2016-08-03

FOL KOÇO!

FOL KOÇO!
Nga Andi Bejtja
Në qoftë se dikush pas 40 apo 50 vjetësh, do t’i  hynte punës studimore për të shkruar historinë e së majtës  shqiptare dhe do të hulumtonte, gjurmonte fjalimet, deklaratat, e eksponentëve kryesorë të saj këto dy vitet e fundit, duke mos u ndikuar as për mirë as për keq nga emrat e përveçëm, duke fshirë përkohësisht emrin mbiemrin e çdo individi socialist, thjesht duke u bazuar në ato çfarë kanë nxjerrë nga goja e tyre dhe çfarë kanë hedhur në letër, pavarësisht nga talenti i njërit apo tjetrit në oratori, pavarësisht nga shkalla e reputacionit në publikun e majtë, apo dhe më gjerë: do të gjejë një ngjashmëri për sa i përket thelbit të asaj  çka kërkojnë, pikërisht,  tek dy individë të majtë që në fakt në perceptimin e publikut nuk kanë asgjë të ngjashme, madje që mund të mos kenë as simpati për njëri tjetrin, madje dhe e kanë kundërshtuar njëri tjetrin: Ben Blushi dhe Koço Kokëdhima. I pari kryesisht, e ka bërë të qartë në mënyrë të drejtpërdrejtë se kërkon hapjen e garës për Kryetarin e Partisë dhe i dyti që në fakt e kundërshtoi Blushin për momentin, por në parim në fakt kërkon shumë më tepër se kjo: hapjen e garës jo vetëm për kryetarin po për të gjitha postet në parti, nga më i larti tek më i ulëti. Nuk është mjaftuar me kaq, por ka bërë konkrete një platformë që dhe e ka zbatuar deri diku në Jug.
Në fakt këto  teza, ndoshta të majtët elitarë kanë pritur, t’i dëgjonin nga të sprovuarit e PS-së. Këto teza duhej t’i artikulonte Pandeli Majko, pse jo dhe Gramoz Ruçi. Normale do ishte të dëgjoheshin dhe nga goja Erjon Braçes, apo dhe shumë të tjerëve që kanë vite e vite që janë shtrirë në divanin e PS-së. Do ishte akoma më mirë për të majtën fundja fundit këto teza t’i artikulonte vetë Kryetari i tyre. Por ja që nuk po e bëjnë dhe nuk e kanë bërë dhe fakti është që në verën e vitit 2016 për demokratizimin e PS, për hapjen, konkurrencën, po flet Koço Kokëdhima.
 E  bëra këtë hyrje, për të ardhur më pas tek kjo pyetje: Pse të majtët, por dhe media që fotografon çdo flluskë sapuni të së majtës,  ka  frikë të dëgjojnë Koço Kokëdhimën, ashtu siç dëgjuan Blushin, apo dhe dikë tjetër? E ka dëgjuar Kryetari i tyre për gati një dekadë e gjysmë, me laps e letër në dorë, pse nuk e degjokërkan dhe ata dy tre apo katër muaj tani? Madje, për kujtesë kur e dëgjonte Kryetari e dëgjonin dhe ata me kujdes më të madh se edhe vetë Kryetari.
Prishja Rama – Kokëdhima është sponsorizuar të trajtohet si një hatërmbetje, midis një politikani dhe një biznesmeni që ka përfituar nga ky politikan, por në fakt, prishja erdhi jo se kompanitë e Kokëdhimës mbetën pa marrë ndonjë tender apo u prish ndonjë Pazar. Prishja erdhi sepse Koço Kokëdhima filloi jo vetëm  të mendonte politikisht më shumë se çduhej, por pikësëpari, sepse filloi t’i artikulonte publikisht ato që mendonte politikisht si një i majtë më i sinqertë se Edi Rama, madje dhe më naiv se ai në politologji.
Për shumë vite dhe sidomos nga opozita, por jo vetëm çifti, Rama-Kokëdhima, është trajtuar si e njëjta monedhë me dy anë. Madje dhe vetë Rama i habiti të gjithë kur tha se do ta kalonte pleqërinë me Koçon. Unë nuk kam as një simpati personale për Kokëdhimën dhe as antipati, por në këtë rast, kam frikë se nuk është Kokëdhima ana më e keqe e monedhës, ndoshta mund të jetë Rama ana më e keqe, sepse me ç’po shohim kush e rrethon Kryeministrin e kë çon për negociata, nuk duket të jetë Koço “zogu më i keq prej krejtve”.
Ndaj, nuk i kuptoj thirrjet publike dhe jo publike, mbi zë dhe nën zë se Koço Kokëdhima, nuk duhet të flasë, se Koço Kokëdhima nuk duhet dëgjuar, madje dhe ato më të egrat se Koços, i duhet mbyllur goja.  Unë jam i bindur, për shembull se një i majtë, po të kishte mundësi të zgjidhte midis tezës së fundit të ideologut veteran të së majtës Servet Pëllumbi, i cili thotë se “PS duhet të përgatitet të qeverisë me aleatë të vegjël” pa LSI-në dhe tezës së Kokëdhimës “se pa LSI e majta nuk qëndron dot në pushtet”, jam i bindur se do të zgjidhnin këtë të dytën.
Ndaj fol Koço! Gjithashtu Koço duhet të flasë përtej së majtës dhe të djathtës, sepse Koço Kokëdhima dhe për arsye subjektive dhe objektive, ka mundësi t’i bëjë skanerin më të saktë dhe më të shpejtë “Qeverisë së Intrigave dhe Koncesionit”. Ndaj, Koço fol, e ke nisur mbarë

Me Koço pa Koço, prapë i njëjti Ramë

Me Koço pa Koço, prapë i njëjti Ramë
Nga Andi Bushati
Ka gati një ekzaltim midis shumë prej hierarkëve të PS-së dhe mediave pranë së majtës për prishjen e Edi Ramës me Koço Kokëdhimën.
Disa kanë shpresë se më në fund partia do të çlirohet nga pashai i Jugut. Disa të tjerë se nuk do të kenë më mbi kurriz atë hotelin pa leje në Qeparo, që u dukej sikur u prishte të gjithë fasadën e aksioneve për rivendosjen e shtetit. Disa ndihen më të lehtësuar kur e shohin Kokëdhimën në krahët e Metës, duke pretenduar se tashmë “të gjitha plehërat” e koalicionit janë më në fund jashtë radhëve të rilindjes.
Po ti shtosh këtyre ndjenjave të përziera edhe çlirimin nga xhelozia për njeriun që shitej si guruja i shefit të tyre edhe frymëmarrjen se Rama shpëtoi nga një tjetër njollë edhe zemërdridhjen se tashmë është hapur një vend në paradhomën e kryeministrit, përmasa e ngazëllimit bëhet më e prekshme.
Por, përpos faktit se titujt e gazatave për dy dashnorët politikë që nuk do të plaken sëbashku në Vuno vazhdojnë të shesin, asgjë e re nuk ka ndodhur.
Prishja Rama -Kokëdhima nuk është një ngjarje politike. Ajo nuk mund të trajtohet as si shpëtimi i kryeministrit nga kthetrat e së keqes dhe as si ndajrje me të shkuarën e tij të errët.
Vërtet që Koço Kokëdhima ka qenë një nga njollat e shumta në biografinë politike të Ramës. Që kur ish ministri i kulturës i fali në mënyrë krejt abuzive gazetën “Sporti Popullor”; që kur ish kryebashkiaku i Tiranës i dha me dhjetra leje ndërtimi dhe eksluzivitetin e billboardave të reklamave në kryeqytet; që kur kryeministri aktual, vendosi të arrestojë mbledhësit e antikuarëve dhe ikonave të vjetra, i dhuroi menaxhimin e Albpetrolit, i toleroi ndërtimet në buzë të detit dhe e bëri një lloj shpërndarësi okult të vendeve të punës në shtet, Kokëdhima është vizatuar si pjesa e errët në një çift me projekte dhe biznese të përbashkëta.
Aq e fortë dhe e kudoprekshme ka qenë kjo lidhje sa që tek shumëkush qe krijuar ideja se një divorc me këtë dashuri të hershme, do ta bënte Ramën më të mirë.
Në fakt nuk është aspak kështu.
Po të shohesh se si po sillet kryerilindasi ndaj përpjekjeve të dyshes Kokëdhima- Meta për të bashkuar votat me opozitën dhe për ta rrëzuar atë, e kupton më lehtë se e keqja nuk mund të mbajë siglën “2K”. Fatkeqësisht i keqi është vetëm 1 dhe i përhershëm.
Të gjitha infot thonë se Rama në tentativën për tu zvarritur në pushtet po shkon poshtë dhe më poshtë.
Këtë e tregon përpjekja e tij sfilitëse për të siguruar 71 votat përballë aleancës së re Meta-Basha- Kokëdhima.
Ai sapo “ka blerë” nga PD të vetmin deputet që për një kohë të gjatë socialistët e vendosnin në krye të të gjitha listave të procesit të dekriminalizimit. Ai ka ripërtërirë plotësisht mardhënien me Tom Doshin. Ai ka filluar pazaret e tregut çam duke shitur drejtorë doganash në këmbim të votave në parlament.
Pra shkurt, në vend që ta pastronte, ashtu siç shpresonte shumëkush, thyerja me bashkëudhëtarin e tij të vjetër, vetëm sa ka shërbyer për të nxjerrë në pah anën më të errët të Edi Ramës. Ajo ka treguar se ai heq dorë nga një e keqe, vetëm nëse lidhet me një të keqe më të madhe. Se ai është i gatshëm të prishë një aleancë të pavirtytshme vetëm në emër të përfitimit të një lidhje edhe më të pamoralshme. Se ai mund ta shesë një të fortë me kostum, vetëm kur ka siguruar mbështetjen e një banditi të armatosur.
Aleancat e tij me Ilir Metën, me Koço Kokëdhimën, me Tom Doshin, me Mark Frrokun, me Arben Ndokën, me Armando Prengën me Elvis Roshin, nuk janë rastësi. Ato janë e vetmja rrugë që ai di të ndjekë në politikë.
Ndaj dhe ata që entuziazmohen nga çdo dovorc i ri i Ramës e kanë të kotë.  Në shtratin e tij do futet një përdhunues edhe më i keq

Vajzat e bukura të instagramit, modeli i suksesit që kalon “mes këmbëve

Vajzat e bukura të instagramit, modeli i suksesit që kalon “mes këmbëve”
Nga Manjola Bregasi
Plazhe ekzotike, ushqime delikate dhe poza sensuale femrash nën diell. Është ky imazhi që të del sot thuajse në çdo faqe instagrami dhe në çdo portal.
“Vajzat e mira” të instagramit vazhdojnë të shtojnë ndjekësit e tyre në një rrjet, që tashmë po kthehet në trendin e momentit jo vetëm në Shqipëri.
Kryesisht adoleshentët kaq lehtë të ndikueshëm, duket se për fat të keq modelet e tyre po i kërkojnë më shumë tek instagrami dhe rrjetet sociale se sa tek libri, shkolla apo familja.
Nuk dua të bëj aspak moral, sepse nuk kam bërë pjesë tek nxënëset e shkelqyera të dhjetave në bankën e parë dhe  padyshim jam përdoruese e instagramit dhe FB, jo thjesht për hir të punës që kam. Ndaj, të kuptohemi që në fillim, në këtë histori nuk ka asgjë personale.
Gjithsesi më duket totalisht e pabesueshme se si instagrami mund të jetë modeli i krijimit të një individi, ndërsa numri i ndjekësve, një vlerë e shtuar për njerëz të pavlerë.
Nëse ju pyes, kë do zgjidhnit si model mes Encës dhe Ermonela Jahos, me siguri do thonit sopranon, artisten e madhe të skenave botërotre, që çdo grimcë suksesi ja dedikon talentit dhe punës.
Po nëse ju them që Enca numëron 1 milion ndjekës në instagram dhe Ermonela Jaho 4 mijë, a do më përgjigjeshit njëlloj?
Po ju pyes ju: Cili është modeli që ofron secila prej të dyjave? Çfarë ka për shtitur Enca dhe çfarë ka për të shitur Ermonela? Çfarë ofron Enca për ndjekësit e saj dhe çfarë ofron Ermonela?
Që të jemi të qartë, nuk kam asgjë kunder vajzave të bukura që “shiten” në rrjetet sciale, çështja është çfarë mesazhi i japin atyre që i ndjekin. Maksimumi që mund të mësosh duke i ndjekur është marka më e fundit e rrobave te banjës, të cilën nese nuk ke paratë e tyre nuk mund ta blesh. Kjo puna e parave është çështje tjetër.
Gjithsesi këto “vajza të mira” të mësojnë se duke nxjerrë në pah hiret që u ka falur nëna natyrë ose në të shumtën e rastve kirurgu plastik, ti bëhesh e famshme dhe duke qenë e famshme sajohen edhe ca lekë …Nuk e di se si, por “vajzat e mira” të instagramit ja kanë dalë pa bërë asgjë, të sajojnë ca shumë më shumë lekë se ato që punojnë.
E nëse i sigurove dhe leket ç’të duhet shkolla, diploma apo librat? Ky është model i sigurt i suksesit të shpejtë të një vajze, që përveç tangëllikut, shpesh nuk ka asgjë tjetër për të ofruar.
E megjithatë, në një vend si ky yni, një vajzë nuk ka shumë mundësi: ose do ndjekë shembullin e sigurt të “bukurosheve” të suksesshme të instagramit, ose do të copëtohet në vite duke investuar para, djersë e mund, me shkolla, mastera dhe eksperienca pune, që kurrë nuk janë të sigurta si rrugë të shpejta suksesi.  Gjithsesi, thonë se ky i dyti jeton gjatë, çështja është cilën nga rrugët do zgjedhësh.
Thonë se suksesi i b*…ve dhe gjoksit do të vazhdojë të frymojë sa kohë, ne të gjithë ta furnizojmë me like e follow dhe të bindemi, që ai nuk të çon dot larg, sepse do të venitet shpejt bashkë me bukurinë. Ndoshta ka ardhur koha, të mos e ushqejmë më, edhe pse duket mision i vështirë.

A e ka tepruar Trump-i?


Si e bëri “Gjenerali” të famshëm Kadarenë në Kinë




Nga Fenghua Chen*


Si e bëri “Gjenerali” të famshëm Kadarenë në Kinë

Për fat të keq, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur u përkthye dhe u bë i njohur në Kinë me shumë vonesë. Përkthyesi dhe shkrimtari kinez, Zhen En Bo, ua dha lexuesve të vendit të vet drejtpërdrejt nga shqipja në vitin 1992. Romanin e botoi shtëpia botuese “Shkrimtari”.
Për arsye të tirazhit të kufizuar (2500 kopje në Kinë nuk mund të konsiderohen ndryshe) dhe të statusit të tij të veçantë në qarkullim (u botua për shkrimtarët), ky roman s‘pati ndikim në shumicën e lexuesve të thjeshtë kinezë. Po më 1992-shin, kanali i parë i televizionit qendror kinez ÇTV-1 shfaqi filmin Kthimi i Ushtrisë së Vdekur, realizuar nga regjisori Dhimitër Anagnosti (1989) sipas këtij romani.

Siç përmend Zhen En Bo, ky film u shfaq i ndarë në dy pjesë dhe pati një jehonë të gjerë. Pa dyshim, qindra mijë teleshikues kinezë e kanë parë këtë film, edhe pse nuk kemi një shifër të saktë për këtë. Në vitin 2008, romanin e ribotoi shtëpia botuese “Chongqing”, bashkë me dy vepra të tjera të rëndësishme të Kadaresë: Prilli i Thyer (2007) dhe Pallati i Ëndrrave (2009). Më vonë, në vitin 2012, “Huacheng”, një shtëpi tjetër botuese, më e madhe, nisi projektin për Kadarenë në gjuhën kineze, në të cilin u përfshi botimi i tri veprave të tjera të tij: Kronikë në Gur, Kush e solli Doruntinën dhe Darka e gabuar.
Të dyja nismat e botimit janë sponsorizuar nga shteti kinez. Shfaqja e filmit qe sinjal i rëndësishëm, që u bëri të ditur kinezëve se në Shqipëri, përveç filmave të vjetër artistikë, që ishin mjaft të njohur atje, ka dhe dukuri të reja, që lidhen me një shkrimtar shumë të talentuar, i cili shquhet për narracion të veçantë, përfytyrime të çuditshme, metoda të pjekura dhe filozofi të thellë. Duke pasur në fokus vetëm romanin Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur (1963) dhe filmin Kthimi i Ushtrisë së Vdekur, do të përpiqemi të paraqesim situatën e receptimit të kësaj vepre të I. Kadaresë në mjedisin kinez.

Sipas statistikave të faqes së specializuar për raportime zyrtare rreth studimeve në Kinë, uebsajti http://www.cnki.net, që nga viti 1988 deri në vitin 2015 janë realizuar 48 punime shkencore dhe disertacione me objekt veprat e Ismail Kadaresë. Shumë prej tyre janë botuar pas vitit 2005, kur Kadareja fitoi çmimin “The Man Booker International Prize”.

Shumica e tyre jep një analizë të përgjithshme për autorin dhe veprat e tij. Prilli i Thyer dhe Pallati i Ëndrrave janë dy veprat më të diskutuara. Në vitin 2014, studiuesja kineze prof. dr. Ke Jing botoi monografinë me titull: “Katër ‘të tjerë’ në veprat e Ismail Kadaresë – studim për identitetin kombëtar shqiptar”, në të cilën bëhen interpretime origjinale për veprat e Kadaresë nga këndvështrimi i katër të tjerëve: tjetri, i Lindjes; tjetri, i fqinjëve; tjetri, i Perëndimit; dhe tjetri, brenda vendit.

Në këtë studim vihen në pah marrëdhëniet e ngushta e të pashmangshme midis letërsisë dhe politikës për shumicën e shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë, që kanë përjetuar regjimin komunist. Me zhvillimin e mediave të reja, për veprat e Kadaresë debati u zgjerua së shumti. uebsajtet kryesore me profil kulturor-letrar në Kinë, duke përfshirë faqet http://www.book.douban.com dhe http://www.blog.sina.com.cn, që funksionojnë si platformë përbashkuese për polemika letrare, kanë pasur në vëmendje qendrore romanet e Kadaresë.

Siç mund të kuptohet, shumica e pjesëmarrësve në debat janë lexues të thjeshtë, por ka raste që janë edhe kritikë dhe shkrimtarë profesionistë ose të vetëformuar. Për sa i përket Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur, mund të kujtohen dy raste përfaqësuese. Njëri është titulluar “Në hijen e paskajshme të luftës – për romanin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’”, dhe mban nënshkrimin e Gaoxing (7 shtator 2007); tjetri është titulluar “Kadareja, romancier poetik tërheqës – komente për ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’”, dhe është nënshkruar nga një zonjë, Heilang (u publikua më datën 20 mars 2011).

Gaoxing vlerëson se në këtë roman përshkruhet hija e luftës, jo lufta direkt, e cila dëmton psikikën e njerëzve më ashpër sesa lufta vetë. Heilang vlerëson se Kadareja e vështron luftën nga varret, riprodhon në mënyrë absurde historinë e luftës, për të dalluar goditjen e fortë shpirtërore që pësuan të dy popujt ndërluftues, urrejtjet e vazhdueshme që u shkaktuan nga tragjedia e luftës, si dhe thelbin jonjerëzor të luftës.

Heilang pohon se Kadareja përzien njërin pas tjetrit me mjeshtëri artistike elementet historike, gjeografike, kulturore, folklorike në episode të ndryshme. Ky roman plotëson kërkesat e lexuesve për të njohur kombin shqiptar, duke shkuar përtej një romani të zakonshëm kundër luftës në përgjithësi. Nga teknika e krijimtarisë, Kadare ngre një strukturë të përsosur dhe kompakte në romanin me temë luftën antifashiste, por të cilit i mungojnë skenat e mëdha të luftës: ato zëvendësohen me skena kërkimi eshtrash dhe gërmimesh pas njëzet vjetësh.

Siç vlerëson Gaoxing, brenda strukturës së përgjithshme janë vendosur shumë episode të detajuara, në të cilat me forma të ndryshme, si kujtime, dialogë, aluzione, ironi, përshkrime psikologjike etj., autori kontrollon gjithmonë ritmin e romanit; kështu shkallë-shkallë e çon romanin në kulm kur, del papritur thesi me skeletin e Kolonelit Z. Në fragmentet e cituara duket vëmendja e lexuesve dhe kritikëve për këtë roman.

Siç konsideron Heilang, në roman paraqitet aty-këtu humori i zi i autorit, i cili ka thyer atmosferën e mërzitshme monotone që mbizotëron, çka e bën lexuesin që të buzëqeshë jo rrallë bashkë me autorin, sikur të kishin nënshkruar një marrëveshje të fshehtë. Në fund të romanit jepet një episod i bukur, ku gjenerali i dehur troket në derën e priftit në mesnatë, duke i përsëritur që ta fshihte faktin që thesi me skeletin e Kolonelit Z u shty në humnerë.

Tjetër fragment është përshkrimi i fshatares së pastër shqiptare Kristina në ditarin e një dezertori, përsëri nga këndvështrimi i tjetrit. Mjeshtëria e shtjellimit e autorit përbën bukurinë gjuhësore dhe mendore të tij. Lexuesit ose shikuesit kinezë duan ta marrin romanin ose filmin për krahasim me ndonjë vepër artistike ose me fenomenet e shoqërisë kineze.

Në krahasimet midis romanit Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur dhe filmit kinez Sinjal Grumbullimi (një vepër kinematografike që i kushtohet luftës civile çlirimtare 1945-1949, e realizuar në vitin 2009), kritiku Luhe, në një vështrim krahasimtar në artikullin “Dhimbjet që nuk u shuan nga koha”, publikuar më 17 dhjetor 2008, shpreh mendimin se protagonisti i romanit të Kadaresë, gjenerali, u kthye në Shqipëri me mision për mbledhjen e eshtrave të ushtarëve italianë, por vazhdimisht ndiente poshtërim dhe zymtësi, derisa përfundoi me çmenduri; ndërsa regjisori i filmit kinez na e kujton këtë personazh përmes kapitenit të kompanisë Gu Zi Di, që u kthye në fushën e betejës për të kërkuar arsyet pse shokët e tij të luftës dhanë jetën…

Karakteristika e parë në receptimin e veprës Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur është individualiteti ose diversiteti. Përveç komenteve të gjata, në internet do të hasim edhe komente shumë të shkurtra. Një lexues thotë se romani është i zhytur në luftë, por pa e përshkruar direkt (Clomer, Romani me temën e luftës pa përshkruar luftën, 6 mars 2015); tjetri thotë se Gjenerali nuhaste erën e vdekjes pranë vendeve ku u varrosën ushtarët e tyre (Luoshun, Vdekja dhe ndjenja e vdekjes në hijen e luftës, 5 gusht 2009).

Ka raste kur komentet bëhen me pak fjalë: në tërë librin binte shi, ose është historia e një trupi pa jetë në kërkim të një togu eshtrash. Karakteristikë e dytë është ndërveprimi në vazhdimësi. Receptimi i një vepre letrare në internet përbën vetë një proces të gjatë dhe të vazhdueshëm pas botimit të veprës. Në këtë proces, me ngritjen e numrit të lexuesve, pasurohet edhe receptimi në tërësi. Efekti i receptimit ruhet automatikisht dhe referohet në çdo moment për të interesuarit. Versioni i vitit 1992 i Gjeneralit në internet ka marrë 16 komente, kurse versioni i vitit 2008 po i këtij romani 111 komente.

Kështu komentet mbi komente, ndërveprimet shtrihen ndër lexues, kritikë, dhe në fund formohet një debat me një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish. E treta karakteristikë është promovimi. Megjithëse pjesëmarrësit e kësaj faqeje letrare nuk kanë qëllim të caktuar fitimprurës, vetë faqja synon që të zgjerojë ndikimin e saj në fushën e letërsisë, madje jep linkun e adresës së shitësit në internet për promovim.

Për këtë arsye, zakonisht në vendet më të spikatura, jepen informacione të hollësishme për librat. Në këto faqe mund të gjendet edhe një paraqitje e shkurtër për autorin, përmbajtjen e librave të tij, madje edhe fragmente prej veprave më të shitura. Në të njëjtën kohë, në fund të faqes, ofrohen edhe disa vepra të tjera që parashikohet se do të pëlqehen nga ata që e duan këtë vepër. Për shembull, në faqen e veprës Gjenerali, rekomandohen edhe veprat e tjera të Kadaresë, si Kronikë në Gur, po dhe Vetëdija e Zenos e shkrimtarit italian Italo Svevos dhe Palltoja Magjike e autorit italian Dino Buzati.

Duke u nisur nga receptimi i kësaj vepre në mediat e reja kineze, ne e dimë qartë se është zgjeruar gradualisht në Kinë ndikimi i veprave të Ismail Kadaresë. Dëshmitë e shumta për receptimin e veprës janë dhënë dhe do të jepen më shumë në mediat e reja.

Dihet se receptimi i një vepre në internet nuk mund të ndodhë pa përkthimin ose botimin e veprave në formën tradicionale, por për shkak se mediat e reja kanë pasur një audiencë më të re, grupet më aktive shoqërore, të cilat janë më të lëvizshme, më të lira, më dinamike, prandaj studimi i receptimit të një vepre në internet mund të dëshmojë, në njëfarë mënyre, gjendjen e përgjithshme të receptimit të saj.

Personazhe te ndritur të kombit tonë .Dr. Namik Shehu: Një jetë të tërë në shërbim të njerëzve…

Piere dhe Namiku


Historia, kjo portë e madhe e Jetës, kjo strehë e shenjtë gjithmonë është e hapur për cilindo njeri që kërkon të hyjë e të zërë vend në të , pavarësisht se si mund të jetë ai vend, i vogël apo i madh…
Jo çdo gjë varet nga ne. Çdonjeri duhet të dijë të zgjedhë rrugën në të cilën kërkon të hyjë në portën e madhe Histori dhe, përsëri kjo varet, nëse ajo të pranon.

Ka njerëz të veçantë që Historia i merr vetë dhe i strehon në strehën e saj të shenjtë, falë asaj çfarë njerëzit kanë dhënë në jetë për t’u mbetur i pavdekshëm…

Të hysh në Histori dhe të bëhesh pjesëtar i saj nuk do të thotë të jesh shenjtor, profet, filozof… Mjafton të jesh njeri me kulturë, të kesh humanizëm, shpirt të gjërë, t’u japësh shpresë, dashuri njerëzve për të jetuar… dhe, që këto virtyte, jo të gjithë njerëzit i kanë.

Dihet nga të gjithë se njerëzit që kanë aftësi të krijojnë dhe të japin shpresë për jetën janë mjekët. Këtë, më mirë se kushdo tjetër e dinë ata që e kanë provuar, pacientë të ndryshëm, ata pacientë që i mbajnë sytë nga sytë e mjekut. Një fjalë e mirë, e ngrohtë, shpresëdhënëse e mjekut, prekja e pacientit nga duart e tija, janë më tepër se një recetë ilaçes që mund të rekomandojë mjeku për sëmundjen tënde. Ato janë medikamenti më qetësues për të sëmurin.

Zemra e mjekut, sikur të kishte mundësi të ndahej në aq copa të shumta sa është edhe numri i pacientëve nuk do kishte mundësi t’i shkonte çdo pacienti, e megjithatë, ata, pacientët e shëruar mbajnë me vete një pjesë zemër mjeku, sepse mjeku, për vetë profesionin e tij human që ka, bashkë me zbulimin dhe shërimin e sëmundjes të jep edhe një pjesë zemre nga zemra e tij.

Doktor Namik Shehu!

Mjek i nderuar kardiolog, shkencëtar, profesor, bir i qytetit të Beratit që u lind dhe u rrit në atë qytet. Një jetë të tërë në shërbim të njerëzve jo vetëm të qytetit të tij, por edhe të qytetarëve të tjerë nga e gjithë Shqipëria. Doktor i aftë në profesionin e tij dhe i palodhur në punë, që gjithë jetën e tij ia kushtoi jo vetëm shërbimit shëndetësor, por edhe leximit, literaturës, kërkimit, studimit në fushën e mjekësisë, shkencës.

Doktor Namiku gjatë gjithë karierës së tij si mjek, nuk mund të rrinte i qetë duke i gëzuar mbajtjes së diplomës së mjekut të përgjithshëm dhe specialitetit të tij si mjek kardiolog. Puna studimore e shkencore ishte etja e tij për t’u ulur me orë të tërë mbi libra, për të gjetur atë, bërthamën e re të frutit që mjekësia shqiptare duhet të prodhonte. Në vitin 1980 mbron disertacionin për gradë shkencore, Kandidat i Skencave Mjekësore me temë: “Presioni arterial dhe hipertensioni arterial thelbësor”, 150 faqe.

Në vitin 1984 merr titullin: ” Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, ndërsa në vitin 1994 laureohet me gradën shkencore: “Doktor i Shkencave Mjekësore”

Portreti i Doktor Namik Shehut është i gjërë dhe i larmishëm, sa të shkruhet në një faqe gazete nuk mjafton para gjithë aktivitetit të tij shumëvjeçar si mjek.

Doktor Namiku ka qenë anëtar i këshillit shkencor të Ministrisë në vitin 1971, kryetar i shoqatëve të mjekëve në Berat gjatë viteve 1971-1994, ndihmës gjyqtar për shumë vite, kryetar i shoqatës Shqipëri – Turqi për Beratin dhe nën kryetar i kësaj shoqate si republikë në vitet 1991 – 1997, gjithashtu ka qenë edhe anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiologëve dhe të Dhembjes së Kokës nga viti 1992.
Doktor Namik Shehu është dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhërin në Shërbim të Mirë të Popullit”, ndërsa nga Instituti Amerikan i Biografive me titullin: “American Medal of Honour”.

Dr. Namiku gjatë gjithë jetës së tij si mjek nuk i është ndarë asnjëherë punës kërkimore shkencore nëpërmjet kurseve të kualifikimit pasuniversitar, disertacioneve për gradë shkencore e deri në referencat e studimet shkencore që kapin mijëra faqe të daktilografuara.

Në vitin 1981 ka botuar katër monografi në fushën e shëndetësisë.

Në vitin 1983 ka botuar monografinë me bashkautor: ” Reumatizmi artikular akut dhe pasojat e tij” me një volum prej 2008 faqe. Ka bërë përkthime dhe përshtatje. Ka botuar artikuj në revistat “Shëndetësia Popullore”, “Buletini i UT-së”, “Seria e Shkencave Mjekësore”, “Punime Neuro-Psiqiatrike”, ” Punime Neurologjike” e shumë të tjera. Për probleme të shëndetit janë mbajtur disa referate dhe është folur edhe në RTSH. Qyteti i Beratit si dhe qytetet e tjerë fqinj kanë patur fatin të kenë mjekë të aftë si Doktor Namik Shehu, i cili ka punuar përkrah mjekëve të tjerë të aftë, që kanë një emër nderi në Mjekësinë Shqiptare si: Maksut Dërrasa, Pandeli Çina, Lluka Muço, Vangjel Ikonomi, Ymer Dishnica e shumë të tjerë.

Dr. Namik Shehu jeton prej tetë vjetësh me familjen e tij në SH.B.A. në Nju Jork, i cili gëzon të dyja kombësitë, shqiptare dhe amerikane. Edhe këtu Dr. Namiku ka ushtruar veprimtarinë e tij si mjek, duke punuar vullnetarisht në spitalin “Lenox Hill Hospital” në Manhatten. Është Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane në Nju Jork. Ka marë pjesë në takime të shpeshta me ambasadorin e Shqipërisë pranë OKB -së, si dhe takime me mjaft interes me ambasadorin e Shqipërisë në Uashington për probleme të akademisë dhe në interes të Kombit Shqiptar. Kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane Prof. Dr. Skënder Kodra është shprehur: “…

Dr. Namik Shehu është një personalitet shkencor dhe si person i devotshëm dhe i aftë në kryerjen e detyrës…, ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Prof. Dr. Ylli Popa është shprehur: … Nëpërmjet Doktor Namik Shehut i uroj suksese Akademisë së shkencave Shqiptaro – Amerikane. Vitin e kaluar Dr. Namiku festoi në qytetin e tij, Berat, 70 vjetorin e lindjes, bashkë me shumë shok, miq, të afërm të doktorit, të cilët, dhurata më e bukur për Dr. Namikun ishte respekti dhe mikpritja, që qyteti dhe qytetarët e tij i rezervuan këtij njeriu të nderuar, ndërsa vetë doktori nga ana e tij atë mungesë disavjeçare do t’ua shuante mallin, duke i dhuruar edhe ai vetë një dhuratë tepër të çmueshme për qytetin dhe qytetarët e tij librin: “Berati, mjekësia nëpër shekuj”.

Dr. Namik Shehu është i martuar me mësuesen e nderuar, zonjën Engjellushe Shehu (Dyrmishi) ku kanë lindur edhe tre fëmijë. S’ka si të ndodhë ndryshe, kur nga pema e shëndoshë detyrimisht që do dalin edhe fryte të shëndoshë.

Teuta, vajza e tyre e madhe është inxhiniere e rymave të ulta, Eriani, djali i tyre është mjek, po aq i aftë sa edhe i ati si dhe vajza tjetër Loanda farmaciste, ku ka fituar edhe titullin “Masters Degree”.
Duke u njohur me udhën e bukur, të gjatë e të vështirë, në të cilën ka ecur gjatë gjithë jetës së tij si njeri, mjek, shkencëtar, doktor, si dhe me kontributin e tij të madh që ka dhënë, doktor Namik Shehu ka ecur edhe në udhën e gjatë, duke hyrë në portën e madhe të Historisë dhe Historia, jo vetëm që do ta pranojë, por do t’i japë edhe vendin e tij të nderit që i takon.

Le të mbetet Doktor Namik Shehu nderi i Beratit, i beratasve, i gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe të gjithë ne të bashkohemi njëzëri duke i uruar: “Jetë të gjatë, duke u mbetur shembull për brezat e rinj”.

Prof.Dr. Abdulla Mehmeti: ‘Simpoziumi shkencor që e krijoi platformën kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve’

Simpoziumi shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë” u mbajt në Shkup, më 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991, dhe ka qenë i pari i këtij lloji ndër shqiptarët e Maqedonisë.



Prof.Dr. Abdulla Mehmeti: ‘Simpoziumi shkencor që e krijoi platformën kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve’


Ky simpozium u organizua nga Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni, e cila solli vendimin për mbajtjen e tij, emëroi Këshillin organizues, me përfshirje të gjerë nga subjektet politike dhe jopolitike të shqiptarëve në Maqedoni dhe përzgjodhi subjektet në emër të të cilave do të mbahej ky Simpozium, për shkak se Ligji për shoqatat e qytetarëve, organizatat shoqërore dhe partitë politike në Republikën e Maqedonisë e ndalonte çdo veprimtari të subjekteve të paregjistruara sipas normave ligjore të asaj kohe.

Bashkësisë Kulturore Shqiptare deri në kohën kur u mbajt ky simpozium i ishte refuzuar disa herë kërkesa për regjistrim nga organet përkatëse, por vendosmëria për organizimin e këtij simpoziumi dhe vullneti i mirë për bashkëpunim i subjekteve shqiptare gjatë asaj kohe nuk mungoi, sidomos për realizimin e projekteve të këtilla me rëndësi të veçantë kombëtare.

Pamja e librit me punimet e Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i mbajtur në Shkup, më 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991.

Pamja e librit me punimet e Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i mbajtur në Shkup, më 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991.


Vendimi për mbajtjen e këtij Simpoziumi është marrë në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së BKSH-së, e cila u mbajt më 30 qershor 1991, në Tetovë. Mbledhjen e udhëhoqi Abdulla Mehmeti, ndërsa përveç anëtarëve të Kryesisë në këtë mbledhje morën pjesë edhe disa intelektualë të tjerë nga Tetova dhe publicisti Qani Mehmedi, nga Prishtina, në cilësi të mysafirëve (shih fig. 2. Procesverbali i kësaj mbledhje. Shënimi im).

Në këtë mbledhje, pikë e parë e Rendit të ditës ka qenë organizimi i Simpoziumit shkencor, me temë: ,,Shqiptarët dhe maqedonasit, dje, sot dhe nesër”, duke marrë parasysh se shqiptarët e Maqedonisë dhe në përgjithësi shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera shqiptare, në kohën e hapjes së proceseve të reja demokratike dhe me fillimin e shthurjes së ish Jugosllavisë, nuk ishin të përgatitur për përballimin e sfidave të reja që i imponoi koha, prandaj të gjitha veprimet e subjekteve politike dhe jopolitike duhej patjetër të mbështeteshin në një Platformë të studiuar mirë dhe të mbështetur mbi baza shkencore. Prandaj, në lidhje me këtë çështje e cila ishte debatuar një kohë të gjatë në Kryesinë e BKSH-së dhe më gjerë, u vendos: 1. Të organizohet Simpoziumi shkencor, me temë: ,,Shqiptarët dhe maqedonasit, dje, sot dhe nesër”, 2. Të mbahet një takim me përfaqësuesit e partive politike dhe subjekteve jopolitike të shqiptarëve në Maqedoni, me qëllim të përfshirjes sa më të gjerë në Këshillin organizues të këtij simpoziumi, si dhe u propozua lista e anëtarëve të mundshëm për Këshillin organizues, përfshirë edhe anëtarë nga subjekte të tjera dhe intelektualë e punonjës shkencorë të dalluar. Po ashtu u vendos edhe për subjektet e mundshme të cilat do të jenë bartës formal të këtij aktiviteti, duke e përjashtuar mundësinë që subjektet politike të jenë bartëse të këtij aktiviteti shkencor.

Në konsultimet e mëvonshme të Kryesisë së BKSH-së dhe Këshillit organizues me studiues eminentë nga Shqipëria dhe Kosova, dhe sidomos me insistimin e profesor Masar Kodrës, tema e Simpoziumit u caktua përfundimisht të jetë: ,,Shqiptarët e Maqedonisë”.

Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e mbajtur më 30 qershor 1991, në Tetovë. [/Fotografia]Në ballinë të Programit të Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, janë shënuar emrat e subjekteve, si organizues formal, Shoqata e Arsimtarëve të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe”, me seli në Tetovë dhe Bibliotekës ,,Isa Beu” e Medresesë në Kondovë të Shkupit, ndërsa në mes është vendosur emblema e atëhershme dhe akronimi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, BKSH.

Lista e pjesëmarrësve me kumtesa në Simpoziumin shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, 20-22 dhjetor 1991, Shkup:

Më 20 dhjetor 1991:

1. Dr. Ali Vishko,
2. Prof. Ibrahim Hoxha,
3. Dr. Shukri Rahimi,
4. Dr. Remzi Nesimi,
5. Dr. Kristaq Prifti,
6. Dr. Ramiz Abdyli,
7. Dr. Spiro Shkurti,
8. Mr. Latif Berisha,
9. Dr. Jani Thomaj,
10. Mr. Sami Ibrahimi,
11. Dr. Petrika Thëngjilli,
12. Dr. Drita Halimi-Statovci,
13. Kand. shken. Ferid Duka,
14. Dr. Agim Vinca,
15. Dr. Reshat Nexhipi,
16. Dr. Tefik Basha,
17. Dr. Fehmi Rexhepi,
18. Mr. Nexhat Abazi,
19. Halim Muka, bashkëpunëtor i vjetër shkencor,
20. Hamdi Islami,
21. Dr. Rahmi Tuda,
22. Ibrahim Krosi,
23. Abedin Krosi,
24. Kand. shkenc. Zamir Shtylla,
25. Dr. Haki Kosumi,
26. Kand. shkenc. Lefter Nosi,
27. Vehbi Bexheti.

Më 21 dhjetor 1991:

28. Dr. Muzafer Kërkuti,
29. Dr. Mahmud Hysa,
30. Dr. Asllan Selmani,
31. Dr. Fadil Sulejmani,
32. Dr. Xhelko Maksuti,
33. Mr. Nexhat Abazi,
34. Dr. Hysni Myziri,
35. Mr. Ismail Ahmedi,
36. Mr. Halim Purellku,
37. Kand. shkenc. Fatmira Rama,
38. Dr. Engjëll Sedaj,
39. Mr. Ukshin Hoti,
40. Dr. Yzber Hoti,
41. Mr. Sefedin Haruni,
42. Mr. Vehbi Xhemaili,
43. Dr. Gazmend Shpuza,
44. Dr. Gjyltekin Shehu,
45. Dr. Feti Mediu,
46. Dr. Shefqet Pllana,
47. Mr. Tahir Zajazi,
48. Dr. Muhamet Pirraku,
49. Kand. shkenc. Ana Lalaj,
50. Teuta Arifi,
51. Behixhudin Shehapi,
52. Blerim Reka,
53. Mr. Iljaz Rexha,
54. Milaim Fejzi,
55. Mr. Shaban Prevalla,
56. Samet Hyseini.

Më 22 dhjetor 1991:

57. Prof. Dhimitër Dishnica,
58. Dr. Masar Kodra,
59. Mr. Ramadan Sinani,
60. Dr. Qemal Murati,
61. Dr. Fadil Sulejmani,
62. Dr. Avzi Mustafa,
63. Kand. shken. Marenglen Verli,
64. Dr. Ali Vishko,
65. Dr. Xhelal Gjeçovi,
66. Dr. Liman Rushiti,
67. Kand. shken. Lumnie Berati,
68. Dr. Rexhep Doçi,
69. Dr. Bahri Beci,
70. Dr. Nuhi Vinca,
71. Mr. Hamit Xhaferi,
72. Ejup Mahmuti,
73. Dr. Veli Veliu,
74. Dr. Paskal Milo,
75. Mr. Mehmet Halimi,
76. Edibe Osmani,
77. Mr. Mersel Bilalli,
78. Mr. Ejup Gashi,
79. Gazmend Kadriu

(disa autorë, si Dr. Ali Vishko dhe Dr. Fadil Sulejmani kanë paraqitur nga dy kumtesa. Shënimi im).

Në këtë simpozium u ftuan të marrin pjesë:

- Akademia e Shkencave e Shqipërisë,
- Universiteti i Tiranës,
- Instituti i Historisë,
- Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë,
- Instituti i Studimeve Pedagogjike,
- Arkivi i Shtetit,
- Biblioteka Kombëtare,
- Muzeu Kombëtar,
- Radiotelevizioni Shqiptar dhe institucione të tjera nga Republika e Shqipërisë;
- Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,
- Universiteti i Prishtinës,
- Instituti Albanologjik i Prishtinës,
- Instituti i Historisë i Kosovës,
- institucione të tjera, punonjës shkencorë, studiues dhe veprimtarë të shquar nga e gjitha hapësira shqiptare.

Përveç pjesëmarrjes me kumtesa shkencore, në punimet e Simpoziumit kanë marrë pjesë edhe shumë studiues të tjerë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, dhe diaspora, të cilët kanë marrë pjesë aktive në diskutime dhe debate të cilat janë zhvilluar gjatë tri ditëve sa kanë zgjatuar punimet e këtij simpoziumi, në të cilat është biseduar gjerësisht për çështjet aktuale politike, kulturore dhe shkencore dhe për veprimet e mëtejshme në nivel kombëtar.

Ndër pjesëmarrësit, kanë qenë të pranishëm, liderë të partive politike, drejtues institucionesh, ministra, deputetë, intelektualë dhe punonjës shkencorë, si Kristë Frashëri, Adriatik Kallulli, etj.

Punimet e këtij Simpoziumi i kanë ndjekur me dhjetëra gazetarë nga vendi dhe nga jashtë, ndërsa ekipi i Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), i udhëhequr atë kohë nga drejtori i tij, Skënder Buçpapaj, e ka bërë incizimin tonik dhe xhirimin komplet të punimeve të këtij Simpoziumi.

KËSHILLI ORGANIZUES I SIMPOZIUMIT:

- Dr. Masar Kodra (kryetar i Këshillit, BKSH),
- Dr. Fadil Sulejmani (BKSH),
- Dr. Remzi Nesimi (gjuhëtar),
- Dr. Ali Vishko (BKSH),
- Mr. Nexhat Abazi (pedagog),
- Mr. Ramadan Sinani (BKSH),
- Dr. Asllan Selmani (gjeograf),
- Dr. Xheladin Murati (PPD),
- Teuta Arifi (gjuhëtare),
- Gjylimsere Kasapi (Forumi i Gruas Shqiptare, PPD),
- Mr. Vehbi Xhemaili (historian),
- Dr. Rahmi Tuda (BKSH),
- Xhemil Daci (PDP),
- Qerim Arifi (veteran i arsimit),
- Hasie Ramadani (PDP),
- Beqir Bajrami (PDP),
- Vehbi Bexheti (SHAGJLSH),
- Bahri Aliu (Medreseja ,,Isa Beu”),
- Nexhmedin Abdiu (SHAGJLSH),
- Osman Sulejmani dhe
-Vehbi Kadriu (SHAGJLSH).




Ballina e Programit të Simpoziumit ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, Shkup, 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991.
Ballina e Programit të Simpoziumit ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, Shkup, 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991.



Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e mbajtur më 30 qershor 1991, në Tetovë.
Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e mbajtur më 30 qershor 1991, në Tetovë.

Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e mbajtur më 30 qershor 1991, në Tetovë.
Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e mbajtur më 30 qershor 1991, në Tetovë.
Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e mbajtur më 30 qershor 1991, në Tetovë.
Procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e mbajtur më 30 qershor 1991, në Tetovë.



Emblema e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e cila ka qenë simboli i kësaj organizate gjatë kohës kur u mbajt Simpoziumi shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”.
Emblema e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e cila ka qenë simboli i kësaj organizate gjatë kohës kur u mbajt Simpoziumi shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”.



Ftesa për pjesëmarrësit e Simpoziumit, e nënshkruar nga kryetari i Këshillit organizues, Prof. Dr. Masar Kodra.
Ftesa për pjesëmarrësit e Simpoziumit, e nënshkruar nga kryetari i Këshillit organizues, Prof. Dr. Masar Kodra.



Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.
Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.

Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.
Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.

Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.
Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.

Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.
Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.

Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.
Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.

Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.
Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, me emrat e pjesëmarrësve dhe titujt e kumtesave.

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...