Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/27

Ambasadorja Turke ka lobuar edhe për mbylljen e shkollave turke në Kosovë


Pas kritikave të shumta nga sferat politike dhe civile që pati kundër Ambasadores të Turqisë në Kosovë Kivilcim Kiliç për kërkesën që të arrestohet gazetari i njohur Berat Buzhala për shkak të një postimi satirik në Facebook, kjo e fundit dha sot një reportazh për agjensine shtetërore turke Anadolu (AA)
kivilcim-kilic-780x439_1469629134-301706

Në deklaratën e saj ambasadorja turke, duke reaguar kundër tentativës për grusht shteti në Turqi, ka theksuar se zyrtarët e Kosovës duhet të kuptojnë që organizata terroriste FETÖ, e cila qëndron prapa tentativës është shumë e rrezikshme edhe për vendin e tyre.

Ambasadorja Kiliç u shpreh se Kosova me Turqinë kanë marrëdhënie shumë të mira, si në aspektin ekonomik ashtu edhe kulturor. Ajo theksoi se Turqia do të jetë gjithmonë mbështetëse e Kosovës në proçesin e integrimit në BE.

Ajo u shpreh se për ta mundësuar shpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, Turqia ka ofruar nënshkrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes për Ripranim, e cila ka qenë një prej kritereve të këtij procesi.

Por burime të gazetës Express bëjnë të ditur që ambasadorja përveç lobimit kundër gazetarit të njohur Berat Buzhala ka lobuar në institucionet e Kosovës edhe për mbylljen e shkollave turke.

“Jetimorja” me 16 fshatra

Në pjesën perëndimore të malit të Tomorrit ndodhet një krahinë e tërë. Sup më sup e krahë më krahë me njëri-tjetrin, në mijra vite kanë banuar 16 fshatra, që nga Kapinova e gjer në Qafë- Dardhë, me rreth 1600 familje dhe 6500 banorë. Ç’ka ndodhur e po ndodh në këto 25 vitet tona? Gjashtë prej fshatrave janë shuar. S’ka mbetur frymë njeriu përveç kafshëve të egra, të cilat janë bërë zotër në bodrumet ish-odave dy katëshe, me çati tashmë të shembura. Drejt vdekjes po ecin edhe mëhalla e fshatra të tjerë.
Untitled
Për t’u ngjitur e njohur në këtë krahinë s’është mundim i madh: Lë pas qytetin e Beratit, merr rrugën për të shkuar në Çorovodë, pas 10-12 km, kthen majtas në transhe gropa gropa, të hapura para viteve nëntëdhjetë, tash të lëna keq e më keq dhe gjendesh në dy Bogdanët, (Numër 1 dhe numër 2), në Rabijak e Karkanjos, në Lybesh e Kapinovë, në dy Tomorrët, (Tomorr i madh dhe Tomorr i vogël), në Memijas dhe Qatollar, ndërsa fshatrave Kostreni i madh e Perisnakës, Dardhës e Qaf- Dardhës, nuk u ka mbetur as nami, as nishani.

Çfarë lezete dhe dhurata të tjera i ka falur natyra apo Zoti kësaj zone, e besojnë vetëm ata që kanë punuar atje apo janë ngjitur për miqësi, por edhe për t’u shëruar. Po, edhe për t’u shëruar. Ajri i malit, bulmetrat dhe mishi, frutat dhe pemëtaria, me aromën e trëndelinës dhe barërave të tjerë, ujët e dëborës i kulluar nga rrënjët e pishave e të lajthive kanë bërë punët e veta.

Të sëmurët janë ngjitur me këmbët e botës dhe kanë zbritur me këmbët e veta. Banorët e këtyre fshatrave veçohen për punëdashës, dashamirës, mikpritës, korrektë me shtetin dhe ligjet e tij si askush tjetër. Njëqind për qind e banorëve kanë paguar energjinë elektrike, që kur u ndezën llambat e deri tani. Njëqind për qind e banorëve kanë paguar ujin e pijshëm, njëqind për qind janë paguar tatimet nga ata pak tregtarë por edhe prodhuesit e bujqësisë. S’ka patur dhe s’ka asnjë borxhli ndaj shtetit. Veçori për shumë e shumë krahina e qytete.

Po ç’kanë bërë qeveritë dhe partitë në këto 25 vjet? Zero investime, për rrugët trashe të hapura para viteve ‘90. (Duhet theksuar se rrugët që lidhin njërin fshat me tjetrin nuk janë më tepër se 3,4,5 kilometra). Këto rrugë do të shërbejnë jo vetëm për banorët vendas, por edhe për turistë nga qytete të tjerë pse jo edhe turistë ta huaj. Zero investime për ujitjen e tokave. Përkundrazi janë braktisur edhe ato të ndërtuara. Është turp dhe më keq se turp që në këto 25 vjet, qeveritarë e deputetë as nuk kanë folur, as nuk janë ngjitur të pinë një kafe në dy Tomorrët, por edhe gjetkë, krijohet përshtypja sikur këta banorë janë të internuar, apo kulakë (Përjashto Braçen, kur ishte deputet për ish-komunën Roshnik dhe fshatrat rreth tij). Është vështirë të ngjitesh në këtë krahinë? Aspak. Për Tomorrin ka folur me admirim 500 e ca vite më parë kronikani turk Evliha Çelebi. Ja çka thënë e ka lënë ky kronikan i dëgjuar:

“Djemtë dhe burrat e Tomorrit, janë me trup të gjatë dhe të pashëm, punëtorë, mikpritës dhe trima. Por Zot na ruaj po i zemërove ata”.

Ndërsa në kohët tona, para vitit ‘90, na vjen mirë, s’na vjen mirë, patën shkuar kryeministra, sa e sa ministra e qeveritarë të tjerë, ndërsa deputetët merrnin takim me zgjedhësit në çdo 6-8 muaj. Kushedi se çfarë nuk patën bërë. Por e themi s’e themi, rrugët e hapura pa asfaltuar mbaheshin nga shteti shumë më mirë se tani nga vetë banorët, (jo se nuk duan këta banorë, por s’kanë mjete dhe mundësi). Në ato vite u ndërtuan dy rezervuarë, u hapën kanale, u vendosën elektropompa për ujitjen e tokave, (tashmë edhe ato janë braktisur), merreshin më tepër edhe prodhime, paçka se avullonin e nuk dihej se ku shkonin. Kishte edhe qendra shëndetësore, infermierë e mami 24 në 24 orë. Në çdo fshat kishte vatra kulture plot me libra aq sa, zor se gjenden tani edhe në ndonjë qytet. Duke e lënë jetime këtë zone, duam s’duam krijojmë edhe nostalgji për të kaluarën.

Po përse ka mbetur jetime një krahinë e tërë në këto 25 vjet? Ka plot shkaqe. Këtu po theksojmë vetëm pak prej tyre, por të sakta: Partitë dhe qeveritë kanë gjykuar e vepruar kështu – Djathtarakët: Si të investojmë si të mos investojmë në këtë krahinë, deputetë, komunarët, kryepleq nuk do jenë tanët. Mëngjaroshët: – Si t’i hedhim sytë në këto fshatra, si të mos i hedhim, deputetët e kësaj zone i kemi në parlament, komunarët në komunë, kryepleqtë në fshatra.

Jo vetëm kaq por është krijuar përshtypja se njerëzit e mirë, që janë korrekt me shtetin dhe ligjet e tij, po konsiderohen naivë, të pazotë, po vlerësohen si të njerkës. Ndërsa të fortët, të përkëdhelurit, sherrxhinjtë, hajdutët, qeveritë u janë përgjigjur peqe-lepe. Kështu kanë gjykuar e vepruar, kështu ka ndodhur për shumë vite.

Por tash në këtë zonë jetime të harruar të rrëzës së Tomorrit me banorë të mirë po humbet durimi, po turbullohen edhe ujrat. Po dëgjohet dhe një këngë me plot qesëndira dhe mllefe: – Deputet o deputet,/ erdhë e shkuan sa e sa vjetë/ Ku të kemi e ku na ke,/ Këtu mbi tokë, apo…atje/ Na merr malli të shikojmë,/ Ca premtime t’i kujtojmë./ Eja, eja sa më parë,/ U ngroh moti, është behar/ Se fushata po afron / Zot na ruaj, ç’do të thonë./

A ka shpresa që edhe kjo zonë të trajtohet jo si jetime, pa nënë e baba? Pas investimeve dhe zbukurimeve në qytetin e Beratit (Se edhe ai kishte mbetur si mos më keq), ndoshta i vjen radha edhe zonës së rrëzës së malit të Tomorrit. Ndryshe s’po mban më ujë pilafi.

Kryeprokurori i shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi: S’ka vepër penale në rastin e gazetarit Berat Buzhala


Kryeprokurori i shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi thotë se nuk ka parë elemente të veprës penale në shkrimin e gazetarit Berat Buzhala, për të cilin ambasada e Turqisë në Kosovë kërkoi arrestimin dhe dënimin e tij.
lumezi
“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor, dhe nëse e shohim se ka ndonjë element të ndonjë vepre penale me siguri se ne do të kyçemi. Por me sa e kam parë unë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale, dhe kjo nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit që të merret me problemet të cilat janë shfaqur mes një gazetari dhe ambasadës turke në Kosovë”, ka thënë Lumezi.

Buzhala gjatë kohës sa në Turqi zhvillohej përpjekja për grusht shtet në rrjetin social Facebook ka shkruar statuse sarkastike lidhur me gjendjen atje.

Ambasada e Turqisë në Kosovë pretendon se në shkrimin e tij Buzhala bënte thirrje për shqiptarët me pushime në Turqi që t’i bashkohen puçistëve.

Mjekë britanikë po i bashkohen ISIS për të kuruar xhihadistët

Sipas “The Guardian”, ISIS tani ka bindur mjekë nga Australia, Rusia dhe gati 20 nga Britania për t’u bashkuar me shërbimin e tyre të improvizuar shëndetësor.

Mjekët britanikë që aktualisht janë duke ndihmuar për të shpëtuar jetën e terroristëve të ISIS-it, plagosur nga shpërthimet aleate, pritet të kthehen në Britani të Madhe dhe të punojnë në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.
99912Image1
Numri i mjekëve britanik të rekrutuar për kauzën xhihadiste është aq shqetësuese sa që zyrtarët britanikë janë dërguar në Sudan në një përpjekje të dëshpëruar për të ndaluar fluksin e tyre.

Foreign Office ka kuptuar se Shteti Islamik, i njohur si Daesh, po kërkon urgjentisht mjek të huaj për të ndihmuar terroristët e plagosur në spitale në Siri.

Zyrtarët britanikë janë koordinuar për të parandaluar që mjekët britanikë mos t’i bashkohen shërbimin shëndetësor terrorist, dhe për këtë kanë dërguar një delegacion në Sudan.

Shumë nga ata që tashmë janë bashkuar me ISIS përfshijnë të paktën 17 mjekë britanikë, që ishin duke studiuar në Universitetin e Shkencave Mjekësore dhe Teknologjisë Sudanit.

“La Stampa”, reportazh për shqiptarët që shkojnë në Siri

Gazeta italiane “La stampa”, i ka dedikuar një reportazh të gjatë Shqipërisë dhe marrëdhënies së saj me botën muslimane, e veçanërisht luftës xhihadiste. Në udhëtimin e tij në Shqipëri, gazetari Giordano Stabile, tregon për takimin me Imamin e Cërrikut, marrëdhëniet e xhamisë e KMSH dhe historinë e shqiptarëve të përfshirë në luftën e Sirisë.

“Jobesimtarët dënohen në Kuran” . Eshtë Imami Kreshnik Cili, mekanik në një ofiçinë në një fshat të Cërrikut, 60 km në jug të tiranës, porta e hapur e predikuesve xhihadistë shqiptarë që vazhdojnë aplikimin e shariatit në Ballkan, në brigjet e Adriatikut. Qasja e tij ndaj dhunës është e tillë dhe e thotë pa hezitim: “Nuk është e drejtë të vrasësh gra, fëmijë apo kristianë, por jo besimtarët, ateistët, janë të dënuar nga Kurani”.

I dyshuar si pjesë e rrjetit që rekruton luftëtarë në Siri. çili është vazhdimisht nën mbikëqyrje të lartë. Këtë e tregon furgoni dhe makina e policisë që qëndrojnë aty pranë. Kundër tij nuk janë gjetur prova të mjaftueshme nga policia shqiptare, ndaj dhe nuk është inkriminuar. Ai mbledh portokallet në kopshtin e pasëm së bashku me nipin.
xhamia
Na pret në një tip zyre, mes pjesëve të këmbimit dhe vajrave të makinave. Xhamia e tij bën pjesë tek ato që e refuzojnë kontrollin nga Komunitetit Mysliman Shqiptar duke përfaqësuar një pikë të dobët në rrjetin kundër terrorizmit, për qeverinë shqiptare.

Cili ka një mjekër të gjatë dhe shoqërohet nga 5 ndjekës të moshave të ndryshme, të cilët nuk duan të fotografohen .

çdo të huaj perëndimor e konsiderojnë të padëshiruar, në mos armik. “Islami është paqe dhe dashuri”, – përsërit imami me një ton të zërit në rritje – jemi të sulmuar nga manipulimet e politikës dhe gazetave që duan të na vënë kundër njëri-tjetrit. Krijojnë urrejtje. Cila është gazeta jote”?





“I penduari dhe predikuesi”. Kështu e titullon një nga kapitujt e shkrimit të tij, gazetari italian, teksa nis rrëfimin për Ervin Hasanaj, nga Librazhdi.

“E ëma e ka mësuar vdekjen e të birit përmes një mesazhi në WhatsApp, ardhur nga Siria: «Tani ka vdekur dhe është më mirë për të gjithë».

E vërteta është që Ervini donte të kthehej në Shqipëri dhe u gjykua si tradhtar.

Prishtina, qyteti që nuk fle


Edhe pse dukshëm më e vogël se Tirana, për kontekstin shqiptar të shoqërisë dhe kulturës, Prishtina është një metropol i vërtetë. Mbase është qyteti i vetëm shqiptar që nuk fle kurrë dhe ku energjia e jetës bubërron si në hoje të bletëve. Shkrimtari dhe filozofi urban, Albatros Rexhaj në një guidë të kryeqytetit të Kosovës

Vendet për të mos u humbur

pedonalja.jpg

Dua të filloj me hotelin Suis Diamond, hoteli i vetëm në rajon që mund të thuhet se ka më shumë se pesë yje dhe me një SPA përrallor. Një “must see” është monumenti gjigand i “Bashkim – Vëllazërimit”, simbol i bashkëjetesës së dështuar të kombeve të Jugosllavisë së dikurshme. Edhe pse e shoh çdo ditë, për mua, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, një ndërtesë gjigande që ishte dizajnuar me idenë që të shpërfaqte fuqinë e rinisë jugosllave, është një nga simbolet e Prishtinës. Diçka e veçantë për t’u parë është ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare, që është një atraksion ndryshe, sepse është radhitur një nga objektet më të shëmtuara në Evropë. Monumenti NewBorn, i vendosur përkohësisht përbri Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, por që asnjëherë nuk u zhvendos në një lokacion më të mirë, është simbol i Prishtinës si kryeqytet i Kosovës së pavarur. Për adhuruesit e kulturës orientale, në qytetin e vjetër janë xhamitë e vjetra që datojnë që nga shekulli XV dhe XVI dhe që janë thesar i arkitekturës tipike osmane. Thuhet se një pjesë e zbukurimeve të brendshme, që janë shumë të bukura, janë punuar nga kurator hebre, pasi aty- këtu kanë lënë shenja të dukshme të kulturës hebraike (ylli i Davidit, pema Sefirot, etj.).
4197170506_33f56def38_o
Koha më e mirë për ta vizituar

Prishtina shijohet më së shumti në pranverën e vonë, gjatë verës dhe në vjeshtën e hershme. Kjo është koha kur qyteti është zgjuar për 24 orë. Gjatë mbrëmjeve ka organizime të shumta, muzikë LIVE dhe vallëzime në qendër të qytetit, ndërsa pedonalja vlon nga njerëzit që shëtisin deri në orët e vona të natës.

Swiss-Diamond-Hotel

Ku ta kthesh një gotë

Prishtina ka shumë vende ku mund ta kthesh një gotë, qoftë në qendër, por edhe në periferi. Ka aso vende ku duhet të paguash çmimin e krekosjes – vende ku shkohet për të treguar praninë –por ka edhe vende ku bëhet shumë qejf edhe pse birra kushton vetëm një euro. Rrugica e vogël e njohur si “te Martini” apo “te taverna Tirona” është vend ku kohën e kalojnë bohemët e qytetit, si ata të rinjtë ashtu edhe ata të vjetrit. “MIQT Pub” është kthyer në simbol të Prishtinë urbane, pasi që aty nuk e ndiejnë veten mirë të gjithë ata që kanë komplekse. Pastaj aty është “Tingle Tangle”, një vend për të gjithë ata që nuk kanë komplekse dhe për ata që duan t’i heqin ato.

tingel tangell

Ku ta shijosh kulinarinë vendase



Taverna “Dardha”, taverna “Miqtë”, taverna “Tirona”… të gjitha këto janë vende ku shijohet një kuzhinë ndryshe dhe shumë e shijshme – natyrisht baza është mish dhe vetëm mish. Për ata që duan restorante Fancy, aty janë restorantet që frekuentohen politikanë e biznesmenë vendas si dhe nga diplomatët e shumtë ndërkombëtarë që punojnë në Prishtinë.


taverna e tirones
Pjata tipike

Kombinim mishërash me perime dhe djathë tradicional. Aty-këtu ende gatuhen simite tradicionale (bukë e shijshme me aromë që shkon shumë larg). Në pamje të parë, nuk duket diçka e veçantë, por posa ta shijosh menjëherë ndryshon mendim.

10933923_835146786553059_9020218747782707969_n

Ku të hedhësh dy hapa



Posa të zbresësh nga makina apo autobusi, drejtimi i parë duhet të jetë për në pedonalen e madhe në qendër të qytetit, ku vargëzohen njëra pas tjetrës tre sheshe dhe një bulevard. Pedonalja (apo siç i thonë vendësit “te sheshi”) është ekuivalenti i bllokut në Tiranë, vendi ku janë baret dhe kafeteritë kryesore të qytetit. Dallimi është se këtu mund të shëtisësh i qetë dhe i lirë nga presioni i makinave. Për ata që nuk duan zhurmë, parku “Gërmia”, që është vetëm pesë minuta larg qendrës, ofron qetësinë dhe kënaqësinë e natyrës. Në këtë park mund të pihet kafe, të hahet një drekë apo darkë, të bëhet pak jogging nëpër shtigjet malore të gjata me kilometra apo të luhet një ndeshje futboll apo basketboll.

taverna dardha
Ku të shpenzosh ca para për shopping

Dikur Prishtina kishte shpirtin e vet unik tregtar, por në kohën e “Shopping malls” gjithçka është kthyer përmbys, por gjithsesi aty-këtu mund të gjendet ndonjë Argjendari e vjetër dhe ndonjë shitore suvenirësh.

Pak informacion për vendasit
final
Prishtinasit janë njerëz mendjehapur dhe të dashur në raport me të gjithë të huajt. Kjo e bën Prishtinën të jetë një vend shumë i sigurt dhe ku dikush, pavarësisht prej nga vjen, mund të integrohet shpejt në ritmin e jetës. Të gjithë flasin gjuhën angleze, ndërsa gjuhët e tjera janë shumë më pak të pranishme. Stili i veshjes anon kah stili londinez, si për meshkujt ashtu edhe për femrat; veshje modeste, por me shumë shije. Ky shpirt mendjehapur i Prishtinës e bën qytetin lider në botën shqiptare në aftësinë për të prodhuar “POP Culture” dhe për ta imponuar atë te viset tjera shqiptare.

Qyteti shëtitet më mirë me…

Me këmbë. Prishtina nuk është qytet për biçikleta, sepse është i vendosur mbi disa kodra, por aty janë edhe vozitësit e pamëshirshëm që kanë pak konsideratë për biciklistët.

Ku të shpengohesh netëve

thumb_600

Ku të mundesh! Prishtina është plot me klube të natës që punojnë deri herët në mëngjes. Mjafton të futesh në facebook dhe aty i gjen të gjitha të dhënat apo pas orës 24 vetëm ndjek hapat e atyre që ende janë rrugëve. Mos kërkoni të dini se ku bëhet më mirë, sepse secili vend e ka ritmin e vet. Mjafton të bëheni bashkë me dikë nga miqtë tuaj vendas (nëse nuk keni gjejeni dikë! ) dhe gjithçka tjetër pastaj ecën në sinkron me ritmin e natës.
pedonalja
Këshilla ekstra

Nëse vjen në Prishtinë për argëtim, mos provo të kalosh kohën në restorantet chic, sepse aty nuk bëhet qejf apo në “Shoping Malls”. Prishtina është një qytet me shpirt bohemi dhe duhet synuar zbulimi i këtij shpirti.

Nga Teodor KEKO: “Bomba atomike” ka rënë prej kohësh (viti 1991)

50269

Në sheshin që rrethihet nga gati 10 dyqane fruta-perime është qetësi. Shitoret i kanë banakët bosh. Një pazi e prishur që mund t’ua priosh mendjen blerësve për spinaq. Ca lakra të freskëta dhe një lloj reçeli në kavanoz. Vetëm kaq. Dhe ca shitës që hanë fara luledielli të përgjumur. Unë kam një orë që bisedoj me shitësin, një djalë i ri që ka mbarruar 5-6 vjet të shkuara gjimnazin. Gjatë praktikës mësimore i kam dhënë disa orë letërsi këtij djali. Atëherë i kam folur për karakterin e mrekullueshëm të shqiptarit. Për vetitë e tij të admirueshme që mahnitën Bajronin, për bujarinë dhe besën. Tani ai, që nuk harron asgjë, më pyet:

-E mban mend profesor, ç’më ke shpjeguar dikur në mësim?

I bëj një shenjë me dorë “më lërë të qetë!” dhe qëndroj si murg para banakut. Nga porta e madhe shfaqen hera-herës ca si fantazma në kundër dritë. Kur afrohen në banak, disa i shquaj se cilët janë. Janë njerëz të shquar të kryeqytetit, artistë me emër, mjekë, ekonomistë – truri i kombit. Ata, herë qeshin me servilizëm para shitësit, herë bëjnë humor të sforcuar…janë aktorë të mrekullueshëm tek përpiqen me çdo kush që ta tundojnë shitësin. Mbase ai futet pas perdes së dyqanit dhe iu shet nja dhjetë kokrra vezë, apo ndonjë frut!?…mirëpo shitësi ju betohet se sot magazina s’e ka furnizuar. Atehërë, ata heqin maskën, pikëllohen dhe largohen të vrarë. Unë e di se ç’thonë me vete: “Më mirë të mos kisha shkelur këtu, se sa humba gjithë këtë kohë dhe ula veten përrtokë duke iu lutur një shitësi si…”

Ai që e njeh karakterin tonë përmes “Lahutës së Malcisë” të Fishtës, tmerrohet nga metamorfoza. Ai që e njeh përmes “A don qymyr, zotni?” të Migjenit, skandalizohet nga përsëritja pikë për pikë e shkatërrimit të karakterit. Karakteri ynë vërtet është në një pikë kritike. Shkrimtarë që në epistolarin e tyre kanë më shumë lutje se vepra. Vandakë letrash anonime. Shpifje pa fund të shkruara me një kaligrafi të admirueshme…

Që foshnjë na mësuan të lutemi…Më dërgoi babi për një paqetë me filter…pastaj lutjet për të hyrë në rini, lutje për t’u futur në punë, lutje për shkollën e lartë, lutje për transferim, lutje për shtëpi, lutje për shtesë rroge, lutje për të marrë një frigorifer, përgjërim te shitësi i peshkut, servilizëm te shitësi i vezëve, lutje te…

Kush na shkallmoi kështu, ne njerëzve me bezë burri e shpirt njeriu?

Ata që përpiqen ta mbajnë gjallë karakterin e tyre, e pësojnë. Më 16 janar, në orën 6 e 1 minutë të mëngjesit, fizikanti P.F., njeri që nuk dëshiron t’i lutet askujt, u plagos në dorë duke u shtyrë mes grumbullit të blerësve, në çastin që u hap dera e madhe e merkatos së Tiranës (ora kur hapet është 6). Vërtet e trishtueshme që viktima e parë e luftës në Irak, fill pas shpalljes së kësaj lufte, ishte në Tiranë.

Shitësi më thotë se i është mërzitur jeta në dyqan. Nuk shikon dot superintelektualët e kombit që të luten si mjeranë.

– Kam një javë që nuk çoj vezë e fruta në shtëpinë time, – shton, – s’ruaj dot një mall për vete. Si shoh dot njerëzit të luten. S’kam zemër.

Ai është nëj djalë i zgjuar. Më thotë atë që unë trembem ta sjell nëpë mend:

– Dyqanet një ditë do të mbushen, ekonomia do të mëkëmbet, por karakteri i këtyre njerëzve s’rregullohet më! Ata gjithë jetën do të hakmerren për këto vite, kur nuk i lanë të bëjnë shkencë dhe art, por i shndërruan në lypsarë!…

Ai ndoshta nuk di dhe një gjë tjetër: thuajse të gjithë ata që kanë shkruar letra anonime dhe shpifje, që kanë deponuar të paqëna nëpër gjyqe dhe vëllezërit e tyre, – të gjithë ata që kanë shkelur ligjin të detyruar me përdhunë nga presioni fatal i mekanizmit të ekzistencës, “po nuk fole, do të dënohesh ti”, sot janë penduar dhe i vret ndërgjegja. Nëse një ditë do t’i harrojmë mëritë e vjetra, të fundit do të mbeten këta! Këta njerëz do të hakmerren ndaj vetvetes, ndaj fajit të tyre, duke ndenjur një kohë të gjatë forca inaktive për të mirën e kombit tonë. Po sa intelektualë do të vetëparalizohen kështu?

Në të vërtetë, bomba atomike ka rënë në shpirtin tonë. Kjo është një bombë e llojit të veçantë. Në Hiroshimë ajo vrau njerëz dhe mbolli leuçemi. Tek ne shkatërroi karakteret e njerëzve dhe mbolli ligësi. Po si do ta zbukurojë këtë vend nja karakter i shëmtuar nga tatuazhet që ia fiksuan përdhunshëm këto 46 vjet? Si do ta shërojë Shqipërinë një shpirt i sëmurë njerëzor?

Rrituni sa më shpejt fëmijët tanë! Bëhuni burra, jo si ne! Mos iu dorëzoni mjerimit, siç i ngritëm duart përpjetë ne!…

Në sheshin e merkatos është një boshësi e madhe. Ajo nesër do të gjallërojë nga zërat njerëzorë. Por unë i trembem boshësisë së shpirtit. Këtë gjë nuk e di akoma: a do të na mbushet ndonjëherë shpirti me jetë? A do të nisemi ndonjëherë me shpirtin tonë përdore drejt krijimeve të mrekullueshme njerëzore?

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...