2016-10-03

NGA VULLNET MATO : PENA E ZJARRTË, E NJË SHPIRTI VIGAN-RASIM BEBO NDRYSHE!

U PËRGATIT PËR NË SHTYPIN E SHTËPISË BOTUESE “MALE” LIBRI ME ARTIKUJ HISTORIK, I HISTORIANIT SHQIPTARO – AMERIKAN RASIM BEBO, AMERIKA ME RRËNJË SHQIPTARE, ME REDAKTIM, PARATHËNIE DHE KOPERTINË NGA SHKRIMTARI VULLNET MATO.



PENA E ZJARRTË, E NJË SHPIRTI VIGAN

Për të bërë parathënien e këtij libri, unë si redaktor, do ta filloj me katër vargje poetikë që përcaktojnë cilësinë e tij:

Rasim Bebo nuk shkruan,
Po ngre dallgë në oqean,
Me penën e zjarrtë
Dhe shpirtin vigan...

Në moshën nëntëdhjetëvjeçare, ky njeri i rrallë, që nuk rresht së shkruari, me një pasion atdhedashurie të paparë, për fatet e kombit shqiptar, teksa ndodhet prej vitesh në SHBA, ka në shpirtin e tij të madh, një zjarr të fuqishëm, të pa shuar prej vitesh, për Shqipërinë dhe Çamërinë martire. Ky zjarr i fuqishëm e mban gjallë dhe siç po duket, nuk ka për t’iu shuar edhe pasi të kalojë shekullin e jetës së tij.

Së pari për të sqaruar titullin dhe kopertinën e këtij libri të ri, është e nevojshme të citojmë një fragment nga artikulli “Xhorxh Uashigtoni me gjak shqiptar”: “Zyrtarët amerikanë, kanë pranuar të pohojnë se George Uashingtoni ishte bir i Agostin Uashingtonit kurse e ëma, Marie Bala, qe shqiptare me prindër nga Peja e Kosovës. Prindërit e saj patën ardhur në Amerikë më 1706. Carl Voodëard, studiues i njohur amerikan që ka botuar dhjetëra libra dokumentarë, për presidentët si dhe histori nga Shtëpia e Bardhë, duke studiuar arkivat, po përgatit një vepër madhore të veçantë: “George Uashington – Shqiptari i parë në Shtëpin e Bardhë, që krijoi shtetin e Amerikës.”
Duke lexuar me vëmendje artikujt e këtij libri, të ngarkuar me shqetësimin e një patrioti të flaktë, për të zbuluar në sytë e bashkëkombësve të të gjitha trojeve shqiptare, të vërtetat e pamohueshme, duke bërë të qartë pse ka vuajtur prej shekujsh dhe vazhdon të vuaj deri në ditët e sotme, ky popull luftëtar, i tradhtuar, i mashtruar dhe i keq-qeverisur, nga të paaftët, pseudopatriotët, të shiturit dhe veglat qorre në shërbim të synimeve grabitqare të fqinjëve me të cilët kufizohet.

Pena e Rasim Bebos lëshon shkëndija në çdo lëvizje të saj, për të renditur fjalët qe i burojnë nga zemra, në fjali vështrim kthjellëta dhe njëherësh bombastike, për lexuesit që nuk i njohin të vërtetat historike të mbuluara me qëllime keqdashëse dhe për interesa pragmatiste të disa krerëve shqiptarë, në momente të caktuara të ekzistencës sonë.

Mes artikujve të shumtë, me tema të gjithanshme, bien në sy masakrat çnjerëzore të andartëve grekë mbi popullsinë e pambrojtur çame, të mbledhura nga autori prej burimeve gojore, të cilat të lënë pa frymë dhe intrigat djallëzore të klerikut Janullatos, të cilin e quan guvernator i shtetit grek brenda shtetit shqiptar.

Veçanërisht, të befason dhe entuziazmon guximi trimëror i këtij historiani, për t’i thënë faktet troç, pa doreza e nënkuptime, për të stigmatizuar të gjithë shkaktarët e fatkeqësive kombëtare, nga me të vjetrit, deri tek më të rinjtë e kohëve të fundit, si Enveri, Ramizi, Nano, Berisha, Rama, Thaçi etj.
Për të bërë analizat e ngjarjeve të ndryshme, Rasimi nuk vulos vetëm me logjikën absolute të mendimit të vet, por herë pas here operon në unison me hulumtues të lashtësisë botërore si Tukididi, Herodoti, Lukiani, Edwin Zhakues, Robert De Angeli, etj, me patriotët e së kaluarës shqiptare si Noli, Konica, Fishta dhe po ashtu me bashkëkohës të sotëm, si , Mati Aref, Eshref Ymeri, Lutfulla Peza, Flori Bruqi, etj, nga studimet e të cilëve, citon pjesë të shkurtra, për t’u dhënë mbështetje me të fuqishme dokumenteve dhe mendimeve të tij.

Nuk ka plagë të kombit shqiptar, ku ky historian të mos ketë vënë gishtin për shërimin e tij, zbardhjen e blozës së hedhur mbi historinë shqiptare dhe zbulimin e rrënjëve të prejardhjes sonë pellazge. Sidomos për ndriçimin e identitetin tonë kombëtar, si popull i vendosur në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, shumë shekuj para se të ndodhnin dyndjet e fiseve greke nga përtej deti egjiptian dhe ato sllave nga malet Urale.

Ai ndjek me interes te veçantë, me sy e vesh të mprehtë, me ndjeshmërinë e një barometri të saktë, të gjitha ngjarjet politike të kohës së sotme shqiptare dhe bën për to vlerësimet analitike, që fillojnë nga përpjekjet për afrimin e Shqipërisë me BE, te reformat e bujshme për të cilat grinden opozita me mazhorancën, tek dështimet e shtetit shqiptar për Rezolutën Çame, që do të bënte të mundur njohjen ndërkombëtare të krahinës shqiptare të Çamërisë, deri te korrupsioni dhe droga që mbizotëron në ekonominë e prapambetur të vendit tonë.

Pa gjashtë librave, të historianit Rasim Bebo, “DODONA”, “ZEUSI”, “ARTIKUJ DHE NGJARJE”- Pjesa e parë dhe e Dytë, “SHQIPËRIA NË GJURMËT E KOHËS”, “HISTORI ME SHKRONJA GJAKU”, ky libër, “AMERIKA ME RRËNJË SHQIPTARE”, i shtati në renditjen botimeve, arrin të bëjë shtrirjen e plotë të studimeve të tij, mbi të gjithë historinë e Shqipërisë nga lashtësia deri sot. Kurse nga niveli cilësor i shkrimeve, qëndron në lartësi të admirueshme prej studiuesve të kohës sonë, që kanë objekt të tyre Shqipërinë dhe shqiptarët në shekuj.

Vullnet Mato - shkrimtar, redaktor i librit.


__________________

Image result for RASIM BEBO


Rasim Bebo ka lindur më 14 prill të vitit 1926 në Shalës, të Çamërisë, në territorin shqiptar. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe ka qenë viktimë e luftës së klasave gjatë regjimit komunist. Prej vitesh ai vijon aktivitetin e tij si studiues në mërgim në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

LIBRAT E BOTUAR:








(Shënime për librin “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, me autor Rasim Bebo)

Që në fillim të kësaj parathënieje të shkurtër, dua të theksoj se nuk marr përsipër ta vlerësoj si specialist historie librin “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, me autor Rasim Bebon. Mendoj se kjo detyrë është kryer nga redaktorët e gazetave dhe të shtypit periodik, ku janë botuar më parë materialet.
Ky libër ka një moshë që pak a shumë i afrohet asaj të autorit, Rasim Bebos. Pra, kemi një jetë tetëdhjetë vjeçare të vënë në shërbim të këtyre artikujve e studimeve, që në thelb merren me trajtimin e çështjes kombëtare shqiptare.

Nëpër faqet e librit kupton se historia e Ballkanit është shpesh sa e padrejtë aq dhe e dhimbshme, por gjithësesi këto padrejtësi i janë bërë më shumë se kujtdo tjetër Atdheut tonë, Shqipërisë, dhe popullit të kësaj treve të banuar nga pellazgët prej të cilëve rrodhën më pas ilirët apo shqiptarët e sotëm. I njëjti gjak në epoka të ndryshme.

Dyndjet barbare lindore, që më vonë u bënë banorë të përhershëm dhe fqinjët tanë në trojet ilire, shpërthyen vandalizmin dhe përpjekjet me egërsi shtazarake për asimilim e racës dhe gjakut tonë. I lodhur nga luftërat e vazhdueshme, populli ynë u detyrua të bëhet pre i sundimeve të gjata perandorake, fillimisht i Romës dhe më vonë i Turqisë. Ashpërsia e turqëve ka qenë e pashembullt për kohën e saj. Atdheu u gjymtua, ndërsa populli përjetoi thundrën e egër aziatike si asnjë popull tjetër ballkanas.
Megjithatë jo më pak të egra dhe të pabesa kanë qenë edhe goditjet që na kanë dhënë fqinjët, gjithmonë pas shpine. Fqinjët sllavo-serbo-grekë. Kanë dashur të na shkatërrojnë me fund. Dhe shkatërrimet deri në themel të një kombi të çojnë në asimilim. Këtë kanë synuar e synojnë armiqtë tanë gjatë gjithë kohërave. Pikërisht këtë sprovë të jashtëzakonshme e përballoi me stoicizëm raca jonë, gjaku ynë.

Pse janë përpjekur të na shkatërrojnë me kaq urrejtje?! S’ka asnjë shkak kjo urretje, vetëm se nga ky vend, nga ky popull kanë dalë njerëz që kanë bërë epokë. Pra, urrejtjen e vandalëve ndaj nesh e ka shtyrë xhelozia. Një xhelozi e çuditshme, e pashpresë ndaj vitalitetit të shqiptarëve.

Gjuhës shqipe, si gjuha më e vjetër e Ballkanit, gjuhët armike ia prenë të gjitha shtigjet për të mos jetuar. Qëllimi i vetëm ishte zhdukja e saj dhe e popullit që e flet. Duke kryer akte të tilla barbare, duke u vjedhur më parë kulturën dhe historinë, për brezat në vazhdim bëhet i pa mundur kuptimi i historisë së etnisë së vet në thellësi të së kaluarës. Kjo i ka detyruar studjuesit tanë që për pasqyrimin e së kaluarës historike të botës shqiptare, t’u referohen studiuesve të huaj ose, më saktë, arshivave perëndimore dhe aziatike. Kështu vepron edhe autori i këtij libri, Rasim Bebua.

Rrjedha historike shqiptare kaloi nëpër prapaskenat më të rrezikshme edhe në fillimet e shekullit të kaluar, kur po formoheshin e kristalizoheshin shtetet ballkanike, sikur të mos mjaftonte dhuna nëpër muzgjet e shekujve të të Mesjetës dhe Antikitetit. Europa, që i shpëtoi vërshimit, shkatërrimit dhe rrënimit turkoman prej luftërave e qëndresës së Skënderbeut, ia shpërbleu Shqipërisë atë ndihmesë, duke i prerë trupin në pesë pjesë, duke ua dhuruar trojet e saj fqinjëve shovinistë. Diplomatët europianë, sa miopë aq dhe të shitur për interesa të errta, në Konferencën Famëkeqe të Londrës, më 1913, kryen aktin më të rëndë e më të shëmtuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke ligjëruar copëtimin që lakmonin dhe e lakmojnë fqinjët tanë të pabesë.

Qeveria e Ahmet Zogut për herë të parë mbas gjithë atyre rrënimeve dhe shkatërrimeve që pësoi nëpër shekuj Shqipëria, bëri një sërë përpjekjesh për të ndërtuar shtetin ligjor shqiptar dhe për të vendosur një raport të drejtë me qeveritë fqinje dhe me ato europiane, megjithëse ende kishin synime pushtuese ndaj trojeve dhe popullit shqiptar. Ajo arriti t’i frenonte lakmitë e tyre dhe e meriton të përgëzohet për ato mundësi që kishte dhe për përpjekjet që bëri për ndërtimin e strukturave të shtetit shqiptar. E lavdëruar qoftë!…

E kundërta ndodhi me regjimin komunist që u instalua në Tiranë, më 1944. U cilësuan armiq dhe morën plumbin të gjithë atdhetarët e vërtetë, ata zëra që guxuan e përmendën Kosovën a Çamërinë, që ishin mbështetës të zjarrtë të çështjes kombëtare. Regjimi komunist ishte një katastrofë më shumë, një dyndje e re barbare, që e shndërroi në një diktaturë mizore shtetin demokratik shqiptar, të cilin mezi e ngritën atdhetarët prej rrënojave të dikurshme perandorake… Mallkuar qoftë në jetë të jetëve ish regjimi komunist!…

Në këtë periudhë që po jetojmë ka ardhur koha që të zgjidhen padrejtësitë që thuri Europa kundër Shqipërisë. Mendo, janë derdhur lumenj gjaku dhe problemi ynë kombëtar ende s’ka marrë zgjidhje. Përsëri presim nga Europa dhe diplomacitë perëndimore që të zgjidhin problemin tonë, problem që çdo ditë bëhet më i mprehtë nga rrethanat dhe zhvillimet e ngjarjeve në botë…

Libri “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, i autorit Rasim Bebo, u bën jehonë pikërisht këtyre problemeve që kanë shqetësuar e vazhdojnë të shqetësojnë trevat shqiptare. Është një libër i ndërtuar me materiale të botuara më parë në shtypin shqiptar dhe të diasporës dhe trajton problemin e etnisë shqiptare. Autori i librit për të gjitha materialet ruan autorësinë dhe për materialet origjinale ruan referencat.

Pjesën më të madhe të materialeve të librit, profesor Rasim Bebo i ka përpunuar në mënyrë krijuese, aq sa i ka bërë më të prekshme për lexuesin. Duke qenë çam, nga Konispoli, ai ka patur rastin dhe fatin të takojë muhaxhirë çamë, që i shpëtuan thikës dhe plumbit grek, dëshmitarë okularë të masakrës më çnjerëzore që pësoi krahu jugor shqiptar…

Libri ka skena sa të bukura nga lashtësia, aq dhe rrënqethëse të kohëve moderne në Ballkanin e përgjakur e të gjymtuar nga dyndjet barbare, në Ballkanin e copëtuar në dëm të Shqipërisë.

Historia e shqiptarëve dhe e grekëve ka qenë sa tragjike aq dhe e fshehtë për Europën. Urretja shovene greke e ngritur në politikë, qeveri dhe institucione të tjera, e bekuar dhe nga kisha ortodokse, sot më tepër se kurrë ndërton rrugë dhe forma të reja për të shprehur dhe realizuar synimet e saj aneksioniste. Të ulur në mes të Tiranës, zotër të një pjese të ekonomisë sonë, pjesëtarë në pushtetin politik, përfaqësuesit e lobit famëkeq grek vazhdojnë të sundojnë shqiptarët në dy drejtime: shfrytëzimi i rezervave të brendshme të ekonomisë shqiptare për interesat e Athinës dhe keqtrajtimi i më se gjatëqindmijë emigrantëve shqiptarë aktivë në Greqi, duke i konsideruar si qytetarë të dorës së dytë, provë tjetër kjo sesi e përdor si armë politika shovene greke urrejtjen ndaj shqiptarëve.

Lojrat e qeverisë greke mbi gjendjen e luftës me Shqipërinë, politika e Vorio-Epirit apo deklaratat se rruga e Shqipërisë për në Europë kalon nëpër Athinë, janë vazhdimi i melodramës më të rrezikshme që po luajnë aktorët grekë në skenën shqiptare. Duke gjetur një truall të mbarë, të përgatitur nga grupe të caktuara me influenca djallëzore, politika greke përmjerr hundëve të pushtetarëve shqiptarë.

Megjithatë kanë kaluar kohët që dinakëria greke u rrëshqiste fqinjëve nën rrogoz, pasi u kishte helmuar gjellën në zjarr. Popujt janë zgjuar. Edhe populli shqiptar, i cili për vet natyrën e tij të pamposhtshme, për vet aftësitë që ka zhvilluar për të mbijetuar në përplasjet e panumërta me dyndjet barbare të atyre që s’ia kanë dashur kurrë të mirën, do të ngrihet e do të dijë si të mbrohet nga invazionet moderne të armiqve tradicionalë, pavarësisht nga politikat servile të qeverive dhe diplomacisë shqiptare.

Krimet greke ndaj shqiptarëve janë dokumentuar nga tërë ata që mundën t’i shpëtojnë genocidit. Këto krime janë përshkruar dhe i janë bërë të njohura opinionit botëror edhe nga pena me peshë e autoritet e shumë studiueseve të kësaj çështjeje. Greku po e ndien se çështja çame po rritet dhe po shkon drejt zgjidhjes. Çamëria e përgjakur, e torturuar dhe e harruar po troket dyerve të Europës dhe të diplomacive perëndimore, ndaj çdo ditë që kalon ata bëhen më agresivë e më të rafinuar ndaj shqiptarëve.

Për fat të keq problemi çam ende nuk e ka përkrahjen e shtetit dhe diplomacisë shqiptare, ndaj mbetet të ndiqet një rrugë më e vështirë, por e realizueshme: Rruga e ndërgjegjësimit të politikës Amerikane. Popullit çam gjithmonë i kanë rënë në pjesë humbjet, tradhëtitë dhe pabesitë në të dy krahët. Prandaj djemtë e Çamërisë, tashmë të shkolluar e të kulturuar, me ekonomi disi më të mirë, duhet të mësojnë të lëvizin vetë për të përballuar sfidat e së ardhmes, siç i përballuan edhe djemtë e Kosovës. Pra duhet të organizohen dhe të drejtojnë vetë fatet e Çamërisë. Toka e tyre më e vjetër se ullinjtë, më e vjetër se dhe vetë historia e njerëzimit, ka folur shqip dhe duhet të flasë shqip!

Tirana komuniste qëndron në atë instikam që kanë qendruar paraardhësit e tyre. Prej këtij qendrimi mohues ngrihet nga varri Isa Boletini e Mic Sokoli, brof i tmerruar Adem Jashari, turpërohet dhe ul kokën Ismail Qemali, ndërsa në mërgim pena trime e Agim Shehut s’pushon së thëni të vërtetën me aq patriotizëm dhe dashuri kombëtare sa të tërheq të rreshtohesh përbri tij. Po kështu edhe qendrimi i Shoqërisë “Vatra” është po ai i Konicës dhe i Nolit, paçka se kërkojnë ta turbullojnë ca rrjedha të nëndheshme të fëlliqura. Vatranët janë vazhdues të denjë të plejadës së tyre. Duhet t’i kemi përkrah në çështjen tonë kombëtare…

Mendoj se libri “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, i autorit Rasim Bebo, është kompletuar me materiale që përfshijnë të gjitha etapat historike, kryesisht të shekullit të fundit. Ky studiues e ka thënë tanimë denjësisht fjalën e vet. Megjithatë koha evolon, brezat e rinj do të sjellin prurje të reja, për ta pasuruar dhe pasqyruar edhe më tej dhe në mënyrë më të plotë historinë shqiptare dhe të krahinave të saj, Kosovës e Çamërisë.

Studiuesi Rasim Bebo, me gjak shqiptar, patriot i kudondodhur, pavarësisht nga rrethanat e jetës së tij, me guxim e durim, me ndershmëri e dinjitet, me besë e urtësi, me përpjekje e sinqeritet, me sakrificë e dashuri, del ballëlartë para detyrës, si bir besnik i Çamërisë martire.

Duke lexuar këtë libër kupton se studiuesi Rasim Bebo është i pajisur me një kulturë të përgjithshme e profesionale dhe është njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja që në rini. Mbledhja, përzgjedhja dhe përpunimi i tërë këtij materiali të rrallë e tepër të vlefshëm prej tij, është një punë që meriton të lavdërohet dhe që më tepër do e çmojnë lexuesit.

Çdo libër ka një peshë të caktuar specifike (nëse mund ta quajmë kështu), me të cilën ndikon në periudhën kur ngjizet dhe së cilës i shërben. Edhe libri “Dodona, Tempulli i Lashtë i Shqipërisë”, botim dokumentaro-historik, mozaik me fakte sa të larmishme aq dhe të dhimbshme, sa i vërtetë aq i dashur, plotëson atë boshllëk që ka literatura dokumentare e Krahut Jugor të Atdheut, Çamërisë martire.

Dalan Luzaj


********

NË SHTIGJE PAK TË SHKELURA TË ETNOGJENEZËS SË SHQIPTARËVE

(Mendime për librin me vlera historike "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë"të autorit Rasim Bebo)


Problemi i etnogjenezës së popullit tonë ka qenë dhe mbetet një çështje e rëndësishme mes çështjeve të mëdha që janë objekt studimi i historiografisë shqiptare. Plot diskutime e debate janë zhvilluar e zhvillohen edhe sot për të gjetur e vërtetuar shkencërisht se nga e ka prejardhjen populli ynë që nga studiuesit konsiderohet si një nga popujt më të lashtë, në mos më i lashti, i Ballkanit. Fatkeqësisht, në arkivat shqiptare mungojnë dokumentet që pa dyshim kanë humbur në vorbullën e shekujve e të mijëvjeçarëve.

Dihet gjendja e sotme politike e shoqërore në Shqipëri ku shkenca, kultura e arti po kalojnë një krizë, dhe problemi madhor i etnogjenezës nuk e ka atë interesim që lipsej prej shkencëtarëve dhe studiuesve shqiptarë, por që, në mënyrë paradoksale, ka zgjuar edhe më tepër interesimin dhe kureshtjen e studiuesve të huaj.

I parë në këtë kuadër, libri "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë" i studiuesit të vjetër në moshë e profesion, Rasim Bebos, sjell një ndihmesë me vlerë lidhur me prejardhjen e shqiptarëve, por njëkohësisht, u shpalos grekëve, fqinjëve tanë jugorë, historisë së tyre, se cili ka qenë modeli i vërtetë i shqiptarit apo i arvanitit, siç na quajnë ata, ç’lashtësi ka pasur ky popull që, në një kuptim, ua kalon edhe lashtësisë së tyre, duke edukuar kështu te brezat e rinj të popullit tonë ndjenjën e krenarisë kombëtare, dinjitetit, të mospëruljes e nënshtrimit ndj grekëve, në trojet e të cilëve sot punojnë rreth 600 mijë emigrantë e ku, mbi të gjitha, gjendet një "krah shqiponje i thyer", krahina e Çamërisë me pasuritë e panumërta të saj. Studiuesi i njohur arvanitas, i cili ka qenë për disa vite rresht kryetar i "Lidhjes Arvanite të Greqisë", shkruan: "Greku përpara se të kthehej në grek ishte arbanit, domethënë pellazg. Gjuha jonë arbanishtja është më e hershmja e gjuhës së lashtë greke, që i thonë gjuha homerike. (Aristidh P.Koljas "Proklamata", Botimet "Dritero", f.40, Tiranë).

Titulli simbolik i librit të Rasim Bebos sqarohet që në fillim: "Tempulli i Lashtë i Dodonës ndodhet në jug të Janinës, 22 km, në luginën midis malit Tomaro dhe Monalisë. Data parahistorike tregon se ky vend qe pagëzuar si Zot i Tokës. Aty shkonin klerikët pellazgë të Çamërisë dhe kryenin detyrat e tyre fetare te perandoria e Diellit – Zeusi.
Ky kult është sjellë në Dodonë nga Selloi i fisit thesprot (çam) midis shekujve 19-14 p.e.s. Klerikët e asaj kohe kishin si detyrë të lajmëronin popullin që jetonte rrëzë malit me një çangë, së cilës i binin shumë herë për të lajmëruar të gjithë banorët se doli dielli.

Thuhet se nga të rrahurat ritmike të çangës "don, don don..." edhe liturgjia mori emrin Dodonë".
Duke u mbështetur kështu në tezën e njohur të prejardhjes pellazge të popujve që jetojnë sot në trojet e Ballkanit e më gjerë, Rasim Bebua nis analizën në shkrimet e tij për të vërtetuar autencitetin e kësaj teze, e cila tanimë ka marrë përhapje të gjerë. Sipas Herodotit, Dodona ishte orakulli më i lashtë në Pellazgji. Kjo e dhënë fort e rëndësishme i shërben autorit më pas që në shkrimet e tij të përmbledhura në këtë libër, duke shfrytëzuar edhe një literaturë të gjerë e të pasur nga plot hulumtues e studiues shqiptarë e të huaj, të arrijë në përfundimin e spikatur se shqiptarët, pasardhës të ilirëve, që kanë pasur rrënjët te populli i moçëm pellazg, të jenë stërnipërit më të lashtë të banorëve të Ballkanit.

Në të vërtetë libri i Rasim Bebos përmbledh një sërë shkrimesh e artikujsh të veçantë, shumë prej të cilave autori i ka botuar në shtypin periodik. E, megjithëkëtë, ky material i bollshëm është renditur në libër sipas një boshti të gjetur kompozicional, i cili ka lënë shteg që shkrimet e artikujt të kenë midis tyre një lloj lidhjeje.

Pas një vlerësimi të veprës të titulluar "Libër i një moshe me autorin", shkruar me dashamirësi nga Dalan Luzaj, banues sot në Çikago të SHBA-së, kapitulli i parë i veprës së Rasim Bebos me titull "Dodona" shtjellon gjerësisht, përmes citimesh e referencash të shumta, historinë e tempullit të lashtë të Dodonës. Në këtë kapitull, në bazë të të dhënave të shumta historike, autori Rasim Bebo i jep përgjigje pyetjes "Po grekët? Nga erdhën ata?. Rreth vitit 2000 para erës sonë një popull i paqytetëruar greqishtfolës depërtoi ngadalë nga stepat ruse në drejtim të jugut, duke kaluar përmes Danubit në Gadishullin Ballkanik, së bashku me kopetë e tufat e bagëtive. Rreth vitit 1500 p.e.s. deri në vitin 1100 të sapoardhurit zunë të përhapeshin në hapësirën jugore të gadishullit".

Më pas, në kapitullin e dytë të librit, kapitull që titullohet "Shqiponja", Rasim Bebua, pas një analize të gjatë, mbështetur në të dhëna e dokumente të shumë studiuesve, arrin në përfundimin, edhe sipas Homerit, se "Shqiponja e murrme zeshkane e Zeusit pellazgjik të Dodonës së Epirit ishte shpendi më i dashur, korrieri lajmëtar dhe shoqëruesi i përhershëm i Zeusit Pellazgjik, i cili ishte Perëndia e Diellit në Dodonën e lashtë pellazgjike të Epirit që quhej Pellazgjia"" (Shih edhe Herodotin 2:56; Eskil 658-62, Dodona, fshati i sotëm Kastrica disa këmbë pranë Janinës).

Me interes të veçantë në libër është analiza që i bën studiuesi Rasim Bebo librit të Zaharia Majamit "Etruskët zunë të flasin". Duke shfrytëzuar të dhëna historike e gjuhësore, në këtë syth të librit, arrihet në përfundimin se etruskët dikur flisnin një gjuhë të ngjashme me shqipen. Më pas për të vërtetuar tezën e tij të prejardhjes pellazge të popujve të Ballkanit, Rasim Bebua i referohet edhe librit "Enigma", në shtatë vëllime të studiuesit francez Roberto d’Angelit. Njëkohësisht Rasim Bebo i referohet edhe librit "Shqiptarët" të George Fred Williams. Për këta libra historikë me vlerë, në veprën e tij voluminoze, autori bën nga një përshkrim të shkurtër, duke u ndalur në ato të dhëna historike që janë në dobi të tezës së prejardhjes pellazge të popujve të sotëm të Ballkanit.

Mjaft interesant është edhe kapitulli i tretë i librit, kapitull që titullohet "Mbi ekspeditën e Aleksandrit të Madh". Të tërheq vëmendjen fakti në këtë kapitull kur autori thotë: "Olimpia, nëna e Aleksandrit ishte epirote, pra gjuha e nënës së Aleksandrit ishte gjuha shqipe. Në librin "Enigma" autori i tij këmbëngul në atë që fjala "epiriot" do të thotë shqiptar e aspak "helen", "Epiriotika lingua" gjithnjë kuptohet "Gjuha shqiptare" dhe kurrë "Ellonikn lingua". Mbreti Filip i Maqedonisë, babai i Aleksandrit kishte lindur në Argos (vend pellazg) në kufi me Epirin. (Aleksandri i Madh f.14. G.Radot 1931) Aleksandri i Madh, me origjinë shqiptare dhe helene, në sajë të edukimit në gjuhën greke, i ndoqi studimet nga Aristoteli, një shqiptar nga qyteti Stagire. Përmes gjuhës të nënës, epirote apo shqiptare, Aleksandri u jepte kurajë dhe komandonte gjeneralët e tij gjatë ekspeditës së tij ushtarake. Me këtë gjuhë ai u fliste shokëve e ushtarëve të ushtrisë së tij të jashtëzakonshme, gjuhë që kuptohej nga të gjithë. Shumica e popullatës ishte pashkollë dhe greqishtja moderne ishte e panjohur, sepse ajo filloi të formohej mbi dhjetë shekuj më vonë." (Salang d’Angeli, përktheu L.Rama).

Më tej autori i librit i bën një përshkrim të spikatur edhe komandantit e prijësit legjendar Pirros së Epirit. Portreti i Pirros së Epirit – thotë ai – në emblemën e shoqatës çame, është simbol për respektin e të parëve nga paraardhësit e tij thesprotë – çamë të truallit ilir. Sipas E.Jasques në veprën e tij "Shqiptarët", f.14 "Shqiptarët, një popullsi dhjetëmijëvjeçare, janë pasardhës të pellazgeve parahistorikë dhe të stërgjyshërve më të afërt ilirë".

Për ta shtjelluar më thellë tezën e mësipërme, autori e titullon kapitullin e katërt të librit të tij "Cilët janë shqiptarët?". Duke iu referuar shumë autorëve e studiuesve shqiptarë dhe të huaj, i bën një përshkrim të hollësishëm Despotatit të Epirit dhe evidenton figura të tilla historike si kryezotin çam Gjin Bua Shpata, Mërkur Bua etj.

Kapitulli tjetër i librit që titullohet "Shqiptarët në Ballkan" merret me historinë dhe kuadrin e vendosjes së këtij populli në Ballkan si pasardhës i ilirëve e i pellazgëve të vjetër. Ndërsa për arvanitët Rasim Bebua i referohet historianit A.Llalla që thotë: "Arvanitët e Greqisë nuk janë ardhës, nuk janë minoritet. Ata ishin dhe janë akoma në Greqi. Valë të mëdha të arbërorëve në drejtim të Greqisë që ka patur në shek. 4-7 dhe 14 që njohim ne nga disa historianë, nuk janë tjetër veçse shpërnguljet e disa principatave të arbërorëve të veriut në drejtim të jugut për arsye të pushtimeve të tokave të tyre në veri të Arbanasit nga sllavët e më vonë nga osmanët turq.

Arbanët ose arvanitasit që lanë tokat e tyre në veri të Arbërisë, si në Slloveni, Kroaci, deri në fushën e Kosovës, kur zbritën në drejtim të Greqisë së sotme, nuk u pritën me luftë nga popullsia e atjeshme, gjë që tregon se ata zbritën nga veriu në jug te vëllezërit e tyre të atjeshëm arbanitë (arvanitë) që jetonin në trojet e tyre mijëvjeçare."

Në libër autori nuk rri pa përmendur dhe disa veçori karakteristike të kombit shqiptar si toleranca fetare, besa, mikpritja etj. Portrete të skicuara me viza të gjetura ai u bën edhe kapedanëve që i quan abëreshë si Teodor Kollokotronit, Laskarina Bubulinës, Kostandin Kanarit, Andrea Miaulit, Llambro Xhavellës, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Odhise Andrucios, Dhimitër Palputës, Teodor Grivës, Athanas Shkurtaniotit, Nikolla Kryezotit, Gjon Kapodistrias, Haxhi Mehmet Dalianit.

Autori i librit "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë", duke qenë me origjinë çame, në vazhdim të veprës një kapitull më vete "Çamët" ia kushton popullsisë çame, që padrejtësisht ka mbetur matanë kufijve të Shqipërisë. Në një syth të veçantë të këtij kapitulli rrëfehet me nota të gjalla jeta dhe bëmat e famshme të njërit prej luftëtarëve më të njohur në historinë tonë, Ali Pashë Tepelenës. Në këtë syth, ndër të tjera, përshkruhet edhe krahina e Sulit dhe familja e njohur e Boçarëve. Më tej studiuesi Rasim Bebo shpalos në libër konsideratat për shqiptarët nga George Fred Williams.

Pasi bëhen disa vlerësime për arbëreshët e Italisë, për disa veçori të popullsisë çame si për vallen çame dhe fustanellën, për burrërinë dhe besnikërinë çame në veprën "Erveheja", në kapitullin vazhdues portretizohet një figurë e njohur me origjinë shqiptare, Dora D’Istria ose Elena Gjika. Një portretizim i tillë i bëhet në libër, në kapitullin e shtatë, edhe një figure tjetër të njohur me origjinë çame, Abedin Pashë Prevezës.

Libri i Rasim Bebos vazhdon me një shkrim të gjatë që i kushtohet njërit prej bijve më të shquar e të lavdishëm të Çamërisë, shkrimtarit dhe poetit tejet të talentuar, disidentit të njohur Bilal Xhaferri. Dihet mirëfilli ndihmesa e këtij personaliteti dhe i revistës "Krahu i shqiponjës" që themeloi në mërgim, në SHBA, në dobi të çështjes shqiptare, duke luftuar dhe demaskuar komunizmin, i cili arriti të persekutojë mizorisht popullin shqiptar për dhjetëra vite me radhë, duke eliminuar midis të tjerëve edhe plot nga bijtë më të mirë të Çamërisë si Hilmi Seitin, Teme Sejkon, Tahir Demin, Jonuz Purizon, Taho Sejkon etj.

Në libër portretizohen edhe figura të tjera historike me origjinë çame.

Siç shihet edhe nga kjo parathënie e librit, historiani Rasim Bebo është përpjekur që veprës së tij t’i krijojë një strukturë kompozicionale, një lloj boshti kompozicional, që shkrimet e artikujt e librit të krijojnë një vazhdimësi nga vitet e lashtësisë e deri në ditët tona. Gjithsesi, në këtë vepër është vënë në fokus argumentimi me burime të shumta e të llojllojshme historike, nga studiues e historianë shqiptarë e të huaj, i tezës së prejardhjes së popujve të Ballkanit nga një popull fort i moçëm, parahistorik, pellazgët, të cilët janë dyndur e kanë zënë këto troje të paktën dhjetëmijë vjet më parë. Kjo tezë edhe sot është në qendër të debatit shkencor historik. Por ajo që ia vlen të theksohet është se, në të shumtën e herës, historiografia e sotme greke jo vetëm që nuk i pranon këto përfundime shkencore lidhur me tezën e prejardhjes pellazge, por përpiqet t’i interpretojë në mënyrë të gabuar, e, aq më tepër, t’i fshehë sa mundet ato. Megjithëkëtë, siç shprehet edhe studiuesi i talentuar Aristidh P.Koljas. (Aristidh P.Koljas – Proklamata, Botimet Dritëro, f. 67, Tiranë). "Shumë historianë grekë e të huaj kanë shfaqur pikëpamjen se shqiptarët përbëjnë përfaqësimin në shkallën më të lartë të pellazgëve të tejlashtë, prej të cilëve rrjedh edhe origjina e grekëve të lashtë".

Duke mbyllur këto shënime shpreh besimin se libri "Dodona, tempulli i lashtë i Shqipërisë" me vlera historike dhe atdhetare do të lexohet me kërshëri e interes nga lexuesit, të cilët do të përfitojnë mjaft prej tij e do të zgjerojnë dijet lidhur me etnogjenezën e shqiptarëve.

Sokol Jakova


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...