Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/10/15

101 romanet që çdokush duhet t’i lexojë absolutisht të paktën një herë në jet

100 romanet që çdokush duhet t’i lexojë absolutisht të paktën një herë në jetë
Novelat më të mira të të gjitha kohërave, nga ato të Marsel Proust deri tek “Mes Marsi” i George Eliot
Të lexosh të bën mirë. Dhe kjo nuk diskutohet. Por çfarë të lexosh? Klasikë? Best seller? Libra historikë? Nuk mjafton një jetë për të lexuar të gjithë librat që janë në botë.
Dhe për këtë iu vjen në ndihmë gazeta prestigjioze britanike “Telegraph”, e cila ka listuar 100 romanet që duhet të paktën absolutisht të lexohen njëherë në jetë.
101."Vrasësit e Liridoneve"nga Flori Bruqi
100. “Kryezoti i Unazave” nga JRR Tolkein
Auden mendoi se kjo përrallë me krijesa fantastike që kërkonin për stolitë e humbura do të ishte një ‘kryevepër’.
99. “Të vrasësh zogun përqeshës” nga Haper Lee
Këndvështrimi i një fëmije për paragjykimet raciale në Alabamën e viteve 30’.
98. “Shtëpia dhe Bota” nga Rabindranath Tagore
Një fisnik i pasur nga Bengali jeton i lumtur derisa shpërthen një revolucion radikal
97. “Rruga e Hitchhiker në Galaksi” nga Douglas Adams
Toka po shkatërrohet në zbulim të një rruge të re në hapësirë. Nuk duhet t’ju zërë paniku.
96. “Një mijë e një net”, anonim
Nusja e re e një mbreti persian tregon përralla për ngadalësimin e melankolisë pas aktit seksual.
95. “Zhgënjimet e të riut Werther” nga Johan Volfgang von Gëte
Werther e dashuron Sharlotën, por ajo është e fejuar.
94. “Fëmijët e mesnatës” nga Salman Rushdie
Fëmijët e hinduve të varfër dhe myslimanëve të pasur shkëmbehen në lindje.
93. “Kallajxhiu, rrobaqepësi, ushtari, spiuni” nga John le Carre
Ninullat e fëmijëve zbulojnë emrat e koduar të spiunëve britanikë të dyshuar për tradhëti.
92. “Ferma e Ftohtë” nga Stella Gibbons
Satira komike e romancave rurale. Diçka ‘e keqe’ vihet re në raftin e druve.
91. “Përralla e Genjit” nga Lady Murasaki
Jeta dhe dashuritë e djalit të një perandori. Dhe ndoshta novela e parë botërore.
90. “Nën rrjetë” nga Iris Murdoch
Marrëdhënia e një pseudo-shkrimtari dhe një ylli filmash. Kombinim i komedisë dhe filozofisë.
89. “Blloku i artë i shënimeve” nga Doris Lessing
Lessing e konsideron komunizmin dhe lirinë e femrave në atë që Margaret Drabble e quan “hapërisa e brëndshme fiksionale”.
88. “Eugjen Onjegini” nga Aleksandër Pushkin
Pasion, poezi dhe pistoleta në këtë roman dashurie
87. “Në rrugë” nga Jack Kerouac
Gjenerata e djemve që kanë si qëllim “të digjen” si qirinj të bukur të verdhë romanesh.
86. “Xha Gorioi” nga Honore de Balzak
Një dozë zhgënjyese e realitetit. Anti-heroi u bë një legjendë në ngjitjen e pamëshirshme të shkallës së shoqërore.
85. “E kuqja dhe e zeza” nga Stendhal
Heroi që lufton kundër materializmit dhe hipokrizisë së shoqërisë franceze nëpërmjet qëndresës
84. “Tre musketjerët” nga Aleksandër Dumas
“Një për të gjithë e të gjithë për një” : motoja e tre luftëtarëve të njohur
83. “Germinal” nga Emile Zola
E shkruar për të arritur ndryshimin shoqëror, “Germinal” dokumenton urinë e minatorëve francezë.
82. “I huaji” nga Albert Kamy
Francezi që vrau një shok arab në Algjeri dhe pranoi indiferencën e botës.
81. “Emri i trëndafilit” nga Umberto Eko
Nxjerrja në dritë e një vrasjeje në një manastir italian të shekullit 14.
80. “Oskar dhe Lusinda” nga Peter Carey
Një trashëgimtare australiane vë bast me një prift anglikan se nuk mund ta lëvizë xhamin e kishës për 400 km.
79. “Deti i gjerë i Sargasos” nga Jean Rhys
Zëri human drejt gruas së çmendur në papafingo
78. “Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave” nga Levis Carroll
Logjika e Carroll-it bën të mundur besimin në 6 gjëra të pamundura përpara mëngjesit.
77. “Kapja-22” nga Joseph Heller
Yossarian ndjen një impuls prej vrasësi për armët e të huajve
76. “Procesi” nga Franc Kafka
Jozef K deklaron se është i pafajshëm kur papritur arrestohet. Por”I pafajshëm për çfarë”?
75. “Cider me Rozin” nga Laurie Lee (Cider*-pije alkoolike me limon)
‘Pijet e fshehta’ të protagonistit ndodhen në një kamionçinë
74. “Në pritje të Mahatmas” nga RK Narayan
Komedia e butë në të cilën një indian i inspiruar nga Gandi shndërrohet në një ekstremist anti-britanik.
73. “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” nga Erik Maria Remark
Horrori i Luftës së Madhe e parë nga një ushtar adoleshent
72. “Darkë në restorantin e vendlindjes” nga Anne Tyler
Prindërit që ndikojnë në mënyra të ndryshme tek tre fëmijët e tyre.
71. “Ëndrra e dhomës së kuqe” nga Cao Xueqin
Depërtimi i thellë në shoqërinë kineze të shekullit 18.
70. “Leopardi” nga Xhuzepe Tomazi di Lameduza
Këmishëkuqtë e Garibaldit ndërhyjnë në Siçili për të rrëzuar fisnikërinë.
69. “Nëse në një natë dimri një udhëtar” nga Italo Calvino
Mashtrimi ndërkombëtar i librit që u ekspozua në periudhën postmodreniste.
68. “Përplasja” nga JG Ballard
Ish-shkencëtari i televizionit që predikoi “një sektualitet të ri, të lindur nga një teknologji perverse.
67. “Një hark në lumë” nga VS Naipaul
Indiano-afrikani lindor udhëton në zemër të Afrikës dhe arrin në përfundimin se bota është ajo që është.
66. “Krim dhe ndëshkim” nga Fjodor Dostojevski
Djali që takohet me fajdexhiun. Djali vret fajdexhiun me një sëpatë. Faji, avaria, Siberia, shpengimi
65. “Dr Zhivago” nga Boris Pasternak
Idealizmi romantik i doktorit të ri që u shkel nga mizoritë e Revolucionit Rus.
64. “Triologjia e Kairos” nga Naguib Mahfouz
Ndjek tre breza të jetës në Kairo nga Lufta e Parë Botërore deri në vitin 1952.
63. “Rasti i çuditshëm i Dr Xhekill dhe Z. Hyde” nga Robert Louis Stevenson
“Përralla me lugatë” i doli Stevenson-it në ëndërr.
62. “Udhëtimet e Guliverit” nga Jonathan Swift
Satira e Sëift-it rreth përrallave të udhëtuesve
61. “Emri im është e kuqja” nga Orhan Pamuk
Një piktor vritet në Stamboll në vitin 1591.
60. “Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel Garsia Markez
Miti dhe realiteti shkrihen në mënyrë magjike sëbashku në sagën e familjes kolumbiane.
59. “Fushat e Londrës” nga Martin Amis
Një novelist i dështuar vjedh ditarin e një gruaje që po komploton vetëvrasjen.
58. “Detektivët e egër” nga Roberto Bolano
Bandat e poetëve amerikano-jugorë udhëtojnë nëpër botë, flenë kudo dhe sfidojnë kritikat me duele.
57. “Loja e perlave prej qelqi” nga Herman Hesse
Intelektualët tërhiqen nga jeta e tyre për të luajtur një lojë me rregulla matematikore dhe muzikore.
56. “Daullja e llamarintë” nga Gunter Grass
Kujtimet e një shtëpie gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tekst kyç nga realizmi magjik europian.
55. “Austerlitz” nga WG Sebald
Novela në të cilën një historian i lindur në Çeki rikujton historinë e tij gjatë Holokaustit.
54. “Lolita” nga Vladimir Nabokov
Obsesioni seksual i profesorit me një vajzë adoleshente komplikohet nga pasioni që mamaja e vajzës ka për profesorin.
53. “Përralla e bërë me duar” nga Margaret Atwood
Pasi lufta nukleare i la shumë femra sterile, ato pjellore u skllavëruan për lindje.
52. “Gjahtari në thekërishte” nga JD Salinger
Pasi u përjashtua nga shkolla parapërgatitore, adoleshenti antagonist has shumë pengesa në jetë.
51. “Bota e krimit të organizuar” nga Don DeLillo
Nga bejsbolli në mbeturina nukleare, jeta e vonshme amerikane e shekullit 20.
50. “I dashur” nga Toni Morrison
Udhëtimi deri në skutat më të errëta të skllavërisë amerikane
49. “Vilet e zemërimit” nga John Steinbeck
Kërkimi i dinjitetit dhe pagave pas shpërthimit të Depresionit të Madh.
48. “Thuaji malit” nga James Baldwin
Eksploron rolin e Kishës Kristiane në komunitetin afrikano-amerikan.
47. “Lehtësia e padurueshme e të qënit” nga Milan Kundera
Pabesitë e një doktori që stresojnë bashkëshorten e tij. Por nëse jeta nuk ka kuptim, atëherë kjo është e parëndësishme.
46. “Rinia e zonjushë Zhan Brodi” nga Muriel Spark
Një mësuese që tradhëtohet nga nxënësi i saj i preferuar, i cili bëhet murg.
45. “The voyeur” nga Alain Robbe-Grillet
Ishte shitësi ai që e vrau vajzën në plazh. Megjithatë, kush e pa?
44. “Neveria” nga Zhan Pol Sartri
Një historian sëmuret rëndë nga ekzistenca e tij, por vazhdon të jetojë.
43. “Lepuri” nga John Updike
Një ish-yll i basketbollit të shkollave është i pakënaqur me martesën, rolin e babait dhe punës së tij.
42. “Aventurat e Hakëlbërri Fin” nga Mark Tuein
Një djalë dhe një i arratisur largohen drejt Misisipit.
41. “The hound of the Baskervilles” nga Arthur Conan Doyle (Hound* – lloj qeni)
Një i varur nga droga ndjek një qen fantazëm nëpër këneta gjatë mesnatës
40. “Shtëpia e Mirth” nga Edith Wharton
Lily Bart preferon luksin përpara martesës për dashuri. Skandalet e shumta pasojnë
39. “Gjërat thyhen” nga Chinua Achebe
Një udhëheqës lokal ferme në Nigeri tronditet nga vdekja aksidentale dhe arritja e një misionari.
38. “Getsbi i Madh”, nga F. Skot Fixherald
Dashuria e një misteriozi milioner për një grua e fut atë në telashe.
37. “Kujdestari” nga Anthony Trolliope
“Nga të gjithë novelistët në vend, Trollope e kupton më mirë rolin e parasë,” thotë Auden.
36. “Të mjerët” nga Viktor Hygo
Lufta e një ish-të dënuari për të mirën, përfundon keq.
35. “Xhimi fatlum” nga Kingsley Amis
Një pedagog i paangazhuar i historisë përleshet me shefin e tij pompoz.
34. “Gjumi i madh” nga Raymond Chandler
“Burrat e vdekur janë më të rëndë se zemrat e thyera” në këtë vepër kriminale
33. “Clarissa” nga Samuel Richardson
Aventura e heroinës me shefin e shtëpisë publike Robert Lovelace
32. “Vallëzim me muzikën e kohës” nga Anthony Powell
Saga me dymbëdhjetë libra, ku personazhi kryesor vesh “llojin e gabuar të xhaketës”
31. “Suite Francaise” nga Irene Nemirovsky
E publikuar 60 vjet pasi autorja kishte vdekur, këto dy novela paraqesin jetën në qytetin dhe fshatin francez të pushtuar nga nazistët.
30. “Shlyerja” nga Ian McEvan
Fut shkronjën “c” në novelën e qytetit klasik anglez
29. “Jeta: një përdorim manual” nga Georges Perec
Ekuacioni i jetës në apartamentet pariziene. Edhe e dhomave bosh
28. “Tom Jones” nga Henry Fielding
Përvoja e punës si rrobaqepës e një djali përpara se të martohej me vajzën fqinje.
27. “Frankenshtajn” nga Mary Shelley
Përpjekjet e njeriut për t’u tallur me mekanizmin perfekt të Krijuesit të Botës kanë pasoja tragjike.
26. “Cranford” nga Elizabeth Gaskell
Fshatarët e veriut kundër ndryshimeve sociale që shoqërojnë revolucionin industrial
25. “Guri i Hënës” nga Wilkie Collins
Një nga novelat detektive moderne angleze më të mira e më të gjata.
24. “Uliksi” nga Xhejms Xhojs
Kryevepra moderniste që përsërit Homerin me humor. Përmban një nga fjalitë më të gjatë të letërsisë angleze. 4,391 fjalë.
23. “Zonja Bovari” nga Gustav Flobert
Gënjeshtrat e një marrëdhënieje dashurore e çojnë një doktor provincial drejt agonisë.
22. “Një udhëtim në Indi” nga EM Forster
Një akuzë false ekspozon shtypjen raciste të rendit britanik në Indi
21. “1984” nga Xhorxh Oruell
Ku ka ndikim më të keq Big-Brother se tek serialet televizive që ka inspiruar?
20. “Tristram Shandy” nga Laurence Sterne
Samuel Johnson besonte se novela eksperimentale ishte shumë e çuditshme për t’u zgjatur më tej
19. “Lufta e Botëve” nga HG Wells
Tregimi i pushtuesve gjakpirës marsianë
18. “Scoop” nga Evelyn Waugh
Waugh e bazoi novelën mbi reporterin e vogël të pashpresë gjatë farsës gazetareske me ish-botuesin e Telegraph Bill Deede.
17. “Tesi i d’Erbërvilëve” nga Thomas Hardy
Standardet seksuale të dyfishta mbahen ‘të ftohta’ në këtë tragjedi rurale
16. “Brighton Rock” nga Graham Greene
Novela është një triller kriminal në Brigtonin e viteve 30’.
15. “Kodi i Wooster-ve” nga PF Wodehouse
Novela e tretë që flet për Bertie Wooster dhe shërbëtorin e saj Jeeves.
14. “Lartësitë e stuhishme”, Emily Bronte
Novela e Emily-t rreth dashurisë së dy të rinjve, Catherine dhe Heathcliff…dhe ndarjes së tyre.
13. “David Koperfild” nga Çarls Dikens
Borxhi dhe mashtrimi në romanin gjysmë-biografik të Dikensit.
12. “Robinson Kruzo” nga Daniel Defo
Një person që përfundon në një ishull të humbur, arrin të gjejë Zotin.
11. ”Krenari dhe paragjykim “nga Jane Austen
Çdo djalë i klasit të lartë meriton një vajzë të paragjykuar.
10 “Don Kishoti i Mançes”nga Migel de Servantes
Tregimi I aventurave te dy kalorësve që luftojnë me mullnjtë e erës.
9. ”Zonja Dalloway“ nga Virginia Woolf
Vetëvrasja e Septimus nuk e përkëdhel ndërgjegjjen e heroinës tonë
8. ”Turpi” nga JM Kortez
Një profesor anglishteje nga Afrika e Jugut humbet gjithçka pasi josh një studente.
7. “Xhejn Ejr” nga Sharlot Brontë
Pavarësisht se sa e varfër dhe e vuajtur ajo është, zoti Roçester dëshiron të martohet me të ilegalisht.
6. “Ne kërkim te kohës së humbur” nga Marsel Prust
Shtatë volume meditimi në memorie.
5. “Zemrat e errësirës” nga Jozef Konrad
“Pushtimi i botës”, tha Konrad, ”nuk është një gjë e bukur”
4. “Portreti i gruas” nga Henri Xhejms
Një trashëgimtare amerikane ne Europë “përballet me fatin” duke u martuar me një burrë egoist
3. “Ana Karenina” nga Leo Tolstoy
Kurorëshkelësja e Leo Tolstoit lindi nga mjë ëndërr aristokratike.
2. “Moby-Dick” nga Herman Melville
Kapiteni Ahab kërkon hakmarrje ndaj balenës së bardhë e cila i hëngri këmbën.
1. “Mes Marsi” nga George Eliot
“Një nga pak novelat angleze për të rritur” thotë Virxhinia Woolf

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri : I kuptoj të varfrit që mbjellin kanabis, por nuk janë “kolumbianë”

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në një deklaratë për mediat, tha sot se Shqipëria e vitit 2016 ka kultivuar 39 % më pak kanabis sesa ajo e vitit 2013.

Ndër të tjera ai pohoi se mirëkupton çdo rast të banorëve të zonave të thella që për t’i shpëtuar skamjes dhe varfërisë detyrohet të mbjell kanabis, ndërsa shtoi se nuk mund t’i quante kurrsesi “kolumbianë”.

Tahiri: I kuptoj të varfrit që mbjellin kanabis, por nuk janë “kolumbianë”

“Unë i kuptoj qytetarët e zonave më të thella të Shqipërisë, që ngasja për të luftuar varfërinë, i çon te prova për të shkelur ligjin duke mbjellë disa rrënjë kanabis. Nuk i quaj kolumbian e trafikant siç bën opozita, por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar varfrin. kuptoj qytetarët në çdo fshat e qytet, që ngasja për të luftuar papunësinë, i çon te puna e paligjshme në këtë biznes të paligjshëm. As këta nuk i quaj kolumbianë, as i quaj trafikantë, siç bën opozita. Por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar papunësinë”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm pranoi se Shqipëria ka një problem me kanabisin, por që qeveria po bën përpjekje që ta zgjidh njëherë e përgjithmonë.

“Po, e pranoj i pari, e kemi një problem me kultivimin e kanabisit në vend. Ndonëse shumë më të vogël se kur qeveriste qeveria e kaluar, siç konfirmuan partnerët ndërkombëtarë, por është përsëri një problem që duhet zgjidhur. E duhet ta zgjidhim bashkë me çdo qytetar. E në qoftë se në të kaluarën kishim një problem më të madh për të cilin askush nuk lëvizte as gishtin për ta zgjidhur, sot kemi një problem, ndonëse më të vogël, të cilin ne po e përballim, me transparencë, për ta zgjidhur në mënyrë definitive, së bashku me luftën kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër pabarazisë dhe padrejtësisë që Shqipërisë ia ulën kokën në 20 vitet e kaluara”, tha Tahiri.

Ilirët, 300 vjet në krye të Romës: Kush ishin perandorët ilirë që drejtuan botën

Ilirët, 300 vjet në krye të Romës: Kush ishin perandorët ilirë që drejtuan botën
Për rreth 3 shekuj (251–565), Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë; ishte pikërisht kjo periudhë kur fiset vandale e sllave u mbajtën larg kufijve të rajonit, i cili më pas do të quhej Ballkan.
Shumica e tyre kanë ardhur nga rajoni i Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri. Pas shekullit VI, në listën e perandorëve romake rrallë gjendet ndonjë ilir; me sa duket ilirët, nuk ishin më të favorizuarit e Romës ose e humbën fuqinë a ndikimin e tyre; kjo gjendje e krijuar përkon me vërshimin e sllavëve në trojet ilire.
A ishte ky mënjanim i ilirëve nga pushteti rastësi a konspiracion, këtë vetëm studimet mund ta tregojnë.
Trajan Decius
Në bazë të të dhënave historike, perandori i parë ilir ishte Trajan Decius. Decius (Gaius Messius Quintus Decius Augustus) ishte Perandor nga 249–251. Në vitin e fundit të mbretërimit, ai bashkëqeverisi me djalin e tij, Herenius Etruskus; të dy u vranë në betejën e Abritus (sot Razgrad, Bullgari) kundër gotëve.
Decius, lindi në vitin 201 në Budalia (Mitrovicë, Kosovë). Ai është i pari në listën e gjatë të Perandorëve romakë që do të dilnin nga Iliria. Këta quhen zakonisht perandorë ilirë sepse të gjithë kishin lindur në Iliri dhe u ngjitën në shkallën më të lartë të pushtetit, duke e filluar karrierën si ushtarë në legjionet romake të stacionuar në vendlindjen e tyre. Para se të bëhej perandor, Decius kishte qenë senator, para kësaj, prefekt i qytetit të Romës, dhe radhazi guvernator në Mezi, Gjermanikë, Spanjë. Gjatë mbretërimit të tij, Decius ndërmori disa projekte ndërtimi, si për shembull: banjat termale në Aventine (Itali), të cilat mbetën funksionale deri në shekullin XVI: historikisht, Decius njihet për kujdesin ndaj Koloseut të Romës; gjatë periudhës së tij si perandor, Koloseu, i dëmtuar rëndë nga goditjet e rrufeve, u restaurua plotësisht.
Hostiliani
Hostiliani (230–251) ishte një perandor romak në vitin 251 dhe i dyti me origjinë ilire. Hostiliani lindi në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri, djali i perandorit të ardhshëm Decius dhe bashkëshortes Herennia Cupressenia Etruscilla. Ishte vëllai më i vogël i perandorit Herennius Etruscus. Për të ndjekur gjurmët e të atit drejt fronit, Hostiliani mori trajnimet e duhura që një princ duhet të merrte, por gjithnjë qëndroi nën hijen e vëllait të tij Herennius, që gëzonte privilegjin e të qenit trashëgimtar. Në fillim të vitit 251, Decius i la fronin djalit të tij Herennius të bashkë-udhëhiqte Hostilianin. Decius and Herennius më pas bënë një kryengritje kundër mbretit Cniva të gotëve, për të ndëshkuar pushtimet e tij. Megjithatë Hostiliani mbeti në Romë për shkak të përvojës të paktë.
Klaudi i II-të
Klaudi II-të nga Iliria hipi në fron në vitin 268 në fillim e kishte nisur karrierën si ushtar i thjeshtë e më pas u bë komandanti i një ushtrie të vendosur në Pavia. Pasi u bë perandor, Klaudi u shqua në luftimet me gotët, të cilët i shpartalloi në Nish. Nga trimëria që tregoi në këtë luftë ai u quajt Klaud Gotiku. Mbretërimi i tij zgjati dy vjet derisa vdiq në tokën ilire.
Mbretërimi i Quintillus
Të dhënat për mbretërimin e Quintillus janë të pakta dhe kontradiktore. Disa thonë se mbretërimi i tij zgjati vetëm 17 ditë, ndërsa të tjerë thonë se zgjati 177 ditë. Gjithashtu ka mos dakordësi për shkakun e vdekjes së tij. Mendohet se ai mund të jetë vrarë nga vetë ushtarët e tij për disiplinën e rreptë ushtarake. Ekzistojnë dhe zërat që thonë se ai vrau veten duke prerë damarët. Megjithatë vetëm për diçka bien të gjithë dakord, për vendin e vdekjes, më Akuileia.
Quintillus që vinte nga Iliria la pas dy djem Claudius dhe Quintillus. Djali i tij i dytë me po të njëjtin emër konsiderohej i aftë. Ai ishte një kampion i vërtetë në senat.
Aurelian, “Shpëtimtari i Ilirisë”
Pas vdekjes së Quintillus në fronin perandorak hipi Aureliani, i cili kishte lindur në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme), që ishte kryeqendra e Panonisë, provincë me shtrirje mjaft të gjerë dhe e banuar nga ilirë. Aureliani në fillim kishte qenë ushtar i thjeshtë dhe më pas u bë kryekomandant i kavalerisë. Gjatë betejave të përgjakshme me armiqtë kishte dalë gjithmonë fitimtar dhe për këtë i kishin dhënë shumë tituj, por titulli më i lartë për të do të ishte “Shpëtimtari i Ilirisë”.
Aureliani në vitet e fundit të mbretërisë së tij nxori një dekret në 274 kundër të krishterëve. Shkaku i ediktit u bë një nga këshilltarët e tij Porfiri, i cili ishte themelues i neoplatonizmit. Ai shkruan një vepër me 15 volume “Kundër të Krishterëve”. Aureliani besonte në kultin e Mitrës dhe të hyjnisë së Diellit. Të gjithë shtetasit e Perandorisë Romake kanë qenë të detyruar t`i nënshtrohen këtij kulti. Meqenëse të krishterët nuk pranuan, u shpallën armiq të shtetit. Gjatë kësaj përndjekje u martirizua Papa Feliksi (269-274). Mirëpo edhe Aureliani vritet pas një komploti në vitin 175. Aureliani mbretëroi rreth pesë vjet dhe u vra gjatë marshimit të ushtrisë së tij nga Bizanti drejt Persisë.
Probi
Perandor tjetër ilir ishte Probi, i cili gjithashtu kishte lindur në Sirmium të Panonisë. Në moshën 44-vjeçare ai u bë perandor dhe mbretëroi për rreth gjashtë vjet. Probi u shqua në luftë kundër fiseve gjermane, franke e vandale duke i detyruar ata të largoheshin nga kufijtë e perandorisë. Në një ditë vere të vitit 282, ndërsa po drejtonte punimet për tharjen e kënetave në Sirmium, ushtarët u rebeluan, flakën lopatat dhe rrokën armët duke e vrarë perandorin.

Diokleciani, dëshmitari suprem i madhështisë
nicomedia_diocletian_iam3
Në vitin 285 fronin e perandorisë romake do ta zinte Diokeliciani (284-305) i cili e kishte origjinën nga fisi ilir i Diokles. Diokleciani lindi në Salona të Dalmacisë ilire më 22 dhjetor 245. Vdiq po aty më 3 dhjetor 313
Ai kishte qenë komandant i rojeve personale të perandorit të mëparshëm. Merita e Dioklicianit ishte ndarja e pushtetit perandorak në dy Augustë dhe dy Çesarë, ku çdonjëri prej tyre ishte sundimtar fuqiplotë në pjesën e perandorisë që i takonte. Diokliciani u shpall Augusti Suprem dhe si August të dytë emëroi Maksimianin, i cili gjithashtu ishte prej gjakut iliri, ndërsa dy Çesarët kishin një gradë më poshtë se Augustët. I pari ishte Konstandini me origjinë nga Dardania (e ëma e tij ishte mbesa e perandorit Klaud). Diokleciani sundoi rreth 21 vjet derisa në moshën 59-vjeçare dha dorëheqjen.
Dihet botërisht se Diokleciani si burrështetas krahasohet vetëm me Oktavian Augustin dhe konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore. Diokleciani mori pjesë gjatë gjithë periudhës së tij të sundimit në luftëra të shumta, që i kurorëzoi me fitore të bujshme, njësoj si Klaudi II, Aureliani dhe Probi. Edhe atij historia romake nuk i rezervoi asnjë humbje.
Veçanësitë:
– Dëshmitari suprem i madhështisë, njëri ndër tre perandorët që historia romaKe admiron më tepër.
– Ashtu si Augusti në fillim, edhe Diokleciani në kohën e tij, për revolucionin e thellë që i bëri organizimit shtetëror, konsiderohet si themeluesi i një perandorie të re.
– I vetmi perandor i Romës që e ka lëshuar vullnetarisht pushtetin.
– E kanë quajtur “Burri i shekullit të artë”, për të dëshmuar madhështinë e revolucionit dioklecianas të shtetit dhe shoqërisë.
 Maximianus Herculius (Maksimiani)
Mendohet të ketë lindur mes viteve 249-250 pas lindjes së Krishtit në Sirmium, pranë Mitrovicës. Marcus Aurelius Valerius Maximianus ka qenë ushtar që në vegjëli. Ai madje ka luftuar në krah të Perandorit Dioklecian, dhe ka shërbyer në ushtri gjatë mbretërimit të Aurelianit dhe Probusit. Sipas historianëve me siguri ka qenë Diokleciani që më vonë e shpalli perandor të Nikomedeias më 20 nëntor 284.
Kur perandori Diokleciani e kuptoi që perandoria ishte shumë e madhe për t’u qeverisur vetë, ai e bëri Maximianusin Çezarin e tij, dhe i ngriti deri në rangun e Augustit. Ndërkohë që Diokleciani sundonte në Lindje, Maksimianusi sundonte në Perëndim. Për t’u rritur në detyrë Maximianus merrte pjesë në aktivitete të shumta ushtarake. Pavarësisht se e pati të lehtë të pushtonte disa vende në vitin 286, e pati shumë të vështirë të përballej me galët në po të njëjtin vit.
Në çështjet politike, perandori dhe Çezari i tij ishin shumë të ndryshëm. Maximianusi ishte shumë i kursyer kur binte fjala për marrëveshjet me anëtarët e senatit romak, ndërsa marrëdhënia me fisnikët ishte mjaft e mirë. Më 1 maj 305 si Diokleciani, në Nicomedeia, ashtu edhe Maximianus Herculius, në Mediolanum, dhanë dorëheqjen. Kjo dorëheqje u bë për shkak të sëmundjes fatale që kapi Dioklecianin në fund të vitit 304. Mendohet se ka qenë vetë Diokleciani që i ka detyruar kolegët e tij të hiqnin dorë. Dorëheqja e Herculius nuk duket se zgjati shumë pasi në më pak se një vit më vonë më 28 tetor 306, djali i tij Maksentius u zgjodh perandor i Romës.
Galeri, perandori i fitoreve të bujshme
Galeri lindi në Iliri. Nuk dihet data e lindjes. Vdiq ne Serdica (Sofie) në vitin 311.
Sapo u emërua Çezar u nis në frontin e Danubit dhe gjatë viteve 294 deri në 295 korri fitore të mëdha mbi gotet. Në dy vitet që pasuan shpartalloi ushtritë e sarmantëve dhe markomanëve. Me këtë rast ndërtoi një fortesë në Aquincum (Budapesti i sotëm). Pjesa veriore e Panonisë së Poshtme u be provincë e re dhe u quajt Galeria Valeria, sipas emrit të gruas së tij. Kur persianët pushtuan provincën romake të Mesopotamisë, Galeri marshoi nëpër Armeni dhe i rrethoi, duke arritur që të pushtojë dhe kryeqytetin e tyre Ctesiphon. Ai imitoi Aleksandrin e Madh në betejën që zhvilloi në Narsë, duke mbajtur qëndrim miqësor ndaj familjes së mbretit persian Darius dhe duke marrë në mbrojtje fëmijët dhe gratë e qytetit. Me marrëveshjen e paqes që u nënshkrua, Mesopotamia e zmadhuar me territoret rreth Tigrit u rinjoh si provincë perandorake. Gjatë qëndrimit në fronin e Çezarit, Galeri e ndërtoi kryeqytetin e vet në Selanik, një vend strategjik ne rrugën Egnatia, që lidhte Romën me provincat e Azisë. Me ngjitjen në rangun e Augustit, ai u detyrua të shkonte në Nikomedi, në vend të Dioklecianit.
Konstandini i Madh, perandori që ndryshoi historinë
Constantine
Konstandini i Madh lindi më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë. I ati i tij Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e madhe dhe Spanjën.  Më 25 korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë (306).
Roma e re në buzë të Bosforit
Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë. Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandini i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit.
Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Kostandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqëve të saj të shumtë. Në fakt, muret e Kostandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zëvendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Kostandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake.
Të veçantat
-Perandori i parë i krishterë
-Themeluesi i Kostandinopojës. Vizioni i tij për Romën qytet të përjetshëm që mishërohej në Kostandinopojën jetoi për 1129 vjet.
– Ndërtuesi i objekteve më të mëdha kristiane. E quante veten përfaqësues të Zotit mbi tokë dhe i dha sundimit të vet karakter hyjnor.
– Është shpallur shenjt nga Kisha Katolike. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh.
Maximinus II
Maximinus II (20 nëntor 270 – gusht 313), gjithashtu i njohur si Maximinus Daia ose Maximinus Daza, ishte perandor i Romës nga viti 308 deri në vitin 313.
Në vitin 305 xhaxhai i tij Galerius e adoptoi Maximinusin, duke e rritur atë në rankun e një Çezari dhe i dhuroi atij qeverinë e Sirisë dhe Egjiptit. Maximinus filloi ta stilonte veten si Augusti gjatë fushatave ushtarake. Pas vdekjes së Galerius në vitin 311, Maximinus e ndau Perandorinë Lindore mes Licinius dhe vetes. Kur Licinius dhe Konstandini filluan të miqësoheshin shumë, Maximinus hyri në një aleancë sekrete me uzurpatorin Maxentius, që kontrollonte Italinë. Ai hyri në luftë të hapur me Licinius në vitin 313; thirri një ushtri prej 70,000 burrash por pësoi një humbje të madhe. Një vit më pas ai vdiq, dhe shkaqet e vdekjes së tij nuk ishin asnjëherë të qarta.
Valentinian I
Valentinian I (lindi në vitin 321 – vdiq më 17 nëntor 375), ishte perandor romak me origjinë ilire nga viti 364 deri në vitin 375 i cili mbrojti me mjeshtëri dhe sukses kufijtë e Perandorisë Perëndimore kundër pushtimeve gjermanike. Valentinian, i cili ishte i biri i një oficeri ushtarak ilir u pozicionua në Panonia (në qendër të Europës), iu bashkua ushtrisë dhe babait të tij me shërbim në Afrikë. Nëntë ditë më vonë komandantët e ushtrisë e shpallën Valentinian perandor në. Më 28 mars ai zgjodhi vëllain e tij më të vogël, Valens, si bashkësundues, dhe e vendosi atë si sundues të Lindjes, ndërsa vetë mbajti perëndimin.
Për të forcuar linjën e trashëgimisë, Valentinian në vitin 367, zgjodhi djalin e tij 8-vjeçar, Gratian, si bashkëperandor. Vetë vdiq si pasojë e një ataku në zemër.
Valens
Valens (lindi në vitin 328 – vdiq më 9 gusht 378), emri i plotë i të cilit ishte Flavius Julius Valens Augustus ishte Perandor i pjesës lindore të Romës nga viti 364 deri në vitin 378. Atij iu dha gjysma e e perandorisë, ajo e pjesës lindore nga vëllai i tij më i madh Valentinian I pasi ky i fundit mori fronin. Valens, i njohur edhe si perandori i fundit i Romës, u mund dhe u vra në Betejën e Adrianopojës, që shënoi fillimin e fundit të Perandorisë së Madhe romake. Valens dhe vëllai i tij Valentinian lindën të dy në Cibalae (Kroacinë e sotme) në një familje ilire.
Gratian
Gratian, (Flavius Gratianus Augustus) lindi në Iliri në vitin 359- vdiq në gusht të vitit 383. Ai shërbeu si perandor i Romës nga viti 367 deri në vitin 383. Gjatë kohës së mbretërimit të tij ai e ndau sundimin së bashku me të atin Valentinian I dhe xhaxhain e tij Valens.
Pas vdekjes së Valentinian I (në nëntor të vitit 375), Gratian ishte tashmë sundimtari i vetëm i Perëndimit. Pas një periudhe të shkurtër ai njohu si kolegun e tij gjysmë-vëllain 4-vjeçar, Valentinian. Nën ndikimin e Ausonius Gratian kërkonte që sundimi i tij të ishte i mirë e popullor. Ai e shpenzoi pjesën më të madhe të mbretërimit të tij duke u ndeshur me fiset që kërkonin të pushtonin tokat romake. Në vitin 378 ai u vonua pak për të marrë pjesë në betejën e përgjakshme me Gotët në Adrianopojë. Për të zëvendësuar Valensin, që u vra në konflikt, Gratian vendosi Theodosius perandor në lindje në vitin 379. Kur në vitin 383, Gratiani dëgjoi se në Britani ishte vetëshpallur një perandor me emrin Magnus Maximus, për ta ndalur atë që të pushtonte më shumë tokë, ai vendosi të ndërhynte. Por Gratiani u dezertua nga trupat e tij, dhe ndërsa kërkonte arratisjen në Alpe, ai u vra në tradhëti nga gotët.
Marciani
Marciani (Flavius Marcianus Augustus) (lindi në vitin 392 – vdiq më 27 janar 457) ishte një perandor bizantin me origjinë ilire nga viti 450 deri në vitin 457. Sundimi i Marcianit shenjoi rikuperimin e Perandorisë Lindore, të cilën perandori e mbrojti nga sulmet dhe kërcënimet e jashtme dhe bëri reforma në ekonomi. Nga ana tjetër politikat izoluese të Marcianit e lanë Perandorinë Perëndimore Romake pa ndihma kundër sulmeve barbare, që u materializuan në fushatat italiane në Attila në vitin 455. Kisha Ortodokse Perëndimore e njeh Marcianin si një shenjtor për rolin e tij në përfshirjen në Këshillin e Kishës. Pas një lufte të gjatë me prijësin e Hunëve, Atilën, Marciani ishte i lumtur që e kishte parë të vdekur Atilën para syve të tij. Marciani vdiq më 27 janar 457 nga sëmundja e gangrenës. Ai u varros në kishën Apostoli i Shenjtë në Kostandinopojë.
Anastasi
Perandori Anastas (491-518), i cili hipi në fronin perandorak në vitin 491 kishte lindur në Durrës. Anastasi e rrethoi Durrësin me mure, duke ndërtuar kështjellën e famshme me tre mure rrethuese dhe katër kulla. Gjithashtu ndërtoi edhe hipodromin. Ai sundoi gati 20 vjet dhe përmendet për disa reforma. Anastasi bëri reformimin e taksave, të cilat nuk do të mblidheshin si më parë nga këshillat, por nga nëpunësit e financës të emëruar nga prefekti pretorian. Gjithashtu ai bëri edhe reformën monetare duke vënë në qarkullim monedhat prej bronzi në vend të atyre prej bakri. Në kohën e sundimit të Perandorit Anastas u ndaluan ndeshjet midis gladiatorëve nëpër amfiteatre. Anastasi vdiq më 1 korrik të vitit 518. Ai përmendet në histori për ndërtimin e murit të gjatë përreth Konstandinopojës.
Justiniani i Madh i Ilirisë
Justiniani lindi në Bederiana të Dardanisë në vitin 482. Vdiq në Konstandinopojë më 14 nëntor të vitit 565. Perandor: 1 gusht 527- 14 nëntor 565.
mosaic of Justinian I (Ravenna)

Të veçantat
Justiniani dallohet për dijet e thella, vullnetin e jashtëzakonshëm për punë dhe kulturën e nevojshme për ripërtëritjen e idesë perandorake romake. Duke marrë arsimim të plotë, Ai mundi të ishte kompetent në shumë fusha: teologji, politikë, strategji ushtarake, art, arkitekturë, shkencë.
U përgatit shumë gjatë për në fron, më me kujdes se të gjithë sunduesit e tjerë të Perandorisë Bizantine.
Ishte Perandori i fundit që bëri përpjekje për t’i bashkuar pjesët lindore dhe perëndimore të Perandorisë.
Sundues i qendrës së botës
Justiniani synonte forcimin e vazhdueshëm të shtetit, prandaj i dha një shtytje të fuqishme veprimtarisë ekonomike. Në bujqësi ai mbështeti lirimin e skllevërve dhe lidhjen e tyre me ngastrat e vogla të tokës, që i merrnin për t’i punuar. Gjatë periudhës së sundimit të Justinianit tregtia e Bizantit u rrit shumë dhe Kostandinopoja u bë qendra e botës. Deti Mesdhe, pas pushtimeve në Afrikë, Itali dhe Spanjë, u kthye në liqen romak.
Shën Justiniani
Për rolin e jashtëzakonshëm të Justinianit në mbrojtjen e doktrinës kishtare, ruajtjen e unitetit fetar dhe ngritjen e katedraleve, bazilikave dhe kishave në të katër anët e Perandorisë u shenjtërua. Festa e Shën Justinianit është me 14 nëntor. Sot përkujtohet në të gjithë botën e krishterë, veçanërisht në krishterimin e ritit lindor.
Justiniani dhe ilirët
Justiniani ka qenë shumë i lidhur me vendlindjen dhe popullin që i përkiste. Kjo nuk ishte thjeshtë lidhje shpirtërore dhe nostalgji për prejardhjen. Ai u mbështet shumë në rrethin e vet familjar dhe bashkëkombasit e vet ilirë, që përbënin një forcë kryesore në ushtri dhe në aparatin shtetëror. Në një nga mbishkrimet e gjetura në Itali bëhet fjalë për numrin e madh të ilirëve (numerius felix Illyrianorum), që shërbenin në ushtrinë perandorake. Kujtojmë edhe rolin e madh të tre gjeneralëve ilirë: Belisari, Mundi dhe Germani (kushëri i tij) për mbrojtjen e Perandorisë dhe realizimin e ambicieve të Perandorit. Por ndryshe nga perandorë të tjerë ilirë, Justiniani nuk u mjaftua me ilirizimin e kastës perandorake dhe u përpoq që Iliria të kishte një status të veçantë dhe të ishte më i privilegjuar se rajonet e tjera.
Justiniani ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete të tjera. Po kështu në Epirin e Ri, që i përkiste Shqipërisë së Mesme, Perandori ndërtoi tridhjetë e dy kështjella të reja dhe meremetoi tridhjetë e gjashtë ekzistuese. Ndërsa në territorin e Epirit të Vjetër, që i përket territorit të Shqipërisë së Jugut u ndërtuan dymbëdhjetë kështjella të reja dhe u meremetuan dyzet e shtatë kështjella të tjera. Perandori rindërtoi krejtësisht qytetin e Singidinumit dhe e rrethoi me fortesa shumë të rëndësishme. Po kështu ngriti një fortesë të madhe në afërsi të këtij qyteti.
Me emrin e vet, Justinianopolis, Perandori pagëzoi edhe qytetin Adrianopolis në Epir. Gjithashtu pranë Justinianës së Dytë, u ndërtua një qytet i ri, i quajtur Justinopolis, për nder të dajës së Augustit, themeluesit të dinastisë, Perandorit Justin I.
Justinani u kujdes që Iliriku të ndihej i sigurtë dhe e bëri mbrojtjen e territoreve ilire prej sulmeve të barbarëve një çështje personale. Në territoret ilire u ndërtuan 43 fortesa të reja dhe u riparuan 50 fortesa të tjera. Kur në vitin 540 hordhitë bullgare dhe sllave sulmuan Ilirikun, Justiniani ndërtoi,ose meremetoi rreth 400 vendfortifikime, shumica prej të cilave shumë larg kufijve.
Dante e percepton Justinianin si përfaqësuesin e denjë të Perandorisë së Romës. Si përfundim, shekulli VI mbizotërohet nga personaliteti i Justinianit, kurse sundimi i tij shënon pikën kulmore të Perandorisë Romake të Lindjes. Justiniani i Madh është njëri ndër personalitetet më të shquara historikë të Kohës së Vjetër dhe padyshim sunduesi më i lavdishëm i Perandorisë njëmijë e njëqindvjeçare të Bizantit.
Lista me emrat e Perandorëve romakë me prejardhje nga Iliria
Decius – 249-251
Hostilianus – 251
Claudius II “Gothicus” 268-270
Quintillus – 270
Aurelian – 270-275
Probus – 276-282
Diokleciani – 284-305
Maximianus “Herculius” – 286-305
Galeriusi – 305-311
Konstandini I – 306-337
Maximinus Daia – 308-313
Jovian – 363-364
Valentinianus I – 364-375
Valens – 364-378
Gratian – 375-383
Valentinianus II – 375-392
Marcianus – 450-457
Anastasius I – 491-518
Justin I – 518-527
Justinian I – 527-565

Nasho Jorgaqi: Pse “Dashuria e Mimozës” është vepra ime më e dashur dhe më e vështirë



Nga Fan Noli, “Mërgata e qyqeve” e deri tek kinemaja, rrëfimi i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

nasho

Nasho Jorgaqi

Me stilin e tij të veçantë, eksperimentues dhe të paparashikueshëm në ambicien e tij krijuese, gjithmonë në kërkim të identitetit krijues unik, jashtëzakonisht identifikues për vizionin e letërsisë së shkruar, kreativ dhe erudit, e kanë bërë tejet interesante; jetën, krijimtarinë letrare dhe studimore të shkrimtarit dhe studiuesit, prof. Nasho Jorgaqi. Ai është mjeshtër i rrëfimit dhe studimit, vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf, i talentuar dhe i paepur, midis të mundshmes dhe të pamundshmes, ku veprat e tij karakterizohen nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore brenda një kornize përgjithësisht reale, duke e radhitur kështu në elitën e autorëve më të njohur dhe më të dashur për lexuesin modern. Sot për sot veprat dhe krijimtarinë e tij shumë dimensionale, e dallojnë atë si zotërues i ndjeshmërisë, diturisë, dhe inteligjencës, që ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë integritetin profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Ai është shkrimtari që i përket disa epokave, asaj të historisë moderne shqiptare, dhe të letërsisë së realizmit socialist, si dhe të letërsisë postkomuniste e cila ka sjellë vepra me tema dhe frymën e shoqërisë sonë demokratike, një transformim krejt i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht. Prof. Nasho Jorgaqi vazhdon të shkruajë, duke botuar e ribotuar veprat e tij, madhore, letrare, artistike dhe historike. Në këtë intervistë, Mjeshtëri i rrëfimit dhe studimit, Prof. Nasho Jorgaqi na rrëfen udhëtimin e tij krijues dhe si arriti ai të jetë një nga autorët më të shquar, jo vetëm në letërsinë shqipe e ballkanike, por edhe në atë unike europiane. Për më shumë ndiqni bisedën.

Bisedoi: Raimonda Moisiu

Përshëndetje Prof. Nasho, duke i hedhur një sy CV-së tuaj, ngazëllehesh nga talentet dhe kultura profesionale që lëvroni në disa gjini e zhanre. Cilat qenë rrethanat që ndjetë nevojën për t’u shprehur e për të treguar?

Ju faleminderit për fjalët e mira që shprehni për mua si shkrimtar dhe studiues. Sinqerisht kjo më gëzon, por nuk i mbaj dot të gjitha. I mbetem mendimit që kam thënë dhe herë të tjera, se unë jam një nga koristët e korit të letërsisë shqipe dhe kjo më mjafton. Këtë e dëshmojnë lexuesit e mi, sepse siç thotë Tolstoi, shkrimtari i vërtetë ashtu siç krijon personazhet, krijon edhe lexuesit e tij. Belbëzimet e mia letrare kanë nisur që në fëmini, si një fakt për të vërtetuar dhe atë që thotë A. Ekzyperi se “Letërsia është fëminia ime”. Në rastin tim ka qenë një rrethanë familjare që më çoi te letërsia. Im at ka qenë gjykatës, dhe kjo më jepte mundësinë jo vetëm që herë pas here të ndiqja seancat gjyqësore që drejtonte ai, por dhe të isha i pranishëm në takimet e tij me hallexhinjtë që vinin në shtëpi dhe tregonin për ngjarje që mua më tërhiqnin dhe më emociononin. Dhe aq shumë u ngarkova me përshtypje, sa fillova t’ua tregoj shokëve dhe më past’i hedh në letër, sidomos në ditarin tim. Kështu më lindi dëshira e të rrëfyerit, aq e domosdoshme për një krijues.

Cila ka qenë eksperienca juaj e parë në prozë, poezi etj., pra kur filluat të shkruani e të botoni?

Eksperienca ime e parë në fushën e letërsisë nis në kohën e adoleshencës, kur fillova të botoja skica dhe vjersha në revistën “Pionieri”, sprova këto naive dhe pa pretendime. Ëndrra ime letrare ishte e madhe, por aftësitë e mia qenë të kufizuara. Akoma s’më ish zgjuar magjia artistike. Vetëm kur hyra në gjimnaz, botova një tregim mbi heroizmin e një partizaneje dëshmore, që fitoi dhe një çmim kombëtar në konkursin e letrarëve të rinj, pastaj një vjershë me emocionet që më zgjoi tharja e një kënete në Myzeqe. Ndërsa motivet e dashurisë, që më vlonin brenda, akoma nuk i pranonte koha e ngarkuar me frymë militante. Për hir të së vërtetës debutimi im në letërsi më vonë, nuk qe i lehtë. Fatkeqësisht vuaja nga prirja për t’u marrë me fusha të ndryshme; me vargje, me tregime, me publicistikë, me kritikë letrare. Dhe kjo shpërndarje, nuk qe në të mirën time. Por me sa duket kjo erdhi nga që unë isha në kërkim të vetvetes. Pra, m’u desh kohë që ta gjeja prirjen time të vërtetë në letërsi. Kjo shpjegon dhe shpërndarjen time pothuaj në të gjitha gjinitë, deri sa dola në rrugën e letërsisë së mirëfilltë.
kopertina
Ju krijoni në disa fusha të letërsisë. Tashmë jeni shkrimtar i afirmuar i disa veprave të çmuara. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?

Fronti i punës sime krijuese nëpër vite qe i gjerë: vjershëtor, tregimtar, novelist, romancier, eseist, biograf etj. Për fat të mirë nga vjershërimi u shkëputa shpejt dhe iu kushtova prozës. Vepra ime e parë serioze ishte “Dashuria e Mimozës”, një libër që u mirëprit dhe bëri jehonë sidomos te të rinjtë. Për herë të parë nisa të besoj se kam talent dhe këtë ma përforcuan lexuesit më fjalët e tyre dashamirëse. Kështu u hap rruga e novelave “Ëndrra dhe plagë”, “Posta e largët”, “Balada e nënës” etj., me tema kryesisht nga jeta e rinisë, ku me kohë në qendër vura dashurinë e saj si në kohën e luftës, ashtu dhe të realitetit bashkëkohor. Ajo që ka mbetur konstante në këto vepra, vështruar në distancë kohore, është bota shpirtërore e rinisë, përpjekja ime për të dhënë psikologjinë e saj dhe për të konturuar karaktere. Kam qenë dhe jam për një prozë psikologjike, bazë e letërsisë së vërtetë. Kritika ka evidentuar dhe çmuar dhe gjuhën dhe stilin tim, konçizitetin dhe individualizmin e tyre. Këto vlera do të shpaloseshin më gjerë në romanin “Mërgata e qyqeve” dhe në një varg librash me tregime dhe proza poetike, të botuara pas viteve ‘90.

Ju jeni shkrimtar i dy epokave në letërsinë shqipe. Ku qëndron ndryshimi në krijimtarinë tuaj midis tyre? Ç’ndodhi me brezin tuaj dhe si e vlerësoni brezin e ri letrar që ka debutuar? Nga buron inspirimi juaj në veprat që shkruani?

S’ka dyshim se burimi i inspirimit të çdo shkrimtari apo dhe artisti në përgjithësi është jeta, njeriu, shoqëria, vështruar dhe lidhur me kohën, epokën social-historike. Ashtu si gjithë brezi im letrar edhe unë, rrethanat na diktuan të jetojmë e të krijojmë në dy epoka të historisë moderne shqiptare, të letërsisë së realizmit socialist dhe të letërsisë postkomuniste. Unë si dhe të tjerë, duke qenë se vitet kryesore të jetës i kam kaluar e përjetuar në kohën e socializmit, jam mbështetur dhe kam krijuar mbi bazën e parimeve të realizmit socialist. Në këtë vështrim duhet të jemi të sinqertë dhe realistë, larg çdo konformizmi dhe politizimi. Njeriu, veçanërisht krijuesi, artisti, është në radhë të parë pjellë e kohës së tij dhe idealeve të saj. Unë s’kam qenë komunist, por si intelektual dhe shkrimtar jam mbrujtur dhe formuar me filozofinë e materializmit dialektik dhe historik. Ai ka qenë dhe mbetet për mua një ideal human, që ka luajtur dhe luan thuajse dhe sot rol në fatin e shoqërisë njerëzore. Kështu, për mua, kalimi nga një epokë në tjetrën nuk e ka ndryshuar themelin e botëkuptimit tim. Ç’është e vërteta veprat e mia të epokës socialiste, mbeten një kontribut për kohën e tyre, pavarësisht nga kufizimet ideologjike dhe politike. Të mos harrojmë se aso kohe mungonte mendimi dhe fjala e lirë dhe kjo s’kish si të mos dëmtonte atmosferën e një krijimtarie artistike, madje të prekte deri dhe thelbin herë-herë të së vërtetës dialektike. Por kjo nuk do të thotë se mbi bazën e realizmit socialist nuk u krijua letërsi artistike e mirëfilltë, madje dhe vepra të shquara që mbeten në fondin e artë të letërsisë shqipe. Dua të kujtoj se realizmi socialist qe një fenomen artistik botëror, mbi bazën e të cilit krijuan shkrimtarë të mëdhenj si Gorki, Brehti, Aragoni, Neruda, Hiqmeti, Ricos, Fo, Neksoe plot të tjerë. Dhe s’ka si të biesh dakord me ato mendime që në Shqipëri për këtë letërsi studiues dhe shkrimtarë, madje dhe autoritete letrare, shprehen me nihilizëm, e anatemojnë, i nënvleftësojnë dhe falsifikojnë vlerat e saj. Unë mendoj se kjo është një çështje kohe, sepse shkenca letrare objektive do t’i japë vendin dhe meritat që i takojnë dhe kësaj letërsie, si pjellë e një epoke të caktuar historike. Kurse përsa i takon ndryshimit të pozitës së shkrimtarit dhe letërsisë që ai ka krijuar në këto dy epoka, ky është një problem kompleks, që studiuesit akoma nuk e kanë gjykuar si duhet shkencërisht, por priren kryesisht nga trajtimi politik i fenomenit. Mendimi im është se shkrimtarët tanë e kanë kapërcyer me sukses kalimin nga letërsia e realizmit socialist në letërsinë paskomuniste brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke krijuar vepra me nivel mbi tema bashkëkohore, me frymë të re, mbi baza filozofike të avancuara, larg dogmave dhe anakronizmit. Dëshmi për këtë është krijimtaria e suksesshme e V. Koreshit, D. Agollit, S. Drinit, I. Kadaresë, F. Arapit, F. Kongolit, Xh. Spahiut, B. Mustafajt, B. Shehut, Dh. Xhuvanit, M. Vyshkës etj. Por, nga ana tjetër, letërsisë sonë i ka ardhur një brez i talentuar, përfaqësues i drejtpërdrejtë i periudhës paskomuniste si B. Blushi, A. Plasari, L. Lleshanaku, F. Açka, E. Hatibi, S. Rusi, M. Bupçapaj, Y. Aliçka, R. Dibra, G. Krasniqi, L. Stani etj. Sigurisht edhe unë në këtë rrugë kam ecur, duke krijuar vepra me tema dhe frymën e shoqërisë sonë demokratike, një kalim ky i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht.

Cila është pozita e shkrimtarit në shoqërinë pluraliste shqiptare dhe nëpër çfarë procesi u arrit statusi i ri i juaj?

Krijimtarisë sime, ashtu si edhe e kolegëve, iu desh në dy dekadat e fundit të kapërceja nga një epokë në tjetrën pa vështirësi të mëdha. Kjo ndodhi jo vetëm se disa nga shkrimtarët dhe artistët tanë të shquar do të ishin në pararojë të proceseve demokratike, por ata qenë përgatitur dhe kishin punuar me kohë për këto ndryshime. Do të ishte fusha e letërsisë dhe arteve, ajo që do ta ndjente më shumë mungesën e mendimit dhe fjalës së lirë, pengesat burokratike dhe skemat politike-ideologjike. Prandaj përmbysja që erdhi , duke sjellë lirinë dhe demokracinë, i dha krijimtarisë artistike frymëmarrje të gjerë, e shpëtoi nga censura dhe autocensura, i ktheu asaj dinjitetin e letërsisë së traditës, e bëri të pavarur artistikisht dhe qytetarisht. Por nga ana tjetër, në kushtet e shoqërisë së tregut, të një kapitalizmi të egër e një tranzicioni të stërzgjatur, për shkrimtarët janë krijuar vështirësi dhe pengesa të pamerituara. Vërtetë shpëtuam nga censura dhe autocensura, por pozita e shkrimtarit u bë tepër e vështirë nga pikëpamja ekonomike. Liria jonë u diktua nga kërkesat e një shoqërie kapitaliste, ne jemi të varur nga paraja, nga ekonomia e tregut. Pavarësia jonë artistike cenohet rëndë nga pavarësia ekonomike. Nuk ka më ndihmë e mbështetje nga shteti si dikur. Shkrimtari është kthyer në lypës, që për të botuar një vepër duhet t’i zgjatë dorën biznesit. Ligjet e shtetit demokratik për letërsinë janë të varfra, gati mjerave. Shkrimtarët janë i vetmi komunitet që nuk kanë një organizatë që t’i përfaqësojë e t’i dalë zot për të drejtat e nevojat e tyre. Edhe selia e saj u zaptua në mënyrë të dhunshme nga shteti dhe askush nuk e vë në vend këtë padrejtësi afro disa vjeçare.

Me çfarë veprash përfaqësoheni në letërsinë shqipe paskomuniste?

Gjatë këtyre viteve, krijimtaria ime letrare është pasuruar me vepra të reja, sidomos me tregime dhe proza poetike, siç janë vëllimet “Manastiri i dashurisë”, “Ishte një herë një dashuri”, “Shpirti i magjepsur”, “Ndëshkimi i bukurisë” etj. Këto libra janë mirëpritur nga lexuesi e kritika dhe janë çmuar veçanërisht për frymën dhe karakterin lirik, si dhe gjuhën koncize dhe elegante. Në këtë vazhdë janë krijuar dhe vëllimet poetike si “Nën hiret e bukurisë”, “Momente” dhe “Nën zë”, të përbëra nga hajku, një lloj poezie që lëvrohet sot në botën letrare sipas një tradite të vjetër japoneze. Më vjen mirë që hajkutë e mia kanë gjetur auditor të gjerë lexuesish. Kështu unë iu ktheva poezisë pas gjysmë shekulli, në moshën e pjekurisë dhe fatmirësisht jo pa sukses. Por vepra ime më e rëndësishme e jetës, që kam shkruar vitet e fundit, është studimi biografik “Jeta e Fan S. Nolit” në dy vëllime, për të cilën kam punuar mbi njëzetë vjet. Duke gjykuar nga opinioni publik dhe ai kritik, kjo vepër shënoi një ngjarje në studimet fanoliane dhe përgjithësisht të letërsisë biografike. Në mes botimeve të tjera që i kam dhënë letërsisë sonë është përmbledhja studimore “Hire letrare, shpalime historike” si dhe dy veprat antologjike “Poezia lirike shqipe midis dy luftërave 1914-1944” dhe “Proza e shkurtër e traditës (1685-1944)”. Nuk mund të lë pa përmendur përgatitjen dhe botimin voluminoz “Letërkëmbimi i Fan Nolit”.

kopertinaRomani juaj “Dashuria e Mimozës” u vlerësua nga kritika e kohës dhe u mirëprit nga lexuesi i të gjitha kategorive. Çfarë vendi zë ai në krijimtarinë tuaj?

“Dashuria e Mimozës” është dallëndyshja ime e parë që u duk në qiellin e letërsisë së kohës. Një vepër që zë një vend të veçantë në krijimtarinë time, parë nga një këndvështrim subjektiv. Është dhe mbetet dashuria e brezit tim, një botë emocionale dhe raporte disi të ndryshme nga brezat e sotëm, sidomos për ndjenjat fisnike, për raportet e sinqerta, për seriozitetin e marrëdhënieve, për romantikën e tyre të bukur etj. Personalisht, është vepra që e ndjej më të afërt dhe e vështirë, në mos e pamundur, për të shkruar një të dytë si ajo. Kanë mbetur të paharruara mbresat që më la jehona e saj te lexuesit. Takime, diskutime, letra, vlerësimi i shtypit, përhapja e saj në shumë mjedise të rinisë, shkollore e ushtarake, dhe komunikimi me lexuesit si asnjëherë tjetër. Dhe kjo se në faqet e “Dashurisë së Mimozës” është bota e mrekullueshme e rinisë që ikën e s’kthehet më. “Dashuria e Mimozës” ka njohur disa botime para dhe pas viteve ‘90 dhe kjo më gëzon si për asnjë vepër tjetër. Tani ajo është botuar edicioni i pestë i saj, për t’u lexuar më tej nga brezat e rinj.

Romani juaj “Mërgata e qyqeve” në dy vëllime, veç të tjerash ngjall kureshtje dhe dua të di se cilat qenë motivet dhe rrethanat që ju bënë ta shkruani?

Romani “Mërgata e qyqeve” përbën një vepër të veçantë në krijimtarinë time. Është libri im më i lexuar, që zgjoi shumë interes në kohën kur u botua për herë të parë, por dhe sot lexohet, bile ngjall debate dhe pse jo edhe probleme në kushtet e një shoqërie pluraliste. Është një temë e vështirë, një subjekt delikat, që kalon në teh të thikës së historisë sonë moderne, ku plekset historia me politikën, politika me jetën sociale, jeta me njeriun, marrë në shumë plane psikologjike. Dhe këto përmes një gërshetimi të dramës me komedinë, siç ka ndodhur në jetën e çdo emigracioni politik gjatë historisë. Është fati i një shtrese shoqërore shqiptare, ai i të mundurve në Luftën antifashiste Nacionalçlirimtare që tentuan të bëjnë histori, por që u mundën prej saj. Kjo përbën dhe tharmin e romanit, që ngjizi veprën dhe i dha atë origjinalitet tanimë të njohur. Romani njohu tre botime para viteve ‘90 dhe ky fakt bëri që edhe pas shembjes së sistemit socialist, të kisha kërkesa të lexuesve dhe kolegëve për ta ribotuar. Atëherë vendosa ta botoja rishtas dhe për arsyen që të provoja sa i kish qëndruar vepra kohës. Në radhë të parë artistikisht, por dhe për vërtetësinë historike-psikologjike. Nga ana tjetër, të tregoja se romani nuk ishte thjesht një libër propagandistik, por një vepër e qenësishme letrare, që sfidon kohën dhe e bën jetën e tij të pavarur. Mirëpritja nga lexuesi tregoi se romani i kish qëndruar kohës, duke i ruajtur vlerat kryesore të tij edhe në kohën e vështirë të tranzicionit. Romani e rigjeti tregun dhe tërhoqi një masë të gjerë lexuesish. Ai u pranua si nga lexuesit e brezit të vjetër, ashtu dhe nga lexues të brezit të ri. Më bëri përshtypje fakti që dhe kundërshtarët politikë të romanit nuk iu kundërvunë publikisht veprës, madje me disa prej tyre, njerëz seriozë, pata dhe debate normale e të dobishme. Romani sot nuk gjendet në treg sepse është tërhequr nga lexuesit. Përsëri ka lindur nevoja e ribotimit. Unë e kam ripunuar më tej artistikisht, pa prekur thelbin e tij. Ai mbetet produkt i një kohe dhe sistemi të historisë shqiptare dhe si i tillë gjithnjë do të joshë interesin dhe vëmendjen e një publiku të caktuar.

Si ndjehet prof. Nasho, më shumë krijues apo studiues? Apo të dyja bashkë? Ku qëndron ndryshimi midis tyre?

Në krijimtarinë time ekziston një gërshetim mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare. Është fakt se një nga fushat e mia të lëvruara nëpër vite paraqitet letërsia dokumentare. Këtë e dëshmojnë veçanërisht veprat biografike kushtuar figurave historike si ajo e F. Nolit, Q. Stafës, V. Laçit. Por, siç thoni edhe ju, unë jam njëkohësisht krijues dhe studiues, dy sfera intelektuale të gjera dhe komplekse, që bashkëveprojnë dhe ndihmojnë njëra tjetrën, por ka raste që edhe e pengojnë. Studiuesi e ndihmon krijuesin të jetë sa më i saktë, të respektojë të vërtetën, kurse krijuesi i vjen në ndihmë studiuesit të shprehet qartë e bukur, të ketë një ind letrar, në dobi të nivelit të studimit. E kam të vështirë të them se ndjehem më shumë krijues apo studiues. E shprehur figurativisht, fushën e punës time intelektuale e lëvroj me dy qe, që ecin në krah të njëri-tjetrit. Kurse përsa i takon vështirësive, sigurisht secila ka të vetat, por puna e studiuesit paraqet një proces më të ndërlikuar, sepse varet shumë nga hulumtimet arkivore, nga shfrytëzimi i shtypit etj., që lypin sinteza dhe analiza, ballafaqime dhe diskutime. Një gjë e tillë nuk ndodh me krijuesin, i cili sado që punon për të njohur realitetin e për të mbledhur materialin jetësor, prapë është më i pavarur. Mbështetet në radhë të parë në përvojën e tij, në fantazinë dhe imagjinatën krijuese. Miku dhe profesori im i paharruar studiues dhe krijues i mirënjohur Dhimitër Shuteriqi, kur e kam pyetur në rininë time se cila prej tyre ishte më e vështirë më është përgjigjur: “S’ka dyshim që puna studimore, ajo kthehet ndonjëherë në ferr të vërtetë, kurse puna letrare, sado halle që ka, operon më shumë me emocione e imagjinatë, që nuk të mundojnë si studimi”. Këtë e provon qartazi edhe përvoja ime.

Ju keni një përvojë të jashtëzakonshme në fushën e letërsisë dokumentare, me një sërë veprash të suksesshme. Si keni operuar në trajtimin e figurave të ndryshme që i keni kthyer në protagonistë?

Puna ime studimore përfshin disa fusha: monografi, artikuj kritikë, shpalime historike, antologji, gjurmime, portrete, udhëtime letrare etj. Kjo gamë e gjerë është diktuar nga dhuntitë dhe interesat e mia shkencore, por dhe nga profili im si profesor i letërsisë shqipe për më se tre dekada në Universitetin e Tiranës. Kërkesat dhe nevoja për të dhënë në auditor leksione me nivel dhe me burime të reja ose të panjohura më ka bërë t’i përkushtohem punës hulumtuese, bibliografive etj. Një punë e tillë më ka futur në histori, të njoh përmes dokumentesh figura, ngjarje, rrethana, pikëpamje dhe mentalitete, debate dhe konflikte, që i kanë shërbyer studimeve të mia. Ka ndodhur ajo që thoni ju, të dialogoj me të dhëna dhe ide nga më të ndryshmet të etapave historike, sidomos të periudhës 1912-1944. Kështu kanë lindur librat e mi studimorë, duke filluar nga “Silueta letrare”, “Estetika e fjalës shqipe, “Poetika e dokumentit”, “Për Fan Nolin e të tjerë”, “Portrete dhe gjurmime”, “Profile dhe probleme letrare” etj. Krahas studimeve për vite me radhë jam marrë dhe me mbledhjen dhe përgatitjen e veprave të zgjedhura ose të plota si ato të F. Nolit, F. Konicës, L. Skëndos, M. Kutelit, H. Stërmillit, G. Palit, M.S. Gurës etj. Një punë kjo që më ka ndihmuar ta njoh krijimtarinë e tyre në gjerësi dhe thellësi dhe të shkruaj studime mbi ta. Nga kjo pikëpamje jam përqendruar te autorë madhorë si Noli, Konica, Kuteli, por dhe Stërmill, Pali etj.

Në kapacitetin tuaj krijues, një vend të nderuar zini dhe si skenarist. Çfarë ju tërhoqi në këtë fushë dhe si arritët të realizoni vepra të suksesshme?

Skenari ka qenë një gjini tjetër që kam lëvruar nëpër vite, sidomos në vitet ‘50-70. E nisa me skenarin e filmit “Tana”, së bashku me kinoregjisorin dhe mikun tim të rinisë Kristaq Dhamo, që shënoi filmin e parë artistik me metrazh të gjatë në kinematografinë shqiptare. Mund të them se “Tana”ishte më tepër një sprovë, falë më shumë pasionit se sa aftësisë së vërtetë që lyp kjo gjini. E megjithatë, premiera e saj shënoi një ngjarje në jetën tonë artistike dhe kulturore, që unë e përjetova me emocion të thellë. Kjo më nxiti pastaj të shkruaja më vonë skenarin e filmit “Duel i heshtur” që u realizua mjeshtërisht nga kinoregjisori Dhimitër Anagnosti. Ky film konsiderohet nga veprat klasike të kinematografisë shqiptare. Aktivizimi në fushën e kinematografisë vazhdoi me dy skenarë kushtuar jetës së fëmijëve, siç qenë “Mimoza llastica” dhe “Tomka dhe shokët e tij”, mbështetur në tregimet e mia. Puna e talentuar dhe e përkushtuar e kinoregjisores Xhanfise Keko në realizimin e këtyre skenarëve, i dha spektatorëve të vegjël dy nga filmat më të bukur të saj dhe më gjerë. Me këtë bashkëpunim e mbylla veprimtarinë time në fushën e filmit artistik, jo se nuk kisha interes, por nuk e përballoja dot, po të mbahen parasysh angazhimet e mia kryesore, siç qenë krijimtaria letrare dhe puna studimore. Veç kësaj, nuk duhet harruar se puna në fushën e kinematografisë është punë kolektive dhe kjo më pengonte në veprimtaritë e mia parësore. Sepse, siç thotë kineasti i madh francez Rene Kler, filmi artistik, duke qenë vepër kolektive, rilind tri herë: së parinë tavolinën e shkrimtarit-skenarist, se dyti në sheshin e xhirimit dhe së treti në bankën e montazhit. Kuptohet që një proces i tillë i gjerë e i komplikuar, i përballuar nga një tabor krijuesish, nuk i shkonte natyrës time. Kështu u largova dalëngadalë, me gjithë ftesat dashamirëse të regjisorëve për bashkëpunim. Bashkëpunimi im i fundit qenë disa skenarë për filma dokumentarë kushtuar figurës së F. Nolit, Q. Stafës, Dh. Shuteriqit etj. Kështu u ndava nga kinematografia, por prej saj fitova një përvojë të re dhe ruaj kujtimet më të mira. Dua të them se te skenari më çoi proza, puna ime si prozator. Sipas teoricienëve të kinematografisë, skenari ka më shumë lidhje me prozën se sa më gjininë e dramës. Dramaturgjia skenike është e ndryshme nga ajo e filmave. Për sa u takon lidhjeve të skenarit më letërsinë, është e vërtetë se prej tyre janë realizuar kino-kryevepra, falë punës së lartë cilësore të shkrimtarëve të mëdhenj. Por praktika tregon se jo gjithnjë këto lidhje janë të suksesshme, sepse jo gjithnjë veprat letrare klasike i përshtaten ose i përgjigjen kërkesave specifike të kinematografisë. Pa dyshim që shkrimtari është nga figurat krijuese kryesore të filmi, aq sa unë, në fillimet e mia, mendoja se ai është parësori. Por me kohë kuptova dhe u binda se filmi në radhë të parë është vepër e regjisorit dhe kjo tanimë ka marrë qytetari të plotë. Megjithatë, janë të pashmangshme kontradiktat dhe fërkimet mes skenaristëve dhe regjisorëve, por kur këto kapërcehen me sukses, janë për të mirën e filmit.

Në fushën e letërsisë dokumentare ju keni arritur kulmin me veprën “Jeta e Fan S. Nolit”. Cila është rruga që ndoqët deri këtu?

Keni të drejtë për atë që thoni se në fushën e letërsisë dokumentare unë kam një përvojë të pasur. Në të ndjehem më afër së vërtetës, të vërtetës së jetës dhe të vërtetës së historisë. Hapat e parë kanë qenë artikujt, esetë, studimet për të dalë tek veprat biografike, si kurorëzim i një pune të madhe hulumtuese, studimore dhe letrare. Biografia është një sintezë e historisë dhe e letërsisë, që kërkon pasion, vullnet dhe vetëdije të lartë për të vërtetën, larg çdo subjektivizmi. Vepra ime e parë biografike ishte “Qemal Stafa”, kushtuar heroit tim të rinisë, për të vijuar me “Atentatin e Perandorit”, për heroin antifashist Vasil Laçi. Me këtë eksperiencë, i hyra punës tepër të vështirë për të shkruar jetën e Fan Nolit, një figurë kjo e madhe dhe poliedrike e historisë dhe kulturës shqiptare. Fan Noli, veç të tjerash, do të ishte heroi im i moshës së pjekurisë, të cilin e njoha dhe e rroka në tërë dimensionin e tij pas një pune gjurmuese dhe studimore për më se 20 vjet, i angazhuar intelektualisht dhe qytetarisht, me dashuri e përgjegjësi, por i distancuar nga subjektivizmi dhe entuziazmi që të ngjall figura e tij. Rikonstruksioni i jetës së Nolit në përmasat e një biografie kërkonte jo vetëm punë kërkimore, por dhe përgatitje kulturore-shkencore, që më vuri në pozitat e një studenti që duhet të kryejë një universitet të dytë për historinë, filozofinë, fenë, teologjinë, politikën, artet, psikologjinë etj. Do të më duhej të studioja ngjarje dhe figura historike, kontradikta dhe konflikte të natyrave të ndryshme, të depërtoja në psikologjinë dhe karakterin e tij kompleks. Nga ana tjetër, m’u desh të kryeja disa inkursione studimore, duke filluar nga vendlindja e tij e deri në SHBA, të takoja dhjetëra njerëz nga tre kontinente dhe disa epoka historike, të vilja materiale nga arkiva dhe shtypi, të shkelja dhe të thithja ajrin e mjediseve ku ai kish jetuar, krijuar dhe studiuar. Të zbuloja njeriun, patriotin dhe demokratin, intelektualin erudit e poliglot, artistin dhe shkencëtarin, politikanin dhe liderin, udhëheqësin shpirtëror. Të gjitha këto duhet të mishëroheshin në një figurë të vetme, të motivuara e të dokumentuara psikologjikisht dhe historikisht, me sens mase, duke përballuar morinë përmbytëse të fakteve e të dhënave, të problemeve dhe të rrethanave nga më të ndryshmet. Kështu lindi vepra “Jeta e Fan S. Nolit”, që përbën punën time më të vështirë e më me peshë që kam përballuar.

Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?

Shkruaj sepse ndjej nevojë shpirtërore për t’u shprehur. Të shpreh mendime dhe emocione nga pozita e krijuesit, që do të thotë të rrëfej për ngjarje e mjedise, të zbuloj e të ndërtoj personazhe e karaktere, të përshkruaj natyrën, mbi bazën e subjekteve të marra nga jeta dhe kjo ka të bëjë me prozën e gjatë e të shkurtër. Por unë shkruaj dhe poezi, e cila ka të tjera kërkesa dhe lidhet me situata të ndryshme shpirtërore dhe motive që të ofron jeta. Letërsia dokumentare që shkruaj ka kërkesa të tjera, është më racionale, ka të bëjë me kërkime e zbulime. Ajo operon me probleme, me teza e hipoteza, me analiza e sinteza, kërkon verifikime dhe argumente, nisur jo nga fantazia, por nga burime shkencore të themelta. Sigurisht në punën time i përmbahem një disipline serioze. Punoj me orare të caktuara, me plane dhe nuk i bëj hile detyrave që i vë vetes. Si krijues kam dhe unë disa huqe që më shoqërojnë në punën e përditshme. Nuk e përfytyroj jetën time me ditë pa punë. Një ditë pa pune do të më dukej sikur do të më mungonte frymëmarrja intelektuale, pa të cilën jeta do të ishte bosh, vanitoze.

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme? Çfarë ju ka mbetur peng?

Kam në shtyp “Jeta e Fan S. Nolit” në botim të dytë, të pasuruar me fakte dhe interpretime të reja mbi bazën e zbulimeve të bëra vitet e fundit. Po kështu ka dalë nga shtypi “Dashuria e Mimozës” në botimin e saj të pestë, si kërkesë në radhë të parë e lexuesve, pas debatit e interesit që ngjalli letra ime publike drejtuar I. Kadaresë. Kam gati për botim vëllimin e katërt poetik me hajku, me të cilin jam marrë kohë pas kohe. Projektet e mia të ardhshme janë ndarë në mes letërsisë dhe studimeve: po merrem me një libër tregimesh dhe prozash të shkurtra, si dhe kam mbledhur materiale e po nis të shkruaj një cikël etydesh psikologjike, sociale dhe historike më temë “Faik Konica, njeriu”, një vepër tepër e vështirë, plot kontraste, me probleme të ndërlikuara dhe enigma. Shpresoj se mund të bëj diçka të dobishme. Ndërkaq, nuk do të lë pas dore publicistikën eseistike dhe artikujt historikë. Sa për pengjet, ato mbeten nga dhimbjet e mia të pashërueshme. Për artin dhe shkencën kufijtë kohorë kanë gjithmonë një cak. Vetëm kohën s’e kemi në dorë.

A është i lirë shtypi sot?

Liria edhe në kushtet e demokracisë është relativisht e kufizuar. Ndikojnë faktorët politikë dhe diktatet e shoqërisë së tregut. Shtypi i përditshëm është shumë i politizuar, i ngarkuar me kronikën e zezë, pa kulturën e nivelin bashkëkohor, mungojnë disa lloje të rëndësishme të publicistikës e gazetarisë (reportazhi, portreti, fejtoni, kritika letrare dhe artistike etj.) Shumica e gazetarëve janë të rinj, pa eksperiencë, pa kulturën e duhur. Ka ardhur koha të përgatiten që në fakultet gazetarë të specializuar sipas fushave të artit, të kulturës, të shkencës, të problemeve sociale etj.

Ç’është për ju dashuria?

Çdo gjë që të them unë për dashurinë do të tingëllojë e njohur. Dashuria është një ndjenjë universale, por dhe individuale. Ajo qëndron në themel të jetës, pa të s’do të kishte jetë të vërtetë. Mbi të ngrihet arti, ngrihen punët e mëdha të çdo fushe të mendimit e të veprimit. Kufijtë e saj janë aq të gjerë e të thellë sa asnjë mendje e zemër njerëzore s’ka arritur t’i rrokë. Ka të drejtë Oskar Uaild kur thotë: “Misteri i dashurisë është më i madh se ai i vdekjes.” Sa për vete mund të them se dashuria e vërtetë është aq fisnike dhe e bukur sa çdo njeri duhet të jetë i denjë që ta meritojë. Dashuria është temë qendrore në krijimtarinë time, mjafton kjo që të tregojë lidhjet e mia shpirtërore me ndjenjën më të madhe njerëzore.

Cili është mesazhi juaj për inteligjencën shqiptare sot?

E kam tepër të vështirë të jap mesazhe për kolegët e mi. Statura ime modeste ndoshta nuk ma lejon. Ato mund t’i gjeni në trajta të ndryshme në veprat e mia.

Nasho Jorgaqi në dosjen e Sigurimit të Shtetit për Bilal Xhaferrin

Nasho Jorgaqi.jpg


Nasho Jorgaqi lindi në vitin 1931 në Fier, Shqipëri është shkrimtar, skenarist, hulumtues dhe studiues shqiptar, doktor i shkencave dhe titullar, është i njohur me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Ai është autor botimesh letrare, skenarësh filmash, përkthimesh dhe botimesh shkencore


Tituj te veprave


Dashuria e Mimozës, novelë - 1960
Ëndrra dhe plagë, novelë - 1963
Posta e Largët, novelë - 1968
Shoku, tregime - 1968
Qemal Stafa, biografi - 1970
Tregime të Mbrëmjes, tregime për fëmijë - 1972
Mërgata e Qyqeve, roman, Vol. I, II - 1978, 1979
Tregimet e Qemalit, tregime për fëmijë - 1978
Atentatori i Perandorit, biografi -1980
Tregimet e Pranverës, tregime për fëmijë - 1985
Larg dhe afër, udhëpërshkrime dhe meditime - 1987
Udhëve të mërgimit, udhëpërshkrime dhe meditime - 1994
Manastiri i dashurisë, proza të shkurtra dhe tregime - 1995
Ndëshkimi i Bukurisë, proza të shkurtra dhe tregime - 1998
Tomka - 1968
Poetika e dokumentit - 1987
Udhëtim me Fan Nolin 1995 
Ka përgatitur për botim vepra të Fan Nolit, Faik Konicës, Mitrush Kutelit, Haki Stërmillit, Lumo Skëndos, etj.
Ka përkthyer vepra të Anton Çehovit, Xh. Gollsuorthit, M. Prishvinit, A. Filipit, etj.
Udhëtime Letrare - 2001

Botimet shkencore

Në botimet e tij shkencore përfshihen:

Antologji për Skënderbeun, (1968)
Silueta Letrare, studime - 1976
Poetika e dokumentit, studime - 1987

Antologji e mendimit estetik shqiptar (1504-1944), 1994

Antologji e fjalës së mençur - 1994
Udhëtim me Fan Nolin', (1995)
Estetika e fjalës shqipe, (studime, artikuj, ese, 1995)
Portrete dhe gjurmime (artikuj dhe studime letrare, 2002)
Hire letrare, shpalime historike (studime, vështrime, ese, 2012)

Skenaret

Mimoza Llastica (1979)
Tomka dhe shokët e tij (1977)
Duel i Heshtur (1967)
Tana (1958)


Agjencioni Floripress

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------




nasho

Nasho Jorgaqi

Pill 1973/ Qani Tartale: Si komunist e punëtor operativ dëshmoj ç’më thanë shokët e lidhjes për poetin armik të popullit dhe si e mbështetën atë Dashnor Mamaqi, Todi Lubonja e Fadil Paçrami.

Dje më 14 tetor, u mbushën 30 vjet, nga dita kur u shua shkrimtari i talentuar çam, Bilal Xhaferri. I përndjekur nga komunistët Bilal Xhaferri u arratis nga Shqipëria në vitin 1969. Ai u vendos në SHBA, ku dhe ndërroi jetë më 14 tetor të vitit 1986. Ishte bir i krahinës së Çamërisë, lindur në Ninat të Konispolit në vitin 1935. Mbeti jetim në moshën 7-vjeçare, pasi e ëma vdiq nga një sëmundje, ndërsa dy vite më pas, në moshën 9-vjeçare, babai i tij Xhaferr Hoxha, u pushkatua nga regjimi komunist si pjestar i forcave antikomuniste në vitet e para të regjimit diktatorial.

Fëmijëria dhe rinia e Bilal Xhaferrit do të kalonte përmes vështirësish të mëdha që regjimi komunist kishte rezervuar për birin e “armikut të popullit”. Megjithëse ishte poet, shkrimtar e publicist shumë i talentuar, hapësirat për Bilal Xhaferrin në komunizëm ishin të pamunudura. Sigurimi i Shtetit e ndiqte në çdo moment të jetës së tij. 27.al publikon sot një letër të punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit, Qani Tartale, i ngarkuar të ndiqte në çdo moment Bilal Xhaferrin.
bilal-xhaferri

Bilal Xhaferri

Të dhëna shumë interesante vijnë nga ky dokument i marrë në Arkivën e Shtetit sa i përket rolit që shkrimtarët e regjimit komunist kanë pasur në përndjekjen e Bilal Xhaferrit. Pasi kishte spikatur me talentin e tij, Bilal Xhaferri po mbështetej nga zyrtarët e lartë Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami. Pikërisht në këtë moment, sekretari i organizatës së partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve, Ismail Uruçi, kishte vënë në lëvizje informatorët e Sigurimit të Shtetit për të “çjerrë” maskën e “armikut të popullit”, Bilal Xhaferri, biri i “kriminelit të luftës”, i vrarë nga regjimi komunist. Sak në këtë fazë hyn në lojë edhe roli i shkrimtarëve të tjerë.

Njëri prej shkrimtarëve të realizmit socialist që ka ndihmuar me dashje apo pa dashje në persekutimin e Bilal Xhaferrit është Nasho Jorgaqi. Në këtë dokument të marrë nga Arkiva e Shtetit që lidhet me dosjen e Bilal Xhaferrit, është edhe emri i Nasho Jorgaqit. Sipas dokumentit rezulton se Jorgaqi ka informuar punëtorin e Sigurimit të Shtetit, Qani Tartale rreth Bilal Xhaferrit dhe të gjithë atyre që e kishin mbështetur, ku përfshihet edhe Dashnor Mamaqi. Më poshtë botohet e plotë letra e punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit, Qani Tartale si dhe faksimilja e dokumentit origjinal marrë nga Arkiva e Shtetit.

bilal-xhaferri3nasho-spiunibilal-xhaferri3


Letra

Në vjeshtën e vitit 1967 ose në pranverën e vitit 1968, (koha nuk më kujtohet), më ka takuar shoku Ibrahim Uruçi, në atë kohë sekretar i organizatës bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve. Ai më pyeti nëse e njihja Bilal Xhaferrin dhe i thashë se nuk e njihja dhe e pyeta përse e donte. Ai më tha se: ky ka babanë të pushkatuar, por Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja kërkojnë ta fusin anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Por çfarë do nga ne, përderisa e di se ai e ka babanë të pushkatuar?! Ibrahimi m’u lut ta verifikoja për ekzaktësi se : “do t’iua plas atyre”, më tha.

E pyeta Ibrahimin se nga është Bilali e ku punonte, më tha se është çam, punon në një kantier të ndërtimit në Ibë të Tiranës si punëtor. Pyeta në ministri shokun Rexho Hyseni e ndonjë shok tjetër që s’më kujtohet e doli që nuk e njihnin. Edhe në Ibë nuk rezultonte të ishte punëtor.

Pas ca ditësh më takoi përsëri Ibrahimi dhe më pyeti: ç’më bëre për atë porosinë?! Sepse është e padrejtë e nuk durohet të fusim në Lidhje një njeri të tillë. Unë i kërkova mos dinte ndonjë hollësi mbi Bilalin se shokët nuk e njihnin dhe se në Ibë nuk ndodhej, por ai më tepër nuk më dha informacione.

Nga verifikimi që bëmë rezultoi se Bilal Xhaferri banonte në Shijak dhe jo vetëm që çështja e babait vërtetohej se ishte pushkatuar, por Dega e Durrësit dispononte material për qëndrimet e tij të dyshimta.

Ibrahimit i thashë që Bilali e ka babanë të pushkatuar dhe se Bilali nuk është njeri i mirë.

Në prill të vitit 1968 Bilal Xhaferri bëri fjalimin armiqësor në klubin e shkrimtarëve në lidhje me romanin”Dasma” të Ismail Kadaresë, ku u demaskua nga Fadil Paçrami. Në atë kohë ndodhesha në spital, por menjëherë sapo fillova punë u ngarkova të merrem me problemin e Bilal Xhaferrit bashkë me drejtorinë e Tiranës, Durrësit, Krujës e Mirditës, ku kishte lidhjet e tij.

Gjatë punës për ndjekjen dhe verifikimin e tij, doli se Bilal Xhaferri, lindur në Ninat të Konispolit në 1935, banonte në Shijak të rrethit të Durrësit, me punë punëtor në fermën e Sukthit. Babai i tij është pushkatuar pas çlirimit si kriminel lufte. Bilali s’i ka dy klasë të shkollës së mesme, ka punuar si teknik punëtor e gjatë kësaj kohe ishte marrë edhe me letërsi. Megjithëse dihej që kish babanë të pushkatuar si armik, i janë botuar artikujt në gazeta e revista, si dhe vëllime me vjersha e tregime nga ndërmarrja e botimeve, duke e popullarizuar padrejtësisht si “talent letrar”, sidomos për një roman mbi Skënderbeun që kishte dhënë për botim, por që nuk arriti të botohej. Për popullarizimin e një novele të tij u shpërndanë fletvolante në stadium.

Gjithashtu del se para demaskimit, Bilal Xhaferri përkrahej edhe nga Ballkiz Halili, kryeredaktore e revistës “Shqiptarja e re”, të cilën Bilali e kishte kushërirë dhe frekuentonte shtëpinë e saj.

Përvec kësaj Nasho Jorgaqi, më ka thënë në një bisedë se Lidhja e Shkrimtarëve kishte dërguar shokë në Durrës që të kujdeseshin për trajtimin e tij, për shtëpi e punë në qytetin e Durrësit. Sipas porosisë së tyre, Bilali kish shkuar në komitetin e partisë në Durrës, ku e kishte pritur Naim Misiri dhe i kish thënë të shkonte në Komitetin Ekzekutiv të rrethit mbasi ishte biseduar me ta dhe do t’ia zgjidhnin çështjen e strehimit dhe punësimit.

nashoKëto Nashua i kish mësuar nga vetë Bilali, pasi e kishte takuar në Durrës në tren. I pyetur nga Nashua nëse shkoi në Komitetin Ekzekutiv, Bilali i kish thënë: “Nuk shkova, kush bredh nëpër zyra, edhe më thirrën vetë edhe më përcollën për tek Komiteti Ekzekutiv”. Gjithashtu shoku Nasho Jorgaqi më ka thënë që në një mbledhjen me letrarët e Durrësit, shoku Dashnor Mamaqi iu kish thënë: “sa vlen ky Bilali nuk vleni ju të gjithë. Nashos nuk e di kush ia kish thënë, sepse në atë kohë Nasho, në përgjigje të thirrjes së partisë, ishte në flotën ushtarake në Durrës.

Nga veprimet operative që u kryen, u vërtetua se Bilal Xhaferri ishte një armik i betuar. Në ngarkim të tij kishte mjaft të dhëna të dyshimta në lidhje me një ambjent armiqësor që kish ekzistuar që në vitin 1963-64 në Mirditë me vajzën e Izet Osmanit e disa elementë armiq në Laç e në Fushë-krujë.

Veprimtaria armiqësore e mëvonshme e tregoi kjartë figurën e tij prej armiku.

Arratisja e tij më 31 gusht 1969 për dobësitë e organeve tona, të cilat janë analizuar, i shmangu mundësitë për të nxjerrë rrënjët e veprimtarisë së tij armiqësore, si dhe ata që padrejtësisht e kanë përkrahur.

Bilal Xhaferri nga Greqia shkoi në SHBA, ku gjeti menjëherë përkrahjen e emigracionit reaksionar dhe është aktivizuar në veprimtari armiqësore duke shkruar disa artikuj kundër vendit tonë. Bile për disa kohë u vu edhe në krye të redaksisë së gazetës reaksionare “Dielli”, por më vonë e hoqën.

Mbi sa ngrita në këto shënime operative, në atë kohë i kemi diskutuar me përgjegjësit imediatë, por duke pasë parasysh se këto janë kuadro me përgjegjësi, nuk jemi marrë me verifikime të tilla. Nga ana tjetër Ibrahim Uruçi që ngulte këmbë si kuadër si sekretar partie, si shok i kemi thënë t’ia thoshte partisë (as nuk e kemi pyetur se ç’ka bërë më tej).

Nënë dritën e fjalimit të shokur Enver, e ndjej për detyrë të informoj për sa më sipër, si komunist e punëtor operativ, që partia ta verifikojë.

Qani Tartale
NASA është akuzuar se ka fshehur shenjat e kontakteve me alienët në Europë për dy vite.

Dje publikoi se shkencëtarët kanë zbuluar ujë në një nga hënat e Jupiterit dhe se ky është lajm i mirë për zhvillimin e jetës.
nasa1

Dhjetëra mijëra njerëz u bënë gati për të parë njoftimin direkt, por kur u zbulua se NASA e kishte bërë zbulimin dy vite më parë, u ngritën dyshime.

NASA deklaroi se i kishin fshehur imazhet nga publiku sepse kishin pritur për të dhëna më të sofistikuara nga teleskopi Hubble, që të mund të zbulonte më shumë detaje.

Ata thanë gjithashtu se anija kozmike nuk do ulej në planet sepse kishin frikë mos ndotej.

Një numër shkencëtarësh kanë shpjeguar se kjo është një provë e mëtejshme se shenjat e jetës së alienëve janë prezentë në atë botë.

Anija kozmike Juno është programuar të vetë-shkatërrohet, pasi të përfundojë misionin e saj në Jupiter dhe në hënat e saj, kështu që të gjitha provat e mundshme nga alienët do fshihen

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...