[54]”.

Duke u bërë pjesë e dashurisë së Hyjit, Nëna Tereze i deshi njerëzit me atë dashuri dhe atë dashuri e barti sidomos tek të mjerët, tek të braktisurit dhe tek të gërbulurit për t’ua lehtësuar dhembjet dhe vuajtjet, siç thotë bashkëpunëtori i saj, ati Langford: “Na ka mësuar (Nëna Tereze) që, në emër të Zotit, ta përqafojmë cilindo që nuk është i dashur, cilindo që e gjejmë në veten tonë dhe tek të tjerët. Nëpërmjet saj Zoti e ka vënë dorën e vet mëshiruese në dhembjen tonë dhe në plagët tona[55]”.

Vlerën e jashtëzakonshme të veprës dhe të figurës së Nënës Tereze e përligji dhe Kongresi amerikan në qershor të vitit 1997 me rastin e dhënies së Medaljes së artë:

“Kongresi amerikan vlerëson se Nëna Tereze ka bërë një ndikim vendimtar në çdo sektor të jetës dhe në çdo kënd të botës…Sipas vlerësimit të Kongresit amerikan Nëna Tereze është një vegël e vullnesës së Zotit. Dashuria për Zotin, që vinte nëpërmjet Nënës Tereze, ka ndikuar në mënyrë të pashlyeshme dhe e ka ndërruar historinë njerëzore. Nëpërmjet shembullit personal Nëna Tereze i drejton dhe u tregon njerëzve si mund të jetohet në dashuri për njerëzimin[56]”.

Më duket me vend që këtë kumtesë ta mbyll me dy mendime nëpërmjet të cilave ndriçohet rëndësia e jashtëzakonshme e veprës dhe e mendimit të Nënës Tereze që shtrihet në tri përmasa kohore: dje, sot dhe nesër.

Papa Gjon Palit II një vit pas vdekjes së Nënës Tereze (më 1998), tha:

“Saktësisht një vit më parë, në muzgun e 5 shtatorit, vdiq në Kalkutë Nëna Tereze. Kujtimi i saj mbetet i gjallë në secilin prej nesh, në gjithë Kishën dhe në tërë botën. Çfarë vepre të mrekullueshme ka ditur ta përmbushë deri në fund kjo grua me shtat të vogël, lindur në një familje të përvuajtur, me forcën e besimit në Zotin e të dashurisë për të afërmin! Nëna Tereze ka qenë një dhuratë e Zotit për të varfrit nga më të varfrit e në të njëjtën kohë, (dhuratë) për dashurinë e saj të jashtëzakonshme për më të mjerët… Përkushtimi i saj i tërësishëm Zotit, përligjur prej ditë në ditë në lutje, u shndërrua në një përkushtim të plotë për të afërmin. Në buzëqeshjen, në gjestet e në fjalët e Nënës Tereze, Jezusi ka ecur nëpër rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vazhdon të bëjë në Misionaret e Dashurisë e në Vëllezërit misionarë të Dashurisë, që përbëjnë një familje të madhe të themeluar nga ajo. U shprehim falënderimin bijave dhe bijve të Nënës Tereze për përcaktimin e tyre radikal ungjillor dhe lutemi për të gjithë këta që të mos ndërpresin t’i rrinë besnikë hirit që Shpirti i Shenjtë pati ngjallur në Themeluesen e tyre[57]”.

Motra, Mary Nìrmala Joshi, pasardhësja e parë në drejtimin e Misionareve të Dashurisë, pas pesë vjetësh të ndërrimit të jetës së Nënës Tereze tha:

“Dëshmia dhe mesazhi i saj janë bërë të çmueshëm për persona të çdo feje, si shenjë që Zoti edhe sot e do botën. Në pesë vitet e fundit pas vdekjes së saj shumë vetë i janë drejtuar asaj për të kërkuar ndihmë dhe kanë provuar dashurinë e Zotit përmes ndërmjetësimit të saj…Të gjithë të sëmurët, ata që vuajnë dhe gjithë ata që kërkojnë ndihmën e Zotit gjejnë tek Nëna Tereze një mike që ndërmjetëson për ta[58]”.

Jam i bindur se hiri i Hyjit, edhe nëpërmjet Nënës Tereze, bijës së Tij dhe bijës së popullit tonë, e cila tashmë është në Vatrën e dritës së Tij, do ta ndriçojë e do ta vërë për së mbari njeriun tonë dhe botën që ai i përket.

Kozencë, qershor 2010(Dielli-arkiv)

[1] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio. 3. ed. Ottobre, Edizione Pauline, 1974, f. 144. Titulli i origjinalit Malcolm Muggeridge, Something Beautiful for God. Mother Teresa of Calcutta. Harper & Wow. New York 1971.

[2] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 18.

[3] Emri i pagëzimit në kishë i Nënës Tereze ishte Agneze (shqiptohej Anjeze), ndërsa Gonxhe ishte emri përkëdhelës që e pë56rdornin prindërit dhe të afërmit. Rozë ishte emri i nënës së Nënës Tereze, e njohur si Drane. Kola ishte babai, ndërsa vëllai Lazri dhe motra Ag-ja.

[4] Është ndër rendet më të vjetra themeluar për herën e parë më 1609 nga Mary Ward, ripërtërirë më 1821 në Irlandë nga motra Teresa Ball, e cila nga viti 1841 dërgoi motrat në Kalkutë të Indisë.

[5] Leja nga Vatikani për themelimin e rendit Misionaret e Dashurisë mbërriti në Kalkutë të Indisë më 18 gusht 1948.

[6] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 68.

[7] Shih për përkimet e mendimeve të Shën Palit me ato të Nënës Terze në librim tim Shën Pali dhe Nëna Tereze. Qasje besimit – dashurisë për Hyjin e për njeriun. “Maluka”, Tiranë 2009; botimi i dytë i plotësuar: “Sanctae Crucis”, Prishtinë 2009.

[8] José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano), 2003, f. 7..

[9] Angelo Comastri, Madre Teresa. Una goccia d’acqua pulita. Paoline. 4ª Edizione, Milano 2007, f. 29.

[10] Sipas Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano, 2003, f. 220. Shih dhe José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio, vep. e përm., f. 20.

[11] Madre Teresa di Calcutta, Il mio libro di preghiere. A cura di Francesco Follo. Mondadori, Milano, 2002, f. 445 – 446.

[12] Shih Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”. A cura di Brian Kolodiejchuk. Rizzoli, Milano 2008, f. 39 dhe f. 370.

[13] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 252.

[14] Nocionin rend këtu e përdor në kuptimin e kongregatës.

[15] Në Letrën e Shën Pali dërguar filipianëve thuhet “Po, Hyjin e kam dëshmitar se ju dua me dashurinë e Jezu Krishtit” (Fil 1, 8).

[16] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline 8° Edizione, Milano 2007, f. 105.

[17] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”., vep. e përm., f. 254

[18] Madre Teresa. La gioia di amare. 365 meditazioni quotidiane. Oscar Mondadori, ottobre 2009, 18 maggio.

[19] Cituar sipas Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 69.

[20] José Luis González – Balado, Madre Teresa. Ricordo e messaggio, vep. e përm., f. 108..

[21] Shih Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa. Traduzione di Alessandra Borgonovo e Claudia Valentini. Rizzoli. Milano, 2009, f. 23.

[22] Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”. Raccolta di preghiere. Tratti dagli scritti di Madre Teresa a cura di Padre Giuseppe Giacomelli, Editrice Shalom, 2000, f. 43.

Në librin Madre Teresa di Calcutta, La gioia di darsi agli altri. A cura di José Luis Gonzáles Balado. Oscar Mondatori, Milano 2oo7, f. 75, Nëna Tereze thotë: “Nuk përpiqemi që t’ua detyrojmë të tjerëve fenë tonë. Përpiqemi vetëm të veprojmë në atë mënyrë që Krishti ta kalojë Dritën e vet dhe Jetën e vet në ne dhe, nëpërmjet nesh, në botën e varfër. Kërkojmë të veprojmë në atë mënyrë që të varfrit, çfarëdo që të jenë besimet e tyre, duke parë, do të vërejnë afrimin drejt Krishtit… ”

[23] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 198.

[24] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 199.

[25] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 104.

[26] Eileen Egan – Kathleen Egan, Madre Teresa e le Beatitudini. Queriniana. Brescia, 2000, f. 102.

[27] Cituar sipas Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 23.

[28] Lumturimi i Nënës Terese u bë më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

[29] Madre Teresa, Sii la Mia luce. Gli scritti più intimi della “Santa di Calcutta”, vep. e përm., f. 157.

[30] Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 116.

[31] Filmi i tij dokumentar për Nënën Tereze dhe për motrat – Misionaret e Dashurisë me titull “Something Beautiful for God. Mother Teresa of Calcutta” – Të bëjmë diçka të mirë për Zotin” bashkë me librin e tij, me të njëjtin titull, shërbyen si bazë për shumë autorë që shkruan dhe botuan libra për Nënën Tereze.

[32] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 10.

[33] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 11.

[34] Mario Bertini, Sulle strade di Madre Teresa. 2° Edizione, Paoline. Milano 2003, f. 124.

[35] Marrë nga Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 165.

[36] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio, vep. e përm., f. 118.

[37] F. Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 100.

[38] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali. Città Nuova Editrice, Roma, X edizione, 2005, f. 61.

[39] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali, vep. e përm., f. 44.

[40] Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 73.

[41] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 80.

[42] Shih më gjerësisht për lutjen dhe rëndësinë që Nëna Terze i jepte asaj në studimin tim: Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze. “Fjala hyjnore”, Prishtinë 2005.

[43] Madre Teresa, Sorridere a Dio. Esperienze – preghiere spunti di riflessione. Diciannovesima edizione. San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano) 2003, f. 73.

[44] Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente., vep. e përm., f. 27.

[45] Madre Teresa di Calcutta, Il mio libro di preghiere, vep. e përm., f. 6.

[46] F. Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 78.

[47] Shih më gjerësisht për këtë në librin: Nëna Tereze, Testamenti shpirtëror. Shqipërimin nga italishtja dhe analizën Anton Nikë Berisha. “Fjala hyjnore”, Prishtinë 2008.

[48] Pos Misionaret e Dashurisë (1950) Nëna Tereze themelo dhe katër degë të tjera: Vëllezërit misionarë të Dashurisë (1966); Motrat kontemplative (1976) kushtuar lutjes dhe ndërmjetësimit për të varfrit; Vëllezërit kontempaltivë (1979) dhe Etërit misionarë të Dashurisë (1984), për t’u ofruar ndihmë dhe shërim shpirtëror motrave dhe vëllezërve misionarë të Dashurisë. Shih Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 24.

[49] Madre Teresa di Calcutta, Tu mi porti l’amore. Scritti spirituali, vep. e përm., f. 38.

[50] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi. 3° Edizione, Paoline Editoriale Libri, Milano 2003, f. 19.

[51] F. Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 164.

[52] Marrë nga “La repubblica” më 18 tetor 2003.

[53] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta. 37 Collana Campioni. Ellenici, Leumann (Torino), 1999, f. 21.

[54] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta, vep. e përm., f. 27..

[55] Joseph Langford, Il fuoco segreto di Madre Teresa, vep. e përm., f. 158 – 159.

[56] Në emër të Kongresit Amerikan këto fjalë i tha deputeti Jachson Junior më 9 qershor 1997. Cituar sipas Cristina Siccardi, Madre Teresa. Tutto iniziò nella mia terra. San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano) 2009, f. 173.

[57] José-Luis González-Balado, Madre Teresa, il sorriso degli ultimi. Città Nuova Editrice, Roma 2005, f. 190.

[58] Franca Zambonini, Madre Teresa. La mistica degli ultimi, vep.e përm., f. 116.

Tags: Anton Nik Berisha, I desha njerezit, me dashurine e Hyjit, Nena Tereze - See more at: http://gazetadielli.com/nena-tereze-i-desha-njerezit-me-dashurine-e-hyjit/#sthash.6d2ggBxz.dpuf

Kur Nënë Tereza për Shqipërinë ishte “agjente e Vatikanit”

*Për herë të parë fliste Lazër Bojaxhiu,vëllai i misionares të nderuar me çmimin Nobel për paqen, në revistën italiane “Gente”./


I Vellai: “Prej kohe e kam respektuar dëshirën për përmbajtje të Nënë Terezës” thotë, “por tani vendosa të flas: bota duhet të njohë mizorinë e regjimeve komuniste” Një artikull i revistës italiane “Gente” i vitit 1979./
1 nene-tereza-tirane
Ne Foto: Nene Tereza ne Tirane/

NENE TEREZA, IME MOTER

Lazër Bojaxhiu jeton prej tridhjetë vitesh në Palermo: u largua nga Shqipëria në kohën e fashizmit, mbas pushtimit italian dhe ka qenë i dënuar me vdekje si ‘kriminel’ nga një gjykatë në Tiranë.
“Prej kohe e kam respektuar dëshirën për përmbajtje të Nënë Terezës” thotë, “por tani vendosa të flas: bota duhet të njohë mizorinë e regjimeve komuniste” – “Megjithë ndërhyrjet e politikanëve të gjithë kombësive pranë qeverisë shqiptare nëna jonë vdiq pa mundur ta përqafojmë edhe një herë as unë e as ime motër”. “Nënë Tereza i ka falur, por është mirë që të gjithë ta njohin dramën tonë”.
nga Gaetano Salimbeni sipas bisedës me Z. Lazër Bojaxhiu në Palermo, dhjetor, 1979; botuar në GENTE – dhjetor 1979 (n. 52) dhe janar 1980 (n.1)

Ka një dramë të fshehtë në jetën e Nënë Terezës të Kalkutës, të cilën nuk e ka ditur asnjeri dhe mbi të cilën ajo nuk ka dashur të flasë kurrë. Nuk mundi të përqafojë edhe një herë nënën plakë në shtratin e vdekjes. Është një dramë që e ka jetuar në heshtje duke e ndarë vuajtjen me të vetmin njeri që i ka mbetur nga familja: me të vëllanë. Pikërisht i vëllai na e zbulon këtë.

“E di se Nënë Terezës nuk do t’i pëlqejë t’i lexojë këto gjëra nëpër gazeta”, thotë Lazër Bojaxhiu. “Ajo ka qenë gjithnjë aq e përmbajtur e madje edhe është drojtur të flasë për familjen e vet. “E ç’janë ankthet tona të vogla përpara tragjedisë së miliona qenieve njerëzore të cilët vdesin çdo ditë për bukë?” më thosh gjithnjë. Për vite të tërë ia kam respektuar këtë dëshirë përmbajtje dhe ia kanë respektuar sidomos politikanët të cilëve Nënë Tereza u fliste për nënën e saj duke u kërkuar të bënin diçka. Dhe këta ishin Kenedë-t dhe De Golë-t. Asnjeri nuk ia doli dot. Ja, shkruaje këtë: motrës të vogël e të përulur e cila u pat ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashurisë dhe solidaritet njerëzor aq shumë njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndrojë mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe kjo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar duke shtrënguar në kraharor një fotografi të vjetër të njomur me lotë. Shkruaje: kështu vdesin në një vend komunist, në Shqipëri”.
Lazër Bojaxhiu, qytetar shqiptar, 71 vjeç jeton prej tridhjet vitesh në Palermo, ku është drejtor i degës siçiliane tënjë enti farmaceutik. Është refugjat politik. La Shqipërinë nën fashizëm mbas pushtimit italian dhe ishte oficer në ushtrinë italiane. Një gjykatë e Tiranës e ka dënuar me vdekje si ‘kriminel’; pra në se kthehet – e vrasin. Nëna e tij vdiq në Tiranë më 1974. Ishte 83 vjeç.

E fshehta e tmerrshme

“Dua së pari të sqaroj një pikë” thotë vëllai i Nënë Terezës. “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë si shkruajnë nga pak gjithë gazetat e botës. Keqkuptimi ka ardhur nga që Shkupi, qyteti ku jemi lindur, më parë ishte shqiptar dhe pastaj i kaloi Jugosllavisë. Po ne të gjithë vazhdojmë të flasim shqip dhe motra ime (e cila di edhe anglisht dhe pak frëngjisht) letrat m’i shkruan shqip.”

“Andrallat për familjen tonë”, kujton Zoti Lazër “filluan pikërisht nga kjo luftë mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë për zotërimin e Kosovës, krahinës ku ndodhet Shkupi dhe që nga sipërfaqja është më e madhe se gjithë Shqipëria e sotme. Babai ynë Nikoll Bojaxhiu, i cili ishte tregtar i kamur dhe kishte edhe një sipërmarrje ndërtimi (pat ndërtuar teatrin e parë në Shkup), ishte i angazhuar edhe politikisht: kuptohet, përpiqej për të drejtat e popullsisë së Kosovës, e cila ndjehej dhe dëshëronte të mbetej shqiptare. Është e qartë se kur erdhën jugosllavët iu desh të vuante gjithë llojet e shpagimit dhe hakmarrje. Vdiq i helmuar më 1919, gati 46 vjeç. Dhe është e qartë, edhe pse nuk thuhet në asnjë çertefikatë mjekësore, u helmua nga jugosllavët”.

Më 1919, vitin e vdekjes së Nikoll Bojaxhiut, e ardhëshmja motër Tereza (emri i pagëzimit të së cilës është Gonxhe, përkthyer italisht Agnese – Anjeze) ishte 9 vjeç me që pat lindur më 27 gusht 1910;
Lazri, vëllai ishte 11 vjeç dhe 13 vjeç motra e madhe Agata (vdekur më 1976, dy vjet mbas së ëmës, edhe ajo e vetme dhe e dëshpëruar). Është pikërisht kjo drama të cilën motër Tereza e jetoi në heshtje për shumë vite: vdekja e nënës dhe motrës.

Lazër Bojaxhiu nuk do të dëshironte të shtonte gjë tjetër asaj që pat thënë: “E di se po hap një plagë ende të pambyllur në zemrën e Nënë Terezës dhe që do të mund të mbyllet me vështirësi, por është e nevojshme që njerëzit ta dinë si është vdekja në këtë vend. Në se vendosa ta zbuloj të fshehtën e tmerrshme (mund ta kisha bërë qysh në Oslo gjatë ceremonisë të dorëzimit të çmimit Nobel nënë Terezës), e bëj veç për këtë: dëshëroj që popujt e gjithë botës t’i hapin mirë sytë”.
Të kallura në dhe të gjalla

Quhej Drande (emër luleje – drandofile) nëna e Agatës, Lazrit e Gonxhe Bojaxhiut. “Ish një grua me karakter të jashtëzakonshëm”, kujton i biri. “Shkatrrimi ekonomik që pësuam mbas vdekjes së babait nuk e ligështoi. Nuk mundi të rifillojë veprimtarinë e dëmtuar, por filloi menjëherë një veprimtari tregtare me mjaft t’ardhura: atë të qilimave, qëndisjeve dhe prodhimeve të tjera të artizanatit vendas, që lulëzonte në gjithë vendin. Fundja, u bë nënë e babë bashkë. Dhe këtë punë vazhdoi ta bëjë për shumë vite, sa kohë që familjes iu desh puna e saj. Pastaj lufta (lufta e dytë botërore), shkatrrimi i dytë. Nga Shkupi nëna dhe motra që tashmë kishin mbetur vetëm, mbasi Goxhja ishte tashmë në Indi dhe unë në Itali, u shpërngulën në Tiranë. Dhe atje, me ardhjen në fuqi të komunistëve mbetën “të kallura në dhe të gjalla”. Kufijtë u mbyllën pa asnjë mundësi komunikimi me ne për të paktën dhjetë vjet. Pastaj, më në fund, një shenjë jete me një letër e cila më mbrriti në Itali, në Palermo. Iu përgjigja, ju dhashë lajme për mua e për Nënë Terezën. Ishte gjë e madhe që po mund të komunikonim. Ato na shkruan përsëri. Por egjimi komunist i Tiranës nuk toleron t’u shkruash më shumë se një letër në muaj të dashurve të tu që ndodhen jashtë shtetit dhe përveç kësaj, letrat si në dërgim ashtu edhe në mbrritje duhet të kalojnë nëpërmjet censurës së Shtetit”.

Nënë Tereza (kështu e quan i vëllai apo thjesht “nëna”) i pati hedhur ndërkohë themelet e asaj që do të shndrrohej në “organizatën ndihmëtare më frytdhënëse në botë”. Vetëm me forcën e saj të madhe që ish forca e dashurisë. “Përballë kësaj motre të përulur me zemër aq të madhe”, pat thënë Indira Gandi, “të gjithë ndjehemi të vegjël e të turpëruar nga vetja jonë”. Tashmë Nënë Terezës i hapeshin gjithë dyert: Kenedi, De Goli, mbreti Gustav Adolf i Suedisë, ishin jo vetëm përkrahës të veprës, por edhe miq të saj. Dhe atyre Nënë Tereza mundi t’u drejtohet për t’u kërkuar t’i shkëpusë motrën dhe të ëmën nga një rregjim i pamëshirshëm, i cili ua bënte të dëshpëruar vetminë.

“U takuam në Romë më 1960” kujton Lazër Bojaxhiu. “Nënë Tereza kthehej nga Shtetet e Bashkuara dhe unë që nuk e shihja prej kaq vitesh pata dëshirë të shkoj e ta përshëndosh në aeroport duke u përzier me turmën e vogël të motrave që po e prisnin. U përqafuam gjatë-gjatë, me dashuri, po askush nuk na njohu për vëlla e motër: ajo aq e vogël dhe e hajthme, unë të paktën dyfish i gjatë. Me mua ishin edhe ime shoqe dhe ime bijë që nuk e kishin takuar asnjëherë.

“I thashë: “Nënë, duhet të bëjmë një gjë për këto gra të mjera që rrojnë aty në Shqipëri”. M’u përgjegj: “Ki besim, tani diç mund të bëj. Kam shumë miq në gjithë botën që mund të më ndihmojnë”.

“Ndenjëm katër ditë në Romë” kujton përsëri i vëllai. “Unë në hotel, ajo në kolegjin e motrave. Rrinim bashkë disa orë në ditë, hanim drekë në hotel dhe një herë edhe në kolegjin ku qëndronte. Ajo kish shumë punë, takime në çfarëdo orë. Nuk arrita të kuptoj kurrë ku e kishte aq forcë një grua e vogël me pamje aq të brishtë. Ajo thosh gjithnjë: “E kam nga Zoti këtë forcë”. I ktheheshim bisedës për nënën. Shkruajtëm bashkë nga Roma. “Shiko se do t’ia dalim ta nxjerrim nga Shqipëria”, vazhdonte të më siguronte. Dhe unë mendoja si do t’u përgatisja një qoshe në shtëpinë time në Palermo, ku mund të vendoseshin e të jetonin më në fund të qeta. Në Palermo Nënë Tereza do të mund t’i takonte shumë lehtë.

Gënjeshtër

“Kaluan vite, u takuam edhe herë të tjera, përsëritëm të njejtat biseda, ndërsa letrat që vinin nga Shqipëria kishin gjithnjë e më shumë ankth. “Dua t’u shoh përpara se të vdes: është e vetmja lutje që i bëj të madhit Zot”, shkruante nëna. “Në jetë”, më thoshte më pas Nënë Tereza në një nga takimet tona, “kam arritur gjithë ç’kam dashur vetëm me forcën e dashurisë; por ama ka pengesa të cilat mjerisht dashuria nuk arrin ende t’i kapërxejë”. E hidhte fjalën tek përpjekiet e bëra nga Kenedi, nga De Goli, nga mbreti Gustav Adolf i Suedisë, të cilat dolën të kota.

“Di se në veçanti ministri i atëherëshëm i jashtëm francez Kuv dë Myrvil pat bërë hapa konkrete ndaj kolegut të vet të Tiranës: Shqipëria, asohere aleate e Kinës, synonte të hapej me drojtje ndaj Perëndimit dhe qeveria frënge dukej e prirur për të filluar dialogun. A nuk ishte pra rasti më i mirë për të zgjidhur çështjen e nënës dhe motrës të motër Terezës!

“Por as kësaj here nuk u arrit ndonjë gjë. Ministri i jashtëm frëng pati këtë përgjigje nga kolegu i tij shqiptar: “Zonjat Drande dhe Agata Bojaxhiu nuk janë në gjendje fizike që lejon një udhëtim jashtë shtetit”1). Ishte gënjeshtër. Nëna dhe motra nuk ishin të sëmura, nuk kishin rënë në shtrat. E vetmja sëmundje e tyre ishte vetmia, dëshpërimi. Dhe vdiqën të dyja të dëshpëruara: nëna më 1974, motra Agata pas dy vitesh”.

Të dish të falësh

Kujtime të tmerrëshme, të cilat na u shfaqën në mënyrë dramatike edhe në mbrëmjen e ceremonisë për dorëzimin e Nobel-it në pallatin e madh të Stokholmit. “Isha gati duke i nxjerrë në shesh të gjit ha me gazetarët”, thotë Lazër Bojaxhiu. “U bllokova nga buzëqeshja e Nënë Terezës. Ajo është gjithnjë e prirur ndaj faljes dhe i tashmë i ka falur”.

Ju buzëqeshi të gjithëve motra e përulur, e cila as në ceremoninë zyrtare nuk hoqi dorë nga nga sari i saj i bardhë prej pambuku me anë ngjyrë qielli, kapur në supe me një kryq. I buzëqeshi mbretit të ri të Suedisë (nip i mikut të saj të madh Gustav Adolf), u buzëqeshi dinjitarëve të Oborrit, anëtarëve të Akademisë, duke i falenderuar për nderin e madh që i patën bërë. “E di mirë” e saktësoi “se ky nuk është çmim për mua, se gjithë këto miliona nuk di fare ç’t’i bëj, meqë gjithnjë kam jetuar në varfëri, po është për punën time, dhe për punën time këto miliona nuk mjaftojnë. Sidoqoftë unë do t’i shpenzoj shpejt, i kam bërë tashmë programet; e di se të tjera do të vijnë nga gjithë bota”.
Nuk pranoi as drekën zyrtare. “Paratë që keni shpenzuar për darkë, në se doni, mund t’ua jepni fëmijëve të mij”. Ia dhanë. Dhe doli nga skena buzëqeshur, si pati hyrë. Vëllait (dhe mbesës që e shoqëronte) para se të ndahen i tha: “Dashuria, kujtoje, do të thotë edhe, dhe mbi të gjitha, të dish të falësh”.

Kur ime motër ishte 18 vjeç

“Nënë Tereza”, thotë i vëllai Lazër “i ka falur vrasësit e prindërve tanë, ndërsa unë nuk di në se do të mund t’i fal ndonjëherë. Ajo ka forcën e madhe të dashurisë që e mban, në saje të së cilës ka kapërxyer aq shumë çaste të vështira dhe fituar aq shumë beteja. “Të duash, kujtoje mirë o vëllai im” më thosh gjithnjë “ do të thotë edhe të dish të falësh”. Ma tha edhe mbrëmjen kur i dhanë Çmimin Nobel në Stokholm dhe unë pyes veten në se do të mund ta kem atë forcë. Do t’i kërkoj ndihmë asaj në se do që edhe unë t’i fal…”

Për Nënë Terezën e Kalkutës janë shkruar shumë libra: për punën që bën sot e 40 vjet “në mes të më të varfërve të të varfërve të botës”; për shtëpitë që ka hapur, të cilat nga Italia u shtrinë në gjithë kontinentet, për fjalimet që mban, letrat, meditimet, mësimet. Por ne kemi ditur shumë pak për jetën e saj. “Nënë Terezës nuk i pëlqen të flasin për të” kanë thënë gjithnjë biografët. “M’u lut të mos bëj asgjë që do të përfundonte si biografi”, ka shkruar englezi Malkolm Magerixh (Malcolm Muggeridge) në parathënien e librit Një gjë të bukur për Zotin.

Jeta e Krishtit

Askush nuk ka cekur ndonjëherë “të vërtetat e tmerrshme” të cilat Nënë Tereza i ka ruajtur në zemrën e vet për kohë të gjatë, duke vuajtur në heshtje: vdekja tronditëse e babait, i helmuar nga jugosllavët dhe fundi i dëshpëruar i nënës të cilën rregjimi komunist shqiptar nuk e lejoi të përqafonte bijtë para vdekjes. Për këtë për herë të parë foli i vëllai për revistën tonë. Dhe tani për shumë biografë do të jetë mbase më e vështirë të kuptojnë ku e gjen forcën e vet kjo “motër e jashtëzakonshme e vogël e cila është zhytur aq shumë në tiparet e të përbashkëta të njerëzimit sa që është identifikuar me vuajtjen njerëzore”.

“Sipas meje bota sot është e pështjelluar dhe vuan shumë”, ka thënë shumë herë Nënë Tereza duke iu folur misionareve të dashurisë, urdhër i krijuar prej saj më 1950 “sepse në vatrat e shtëpive dhe në jetën e familjes ka me të vërtet pak dashuri. Nuk kemi kohë për fëmijët, nuk kemi kohë për njëri tjetrin, nuk kemi kohë as t’i gëzohemi njëri tjetrit. Mendoj se në se do të mundnim veç t’i sillnim përsëri në jetën përditëshme atë jetë që bënin Krishti, Maria dhe Josifi në Nazaret, në se do t’i bënim shtëpitë të tona tjetër Nazaret, në botë do të mbretëronin dashuria dhe gëzimi…”.

Nazareti i Nënë Terezës ish Shkupi, një qytezë e krahinës shqiptare të Kosovës, e cila i kaloi Jugosllavisë më 1909, pak para se ajo të vinte në jetë. Në familjen e saj kish dashuri dhe gëzim e jo varfëri Nazareti. Babai, Nikoll Bojaxhiu, ishte tregtar i kamur lënde ndërtimi; nëna, e cila quhej Drande (emër lule në Shqipëri), vinte edhe ajo nga një familje në gjendje të mirë: Agi (italisht Agata), e madhja; Lazër, i vetmi mashkull dhe Gonxhe (italisht Agnese), e ardhmja Nënë Terezë. Gonxhja lindi më 27 gusht 1910, vëllai më 1908, motra më 1906.

Të shtatë jetimët

“Një familje jashtëzakonish e lumtur”, kujton Nënë Tereza. “Unë nuk mund ta harroj nënën time. Zakonisht ishte gjithnjë shumë e zënë me punë, tërë ditën. Po kur afrohej mbrëmja kish zakon të kryente me ngut punët për të qenë gati të presë tim atë. Atëhere nuk kuptonim dhe qeshnim e madje edhe bënim pak hoka. Sot nuk mund të mos sjell nëpërmend butësinë e dashurisë që ndjente për të ime ëmë: sido që të bëhej ajo ishte gjithnjë gati për ta pritur buzagas… Ishte një grua e dashuruar, shumë bujare, me parime të shëndosha katolike…”

Shkupi atëhere ishte shumica musulman; kishte shumë ortodoksë: shumë të pakët katolikët. “Ne” tregon Lazër Bojaxhiu “ishim ndër të paktët katolikë të qytetit. Ishte një kishëz dy hapa nga shtëpia jonë: nëna na çonte në meshë që të tre, gati përditë në mëngjes në orën kur babai dilte për të shkuar në punë. Dhe në mbrëmje, sapo errej, mblidheshim të gjithë në sallonin e madh ku rrinim dhe thoshim ruzaret2) me të. Shpesh kish edhe të afërm që i prisnim në një shtëpi tjetër, ë cilën e ndante nga e jona një kopësht i madhme shumë lule dhe pemë. Edhe miqtë tanë, të përpiktë, vinin çdo mbrëmje për të thënë ruzaret me ne.

“Dhe nëna, me gjithë punët e shtëpisë, gjente kohë edhe për të shkuar e vizituar të sëmurët në qytet, për t’u çuar veshje të varfërve. Shpesh shkonim edhe ne fëmijët. “Ju jeni me fat” na thosh gjithnjë nëna: “keni shtëpi të bukur, bukë e veshje, po nuk duhet të harroni se ka shumë njerëz që vuajnë për bukë dhe fëmijë që nuk kanë me se të vishen dhe kur sëmuren nuk kanë as barna për t’u mjekuar”.
“Gonxhja”, vazhdon më tej tregimi i vëllait “nuk linte t’i ikte as edhe një nga këto vizita ditore. Ishte një grua e varfër e ve që rronte me shtatë bijtë e saj, gati të gjithë të vegjël, në një dhomë të errët e të ndyrë dhe ishte e sëmurë rëndë. Ne fëmijëve na ndahej zemra më dysh kur i shihnim të gjithë atje, grumbull mbi një shtrat të vetëm të madh, që ish një lloj shtroje mbulesash të lerosura e të ronitur. Veç një dhomë për tetë krijesa me një birucë për guzhinë dhe madje pa banjë, ndërsa ne kishim sejcili dhomëzën e vet të bukur, madje kishim edhe vaskë banje me ujë që vinte drejtpërdrejt nga rubineti (gjë e rallë atëhere për Shkupin). Gonxhja, kur dilte nga shkolla, shkonte gjithnjë tek këta fëmijë të varfër para se të vinte në shtëpi dhe kthehej mbasdite për të ngrënë zemër me ta: kuptohet se zemrën e çonte ajo. Kur më pas kjo e gjorë vdiq, më kujtohet se të shtatë fëmijët rronin në të vërtet në shtëpinë tonë”.

Jeta ime e re

Po edhe për Bojaxhijtë erdhën ditë të trishtme. Fërkimet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë mbas kalimit të krahinës së Kosovës në Jugosllavi nuk pushonin. “Im atë, i cili merrej edhe me politikë”, tregon vëllai i Nënë Terezës “i pat mbrojtur pa u tundur të drejtat e kësaj krahine shqiptare për të mbetur e bashkuar me vendin amë, por më pas iu pat dashur të dorëzohet përballë trupave të Beogradit dhe shpagimeve e hakmarrjeve të padronëve të rinj. Sipërmarrja e tij falimentoi, familja jonë filloi të vuajë dhe më në fund jugosllavët e vranë duke e helmuar. Një mbrëmje babai u kthye në shtëpi dhe e kapën dhimbje therëse. E shtruan në spital, po nuk patën s’t’i bënin. Vdiq mbas pak orësh.” Ishte viti 1919. Nikoll Bojaxhiu ishte gati 46 vjeç. Të tre fëmijët ishin 13, 11 e 9 vjeç. Ishte nëna ajo që i shpëtoi nga varfëria duke filluar një tregti qilimash, qëndizmash dhe të prodhimeve të tjera të artizanatit të vendit.

“Gjithë ne fëmijët” kujton Lazër Bojaxhiui, “jepnim një dorë, por pa lënë mbas mësimet. Shkonim mjaft mirë në shkollë. Të tre ndiqnim shkolla jo katolike, por Gonxhja kalonte një pjesë të madhe të kohës së lirë në famulli, të cilën e drejtonin jezuitët”.

Si e kujton vëllai Gonxhen e këtyre viteve? “Kujtoj shumë mirë” thotë Zoti Bojaxhiu “për Gonxhen nëntë vjeç. Ishte bufe dhe e rrumbull, e shëndetëshme, e rregullt, e arësyeshme, madje tepër serioze për moshën e vet. Ishte e vetmja nga të tre që nuk merrte fshehtaz marmelatë. Po ndonjëherë, siç ish e mirë dhe bujare, më në fund më ndihmonte, sepse i vetëm nuk ia dilja dot të ngreja kapakun e enës së madhe të vendosur lart mbi një murin në dhomën e bukës. Unë isha grykës i madh marmelate dhe ëmbëlsirash. Shpesh ngrihesha edhe natën për të llupur ndonjë gjë dhe ajo m’i ndjente hapat në korridor e vinte e gjente në guzhinë apo në dhomën e bukës dhe më kujtonte se mbas mesnate nuk duhej as të pija dhe as të haja ndonjë gjë sepse të nesërmen në mëngjes duhet të kungoheshim. Asohere ishte i detyruar agjërimi i plotë, i cili u hoq

veç para pak kohe. Unë, të them të drejtën nuk u kushtoja rëndësi këtyre rregullave, por ajo trishtohej. “Krishti”, më thoshte shpesh, “duhet pritur me nderim të madh dhe duhet të përgatitemi ta presim me dinjitet, edhe duke bërë sakrifica”. Unë bëja sikur e dëgjoja, po edhe natën e mëpasme shkoja përsëri në guzhinë. Por duhet ta them se nuk më tradhëtoi asnjëherë. Më donte me gjithë shpirt, edhe se disa herë i sillja telashe. Kujtoj se kur nëna na jepte urdhër ne fëmijëve të pastronim këpucët dhe unë nuk doja, vetë ajo pastronte edhe të miat”.

Si i lindi thirrja për misionare? E kujton vetë Nënë Tereza në shkrimet e saja: “S’di të them në se në pjekjen e thirrjes sime ka pasur më shumë ndikim shembulli i nënës sime dhe dashuria e saj për të varfërit apo prania ime e parreshtur në famullinë e jezuitëve. Është e sigurt se mendimet e para më erdhën kur sapo pata mbushur dymbëdhjetë vjeç. Por ama nuk fola me njeri. Vazhdova të studioj dhe përfundova liceun. Dhe kur isha tetëmbëdhjetë vjeç ia thashë të gjitha nënës. “Në se ky është vullneti i Zotit’, më tha kjo grua shenjtore “unë nuk do të kundërshtoj”. Ishte një jezuit në Shkup që më foli për herë të parë për Kongregacionin irlandez të “Abacisë së Loretos” që e kish qendrën në Rathfarnham, pranë Dublinit. Pra u nisa për Irlandë. Ishte 28 nëntor 1928 dhe prej tri muajsh kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeç. Veç një vit më pas isha në Indi”.

Rishtare në Darjeeling, pranë Kalkutës, Goxhe Bojaxhiu përmbush kushtet dhe dërgohet të japë mësim në “Shkollën e Mesme të Shën Marisë” të Kalkutës. Tashmë është motër Tereza. “Është jeta ime e re” i shkruan e lumtur nënës. “Kolegji ynë është i shkëlqyer, në mes të një kopështi shumë të madh, mes vllajash me lule, pemë e shatërvane me currila uji. Më pëlqen të jap mësim. Kam këtu përgjegjësinë e një shkolle të tërë dhe aq shumë vajza, të cilat më duan shumë. Më vjen keq se nuk jam me ju. Po edhe ti shumë e dashur nënë duhet të jesh e lumtur: Gonxhja jote e vogël është e lumtur”.

Shumë shpejt do të heqë dorë nga ky oaz paqe. “Duke udhëtuar një ditë me tren dhe duke dalë pastaj në mbrëmje nëpër rrugët e Kalkutës”, do t’i shkruajë një ditë nënës “u kujtova se thirrja ime e vërtetë ishte t’u shërbej të varfërve. Një mbrëmje eca gjatë. Eca pa u ndalur fare derisa nuk mundja më. Atëhere kuptova më mirë se deri në çfarë shkalle raskapitje duhet të mbrrijnë ata që janë me të vërtetë të varfër, gjithnjë në kërkim të pak ushqimi, barnash, çdo gjëje… Kujtimi i qetësisë materiale që gëzoja në Kuvendin e motrave të Loretos m’u shfaq para sysh si tundim. U ndjeva e pafuqishme ndaj thirrjes së re. Krishti më donte atje. Dhe nuk pata mëdyshje ta ndjek vullnetin e tij”.

Do të kalojnë shumë vite përpara se Nënë Tereza të mund t’i kushtohet krejtësisht e pavarur thirrjes së re dhe përfundimtare. Leja për të lënë Urdhërin e Motrave të Zonjës Tonë të Loretos i mbrriti nga Roma vetëm më 8 gusht 1948. Më 21 dhjetor të po këtij viti hapet shkolla e parë e saj në rrethinat e Kalkutës; mbas një viti Qendra e parë e grumbullimit të njerëzve që ndodheshin në prag vdekjes në një papafingo të dhuruar nga një zonjë europiane e cila jetonte atje; dhe më 7 tetor 1950 themelon Kongregacionin e ri të “Misionareve të Dashurisë”, i cili vetëm mbas 15 vjetësh, më 1965 do të ketë miratimin papnor.

Letrat e saj

Po sidoqoftë, për të filluar punë Nënë Tereza nuk pret miratimin papnor. “E kam shtëpinë time të re” i shkruan nënës më 1950 “dhe është shtëpia e të varfërve: jo e të varfërve, por e atyre më të varfër ndër të varfërit; e atyre të cilëve njerëzit nuk duan t’u aviten nga frika e ngjitjes së sëmundjeve dhe erës së zhulit, nga që janëtë mbuluar me mikrobe dhe insekte; e atyre që nuk shkojnë të luten, mbasi nuk mund të dalin nga shtëpia të zhveshur; që nuk hanë, mbasi nuk kanë më forcë të hanë, që rrëzohen rrugëve, edhe pse e diinë se po vdesin, dhe përbri të cilëve të gjallët ecin pa ju kushtuar vëmendje: e atyre që nuk qajnë më, se nuk kanë më lotë”.

Gëzimi kushtimit ndaj të tjerëve është titulli i një libri shkruar nga një spanjoll, ku janë përmbledhur fjalimet, meditimet, mësimet e kësaj motre të përulur dhe të vogël, e cila mahniti dhe mallëngjeu gjithë botën me përkushtimin e saj, me dashurinë e saj për të varfërit, me vrrull jetësor të jashtëzakonëshëm (“Ma ka falë Zoti forcën”, thotë), që fshihen pas pamjes jashtësore të një karakteri në dukje të brishtë e të pambrojtur. Por pjesë të meditimeve të saj i gjejmë edhe në letrat që Nënë Tereza u ka shkruar njerëzve të familjes.

Ja disa nga më domethënëset: “Pa vuajtje puna jonë do të ishte një veprimtari shoqërore, një veprimtari shumë e mirë dhe e dobishme, po nuk do të ishte punë e Krishtit. Ne duhet të shelbojmë jo vetëm varfërinë materiale, po edhe mjerimin shpirtëror. Dhe duhet ta marrim parasysh sepse vetëm duke u bashkuar fort me të varfërit mund t’i shelbojmë, duke futur Zotin në jetën e tyre, duke i bartur e çuar ndaj Zotit…”.

“Dashuria është arma jonë: dashuri për të gërbulurit, për pleqtë, për ata në prag të vdekjes, për të paralizuarit: për ata që nuk kanë asgjë dhe që nuk duhen nga asnjeri…”.

“Krishti nuk do të na pyesë çfar kemi bërë, por me sa dashuri i kemi bërë veprimet tona…”.
“Ka barna dhe mjekime për çfarëdolloj sëmundje. Por nuk ka duar të mira që t’u shërbejnë dhe zemra bujare që të dashurojnë dhe nuk besoj se do të mund të mjekohet ndonjëherë sëmundja e tmerrshme e të mos ndjerit të dashur nga dikush..”.

“Sot më duket se të gjithë kemi rënë pre e një furie të tmerrëshme, stërmundohen për të arritur synime gjithnjë e më të larta dhe për të grumbulluar pasuri gjithnjë e më të mëdha dhe gjëra të tjera. Fëmijët kanë pak kohë t’u kushtojnë prindërve dhe prindërit kanë pak kohë t’i kushtojnë njeri tjetrit me pasojë që në familje zhduket gëzimi për të jetuar…”.

“Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftra. Nuk do t’ia dalim dot t’i mposhtim urrejtjen dhe luftrat me pushkë dhe as me bomba, dhe as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t’ia dalim mb’anë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqe vëllazërimi”.

“Herët e para kur më jepnin çmime mbeta shumë e habitur. Nuk dija t’i pranoja apo jo. Por mbrrita në përfundim se duhet t’i pranoja çmimet në emër të më të varfërve të të varfërve si nderim ndaj të varfërve”.

Në se do të duhet të meditosh gjatë mbi këto fraza të diktuara nga zemra e një motre të vogël e të përulur e cila pesëdhjet vjet më parë e la familjen e vet për të krijuar një tjetër edhe më të madhe, atë të miliona qenieve njerëzore të cilët bota nuk i pranon, të cilët rrëxohen përdhe, vdesin rrugëve dhe njerëzit që kalojnë as që ndalen për t’u hedhur sytë.


Përgatiti Pandeli Pasko Kuteli

Botuar fillimisht në “Bota Shqiptare” – Gazeta e Shqiptarëve në Itali

- See more at: http://gazetadielli.com/kur-nene-tereza-per-shqiperine-ishte-agjente-e-vatikanit/#sthash.SJBIHej5.dpuf

DON NIKOLLË GAZULLI (1893 – 1946)

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e VI.

70 VJETORI I VRASJES PABESISHT
TË DIJETARIT DON NIKOLLË GAZULLI

1 Nikolle Gazulli


DON NIKOLLË GAZULLI
(1893 – 1946)

■“... Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” - vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 - 1990” fq. 36, 1993.
Aty ku u lé Besa dhe Burrnia, tash 70 vjet po mbretnon tradhëtia!
■Kush ishte Ky Burrë që as nuk i tutej syni nga bishat antishqiptare?! – Shikoni foton!
Asht i Fisit shekullor të Gazullorëve. Asht lé me 1893 në Dajç të Zadrimës. Gjimnazin e ka perfundue në ata thëmele ku qeveria jugosllave porositë mikun e vet gjinokastrit, që sa maparë “me e shkatrrue me kulm e temel atë çerdhe”... Studimet e nalta i vazhdoi në Insbruck dhe Tirol per filozofi dhe teologji. Në 1917 shugurohet në Romë. Vjen në Atdhe dhe i kushtohet prirjes së vet në lamen e gjuhësisë, ku mbetë shkenctar i vertetë. Koha e prodhimtarisë asht shumë e shkurtë tue dijtë se edhe në 1927, u dënue kater vjetë burg nga Ahmet Zogu, pikrisht kur vari vllaun e Tij Don Gjon Gazullin, në 1927 në Shkoder.
Asht e vertetë se “Malësorët e Veriut në 2000 vjetë nuk e ndrruen Fenë Katolike”, po si e ruejtën dhe me sa gjak i lane Ata shkambijë e shpella, ku në dy gjunjë nder shtroje e mbuloje kashtet luteshin para Kryqit dhe betoheshin per “Besë, Burrni e Bujari”, ndaj mikut dhe shokut, ate e dijnë vetem Ata shkrepa, ku asht daltue historia e Atyne Viseve!
■Pabesia e “çlirimtarëve” të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe Mehmet Shehut ndaj Veriut, sot duhet zanë vendin kryesor në faqet e historisë, dhe duhet ti bahet e kjartë kryesisht Rinisë Shqiptare, se “çlirimtarët” zhytën Shqipninë e Gjergj Kastriotit në vitin 1944 nën thundrat gjakatare të sllavokomunistëve jugosllavë, grekë dhe bolshevikë stalinistë.
■Kur nder krahinat e Berdicës vazhdonte qendresa antikomuniste në Dhjetor të 1944, mbas Taraboshit ishin të rreshtuem formacionet jugosllave me shtypë rezistencën...
■Kur krimineli Mehmet Shehu nuk ia doli me thye priten e Prekë Calit, tradhëtisht i ra mbas shpine nga krahinat e pushtueme prej forcave jugosllave, të cilat morën pjesë në luftën kunder Malësorëve të Kelmendit perkrah “çlirimtarëve” tradhëtarë të M. Shehut, dhe mbasi vrane 118 Burra të Malësisë, i hollën nder lumej e prroska...
■Pandi Kristo pohon: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë!” Lista e kriminelëve vrastarë asht ajo që ka dekorue kryeministri Rama.
■Po, per Klerikët Katolik kishte ndonjë “urdhër sekret” nga E.Hoxha? – Edhe ajo asht e ruejtun pranë arkivit të “Seksionit Katolik në Degen e Mbrendshme të Shkodres”...
■Shikoni arkivin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit)... Mbrenda të cilit vepronte Seksioni Katolik. Jugosllavët kishin Seksionin nr. 2, ku ishte prezent referenti per Klerin Katolik Shqiptat. Këta seksione sllavokomuniste kishin një qellim të perbashkët: Zbatimin e Gjenocidit kunder Klerit Katolik Shqiptar, shkatrrimin me kulm e thëmel të çerdhes Françeskane, dhe shfarosjen e inteligjencës katolike, të përgatitun nder universitetet Europjano Perëndimore. Eksperienca jugosllave dhe greke me Popullsinë Shqiptare nder shekuj, per zhdukjen e Saj graduale do të zbatohej nga të gjitha palët e interesueme me mjetet ma barbare, simbas porosive të referentëve...që aso kohe ishin shpernda nder të gjitha fshatrat e Malësisë, mbrenda brigadave të Ndjekjes.
■Rradhen e kishte Don Nikoll Gazulli, Prifti i Shkrelit, shkenctar dhe Klerik i njohun në rrethet intelektuale Europjane. Referenti jugosllav përgatiti terrenin per vrasjen e Don Nikollit, me anën e “malësorëve kapadai”, tue ua mbushë kokat boshe me biseda dhe shpifje kunder Priftit, i cili “edhe mund të vritet nga fshatarët e vet, kur Ai tradhëton Atdheun e Fenë.” Këte referenti e kishte lexue nder libra sekrete fetare Ortodokse. Per me u “sigurue” malësori shkon dhe takon At Konrrad Gjolaj në Kuvendin e Fretenve në Shkoder, dhe sigurohet se, ashtu asht kur “tradhëtia e Priftit vertetohet botnisht...”
■Me daten 23 Mars 1946, i papajtueshmi Don Nikoll Gazulli me pushtetin komunist në Shqipni, gjindet i vramë në Rrencë – Suka të Vrithit, dhe varroset në Sterkujë me urdhen të dy prej kriminelëve ma të urryem nga krahinat e Maleve të Veriut, Zoji Thëmeli kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodres, dhe toger Baba i Koplikut...
■Emni i vrasësit mbeti “sekret Rrëfimi” i pashkruem në librin e At Gjolaj “Çinarët”.
■Deri në vitin 1990 pak kush e ka njoh dijetarin Don Nikoll Gazulli, autor i veprave të mëdha “Fjalorthi Toponomastik”, “Fjalorthi i Ri”, “Fjalorthi i fjalëve të rralla të Malësisë Veriore”, punimeve të botueme në “Hylli i Dritës” me pseudonim “Gelasius”, dhe sa Veprave të tjera, të cilat nuk mund ta dijmë se sa nuk janë plaçkitë... ashtusi veprat e At Justin Rrotës, At Donat Kurtit, Don Aleksander Sirdanit etj.., në këta 70 vjetë!
***
■Sot né perkujtojmë 70 vjetorin e kësaj vrasje të pabesë të Don Nikoll Gazullit!
■Kultura Shqiptare pa Këta Kolosë, që vune thëmelet dhe kulmin e Asaj binaje që thirret Shqipni, vetem vyshket... Po, Gjaku i Tyne i shkuem rrëkajë per “Atdhé e Fé”, do ti vadisin per mos me vdekë kurrma!
■Jo heshtje! Shqiptarë...
Asnjeni prej Tyne Gegënishten e bukur të daltueme në shkam nuk e ka marrë me vete!
■Asht Gjuha e Atyne Maleve që nuk shuhen as, sheshohen, dhe as thërmohen kurrë!  
            Vazhdon Pjesa e VII...
Melbourne, 22 Mars 2016.


SHQIPTARËT NË SIRI: ASAD PO NA VRET, NA SHKATËRROI SHTËPITË*

Shqiptarët në Siri: Asad po na vret, na shkatërroi shtëpitë



(Reportazh) DAMASK -

Nga Siria çdo ditë vijnë lajme për luftime të ashpra mes forcave të Ushtrisë së Lirë Siriane (kryengritëse të çlirimit të Sirisë) dhe forcave të regjimit të Asad. Luftimet vazhdojnë në kryeqytet, por dhe në Haleb, (në anglisht njihet si Aleppo, por në shqip thuhet Haleb) qytetin e dytë më të madh në Siri pas Damaskut.

Çdo ditë vijnë lajme për shpërthime, ndërkohë që për 17 muaj, që nga fillimi i revoltës popullore kundër regjimit, raportohen të kenë humbur jetën mbi 17 mijë vetë (kjo është shifra e fundit të cilës i referohet CNN), ndërsa 150 mijë të tjerë janë detyruar të largohen për t’u strehuar në shtetet fqinje, përfshi dhe Turqinë e cila ka pritur deri tani 50 mijë refugjatë.

 Mes të vdekurve apo të tjerëve që janë detyruar të braktisin shtëpitë në Siri ka edhe shumë familje shqiptare (të njohur si Arnautë). Në fakt, ata kanë shumë, shumë vite që jetojnë atje, kryesisht që nga koha e Shtetit Osman.



(Xhamia Arnaut në Damask e shkatërruar nga shpërthimet)


Ata tashmë janë integruar dhe kanë pasaportë siriane, e megjithatë nuk e kanë harruar origjinën e tyre, bile ka prej tyre që dinë të flasin dhe shqip. Ermal Bega, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), në Tiranë, i cili ka njohuri dhe ka kontakte personale me shumë shqiptarë të Sirisë na tregon se viktima e parë me origjinë shqiptare që humbi jetën qysh se shpërtheu rebelimi popullor ishte Ubejde Arnaut, më 4 qershor 2011.

Ndërsa para pak javësh Munir dhe Behlul Arnauti (të dy me origjinë shqiptare nga Kosova) humbën jetën pasi u vranë nga forcat e regjimit diktatorial të Bashar al-Asadit. (Xhamia Arnaut në Damask e shkatërruar nga shpërthimet)

LAGJJA ARNAUT E SHKATËRRUAR 

Në kryeqytetin e Sirisë, në lagjen Divanije, njihet rruga e Arnaut, ku jetojnë vetëm shqiptarët. Aty ka qenë dhe xhamia Arnaut, (Xhamia e Shqiptarëve), por tani gjithçka është e shkatërruar. Fotot e siguruara ekskluzivisht për Shqiptarja.com. tregojnë banesa të shkatërruara, qepena të deformuara nga forca e shpërthimit dhe bombardimeve të forcave siriane.

“Pothuajse çdo shqiptar në Sham, (kështu njihet ndryshe në arabisht Damasku, shënim i gazetarit) që unë njoh kanë emigruar në një shtet tjetër. Disa persona u kthyen por shtëpitë e tyre ishin shkatërruar. Unë vetë prej një muaji kam emigruar me familjen time në Arabi Saudite” - i shkruan me e-mail, Abdulgani Arnaut mikut të tij në Tiranë, z. Ermal Bega

. (Në foto pamje nga lagjja Arnaut e bombarduar nga forcat e regjimit Asad)

 Ai banon në Damask por pas luftimeve të tmerrshme është detyruar të largohet së bashku me familjen e tij. Pak muaj më parë në Al-Kadem (lagje në Damask ku banojnë shumë familje shqiptare) ishte gjithçka e qetë, por para disa javësh ushtria e Asad e sulmoi dhe çdokush u detyrua të largohet. “Familja ime prej 20-30 personash jetonin në një shtëpi. Pak ditë më parë u detyruan të kthehen, aktualisht ata janë mirë por nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas, por kam frikë se situata mund të jetë më tragjike se më parë” - vazhdon rrëfimin Abdulgani Arnaut mikut të tij në Tiranë.







SHQIPTARËT NË SIRI

Nga të parët e tyre kanë mësuar se janë vendosur në Siri që në kohën e Shtetit Osman, apo nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, e megjithatë ata nuk e kanë harruar se kanë origjinë shqiptare. Disa prej tyre dinë të tregojnë se e kanë origjinën nga Shkodra, Peja, Podujeva, Vushtria etj. Shumica mbajnë mbiemrin “Arnaut” (shqiptar) dhe të gjithë i dinë lagjet ku banojnë shqiptarët. Mes tyre ka dhe njerëz të njohur të letrave në Siri, në botën arabe, por edhe në trojet shqiptare, si Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti nga Damasku, i cili ka shkruar dhe përkthyer mbi 40 libra të ndryshëm, në arabisht dhe shqip, të botuara në vende të ndryshme si në Damask, Beirut, Prishtinë, Tiranë etj. Ai është po ashtu nipi i një nga dijetarët më të mëdhenj muslimanë me origjinë shqiptare, Abdulkadër Arnauti, i cili ka jetuar në Damask. Ministria e Jashtme e Shqipërisë thotë se bëhet fjalë për 5 mijë shqiptarë, ndërkohë që nga Kosova dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), Ermal Bega thotë se atje jetojnë mbi 10 mijë arnautë (shqiptarë), në qytete të ndryshme të Sirisë. Madje ai shton se ngritja e një ambasade atje do ta forconte më tej këtë komunitet.



(Në foto pamje nga lagjja Arnaut e bombarduar nga forcat e regjimit Asad)







Arritjet dhe problemet e studimeve orientale në Shqipëri


 Ermal Bega


Ermal Bega, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, në Tiranë, shpalos në detaje projektet madhore që ka bërë deri më tani, përkthimin dhe botimin e shumë librave, mbatjen e seminareve dhe ekspozitave me qëllim të kultivimit dhe ruajtjes së vlerave të mirëfillta shqiptare. Ai sqaron edhe për problemet dhe mungesën e përkthimeve të letërsisë orientale në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ai shqetësohet për mungesën e një katedre për studime orientale në Shqipëri e cila është tejet e nevojshme për arsye historike, kulturore dhe filologjike që i lidh shqiptarët me botën orientale.

Epoka e Re, 17 Prill 2012


Keni studiuar orientalistikën, një fushë pothuajse e panjohur në Shqipëri (të paktën në aspektin universitar). Çfarë ju shtyu që të merreni me studimet orientale? Bega: Keni të drejtë, studimet orientale ose orientalistika është një fushë pothuajse e panjohur në Tiranë, në aspektin universitar. Ka shumë arsye se pse ka ndodhur një gjë e tillë, por ndikimin, apo më mirë të themi kundërshtimin ndaj kësaj fushe studimi, e dha sistemi komunist në Shqipëri, ku një nga qëllimet kryesore ishte shkëputja me Orientin dhe studimet për të, si dhe për lidhjet e shumta historike dhe kulturore të shqiptarëve me Orientin, veçanërisht Orientin islam. Ndërkohë, pas rënies së sistemit dhunues komunisto-ateist në Shqipëri, me ardhjen e sistemit demokratik, nga një “ateizëm i plotë” kundër feve në Shqipëri, u kalua në një islamofobi të skajshme ku u mundua të mënjanohet çdo kontakt i shqiptarëve me Orientin, si nga aspekti kulturor, tradicional, fetar, ekonomik etj. Arsyeja që më shtyu të merrem me studimet orientale është tepër e hershme, shumë kohë para se të nisja studimet e mia. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, në një lagje tiranase relativisht të vjetër, ku të paktën shtëpitë përdhese të vjetra tiranase, rrugicat e ngushta mes shtëpive, disa prej tyre me kalldrëm, puset dhe frutat e ndryshme në ato shtëpi, ishin dhe ende janë tërësisht me burim oriental, gjë që më ngjiti në zemër, dhe një ndjenjë e tillë më shtyu që të lexoja e të interesohesha më shumë për kulturën dhe letërsinë orientale në përgjithësi, dhe ndikimin e saj tek shqiptarët në veçanti, e cila vazhdoi me studimet në fakultet të studimeve orientale në universitetin e Prishtinës. Vepra të mëdha botërore të letërsisë orientale, si Rubaijjati Umer Khajjamit, përkthyer nga origjinali persisht mjeshtërisht nga Hafiz Ali Korça, pastaj Gjylistani dhe Bostani i Saadiut, përkthyer nga Vexhi Buharaja, si dhe libra të ndryshëm nga letërsia arabe, perse dhe turke kanë ndikuar tek unë në fillim që të studioj këtë fushë studimi dhe kulturën orientale, aq të afërt me atë shqiptare. Gjatë studimeve dhe pas tyre keni shkruar shumë punime shkencore në revistat e njohura brenda dhe jashtë vendit.

Epoka e Re, 18 Prill 2012


Me çfarë shkrimesh dhe temash jeni marrë më konkretisht? Bega: Në shkrimet e punimet e mia kryesisht jam marrë me problematika të shoqërisë shqiptare në aspektin e kundërshtimit dhe përpjekjeve për t’u shmangur nga Orienti. Kam shkruar gjithashtu punime për Islamin në mesin e shqiptarëve, mbi qytetërimin islam në Shqipëri, mbi shqiptarët (arnautët) që jetojnë në Orient, mbi marrëdhëniet orient-oksident dhe rolin e shqiptarëve, etj. Gjithashtu kam përkthyer dhe shumë shkrime, libra kulturorë, si dhe poezi nga letërsia arabe. Shumë prej këtyre shkrimeve dhe artikujve, autorialë apo përkthime, janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme në Tiranë, Shkodër, Prizren, Prishtinë, Preshevë, Nju Jork etj., dhe gjithashtu shumë prej shkrimeve e punimeve të mia personale janë përkthyer dhe në gjuhë të huaja, si në anglisht, italisht, arabisht etj. Pas përfundimit të studimeve në Prishtinë, keni kryer një specializim në Damask të Sirisë. Atje keni takuar edhe shumë shqiptarë (arnautë) me të cilët keni krijuar shumë miqësi dhe keni hulumtuar për shqiptarët (arnautët) që ende jetojnë në shumicën e vendeve arabe. Deri ku kanë arritur hulumtimet tuaja? Bega: Dua të korrigjoj diçka. Në Damask kam qenë në vitin 2004, ende pa përfunduar studimet. Ka qenë viti i katërt i studimeve, për të cilin u kërkova leje shefit të degës dhe profesorëve nëse ishte e mundur që të shkoja atje për një specializim njëvjeçar të gjuhës arabe, dhe ata duke më përkrahur moralisht, më lejuan të shkoja. Ishte një përvojë jashtëzakonisht e madhe për mua, të jetoja 1 vit në një vend oriental dhe arab, ku mund të njihesha më nga afër me gjuhën arabe, me jetën e arabëve dhe popujve orientalë, qytetërimin dhe kulturën e tyre etj. Ishte gjithashtu një mënyrë e mirë për të parë dhe ndjerë nga afër atë që mësonim në fakultet për Orientin dhe banorët e tij. Në Damask, duke ditur emigrimet e shumta dhe në kohë të ndryshme të shqiptarëve, e dija që ekzistonte një komunitet i madh i tyre, dhe për këtë arsye, përveç studimit të gjuhës arabe, nisa të interesohem dhe për shqiptarët (arnautët) të cilët jetojnë atje. Prej atyre të cilët pata rast të takohem e të bisedoj personalisht, sigurisht në gjuhën shqipe, ishin: Dr. Abdulatif Arnauti, Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti, dijetarët e mëdhenj muslimanë shqiptarë Abdulkadër Arnauti dhe Imam Vehbi Sulejman Gavoçi, profesorin Shefqet Gavoçi etj.




Me Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti), Tiranë 2006




Pas mbarimit të studimeve, nisa të interesohem më shumë mbi komunitetin shqiptar (arnautët) në Damask e Siri. Pas hulumtimeve të shumta kam arritur që përveç atyre në Damask, të gjej se ekzistojnë edhe një numër i madh shqiptarësh në qytete të tjera të Sirisë, si në Halep, Hama, Hums, Suvajda, Lattakia etj., për të cilët kam shkruar në një intervistë tjetër dhënë më herët (me nisjen e pranverës arabe), posaçërisht për Sirinë dhe shqiptarët (arnautët) të cilët jetojnë atje. Shumë prej shqiptarëve (arnautëve) të cilët jetojnë atje janë të arsimuar dhe kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme të jetës. Gjithashtu, për të treguar më shumë rreth shqiptarëve të cilët jetojnë në Orient, revista kulturore-shkencorë për studime orientale “URA”, organ i qendrës, numrin e pestë të saj (vjeshtë/dimër 2010) ia dedikoi shqiptarëve (arnautëve). Jeni themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania). Pse u formua një qendër të tillë? Bega: Një vit pasi përfundova studimet e mia në Prishtinë, pas një konsultimi të gjatë me shumë profesorë të ndryshëm në Tiranë dhe në Prishtinë, në vitin 2007 vendosa të hapja Qendrën Shqiptare për Studime Orientale, në Tiranë. Një qendër kulturore e tillë, si dhe botimet në emër të saj, me një status, logo dhe vulë të veçantë, besoj se ka qenë një nevojë e kahershme në Tiranë. Kjo qendër gjithashtu u formua me qëllimin për të grumbulluar rreth saj figurat më eminente, si dhe profesorë e studiues të ndryshëm të cilët kanë dhënë kontribute të vogla ose të mëdha në këtë fushë, me anë të shkrimeve, studimeve e botimeve të ndryshme. Në bordin këshillimor të saj kemi figura të rëndësishme si Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) në Amman-Jordani, Dr. Abdulatif Arnauti në Damask-Siri, Dr. Dritan Egro në Tiranë, Dr. Feti Mehdiu në Prishtinë, Ma. Azem Xheladini në Maqedoni etj. Cilat janë arritjet e qendrës suaj deri tani? Bega: Qendra Shqiptare për Studime Orientale që nga viti 2007 e deri më tani mendojmë se ka pasur shumë fryte. Prej arritjeve kryesore të saj kanë qenë botimet e shumta në fushën e studimeve orientale dhe islamologjisë, rreth lidhjeve të shqiptarëve me Orientin etj. Këtu mund të përmendim botimin e librave “Lidhjet letrare shqiptare-arabe” nga Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti, “Fjalor bazë i Islamit” nga autorja britanike Ruqaijjah Waris Maqsood, “Vështrim ndaj orientalizmit dhe orientalistëve” nga Behxhet Jashari, “Hafiz Ibrahim Dalliu (Jeta dhe vepra)” nga Xhemal Balla, “Abdul Kadër Arnauti (Jeta dhe vepra)” nga Mahmud Muhamed Xhemil El-Kesr, “Jusufi me Zelihanë” nga Hafiz Ali Korça, librin me aforizma “Dervishi i tha djalit të tij” nga autori nga Libia me origjinë shqiptare Dr. Ali Mustafa El Misrati etj.




Lidhjet letrare shqiptare-arabe




Gjithashtu, një arritje e madhe është dhe botimi 2 herë në vit i revistës së specializuar dhe profilizuar për studime orientale “URA”, e cila ka grumbulluar rreth vetes autorë dhe studiues të njohur shqiptarë dhe të huaj të cilët kanë shkruar mbi studimet orientale. Arritje të tjera janë përfaqësimi në emër të qendrës nëpër aktivitete, seminare dhe konferenca brenda dhe jashtë vendit, në një mënyrë sa më dinjitoze. Kjo qendër deri më tani është përfaqësuar në Tiranë, Shkup, Barcelonë etj. Revista kulturore-shkencore për studime orientale “URA”, organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale ka bërë sot një traditë mbarëshqiptare. Në të kanë botuar figurat më eminente nga fusha e filologjisë, orientalistikës, historisë etj. Çfarë do të thotë kjo për ju?




Dervishi i tha djalit të tij





Bega: Revista kulturore-shkencore për studime orientale “URA”, që me botimin e numrit të parë të saj në periudhën vjeshtë/dimër 2008, kur u bë dhe promovimi i saj, nisi të marrë një jehonë në mesin e studiuesve dhe profesorëve të ndryshëm në Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në trojet e tjera shqiptare. Tirazhi i saj nuk është i madh, për shkaqe të ndryshme, por ajo arrin të shpërndahet në institucione dhe biblioteka të ndryshme në trojet shqiptare. Me një përzgjedhje të autorëve shqiptarë dhe të huaj si dhe të shkrimeve autoriale apo të përkthyera, mendojmë se kemi arritur të nxjerrim një revistë model për studimet orientale në Shqipëri. Titulli simbolik “URA” ka si qëllim lidhjet kulturore mes Orientit dhe Oksidentit, nëpërmjet Shqipërisë, ku bashkëjetesa mes kulturave dhe feve të ndryshme luan një rol të veçantë. Ju jeni dhe një mbledhës i dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale. Në mesin e shumë librave dhe dorëshkrimeve të vjetra që keni grumbulluar në Shqipëri keni ribotuar edhe disa libra të rrallë me vlerë të pakrahasueshme. Si arritët të grumbulloni gjithë këtë literaturë të vjetër? Bega: Me mbledhjen e dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale, në gjuhën shqipe, arabe, osmane, perse, të shkrimeve me dorë etj., merrem që herët në shkollë të mesme (rreth 15-16 vjet më parë), duke shkuar në shtëpitë e familjeve të vjetra tiranase dhe duke kërkuar prej tyre që të më dhuronin (ose t’u bleja me sa mundësi kisha) librat e tyre të vjetra të cilat i kishin ruajtur që para komunizmit (nëpërmjet ndonjë hoxhe, të afërmi, shokë etj.). Në të njëjtën mënyrë nisa të shkoja në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, si në Durrës, Krujë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Kavajë etj., duke kërkuar sërish për dokumente dhe dorëshkrime të vjetra. Në të vërtetë, me botime nga fusha e studimeve orientale jam marrë që para se të themeloj këtë qendër, ku në emër të shoqatës kulturore “Rinia e së Ardhmes” (të cilën e kam drejtuar që nga viti 2002 deri në vitin 2007) kemi botuar disa libra me rëndësi nga fusha e studimeve orientale, ku ndër më të rëndësishmet mund të përmend ribotimin e librave “Rubaijjati Umer Khajjamit” dhe “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” nga autori dhe dijetari i madh musliman shqiptar Hafiz Ali Korça, për botimin e të cilave u botuan artikuj të veçantë në disa gazeta të njohura në Tiranë, si dhe në gjuhën arabe në Jordani dhe Egjipt. Në muajin nëntor 2011, për 2 ditë rresht keni organizuar një ekspozitë me dorëshkrimet orientale në Tiranë. Çfarë janë ekspozuar në atë ekspozitë dhe sa ka tërhequr kureshtjen e publikut shqiptar? Bega: Po, një ekspozitë personale e imja, në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, e realizuar më 18-19 Nëntor 2011, së bashku me një seminar në fillim në lidhje me studimet orientale në Shqipëri, pati një jehonë të mirë në mediat vizive në Tiranë, ku u transmetuan intervista me rastin e kësaj ekspozite personale të veçantë në Shqipëri. Në atë ekspozitë u prezantuan rreth 100 dokumente të vjetra, si libra, revista, dhe dorëshkrime, në gjuhën arabe, osmane, perse, shqip si dhe dorëshkrime shqip me alfabet arab.




Numri 7 i revistës “URA”, vjeshtë/dimër 2011





Në këto përmbledhje u ekspozuar libra të ndryshëm fetarë, kulturorë, politikë, historikë, enciklopedi, gazeta etj. Gjithashtu u prezantuan botime nga personalitete të shquara të kulturës shqiptare si nga Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Sami Frashëri, Ferid Vokopola, etj. Me këtë rast, për të treguar vlerën e mbledhjes së dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale, si dhe për vlerat që ato mbajnë në vetvete, në seminarin e organizuar folën profesor Bedri Telegrafi, Dr. Assoc. Genciana Abazi-Egro dhe unë. Të ftuar ishin profesorë të ndryshëm, drejtues OJF-sh të ndryshme dhe ambasadorë. Mendoni se në Ballkan nevojitet një qendër mbarëshqiptare për studime orientale? Bega: Po, sigurisht që po, mendoj që është një nevojë e patjetërsueshme. Në fakt, disa vite para se në Tiranë të hapej Qendra Shqiptare për Studime Orientale, një shoqatë për studime orientale u hap në Prishtinë, nga profesorët e mi atje, me titull “Shoqata e Orientalistëve të Kosovës”, e cila përveç 2 numrave të revistës kulturore-shkencore me titullin “Studime Orientale” nuk ka realizuar ndonjë aktivitet tjetër. Mendoj gjithashtu që projekte të përbashkëta mes këtyre dy organizatave kulturore për studime orientale do të ishin me interes të përbashkët për të dy qendrat e mëdha shqiptare, Tiranën dhe Prishtinën. Ne kemi personalitete të shumtë, të hershëm dhe tani, të cilët kanë dhënë dhe japin kontribute të mëdha në fushën e studimeve orientale, prandaj një qendër mbarëshqiptare për studime orientale do të ishte një pikë e mirë referimi për të gjithë shqiptarët, për të bërë studime dhe hulumtime në këtë fushë. Keni shkruar dhe përkthyer shumë artikuj e libra, të cilat janë botuar si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, kryesisht nga fusha e studimeve orientale dhe qytërimit islam. Si keni arritur i vetëm të bëni kaq shumë punë që në totalin e përkthimeve dhe botimeve mbajnë me mijëra faqe? Bega: Të them të drejtën, ka qenë një punë jashtzakonisht e vështirë për të drejtuar një qendër të tillë, e të pranosh barrën e madhe të organizimit në detaje për arritjen e objektivave të saj. Kërkimi për të realizuar kontakte të shumta me shkrimtarë e përkthyes të cilët janë marrë me këtë fushë, ka qenë një vështirëse më vete, ku jam dashur të ndaj një kohë të mirë. Por, mendoj se asgjë nuk është e pamundur në këtë dunja, vetëm me nijet, vullnet dhe dëshirë të mirë mund të arrihet shumë lart, dhe sado e madhe dhe e vështirë të duket një punë, aq më e lehtë bëhet kur nisesh me qëllimin që të arrish atje ku synon. Kam ende punë për të bërë, dhe kam punë me shkrime dhe libra deri tani më duken shumë pak nga çfarë mendoj të bëj, ku përveç vetes të angazhoj dhe vullnetarë dhe studiues të tjerë të kontribuojnë në fushën e studimeve orientale dhe qytetërimit islam. Sa e vështirë është që të merreni me studimet orientale në Ballkan? Bega: Mendoj që nuk është aspak e vështirë të merresh me studimet orientale në Ballkan. Ne shqiptarët dhe boshnjakët, kemi një fat të mirë nëse duam të merremi me këto studime. I gjithë Ballkani ka qenë nën kupolën e Shtetit Osman për më shumë se 500 vjet, dhe ne si shqiptarë kemi pranuar (ndryshe nga shtetet rreth nesh) që të jetojmë në atë shtet gjigand të kohës, i cili pas pranimit të Islamit na hapi dyer të mëdha. Ballkani është i mbushur me trashëgimi orientale. Qytete të tëra të trojeve shqiptare, ashtu dhe në Bosnje, kanë ende një trashëgimi të pasur kulturore orientale, si xhami, kala, çarshi, hamame, shtëpi, rrugë me kalldrëme, zeje, zanate, literaturë etj. Mjafton vetëm që ne të edukojmë të rinjtë me dashurinë për këtë kulturë dhe trashëgimi të pasur që na kanë lënë të parët tanë. Duhet të edukojmë sa më shumë të rinj që të merren me studime mbi këtë trashëgimi dhe kulturë njësoj si me trashëgimitë dhe kulturat e tjera të botës ku jetojmë. Trashëgimia jonë orientale ka qenë dhe është pasuria jonë, mos ta shkatërrojmë! Dikur letërsia orientale përkthehej e lexohej me endje nga shqiptarët, por sot mungon përkthimi dhe botimi i asaj letërsie. Përse? Bega: Meqenëse kemi qenë edhe ne pjesë e një superfuqie të madhe si Shteti Osman, përveç pushtetit politik, kemi qenë të “sunduar” edhe nga pushteti kulturor i Orientit. Shumë studiues perëndimorë gjithashtu kanë studiuar dhe studiojnë me ëndje letërsinë orientale, e cila është ndër më të pasurat e botës. Duke qenë se Shteti Osman ka mbajtur në gjirin e saj nacionalitete dhe fe të ndryshme, dhe shqiptarët, të inkuadruar në mënyrë aq të mrekullueshme në këtë shtet të madh, u njohën shumë me letërsinë orientale e cila më vonë u shfaq më gjerësisht dhe në shkallë më të madhe në letërsinë e ashtuquajtur “letërsia e bejtexhinjve”, të cilët shkruanin poezi në shqip me shkrim arabo-osman. Pas rënies së Shtetit Osman, me ndarjen e Shqipërisë prej atij shteti dhe fitimit të mëvetësisë, si dhe latinizimit të gjuhës shqipe, atëherë letërsia orientale, arabe, perse dhe turke, nisi të përkthehet në gjuhën shqipe me shkronja latine. Populli ende ishte i lidhur me kulturën dhe qytetërimin oriental-islam, prandaj dhe letërsia orientale sigurisht që luante një rol të madh në mentalitetin e popullit shqiptar. Fillet e para të përkthimit të letërsisë orientale në gjuhën e sotme shqipe nisin që në fillim të shekullit XX. Të shumtë kanë qenë përkthyesit dhe autorët shqiptarë të cilët kanë përkthyer letërsi orientale, kryesisht nga origjinalët në gjuhën arabe, perse dhe turke, ku populli shqiptar ka qenë i etur për këtë letërsi. Ndërkohë që komunizmi në Shqipëri krijoi një vakum tepër të madh në përkthimin dhe botimin e letërsisë orientale në shqip, në përgjithësi, në trojet e tjera shqiptare si në Kosovë e Maqedoni ka pasur tek-tuk disa përkthime të letërsisë orientale me një tirazh relativisht të madh, që nënkupton që shqiptarët ende ishin të interesuar për këtë letërsi. Po të flasim për ditët e sotme, keni të drejtë të mendoni se letërsia orientale po gjen gjithmonë e shumë më pak njerëz të aftë për ta përkthyer dhe botuar atë, si dhe pak terren për ta lexuar. Mendoj se moderniteti ndërkombëtar ka hyrë relativisht dhe në mesin e shqiptarëve, duke u munduar të pengojë ose shfarrosë depërtimin sërish të letërsisë orientale tek ne. Por, kohët e fundit (e kam fjalën në përgjithësi pas vitit 1990), kam vënë re se si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë janë shtuar disa botime të përkthyera të letërsisë orientale, nga origjinalët në gjuhën arabe, turke dhe perse, si dhe nga gjuhë të treta në shqip, si nga frëngjishtja, rusishtja, anglishtja etj.




Pamje nga ekspozita e organizuar nga ACFOS-Albania, nëntor 2011





Duket si një ogur i mirë, por shpresojmë të shtohen sa më shumë të tilla botime. Mendoj gjithashtu që duhet shtuar numri i studentëve që studiojnë në botën orientale për gjuhën dhe letërsinë arabe, turke e perse, nga ku mund të kontribuojnë në përkthimin e kësaj letërsie në gjuhën shqipe direkt nga gjuhët origjinale. Padyshim që në gjithë këtë punë që bëni mungojnë edhe fondet. Si arrini t’i siguroni ato? Bega: Vështirësitë për të punuar sot në fushën e studimeve orientale janë shumë të mëdha. Modernizimi po mundohet të humbasë traditat, zakonet, adetet etj., të ruajtura me fanatizëm deri vonë nga shqiptarët, prandaj dhe interesimi për të punuar në këtë fushë po bie ndjeshëm. Këto punë kërkojnë përkrahje nga institucione shtetërore dhe private, si dhe nga biznesmenë të ndryshëm të cilët ia dinë vlerën kësaj fushe studimi, e të financojnë për përhapjen e saj. Qendra jonë, deri më sot, nuk ka arritur të sigurojë asnjë donator të mirëfilltë për objektivat e mëdha që i ka vënë vetes, as nga brenda e as nga jashtë shtetit, por falë Zotit në përgjithësi kemi pasur disa miq të cilët na kanë përkrahur në botimin e disa librave dhe ndonjë numri të revistës, bile pa kërkuar që t’u dalë as emri si donatorë. Shpresojmë që dashamirës të tillë të shtohen sa më shumë në të ardhmen. Mund të na zbuloni për gazetën tonë disa nga planet për të ardhmen? Bega: Projekte të qendrës kemi shumë, por ndër më të rëndësishmet që mendojmë të realizojmë këtë vit po përmendim disa. Në të ardhmen e afërt mendojmë të realizojmë: 1. Botimin e disa librave mbi orientalistikën, dhe një libër me poezi arabe nga poeti i famshëm arab Nizar Kabbani, të përkthyer ekskluzivisht nga origjinali arabisht; 2. Organizimin e një seminari për arritjet e studimeve orientale në Shqipëri deri më sot, si dhe një emision të posaçëm në TV për të njëjtën çështje; 3. Botimin e dy numrave të rinj të revistës “URA”. Ndërsa në plan afatgjatë, një nga objektivat kryesore të qendrës sonë ka qenë këmbëngulja për të bërë të mundur hapjen e katedrës së studimeve orientale (orientalistikës) në Tiranë. Pas asaj në Prishtinë dhe Tetovë, vetëm Tirana ka ngelur pa një katedër të tillë. Shpresojmë që shteti shqiptar në të ardhmen të mendojë seriozisht në këtë aspekt. Faleminderit për intervistën!


 Intervistoi: Liridon KADRIU


ARNAUTËT ~ SHQIPTARËT E (PA) NJOHUR DHE TË FAMSHËM** ~

 Ermal Bega 


Shumë prej nesh kemi dëgjuar për arnautët ose shqiptarët që jetojnë në Orient, prej shumë shekujsh. Por, fatkeqësisht, pak ose shumë pak prej nesh janë të informuar mbi ta, jetën dhe traditat e tyre, ndikimin social të tyre në vendet ku jetojnë, kontributin e tyre në zhvillimin e vendit ku jetojnë etj. Termi Arnaut është përdorur për herë të parë gjatë kohës së Shtetit Osman, ku shqiptarët njiheshin me emrin Arnaut ndërsa Shqipëria si Arnautluk.

Ka shumë teza të ndryshme në lidhje me origjinën e fjalës أرناؤوط (Arnaut), por do të duhej një artikull i veçantë për të diskutuar në lidhje me këtë temë. Përdorimi i termit Arnaut për të përcaktuar origjinën shqiptare të një populli të caktuar në vendet orientale, u shtua në masë pas dobësimit dhe në fund rënies së Shtetit Osman, kur me daljen në skenë të nacionalizmit, popujt e ndryshëm brenda këtij shteti nisën të krijonin shtetet e tyre në baza etnike, fetare etj.

Ndërkohë që për muslimanët shqiptarë në vendet orientale, të cilët nuk ishin brenda shtetit të ri të krijuar shqiptar, ndodhi dukuria e përvetësimit të emrit Arnaut për të treguar origjinën e tyre shqiptare. Është e çuditshme, se përveç muslimanëve shqiptarë (që përbënin pjesën më të madhe të popullit shqiptar), këtë emër e përvetësuan edhe shqiptarët e krishterë, shumica e tyre katolikë, për të treguar origjinën e tyre shqiptare.

Për shembull, përveç muslimanëve me origjinë shqiptare që gjenden në një numër të madh në Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Turqi, Siri, Jordani, Liban, Palestinë, Egjipt, Sudan, Jemen, Libi, Algjeri, Tunizi, Arabinë Saudite etj., mund të gjenden ende familje të tëra të krishtera me origjinë shqiptare, kryesisht në Liban, ku historia e tyre buron që nga emërimi i katolikut shqiptar Vaso Pasha, nga administrata e Perandorisë Osmane, si guvernator i Libanit, ku mori me vete edhe familje të krishtera shqiptare që vendosën të jetonin në Liban dhe të cilët ende edhe sot e kësaj dite mbajnë me respekt dhe nderim mbiemrin Arnaut, si term përcaktues të origjinës së tyre shqiptare. Sipas kërkimeve të fundit, kemi hasur edhe në disa familje të krishtera ortodokse të cilët jetojnë në Ukrainë, dhe mbajnë mbiemrin Arnaut. Revista "URA", nr. 5

Ndërkohë që shumica e arnautëve (shqiptarëve) të cilët jetojnë në Orient mbajnë mbiemrin Arnaut për t’u dalluar si pjesë e kombit shqiptar, shumë familje të tjera në vende të ndryshme arabe dhe në Turqi mbajnë mbiemra të tjerë, shumë prej tyre me emra vendesh ose mbiemra familjesh të njohura në Shqipëri. Këtu mund të përmendim familjen Albani në Jordani, nga gjiri i së cilës ka dalë dhe dijetari i famshëm musliman shqiptar Nasiruddin Albani (nga Shkodra), dijetari tjetër musliman shqiptar i famshëm në botën islame Vehbi Sulejman Gavoçi (po nga Shkodra), etj.
 Ndër familjet të cilat mbajnë një mbiemër që ka lidhje me vendin e origjinës është familja e gjerë shqiptare me mbiemrin Shkodra në Liban. Ndër personalitet më të njohur arnautë (shqiptarë) në botën orientale mund të përmendim: dijetarët muslimanë Abdulkadër Arnauti dhe Shuajb Arnauti, letrarët e famshëm me origjinë shqiptare Ma’ruf Arnauti dhe Dr. Abdulatif Arnauti, letrarin dhe historianin e njohur Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti), poeten dhe shkrimtaren Aishe Arnauti, dijetarin tjetër musliman Nasiruddin Albani, nismëtarin për hapjen e shkollave për popullin e thjeshtë në Liban Nadim Arnauti, aktorin e njohur nga Damasku Jasin Arnauti, letrarin dhe mësuesin Shefqet Gavoçi etj. Përveç kësaj, shumica e shqiptarëve që jetojnë në Orient janë të edukuar mirë, me studime të larta dhe funksione të ndryshme dhe të larta në shoqëritë në të cilat jetojnë.

Në këtë kontekst, duke marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e madh që kanë luajtur dhe luajnë shqiptarët në vendet orientale, redaksia e revistës kulturore-shkencore për studime orientale “URA” mendoi që këtë numër ekskluziv t’ia dedikojë pikërisht atyre, arnautëve.

Në lidhje me këtë, nuk mund të rrimë pa falënderuar të gjithë ata që kontribuuan sadopak dhe me gjithë dëshirë e vullnet për realizimin e kësaj vepre. Ata janë: autoret arnaute të shkrimeve ekskluzive për këtë numër të revistës, Nuha Arnauti, Ghina Arnauti dhe Elvedina Arnauti; autorët e tjerë që ndihmuan me artikuj ekskluzivë për këtë numër, Dr. Dritan Egro, Ledian Cikalleshi; përkthyeset Rezarta Saliaj, Suela Dibra, Armir Taraj dhe Ardita Kovaçi; intervistuesin nga Kajro, Indrit Lita e shumë të tjerë të cilët u përpoqën të na përkrahnin sipas mundësive. Z

 Ermal Bega është Drejtori Ekzekutiv i “Qendra Shqiptare për Studime Orientale”, në Tiranë-Shqipëri. **


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...