Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/02

Jetët sekrete të shkrimtarëve të mëdhenj


Shkrimtarë të mëdhenj, poetë të nderuar, misteriozë legjendarë: jeta e disa prej tyre ka plot të fshehura që në shkollë nuk i kemi mësuar kurrë. Ja disa nga sekretet e vogla të shkrimtarëve të mëdhenj:

Franc Kafka (1883-1924)
kafka_by_tunglmyrkvi-d7itp4m.900x600
Autorit të Metamorfozës i pëlqente nudizmi, edhe pse jo gjithnjë e praktikonte. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banjo”.

Agatha Christie (1890-1976)
h_24.210616.900x600
Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një aftësi e kufizuar për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ja diktonte dikujt tjetër romanet e saj.
Oskar Uaild (1854-1900)
h_24.212008.900x600
Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me stolisjen e dhomës së tij me lule e zbukurime.
Xhorxh Bajroni (1788-1824)
h_12.00197425.900x600
Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillim shekullit 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, plot 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e femrës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.
Xhejms Xhojs (1882-1941)
james_joyce_by_cenobiteadnaloy-d4p9tto.900x600
Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të tmerrshme ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.

Xhek London (1876-1916)
jack london
Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.
Leon Tolstoi (1828-1910)
h_00561158.900x600
Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.

Edgar Allan Poe (1809-1849)
h_24.212008.900x600
Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.
J.R.R Tolkien (1892-1973)
bottleshop7.900x600
Autori i “Zoti të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë, dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.
Uilliam Shekspir (1564-1616)
gettyimages-85308935_preview.900x600
Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore. 

MARIO VARGAS LLOSA:FSHEHJA E FAKTIT


Diku Heminguej tregon se në fillimet e veta letrare, kur ishte duke shkruar një histori, aty për aty, i kishte lindur ideja ta linte jashtë faktin kryesor: ku protagonisti i tij varte veten. Dhe thotë se, në këtë mënyrë, zbuloi një mjet narrativ që do ta përdorte aq shpesh në tregimet dhe romanet e veta në të ardhmen. Në fakt, nuk do ta tepronim po të thoshim se historitë më të mira të Heminguejt janë plot heshtje domethënëse, plot lodra shpejtësie për fshehje faktesh nga ana e një rrëfimtari dinak. Por ai i rregullon gjërat në atë mënyrë, që edhe heshtjet të jenë llafazane dhe ta nxitin imagjinatën e lexuesit aq shumë, sa ai vetë i mbush ato mungesa historie me pandehma dhe supozime nga xhepi i tij. Le ta quajmë këtë sjellje krijuese “fshehje fakti”. Ama, menjëherë, duhet thënë se, megjithëse Heminguej na dha një stil të vetin e të larmishëm (shpesh, mjeshtëror), prapë nuk është ai shpikësi, sepse ajo është një teknikë e vjetër sa dhe proza letrare dhe se është e pranishme tek të gjithë klasikët.

Por, e vërteta është se pak autorë modernë e përdorën atë me zotësinë, me të cilën e përdori autori i veprës Plaku dhe deti. A ju kujtohet juve ai tregimi tjetër i mrekullueshëm, pothuaj më i miri i Heminguejt, i titulluar Vrasësit? Gjëja më e rëndësishme në atë histori është pikëpyetja e madhe: pse duan ta vrasin suedezin Ole Anderson ata dy të arratisurit që hyjnë me pushkë grykë shkurtra në restorantin e vogël Henry’s në atë lokalitet të panjohur? Dhe pse ky Ole Andersoni misterioz, kur i riu Nik Adams e paralajmëron se po e kërkonin nja dy vetë për ta vrarë, nuk pranon të njoftojë policinë dhe i nënshtrohet fatit të vet? Kurrë nuk do ta marrim vesh. Nëse duam një përgjigje për këto dy pyetje që janë vendimtare për këtë histori, duhet ta gjejmë vetë ne lexuesit bazuar tek faktet e kursyera që tregimtari i shumëdijshëm dhe përgjithësues na jep: se suedezi Ole Anderson, para se të vinte në atë vend, dukej se paskësh qenë boksier në Çikago ku çoç kishte bërë (ndonjë prapësi, thotë ai) që vulosi fatin e tij.
“Fshehja e faktit”, apo të rrëfyerit me heshtje, nuk duhet të jetë i kotë dhe arbitrar. Nevojitet që heshtja e rrëfimtarit të jetë domethënëse, që të ushtrojë një ndikim të pagabueshëm mbi pjesën në fjalë të historisë, të bëjë që ajo mangësi të ndjehet dhe të nxisë kureshtjen, shpresën dhe fantazinë e lexuesit.
Heminguej qe një mjeshtër i shkëlqyer në përdorimin e kësaj teknike të të rrëfyerit, siç shihet tek «Vrasësit», një shembull i ekonomisë në rrëfim, ku teksti është si maja e ajsbergut, pjesa e vogël e dukshme që, me vezullimin e vet rrëzëllues, e lejon lexuesin ta marrë me mend tërë masën komplekse anekdotike; masë që ka dashur ta mashtrojë lexuesin dhe mbi të cilën fle ajo majë. Të rrëfesh duke heshtur, përmes aluzioneve që e shndërrojnë fshehjen në pritje të diçkaje dhe e detyrojnë lexuesin të marrë pjesë aktivisht në përpunimin e ngjarjes me hamendje dhe supozime, ky është një nga marifetet më të shpeshtë që përdorin shkrimtarët duke pasuruar kështu përvojat në rrëfimet e tyre dhe duke u dhënë atyre forcë bindëse.
Nuk e di nëse ju kujtohet më e madhja “fshehje fakti” tek romani më i mirë i Heminguejt, sipas meje, «The sun also rises». Po. Ja kush është: impotenca e Xhek Barnesit, rrëfyesit të romanit. Kurrë nuk shprehet qartë; ajo vjen e shfaqet – gati do të guxoja të thosha se lexuesi i nxitur prej asaj që lexon, vetvetiu, do t’ia veshë atë personazhit – nëpërmjet një heshtjeje kumtuese, ajo distancë e çuditshme fizike, ajo sojë marrëdhënieje trupore që e bashkon me Bretën e bukur, grua të cilën ndershmërisht e do dhe që, pa dyshim, edhe ajo do ta kishte dashur, po të mos kishte qenë ndonjë pengesë apo barrierë midis tyre, për të cilën nuk kemi asnjë të dhënë të saktë. Paaftësia fizike e Xhek Barnesit është shprehur mjaft qartë me heshtje, është një mangësi e madhe që sa vjen e bëhet më e dukshme. Lexuesi habitet me sjelljen e pazakonshme dhe kontradiktore të Jake Barnesit ndaj Bretës dhe ai do ta shpjegojë këtë gjë me një mënyrë vetme: duke zbuluar (apo sajuar?) impotencën e tij.
Edhe pse heshtazi apo, ndoshta, pikërisht nga mënyra se si është dhënë, kjo “fshehje fakti” hedh një dritë tepër të veçantë mbi historinë e romanit «The sun also rises».
«Xhelozia» e Robbe-Grillet («La Jalousie», në frëngjisht) është një tjetër roman ku një përbërës themelor i historisë – jo më pak se personazhi qëndror – është i mërguar prej rrëfimit, veçse kjo mungesë reflektohet në të në mënyrë të tillë që bën të ndihet në çdo çast. Pothuaj, si në të gjithë romanet e Robbe-Grilletit, edhe tek «La Jalousie» nuk ka tamam një histori, të paktën, jo siç kuptohet tradicionalisht – një argument me fillim, vazhdim dhe përfundim, – por, më shumë, shenjat apo simptomat e një historie, të cilën nuk e marrim vesh dhe që jemi të detyruar ta rindërtojmë, ashtu si arkeologët rindërtojnë pallatet babilonike nisur nga një grusht gurësh të varrosur gjatë shekujve; ose zoologët ribëjnë dinozaurët dhe pterodaktilët prehistorikë duke u bazuar nga një klavikulë apo një metakarp. Kështu, mund të themi se romanet e Robbe-Grilletit janë të gjithë të ngjizur nisur nga “fshehje faktesh”.
Pra, tek «La Jalousie» kjo mënyrë procedimi është shumë funksionale, sepse, për të pasur kuptim çdo gjë aty, është e domosdoshme që ajo mungesë, ajo qenie e hequr, të bëhet e pranishme, të marrë formë në vetëdijen e lexuesit. Po, kush është ajo qenie e padukshme? Një burrë xheloz, siç e sugjeron edhe titulli i librit me kuptimin e vet të dyfishtë (jalousie do të thotë grilë, një dritare e mbyllur me hekura, por edhe xhelozi), dikush që, i pushtuar nga demoni i mosbesimit, përgjon me kujdes gjithë lëvizjet e gruas së vet, pa u diktuar prej saj. Këtë nuk e ka të qartë lexuesi; ama, arrin në përfundimin logjik apo e trillon i bindur nga vetë natyra e përshkrimit: nga një vështrim i ankthshëm për të kontrolluar imtësisht e marrëzisht lëvizjet, gjestet dhe ndërmarrjet më të vogla të së shoqes. Kush është ky vëzhgues i përpiktë? Pse ia nxin jetën asaj gruaje, duke mos ia hequr sytë? “Fshehjet e fakteve” nuk japin asnjë përgjigje brenda ligjërimit romanesk dhe vetë lexuesi duhet t’i ndriçojë e t’u përgjigjet, mbështetur në ato pak pista që i ofron romani. Ato “fshehje faktesh” që janë të plota, që janë shmangie të përhershme në roman, mund t’i quajmë eliptike, për t’i dalluar nga ato të përkohshmet që i bëhen lexuesit, nga zhvendosjet kronologjike romaneske që bëhen për të krijuar gjendjen e të priturit, për ta mbajtur varur lexuesin, siç ndodh në romanet policeske, ku vetëm në fund zbulohet vrasësi. “Fshehjet e fakteve” të çastit, të zhvendosura, mund t’i quajmë “fshehje faktesh hiperbaton”. Hiperbaton (zhvendosje) është një figurë poetike që, siç do t’ju kujtohet, konsiston në zhvendosjen e një fjale në varg për arsye eufonie apo rime («Ishte e vitit stina e lulëzuar…» në vend të renditjes së rregullt: «Ishte stina e lulëzuar e vitit…»).
Ndoshta “fshehja e faktit” më e spikatur në një roman është ajo që gjendet tek «Faltorja» e frikshme (Sanctuary) e Folknerit, ku krateri i historisë – zhvirgjërimi me një kalli misri, i adoleshentes së pafajshme Temple Drake, nga Popeye, një gangster i fuqishëm dhe psikopat – është zhvendosur dhe shpërndarë në thërrime të dhënash, sa lexuesi, në mënyrë prapavepruese dhe pak nga pak, bëhet i vetëdijshëm për ngjarjen e tmerrshme. Prej kësaj heshtjeje, ku ndihet neveri dhe urrejtje, krijohet atmosfera që përshkon «Faltoren»: një atmosferë egërsie, përndjekjeje seksuale, frike, paragjykimi dhe primitivizmi që Xhefersoni, Memfisi dhe skenaristë të tjerë të kësaj historie, i japin një karakter simbolik për botën e së keqes, për rrënimin dhe rënien e njeriut, në kuptimin biblik të termit. Përpara tmerreve të këtij romani – përdhunimi i Temples është një nga ato; veç kësaj, ka një varje në litar, një linçim me zjarr, disa vrasje dhe një varg të shumëllojshëm poshtërimesh morale – më shumë se ndjenja ndaj një dhunimi të të drejtave njerëzore, na pushton ligështimi që do të pësonim përpara një fitoreje të forcave të skëterrës, përpara një shpartallimi të së mirës prej shpirtit të së keqes, i cili paska arritur të bëhet zot i kësaj toke. E tërë «Faltorja» është pajisur me “fshehje faktesh”. Veç përdhunimit të Temple Drakes, fakte aq të rëndësishme si vrasja e Tomit dhe e Redit ose impotenca e Popeyes janë, së pari, të heshtura, kapërcime që lexuesi do t’i zbulojë vetëm në mënyrë prapavepruese. Kështu, lexuesi, falë atyre “fshehje faktesh hiperbaton” do të kuptojë mirë ndodhinë dhe do të vendos kronologjinë e saktë të ngjarjeve. Jo vetëm aty, por në gjithë historitë e veta, Folkneri ka qenë mjeshtër i përdorimit të “fshehjes së faktit”.
Tani, për ta mbaruar me shembullin e fundit të “fshehjes së faktit”, do të doja të kthehesha pesëqind vjet pas, tek një nga romanet më të mirë të kalorësisë mesjetare, «Tirant lo Blanc» i Joanot Martorelit, një nga romanet kryevepër për mua. Aty “fshehja e faktit” – në të dy modalitetet e veta: si hiperbaton apo si eliptike – është përdorur me zhdërvjelltësinë e romancierëve modernë më të mirë. Le të shohim si është gatuar lënda rrëfyese e njërit prej kraterëve aktivë të romanit: martesat e fshehta që bëjnë dy çiftet, Tiranti me Karmesinën dhe Diafebusi me Stefaninë (episod që fillon në mes të kapitullit CLXII dhe mbaron në mes të kapitullit CLXIII). Përmbajtja e episodit është kjo: Karmesina dhe Stefania i futin Tirantin dhe Diafebusin në një dhomë të pallatit. Atje, pa ditur se Plaerdemavida i përgjon nga vrima e një brave, të dy çiftet e kalojnë natën të zhytur në lojra dashurie; të buta midis Tirantit dhe Karmesinës, ekstreme midis Diafebusit dhe Stefanisë. Dashnorët ndahen në agim dhe, disa orë më vonë, Plaerdemavida i tregon Stefanisë dhe Karmesinës se ka qenë dëshmitare okulare e martesave të fshehta. Në roman kjo sekuencë nuk shfaqet në radhën kronologjike “reale”, por në mënyrë të ndërprerë, përmes “ndryshimit të përkohshëm” dhe një “fshehje fakti” hiperbaton, falë të cilit episodi bëhet një pasuri e madhe përvojash. Tregimi bën fjalë për marrëveshje paraprake, vendimi i Karmesinës dhe Stefanisë për të futur Tirantin dhe Diafebusin në dhomë dhe kuptohet si Karmesina, duke e ditur se do të kishte një “festë martesash të fshehta”, djallëzisht, bën sikur e ka zënë gjumi. Rrëfimtari përgjithësues dhe i shumëdijshëm, brenda rrjedhës “reale” të kronologjisë, vazhdon të tregojë habinë e madhe të Tirantit kur shikon princeshën e bukur, se si bie në gjunjë dhe si i puth duart asaj. Këtu ndodh i pari “ndryshim i përkohshëm” ose prishje e kronologjisë: «Dhe shkëmbyen shumë fjalë dashurie. Kur gjykuan se ishte koha për të ikur, u ndanë nga njëri-tjetri dhe u kthyen në dhomat e tyre». Tregimi bën një kapërcim në të kaluarën, duke lënë në atë ndarje, në atë greminë heshtjeje, një pyetje të mençur: «Qoftë prej dashurisë, qoftë prej dhimbjes, kush mund të flinte atë natë?» Pastaj, rrëfimi e çon lexuesin tek dita e nesërme.
Plaerdemavida ngrihet, hyn në dhomën e princeshës Karmesina dhe gjen Stefaninë «e gjitha plot me lermë të qetë». Ç’kishte ndodhur? Pse ajo shthurje epshore e Stefanisë? Në të vërtetë, shpotitë, pyetjet, talljet dhe fjalët fyese të Plaerdemavidës së këndshme do ta orientojnë lexuesin dhe do t’ia ndezin kureshtjen e mprehtësinë. Dhe, në fund, pas kësaj hyrjeje të gjatë e dinake, Plaerdemavida e bukur tregon se natën e kaluar paskej parë një ëndërr, në të cilën pa Stefaninë duke futur Tirantin dhe Diafebusin në dhomë. Këtu vjen “ndryshimi i përkohshëm” i dytë ose kapërcimi kronologjik në episod. Episodi kthehet tek nata e kaluar dhe, përmes ëndrrës së supozuar të Plaerdemavidës, lexuesi zbulon çfarë kishte ndodhur gjatë martesave të padeklaruara. Fakti i fshehur del në dritë, duke e restauruar tërësinë e episodit.
I gjithë episodi? Jo i gjithë. Sepse, veç atij “ndryshimi të përkohshëm” që ju patë, ka ndodhur edhe një “ndryshim i rrallë”, një ndryshim i veçantë këndvështrimi, sepse ai që rrëfen çfarë ndodh në martesat e fshehta, tashmë, nuk është rrëfyesi përgjithësues dhe i jashtëzakonshëm i fillimit, por Plaerdemavida, një rrëfyes-personazh, që nuk synon të japë një dëshmi objektive, por me ngarkesë subjektiviteti (komentet e tij gazmore, të lirshme, jo vetëm e bëjnë subjektiv episodin, po, mbi të gjitha, e shkarkojnë nga egërsia me të cilën mund të ishte treguar, ndryshe, zhvirgjërimi i Stefanisë prej Diafebusit). Ky ndryshim i dyfishtë – i përkohshëm dhe i veçantë – fut kështu një “kuti kineze” në episodin e martesave të fshehta, domethënë një rrëfim të pavarur (ai i Plaerdemavidës) të përfshirë brenda rrëfimit të përgjithshëm të të shumëditurit-rrëfyes. (Brenda parantezave, do të them se, po ashtu, tek «Tirant lo Blanc» përdoret shumë herë metoda e “kutive kineze” apo e “kukullave ruse”. Bëmat e Tirantit gjatë një viti dhe një dite, kohë sa zgjasin festat në oborrin e Anglisë, nuk i tregohen lexuesit nga i shumëdituri-rrëfyes, veç nëpërmjet raportimit që i bën Diafebusi Kontit de Varonik; marrja e Rodosit prej gjenovezëve tejduket përmes një relacioni që i bëjnë Tirantit dhe Dukës së Bretanjës dy kalorës të oborrit francez; po ashtu, aventura e tregtarit Gobedi është burim i një historie që Tiranti i tregon Vejushës Reposada.) Pra, në këtë mënyrë, me shembullin e një episodi të këtij libri klasik, provuam se pasuritë e procedurave që shpesh duken si shpikje moderne të shkrimtarëve bashkëkohor, në të vërtetë bëjnë pjesë në malin e madh të përvojës së artit letrar, pra janë përdorur me shkathtësi që nga shkrimtarët klasikë. Ajo çfarë kanë bërë shkrimtarët modernë, në shumicën e rasteve, është se i kanë pastruar e stërholluar, duke eksperimentuar me mundësi të reja të heshtura në disa sisteme të rrëfyeri, të cilat shpesh e kanë zanafillën tek shfaqjet më të vjetra të fiksionit të shkruar.
Ndoshta do t’ia vlente barra qiranë që, para se t’i jepet fund këtij shkrimi, për të dhënë një gjykim të përgjithshëm, të vlefshëm për të gjithë romanet, lidhur me një karakteristikë të natyrshme të pjesës së shkruar, nga e cila buron teknika e “fshehjes së faktit”. Pjesa e shkruar e gjithë romanit është vetëm një seksion ose fragment i historisë që tregon: kjo, e zhvilluar saktësisht, me akumulimin e tërë përbërësve pa përjashtim – mendimet, gjestet, objektet, koordinatat kulturore, materialet historike, psikologjike, ideologjike e të tjera, që presupozon dhe përmban historia komplet – përfshin një material shumë më të bollshëm se ai i shprehur në tekst dhe që asnjë romancier, as ai më i kamuri, më i thelli dhe më pak i kursyeri në ekonominë rrëfyese, nuk do të ishte në gjendje të shtrihej në tërë tekstin e vet.
Për të nënvizuar këtë veçori pashmangshmërisht të pjesshme të të gjithë ligjërimit rrëfyes, romancieri Klod Simon – i cili në këtë mënyrë donte të tallej me pretendimet e letërsisë “realiste” për të riprodhuar realitetin – nisej nga një shembull: përshkrimi i një pakete cigaresh «Ciganët». Ç’elementë duhet të kishte ai përshkrim për të qenë “realist”?, shtronte pyetjen. Pa dyshim: madhësinë, ngjyrën, përmbajtjen, shkronjat, materialet me të cilat ai ambalazh përbëhet. Po, do të mjaftonte me kaq? Në një kuptim përmbledhës, në asnjë mënyrë. Edhe sikur të mos linim asnjë të dhënë të rëndësishme pa thënë, përshkrimi do të ishte i mangët. Edhe sikur përshkrimi të përfshinte një informacion të hollësishëm mbi proceset industriale që ndodhen nga ana e pasme e veshjes së kësaj pakete, e pse jo, edhe të sistemeve shpërndarëse e tregtare që e çojnë atë mall nga prodhuesi deri tek konsumatori, prapë do të kishte mungesa. Do të kishte marrë fund kështu përshkrimi i gjithanshëm i paketës «Ciganët»? Sigurisht, jo. Konsumi i cigareve nuk është një fakt i izoluar, përfundim i evolucionit të zakoneve dhe përhapjes së modës. Ai është i lidhur plotësisht me historinë shoqërore, mitologjitë, politikat, mënyrat e jetës të shoqërisë; dhe, nga ana tjetër, bëhet fjalë për një praktikë – zakon ose ves – mbi të cilin publiciteti dhe jeta ekonomike ushtrojnë një ndikim vendimtar, dhe që ka efekte përcaktuese mbi shëndetin e konsumatorit.
Asnjëherë nuk është e vështirë të konkludosh, me atë rrugë demonstrimi të çuar deri në ekstreme absurde, se përshkrimi i çdo objekti, deri edhe më i parëndësishmi, i zgjatur për të thënë gjithçka, përçon thjesht atë pretendim utopik: përshkrimin e universit.
Edhe për fiksionet mund të thuhet, pa dyshim, një gjë e ngjashme. Se, në qoftë se një romancier, kur tregon një histori, nuk u përmbahet disa limiteve (domethënë, nëse nuk merr përsipër të fshehë disa fakte), historia që do të na tregonte nuk do të kishte as fillim, as fund, në një farë mënyre do të ishte një përzierje me gjithfarë historish, një gjithtërësi e fantazuar, një univers imagjinar e i pambarimtë, në të cilin bashkëjetojnë, të kokolepsur me krushqira, të gjitha fiksionet.
Atëherë, në qoftë se pranojmë këtë hipotezë, që një roman, ose, më mirë, një fiksion i shkruar është vetëm një segment i tërë historisë, prej nga romancieri është i detyruar të eliminojë një numër të madh faktesh që për të janë të tepërta, të panevojshme, duhet që ai vetë të na i bëjë të qarta duke na ndezur imagjinatën për to. Ka gjithfarë mënyrash për të dalluar ato fakte të lëna jashtë si të qarta apo të panevojshme, nga ato që i quajtëm “fakte të fshehura”, për të cilët u fol në këtë shkrim. Kështu që “faktet e mia të fshehura” nuk janë as të qarta, as të kota. Përkundrazi, kanë funksion të plotë, kanë një rol të madh në thurjen e tregimit dhe, pikërisht për këtë, heqja apo zhvendosja e tyre bën efekte në historinë që rrëfehet duke u dhënë shkëlqim detajeve të rastit apo këndvështrimit.
Së fundi, do të më pëlqente t’ju përsërisja një krahasim që kam bërë njëherë duke komentuar «Faltoren» e Folknerit. Le të themi se tërë historia e një romani (ajo e shkruar me fakte të thëna dhe të pathëna) është një kub. Të themi, gjithashtu se, në një roman të veçantë, kemi pastruar prej tij faktet e panevojshme dhe ato të nënkuptuara me qëllim që të arrihet një efekt i caktuar. Në këtë rast kubi, domethënë tërë historia e romanit, ka marrë një formë të caktuar: është një objekt, një skulpturë, ku reflektohet origjinaliteti i novelistit. Forma e kësaj skulpture është skalitur falë ndihmës së instrumenteve të ndryshme. Por nuk ka dyshim se një mjet nga më të çmuarit që përdoret për eliminimin e atyre përbërësve që thamë, derisa të ravijëzohet figura bindëse dhe e bukur që ne duam, është ajo e “fshehjes së faktit” (nëse ju nuk keni një emër më të mirë për t’ia vënë kësaj procedure).
Përktheu Bajram  Karabolli
Marrë nga libri «Sfida e krijimit»

Rrëfime për letërsinë e emigracionit

Shqipëria, për herë të parë, merr pjesë zyrtarisht në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Ministria e Kulturës së Shqipërisë, me mbështetjen e Rajonit të Puglia-s, të Qendrës së Kulturës Shqiptare, të Fondacionit “Gramshi” të Puglia-s dhe të shtëpisë botuese “Besa”, merr pjesën zyrtarisht me stendë dhe program të pasur takimesh, në Sallonin e Librit në Torino.

“Kultura-pasaPORTË”, motoja e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, nënvizon idenë që kultura, përveçse është një pasaportë identiteti, na jep mundësinë të kapërcejmë kufijtë dhe të komunikojmë me kulturat e tjera. Në këtë kuptim, letërsia, si shprehja më e gjallë e më autentike e kulturës së një vendi, është mënyra më e mirë për të thelluar lidhjet e vërteta, të bazuara në “vlerat e ngrohta”, ato të dashurisë, miqësisë, poezisë apo historisë”, thotë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila do të jetë e pranishme gjatë këtyre ditëve, fillimisht me një takim që do të mbajë të premten më rajonin e Puglia-s me drejtuesen për Turizmin dhe Kulturën e Rajonit të Puglia-s, Loredana Capone, mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen e promovimit të kulturës shqiptare në Itali. Tema e migracionit dhe, në veçanti, dukuria e letërsisë shqipe në gjuhën italiane, do të jetë në qendër të diskutimeve të disa takimeve. Të shtunën, më 14 maj, në orën 14:00, në sallën Babel të librarisë ndërkombëtare, do të zhvillohet takimi “Përtej kufijve prej uji e fjalësh. Të rrëfesh kufijtë, të rrëfesh vendin tënd dhe atë përballë me fjalë dhe imazhe”, me praninë e shkrimtarëve Anilda Ibrahimi dhe Alessandro Leogrande, regjisorit Roland Sejko, gazetarit dhe drejtuesit të Qendrës së Kulturës Shqiptare, Benko Gjatës, në moderimin e përkthyeses letrare, Mimoza Hysa.
Të dielën, më 15 maj, nga ora 10:30 deri më 11:30, po në sallën Babel do të zhvillohet takimi “Nga një vend në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën: shkrimtaria si pasaportë”, me shkrimtarët Carmine Abate, Arben Dedja, si dhe Visar Zhiti, i ngarkuari me punë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.
Pasdite, në orën 16:30, në Stendën e Rajonit të Puglia-s, është parashikuar takimi me temën “Letërsia shqipe e migracionit në gjuhën italiane”, në të cilën do të marrin pjesë Natale Parisi i Fondacionit “Gramshi” të Puglia-s, Daniele Comeriati i Universitetit Montpellier dhe drejtori i revistës “Crocevia”, shkrimtari Arben Dedja dhe gazetarja e shkrimtarja Luisa Ruggio, në rolin e moderatores. Ky takim do të paraprijë kuvendin e letërsisë së migracionit, të parashikuar për në muajin qershor në Puglia, ku do të marrë pjesë gjithashtu dhe Rosella Santoro, drejtore artistike e festivalit “Il libro possibile” në Polignano a Mare, dhe studentët e Liceut Kartezian në Triggiano.

LETËR E HAPUR PËR MENDJET E MBYLLURA (Pas leximit të Fjalorit të Akademisë Malazeze)


Nga Ledi Shamku/
(Pas leximit të Fjalorit të Akademisë Malazeze)
Lexova reagimin e deputetit shqiptar në Parlamentin malazez, z. Nik Gjeloshaj, të cilin e falënderoj me zemër, në lidhje me fjalorin e sapobotuar nga Akademia e Shkencave Malazeze.
Profesionalizmi don që ta shihja me sy vetë atë faqe fjalori, e kështu i falem nderës gazetarit dhe mikut tim Simon Shkreli, për dokumentin dhe shqipërimin e kësaj flete fjalori. Përkthimin po e sjell këtu më poshtë:
  1. ALBANIZACIJA- (albanizimi)- imponim i gjuhës, kulturës dhe zakoneve shqiptare- duke pyetur ka dhënë disa përgjigje- në bazë të përvojës refugjatët ortodoksë sllavë nga territoret e Shqipërisë, të cilët kanë qenë para presionit sistematik të albanizimit, sidomos në periudhën pas Luftës II Botërore.
  2. Albaniziranje- ose- albanizirati
  3. Albanizirati- do thotë, se edhe pse malësoret (malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe.
Tani: të moçmit e mi më kanë porositë gjithnjë që, kur jam e nxehur apo e fyer, të numëroj deri në 10, për t’i çelë rrugë arsyes. Dhe unë i dëgjova e numërova. Mbetem e nxehur dhe thellësisht e fyer nga kjo faqe fjalori drejtuar etnisë sime shqiptare, por tash po më flet arsyeja. Dhe me plot arsye, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si anëtare e Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Kulturës, si studiuese e shqipes dhe historisë së saj dhe si shqiptare, i kërkoj zyrtarisht Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, që në respekt të së vërtetës shkencore dhe të Konventave Europiane të bashkëjetesës, ta tërheqë një orë e më parë këtë Fjalor nga qarkullimi, duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve e duke ndrequr shtrembërimet e rënda në të.
Ç’do me thënë: “Malësorët (Malisori) janë albanizuar”?! Cilët qenkan këta refugjatë sllavë ortodoksë, banorë në trojet shqipfolëse të Malit të Zi, që paskëshin qenë sllavë të ikur nga Shqipëria sipas Akademisë e që më pas na qenkan albanizuar?!
Banorët e Ulqinit, Tivarit, Krajës, Plavës e Gucisë?! Shqiptarët e Ljajrjes, Briskut e Shestanit, një pjesë e të cilëve migruan mandej në Njëmijëeshtatëqindën në Zarë, morën gjuhën shqipe me vete dhe ende e flasin aty?! Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve pas copëtimit të Shqipërisë e që do dekada më pas, pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të diktaturës së Enver Hoxhës dhe mbylljes së kufijve tanë, humbën edhe komunikimin me shtetin amë e u ndanë për së gjalli për plot 50 vjet, për këta malcorë shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët e Malit të Zi që ruajtën me thonj e me shpirt gjuhën dhe traditat edhe nën Jugosllavinë e Rankoviçëve e Millosheviçëve, kur të tretej boja birucave për një libër shqip, për këta shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët e Malit të Zi, të cilët para 10 vjetësh qenë faktori kryesor etnik, politik e social që Mali i Zi të fitonte pavarësinë, e që para do ditësh e kremtuan së bashku këtë pavarësi, për këta shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët që janë në trojet e veta qysh se ka diell e hënë, e për shkak të dhunës së dikurshme e harresës së tanishme (po po, harresës nga ne për marren tonë), janë rrudhur në gjuhën dhe kulturën e tyre por po shkrijnë kamje e skamje e gjithë sa kanë, si i nderi Shtjefën Ivezaj, për të mbajtur gjallë muzè e dëshmi shqiptare për brezat që vijnë?!
Sllavë të “albanizuar” në trojet dhe komunat shqiptare të Malit të Zi?! Në ato troje të quajtura historikisht Albania Veneta?! Aty ku edhe fshati ndarës quhet Kufin?!
Ky është turp akademik, dhe fyerje jo e vogël, e cila ka atë përmasë që nuk mund të quhet lajthitje, ngaqë vjen nga një Akademi dhe gjendet në një fjalor të sapobotuar.
Anakronizëm i shëmtuar shovinist, për të cilin besoja se një shtet fqinj me ne si Mali i Zi, që kërkon të integrohet në Europën e Të Drejtave dhe të Vërtetave, duhej ta kishte hedhur pas shpine si diçka të rrejshme e të dalë kohe.
Jemi një komb gjuhësor ne shqiptarët, dhe shtrembërimet mbi gjuhën janë shtrembërime mbi kombësinë. Jemi vullnetmirë e paqësorë, por jo leshko të paditur e as gjunjëthyer.
Ndaj, i kërkoj Akademisë së Shkencave, që bashkë me ndjesën e duhur, të ndreqë sa më parë këtë shëmti.
Po pres, uroj jo gjatë!
Dhe ndërkohë që pres reagimin e Akademisë Malazeze, kam mbetur pa fjalë nga mosreagimi i Akademisë Shqiptare, ndonëse e prita! Në fakt e kam pritur gjatë reagimin e Akademisë sonë të Shkencave, edhe për raste të tjera, por kësaj radhe rasti është siç thuhet, kokë për kokë, pra Akademi për Akademi. Çështja është albanologjike, për të cilën ekspertët nuk i mungojnë Akademisë. Madje çështja është kombëtare dhe shkencore njëherësh. Akademia e Shkencave të Shqipërisë mjerisht nuk ka asgjë për të thënë. Vallë të jetë e zënë me zgjidhjen e dilemës së vet ekzistenciale “të jesh a të mos jesh”? Heshtja e tashme përballë Akademisë Malazeze konfirmon sërish se, për të ekzistuar, duhet të jesh. A është vallë Akademia jonë e Shkencave? Ku është?
*Deputete dhe gjuhëtare

Shekspiri im

Temës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im. Më ka pëlqyer të hamendësoj se çdo njeri mund ta ketë Shekspirin e vet
Nga Sadik Bejko
Temës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im. Më ka pëlqyer të hamendësoj se çdo njeri mund ta ketë Shekspirin e vet. Prej vitesh mendoj se e kam një të tillë. E kam takuar që në adoleshencën time. Me kohë ai u rrit brenda meje, është me mua dhe sot. Nuk dua të më ndahet. Në librin tim ‘Rrënjët’ (1972) gjen poezinë “Hamlet”, frymëzuar nga Shekspiri. Ismail Kadare ka shkruar se, kur vizitoi kështjellën mbretërore Elsinor në Danimarkë, iu kujtua kjo poezi. Më pas, me mbresat e kësaj vizite, (ndër të tjera, kishte fjetur në të njëjtin hotel me Hiro Hiton, perandorin japonez) ai shkroi një poezi për Hamletin, botuar te libri “Koha”. Më parë se t’iu citoj diçka nga poezia ime ‘Hamlet’, dua të them se me Shekspirin jam takuar vonë. Në vitin 1961. Isha në klasën e tretë në shkollën e mesme pedagogjike, ish-shkolla Normale, në Elbasan. Në atë vit na e bëri të njohur për herë të parë Shekspirin profesori ynë i letërsisë, Besim Qorri. Ai ishte shtatshkurtër, topolak, me faqet buçko, me zë prej fëmije dhe… shumë i dashuruar me letërsinë, me Shekspirin. Na kishin thënë ata të vitit të katërt: dale, dale, s’keni marrë vesh asgjë prej letërsisë, pa dëgjuar profesor Besimin t’iu flasë për Hamletin. Ai jepte katër leksione të plota për Shekspirin, d.m.th., nuk pyeste, nuk vinte nota, nuk jepte detyra shtëpie. Hynte në klasë dhe në heshtje, si në tempull ne prisnim të fillonte ligjëratën për HamletinOtellonMakbethin,Romeo dhe XhuljetënJul Qezarin.

Nuk dija, nuk kisha lexuar asgjë për Shekspirin. As të tjerët nuk dinin. Në kohën e librave me ballistë e me partizanë, të filmave ruso-sovjetikë me kooperativiste të lumtura, me komisarë të kuq e me bjellogardistë, Shekspiri na erdhi si shpëtim. Këta të tijtë ishin libra: me magjistrica, me helme në vesh, me fantazma, me arapë të zinj, të tmerrshëm që e therin dhe pastaj e puthin gruan e vdekur, me të dashur që në varreza pinë helmin për njëri-tjetrin …. Ku kishin qenë këta libra? Profesor Besim Qorri kishte qenë aktor në vitet ’30. Kur ishte kthyer nga studimet jashtë, kishte luajtur në dramat e Ethem Haxhiademit. Disa thoshin se kishte luajtur rolet e femrave. Të tjerë thoshin se rolet e femrave i kishte luajtur profesori i fizkulturës. Për mua, profesor Besim Qorri ka qenë aktori i parë tragjik dhe më i miri, aktor që i luante të gjitha rolet shekspiriane, burra dhe gra. Ai ma futi Shekspirin në gjak.
Ai shpjegonte ngjarjet, ndalte te monologët, te detajet. Fytyra e tij, shtati i tij shndërroheshin. Faqet ngjetheshin me mornica… zëri i tij jo burrëror, zë i hollë, prapë transmetonte tragjizëm. Ishte Shekspiri që e bënte tragjik figurën modeste të profesor Besimit, e bënte aq prekës, sa edhe pas më shumë se gjysmë shekulli nuk e harroj. Ai kur shpjegonte nuk qe dikushi i futur nën xhaketën e Shekspirit. Ishte një copëz njerëzore e gjallë, me mish e me gjak, një substancë tragjike lëvizëse. I dalë prej vetes, na recitonte: “Edhe ti, Brut, Brut biri im …” pastaj italisht: “Anche tu Brutus, Brutus, figlio meo”! Ah… u ngulën kamat… dhe gjaku doli për ta parë.
Ky profesor sikur kish zbritur nga qielli për ne që nuk dinim, nuk kishim lexuar asgjë për Shekspirin. Shumica ishim konviktorë, nga fshatrat. Ne vinim nga një Shqipëri 90 për qind analfabete. Atëherë nuk kishte TV. Përkthimet e Shekspirit nga Noli nuk ishin ribotuar ende. Në kinema jepeshin filma me propagandë…
Më pas e kam lexuar, e kam parë Shekspirin në skenë dhe në ekran. Më 1965 e pashë Hamletin nën interpretimin e aktorit Naim Frashëri. Shqipëria në ato vite kishte tre Hamletë: Kadri Roshin, Kujtim Spahivoglin, N. Frashërin. E pashë me të tre. Isha student. Në auditorë ecja me plastikën aktoreske të Naim Frashërit – Hamlet. Jashtë kontrollit pëshpërisja me zë copa monologësh, batuta, si : Hapuni. Jam Hamleti i Danimarkës. Isha i dehur me Shekspir. Te i ndjeri profesor Besim Qorri, kjo dehje qe shkruar përbrenda si një lëngatë që nuk shërohet kurrë. I sëmurë me Shekspir… që na e ngjiti edhe ne…Pastaj erdhi në kinema aktori britanik Lorenc Olivier. Dhe të tjerë aktorë… Te Bielinski, kritiku i shquar rus, kisha lexuar rreth tridhjetë faqe mbi Shekspirin. Nga Pasternaku lexova Hamletin që thoshte “më ndjekin si egërsirë”… Në njërën nga këto ditë shkrova poezinë ‘Princ Hamlet’. Nuk lejohej nga botuesi fjala “princ”… dhe e botova me titullin “Hamlet”:
Kur në histori fryjnë erërat
Dhe shemben muret e kalbura të botëve,
Kur kombet, shtet shkunden si fletët
Në vorbullën e madhe të shqotave,
Ti vret naivitetin e shkollarit,
Vështron shekujt nga kështjellat bosh,
Braktis skenat, del prej ekranit
Edhe s’pyet më: “Të rrosh a të mos rrosh?”
Shekspirin e kam lexuar gjithë jetën. Kam ndjekur kritikën… studimet mbi të. Kam dhënë leksione. E kam lexuar kur kam qenë mirë. Jo atëherë kur kam qenë i lumtur. Por kur kam qenë keq, e kam lexuar patjetër. Është shumë ngushëllues. Vepra e tij është të biesh dhe të dalësh nga një fatkeqësi. Hamleti të mëson që mos të vetizolohesh kur të bie e keqja mbi kokë. Po iu nënshtrove të keqes të thith në zinë e saj më të zezë.
Kam lexuar se tema qendrore e tragjedive të tij është pushteti, temë e mishëruar te treshja: mbreti, uzurpatori i fronit, trashëgimtari i fronit. Secili syresh është personazh dhe kryepersonazh. Hamleti është tragjedia e trashëgimtarit, Makbethi – tragjedia e uzurpatorit, Mbreti Lir – tragjedia e humbjes së kurorës. Asnjëri nuk e gëzon paqësisht e deri në fund të jetës fronin e mbretit. Historia luan me ta, ca figurina tragjike që kurorëzohen përkohësisht me pushtetin suprem. Pushteti i gjithëkohshëm është hyjnor. Hyji ua delegon atë ca tokësorëve, që ndonjëherë ngjan se ata janë bërësit e historisë. Por pas pak, historia i vret ata njësoj si aktorët skenikë, për ta gëzuar vetëm për vete privilegjin e pushtetit. Mbi njëzet perandorë romakë u vranë nga garda, miqtë, nga gratë a bijtë për t’u marrë pushtetin. Në Bizant i verbonin publikisht, u prisnin gjymtyrët perandorëve të rënë nga froni.
Pas Shekspirit nuk ka më tragjedi të vërteta në teatër. Ka drama. Pushteti nuk është më hyjnor. Ka rënë konsensusi i publikut për pushtetin si e dhënë hyjnore, për monarkun absolut. Pushteti buron nga votat, konfliktet gjejnë shtegdalje nëpërmjet kompromiseve, tragjeditë përfundojnë në dramë. Por Shekspiri mbetet dhe pas shkarkimit të tragjikes nga froni hyjnor. Çfarë është Shekspiri? Poezia e lartë, universaliteti i temave, i mesazheve, i karaktereve; përzierja e tragjikes me komiken (kujtoj varrmihësin te Hamleti, varrmihës që porosit verë, ndërsa këndon, thellon varrin dhe hedh kafka me lopatë); njohja e pashoqe e njeriut, e pasioneve të errëta e të bukura të tij; skepticizmi shekspirian; të mos moralizosh; të jesh në distancë të akullt, sa i sheh të gjitha dhe ua thua të mbarat e të prapat gjithkujt. Harold Bloom e quan Shekspirin shpikës i njeriut, d.m.th. ka ndikuar aq shumë sa e ka rikrijuar Njeriun. Shekspiri është poezia, inteligjenca e lartë. Poezia forcon unin, ndërgjegjen. Poezia është përgjimi i zërit të brendshëm, zë që i flet secilit. Shekspiri të mëson që ta dëgjosh këtë zë të brendshëm. Të monologosh me zë a pa zë si Hamleti. Makbethi, në monologun para vrasjes së Dunkanit, shpalos zërin e tij të brendshëm, të cilit nuk ia dëgjoi këshillën, ndoqi ambicien dhe… dhe përfundoi ‘në ferr-hapsanë’. Harold Bloom-i me të drejtë pyet: kujt ua thotë Hamleti monologët, të tjerëve? Jo, (Të rrosh a të mos rrosh… ) ia thotë vetes. I bën mirë dëgjimi, përgjimi i zërit të brendshëm. Kjo është poezia. Poezia mbase nuk ka funksion shoqëror. Jo, ka funksion të pastrojë ferrin e ndërgjegjes nga makthet. Kadare ka një libër “Hamleti, princi i vështirë”, një sprovë që e rrok në vështrim transversal këtë tragjedi që edhe sot hap mundësi leximi të pashtershëm. Në librin “Mëngjese në kafe Rostand” flet për xanxën e Makbethit. Xanxa e fantazmave. Në fillim, fantazmat i shfaqen si magjistrica, që i thonë të vrasë mbretin. Më pas, Makbethit iu mbush jeta me fantazmat e atyre që vriste. Letërsia e madhe e kthjellon njeriun duke nxjerrë fantazmat nga hambari, nga ferri ynë i ndërgjegjes. Nuk do t’i përfundoja këto shënime pa thënë se shumë monologë shekspirianë i di përmendësh. Ia them vetes, me raste i them edhe sot në tavolina me miq. Di dhe shumë nga këngët tragjike a groteske që fut Shekspiri sipas gjendjes së personazheve: Ofelia e çoroditur këndon “Shën Valentinin sot po festoj”, Desdemona e dëshpëruar këndon “Qaj shelg, o shelg i zi”. Për disa nga këto mrekulli përkthimi ende duhet t’ia dimë për nder Fan Nolit.
Shekspiri jeton ende, edhe katërqind vjet pasi ka vdekur.
Brezi im e ka pasur idhull. Veç jo gjithmonë ia kemi dalë ta bëjmë të tillë dhe për studentët tanë. Sidomos me këta të sotmit, me këta… brezin e smartfonëve. Në një nga provimet e vitit të fundit, kolegu im më thotë se prindërit e studentes së radhës i kishte miq… domethënë atë studente duhet ta kalonim. Asaj i kishte rënë në pyetje Shekspiri. Kolegu im, që kish ndër mend mos ta dëgjonte, u zgjua: “Ou, Shekspiri, pa na fol”. Ky koleg është nga ata që ta presin fjalën në mes. Nuk dëgjon dot çdo lloj njeriu. Sidomos për Shekspirin veç vetes, s’duron t’i flasë tjetër njeri. Shtrëngoi dhembët atë ditë dhe i duroi mëk-mëket e vajzës së mikut. Edhe ajo mbaroi shpejt…
Por ai gaboi kur e pyeti nëse ajo kish lexuar ndonjë nga veprat e Shekspirit. “Po, kam lexuar, tha ajo. Tingëllon aq bukur italisht”. “Italisht…?”, pyeti kolegu. “Po, ia pat ajo, sa tragjikisht vjen dhe në gojën e aktorëve italianë. Është shkrimtar i madh italian”. “Ashtu?” “Po, profesor, jam e sigurt për këtë”. Kolegu im ulëriu: Përjashta, maskareshë, m’u zhduk sysh, përjashta!
Shekspiri që ka jetuar kaq gjatë, them se do të mbijetojë sa të jetë njeriu. Ma do mendja dhe zemra, se do t’u bëjë ballë dhe këtyre gocave e djemve me nga dy smartfonë.
* Ese e mbajtur në Fier, në tubimin me temë: Katërqind vjet pa Shekspirin e Servantesin

Krijimet më të mira, në komunizëm apo kapitalizëm?

0
fundit.
– Zoti Kadare, gjysma e prozës suaj është krijuar nën diktaturë dhe gjysma në demokraci. Në cilën periudhë mendoni se i keni shkruar veprat më të mira?
Pa dashur të tregohem trillan, me ndonjë përgjigje të tipit: “në të dyja”, sinqerisht mendoj se veprat më të mira, sikurse ato më pak të mira, i kam shkruar, për fat të mirë, në të dyja periudhat. Përdora shprehjen “për fat të mirë”, sepse një gjë e tillë është shenjë e mirë për letërsinë.
– Romani juaj i parë i botuar, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, shkaktoi një tronditje në letërsinë shqipe, e cila deri në vitin 1963 nuk pati fatin të kishte ndonjë roman të madh. Ai ju ktheu në lider të letërsisë shqipe dhe si i tillë u futët edhe në letërsinë botërore. Kur e shkruat në fillim si tregim, a e keni menduar se emri juaj përgjithmonë do të lidhej me atë titull?
Jo, nuk e kam menduar. Siç e kam përmendur diku, ka qenë miku im i ngushtë, Drago Siliqi, i cili bashkë me kënaqësinë që më shprehu për versionin prej 30­40 faqesh, siç u shkrua në fillim kjo vepër, më shfaqi pakënaqësinë që isha ngutur ta shpenzoja këtë subjekt me një novelë. Është e drejtë apo e padrejtë, dihet se në letërsi, romani si gjini, ka fituar një aureolë të veçantë.
– Edhe pse ‘Gjenerali’ trajton ngjarje të kohës pas konfliktit (luftës), ju brenda tij keni krijuar mjaft konflikte psikologjike. Kjo u ka pëlqyer lexuesve, por kritikët zyrtarë ju kanë kritikuar për moszbatim të doktrinës së realizmit socialist dhe për mungesë të
urrejtjes ndaj armikut. Sa kanë ndikuar dhe sa ndikojnë, përgjithësisht, kritikat në punën tuaj?
Letërsia, si çdo art, krijohet për t’u pëlqyer prej lexuesit, atij që quhet “publik”. Dihet se niveli i pëlqimit dhe ai i artit nuk përkojnë gjithmonë. Madje ka raste kur ndahen. Kjo ndodh edhe me kritikën. Është e natyrshme që shkrimtari ta dëshirojë gjithmonë një pakt pozitiv me publikun. Por, ka raste kur ndodh e kundërta. Kjo vjen ngaqë publiku gjithashtu krijohet. Në vendet totalitare, për shembull, një pjesë e publikut kur vëren se ndaj veprës së shkrimtarit ka ftohtësi, nga ato që quhen gjysmëzyrtare, ai mbetet gjithashtu i ftohtë. Ndërkaq, te një pjesë tjetër e publikut, pikërisht nga kjo ftohtësi shtohet kureshtja, madje simpatia për shkrimtarin. Besoj se në të famshmet “takime me lexuesit”, nga bashkëbisedimi (pyetje­përgjigje) me sallën, shumica e shkrimtarëve shqiptarë të kohës e kanë ndier këtë.
– Derisa ‘Gjenerali’ ka një lidhje me dramaturgjinë e Eskilit, ‘Kronikë në gur’ sjell fiksimin tuaj me veprën e Shekspirit. Si ndodhi që u lidhët kaq shumë me këta dy shkrimtarë, për të cilët keni shkruar edhe libra eseistikë?
Tërheqja nga të mëdhenjtë nuk është ndonjë meritë për askënd. Përkundrazi, është gjëja e duhur për të gjithë.
– Eskili dhe Shekspiri ndihen edhe në romanet tuaja me temë politike, si: ‘Dimri i vetmisë së madhe’, ‘Koncert në fund të dimrit’, ‘Vajza e Agamemnonit’, ‘Pasardhësi’ etj. A mendoni se ata autorë janë strehë e sigurt estetike për trajtimin e temave politike?
Siç e thashë më lart, kjo është e natyrshme. Letërsia, ashtu si artet e tjera, ka një fat të madh, ajo çmohet vetëm nga majat. Krijuesit e rëndomtë, madje edhe ata të mesmit, janë të pashmangshëm, të shumtë dhe të dobishëm, por ata mënjanohen vetvetiu në rrugëtimin e saj të gjatë. Shkurt, historia e letërsisë mbetet historia fatlume e majave të saj. Dhe kjo është një mrekulli për gjithë botën, sepse nuk e ngarkon kulturën e saj as me vlera të përkohshme, as me kaos dhe anarki…
– Ngjashëm me ‘Gjeneralin’ që është roman pa hero, edhe ‘Kështjella’ është roman që nuk e shfaq heroin. Pse kjo shmangie e heronjve në këto romane?
Më tepër se të jetë bërë enkas prej meje, ka gjasë që kjo hynte në përpjekjet e natyrshme të një pjese të shkrimtarëve për t’iu shmangur subjekteve aq shumë të bezdisshme prej realizmit socialist, si: jeta në kooperativë ose uzina, garat socialiste, e sidomos personazhet pozitivë. Këta të fundit, që nga njerëzit e thjeshtë gjer te sekretarët ­model të partisë dhe heroinat e punës, ishin bërë aq barrë e rëndë për letërsinë, saqë dukej se shpëtimi mund të vinte vetëm nga personazhet negativë. Kur ishte fjala për personazhe më të ndërlikuar, si komandantë kështjellash apo çetash partizane, gjithçka vështirësohej edhe më fort. Antikiteti grek ose Shekspiri jepnin zakonisht personazhe të rangut të lartë që të ngjethnin mishtë. Merrej me mend se nëpërmjet tyre kushtëzoheshin ligjet e artit të madh.

Thënie brilante për shqiptarët nga Faik Konica dhe Mit’at Frashëri


Kush më mirë se Faik Konica dhe Mit’hat Frashëri mund të perifrazojë shqiptarët? Dy aristokratët e mendimit shqiptar, jo vetëm që i kanë vlerësuar bashkëkombasit, por duke mos pasur komplekse, kanë vënë në dukje me një ironi të hollë, por mjaft therëse karakterin tonë.
Ka thënë Faik Konica…
1- Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.
2- Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar.
3- Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (ujk e shkuar ujkut).
Faik-Konica-me-veshje-kombetare-pastel-2015
4- Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh.
5- Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. –Faik Konica
6- Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…
7- Kombi (iliro-shqiptar) i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat.
8- Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare.
Faik-Konica-me-veshje-kombetare-pastel-2015
9- E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos mundim kurrë të bëjmë një shtet serioz. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. 10- Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqija të tjera dhe duartroket qeverinë kur i thotë ajo që ka qetësi të plotë. Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi. Na thonë, se qeveria do blerë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoj shtetin nga një rrezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se fluturoi gomari… ne e besojmë!
11-Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur.
12-Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet.
13- Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje.
14- Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.
15- Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.
16- Një tipar karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perandorisë Turke të vjetër, turqit tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”.
17- Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.
mithatfrasheriKa thënë Mit’hat Frashëri
1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.
2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.
3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit
4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.
5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.
6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës ti themi të bardhë dhe të zezës- të zezë.
7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.
8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.
9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?
10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.
11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”
12- Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.
13- Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...