Komandanti i ri i Forcave Supreme të NATO-s në Europë, gjenerali Curtis Scaparrotti mbështet formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Dje, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, ai u prit nga Presidenti kosovar, Hashim Thaçi. Përveç rolit të KFOR-it në Kosovë, Presidenti Thaçi bisedoi me gjeneralin Scaparrotti edhe objektivat e shtetit për t’u bërë pjesë e “Partneritetit për Paqe”, si një parakusht për anëtarësimin e saj të plotë në NATO. “Ne jemi duke punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Janë shënuar disa përparime, por mbetet për t’u bërë më shumë. Gjithashtu, tani jemi të angazhuar edhe në transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike dhe që shteti ynë sa më shpejt të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si një parakusht për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s”, deklaroi Thaçi. Ai shtoi se edhe Kosova, sikurse edhe shumë shtete të botës, është ballafaquar me vajtjen e të rinjve në luftërat në Irak dhe Siri, por se me hartimin e ligjeve dhe mekanizmave për të parandaluar këtë aspekt, në 10 muajt e fundit asnjë shtetas i vendit nuk ka shkuar më të bëhet pjesë e këtyre luftërave. Nga ana tjetër, gjenerali Curtis Scaparrotti e siguroi Presidentin Thaçi se stabiliteti i Kosovës dhe pjesës tjetër të Ballkanit mbetet prioritet i lartë i NATO-s. “Jemi këtu në Kosovë që t’ju mbështesim për atë që keni bërë deri më tani si institucione të Kosovës. Ky është gjithashtu qëndrim NATO-s dhe i ministrave të Brendshëm e të Jashtëm. I mbështesim përpjekjet tuaja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, për zhvillim ekonomik dhe do ta vazhdojmë edhe mbështetjen për FSK-në”, deklaroi gjenerali i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Scaparrotti u takua dje edhe me kryeministrin Isa Mustafa, ku u njoh për progresin në vend dhe prioritetet e qeverisë për zhvillim ekonomik, integrimin euroatlantik, si dhe fuqizimin e shtetit ligjor. Kreu i ekzekutivit foli edhe për fuqizimin e sektorit të sigurisë, si dhe përgatitjet e bëra për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Gjithashtu Mustafa theksoi respektin dhe mbështetjen e madhe që KFOR-i gëzon te qytetarët e Kosovës.
Agjencioni floripress.blogspot.com
2016/07/07
Raportuesja për Kosovën në PE, Fajon, tha se vendimi erdhi nga mosratifikimi i demarkacioni
Mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ka detyruar Parlamentin Europian që ta shtyjë votimin për regjimin pa viza për Kosovën nga 12 korriku deri më 5 shtator. Raportuesja për regjimin pa viza për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajonin, duke shprehur keqardhjen sqaroi se e mori këtë vendim për ta shtyrë votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën deri në shtator, sepse nuk është bërë përparim i mjaftueshëm sa i përket përmbushjes së kritereve të fundit, veçanërisht ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. “Shpresoj që Parlamenti i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe para pushimeve të verës, sepse kjo do të më lejonte mua që të vazhdoja me votimin në vjeshtë, si dhe të siguroja përkrahjen e plotë të Komitetit përgjegjës për rekomandimin tim për t’i hequr vizat për Kosovën” informoi ajo. Fajon theksoi se do të përpiqet që ta ndihmojë Kosovën në rrugën e saj për lëvizjen pa viza. “Lëvizja e lirë, përfshirë udhëtimin pa viza në vendet Schengen është ajo çka njerëzit meritojnë, veçanërisht rinia. Pasi disa takimesh me zyrtarët e BE-së dhe Kosovës përgjatë javëve të fundit në një përpjekje për ta çuar Kosovën më tej në rrugën e saj europiane, kam ardhur në përfundim se topi tani është në anën e Parlamentit të Kosovës. Unë besoj fuqishëm se me ratifikimin e marrëveshjes së kufirit, PE-ja do të jetë në gjendje të japë përkrahjen e tij për heqjen e vizave për Kosovën nga fundi i këtij viti”. Për zyrtaren e BE-së, kjo do të ishte një lëvizje vendimtare për qytetarët e Kosovës, të cilët ende jetojnë të mbyllur brenda kufijve. Ajo shtoi se tani është koha të veprohet dhe u bëri thirrje politikanëve përgjegjës në Kosovë që ta bëjnë këtë hap final dhe ta hapin derën për lëvizje pa viza. “Si raportuese, do të bëj gjithçka në fuqinë time për të siguruar një votë pozitive në Parlamentin Europian sepse jam e bindur se Kosova meriton heqjen e vizave”, përfundoi Fajon, që heqjen e vizave e shikon si hap historik për vendin dhe për brezat e rinj të tij.
Demarkacioni vazhdon që të krijojë përplasje brenda politikës kosovare
Kryetari i parlamentit të Kosovës Kadri Veseli lajmëroi dje se në seancën e radhës më 7 korrik, prapë nuk do të jetë në rend të ditës çështja e demarkacionit. Kjo tregon edhe njëherë sesa delikate është kjo çështje dhe se pozita e ka të vështirë që të mund të gjejë gjuhën e përbashkët me opozitën, nisur nga qëndrimet e kundërta. I pyetur për veprimet e opozitës pas vënies së flamurit në kufi me Malin e Zi, Veseli tha se nuk është mirë të dëmtohen raportet me vendet fqinje. “Duhet t’i lënë folklorizmat që dëmtojnë raportet tona ndërfqinjësore. Asnjë centimetër i vendit tonë nuk do të shkojë në ndonjë vend tjetër. Është mirë të ndalen gjëra të këtilla dhe të mos luhet me emocionet. Kjo është shumë fëmijërore”, deklaroi Veseli. Ndërkohë dje komisioni parlamentar për Integrimin Europian kërkoi informacion për ligjin Antimafia, mandatin e EULEX-it dhe ndryshimet në Kodin Penal. Për këtë arsye ata thirrën për raportim ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi. Bislim Zogaj, anëtar i komisionit, i kërkoi informacion ministrit të Drejtësisë, nëse duhet të kenë përgjegjësi përfaqësuesit e misionit të EULEX-it në rastet kur mbyllen hetimet, e të cilat fillimisht kanë nisur pa argumente. Ndërsa Kuçi tha se asnjë institucion i drejtësisë nuk jep llogari, por brenda tyre ka mekanizma që mund të shfrytëzohen nga qytetarët. Gjatë raportimit, Kuçi bëri me dije se përmbaruesit privatë janë nën monitorim dhe se, në momentin që vërtetohet se janë bërë shkelje, atëherë do t’u merret licenca. Ai tha gjithashtu se të gjitha ndryshimet e ligjeve do të bëhet brenda rregullave të Bashkimit Europian. Ndërsa sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, Kuçi tha se janë disa çështje që janë vërejtur, e që mendon se duhet të plotësohen.
Reagimi i Kryeministrisë: Merruni me nevojën historike të reformës në drejtësi
Herion Mesi
Partia Demokratike depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Kryeministrit Edi Rama në lidhje me skandalin e fotografisë që Edi Rama në cilësinë e ish-kreut të opozitës me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama në tetor të vitit 2012. Në një prononcim për mediat menjëherë pas dorëzimit të kallëzimit, deputeti demokrat, Eduard Halimi, deklaroi dje se kryeministri Rama ka kryer elementët e tri veprave penale, si mashtrimi, pastrimi i parave dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm. “Dorëzuam në emër të grupit parlamentar kallëzimin ndaj Kryeministrit, për faktet dhe grup faktet botërisht të njohura për rastin e vitit 2012, ku tregohet qartë që kryeministri ka konsumuar elementët e tre veprave penale, atë të mashtrimit, të pastrimit të parave, duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe duke përfituar drejtpërdrejt. Faktet e mbledhura nga organet ligjzbatuese amerikane tregojnë qartë se 80 mijë dollarë janë paguar nga Shqipëria nga burime tërësisht të dyshimta të padeklaruara nga kryeministri, me një qëllim të vetëm përdorimin e një takimi me një foto me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama”, u shpreh Halimi. Më tej, ai shtoi se faktet dhe grupfaktet plotësojnë të gjithë elementët e figurave penale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar. “Po kështu, edhe precedenti i Rumanisë shumë vite më parë Viktor Ponta për shuma shumë herë më të vogla se këto që akuzohet kryeministri. Tani është momenti që Prokuroria të thërrasë kryeministrin, i cili është i detyruar t’u japë përgjigje pyetjeve të opozitës” – tha Halimi. Teksa kryeministri e ka mohuar një fakt të tillë, deputeti demokrat tha se të gjitha faktet e agjencive ligjzbatuese amerikane tregojnë se ishte kryeministri Rama ai që ka dërguar paratë me qëllim marrjen e një fotoje me Presidentin Obama.
Reagimi i Kryeministrisë
Pas kallëzimit të bërë nga Partia Demokratike për një fotografi të Edi Ramës me Presidentin Obama katër vite më parë ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrisë. Në një komunikatë për mediat, që u shpërnda dje nga zyra e shtypit e Kryeministrisë, thuhet se Edi Rama ka bërë vetëm një ‘krim’, që ka dalë në foto me Obamën në një kohë kur Berishës i ishin mbyllur të gjitha dyert jashtë Shqipërisë. “Kallëzimi i PD-së për fotografinë e vitit 2012 me Presidentin Obama, kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë dhe akuza për financim të paligjshëm nga ana e tij të fushatës së Presidentit Obama, përben një tjetër rast për qytetarët për të parë se në çfarë niveli dëshpërimi gjendet opozita e sotme. Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak të keqqeverisjes”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë. Më tej, Rama i bën sërish thirrje Opozitës që të votojë Reformën në Drejtësi dhe të mos bëhet pengesë për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të kësaj reforme. “Edhe sot, Partia Demokratike vazhdon të paguajë për të nxjerrë artikuj në gazeta të dorës së dytë e të tretë matanë oqeanit, që përpiqet t’i shesë në Shqipëri si “bomba” kundër qeverisë së sotme, e cila u prit zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë pas vitesh të tëra dyersh të mbyllura. Rama përfiton edhe një herë nga rasti për t’i bërë publikisht thirrje Partisë Demokratike që përveç propagandës së baltës dhe kallëzimeve që janë pjesë e kësaj propagande, të merret seriozisht me nevojën historike të vendit për Reformën në Drejtësi. Një drejtësi e çliruar nga kthetrat e korrupsionit politik e financiar, do të çlirojë më në fund edhe të vërtetën e gjithë akuzave të Partisë Demokratike, si dhe të vërtetën e krimeve të pandëshkuara në gjithë këto vite”, përfundon reagimi i Kryeministrisë lidhur me kallëzimin e demokratëve. Por në mënyrë të menjëhershme ka reaguar PD-ja ndaj qëndrimit të qeverisë, duke e cilësuar deklaratën e Kryeministrisë si të dëshpëruar.
“Ky që nuk mungon të komentojë gjithçka mbi këtë rruzull, ka 5 ditë që hesht teksa zyra e tij e propagandës cilëson Reuters dhe Zërin e Amerikës si media të paguara nga Partia Demokratike. Ndërkohë që e pret një tjetër padi për këtë shpifje të pacipë, Edi Rama vazhdon të mos ju përgjigjet pyetjeve: “Ku i mori 80 mijë dollarë Edi Rama kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë euro? A janë këto 80 mijë dollarë para ryshfeti apo korrupsioni? Çfarë ju premtua në këmbim sponsorizuesit të 80 mijë dollarëve?” Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të mos fshihet pas zyrës së propagandës, por të dalë para shqiptarëve dhe para drejtësisë për t’u përballur me të vërtetën”, thuhet në reagimin e PD-së.
Pas Brexit premtohet vijimi i procesit, por jo të gjitha shtetet do të kenë shpejtësi të ndryshme
Në Pallatin Elize ka nisur takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me Presidentin francez, François Hollande, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.
Në hyrje të Pallatit, liderëve të Ballkanit njëri pas tjetrit iu urua mirëseardhja nga i zoti i shtëpisë. Takimi ku janë të pranishëm shefat e qeverive të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjës mbahet në kuadër të Samiti për Ballkanin që dje i ka nisur punimet në Paris. Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hanh, ka deklaruar se për Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë janë ndarë 96 milionë euro për linjën hekurudhore që do të lidhë të tre shtetet. Në takimin e zhvilluar me liderët e Ballkanit Perëndimor, Edi Rama ka qenë i ulur në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe Presidentit francez François Hollande. Po ashtu Kryeministri shqiptar Edi Rama ka zhvilluar një takim me Komisionerin Europian të Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, ku ky i fundit ka shkruar rreth këtij takimi. Në rrjetet sociale Johannes Hahn shprehet se në kuadër të Samitit të Ballkanit në takimin me Kryeministrin Edi Rama është diskutuar për rrugën e Shqipërisë në BE dhe Reformën në Drejtësi.
Fondet për Ballkanin
Bashkimi Europian premton 150 milionë euro për projektet infrastrukturore, të transportit dhe ato energjetike në Ballkanin Perëndimor që do të lidhin vendet e rajonit, deklaroi dje eurokomisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn në forumin e biznesit të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Paris. “Potenciali i marrëdhënieve mes vendeve do të realizohet plotësisht vetëm nëse ato zbatojnë të gjitha reformat e kërkuara”, theksoi Hahn. “Kemi vendosur të investojmë 96 milionë euro për tri projekte infrastrukturore hekurudhore Serbi, Shqipëri dhe Kosovë si edhe 50 milionë euro të tjera për masat e mbrojtjes së mjedisit si eficenca e energjisë në ndërtimet rezidenciale dhe projektet e vogla hidro. Kjo tregon seriozitetin e premtimit të BE-së që deri në vitin 2020 të investojmë një miliard euro”, theksoi Hahn.
Merkel dhe Hollande
Pavarësisht nga dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, Presidenti francez Hollande dhe kancelarja gjermane Merkel u kanë dhënë garancinë krerëve të shtetit të Ballkanit se procesi i integrimit të Ballkanit nuk do të ndalet. Pavarësisht Brexit, Presidenti Hollande mësohet se u ka thënë kryeministrave të shteteve të Ballkanit të Perëndimor, se “nuk do të ndryshojë asgjë në angazhimet e marra për këtë rajon”. Në këtë linjë ka folur dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila u ka bërë ditur se Ballkani nuk do të hyjë në BE “në bllok”, por në faza të ndryshme. Kancelarja gjermane ka thënë se Konferenca e Parisit për Ballkanin Perëndimor mbahen me qëllimin për të lehtësuar futjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe të forcohet në kuptim praktik stabiliteti dhe paqja në rajon. Merkel shtoi se sheh një perspektivë europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por procesi i tyre i pranimit në BE do të ketë “shpejtësi të ndryshme”, kjo duhet të thotë se ata do të integrohen në BE në faza të ndryshme, pra pa një zgjerim të Ballkanit Perëndimor të teorisë “Big Bang”. Pas takimeve, Presidenti Hollande ka shtruar një darkë së bashku me krerët e shteteve të Ballkanit, pjesëmarrës në Samitin e Berlinit.
Deklarata, samiti i ardhshëm në Itali
Shteti i së drejtës dhe reforma në drejtësi, zemra e procesit
Samiti i Parisit ka miratuar një deklaratë me 12 pika ku i kërkohet shteteve aspiruese në BE angazhim dhe forcim të shtetit të së drejtës dhe mbi të gjitha bashkëpunimin për sigurinë dhe paqen për rajonin e Ballkanit. “Në sfondin e referendumit në Britani të Madhe, pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor ripohuan se e ardhmja e tyre ndodhet në Bashkimin Europian. Një perspektivë e qartë europiane iu është dhënë të gjitha vendeve e rajonit në Samitet e Zagrebit dhe Selanikut në vitin 2000 dhe 2003; ajo është ritheksuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje, në përputhje me kushtëzimet dhe kërkesat e aprovuara. Progres i konsiderueshëm është bërë nga vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian gjatë viteve të fundit. Ne mirëpresim përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për fazat e ndryshme të procesit të anëtarësimit dhe u bëmë atyre thirrje për të vazhduar këtë punë që të avancojnë drejt Bashkimit Evropian. Më shumë se kurrë, sundimi i ligjit është zemra e procesit të zgjerimit, veçanërisht në lidhje me reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore”, thuhet në pikën 1 të deklaratës.
Kryediplomati
Bushati: Dëshirojmë që zgjerimi të ecë me ritme të shpejta
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili po merr pjesë në Samitin e Parisit, ka vlerësuar vëmendjen që Bashkimi Europian dhe Franca u kushton vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht zhvillimeve të fundit në Union. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se gjithsesi do të dëshironte që zgjerimi i BE-së të ishte me ritme më të shpejta. “Organizimi i Samitit të Ballkanit Perëndimor në Paris për të tretin vit radhazi në kushtet kur Europa po përballet me pasojat e Brexit, është një lajm i mirë në vetvete, sepse dëshmon që angazhimet e BE përkundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten të pandryshuara. Ndonëse të gjithë do të dëshironim që politika e zgjerimit të ecte me ritme më të shpejta dhe më cilësore për të përfunduar një orë e më parë procesin e shtet-ndërtimit dhe shtet-konsolidimit demokratik të vendeve të Europës Adriatike apo vendeve të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Bushati.
Samiti i Parisit,Edvin Kristaq Rama: Një epokë e re është çelur për Ballkanin
Për të tretin vit radhazi, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, ministrat e Punëve të Jashtme dhe ministrat e Ekonomisë të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë si edhe të Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Gjermanisë, Francës, Italisë, dhe përfaqësues të Bashkimit Europian dhe të Instituteve Ndërkombëtare Financiare, u takuan në Paris në Samitin, i cili pasoi takimet e Berlinit dhe të Vjenës.
Takimi i Parisit ishte një bilanc i punës së përbashkët të zhvilluar midis qeverive në rajon, si dhe midis qeverive dhe Komisionit Europian, në kuadër të nismave të ndryshme rajonale që promovojnë bashkëpunim rajonal dhe perspektivën europiane të rajonit.
Gjatë Samitit, kryeministrat e rajonit nënshkruan Marrëveshjen për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Kjo zyrë u vendos që do të ngrihet në Tiranë, për të financuar projekte që rrisin bashkëpunimin e të rinjve në rajon, si dhe mundësitë për kualifikime profesionale.
Duke u bazuar në përvojën e 50-vjeçare të Zyrës së Rinisë franko-gjermane për bashkëpunimin e të rinjve, misioni i Zyrës në Tiranë do të jetë ai i mbështetjes së aktiviteteve që promovojnë pajtimin e popujve, si dhe programet për diversitetin, shkëmbim ndërkulturor, lëvizshmërinë rajonale, pjesëmarrjen e qytetarëve dhe promovimin e vlerave demokratike. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse shprehën bindjen e tyre se RYCO do të japë një kontribut të madh në pajtimin dhe të ardhmen europiane të rajonit, duke forcuar shkëmbimet dhe lëvizjen e rinisë së rajonit.
Kryeministri Edi Rama, i cili iu përgjigj ndër të tjera interesimit të mediave ndërkombëtare, e vlerësoi Samitin, si një takim inkurajues në mënyrë të veçantë për vendet që janë në rrugën e integrimit europian. Duke folur për mediat shqiptare kryeministri Rama vuri theksin se është hapur një epokë e re për Ballkanin Perëndimor përmes procesit të Berlinit:
“Sigurisht që këtu bëhet një përmbledhje e punës që është bërë së bashku, qoftë midis qeverive në rajon, qoftë midis qeverive dhe Komisionit Europian me mbështetjen gjithmonë të pranishme të Gjermanisë dhe të kancelares. Padyshim që ka qenë një përmbledhje inkurajuese në vazhdim të një procesi që ka çelur një epokë të re për Ballkanin dhe në mënyrë të veçantë për vendet që janë në rrugën e integrimit europian“.
Për sa i përket ndërlidhjes infrastrukturore, vendet pjesëmarrëse dakordësuan një listë për 3 projekte të reja hekurudhore, e cila do të marrë bashkëfinancimin nga BE prej afro 100 milionë euro, përveç financimit nga Institucionet financiare ndërkombëtare dhe buxhetet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një prej tyre është projekti i paraqitur nga Shqipëria për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit për në Rinas, me një vlerë investimi 82 milionë euro, nga të cilat granti i Bashkimit Europian që u miratua në samit është 35 milionë euro.
”Në tre projektet që do të financohen pas këtij Samiti, njëri prej projekteve është projekti ynë i hekurudhave. Ne jemi shumë të kënaqur që u vlerësua maksimalisht serioziteti i treguar nga qeveria shqiptare në programimin e kësaj faze. Por akoma më shumë jemi të kënaqur që mesazhi ynë për të mos reshtur në procesin e integrimit dhe për të shkuar më tutje padyshim që pati jehonë pozitive, jo në këtë rast thjesht për ndonjë meritë, por thjesht sepse qoftë kancelarja, qoftë Presidenti Hollande u treguan shumë të vendosur që ta çojmë përpara procesin e integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Plani i veprimit për heqjen barrierave jotarifore dhe lehtësimin maksimal të tregtisë dhe të transportit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, propozim i Shqipërisë u vlerësua në Samit si një hap i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
“Nga ana tjetër më vjen mirë që u vlerësua lart propozimi i Shqipërisë dhe puna e bërë së bashku me qeveritë e tjera me mbështetjen e rrjetit të zyrave të Bankës Botërore për një plan veprimi për heqjen e barrierave jotarifore dhe lehtësimin maksimal të tregtisë dhe të transportit mes vendeve tona. Është një plan që ne e kemi propozuar nisur nga eksperienca shumë pozitive mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është një plan i përqafuar menjëherë nga qeveria e Serbisë dhe qeveritë e tjera e ne po përgatitemi ta lançojmë së bashku në muajin shtator të bindur që do të sjellë një impakt pozitiv në rritjen e përbashkët të volumeve tregtare në rajon dhe padyshim dhe në rritjen ekonomike të vendeve të rajonit”, tha Rama.
Në Samit u vlerësua se shteti i së drejtës qëndron në qendër të procesit të zgjerimit, duke përfshirë reformat në sistemin e drejtësisë, dhe duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe duke siguruar respektimin e plotë të të drejtave themelore.
Palët pjesëmarrëse përshëndetën gatishmërinë e Italisë për të mbajtur takimin e radhës së Samitit të Ballkanit Perëndimor në vitin 2017.
Fotoja me Barak Obamën, Edi Paloka: Mediat e huaja flasin për skandalin, Edvin Kristaq Rama hesht
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka vazhdoi akuzat ndaj kryeministrit Rama për fotografinë që ka bërë me Barack Obamën. Deputeti i opozitës shprehet se për skandalin në fjalë po shkruajnë mjaft media prestigjioze si Reuters, Zëri i Amerikës, Washington Post, Associated Press, Daily Mail, The Guardian dhe se nuk janë paguar nga Partia Demokratike. “Kur skandalin e 80 mijë dollarëve për një foto me Obamën e pasqyroi Reuters dhe Zëri i Amerikës, Rama tha se janë media të paguara nga Partia Demokratike. Sot listës së mediave botërore të blera nga opozita, që shkruajnë për skandalin 80 mijë dollarësh të Ramës për një foto me Obamën, i janë shtuar dhe Washington Post, Associated Press, Daily Mail, The Guardian.
Mbarë globi e di sot dhe tregon me gisht Edi Ramën, pasi mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për krimin federal që po hetohet nga FBI, krim i investuar nga shefi i rilindjes. Ndërkohë Rama vazhdon të heshtë, nuk jep asnjë shpjegim dhe sulmon opozitën dhe mediat më në zë në botë si të blera. Një njeri i korruptuar si Edi Rama, i cili bleu me 80 mijë dollarë një foto me Obamën, mendon se çdo gjë është në shitje e çdo gjë mund të blihet. Por krimi është shumë i rëndë, është krim federal, dhe është kryer në Amerikë ku Edi Rama nuk i bën dot shantazhe kriminale drejtësisë. Krimi është i rëndë dhe mediat më prestigjioze botërore flasin për të, dhe nuk janë si ato media që i kap, i lëshon, u mbyll gojën dhe i drejton vetë Edi Rama. Nuk është nga ato skandale që Rama mendon se do ta kalojë duke sulmuar opozitën, apo duke sulmuar Washington Post, Reuters, Associated Press, Zëri i Amerikën, The Guardian, e Daily Mail, si të blera nga ne.
Ai ka zgjedhur të mos japë asnjë shpjegim, të heshtë, dhe të reagojë me zyrën e propagandës duke sulmuar mediat ndërkombëtare. Kjo është zgjedhja e një fajtori. E një njeriu të kapur në krim. Përveç hetimit që po bën FBI, është e qartë se Rama ka konsumuar tre vepra penale edhe sipas ligjeve shqiptare, që janë ndikimi i paligjshëm, mosdeklarimi i pasurisë, dhe pastrimi i parave, vepra për të cilët ai duhet të përgjigjet para drejtësisë shqiptare. Kallëzimi penal është dorëzuar tashmë, dhe ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë me seriozitet dhe e pandikuar nga sulmet e presionet e Edi Ramës”, shprehet Paloka.
Subscribe to:
Comments (Atom)
Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.
Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...

