Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/10/25

– Libër nga Sejdo Harka, me analiza letrare, ese dhe portrete –

“MODERNËT E KOHËS”


Nga BARDHYL XHAMA, “Mësues i merituar”, shkrimtar


bardhyl xhama

Mësuesi, gazetari dhe studiuesi Sejdo Harka, sapo ka botuar librin e titulluar ”Modernёt e kohёs” (Për autorë shqiptarë dhe të huaj). Në të, janë përmbledhur disa nga studimet dhe recensat e shkruara për autorë e vepra letrare, ese, skica e portrete figurash të kulturës dhe artit.

I diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe, me përfundime të larta, autori i këtij libri ka një veprimtari të gjerë në fushën e arsimit, kulturës, gazetarisë e të kritikës, mësues e drejtues shkollash, në Përmet e Tiranë, korrespoendet i hershëm e bashkëkohor i shumë gazetave dhe i revistave dhe deri kryeredaktor i Gazetës “Mësuesi”, pranё Ministrisë sё Arsimit dhe Shkencës.

Kultura e gjerë letrare e gjuhësore, njohja e psikologjisë dhe e pedagogjisë, e ka bërë Sejdon të jetë vullnetfortë dhe gjurmues pasionant, në fushën e krijimtarisë letrare. Ai nuk ka rreshtur t’u pёrkushtohet krijimeve me vlerë, veçanërisht në fushën e studimeve letrare dhe të gazetarisë.

Fryt i një pune të tillë, të gjatë e krijuese, është dhe libri i tij i ri, ”Modernёt e kohёs”, që po e paraqesim shkurt pёr lexuesit. Ai ka vlera të shumëfishta. Në të, janë përmbledhur jo vetëm disa nga shkrimet më të bukur, të botuar në vite, në gazetat dhe revistat e kohës. por dhe shumë të tjerë, që janë shkruar kohët e fundit, posaçërisht për këtë libër. Pjesё e librit janё studime për shkrimtarë, nga më të shquarit e letërsisë sonë dhe të huaj, si dhe recensa për veprat e tyre. Përmendim, midis të tjerëve, shkrimin për Naim Frashërin, me titullin domethënës “Naim Shqipëria”; atë për Lasgush Poradecin si kolos i poezisë shqipe; për Ali Asllanin, me titullin “Koha është e maskarenjve”; për Sejfulla Maleshovën, poetin e dhimbjes së shpirtit etj.

Me mjaft interes dhe me këndvështrime të veçanta janë shkrimet për Dritëro Agollin (“Marrëzitë e kohës, në tehun e humorit të Dritëro Agollit”, “Dritëro Agolli i përdjekuri i dashurisë”); për Ismail Kadarenë (“Misteret e një darke”, “Mosmarrëveshjet e shqiptarëve me vetëveten, në këndvështrimin e I.Kadaresë, ”Monarku i letrave shqipe, në kujtesën e H.Kadaresë …); për Ben Blushin (“Historia në trillin krijues të Ben Blushit”, “Otello, që të mos vriste dashurinë, duhet ta kishte vrarë arapin” etj.).

Por vargu i shkrimeve është i gjatë. Ai vazhdon me shkrimet “Mallkimi i të mallkuarve”, për Enver Petrovskin; “Ëngjëj që mbyten nga djajtë”, për Diana Çulin; “Kur funeralet prihen nga arkimorte diktatorësh”, për Visar Zhitin dhe pastaj, me radhë, për Bashkim Hoxhën, Skënder Haskon, Bedri Dedjen, Koçi Petritin, Petraq Riston, Viron Konën, Niko Tyton, Thanas Dinon, Sokrat Habilajn, Rrapo Këlliçin, Kujtim Matelin, Ferdinand Dervishin, Haxhi Alinë e të tjerë.

Meritë e autorit është, gjithashtu, përfshirja në këtë libër e autorëve dhe veprave ndër më të mirat e letërisë botërore, të përkthyera në gjuhën shqipe. Përmendim këtu poezitë iraniane të Rumit, në shkrimin me titull “Rumi, shpirti i dashurisë njerëzore”; shkrimin për pozinë persiane, “Mesazhe universale, nga “Flladi i Orientit”; shkrimin “Esenini, gjeniu i lirikës ruse” ose shkrimet për librat “Lirika dashurie të sulltanëve” dhe “Gamorra”, të shkrimtarit italian, R.Savjano.

I përmendëm të gjitha këto, për të treguar se autori Sejdo Harka, me njohjen e gjerë dhe të thellë, që ka për letërsinë tonë dhe atë botërore, ka arritur të na japë një mozaik të vërtetë krijimesh, të përjetuara nga leximet e vëmendshme. Dhe, çka është e rendësishme, na i paraqet me një stil e gjuhë të qartë, të kuptueshme e të lidhur ngushtë me veçoritë e krijmtarisë të secilit, në prozë, në poezi, në dramë ose dhe në gjini të tjera.

Me interes lexohen dhe shkrimet: “Bedri Dedja, personalitet i madh i letrave shqipe”(për librin”Bedri Dedja, në kujtesën tonë”), “Një jetë për lirinё dhe arsimin” (për librin “Lame Xhama, ”Mësues i Popullit”), për librin “Pedagogji e zbatuar”” të Musa Krajës, për librin jetëshkrimor “Udhëtim nëpër vitet e jetës sime”, të Skender Haskos etj.

Një vend të vaçantë zënë punimet e këtij autori për shkrimtarë, krjijues e personalitete të rëndësishëm të shoqërisë dhe kulturës shqipare. Përmendim këtu shkrimet “Ministrja e parë shqiptare, që u persektua tërë jetën” (për Naxhije Dumen), “Thoma Deljana, ministri që guxoi të kundërshtonte Mehmt Shehun”, “I arti Bardhyl Xhama”,”Studuesi dhe publicisti i njohur Murat Gecaj”, “Legjenda e një jete, me emrin Skënder Hasko”, ”Viron Kona, njeriu që dhuron mirësjellje e kulturë”, etj.

Me mjaft interes lexohen, gjithashtu, shkrimet-ese: “A është çliruar Prometeu?!”, “Laokontët rrinë me yjet”, “Tej kufijve të legjendës”. Këto krijime, përveç se tregojnë njohuritë e thella të autorit dhe trajtim profesional, të gjerë dhe orgjinal, lidhen në mënyrë organike edhe me jetën e sotme, të vështirë e plot zikzake, të tranzicionit.
mdrn
Sikurse e vëreni, në këtë paraqitje të shkurtër, nuk kishim si synim që të bënim vlerësimin kritik të këtij libri. Qëllimi është të parashtrojmë përmbajtjen e tij, autorët e problemet kryesore që janë bërë objekt i shkrimeve, aftësitë dhe dijet e gjera të autorit, shumllojshmërinë e ҫёshtjeve që trajtohen, gjithpërfshirjen e autorëve e veprave të tyre, kompetencën profesioale dhe shkencore, me të cilën ato analizohen, si dhe ndjenjat, emocionet dhe mesazhet, që Sejdo Harka kërkon dhe arrin që të përçojë te lexuesit, nëpërmjet këtij libri.

Sigurisht, lexuesit do të jenë të aftë ta gjykojnë e ta vlerësojnë vetë përmbajtjen e gjerë dhe mozaike të këtij libri, disi i veçantë në krijimet e viteve të findit.

Shpresoj se ky botim i ri do të pëlqehet dhe do të zërë vend në bibliotekat familjare e shkencore, por veçanërisht në bibliotekat e shkollave, ku nxënesit e të gjitha moshave dhe studentët e lendëve shoqërore, do të gjejnë materiale me vlerë për zgjerimin e njohurive të tyre , përmbi ato që marrin nga programet shkollore, veçanërisht për shkrimtarët e shquar shqiptarë. E, pse jo, mendojmë që ky libër paraqet interes edhe për mësues e pedagogë të profilit të letërsisë.

*******


Shënime për librin “Modernët e kohës” të autorit Sejdo Harka 


Image result for Kujtim MATELI

Nga Kujtim MATELI


Sejdo Harka paraqitet para lexuesit me librin “Modernët e kohës” si kritik letrar, studiues dhe eseist. Në të tri këto pjesë, kontributi i tij është i ndjeshëm dhe tregon për përkushtimin dhe punën e kujdesshme për të sjellë një vepër të arrirë. Në këtë kuptim ia ka arritur qëllimit dhe libri i tij është mirëpritur dhe vlerësuar.
Në këto shënime do të ndalem vetëm për kontributin që ky autor sjell për letërsinë shqipe si kritik letrar. Ka përzgjedhur nga letërsia botërore dhe ajo shqipe disa nga këto vepra dhe i përcjell tek lexuesi me dashuri dhe profesionalizëm. Kritiku i një vepre letrare ka karakter të dyfishtë: nga njëra anë i drejtohet lexuesit për ta përzgjedhur këtë vepër në leximet e tij, nga ana tjetër i drejtohet autorit duke vënë në dukje arritjet dhe mangësitë. Duke lexuar analizat dhe komentet e kritikut Sejdo Harka, të lind dëshira t`i lexosh këta libra, të komunikosh drejtpërdrejt me këta autorë nëpërmjet veprës së tyre. Qëllimi i komentit apo i analizës së një vepre letrare është që të përcjellë tek lexuesi përgjigjen e pyetjes: Pse ia vlen që ky libër të lexohet?
Ky libër fillon me poetin Iranian Molana Xhelaludin “Rumi”, i cili jetoi në shekullin e XII dhe në moshën 40-vjeçare u bë një nga poetët dhe dijetarët më të mëdhenj të kohës së tij. Universi i poezisë që ai krijoi u bë një urë e fortë midis Lindjes dhe Perëndimit.
Në analizën e Sejdo Harkës janë evidentuar të gjitha këto vlera që poeti persian mundi t`i përcjellë jo vetëm lexuesit të kohës së tij, por edhe brezave pasardhës, vlera që i shërbyen kombit të tij dhe gjithë rruzullit tokësor, sepse ato janë vlera që i drejtohen cilitdo, pavarësisht se ku ndodhet apo jeton. Poeti shkruan me dashurinë e mendjes dhe të zemrës. Ai kërkon që dashuria e tij të gjejë vend jo vetëm tek bashkëkombasit, por dhe tek bashkëkohësit e tij, kudo që të ndodhen. Ai shkruan për brezat e shkuar, por dhe për brezat që vijnë. Skruan për ata me të cilët ndan shqetësimet për vendin e tij si dhe në rrafshin global.
Poeti kërkon që çdo gjë e arritur të mos vyshket apo të thahet, por të ketë jetë sa vetë shoqëria njerëzore. Disa ia kanë arritur që mesazhet e tyre të jenë gjithëkohore dhe universale. Kritiku Sejdo Harka e evidenton poezinë e Rumit si një vlerë universale, që u drejtohen të gjitha vendeve të botës, si mesazhe paqeje dhe mirësie. Ai vëren se poezia iraniane, në rrjedhë të kohrave, ka nxjerë vazhdimisht poetë të përmasave botërore, tek të cilët kanë gjetur pika kontakti dhe poetët e botës perëndimore. Kjo është përmasa universale që krijon letërsia e një vendi, e cila i drejtohet gjithë njerëzimit. Vetmia që krijojnë shtetet mes tyre apo dhe armiqësia e tejskajshme që i ka çuar ato në konflikte të përgjakshme, asnjëherë nuk e kanë patur miratimin apo bekimin e letërsisë. Nëse mes shteteve numërohen raste të shumta kur komunikimi mes tyre ka qënë i ndërprerë, nuk janë të pakta rastet kur letërsia ka ngritur ura komunkimi mes popujve.
Kur kërkon të zbulosh vlera të një autori të njohur, është e vështirë të sjellësh diçka të re. Aq më e vështirë bëhet kjo, kur ke të bësh me autorë të përmasave botërore siç është Esenini. Ai është si Himalaja për letërsinë botërore. Do të mundesh dot të ngjitesh në të tilla lartësi për të parë diçka me syrin tënd, që dikush tjetër nuk e kishte parë më parë, kur dihet që lartësitë sulmohen nga të gjithë? Por Sejdo Harka ka guxuar. Ashtu siç ka bërë dhe me poezinë persiane, ku lexuesit i ka sjellë imazhe të pashkelura më parë, ka mundur të bëjë dhe me Eseninin.
*****
Letërsia e Rilindjes dhe ajo e Pavarësisë zënë një vend të rëndësishëm në faqet e librit “Modernët e kohës”. Sa herë përmendet letërsia e Rilindjes, mendja të shkon tek poeti Naim Frashëri që ka tërhequr vëmendjen e pothuaj të gjithë studiuesve dhe kritikëve të letërsisë sonë. Ai është bërë objekt dhe i kritikut Sejdo Harka. Është vështirë të flasësh për të, kur krijimtarinë e tij e kanë analizuar në të gjitha përmasat autorë me peshë në letërsinë shqiptare si: Ismail Kadare e Dritëro Agolli, Ali Xhiku dhe Rexhep Qosja dhe prapë asnjëri prej tyre nuk e ka eksploruar gjithë kuadratin e dritës që përcjellë vepra e tij. Përpjekja që bën autori i këtij libri, tregon se nuk kanë për të pushuar ndonjëherë analizat dhe komentet për veprën e tij të çmuar.
Ndaj syrit vëzhgues të Sejdo Harkës, nuk kanë mbetur as Lazgush Poradeci, Ali Asllani e Lame Kodra. Ata që interesohen për letërsinë e kësaj periudhe, nxënësit dhe studentët, mësuesit dhe pedagogët, do të gjejnë një material të pasur që hedh dritë mbi veprën letrare të këtyre shkrimtarëve.
***
Pasi ka jetuar një jetë të tërë me veprën e Kadaresë, si mësues në shkollat e mesme në Përmet dhe Tiranë ku jeton aktualisht, ka shkëputur tri nga veprat e tij me të cilat kërkon të komunikojë me lexuesin dhe si kritik letrar, duke shpalosur vlerat reale që krijojnë këto vepra në fondin e letërsisë shqipe dhe asaj botërore. E fillon me romanin “Darka e gabuar” duke e njohur fillimisht lexuesin me përmbajtjen e tij për të depërtuar pak nga pak në thellësitë e kësaj vepre për të kuptuar mesazhet që ajo përcjell për periudhën në të cilën jetojmë.
Eseja ” Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” është një përpjekeje e Ismail Kadaresë për të hedhur dritë mbi disa çështje që qëndrojnë ende me pikëpyetje. Edhe studiuesi dhe kritiku Sejdo Harka mundohet, ashtu si dhe Ismail Kadareja, t`i kthejë këto fjali pyetëse në dëftore. Po që të hiqet pikëpyetja, duhet të zbardhet çështja. Ja si mundohet t`i japë përgjigje njërës prej enigmave që shqetëson shoqërinë shqiptare.
“Sëmundja e shtrëmbërimit të realitetit te ne, për fat të keq ka lënë enigma për shumë ngjarje e probleme të rëndësishme për shoqërinë, kombin dhe historinë e tij. Historianët, të ndodhur përballë tymnajave dhe presioneve politike, kanë deformuar historinë. Albanologët e rinj kanë arritur të shtrembërojnë të vërtetën edhe për lëvizje epokale, si ajo e Rilindjes Kombëtare duke e quajtur atë ‘lëvizje të kokave të prera dhe e flamurëve të përgjakur’. Albanologët e rinj, edhe prejardhjen e gjuhës shqipe nga ilirishtja e quajnë mit. Po, edhe sikur të jetë mit, ai ka zënë rrënjë në shpirtin e popullit shqiptar. Thelbi i këtij miti është: ‘Mos më vrit, mos më shpërngul, sepse jam në tokën time’ “. (Sejdo Harka “Modernët e kohës, Tiranë 2015, fq. 81).
Interesant është dhe këndvështrimi i studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka për librin e Kadaresë “Motive të Parisit”, ku fokusohen ngjarje politike e letrare dhe një përpjekje për zbardhjen e disa ngjarjeve historike për t`i dhënë Shqipërisë vlerën e merituar dhe siç thotë historiani Groult, në një bisedë me Kadarenë në Vatikan “Evropa duhet të mbështetet tek ky komb për emancipimin e Ballkanit. Kombi shqiptar është, në mos më evropiani, ndër më evropianët”. Ky konkluzion i historianit Groult, mbështet tek historia e Shqipërisë në mijëvjeçarët e shkuar, për të cilën ne shqiptarët, në vend që ta zbardhim, e mbajmë ashtu siç e kërkojnë fqinjët përreth nesh.
Dritëro Agolli ka zënë një vend të kosiderueshëm në këndvështrimin kritik të Sejdo Harkës duke na sjellë disa nga vlerat që ka poezia e tij humoristike, të cilat të bëjnë jo vetëm për të qeshur, por edhe të fshish nga mendja lakminë dhe ëndrrat e këqija. Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes dhe motivi i dashurisë ,i cili konceptohet si produkt i harmonisë shpirtërore dhe asaj trupore.
Në fokus të kritikut kanë ardhur dhe romanet e shkrimtarit Ben Blushi, të cilët në median e shkruar dhe atë televizive kanë qenë objekt i debateve të shumta, ku morën pjesë kritikë të letërsisë, opinionistë, shkrimtarë e gazetarë duke e përqëndruar debatin në çështje të ndryshme që veprat e tij artistike kanë ngritur para shoqërisë shqiptare. Romani ” Të jetosh në ishull” solli para opinionit publik një realitet artistik për të cilin pati mjaft diskutime, të cilat kërkonin të zbardhnin, nëse shtrëmbërohej apo jo historia shqiptare në këtë roman. Debate ngjallën dhe romanet e tjera të tij: “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”. Analiza që Sejdo Harka u bën romaneve të Blushit tregon seriozitetin dhe profesionalizmin e tij edhe si kritik i letërsisë.
****
Është me mjaft interes këndvështrimi me të cilën ka parë disa nga autorët e trevave shqiptare si: Murat Gecaj në librin “Dorela”, i cili kërkon që gjithsecili të jetë një misionar që përcjell në breza dashurinë njerëzore dhe Skënder Hasko me romanin “ 6 muaj nga jeta e Besianit”, i cili është vlerësuar si: “ Libri më i mirë i Panairit të vitit 2005”.
Në këtë libër gjejnë pasqyrim autorë si: Visar Zhiti me romanin “Funerali i pafundmë” ku përcillen mesazhe filozofike që lidhen me jetën e vdekjen dhe Bashkim Hoxha ,me romanin “Hotel Ballkan” ,ku qënia njerëzore vështrohet si pjesë e universit.
Enver Petrovci vjen në këndvështrimin e kritikut Sejdo Harka me dramën “Mallkimi i të mallkuarve” , kurse Diana Çuli me romanin “Ëngjëj që mbyten nga djaj”.
Një vëmendje të veçantë ka marrë poezia e Koçi Petritit dhe ajo e Sokrat Habilaj për vëllimin poetik “Të kisha thënë për lotin…”. Në analizën e kritikut Sejdo Harka do të gjesh dhe disa autorë shqiptarë si: Petraq Risto e Viron Kona, Andon Andoni dhe Niko Tyto, Thanas Dino dhe Musa Kraja, Reshida Çoba, Haxhi Aliaj etj.
Me librin “Modernët e kohës” Sejdo Harka bën pjesë në atë numër të paktë që numëron kritika shqiptare. Kontributi i tij është mirëpritur nga lexuesi, i cili kërkon të evidentojë vlerat reale që krijon letërsia. Letërsia kërkon të vlerësohet dhe ky vlerësim kërkon që analiza të jetë sa më afër objektivitetit. Lexuesi i formuar ka nevojë për art të mirëfilltë letrar. Kritikut seroz i lind detyra që në morinë e librave të përzgjedhë ato libra që mbartin këto vlera dhe t`ia paraqesë lexuesit që të depërtojë sa më lehtë në kuptimin e veprës dhe mesazhet që ajo përcjell. Libri “Modernët e kohës” krijoi urën e besimit midis tij dhe lexuesit.

Shënime për krijimtarinë poetike të Merita Gjonit



SHPIRTI POETIK I NJË MËSUESEJE…




Nga Sejdo Harka



Merita Gjoni (Gjoka) ka mbi 15 vjet që e ushtron profesionin e bukur të mësuesisë.Por veprimtarinë e saj të përditshme ajo nuk e mbyll brenda katër mureve të shkollës.Krahas mjeshtërisë së mësimdhënies, ajo zotëron edhe artin e vjershërimit.Mësuesia, jo vetëm që nuk e ka penguar të krijojë, por dhe e ka frymëzuar të shkruajë poezi të bukura. Gati çdo ditë, ajo e mbyll duke shkruar. Krijimtaria e përditëshme dhe e shumëllojshme artistike,jo vetëm e relakson,por dhe e kthjellon dhe i shton forcat, për t’i zgjidhur problemet dhe hallet e ditës.

Pas librit të parë,”Abazhur zemre”(2011),kohët e fundit ajo rishfaqet përsëri para lexuesëve me vëllimin e ri poetik,”Me duar dashurie”.Vjershat e këtij vëllimi, kryesisht, janë lirika të mendimit dhe të ndjenjës, që shpesh ndërthurën me elementet e fotografimit të ngjarjeve të kohës dhe narracionin për to. Problematika e poezive të M.Gjonit është, sa e gjerë aq dhe e larmishme. .Shpirti poetik i kësaj mësueseje, lundron përmes dallgëve të vështira të jetës së përditëshme.Ai përpalset me rrymat dhe kundërrrymat antinomike të ndjesive shpirtërore të njeriut të ditëve tona.


Objekt i poezive të saj, janë bërë lindja dhe vdekja, mirësia dhe ligësia, liria dhe skllavëria, besa dhe tradhëtia, gjakmarrja dhe egërsia…Teknika e vjershërimit të kësaj poeteje të re është e shumëllojshme .Në poezitë e saj lexuesi do të gjejë edhe ëmbëlsinë e vargjeve e strofave të matura tradicionale ,edhe bukurinë e vargjve të lira e të bardhë modernë,të shkruar në monokolonë, të cilët për vetë natyrën e tyre nuk i kanë shpëtuar prozaizmit dhe hermentizmit. Edhe pse në disa poezi shfaqen dukshëm elementet e hermetizmit modern, shumë prej tyre përçojnë te lexuesit mendime dhe emocione të dretpërdrejta.

Poezitë e këtij vëllimi karakterizohen nga ndjenja e sinqertë dhe mendimi i kthjelltë.Metaforat dhe animizimet e shumta ,përçojnë te lexuesit mesazhe të ngrohta dhe me vlerë, për të sotshmen dhe të ardhshmen.
Ballina e librit...

Ballinat e librit poetik të Merita Gjonit-Gjoka…

Një vend të dukshëm në këtë vëllim poetik zënë poezitë me motiv erotik. Dashuria, në poezitë e M.Gjinit, merr përmasa njerëzore.Ajo shfaqet sa individuale dhe e papërsëritshme, aq dhe gjithënjerëzore; sa e magjishme ,aq dhe tokësore. Në poezinë “Me duar dashurie”, me të cilën është pagëzuar libri i dytë i saj, dashuria merr fytyrën e muzës poetike, e cila duket sikur të rrëmben mbi krahët e saj, për të të shëtitur mbi mbrekullitë e botës.Në këtë poezi autorja, përmes heroit lirik, jo vetëm e ndjen dhe e përjeton shumë dashurinë, por dhe e nxitë të dashurin e saj që t’i shtrijë duart magjike, për ta rrethuar shtatin e saj të bardhë, “nga qafa deri në bel”. Në shpirtin e këtij “heroi lirik” të dashuruar, bashkëjetojnë edhe liria edhe gëzimi,edhe skllavëria edhe trishtimi, edhe mjalti edhe sheqeri, edhe helmi edhe zeheri. Në poezinë “Ne të dy”,dashuria gjallon brenda puthjeve të sinqerta dallgështërnguese. Për Meritën, dashuria është “magjia e shpirtit të pastër dhe të lirë”,”bardhësia dhe stolia e zemrës”.Dashurinë njerëzore ajo e thith si bleta punëtore nëpër lulet e bjeshkëve, për ta ruajtur në hojet e ëmbëla të mjaltit. Duartë e dashurisë së saj të lirë janë “zgjatime degësh të hazdisura/,që shtrihen drejt shtatit të bardhë”.Për të ,ajo që e nxit dhe e zgjon fillimisht dashurinë,është bukuria, simbol i së cilës ka qenë dhe mbetet femra. Por, shkruan poetja,”Kur bukuria kokulur rri/në llumin pa përmbajtje,/këmbët këmbehen/pa mendim/,edhe aroma e trëndafilit zbehet”. Ndërsa jeta dhe dashuria,shkatërrohet e ndalet. Dashuria, nga skllavëria dhe tradhëtia,”humbet stolitë”.Stolitë e dashurisë nuk janë bukuritë e akullta, pa shpirt dhe diamantet e shtrenjta,por”puthjet dhe përqafimet e zjarrta”.

Ashtu si për shumë poetë të tjerë, edhe për M.Gjonin sytë janë simbol i dashurisë dhe i tradhëtisë. Në hapësirat e tyre sa të vogla, aq edhe të mëdha,notojnë dete të thellë dashurie dhe tradhëtie.Në shumë vargje me motive erotike,autorja bën përkufizimin poetik të dashurisë.Për të, dashuria është ”kurorë me lule të freskëta lëndine,/shtegëtare që kërkon strehë të sigurtë,/muzë hyjnore e shpirtit”.Por, fatkeqësisht, ka raste që ajo tjetërsohet në “grenxë, që në shumë zemra gjezdis”.

Objekt i këtij vëllimi poetik janë bërë dhe disa dukuri të tjera shoqërore, si lindja dhe vdekja, ëndrra dhe shpresa,e mira dhe e keqja,liria dhe ngujimi,përgjumja dhe zgjimi. Ëndrrat e heroit lirik të poezive të M.Gjonit, për liri dhe drejtësi,fatkeqësisht edhe në ditët tona ,janë të fashitura e të grisura. Ato vazhdojnë të lëngojnë “nga plagët pa shërim,/që shtohen pa mbarim nëpër mote”(46).Kjo vjen , sepse edhe pse jetojmë në kohë moderne ,ditët ngujohen në zbrazdësi,ndërsa dielli fshihet pas rrjetave të merimangave helmuese.Është kjo arsyeja kryesore që koha dhe ditët gulçojnë nga aritmia dhe çorientimi.Gjatë rrjedhës natyrore ,ato verbohen nga mjegullsira e pabesia e “honeve dhe kartarakteve” të papritura.Për poeten ka dhe ditë, që “prehen në kurthe çengelësh”,të cilat si njerëzit fatkeqë, luten për shpëtim. Ditë të tilla bëjnë që e ardhmja,herë të mjergullohet e herë të ngrijë, “si bora në suferinë”.

Nëse lindja, në këtë vëllim poetik, konceptohet si proces ripërtëritjeje dhe zhvillimi,jeta paraqitet si një det me dallgë ,që herë trazohet dhe herë qetësohet. Njeriu, gjatë jetës, rend përmes rrëpirash e honesh. Ai rend drejt të paarritshmes ,duke kapërcyer shumë të përpjeta dhe të tatëpjeta.Ndërsa vdekjen M.Gjoni e trajton si dukuri tepër të dhimbshme, por jo tragjike. Edhe pse ajo paraqitet si një dukuri, që “çarmatos shpirtin e njeriut”, për ta zhytur “në akullnajat e gjarprinjëve”,ajo nuk mund të quhet fundi i botës. Jeta vazhdon të ripërtërihet e të ndryshohet.

Një tjetër poezi e bukur e këtij vëllimi është ajo me tiull, ”Futur në maskë”. Nëpërmjet saj, M.Gjoni dushon shpirtin binjak të njeriut të tjetërsuar. Tjetërsimi e bën njeriun”të shqyejë mendimet dhe të braktisë shqisat dhe dëshirat e veta”.Kurse “të ligjëve” ,ajo u vesh epitetet”mantel i palarë”,”gojë të mullirta, që përlyejnë të vërtetat dhe tjerrin merimangat e dështimit”.Për poeten, në shpirtin e kriminelit dhe mëkatarit mungojnë drita dhe meloditë e bukura.Ata mbjellin mbi tokë dhimbje ,varfëri dhe lotë,të cilët pikojnë mbi fytyrat fatkeqe,”si kripa mbi plagë”.Vrasësit e kohës ajo i quan “egërsira, që zhele kanë veshur” dhe “zemrën e shpirtin e kanë të zhubrosur”.

Fatkeqësisht,edhe bota e shoqëria e sotshme është trondiur nga ethet për pushtet e para! Njerëzit, që notojnë mbi ujëra të tilla të turbullta,u ngjajnë lukunive të uqërve,që për poltrone dhe para,brejnë eshtra dhe shpirtëra njerëzish. Armiqtë e njerëzimit janë “të idhët si varri, /të zinj si terri i natës,/plot gjëmba si iriqi”.

Autorja e ndjen thellë shqetësimin qytetar për luftën ndaj gjakmarrjes,si dukuri tepër negative e shoqërisë,fatkeqësisht edhe në ditët e sotshme.Në poezinë ”I ngujuari”, gjakmarrja shfaqet si një shtrigë, që ha bijtë e vetë. Ndërsa i ngujuari,viktimë e kësaj mortaje,paraqitet si një “ëndërr e fikur”,”truptretur dhe mushkëri nxirë”,”flokzi thinjosh e zemërngrirë”.Të vetmet ilaçe, që e shërojnë njerëzimin nga kjo mortajë vdekjeprurëse, janë pajtimi dhe falja.

Këtë vëllim, M.Gjoni e mbyll me poezinë”Zgjimi”,e cila është ndërtuar mbi bazën e një apostrofi metaforik ,që tingëllon si një thirrje qyetare, drejtuar gjithë njerëzimit, që ai të zgjohet nga apatia dhe gjumi letargjik, që mbjellin sadistët dhe egocentristët, për të trembur dhe sunduar mbi shoqërinë njerëzore. Përmes vargëzimit metaforik,ajo kërkon të zgjojë te lexuesit vetëdijen,që askush të mos guxojë ”t’i vjedhë ëndrrat”dhe t’u ndërtojë para syve “prita e gardhe”.

Së fundi, mund të themi se krijimtaria poetike e mëseses Merita Gjoni-Gjoka i ngjan një fëmije të shëndetëshëm, që rritet dhe zhvillohet vrullshëm.Ajo ka impuls dhe çiltërsi, ndjenjë dhe përjetim,vendosmëri dhe guxim për të sjellë para lexuesve vlera,mesazhe dhe ndjesi të bukura dhe emocionuese.

Sejdo Harka:Femra, forcë e madhe, krijuese e shoqërore

Sejdo Harka
  
 Sejdo Harka  


Me forcën dhe dinjitetin e vetë, me energji të pashterrshme, femra shqiptare përpiqet që të ringrihet plot dinjitet njerëzor. Edhe ata, që përpiqen ta “vrasin ose ta dhunojnë”, ajo i “vret” me dashurinë dhe mirësinë e saj.

Të shkruash për femrat, do të thotë të shkruash për gjysmën më të mirë të shoqërisë njerëzore.Ajo është bërë simbol i bukurisë dhe i dashurisë,i gjenerimit të jetës dhe shoqërisë,i ëndrrave të bukura dhe besnikërisë…Gruaja është fytyra e vërtetë e shoqërisë.Si të jetë ajo ,ashtu është dhe shoqëria.Sa më e lirë, e ditur dhe krijuese të jetë, aq më e zhvilluar është shoqëria. Dijet e thella,mendja krijuese dhe virtytet e larta morale e shpirtërore të grave dhe vajzave ,e shtyjnë shoqërinë përpara .Ato kanë bukurinë e natyrës së virgjër,ëmbëlsinë dhe shijen e mushtit,shkathtësinë e bletës puntore dhe freskinë e vesës së mëngjesit.Ëndrra e tyre ka hapësirat e gjithësisë dhe kthjelltësinë e qiellit.

Zemra e tyre ka bardhësinë e borës dhe ngrohtësinë e diellit,shpirti i tyre ka ëmbëlsinë e mjaltit dhe krahët e pëllumbit. Me duart e tyre ato ndërtojnë e zbukurojnë,me mendjen e tyre krijojnë,me shpirtin e tyre të pastër ngrohin dhe shërojnë. Çajupi ynë ka shkruar: ”Më se rriten foshnjet,/ç’i rritë çiliminjtë? /Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë”.
Janë këto disa nga arsyet që prof.Murat Gecaj,librin e tij të ri ose antologjinë, me titull kuptimplotë,”Për ju, krijuese”,ua kushton grave dhe vajzave krijuese, artiste dhe veprimtare shoqërore. Ai është një apel i fuqishëm, drejtuar mbarë shoqërisë ,politikës dhe gjithë lexuesëve:”Duajini e respektojini, ndihmojini e nxitini, në të gjitha fushat e jetës, gratë,nënat dhe vajzat tuaja,sepse pa to s’ka jetë e dashuri,s’ka progres dhe zhvillim!” Sepse, kush i pengon ato, ka dhunuar lirinë,ndërsa kush dhunon gruan, ka” vrarë” shoqërinë.
Ky libër, për vetë tematikën,këndvështrimin dhe stilin e tij,shënon një risi letrare.Objekt i këtyre shkrimeve është bërë krijimtaria dhe veprimtaria shoqërore e 62 poeteve e shkrimtareve dhe e 29 artisteve e veprimtareve shqiptare , të cilat punojnë dhe jetojnë brenda dhe tej kufijve të Atdheut,deri në Amerikën e largët e në Kanada.

Në këtë libër, vend të rëndësishëm zënë bisedat e lira me krijuese e artiste, ndër më të njohurat e vendit,diskutime e analiza për krijmtarinë dhe tematikën e librave të tyre,shkrime për përurim librash e dokumentarësh për jetën dhe vlerat e krijimtarisë e të artit të tyre. Siç shkruan dhe vetë autori,femrat krijuese kanë një botë të madhe e të pasur shpirtërore, të mbushur me mirësi e frymëzim. Në krijimtarinë e tyre lexuesi gjen bukurinë e shpirtit dhe sinqeritetin e ëndrrës,guximin e kohës dhe ëmbëlsinë e këngës. Ato lëvrojnë të gjitha gjinitë ,llojet dhe nënllojet letrare.Krijueset tona i këndojnë Atdheut dhe dashurisë,luftës dhe lirisë ,punës dhe ëndrrës, jetës dhe zemrës.Me veprat e tyre, ato fshikullojnë e satirizojë plagët e shoqërisë së sotshme ,që e detyrojnë femrën të dhunohet e të gjunjëzohet,të shitet si plaçkë tregu e të prostituohet.Në krijimtarinë e tyre ato qortojnë dhe fshikullojnë edhe vetëveten,për heshtjen dhe mungesën e guximit e besimit ,për divorcet pa shkak thelbësor dhe për luftën e pamjaftueshme për vetëemancipim,të bindura se liria e vërtetë,nuk dhurohet ,por fitohet me punë e talent, me përpjekje e dinjitet.

Krijimtaria e vajzave dhe grave shqiptare ka fytyrën e letërsisë moderne të kohës.Ajo dallohet për frymën njerëzore dhe sinqeritetin e rrallë,për stilin e zhdërvjelltë dhe gjuhën e gjallë.për mesazhet e bukura dhe frymëzimin spontan.Për të kuptuar më mirë ndihmesën, që jep femra shqiptare për modernizimin e letërsisë dhe artit ionë ,po ndalemi te disa nga krijueset dhe artistet më të spikatura që autori i këtij libri,prof.M.Gecaj i ka bërë objekt dhe personazhe të shkrimeve të tij.
Libri çelet me shkrimin –bisedë, që autori bën me krijuesen Liljana Kristuli,jo vetëm se ajo është një poete e talentuar dhe mjeke e njohur, atje ku jeton në Itali, ,por edhe sepse, bashkë me disa mike të tjera krijuese, L.Vladi, R.Çoba,E.Kame, T.Halilaj, S.Pllana e M.Agalliu, e kanë mbështetur botimin e këtij libri. Por dhe secila ka veçoritë e saj në librat e botuar.

Kështu, p.sh. Liljana ka botuar pesë libra dhe po përgatit librin e gjashtë.Poezitë e saj më të bukura i ka përmbledhur në librin “Pemë dhe gjethe”. Ndërsa në novelën “Gra të e harruara”,autorja fshikullon ata, që me cinizmin dhe papërgjegjshmërinë e tyre, kanë bërë që gruaja të nënvleftësohet,përbuzet dhe të harrohet.Krijimtaria poetike e kësaj krijuese dallohet për thjeshtësinë e vargut, qartësinë e mendimit dhe siqeritetin e ndjenjës.Liljana është dhe mjeke e pasionuar. Fryt i punës studimore është dhe libri i saj, “Unë dhe dializa”.

Për shpirt të gjallë poetik dallohet edhe krijuesja Angjelina Krasniqi-Bardhaj.Kur ajo ndodhet pranë valëve të Drinit të Bardhë,”Buzët i lyen me mjaltin e bletës”,ndërsa “Sytë i lan me vesën e mëngjesit” ..Ganimete Thaçi,ose siç quhet ndryshe, “Çika Hasjane”, nga që e ka përjetuar thellë dhimbjen e kurbetit,shkruan vargje të tillë emocionalë :”Këtu, në kurbet edhe sytë më janë tharë”.Në krijimtarinë e saj nuk mungojnë as poezitë erotike për dashurinë.Nga puthjet e sinqerta,shkruan ajo,”Ma mori flaka buzën” .
Për të na njohur me jetën dhe veprimtarinë krijuese të poetes Ilirjana Sulkuqi,e cila jeton në Amerikë,autori merr shkas nga dokumentari”Lirikë shpirti”,me skenar të K.Traboinit.Në krijimtarinë e saj të bollshme,përveç të tjerave,trajton temën e mbrojtjes së dinjitetit të gruas dhe të dashurisë njërëzore. Ndërsa Kozeta Zylo,vjen që nga përtej Atllantiku, në Tiranë, për të përuruar dy librat e rinj. Nëpërmjet librit,“Një fjongo dielli nga Nju Jorku”,ajo sjell te lexuesi shqiptar “diellin “ e lirisë së vërtetë të gruas amerikane. Edhe Majlinda Nana Rama dallohet për krijimtarinë e gjerë e të larmishme letrare dhe veprimtare shoqërore, si brenda e jashtë vendit.

Dy nga librat e saj më të lexuar janë”Hënë e qiellit tim” dhe romani ”Perandorët”.Për përurimin e librit më të mirë shqiptar, ajo ka organizuar edhe panaire libri,jo vetëm në Fier, ku jeton, por dhe jashtë Shqipërisë, si në Kosovë,Maqedoni,Greqi,Francë,Austri,Hollandë,Belgjikë.etj.Mësuesja e poetja Merita Gjoni shquhet për gjuhën e gjallë dhe vargun e zhdërvellët.Përmes magjisë së fjalës ,ajo kërkon tëshkallmojë çdo pengesë, që kërkon të zbehë syrin e saj të mprehtë.

Poezia e vajzës së talentuar Nafie Salhiaj,vjen te lexuesi e kthjellët dhe tepër emocionale,me ngjyrime të thella metaforike ,si dhe me mesazhe të fuqishme për jetën,dashurinë Atdheune për tërë shoqërinë.Me guximin e një vajze të emancipuar,nëpërmjet vargut”Mos ma trembni dashurinë”,ajo sfidon dhunimin dhe skllavërinë e femrës shqiptare.Rajmonda Meleçka,ose siç quhet ndryshe “Shota e dytë”,është jo vetëm krijuese e talentuar,por dhe një luftëtare trime për liri dhe drejtësi kombëtare .Ajo ka marrë pjesë, me armë në dorë, për çlirimin e Kosovës dhe në Maqedoni,pa iu trembur syri, as nga burgjet e torturat dhe e as nga plumbat. Një nga 13 librat e saj më të mirë është ai me titull”Mbollëm gjak dhe hodhëm rrënj”,me ngjyrime të thella popullore,që tingëllojnë si një himn i bukur për atdhedashurinë.Poetja Reshida Çoba,e cila edhe pse jeton në Los Anxhelos të Kalifornisë,mendjen dhe shpirtin e ka te vendlindja e dashur.Poezia e saj është tepër e çiltër, me ngjyrime të thella moderne,të mbush me emocione dhe dëshirë për ta lexuar me një frymë. Vëmendjen e lexuesëve ka tërhequr edhe krijuesja vlonjate Vilhelme Vranari ,sidomos me romanin “Dritëhijet e medaljes enigmë”, të redaktuar nga Fatmir Tereziu.Ndërsa publicistja Vjollca Spaho,pëveç librit studimor “Tej kufijëve të fjalës”, ka dalë me vëllimin poetik elegjiak,”Po të shkruaj”.Poetja Zyba Hysa e ndjen veten si pulëbardhë, që fluturon në hapësira të pafundme.
Kështu, me fjalë vlerësuese e mniratuese, mund të flisnim edhe për poete ose shkrimtare, që janë pjesë e këtij libri, me vlera të disaanshme. Të tilla janë krijueset: Kozeta Zavalani, Raimonda Moisiu, Lida Lazaj Eli Kanina, Zyrafete Manaj, Ermira Jusufi, Lumturi Ymeri, Mimoza Agalliu, Seli Murati,Vera Istrefi, Vitore Stefa, Vjollca Pasku, Vojsava Nelo, Enkelejda Tahiri etj.
Pjesën e dytë të librit, autori M.Gecaj ua kushton jetës dhe veprimtarisë së gjerë, interpertuese e kulturore të disa nga artistet tona. Me punën dhe talentin e tyre të rrallë, ato e kanë ngritur lart dinjitetin e Kombit dhe të femrës shqiptare.Në ballë të këtyre shkrimeve qendron” Artistja e Popullit “dhe “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela.Zëri rrallë i kësaj këngëtareje,i ngjan një ujvarë e pandalshme mali,që zbret rrëmbyshëm për t’i dhënë frymëmarrje Himnit tonë Kombëtar. Shqiptarët,kudo që ndodhen,s’kanë për t’i harruar kurrë disa nga këngët e saj më të bukura, si”Fëmija e parë”,”Gonxhe në pemën e lirisë”,”Nëno, moj, do pres gërshetën”,”Valsi i lumturisë”…,të cilat janë bërë model dhe hit i bukurisë së këngës shqiptare.

Një zë i paarritshëm i këngës shqiptare, është dhe ai i Nexhmije Pagarushës, për të cilën flitet me nderim në këtë libër.Kënga e saj duket sikur buron nga thellësitë e tokës shqiptare ,si një melhem për të shëruar plagët e mahisura të Kombit Shqiptar, në shekuj. Gjithashtu, e papërsëritshme, për hapësirat dhe llojet e këngëve, që interpretoi, mbeti artistja dhe “Mjeshtrja e madhe”, Fatime Sokoli”,e cila është thirrur “Bilbilja tropojane”, por është dhe“valltarja flutur”, Xhevahire Gashi” etj..
Një vend të rëndësishëm, në shkrimet e këtij libri, zënë edhe disa nga emrat më të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare .E tillë është artistja e madhe, Tinka Kurti ,e cila ka luajtur 120 role të suksesshme, në teatër e kinematografi. Me respekt të veçantë shkruhet në këtë libër edhe për “Artisten e merituar”, të ndjerën Besa Imami. Për aftësitë e larta interpertuese ,ajo është vlerësuar me titullin e lartë,”Nderi i Skenës Shqiptare”. Në libër flitet edhe për piktoren e talentuar Lule Bajraktari (Suedi), drejtueset e pasionuara në arsim dhe edukim: Persa Grabova(Shkodër), Marie Brozi (Mirditë) etj.
Ashtu siç është nënvizuar, në të gjithë shkrimet e këtij libri ose kësaj antologjie, me autor prof.Murat Gecaj, publicist e studiues, femra shqiptare është jo vetëm krijuese e talentuar dhe interpertuese e rrallë ,por dhe luftëtare dhe guximtare e pamposhtur. Kur atë e pengojnë, si në punë, krijim e në jetë dhe synojnë ta gjunjëzojnë, ajo tregohet e paepur dhe guximtare. Me forcën dhe dinjitetin e vetë, me energji të pashterrshme, femra shqiptare përpiqet që të ringrihet plot dinjitet njerëzor. Edhe ata, që përpiqen ta “vrasin ose ta dhunojnë”, ajo i “vret” me dashurinë dhe mirësinë e saj.

Në 85-vjetorin lindjes: DRITËRO AGOLLI, EMBLEMA E MENDIMIT DHE LETRAVE SHQIPE


Image result for Sejdo Harka

Nga: Sejdo Harka publicist e studiues

1.

Dritëro Agolli është një nga figurat më të shquara të mendimit dhe të letrave shqipe.Ai më 13 tetor të këtij viti mbush 85 vjeç .Kaloi një jetë gati shekollore ,plot vuajtje e gëzime,plot suksese e dështime ,por kurrë s’u lodh e s’u dëshpërua,por eci kurdoherë përpara plot shpresë e krenari ,plot forcë e burrëri.Në krijmtarinë e tij ndjen thellë dhimbjen dhe frymëmarrjen e kombit e të gjithë shqiptarve, kudo që punojnë e jetojnë.Dritëroi,ky kolloz I letrave shqipe, ka shkëlqyer në shumë fusha të jetës ,por veçanrisht në atë të artit ,letërsisë dhe kulturës.Në portretin e tij shqiptarët shohin mendimtarin dhe politikanin e sinqertë, dhe atdhetarin e oratorin gjuhëzjarrtë,gjeniun e letrave shqipe dhe prindin dhe bashkeshortin shëmbullor.Por ajo që e ndriçon më mirë portretin e tij ,është krijmtaria shumëplanshe.

Image result for dritero agolli

Me penën e tij të artë ,Dritëroi është shquar si publicist koherent dhe kritik letrar,studiues tepër i thellë dhe përkthyes krijues,romancier i karaktereve të papërsëritshme dhe poet i rrallë. Është kjo arsyeja që Dritëroi shpesh është thirrur me epitetin e bukur “bardi”i muzës poetike shqiptare.Stili i tij krijues ,është sa moderrn ,aq dhe klasik.Te ky shkrimtar gjen shprehjen e plotë sentenca filozofike,se stili është vetë njeriu.Brenda krijmtarisë së tij gjen shpirtin, kulturën dhe temperamentin e gjallë të Dritëro Agollit.Në krijmtarinë e tij ndërthuret realja me fantazinë,poetikja me lirizmin,sinqeriteti me thjeshtësinë dhe frymëzimi me spontanitetin.Tematika e krijmtarisë së tij letrare është shprehje e historisë dhe problemeve të mëdha të jetës shoqërore shqiptare ,si lufta për liri e demokraci të vërtetë .Krijimtaria e tij ka vite që flet në shumë gjuhë të botës.Qartësia e mendimit dhe puna për skalitjen e karaktereve e gdhendjen e fjalës ,janë ato që e dallojnë stilin e tij të papërsëritshëm .Poeti ynë i madh Dritëro Agolli,me penën e tij të artë,”i bie malit “dhe e bën të mendohet,”i hyn shpirtit brenda “dhe e bën të mbrekullohet,”i bie të keqes” dhe e bën të ndryshojë.Të shumta janë poezitë lirike, ku ndnjejat dhe mendimet e autorit zbulohen përmes figurave,portreteve,apo mesazheve njerëzore.Poezitë e tij i shmangen shtepërsisë ,shartimeve të sforcuara dhe ftohtësisë.Dritëro Agolli lëvron me mjeshtëri një shumllojshmëri poezish ,si ato të mendimit dhe të filozofisë të peisazhit e të dashurisë...Krijmtaria e tij dallohet për forcën e frymëmarrjes dhe densitetin e mendimit,për humorin e këndshëm dhe brendinë universale.Ai është një mjeshtër i rrallë i humorit dhe satirës ,sidomos në gjininë e fabulës.Pas maskës së kafshëve ai zbulon marrëzitë e kohës .Për të fshikulluar këto shembulltyra,D.Agolli i rikthehet mesazheve dhe karaktereve të skalitura nga kollozët e fabulës ,humorit dhe satirës botërore, si Ezopi e La Fonteni.Humori i tij të sjell ndërmënd O’Henrin dhe mjeshtrin e madh turk Azis Nesin.Për Dritero Agollin edhe sot “Ka njerëz që flasin me buzë/por ka dhe të tjerë që me buzë ndyjnë”.Shpesh ndodh që njeriu i drejtë e i guximshëm,në vend që të ndihmohet e nxitet për të ecur përpara,vihet në shenjestër nga egoistët dhe cinikët.Prandaj D.Agolli,në vëllimin poetik “Gdhihet dhe ngryset”shkruan:”Ku të futem s’gjej vend tjetër,/Ku të qesh e ku të qaj?/Majtas ,vrap më dalin dreqër,/Djathtas ,vijnë e presin djaj”.Viktimat e vesit ky poet i madh i dushon me ujë të ftohtë ,për t’i zgjuar nga ëndrrat e këqia,ndërsa bartësit e vesit i fshikullon ashpër për të ndryshuar rrugë.


2.

Dritero Agolli, ky kollos i letrave shqipe ,kohët e fundit është thirrur edhe me një epitet tjetër të bukur,”i përndjekuri i dashurisë”.Me këtë emër tepër kuptimplotë e ka pagëzuar libri i tij me poezi erotike,me të njëjtin titull,botuar kohët e fundit.Dashuria dhe thjeshtësia,sinqeriteti dhe bujaria ,kultura e gjerë dhe dituria, e kanë ndjekur dhe “përndjekur” tërë jetën, poetin tonë të madh, Dritero Agolli.Ato i gjen në shpirtin e tij të pastër dhe në penën e tij të rrallë,në flokët e tij të bardha dhe në zemrën e tij të zjarrtë,në ëndrrat e tij të bukura dhe në gojën e tij si mjaltë,në mendimin e tij të kthjellët dhe në moralin e tij të lartë,në këngën e tij devolliçe dhe në gotën e rakisë,në brazdat e thella të ballit dhe këngët e dashurisë,në vrullin e rinisë dhe hapat e matura të pleqërisë…
Driteroi ,si dhe Rumiu,është shpirti i dashurisë njerëzore.”Ngricat” shpirtërore, që çuditërisht edhe sot kërkojnë ta mpijnë shpirtin e njerëzve të lirë, poeti ynë i madh ka zgjedhur “t’i shkrijë” me një tufë të bukur poezish për dashurinë .Erotika e D.Agollit mban brenda afshin e zjarrit dhe të ngricave të dashurisë.Në thellësinë e tyre gjallojnë lumturia dhe gëzimi,dhimbja dhe trishtimi,dilema dhe besimi,suksesi dhe dështimi,ëndërra dhe flijimi,shpresa dhe besimi…Poezitë e Driteroit për dashurinë janë shëmbëlltyra më e mirë e poezisë së sotshme moderne shqipe.Si vazhdues i traditës më të mirë kombëtare dhe botërore,ai krijoi një sistem të papërsëritshëm vjershërimi.I frymëzuar nga muza popullore dhe Naimi,nga Petrarka dhe Bernsi,nga De Rada dhe Poradeci,ai krijoi një sistem vjershërimi të ngjeshur me mesazhe me vlera universale dhe emocione të ngrohta ,të cilat përflakin shpirtin e lexuesëve të të gjitha moshave dhe shtresave të shoqërisë.Dashurisë, ai i këndon jo vetëm si emocion,por edhe si fuqi tokësore, që e ndihmon dhe e shndërron jetën vetjake dhe shoqërore.Dashuria konceptohet si produkt i harmonisë ndërmjet bukurisë shpirtërore dhe asaj trupore.Ajo është, njëkohësisht, dhimbje dhe kënaqësi,shqetësim dhe lumturi,”robëri” dhe liri.D.Agolli,siç shprehet dhe vetë metaforikisht,në vjershën,ndoshta më të bukur të vëllimit,”I përndjekuri i dashurisë”,ndiqet dhe ”përndiqet” këmba-këmbës nga dashuria.Kudo që shkel, merr e dhuron dashuri dhe”vret” e fshikullon urrejtjen dhe xhelozinë,dhunën dhe tradhëtinë.Heroi lirik i kësaj poezie,brenda të cilit gjallon edhe vetë poeti, e ndjen veten si”i burgosur”i dashurisë, që vuan nën “prangat“ e saj.Atë s’e lodh as “dritarja e mbyllur”,as “qelia” e dashurisë,sepse në brendësinë e tyre fshihen lumturia dhe trishtimi,gëzimi dhe shqetësimi. Dashuria konceptohet si një “xhelat”i çuditshëm,që në vend që ta urresh,të bën ta puthësh e ta duash përjetë.Dashuria ,ashtu siç lind edhe mund të vdesë një ditë,por poeti dëshiron,që ajo të jetë e përjetshme.Prandaj shkruan:”Xhelatin e dua të vijë shpesh në qeli”,sepse “të përndjekurit nga dashuria , i vjen mirë”.

Për Dritero Agollin, dashuria është një ndjenjë e trazuar,brenda së cilës gjallojnë kënaqësia dhe shqetësimi,xhelozia dhe mirëkuptimi.Ajo i ngjan një lumi të rrëmbyeshëm,që duke zbritur “rrëpirave” të dejeve, përflak zemrën dhe zbukuron shpirtin e njeriut. Kur krimbi i xhelozisë , mollën e dashurisë ka përshkuar,zjarri magjiplotë i dashururisë “…drejt njer-itjetrit i ka ngarë”.”Dashuria është magji e dilemë,/…më e vështira teoremë”(6).Heroit lirik të D.Agollit, dashuria nuk ia zëvendëson botën,por as bota nuk ji zëvendëson dot dashurinë.Për të, dashuria dhe bota janë një dhe të pandarë,gjë që shprehet në vargjet:”Pa ty, kjo botë do të lëvizte,/Siç lëviz pa ngrohje një vagon” .
Driteroi,ashtu si dhe Naimi,të bukurën e identifikon me gruan.Konceptimi i tij, për këtë nocion të estetikës, përputhet edhe me atë të Platonit,i cili theksonte se bukuria është shkëlqim i së vërtetës.Për Agollin dashuria dhe e bukura janë në lidhje të përjetshme me njera-tjetrën.Ndërsa gruan e quan simbol të dashurisë dhe të ndjeshmërisë.Ndaj asaj i këndon: “E bukura,tokësorja,e thjeshta grua”(11).Ajo, me sjelljen e saj ,e bën burrin të vuajë shpirtërisht.Magjia e saj bën që ”…gjaku muret e aortës vrullshëm të godasë”(11).Për poetin gruaja ka vlera të pazëvendësueshme për familjen dhe shoqërinë.Prandaj, në shënjë dashurie dhe mirnjohjeje, shkruan:”Të falnderoj që në sajen tënde marr frymë,/Të falnderoj që lulja s’mu tha nga një brymë!”.Është kjo arsyeja, që e bën heroin lirik “…t’i bëjë prangat thërrime” ,kur “Mes mjergullës dhe ëndrrave të frikshme, dallon zërin e gruas së tij, që e thërret për ndihmë”.Gruaja ka dalë nga “brinja e burrit”.Por, kur ajo doli në dritë,”brinjët një nga një ia krisi burrit”.Prandaj, për të, shkruan:”Sa dukesh ti në derë,pranvera më hyn në shpirt,/Ndërsa shpirti më zhytet në pranverë”.

Për këtë poet, dashuria është një magji, që shpesh nuk i bindet arsyes: ”…kur e ndjek pas, ajo ikën,; ndërsa, kur i largohesh, ajo të ndjek pas hap pas hapi”.Këtë magji të brendshme poeti e shpreh nëpërmjet vargjeve:”Kur ikja larg,drejt teje vija,/Kur vija afër, ti ikje larg”. Dashuria,herë largohet si erë e ftohtë dhe herë rikthehet si afsh i nxehtë.Heroi lirik trembet nga largësia e acartë,ashtu siç trembet nga afria,që i bëhet çark.

Një tjetër poezi e bukur e këtij vëllimi është ajo me titullin ”Dashuria dhe jatagani”.Në themel të brendisë së saj qendron ndeshja midis urrejtjes dhe dashurisë,paqes dhe luftës,lirisë dhe skllavërisë.Përmes personifikimit metaforik, dashuria i lutet Zotit ta shpëtojë: ”Nga i ligu jatagan,/Ta shpinte larg kësaj bote,këtë rrufjan”, sepse ky lugat,në vend të dashurisë, mbjell urrejtjen; ndërsa, në vend të paqes, luftën. Në lirikat erotike të Driteroit ndërthuren bukur dukuritë natyrore, me ato njerëzore.Mallin e dashurisë, ai e derdh në vargje të tillë metaforikë, si”Hëna brirët lan në lumë,/ylli ujin spërkat”.Ndërsa i dashuruari, nga malli,”sillet nëpër shelgje fillikat”.

D.Agolli ,jo vetëm poet,por edhe qytetar ,e ndjen dhimbjen, që shkaktojnë divorcet e shumta, që po tronditin familjen e sotshme shqiptare.Shkak për këtë dukuri negative të kohës janë bërë varfëria dhe pasiguria,grindjet dhe xhelozia,zbehja e dashurisë dhe tradhëtia,lidhjet e përcipta dhe paqendrushmëria.Natën e ndarjes, heroi lirik e quan veten”kalorës të mundur”, që rend në qiellin e turbullt,ku” leckat e reve e lidhin hënën si plagë”.Ndërsa Petrarka vuan dhimbjen e heshtjes së Laurës,Agolli ndjen trishtimin e ndarjes.Për të, gruaja është e bukur si Perëndia e Greqisë së lashtë.Ai ,siç beson te lëkundja dhe vdekja e dashurisë,beson edhe te ringjallja e saj,gjë që e shpreh nëpërmjet vargjeve metaforikë:”dhe bari derdh gjithë gjelbërimin/dhe zogjtë derdhin këngë e ligjërim”.Driteroi ,si dhe Naimi ,s’e ndan dashurinë nga virtyti dhe morali.Për poetin “Ka njerëz, që e ruajnë dashurinë,gjersa bëhen pleq”,siç ka edhe të tjerë, që fatkeqësisht, ”…të dashuruar qendrojnë vetëm një muaj”.Konceptimi i Dritëroit për të bukurën ,gruan dhe dashurinë, shpesh përputhet edhe me atë të lirikut të madh simbolist francez ,Sharl Bodler,i cili në poezinë”Himni i dashurisë”, i drejtohet asaj me vargjet:”O bukuri…/Ti mban në dritë të syrit zjarr dhe borë /… Ti mbjell paqe dhe mjerim,si asnjë e dytë”.

Dritero Agolli është jo vetëm një poet brilant,por dhe një tregimtar dramaturg dhe veçanrisht një romancier i rrallë.Me karakteret e tyre të papërsëritshme,ai përçon te lexuesit mesazhe të ngrohta për jetën dhe larinë,për shpresën dhe dashurinë… ,të cilat i japin njeriut forcë e guxim për të ecur përpara.

…Të shkruash për Dritëro Agollin, duhen faqe të tëra .Por unë po i mbyll këto shënime të shkurtëra, me urimin e përzemërt që atij do t’a bënin mijëra lexues dhe shqiptarë, kudo që punojnë e jetojnë, me rastin e 85-vjetorit të ditlindjes.

Edhe njëqind, i nderuar Dritëro!Jetë të gjatë, për të mirën e Kombit dhe të njerëzve, që ti i do dhe të duan shumë!

Tiranë, tetor 2016

Krijohen tek Liqeni Artificial minibibliotekat e para në Shqipëri Në kuadër të fushatës mbarëkombëtare #Takohemipernjeliber




Të gjitha grupmoshat nga 0- në 80 vjeç, u bënë sot protagonistë të mini-bibliotekave, hapur për herë të parë në Tiranë.


Vendi i zgjedhur për këtë nismë të veçantë ka qenë parku i Liqenit Artificial, ku të gjithë janë bërë pjesë e konkursit të mini-bibliotekave kreative dhe leximit në natyrë.


Publikut të pranishëm, ku shumica ishin fëmijë dhe të rinj, i janë bashkuar edhe disa nga ministrat e qeverisë.


 Bashkë me ministren e Kulturës, znj.Mirela Kumbaro pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe Ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, Ministrja e Inovacionit Milena Harito, David Muniz, Zv. ambasadori amerikan, Rayan Robert, i zyrës së marrëdhënieve me publikun si dhe Blendi Gonxhe, Drejtor i Agjenisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

"Little free library-t”e para u krijuan bashkë me këndin e leximit në një hapësirë tërësisht ekologjike nga U.S Embassy Youth Coucil.


Grupi i të rinjve të ambasadës preferoi të mos marrë pjesë në konkurs, por vetëm dha një shembull sesi këto mini-biblioteka mund të funksionojnë, ashtu siç ndodh gjerësisht edhe në SHBA ku janë të regjistruara 44.000 të tilla.

“Little Free Library në Shqipëri” nën moton: Ngri një bibliotekë të vogël për të gjithë, fito një bibliotekë të madhe për vete.


Konkurs mbarëkombëtar që nxit përhapjen në Shqipëri të Minibibliotekave Kreative.


 Kush krijon minibibliotekën më kreative do të fitojë një pako me libra për pasurimin e bibliotekës së tij.



Projekti ka nisur në Tetor dhe ceremonia e mbylljes së konkursit do të jetë në javën e parë të dhjetorit.

#takohemipernjeliber

Liqeni Artificial, fusha e tenisit, pranë amfiteatrit

Sill një libër, merr një libër!



Foto: Adnan Beci

Fishta tashmë edhe digjital



Burimi:http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/fishta-tashme-edhe-digjital

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si një urim special me rastin e 145-vjetorit të lindjes së një nga figurave më të shquara kombëtare, Gjergj Fishta, publikon në trajtë digjitale dy vepra të tij “Mrizi i Zanavet” dhe “Vallja e Parrizit”. 
Dy vëllimet gjenden tashmë online në faqen zyrtare të BKSH-së (www.bksh.al) dhe shumë lehtë mund të shfletohen dhe shkarkohen në çdo pajisje elektronike si kompjuter, laptop, kindle, book reader, smartphone, tablet, kudo dhe kurdo.

Lexim të mbarë!

Të Drejtat e Autorit- Ligji që mbron Autorët. Ligji që mbron Krijimtarinë.


Tashmë hyn në fuqi ligji për të drejtat e autorit i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në 31 mars 2016.


http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/te-drejtat-e-autorit-ligji-qe-mbron-autoret-ligji-qe-mbron-krijimtarine&page=1

Ligji shënon një ndryshim të rëndësishëm në mbrojtjen e të Drejtës së Autorit, duke u renditur kështu në një hap me legjislacionet më të avancuara në Europë për këtë fushë. Ligji i ri mbron dhe garanton një kategori vulnerabël që është ajo e krijuesve që asnjëherë s’kane përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plota të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale. Ky ligj u njeh, mbron dhe garanton autorëve, mjedis të sigurtë dhe mundësi për të përfituar nga puna e veprave të tyre.

Autori e gjen veten të mbrojtur në këtë ligj, sidomos për garancitë ligjore që i jep, ç’ka bën që tregu intelektual të funksionojë në interes të krijuesve dhe të jetë dokumenti bazë për të shtrirë dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre krijuese.

Ka filluar miratimi i akteve nënligjore të këtij ligji, të cilat do të japin efektet e para pozitive drejt standartizimit të tregut shqiptar me atë evropian. Edhe ky proces u është nënshtruar konsultimeve të gjera me grupet e interesuara. Ky proces i miratimit të këtyre akteve përfundon në fillim të muajit nëntor.



Ligji i ri për herë të parë pozicionon qartë palët në fushën e administrimit të të drejtave, ku autori do të ketë mundësi përfitimi nëpërmjet skemave të reja që janë parashikuar. Një tjetër garanci që buron nga ky ligj është rregullimi i marrëdhënieve të përfaqësimit agjenci - autor duke siguruar transparencë e llogaridhënie nga agjencitë për krijuesit dhe institucionet publike. Ky ligj tashmë e mbron autorin përballë veprimeve arbitrare të shkelësve dhe i jep mundësinë të shpërblehet për punën e tij krijuese.

Për herë të parë:

- krijohet sporteli unik, i cili krijon lehtësi për subjektet përdorues dhe i shërben formalizimit të tregut intelektual.

- kemi rregullime të nevojshme të thjeshta dhe të qarta për organin procedues, gjykatës dhe adresimin e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore;

- vendosen kufinjve sa duhet të shpenzojnë agjencitë për të qenë eficentë dhe transparentë. Kështu shpërblimet e merituara të autorëve nuk shkojnë për asgjë tjetër përveçse në emër të tyre.

- rriten dhe forcohen sanksionet për shkelësit dhe abuzuesit me të drejta pasurore të autorëve;

- vendosen tarifat për shpërblim të drejtë, të cilat do të jenë të publikuara dhe të qarta për këdo.

Mendoni për Autorin!

Sfida për t’u përballur me informalitetin dhe piraterinë vazhdon, kjo është një sfidë edhe ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të mbrojmë Autorin dhe Veprën, sepse kreativiteti është pronë e njerëzimit, e kulturës, e dijes dhe e shoqërive që i konsumon ato.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...