2016-08-03

Ora News - Lord Bajroni porositi një armë të posaçme në Amerikë për Ali Pashë Tepelenën

Lord Bajroni porositi një armë të posaçme në Amerikë për Ali Pashë Tepelenën
Studiuesi, dhe kreu i AKB Auron Tare përmes një dokumenti të rrallë të gjetur në arkivat e Universitetit të Harward synon të sjellë përshkrimin e një grupi ullëtarësh amerikanë në vendin tonë në prill të 1818 dhe që hedh dritë mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës.

Ora News - Lord Bajroni porositi një armë të posaçme në Amerikë për Ali Pashë Tepelenën

:

Shkodra, e banuar që para 5 mijë vjetësh

Shkodra, e banuar që para 5 mijë vjetësh
Një grup prej 15 arkeologësh shqiptarë e polakë, pas gërmimeve të kryera në qytetin e Shkodrës për afro 10 vite, kanë zbuluar fakte të reja për këtë qytet.
Drejtuesi i ekspeditës thotë se jeta në Shkodër ka ekzistuar rreth 5.000 vite më parë, çka e dëshmon mënyra e jetesës dhe objektet e gjetura.
“Deri para gërmimeve tona, në histori shkruhet se Rozafa ishte qendra e qytetit. Këtë na duhet ta kundërshtojmë, pasi i gjithë qyteti ishte qendër e Shkodrës. Kjo vërehet nga niveli i jetesës, teknikës, jetës sociale e gjithçka që ne kemi mundur të zbulojmë. Jeta në Shkodër ka ekzistuar që përpara periudhës së bronzit, pra që 5.000 vite më parë”, thotë profesor Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës, raporton Top Channel.
Arkeologët sjellin për publikun në ekspozitën e prezantuar në MHK pamje 3D, foto nga elementë të zbuluar nga gërmimet, ku më interesantet janë poçeritë veneciane. Në këto poçeri janë gjetur monedha të shekullit XVII, ndërsa gërmimet janë mundësuar në një mënyrë krejt të re.
“Ne përdorim mënyrën joinvazive për të gërmuar, sepse shtrirja gjeografike e Shkodrës është e komplikuar. Na duhet të gërmojmë në më shumë se 7 metra thellësi, gjë që është e vështirë. Ndaj, kjo mënyrë e re gërmimesh na jep pamje nga Shkodra të 5.000 viteve të fundit. Mendoj se është hera e parë që kjo teknikë përdoret këtu në Shqipëri”, deklaron profesor Dyczek.
Gërmimet e arkeologëve shqiptarë e polakë parashikohet që të vijojnë çdo vit në muajt prill-maj, deri në 2020.

Shtëpitë dhe ndërtimet në Çamëri si dëshmi autoktonie

Shtëpitë dhe ndërtimet në Çamëri si dëshmi autoktonie
Besnik Aliaj, rektori i universitetit “Polis”, flet për arkitekturën e veçantë të objekteve në Çamëri
Nga Hyqmet ZANE
Gjenocidi grek mbi Çamërinë dhe popullatën e saj, ka lënë pas dëshmi autentike, jo vetëm të njerëzve që panë dhe përjetuan mynxyrën e vrasjeve dhe gjymtimeve nga më kriminalet, por edhe dëshmi të ndërtimeve të banorëve të kësaj treve që edhe sot e kësaj dite janë themele të një kohe kur në këtë vend jetuan, punuan dhe ndërtuan paraardhësit tanë.
Arkitektura ndërtimore e shtëpive të banorëve çamë të para 100 vjetësh të mbetura në gjenden e pas largimit të të zotëve të tyre, janë dëshmi e një jete me shumë mirëqenie dhe me tendenca të një modeli tregues autoktonie në Çamëri. Largimi me dhunë dhe gjenocid të popullatës çame nga shtëpitë e tyre 72 vjet më parë ka qenë një shfaqje e të vërtetave që nuk ka se si t’i mohojë dhe t’i harrojë as Greqia, por as banorët e mbetur të Çamërisë që jetojnë aty, që flasin shqip dhe jetojnë krah këtyre shtëpive si ndërtime që qëndrojnë në këmbë të parëna dhe si strukturë e qëndresës së të parëve që i ndërtuan ato.
Nëse ajo shprehja greke që thotë “shqiptarë trima dhe çamër krenarë” kërkon të rrëfejë për krenarinë e banorëve të Çamërisë, duhet thënë se edhe ndërtimet e shtëpive të tyre kanë tendenca krenarie të thekur dhe të shoqëruara me madhështi të spikatur. Fotografitë e shtëpive që janë marrë në këto 10-15 vitet e fundit janë tregues i një realiteti që flet hapur për ndërtime të qëndrueshme dhe të sigurta. Edhe pse të zotët e tyre kanë 72 vjet që janë larguar nga ato troje, muret e shtëpive qëndrojnë të patretura, edhe pse tavanet dhe çatitë nga mos mirëmbajtja kanë rënë. Gjithsesi themeli, muret dhe arkitektura e ndërtimeve janë bashkëshoqëruesi i vëmendjes së madhe që çamët kanë treguar për ndërtimet e shtëpive të tyre.
Edhe pse nuk jam njohës ekspert i ndërtimeve, përsëri, mjaftë t’i shohësh shtëpitë dhe ndërtesat e  çamëve në vendin e tyre, do bindesh për kujdesin e treguar dhe koston e lartë të investimeve të bëra si shprehje e jetëgjatësisë në tokën e tyre dhe pas ndërtimit, edhe pse nuk e dinin që një ditë do të kishte një largim kaq tragjik. Kush mund të thotë që këto shtëpi dy dhe tre katëshe nuk janë të çamëve sa edhe vendasit e mbetur nuk kanë guxuar t’i prekin e as t’i ndryshojnë destinacionin, si tregues i respektimit të së drejtës pasurore trashëgimore.
Kam arkivuar dhjetëra shtëpi që më kanë ardhur si dëshmi e të vërtetave që flasin e flasin kaq shumë se në këto shtëpi kanë jetuar banorët autoktonë të Çamërisë. Kudo, në çdo cep të Çamërisë, në qytete dhe në fshatra, nga veriu në jug të kësaj krahine në çdo udhëtim që bëhet, shikon shtëpi të mbetura ërrmi, siç i themi ne çamët dhe që qëndrojnë si lapidare të së vërtetës historike dhe gjeografike se banorët e kësaj treve kanë qenë jetuesit shekullorë të kësaj toke të lashtë sa edhe banorët e saj.
Me nostalgjinë e trashëgimisë time, dua të them se edhe shtëpia e gjyshit tim në Filat është rreth 100 vjeçare, si shtëpia e re e ndërtuar pasi e vjetra do të shërbente si magjari, vend ku rrinë kafshët e shtëpisë. Kjo shtëpi në një nga sheshet e Filatit, që në ndërtim ka qenë trekatëshe dhe me një papafingo sipër saj. Sipas të dhënave të babait dhe nënës time, në katin e parë të shtëpisë ishte lutërvia e vajit, makineria për përpunimin e ullirit dhe prodhimin e vajit dhe përbri saj rezervuari i madh i depozitimit të këtij vaji. Sipas po të njëjtit rrëfim për të cilin tregoja vëmendje të madhe kur i dëgjoja, sipër këtij rezervuari ishte dhoma e grave ku zonjat e shtëpisë edhe rrinin, edhe gatuanin, edhe kujdeseshin për fëmijët e vegjël, por ndërkohë edhe përgatiteshin edhe për shtrimin e sufrasë së bukës për burrat. Në mes të dhomës ishte një kamare me kapak ku brenda saj qëndronte një kovë teneqeje e zhytur në vajin e ullirit në depozitën e madhe të prodhimit që kishte familja. Gjithnjë kur më shumë më tregonte nëna, ajo më thoshte se dhoma e grave lidhej me një palë shkallë të brendshme me manxaton, dhomën e burrave ku ishte oda e madhe e pritjes dhe e ndejtjes së burrave të shtëpisë dhe e miqve që vinin në të. Po me shkallë të brendshme shtëpia lidhej me katin e tretë që ishin dhomat e gjumit të familjes ndërsa në papafingo rrinte gjyshi.
Të gjitha dhomat ishin të shtruara me dysheme druri prej pishe që kur laheshin dhe fërkoheshin me tel lëshonin aromën e rrëshirës dhe të pishës. Njëherazi edhe tavanet e të gjitha dhomave ishin me dru dhe të rregulluara me ornamente të punuara nga mjeshtrat dibranë që gjatë periudhës së dimrit, për shkak të të ftohtit në zonat e tyre, vinin dhe punonin në Çamëri. Mes tyre ishte një miqësi e mirë edhe për shkak të fesë së përbashkët islame. Kështu si shtëpia e gjyshit tim, ishin pothuajse të gjitha shtëpitë e Filatit, të fiseve të njohura të lagjeve me emër që përbënin këtë qytet. Ato ndërtime shtëpish janë autentike dhe të qëndrueshme, janë të ndërtuara sipas stilit më të mirë të kohës, me ustallarë dibranë që ishin mjeshtra të gdhendjes dhe ndërtimit me gur. Çdo familje që ndërtonte një shtëpi të tillë, që kishte dhe koston e vet, kuptohet që kishte edhe një pasuri tjetër, po aq të madhe si tregues i nivelit të mirëqenies qytetare dhe vitalitetit të një popullate në trojet e tyre.
Jo më pak të tilla ishin shtëpitë edhe në fshatrat e zonës së Filatit si në Lops e Galbaq, në Shqefar e Vërselë, në Spatar e gjithkund ku popullata çame jetonte me pasurinë e vet, me shtëpitë e tyre të mira, me orendi që në një masë të konsiderueshme ishin pjesë e zejtarisë së ustallarëve më të mirë të Janinës. Në shtëpitë e çamëve binte në sy pastërtia, lulet e manxurasë që kundërmonin erën joshëse dhe të këndshme, por edhe lyerja me gëlqere sidomos e anëve të dritareve që bien në sy edhe pse kanë kaluar 72 vjet nga ikja e zotëruesve të tyre. Çdo trashëgimtar i atij brezi të familjeve çame që ikën përmes rrëmujës gjakatare të Napolon Zervës, mori me vete lebetitjen nga krimet, por njëherazi nuk kishte se si të mos merrnin me vete kujtimet për shtëpitë, për kopshtet, për komshinjtë, për qytetin apo fshatin e tyre, për drurët e ullinjve të mbetur dhe bukuritë e parrëfyera të Çamërisë të bekuar edhe prej Zotit, besimtarë të mirë të të cilit ishte popullata e kësaj krahine.
Bashkëbisedim me Besnik Aliaj, rektori i Universitetit “Polis” në lidhje me ke këto ndërtime, të cilat edhe i ka vizituar si ekspert i mirënjohur i arkitekturës dhe urbanistikës, shprehet në lidhje me ndërtimet në Çamëri “Janë banesa tradicionale çame dhe ajo qytetare që dëshmojnë qartësisht të njëjtin stil dhe frymë arkitektonike, siç e gjejmë në edhe në Tiranë, në Kçë apo Elbasan. Natyrisht banesat historike janë pjesë e atij stili arkitektonik me qytetet e jugut të Shqipërisë. Por edhe ndërtesat e fillim shekullit të 20-të, kur elementëve të traditës i shtohen modernizmi janë pothuaj njësoj me frymën e vilave apo objekteve administrative si në Tiranën dhe qytetet e tjera të Mbretit Zogu I. Kjo frymë mund të thotë dikush është në të gjitha vendet e rakonit për shkak të tendencave të kohës dhe industrializimit. Por një gjë është e qartë : ato nuk janë tipike në materiale dhe stil me rajonet e tjera të Greqisë”.
Duke vlerësuar këtë përcaktim me ide profesionistësh, arkitekti i Arteve të Bukura, Besnik Aliaj shton se “Karakteristike tjetër është mimetizimi (përshtatja) e këtyre ndërtimeve me peizazhin dhe integrimi i tyre gradual me natyrën. Mjafton të shikosh fshatrat e qytezat çame dhe do ndihesh si në Sarandë, Gjirokastër apo edhe më tej.
Natyrisht shtresa e Epirit (hapësira, ku shqiptarët e grekët kanë bashkëjetuar) ndihet në këto vendbanime dhe arkitekturën e urbanistikën e tyre. Por sot mund të flitet për një stil dhe karakter tipik çam edhe në këto fusha, duke e bërë jetike nevojën që studiuesit dhe ekspertët e fushave në Shqipëri në tërësi dhe sidomos ata çame ta studiojnë këtë fushë të kulturës dhe jetesës së një komuniteti të tërë. Do ishte një kontribut jo vetëm për Çamërinë e Shqipërinë, por edhe për vetë Greqinë nëse flasim për një rajon të hapur e demokratik siç i ka hije çdo vendi normal në Europë”.

Pse ky folklorizëm i vonuar?

Pse ky folklorizëm i vonuar?
Nga Ndue Dedaj/Ka një shpërthim laraman të folkut gjithandej. Vërehet folklorizim i skenave dhe rrugëve të qyteteve, pa qenë ndonjë sezon folklorik. Çiftelia në disa rrethe të Veriut vazhdon të mbetet mbreti i veglave muzikore, aq sa kitara, piano, saksofoni, violina ndihen në “turp” para saj. Teksa qeleshja ka filluar të shfaqet si dikur në pazarin e Shkodrës. Artistët profesionistë mjaftohen me nënqeshjen e këtij folklorizmi patriotik apo patriotizmi folklorik, pa iu thënë qeleshe – çifteli – shpërdoruesve, mjaft më me folklorizma! Mirëpo sapo të ngresh zërin kundra kësaj dukurie “arkaike” do të hasësh në kundërshtimin e rreptë të “folkloristëve” të disa institucioneve dhe shoqatave të kulturës, ku shtysa e tyre nuk është ruajtja e trashëgimisë kulturore, por përfitimi i projekteve në emër të saj.
Po si mund ta ndajë lexuesi se ku është e duhura dhe ku teprimi? Ishte mjaft domethënëse kur fëmijët e diasporës shqiptare në Amerikë, Zvicër, Belgjikë etj., në ditën festive të mbylljes së shkollës, këndonin së bashku me prindërit e mësuesit këngën “Kur bie fyelli e çiftelia”, ashtu siç recitonin vjersha atdhetare kushtuar gjuhës shqipe nga rilindësit. E megjithatë në koncertet e tyre filmuar nga RTK nuk kishte aspak rapsodizëm, pasi e gjitha bëhej për ta ruajtur të pashprishur thesarin kulturor të vendit amë. Apo mjafton të shohësh se çfarë qytetarie treguan shqiptarët sportdashës në stadiumet e Francës, veshur masivisht me “fanelën” kuqezi të kombëtares sonë, duke tërhequr vëmendjen botërore.
Tradita kur gërshetohet me bashkëkohoren fiton një bukuri të pashoqe. Por është tjetër kjo dhe tjetër ngarendja “folklorike” nëpër skena, ku më shumë improvizohet, sajohet, aktrohet, sesa luhet me mjetet e folkut burimor. Mirdita, Lezha, Puka etj. nuk po dinë të dalin nga kulla e folkut, si nga një “mallkim” dashurie për çiftelinë e qeleshen, ndonëse rrojmë në një shoqëri që po diferencohet vrullshëm për nga shijet muzikore, me një rini që shkon përherë e më larg e përfshirë nga rrymat moderne e postmoderne dhe, nga na tjetër, një publik i gjerë në zonat ndërmjetëse (mes rurales dhe urbanes) që shtyhet për nga rrënjët me thellë se paraardhësit, dhe pse magjja e folkut nuk mbrunë dot më bukë(!) Atëherë si është e mundur që të gjithë vrapojnë të mvishen me ngjyrat e ndezura të folkut, njerëz dhe institucione. A jemi në kohë me këtë vezullim të paparë folklorik? A thua në këtë mënyrë po i hyjmë në hak muzikës qytetare të kultivuar? Para tridhjetë e pesë vitesh Mirdita përfaqësohej sa me folkun e saj burimor autentik në Festivalin e Gjirokastrës, aq dhe me këngët lirike të Luljeta Përbashës në festivalet e muzikës së lehtë në Radio-Televizion? Poeti Gjok Beci shkruante dhe perlat folklorike të “Grupit të Burrave”, dhe poezitë e këngëve të Vaçe Zelës e Feim Ibrahimit. Lezha kishte dhe lahutarët e moçëm Prekushi e Nonaj dhe grupin muzikor modern “Djemtë e Detit”. Në rrethet e mësipërme punonin kompozitorë profesionistë si: Dorian Nini, Agim Velaj, Sabrie Nushi etj. Pra ishte dhe njëra dhe tjetra. Dhe folklorikja dhe muzika e lehtë.
Folku tradicional vazhdon të jetë i parapëlqyeri i publikut të këtyre trevave dhe s’ka pse të mos e vazhdojë udhën e vet si trashëgimi, muzeologji arti e atraksion turistik, por jo të shtiremi sikur po bëjmë folk sot? Folku si i tillë tashmë është një mision i kryer. Një muzikant na thoshte: “Nuk mund të mblidhet më thuajse asgjë folklorike, ka vite që vetëm sajojmë folklor”. Është e mjaftueshme kjo për të mos vazhduar më tej të “prodhojmë” folklor për projekte. Ka disa arsye që në vitet ‘60-‘70 folku shqiptar mori publikim të madh, u nxor nga kullat dhe u ngjit në skenë. Kjo dhe për faktin se dy nga parimet estetike të artit të kohës ishin karakteri popullor dhe fryma kombëtare. Tashmë arti nuk e ka domosdoshmërisht tiparin popullor, ashtu siç nuk kemi më drejtësi popullore, ekonomi popullore etj. Kategori të tilla si popullorja shprehen përmes bashkëkohores, universales. Se si është përthithur folku në muzikën e kultivuar e kanë treguar me kohë mjeshtrit e mëdhenj të monumenteve muzikore në Europë dhe në Shqipëri e Kosovë. Se ç’cilësi të re i japin ata këngës shqiptare të traditës e tregon jo vetëm Tefta Tashko, Marie Kraja e Nexhmie Pagarusha, po dhe repertori i sotëm (në të vërtetë modeli) i krijuar nga Elina Duni me këngë si “Kur pata një lule të bukur” etj.. Është tjetër t’iu mësojmë të rinjve shkollarë se si ka qenë tradita jonë muzikore dhe tjetër të ndërmarrim nisma për t’ua “injektuar” fëmijëve folkun në bankat e shkollës. Nuk thuhet më kot se folku thithet me qumështin e nënës dhe jo me shkopin e dirigjentit. Thënë ndryshe, nuk shkojnë bashkë lahutarja dhe dixhitalja.
Argument 1. Nuk janë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë për zemër folkun, por më së shumti shtyhen drejt tij nën presionin në dukje pozitiv të specialistëve të muzikës dhe prindërve të tyre. Këtë e tregon dhe fakti se nxënësit kërkojnë të vazhdojnë liceut artistik dhe jo ndonjë “shkolle” folklorike. Gjatë një dëgjese muzikore një nxënëse 12-vjeçare ngulmonte se asaj i pëlqente të luante në piano. Kur u pyet nëse asaj i pëlqente çiftelia, ajo u përgjigj prerë jo, duke ngulmuar se nuk donte asnjë vegël tjetër përveç pianos. Ka gjasë që ajo vogëlushe të jetë ndjerë në faj, ngaqë nuk dinte e nuk donte me i ra dyzenit, duke mos u përshtatur me “sipas vendit bëhet kuvendi”. Teprimet dhe abuzimet me folkun nuk mund të përligjen me kinse nevojën e ruajtjes së trashëgimisë. Praktikat e vjetra vijnë si mbijetoja dhe nuk mund të mbahen gjallë me artifice mediokrish.
Argument 2. Çiftelia, lahuta, sharkia, fyelli, zumarja, bilbili janë vegla muzikore të një rrafshi kulturor, ndonëse ca kordofone e ca frymore, atëherë si është e mundur që për çiftelinë gjenden plot “instrumentistë” të vegjël nëpër shkolla, kurse për veglat e tjera që cekëm më sipër thuajse asnjë? Kjo sepse çiftelisë i bien të gjithë, kush më pak e kush më shumë. Teksa ajo e ka mbyllur ciklin me gjeniun Ndue Shyti, që gjysmë shekulli më parë pati fituar “Gjerdanin e Artë” në Dizhon të Francës. Çiftelia me dy tela nuk mund t’i mbijetojë globalizimit kulturor, ashtu si pipëza, gjethja, kumbonët, guralecët etj., përpos se të shkrira në orkestrat bashkëkohore, siç kemi parë në Kosovë etj. Vetë kryemjeshtri Shyti shprehet pa mëdyshje: “Askush nuk mund ta gdhendë më çiftelinë si Gjin Shkoza. Kush mund ta bëjë sot timbrimin e saj si e kemi bërë ne? Kam frikë se ai lloj timbrimi s’do të jetë më. Tash janë instrumentet moderne”. Me këtë nuk duam të themi që çiftelisë t’i vihet viza, në QKF-të e qyteteve të mos ketë “grup çiftelish”, por ajo të jetë krahas rretheve të tjera muzikore e jo të mbivlerësohet, që fëmijët të ushtrohen në të gjitha veglat muzikore.
Argument 3. Fakti që veglat dhe veshjet popullore njerëzit nuk i kanë në shtëpi, të vetat, por i tërheqin nga magazinat e pallateve të kulturës apo artizanet rrobapunuese tregon se i duan sa për një “fotografi” dhe jo se janë të lidhur shpirtërisht me to. Si mund ta ketë përzemër kostumin tradicional një vogëlushe, kur e ëma e ardhur nga fshati e ka flakur me të hyrë në qytet, në emër të modernes?! Dikur punuesit e veshjeve popullore ishin të rrallë dhe në zë, kurse sot presin e qepin për treg individë që nuk e zotërojnë këtë mjeshtri.
Shkurt, me gjithë nderimin dhe adhurimin për gjyshërit dhe çiftelinë e tyre të paarritshme për kohën, sot për fëmijët dhe të rinjtë do të dëshironim në radhë të parë flautin, pianon, mandolinën. Folku tradicional është vesh, muzika e kultivuar është notë, pentagram. Me folkun merren të gjithë (si në odat e dikurshme), me artin e kultivuar muzikor vetëm mjeshtrit. Çdo kohë ka gjuhën e vet muzikore, që do të thotë të merremi me folkun aq sa duhet, si në të gjithë vendet e qytetëruara europiane dhe jo nga zelli për traditën të dëshmojmë pa dashje “provincializëm”. Aq sa ç’ishin me vend në çeljen e sezonit turistik në Sarandë dhe Tropojë kostumet popullore gjithë larmi e bukuri dhe ritmet muzikore popullore të atyre zonave, aq pa vend kanë qenë disa improvizime folklorike në skenat shkollore, kinse në emër të “komunitares”, dhe kur është fjala për veprat e Kadaresë, Camajt, Podrimjes etj., që i përkasin letërsisë moderne dhe jo orës së folklorit.
Parë dhe në kontekstin social-politik-kulturor të sotëm, nuk mund të shkohet në Europë vetëm me folk, aq më tepër me folklorizma.

”Spaçi, simbol i ferrit komunist, nuk duhet humbur dhe harruar”

”Spaçi, simbol i ferrit komunist, nuk duhet humbur dhe harruar”
Viktimat thonë se: “Ky simbol i ferrit komunist nuk duhet humbur dhe nuk duhet harruar”
Një e përditshme në Argjentinë, i ka kushtuar ish-të përndjekurve politikë një artikull gazetaresk, në të cilin thuhet se në malet e Shqipërisë së Veriut u shkatërruan ndërtesat dhe një minierë e vjetër, ku të burgosurit politikë ishin të detyruar për të punuar madje deri në vdekje. Gazeta ”Buenos Aires Herald”, shkruan për burgun famëkeq të Spaçit, të cilën e thekson si një e keqe që kurrë nuk përfundoi për ish të burgosurit që ishin të rinj, dhe që ishin të etiketuar si armiq të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe të dënuar atje me vite.
Më tej përshkimi vijon duke theksuar se: “21 maj u deklarua dita kombëtare e përkujtimit për ata që vuajtën nën komunizëm. Ky është një simbol i ferrit komunist. Ajo nuk duhet të jetë e humbur dhe e harruar”,– tha Bilal Kola, kreu i institutit të burgosurve.
brg
Gazeta i ka kushtuar një vëmendje dhe ish-të përndjekurve që janë ende gjallë dhe ka realizuar disa intervista të shkurta me ta. Ja disa prej tyre: Një ish i burgosur, 75-vjeçari Hysen Haxhiaj, shpreson që ndihma mund të vijë nga Perëndimi për të ruajtur këtë vend të vuajtjeve, ku regjimi i theu kundërshtarët e saj, disa të akuzuar në mënyrë të gabuar si vendi i vogël u zhyt në izolim dhe paranojë gjatë gati pesë dekada. “Ne jemi duke shpresuar që Gjermania apo Shtetet e Bashkuara mund të na ndihmojë për ta kthehet këtë vend në një muze. Harrojeni për qeverinë tonë”, tha Haxhiaj, një trup ngjeshur, 75-vjeçar, i cili shërbeu prej 15 vitesh në punë të vështirë në Spaç.
Regjimi i pamëshirshëm
Shqipëria u qeveris për më shumë se katër dekada pas Luftës së Dytë Botërore nga stalinisti diktatori Enver Hoxha, e ngjashme me Korenë e Veriut. Feja u ndalua. Kritika e regjimit, edhe në biseda private, mund të shkatërronte jetën e një personi me një dënim të rëndë me burg. E shkëputur nga bota, vendi u mbështet kryesisht në punë të detyruar për të ndërtuar infrastrukturën e saj. Abuzimet në Spaçit dhe kampe të tjera të punës janë ekspozuar për herë të parë në mes të viteve 1980 nga ”Amnesty International”, e cila ka dokumentuar tortuar, rrahjet, izolimin dhe kushtet e dëshpëruara, të përshkruara nga një pjesë e vogël e ish-të burgosurëve.
E vërteta doli të jetë shumë më e keqe
Në fund të majit, Haxhiaj dhe ish të burgosur të tjerë udhëtuan në veri përgjatë 13 kilometrave rrugë të fëlliqur të Spaçit, për të shënuar përvjetorin e kryengritjes të burgosurve. Revolta filloi më 21 maj të vitit 1973 dhe zgjati tre ditë. Dyzet e tre vjet më vonë, vizitorët në burgun e Spaçit ishin të etur për të treguar historinë e tyre, shumë të kapërcyer me zemërim.
Zenel Drangu u burgos për 16 vjet pasi iku për tre ditë në Jugosllavinë fqinje. Ai vizitoi ish qelinë e tij në Spaç. “Në këtë dhomë njerëzit flinin në shtretër, ku dyshekët dhe jastëkët ishin të bëra nga kashta”.
Pajtim Lamaj, 62 vjeç nga Vlora, ka shërbyer 15 vjet në atë burg. Nëntë nga kushërinjtë e tij u burgosën në total prej 143 vitesh dhe dy prej tyre u ekzekutuan. Drangu mbeti gjallë. “Unë nuk mund ta besoj se si sot unë jam gjallë”,– tha ai.
Bajram Dervishi nga Berati, ka shërbyer për 28 vjet. Ai tha se të burgosurit ishin të detyruar për të përmbushur kuotat e gërmimi mineral. “Çdo njeri kishte për detyrë për të mbushur shtatë vagonët me bakër”. Dështimi për të përmbushur, tha ai, të çonte në izolim, rrahje apo dhe në torturë: vezë të ziera të vendosura nën sqetull ose goditje elektrike në organet gjenitale të tyre.
Dush Martini, 65 vjeç, nga Shkodra, ka shërbyer 11 vjet në Spaç dhe kujton se si ishin kushtet ekstreme të burgosurëve. “Imagjinoni duke punuar mbi 40 gradë Celsius në 2500 metra thellë në mal dhe pastaj për të dalë në minus 10 gradë Celsius”.
Historia
Rreth 43.000 shqiptarë u burgosën, u dërguan në kampet e internimit ose u ekzekutuar gjatë sundimit komunist që zgjati nga viti 1944 deri në vitin 1990, sipas Institutit të Shqipërisë për Integrimin e ish të Burgosurve Politikë. Regjimi Hoxha kishte 50 burgje dhe kampeve të përqendrimit; 5.577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan; rreth 1000 vdiq në burg; 17,900 u burgosën me 914,000 vjet burg dhe vetëm rreth 2700 prej tyre janë ende gjallë; më shumë se 30,000 u dërguan në kampet e internimit.
masakrat-komuniste
Njëzet e pesë vjet pas rënies së regjimit në kaos, gati gjysma e popullsisë tre milion e vendit nuk ka ose ka pak kujtim. Ambasadorët e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë vizituar Spaçin dhe në vitin 2009, qeveria shqiptare e përmendni atë si një monument kombëtar. Fondi Monument Botërore e ka përshkruar burgun si “në një gjendje shumë të avancuar të përkeqësimit”, dhe e ka konsideruar atë si një nga 50 monumentet më të rrezikuara në mbarë botën për vitin 2016.
Burimi: Buenos Aires Herald/Përshtati: Redjon Shtylla

Kur rrëfehet kriminalisti

Kur rrëfehet kriminalisti
Nga Spiro Xhavara

Nuk jam specialist i Kriminalistikës, as i policisë dhe i rendit, por nuk më pengojnë të rikthehem në kujtesë shumë vite pas, atje, ku fillon rruga dhe lufta jonë për konsolidimin si shtet, tani të ndriçuara nën dritën e rrëfimeve të një specialisti të enigmave të ngjarjeve të spikatura, të një kriminalisti. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, në njërin këndvështrim apo në një tjetër, si gazetar e analist, apo qytetar i thjeshtë, e kemi dhënë nga një mendim, për ngjarje të historisë sonë postkomuniste, por dhe të mëparshme, për ngjarje që e kanë tronditur opinionin shqiptar dhe, herë-herë, jo vetëm atë. Por këto mendime në mjaft raste imponohen, të ndikuara keqas nga influencat e krahëve politikë, duke mbuluar e anashkaluar të vërtetën, duke akuzuar pa e analizuar e konkluduar, madje duke përpunuar opinione, fakte, dëshmitarë, për të mos dalë e vërteta, e cila do të ngrihej në akuzë. Realitete që për fat të keq, kanë ndodhur jo rrallë dhe shfaqen sot e kësaj dite. Në labirintet e pafundme, pa dalje, ku janë futur proceset e gjykimit të shumë ndodhive, në mjaft raste fajtorët jo vetëm nuk dënohen, por ngrihen në përgjegjësi, zgjidhen edhe deputetë, të bëjnë moral, në librin “Rrëfen kriminalisti” na vjen fjala e specialistit, siç vjen drita e diellit në mëngjes për të larguar errësirën e natës, të ndriçojë në sytë dhe mendjet e njerëzve.
Kompetenca dhe vizioni i specialistit
 Ngjarjet dhe fenomenet që analizohen në libër nuk janë aspak të panjohura për gjithë shqiptarët, madje disa prej tyre, edhe për opinionin e huaj. Dhe e papritura e këtij libri nuk qëndron këtu. Jam befasuar kur e lexova, jo nga sensacioni, sepse ai nuk është libër sensacional, por nga vizioni e transparenca e realiteteve, revolta e brendshme e autorit në këndvështrimin e qytetarit, juristit, specialistit me shumë përvojë të fushës kriminalistike.
 Jam befasuar në shumë aspekte. Së pari, në guximin qytetar, për të shprehur hapur mendimin me fjalën e tij publikisht, për ngjarje të ndodhura por të deformuara nga “hetimi”, që nuk është thjesht fjalë, por bisturia e kirurgut, e cila operon vetëm pasi ka hapur dhe observon plagën, tumorin që ka përpara. Rrallëkush do shprehej në publik kaq qartë, për situatat që analizon dhe vrojton, me syrin jo të kronistit, por të specialistit në kufijtë e përsosmërisë dhe mbi të gjitha të njeriut të vërtetë që i dhimben fatkeqësitë e njerëzve. Së dyti, për shkallën e lartë të profesionalizmit, që hyn në analizë të faktorëve jo vetëm të fushës së specialitetit, por dhe të zhvillimeve politike e sociale të vendit. Mbarimi i studimeve të larta profesionale të Policisë e Fakultetit Juridik, specializimet para dhe pasuniversitare, përvoja e gjatë e punës së tij disa dekadëshe, janë bazat e krijimit të vizionit të gjerë të autorit, për t’i parë zhvillimet me objektivitet, njëkohësisht subjektivitet. Me objektivitetin e një profesionisti intolerant, që s’mund të thotë ndryshe, kur gjurmët dhe faktet janë përpara dhe kurrsesi nuk mund t’i kundërshtoi njeri. Me subjektivitet, sepse është njeri, ndjen dhimbje për fatet tragjike kur të vërtetat mbulohet, autorëve nuk u tregohet vendi ku duhet të jenë. Një tjetër gjë dalluese kudo në libër, është niveli i dukshëm dhe i plotë kulturor, me të cilin kap, trajton, përcakton, shpjegon faktet, ngjarjet, fatet njerëzorë, me sensin e duhur të kritikës e argumentit, me guximin e përballjes qytetare, ku shfaq qëndrimet i palëkundshëm, i bindshëm, këmbëngulës dhe i drejtë.
E drejta dhëmb
 Zhvillimet e pakontrolluara, të padrejtuara të vendit tonë, sidomos pas viteve nëntëdhjetë, kanë bërë që demokracia jo pak është ngatërruar me vetëgjyqësinë, gjakësinë dhe hakmarrjen e verbër, duke shkaktuar dhimbje të mëdha në gjithë popullin tonë, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Ngjarjet e fillimit të vitit 1991, të viteve 1997-1998, 2005, 2011etj., kanë shkaktuar shumë viktima të pafajshme, pas tyre shumë dhimbje e zi. Krimi merr jetë njerëzish dhe mbrapa lë dhimbje plagë të mëdha. Askush nuk është marrë me pasojat e këtyre dhimbjeve, askush nuk përpiqet t’i lehtësojë, pale më t’i parandalojë. Dhe kjo është dhimbja më e madhe, dy e trefish dhimbje. Por kriminalisti Miltiadh Muçi e thekson se, dhimbja bëhet më e madhe, kur viktima ikën dhe e drejta nuk thuhet, akoma më keq, atë zë që do të thotë të vërtetën, e detyrojnë të heshtë! Ai na sjell në faqet e librit realitete mjaft të hidhura, kur e drejta, në vend që të vlerësohet maksimalisht në një shtet që i themi ligjor, përgjaket, vritet, dhëmb. Rasti i Stelës, që kërkonte një të drejtë pas gjithë sa thanë për të, përfundoi në viktimë. Është nga më sensibilizuesit e opinionit mbarë shqiptar në revoltën e Miltiadhit ka notat më larta. Dhe jo vetëm ky rast, me dhjetëra të tjerë, si i Agimit, i adoleshentit, i negociatorit, i grave e burrave të Gërdecit, i protestuesve të 21 janarit, e shumë të tjerë, ku drejtësia shqiptare vazhdon të shkaktojë akoma dhimbje.
Zëri i kriminalistit
Botimi i librit “Rrëfen kriminalisti”, me siguri do përmbushë dëshirën e mijëra shqiptarëve që flasin dhe diskutojnë me njëri-tjetrin, por kur të lexojnë analizën e profesionistit të papolitizuar, gjithkush do lëshojë një “ah..”, “… këtu flitet e vërteta, saktë, siç ka ndodhur”. Dhe sidomos për ne emigrantët. Një libër, e përsëris me kaq profesionalizëm nuk e kam lexuar, as nga ata policorë apo superdedektivë, që kanë pushtuar majat, sepse këtu autori me lexuesin komunikon me ngjarje të vërteta, të ndodhura, që i analizon do të thoshja mjeshtërisht, jo vetëm me syrin e profesionistit por dhe në shkallën më të lartë të paanësisë e drejtësisë. Është fakt që sot në realitetin tonë zëri i specialistit dëgjohet fare pak, për të mos thënë aspak dhe, përfundimet i vendosin të tjerë, militantë politikë jo ata me kërkime e studime shkencore, specialistë të përgatitur, për më tepër me shumë përvojë. Në libër shpalosen të gjitha përpjekjet e autorit, që ka bërë e bën për prezantimin e mendimit të profesionistit me përvojë, në shumë nga shkrimet në median e shkruar, në emisione vizive, por dhe në komunikime me misionet ndërkombëtare, dashamirës të vendit tonë, sidomos në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut dhe reformës së thellë në Drejtësi. Të gjitha këto ai i bën për sensibilizim të opinionit, ndërgjegjësim ndaj të vërtetës, vlerësimin e drejtë të rolit të ekspertit të pavarur, të të dhënave shkencore në pavarësinë e Drejtësisë.
  Libri ka vlera rekomanduese për literaturë të shkencave të drejtësisë, ato sociale, të policisë dhe publicistikës, i shkruar me gjuhë të qartë të ballafaquar me fakte, eksperienca, legjislacion, me Konventën Ndërkombëtare e Kushtetutën.  Lexohet me mjaft kureshtje si arritje tjetër e Miltiadhit, pas botimit të studimit historik mbi vendin e origjinës : “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”.

Nostradamus, parashikues, magjistar, ndjellakeq apo i dërguar i perëndisë?!



Nostradamus, parashikues, magjistar, ndjellakeq apo i dërguar i perëndisë?!
Nga Albert Vataj/Sot 450 vite më parë më 2 korrik 1566 ndërroi jetë një nga personazhet më të pazakontë, Nostradamus. Mëngjesin e 1 korrikut ai i tha: “Ju nuk do të më gjeni të gjallë në agim e ditës tjetër.”, tregon sekretari i tij  Jean de Chavigny. Dhe ashtu ndodhi, në agimin e 2 korrikut ai u gjet i vdekur, i shtrirë në dysheme pranë shtratit të tij.  Edhe pse kanë kaluar pesë shekuj nga lindja e tij ai ende rrëmben interesimin e studiuesve, historianëve dhe mendimtarëve. Kuartinat e famshme të Nostradamus kanë gjetur gjithnjë interesim maksimal dhe kanë rrokur kureshtinë e njerëzve për të deshifruar, parë dhe kuptuar se çfarë ai parathoshte përmes simbolikës dhe metaforës së tyre. Janë të shumtë ata që kanë marrë përsipër që këtë gjuhë të kodifikuar ta bëjnë të lexueshme nga të gjithë. Por ka edhe të tjerë që i lënë qëllimisht të panjohura domethëniet e kuartinave, kryesisht atyre që flasin për kohën tonë, ose për atë që ka pritshmëri të ndodh. Natyrisht në këtë zell për t’i dhënë kuptim këtyre strofave ka edhe shumë sharlatanë, disfatistë dhe mitomanë, që i’a lejojnë vetes të kenë zbuluar kodin e shpjegimit të kuartinave që shkroi Nostradamus. Sot e përgjithmonë Nostradamus vërtitet mes dilemës se ai ishte një orakull, magjistar, ndjellakeq apo i dërguar i perëndisë?! Është pikërisht kjo që e bën atë gjithnjë tërheqës, gjithnjë të rrethuar prej shumë ëndërrtarësh.
Michel de Nostre – Dame. Nostradanusi lindi më 14 dhjetor 1503 në qytetin francez St. Remy. U shkollua në Avignon ku studioi filozofin, gramatikën dhe retorikën, përveç këtyre studioi edhe letërsinë klasike, medicinën, historinë dhe astrologjinë. Në shekullin gjashtëmbëdhjetë Francën e kaploi epidemia e Kugës. Në këtë kohë Nostradamusi u dallua si mjek i shkathtë, i cili iu  kundërvu kësaj sëmundjeje misterioze me tërë fuqinë që posedonte dhe pati një sukses të madh.
Në luftë kundër kësaj sëmundje ai përdorte si mjet kryesor aplikimin e higjienës personale dhe përdorim në doza të mëdha të vitaminës C. Kur hynte në fshat të infektuar, pikësëpari kërkonte mënjanimin e kufomave nga rrugët, të cilët kishin vdekur. Pacientëve së pari iu rekomandonte sa ma shumë ajër të pastër, ujëra të pastra dhe ilaç të cilin e kishte mbaruar vetë. Më vonë në kohën e një epidemie të rëndë të kugës Nostradamusi përjeton një tragjedi të rëndë familjare, ku edhe pse u përpoq  maksimalisht për t’ua shpëtuar jetën e tyre nuk pati sukses dhe i vdiqen bashkëshortja së bashku me të dy fëmijët që kishte. I dëshpëruar nga tragjedia familjare Nostradamusi filloi të dyshojë në aftësitë veta mjekuese, dhe për gjashtë vite të ardhshme rresht gjendet duke bredhur nëpër Evropë poshtë e lartë pa ndonjë cak. Duke kaluar nëpër kohën më të errët të jetës ky për herë të parë fillon të vërejë aftësinë e vet të parashikimit të së ardhmes. Shpërthimi i Kugës në Aix, atëherë kryeqytet e shtyri Nostradamusin që prapë të mirët me shërimin e të infektuarve. Ketë rast ishte aq i suksesshëm saqë pas kalimit të epidemisë ai shpërblehet nga paria e qytetit. Dhjetë vjet pas vdekjes së  bashkëshortes dhe fëmijëve Nostradamusi martohet përsëri. Në martesën e dytë i lindin tri vajza dhe tre djem. Nostradamusi në shtëpinë e vet që kishte katin e dytë e shndërroi në laborator (astrolaborator) në të cilin kishte mjetë të ndryshme për magjitë dhe predikimet që do të bënte i mbyllur  në laborator. Në këtë mënyrë në vete zgjoi vizione të çuditshme të cilat më vonë filloi t’i shenojë. Disa vite Nostradamusi u mendua se a do t’i publikonte predikimet apo jo. Përfundimisht në vitin 1550 ai për herë të parë publikon një libër të vogël me predikime e cila përbëhej prej dymbëdhjetë pjesëve nga katër rreshta më vonë të quajtur katrene. Secili katren përmbante predikime themelore për vitin e ardhshëm. Libri hasi në mirëpritje dhe mirëkuptim të madh tek lexuesit, dhe kjo e nxiti Nostradamusin që të vazhdojë me botimet e tija. Deri në fund të jetës Nostradamusi e mbajti traditën e shkrimit të predikimeve vjetore. Librin më të njohur Centurioni – qindëshja, Nostradamusi filloi ta shkruante në vitin 1554. Kjo përmbledhje e madhe e predikimeve për të ardhmen përbëhet prej dhjetë pjesëve. Në secilën pjesë saktësisht nga njëqind katrene. Shtatë pjesët e para i botoi në Lyon në vitin 1555 kurse tri pjesët e mbetura në vitin 1558. Këto tri pjesët e fundit Nostradamusi i shtypi në ekzemplar të kufizuar dhe ua shpërndau njerëzve të zgjedhur. Veprat e Nostradamusit janë ndër veprat më te botuara në botë. Në 400 vitet e fundit pothuajse nuk ka vit që nuk është dalë nga shtypi ndonjë botim i tyre. Në kohën e botimeve të tyre, predikimet e Nostradamusit hasën në vlerësime dhe kritika të ndryshme, sikurse edhe ditën e sotme. Është fjala pë kombinimet e fjalëve franceze, sllave, greke, latine dhe italiane të shkruara në mënyrë enigmatike në formë të gjëegjëzave, anagrameve dhe epigrameve. Për interpretimin e tyre duhet pasur dituri të madhe e cila duhet inkuadruar në numër të madh profilesh dhe rajonesh. Prej botimit të veprave të Nostradamusit në shekullin 16 e deri me ditën e sotme, numër i madh studiuesish janë përpjekur për të gjetur çelësin e deshifrimit të Centurioneve të Nostradamusit por pa sukses dhe jepen mendime të ndryshme.
Predikimet e tij janë të shumta dhe shumë prej tyre nuk janë  interpretuar akoma.
Ato që janë interpretuar, janë interpretuar pasi që ngjarjet kanë ndodhur dhe asnjëherë ato nuk kanë shërbyer që një ngjarje e caktuar të evitohet. Deri në fund të jetës Nostradamusin e mbajti kthjelltësia e mendjes. Para se të vdiste ose natën e fundit, kur ndihmësi i uron natë të mirë predikuesi francez ia kthen përshëndetjen, dhe i rrëfen së të nesërmen në mëngjes do të gdhihet i vdekur. Dhe ashtu ndodhi. Më 1 korrik 1566 vdes.
Varroset në pozitë vertikale (në këmbë) pasi që e kishte lënë porosi. Ky predikues francez nga shekulli 16 ka paraparë shumicën e ngjarjeve botërore.
Disa nga parashikimet e tij të bëra realitet mund të përmendim:
  1. Arratisjen e Ludovikut XVI në Varen,
  2. Revolucionin në Francë e Rusi,
  3. Dy luftërat botërore,
  4. Lufta në Afganistan,
  5. Epidemia e AIDS,
  6. Hedhja e bombës atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki,
  7. Vrasjen e Kenedit,
  8. Shembjen e murit të Bërlinit,
  9. Holokaustin e madh gjerman dhe terrorin nazist, etj. etj., gjithashtu parashikon fundin e botës.
Sipas tij tragjedia në  Neë York është pretekst për fillimin e luftës së tretë botërore, ku do të zhvillohet luftë e madhe në mes nuslimanëve dhe të krishterëve. Iniciator për këtë është antikrishti i tretë të cilin Nostradamusi e quan “Mabus”, i cili vjen nga Lindja e Mesme. Dy antikrishtët e parë ishin Napoleoni dhe Hitleri, kurse për të tretin mendohej së do të jetë Sadam Hyseini, por tani ka edhe mendime se është Osama Bin Laden. Ky predikues francez e parasheh tragjedinë e New Yorkut në Centurionin e tij të nëntë në katrenin e 97 (IX 97) kështu: Në muajin e nëntë të vitit në shekullin e ri. Një mbret i madh i Terrorit do të vijë nga qielli. Qielli do të digjet me 45 grade. Zjarri i afrohet qytetit të ri, parathoshte ai.
Nga jeta e këtij personazhi aspak të zakontë
Për kureshtarët ndërmendim se mbiemri i tij në gjuhën latine Nostradamus do të thoshte: “nostra”-jonë dhe “damus”-dama, zonja. Pra, Zonja jonë.
Ai zhvilloji një jetë normale të familjarit të ndershëm pa ndonjë skandal të veçantë në biografinë e tij. Është martuar dy herë dhe me rregulla qytetare. Shoqërueset e tij të jetës dy herë ishin zonja me prejardhje të familjeve të pasura aristokrate. Kishte 3 fëmijë nga dy martesa, prej të cilave i mbijetoi vetëm një djalë -Cezari.
Pa marrë parasysh lavdërinë dhe popullaritetin e madh që kishte, kurrë nuk është paraqitur si megaloman, por një njeri i thjeshtë dhe i afërt me çdo kënd, edhe pse vizita e papritur e Katarina Medicit dhe mbretit Kali IX, në shtëpinë e tij në Salone, dy vite para vdekjes, ia kishin ul ngapak modestinë e tij që e karakterizonte gjatë tërë jetës.
Ishte mjek gjenial i kohës së vet, i cili me sukses të madh ka shëruar mortajën, një sëmundje infektive e pashërueshme dhe vdekjeprurëse që ka shfarosur Francën dhe shumë shtete të Evropës së asaj kohe.
Matematikan dhe astrolog, përpilues i horoskopit te përgjithshëm astrologjie që edhe sot e kësaj dite është i pazëvendësueshëm si “Horoskopi i famshëm i Nostradamusit”. Kuptohet, me njohjen e astrologjisë dhe matematikës , ishte edhe astronom shumë i aftë në llogaritjen e lëvizjeve të planetëve dhe vrojtues i madh i UNIVERSIT të pafund dhe misterioz.
Astrologu personal i mbretëreshës Katarina Mediqi, si dhe mjeku i Karlit të IX.
Alkimist (kimist-farmacist) i dalluar, i cili ka zbuluar shumë barëra për sëmundje të ndryshme, që për atë kohë kanë qenë të pashërueshme. Veçanërisht është dalluar me përgatitjen e preparateve të ndryshme kozmetike që kanë bërë çudira në përmirësimin kualitativ kozmetik të femrave të asaj kohe.
Okulist, mistik dhe parathënës i cili ka hyrë në analet e profetizimit botëror të të gjitha kohëve, nga të cilët shumë parathënie të ngjarjeve kanë ndodhur, kurse pjesa më e madhe e tyre pritet të ndodhin.
Nostradamusi ishte poliglot i vërtetë, njohës shumë i mirë i disa gjuhëve botërore. Përveç gjuhës frëngjishte, e që konsiderohej si gjuhë e tij amëtare, komunikonte dhe shkruante edhe në gjuhën hebreje, latine, greke, italiane, thuhej edhe arabe, gjë që i ka mundësuar hulumtimin dhe njohjen e shumë shkrimeve të vjetra të civilizimeve të hershme. Kjo dëshmohet me njohjen fenomenale të religjioneve botërore dhe filozofisë së tyre.
Në njerën anë ishte një gjeni i çmuar me çudira të veta medicinale duke gëzuar postulate të larta në radhët e fisnikërisë së atëhershme dhe si pjesëtar me privilegje të jashtëzakonshme në oborret mbretërore, kurse në anën tjetër, trajtohej si sharlatan i paskrupullt, i përbuzur, i nënçmuar, i persekutuar dhe i përndjekur, veçanërisht nga ana e inkuizicionit, ku shpeshherë ka qenë në rrezik jete.
Është me të vërtetë për t’u çuditur se si Nostradamusi, edhe pse i famshëm në Francë dhe shtete tjera të Evropës, fare nuk ishte i respektuar dhe i çmuar në qytetin e vet të lindjes. Kjo, sigurisht, është një rregull e pashkruar ,që e përcillte çdo gjeni të rangut të tij. Natyra njerëzore kurrë nuk e çmon atë që ka afër dhe që është në te, por gjithmonë zgjidhja kërkohet “atje”, larg dhe sa ma larg. Edhe Zotit i lutet në qiell, edhe pse ai është afër, çdokund, dhe në TE vetë.
Sido që të jetë, Nostradamusi edhe më tej mbetet profet dhe parathënës më i mirë i të gjitha kohëve. Shumë parathënie të tij janë realizuar, dhe një varg syresh priten të realizohen në të ardhmen. Për të, anekënd botës shkruhen libra, broshura dhe xhirohen filma. Sa herë që ndodh ndonjë ngjarje e rëndësishme me përmasa botërore, interesimi për veprat e tij rritet pa masë. Sado kontradiktor, përmes dyerve të vogla, ngadalë por sigurt, studimi për të dhe rreth tij, ka hyrë në rradhët e shkencës bashkëkohore serioze .
Përveç parathënieve të shkruara me shkrim në veprat e tij, ka mjaft të dhëna edhe për ngjarjet nga jeta private që i kanë ndodhur, tregime këto që jo vetëm në kohën e tij, por edhe sot e kësaj dite, rrisin namin e këtij personaliteti gjenial dhe njëkohësisht kontradiktor.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...