Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/21

Peter Tase: Andrew Jackson - Biografi politike



Andrew Jackson, Biografi e shkurter politike


Andrew Jackson (Endriu Xhekson), Presidenti i 7-të i Shteteve të Bashkuara, ishte aktori kryesor në jetën politike amerikane ndërmjet Thomas Jeffersonit dhe Abraham Linkolnit. I lindur në një familje të panjohur dhe i lënë jetim që në vogëli, ai ishte i pari lider i formuar plotësisht me forcat e veta dhe e para figurë perëndimore që arriti të hynte në shtëpinë e bardhë. Ai u bë një simbol i partisë demokratike dhe themeluesi i kësaj partie, e cila ishte partia më e vlerësuar për kohën. Gjatë presidencës së tij prej dy mandatesh, Xhekson e zgjeroj më tej pushtetin e ekzekutivit dhe e transformoj rolin e presidentit nga një krye-administrator në një figurë të dashur nga populli.
Xhekson u lind me 1767 në Uaksau, Karolina e jugut, nga një familje emigrantësh irlandezo – skoceze. Që djalë i ri ai luftoj në revolucionit Amerikan, studioj drejtësi, dhe në 1788 u shpërngul në Nashvill, Tenesi. Më 1791, filloj të jetoj me Reiçëll Donelson Robards, të cilën e kishte braktisur i shoqi. Ata u martuan formalisht pasi ajo u divorcua më 1794. Akuzat për imoralitet, të lindura nga ky episod e ndoqën gjithmonë Xheksonin gjatë gjithë jetës së tij politike. Pasi shërbeu si prokuror i Shtetit të Tenesi-të, gjyqtar, anëtar i Kongresit Amerikan, dhe senator, ai fitoj famë si gjeneral major në luftën e 1812-ës, me fitore të cilat i shpartalluan grupet e ndryshme të indianëve më 1814 dhe kundër britanikëve në Nju Orlins një vit më vonë.
Triumfi i Xheksonit në Nju Orlins shumë shpejt mori përmasat e një legjende dhe e bëri atë heroin më të madh ushtarak që nga koha e Xhorxh Uashingtonit. Më 1818, ai drejtoj një ushtri në ndjekje të Indianëve Seminol drejt territorit Spanjoll të Floridas, duke shkaktuar një protestë ndërkombëtare. Pasi Spanja e lëshoj Floridën, Xhekson shërbeu për një kohë të shkurtër si guvernator i teritorit dhe pastaj senator, duke përfaqësuar shtetin e Tenesi-së, nga 1823 deri më 1825. Në 1824, në një garë të ngatëruar prej katër kandidatësh për president, Xhekson mori votat popullore dhe elektorale por e humbi garën në dhomën e përfaqësuesve, ku kryetari i saj, Henri Klei, Influencoj në favor të kandidatit tjetër, Xhon Kinsi Adams.
Xhekson e sfidoj Presidentin Adams përsëri në vitin 1828 dhe e mundi atë në një fushatë të përqendruar tek imazhi i tij si njëri popullor dhe armik i betuar i korrupsionit dhe aristokracisë. Xhekson e mundi me lehtësi Henri Klei-n më 1832. Presidenca e Xheksonit karakterizohet nga dy episode kryesore: Kriza e shfuqizimit dhe “lufta e bankave”.
Xhekson e mori detyrën duke u përballur me ashpërsinë sektoriale mbi programin e “sistemit Amerikan” ç’ka do të sillte zhvillim ekonomik nëpërmjet subvencionimit të transportit dhe nëpërmjet tarifave mbrojtëse mbi importin, masa të tilla do të ndihmonin prodhimin industrial vendas.
Shumë qytetar nga jugu mendonin se këto politika favorizonin zhvillimin ekonomik të veriut të vendit nën koston e tyre. Xhekson e balancoj sistemin amerikan duke vendosur veton në ndërtimin e rugëve dhe kanaleve, që do të fillonte me rrugën Mejsvill në 1830. Sidoqoftë, më 1832 shteti i Karolinës së jugut deklaroj tarifën ekzistuese anti-kushtetuese, dhe të pa vlerë. Shteti mori masa për të bllokuar mbledhjen e tarifave brënda kufijve të tij.
Megjithëse ai favorizonte tarifa të ulëta, Xhekson veproj me një herë për të ngritur supremacinë federale – me forcë, edhe kur e kërkonte nevoja. Në një deklaratë përpara popullit, Xhekson tha se Unioni i vendit është i pa ndashëm dhe e cilësoj këtë shfuqizim si tradhëti. Kongresi e reduktoj tarifën më 1833 dhe kriza u evitua.
Banka e dytë në SHBA ishte një Korporatë e Krijuar nga Kongresi për të shtypur monedha dhe bankënota si dhe menaxhonte financat e shtetit. Ashtu si Thomas Xheferson, Xhekson besonte se një bankë e tillë do të ishte e rrezikshme për financat e shtetit dhe anti kushtetuese. Më 1832, Xhekson vendosi veton e kundërshtimit në një projektligj që do të zgjaste mandatin e bankës përtej vitit 1836.
Vetoja e Xheksonit shkaktoj reagime nga njerëzit e thjeshtë kundër pronarëve të stokut në bankë. Vitin e ardhshëm Xheksoni lëvizi depozitat e Qeverisë Federale nga Banka e aprovuar nga Kongresi, në një bankë shtetërore, duke shkaktuar një panik financiar dhe e detyroj Senatin ta çensuronte atë më 1834. I pa trëmbur, Xhekson lëshoj një sulëm të përgjithshëm kundër të gjitha formave të privilegjeve që të jep qeveria, veçanërisht privigjelet e korporatave. Në Fjalimin e tij të lamtumirës parajmëroj “fuqinë e parasë” për motive djallëzore.
Lufta e Xheksonit kundër bankave dhe retorika e tij populiste formuan platformën e re të partisë demokratike. Politikat e tij konsiderohen të jenë shkaku i depresionit dhe i frikës financiare të 1837-ës. Ai gdhëndi një rol më të fortë të Presidencës, duke e nxjerrë vetveten si avokati i njerëzve të thjeshtë kundër elitës së pasur dhe veglave të tyre në qeveri; ai prezantoj një element që do i rezistonte kohës në politikën amerikane.
Xheksoni ushtronte pushtetin ekzekutiv plotësisht, duke sfiduar kongresin, vendosur veton në më shumë projektligje se sa të gjithë para-ardhësit e tij së bashku dhe shpesh herë ndryshonte anëtarët e kabinetit të tij.
I vendosur dhe me mëndje të kthjellët, një patriot i zjarrtë dhe partiak i zhdërvjellët, Xheksoni ishte gjithmonë kontroversial, jo vetëm si gjeneral por edhe si president. Ai i personalizonte mos marrëveshjet dhe i demonizonte kundërshtaret. Në një episod të njohur, Xheksoni sakrifikoj unitetin e kabinetit të tij të parë duke kundërshtuar mendimin e zv. presidentit Xhon Kalhun dhe duke dalë në mbrojtje të Pegi Eiton e cila ishte gruaja e Sekretarit të luftës. Gjithmonë pas nervozizmit të Xheksonit, me oponentët e tij, fshihen efekte dhe qëllime politike.
Më 1836, Xhekson e siguroj vazhdimësinë e tij presidenciale me kandidatin e tij favorit dhe Zv. Presidentin e dytë, Martin Van Byren. Pastaj doli në pension në fermën e tij të pambukut në Hermitixh, pranë Nashvill-it, ku dhe dhe vdiq më 1845.

Albana Lifschin: Abraham Lincoln - Presidenti i 16 - i SHBA (1809-1865)



Udhëtim në Historinë e Amerikës

Abraham Linkoln Presidenti i 16 - i SHBA

" Burri dhe gruaja mund të ndahen, por vendi jo!”

Nga Albana M. Lifschin




Sipas historianëve Abraham Linkolni është konsideruar gjithmonë si një nga presidentët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara krahas me Xhorxh Uashingtonin. Kjo për arsye se Abraham Linkolni luftoi për ruajtjen e unitetit të vëndit në kohën më kritike, gjatë luftës civile. Kanë kaluar afro 150 vjet që nga mbarimi i asaj lufte, ku vëllai luftonte kundër vëllait dhe reputacioni i Abraham Linkolnit nuk është zbehur aspak. Në kohën e tij ai ishte i dashur për shumë njerëz, të cilët i ngjitën atij nofkën" Ejbi i ndershëm," apo "Baba Abraham," ashtu sikurse kundërshtarët e tij e urryen dhe e quajtën "tiran."
Abraham Linkolni vinte nga një familje e varfër. Ai u lind në një kabinë druri me madhësinë e një dhome, në Kenttucky (Kentaki) në Shkurt të vitit 1809. I ati Tomas Linkoln ishte marangoz. E ëma i vdiq kur djali ishte 9 vjeç dhe e njerka, një grua e mirë, u kujdes për shkollimin e Abrahamit. Atë kohë familja ishte shpërngulur në Indiana. Ejbi, siç e thërrisnin, u bë një djalë trup gjatë i hollë me shpatulla të gjëra, krahë të gjatë dhe të fuqishëm. Ai ishte i dhënë pas leximit dhe për të marrë një libër hua bënte kilometra të tëra në këmbë. Meqënëse familja Linkoln nuk prosperoi, ata u transferuan në Ilinois. Në Ilinois, Abrahami i bëri të gjitha llojet e punëve. Atë kohë ai ishte 21 vjeç dhe kishte filluar të hynte në jetën shoqerore e në debatet e kohës. Abrahami kishte forcë argumentuese. Me 1833 ai filloi të punonte si postjer në Nju Salem. Postjeri që mbante letrat nën kapele udhëtonte kilometra në ditë për ta shpërndarë atë dhe për të bërë miq. Ai u bë i njohur në të gjithë zonën dhe një vit me vonë vuri kandidaturën për në dhomën e përfaqësusve të shtetit të tij. Fitorja në zgjedhje hapi rrugën e karrierës për Abraham Linkolnin e ri. Ai hyri në shkollën e drejtësisë dhe në 1846 u zgjodh anëtar i Kongresit amerikan.
Kur çështja e skllavërisë u bë çështja më e rëndësishme e ditës, Abraham Linkolni u bashkua me partinë e re republikane të porsa formuar (1856) që ishte kundër skllavërisë. Në 1858, kjo parti e zgjodhi atë si kandidat për senator të Ilinoit. Abraham Linkolni dhe oponenti i tij Stephen A. Douglas debatuan mbi çështjen e skllavërisë në të gjithë shtetin e Ilinoit.
Në fillim të vitit 1860, në mbledhje e konferenca Abraham Linkolni mbronte pikëpamjen e mosndërhyrjes së shtetit federal aty ku skllavëria egzistonte, por nga ana tjetër kundërshtonte përhapjen e skllavërisë në shtetet që po lindin në territoret e reja amerikane. Fjalimet e tij e bindën popullin që ai ishte njeriu më i përshtatshëm për kandidat për president në Shtëpinë e Bardhë.
Pas zgjedhjes së tij si president, Karolina e jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si shtet i pavarur.
Në fjalën e tij të inagurimit, me një ton të butë, presidenti i ri tha se nuk do të ndërhynte në çështjen e skllavërisë, por ai bëri të qartë se" Unioni është i pandashëm". Sipas Kushtetutës së SHBA-theksoi ai, detyra e tij ishte të siguronte zbatimin e ligjit në të gjithë vëndin." Për Linkolnin shkëputja nga Shtetet e Bashkuara ishte një refuzim i demokracisë.
Ai tha midis të tjerash se "Burri dhe gruaja mund të ndahen, por vëndi jo." Mesazhi ishte i qartë. Njerëzit e kuptuan që vendin nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta
Lufta civile filloi në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet. Gjatë kësaj kohe presidenti përballoi vështirësi të shumta edhe brënda kabinetit të tij, madje pësoi edhe fatkeqësi familjare. Djali i tij 11 vjeçar, Uilli, vdiq në Shtëpinë e Bardhë dhe gruaja e tij gati u çmend nga dëshpërimi. Megjithë këtë fatkeqësi të madhe familjare, Abraham Linkolni qëndroi si një shtyllë e fortë për kombin.
Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e Emancipimit (çlirimit) të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte ende në fuqi.
Kthesa vendimtare e luftës u bë me betejën e Getisbërgut, qytet i vogël i Pensilvanisë, në korrik të atij viti. Qe një betejë e vështirë me humbje të mëdha. U vranë 3000 ushtarë të Unionit dhe 4000 të Konfederatës.
Disa muaj me vonë, në Pennsilvania, në 19 Nëntor 1863, presidenti Linkoln mbajti fjalimin e famshëm që ka hyrë në historinë amerikane si fjalimi i Getisbërgut. Ai ishte vetëm 10 rrjeshta i gjatë, por përmblidhte në vetvete esencën se përse ishte bërë lufta dhe përfundonte me fjalët se "gjaku i atyre që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vënd, me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë, dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.”
Në inagurimin e dytë si president, Abraham Linkolni tha fjalë emocionuese e të paharruara për kombin amerikan:
"Me të keqe ndaj askujt, me mëshirë për këdo, me vendosmëri në të drejtën, siç na e jep Zoti ta shohim, le të përpiqemi të mbarojmë punën që kemi në dorë,… le të lidhim plagët e vëndit e të bëjmë gjithëçka që duhet për të ushqyer një paqe të drejtë e jetëgjatë në mes nesh dhe me vëndet e tjera."
Fitorja e luftës erdhi me dorëzimin e gjeneralit Robert Lee në 9 Prill 1865.
Lufta civile i kushtoi vendit 600 000 viktima.
Megjithëse zhdukja e skllavërisë erdhi si rezultat i luftës, lufta që bërë për arsye nacionale, qe bërë për të ruajtur bashkimin kombëtar. Fitorja e luftës konsolidoi idenë se Unioni ishte i pandashëm.
Vëndi gëzonte dhe presidenti Linkoln po përgatitej për të festuar rikthimin e shteteve të jugut në Union. Pikërisht atëherë ndodhi e papritura.
Më 14 prill kur Presidenti me të shoqen shkuan në teatrin Ford, në Washington D.C., për të parë një shfaqje, një ekstremist proskllavërisë, i quajtur Xhon Buth (John Wilkes Booth) qëlloi me armë në drejtim të presidentit.
I goditur në kokë, presidenti Linkoln vdiq ditën tjetër, në moshën 56 vjeçare.
(Marrë nga libri i autores "Udhëtim në Historinë e Amerikës”, botuar 2003, ribot. 2006, 2010)

In memoriam, GËZIM TEKI LIBOHOVA


Duke u përciellë me një njeri të mirë

In memoriam, GËZIM TEKI LIBOHOVA

Image result for perparim hysi

Nga Përparim Hysi

Dje përcollëm për në banesën e fundit një njeri me vlera të veçanta. Përcollëm një veteran jo vetëm të LNAÇL ku ai mori pjesë me armë në dorë në rreshtat e Brigadës së parë Sulmuese, por, nga ana tjetër, ky luftëtari i ditëve të para të luftës për liri, është dhe një intelektual me zë të veçantë në fushën e arsimit e të kulturës në rrethin e Lushnjes. Këtë shkrim e bëj, enkas, për GËZIM TEKI LIBOHËVËN dhe, në e bëj unë, kam një arsye madhore: Gëzim Libohova, ky gjirokastrit nga Lushnja, e meriton jo vetëm këtë shkrim homazh, por dhe ca më tepër. Tërë jetës ka jetuar në Lushnje dhe në vitet e demokracisë erdhi familjarisht në Tiranë. Kur u vendos në Tiranë, kish kohë që kish dalë në pension. Pra , duke jetuar vitet e fundit të jetës në Tiranë, vetvetiu qe, sado kundër dëshirës së tij, larg Lushnjes dhe lushnjarëve. Qe kështu fizikisht, por shpirtërisht asnjëherë nuk qe larg, por me Lushnjen në gojë dhe u nda nga kjo jetë.

Kur shkruaj kështu, mos e merrni stisje timen. Përkundrazi. Është një e vërtetë e paluajtshme, sa, kur thonë, nuk e lëviz as topi. E la me gojë.- tha i biri, Tekiu dhe nusja e Tekiut, Merita,- që të më varrosni në Lushnje. Dhe, ngaqë amanetin nuk e tretë dheu, Tekiu, u nis me një frymë në Lushnje. Bëri gjithë ato procedura që duhen dhe dje në ora 12 kortezhi mori rrugën për në Lushnje.

* * *
Po kush është Gëzim Libohova? Mbiemri është "tapia" që tregon origjinën e familjes. Por, sado libohovit, qenë shpërngulur që në vitet e paspavarësisë në Lushnje dhe qe lindur e rritur në një famije goxha të madhe: prej tetë fëmijësh. Të gjithë si familje kanë qenë me gjak atdhetarësh të vërtetë: qysh nga gjyshi i Gëzimit (Haliti), tek i ati, Tekiu dhe më tej tek vëllezërit e motrat. Babai i Gëzimit, Tekiu, ka qenë aq mik me Aqif PASHË BIÇAKUN, sa njërit prej djemëve të ij, i vuri emrin Aqif. Aqifi dhe djali tjetër i Teki LIbohovës, Skënderi, luftuan me armë në dorë në rreshtat partizane dhe, që të dy, janë dëshmorë të Atdheut. Edhe Gëzimi vet ka qenë partizan me brigadën e parë sulmuese, por...

Sado që kjo familje gjirokastrite mbështeti en-bloc luftën, një pjesë e familjes shikohej nga regjimi (partia e pushteti i kohës) me syrin e njerkës. Dhe ja pse:

Djali i madh i Tekiut, Rexhaiu, njihej nga Enver Hoxha dhe, ngaqë nuk dëgjoi që të bënte siç i foli "ariu në vesh"( nënkupto,Enveri), ndodhi, kur u çlirua vendi, ajo që nuk pritej:Rexhainë e futën në burg, e dërguan të "thante" kënetën e Maliqit dhe kjo"damkë" e qëllimshme, penalizoi pak a shumë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes Libohova.
* * *
Sikur historia e familjes së Teki Libohovës (babait të Gëzimit) të shkruhej ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet, atëherë do të shikoni një djalë 8-vjeçar në sallën e Kongresit të Lushnjes. E dini kush është? Djali i madh i Tekiut: Rexhaiu.Dhe nuk mbaron historia e Rexhaiut me kaq. Kur qe 10-vjeç, pa i marrë lejë askujt, i doli përpara dhe i uroi merëseardhjen senatorti francez: JUSTIN GUDAR. Francezi u befasua që në vitin 1922, një djalë 10-vjeçar në një qytezë provinciale si Lushnja të bënte këtë gjest kaq sinjifikativ. Si kavalier i vërtetë iu përgjigj befasisë me një ofertë shumë mikluese: ma jepni djalin ta shkolloj në Francë. Por oferta e kavalierit francez nuk u realizua. Gjysh Haliti nuk ndahej dot nga nipi.

Sidoqoftë, Rexhaiu u shkollua brenda e jashtë vendit. U bë një specialist finance; u burgos nga iltalianët, por më keq e pësoi nga Enveri. Pas burgosjes, hija e"luftës së kllasës" ra mbi familjen Libohova: tentativa për të bërë "Hero të popullit" Skënderin apo Aqifin (sado që u propozuan herë pas here) u arshivuan si të papërshtatshëm dhe nuk ndodhi kurrë që të bëhej një vizitë kortezie përkujtimore për dy vëllezërit dëshmorë as tek Tekiu dhe as tek Rexhaiu. Vizita jubilare bëheshin vetëm tek Gëzimi që shtëpinë e kishte dy çapa ë tej. "Lufta e kllasës bëhej dhe në gjirin e familjes."

* * *
Kur shkruaj për Gëzim Libohovën jo vetëm si veteran të LUFTËS NÇL, por dhe si veteran të kulturës, kam parasysh gjithë atë veprimatri me vlerë të tij. Herë- herë më ngjan si komediografi i madh fracez, Molieri, që i shkruante dhe i vinte vet në skenë komeditë e tij dhe shpesh luante dhe si aktor. Kështu ka ndodhur dhe me Gëzim Libohovën. Aktor, shkrues tekstesh për t'u vënë në skenë; shkrues skeçesh; regjisor dhe në gjithë veprimtarinë e tij inkurajues talentesh në fushën e kulturës dhe artit. Nuk ka aktor, këngëtar, piktor, kompozitor që nuk ka kaluar "nëpër duarët" e tij. Njerëzit e kulturës dhe artit nga Lushnja, pa dyshim, e kujtojnë me mirënjohje këtë profesionist dhe njeri me zemër të madhe. Sikur t'i hedhësh një sy "biografisë së punës" të Gëzim Libohovës, pa dyshim që do befasohesh. Ai, sikur i ka bërë vetë tëra: nga a-ja tek zh-ja.

Natyrisht, në "vija të trasha", mund të them: Gëzim Libohovën në vitet 1954-1956 e gjen drejtor të kulturës në Kombinatin e Tekstileve në Tiranë. Mandej, tërë jetës në Lushnje:aktor, drejtor të shtëpisë së kulturës; inspektor të arsimit e kulturës; shef të seksionit të arsimit e kulturës; drejtor të shtëpisë së librit e filmit.

Për kontributin në luftë ka marrë dhe Medaljen e trimërisë ; të Flamurit; të Kujtimit. Po kështu me medlaje është çmuar dhe për veprimtarinë në punë. Jetoi gati 90-vjeç. Pothuajse, e jetoi shekullin e tij.

* * *
Para 10-vjetësh, ka humbur bashkëshorten e tij aq të mirë,LETIN, dhe kjo, pothuajse, e vrau moralisht. Pikërisht, këtë mungesë të madhe shpirtërore, sikur e malcoi nusja e shtëpisë (e Tekiut), inxhinierja-arkitekte, Merita, që u bë jo vetëm nusja, por si çupa që kujdeset për Babanë e saj. Kur shihja se si e ndjente veten , tek shtrëngonte me dashuri dorën e nuses së djalit,Tekiut, si i moshuar që jam, thosha:- Ah, sikur të kisha një nuse për djalin si Merita!

Gëzim Libohova e meritonte një shkrim të tillë. Në e bëra unë, kjo ndodhi jo se në Lushnjë nuk ka kush shkruan për të, por në këtë "shtegtim mizor" të posttranzicionit as nuk e di kush, në rron ti apo nuk rron. Ky "shtegtim mizor" nuk do thonjëza, por,sidoqoftë, mirë është që vlerat të mos"arkivohen". I paharruar qoftë kujtimi për NJERIUN E MIRË: GËZIM TEKI LIBOHOVËN!

Tiranë, 21 shtator 2016





I dashur Përparim Hysi ,

Jeni treguar shumë fisnik me këtë homazh të shkëlqyer që i keni bërë figurës së nderuar të të ndjerit Gëzim Libohova.
Ju shtrëngoj dorën.

Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
21 shtator 2016

Nga Eshref Ymeri : Kombi ynë vital do të rilind me një shkëlqim të ri....

Image result for eshref ymeri
                       Nga Prof.Dr.Eshref Ymeri 


I dashur Flori,

Në faqen internetike VOAL, të datës 19 shtator, me moderatorë dy publicistë me emër të kombit shqiptar - Elida dhe Skënder Buçpapaj - lexova poezinë e zotërisë Dritero Agolli, me titull: "Sikur s'jetoj në vendin tim".


VOAL

Kjo poezi, të cilën besoj se e keni lexuar, përbëhet prej pesë strofash. Po ju citoj vetëm strofën e fundit:

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz,
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvish,
Më bën të qaj si nxënës prapa derës.


Poezia është mjaft prekëse dhe dëshmon për një zhgënjim tepër të madh të zotërisë Dritëro Agolli në këtë moshë të nderuar. 

Por në këtë mes nuk ka asgjë për t'u habitur. Të gjithë e dimë që rezultati i "veprës së ndritur" të Enver Hoxhës u duk qartë gjatë viteve '80 të shekullit që kaloi. 

Për pasojë, të gjithë shqiptarët ai i bëri të huaj në vendin e vet, prandaj edhe eksodi i fillimit të viteve '90 ishte i përmasave biblike. Pasardhësit e tij që janë në pushtet, po ndjekin me besnikëri veprën e Enver Hoxhës: vetëm që nga fillimi i vitit 2015, vendin e kanë braktisur mbi 150 mijë veta. 

Zotëria Dritëro bën mirë që shkruan një poezi të tillë, por do të bënte më mirë sikur atyre që kanë shpallur të ashtuquajturën "Rilindje të Shqipërisë", t'u drejtohej me një Përkujtesë të posaçme dhe t'u kujtonte se popullit shqiptar po i bëjnë gjëmën, po e kthejnë në mercenar në pazarin e shitblerjes së votës, duke e bërë argat të drogës. Këto janë rezultatet e politikës majtise në Shqipëri. 

Dihet që djathtizmi tradicional në Shqipëri nuk ekziston, se atë Enver Hoxha e zhduku me rrënjë e me degë. Kurse majtizmi ka për mision vetëm varfërimin e popullit shqiptar. 

Domosdo, varfëria është aleati më i ngushtë i pushtetit majtist.

Prof.Dr.Eshref Ymeri 

Kolumbus, Ohajo

21 shtator 2016


--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Nga Dritero Agolli

dri

Sikur S’jetoj në Vendin Tim

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qyetet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.

Çuditem pse kështu më duket shpesh
Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën

më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm
Helmohemi ato çaste me njëri-tjetrin
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në tërmet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshet

I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.

https://www.voal.ch/sikur-sjetoj-ne-vendin-tim-nga-dritero-agolli/



Image result for vedat shehu
Nga Prof.Dr.Vedat Shehu

Ju lumtë Profesor Ymeri.

Ne brezi i Driteroit dhe shumë individeve të ndritur në fusha të veçanta Enver Hoxha na la pa Atdhe.Ne si brez vajtëm demë. Mëgjithatë kemi besimin se Kombi ynë vital do të Rilind më një shkelqim të ri, mbi gërmadhat e shkatrrimit nga themelet që i bëri, jo komunizmi, por aventurieri sadist Enver Hoxha, shokë-ngrenës.

Me respekt

Prof.Dr.Vedat Shehu

______________________________

                                                            
Image result for eshref ymeri

                                                           Nga Prof.Dr.Eshref Ymeri

I dashur Profesor Vedati,

Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen tuaj. Fjalët tuaja "megjithatë, kemi besim se Kombi ynë vital do të rilindë me një shkëlqim të ri", unë i vlerësoj si fjalë profetike. Këto fjalë më sjellin ndër mend një artikull të gazetës franceze "La Croix", me titull "Shqipëria është më e lashtë se vetë Evropa", të botuar më 19 dhjetor 1912 dhe të ribotuar në faqen e internetit "Koha.net", 25 maj 2015.
Me shumë respekt dhe mirënjohje.

Prof.Dr.Eshref Ymeri

Kolumbus, Ohajo

21 shtator 2016

Vendlindja e Skënderbeut: Historia e jashtëzakonshme e një krahine

Burgajeti, vendlindja e Ahmet Zogut dhe Lisi, fshati ngjitur nga ku erdhi Beqir Valteri, atentatori i tij në vitin 1924, përbëjnë pjesën e fundit të shtruar të rrugës që më pas të hedh gojëdhënave të Kastriotëve në këto anë.

Vendlindja e Skënderbeut: Historia e jashtëzakonshme e një krahine (VIDEO)
Historia dhe legjendat e Kastriotëve kanë lënë gjurmë në shumë zona. Disa prej tyre njihen, të tjera jo mjaftueshëm. Pak dite pas 611-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar, shumë të tilla duan të tregojnë lidhjen shekullore që sot fle e braktisur apo e pavlerësuar siç duhet në tranzicionin e gjatë shqiptarë.
Jo larg Vigut, dikur lagje e fshatit Shelli derisa u bë një qendër e vogël më vete, ngrihet qyteza e Varoshit, apo Kalaja e Stelushit siç njihet ndryshe kjo qendër e dikurshme e Kastriotëve, që zotëronte një nga rrugët më të rëndësishme lidhëse mes Dibrës dhe Matit.
“Mendohet se është qyteti i parë që zotëruan Kastriotët në Mat pasi dolën nga Shtjefni, aty ku kishin trojet e veta dhe këtu është qyteti i parë që e dominoi Gjon Kastrioti, duke e shtrirë më pas edhe në Petralë e më gjerë”, thotë studiuesi Artur Kurti.
Sigurisht sot dëmtimet janë të mëdha, aq sa në vende të caktuara është jo pak e vështirë të dallosh edhe rrënojat. Duket se ato nuk janë vetëm mesjetare. Gurët e përmasave edhe më të mëdha flasin për një vazhdimësi që nga një periudhë edhe më e hershme.
“Këtu janë vendosur eksplozivë për të shpërthyer këta gurë dhe për të parë nën këto rrënoja se mos ka florinj dhe thesare. Nuk është bërë asnjë mirëmbajtje”, shton studiuese Kurti.
Në krye ngrihet Kepi i Skënderbeut, siç njihet në popull. Ballë tij edhe Kepi i Kuq, nga ku sipas gojëdhanave erdhën osmanët pasi Hamza Kastrioti u tregoi shtigjet. I rrethuar Skënderbeu i legjendës fluturoi me kalin e tij në krahun tjetër duke shpëtuar. Këtu ka shumë gojëdhëna të tilla që janë mbartur brez pas brezi, ashtu siç e pasur është edhe toponimia që lidhet me këtë qendër të banuar që ngrihet…
Por këto nuk janë elementët e vetëm, që sipas banorëve lidhen me Kastriotët. Rrugës për në Macukull ndodhet edhe memoriali i Kishës së Shën Trinisë, ku në nëntor të vitit 1462 Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit, por i njohur edhe si këshilltar i Gjergj Kastriotit, shkruajti formulën e pagëzimit.
Macukulli, që lidhet nga një rrugë e tenderuar disa herë, por edhe po aq herë e parealizuar është fshati më i madh i zonës me rreth 1 mijë banorë nga mbi 4 mijë që ka patur dikur.
Për nga pozicioni dhe ajo që ofron do të duhet të ishte një zonë turistike, por është pikërisht infrastruktura e rrënuar që sot e mban në izolim. Këtu bashkohen edhe dy trungje që kanë nxjerrë dy figura kaq diametralisht të ndara në politikë. Disa qindra metra nga njëri-tjetri kanë lindur ish-kreu i Partisë Komuniste në post diktaturë, Hysni Milloshi dhe kreu i ish të përndjekurve politikë, Kurt Kola. Pjesëtare të këtyre fiseve jetojnë ende në fshat.
Skënderbeu, siç tregojnë banorët ka kaluar edhe këtu, duke u ndalur në një nga kullat më të vjetra të fshatit, siç konsiderohet ajo e Gjiçëve, para se të shkonte për në zonat fqinje. Macukulli ka histori të shumta në përballjet me serbët të cilët e kanë sulmuar disa herë. E ato nuk përfundojnë këtu, sepse në Qafën e Shën Kollit ngrihet sipas tyre edhe kisha ku është organizuar Kuvendi i Madh i Dukagjinit nga 15 dhjetori 1601 në 15 shkurt 1602, ku kanë marrë pjesë mëse 2656 delegatë të krahinave të ndryshme. Përsa kohë lidhja do të qëndronte, nën shembullin që kish dhënë Skënderbeu në 25 vitet e tij, ushtritë shqiptare do të përballonin osmanët deri sa tradhtitë dhe ushtritë e shumta do ta shtypnin me dhunë. Themelet e Kishave, sepse janë disa, por edhe varreve të vjetra dallohen edhe sot.
Historia është pjesë e pandarë e të gjithë kësaj zone, ashtu si lidhja me Kastriotët, që sipas tyre nuk përfundon këtu.
Shtjefni është fshati më i lidhur me familjen fisnike shqiptare. Banorët mendojnë se janë pasues të Kastriotëve e kjo për shkak edhe të regjistrave osmanë të viteve 1431 dhe 1467 ku në këtë fshat përmendet fisniku Mark Kastrioti. Të dhëna të shumta kanë sjellë studiuesit e njohur Dilaver Kurti, Ferit Këputa e të tjerë, që flasin për lidhjen e tyre.
“Këtu, gjysma e fshatit është Kastriot, gjysma tjetër janë fise të ndryshme”, Ali Cerra, banor.
Pikërisht në këtë vend që banorët e identifikojnë si pjesë e trojeve të vjetra, sipas tyre gjendet edhe varri i nënës së Skenderbeut, Vojsavës, ashtu siç edhe i shumë Kastriotëve të tjerë. Diku në qendër ndodhet edhe varri i Gjokës, një vend i mirë e që lidhet edhe ky me Heroin Kombëtar.
“Nga të vjetrit fare, të vjetrit thonë që këtu është varrosur Vojsava”, thotë një banor i zonës.
Për Kastriotët dhe origjinën e tyre ka disa teza, të gjitha të mbështetura në historianë, kronikanë të kohës, autorë të ndryshëm. Një vend të rëndësishëm zë ajo e Sinjës në Dibër, për të cilën shkruan edhe Gjon Muzaka, Fan Noli, Kristo Frasheri etj. E po kështu ka edhe teza të tjera si ajo e Hasit të Mirditës e me radhe, kjo sepse në periudhën e tyre Kastriotët kanë lënë gjurmë kudo. Kalatë janë të shumta, siç janë po aq të shumte edhe toponimet që lidhen me familjen në tërësi, apo me anëtare të saj. Por përtej këtij elementi, që duhet të ndahet nga ekspertët e fushës me shumë rëndësi ka ajo që ka mbetur pas, e fakti sesa shumë ne e respektojmë dhe vlerësojmë këtë figurë të jashtëzakonshme të historisë së Shqipërisë.
Tre ditë më parë Skënderbeu pati 611-vjetorin e lindjes së tij, por sërish asgjë nuk doli nga kornizat e zakonshme të një përvjetori që erdhi dhe iku si gjithmonë. E pavarësisht kësaj, edhe sot, shekuj më pas ai është sërish i aftë të habisë me atë që ka lënë pas./Top Channel/

Historiani serb, Predrag Petrovic: Skënderbeu ishte serb

Historiani serb: Skënderbeu ishte serb
Historiani serb, Predrag Petrovic përmes një interviste me median serbe Kurir.rs, ka thënë se Skënderbeu ishte me prejardhje serbe e jo shqiptare. Në një vëllim të librave të tij, historiani Petrovic ka shkruar se zbulimet e tij në histori e tregojnë këtë.
Historiani thotë se veshja dhe emblemat e Gjergj Kastriotit tregojnë që janë të marra nga kultura serbe, për të cilat Petrovic pretendon se u përdorën nga e gjithë okupimi otoman në atë kohë. Ai thotë se kultura e atëhershme është në përputhje me kulturën serbe në atë kohë, e jo me atë shqiptare.
Në këtë intervistë të dhënë për Kurir.rs, Petrovic thotë se emri i nënës së Skënderbeut gjithashtu është emër serb (Vojislava Brankovic). Ai gjithashtu thotë se përkrenarja e Skënderbeut – me simbolin e dhisë, ka qenë dhe është pjesë e kulturës serbe dhe ortodokse
SkenderBeg

Kënga e Petro Markos për Halim Xhelon dhe dy vjersha të Halimit

Kënga e Petro Markos për Halim Xhelon dhe dy vjersha të Halimit
MSc. Albert Habazaj, sudiues, ish-halimxheloist
Kur ishim të vegjël, në vitet 1967-1974, nxënës në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo” të vendlindjes time, në Tërbaçin e dashur, drejtori i shkollës, mësuesi madh, që vërtet e meritonte të ishte Profesor, poeti popullor i teksteve të këngëve të grupit të madh të Tërbaçit, dragoi i këngës labe Kujtim MICI, punonte si ai edhe me folklorin. E veçanta e tij qe puna në sistem zinxhir me grupet e të rriturve, të burrave, të grave, me grupin miks, të pionierëve dhe të fatosave.
Kënga e Petro Parkos për Halimin. Mbaj mend, qysh nga klasa e parë deri në të tetën, që këngën “Halim Xhelo trim, o trim” e këndonte grupi i madh, ai miks dhe grupi i vogël, yni, i shkollës, vit pas viti (me variantet përkatëse). E dinim këngë të popullit, kur krijuesi rrjedh në përroin e përjetshëm të anonimatit. Në fakt ajo qe bërë këngë e dashur e popullit. Kur u rritëm, morëm vesh që ky tekst kishte një autor. Autor i këngës, aq të dashur edhe sot e kësaj dite në Tërbaç, në Labëri dhe në Vlorë është Kalorësi Rebel i Lirisë, i pamposhturi dhe i pavdekshmi Petro Marko Dhërmiu, që e adhuroj aq shumë, sa do të doja të qe lindur në Tërbaçin tim. Tekstin e këngës e kam lexuar më vonë në librin e parë me poezi të Petros “Horizont” (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1959). Ja teksti i këngës: “Të kish rritur Labëria,/ Djalë i popullit Halim,/ Halim Xhelo trim o trim,/ (vargjet 2, 3 janë refren, shën. im – A. H) Të kish pritur Shqipëria,/ Të prit të delje në Vlorë,/ Me flamur të kuq në dorë,/ Po ti u trete i mërguar/ Në Francë, në vend të huaj,/ Shqipërinë për ta shpëtuar./ Ti vdiqe, njeri s’të qau,/ Mau djalëria, mau/ (ashtu është shkruar në tekst, është dialekt.: mbahu, shën im – A.H) Halimi rrugën e çau,/ Hall e popullit e qau”. Kjo këngë, sa e thjeshtë, aq e bukur, në shtratin e shtruar të labërishtes, është thurur si një këngë e përvajshme qysh në vitin 1937, sepse Petro Marko qe adhurues idealist i shpirtzjarrtit për atdhe Halim Xhelo Tërbaçi. (Dhe i ngjante në karakter, në dinjitet). Vetëm një lexues i vëmendshëm mund të merrte informacion dhe tepër shkarazi, që këtë tekst e ka bërë P. Marko. Tek vepra përgjithësuese “Historia e Letërsisë Shqiptare” 1983, kur trajtohet P. Marko si një nga poetët dhe prozatorët kryesorë të brezit të viteve ’30 të shek. XX, shkruhet: “Poeti do t’i këndonte Halim Xhelos, një nga komunistët shqiptarë të shquar të kohës, dhe vjersha do të bëhej më pas popullore” (Shih: “Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983 f. 577).
Mjeshtri i madh Muhamet Tartari për Halim Xhelon. I mirënjohuri i Vranishtit të valleve së vetëtimave, Muhamet Tartari ka bërë disa këngë për Halim Xhelon, të cilat i ka kënduar grupi i Tërbaçit. Po prezantojmë vetëm pak vargje, që të japin imazhin e një pikture poetike të peizazhit epik të vendlindjes së Heroit: “Po rrjedh ujë nga burimi,/ Ujë mali, ujë bore,/ Po ushton një këngë labe,/ Këngë trimash, burrërore./ Ja fillon e para Çika,/ Iso Çipini, Stogoi,/ Ja hedh bukur Bogonica/ Për Halim Xhelo dragoin./ Nga balt’ e Tërbaçit doli,/ E ushqeu toka labe,/ Mori forcën dhe qëndresën,/ Trimërin’ në këto male”.
busti-i-halim-xhelos-terbac
Kënga për Halimin e mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha: Mësues e bir mësuesi, Zaimi jepte gjuhë e letërsi në shkollën 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç. Gjatë gati dhjetë vjetëve, që punoi në vendlindje, ai krijoi edhe një këngë shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, këtij burri të lartë kombi, kësaj figure demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ Për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ Bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ Rri, po nuk i rrihet…” janë  disa vargje që thuri mësues Zaimi për grupin e shkollës, që ngriti drejtor Kujtimi dhe mësues Rexhepi me ne, që kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë. Si e përjetësuar në bronx na vjen portreti i Halimit në këngën recitative të mësuesit veteran, dritanit i arsimit në Vlorë, fisnikut Zaim Nuro Hoxha.
Vjershërimi dhe kënga, një anë pak e njohur e Halim Xhelos. Pak e dinë që Halimi ka shkruar dhe poezi. Gjithashtu ai e këndonte shumë bukur këngën labe. Ka ngritur edhe vetë këngë. Këtë fakt na e kanë thënë e na e kanë lënë në memorien tonë ata lisat e moçëm që u rrëzuan me kohë e një nga një, duke transmetuar pas kujtesën individuale e atë sociale brezave, ata pleq të mençur të fshatit, qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar si Sali Lusho, Rustem Xhaka, Hairo Laze etj., të cilët e njihnin nga afër Halimin. Është një këngë për Luftën e Vlorës. Si praktikë folklorike, kanë qenë raste të rralla aktivizimet e njerëzve të arsimuar, të cilët kanë krijuar vargje e i kanë kënduar së bashku me banorët, luftëtarët, kuvendarët etj. Të tillë, pra, mund të përmendim Halim Xhelon, i cili më 9 maj 1920, kur bobla mblodhi tërbeçtë në Bregun e Bragjine (që nga ai çast mori emrin Bregu i Alarmit), në ballë të fshatit Tërbaç të Lumit të Vlorës thuri dhe këndoi në mes të bashkëfshatarëve të tij këtë njësi folklorike të regjistruar dhe të memorizuar në kujtesën sociale të komunitetit që e pranoi dhe e përcolli tek të pasmit e gjakut. Kënga. Ja vargjet e këngës që improvizoi Halimi, si pasqyrim të atypëratyshëm të shfaqjes së dukurisë apo nevojës  së menjëhershme për t’u bashkuar në luftë kundër armikut për lirinë e Atdheut të pushtuar: “Shqipëri e dashur/ Je në robëri./ Jamte buzëplasur/ Se ti s’ke liri./ Un’ për ty do des,/ I dashur Atdhe,/ I gjall’ të mos jes,/ Ndryshe pse më ke?/ Ngrihi burra trima,/ Armikun përzëmë/ Porsi vetëtima/ këtu mos ta lëmë!/ Shqip’ria thërret-ë/ lirinë kërkon-ë,/ nga nevej e pret-ë/ mvetësi dëshron-ë./ Nevej të bashkuar/ O për një qëllim-ë./ Me flamur në duar:/ Vdekje për shpëtim-ë”. E shënuam këngën siç e kemi dëgjuar atje ku është kënduar, sikurse është praktikuar, me të folmen dialektore të Tërbaçit, duke respektuar parimin fonetik detyrimisht. Ky krijim foklorik ka një fillesë krijuese individuale. U paraqit, u pranua, u përfshi në praktikim, në qarkullimin folkorik të bashkësisë përkatëse. Individi krijues është Halim Xhelo. Banorët që e pranuan dhe e bënë të tyren janë tërbaçiotët. Data e krijimit është 9. 05. 1920. Këtë këngë të H. Xhelos e kemi gjetur të botuar në gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, gjatë gërmimit në arkivat e shtypit periodik të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë. Gjithashtu, memorja na e sjell si në ekran, ngaqë në vitet 1967-’70, kur ndihej një situatë sa festive, aq solemne në Tërbaç, sepse gëzonin njerëzit, tek prisnin 50 vjetorin e kujtimit të fitores së bujshme që kishin arritur në Luftën e Vlorës, më Njëzetën, “kur hodhën talanin në det”, siç thoshnin ish-vullnetarët e kësaj lufte çlirimtare. Parë në rrafshin krahasimtar me njësitë e tjera folkorike, kjo këngë mund të jetë edhe akretipi i ciklit të këngëve të Epikës historike të Luftës së Vlorës.
untitled_3
Vjersha. Nga Parisi, më 17 Prill 1936, Halim Xhelo, me frymëzim atdhetar, bën vjershën “Të njëmbëdhjetë xhandarët”, me 6 strofa 12 rrokëshe (edhe pse nuk respektohet fort metri), e cila është shkruar nën përshtypjen e thellë të shtypjes mizore që iu bë Kryengritjes së Fierit nga regjimi. Vjersha i referohet faktit të vrasjes pa gjyq të 11 xhandarëve antizogistë që morën pjesë në atë kryengritje: “Përtej nga lëndinat, mu për nënë shelgje/ Dëgjohen ca bërtima, po bien ca dyfeqe,/ Ç’është andej, mor djema, or ju udhëtarë?/ Mos pyet xha Nako, njëmbëdhjetë xhandarë./ Me plumba i qëndisnë, mu në zëmër e në ballë/ Po syri s’iu përënt sa qenë të gjallë,/ Me kryet përpjetë, thirrën me një zë:/ Të bëni ju popull, atë që dot s’u bë./ Njëmbëdhjetë varre, njëmbëdhjetë qivurë/ U ngrehnë në Fier, ndën arat me grurë/ Ju nënat e tyre, pushoni pak ligjet,/ O nuset e reja, që xhani po ju digjet./ Djemt e burrat t’uaj vdiqën për liri,/ I qan gjithë populli, tër një Shqipëri./ Me xha Nakon, bujk, Lalë Myzeqeje,/ Që s’ka hi në vatër, as çull e mbuleje./ Do ngrihet vegjëlia, si një trup më këmbë,/ Sulltanin e Tiranës, ta çqepë me dhëmbë,/ Për vete të fitojë male e vërri,/ Çifliqet e grabitur, nder e burrëri./ Në Fier një Pantheon mermeri të skalisur,/ Me krejt martirët t’anë, tejpërtej stolisur./ Do vemi haxhilerë të hedhim trëndelinë,/ Mbi varret e atyre, që ranë për lirinë.”. Duke bërë pelegrinazh në varret e të rënëve, autori shfryn gjithë urrejtjen kundër regjimit dhe i bën thirrje popullit për ta përmbysur atë. Vjersha është botuar pas vdekjes së Halimit në gazetën “Bashkimi Kombëtar”, nr. 6, më 15 Shkurt 1937. Pa u futur në analizë të hollësishme, nuk mund të flasim për nivel artistik, sepse është më tepër një vjershë kushtruese, deklaratë e këngëzuar me duf, është një poezi e përkushtuar, e angazhuar, deklarative, por e mbushur me dashuri për atdheun, me adhurim për lirinë, me nderim për martirët.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...