Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/26

Juliet Stevenson: Si më ka ndryshuar roli i Nënë Terezës te filmi “Letrat”

Besimtarë myslimanë në Francë kanë bërë roje në mënyrë simbolike para kishave ku është mbajtur mbrëmë mesha e Krishtlindjes.
theletters-1-620x399
Ky veprim ka bërë përshtypje shumë të mira në mesin e frekuentuesve të meshave, sipas medieve franceze.
“Ne jetojmë së bashku, jemi vëllezër dhe po qëndrojmë të gjithë në të njëjtën barkë. Nëse do të ketë sulme, atëherë të na vrasin të gjithëve”, e arsyetoi aksionin simbolik Hakim El Jazuli, njëri ndër aktivistët myslimanë.
Në Francën e cila ende është në gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmi i 13 nëntorit, veprime si ky marrin një peshë dhe rëndësi të veçantë.

Kur Fishta shante Evropën, që “për veti veç mendon”!


fishta

Në kërkim të shkrimeve të para të Gjergj Fishtës, që kanë qenë shpeshherë vargje të improvizuara kushtuar miqve dhe dashamirësve me raste festash e përvjetorësh, të gjithë studiuesit ndalen te një poezi e shkruar italisht më 1892. Ajo poezi është ruajtur, pasi ka qenë botuar më 1933-1934 në vëllimin e veprave të plota të poetit kroat, Silvije Strahimir Kranjçeviq (1865-1908), të cilit i kushtohet. Vargje të tilla të Fishtës, të shkruara ndoshta edhe më herët, kanë qenë ruajtur nga Pashko Bardhi (1870-1948), njëri prej miqve më të ngushtë të Fishtës qysh në seminarin e Troshanit e më tej në Livno e Sutjeskë.


Tonin Çobani

Por, ne nuk e dimë se ku kanë përfunduar ato vargje. Mbas Luftës së Dytë Botërore humbën (ose u keqpërdoren) shumë dorëshkrime me interes për kulturën tonë, veçanërisht kur ata ndodheshin në institucione fetare, si në rastin tonë është kuvendi françeskan në Shkodër (dhe në Troshan), që kishte qenë edhe seminar ku përgatiteshin françeskanët e rinj.

Poezia më e hershme, pra, që njihet deri sot, vjen me titullin “Poetit të vlertë, zotni Silvio Kranjçeviqit”. Kranjçeviqi, me të cilin Fishta kishte lidhur miqësi ndërsa studionte filozofi në Livno (Bosnje), është poeti që shënon fillimet e modernizmit në letërsinë kroate. Biografi më i kompletuar i Fishtës, Danjel Gjeçaj, ka riprodhuar një strofë prej kësaj poezie në origjinal (italisht) dhe të përkthyer në shqip prej tij.

“Uf! Evropë e shitun, për veti veç mendon!” (Uf! Evropa, che serva viltá!) është vargu i fundit i asaj strofe. Dhe njëherësh është vargu i parë, përmes të cilit Fishta i drejtohet me “ti” Evropës. Pikërisht këtë qasje të Fishtës me Evropën unë e kam parë në tri kohë.

Koha e parë: Zhgënjimi

Fishta nuk ishte më tepër se 21 vjeç kur, duke iu drejtuar mikut të vet poet, gjykon Evropën të shitur s’di se ku dhe të kyçur në interesat e veta politike (dhe ekonomike): “Uf ! Europa, che serva viltá!”.
Një zhgënjim rinor ky i një shqiptari për fatet e atdheut të vet evropian të mbetur në një robëri të gjatë aziatike prej pesë shekujsh: “…nën zgjedhë të randë e raja të turkut tiran…”; një zhgënjim ky i një ballkanasi (ballkanas është edhe Kranjçeviqi) që vë në dyshim ëndrrën e vet të lirisë, duke qenë bir i një populli ndër më të vjetrit në Mesdhe; një zhgënjim ky, po ashtu, i një poeti të një vendi të vogël (si Shqipëria) që ka pritur shumë më tepër në sa Evropa zbythte përfundimisht përtej Bosforit osmanët e fundit të Ballkanit.

Historia është e padrejtë duket sikur arrin në përfundim poeti ynë, edhe nëse ajo histori shkruhet në një vend të shenjtë (Paqja e Shën Stefanit) apo në një kryeqytet me famë për qytetërimin evropian (Kongresi i Berlinit): kudo e kurdoherë Evropa, veç për vete ka menduar. Ja e gjithë strofa: “Po kështu, Silv’im, më asht fjala jote, që zemrën më freskon, të rime me dënesë e vaj për Atdhe tim të dashun që vuen pa mëshirë tash sa qindvjeta nën zgjedhë të randë e rajë e zurkut tiran që dekë as gjallë s’e don. Uh! Evropë e shitun, për veti veç mendon!” (Gj.Fishta, Poetit të vlertë, zotni Silvio Kranjçeviqit, f.24)

Koha e dytë: Zemërimi

Dhjetë vjet më vonë, më 1902, kur Fishta shkruan blenin e parë të “Lahutës së Malcis” (që pa dritën e botimit më 1904-5), zhgënjimi kthehet në akuzë: Evropa tashmë është “kurva e motit”. Ajo nuk e njeh as besën humane, as drejtësinë hyjnore (“Që i ra mohit Besës e Zotit”). Akuza vjen e shoqëruar me zemërim të thellë. Poeti pyet: “Po, a ky asht sheji i qytetnisë/ Me nda tokën e Shqipnisë/Për me mbajtë këlysht e Rusisë?” (Gj. Fishta, Lahuta e Malcis, f.167)

Jemi mësuar t’i interpretojmë këto tre vargje historikisht dhe kemi lënë jashtë vëmendjes atë çfarë poetikisht përcillet prej tyre. Të mos harrojmë se jemi te kënga e dytë (“Lufta”) e blenit të parë të “Lahutës… ” që mban titullin “Te Ura e Rrzhanicës” (osedhe “Marash Uci”). Në botimin përfundimtar të vitit 1937 të “Lahutës… ”, kjo këngë është e trembëdhjeta dhe mban titullin “Te Kisha e Shnjonit”. Pavarësisht renditjes dhe titullit tjetër, vargjet e saj nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Mesazhi i tyre poetik vjen me vlera njerëzore universale. Shqiptarët janë njerëz që me djersë e lot gjaku kanë mbrojtur trojet dhe familjet e tyre (“Për me mbajtë një grue te shpia S’cilës bukë i lypin fëmija Edhe i len ndoshta me qa Përse e mjera bukë nuk ka”).

Të tjerë janë ata që “sot me e nda duen copa-copa” Shqipërinë: ata për Zot kanë paranë (“Gjinde, s’cilës Zot i asht ari”). Dhe pas kësaj vjen pyetja akuzë “Përse?”, që duket se tingëllon njësoj si më 1902, kur u shkruan ato vargje (a më 1937 kur u përfshi përfundimisht në “Lahutë të Malcis”), ashtu edhe në ditët e sotme sa herë i lexojmë.

Koha e tretë: Britma

Edhe pasi kanë kaluar dy-tri dekada ose më tepër (nga 1892 dhe 1902), Fishta nuk ndryshon në përballjen e tij me Evropën, veçse zhgënjimi apo zemërimi i tij tashmë është kthyer në një britmë kumbuese: Evropa është një “mrrutë e ndytë shkërdhye me evrej t’Parisit e t’Londonit”. Me këto vargje nis poezia “Surgite mortui!” (Çohuni të vdekun!), përfshirë në botimin e dytë të vëllimit me lirika “Mrizi i Zanave” (Shkodër, 1924).

Fjalori i përdorur në këtë poezi dhe veçmas në këtë strofë të parë (“mrrutë e ndytë”, “shkërdhye”, “dreqi ia plasi të dy sytë”, “marren ma s’e njeh” etj.), është më se i mjaftueshëm për të kuptuar se qasjet e Fishtës me Evropën zhvillohen në të njëjtën kahe. Edhe shpallja e Pavarësisë, edhe krijimi i shtetit shqiptar, edhe lëvizjet që ka bërë poeti nëpër Evropë (edhe si sekretar i delegacionit të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris), edhe në SHBA, nuk e kanë zbutur zemërimin e tij. Përkundrazi. Është vetë realiteti shqiptar që ia amplifikon britmën: “… Mbaroi Kosova!… Janina humbi!… e ndoshta, Tepeleni… Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!… Vendet ma t’mira ne na i mori shkjau, E, çka asht ma zi, ne vëlla me vëlla na ndau!”

Por, jo vetëm kaq. Britma që i del poetit tani nga shpirti i trazuar ka edhe një shkas tjetër. Ai ka kuptuar se vetë shqiptarët nuk e duan veten e tyre:

Çka bajnë shqiptarët?… Hanë fiq e kastraveca,
E pijnë mastikë e qesin petulla n’ujë;
E ngrihen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrinë tue këqyrë udhës ushtarët e huej
Pale e kanë kësulën qyp ose kapelë,
A e ka uficiali kalin at a pelë.
(Gj. Fishta, “Surgite mortui!” (Çohuni të vdekun!), f.47)

A e ka “uficiali i huaj” kalin mashkull apo femër, është njësoj si të përgojosh sot në Tiranë një ambasador të vendeve të BE-së për makinën që ai nget apo për orën që mban në kyçin e dorës së tij të majtë: cilën ka më të shtrenjtë? Dhe më pas ta ndiesh veten të zhgënjyer (apo të zemëruar) dhe të shkrehesh në britma kundër vendit që aksh ambasador përfaqëson.

Ironia e Fishtës, kur përfshin edhe vetë rodin e poetit, nuk njeh kufij kohorë…

Shqiptarët e lashtë që lanë shenjë në Greqi

Nga Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro*
Në sajë të studimeve të dijetarëve të njohur francezë, gjermanë dhe veçanërisht grekë, shumë nga aspektet e errëta të historisë së Greqisë mesjetare në fund të shek. XIX patën denjësisht një shkëlqim të papritur. Baza e punës së tyre, që nevojitet të kujtohen në mënyrë specifike, ishin të dhënat e marra nëpërmjet lajmeve lokale – pjesërisht të humbura gjatë pushtimit turk – dhe nga dokumentet monumentale të ofruara nga arkivat venedikase, spanjolle, frënge e pjesërisht edhe italiane.  Vetëm në ishullin e Qipros, na kujton Konstantinos Sathas, të dhënat i shpëtuan katastrofës së zemërimit mysliman, e midis tyre kemi “Kronikat e Qipros” të Leontoi de Macheras të shkruara rreth vitit 1320 të cilat janë të rëndësishme për këtë anketë historike. Dorëshkrimi origjinal i “Kronikave të Qipros” i gjendur në Oksford të Anglisë, u botua në 1882 nga “L’Ecole des Langues Orientales Vivantes” dhe teksti në gjuhën greke u redaktua nga Emmanuel Miller dhe Kostantinos Sathas. Historiografia tradicionale ka mbështetur gjithmonë idenë se shfaqjet e para të elementit shqiptar, veçanërisht në Thesali, kishin ndodhur rreth shekujve XIII-të dhe XIV-të, deri në momentin kur në vitin 1830, teoria e një historiani tirolez si Fallmerayer shkaktoi diskutime sidomos në mjediset e dijetarëve filo-helenë. Historiani Fallmerayer me zell të tepruar deklaroi se elementi i lashtë grek u shkatërrua plotësisht nga pushtimi i sllavëve dhe se pas zhdukjes territori gjeografik i Greqisë u ripopullua pothuajse nga ana e tyre. Por sipas Sathas ishulli i Qipros asnjëherë nuk u shkel e nuk u pushtua nga sllavët, me përjashtim, vetëm nëse në deklaratën e tij, Fallmerayer, me shkatërrimin e ishullit ka dashur të nënkuptojë edhe shkatërrimin e elementit grek në përgjithsi. Sathas shkencërisht ka provuar se këta pseudo-sllavë nuk ishin gjë tjetër veçse Shqiptarë dhe se bizantinët, nga injoranca, i ngatërruan gabimisht me këtë popull të lashtë. Kundërvënia objektive e Sathas ka treguar pavlefshmërinë e teorive të historianit tirolez, duke i nxjerrë thjesht si një fantazi në të cilat mungojnë dëshmitë kulturore, të gjuhës dhe të zakoneve.
Në librin “Kronikat e Qipros” në vëllimin e parë në faqen 16, Macheras shkruan: “Shqiptarët u vendosën në ishull rreth shek. IV, duke formuar një kastë më vete që ende ekziston”. Sathas vazhdon me kundërshtimin e tij duke u shprehur: “Konsiderohet e pabesueshme dhe e pamundur të mbrohet çfarëdolloj teorie e pushtimit sllav në Greqi, sidomos duke njohur faktin e pranisë së theksuar të shqiptarëve në Greqine moderne si dhe ndikimin që ka ushtruar gjuha shqipe në atë greke. Zgjidhja e kësaj çështje – vazhdon Sathas – do të na mundësojë të kuptojmë deri në çfarë mase gjuha shqipe ka ndikuar në të folurën qipriote dhe në atë greke në përgjithësi”.  Fallmerayer, thellësisht i trazuar nga kritika dhe i irrituar nga teoria e tij e pabazë, në vitin 1836 vendosi të udhëtojë personalisht për në Greqi i shoqëruar nga Konti rus Aleksandër Tolstoy. Pas mbërritjes në More i bëri thellësisht përshtypje prania mbizotëruese e gjuhës shqipe aq sa më pas do të shkruaj: “E gjithë Morea është e stërmbushur nga e folura shqipe”.  Në të njëjtin vit, 1836, në parathënien e vëllimit të dytë të “Geschichte” do të shprehet: “Revolucioni për pavarësinë e Greqisë ishte një revolucion shqiptar dhe jo grek”. Kështu që, edhe pse i përshkuar nga racizmi anti-helen, sipas të gjitha gjasave ai e hodhi poshtë teorinë e tij.
Tezat e sigurta të Sathas konfirmohen nga një udhëtar anglez, Simon Simeoni, që vizitoi Greqinë në vitin 1322, i cili ka lënë një përshkrim interesant mbi banorët e Greqisë së atëhershme – grekët dhe shqiptarët –,  në lidhje me stilin e tyre të jetës që ishte i ndryshëm nga ajo e fqinjëve sllavë. Jo vetëm kostumet por edhe kapelet, pelerinat si dhe forma e kokës së këtyre dy popujve të afërm që i përkisnin të njëjtës fe (të krishterë ortodoksë) ndryshonin nga ajo e sllavëve. Simeoni shkruan: “Sclavi enim sunt Boemis in lingua multum conformes…Albania est provincia inter Sclavoniam (Illyria) et Romaniam (Grecia), per se linguam habens…Ipsi enim Albanenses schismatici sunt, Graecorum utentes ritu, et eisdem habitu et gestu in omnibus conformes.”. Në “Kronikat e Qipros” autori Macheras do të theksojë, ashtu siç është lartpërmendur, faktin se shqiptarët pasi mbërritën në ishull në shekullin e IV-ërt arritën shumë shpejt të krijojnë një kastë të tyren, duke detyruar pjesën me të madhe të popullatës së ishullit të adoptonte traditat dhe zakonet shqiptare. Ndërsa Sathas shkruan në parathënien e Kronikave se ndikimi shqiptar ishte i tille saqë u shtri deri edhe në të folurën e lashtë të Qipros. Ngulimet para-mesjetare të shqiptarëve në Greqi, të njohura si fiset e lashta nga vendasit, janë shqiptarët e Argolis, sot tashmë të helenizuar në masë të madhe e të quajtur ndryshe “ata të ishullit Dano-Danoa- Danaoi”. Një tjetër fis i lashtë u vendosë në malet Trifilia (Eparkia e Trifilisë) e njohur me nofkën Drèdes (luftëtarë trima). Një fis i lashtë shqiptar në Taiageto tashmë është asimiluar e shuar dhe është identifikuar nga Constantine Porphyrogenitus me emrin “Milligoi”.
Një dokument i shekullit të X-të, i gjetur dhe i botuar në vitin 1865 nga studiuesit gjermanë J.Samuel Ersch dhe J.Gottfried Gruber, na informon se Milligoi janë në fakt Mirmidoni. Në ditët tona ende një fshat në Lakoni quhet Meligoi. Sathas beson se Meligoi ose Miligoi  vijnë nga malet e Pindit, ku në fakt ekziston një fis që quhet Mirmidones. Është e ditur që Mirmidones e marrin emrin e tyre nga ajo e milingonës (murmiz), dhe popullsia moderne Tzaconi që jeton në Peleponez ashtu si edhe të gjithë arbëreshët dhe shqiptarët e quajnë milingonën pikërisht “meligoi” ose “melingoi”. Pra, pyetja që lind është nëse në Taigeto u vendosën Mirmidones apo Meligoi, megjithatë një gjë është e sigurt: ata ishin një ndër fiset e lashta shqiptare.
Një tjetër temë shumë e dashur për Konstantinos Sathas ishte çështja e “Mardaites”, të cilët nuk ishin asgjë më shumë sesa paraardhësit e Stradiotëve, mercenarë që punonin me pagesë për Venedikun dhe për  fuqitë e tjera evropiane gjatë gjithë periudhës së mesjetës. Bizantinët i njihnin bëmat e tyre të cilat i quanin “taktikat e Mardaites”, pasi ata ishin të parët që përdorën taktikat e kurtheve/pritave të organizuara. Shfaqja e parë e Mardaites në shërbim të bizantinëve i përket shekullit të VIII-të dhe njihet gjithashtu edhe ngulimi i tyre në Liban në vitin 677. Mbi origjinën e Mardaitëve janë bërë shumë spekulime dhe gabimi kryesor ka qëne ai i klasifikimit të tyre si një popull kur në fakt ata ishin një organizatë ushtarake (gr. Tàgma tòn Mardaitòn).
Janë dy kronistë të vjetër bizantinë që kanë shkruar rreth tyre: i pari Theophanes i cili i quan ata thjesht Mardaites; ndërsa i dyti, Patriarku Nicefor, i quan “locuntas splitas” që do të thotë “luftëtarë të cilët bëjnë kurthe/prita”. Përgjatë gjithë mesjetës emrin e Mardaitëve e hasim në Peloponez, në Kretë, në Iraklioni, në Tenos, në Keos, në Kefaloni, në Epir etj. Në Iraklioni gjejmë ushtarë me arbaletë që punonin në shërbim të Republikës së Venecias e që quheshin “Murtatos” (rif. Crhonicum Tarvisinum, viti 1372). Bizantinët në shekullin e X-të dhe XI-të i quanin “Murtaitas” dhe “Murtatus”. Në Republikën e Venecias numërohen shumë familje feudale të zonave të Tenos dhe të Kretës të cilët mbanin mbiemrin “Mordati” dhe “Mortati”, e gjithashtu gjejmë edhe versionin “Mardaiti” por tashmë jo si një organizatë ushtarake por si mbiemër familje (rif. Cancelleria Secreta).
Georgio Codino, në “De Officialibus palati Costantinopolitani” dhe në “Officis Magnae Ecclesiae” – të dyja të botuara nga I. Bekker në vitin 1839 –, na liston midis personaliteteve të oborrit perandorak të Konstandinopojës të shekullit të XV-të edhe mbiemrin e familjes Murtaites, me titujt perandorak të Mega Murtaites  dhe të Stratopedarchēs Murtaites. [shënim i përkthyesit: stratopedarchēs (gr. στρατοπεδάρχης “komandant i kampit ushtarak”), ishte një term i përdorur në lidhje me rangun më të lartë të komandantëve ushtarakë duke nisur nga shekulli i parë i erës sonë e që më pas do të transformohet në një titull nderi gjatë Perandorisë Bizantine. Ndërsa në Perandorinë Romake termi në latinisht ishte “Praefectus Castrorum” që do të thotë Perfekt i Kampit Ushtarak.]
Pra, edhe në Konstandinopojë ata do të transformohen nga një organizim ushtarak në rangun e një familje feudale të nivelit të lartë. Sigurisht gjendeshin madje edhe në Peloponez si feudalë dhe si burra të aftë ushtarakë, dhe këtë fakt na e konfirmon pikërisht Anna Komneni në vitin 1103. Pikërisht ajo na informon se feudalët e Peloponezit shkëlqenin në luftime dhe sidomos në ato detare.
Në regjistrat e dy ekspeditave ndëshkimore ushtarake kundër arabëve në ishullin e Kretës, Mardaites furnizuan me luftëtarë Flotën Perandorake Bizantine, herën e parë me 5087 luftëtarë dhe herën e dytë me 3000 luftëtarë të armatosur. Këto shifra përfaqësojnë vetëm kontingjentet e ofruara nga Mardaites së Peloponezit, të Epirit dhe të Qefalonise (rif. Historia Miscella).
Por kush ishin në të vërtetë Mardaites dhe a kishin origjinë shqiptare, greke apo lindore? Përfundimisht  Mardaites nuk ishin një popull por ishin një trup luftëtarësh, taktika kryesore e të cilëve ishin pritat dhe këto ishin taktika tipike të shqiptarëve si të Shqipërisë ashtu edhe të Greqisë. Në trevën e Çamërisë dhe në një tjetër të Shqipërisë veriore ende ruhet kujtimi i Mardaites: Mirditia. Përveç kësaj, emri Mardaiti rrjedh nga termi shqiptar “marda” me kuptimin “palosje”. Emri gjendet sot i rrallë në Epir e në disa zona gjendet në formën “Mirtidi” e në të tjera në formën “Mortati”, ndërsa në Greqi në Eparkine e Trifilisë gjejmë një fshat antik shqiptar që quhet “Mortatu”. Si konkluzion del se emri “Mardaiti” ka mbërritur në territorin ku shtrihet Greqia e sotme përpara periudhës së mesjetës.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm e i përbashkët për të dy popujt – shqiptarët dhe grekët –, është vallja Pirrike (vallja e Pirros).
Sipas disa studiuesve, krijuesi i kësaj valle luftarake mendohet se ishte zoti Pirricos Kouretes ndërsa sipas disa të tjerëve ishte Pirro, i biri i Akilit. Kjo valle – që nga grekët e sotëm njihet si valle e Arvanitasve të cilët e quajne “Bale” (me B dhe jo me V) –, me siguri është me origjinë nga Epiri dhe ka qënë shumë e përdorur gjatë periudhës së perandorit bizantin Constantine Porphyrogenitus që zakonisht e quante në greqisht “balesmos”. Nga ana tjetër venedikasit e quanin “Moresca” për origjinën e disa pantomimave. Studiuesi G. Haecquard shkruante se: “Vallja e shqiptarëve të Kretës është një kompozim hedhjesh … që do të imitojë skenat e jetës … një lloj valle e quajtur “Bale” e cila përdoret nga shqiptarët që nga agimi i kohërave”.
Nxjerrim si përfundim, pra, se këta shqiptarë të lashtë të ardhur para mesjetës në territorin që sot quhet Greqi, kanë lënë një shenjë të thellë në çdo disiplinë e nuk ka dyshim se progresi i historisë do të na informojë me më shumë saktësi, mbi datat, rrethanat dhe ngjarjet.
Referenca Bibliografike:
1) K. Sathas Mnemeia Elleninikes Historias – Documents inèdits relatifs à l’histoire de la Grèce au Moyen Age Vol. IV, Prefazione. Paris Maisonneuve et C Editeurs 1881;
2) Leontioi Makaira, Cronique de Chypre (Testo Greco). Pubblicazione e cura di E. Miller e K. Sathas (Ecole des Langues Orientales Vivantes). Paris, Ernest Leroux Editeur 1882;
3) Itinerarium Simeon Someoni Cambridge 1914 in K. Sathas o.c.;
4) Leonici Calcondylae, Istoriarum Demonstrationes, Budapest 1922 in K. Sathas o.c.;
5) J. Samuel Ersch e J. Gottfried Gruber, Encyclopedie historique Allemande. Paris 1883;
6) Alfred Nicolas Rambaud, L’Empire Grec au X° siécle, Costantin  Porphirogènit. Librarie A. Frank, Paris 1870.
* Autori është arbëresh dhe pasardhës i familjes aristokrate shqiptare mesjetare Duka – Engjëlli. Përktheu dhe redaktoi Brunilda Ternova

Hija që i mori jetën Prenk Jakovës

largea_201512300951047046201451648046
largea_201512300951047046201451648046

Në arkivat britanike mbahet një model i vetëm i shënimeve që plotësojnë shfaqjen e parë të operës “Mrika” të kompozitorit shqiptar, Prenk Jakova.
Mbi këto shënime shënohet fillimi i këtij muaji të fundvitit, më saktë 1 dhjetori i vitit 1958, kur u shfaq kjo operë me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi
Në arkivat britanike shënohet se në vitin 1936, Prenk Jakova “Artist i Popullit”, kishte organizuar në Shkodër një bandë të vogël muzikore me 36 fëmijë të vegjël. Midis këtyre fëmijëve, më pas mësohet se dolën figura të mëdha shqiptare si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Rota, Tonin Harapi, Zef Gruda etj.
Gjithashtu në arkivat britanike mbahet një model i vetëm i shënimeve që plotësojnë shfaqjen e parë të operës “Mrika” të kompozitorit shqiptar, Prenk Jakova. Mbi këto shënime shënohet fillimi i këtij muaji të fundvitit, më saktë 1 dhjetori i vitit 1958, kur u shfaq kjo operë me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi. “Mrika” opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, kështu për këtë arsye dhe në vitin 1983, ishin nxënësit e shkollës së mesme artistike që mbante emrin e kompozitorit, të rivinin në skenë aktin e parë të saj më 1 dhjetor 1983. Ky akt më së shumti, dhe më shumë nga arsyet e tjera shënon një fakt të papërmendur më parë, tek i cili shihen disa dyshime nga Byroja Politike e asaj kohe, lidhur me argumentin “duhet riparë”.
Fakti dhe fati i kompozitorit të shquar dhe themeluesit të gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika”, nuk përshkruhet në arkiva si u tejkalua, pos atij shënimi që ishte shënuar pikërisht pas 25 vitesh që nga shfaqja e parë e operës “Mrika”. Diku në këto shënime shkruhet se “Opera e dytë e Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika” e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.
Prenk Jakova që kishte shkruar muzikë zanore, duke filluar që nga kënga e vogël lirike, kënga për pionierë, korale, kantata, romanca, këngë masah dhe këngë të muzikës së lehtë, përpunime të këngëve popullore dhe suita të këngëve partizane, dukej se pikërisht në vitin 1983, kishte trazuar dikë atje lart tek udhëheqja. Në një shënim të shkurtër thuhet se hija e vëllait të tij të lidhur me lëvizjen nacionaliste i kishte lënë këto dyshime të paskëtejme.
“Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.”
Prenk Jakova i lindur në vitin 1917, në familjen e patriotit të njohur shkodran Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920, me sa duket kishte arsye të forta patriotike që iu shuan pas vdekjes së tij tragjike në vitin 1969.
Tonin Harapi shkruan për të: “Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë”. Prenk Jakova ishte një artist i madh, që me gjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.
Me gjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë veten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetëvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë. Prenk Jakova kishte dhe një vëlla tjetër Dedën, i cili ishte fotograf i respektuar në qytetin e Shkodrës.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe shkroi mjeshtri i madh Prenk Jakova.
Artisti i Madh që erdhi me diplomën e lartvlerësuar të konservatorit të Romës, ku kishte ndjekur mësimet për klarinetë, nuk kishte lënë pas shoqërinë e disa perëndimorëve, britanikë dhe francezë, dhe kishte mbarsur përshtypjet e mbetura nga “Unaza e Nibelungëve” të Vagnerit dhe operat e njohura të Verdit, Belinit, Maskanjit, Puçinit si dhe ishte frymëzuar nga ekzekutimet e rralla të Valter Giesekingut, me muzikë të Moxartit etj. Nga Harapi mësojmë se “Ai ndiqte uverturat e Vagnerit, sinfonitë e Dvorzhakut, uverturat e Bethovenit”. Por ai diti të respektojë dhe artin e sopranos Tefta Tashko dhe pianistes Lola Aleksi Gjoka që do të jepnin koncerte për popullin e Shkodrës, ashtu si ishte brumosur dhe me muzikën e popullit.
U rrit dhe u fuqizua në artin e muzikës mes miqsh të letrave dhe muzikës shqiptare si Mustafa Krantja dhe Llazar Siliqi dhe mes emrash të mëdhenj si Bethoveni, Bahu, Hendeli, Moxarti, Shuberti, Belini, Verdi, Supesë etj dhe ekzekutoi më tej edhe Glinkën, Dargomizhskin etj. Por misteri nis në një bisedë të zhvilluar me një grup shkrimtarësh dhe artistësh në prag të Kongresit të parë të Shkrimtarëve dhe Artistëve në vitin 1957, kur Enver Hoxha iu drejtua Prenk Jakovës duke provokuar: “E keni bërë shumë të bukur. Besoj se tani e keni mbaruar atë”. Tonin Harapi na kujton se Prenk Jakova iu përgjigj: “Në mbarim jam, kam vetëm aktin e fundit”. Dhe ndoshta kjo kishte krijuar një dilemë. Enveri donte të kishte arsye për të thënë se opera shqiptare merr jetë… Po a mund të jetë kjo e vetme? Ai i bënte të gjitha. Bënte rolin e elektricistit, mekanikut, radioteknikut, fotografit me shije të hollë, ndreqësit të instrumenteve muzikore. Pra ai ishte i papërtuar për çdo punë dhe me sa duket, ai e ndjente hijen që i afrohej, Hija që i mori jetën Prenk Jakovës!

Mësuesi i Matematikës ruan për 40 vite fletoren e nxënëses. Ja pse


1170737_10207203148589086_7554376045178604220_n
Mësuesi i Matematikës ka ruajtur për 40 vite me radhë në arkivën e shtëpisë së tij fletoren e detyrave të shtëpisë së nxënëses së tij. Dhe ky nuk është rasti i vetëm, ai ka arkivuar në vazhdimësi punët e mira të nxënësve.
1510848_10207203149549110_5920670503596100036_n
Bëhet fjalë për mësuesin nga Mirdita, Nikoll Leci. Rasti i tij, tejet i veçantë u pasqyrua nga gazetari Gjergj Marku në profilin e tij në Facebook.
11872186_10207203148189076_3852555293235001577_o
Mësuesi i apasionuar i Matematikës, tashmë në pension arkivonte punët e mira të nxënësve të dalluar. “Këto ditë më solli një fletore matematike që ia kishte ruajtur nje prej nxenesve, sot ekonomiste, për menyren sesi ajo i zgjidhte ushtrimet e matematikes. Nuk ka nevoje per shume koment mjafton te shohim vetem disa flete me detyra shtepie apo pjesemarrjet ne olimpiada për të kuptuar pasionin e tij për arsimin”, shkruan Gjergj Marku.


“Libri i artë” i Durazzo-ve/Një kryevepër e miniaturës së Rilindjes italiane

largea_untitledlibri11452445964


largea_untitledlibri11452445964


Për familjen e Durazzo-ve, një prej familjeve më të lavdishme të diasporës shqiptare deri më sot, është shkruar dhe më parë. Të mërguar që më 1387-n nga Durrësi drejt “Felix Italia”, gjatë rrugës nëpër Adriatik, në Mesina ata u kthyen në skllevër dhe që andej, siç shkruhet në aktet historike të “Atti della Societa Ligure di Storia Patria” të Gjenovës, ata mundën të shkojnë deri në Gjenova, ku arritën të fitojnë lirinë dhe të vendosen në kryeqytetin e Republikës gjenoveze.
Përmes punës dhe inteligjencës së jashtëzakonshme të Gjergj Dursakut dhe tre bijve të tij, kjo familje arriti të ngjisë shkallët e shoqërisë gjenoveze, të shkruhet në “Librin e fisnikërisë” (Libër Nobilitatis) dhe më pas, gjatë tre shekujve, t’i japë kësaj republike 9 dozhë (presidentë të republikës), mbi 30 senatorë e ambasadorë, dy kardinalë dhe një radhë të gjatë shkencëtarësh, historianësh, mecenësh të artit, klerikë të lartë etj., duke nënvizuar dhe faktin se zemra e dozhit të fundit, Gerolamo Durazzo, ruhet ende në një urnë të panteonit francez me kërkesën e Napoléon Bonapartit.
Por nga pasuria e madhe historike që lanë pas (ku në sallonet e tyre kishte një koleksion të jashtëzakonshëm me tablo të Van Dyck, Rubens, me tablo të Rembrandt, Veronese, Caravaggio, Tintoreto etj.) dallohet dhe një “Libro d’ore”, i cili ende nuk njihet në Shqipëri, kodik ky me miniatura të mrekullueshme që ruhet sot në Bibliotekën e Torinos.
Pikërisht në vitin 1847, familja Durazzo do t’i dhuronte bibliotekës së Gjenovës “Biblioteca Civica Berio” këtë kodik “miniato” mjaft të bukur dhe të rrallë, i cili kishte qenë pronë e Marcello Durazzo-s, ish-dozh i republikës dhe një nga njerëzit më të pasur të Gjenovës, aq sa në kohën që ishte dozh, në kancelaritë europiane, Republika Gjenoveze cilësohej Republika Durazzina.
Në fakt, kodiku që quhej “Libro d’ore” ose “Uffiziolo Durazzo” i shkruar në pergamen “purpureo” dhe me “crisografia” (me bojë ari), ishte i jashtëzakonshëm dhe me vlera pikturale të mrekullueshme. Sipas specialistëve, ky kodik ishte pikturuar në fillim të shekullit XV prej një artisti me origjinë nga Parma, Francesco Marmitta. Në një portret që cilësohet “Parmigianino” dhe që ruhet sot në National Gallery, të viteve 1523-1524, personi i pikturuar mban në dorën e majtë pikërisht “Libro d’Ore”, çfarë konsiderohet se ai është koleksionisti i parë i këtij kodiku.
Pas një qëndrimi në Parma, kodiku më pas ka shkuar në Portugali përmes Jacopo-s, birit të dytë të Francesco Marmitta-s. Dihet gjithashtu se kodiku është gjendur në Gjenova në shekullin XVIII, në fillim në duart e tregtarit të pasur Bacigalupo. Historiani Luigi Cibrario e ka cilësuar Libro d’ore Durazzo me këto fjalë: “Marchese Marcello Durazzo ha un uffiziolo di Madonna in pergamena violata e in lettera d’oro miniato con tuta grazia e bellezza ch’io lo tengo per uno de’codici piu prezziosi in questo genere”. (Markezi Durazzo ka një “uffiziolo” të Madonës në pergamen në ngjyrë violet, me germa “miniato”, me një hijeshi e bukuri që për mua është një nga kodikët më të çmuar të këtij lloji …)
Në vitin 2008, Francesco Cosimo Panini Editore, nën drejtimin e Andrea de Marchi, ka realizuar në kolanën “Biblioteka e Pamundur” botimin e parë në faksimile të shkruar nga kaligrafisti i njohur bolonjez (profesor i gramatikës), Pietro Antonio Sallando, duke treguar hiret e këtij kodiku të jashtëzakonshëm dhe plot figura të habitshme, me psalme e lutje nga kishtare (Uffici), që i ndeshim në “Trecento” dhe “Quatrocento” veçanërisht në Francë apo në Vendet e Ulëta: “Libro d’Ore Durazzo. Porpora, oro e rubini per un capolavoro miniato”.
Libri me 240 faqe, me riprodhimin e 45 miniaturave, që siç i cilëson kritika, kemi të bëjmë me “një kryevepër të miniaturës italiane të Rinascimento-s”, u botua vetëm në 980 kopje me një distribucion botëror. Është shkruar për këtë kodik edhe nga Laura Malfatto, La storia recente del libri d’ore Durazzo, si dhe Laura Nuvoloni, Pietro Antonio Sallanda e la scritura del Libro d’Ore Durazzo.
Në Gjenova sot ka dhe një bibliotekë të rrallë që quhet “Biblioteca Durazzo”, e cila konsiderohet si një nga bibliotekat më të pasura private të Italisë dhe padyshim meritë për këtë kanë disa nga figurat e kësaj familjeje, duke veçuar ambasadorin Giacomo Durazzo, artistin që drejtoi gjatë dhjetë vjetëve teatrot e Perandorisë së Austro-Hungarisë, para të cilit dha koncert djaloshi Mozart (kur ai ishte ambasador i Austrisë në Venedik) dhe që e shkriu pasurinë e tij me koleksionet dhe librat e rrallë, stampat, gravurat e rralla, pjesët muzikore (duke filluar me partiturat origjinale të Vivaldit) etj. Lexuesi i sotëm në ato mijëra volume, veçanërisht të shekujve të mëparshëm mund të gjejë botime që nuk janë në bibliotekat e tjera.
Bëhet fjalë për libra që janë klasifikuar në kategori të ndryshme si: Manoscrito, Scriptorium, Rinascimento, Italia medioevale e umanistica, Medioevo latino etj. Midis tyre gjen 299 dorëshkrime, 448 “incunaboli” pra midis 1450-1501, 616 vepra të 1500-s, 126 “bodoniane” (të kohës së tipografit italian Giambattista Bodoni, 1740-1813), 169 “cominiane” etj., të cilat janë mbledhur në antikerët dhe librarët në tregjet europiane të fundit të shekullit XVII. Biblioteka Durazzo u krijua nën konsulencën e paleografit të njohur italian Dino Puncuh, i cili është njëkohësisht dhe president i Shoqatës Ligure Storia Patria.
Ajo tashmë është ndarë në seksione të ndryshme. si Storica (1414 tituj), Belle Lettere (1041), Scienze e Arti (710), Teologia (607), Diritto, Scienze Naturali, Fisica, Matematica e Medicina.

A po humbim dije për shkak të rritjes së dominimit të gjuhës angleze si gjuhë e arsimit të lartë dhe e shkencës?

Nëse merr pjesë në ndonjë konferencë akademike ndërkombëtare, i gjithë diskutimi do të zhvillohet në gjuhën angleze. Gjuha angleze është kthyer në medium për studim, shkrim e lexim.
Kjo mund ta bëjë më të thjeshtë komunikimin e bashkëpunimin e njerëzve që flasin gjuhë të ndryshme. Po a po humbet ndonjë gjë tjetër nga kjo? A po margjinalizohen studimet jo-anglisht?
Një fushatë e bërë nga akademikët gjermanë thotë se shkenca përfiton nga të qasurit me gjuhë të ndryshme. Hulumtuesit, gjuha e parë e të cilëve nuk është anglishtja, shqetësohen se atyre u duhet t’i përshkruajnë teoritë e tyre në gjuhën anglo-amerikane që të publikohen në revistat kryesore ndërkombëtare.
Sipas gjuhëtarit gjerman Ranier Enrique Hamel, në vitin 1880, 36 për qind e publikimeve shkencore përdornin gjuhën angleze, që u rrit në 64 për qind pas një shekulli. Por, kjo prirje është theksuar edhe më tej, në mënyrë që në vitin 2000, në mesin e revistave më të njohura, 96 për qind e publikimeve të ishin në gjuhën angleze. Duke u publikuar në këto revista të njohura influencon në renditjen universitare, duke i bërë ato angleze e amerikane më të kërkueshme. Njëkohësisht i shtyn dijetarët të përdorin me detyrim anglishten.
Kjo tendencë përforcohet edhe më tej duke rritur numrin e kurseve anglisht në Evropë e Azi. Në Holandë, Universiteti Maastricht ofron 55 kurse masterash në anglisht dhe vetëm tetë prej tyre në gjuhën holandeze. Universiteti Groningen tani përdor gjuhën angleze si gjuhën e saj dominuese në mësimdhënie.
Në Gjermani një fushatë e drejtuar nga akademikët e quajtur “Adavis”, dëshiron të ruajë gjermanishten si gjuhë e shkencës. Akademikët thonë se shumë fusha të shkencës janë zhvilluar për shkak të qasjeve të ndryshme të ndërmarra nga akademikët që përdorin gjuhën e tyre amtare.
Profesor Ralph Mocikat, një imunologjist molekular që drejton projektin, thotë se gjuhët individuale përdorin modele të ndryshme argumentimi, në mënyrën që konkluzionet arrihen nga debate dhe shqyrtimi i provave. Ai thotë se “argumentimi është më linear në gazetat me gjuhë angleze, por mendimi formohet nga gjuha”. Profesori Mocikat thotë se akademikët shpesh përdorin metafora nga gjuha e përditshme kur bëjnë një argument ose kur përpiqen të zgjidhin një problem, dhe këto jo gjithmonë arrihen të përkthehen në mënyrë direkte.
“Mendimi formohet nga gjuha. Kjo është arsyeja se pse gjuha luan një rol vendimtar në progresin e shkencës,” thotë ai. “Shkencëtarë si Galileo, Njutoni dhe Langange braktisën studimet latine, e cila ishte gjuhë universal, për gjuhët e tyre amtare. Gjuha e zakonshme është burimi kryesor i shkencës dhe riprezantimi i një monokulture gjuhësore do të rikthejë shkencën në ditët e saj të zeza”.
Studimet tregojnë se për t’u publikuar në një revistë angleze, akademikëve u duhet të njihen me teoritë anglo-amerikane dhe terminologjitë.
Profesori Winfried Thielman thotë se emrat që u jepen teorive të reja janë zakonisht të vendosura nga akademikë amerikanë dhe kanë më pak gjasa të pranohen në gjuhë tjetër ndryshe nga anglishtja.
“Në këndvështrimin tim, kjo është një nga arsyet që ekonomistët europianë nuk kanë kontribuar shumë në menaxhimin e krizave të fundit financiare,” thotë ai.
Ekziston shqetësimi se rrezikojmë të humbasim dijet, sepse dijetarët që nuk përdorin anglishten rrallë dëgjohen jashtë vendit të tyre dhe bëhen të njohur ndërkombëtarisht.
“Disa preferojnë ta ndërtojnë karrierën e tyre brenda vendit, sepse e kanë të vështirë të zotërojnë gjuhën angleze”, thotë Anita Zatori nga Universiteti i Budapestit. “Nga eksperienca ime besoj se është e nevojshme të mendosh anglisht për të folur anglisht përpara një audience ndërkombëtare dhe shumicës së njerëzve u mungon ambicia dhe kurajo për ta bërë këtë”.
Përkthimi i mirë akademik është i shtrenjtë dhe revistat në gjuhën angleze nuk e nxjerrin një artikull pa u shfaqur më parë në një gjuhë tjetër. Ekzistojnë rreth 6000 revista shkencore në Brazil, shumica në gjuhën portugeze, dhe vetëm pak prej tyre janë të njohura nga indeksi ndërkombëtar i revistave. Shumica e këtyre kërkimeve shkencore nuk do të kenë impakt jashtë Brazilit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...