Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/08/11

Si u godit nga diktatura grupi i intelektualëve të Çamërisë

Nga Rrahman Parllaku*

55 viteve më parë, gjyqi farsë ndaj të ashtuquajturit “grupit armik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit” përfundoi me 65 të dënuar, 13 të pushkatuar, 9 prej tyre vdiqën në burg, 4 të dënuar me vdekje që më pas bënë 25 vite prapa hekurave dhe mbi 1000 vite burgim të dhëna nga gjykatat. Sot, ata përkujtohen në një tubim përkujtimor nga Shoqata Atdhetare “Çamëria”

Me Temen nuk më ka takuar fati të njihem në Luftën Nacionalçlirimtare, po u njoha kur ai u kthye nga studimet e pambaruara në ish-Bashkimin Sovjetik, bashkë me Mehmet Shehun, Tahir Kadarenë e Abaz Fejzon, të thirrur nga qeveria shqiptare për të drejtuar e transformuar ushtrinë, nga ushtri partizane në ushtri kombëtare.

Mehmeti u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Tahiri, zëvendës i tij; dy të rinjtë, Temja dhe Abazi, shefa shtabi divizionesh: Temja në Gjirokastër, Abazi në Korçë. Ishin këta dy të rinj, dy ish udhëheqësa të Luftës Nacionalçlirimtare, me përgatitje të lartë ushtarake, dy të rinj të dalluar në luftë, por që po shkëlqenin edhe në studimet akademike.

gjyqi-diktature

Unë në atë kohë isha drejtor i Personelit të Ushtrisë. Jam njohur që në atë kohë me Teme Sejkon. Më vonë, mbasi unë mbarova studimet e larta ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik, kur u ktheva më 1951, Temen e gjeta në detyrën e Shefit të Zbulimit.U bëmë kolegë pune në organet e Shtabit të Përgjithshëm.Këtu fillon shoqëria jonë e pandarë, deri ditën e arrestimit të Temes.

Duke u shmangur pak nga tema, dua të vë në dukje se shokët e mi më të afërt në Luftë u bënë çamët, dy luftëtarë të shquar, Ali Demi e Ilmi Seiti, për të cilët kam shkruar e folur.

Aliun e njoha në gusht 1943 kur erdhi në Vlorë, pas daljes nga burgu nëpërmjet tunelit që vetë e kish ideuar e drejtuar punimet, nën hundën e fashistëve. Ai, fillimisht erdhi pranë Komitetit të PK të Qarkut Vlorë dhe me kalimin e Hysni Kapos në radhët e ushtrisë, u bë sekretar politik i KP K të qarkut. Ardhja e tij në këtë detyrë ndryshoi stilin e drejtimit; i dha fund ekstremizmit e përçarjeve që na kish lënë trashëgim Dushan Mugosha, e zbatuar me zell nga udhëheqësit e mëparshëm. Vrasja e tij qe një humbje e madhe.

Për Ilmi Seitin kam shkruar gjatë, për karakterin e tij burrëror, për zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme dhe qëndrimin e tij humanist, edhe në sektorin ku punonte. Këtë e pamë më mirë unë e Temja, kur i organizuam ceremoninë e varrimit, ku pothuajse mori pjesë i gjithëpopulli i Shkodrës dhe shikonim burra e gra me lot në sy. Dhe këtë e bënin për ish drejtuesin e Sigurimit.

Të gjithë e dimë se çfarë krimesh ka bërë diktatura në Shkodër, por burrëria, çiltërsia e humanizmi i Ilmi Seitit u vlerësuan nga populli i Shkodrës.

Nuk dua të lë pa përmendur një mikun tim çam, që ishte nga burrat më të moshuar të Brigadës, komisarin Abdyl Resuli, që e drejtonte batalionin në të gjitha luftimet dhe i gjithë efektivi e respektonte, pasi sillej me ta jo si drejtues, por kujdesej si prind.

Njohja me Temen dhe shoqëria me të vazhdoi jo vetëm gjatë kohës që punuam bashkë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe kur ai u caktua në detyrën e Komandantit të Flotës Luftarake Detare, pasi detyra ime si zëvendësministër për përgatitjen luftarake më bënte të kisha kontakte të shpeshta me të. Gjithnjë kisha gjetur mirëkuptim e ndjehesha i kënaqur për punën që bëhej në repartet e Flotës për përgatitjen luftarake e përvetësimin e teknikës së re me të cilën po pajisej Flota.

Por fatkeqësisht, kur Temja ishte në kulmin e aktivitetit të tij, kur po shprehte aftësitë e pjekurinë e tij në kryerjen e detyrës së lartë, u godit nga diktatura.Dhe kjo nuk qe një goditje individuale, por goditje ndaj grupit të intelektualëve çamë.

U gëzova kur Temja erdhi në Tiranë dhe më tha se do të shkonte për mbarimin e studimeve të larta Akademike. Në këtë kohë, takimet e shoqërimi im me Temen u shtuan. Ndiqnim bashkë ndeshjet sportive të ekipeve, jo vetëm të futbollit por edhe volejbollit e basketbollit.

Dilnim shpesh bashkë në Shtëpinë e Ushtarakëve.Pritja e tij u zgjat, po Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ngarkonte detyra.Unë kërkoja t’i ndodhesha në shoqëri, pa e ditur se ç’e priste.

Kisha planizuar të organizoja e drejtoja një stërvitje në Vlorë me trupa, që do të vazhdonte 5-6 ditë.

I them Temes: – Eja me mua, qëndro pranë familjes, të lë edhe veturën se do udhëtoj me gaz.

Vij, – më tha, po më ka ngarkuar shefi një detyrë që e kam mbaruar, po nuk i kam raportuar, pasi ai është me pushime në Durrës.

Eja, – i thashë, se e takojmë Petritin, dhe i them se e mora Temen të rrijë pranë familjes dhe kthehemi bashkë.

Petriti, pyeti Temen: E mbarove materialin, dhe ai iu përgjigj se e kishte mbaruar.

Na mbajti për kafe, si duket do t’i dërgonte ndjekësit e Temes në Vlorë, pasi Petriti ishte në dijeni të skenarit që po përgatitej për Temen. Drejtuesi i grupit, pas arrestimit të Temes, deklaroi se kur ndalonte makina ime, shtrihej në sedilje të mos e shihja kur kaloja!!!

U kthyem me Temen, me shpresën se ai do të shkonte të mbaronte studimet, dhe isha i bindur se do t’i mbaronte me Medalje të Artë, si shoku i tij Abaz Fejzo. Por diktatura, u kishte caktuar të dyve fundin tragjik: Temja vdes në tortura, kurse arkivolin e Abazit e përcolla më 12 janar 1987 nga burgu i Burrelit.

Të dy këta heronj të luftës, që vunë talentin e tyre në shërbim të mbrojtjes së atdheut, duke komanduar dy armët elitë të ushtrisë: Temja komandoi Flotën Luftarake, kurse Abazi komandoi forcat tankiste, u trajtuan në mënyrë barbare nga diktatura. Dhe bashkë me ta, nga ai genocid i pashembullt u shkatërruan edhe familjet e tyre, si edhe të mijëra kuadrove e luftëtarëve të shquar.

Të them të drejtën, kur e dëgjova Temen në gjyq, mbeta i zhgënjyer, por e besova kur më ra mua ta provoja, kur më futën në qeli e brenda saj në kafaz si kafshët e egra, ku jetova 11 muaj i izoluar nga bota dhe për 15 muaj pa asnjë lidhje me familjen, pa ditur nëse i kam gjallë!

Kur u them njerëzve që kam jetuar në kafaz, nuk u besohet! Po u them të takojnë e të pyesin hetuesin tim Pirro Dautajn e prokurorin Murat Konomin. I përsëris këto, se diktatura i ka detyruar njerëzit të dalin nga vetja, kur përveç torturave fizike e psikologjike të kërcënonin edhe me shfarosjen e familjes.

Vetëm kur të kesh kaluar nga ferri i diktaturës mund ta kuptosh gjendjen e atyre njerëzve që janë detyruar të dalin nga vetvetja.

Po diktatura është treguar tepër e ashpër ndaj asaj pjese të popullit tonë, kosovarëve e çamëve që kanë vajtuar genocidin e pashembullt, dhe që nuk dinë as sot varret e të afërmve.Ose të krimeve të Drenicës e Tivarit, që u përsëritën edhe nga Millosheviçi.

Përse diktatura mbajti këtë qëndrim ndaj dhjetra mijëra qytetarëve shqiptarë?

Unë në këtë moshë jam tepër i zhgënjyer që nuk ka një dënim kombëtar të diktaturës.Ende ruhen simbolet e saj; edhe sot e kësaj dite nuk i janë hequr diktatorit E. Hoxha titujt.I vdekuri nuk gjykohet, por parlamenti duhet të vendos dhe të mos mbeten të barazuar viktima me xhelatin.

Çështja çame sot është problem kombëtar, siç ishte Kosova dje – dhe më vjen mirë që ajo gjen gjithnjë e më shumë mbështetje. Është detyrë e çdo qeverie të mos reshtë së ngrituri këtë çështje me ndërkombëtarët, deri sa të gjejë zgjidhjen e merituar.

*******

*Gjeneral-lejtënant në pension, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit

Dëshmi rrënqethëse: tortura mesjetare ndaj të burgosurve gjatë komunizmit


torturat02

Nga dëshmia e të burgosurit politik Naum Bezhani.

Unë i nënshkruari Naum Bezhani, deklaroj sa më poshtë:
Po rreshtoj më poshtë tortura të ndryshme që u janë bërë të burgosurve, sidomos gjatë viteve 1947-1948. Për të gjitha këto, Koçi Xoxe, Vaskë Koleci dhe të tjerë kanë pasur dijeni dhe s’kanë marrë asnjëherë ndonjë masë kundër tyre që i bënin, madje këta vetë na inspironin dhe na mësonin kështu, megjithëse në dukje tregoheshin disa herë kundër.

Janë përdorur këto forma torturash:
1. Jeleku (tortura më e tmerrshme).
2. Kamxhiku dhe druri.
3. Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë me ditë të tëra.

4. Korrenti elektrik sa i binte tjetrit të fiktë.
5. Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
6. Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru, varur gjersa t’i preknin majat e gishtërinjve.

7. Thyerje e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor pas dënimit me vdekje të Shefqet Bejës dhe kundër tyre).
8. Kripë në gojë
9. Shpiheshin gjoja sikur do të ekzekutoheshin ose do të vareshin dhe shtihesh në ajër ose shpiheshin afër litarit.

10. Tortura morale në lidhje me familjen. Do të ta burgosim, do të t’i vrasim bile në Shkodër. Për të thyer rezistencën e Dulo Kalit e shpunë në një dhomë ngjitur me dy të burgosura vajza dhe dy të burgosur burra. Ata bënë gjoja sikur ato ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë aty t’i çnderonin.

11. Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë.
12. Një herë Myftar Tarja i futi një Toptanit nevojë në gojë dhe çorape të palara.
13. Djegie e mishit me cigare.

Dëshmitari Shaban Zereci, vjeç 45, nëpunës, banues në Tiranë, u betua rregullisht, u pyet e tha: Kam qenë partizan qysh prej vitit 1942, kryetar çete, komandant batalioni dhe kam pasur gradën kapiten. U arrestova më 14.VI.1947. Më kanë mbajtur 16 ditë varur prej këmbe. Pastaj më kanë torturuar me sistemin e jelekut, më kanë vënë kripë në gojë, më kanë vënë me nder mut në gojë dhe mbasi unë nuk hapja gojën më kanë thyer këmbët me dru, deri sa u detyrova ta hap. Nuk e mora vesh asnjëherë pse u arrestova.

I pandehuri Vango tha: Në hetuesi qe metodë pune tortura. Janë praktikuar lloje të ndryshme torturash, si p.sh. qëllesa me pëllëmbë, lënia pa bukë për ditë të tëra, lidhur duar e këmbë me hekura të rënda, jeleku, ujë të ftohtë me litar të lagur, kokën në kovë. Këto metoda bisedoheshin dhe janë ngritur edhe në mbledhje dhe torturat kanë ardhur duke u perfeksionuar.

(Gjendet në dosjen e gjyqit ndaj Koçi Xoxes. Arkivi i Ministrisë së Brendshme)

Revolta e të burgosurve të Qafë-Barit

v-zhiti001

-Pjesë nga libri “Rrugët e Ferrit” i shkrimtarit Visar Zhiti-

Më 22 maj të vitit 1984 të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Veç të ridënuarit dhe të pushkatuarit ishin té tjerë, gjithmonë té rinj.

Dy revolta, të vetmet në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, që i bëjnë nder vendit, kujtesës historike, njohjes së rrënjëve të demokracisë, që treguan se shqiptarët iu kundërvunë së keqes në kulmin e saj, pse jo, dhe me një ëndërr europiane.

Në kujtim të saj, si një përvojë sa tragjike, po aq dhe e madhërishme, si një mësim i lartë morali, emblemë e kundërshtisë kolektive, po japim pjesë nga vepra “Ferri i çarë”, ku shkrimtari Visar Zhiti, i burgosur politik në Qafë-Bari në atë kohë, përshkruan si një dëshmitar revoltën, tmerrin, dhunën dhe absurdin makabër të saj.

DITA E SHPËRTHIMIT

…filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit? – po ja, ngaqë ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.

Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin në këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore.Gjysma flinte në këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit që shihnin në atë copëz ëndërr.

Çfarë ka ndodhur, pse na mbajnë? Dy Nduet, Pisha dhe Nikolla, nuk kanë realizuar normën. Po pse?S’kishte material dhe s’duan të kthehen të minierë, po kundërshtojnë.E kishin gërryer materialin me lopatë, “asgja s’ka mbetun, s’lame kokërr minerali, dyshemeja ngjan si e fshime, s’ka ma, doli dhé.”“Jo, – bërtiste policia, – duhet të ktheheni.Urdhër i komandës.Prapë në ndërresën e parë!”“S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit.– Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim.”“S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën.”“Në darkë prapë.”“Jo, tani!”“S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë.”“Po i kujt, yni?” – bërtisnin policët.

“Po i kujt?Juaji!” – ia kthenin të burgosurit.
Fytyrë më fytyrë.Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni?Ju çfarë doni? Normën! S’ka.
Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni.Ikni ju.Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…

Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë.Shqeva sytë mbi çangën, sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan?“Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…” U drodha i tëri.Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen.Po shtoheshin policët.Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit.Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë.Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka…

Mbështeta bërrylat mbi siprinën e pistë të tryezës së gjatë, ende e pafshirë, thërrime buke të ndërresës së parë, lëngje të derdhura, copa kocke.Edhe tryezat e tjera po ashtu.Miza të mëdha, të zeza endeshin me zukatje aspak bezdisëse. Përkundrazi, na nanurisnin vëmendjen nga ajo që do të ndodhte e s’dihej ç’ishte. Mjafton që jemi bashkë, të gjithë.

U futën nja 10-15 policë.U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…
Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht, nuk përshëndeti, s’kishte pse.
“Ce s’e betë normën (j)uve, të denuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë, apo s’u rri bytha rehat uve? Me uve po flas. Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin! Maskarenj, pisa.”
“Pisat e sat ëme”, – mërmëriti një zë pas meje. Zëri i oficerit të rojës binte erë groshë ushtrie, të djegura, përzier me dhjamë derri e partishmëri idiote komuniste.“Ce, ë?” – pyeste, pa e pasur mendjen te pyetja. Sikur shkulte gozhdë të ndryshkura me sqepar, ngjirnin ato “ce”-të e tij të fëlliqura. Pu, sa fjalor i paktë, shumica fjalë banale me dialekt Jugu e Veriu.

U bë gati të përgjigjej andej nga kreu një i burgosur nofullshtrënguar, i lidhur me tel, prandaj dhe i spikaste vertikaliteti i leckosur. “Mos fol, – iu hakërrua polici. – Po flet oficeri i rojës. Je dhe përsëritës.”“Në çfarë?” – pyeti gjëmshëm i burgosuri. “Në faj.Në krim, – bërtiti oficeri i rojës.– Kush e hodhi dyshekun e shtetit nga dritarja, ushtari im apo ti, armiku?”Kashtë heshtjeje u përhap nëpër ajër. Oficer “Ce”-ja tha: “Zbatoni porosinë, veproni!” Goja iu hap dhe iu mbyll si të ishte lyer me graso armësh. Policët lëvizën.Filloi rrahja.Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shkelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, ua dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.

U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulërimë e kudoshme.U kreshpërua.Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku.Qenkësh i fortë. Policët e lanë për një hop spektaklin e tyre barbar, sikur djalli t’ua kishte ndërprerë korrentin. Oficeri i rojës urdhëroi: vazhdoni, le të hungërijnë armiqtë! Rrahja rinisi më me zell e zërat tanë të përzier buçitën: eeeeejjjj, ç’bëëëëëniiiii! Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft, s’keni tuuuurp? – thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një gulç pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama.Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten.Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzohej.Policët u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata.Kjo po ndodhte në krye.

Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej.Pluhur, britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh.Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës.Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot.Të tjera tryeza u ngritën havadan.Dera qe bllokuar nga të burgosur.Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash. Sportelet, ai i bukës dhe i supës, hapeshin, ndonjë nga kuzhinierët zgjaste kokën për këtej, ia shkulnin skufjen e bardhë ose garuzhdën, pastaj tjetërkush ia mbyllte me tërsëllëm sportelin nga brenda. “Mos shiko, – u ndie një çjerrje, – ç’të duhet të dalësh dëshmitar?” Gota të mbetura alumini, pjata të tjera, sende të pakuptueshme vërviteshin sa andej-këndej në ajër, përplaseshin mureve sikur një shtrëngatë burgu të qe marrosur, as ikte e as pushonte. Epilepsi.

Krrrraaaaauuuu bënin mes zhurmave të çliruara të të gjallëve tryezat që shqyheshin.Shumë të burgosur tani ishin me dru në dorë dhe kërkonin të mbërrinin ku ishte përleshja më e madhe, shtyhuni, hapu, s’e kam me ty, por me diktaturën, të hidheshin mbi policët, që s’po dinin si të mbroheshin.Qëlloheshin nga të gjitha anët, thërrisnin “mos!”Oficeri i rojës, ndërsa përpiqej i tulatur të zbuste gjendjen, po e acaronte më tepër. Hiquani prangat bashkëvuajtësve, ku i latë çelësat, kriminelë! Mensa ngjante tepër e vogël për betejën.Të gjithë pengonin njëri-tjetrin. Po të hapje krahun për të goditur dikë, ushtarak natyrisht, do të godisje një tjetër, të burgosur. Shqyjeni derën, shtyhuni, palli një zë. Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi!

Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur.Një patericë vringëllinte anekënd.Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën?Po thikat?Janë të mensës.Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje.“Eviva!– thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!”Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi. Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi.Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, kuisi, ka pasoja të rënda kjoooo-oh! Dhe u prapsua teksa shihte të burgosur që hidheshin mbi policët, e të burgosur të tjerë, që mundoheshin të përmbanin shokët e tyre.Po priste i pataksur të hidheshin edhe mbi të, u nëpërmend që revolver s’kishte.Pse s’lejohej ta kishte me vete mes të burgosurve?Veç këllëfi i tij bosh i varej mbi brez pa kuptim. Më mirë, se do t’ia kishin rrëmbyer armiqtë. Po ç’të bëj?Të rri, të iki, po nga?Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë. Në sallë, pa lëvizur, i vetmuar, po rrinte vetëm Zoi i Myzeqesë.S’dal, thoshte, pa u dhënë urdhri.S’i shkel rregullat unë. Jam kundërshtar si Sokrati. Këtu do të rri, një orë, dy ditë, një javë, derisa të vijë urdhri. E ngrinte zërin që të kishte dëshmitarë se kishte thënë pikërisht kështu gjatë gjullurdisë. Punonte te motorët e ajrit, vend pëllumbash për në burg. Pupla në ajër, shkrofëtima.

Oficerit të rojës iu qas një bashkëfshatar i burgosur. Ç’do ai, ka ndonjë hakmarrje për të kryer? Ik, i tha, mbathja, shpëto kokën! Nuk e kupton? Kryengritje! S’dihet ku do të dalë. Ik, të thashë… Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës. Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët? – ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit? – mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin…? – dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes.

Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku?Në ajër, pse?Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve.Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës.Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet midis gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh! Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish. S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje?Lërmë, shtyhu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më parë. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit.Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak.Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte thirrur Hysen Xhani në Spaç. – Poshtë qeveria e Tiranës!”“Ja vdekje, ja liri!” – u dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?
Ka organizim?Tmerr? P…arti ilegale…
Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash. Edhe këtej nga ne, brenda telave me gjemba, rrëmuja po qetësohej, ndërkohë dëgjoheshin zëra të alarmuar: Ç’do të bëjmë? T’i mbajmë peng policët? Lirojini robërit, o robër, se kush thirri.

BASHKIMI I DY REVOLTAVE…

Policët e mbetur, ashtu të shqyer dhe me vurrata të zeza në fytyrë, pa folur, morën udhën për nga porta e madhe. Kush i ka çelësat, kush, t’ua marrim. Jo, jo, as ata s’kanë çelësa, kur futen brenda, por i kanë jashtë te komanda. Të vërsulemi, nuk duroj dot.Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz.Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit.Vërtet, s’ka më fare?Çfarë?Policë. Jo, jo… Të li-rë!?… Na kapi një ndjenjë e flatërt, mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë, qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë.More shikomë nga pas kurrizit, mos po më dalin flatra?Rrëmuja po shqetësohej ndryshe.Pa panik, po as e urtë, herë kalonte andej, herë shpërngulej matanë.Ç’të bëjmë tani?Më të zellshmit, ndezësit e këtij rebelimi, po kërkonin ata të dikurshmit, të mbeturit gjallë nga revolta e Spaçit, rebeluesit e mëdhenj. Ah, ç’revoltë ishte ajo! Ku jeni, pse s’ngjalleni tani?Pse kaq të nemitur? Jo të gjithë, jo, tundnin kryet e rëndë në heshtje. Spiro Nasho, fol! Shihnin me sy si të përqarët dhe enigmatikë. Të thashë, jo të gjithë. E dimë ne se ç’do të ndodhë, dukej sikur thoshin. As varrit s’ia rrëfejmë dot ç’na kanë bërë këta atëherë. “Mbushni ujë, le të jetë për çdo rast…” – mërmëriti Spiroja, por kur Napoleoni… O, e di, e di… Në Spaç derdhnim kazanët me gjellë te këmbët e policëve si shenjë proteste. Se qeveria, a partia, a ç’dreqin e sundon këtë vend, kundërshtoi Helsinkin, firmosjen e Kartës së Madhe për Bashkimin dhe Sigurimin Europian. E quajti farsë kapitalistorevizioniste…

Natën shkruanim mureve të burgut parulla kundër: Poshtë komunizmi dhe Enver Hoxha! Rroftë liria, Europa, Amerika! Një kryengritës i ri tundte nga krahët shokët – ngadalë se më shqeve edhe më – të ngremë një barrikadë, thoshte, mbi udhën nga do të vijnë policët dhe oficerët e komandës. Të vëmë tryezat e mensës, stolat, dyshekët, barakën e berberit, kazanët e mensës, stendat e emulacionit, bibliotekën të gjithë, trupat tanë.

Ndodhi ajo që s’do të besohej kurrë.Të burgosurit zbythën një dyndje policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit.Policët morën urdhër të prapseshin.Gjendja diku lehtësohej dhe menjëherë rëndohej diku si për baraspeshë.Bëheshin dhe zhbëheshin grupe të burgosurish, liria e të cilëve tani dukej sikur kishte përsipër një si rrjetë, tyl të zi… vejushash. Poezi do të shkruash ti kështu? “Ju na i veshët gratë me të zeza” – u përsërit jehona e kësaj thirrjeje. Flitej me zë të lartë, na kishte marrë malli për zërat tanë. Ç’shpresë kishte e ç’mund të bëhej? Të bëjmë atë që na takon. Çfarë, thuaje.Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot… Ja vdekje, ja liri! Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! Ku jemi, në Spaç, në revoltë? Si atje… Do ta ngremë prapë flamurin? U gjend dikush që dha një urdhër: ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanderi e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret. T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do të shkoj dhe unë, tha Skënder Tufa, më i riu, por fare i dobët, sa as në galeri nuk duhej ta futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet, por ai shtynte vagonë me mua. Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, tha, grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim… Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë… Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdat.Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë.Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur… Di unë ku ka gurë e tulla shumë, shembim murin. Si u bë i plagosuri? Jashtë rrezikut.

Po ata që u kacafytën me policët? E fshinë gjakun… Të burgosur të tjerë po nxitonin drejt depos sonë të ushqimeve, të merrnin ç’kishin, ta mbanin te vendi i fjetjes nën kujdes, mund t’i bombardonin depot a t’i digjnin me flakëhedhëse. Munden që nga larg?…Ku janë oficerët tanë? Këtu! Në Spaç kryengritësit hapën birucat përmes breshërisë së plumbave.Hulusi Pashollari dhe Dashnor Kazazi s’pyetën fare për mitralozin e truprojës përballë, po i liruan bashkëvuajtësit nga biruca.Dhe aksioni i dytë e di cili ishte? Shqyerja e derës së bibliotekës së burgut, u mblodhën gjithë librat e Enver Hoxhës dhe të klasikëve të marksizmit dhe iu vu zjarri. Anash flakëve vallëzonin të burgosurit dhe këndonin këngë patriotike.Ne ç’të bëjmë tani me dorëshkrimet tona?Të shqyejmë depot e burgut, të marrim bukën, makaronat, fasulet dhe orizin e kuzhinës. Jo, jo, rregull! – thirri një zë. Dhe dinjitet.Spiunët e burgosur donin të dorëzonin menjëherë çelësat e depove ku punonin, po kujt?Ndërkohë përgjonin. Që, nëse do të duhej të dëshmonin, të ishin të saktë. Këtu çelësat, këtu, grumbulloini këtu!…

Disa nga ata i treguan menjëherë pseudonimet, sekretet dhe donin të bashkoheshin me kryengritësit.Spiuni i bibliotekës shtirej i qetë.Librat s’i ha as qeni, thoshte.Thuhet për paratë, i tha dikush.S’ka nevojë të djegim libra, ulërinte një hollak, të kujtdo qofshin.Spiunët t’i mënjanojmë.Na prishin punë. Do t’u bëjnë shenja atyre të komandës, jashtë rrethimit. Të shkojmë në galeri, të çajmë ndonjë dalje té fshehtë, të ikim.Edhe në revoltën e Spaçit donin t’i asgjësonin spiunët. Në fillim të urrejmë ata që na i bënë spiunë bashkëvuajtësit, thanë. Lërini akademitë, jemi në revoltë, bërtiti përsëri një gjatosh. Kali, Nikolla. Të burgosurit qenë shpërndarë kudo, të lirë, grupe-grupe, të vetmuar, pa rreshta, për herë të parë kështu, brenda telave me gjemba, të shkujdesur, te shkallët, nëpër fjetore, ca vendosën të shtriheshin oborreve, bisedohej me zë të lartë, gjithë shqetësim, dëgjoheshin porosi, kërkesa se ç’duhej të bënin, një kafe dua, ç’presim, të zgjedhim drejtuesit, janë, por të fshehtë, t’i mbrojmë me trupat tanë, ne jemi, ne, s’ka tjetër, jemi të humbur, të vdesim, aq më mirë.

S’rrohej ashtu.Drejtuesit e zyrës teknike dhe të riedukimit mundoheshin të mbanin qetësinë e përgjithshme, megjithëse s’ishin të qetë as vetë.Të mbrojmë njëri-tjetrin. Dëmi të jetë sa më i paktë… Ngjyra tullë e veshjeve tona dukej më e padurueshme se kurrë e ato me vija zebre, më të acarta.Ca nxorën nga thasët veshje të tjera, këmishë civile, gjithë rrudha nga të ndenjurit e përjetshëm. Dhe ç’dritë paska sot! Ngaqë s’ka policë brenda. Shiko rrethimin, po i shtojnë ushtarët.Shiko, shiko, nuk janë vetëm nëpër kullat, por edhe midis tyre.Më këmbë.Kanë zënë pozicione lufte.Kanë vënë dhe helmetat në kokë.Paskan dhe çantën e kundërgazit hedhur supeve.Sa të marrë që janë! Në revoltën e Spaçit hipi mbi supet tona një djalë i ri, Skënder Daja, dhe u foli ushtarëve, eeeeejjj, vëllezër, edhe unë sa ju jam, 21 vjeç, ulini armët, mos qëlloni mbi ne, jemi në burg, se duam lirinë, atdheun, juve, u rebeluam për lirinë dhe atdheun. Mos gaboni… Menjëherë hoqën ushtarët e rinj nga rrethimi dhe vendosën policë, skuadra të zeza si ato të pushkatimit. Të vazhdojmë kryengritjen e Spaçit! – u dëgjua një thirrje nga fundi i shkallëve. Pse, ku jemi, s’është Spaçi ky? Qafa e Barit, or mixhë, por njëlloj janë.Po dridhem. Ta ngremë flamurin e kuq me zhgabë, mezi po pres, turfullonte plaku. Ku është Napoleon Koleci, t’i thotë Mersin Vlashit, që ta pikturojë prapë Flamurin? Nuk janë këtu, jo. Po jemi ne… Ah, s’kishim flamur, gjetëm një copë të bardhë, çarçaf, qefin, dhe premë vetë damarët, që ta skuqnim me gjakun tonë. E piu gjakun, por s’e mbajti gjatë.Ikën gjaku, bir.Mbi një këmishë të kuqe piktori i burgut, duke qarë nga gëzimi, vizatoi shqiponjën. Ta ngremë flamurin kombëtar mbi tarracën e burgut, thamë, me solemnitetet. Kërkuam muzikantët tanë, t’u binin veglave – ku t’i gjejmë? – Himnin e Flamurit.

Kush ka frikë?Me të drejtë.S’u vumë faj.U grumbulluam ne, u mbajtën fjalime para Flamurit. Ku ishin tërë ata oratorë të shkëlqyer! Kurse përtej telave me gjemba, mes rrethimit të ushtarëve dhe policëve të armatosur deri në dhëmbë, oficerët shihnin këtej me dylbi, bënin fotografi, xhironin me kamera. E kënduam vetë Himnin me zërat tanë të ngjirur, u mblodhën aty vëllezërit Çoku, Luan Burimi, Dervish Bejko, Pavllo Popa, Jorgo Papa, Gëzim Medolli, Ylber Merdani, Naim Pashaj, Murat Gjonzeneli… dhe përmes lotësh e ngritëm Flamurin përmbi burgun. U alarmua qeveria, ulni flamurin, dërgonte mesazhe komanda. Dolën vullnetarë tërë ata të burgosur për të bërë rojë nderi pranë Flamurit, natë e ditë, duke u ndërruar me njëri-tjetrin. Tregomë, jemi në Spaç, apo jo? A s’janë njëlloj Qafë-Bari, Aushvici, Buhenvaldi, Prishtina? Po, po, ika, s’e kam punë.Këtu jemi.Priftërinjtë, ushtarakët?Ç’ushtarakë?Tanët pra, të burgosurit. Ç’do të bëjmë, djema? Si, do të presim të qetë të na hanë? Të sulmojmë.Të shihen mundësitë strategjike.Le të vritemi.Sa t’u marrim ushtarëve automatikun e parë. Di unë pastaj se ç’bëj me një automatik në dorë.Ata janë frikacakë, s’kanë parë luftë.Ne duam liri. Li-riiiii! Rroftë liria! – u dëgjuan zëra të mallëngjyer. Me trimat që do të zgjedh unë, dhe në Tiranë mbërrijmë. Ta çlirojmë nga pushtuesit komunistë. Qemë dehur me vetveten, me atë liri robinjë mes telave me gjemba nën grykat e armëve…
Të vejë ku të vejë.Le të vdesim kështu.Se të vdekur jemi.

VAZHDIMI I PËRLESHJES

Përsëri u përpoq të futet në kamp një njësi e madhe me policë.Natyrisht, veç me shkopinj gome, sepse ishte frika se mos të burgosurit ua rrëmbenin armët, nëse do të vinin me revolverë e automatikë.Sepse, s’i vret dot të gjithë njëherësh.Nuk i lanë të futen.Më trimat u dolën përpara.Forcërisht.Gjoks më gjoks. I prapsën deri te porta. U krijua paniku se mos të burgosurit sulmonin portën, e shembnin atë, dilnin, vërshonin. Veç kur u dëgjua batareja e plumbave, e llahtarshme.Të gjithë ushtarët e rrethimit zbraznin automatikët njëherësh, me breshëri, vetëtima të shkurtra, të drejta si thika të shpejta, frushullimat e tyre të njëpasnjëshme vezullonin me krisma shurdhuese kudo, tym në grykat e armëve, qëllohej pa ndërprerje nga të gjitha kullat e vendrojave. Një dorë ushtarake te porta e madhe, e pamë sërish, jepte sinjal, tundej për çdo batare të re dhe tytat e armëve po uleshin gjithnjë e më shumë, nga në ajër, në drejtim të kampit, mbi kokët e të burgosurve. Ngrimë në vend. Pati nga ata që u shtrinë rrafsh me tokën. Do të ketë ardhur urdhri për të na vrarë të gjithëve. Binin copa të shqyera mbi ne, të rënda, të errëta, zhvoshkje muresh, qielli. Dora dha sinjalin ndal.Heshtja si një gropë shurdhuese u hap në ajër.Erdhi erë e djegur, qe përzhitur gjithësia.
Të gjithëve na vrasin, s’e ka për gjë diktatura. Burgu gropë e përbashkët është.Na mbulojnë këtu e askush nuk e merr vesh.

Pu-pu ç’na bënë, mërmëritnin në një grup mënjanë poshtë shkallëve. Mbaruam.Ku i dilet me këta?Janë të pamëshirshëm. Më tej, në një tjetër grup, te fjetorja e papunësisë, “maunia”, po thoshin se ata, shteti, Partia, e deshën këtë revoltë, i kishte kapur etja për gjak, ja, ia arritën qëllimit, shfrytëzuan donkishotizmin tonë, urrejtjen. Jo, të drejtën tonë, vuajtjen. Po s’bëhet kështu! Po si?Dhe revoltën e Spaçit Sigurimi i Shtetit e organizoi, kështu thonë. Shpifje nga ato të Drejtorisë IV, e përhapën me qëllim, për të thënë se çdo gjë e kemi nën kontroll, s’pipëtin as miza, jo më një revoltë. Po këtu ç’do ditë revoltë është. Ik me ta, po s’ta mbajti, vdis! Ne jemi të burgosur politikë dhe çdo veprim yni, bëmat, qëndrimet janë politike.Ke përgjegjësi ndaj vetes dhe të tjerëve.Ndaj kohës. Ça kohe, në djall mençuria juaj! Në një tjetër grup, tek oborri lart, vazhdonin t’i gëzoheshin kampit pa policë. Ç’mrekulli! Le të zgjatë sa e ka urdhëruar Zoti. Ia marrim një valleje, s’kemi ç’bëjmë tjetër. Te çdo kullë-rojë tani s’kishte nga një ushtar, por grup ushtarësh me automatikët dhe mitralozat të kthyer këtej nga ne. Kurse ushtarët nga njëra kullë në tjetrën pas telave me gjemba, në atë shkretim të dikurshëm, po shtoheshin si drurë të gjallë të një pylli lëvizës. Po lëviz Pylli i Brinjës.Mbi tarracën e komandës komandanti i burgut me oficerë të tjerë madhorë, kështu dukeshin, po shikonin me dylbi kampin dhe lëvizjet e grupeve të të burgosurve, tregonin me gisht, se ç’thoshin me zë, përkuleshin mbi një hartë, kurse të tjerë përreth tyre mbanin shënime.Bënin plane sigurisht, strategjinë e mposhtjes së armikut të paarmatosur, të nja një mijë burrave të uritur mes telave me gjemba.Ç’i ka ata brirë në ballë ai palo oficer? Jo, jo, janë dylbitë, i vuri prapë në sy, shih, shih, ia pasoi një tjetri, siç duket s’kanë për të gjithë, shih, shih, nxori një bombë nga çanta, do ta hedhë këtej. Thua? Jo, jo, qenka aparat fotografik, kamer, seç po japin ca porosi, sa të trasha: andej ti, ti andej, ke dhe zonën C, dëgjoheshin deri këtu. Janë trembur edhe ata, tha njëri nga ne, që po i kundërvëzhgonte. Kujtoja se mos po bënin kot, shkërdhatat, u nxeh dikush nga ne, sepse u pëlqejnë lojërat e luftërave, çlirimet imagjinare të qyteteve, megjithëse të dënojnë për imagjinatë! Do të na sulmojnë, do të na vrasin. Ne do të qëndrojmë. Dëgjo, janë të shumtë ata që po zënë dyshekët.Janë futur nëpër fjetore.Ca kanë mbuluar kokët me jastëk. S’duan ta shohin rrëmujën, u bë shumë politike, e hapur, lebetiten, dhe do të ndëshkohemi keq. Ashtu siç ndëshkojnë diktaturat.Por a nuk janë të burgosur politikë, harruan?Dhe diktatura, kur ndëshkon, nuk sheh nga sytë, i merr radhë.Le të bëjnë ç’të duan. Mirë është të bëjnë atë që duhet. Të shembim dyert e brendshme, të gjitha, 100, sa janë! Edhe llamarinat e dritareve, t’i hapim. Këtu fillon liria!
Po ata pse i kanë lidhur ballët me shami?

Dy si përrenj të gjallë vinin nga dy oborret, njëri ngjitej, tjetri zbriste, përplaseshin, dallgëzonin shkallëve brohërimat, shkumbë-zonin mesoreve të pasme dhe te mesoret e katit të dytë mekeshin si çezmat e kampit, që po u shterte uji. Bllokadë. Atë që këtyre nuk ua ka bërë kush, po e bëjnë me ne. Venin dhe vinin njerëz me thasë në krahë. Merrnin gjëra, i linin, i fshihnin më mirë ose i zhduknin përgjithmonë.Macet qenë strukur ku të mundnin, rrëzave, me sytë vezullues si prush i fshehur, kurse qentë gjithë ojna gjendeshin te rrëmuja më e madhe, të çlirët dhe hokatarë. Një mi vrapoi në oborr dhe dy më të vegjël pas tij. Do të ketë tërmet, se kush paralajmëroi. Tjetër?
– Shkrimet i ke siguruar? – pyeti jo pa shqetësim Maksi.
– Deri më sot po, – u përgjigja po aq i shqetësuar.
– Duhet treguar kujdes.
– Si?
– T’i kesh afër.
– Ndoshta kjo e bën më të rrezikshme gjendjen time.
– S’je vetëm…
M’u duk sikur filli i telave me gjemba vinte rrotull zemrës sime.Zbrita në oborrin e sipërm, të gjithë bënin diçka, edhe mosbërja asgjë ishte një bërje, dëshmi dhe mosdëshmi.Pse përgatiten kështu si në një ikje për në një asgjëkund ende më të rëndë?Dhe s’duhej të binim.Dikush vishte një palë rroba të dyta mbi ato që kishte veshur. Ndërroni rojën tonë te kazanët e ujit, tha një tjetër. Shkulën nga stenda gazetën “Zëri i popullit” dhe po e shqyenin. Shqyen dhe dyert e birucave, jo, jo, i hapën me marifet, kishin lëvizur çelësat dhe zinxhirët dhe i nxorën prej andej të dënuarit. Ishin më të zbardhëllemë se kurrë, më të dobët se ne.
Mensa qe shkatërruar. Rrëmujë dhe zhurma si në një festë të kërcënuar.

HELIKOPTERI I ZI I SUNDIMTARËVE TË KUQ

Përtej telave me gjemba shiheshin lëvizje të tjera dhe ngut.Rruga u mbush me zhurmat e kamionëve që erdhën.Zbrisnin ushtarë të armatosur.Pastaj pas maleve, andej nga jugperëndimi, në drejtimin ku duhej të ishte Tirana, befas u përshfaq një helikopter i zi.Ndërsa afrohej duke u ulur, shtohej trokëllima e tij e pazakontë në ajrin që e copëtonte me helika, ulërinte ajri, nuk qe mësuar me një ngjarje të tillë qielli i paktë e i burgosur.U plandos edhe ca helikopteri dhe nisi të vërdallosej mbi kamp. Ç’shpend prehistorik! Modernia përsëdyt primitiven.Lërini përsiatjet ju, po shikoni, shikoni. Ne ngritëm kokët dhe dalluam a bëmë sikur dalluam, përveç pilotit, një civil dhe dy ushtarakë. Njëri fotografonte nga sipër.Ministri, thanë të burgosurit.Helika vazhdonte të bënte rrathë të mëdhenj flu në hapësirën e trazuar dhe sikur paralajmëronte bluarje mizore me rrapëllima shurdhuese si lufta. Do t’ju bluajmë të gjithëve, s’keni ku ikni. As qielli nuk ju shpëton dot, sa i paktë është, sa dhe helikat dukej sikur ceknin shpatet e maleve. Shqiponja e Zeusit erdhi, u dëgjua një çjerrje.Të gjithë te mjeku, vazhdoi një çjerrje tjetër, të shohim shpretkat tona, a bëjnë për shtetin.Helikopteri erdhi edhe një herë rrotull, kërcënueshëm dhe trandshëm, u epua edhe më dhe u ul afër ndërtesës së komandës, mu në mes të rrugës. Kalë Troje fluturues, eeejjjj…! Kur shpejtësia e rrotullimit të helikave ra dhe vorbullat e tyre ajrore u tretën, u afruan oficerë dhe qëndruan para derës së helikopterit “gatitu” duke nderuar me grusht.Pas një oficeri, doli serioz një civil i shëndetshëm. Qenka zëvendësministri, e njohën disa nga të burgosurit dhe s’po lëviznin, veç vëzhgonin se ç’do të bëhej përtej, në vijim. Më keq ky, thanë dy-tre zëra. Është kriminel profesionist dhe merr pjesë vetë në tortura.Edhe në skuadrat e pushkatimit.Grupi ushtarakocivil nxitoi drejt komandës.Atje u mbyllën për ca kohë. U shtuan rojat te porta. Pastaj pamë që rrethimit të telave me gjemba iu bashkëngjit një rrethim tjetër ngjitur. Nga i nxjerrin këta rrathë, nga ferri?Prapë rrethim, i tëri me ushtarë, të shtrirë, më këmbë, mbi ledhet e zhveshura, gropave, grronave, rrëpirave, një çizme ndodhte të ngulej mbi një pirg, tjetra në pellg, një në ajër.S’është çizme, por korb.Shiko orlat. Armët dhe vështrimet e ushtarëve ishin kthyer nga ne. Të egra njëlloj. “Sa ditë na u bënë kështu?” – pyeti një i burgosur pa iu drejtuar kujt. “Ç’ditë, a derëzi, apo s’je në vete?” – iu përgjigjën. “Pse, ti je në vete?Gjithë këto ndeshtrasha…” – u dëgjua një hakërrim. “Jam, pse jo.” “Ta vërtetoj unë, hë më thuaj: Enver Hoxha gjallë është?” “Komandon i vdekur.” Pastaj u largua për të pyetur të tjerë, nëse ishte gjallë apo jo diktatori. “Po, por e hapin sikur gjoja ka vdekur, që njerëzit të shpresojnë në ndryshime, të mos bëjnë kryengritje.”“Mjaft, pushoni”, – u dëgjuan zëra njëri mbi tjetrin.

Mbi tarracën e komandës, te ndërtesa e parë në anë të portës së madhe, të hekurt, mes një lukunie civilësh dhe ushtarakësh të kthyer këtej nga burgu, një i trashë, me fortafolës të ngulur në gojë, nisi të buçiste: Dëëgjoooni, dëgjoniiiii. Ministri i Brendshëm. Jo, jo, zëvendësi. Mos është sozia? – po zhurmëronin të burgosurit mes tyre sikur s’po merreshin vesh për llojin e kafshës. Buçima e fortafolësit prej llamarine sa vinte e bëhej më çarëse, e sertë deri në kërcënime… Dorëzohuni, se… forca e diktaturës së proletariatit… do t’ju shtypë… vrasë… dorëzooohuni!

Hutim.Habi.Po që guxuan të qeshnin?Edhe në Spaç zëvendësministri, Feçor Shehu, kishte thirrur nga pas telave me gjemba për dorëzim. “Të të vijë turp, more kriminel i fshatit tim, – i ishte kthyer atij me të thirrura i burgosuri Hajri Pashaj, – vjen dhe na kërcënon. Të është fryrë barku dhe zverku me djersën dhe gjakun tonë.Harrove, zotrote, kur të kapën gjermanët e Hitlerit dhe të futën në burg, kalama ishe si unë, kur më futët ju.Ata të dhanë bukë e qumësht e të kthyen në shtëpi. Ne po plakemi këtu e ju po na rripni të gjallë, sepse donim të iknim nga regjimi juaj i fëlliqur. Turp, na turpërove fshatin! – Dhe u qasej telave me gjemba, ik andej e këndej, s’e mbante vendi. Vetë Feçor Shehu e kishte pushkatuar atë mbas dy ditësh. – Por edhe ti kështu do të përfundosh, s’ke për t’u bërë ministër ndonjëherë, i kishte klithur sërish bashkëfshatari i tij. – Partia jote do të të vrasë…”

Dorëzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu?E kanë dërguar prapë? Jo, jo, atë e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai tjetri është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës. Dooorzoohuuunii, të dënuar… Ç’të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërprisnim kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për të paraqitur shkaqet e kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar? Mbas dy orësh do të hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar e shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe… nga çdo betejë ka dalë më e fortë. K-u-p-t-u-a-a-a-t….?Mendohuni mirë.Qëllimi juaj, strategjia dhe taktika kanë për të thyer kokën.Hinka e fortafolësit nga këtej ngjante me një shqyerje të jashtëzakonshme goje, britmë sqollash.Ndërsa po zbriste nga tarraca tufa e tyre, ultimatumi i shtetit vazhdonte të bënte jehonë në gropën e burgut.Na u duk sikur pamë rrokullimat e aaaa-ve, ooooo-ve, shponin iiiii-të, gjyle të përflakura ranë midis nesh.Fauna e shtetit kaloi në anë të përbindëshit-helikopter, i cili bënte sikur flinte.Po tani? Askush nuk pyeti, por shihej te balli i të gjithëve, te rrudhat.

– Ç’qe ajo pallmë, s’e mora vesh, ç’duan nga ne?
– Të na vrasin, xhaxha, boll na mbajtën.
– Po ne ç’do të bëjmë?
– Do të vritemi, si përherë.
– Pse?
– S’dimë të bëjmë gjë tjetër. Në djall vafshin!
– Po ata kërkuan përfaqësi, ne jemi veç të burgosur.
– Po çuam, të venë nga ne, pleqtë. Le të na vrasin.
– Dëgjomë mua, ata duan t’i thonë Enverit, të shtrirë në shtratin e vdekjes atje në Komitetin Qendror, se, nën mësimet e tij, u shtyp dhe një kryengritje e armikut. Po më shumë e kanë me Ramiz Alinë, ta mësojnë se kjo është rruga e vetme nga duhet të ecë ai, Partia.
– Rruga e gjakut.
– Sa kohë na kanë lënë?
– Një orë e gjysmë.
– Do të na ndajnë përgjysmë? Futen pastaj?
– Të futur janë. Sa kohë ka ikur?
– Po ku kemi ne orë?! Veç plagë, ja, sa një orë, por pa kohë… ç’kohë është? Rendi skllavopronar, koha e ferrit, dhunë…
– Shpërndahuni dhe të presim.
– Kaq?
– Secili e di vetë…
– S’ka rrugë tjetër. Të sulmojmë dhe të vritemi. Kush të shpëtojë, le të marrë arratinë…
– Unë them të flasim me ministrin a zëvendësin e tij, a me sozinë, t’i parashtrojmë idetë tona, kërkesat. T’i themi se trajtimi në burg është nga më mizorët, jo për t’u riedukuar, por për t’u bërë më keq. Ju nuk neutralizoni kështu kundërshtarin, por e bëni armik dhe e ashpërsoni atë.
– Pse, nuk e dinë ata?
– Të merremi vesh, është në dobi të të gjithëve, të vendit.
– Po jo të vrasësve.
– Erdhi ora, bëni gati gjokset.

Çuditërisht, të burgosurit tani hynin në zyrën teknike pa trokitur, takonin drejtuesit, shefat e riedukimit, merrnin mendime, kurajë për qetësi dhe vetëpërmbajtje, t’i ruheshim panikut dhe të ishim të përgatitur për katastrofën. Po unë që kam ditën e lirimit nesër?Të shohim, s’ka besoj.Po ditët e fitimit? Në fitofshim…

Më tej mbi grupin e atyre që u rebeluan të parët, që u dhanë dërrmën policëve me gjithë oficerin e rojës, kishte rënë një gjendje acari, edhe donin sulmin, edhe përfytyronin ç’i priste, por se ç’bisedonin mes tyre, të paktën të mos binte ndëshkimi mbi të tjerët, të dilnin me një vendim tjetër, thoshin.Ç’do të bënin, ç’aksion, kur të hynin ata, ujqit, sigurisht kope e madhe. Dhëmbë dhe kthetra ata, po edhe ne. Të mos lëmë të përzihen të tjerë. Ta mbajmë vetë përgjegjësinë mbi shpatulla.

Bisedat po ankthëroheshin dhe po bëheshin më të rënda, si të ecurit mbi borë me të vdekur në krahë. Pashë pllanga bore. Po binte kështu?Jo, ishin letrat e hedhura kudo, mbi oborr, shkallëve, dhomave. Filloi grisja e gjithçkaje që mund të na dëmtonte. E dorëshkrimeve?Po dorëzoheshim kështu?Ndihej një pritje e trembur, përzier me shqetësimet, kur s’bëhet dot asgjë.Vetëm dielli – ku është, pse s’duket? – jepte vezullime si presa e gijotinës.

S’u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok pesë veta, jo, gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja, shikoi… Po shkojnë apo po kthehen?Doli dhe një përmatanë nga komanda dhe mori mesazhin e të burgosurve.Me shkrim apo me gojë?Njëlloj është. Jo. Shpjegohej rebelimi ynë si shkak i dhunës së pandërprerë, gjithnjë e më të madhe, i padrejtësive dhe kërkohej ndryshim i gjendjes. Të trajtoheshim si njerëz, edhe pse kundërshtarë… S’pati kërkesa politike?Mesazhi vetë është qëndrim politik.Pa akuzuar dhe pa pranuar faje.
Qetësi, të mbajmë njëri-tjetrin. Bashkë… Ne s’kemi faj. Krimi është matanë telave me gjemba…
T’i bëjmë një letër Enverit, këmbëngulte një ushtarak. T’i themi që ju, shoku Enver, s’dini gjë, si gjithmonë, se uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë, ju s’dini gjë që na trajtojnë keq e na bëjnë armik me zor… Mjaft! Mbylle, llapaqen! Unë s’jam armik me zor, por nga zori.Dua të jem.Dhe dëgjo, peshku qelbet nga kryet. Ti kujton se do të preket “Dulla” dhe do të vërë drejtësi e do të të japë ty gradat e hequra? Idiot dhe në burg, kjo s’të falet! Jo, e them për taktikë.Ne s’dimë në është gjallë Tirani.A mund t’i çohen letra të vdekurit?

Vërtet rrethimi dukej sikur qe afruar e ngushtuar edhe më prej përforcimeve me ushtarë të tjerë.Në çdo hap. Kullat e drunjta të vendrojave qenë mbushur plot, sikur sapo do të ndërmerrnin një udhëtim aventuror. Ja, ja lëvizën përbindshmërisht, po u afrohen rrënojave tona. Mbi muret e padukshme do të hidhnin tentakulat e tyre, urëza, do t’i ngecnin mbi bedenat e supeve tona dhe do të vërshonin ushtarët me brohërima e bajoneta drejtuar. Do të çanin mishin tonë dhe me çizmet me gozhdë do të shkelnin zemrat tona, do të thyenin kafkat…

SHTETI QË SHYPJA

Kudo, kudo përreth, shpateve, hijeve, mbi shkëmbinj, buzë arave të vogla, anash hurdhave, mbi gurë, tarracave të shtrembra – njerëz. Qenë mbledhur fshatarë, burra dhe gra, nxënës shkollash, ja, ja, mbi kupolat e kudogjendshme të bunkerëve. Po vinin dhe të tjerë, në grupe, vetëm, folklorikë, kërkonin vend sa më të përshtatshëm që të shihnin sa më mirë përkëtej. Spe…kta…torë?! Do t’i kenë thirrur. I kanë ftuar, “të vini patjetër, ndryshe ju pritet dita e punës”, të shohin armikun, ja, real, një dorë bën shenjë të ngrihen nga ai bunkeri dhe të ulen më tej, pastaj dora nderet për këtej. Sigurisht, paska organizim.Edhe nga ana tjetër njerëz.Ku u gjetën kaq shumë?T’i kenë ftuar edhe nga fshatrat e tjera a janë kooperativë e bashkuar? Si një amfiteatër i madh, i përçudnuar… ja lozhat, vendet e mira nën pemë, shkallët, e para, e dyta, e pesta… dhe ne në arenë. Të shohë populli shtypjen e një kryengritjeje. Janë përzgjedhur të ftuarit, kooperativistë të dalluar, komunistë, barinj, anëtarë të këshillit, klubistë, rapsodë, infermierë, mësues, nxënës të klasave të larta, të porsamartuar, zboristë, stazhierë për anëtarë partie, të marrë etj., etj. Qetësi. Qetësia u gris befas me kërkëllima të forta metalike. Shule armësh?Porta e madhe po hapej, zinxhirët e saj, çelësat dhanë kërcënimet e para.Në tarracën e vogël të komandës, në anën e së cilës mbërrinin helikat e pezullta të helikopterit, u shfaq një grup ushtarakësh. Njëri me fortafolës mbi turinj urdhëroi: “Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë… Morët vesh? Asnjë lëvizje… Jeni të rrethuar… Dorëzohuni!”Në Spaç vendosëm të vdisnim për Flamurin që ngritëm vetë.Shuaip Ibrahimi dhe Ndrec Çoku u bënë truprojë nderi, rrinin natë e ditë nën të.

U futën sampistë ushtarakë, shihnin si të tërbuar, mezi prisnin të shqyenin këdo, mes tyre oficerë të shumtë, të komandës dhe të Ministrisë, civilë që s’i njihnim, me kostume të jeshilta, në ngjyrë helmi, të ushqyer mirë, jo si ne, të (u)shqyer keq, se kush mërmëriti kështu pranë meje, e pashë se po zbehej, ç’ke, edhe ti po zbehesh, ja dhe komandanti, komisari, shefi i policisë së burgut, mbahet dhe krenar, pederi, shpura e rojave, policë, policë prapë, me egërsi të ngrirë si maska, kapterë, s’u dukkan mjeranë, pa-pa-pa… Ndërsa kreu mbërriti tek oborri i parë, bishti gjarpëronte ende te porta. Ecnin nën atë tendën prej telash me gjemba, me taktikë, sikur shkelnin shtigje të minuara. Eeeejjjj, të dënuuum, të gjithë poshtë, në oborrin e apelit. Asnji i burgosun n’dhoma, kush kapet se s’don me ardhë, e piu e zeza! Se na… s’na bani dot kurnjigja. Kemi n’dorë dhe gurin, dhe arrën.Kena Partinë… një gabzher kapteri bërtiste kështu, urdhër nr.1 i komandës, shpejt, shpejt, në rresht.Jeni të rrethuar, kryengritja në fakt u shtyp.Kaq duhej.Tani fillon ndëshkimi.Të gjithë lëvrinim të trishtuar, me shqetësim të dyfishtë dhe u bashkëngjiteshim rreshtave të funeraltë në oborrin e thatë si një fletë e stërmadhe me shkronja gurësh dhe rëre të gjallë.Të urtë.Me fytyra të nxira, sepse kishte nga ne që s’qenë larë dot, që kur kishin dalë nga galeria.Uji qe ndërprerë.Por janë dhe nxirje të tjera, nga përleshja me policët.U dha urdhri nr. 2: të gjithë përtokë, uluni! Ne sikur u përgjysmuam kështu, u bëmë ulokë, toka mund të na përpinte më lehtë. Kokët tona ngjanin me plisa të mëdhenj dheu. Tokë e çarë, e bërë fërtele, e lëruar me qe të harbuara, mitike, jo me plugje, por me shpata, me hekur predhash. Edhe atyre sikur iu shkurtua frika nga shkurtimi ynë i menjëhershëm. Pasi mbaroi zhurmërima e leckosur e rrobave që bien, u ulën dhe të fundit. Ushtarakët përsipër po na dukeshin më të mëdhenj, më kërcënues, kabá. Policë e kapterë u shpërndanë midis nesh, egërshanë si kafshë, ecnin pa kujdes, shkelnin herë dorën te njëri, herë i binin me majë çizmeje një gjuri. Oh, bëri një zë, provokim, thirri polici, vazhdim i kryengritjes, çohu, merreni! Po erdhën kazanët e mëdhenj të kuzhinës, mos kujto se do t’i sjellin me supë, më foli shoku pranë. Në revoltën e Spaçit i sollën plot me pranga për ne. Asgjë s’na bëni dot ju, – e nisi bërtimën njëri nga oficerët, – armiq të pandreqshëm, s’e përmbysni dot pushtetin popullor, diktaturën e proletariatit. Kemi ardhur në pushtet me gjakun e dëshmorëve dhe me gjak do ta mbajmë. Shkuma në gojën e tij m’u duk me pikla gjaku, ndoshta ndonjë pasqyrim xixëllues i dritave të rrethimit…

Ne s’pyesim nga kapitalizmi dhe revizionizmi së bashku, – po ulërinte një oficer tjetër, – do t’ju shtypim, ju, që keni lidhje me armiqtë e jashtëm, të drejtpërdrejta dhe shpirtërore. S’doni të riedukoheni? Dhuna e proletariatit do të bjerë pa mëshirë mbi ju, që tani! Filloni.Pezm.Shumë pezm. Flatra të vdekura lakuriqësh nate. Flatra tiranozaurësh. Edhe frymëmarrja e tjetrit dëgjohej, por dhe zërat, një britmë e hollë fëmije, ah, sa bukur, erdhi andej përtej, ku qenë grumbulluar njerëz, nëpër shkallët e ah-mfi t-eh-ah-tr-ih-t. Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të policisë. Po, tha, fillojmë.Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të burgosurit e gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët, tabela qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake. Gjithçka iu duk në rregull, top fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol… cili, të dy… shkrofëtiu korbi. Çohu, ti, edhe ti… u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturushëm, sy të çakërdisur vigjilonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur mirë i pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka e lëkurë bashkë, e tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s’shihnim se ç’bëhej. Sokoli tjetër… Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo… tjetër, Bushgjoka… dhe policë të tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi… Vllasi, Kostandin… zvarritnin njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre. Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm… Vuthi… Martin… Lazër… Tabaku… Pisha… përsëritej rituali barbar… dhe, sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin mbi ty për të të zvarritur, duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. Njëlloj janë, armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje.Ç’u bëjnë pas murit, mos i asgjësojnë?Dëgjon ti krismë arme?Të shurdhëta po.Si i zgjedhin emrat, mbi ç’bazë?Si organizatorë të rebelimit… ata që kundërshtuan të parët.Kur dikush mbyturazi mundohej të sqaronte diçka, të shfajësohej, zvarritja e tij shoqërohej dhe me goditje të atypëratyshme, shkelma e shkopinj gome e pas murit binte heshtja e rëndë, më e rëndë se muri, misterioze. Në revoltën e Spaçit, të arrestuarit i kalonin mes një gardhi të gjatë policësh – të kam thënë, ule zërin, polici, mos lëviz, po thirrën emrin tim, kujdes te thesi – dhe policë nga të dy anët qëllonin me shkelma e shkopinj gome, këmbët nuk i zinin tokë të arrestuarit dhe, nëse mbërrije gjallë në fund të shtegut me policë, të binte të fikët. Aty të linin deng, mes gjakut, në dysheme, te shkallët, pusho të lutem, s’dëgjoj dot, duhet ta dish, ta dëshmosh ndonjëherë, mjaft, po luaj mendsh. Dhe pastaj me zorrën e ujit nga banjat e përgjithshme i lagnin.Si ata të zjarrfikëses, që shuajnë zjarre.Për t’i ringjallur, që t’i dënonin me pushkatim pastaj. Oh! Emri im, ah, sikur të mos kisha emër, ku ma gjetën, e kisha harruar! Secili priste të thirrej, të shkonte pas murit të tmerrshëm. Urrente emrin e vet, dëgjonte rrahjet e zemrës së tjetrit, aq fort, mos qofshin rrahjet e fundit. Ja, policët që rrahin, u ndërruan, u lodhën, sollën të tjerë, të freskët. Pse ulërin muri ndonjëherë?Ngrimë mbi truallin e ftohtë.Unë mos e kam fytyrën prej çimentoje?Si e kam emrin, të betohem s’po e gjej dot, të shefit të policisë e di, të operativit.Mos lëviz.Më shkeli dorën polici, m’u ngulën gozhdët në mish, gjak, mos lëviz.Pse s’po mbaron?Sa gjyq i gjatë. Do të ngrihemi dot ndonjëherë, ulokë do të mbetemi, do të zvarritemi, a do të ecim me këmbët tona, do të kemi emër, apo lëvozhga të ngjitura në ballë, lëkura të rrjepura? Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët, mos i prekni, u tha policëve.Shpejt pas murit, i urdhëroi.Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë.Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura, dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë… dhe për bukë… bukë e përgjakur, prapë po kërkojnë, kë, Sokolin, e morën njëherë, është tjetër Sokol ky, po e morën dhe tjetrin, ky është the-me-luesi… një mur ku të mbështetesh ka apo jo? – shemben dhe na zënë nën vete. Veç bunkerë të rrumbullakët, kupola, gojë të betonta që thërrasin emrat tanë, vjellin zjarr të ftohtë akull.Çfarë, po brohorasin spektatorët e amfiteatrit, kooperativistët e maleve?Turp.Nga hyrjet e bunkerëve po dalin tigrat, panterat, sekretarët e partisë.
…policët dyndeshin mes nesh, tigrat, shqyenin krahë të burgosurish, u çanin barkun me kthetra, vazhdë zorrësh, tjetri shkelte mbi rropullitë e tjetrit, ktheheshin policët për të marrë ç’kishte mbetur nga zhvatja, krahun tjetër, ca brinjë, krisën kafkat, bunkerët, po qiell s’paska, qenka kupolë betoni, po ulet, u afrua, na u zu fryma, mure të tjera pas mureve, ranë, u shembën. Gërmadha mbi ne. Po japim shpirt. Shpëtuam…

RËNKIME DHE GJAK

… rënko(h)-i prapë: oh-h-h-h-ooo-ooh! Një rënkim tjetër, nata, i fundmi i kryengritjes, ngji-iih-ste shka-ah-llë-ëh-t. Rrëzohej, oh, ngrihej, ih, ngadalë, ah, shihte qiellin, plot me gozhdë yjesh, vrima plot, bien rënkime, toka e zezë, me ofshama gropash, lëkundej, ej, of, op, uh, uf. Rënkimet-et pikonin gjak-ak. Llavë… Ra prapë pezmi i rënkimeve, i gjatë, zuri brinjët me dorë, të thyera, dy, tre, yyyyeeeeehhh, shfryu, uh! U rrëzua… Kishin mbaruar arrestimet të gjitha, të paracaktuarat dhe të rastit, qe lajmëruar me shifër qendra që kryengritja në burgun politik të Qafë-Barit u shtyp me sukses, fitore e plotë, kur të burgosurit ende ishin në gjunjë dhe një ish-hetues province, tani kuadër i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, aq shumë i zellshëm në tortura, ndali hapat dhe pyeti atë që kishte pranë, shefin e policisë a operativin.
– Këtu e keni atë, Nuredin Skraparin, more?
– Po.
– Si sillet?
– Pa probleme. Korrekt.
– Kam qenë unë hetuesi i tij 10-15 vjet më parë. E dënuam sa deshëm. Pinin në një klub, dhe ai, tamam armik, guxoi dhe goditi me shishe shokun Enver.
– Si?…
– Portretin e udhëheqësit tonë të lavdishëm. Nuk do të të ndahem gjithë jetën, i kam bërtitur. Si nuk e futëm emrin e tij në listën e të arrestuarve… Jepini një dru të mirë sa pa ikur unë…
E çuan pas murit… Zvarrë. Ah! Oh, oh… Hija e rënkimeve u rrëzua prapë. Oh. U shtri… po rënkonte toka, muzgu sipër saj, gulçonte mbi pellgun e gjakut të vet… “Çohu, i dënuar, – briti polici pas tij.– Ngjiti shkallët, drejt birucave.”Të burgosurit përreth s’po lëviznin, si në një mallkim.Me rregullore, s’lejohej t’i jepje ndihmë tjetrit. Ah, sikur ta merrja për krahu, brinjët e thyera i dhembnin tmerrësisht, ta mbartja deri te porta e vogël… e birucave të brendshme. Falmë, bashkëvuajtësi im, s’të ndihmova dot, asgjë s’bëra për ty, ah! Gulçe gjaku të ngrohtë shpërthenin nga goja mes dhëmbëve të thyer… U-u-u-jë-ë-ëh! Ujë… më digjnin plagët brenda trupit, elektro…oh…vo…zi…sti Agroon Ho…xha më njomte buzët me një leckë, s’e di ku e gjeti ujin, ndoshta binte shi, po ti… në birucë, unë pashë që policia të ra me dru në kokë… qetësohu, mos fol… Roola(h)nd Too(h)li më mbante kokën të mos më binte përdhe, e paskan arrestuar edhe atë, po ai është i gjatë, ka më shumë vende se unë për plagë… dhe s’po më linte të vdisja… Çojuuu(j)iiii, ujëëëë…

I GJALLË NË ARKIVOL

Duhet të jem ca gjallë… dhe ca i vdekur.Ndoshta kështu janë të gjithë. Po ku jam kështu? Asgjë s’lëviz, s’ka gumëzhima, zhurma rrotash, puls, duhet të na kenë shkarkuar nga makina ku na hodhën njëri mbi tjetrin të lidhur. Qenkam vetëm, prapë më paskan futur në arkivol të gjallë?Ç’duan tani nga unë, do të më çojnë në gjyq, përsëri në grupin armiqësor të ushtarakëve, po a u pushkatuam një herë? Jo, jo, Zhabolli, ty të lamë gjallë, shih sa je dobësuar, zhapë të bëmë, as krahun s’e ngre dot, por të bëmë kryetar të zyrës së riedukimit në Qafë-Bar. Po pse jam me kaskë dhe me pranga si ata që do të pushkatohen? Do të ta heqim kaskën dhe do të fillojmë torturën kineze, një pikëz uji mbi kokë do të bjerë vazhdimisht, në të njëjtin vend, por ajo e bën vrimë kafkën, e çan fare. Do të flesh mbi një bambu, ajo rritet 7 cm në ditë dhe e shpon trupin tënd. Ka ca dhembje! Ti kujton se kemi marrë nga Kina vetëm makineri fabrikash, po veglat e torturave, po marifetet, llojet e torturave? Kemi marrë dhe një specialist kinez që ka specializuar dhe një djalë tonin, ata bëjnë dokumente të vjetra, si të vërteta fare, dhe ne i lëmë dosjet në rregull, jo tuajat, jo, kush çan kokë për to, firmosni ose jo ju, s’ka fare rëndësi, them për historinë, e bëjmë si të duam, në rregull fare, ngjarjet kanë ndodhur ashtu siç duam ne, ja dokumenti, e bën kinezi ynë më mirë se të vërtetin. Po ku jam? Brenda në arkivol. Dëgjo, t’i do të firmosësh listën me 36 emra, të grupit që udhëhoqi revoltën politike të Qafë-Barit. Unë s’e di që revolta ishte politike dhe s’di të ketë pasur ndonjë organizim a grup.Dalip, e kupton ç’po thua?E dimë ne që ishte ashtu. Asgjë nuk na kushton t’i vëmë kapakun arkivolit, 5-6 gozhdë. Të pëlqen të varrosesh i gjallë? Pra, firmos këtë letër, ja dhe tjetra, vendimi që do të lirohesh. Zgjidh mes dy letrave… S’janë kocka që thyhen.Ia thyem brinjët atij skraparliut, por edhe Xhike Baxhinos… vetëm një këmbë, Drago Vujosheviçit… malazezit, të zi fare e bëmë. Hë, hë, po Sandër Sokoli?Ai vdiq rrugës, në makinë, atij i qenë thyer të gjitha kockat, kudo, kudo, qe bërë fërtele.(Vdiq dhe partia.)Po miku im Dine Fratari? E hoqëm, e flakëm në një tjetër burg, shumë e kanë rrahur edhe atë, dhe Lekë Mirakajn, dhe… po ti firmos, të thamë, kam porosi nga ministri. Nuk të pres shumë, mund ta kthejmë dhe ndryshe. Ç’bëhet kështu, hetuesí është kjo brenda në arkivol? Është ai, arkivoli i kampit, që na e bëtë peshqesh, s’duhet më për të vdekurit, por për të gjallët… Vijnë zëra nga brenda vetes. Nuk do të firmosësh? Vërini kapakun arkivolit.Mos u duhet arkivoli për të tjerë të gjallë.Ku i ka shenjat? Mos jam nën dhé?

DËNIMI I REVOLTËS

Ra çanga, hekur mbi kokë.Na mblodhën në mensë prapë.Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej.Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zëvendës-komisari a ç’dreqin ishte, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenja plagësh.Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer.Komunikim.Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve.Batare armësh.Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…

Në Spaç ridënuan mbi 100 veta.Ditët e fitimit u hiqen.Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë… Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte. Dhe iu bë gjyq i vërtetë. A nuk i ngjan burgu ynë një koloseu natyral, po thoshte Gëzim Çela, shkallët zbresin me vërtik teposhtë, nën ato shkallë janë zgafellat e galerive të zeza.Rrokullisen shkallët dhe ndalen në arenë, sheshet e rrethuara me tela me gjemba.Muret e këtij koloseu ngjiten përpjetë…Asgjë s’po dëgjoja dot.Breshëri plumbash gjëmonin dhe mbulonin zërat.Dhe duartrokitjet e stuhishme, brohoritjet për Partinë dhe shokun Enver nëpër salla kinemaje, kur gjyqtari jepte vendimin e dënimit, me pushkatim… binte dhé mbi supet e mia. Pas murit ranë dhe një herë miqtë e mi të vrarë, trinia llahtarisht e shenjtë e kokëve të tyre me rrëke gjaku dhe vargu i skllevërve, i të lidhurve me zinxhirë, të porsadënuar… Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria në familje. Çfarë, karriget, lugët?Dhe me heqjen e së drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit.Pas vdekjes?E tmerrshme, cinike. Ngaqë votuesit këtu janë të vdekur…

Ballë për ballë ishin vënë dëshira për jetë dhe etja për krim, rënkonte Shefqet Gjana.Shih në qiell Arushën e Madhe, si dridhet, janë shpirtrat e tyre, katër të pushkatuarit e Spaçit dhe tre të Qafë- -Barit.Po flisnim me vete.Jo, me të vrarët tanë… në shqipen e vjetër, me kumte të lashta, zjarre, britma, shenja të tjera, tym.Shpesh njeriu e ushqen vetë robërinë e vet.Po ne e thyem teknologjinë e saj dhe pamë se këtu ka lëndë të lirisë. Kjo është fitorja dhe jo vetëm jona. Nën batanije dëgjoheshin mërmërima, lutje të burgosura Zotit, përsëriteshin lutjet, Bibla, Kurani, përziheshin gjuhët, Babilonia nën batanije burgu, kurse kafka e një polici e ngulur mbi një hu, me dhëmbët jashtë, zgërdhihej në errësirë…

DHE DËNIMI I BURGUT

Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do të burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do të shembin ngrehinat, shkallët, do të përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më.
Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do ta mbushin me tela me gjemba e do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë edhe më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri.

Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do t’u vënë rregulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund ta heqin televizorin – mirë do të bëjnë – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë.

S’do të lejohen ecejaket, do t’i largojnë familjet përreth, s’do të ketë më grua të bukur matanë telave me gjemba, s’do…
I dënuar në një burg të dënuar.
Ku di unë tjetër? Diktatura s’ngopet, më keq se në kohërat e vjetra, kur kishte dhe besëtytni, por, të jesh ateist, të mos besosh në asgjë dhe të dënosh edhe kalin e zëvendësministrit tënd të mbrojtjes pas pushkatimit të tij, ta çosh kafshën e gjorë në komunale, në Kukës, të tërheqë karrocën e plehrave, dhe çfarë kali, i bardhë, mbretëror fare, e kërkoi Kinostudioja për xhirime filmash, në asnjë mënyrë, është kalë me biografi të keqe, thanë. Po pse, veturën e zezë të vetë ministrit të Mbrojtjes, pasi e pushkatuan dhe atë, e çuan në Ersekë.E di ç’i bënë? E prenë gjysmën e veturës dhe i salduan pas një kazan të madh, e shndërruan në furgon për zarzavatet dhe shoferi s’e lante kurrë makinën, kishte frikë ta fërkonte me ujë. Dhe ngjante si një hibrid përbindëshi.

Ashtu, vërtet?Dhe rrezik se qoftë ministri e zëvendësministri i tij – si quhen? Beqir Balluku e Petrit Dume – do të kujtohen nga kali i bardhë që dënuan, dhe vetura e zezë, që e bënë si mos më keq.
Vrapojnë varret e paemra… skeletet me pranga të pakalbura…

Ushqimit i hidhej helm i butë…
…me synim pasojën e vdekjes së ngadaltë… sodë sapuni… helm ordinerësh…
“…ushqimi jepej i cilësisë së dobët, krejt jashtë çdo standardi ose cilësie… Në fund të fundit kur edhe për repartet ushtarake, restorantet ose popullatën ishte copë – cope. Por ajo që është e pafalshme, me përmasa kriminale, gjenocidiste, madje është mënyra sistematike e helmimit që është përdorur ndaj të burgosurve… që çonte në dobësim e më pas në vdekje të… Dhe, të mendosh që kjo bëhej paralelisht me punën e rëndë që të dënuarit kryenin, me dhunën e përditshme që merrnin si dhe me izolimet e shumta, është vërtet e dhimbshme…
Në një raport të datës 27 gusht… pranohej nga komanda e burgut se ishin ankuar për toksikime… Dhembje barku e të vjella shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve…”

AKUZA E PROKURORISË
Në dosjen e revoltës së Qafë-Barit.

“Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…”
“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…
…i pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo.
…Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…

PUSHKATIMI.

…të dy të rinj… moshatar me ta jam… nuk flas dot… s’më lënë lotët… i morën nga qelia, natën, të lidhur…
Dhe s’dihet ku i çuan, ku i vranë…

Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë:
Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën…

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja:
Para ekzekutimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vet.Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”
I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”
Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…

MASAKRA E SYVE…

…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale:
“Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

Çfarë?!E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku?Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar njëherë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë.Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve.
Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!

Rrëfimi tronditës, si ishin studentët shqiptarë të ’80-s

01libri
Nga Violeta Murati
Në Bulevardin Stalin nr. 57, rrëfimi i çiftit francez në Shqipërinë e viteve ’82-’89, si pedagogët e parë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Tronditja nga jeta e shqiptarëve nën komunizëm; me urdhër nga lart studentët shmangnin takimet dhe bisedat me ta, ku përjetuan frikën dhe terrorin e diktaturës, varfërinë e zymtësinë e qyteteve; libri me këto kujtime sillet fshehtas në Tiranë, më ’91, ndërsa autorëve Tirana zyrtare ua ndaloi kthimin në Shqipëri, shkak: libri “Bulevardi Stalin nr.57” ishte negativ për imazhin e vendit në botë
Elisabeth dhe Jean Paul Champseix lidhjen me Shqipërinë e kishin vendosur përmes librave, dhe rasti për të jetuar në vitet ’80 nisi si emocion, por pësoi një shok me çfarë panë e gjetën në realitetin komunist. Ankthi, frika, terrori, heshtja i shoqëruan në ditën e parë që zbritën në Tiranë, në Bulevardin Stalin, ku jetuan dhe panë nga jashtë shqiptarët e përshkruan kronikat e zymta të jetës në Universitetin e Tiranës. Për herë të parë në Universitetin shqiptar po vinin dy pedagogë të huaj për të dhënë mësim, ndonëse në fakultetin e gjuhëve të huaja, për mësime frëngjishteje.
01libri
“Përshtypja e parë për Shqipërinë është ajo e një vendi të rrënuar nga lufta. Doganierët më kishin thënë se mund të gjeja karburant në Shkodër. Qyteti është i madh dhe përfaqëson karikaturën më dramatike të urbanizmit socialist. Pallate të mjera betoni, ngjeshur në rresht përgjatë një rruge të rrahur nga era. Në katet e para, dyqanet e varfra, ndriçuar ligsht me llamba të zbehta janë pothuajse bosh. Më duhet të shkoj në një hotel për të blerë “tollona”…”, shkruan çifti francez gjatë udhëtimit të mbërritjes. Rrëfimi i rrallë mbi shqiptarët e viteve ’80, ndonëse me doza ironie e humori, ndihet thellë çfarë përjetuan çifti francez, tragjizmi e fataliteti për njerëzit që përkoi me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe vdekjen e Enver Hoxhës, e sidomos impresionuese janë rrëfimet për përvojën e tyre si pedagogë, si i shihnin studentët shqiptarë të atyre viteve, – kuptuan një jetë krejt të izoluar nga bota, të zhytur në varfëri ekonomike e varfëri intelektuale të imponuar nga regjimi – këto mbresa u hodhën menjëherë në librin me kujtime, nga qëndrimi në vitet ’82-’88, që vjen në shqip me përkthimin e Irena Rambit, botimet “Papirus”.
Ky libër ka qarkulluar në fakt qysh më ’91. Rambi është edhe një nga studentet e dy francezëve që është marrë me përkthimin e librit, e cila kujton se ky rrëfim ka mbërritur si libër, mbështjellë me gazetën “Zëri i Popullit” në vitin 1991. Ndërkohë që më ’89 çifti francez kishte lënë Shqipërinë. Përkthyesja thotë se në atë periudhë kalonte dorë më dorë, por nuk diskutohej haptazi. “Kur e lexova, e përpiva me kureshtjen për të ditur se ç’mendonin përnjimend profesorët e mi për vendin, për njerëzit, se cilat ishin ndjesitë dhe përshtypjet e tyre, por edhe me një farë dëshire paksa egoiste për ta gjetur aty veten, mes personazheve të shumtë që ata me shumë delikatesë i kishin përshkruar në mënyrë anonime për të mos i dëmtuar (përveç profesor Mehdi Agalliut, i cili ndërkohë ishte ndarë nga kjo botë)”. Pas daljes së librit, thuhet se autorëve iu ndalua kthimi në Shqipëri, pasi libri i tyre u konsiderua se ishte “negativ” për “imazhin” e Shqipërisë në botë!…Por, edhe me rastin e botimit të tanishëm, njoftohet se autorët kanë hequr disa kapituj me karakter historik dhe politik dhe kanë shtuar disa pjesë të shkruara në atë kohë lidhur me copëza jete, përvoja, anekdota, ngjarje… “Duke qenë se raportet private me shqiptarët ishin të pamundura, shpresonim se qytetarët e huaj do të organizoheshin për të mbijetuar dhe për të ndërtuar marrëdhënie pak a shumë normale, por jo, aspak, dhe kjo megjithëse të huajt janë fort të pakët në numër, sepse ka vetëm rreth pesëmbëdhjetë ambasada. Rast i vetëm në botë, as Bashkimi Sovjetik dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfaqësuara”, shkruan çifti francez.
kopertina
Përkthyesja e ndan se dy intelektualët perëndimorë nuk ishin në Shqipëri si simpatizantë të regjimit, por “ profesorë të gjuhës dhe letërsisë frënge, të motivuar nga dëshira për të formuar mësuesit e ardhshëm të gjuhës frënge në Shqipëri”. Në fakt, në këto vite përmendet se në Shqipëri vinin shumë pak perëndimorë, për vizita dy-tre ditore, të cilët sapo ktheheshin në vendet e tyre shkruanin artikuj mjaft të thjeshtë. “Ata ose i mëshonin bunkerizimit ekstrem të Shqipërisë dhe çmendurisë së Hoxhës, pa kuptuar më në imtësi kompleksitetin e vendit, ata ose i këndonin lavde këtij vendi të mrekullueshëm komunist meqë ishin maoistë dhe simpatizantë të vendeve të lindjes komuniste”. Si duket, për çiftin francez qëndrimi në Shqipëri ishte pothuaj një rezistencë, të cilët i ka ndihmuar e shkruara, për të mos u larguar. Nga kujtimet e tyre mëson se pas përpjekjes për t’u integruar, për të hyrë në biseda, për të komunikuar, për të krijuar marrëdhënie të sinqerta …shkonin pothuaj bosh, ku ishin të detyruar të rronin të izoluar. Të gjithë kishin frikë të flisnin me ta. Akoma edhe më e vështirë ishte kjo me studentët të cilëve u jepnin mësim. Por nga ana tjetër, ish-studentja Rambi thotë se “në një këndvështrim më simbolik mund të themi se vetë prania e tyre brenda Universitetit ishte si një mundësi për ne studentët për të parë nga afër një botë ndryshe: të larmishme, me ngjyra dhe erëra…Analizat duhen kontekstualizuar dhe duhet përfytyruar se në ato vite komunikimi me të huajt shihej si diçka në mos e ndaluar, e dyshimtë, dhe kaq mjaftonte që të bëhej shkak për vëzhgim vigjilent nga ana e Partisë dhe e ‘virgjëreshave të kuqe’. Prandaj dhe shumë nga këto analiza bazohen jo te diskutimi me shqiptarët, i cili ishte i pakët dhe jo i sinqertë nga bashkëbiseduesit shqiptarë, por te vëzhgimi i mprehtë i shoqërisë shqiptare. Ndjenja e vetmisë dhe e së përkorës që i ka shoqëruar atëherë të dy francezët e shoqëron lexuesin gjatë gjithë leximit…” Më poshtë botojmë një fragment nga libri “Bulevardi Stalin Nr.57”, të Elisabeth dhe Jean Paul Champseix,  ku sillet kronika e studentëve shqiptarë në vitet ’80.
***
Goditja e parë
Kur mbërritëm ne në Shqipëri, më 1982, të ishe lektor i frëngjishtes, do të thoshte të luaje kokë a pil. Të gjithë përsërisnin të vërtetën e shtetit të pagabueshëm dhe të shenjtë. Enver Hoxha mbretëronte si të ishte Zoti vetë mbi tokë. Kishte shkruar vepra të shumta, të cilat ndryshe nga Bibla ose Kurani, nuk përmbanin as komente, as interpretime. Mbizotëronte “lufta kundër ndikimeve të huaja” dhe teoria e varfërimit absolut të “perëndimit të kalbur dhe të degjeneruar”. Kolegët tanë shqiptarë e kishin absolutisht të ndaluar të flisnin për Francën dhe natyrisht nuk duhet të tregonin në mësim asnjë pamje apo fotografi nga Franca.
Ne ishim dy të huajt e vetëm të pranuar në universitet sipas marrëveshjeve franko-shqiptare. Kishim më tepër përshtypjen se po kalonim përmes një pasqyre se sa përmes një perdeje të hekurt. Ditë për ditë, për disa orë rresht i afroheshim një realiteti, të cilin autoritetet dhe propaganda bënin çmos ta fshihnin dhe ta izolonin nga ne. E pyesnim veten se si vallë do të ishin studentët tanë. Me siguri duhet të kemi ëndërruar natën për gravurat që i tregonin shqiptarët me shikim vrastar, burrat me kokat qethur, gratë me një gërshet varur supesh, të gjithë me jataganë ngjeshur. Si do të ishin vallë pasardhësit e atyre shqiptarëve të tmerrshëm, të cilëve u trembeshin edhe elitat e ushtrisë turke? Si do të silleshim me ta pa i fyer dhe pa u ndrojtur nga e famshmja gjakmarrje! Vinim buzën në gaz me të gjitha këto hamendje, por nuk është se ndiheshim shumë të qetë…
T’i bësh memecët që të flasin
Ditën e parë të mësimit kur hymë në klasë, ndjemë një shtrëngim në grykë. Kur hynim në klasë, studentët ngriheshin në këmbë dhe prisnin urdhrin tonë për t’u ulur. Secili nga ne kishte dy grupe me nga 15 studentë. Vështrimi i tyre kureshtar dhe i shqetësuar na intrigonte. Prania e një shumice vajzash e korrigjoi disi përshtypjen e rrugës, e cila dukej se ishte terren i burrave. E kishim të gjithë Evropën në klasë: vajza të gjata flokëverdha sy bojëqielli ose të shkurtra brune mesdhetare, djem me fizionomi anglo-saksone me nofulla katrore, të tjerë me fytyrë zeshkane. Me të gjitha këto tipare, janë të mundshme të gjitha kombinimet. Fytyrat dhe gjendja e tyre shpesh dëshmonin se ushqeheshin keq. Më vonë do t’i mësonim vështirësitë e tyre. Në konvikt janë shpesh nga 6 vetë në një dhomë dhe nuk kanë ujë të ngrohtë. Në mensë hanë supë, kos dhe dy herë në javë gjellë me pak mish. Peshku është i rrallë, ëmbëlsira në fund, e panjohur.
Nuk kanë kurrë as fruta, as të ëmbla.
Megjithëse dimri në Tiranë nuk është i acartë, bën mjaft ftohtë. Fakulteti nuk kishte ngrohje kështu që nëpër klasa temperaturat nuk ngjiteshin nganjëherë më tepër se sa pesë apo gjashtë gradë. Studentët ngjisheshin njëri pranë tjetrit. Djemtë vishnin disa këmisha cip mbi cip, çka shihej te mëngët, përsipër mbanin ndonjë bluzë sintetike me mëngë të gjata. Disa nga vajzat i mbanin pardesytë veshur edhe në klasë.
Shumica syresh nuk kishin folur kurrë ndonjëherë me të huaj dhe ishin të shumtë ata që nuk kishin parë kurrë ndonjë të huaj nga afër. Ishin të emocionuar dhe kureshtarë. Ne ishim prova e prekshme se gjetiu ekzistonte një botë tjetër dhe prania jonë ishte diçka për t’u shënuar. Na shihnin nga koka te këmbët dhe vëzhgonin në detaj çdo mimikë tonën, çdo gjest si dhe çdo veshje. Paraqitja e secilit dhe disa pyetje, si fillim, duhet ta kishin thyer akullin, mirëpo ai dukej më i trashë se ç’e kishim menduar. Pyetjet tona: A keni ndonjë dëshirë të veçantë ose ndonjë propozim për vitin e ri shkollor? A keni ndonjë vështirësi të veçantë në gjuhën frënge? A doni të dini ndonjë gjë për Francën?… ndiqeshin nga një heshtje e rëndë si plumb. Më vonë i kuptuam gafat e fillimit sepse studentëve nuk u lejohej asnjë nismë, nuk e pranonin kurrë se mund të kishin të meta faqe botës dhe nuk u lejohej të bënin pyetje për Francën!
Po nuk e pate jetuar, është e pamundur ta përfytyrosh turbullimin dhe angështinë e mësuesit që rreket të bëjë të flasë një klasë dëshpërimisht të heshtur. Natyrisht, e dinim se përpara se të na i besonin, autoritetet i kishin përpunuar mirë. Më vonë do të merrnim vesh se na kishin paraqitur si spiunë që donin t’u nxirrnin informata dhe t’i shfrytëzonin ato në mënyrë dashakeqe. Mendohet lehtë gjendja mendore e studentëve të frikësuar se mos pa dashje do të lëshonin ndonjë gabim shtetëror… Duke mos ditur ç’të thoshin, më të kujdesshmit nemiteshin, kurse më guximtarët belbëzonin ca përgjigje të mjegullta. E vumë re menjëherë, se edhe kur guxonin të flisnin, shihnin me bisht të syrit njërin ose njërën nga shokët, duke na e bërë me dije kështu “sekretarin” e rinisë së klasës. Kur binte zilja, studentët dilnin të gjithë njëherazi, kurse ky rrinte në fund për t’u siguruar se askush nuk do të rrinte kokë më kokë me profesorin e huaj.
Fillimet ishin të vështira, madje rraskapitëse. Studionim copëza nga veprat letrare dhe donim me gjithë zemër që studentët të merrnin pjesë aktivisht, mirëpo orët e mësimit ritmoheshin nga heshtje të thella. Në fillim i bënim vetë edhe pyetjet edhe përgjigjet. Duke ndjekur metodën tonë pedagogjike me pjesëmarrjen e studentëve, me sa duket binim ndesh me traditën shqiptare. Të mësuar të kopjonin mësimet dhe t’i recitonin ato, nxënësit dëgjojnë fjalën e mësuesit dhe nuk marrin pjesë. Madje- madje, ne i bezdisnim, sepse metoda majeutike tregonte se profesori nuk është i vetmi zotërues i dijes dhe se me një rresht pyetje-përgjigjesh të ndërtuara mirë, mund të ndërtohej një arsyetim i saktë dhe të gjendej zgjidhja për diçka që në fillim studenti mendon se nuk e di.
Të huaj natën
Atmosfera që mbretëronte nëpër klasa nuk ish tjetër veçse pasqyrimi i turbullirave që po e shkundte shoqërinë në 1982, kohë kur qarkullonin vesh më vesh thashethemet për shuarjen e klanit Shehu. Mehmet Shehu, vullnetar i brigadave ndërkombëtare antifrankiste të 1936-ës, ishte një nga inkuizitorët e Partisë qysh në krijimin e saj. Komandant i regjimentit të hekurt që shporri trupat nazistë nga Tirana në 1944 dhe kryeministër, ai ishte pasardhësi i Enver Hoxhës. Me 18 dhjetor 1981, shqiptarët me tepër habi morën vesh se ky “kishte vrarë veten”. Spastrimet pas këtij akti ishin të pamëshirshme: e shoqja, drejtoreshë e kuadrove të shkollës së partisë “Vladimir Iliç Lenin” si dhe të bijtë u dërguan në internim. Ministri i Brendshëm (Feçor Shehu, nipi i Mehmet Shehut), ministrat e Mbrojtjes dhe të Shëndetit, si dhe një ish-komandant i shtatmadhorisë u ekzekutuan në shtatorin 1983. Nuk ishte trishtimi i shuarjes së familjes së heroit kombëtar që po i pikëllonte shqiptarët, jo! Mehmet Shehut i ishin tutur të gjithë sepse njihej për egërsinë e tij të skajshme. Vetë Hrushovi kishte shkruar në kujtimet e veta se Shehu mburrej se kishte vrarë me dorën e vet shumë të burgosur. Njëra nga nuset e djemve, i pezmatonte banorët e Tiranës me rrobat shumë të kushtueshme dhe që binin në sy. Çka i mundonte njerëzit ishte një zmbrapsje më tepër e nivelit të jetesës si dhe ashpërsimi i kontrollit policor. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm për krizën e rëndë që po kalonte regjimi.
Si për dreq, një tjetër çështje, akoma më enigmatike, kishte ndodhur fill para mbërritjes sonë aty duke e përkeqësuar gjendjen. Në shtator, disa refugjatë antikomunistë kishin zbarkuar në mënyrë të mistershme në një plazh të jugut. Ardhur me gomone, rreth 30 vetë, të organizuar si grup special me në krye Xhevdet Mustafën, u rrekën të hyjnë në rrethin e Vlorës për t’i nxitur banorët e zonës, të njohur për ndjenjat e tyre antikomuniste, që të ngrinin krye. Mirëpo u pikasën dhe pas pesë orë luftimesh, u asgjësuan. Pretendenti për fron, “mbreti” Leka (që jetonte në Afrikë të Jugut) e bëri më të besueshëm lajmin e këtij veprimi, mbi të cilin u tha se “kishte shprehur rezerva”.
Kontakte të ndaluara
Frika dhe mosbesimi, tashmë të mëdha, u rritën edhe më shumë. Në rrugë, as studentët dhe as kolegët nuk na “njihnin” më. Ose ndërronin trotuar, ose hynin nxitimthi në ndonjë dyqan, ose, kur ishte tepër vonë për këto veprime, kthenin kokën në krah të kundërt. Një ditë, në një rrugicë të vjetër tiranase, u ndeshëm ballë për ballë me një kolege që po shëtiste me fëmijët. Kjo nuk mundi të na shmangte. E përshëndetëm dhe po i lavdëronim fëmijët. Ajo mërmëriti diçka me një frëngjishte të përafërt, kontrolloi rreth e rrotull me ankthin se mos po e shihte dikush – për fat rrugica ishte bosh- dhe na tha një mirupafshim duke u larguar. Ecte me hapa të shpejtë; ndjemë më tepër trishtim se sa zemërim.
Një herë tjetër, duke u kthyer nga pushimet, patëm vendosur të shëtisim në Tiranë dhe pamë drejtuesin e katedrës së frëngjishtes jo larg parkut. Mbështetur te biçikleta ndalur anë trotuarit, po bisedonte me një mik. U drejtuam për nga ai. Sapo na pikasi, pa e përshëndetur bashkëfolësin, mori arratinë duke i dhënë biçikletës me sa i hanin këmbët. Të nesërmen, na kërkoi ndjesë për takimin “pak të shkurtër” të së djeshmes! Frika se mos i shihnin të shoqëruar me një të huaj ishte aq e madhe, sa edhe vetë sekretari politik i universitetit, i cili i bënte studentët të dridheshin kur kalonte korridoreve, nuk u përgjigjej përshëndetjeve tona në rrugë.
Një ditë tjetër, duke dalë nga pallati ynë, takohemi me një koleg me të shoqen. Atyre do u kishte ardhur për mbarë që të mos u kishim folur, mirëpo ne nuk e kemi atë refleks. Kolegu, i kapur ligsht buzëqesh me zor duke na shtrënguar dorën. E shoqja, e cila ndodhej disa hapa përpara nesh, kthehet me pahir. Shkëmbejmë disa fjalë dhe i shohim tek largohen.
Kolegëve u ishin dhënë porosi shumë të rrepta lidhur me ne. Njëra nga këto porosi që mes nesh e quanim “Coli me Lolin” ishte që të mos rrinin kurrë të bisedonin me ne vetëm për vetëm: profesorët mund të na flisnin, brenda mureve të fakultetit por me kusht që të ishin dy. Një ditë hymë në katedër dhe gjetëm një kolege vetëm. Duke harruar parimet vendëse, iu afruam për ta përshëndetur. Ajo u zmbraps si me sustë në një cep të katedrës dhe u zhyt në lexim, duke na injoruar krejt.
Në fillim të qëndrimit tonë, duke dashur ta njihnim pak më shumë jetën shqiptare, i pyetëm kolegët se ku ndodheshin kinematë. Ata ulnin kokën përdhe dhe heshtnin. Ka raste kur është vështirë ta fshehësh hallin që të zë. Shpjegimin e parë e morëm kur shkuam për herë të parë në kinema. Salla ishte e vjetër dhe publiku i padisiplinuar, çka nuk jepte një “imazh” shumë të mirë të Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk duhet harruar që spiunllëku ishte aq i pranishëm në Shqipëri sa që vështirë të dihej ku niste sekreti shtetëror kur dikush fliste haptazi.
Shumë herë i patëm ftuar kolegët në shtëpi mirëpo ata gjenin gjithmonë një pretekst: një mbledhje, një gjyshe të sëmurë, foshnja që vuan nga dhëmbët, një kushëri nga rrethet që u vjen për vizitë… Të lodhur nga këto arsye të kota, ua paraqitëm haptazi kërkesën tonë autoriteteve dhe atëherë na thanë se kishte “disa probleme të vogla” sepse ne banonim në një pallat për të huaj. E kishin rreptësisht të ndaluar të na vinin në shtëpi. Për më tepër, kolegët kishin frikë nga mikrofonat e vendosur në apartamentin tonë dhe druheshin se policia mund t’i qortonte për gjërat që mund të thoshin aty. Atëherë kërkuam të na jepnin një apartament në një pallat me shqiptarë por kjo kërkesë ra në vesh të shurdhër. Kolegëve nuk u lejohej kurrsesi të na jepnin adresën e tyre sepse kushedi, si tuhafë, ne mund t’u shkonim për vizitë. Në gjashtë vjet, nuk na ftuan kurrë.
Të mjerët profesorë ishin të detyruar t’u bindeshin rregullave të sekretarit të partisë, një personi me fytyrë rrumbullake si karikaturë, profesor latinishteje me origjinë greke. Ai u kujtonte rregullisht kolegëve se si duhet të silleshin me ne. T’i rrije me turinj do të thoshte t’i jepje kredi në rolin e tij prej “të forti”. Atëherë zgjodhëm të bëjmë të kundërtën. Sa herë që e hasnim nëpër korridore, shprehnim kinse një kënaqësi shumë të madhe duke bërë gjeste të ekzagjeruara dhe duke iu afruar për ta përshëndetur. Shumë i bezdisur nga përzemërsia jonë e papritur, ky i pafat detyrohej të na përgjigjej si të mundte duke e përkulur trupin më dysh dhe duke ngritur grushtin pranë tëmthit si komunist që ishte.
Elizabeta e kishte më të vështirë të duronte mungesën e kontakteve njerëzore aq sa një herë shpërtheu në vaj kur kolegët që na shoqëronin për një vizitë zyrtare patën refuzuar të vinin për një kafe në hotel Tirana. Pjesë nga ditari i Elizabetës 1983-1984 :
“Situata bëhet akoma më e vështirë kur e sheh se kolegët dhe studentët janë të mirë. Kur atmosfera është psiko e ngurtë është më e lehtë: largohemi dhe me një shfryrje inati sikur lirohemi. Kur frustrimi është i plotë, lotët mund të ndihmojnë, por kur kontaktet janë aq të gjata dhe të pasura sa që mund të përfytyrosh se si mund të ishte sikur të afroheshe me njerëzit, kjo është e tmerrshme.” Nuk ia arrinim dot të largonim mosbesimin e të tjerëve dhe pas një farë kohe njeriu e ndien veten të poshtëruar në kërkim të kontakteve me të tjerët. Nuk na ngelej tjetër: ose ta injoronim këtë vend ose ta zbulonim me mjetet tona pa e ndryshuar veten.
Nën mbikëqyrje: Sigurimi heq perdet e dritares që t’i vëzhgonin edhe natën
“…Që të shëtisnim të qetë, patëm vendosur të dilnim mbrëmjeve për të famshmen xhiro. Vendosëm edhe ne të marrim pjesë në këtë traditë mesdhetare, pra në vajtje-ardhjen në bulevard nga ora 18 deri në 21. Mendonim se në muzg do të kalonim incognito. Në atë kohë, vajzat nuk merrnin pjesë në këtë shëtitje rituale, kështu që u gjendëm të dy kapur dorë më dorë, mes një turme tërësisht mashkullore. Kështu ramë edhe më tepër në sy, aq sa na u desh të largohemi tinëz duke u futur në një rrugicë, e cila na çoi në një lagje të humbur, nga ku me zor e gjetëm rrugën e kthimit…Vetmia na u shtua edhe më shumë nga ankthi se na përgjonin. Kur patëm mbërritur në pallat, intendenti i Universitetit i pati hequr të gjitha perdet sepse sipas tij ishin të palara. Mirëpo të gjitha dhomat, përveç asaj të gjumit – uf, kishte shpëtuar nderi – binin nga rruga. Pa perde ndiheshim edhe më të ekspozuar ndaj mbikëqyrjes së kureshtarëve dhe agjentëve të Sigurimit. Me gjithë kërkesat tona, “pastrimi” i perdeve zgjati mbi një muaj. Patëm vendosur të bëjmë humor me këtë gjë dhe enkas merrnim poza përpara dritareve. Kur i fiknim dritat e dhomave që shihnin nga rruga, e kishim për racion që të na binte telefoni dhe të dëgjonim nga ana tjetër të njëjtin zë që përsëriste: “Alo! Alo!”. Sigurimi donte të dinte se mos i bënim vizitë ndokujt në pallat.
Atë vit në Francë pati dalë filmi E.T dhe ne na dukej vetja pak si ai personazhi kryesor që kishte frikë nga të tjerët, ndërkohë që ishte ai që i tmerronte ata, dhe që përsëriste vazhdimisht: ‘shtëpia’, ‘shtëpia’…”
**************
kopertina

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...