2016-08-03

Moikom Zeqo: Ja pse sulmohet figura e Skënderbeut

Moikom Zeqo: Ja pse sulmohet figura e Skënderbeut
Historiani Moikom Zeqo kërkoi që të mbahet qendrim zyrtar ndaj rastit të paprecendet të një historiani turk i cili erdhi tek varri i Skenderbeut dhe foli me fjalë fyese e denigruese për heroin tonë kombëtar.
“Talha Ugurlei duhet të shpallet person non grada në Shqipëri, tha Zeqo. Po kështu duhet mbajtur qendrim edhe përmes ambasadës turke në Shqipëri, shtoi ai.
Pak ditë më parë në YouTube qarkulloi një video. Aty shfaqje Talha Ugurlei, i cili gjatë një vizite në memorialin e Skënderbeut në Lezhë, denigronte heroin kombëtar.
Sipas Zeqos, kjo nuk është hera e parë që synohet të hidhet baltë mbi figura të rëndësishme të historisë që i kanë kapërcyer kufijtë e Shqipërisë.
Ai propozoi forcimin e ligjeve në Shqipëri në mënyrë që të ndëshkohen ata që fyejnë apo bëjnë akte të tjera ndaj figurave historike.

DEKLARATAT E HISTORIANIT TURK PËR SKËNDERBEUN


8 arsye pse kapitulloi Perandoria Romake

8 arsye pse kapitulloi Perandoria Romake
Në fund të shekullit të 4-t, Perandoria Romake u shpërbë pas gati 500-vitesh drejtim si superfuqia më e madhe botërore. Historianët kanë fajësuar për kapitullimin e saj një sërë faktorësh duke filluar nga dështimet ushtarake, tek taksat paralizuese e deri tek fatkeqësitë natyre e ndryshimet e klimës. Lexoni e zbuloni 8 arsye pse një nga perandoritë më legjendare të historisë kapitulloi:
1 – Pushtimet nga fiset barbare
Teoria më e qëndrueshme për rrëzimin e Romës Perëndimore i atribuohet një vargu humbjesh ushtarake kundër forcave të jashtme. Roma ishte në luftë me fiset gjermanike për shekuj me radhë. Romakët e pësuan nga një kryengritje gjermanike në fund të shekullit të 4-t, të cilët arritën të zbarkonin me sukses në qytetin e Romës. Perandoria i kaloi dekadat që pasuan nën kërcënim të vazhdueshëm. Në fund, ishte lideri gjermanik Odoacer që rrëzoi me anë të një revolte perandorin Romulo Augusti.
2 – Problemet ekonomike dhe mbështetja e tepërt në punën e skllevërve
Edhe pse Roma sulmohej nga forcat e jashtme, ajo ishte e shkatërruar edhe nga brenda për shkak të krizës së rëndë financiare. Luftërat e vazhdueshme dhe shpenzimet e tepruara kishin lehtësuar ndjeshëm arkën perandorake. Tatimet e shumta dhe inflacioni zgjeruan hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Me shpresën për të shmangur taksat, shumë anëtarë të klasave të pasura kishin ikur, dhe në fshatra kishin ngritur çifligje të pavarura. Në të njëjtën kohë, perandoria u trondit nga një deficit i punës.
3 – Rritja e Perandorisë Lindore
Fati i Romës Perëndimore u vulos pjesërisht në fund të shekullit të 3, kur Perandori Diokleciani e ndau perandorinë në dy pjesë-Perandorinë Perëndimore në qytetin e Milanos, dhe Perandorinë Lindore në Bizant, i njohur më vonë si Kostandinopoja. Ndarja e bëri perandorinë më të lehtë për t’u qeverisur në afat të shkurtër, por me kalimin e kohës të dy gjysmat Lindja dhe Perëndimi nuk arritën të punojnë në mënyrë adekuate së bashku për të luftuar kërcënimet e jashtme, dhe të dy shpesh grindeshin mbi burimet dhe ndihma ushtarake. Perandoria Lindore grek-folëse u rrit në pasuri, ndërsa Perëndimi latin-folës zbriti nga kriza ekonomike. Më e rëndësishmja, forca e Perandorisë Lindore shërbyen për të devijuar pushtimet barbare në Perëndim.
4 – Mbizgjerimi dhe shpenzimet e tepruara ushtarake
Në kulmin e saj, Perandoria Romake shtrihej nga Oqeani Atlantik deri në lumin Eufrat në Lindjen e Mesme, por madhështia e saj mund të ketë qenë edhe shkaku i rënies së saj. Me një territor të tillë të madh për të qeverisur, perandoria u përball me një makth administrativ dhe logjistik. Edhe me sistemet e tyre të shkëlqyera rrugore, romakët nuk ishin në gjendje për të komunikuar shpejt ose në mënyrë efektive të mjaftueshme për të menaxhuar pronat e tyre.
5 – Korrupsioni i qeverisë dhe paqëndrueshmëria politike
Nëse madhësia absolute e Romës e bëri të vështirë atë për t’u qeverisur, udhëheqja joefektive shërbeu vetëm për të lartësuar problemin. Të qenit perandor romak ka qenë gjithmonë një punë veçanërisht e rrezikshme, shpesh herë ai gati sa nuk ka marre një dënim me vdekje. Lufta civile futi perandorinë në kaos, dhe më shumë se 20 burra morën fronin  pas vrasjes së paraardhësit të tyre. Garda Pretoriane, truprojat personale te perandorit, vranë dhe instaluan sovranë të rinj sipas dëshirës. Paqëndrueshmëria politike e zgjeruar edhe me shume në Senatin romak, dështoi për të zbutur teprimet e perandorëve për shkak të korrupsionit të përhapur dhe paaftësisë. Shumë qytetarë romakë humbën besimin në udhëheqjen e tyre.
6 – Ardhja e Hunëve dhe migrimi i fiseve barbare
Sulmet barbare në Romë pjesërisht erdhën nga një migrim masiv i shkaktuar nga pushtimi i Evropës nga hunët në fund të shekullit të katërt. Kur këta luftëtarë euroaziatikë shkatërruan Evropën veriore, ata dëbuan shumë fise gjermanike në kufijtë e Perandorisë Romake. Romakët u  trajtuan me mizori ekstreme. Sipas historianit Ammianus Marcellinus, romakët krijuan një armik të rrezikshëm brenda kufijve të tyre. Kur shtypja u bë shumë e madhe, gotët u ngritën në revoltë dhe përfundimisht shpartalluan ushtrinë romake dhe vranë perandorinë Lindore gjatë betejës së Adrianopojës në vitin 378.
7 – Krishterimi dhe humbja e vlerave tradicionale
Rënia e Romës është përputhur me përhapjen e krishterimit, dhe disa kanë argumentuar se rritja e një besimi të ri ndihmoi në rënien e perandorisë. Edikti i Milanos legalizoi krishterimin në vitin 313, dhe ajo më vonë u bë fe shtetërore në 380. Këto dekrete i dhanë fund shekujve të persekutimit, por ata mund të kenë ndikuar edhe ne sistemin tradicional te vlerave romake. Krishterimi zhvendosi fenë politeiste romake, e cila shihte perandorin ne statusin hyjnor, dhe gjithashtu zhvendosi vëmendjen larg nga lavdia e shtetit dhe mbi një hyjni të vetme. Ndërkohë, papët dhe udhëheqës të tjerë të kishës morën një rol në rritje në çështjet politike, duke ndërlikuar më tej qeverisjen.
8 – Dobësimi i legjioneve romake
Për shumicën e historisë së saj, ushtria e Romës ishte zilia e botës së lashtë. Por gjatë rënies, përbërjet e legjioneve dikur të fuqishme filluan të ndryshojnë. Në pamundësi për të rekrutuar ushtarë të mjaftueshëm nga qytetaria romake, perandorë si Diokleciani dhe Konstandini filluan punësimin e mercenarëve të huaj për të mbështetur ushtritë e tyre. Radhët e legjioneve përfundimisht u rriten me Gotët gjermanikë dhe barbarë të tjerë, aq shumë në mënyrë që romakët filluan duke përdorur fjalën latine “barbarus” në vend të “ushtarit”. Në fakt, shumë prej barbarëve plaçkitën qytetin e Romës dhe rrëzuan Perandorinë Perëndimore.

Fëmijët që rriten në shtëpi me libra do të kenë të ardhura më të larta në jetë

Studimi/Fëmijët që rriten në shtëpi me libra do të kenë të ardhura më të larta në jetë
Shumë ekonomistë kanë vlerësuar normën e rritjes së të ardhurave nga arsimi i detyruar dhe rezultatet nuk kanë qenë gjithmonë të kënaqshme. Disa studime kanë dalë në konkluzionin se vitet e arsimit kanë me të vërtetë ndikim në aftësinë tonë për të fituar më shumë para në jetë, por kjo varet shumë edhe nga gjendja ekonomike e familjes ku je rritur. Për shembull, një studim nga Cunha dhe Heckman (2007) në SHBA argumenton se diplomat e shkollës së lartë japin më pak përfitime për fëmiljët e familjeve në vështirësi ekonomike.
Por një studim i ri i (Brunello dhe të tjerë 2016) bazuar në analizat e të dhënave të krijuara nga Vrojtimi Europian i Shëndetit, Plakjes dhe Pensionit (SHARE sipas akronimit në anglisht), zbuloi se në një kampion me 6 mijë europianë të lindur mes viteve 1920 dhe 1956, të cilët kanë jetuar në nëntë vende të ndryshme të Europës kontinentale – Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Hollandë dhe Suedi, del gjithashtu në një konkluzion të ngjashëm me studimin amerikan: me të vërtetë shkollimi sjell më shumë të ardhura në jetë, por kjo varet shumë edhe nga gjendja ekonomike. Diferenca më e madhe u dallua te sasia e librave që njerëzit e grupimit të vrojtuar kishin në shtëpi.
Një vit shtesë në arsim rrit të ardhurat përgjatë të gjithë jetës me 9 për qind. Por për njerëzit që kanë një sasi të konsiderueshme librash joshkollor në shtëpi, të ardhurat e tyre përgjatë jetës janë 21 për qind më shumë ndërsa për fëmijët që kanë arsim por nuk kanë pasur libra në shtëpi, efekti pozitiv në të ardhura është vetëm 5 për qind.
Gjetja tjetër e studimit qe se efekti qe më i madh për fëmijët e fshatit, të cilët kanë qenë përfituesit kryesorë të reformave në arsim, të cilat, përgjatë dekadave, e kanë rritur numrin e viteve të arsimit të detyrueshëm.
Në analizë është vlerësuar efekti i arsimimit në të ardhurat përgjatë të gjithë jetës dhe jo thjeshtë të ardhurat aktuale, pasi studime të mëparshme kanë zbuluar se krahasimi i të ardhurave aktuale me vitet e arsimit nuk jep rezultate të qarta pasi në të ardhurat aktuale mund të ndikojnë shumë faktorë të përkohshëm, si mosha mesatare e kampionit të studiuar apo gjendja e ekonomisë në kohën kur bëhet studimi. Në total, konkluzioni i përgjithshëm është se një vit arsimi plus, i rrit të ardhurat përgjatë të gjithë jetës për europianët mbi 60 vjeç me 9 për qind.
Por studimi i fundit arrin të dallojë edhe mes atyre që kanë të njëjtin nivel arsimor, por që kanë pasur shumë apo pak libra jashtëshkollorë në shtëpi. Një pjesë e madhe e europianëve që sot janë mbi 60 vjeç, (40%) në fakt rezultojnë se janë rritur në shtëpi që kanë pasur më pak se vetëm një raft me libra. (Një raft me libra është i barabartë me 10 libra). Të ardhurat shtesë të këtyre indivitëve janë vetëm 5 për qind ndërsa të ardhurat shtesë të individëve që kanë pasur më shumë se 10 libra në shtëpinë e tyre të fëmijërisë, janë 21 për qind më shumë se sa pjesa tjetër e popullsisë.
Për shkak se 43 për qind e brezit të studiuar u rrit në zonat rurale, reforma e arsimit të detyrueshëm bazë ka pasur më shumë ndikim mbi këto zona kështu që studimi analizon edhe diferencën mes fëmijëve ruralë dhe urbanë.
Po pse pasja e librave në shtëpi ka kaq shumë ndikim në të ardhurat në jetë nga arsimi?
Ndoshta librat janë të rëndësishëm për shkak se i nxisin fëmijët të lexojnë më shumë dhe se leximi mund të ketë ndikim pozitiv në ecurinë në shkollë. Dhe më shumë, siç na rikujton ne Matilda e Roald Dahl:
“Librat e transportuan atë në botë të reja dhe e prezantuan me njerëz të mrekullueshëm që jetonin plot aventura. […] Mendja e fortë e re e Matildës vijoi të rritet, e ushqyer nga zërat e të gjithë atyre autorëve të cilët kishin dërguar librat e tyre në botë si anije në det”.
Megjithëse të dhënat nuk zbulojnë nëse librat në bibliotekat e shtëpive qenë lexuar me të vërtetë dhe, nëse qenë lexuar, sa shumë qenë lexuar, duket se ka një lidhje mes pranisë së librave në shtëpi dhe masës së leximit nga fëmijët në këto shtëpi.
Nga ana tjetër, librat në shtëpi kanë rëndësi te të ardhurat jo pse janë libra, por se tregojnë edhe kushtet e përgjithshme social-ekonomike të kohës. Nuk është habi që familjet që kishin për sigurues të bukës një profesion me kollare të bardhë, kishin më shumë gjasa të kishin libra në shtëpi, si në zonat rurale ashtu edhe në zonat urbane. Në të njëjtën kohë, rezulton se 45 për qind e fëmijëve të zonave rurale me prindër punëtorë (dhe 58% e fëmijëve të zonave urbane me prindër punëtorë) kishin së paku një rast me libra në shtëpi. Kjo sugjeron se librat tregojnë jo vetëm dallimin në profesionin e prindit, por edhe nivelin kulturor të familjes dhe gjasave që ky nivel kulturor të ketë efekte në zhvillimin e aftësive konjiktive.
Zhvillimet për gjeneratën e Europianëve të lindur para, gjatë dhe pas luftës së Dytë Botërore qenë të shumta. Ne dokumentojmë se fëmijët e zonave rurale me libra kanë përqindje më të lartë lëvizjeje drejt qyteteve se sa fëmijët pa libra. Dhe ata kishin gjithashtu më shumë gjasa që të siguronin një vend pune zyre se sa ata me më pak libra. Ndërsa ata rriteshin në shtëpi rurale me libra, ndoshta nuk e kanë kuptuar se sa përfitime do të kishin nga rritja e viteve të arsimit të detyruar. Por sapo reformat i detyruan ata të qëndrojnë në shkollë deri në një moshë të caktuar, ata i volën frytet e arsimimit të tyre duke lëvizur në zonat urbane që po rriteshin ekonomikisht me shpejtësi.
Në tërësi, studimi vuri re se reformat në arsim të cilat rritën minimumin e viteve të arsimit të detyrueshëm qenë në përfitim të një pjese të fëmijëve por jo të të gjithëve. Në fakt, grupime të caktuara të cilët jetonin në fshat dhe kishin pak libra në shtëpi – arritën nivel më të lartë arsimi për shkak të reformës në arsimin e detyrueshëm por patën fryte më të pakta nga ky arsim. Kjo sugjeron gjithashtu se politikat alternative të arsimit, të cilat duhet të shënjestrojnë uljen e kostos së arsimit – të tilla si kupona shpërblyese për arsimin – mund të kishin qenë më efikase në rritjen e nivelit arsimor.
Megjithatë, ky këndvështrim nuk arrin të shohë gjithashtu se arsimi sjell përfitime si në nivel individual ashtu edhe në nivel shoqëror.
Ndërkohë, nëse shohim se njerëzit sot kanë shumë më tepër libra nëpër shtëpi nga sa kishin gjashtë dekada më parë, pyetja është nëse një konkluzion i tillë mbi përfitueshmërinë e të pasurit të librave në shtëpi do të vijojë të jetë i vlefshëm në të ardhmen.
Kjo është një pyetje e vështirë, përgjigjja e së cilës do të kërkojë kohë që të mësohet. BIRN

Xhirimi filmik më 1904 dëshmon praninë e shqiptarëve në Novi Pazar

Xhirimi filmik më 1904 dëshmon praninë e shqiptarëve në Novi Pazar
Një xhirim i bërë në vitin 1904 në Novi Pazar tregon praninë shqiptare në Novi Pazar, ku sot, 112 vjet më pas, ato ende nuk janë zhdukur, por janë zbehur shumë.
Një gjurmues nga Gucia, Avdo Metjahiq, ka gjetur në arkivat amerikane xhirimin e një udhëtari të këtij vendi, të bëra në Novi Pazar më 1904, transmeton Koha.net. Padyshim është një xhirim i rrallë dhe domethënës për historinë e tkurrjes së tokave shqiptare. Xhirimi i videos po qarkullon shumë edhe ne rrjetet sociale.

Rrënojat e Rilindasve dhe kullat e “pashallarëve” të rinj

Rrënojat e Rilindasve dhe kullat e “pashallarëve” të rinj
Ngjashmëria e rrënojave nga sarajet e Faik Konicës në tokën e ndaluar për shqiptarët në Çamëri me rrënojat e shtëpisë së At Gjergj Fishtës në Lezhë. Shndritja e shtëpisë muze të diktatorit Enver Hoxha dhe madhështia e kullës së Berishës në Vuçidol. Kulla e Ramës dhe themelet e sarajeve të “heronjve” të rinj të Shqipërisë.
Ka pak ditë që disa deputetë të Partisë Demokratike, postuan nëpër rrjetet sociale, fotografi pranë kullës së liderit të tyre shpirtëror Sali Berisha. Njëri prej deputetëve e ka quajtur “Meka e shqiptarëve” kullën e Berishës. Nuk ka asgjë për të kritikuar në këtë pjesë, sepse ka kuriozitet për të parë se ku ka lindur e është rritur lideri i tyre dhe kjo është e natyrshme.
Por, nëse i pyesim këta ligjvënës dhe shumicën e kolegëve të tyre se a kanë vizituar më parë ndonjë kullë të ndonjë figure të ndritur të historisë së Shqipërisë, me siguri përgjigja do të jetë dëshpëruese. Aq më pak pastaj nëse iu ka shkuar ndonjë herë në mendje, atyre dhe të tjerëve drejtues të shtetit shqiptarë, të interesohen se çfarë ndodh me ato shtëpi dhe sa prej tyre janë kthyer tashmë në rrënoja.
Interesant është fakti se shtëpitë e këtyre “heronjve” të kohëve të fundit janë të restauruara dhe shteti ka kushtuar kujdes për to. Në rastin e kullës së Berishës nuk ka investuar shteti, pasi ajo është restauruar me të ardhurat e familjes, por shtëpia e Enver Hoxhës fjala vjen është restauruar me investime nga qeveria.
Nuk ka asgjë të keqe edhe pse është njeriu që i ka bërë me keq se kushdo Shqipërisë, e le të jetë aty shtëpia e tij muze. Turistët janë të interesuar se ku ka lindur “djalli i kuq” që izoloi Shqipërinë për 45 vjet. Por çështja është pse mungon e njëjta vëmendje për personalitet e rëndësishme të historisë së Shqipëri duke nisur qysh te rilindasit e deri tek personalitete të tjerë të mëdha të kombit shqiptarë, viktima të komunizimit.
Nuk është rastësi që shtëpia e At Gjergj Fishtës është rrënojë, nuk është rastësi që shtëpia e Luigj Gurakuqit është shembur fare, nuk është hiç rastësi që shtëpia e Lasgush Poradecit është kthyer në fole gjarpërinjsh e mbuluar me ferra, e ndonjë ndërtim aty rrotull për t’i zënë frymën. Nuk është hiç rastësi që kulla e Prek Calit, patriotit të madh të Kelemendit është thuajse duke u shembur. Gjithashtu nuk është rastësi që karroca e Ismail Qemalit (nga filmi “Nëntori i Dytë”) gjendet mes ferrash e hekurishtesh. Pa shkuar më tej, në fatin e shtëpive të personaliteve të tjera shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, sepse me siguri gjendja është dramatike, shumica janë zhdukur e të tjera po zhduken. Nuk i kemi, si shenja kujtese, as ndërtesat e hekurta të diktaturës komuniste, burgjet e kampet e përqëndrimit, atje ku humbën jetën mijëra shqiptarë nga terrori komunist. Janë rrënoja gati në zhdukje.
Është interesante të krahasosh sarajet e rrënuara të Faik Konicës në Çamëri, (atje ku shqiptarët nuk munden të bëjnë gjë, sepse është tokë ende e ndaluar për ta), me rrënojat e shtëpisë së Fishtës në Lezhë.
Ajo që të bie në sy është se njësoj si shtëpia e Konicës në Çamëri, po kaq mjerueshëm vijnë edhe pamjet e shtëpisë së At Gjergj Fishtës në Lezhë. Nëse shqiptarët nuk mund të shkojnë të restaurojnë shtëpinë e Faik Konicës në Çamëri, çfarë i ka ndaluar ta bëjnë këtë me shtëpinë e Fishtës në Lezhë?!
Është interesante të vësh shenjë krahasimi  gjithashtu për shtëpinë muze të De Radës që ndodhet në Itali. Padyshim që ka marrë vëmendjen që i takon. Është krejt e ndryshme me shtëpitë e firgurave të tjera kombëtare shqiptare që ndodhen në territorin shqiptar. Siç duket në fotografitë e mëposhtme, shtëpia muze e De Radës nuk krahasohet me asnjë prej shtëpive muze në Shqipëri, as me ato që janë restauruar.
Kjo është mënyra sesi ne sillemi me ndërgjegjen tonë kombëtare. Jemi gati t’i bëjmë buste e t’i thurim lavde liderëve që kemi, edhe pse ata mund të jenë duke në bërë gjëmën, dhe të lëmë në harresë vlerat tona brez pas brezi. T’i shtojmë kësaj edhe faktin e dhimbshëm, që me sa duket, ata që na drejtojnë, as e kanë idenë çfarë është historia e Shqipërisë, as çfarë janë rilindasit,  (ata të vërtetët), as e kanë idenë se çfarë përfaqësojnë këto personalitete për Shqipërinë dhe as çfarë vlere ka më pas muzeu i diktaturës komuniste. Me ç’duket ne shqiptarët kemi raport delikat me kujtesën, e kemi kthyer në traditë, nuk e duam të shkuarën cilado qoftë ajo. Kjo sjellje na bën si një vend pa të shkuar e ndaj jemi sot me shpresën e humbur për të ardhmen.
Brezat e tanishëm e ata që do të vijnë, nuk do ta kenë kurrë mundësinë të shohin shtëpinë e Luigj Gurakuqit, sepse ajo është shembur nga themelet, ata nuk do të munden kurrë ta shohin veç të dëgjojnë për sarajet e Ismail Qemalit në Vlorë ku u ngrit flamuri i Pavarësisë, nuk do të gjejnë shtëpizën e Mitrush Kutelit, me gjasë pak kohë më vonë as atë të Lasgushit.
Brezat e ardhshëm nuk do të munden të shohin ku ka jetuar At Gjergj Fishta se nuk duhet edhe shumë e kulla e tij mund të shembet. Brezat e sotëm e ata që do vijnë do të mund të shohin sarajet e reja, kullën e Edi Ramës e të Berishës, e të shumë të tjerëve që na drejtojnë sot.
Fotografitë më poshtë japin detaje të rrënimit të ndërgjegjes tonë kombëtare, përmes imazheve të shtëpive të lëna në harresë të këtyre personaliteteve që janë historia e kombit shqiptar. Fotografitë japin gjithashtu kontrastet midis kullave të liderëve të tanishëm e atyre të diktatorëve, me pamjen e shtëpive të rrënuara të ndërgjegjes tonë kombëtare.
spac
Spaçi
shtepia-e-sokolove
Shtëpia e etnomuzikologut të njohur, Ramadan Sokoli
shtepia-e-luigj-gurakuqit
Shtëpia e Luigj Gurakuqit, atje ku sot janë vetëm gërmadhat e saj
shtepia-e-lasgushit
Shtëpia e Lasgush Poradecit, mbuluar me ferra dhe ndërtesa rreth saj
shtepia-e-derades
Shtëpia muze e De Radës në Kalabri
kulla-e-djegur-e-musine-kokalarit
Kulla e djegur e Musine Kokalarit
kulla-e-edi-rames
Kulla thuajse e përfunduar e Edi Ramës në Surrel
sarajet-e-konices
Sarajet e rrënuara të Faik Konicës në Konicë të Çamërisë
DCIM126GOPRO
Shtëpia muze e diktatorit komunist Enver Hoxha
shtepia_fishtes
Shtëpia e At Gjergj Fishtës në rrënim e sipër
kulla-e-berishes
Kulla e restauruar e Berishë
karroca-e-famshme-e-isdmail-qemalit
Karroca e famshme e Ismail Qemalit mes shkurresh e hekurishtesh
kampet-e-tepelenes_
Kampi famëkeq i internimit në Tepelenë

Bisedë me Ismail Kadarenë: Doruntina në kolegjet franceze

Bisedë me Ismail Kadarenë: Doruntina në kolegjet franceze
Një libër që reflekton prozën e Kadaresë në letrat franceze, me tekst të një natyre të rrallë, ky botim ofron dy biseda me shkrimtarin, përmbi leximet që konfigurojnë vizionet e Kadaresë duke tërhequr vëmendjen e tre shkrimtarëve francezë, të shkruar në gjuhën narrative remiks – rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje teksti të Kadaresë, zbërthime dhe variacione të së njëjtës temë, zhanri, subjekti…
Viola Isufaj: Të jesh i njohur –çfarë do të thotë kjo, zoti Kadare?
Ismail Kadare: Të jesh i njohur në letërsi nuk është njëlloj si të jesh i njohur në jetë. Në këtë të fundit, njohja, fama, mund të jenë me kahe të kundërta: për mirë apo për keq. Në letërsi kjo dikotomi nuk gjendet. Mund të jesh i njohur vetëm për mirë, kurrsesi për të kundërtën. Madje fjala “famëkeq” edhe në u përdortë për ndonjë shkrimtar, nuk ka lidhje me artin, por për një akt jashtë tij (vrasje, çmenduri etj). Janë ato akte që mund ta mbytin njohjen ose famën letrare dhe shkrimtari harrohet.
V.I. – E nëse talenti është i fuqishëm?
I.K.- Në qoftë se talenti është tepër i madh, ai, bashkë me famën, arrijnë ta mbysin të keqen, gjersa ajo harrohet. Por kjo ndodh tepër rrallë. François Villon, autori i së famshmes Balada e të varurve, që e shkroi kur përfytyronte varjen si bandit, është një nga shembujt.
V.I – Kur e ndiet se ishit i njohur botërisht?
I.K – Kisha qenë i botuar në Moskë, me një përmbledhje poezish, në SHBA dhe Norvegji me Dasmën!!!, në Bullgari e Jugosllavi me Gjeneralin, por ende nuk quhesha i njohur. Njohja ndodhi befasisht, më 1970, pas botimit të Gjeneralit në Paris.
V.I. – Nuk rreshtni së ndari kohën mes Francës dhe Shqipërisë. Sikur nuk ka ngjashmëri sa u takon “llojeve” të njohjes…? Kam një pyetje të thjeshtë, (jo për portretin e veprës, po për portretin tuaj, atë fizik): a ndodh t’ju njohin njerëzit në Paris kur ju shohin? Ju njohin fqinjët, kalimtarët? Në fund të fundit, është me rëndësi kjo? Pastaj, a ka “fama” ndofarë takse për t’u paguar? Ka diçka që s’ju pëlqen, ju bezdis? Cila është marrëdhënia e shkrimtarit me të?
I.K – Nuk ka asnjë ngjashmëri njohja për të cilën flisni ju, në Shqipëri në krahasim me Francën. Kjo duhet të jetë për cilindo shkrimtar, sidomos në Paris. Dihet se një rol të pazëvendësueshëm për njohjen fizike luan dalja në televizion. Ashtu siç dihet se profesioni i shkrimtari nuk është i lidhur me botën televizive aq sa i disa arteve të tjera. Ose i njerëzve të politikës e të sportit. Por edhe tek këta që përmenda, gjendja nuk është e njëjtë. Ka një gjendje të veçantë kur njohja ngrihet: ajo e skandalit. Shkurt, është diçka që kërkon taksën e vet, duke nisur nga më e thjeshta, ta zëmë, ndarja me gruan, tek nga më të papërfytyrueshmet. Zakonisht, shkrimtarët e njohur i shmangen këtij kushtëzimi. Nga rasti i Kunderës, i cili s’del pothuajse kurrë në TV, te një shkritmar parisian, i cili ca kohë më parë, u akuzua se, i shtyrë nga etja për bujë kishte organizuar rrëmbimin e vetvetes, ka një larmi të tërë sjelljesh. S’jam ndonjë rashë e vdiqa për t’u shfaqur në TV, por as për të kundërtën. Në Parisin 5, pranë kopshtit të Luksemburgut ku banoj, ka disa shkritmarë të njohur ,ata janë mësuar me lagjen dhe lagjja me ta.
V.I- Cilët janë treguesit e njohjes suaj ndërkombëtare? A ka një shifër të saktë: sa botime keni në të gjithë botën?
I.K.- Në radhë të parë numri i botimeve. Vlerësimi prej kritikës botërore, gjithashtu, çmimet ndërkombëtare. Futja në sistemin universitar (diploma etj) së fundmi, futja në sistemin e ulët shkollor. Kjo e fundit, pavarësisht fjalës “e ulët”, përbën, në të vërtetë, kulmin e njohjes së një shkrimtari, ajo që përkthehet me stilemën “klasik i gjallë”.
Lidhur me numrin e botimeve, duke pranuar së pari marrëveshjen për termat; që një botim do të thotë çdo titull i veçantë përkthyer në çdo gjuhë, unë kam mbi një mijë botime në të gjithë botën. Në qoftë se kriteri do të njehsonte si të veçanta botimet për shkollat, për të verbërit ose librat e xhepit, atëhere numri do të ishte shumë i lartë.
V.I.- Sapo u shprehët për përfshirjen e veprës suaj në sistemin e ulët shkollor. Përse ku nivel i arsimit përbën kulmin e njohjes së një shkrimtari? Çfarë e bën një përfshirje si kjo, të përkthehet me stilemën “klasik i gjallë”?
I.K.- Siç e thashë më lart, jemi përpara diçkaje që i ngjan paradoksit: sa më e ulët të jetë shkolla, aq më e vështirë, rrjedhimisht më e nderuar quhet hyrja e shkrimtarit në programet e saj. Në rastin e rrokshëm, rangu më i lartë është kolegji. E para sepse përfshin rreth dy milionë nxënës. E dyta sepse ka të bëjë me moshën 13 deri në 16 vjeç, atëhere kur krijohet baza e leximit serioz që ngulitet për tërë jetën në kujtesë.
V.I.- Të bën përshtypje mënyra si u paraqitet vepra juaj nxënësve; ata ftohen të marrin pjesë në dialogun e madh mes njerëzve. Në këtë mënyrë do ta kuptojmë se si qenia njerëzore merr frymë si një e tërë, me gjithë dallimet e kombeve dhe racave. Këtë ata e fitojnë përgjithmonë. E shkrimtari, çfarë fiton ai? Çfarë i jep një autori si ju, studimi i veprave të tij në vende të tilla si Franca?
I.K.- Në vende si Franca, e cila ruan përparësinë e letërsisë së saj, në të gjitha nivelet, hyrja e shkrimtarëve të huaj, midis autorëve francezë, duke qenë tepër e rrallë, u jep këtyre të fundit gati gati statusin e autorëve vendas, pra u kushton të njëjtin kujdes dhe ngrohtësi. Dhe kjo nuk është pak për shkritmarin.
V.I.- U paraqitet nxënësve për t’u studiuar romani “Kush e solli Doruntinën”. Zgjedhje e volitshme? Po të ish lënë në dorën tuaj, do të kish zgjedhje tjetër?
I.K.- Mendoj se është zgjedhja e duhur. Që të jem i sinqertë, në fillim m’u duk tepër e guximshme. Natyrisht që s’ishte puna ime të kujdesesha nëse vepra ishte apo jo e përshtatshme për 14 ose 15- vjeçarët francezë. Madje, ndjeva kënaqësi që një vepër kaq delikate dhe e ndërlikuar zgjidhej nga letërsia shqipe.
V.I.- U bë një marrëveshje me ju për këtë? Nëse po, çfarë kish të veçantë marrëveshja?
I.K.- Natyrisht janë bërë të gjitha marrëveshjet për gjithçka, me një seriozitet të rrallë, sidomos nga pala që përfaqësonte shtetin francez. Marrëveshja më e veçantë kishte të bënte më një “kërkesë për shkurtim”, te rreth 110 ose 120 radhësh. Më kujtoi censurën tonë të dashur socialiste, ndonëse s’kishte të bënte aspak me të. Përkundrazi, kërkesa që m’u bë si autor për heqjen e atyre pjesëve ishte dëshmi e përgjegjësisë së lartë morale të bordit botues. Ishte fjala për  motivimin e incestit motër-vëlla, i brishtë për të gjithë, por sidomos për moshën e nxënësve të vegjël.
V.I.- Duket se ju pëlqeu mjaft ideja e përfshirjes së tekstit tuaj në programin e letërsisë së shkollave franceze…
I.K.- Më pëlqeu jashtëzakonisht. Ishte një nga befasimet më të bukura në kalendarin e botimeve të mia.
Në mënyrë të qartë i shpjegohej nxënësit francez nga ç’pjesë e botës vinte ky libër. Ç’ishte ky autor dhe ç’ishte ky vend që quhej Shqipëri. Ç’ishte kombi që banonte në të, bashkë me gjuhën dhe letërsinë e tij. Së fundmi, shpjegohej përse fliste ky libër, shtjellimi i enigmës së njeriut që ngrihej nga varri për të kryer një porosi, si niste dhe si mbaronte udhëtimi i të vdekurit dhe i të gjallit mbi të njëjtin kalë.
Pastaj jepej balada mesjetare mbi të cilën e kishte zanafillën subjekti, vijonte ngjashmëria e tekstit me vepra të shquara të Mopasanit, Balzakut, Viktor Hygoit. Natyrishëm, libri shqiptar radhitej kështu midis vlerave të Francës dhe atyre të njerëzimti dhe do të mjaftonte vetëm kjo për të kuptuar se ç’rol mund të luajë letërsia në shpalosjen e atyre që mund të cilësohen si “letrat e fisnikërisë së një kombi”. Krahas kësaj, analogjia kërkohej më tej, në fushën e ideve dhe mesazheve të mëdha, aq shumë familjare për adoleshentët e Francës. Kështu, për shembull, një fjalim i personazhit të librit, kapitenit shqiptar Stres, vihej përbri një prej fjalimeve të famshme të Robespierit të Francës. Në të dy fjalimet shpallej një mesazh që iu drejtohej kombit dhe botës. Ndërkaq, ndërsa mesazhi i Robespierit lidhej me vlerat morale për të cilat Franca ngadhënjyese kishte nevojë për të shembur rendin feudal europian, mesazhi i kapitenit shqiptar ishte, përkundrazi, kumti funebër i Shqipërisë që po thyhej nën kërcënimin osman.
V.I.- Në “Doruntinën” tuaj ndjehet një “qëllim” i autorit tek domethëniet e reja që merr balada nga përfshirja në një konteskt të ri. Nga varri i Shqipërisë së viteve ’70, një dëshirim i dritës dhe i jetës, një dëshirim i asaj që ndodhet përtej. Në kohë trazirash politike, ringjallen shpresat për të komunikuar me vendet e tjera, të afërta apo të largëta. Këto shpresa kishin qenë të vdekura, të kallura nën dhe, si Konstandini, balada e të cilit shërben si parabolë, metaforë dhe simbol. Ky është njëri nga leximet e mundshme. Por cila është vërtet zanafilla e romanit? Si mund të ndikojnë gjithë këto në përzgjedhjen në programin shkollor francez? Si ndodh që një shoqëri e huaj “e përqafon” kumtin tuaj?
I.K.- E kam shkruar këtë roman aty nga mesi i viteve ’70-të dhe ishte e natyrshme që ankthi numër një i Shqipërisë së asaj kohe, veçimi tragjik nga qytetërimi evropian, do të ndihej në të. Ndërkaq, me të njëjtën siguri mund t’ju them se asgjë e tillë, pra asnjë ankth francez nuk do të bëhej shkas që kjo vepër të vihej në programin shkollor të Francës më 2004. Dhe do të ndodhte për arsyen e thjeshtë se Franca nuk e ka pasur kurrë këtë problem. Dhe pikërisht këtu qëndron mrekullia e letërsisë: ajo e kapërcen kohën që e ka pjellë vetë qëllimin e autorit, nëse të tilla ka pasur, dhe nëpërmjet ligjeve të përjetshme të saj përbotësohet. Nuk jam i sigurt nëse në kohën që e shkrova e kam pasur qëllimin që u përmend më lart. Besoj më shumë se zanafilla e veprës ka qenë brenda tharmit të artit; ishte një ngritje nga varri. Pra, një ngjitje thellësish. E kam përmendur për herë të parë baladën e Doruntinës te Muzgu i perëndive të stepës, në një bisedë midis dy personazhesh, një student shqiptar dhe një vajzë letoneze, por në tjetër kah; parandjenja e një ndarjeje.
Më vonë, është shtjelluar te “Hija”, më 1985, në kahun: dalje dhe kthim në gropën e Shqipërisë.Doruntina, për të cilën po flasim, qëndron midis të dyjave.
V.I.: Në librin e përgatitur për kolegjet e Francës diskutohet me thellësi e finesë të veçantë gjuha juaj, stili. Ju jeni shkrimtar. Pa diskutim, ju besoni në pushtetin e gjuhës. Me të keni dëshmuar përtej talentit tuaj, dhe fuqinë e shqipes, mundësitë e saj të mahnitshme. Dikur Dantja, falë gjenialitetit të tij, tregoi mundësitë e dialektit të Toskanës- dhe kështu u sanksionua një gjuhë bazuar pikërisht në këtë forcë shprehëse dhe këtë hijeshi. Midis një morie diskutimesh për gjuhën shqipe, sidomos së fundmi, bërë nga njerëz të kultivuar, dhe më pak të kultiviuar, besoj, ju, më bukur se kushdo, mund të flisni për natyrën e kësaj gjuhe, potencialet e saj. Ç’i ka dhënë veçanërisht shqipja krijimtarisë suaj?
I.K.- Është një bisedë e gjerë në kufinjtë e së pamundurës. Marrëdhëniet e një populli me gjuhën e vet janë tepër të ndërlikuara, që shkojnë nga adhurimi i verbër, te nervozizmi i verbër. Në fazën e sotme të zhvillimit shqiptar, i gjejmë të dyja. Po përpiqem të flas në mënyrë të thjeshtë për të, por dyshoj se mund t’ia arrij. Atëhere do të provoj për të kundërtën, mënyrën e ndërlikuar, duke dyshuar prapë në se mund t’ia arrij. Gjuha shqipe, ndonëse pa familje, sikurse greqishtja, është ndër dhjetë dymbëdhjetë gjuhët themelore të Evropës. Këtë e pohojnë të gjitha hartat e pemës gjenealogjike të gjuhëve dhe shumica e gjuhëtarëve seriozë të botës, me përjashtim të shumicës së gjuhëtarëve shqiptarë, të cilët, për një habi të madhe, i druhen kësaj të vërtete.
Duke folur si shkrimtar, pra si një përdorues, si të thuash, një artizan i gjuhës, me përgjegjësi të plotë pohoj se shqipja është një makinë e përkryer shprehjeje, një nga më të përsosurat në kontinent. Shkalla e përsosjes së një gjuhe lidhet, në radhë të parë me aftësinë e tejçimit (transmetimit) të nxjerrjes jashtë nga terri, thënë ndryshe, të çlirimit të mendimit njerëzor. Në një plan lehtësisht të rrokshëm, kjo duket në aftësinë për përkthimin e teksteve më të madhërishme të letrave botërore. Në këtë log shemërimi nuk është lehtë të gjendet një gjuhë evropiane që të mëtojë t’ia kalojë shqipes, në përkthimin, për shembull të Komedisë Hyjnore të Dantes a të tragjedive të Shekspirit, për të marë vetëm dy nga diamantet më të rralla të thesarit botëror.
Mendoj se shembulli është i mjaftueshëm për t’i besuar më shumë kësaj gjuhe, ose, së paku, për të mos e fyer atë me padijen tonë. Në një qasje më të ndërlikuar, që lidhet me thellësinë diakronike, me sprapsjen e prirjeve nomadiste, me raportet e saj me kombin, me letërsinë e shkruar që është pjellë e njëkohësisht tejkalim i saj, gjuha shqipe, duke qenë një model qëndrese e konservatorizmi, në kuptimin e mirë të fjalës, është njëherësh dhe model i lirisë së brendshme. Si e tillë, ajo i ka të gjitha mjetet e nevojshme që, nga njëra anë, t’i shërbejë krijuesit të saj, qytetërimit dhe njeriut shqiptar, por, nga ana tjetër t’i bëjë shërbimin e zgjedhur, gati gati hyjnor, njeriut të vetmuar, atij që, për një paradoks të madh, është i aftë të krijojë atë që s’është në gjendje të krijojë një popull i tërë: kryeveprat e letërsisë. Për ta kryer këtë barrë, gjuha, si një univers brenda universit, i ka mjetet dhe mekanizmat e duhura për përpunimin dhe skajimin e krejt shpirtit njerëzor në të gjitha gjendjet e tij.
Për këtë, krahas anës së dukshme, gjuha ka anën e saj misterioze, atë që mundëson zbritjen në zonat e paqarta të nënvetëdijes atje ku ngjizen parandjenjat, fatalizmi dhe ku mallkimi dhe bekimi jane ende të përzier. Me mjetet e saj klasike, po aq sa me ato moderne, si të thuash, trupat e saj të zgjedhura, të porsashpikura enkas, për të përballuar risitë e mendimit, së fundi me përmasën e pashfaqur, si të thuash shërbimin e fshehtë të saj, gjuha, me tagrin që ka, ose që kujton se ka, si çliruese e mendimit, përpiqet ta sundojë atë. Për të siguruar këtë sundim të vështirë, gjuha zotëron një teknikë të tërë, që nga fjalët, parafjalët e prapashtesat, kohët dhe mënyrat e foljeve, gufmimi apo tkurrja e ndajfoljeve, deri tek antonimet, dikotomitë, së fundi alfabetin e saj.
Në pamundësi për të shpikur secila vetë këtë rrokakrejt, gjuhët e botës kërkojnë ndihmën e njëra tjetrës. Dhe kjo është një nga mrekullitë e mirëkuptimit ndërnjerëzor. Përkryerjen e saj, shqipja jonë, ia detyron, ndër të tjera, këtij mirëkuptimi.
*Fragment i bisedës së profesoreshës  së Letërsisë Bashkëkohore në Universitetin e Tiranës, Viola Isufaj, me Ismail Kadare  në botimin “Kadare në letrat e sotme franceze”, botimet UETPRESS, Qendra Kadare

Arti dhe dehja

Arti dhe dehja
Prof.Dr .Ilir Muharremi

  Gjendja normale nuk mund të nxjerrë veçantinë, elementin kryesor që kërkohet në art, prandaj artistët dallohen me dehje, ekstazë pasi aty nuk mungojnë gjërat më intime dhe ekstreme. Efekti i artit është trazimi i gjendjes shpirtërore, pra i arritjes së dehjes. Mendimi i dehjes shkon drejt pamundësisë me qëllim të arritjes së realitetit. Në këtë dehje artisti ndjenë shije për kënaqësi, kjo është ajo rruga drejt artit. P.sh arti pesimist, a ekziston? Në literaturë e vërejë se po, mirëpo këtu ndeshëm me një kontradiktë. Disa artistë veprat e artit i vejnë në shërbim të pesimizmit. A gabojnë? Natyrisht që po. Gjërat që artistët i tregojnë janë të shëmtuara, mirëpo nga fakti që tregohen rrodhën nga shija për këtë tmerr. Oh sa të çliron  Nietzsche, Camus, Sartri, Dostojevski, Bodleri, Alan Poe, Lorka, Pushkini, Rafaeli, Mikelangelo, Da Vinçi, Van Gohu, Picasso, Dali…. Në këtë çlirim vërej dhimbje dhe bukuri. Dobësia fizike nxjerrë madhështinë shpirtërore. Në këtë betejë asnjëri nuk është humbës, njerëzimi fiton pra vetë arti dhe në thellësi është vetëvrasës, arti të vret, madje arti harron trupin e artistit, prandaj mirë e thotë Nietzsche-ja: arti është veçse art dhe asgjë tjetër. Është emër, libër, pikturë, muzikë, është punë, trembje nga suksesi, vetëdije për mossuksesin sepse mund të zgjatë sa vetë jeta. Arti është vetëm një pasion: punë dhe në disa raste heqje dorë me vetëdije nga kënaqësia e jetës.
      Arti përveç që është dehje, nxitë edhe kujtimet më të holla të saja, sepse është një kujtesë tejet e veçantë që zbret poshtë gjendjes shpirtërore, atëherë te njeriu-artist, përsëritet një botë e largët ndijimesh. Këtu shohë një shkallë dhe një gjendje të njeriut. Aty njeriu ndjehet i çliruar nga vetja, ka aftësi për të folur për veten me miliona mjete të gjuhës(ngjyra, muzika…) Njeriu këtë e ndjenjë si detyrim, sepse shtyhet drejt heqjes së bollëllëkut të brendshëm, dhe aty gjejmë bashkërendim të ideve, dëshirave dhe imazheve. Këtu nevojiten stimujt që të shtyjnë të veprosh në brendësi, e këta stimuj mund të jenë vetëm dehës. “Çdo lëvizje e brendshme (ndjenjë, mendim, ndjesi)shoqërohet me variacione muskulore, pra me variacione të ngjyrës, temperaturës, rekcionit”, shkruan Nietzsche. Një bashkëveprim i brendësisë me të jashtmen, derisa ajo e jashtmja pastaj pavarësohet dhe jeton plotësisht e vetmuar. Në këtë pavarësi prapë shohë një kthim në të kaluarën, sepse në pamundësi është ekzistimi i saj. Andaj, arti në raport me njeriun gjithnjë jeton, kurse njeriu i pjekur kërkon vdekjen. Ajo që ende nuk është pjekur mirë kërkon të jetojë. Vuajtja kërkon buzëqeshjen, e buzëqeshje ngopte nga vetvetja dhe dëshiron të vuaj. Njeriu ulërinë për një trashëgimtar, por këtu ai do fëmijën-artin e jo vetveten. Kurse dehja nxjerrë nervat e holla të gëzimit, dhe gëzimi do vetveten, e nuk do trashëgimtarë (art për syrin e kritikut, por art për vetveten.) Ky art dehës do përjetësinë, absolutizimin, do gjithçka të jetë e njëjtë. Mos të harrojmë se të gjitha gjërat janë të lidhura zinxhirë dhe ajo që fut gjithkund një shkëndi është dashuria. S’ka ekstazë më të thellë dhe gjendje të përhumbjes se kjo. Njeriu kënaqet kur ikën nga vetja, kur i thotë dhimbjes ik, mirëpo sërish e kërkon sepse çdo vazhdim dhe gëzim shpreson përjetësinë. Gëzimi e do përjetësinë, ngushëllimin e të përvuajturit…. Kurse ai që nuk e kërkon gëzimin llogaritet më i tmerrshëm sepse ai e do vetëm vetveten përbrenda. Por, ky është shumë i fortë sepse e do dashurinë e urryer, dhe kërkon largësinë dhe çdo gëzim që ndihet i etur për dhimbjen, botën, trupin, është më i pasur dhe i vlefshëm.
     Dehja përveç që “turbullon mendjen”, shton edhe kënaqësinë, arratisjen nga hallet dhe dertet. Van Goghu dhe Pol Gogeni krijuan nën ndikimin e pijes absint. Kurse Nietzsche-ja në momente stresi dhe frymëzimi stimulohej me hashash, vetë e pohoj në librin e tij “Ecce Homo, si bëhet njeriu ai që është”. Hemingway dhe Londoni përdorin pijen alkoolike si stimulim, ku i dyti përmendet me “Mbreti i alkoolit”, në të cilin libër pohon: “Të heqësh dorë nga alkooli, duhet ta kujtosh momentin e parë kur ke filluar ta përdorësh”. Pastaj, thënia e Latinëve të vjetër: “Në verë është e vërteta”. Edhe Mozarti kompozoj nën ndikimin e verës. Bodleri botoj edhe veprën “Parajsa artificiale, Opiumi, hashashi”. “Cili është ai burrë, që mund të dalë nga perandoria e opiumit”, kishte klithur ai në faqet e para të këtij libri. Poeti Allan Poe tërë jetën e kaloj i zhytur kokë e këmbë në alkool. Këto edhe sot janë lëngje të mrekullueshme në të cilat banorët e këtij rruzulli gjejnë guximin dhe kënaqësinë. Këta pijetarë melankolikë, pijetarë qeflinjë, ndoshta gjenin kujtimin dhe harresën, ose stimulimin e shijes për nxënien e momenteve kulminante, mirëpo asnjëherë nuk e kanë gjetur të plotë. Ja çfarë përmend Bodleri nën shfletimin e “Kreislerianë” e Hofman-it. Aty ai hasë në një rekomandim të çuditshëm: një muzikant skrupuloz, në rast se do të kompozojë opera komike, duhet të pijë verë Shampanje. Përse e bënë ai këtë? Ai përpiqet të gjejë ngazëllimin e lehtë shkumbues.  Vetë muzika fetare kërkon verë. Por, edhe në idetë më të thellë gjejmë hidhërim dehës. Poashtu muzika heroike nuk mund të bëjë pa verën, sepse kërkon afsh shumë serioz dhe joshje patriotike (fjalën e kam për muzikën serioze patriotike, e jo për atë tonën vendore nën ndikim të çajit.) Çfarë gjejmë në dehje? Nuk do të thotë të jesh i dehur e artist, por nëse ke nuanca artisti, vetëm se dehja ta plotëson. Edhe i dehuri i thjeshtë ka veshë për çdo art të thellë. Dehja na ndihmon ta çlirojmë shpirtin vetmitar, t’i dëgjojmë stuhitë më të mëdha muzikore, ngazëllimin sarkastik të padurueshëm, dëshirën për të dal nga uni, objektivitetin e ndjemë si të tepruar, shkrirja e qenies me realitetin (natyrën).
     Eh, keq kush nuk i ka shijuar  kënaqësitë e thella të dehjes. “Kujtdo që i është dashur të qetësoj një brejtje të ndërgjegjes, të sjellë ndër mend një kujtim, të mbysë një dhimbje, ose thjesht të shohë ëndrra më sy hapur, të gjithë këta kanë thirr për ndihmë perëndinë misterioze të fshehur diku në fibrat e vreshtit”, shprehet hapur Bodler. Sa madhështor është ky mendim nën spektaklin e verës, ngaqë ndriçon nga dielli i brendshëm. Krijimi nën artin e dehjes është edhe përvëlues dhe epshet bëhen shumë të rrezikshme zhuritëse dhe ngacmuese. Mos të sigurohemi se dehja nuk është gjithnjë ai luftëtari i sigurt në fitore. “Vera i ngjan njeriut”, pëshpërit Bodler. Këtu ai kërkon ta trajtoj verën të barabartë me njeriun sepse asnjëherë nuk mund ta dimë se në çmasë mund edhe të prodhojë krime monstruoze dehja. “Shpesh, më bëhet sikur dëgjoj verën të flasë me shpirtin e saj, me zërin e shpirtit që vetëm shpirti e kupton”, shprehet ai. Këtu ai mbyllet në burgun e qelqtë dhe nuk rënkon për çlirimin dhe lirinë. Aty gjejmë varin e hareshëm ku ai përmbush fatin e tij me entuziazëm. Dehja të dërgon në vdekje elegante. Dehja të ndihmon të ngjitesh në shkallët e padukshme të trurit, aty ku ekzekutohet vallja supreme. Dehja bënë të dëgjosh refrene të fuqishme  të kohëve të shkuara. Artisti i dehur është arkeolog i mirë i shpirtit të tij. Bashkimi i dehjes me njeriun krijon poezinë e madhe. “ Duhet të pini e të deheni pa pushim! Po me çfarë? Me verë, poezi a virtyte, sipas shijes suaj. S’ka rendësi me çfarë, vetëm të dehur të jeni ! E në se, nganjëherë, do të zgjoheni plasur në shkallet e një pallati, mbi barin e gjelbër të një varri e pija do t’i u ketë dalë, i kërkoni erës, valës së detit, zogjve, orës së pazarit, gjithçkaje që ecën, që ikën, që këndon, që flet. Pyeteni sa vajti ora. Dhe era, vala, ylli, zogu, ora do ju përgjigjen: është sahati të bëheni përsëri tapë. Që të mos ta ndjeni veten skllevër, martirë të kohës, dehuni, dehuni pa pushim me verë, me poezi, me virtyte, sipas dëshirës …” Ja kjo është kënga e kënduar nga vera në gjuhën e saj më misterioze nga Bodleri. Mjerë ai njëri që nuk e ka dëgjuar këtë këngë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...