Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/04/24

Rreth përmbledhjes poetike të Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 1994

Anton Çefa: “Vetëtimë. E zbret fulikare fjala që vret mu në shpirt”

Rreth përmbledhjes poetike të Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”, 
Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 1994

Përmbledhja poetike e Zef Zorbës1) “Buzë të ngrira në gaz”,e shkruar brenda skajeve të një jete të tërë, nga viti 1945 deri në vitin 1980, u botua një vit mbas vdekjes së poetit, nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Më pas u botuan edhe disa poezi të tjera në revistat “Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”; çka la të kuptohet se nuk qe përfshirë në vëllim e gjithë krijimtaria poetike e tij. 2).
“Buzë të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, po aq edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend, dhe të një populli të shkëputur nga bota.
Fillimisht, kritika letrare, me dashje a padashje, a sepse, si duket, nuk qe e përgatitur për ta bluar artin e tij, nuk iu afrua poezisë së Zorbës.
Befasues qe një vlerësim i lartë nga jashtë. Në vitin 1996, një komision sui generis, i përbërë nga albanologu Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut), dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj”. Në arsyetimin e jurisë thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkrueme në Shqipni”3).
Falë buzëve të ngrira në gaz, këtij njëmendësimi psikologjik dhe filozofik, poezia e Zorbës sot është një realitet poetik gjithëkohor i letërsisë shqipe; realitet poetik buzësh “të ngrira në gaz”, një gaz që shkëlqen ndër ngrica të akullta ironie.
Në “Pasthënien”, me të cilën poeti ka dhënë sqarime për poezinë e tij, thuhet: “Ku më pak e ku më shumë këto punime janë mbarsur nga ironia, madje edhe nga autoironia, por që mjerisht, pa dëshirën time, ka shkarë ndonjëhërë në sarkazëm. S’kam pasë fare të bëj: ashtu ka ardhë. Por dua që këto tipare të mos interpretohen si pesimizëm: nëse duken sit ë tilla fajin e ka aftësia ime e kufizuar e jo vetëdija”4). Ashtu është. Ai e ka ditur e njohur veten dhe botën, jetën dhe artin, dhe i ka dashur:

“O jetë!
Edhe në zgrip,
Shtegëtarët e tu,
Gjithnjë të dashurojnë.”


Që në moshë fare të re, ai krijoi për vete një realitet të dytë që nuk kishte të bëjë me përditshmërinë. Dhe që është: “më i bukur se jeta vetë”. Çfarë joshjeje mund të kishte jeta e asaj kohe të vrazhdë, kur poetin e yshtnin horizonte të kaltra poezie, muzike, filozofie, estetike! Përmes këtyre filtrave kalonte në shpirtin e tij zymtia e ditëve, që u pasqyrua aq bukur ndër vargje.
Në nëntitullin e poezisë “Qokthi”, poeti ka vënë dy vargje të Salvatore Quasimodo-s: “. . . il mio cuore, / sospeso nel buio, una voce” (“. . . zemra ime, / e varur në errësirë, një zë”), që ngërthejnë kuptimin e jetës së tij në terrin e diktaturës, kuptim që ai e sheh tek zëri, fjala, poezia, me të cilën ai ka përjetuar dhëmbjen dhe ka krijuar e shijuar bukurinë; bukurinë e jetës dhe bukurinë e fjalës, që sendërton jetën dhe është më e bukur se ajo:

“Fjala

Vetëtimë.
E zbret fulikare
Fjala që vret mu në shpirt.
Më e bukur se jeta vetë
Oh…”

Zorba ka një vlerësim të veçantë për poezinë. Ajo ka origjinë hyjnore: është vetëtimë që zbret shumë shpejt (fulikare) në shpirtin e poetit dhe vrujon dhimbje. Të njëtën konsideratë e gjejmë të De Rada, Fishta dhe poetë dhe estetë të tjerë të traditës. Lasgushi e ka pohuar me gojë:
“Poezia është divine (hyjnore). Prandaj, kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir.” 5)
dhe e ka poetizuar:

“Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime,
Posi flakë e posi hije,
Ajo ryn në zemër time.

E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M’i hap kindin e një pale . . .
(“Ri mbështetur mbi tryezë”)
               
 * * *

“Buzë të ngrira në gaz” përbëhet nga pesë tubëza lirike, të titulluara: “Elemente”, “Blerime tjera e zalle”, “Pasqyra të cfilitura”, “Fugat e fundit”, “Në zgrip” dhe poemën “Mbresat e rrugëve”.
Në ciklet poetike mbizotërojnë vëzhgimet meditative për jetën, vdekjen, fatin e njeriut, gjendjen nën diktaturë, por nuk mungojnë edhe ato të thjeshta. Në një pjesë të mirë të poezive janë trajtuar tablo nga jeta e përditshme. Ndonjëherë, shqiptimet mishërojnë një theks të dukshëm ironik. Një jeh të veçantë kanë mesazhet nga bota metafizike. Zorba cilësohet me një forcë poetike të veçantë; ai e gjen frymëzimin kudo, në objekte a situata, ku nuk të shkon mendja se lind frymmëzimi, atje, ai krijon një perlë.
Si poet hermetik, Zorba ka dalloja të theksuara, kemi të bëjmë me një intelektual që gjithë jetën e ka kaluar jo vetëm me hermetikët e mëdhenj italianë, por edhe me poetët e mëdhenj modernë europianë dhe amerikanë. Ai ishte tejet i familjarizuar me filozofinë dhe estetikën moderne dhe, sidomos, kishte një kulturë të gjerë muzikore, faktorë që kanë ndikuar në veçoritë e hermetizmit të tij. Mungesa e njohjes në nivelin e duhur të këtyre përbërësve, që përcaktojnë në një masë të madhe poezinë e tij, nuk mund të lidhet vetëm në një gremç të vetmuar hermetizmi, por për t’u interpretuar kërkojnë një formim të ngritur.
Jeta e rëndomtë, ai realitet i zymtë që poeti e ka soditur gjithnjë me dhimbje të thellë, herë-herë me mospërfillje dhe ironi, lexohet pa ndonjë vështirësi në pjesën më të madhe të vargjeve. Ky realitet jo vetëm që ka qenë i pranishëm, po edhe i ka ndihmuar poetit të krijojë një vizion jete përtej tij; jo të bazuar në filozofinë e prioritetit të materies, por mbi bazën e filozofisë së ndërgjegjes përcaktuese, “të koshientit e të subkoshientit”, po të shprehemi me fjalët e tij. Ky avantazh filozofik i ka dhënë frymën motiveve, tablove, figuracionit, stilit, çdo elementi të poezisë, dhe kryekrejet mesazheve. Përtej errësirës, absurditetit të pafund, kohës së ndalur, poeti në dritën e këtij vizioni i sheh qartë tri dimensionet e kohës, të djeshmin, të tashmin dhe të nesërmin.
Një nga simbolet që paraqet zymtinë e rëndë, errësirën, mjerimin e jetës nën diktaturë, peshën e zezë të politikës është shiu. Shiu është kryefjala e fjalëve më kyçe të poezisë. Gati-gati, pjesa më e madhe e vargjeve janë të lagura, bile të qullura.
Edhe një xhevahir poetik ku himnizohet madhështia e njeriut që, edhe pse në kushte të vështitra jetese, në rrethana të papërshtatshme, ka synuar të dritshmën, të mirën, të bukurën, i ka endërruar dhe është përpjekur për t’i realizuar ato, dhe me mund, sakrifica, flijime, e ka lënë botën më të mirë se e ka gjetur, titullohet “Natën, kur bie shi . . .”. Përvijohen këtu, në strofë të veçanta: Njeriu i Nedertalit, Diogjeni, Kolombi, Betoveni, Ainshtajni, dhe në strofën e fundit poetët Ungareti, Kuazimodo dhe Montale. Çdo strofë fillon dhe mbaron me dy vargjet që simbolizojnë vështirësitë e jetës. Ja strofa e parë:

“Natën,
Kur bie shi me rrëshekë
E n’ errësirë
Radioja transmeton
-ritmuar me shkreptëtira-
Mazurkat e Shopenit,
Kujto trogloditin:
Njeriu i Nedertalit,
Me trurin plot përbindësha viganë
E zvaranikë tinzarë e të neveritshëm,
Në skutën me qullë të shpellës
- I ngrysur, i uritur -
Mendime yjesh përçapë,
Botën e ndritur me flakë,
Që akujt e kobit, shtijakë
T’mos e shporojnë.
Rëndomët një gazmend e vokë,
Në sfera përmbi sfera
E flakëron i lehtë,
Në ëndrrën që nis e bëhet jetë . . .
Natën,
Kur bie shi me rrëshekë.”

Shiun, element atmosferik i zakonshëm për Shkodrën, e gjejmë si fjalë kyçe edhe te Frederik Reshpja, por me një ndryshim të padiskutueshëm me Zorbën. Ndërsa, tek i pari ai reflekton një jeh krejt personal, tek Zorba ai është i mbushur me musht universal. Universalizmi, më së tepërmi, e karakterizon poezinë e Zorbës për të plazmuar vizione meditative, kryesisht, metafizike.
Pasiguria e jetës, e papritura e çastit, që mund të përmbyste çdo gjë, e kanë shoqëruar poetin gjatë atyre viteve, kur jeta e çdo njërit, mund të shkatërrohej për një çast. Në shtigjet e errëta, poetit i duhet drita. Po ku ta gjejë? Një botë e pasur shpirtërore nuk stepet. Te një njeri i dashur, më së tepërmi, te e dashura e zemrës, Tereza, që qe jo vetëm shoqe e jetës, po edhe e idealit, për të cilin vuajti burgun edhe ajo si ai; te dashuria si ndjenja më humane e njerëzimit; te një ide a një doktrinë filozofike; tek një pentagram simfonik; apo tek poezia që i përfshin të gjitha këto elemente që burojnë dritë:

Pa titull

“Asht terr ky shteg. Unë s’mundem
Rrugën m’e gjetë pa dritën
Tande që më mungon.

Në breg të greminës,
që m’joshë e m’largon,
a shef si po lkundem?” 6).

Zorba është poeti që ka shkrirë në një poezinë me muzikën dhe i ka veshur motivet me petka melodie. Këtë mund ta bënte vetëm një njohës i mirë i këtij arti. Dhe ai qe i tillë. Janë të njohur për një muzikalitet të theksuar poetik Fishta, Poradeci, Noli, dhe plot të tjerë, por për ta, muzikaliteti i fjalës dhe i vargut është thjesht një element i formës, që arrihet me përdorimin e qëllimtë të kadencave ritmike, me përzgjedhjen e tingujve, rimave, etj. Ndërsa tek Zorba, muzikaliteti poetik nuk është thjesht formë, ai është edhe përmbajtje. “Për unjisimin muzikal është kërkuar jo vetëm ritmi i qenësishëm në fjalët dhe në vargjet, por edhe tentativa e riprodhimit të formave muzikore: fugat, fugatot, sonata me tempot, kadencat, etj.”, ka shkruar ai në “Pasthënie”.
Të kësaj natyre janë cikli poetik: “Fugat e fundit” dhe poemi “Mbresat e rrugëve”.
Në “Fugat e fundit”, kemi të bëjmë me pesë poezi, të titulluara me terma të formave muzikore, dy prej të cilave kanë edhe nga një nëntitull: “Allegro”, “Andante mosso”, “Lento (për çdo 10 qershor)”, “Largo”, dhe “Allegro furioso (canzonetta)”.E përsëris, këto tituj nuk kanë kuptimin a kuptimet leksikore të fjalëve të zakonshme, por janë emërtime të formave të veçanta muzikore.
Në rrafsh gjuhësor, fjala fugë ka kuptimin e ikjes, arratisjes, veprimin e të ikurit nga një vend, largimit nga rrethana të ndryshme, etj., ndërsa në teorinë e praktikën muzikore, fuga është forma më komplekse e kompozimeve muzikore, që zhvillon disa tema, në funksion të një teme gjeneruese. I tillë është ky cikël poetik. Rreth një teme qëndrore, që është amullia e hirtë e përditshmërisë, në “Fugat e fundit” zbulohet një tematikë e larmishme, ka aty meditacione filozofike mbi peisazhe të natyrës, pakënaqësinë e njeriut dhe mëdyshjet e tij për rezultatet e njohjes shkencore, kur ato janë përdorur në dëm të tij, dhe prandaj nuk e kënaqin as shkencat ekzakte e as artet; dhe ai, mbetet si “i jeremisur” “në mes të askurgjësë e të pambarimit”; por ka edhe “disa tharme / të mënjanuara / (që) me ngjyrë të re përftojnë një dritë / e jehe:

Dhe është ajo këngë e lashtë e fisit,
Që në mërgim përkundi shumë do burra,
Të djegur mallesh
E sypërlotur.

Cikli “Fugat . . . mbyllet me poezinë “Allegro furioso”, ku hamendësohet një hare e furishme me përshkrimin e një tabloje liqeni tejet të trazuar. Por ndodh e kundërta. Poezia e haresë së furishme dhe krejt “Fugat . . . ” priten si me spatë në vargun e fundit: “por shi vazhdoi me ra”. Kështu, në “Fugat e fundit”, poezia e muzika janë motra binjake, i ndihmojnë njëra-tjetrës dhe ndërthuren me mesazhe ngjyrash të ndryshme për jetën, njeriun, atdheun; ndërsa “shi vazhdon me ra”, d.m. th., monotonia, errësira, zymtira e së përditshmes mbetën.
Me terminologjinë e artit të melodisë shtjellohet edhe poemi “Mbresat e rrugëve”, në formën e koncertit për violë, fagot, ksilofon–kumbonë dhe instrumenta perkusioni. Poemi përbëhet prej 12 pjesësh, të titulluara me terminologji muzikore, shoqëruar me nëntituj: “Introduksion (Kthehen kujtime)”, “Tema e fagotit (Koha rend)”, “Tema e ksilofon-kumbonëve (Kur binte muzgu)”, “Tema e instrumentave me perkusion (Përshkimi i një komete)”, “Tema e violës (Ne djemtë e vajzat, e një maturant)”, “Parte concertante (Përzemërsi, lodra e dituri . . .)”, “Kadenca e ksilofon-kumbonëve (Pranverë)”, “Kadenca e fagotit-Ballatetta-(Verë)”, “Kadenca e violës (Vjeshtë)”, “Kadenca e instrumentave me perkusion (Dimër)”, “Ripresa (Ndarjet)”, “Stretta finale (Sikur . . .?)”. Edhe këtu kemi një larmi tematike, por me shtjellime më konkrete, aty këtu me gërshetime liriko-epike, që trajtojnë motive erotike, përshkrime stinësh me përsiatje meditative rreth tyre, tablo varfërie të skajshme, zymtie jetësore, por me mesazhin e shenjtë e optimist të dashurisë për jetën dhe njeriun.
Të nxitura nga jeta, frymëzimet e poetit janë jehonë “emergjencash shpirtërore”, siç i ka quajtur Pipa poezitë. Një emergjencë e tillë blatohet në pjesën “Kadenca e fagotit”, në të cilën:

“Në jerevinë
E ngarravaçuar të druvarit
Kandili i gjorë
S’e ka pikën e vajgurit:
Ndaj nën fanar, te dera,
I biri, maturant,
Me Kantin jep e merr
E me errësirën”.

Po ashtu në “Kadenca e violës - vjeshtë”, “Motet stërkeqeshin me mënjanime / por sidoqoftë mjerimi ish enerci, / akull polar, e vdekja / çasej në gjumë . . .”.
“Buzë të ngrira në gaz” mbyllen me ciklin poetik “Në zgrip”, leksemë, në të cilën akustika tingullore i rri aq përshtat kuptimit të fjalës. Edhe pse nuk është përdorur aq dendur në frymëzimet e Zorbës, ajo ka vlerën e fjalës kyçe. Tematika motivore e “zgripit”, përkap kohën e jetës në pragun e rrënimit, kohës së shtangur në një vend (“Një gozhdë”); zhgënjimin e poetit për varfërimin shpirtëror të njeriut (“Hënë të reja”); pakënaqësinë e tij që jetës i ka humbur shija e së bukures (“Raki e lirika–balladë”); ëndërrimet me ngjyrime romantike për një jëtë më të mirë, dhe dëshira: “gjersa jeta qenka / kaq e çatrafiluar, së paku sendet / me njëra-tjetrën të përkojnë, si ngjyrat / në kuadrot e Monesë” (“A s’ ma ndërtoni një shtëpi”); mjerimi i një jete që rrokulliset teposhtë e më teposhtë, dhe një mesazh i fuqishëm (te “Rrokollja na flakë- kushtuar bashkatdhetarëve”) për njerëzit që:

“Na i harruan kushtrimet:
Lëmuç mbi njëri-tjetrin
S’u ndiekan për së gjalli;
Të mos ketë mbetur frymë
Që rishtas t’i buçasë? ”

* * *

Zorbën e dallon një ind tekstor vetanak, që e veçon atë prej të gjithë poetëve tanë të traditës dhe të kohës sonë. Ai ka një fjalor të pasur, që ushqehet me përdorimin e fjalëve të rralla dhe arkaike, sidomos të atyre që emërtojnë ose cilësojnë a tregojnë tipare të veprimit a të gjendjes, rrethana e mënyrë veprimi gjërash të zakonshme. Edhe në rrethin më të ngushtë të leksemave që përdor më shpesh, ai nuk i shmanget kësaj rruge. Të tilla janë: rrokoll-e, zhig, zalle, qull-e, qyqe, qyqar, lëmuç, etj.Për të shprehur përvoja të brendshme ndjenjësore dhe përfytyrime vetjake, poeti gjen vlera estetike tek disonancat, veçori e simbolistëve, po edhe e Montales. Këtë efekt, ai e krijon duke bubërruar e qëmtuar fjalë të popullit, pothuajse të harruara, në të cilat përsëriten tinguj të njëjtë që në pozicionet përkatëse shqiptohen me vështirësi: “Në jerevinë e ngarravaçuar të druvarit”, “Janë po ato rremnime shpirti, të rrokuara në zgrip”, “E mbetën ashtu lmuç të laskaruar”, “E nyjça krahë të lacaruar”.
Në një shkrim timin të mëparshëm 7), kam vënë në dukje që Zorba, si edhe disidentët e tjerë të heshtur shkodranë, ka shkruar në dialektin gegë.Por kur u përgatitën për botim pësuan metamorfozë dhe u botuan në standardin gjuhësor të njësuar. Një lajthitje e tillë e dëmtoi së tepërmi poezinë e tij, sidomos në rrafshin akustik të saj; çka për Zorbën, që bëri përpjekje për të lidhur poezinë me muzikën, krijoi një minus të dyfishtë. Këtë na e dëshmojnë qartë edhe poezitë që u botuan më vonë në revistat “Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”.

* * *

Nuk mund të bëhet një koment i plotë për Zorbën pa vështruar përkimet e poezisë së tij me tre poetët e mëdhenj hermetikë italianë: Montale-n, Quasimodo-n dhe Ungaretti-n, të tre të nderuar me Çmimin Nobel. Zorba i përmend me admirim këta tre poetë në poezinë e tij; dhe veç kësaj, ai na ka lënë në dorëshkrim antologjinë poetike “Omne trinum est perfectum” 8), në të cilën ka përfshirë përkthimin e poezive më të arritura të këtij treshi poetik të madh. Botimi i saj do të na tregojë se cilat vepra të tyre ka njohur poeti ynë; mbasi vëllimet poetike të botuara, nga viti 1945 dhe këndej vështirë t’i kenë rënë në dorë. Përkimet e treshes hermetike italiane me poetin tonë i hasim në kuptimin e qenies dhe qenësisë së poezisë, në përcaktimin dhe qasjen e objektit poetik, në shtjellimin tekstor të motiveve; në njëfarrë drejtimi, edhe në preferencat leksikore, etj.
Në të kuptuarit dhe në vështrimin e poezisë, Zorba afrohet me hermetikët italianë, për të cilët poezia e pastër është imazh që evokon objektin, më tepër se ta emërtojë a ta përshkruajë atë.
Për ta rritur sa më shumë forcën evokative, ndjellëse, dhe sugjestionuese të poezisë, për të dhënë më të qenësishmen e imazhit poetik (“esencialitetin”, siç e përcakton ai vetë në Pasthënie), ata përdorin, çka është synimi i tyre kryesor, një ligjërim intensiv, skajshmërisht sintetik, eliptik, gjë që shpesh e bën atë të errët, hermetik. Një ligjërim që rreh të ndriçojë elementet afektive, ndjenjësore, imagjinative, duke zbehur ato racionale. Dihet përkufizimi lapidar, substancial, i përqenësishëm i Quasimodo-s për poezinë: “Kur poezia fillon të thotë, pushon së qeni”.
Intensiteti skajor i kumtimit të idesë në tekstin poetik i ka çuar hermetikët italianë shpesh në poezi me dy a tri vargje me nëntekste shumë të pasura, si në rastin e poezisë “Ed è subito sera” (“Dhe shpejt vjen mbrëmja”) të Quasimodo-s, për analizën e së cilës janë thurur disa ese nga kritikë të ndryshëm.

“Ognuno sta solo sul cuor della terra
Trafitto da un raggio di sole:
Ed è subito sera”.

(“Secili rri vetëm në zemër të tokës / I goditur nga një rreze dielli: / Dhe shpejt vjen mbrëmja”). Ose me poezinë e Ungaretti-t, “Mattina” (“Mëngjes”), një poezi e zhveshur deri në palc të ashtit: “M’ illumino/d’immenso” (“Përshëndritëm / Pafundësisht”) 9).
Të kësaj natyre janë shumë poezi të Zorbës, si përshkrimet me nëntekste të pasura kuptimore: “Pjergulla”, “Zalli i Kirit”, “Prap me furi”, “Rrenime”, “Rrugët në vjeshtë,”, “Malle”, Fli”, etj., ose meditacionet filozofike si “Përtej…” (që të kujton poezinë që çekëm më lart të Quasimodo-s), “Pa element”, “Fjala”, “Kujtime”, “Robër”, (e shkruar në burg, në vjeshtë të vitit 1948, ku aludohet për “armiqtë e popullit” që punonin në kampet e punës dhe të “riedukimit”, dhe që na kujton poezinë “Vëllezër” të Ungaretti-t, kushtuar ushtarëve në llogore gjatë Luftës së Parë Botërore.).
Me gjithë admirimin për hermetikët, Zorba ka ndjekur vetveten në dhënien e emocioneve dhe të përfytyrimeve vetiake. “Pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qenë një vazhdim i mjerë e i pafrut”, ka shkruar ai.Origjinalitetin e tij, “shpetimin prej grackës së hermetikëve”, siç e quan ai, e ka arritur nga “analiza kritike e botës individuale, e rrethanave, e kushteve të ekzistencës, e aspiratave dhe idealeve e sidomos kundërshtimet e botëkuptimet personale, që edhe mund të paraqesin afri sensitive me këdo tjetër, por jo unjisim filozofik e ideor”. Një burim tjetër shpëtimi nga ajo grackë është jetësuar në rrafshin leksikor: “shpuplimi dhe ushqimi i vazhdueshëm me leksikun dhe idiomat tona (të traditës dhe ato që bota krijon çdo ditë)”, ka shkruar ai po aty. Megjithse, sikurse kam sqaruar më lart, nuk mund të pajtohem plotësisht për këtë çështje.
Një ndikim të dukshëm të poezisë hermetike e hasim në dy ciklet që përmendëm më lart; “Fugat e fundit” dhe “Mbresat e rrugëve”, që përfshijnë provat e tij në lidhjet poezi–muzikë. Zorba eci në rrugën e hapur prej Montales, siç kishte ecur ky pas gjurmëve të muzikantit francez Debussy, që pati kompozuar poezi të Bodlerit dhe një poem të Malarmès. Montale, në ciklin poetik “Movimenti” të përmbledhjes poetike “Ossi di seppia” (“Eshtrat e sepies” 10), ka botuar eksperimentet e tij në këtë fushë të pazakontë të relacioneve të poezisë me muzikën: “Corno Inglese”, “Falsetto”, “Minnistrels” da C. Debussy; “Quasi una fanfasia”; veç poezive më të hershme të kësaj natyre: “Musica silenziosa”, “Suonatina di pianoforte”, suitën “Accordi” 11).
Më vjen mbarë të theksoj këtu që poezia hermetike në rrafsh kuptimor nuk është e hapur, pra bart mesazhe që poeti ua transmeton lexuesve nga thellësia, sado të errët që janë nga shkaku i intensitetit maksimal që cilëson tekstin, të cilat lexuesi duhet t’i zbërthejë. Zorba është ushqyer gjithë jetën sa me hermetikët italianë, aq edhe me modernistët europianë si Bodlerin, Tomas Eliotin, etj. Zorba kërkon një komunikim të plotë me lexuesin “komunikim që s’i drejtohet një leçitësi të plogtë, pasiv e indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje. Jo. Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër.”.

Referenca dhe shënime

1). Kam pasë fatin ta njoh. Pavarësisht që mosha dhe sidomos rrethanat nuk na e mundësuan lidhjen e miqësisë, aq të dishëruar prej meje. Një fytyrë e fisme, gjithnjë e hijesuar nga mendimi, që i ndriste sytë dhe krejt fytyrën. E vija re kur ecte rrugës. Një hijeshi personaliteti në të ecur më ngjallte gjithnjë admirim. Me hapa të sigurt, thua se po ecte i vetëm. Mbasi kishte kryer llogaritë në ndërmarrjet ku punonte, që në momentet kur shkëputej nga puna dhe merrte rrugën e kthimit në shtëpi, për të fillonte jeta e dytë, ajo e vërteta. Tashmë, ai e kishte kaluar pragun e asaj jete të rëndomtë të ditës dhe ishte futur në hapësirat e artit. Të krijohej përshtypja që, gjatë rrugës, krijonte poezi. Ja njëra prej tyre:

Si zogj dallëndysheje,
Fëmi të lagjes
Më shkasin anash
Plot shend e verë.”

Më pati treguar Ernest Perdoda, një poet tjetër i heshtjes shkodrane, shok e mik i përbashkët, që Zefi shkruante poezi dhe përkthente hermetikët. Një herë, më pati lexuar një poezi të përkthyer të Ungarett-it.
2). Shih “Phoenix”, nr. 1, korrik-gusht 1997, f. 52-57; dhe “Hylli i Dritës”, nr. 1, v. 2010, f. 186-203.
3). Hans-Joachim Lanksch “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, nr. i mësipërm, f. 49-51.
4). Të gjitha citimet nga Zorba që pasojnë janë marrë nga kjo “Pasthënie”.
5). Shih, Petraq Kolevica, “Lasgushi më ka thënë… Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin”. Botim i dytë i plotësuar, “Toena”, Tiranë, 1999, f. 89. Cituar simbas Anton Nikë Berisha, “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë – Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës”, “Shpresa & Faik Konica”,Prishtinë, 2003, f. 109.
6). Ky variant është marrë nga “Hylli i Dritës”.
7). “Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letërsinë tonë”, “Dielli”, nr. 1 dhe 2, viti 2004.
8). Stefan Çapaliku, “Edhe pse kohë mbeti pak . . . ”, gazeta “Shkodra”, 14 janar, 1993.
9). Të dhënat për Quasimodo-n dhe Ungaretti-n i kam prej shënimeve të mia të dikurshme.
10). Sepie, emër i një molusku.

11). “Eugenio Montale, Collected Poems 1920-1954”. Translated by Jonathan Galassi. 

Arif Molliqi : Vijnë pas shekujsh baladat e moçme...



Image result for arif molliqi poezi


Arif Molliqi, lindi në vitin 1953, është shkrimtar shqiptar nga Kosova, i lindur në Llukë të Epërme afër Deçanit.



Me shkrime ka filluar nga viti i fundit të gjimnazit ( kohë kur filloi të botoi), edhe pse ka shkruar më herët. Në fillim nuk e ngacmonte aq shumë poezia, andaj filloi më humor dhe satirë, n´atë kohë nuk preferohei shumë satira, andaj për ti ikur „keqkuptimeve“ filloj të shkruaj edhe poezi.
Image result for arif molliqi poezi


Satiren e shkroi krejt padiktueshëm tek gazeta humoristike „ Thumb, duke botuar me pseudonime të ndryshme si; Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etjera. Gjatë vitit 1977/78 bashkëpunoi në gazeten e studenteve „Bota e re“ ne faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor.Këtë bëri edhe më Radio televizionin e Prishtinës, shkroj disa pjesë humoristike që i dha televizioni.

Image result for arif molliqi poezi

Edhe në „Rilindje“ botoi shumë shkrime saterike gjersa një ditë, të shqetësuar miqët e tij e rekomandojnë; herë për herë ta le satirën sepse ishte gjini letrare e „vështirë“ për kohën. Pas kësaj „këshille“, Molliqi e vazhdoi me intenzivisht me poezi,prozë dhe dramaturgji. Eshtë shpërblye disa herë me vendin e parë dhe të dytë në konkurset letrare për poezi.


Image result for arif molliqi poezi


Veprat




“Simfoni për darkën e qenve”, poezi, Prishtinë, 1994

“Në udhëkryq pa zhurmë”, (poezi), Toena, Tiranë, 1996

“Loja e Sarkofagut”, (dramë), Eurorilindja, Tiranë, 1998

“Psherëtima e zareve”, (poezi), Panteoni, Tiranë, 1999

”Përplasje” (skica dhe mbresa), Fakti, Shkup, 2000

"Premiera e një pranvere”, (poezi), Rilindja, Prishtinë, 200

“Kafka e ujkut”, (roman), Toena, Tiranë, 2001

”Dëshmorët jetojnë pas vdekjes”, (monografi), Prizren,2002

“Shënime nga arkiva e qytetit D.”, (roman), Faik Konica, Prishtinë, 2003

“Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.” (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2004

“ Loja e dytë e Sarkofagut”, (dramë) Rozafa, Prishtinë 
(Kjo dramë është marrë për botim nga konkursi letrar i shpallur nga Ministria për Kulturë e Kosovës, për vitin 2003/2004, në mesin e shumë dorëshkrimeve në konkurs)

“Portret i pambaruar”, (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2006

“Klubi Shqiptar Verrat e Llukës“ në Hamburg“, (monografi), klubi, 2007.

"Gruaja e vizatuar nudo", roman, Faik Konica, Prishtinë, 2008.

"Simfoni për darken e Qenit"



Image result for arif molliqi poezi

Antologji


Arif Molliqi, është prezentuar edhe në këto libra dhe antologji:

Halil Haxhosaj: “Premtime letrare, shkrime kritike, Prishtinë,2006
Shefqet Dibrani: “Libri dhe mbresa”, kritikë letrare, Zvicer 2005,
Chelaru Marius, Baki Ymer dhe Luan Topçiu “Antologji e poezisë shqipe”, në gjuhen rumune, një antologji më disa poetë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Valman, Rumani, 2006
Nga Jochan Blanke i janë përkthye në gjuhen gjermani disa cikle me poezi dhe është prezentuar nga një forum gjerman në një mbremje poetike në Hamburg më 2007.
Jeton në Gjermani më familje.

.


Vëllimi poetik i Arif Molliqit, “Potret i pambaruar”,më pelqen më së shumti. Ai ndahet në këto cikle:

Fjalëve që s´u zinet besë, Motiv i një balade të brishtë, Shikom në sy, voglushe, dhe Nata e hijeve.

Duke i lexuar këto poezi, është lehtë të kuptohet kur një portret njësohen me ngjyrat e mbijetesës dhe të qëndresës se individit. Heshtja dhe tjetërsimi i njeriut, gjithmonë i pambaruar, është në rrezikun për të mos e njohur vehtveten, sado që është tepër i qëndrushëm, karshi më kohën e cila e gërryen.

Megjithatë poezitë e kthejnë atë portret për t´u përfunduar, figurativisht, vetem tek atdheu-etnia.

 Këtu autori ka marrë guxim për ta kënduar atdheun ashtu siq është, më gjithë origjinalitetin që ka.(Librin “Portret i pambaruar” e botoi SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2006, faqe, 105)


Për lexuesit e Floripress-it përzgjodhëm disa poezi nga poeti i mirënjohur nga Lluka e Deçanit,Arif Molliqi:




Poezi nga Arif MOLLIQI

SHI TË RRASA E ZOGUT

1.
Rigon egër Një trazim i fshehur hovshëm mbetet në mes
Mbi shkëmb të prerë të Malësisë luftëtarët majë bjeshke
Çdo ditë të vijnë vullnetarisht nga lugina
Nga të katër anët e botës aty ku gufon zemra djaloshare
Atdheu thërret ejani në Koshare Përgadisni
Me fishekë e këngë majakrahut me zjarrin që gufon në gji
Ejani në shkrepat e thepisura aty ku Rrasa e Zogut ju pret
Kosova me vallen e shqiponjave në qiell
Rojet e tokave tona janë aty
Në lartësinë e Bjeshkëve të Nemura
Natyra është e dashuruar në luftëtarët e Lirisë
Aty shikimet dhe këngët e tyre të madhërishme
Rrinë në ujin e zhurmshëm të përroskave
Kosharja ua lidh trupin pas nëntë plagëve
Muzat e Rrasës së Zogut lajnë plagët me lotët e ngrohtë
Për betejën e nesërmë i bëjnë gati

2.
Në kasollën e pyellit në rrasën e gurit era njësoj e ftohtë
Pranvera në Koshare u kthye sërish sërish u kthye
Që një shekull e ngujuar në gurë
Dhe bilbilat sërisht filluan të këndojnë
Dëgjoj në heshtje zërat e mbrëmjes
Mbi gjethet e ahut shiu shembet,
Nga shkrepi në shkrep nga zemra e gurit
Vjen zëri i Sali Çekut
Thirrjet e frymëzuara të Agim Ramadanit
Ti Kosovë e bukura Kosovë
Lindim dhe vdesim pë Ty

3.
Koshare Koshare ti kohë e netëve të gjata,
Ti kohë e ditëve të ndara dy pjesë të Atdheut
Tash nata e Bartolomeut aty
Çasti i kohës së ndaluar përtej tokës së rrudhur
Mbaroi Guri i kufirit s´është më
Rrasën e Zogut Muzat shqiptare e mbrojnë
Këtu ku rri unë,s´ka dritë asgjë shqiptare
Këtu edhe frika për vdekjen s´është shqiptare
O më falni s´jam si Ju
Ujë nga Rrasa e Zogut s´kam pirë
Muzat e Bjeshkëve të Nemura s´më kanë përkundur
Apo s´di s´di a kam të drejtë
Dashurinë për Ju e shkruaj në mërgim
Mos më ndërpritni i di të gjitha
Sonte një ushtimë shkrumb valë-valë zbret
Krisma armësh Vegimi s´më gënjen
Gurët në Koshare po thyejnë qafën
Shi të Rrasa e Zogut shi në Çiçavicë shi në Pashtrik
Gurët e varrit gurë kufiri u dridhën
U rrokullisën në kapërcell shekulli
Në humnerë as copat e ndërgjegjes Evropë
Dy krahët e një Torzo bashkohen
Tropoja pa mjegulla
Para agut në Pranverë

4.
Këtu gjithçka është kujtimi për Ju
Liria Rrasa e Zogut e kuqluar
Mbi barin e njomë të kësaj Pranvere fle
Por s´kam fuqi të bisedoj me Ju
Liria fjala juaj e fundit guri i kufirit
Bota s´bën sehir
Të degët e pishave të rrenjët Ahu hijemadh
Vashat ua lidhnin plagët e lotët e ngrohtë
Borën e Gjeravicës shkrin
Te pellgu i gjakut zogjtë s´i mbyllën dyert
Këngës tmeronte bajlozin e zi
Dielli ndërmjet Rrasës së Zogut nisi të dalë
Të ngrohë ftohtësinë në të dy anët

5.
Gjeravica beteja e re
Kohë shirash pranverore.
Heshtja shekullore shkëmbi Rrasa e Zogut
Kënga e trimit të plagosur jepkurajo
Ej moos u terhiqni Atdheunsërisht e pashë
Gjeravica qëndron

Shi në Rrasën e Zogut para lindjes se diellit
Sa e ftohtë sa e ngrohtë kjo natë
Agimi e Salihu ranë për të jetuar

(Tiranë, prill 1999/Hamburg, maj 1999)



LIGJËRATË PËR LIRINË

Liria është diçka që as vetë njeriu s´di çka është

Është diçka që s´mund ta duash
më shumë se sa të don ajo ty

Çfarëdo që të duash mund të thuash për te
se Liria është tokë që duron gjithçka

Vend ku mund të mbjellish lulën,
lulëtherren edhe kaqen

Mbrenda Lirisë njeriu mund të bëj mëkate
nëpër kronikat e saja

Të gjithë mendojnë se Liria është jeta
është dashuria dhe krenaria

Por ky zbukurim na mashtron se Liria
s´ është diçka që hahet e, as që pihet...

Liria është diçka që as vet njeriu s´di çka është

Janar, 2013



ZJARRMI MALLI

Në brigjet e Elbes
Për ditë i grimcoj fjalët
Për ditë përtyp kujtimet

Natën kthehem nga kam ardhe
Ditën i lidh ëndrrat nyje
Hahem me vetveten

Njësoj në dimër e verë
Rënkimi i shpirtit
Rrjedh njësoj

Maje shtize gjuha dhe dashuria
N´treg shesim zjarmin e mallit
As më lirim s´ti blen kush

Atdheun e varim n´këngë
Më përralla i shkundim malet
lumenjtë e fushat i dridhim më fjalë

Po,
Çka marrim mbas vetes
Gënjeshtrën se kemi jetua

(Hamburg, 23.02.2012)



NATA NË BLACË

Veshi nata valadonin e murgut
numëroi varret pikë për pikë

Porta e mbyllur u plak
nga kollë e kavermave

Sa e gjatë nata mes arkivoleve
në maternitetin e Bllacës


( 30. 03. 99)
Arif Molliqi

Këngët që marrin frymë

I.
Kohë për kohën zi, zi e që zien tym e flakë më drithërime
E gurët trokasin, ndoshta plasin nga gjaku nga krimi
Nga pluhuri e qelbi nëpër rrugë që kundërmojnë
Të sëmurët i puthin me armë, kokë e plumb, plumb e kokë
Nëpër vdekje kapërcejnë ata që u vonuan dje e sot
Pranvera e hershme lëngon mortje, klithma të tjetërsuara
Të çara toke, përbuzje nga egërsirat plot urrejtje njerëzore
Gjithkah gjurma që psherëtinë aq egër, egërsira gjithkah le gjurma
Nëpër rrugë eci. Eci e ndalem. Ndalem para portës shkrumb
Tre a katër fëmijë të djegur ma mbyllin derën, derën ma mbyllin
S´ka dhoma të lira në këtë kohë zotëri, zotëri me kravatë të kuqe
Janë të mbushura me vdekje dhomat, edhe podrumet, edhe parlamentet
Nëpër rrugë, anës rrugës, nën hijen e gështenjave, te Pishat e Deçanit
Rrëzë Çiçavicës...
Avari ka, rrëmbime, vrasje, krisma çoroditëse. Ka varre
Ka hajdutë me tanke, me uniforma të xhelatëve. Ka kasapë
Të çmendurit i kanë lënë të lirë, të lirë t´shajnë, të lirë t´vrasin
Të dhunojnë të lirë, të dhunuarit n´shtëpi nuk kthehen kurrë
Shtatë brezave u lejohet të flasin për vdekjet, për vdekjen
E kohës fishkëllyese, për kafkat e përgjakura n´Evropë,
Ngado që shikoj njerëzit e mi dukën të gatshëm të vdesin
Pa dhembje, pa pikë loti, krenarë me këngën e tyre;
„Ah, Kosovë mos thuaj mbarova,
se djemtë Tu hala janë gjallë...“

II.
Eci rrugëve të qytetit Muze dhe shikoi Gjeravicën
Nga lagështi n´verë hithrat kanë ngritë Kokën
Shkëmbi i Qelisë digjet, digjet më qytetin n´lak
Nënat e plagosura te pragu i shtëpisë që digjet shpresojnë
Shpresojnë se këtu kanë ikur fajdexhinjtë, spiunët, tregtarët
Kanë ikur kasapët, vrastarët. Kanë ikur politikanët me drapër e çekan
Kanë ikur dhe na mbeten shtëpitë të ngjyrosura nga flaka
Kanë mbetur kafkat që flasin si dëshmi e njerëzimit
Ka kroje që shpërthejnë si shatërvan, ka këngë që marrin frymë
Ka lule të pranverës, ka duar të plasaritura
Që shpupurisin hirin e të vrarëve. I mbledhin eshtrat e djegur
Ka zogj që këndojnë, ka jetë që s´do të shuhet kurrë
Një fëmijë te pragu ulur sa bukur thërret -
O, ooo Kthehuni more heji!
Një fëmijë plagët ia shëron Kullës, E ia nis jetës së re.


ARAJA

Është vjeshtë e vonë
Të gjitha gjethet kanë ra
Të gjitha...

Po fajdexhijtë kur do bijnë
Ah, ta dish sa të urrej
Edhe ty moj para

E ashpër je
Shpirt nuk ke...
Njerëzve ua shkul ndjenjën
I bën trishtues

Ah, moj para
para...


PERSONAZHE TË LODHUR

Sot e takova një mik
më tha:
-E lexova librin tënd
s´është evërtetë...
Asnjë pikë
Përsonazhet e tu
S´dijnë të këndojnë
Nuk e kanë zërin e ashpër
Janë të lodhur
S´kanë protestë...

Në ketë kohë
O lum miku
Askush nuk i do
Kokëfortet..


DASHURI E SHTJERRUR

Në natën e zezë të dhjetorit
Shetita gjatë
Nëpër një rrugë të trishtuar

Ah sa bënte ftohtë

Më andej
Një grua bënte poterë
Më vetveten

Sa fatkeqe ishte

Shiste trupin
N´vend të dashurisë
së shtjerrur
Unë qeshëm
Ta mbys trishtimin

Në mengjës e takoj përsëri
Kthehej në shtëpi
Kokulur ...

Mbas varrimit të dashurisë


PA TITULL
( e huazuar)

(.... I kam pas dy shokë

Njëri u vra në luftë

Tjetri..
Doli i sëmuar nga burgu

Dhe vdiç!...)


MIDIS DHIMBJEVE

S’kam shpresë,
a ...?!
Ndonëse s’kam shpresë
Mbase mbi Elbe
një pulëbardhë fluturonë
përskaj meje
padiktueshem...

As syri fërr nuk më bën...
kur aromë Lady
ma ndal frymën
midis dhimbjeve blu

Paskam ndryshue shumë...


Arif Molliqi“E dashura ime EVA“, Shtëpia botuese PA,Prishtinë 2013


Poezi e ndjenjës dhe mendimit të thellë


Nga studiues të spikatur të krijimtarisë letraro-artistike në përmasa planetare është thënë me të drejtë se Poezia si lloj i veçantë i krijimtarisë artistike,është Mbretëreshë e krijimtarisë.Kjo edhe për faktin se poezia ështëajo pjesë e krijimtarisë artistike e llojit të veçantë,e cila me pak fjalë thotë shumë,si dhe me ca simbole dhe metafora të zgjedhura,bëhet sa e kapshme aq edhe e dashur për çdo moshë të shoqërisë njerëzore.Përveq kësaj,pothuajse çdo krijesë njerëzore,së paku një here në jetën e vetë ka provuar shkrimin e poezisë,në formën dhe mënyrën e vetë,në mos për gjë tjetër, atëherë për t`i qetësuar ndjenjat e veta shpërthyese në kohën e rinisë.Pastaj është e ditur botërisht se poezinë e kanë krijuar e shijuar edhe ata që nuk kanë ditur as shkrim e as lexim,por që atë e kanë ndjerë si nevojë vizavi fenomeneve të ndryshme natyrore apo edhe të momenteve të veçanta shpirtërore.E kanë nxjerë atë si një ndjenjë të veçantë të çastit nëpërmes të këngës.Shumë poezive nga më të njohurat dhe më të realizuara artistikisht të të gjitha kohërave,nuk u dihet as autori,që do të thotë krijuesi i tyre,por që për shkak të bukurisë dhe madhështisë së tyre artistike e shpirtërore,ato kanë hyrë në thesarin botëror të krijimtarisë.Së pari si këngë të kënduara e pastaj të shkruara e të rishkruara në libra të shumtë anëembanë botës.Sepse si poezia ashtu edhe kënga që del nga ajo dhe anasjelltas,nuk është asgjë tjetër përverq se një ndjenjë apo një përjetim madhështor i individit apo grupi individësh në një moment të caktuar jetësor.Duke pasur parasyshë të gjitha këto që u thane më lartë poezia dhe kënga janë të lidhura me njëra- tjetrën si mishi me kockën,sepse në jetën njerëzore poezia është këngë e kënga është poezi!Ndjenjat më të bukura dhe më sublime të shoqërisë njerëzore,që nga fillimet e saj e deri më sot,janë parqitur apo shfaqur nëpërmes të poezisë-këngë dhe anasjelltas të këngës-poezi!Sepse çdo poezi e bukur mund të bëhet këngë ashtu siç çdo këngë e bukur në veten e saj e ka dhe e ruan poezinë.

Në këtë rrafsh jetësor,që do të thotë në shkrimin e poezisë apo krijimin e këngës,në ngrehinën e piramides krijuese të tyre,ka dhënë koontributin e vetë edhe kombi shqiptar!Në ngrehinën njerëzore të piramidës së krijimtarisë artistike botërore,ne shqiptarët i kemi dy figura rrëzëllitëse,me të cilat krenohemi sot e mot!Në krijimtarinë artistike të poezisë dhe të prozës e kemi figurën rrezëllitëse të Ismail Kadaresë,ndërkaq në atë të këngës Rita Orën.Veçse i gjithë ky shkëlqim I tyre do të ishte I mangët dhe zbehës,sikur krahas tyre most ë kishim edhe yje të tjerë,që me mjaftë sukses ngrihen në piramiden botërore.Sot,artsitë të ndryshëm shqiptarë të,të shpërndarë gjithandej globit për shkaqe që dihen, po shkëlqejnë po shkëlqejnë në fusha të ndryshme të krijimtarisë…

Arif Molliqi,poet e shkrimtar,publicist e aktor,aktivitetin e vetë në fusha të ndryshme të krijimtarisë do ta niste në në Kosovë,në vendlindjen e tij në Llukë të Epërme të Deçanit,por për shkaqe që dihen,veprimtarinë në fjalë do ta vazhdonte në Hamburg të Gjermanisë.Me një dëshirë dhe këmbëngulje prej krijuesi e artisti të njëmendët,Arifi,edhe pse larg dheut të vendlindjes,larg diellit e ajrit të vendlindjes,larg tokës e ujit të vendlindjes,do të vazhdonte punën er vetë krijuese me të cilën do të krijonte vlera të njëmendëta artistike.Themi kështu,sepse Arif Molliqi deri më tash ka arritur të botojë mbi njëzetë vepra letraro-artistike,të nivelit të lart artistik e stilistik.Sot për sot,nga shumë studiues të letrave shqipe,ai ,pra, Arif Molliqi konsiderohet si penda më e spikatur në diasporën shqiptare dhe jo vetëm!Kjo do të thotë se Arif Molliqi e ka krijuar stilin e vetë të veçantë në vargënimin e poezisë,stil i cili sipas poetit dhe studiuesit letrar Adem Gashit:-“Arifi është ndër autorët e paktë që ka disiplinuar ndjenjën dhe mendimin.Klithma,retorikë dhe aklamacione nuk gjejmë madje as në vargje për të rënët,as në mallin e kurbetçarit,as edhe në poezinë po me këtë titullë:Retorikë.Por Molliqi si një maestro bën pozën e indiferencës duke krijuar vargje për një lexim së brendshmi”.

Ky konstatim i drejtë i Gashit për poezinë e Molliqit lë të kuptohet se poezia e Molliqit është më shumë se poezi e zakonshme,dhe se për ta kuptuar atë lexuesi duhet të thellohet në brendësi të poezisë e jo atë ta lexojë sipërfaqësisht,sepse atëherë ai nuk e ka kuptuar fare porosinë e as vlerën e poezisë së autorit në fjalë.Vetë ky konstatim të sjell në idenë se Poezia e Molliqit është poezi e ndjenjës dhe mendimit të thellë.Duke lexuar poezinë e Molliqit,lexuesit i krijohet përshtypja se ai ka hyrë në një labirinth apo në një enigmë të pazbërthyer,por kur vete në vargun e fundit të çdo poezie të tij, ai,pra lexuesi e krijon ndjenjën se e ka zbërthyer në tërësi atë labirinthin apo enigmën e frikës së fillimit.Poezia e Molliqit do lexim të mirëfilltë si dhe kohë që të kuptohet në tërësinë e saj!

Labirinthin e enigmës,apo të së panjohurës,element ky që poezinë e Molliqit e bën edhe më të fuqishme artistikisht,do ta gjesh apo do ta hasësh edhe tek vëllimi poetic,po ashtu me titull enigmatic “E dashura ime Eva”,titull ky që nuk dihet nëse iu është kushtuar ndonjë të “dashure” të themi kushtimisht reale,apo është kushtuar femrës realisht për një enigma në vete,por që sipas Bibles supozohet se ishte femra e parë e gjallë e gjinisë njerëzore me emrin Eva!Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi çdo lexuesi i krijohet përshtypja se është ai vetë Adami në kërkim të së dashurës së vetë-Evës:”Sa dëshirë kam pasur/ Ta shoh Evën/ si ka vdekur.A ka vdekur cipërcullak/ Apo mer shtiza të flamujve/në dorë.A e kanë varrosur/ pështjellë me lesh Dashi/ a fletë diku.Amaneti i fundit i Evës/cili ishte/Adamin ta tredhin përsëri…

Poezia e Molliqit është,pra, poezi e ndjenjës dhe e mendimit të thellë.Si e tillë ajo mund të krahasohet me poezinë e poetit tone kombëtar Azem Shkreli.E potencoj mund të krahasohet,sepse leximi i poezisë së Molliqit,ashtu si ajo e Shkrelit, nuk të lë indiferent.Ajo pra,poezia e Molliqit,ashtu si poezia e Shkrelit,të nxitë fantazinë e kërkimit të diçkaje që rri fshehur dhe ti kërkon që ta gjesh,që ta zbulosh,që ta shijosh:”Të jesh atdhetar nuk mjafton/ ta duash atdheun e t`shkruash poezi/ t`lazdruara…N`emër të atdheut m`qëllojnë me vargje/ e më fishkëllejnë me lahutë/ e këngë trimërie.S`di kur po kryhet dasma e kopilëve/ që kanë shkuar xhuxhet krushk. Dhe mbaj me revolucionin/ n`lëkurën e vet i regjur me kripë…

Ndërsa në një poezi tjetër Arifi me një ndjenjë të thellë prej njohësi të poezisë shkruan:”Vijnë pas shekujsh baladat e moçme/mosha e qielli me bukë e kripë /ëndrrat fisnike të rinisë.Ajo që më rëndon më së shumti/janë Meshat e Evropës/ koha me tojë të zezë e lidhur.Janë fjalët e ëmbla/ që më ngarkojnë me të gjallët/ janë dy kokrra mollë që piqen.Janë pemët tona që kuqen/ që rrisin shtat stinëve/frytet i ha Zonja Evropë.

Poezia e Molliqit,e ndjenjës dhe mendimit të thellë nuk është e rënduar me metafora.Si e tillë ajo lexohet më lehtë,vetëm se ndjenja dhe mendimi i thellë here-herë e bëjnë të pakapshme për çdo lexues të zakonshëm.Poezia e Molliqit është poezi për një rang lexuesish më të zgjedhur,për lexuesit që si të thuash bukë e kripë e kanë poezinë…( Dibran Demaku)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...