Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/06

Poezi nga Maxhun Osmanaj


maxhun-osmanaj


KOHA


Kohë!
Ta vesha këmishën e përditshmërisë
Herë më rrinte e madhe
Here më rrinte e vogël
Por shpesh m,u shkye
Vend e pavend
E arnova si dita
Si m,u dha mundësia
Por arnimi dukej pahijshëm
Edhe nga largësia
Tani këmishës së kohës
Nuk ia shikoj hijëshinë…
Por e ruaj veten
Dhe mendoj ftohtësinë!



KU BANON POETI 

Ku banon poeti, e dini o fëmijë?
në çdo cep t’atdheut është çerdhja e tij

Sa interesant, nëse dikush s’e di
në jetë ai paska shumë shtëpi!

Çdo natë ai ndërron vendbanimin
Ai është aty ku e gjen frymëzimin.

N’petale të luleve ushqen nektar
Secilit i dhuron mjaltë - margaritar.

N’krah të dallëndysheve fluturon n’kaltri
ëmbël rrëfen për fluturimin e tij.

Me krenari viziton dëshmorët e kësaj toke
Ua lehtëson dhembjet çdo nipi, mbese, nënëloke.

Misioni i tij - themel i ndertimit
Kala e mendimit, vjershës, tregimit.



KËNDO KËNGËN POET

këndo këngën, poet
edhe kur të ta ndalojnë
mos rri, gjithçka të ngjet
kur të vrasin, kur të torturojnë.

Këndo këngën, poet
Edhe kur shtegton nëpër stuhi
Bota e ciltër nga ti pret
Forcë e gjak t’ri.

Këndo këngën, poet
Mos kërko tjetër melodi
Veç atë që të buron nga shpirti
Atë që të shëron e smund të të vret.

Këndo këngën, poet
këngës kurrë mos i vë lak
edhe të të akuzojnë
pa hile e hak.

Këndo këngën, poet
Bota nga ti pret!


ZËRI I MBRETËRESHËS

(Vaçe Zeles, në njëvjetorin e vdekjes)

Drithërimë, dhembje na mbuloi
Kur kumti pushtoi gjeografinë shpirtërore
Por ti s’vdiqe moj Zonjë...
Se madhështorja e shpirtit
S’do të pranojë ikje as perëndim kurrë
Dy krihë shqiponje atë ditë
Fluturuan aty ku deshe
Pak të pushojë në zemrën dardane
Ju thatë vetë, e pate dëshirë,amanet
Trupi s’më pushon i qetë
S’mundem pa e parë Kosovën epike
që më deshi si motër
si nënë, si bijë, si mike
Lamtumirë Dardani dhe Arbëri!
Tash shqiponja pushon e qetë në përjetësi
zëri im,kënga ime gjithë tokës shqiptare
jetën jua bëftë melodi!



NJË RELIKT I VJETËR

Derisa gjysmëshekulli kalëron n’trupin tim
Një relikt i vjetër gjithnjë më shikon
Drugëza e vekut të nanës në një kënd...
Sikur më thotë; "Po unë vendin, ku e kam!?’’

Djali një ditë deshi të ma gjuajë
S’dinte ç’është, atë kohë s’e kishte përjetuar
Me ngulm edhe ndonjë dekadë ,provoj ta ruaj
Kjo, i thashë, është relikt i një kohe të shkuar.

Gjakftohtë me bindje, fillova t’I flas
Kur dikur moti, çilima, nana thurte
Mendjen ia mbusha, fillova t’ia vras
Sesi me punë-dore, nana na rriste, na mburrte.

Me ata thonj duarve, shumë carrokë mbante
Kohë e ligë, varfëri kudo ishte
Deri n’mesnatë, veku i saj dëgjohej
E dërmuar gjithnjë, por vullnet t’çeliktë kishte.
Si dikur I vogël, sot mbaj mend mirë
Nuk ankohej shumë, si gratë tona sot
Nanat tona, moren emrin heroinë-shembëlltyrë
Plagëdhembjet e tyre n’kurriz e n’shpirt
Na mbushin përherë sytë me lot.



MOS MA HARRO DHEMBJEDN

Mos ma harro dhembjen
Edhe pse koha na coptoi
Dhembjen në pjesë-pjesë...
Po ç’faj paskëshim pasur
Kur dashuria herët na vdiq
Ndjesë pastë!
Tani jam i vetmi besnik I kujtimit
Se besës s’i zura besë kurrë
Kujtimi I lojës sonë dikur
Sot më merr përdore
Me shëtit nëpër takime tona
Pranë koreve gazmorë të zogjve
Kur zemrat rriteshin n’ekstazë
Por ëmbëlsisë së jetës
Sot i është shuar shkëlqimi
E di, s’flet me mua,s’flas me ty
Koha na mbuloi n’stuhi të jetës
Por kujtimet e mëngjeseve të rinisë
Na bashkojnë sy me sy
Ndonëse n’mes nesh
Gjithmonë dhembja –largësi
Mike, mos e aborto lindjen
N’vend të besës dhe kujtimit
Mos ma harro dhimbjen…!



PASQYRË NË THINJAT E KOHËS

Kah po shkojmë në këtë kohë
Shumë udhëkryqe po na dalin para
Jetën s’e veshem n’tërësi vec me një cohë...
Petkun e saj e patëm besa me njolla dhe lara…

Kah po na shpiejnë rrugët
Kur bregoret e fytyrës hasen në gremina
Një ditë një diell mashtron një kohë të mungët
të ruhem o Zot, mos koha të na hudhë n’beturina.

Shpeshherë u bëmë kryezot pa qenë
Kohën e dhunuam si deshem ne
U bëmë falso, u bëmë të rremë
Sa keq që s’e kontrolluam si kalin pa fre.

Na mashtruan dhe i mashtruam
Vec pse në mendje mbetem t’luhatur
më vonë kur thinjat e kohës I kuptuam
u bëm paksa më të përmbajtur.

Tani kur koha jeton jetën e vet
E ne mbesim si jetim duke shikuar
Mozaiku shpirtëror herë dhemb,herë vret
Por këngën e jetës n’çdo skutë duhet kërkuar
Dhe rrezen e diellit duhet përqafuar
Se thinjat e kohës
kështu deshen shpirtin për të na pikturuar…



FESTO ME MUA...


Kur plaku të kurorëzojë me kurorë
Babai e gjyshi im, s’mund të vinin në atë dasmë...
Pos Isa me ca dasmorë
Ujqërit kishin zënë prita vrastare
Unë mungoja në këtë botë
Ti Shqipëri përpëliteshe
Sa në jug, sa në veri
për ta ruajtur atë copë të vogël, Shqipni
një shkëmb robërie mbi supe
që e mbajte pesë shekuj
e shqelmove greminave të historisë
dhe fillove një rrugëtim
duke u mbrojtur nga shumë shigjeta e stuhi
që t’u vërsulën pabesisht-egërsisht
s’të lanë kurrë të qetë
dikur unë erdha në jetë’58
në valën e shpërnguljeve për në Turqi
ne na priste Koha e armëve ogurzezë
ti Shqipëri mbylleshe në vetmi
ne bijtë tuaj të etur për liri
mezi ta shihnim fytyrën…
shpirti na copëtohej pjesë-pjesë
ishim të vegjël pa ty
rrallë shndëriste Dielli
dikah mbushej qielli skëterrë, ngricë e acar
dikund shi me sqotë e borë
pas 100 vjetësh këndej tek ne
Dielli I lirisë edhe ne po na nxeh
Shqipëri,mos festo pa emrin tim, Kosovë
Urime Shqipëri, rrënjëthella dashuri!


E PA-KOHA NËKOHË

Sa herë e zura kohën pisk
Me "pelë për dore’’
të mbarsur me pa-besitë...
bordeleve të natës deri n’agim
e dehur, e shkyer, e baltosur
nudo, rrugëve pa cipë
sa herë kohën,pisk e zura
tek kafshonte qeniet e veta vërbërisht
mbytur tmerrësisht nga ligësitë
por askujt nuk I përgjigjej
për pa-fajësitë që dhuronte
o Zot, i kërkova të gjitha fuqitë
si t’ia dënoja marifetlleqet
që na infektonin nga dita në ditë.



KREDO PËR KOHËN

Aty hynin njerëz që digjeshin në kohë
E iknin nga koha për të mos u djegur kurrë.

Ata kohën e bluanin me maturi...
për ta ndier edhe në shekullin e ri.

Po të gjithë i dërmonte deri në palcë
Vetë koha e pakohë.

Libri shitej më se liri
Fjalët shiteshin më se shtrenjti
C’koicindencë për kohën plumb.

As ekspozitat e varura në mur
S’ndienin dot qetësi
Kush hynte e dilte nga ajo kafiteri
Dehej në shumë psehe a pakuptimësi.



MOTIV VJESHTE NE SHPIRT

Ca dushk e gjethe n’mes vete përzier
Oborrin e shtëpisë ma kanë mbuluar
më lajmërojnë se do të vijë një stinë e ngrirë
Ndonëse shpirit përmbahet i pari e ka kuptuar.

Trazimet e vjeshtës, m’vizitojnë me shi, sqotë e erë
kënaqem si fëmija, asgjë nga syri s’më rrëshqet
kurrë s’më shkon m endja ndonjëherë
ta tradhtoj fshatin e fëmijërisë, të iku n’qytet.

Kjo ndjenjë, ky motiv, t’ua them të vërtetën
më rrjedh gjysmëshekulli mbi supe ngarkuar
a po eci trimërisht apo gjelas me jetën
ndoshta vetëkënaqem hajnisht i mashtruar.

Sa vijnë e ikën stinët në çdo vit
Unë i përcjell me dozë dhembje e nostalgjie
Provoj mos t’bëhem tepër i lig
Dialektika s’më harron si pjesë biografie.


KLASIKU I TOKES

(Dritëro Agollit )

Të lexuam,s’të lexuam,der sot,Agoll
Shumë etjen na e shuajte
në ato vargje oazë...
por etja gjithmonë na përcolli
për ta pirë atë lëng poetic
që pema e Juaj fruton
nga viti në vit
nga rrënjëtoka mëmë,Agoll
ende dhembja kafshon
ende dhembja shëron
Agoll, ende burimi Juaj
Nga shpirti nuk shteron
Perlëvargje Tokës-Nënë I dhuron
Dhuro, dhuro edhe diç…
Bronket le të thithin ajër Shqipërie-Kosovë
Blerimi i Tokës në çdo stinë
Nga Ju kërkon reshje…
Sa të frymoni,ju lutem
Mos rrini në heshjtje, na falni edhe dicka
për Lule,për Zogj, për Njerëz
veç lë të marrë rrugë të gjatë Dashuria
dhe rrënjës se Plisit Tënd, për far, fis e shpirt
t’i ruhet ballëhapur historia



TË JESH POET

Të jesh poet
Nganjëherë duhesh të jesh i krisur
Cmendurinë e botës duhesh ta përtypësh...
Pelimin e bimëve duhet shijuar
E prapë s’guxon kurrë të vdesësh
të lundrosh furtunave të detit
kur dallga e egër të ndjek pas
ti duhesh ta kërkosh bregun
edhe në ndonjë cast,nëse
anija e plagosur të tradhton
e di ti vetë, të jesh poet
t’gjitha ëndrrave të njerëzve, duhet
t’u japësh krihë për të fluturuar
të gjitha shigjetat e mprehta që t’i drejtojnë…
me forcën e shpirtit duhesh t’i mbrosh
atë e ke obligim, dëshirë a cak
të jesh poet duhesh flijuar për fjalën e dhënë
duhesh të grindesh edhe me Zotin
të jesh poet, s’di cfarë të pret
s’di çfarë me ju ngjet
të jesh poet, duhet të jesh lajmëtar
të vdesësh e të lindësh për të shtrenjtin Ideal.


Ishte fundi i qershorit

Mbaj mend si sot
Tre nxënës të klasës sime
Librezat i lagën me lot.

Mos qani u tha mësuesja
Çdo gjë s’ka përfunduar
në fund të gushtit
prapë keni për t’u riprovuar.

Një shpresë gëzimi
mësuesja ua shtoi
iu afrua të treve
një nga një i qafoi.

Gushti fluturim erdhi
Të armatosur hynë në provim
Kaluan lëndët e mbetura
Shokëve iu bashkuan në shtegtim.

Ju betuan të gjithë
mësueses në shtator
do të dalim fitimtarë
n’fund të betejës n’qershor.

Cikël poetik nga Albert Habazaj





HIMN PËR ALI ASLLANIN

I.
Lirika e ëmbël
e Asllan Aliut-
kristalin’ si ëndërr,
si zemr’ e njeriut.

Si lule zambaku
u plake i bukur,
me vargje meraku
sherbet ngjyrë purpur.

II.
Symenduar si profet,
me shpuzë, prush përralli,
mendjekthjellët-qiell prilli,
princ në mbretërinë e mallit.

Dashnor i paepur, elegant
i poezisë së vesuar;
ti je Atdhetari brilant,
Shën Valentinas i rëgjuar.

III.
Eja, Burr i Dheut,
o dhè ëmbëlsuar;
eja pak, pa kthehu,
sa për t’u takuar!

Eja, se kanë ardhur
Serembja dhe Mjeda,
Dritëroi i mplakur
me një gotë te dera...

IV.
Te port’ e Panteonit Letrar
Azem Shkreli Lasgushin pret,
leje nga Pegasi kanë marrë
ta pastrojnë qiellin nga retë.
Te port’ e Panteonit Letrar
Koçi Petriti me balada
trëndafil- Lirikat e Majit
i mbjell në lulishten përpara.

V.
Eja xha Ali
takohu me miqtë,
pastaj ti e di
shpërfilli të liqtë...

Eja dhe gostiti
vet’ nga dora jote
me lirika shpirti
porsi mjaltë zoge!...

TË FALA NGA VLORA



Vargje të lagura nga shirat e vjeshtës,

Për në vise të largëta, guxoj të nis,

druhem nga tetori, muaji i vjershës,

se vreshtat vagëllohen të bëhen feniks…



Shkon urimi në Ohrin tim, në Ohrin tënd,

nga Vlora e Lasgushit, në Pogradec të Asllanit,

një det me të fala po nis, me gjithë mend,

se jam fryma labe e Kosovës, Elbasanit…



Është shpirti i pastër, si vesë prilli

që dritëron, për ç’ka Zoti ka bekuar,

të ka, moj vjeshtë, jeta ime sinonimin

me rruaza diellore zbukuruar.



Vjeshtë, moj e bukur vjeshtë,

të kam rrush, shegë e pjeshkë….



PIKTURË POETIKE



Mirëseardhe bukuroshe, vjeshtë buzëarta,

me ëmbëlsinë dashamirëse, sa butë më zgjove,

si një grua e plotë, e mirë, pa dekorata,

pasaportë dashurie, në krahë të zogjve.



Një ngjizje mistike më dalldis me vjeshtën,

herë si Penelopa më duket, herë si Zhuljeta;

është aroma e saj, që ma deh vjershën

kur rebelohet, si një Petro Marko me gërsheta.



Me Monalizën e Da Vincit, më duket

se janë dy motra, të kapura për dore.

Kur e shkel, më vjen shumë keq për vjeshtën;

do të zihem me të, po korri hamullore…



SHIRAT E VJESHTËS



Shirat e vjeshtës rrudhin ballin fajtor,

vjeshtës nuk i bëra dot karantinë,

me pako të shamive, kur fshin lotët,

i zbuloj personalitetin, psikologjinë…



Natës, turbullohet hëna pas shiut,

pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme.

Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,

hoje mjalti nga Universi derdhen.



Në vjeshtë dhe plaku flokë bore duket

thinjur më bukur nga të tjerët;

shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje,

zgjas duart të këpus yjet e ndezur.



Është e pjekur vjeshta, s’mba inate,

era e ftoit këndshëm i del pragut,

kur poetëria e imiton nëpër vargje

vjen papritur dimri – princ i akullt.



Në vjeshtë hapen buzët e paputhura si sythe

të shuajnë etjen e verës që shkoi,

nën çukitje shirash faqet e vajzave

kërcasin si llambushka nate…



“Dhembin degët e shqyera”
 të poetit Albert Habazaj

Nga Laureta Petoshati


Kur më ra në dorë libri me poezi “Dhembin degët e shqyera”, m’u krijua ndjesia se kisha një libër me urtësi popullore të sinqerta dhe të vërteta deri në qelizë. Është një libër poetik, ku autori ka në vëmendje që me anë të vargjeve të bëjë një analizë historike dhe sociale. Ai nuk kërkon të zhytet thellë në shekuj, por ai zhytet thellë në mjedisin real bashkëkohor dhe të bashkëkohësve të tij. Në këtë libër ai lëvron një mori temash që si mozaik na japin mjedisin social të cilit i përket autori Albert Habazaj. Ai librin e fillon me poezinë kushtuar Vlorës të titulluar “Prelud për detin”, si simbol i dashurisë së tij për Vlorën, të cilës i kushton vargje siç thotë dhe vetë “vargjet për ty burojnë ujëvarë, / i vemë kurorë një gjethe ulliri”. Pra Vlora shihet si një perëndeshë, që për poetin përbën thelbin dhe tharmin e muzës së tij, por dhe të poetëve të tjerë si Fatos Arapi, që ai i ka për zemër, sepse Vlora është dashuria e tyre e përbashkët. Jo më kot ai këtë poezi e mbyll me emrin e tij, në vargjet me sfond metaforik: “Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,/ Si zogj furtune në buzë të detit,/s’është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin!”
Duhet përmendur fakti se poezitë e vëllimit poetik “Dhembin degët e shqyera” janë të karakterit shoqëror dhe me dëshirë njohëse e respekt për njerëz të veçantë që përbëjnë familjen dhe shoqërinë e poetit. Me një brishtësi dhe shumë takt, ai i thur vargje shoqes së tij të jetës, Mejos për 50 vjetorin e lindjes, ku duket sikur bëhet një Lasgush i dytë, kur shpërthen në vargje lirike tepër të ngrohta e gurgulluese: “Nektari i puthjeve nga buza në buzë/ Si lëngu i shegës së çarë në tetor./ O gëzim, o fat, o dinjitet, o shpuzë,/ Mbretëritë në dorë!”
Po ta shikosh me vëmendje vëllimin poeti i këndon me dashuri shumë njerëzve, të cilëve u vë emra konkretë si për shembull poezia “Arkeologu i Poezisë” që i kushton Moikom Zeqos
në vend të kartolinës, për 60 vjetorin e lindjes, por ai i këndon pa me kaq patos edhe mjedisit, peizazhit, deri dhe gurëve. Kjo dukuri ndjehet fuqishëm te poezia “Marshi i Tërbaçit”, ku poeti kalon në dalldi poetike për një dashuri të pamasë për fshatin e lindes kur thotë: “Në – trojet spërkatur/ me dritë dashurie,/ o Tërbaç i dashur,/ o vëlla me yje!”
Ka shumë poezi në këtë vëllim ku poeti Albert Habazaj u këndon jo vetëm vlerave demokratike dhe antifashiste, por mbi të gjitha atyre njerëzore dhe njerëzve që i bartën këto vlera si te poezitë “Malli për çlirimtarët”, “Kurora e Nderit”, etj. Ngaqë autori flet me emra të përveçëm, herë- herë i gjithë vëllimi poetik duket si një roman historik i shkruar në vargje për persona konkretë.
Krahas këtyre poeti Albert Habazaj ka thurur dhe disa poezi për përditshmërinë në vendin e tij, që në vetvete janë thelbi i një realiteti të dhembshëm, i përshkruar me tone të forta të një denoncimi social, por dhe një shpirtbutësi për të përvuajturit. Hera-herës në poezi të tilla si “Kombi dhe unë”, “Rilevim”, “Toga e lypsarëve dhe unë”, “Shqipëria sot”, etj, qëndrimi i poetit është denoncues, madje dhe ironik. Ka një ironi melankolike midis asaj që ndodh në realitet dhe asaj që ndodh në shpirtin e poetit. Kjo gjë shprehet fuqishëm te poezinë “Kombi dhe unë”, ku me anë të konotacionit thotë shprehimisht: “Ti, zotni fryhesh si bollë, / Unë – si zogu mbi cipal;/ Shihma kërcirin e hollë,/Si unë kombi është në hall!”
Ironia që karakterizon labin nuk ngelet me kaq në poezinë e Albert Habazaj. Ai ka raste që kalon në sarkazëm, ku kjo e fundit merr nota tepër të theksuara në poezinë “Unë dhe shteti” ku në mënyrë lakonike me sarkazëm dhe sinqeritet tregon marrëdhënien e shtetit me qytetarin e vet. që është vetë poeti: “Shteti im – çapaçul,/ Unë të dua, / ti ma ngul!”
Po me nota therëse me një denoncim social për ligësinë dhe njerëzit pa karakter është dhe poezia “Mostra”, e cila të sjell ndërmend poezitë e Nolit apo dhe të Ali Asllanit për nga notat e protestës dhe të sarkazmës. E kush nuk do të qeshte me përkufizimin që i bën njeriut “Mostër” Albert Habazi kur thotë se: “Të gjithë e dinin që ishte / Shok i ngushtë i Tartufit./ Të gjithë e dinin që ishte / Kushëri i parë i bufit…” Por ato që spikasin më shumë në këtë libër janë elegjitë. Duket se një vaj, një qarje e brendshme, shkruar me një delikatesë tregon bukurinë e kujtimeve personale si një rekuiem për të gjithë ata që nuk janë më në jetën tokësore. Thuhet se njeriu vdes vërtetë jo kur ai kalon në përmasën tjetër, por kur ai harrohet dhe nuk kujtohet kush për të. Ndërsa poeti Albert Habazaj i ka vendosur ata në vargje për ti sjellë si të gjallë pranë nesh, aq sa herë pas here të duket se po lexon ndonjë epos si ai i kreshnikëve. Duket sikur diellin e vargut të këtij eposi “shumë po ndrin ky diell e pak po nxeh” poeti Albert Habazaj e ka dhënë në mënyrë krejt origjinale në vargjet e poezisë “Mbi re diellon Teuta”, e cila është një elegji për zonjushën Teuta B. Shkurtaj: “Kisha kohë që kisha ikur,/prapë në parajsë u futa,/dielli m’u duk i mitur,/se diellonte Teuta.” Madje duket sikur kemi një varg dantesk, i cili bëhet më drithërues tek elegjia e dytë për po këtë vajzë nën titullin “Nëna qan vajzën e re” ku thotë se “do të të vinte nëna,/me pesë lekë të mbështjella /në fund të xhepit,/me një trike leshi të thurur/ syth më syth/me kokrrat e lotit.”
Është hera e parë në jetën time që lexoj një vëllim poetik me kaq shumë elegji që më duken si boroitje e mirëfilltë Labërie. Këtu mund të përmendim elegji të tilla si “Baladë për gjyshen”, “Baladë për Badenë”, “Elegji për një mik të mirë” kushtuar kujtimit të paharruar të intelektualit veprimtar Njazi Hamzaraj, “Përshpirtje për Kujtimin”, në nderim tëKujtim Gjondedës, “Në udhë të dritës” kushtuar mësuesit Labë Beqiraj, “ Pëshpëritje për ëndrrën” kushtuar martirit të Mathauzenit Rexhep Bani, “Elegji për medaljen e artë” kushtuar Kujtim Peçit, “Flakadan princëror” elegji për Mësuesin e Popullit- Profesor Kristaq Shtëmbari, “Homazh për vëllain tim poetik Anastas Bita”, “Loton një gjethe mali” për Lako Gjokën, “Edhe varri sot po tundet” kushtuar Ruzhdi Hitës, “Baladë e vogël për një shpirt të madh” kushtuar Sose Dardhës, “Epitaf” si lule fati për Musa Koshenën, ej.
Të gjitha këto poezi janë të ndërtuara me vargje të puthitura ose të gërshetuara, por ka dhe vargje të lira. Poeti Albert Habazaj ka përdorur shumë figura letrare të cilat theksojnë mesazhin e tij poetik dhe flasin për një ndjenjë të thellë njerëzore.

Kostumografia femërore dhe sfida për dinjitetin e folkorit burimor

Etnografi dhe folkor

Kostumografia femërore dhe sfida për dinjitetin e folkorit burimor

Dhjetë nga Miro Tërbaçet e këngës labe

Image result for Albert Habazaj

Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

Sfida e polifonisë femërore. Sikurse çdo lab, të gjithë tërbaçiotët e pëlqejnë dhe e duan këngën labe dhe sidomos këngën tërbaçiote, ndërkohë, kur Tërbaçi është i vetmi fshat në Labëri, që, siç thonë, ka 36 melodi. Si asnjë fshat tjetër në Labëri. Të gjithë tërbaçiotët këndojnë. Dhe këndojnë bukur. Kanë dhe një valle të rëndë, të fuqishme, të sertë, të bukur e të rreptë, burrërore, të madhërishme, trimërore, si gjëmim vetëtimash, me një strukturë si malet hijerëndë mbi krye. Në përgjithësi - si kudo në Lumin e Vlorës, Kurvelesh e Labëri. Në imtësi-ndryshe nga të tjerët. Në vijën melodike dhe interpretim magjik. Tërbaçi ka bërë shumë për bijtë e bijat e tij. Kur kemi patur nevojë e na është dashur, e kemi përdorur me ballin lart emrin e tij për ta nderuar me emrin dhe veprimin tonë në jetë. Kujtesa jonë historike i ka në kurorën e nderit të parët tanë të lartë: Lulo Habazin, “malin në mes të detit/ që i ktheu gjoksin dovletit” osman, Miro Tërbaçen me histori e këngë, “tërbaçiotja vajzë,/ që ormisi pashanë,/ se tërbeçtë haraçe/ hasmit nuk i dhanë”. U përulet me nderim të gjithë atyre bijve dhe bijave, që në rrjedhat e kohës ia mbajtën ballin të pastër, të pa ulur e më nder. Në kohë me diell e me furtunë. Në luftë për liri, emancipim e përparim. Edhe në kulturë. Edhe në folkor. Pikërisht ky motiv i lartë atdhetar dhe artistik, mblodhi bashkë (kësaj radhe) dhjetë gra, nëna e gjyshe, dhjetë vajza tërbaçiote të përkushtuara, të zonja me zë thëllëze e dinjitoze. Paska ngelur ende një atavizëm apo është ngulur ndër një pjesë tonën dhe një ves: Ne duam të jemi të gjithë në qoshe (pavarësisht e meritojmë e jo pak herë edhe pa e merituar). Duke pirë kafe me Pesën, Shpresa Kapo Çelaj, kushërirën dhe shoqen time, nga klasa e parë në të tetën, na shpreh merakun dhe shqetësimin, se kush kemi qenë dhe kush jemi?! Pse ramë në këtë gjendje, që, të paktën, të shkakton keqardhje? Kur Pesa merr vesh që vjen në Vlorë nga Greqia për pushime Nazua, më thotë të takohemi dhe të flasim të tre ç’duhet të bëjmë. Nazo Dautaj (Diana Ribaj) ka qenë marrësja kryesore e grupit të Tërbaçit. Shoqe klase me ne, angazhuar me këngën polifonike tërbaçiote, qysh në klasë të tretë dhe s’iu nda deri sa iku në mërgim. Vigane e famshme e këngës labe. Amazonë e pashoqe, e paarritshme, e papërsëritshme në zë. E madhe. Shoqe tjetër s’kish. Por…u largua. Erdhi për fat, sa për të ndezur zjarrin (hë për hë) dhe ta mbajnë ndezur bijat që janë në Atdhe, sipas mundësisë, në Tërbaç e në Vlorë. Nazua shfaqet në horizontin folkorik si kryeshqiponjë e malit të Çikës për këngën burimore tërbaçiote, në përsosmëri realizimi, e ngjizur me këngën si një harmonikë qiellore. Takohemi të tre dhe diskutuam edhe për hallet e dertet e këngës së Tërbaçit. Në këtë bisedë folëm për ringritjen apo formatimin e një grupi polifonik femëror. Se kush nuk ka ngritur grupe sot …e u shua Tërbaçi ynë, ai çikë Tërbaç, që kujt s’i ka dhënë emër. Dhe sot…u katandis kështu…, si trasta në degë. Tallen. E shpërdorojnë dhe, së pari ata, që ai u dha atë emër të lartë. Ja kështu mori udhë ideja e këtij grupi të veçantë. (Nuk do ta trajtojmë më tepër këtë çështje, sepse kohë më parë kemi publikuar shkrimin “Polifonia femërore-Grupi i Vajzve të Tërbaçit”). Në këtë grup, të quajtur Grupi i Vajzave të Tërbaçit, bëjnë pjesë 10 këngëtare tërbaçiote, që, mbas shumë provash, konsoliduan profilin e këngës grarishte të vendlindjes, duke ruajtur origjinalitetin e folkorit përkatës lokal. Ato janë, përkatësisht: Shpresa Kapo Çelaj (ditëlindja 1960, me shkollë të lartë), Liliana Rrapi Kapo (dtl. 1961, sh.l.), Hava Çelaj Muça (dtl. 1960, sh.l), Baftie Dauti Xhelili (dtl. 1963, sh.l.), Evgjeni Habili Seferi (dtl. 1964, me shkollë të mesme), Lavdie Goxho Xhaka (dtl. 1958, sh.m.), Vitore Shiroka Veraj (dtl. 1961, sh.m.), Antoneta Goxho Mehmetaj (dtl.1970, sh.m.), Liri Gaçe Shkurtaj (dtl. 1960, sh.m) dhe Madelona Mëzyraj Skëndaj (dtl. 1983, sh.m.). Polifona femërore është një prurje që sot i mungon Labërisë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë ruajtja e traditës foklorike e këto gra e vajza tërbaçiote, që janë për t’u përgëzuar, na paraqesin një pamje tjetër këngës tërbaçiote, botën lirike. Kënga e Tërbaçit është njohur sidomos për ngjyrat e fuqishme epike, për stilin recitativ e madhështor, për gjëmimin me breshëri artistike deri në përsosmërinë e epikës historike, sidomos me marrësat e paarritshëm Sinan I. Hoxha dhe Syrja N. Hodo. Ndërsa këto vajza, veshur me kostumet, që dikur vishnin nëpër dasma, gëzime e ceremoni festive gjyshet, nënat, hallat tona na shfaqen me lirikat e trëndelinta, sidomos në këngët dy vargjëshe, ku dallon tingulli lirik, aq i ëmbël e i shtrirë i labëreshës tërbaçiote. Tek grupi i vajzave të Tërbaçit evidentohet dukshëm dhe merr kështu një shkëlqim brilant karakteri sinkretik i foklorit për ta transmentuar brez pas brezi edhe me veshjen karakteristike të fshatit. Këngën e vlerësojnë si ushqim të shpirtit dhe, si të tillë, e ruajnë të pastër duke e çuar më tej. Këto dhjetë Miro Tërbaçe janë hedhur në krahë të Eposit folkorit, sikur të ishin shqiponjat e malit të Çikës.
Kostumet tradicionale të femrës tërbaçiote. Dikur, (botimet enciklopedikedhe ato historike lokale përmendin shekullin XVII), sipas traditës së vendit, gratë e Tërbaçit “kanë mbajtur fustan të gjatë të bardhë ose kafe, deri te qafat e këmbëve. Për nuset fustan i kuq, vajzat zakonisht të bardhë. Mbanin pallto leshi pa ose me mënga, që i thoshin xhoke, futë leshi, shami të ngjyera në bojë të kuqe, të verdhë për të rejat dhe me ngjyrë kafe ose të zezë për të moshuarat. Çorape leshi të gjata deri afër gjurit, të qëndisura me ngjyra të ndryshme, opinga prej lëkure ose këpucë me xhufka në majë, jelekët i qëndisnin me gajtane me ar, dhe i mbërthenin me folla prej argjendi ose bronxhi. Në vesh mbanin vathë të mëdhenj prej argjendi, ndërsa vajzat mbanin nga një fill dhe një rruazë…
Nga fundi i shekullit XVIII, veshja për gratë ndryshoi, dhe në vend të fustaneve të gjatë u përdorën çitjane ose tumane [ndikim i kulturës fetare islame, importuar e diktuar nga pushtesit osmanë. Shën. im, A.H]. Nga fillimi i shekullit XX filloi të përdorej veshja më e moderuar, sidomos nga burrat” . Xhokja ishte veshja e sipërme dhe e trashë prej shajaku për gra e për burra, pa mëngë ose me gjysma mëngësh a me mëngë të gjata të hedhura prapa, që shkonte deri në brez dhe që kishte zakonisht një pjesë me thekë prapa, e cila hidhej mbi kokë. Përdoreshin xhokë e bardhë (e zezë) dhe xhokë me thekë (me xhufka).
Këto gra të përkushtuara, me sedër të shëndoshë për shpirtin e vëndlindjes, vendosën me forcat e tyre të përgatiteshin seriozisht për këtë mision. Pasi u konsolidua grupi dhe mori formën e plotë, të pakthyeshme e të patjetërsueshme, menduan, diskutuan, pyetën dhe projektuan udhëtimin e tyre polifonik. Duke filluar nga kostumet, me vështirësi ekonomike, kursyen nga të ardhurat familjare, me sakrifica arritën të realizonin modelin e tyre të veçantë kostumografik. Kostumi i sotëm folkorik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit përbëhet nga: 1. Fundi, i shkëputur nga polka, punuar me material atllas me pala, (pëlhurë e mëndafshtë, e lëmuar dhe me shkëlqim nga njëra anë) me ngjyrë të kuqe, i gjatë deri në fund të këmbëve; 2. Polka, me ngjyrë mente, pak a shumë si modeli i vjetër, me jakë si jakë marinari; (emri i kësaj veshjeje nuk ka të bëjë me vallen me ritëm të gjallë e të shpejtë, që kërcehet me masën prej dy kohësh dhe muzikën për këtë valle); 3. Jeleku, me material shajak i zi (që zëvendësoi xhoken), me qëndisje e stolisur me ornamente dekorative zbukuruese, mbërthyer me kapse; 4. Shamia, me material mëndafsh i hollë, një mente e lehtë, e dashur, jo e rëndë, e ëmbël.
Është respektuar tradita, duke futur ngjyrën e kuqe, kombinuar me ngjyrën e zezë, nga që janë ngjyrat simolike të kombit shqiptar, (si pjesëz e së tërës edhe të Tërbaçit). Në këtë rrafsh, është ruajtur paradigma folkorike novatore e Kujtim Micit, (sinonimit të folkorit, kulturës dhe arsimit në Tërbaç). Njëra nga këngët më të njohura të Krijuesit tonë ka dhe këto vargje sintezë të lirikës elegjiake, me të cilat nëna tërbaçiote i këndon me vaj e ligjërime djalit të rënë për liri: “Unë shaminë e zezë/ e preva shqiponjë./Ja qepa flamurit/ shokëve t’ua dërgojë…”. Kujtim Mici, për mendimin tonë, është konsekuent në vijën kombëtare të vargut vigan. Realizimi material i kostumeve ka si bazë nisje dhe plotësimi metaforën “Shqipëri, nuse bregdeti”, që është lajtmotivi poetik i këngëve të Krijuesit të fuqishëm artistikisht dhe vizionar. Fustani i kuq dhe i gjatë i nuses këngëtare, sot është rezonim i harmonishëm i traditës së njohur, së paku, qysh nga shek. XVII me risitë bashkëkohore, aq të hijshme, tërë dritë e shkëlqim dhe pa teprime.
Pasi kërkuam modelet ndër këngëtaret e vjetra të fshatit tonë e gërmuam në kujtesën tonë folkorike, përzgjodhëm variantin e duhur për të nisur udhëtimin e gjatë folkorik. Pas shumë këshillimesh, kostumet u punuan tek “Moda fashion” e zj. Linda Fejzaj në Vlorë. Sipas stilistes vlonjate Linda Fejzaj, me përvojë 20 vjeçare, (e cila ndihet krenare për origjinën e të parëve të saj nga Vranishti i njohur për histori e kulturë), kostumi femëror etno-folk i fshatit Tërbac, vjen i moderuar në shekullin e XXI, duke u mbështetur mbi origjinalin si dhe për të ruajtur origjinalitetin e tij. Kostumi femëror etnofolk i Tërbaçit është i përbërë nga:
1) Fundi akllas, mëndafshi i kuq, i gjatë deri tek kyçi i këmbës, organizuar me kufopjeta në bel, me qemerin 4 cm, dhe zinxhirin e fshehtë pas, ku përveç tij, janë edhe mbërthimi me folla ngjyrë argjendi;
2) Këmisha krem, ngjyrë mente, me hapje (tape) deri poshtë gjoksit, jakë ushtarake, mëngë të gjata me kapak, mbërthimin me kopsa në ngjyrën e copës, (pesë kopsa: tre në tape, dhe nga një tek mëngët). E veçanta vazhdon të ekzistojë edhe tek ky element, në pjesën e përparme në anë të tapës - shoqërohet nga dy tegela milimetrikë, të cilën e shohim edhe në pjesën e pasme;
3) Jeleku, përbërë nga stof 100% lesh, i zi, me gjatësi deri tek beli, qëndisur me fije ari përgjatë gjithë gjatësisë, shoqëruar përreth harkut të qafës, harkut të kavadures (krahut), si dhe në gjerësinë, ku konturohet fundi i jelekut, duke u mbyllur nga dy folla ngjyrë argjendi në bel, ku puthiten me qemerin e fundit;
4) Shamia e kokës, e zgjedhur ngjyrë mente, e njëjtë me këmishën, e një përbërje “chiffon”, (byrynxhyku, pëlhurë e bërë me fill të hollë mëndafshi), në formë trekëndëshe, shoqëruar me një kordon syzatori, ku identifikohen perlat e së njëjtës ngjyrë që qarkojnë gjithë gjatësitë - kaluar mbi flokë, shoqëruar nga pas veshëve, ndërsa dy cepat vijnë përpara;
5) Vathët prej floriri kokërr, që identintifikohen;
6) Këpucët lëkure me xhufka të kuqe, me mente në majë.
Po kush është zj. Linda Fejzaj? Me që ky kostum etno-folk u soll në kohë në ''Linda Fashion design'' nga e palodhura, e përkushtuara sfidante kombëtarisht në fushën e kostumografisë, zonja Linda Fejzaj, i takon nga ne mirënjohje qyetare ndaj punës korrekte në harmonizimin e bukur të traditës me kohën që jetëojmë. Me këtë synim paraqesim një abstrakt prezantimi respektor: Linda Fejzaj ka mbaruar studimet në Fashion Design…Më pas, ka studiuar për 8 vite kulturën etnografike, duke menduar për më tej, për të mos lënë në harresë kulturën etnografike, por për ta sjellë atë të moderuar, duke u kujdesur me përgatitjen e veshjeve Etno-folk të trevave të ndryshme. Ka një përgatitje të admirueshme në fushën e modës, si pjesë e sfilatave të shumta, dhe për më tepër stilistja e sfilatës më të madhe në Shqipëri ''100 modele në 100 vite Pavarësi'' - një sipërmarrje dhe sfidë, ku në skenë u ngjitën 100 modele të mbështetura mbi tabanin popullor, të gërshetuara me stilin modern, shumë herë edhe estravagant. Përgatitja e disa grupeve popullore të zonave të ndryshme dhe qyteteve të ndryshme, për më tepër, edhe personave apo grupeve në diasporë, i japin sigurinë për synimin që ka marrë përsipër të realizojë, për ruajtjen e pastër dhe çuarjen më tej të traditës, kësaj pasurie të mirë e përparimtare materiale popullore, angazhim ky i përgjithmonshëm i saj. Linda ka logon e saj, brenda dhe jashtë Shqipërie, me të drejtë të plotë ndërkombëtare. Ajo është marrë dhe specializuar për etnografi, pasi, siç shprehet me pasion, ka studiuar goxha gjatë në këtë fushë. Linda është gjithashtu poete dhe ndihet shpirti krijues i saj në punë, shfaqet edhe në modelin tonë të veshjes etnofolk, që u soll më e moderuar, sepse egzistonte hapësira për të respektuar detajet, duke e përmirësuar atë. Tek realizuesja krijuese besuam emrin që gëzon në qytet dhe fjalët e garancisë, se nuk huazon kurrë për realizimin e veshjes karakteristike, thjesht mbështetet mbi këto veshje, por t’i prurë më të moderuara; për të qënë më në kohë, siç janë limitet e gjatësisë apo aksesorët mbi jelek dhe këmishë.
Prezantimi i Vajzave të këngës. Pas organizimit në fillimgushtin 2016, mbas orarit të punës çdo mbasdite apo paraditeve të shtuna e të diela, grumbulloheshin e bënin prova në mjediset e Shkollës së Mesme Industriale “Pavarësia” në Skelë, falë dashamirësisë së drejtorit të palodhur e të respektuar Gent Boçi (se s’kishte hapësira të tjera për to Vlora…) vajzat bënin prova me kërkesë të lartë llogarie, me disiplinë artistike, e cila, në këto raste, vlerësohet më e rreptë se disiplina ushtarake. Prova e parë e Grupit të Vajzave të Tërbaçit, veshur me kostumin folkorik tradicional të polifonisë femërore të fshatit u bë më 22. 11. 2016. Kjo ngjarje entusiazmuese në këto kohë të paqarta gëzoi banorët dhe dashamirësit e shumtë të këngës karakteristike të Tërbaçit, duke uruar njëri-tjetrit që ta gëzojmë këtë thesar të fshatit tonë me ballin te Çika. Grupi i Vajzave të Tërbaçit prezantohet për herë të parë përpara publikut vlonjat dhe dashamirësve të polifonisë sonë, me rastin e festive të Nëntorit, më 26 nëntor në Teatrin “Petro Marko”, Vlorë, kur nderohet bashkorigjinasi ynë i ditur e i thjeshtë, i devotshëm si gjithë Tërbaçiotët, Mevlan Balili, sepse Labëria i nderon bijtë e saj, kur ata ia shpërblejnë me vepra të mira e të dobishme. Dekoratën e lartë “Mirënjohja e Labërisë” ia dorëzoi ai që qe dhe propozuesi kryesor i vlerësimit, prof. dr. Bujar Leskaj. Substancialisht, në përshëndetjen time u shpreha: “Labëria, me mal, me lumë, me det është një fortesë me dritë dhe dinjitet. Sot është Dita e Falënderimeve. Dita e të katër të vlerësuarëve:-Mirënjohje kolektive për fshatin Vajzë të Ali Asllanit e Perlat Rexhepit, respekt individual për të paharruarin arkitekt Pulo Nezho Dukati (pas vdekjes), si dhe për të respektuarit biznesmen Vullnet Sina Armeni dhe ing. Mevlan Muço Delo Balil Tërbaçi. Tërbaçi është një beden i labërisë. Mirënjohja më e madhe, kryemirënjohja për ne është për Shoqatën Kombëtare Atdhetare - Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”. Mirënjohje Labërisë, se Labëria është nderi ynë! Vajzat u paraqitën me dy njësi folkorike: me këngën “Himni i Tërbaçit”, me marrëse Liliana Rrapi Kapo, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vitore Shiroka Vera dhe ia mbushin shtatë të tjerat, si dhe me “Elegji për Dragoin e këngës”, marrëse Baftie Dauti Xhelilaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Shpresa Kapo Çelaj dhe mban këngën me iso grupi. Kënga e dytë u paraqit edhe si nderim për Krijuesin Kujtim Mici, edhe si mesazh mosdorëzimi e besimi, që grupi do të vijojë me dinjitet udhën që ai u projektoi. Të gjithë shprehën fjalët më të mira për interpretimin dinjitoz të vajzave tërbaçiote dhe emocionet e fuqishme pozitive që i falën publikut. Kënga e tyre është e ndier dhe e vërtetë. Vajzat përgatiten me një repertor të pasur folkorik, kryesisht lirik burimor. Ato kanë plane të bukura. Kanë dhe tre valle grash, me dy variante: me tri hapa ose tri këmbë, si i thonë ato dhe me një këmbë. Natyrshëm e çiltërsisht na burojnë vargjet: Vallja kurorë dafine/ për dhjetë shqiponja mali/, dhjetë tufa trëndelile/, lum Tërbaç, kush ia fali! Dëshira jonë dhe fjalët e zemrës janë: Suksese në udhëtimin e gjatë folkoristik, në gjurmët e pashlyeshme të viganit të paharruar, Dragoit të këngës labe, Kujtim Mici! Siç uron nga Amerika e largët, i dashuri i këngës sonë Pelivan Barjamaj, dëshirojmë dhe ne, të këtushmit: Zëri i Miro Tërbaçeve të këngës qoftë trashëgimi dhe dhuratë për brezat!


Leksione nga Amerika Latine për korrupsionin e madh në Kosovë

Nita Shala | BIRN | Tiranë

Eksperienca botērore nē kriminologji konfirmon që ballafaqimi i zyrtarëve të korruptuar me turpërim publik, arrestim, ndjekje penale dhe dënim me burg thellon kulturën e ndëshkueshmërisë dhe frenon rastet e keqpërdorimeve me detyrën zyrtare në të ardhmen. Në rastin e përgjimeve, disa “shefa” të Kosovës meritojnë të hetohen dhe të provohet nëse vërtetë janë të fajshëm.



(Nita Shala

Nita Shala është Ph.D. Candidate në të Drejtë Ndërkombëtare në IHEID, Gjenevë. Ajo është gjithashtu OSFA-Alumni. Ka mbaruar studimet M.Sc. në Kriminologji dhe Drejtësi Penale në Universitetin e Oxfordit. Ka punuar si eksperte ligjore në disa raste të proceduara nga EULEX, për USAID, zyrën Anti-Korrupsion KEK – Kosovë, si dhe në Zyrën e Prokurorit në Tribunalin e Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi. Interesat e saj kërkimore janë mbi garancitë për mos-përsëritje të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.


Protesta anti-korrupsion e qytetarëve të Prishtinës, pas publikimit të përgjimeve.

Një seri telefonatash të publikuara nga portali “Insajderi” konfirmojnë kapjen e institucioneve të Kosovës nga qeveritarë të korruptuar. Informojnë mbi pazaret me pronën publike, mënyrën se si janë ndarë pozicione të ndryshme drejtuese dhe lehtësinë dhe normalitetin me të cilin janë rregulluar dhe prishur tendera për përfitime personale. Edhe pse përmbajtja e telefonatave është shokuese, keqpërdorimet e pozitave zyrtare që këto regjistrime demaskojnë, nuk vijnë si surprizë. Eshtë korrupsioni i thellë që ka çuar Kosovën në varfëri të skajshme dhe mungesë të mundësive për jetë të denjë për qytetarët e saj, vërtetim i pasqyruar edhe në raporte të ndryshme të organizmave ndërkombëtarë.

Regjistrimet në fjalë informojnë shumë mbi mënyrat se si një grusht njerëzish që kanë kapur pushtetin, kanë vepruar duke influencuar në mënyrë të paligjshme vendimet në institucionet publike të pavarura, sikur të jetë gjëja më normale. Mund të konkludojmë që këta zyrtarë mbajnë të merituar medaljen e artë në olimpiadēn e korrupsionit.

Në qoftë se tashmë kemi konfirmimin e këtyre pazareve korruptive, çfarë është e natyrshme të ndodhë në vijim dhe cila është strategjia për të adresuar dhe parandaluar këtë fenomen?

Një rrymë mendimi kriminologjie konfirmon që mekanizëm eficent për luftimin e korrupsionit është turpërimi publik i keqbërësve, ndëshkimi i merituar i tyre dhe informimi i përgjithshëm për ekzistimin e rrezikut real për t’u ndëshkuar, në rast të përfshirjes në korrupsion. Në Kosovë, Agjencia Kundër Korrupsionit informon për ndjekje dhe procedim gjyqësor të paktë të rasteve të korrupsionit nga ana e gjyqësorit në Kosovë, por edhe ato pak raste kanë të bëjnë me korrupsionin e vogël.

Përgjigje nga Amerika Latine

Duke marrë parasysh numrin e lartë të skandaleve korruptive, kontekstet e vendeve të Amerikës Latine përbëjnë bazë me vlerë për të analizuar jo vetëm fenomenin e korrupsionit, por posaçërisht përgjigjen ndaj korrupsionit të madh.

Presidenti aktual meksikan, Enrique Peña Nieto u zbulua që banonte në shtëpi të ndërtuar dhe në pronësi të një kompanie ndërtimi që kishte përfituar mbi 80 kontrata të mëdha me qeverinë. Me zbulimin e konfliktit të interesit, çështja nuk kaloi fazën paraprake të shqyrtimit gjyqësor dhe u mbyll, pasi Presidenti dhe familja ndërruan vendbanim dhe hoqën dorë nga prona në fjalë.

Në Kili, djali i presidentes Michelle Bachelet u akuzua në vitin 2015 për përfitim në mënyrë të paligjshme të një kredie bankare në vlerë prej 10 milionë dollarësh amerikanë, një ditë pas rizgjedhjes së mamasë së tij. Dokumentet zyrtare informonin se si bashkëshortja e tij kishte përdorur këtë shumë për të blerë tokë, të cilën e kishte shitur me vlera përfitimi shumë të larta. Pas bërjes publike të skandalit, paturpësisht presidentja Bachelet informoi shtypin se “qytetarët e Kilit nuk përfshihen në skema korrupsioni” dhe konfirmoi që nuk planifikonte paraqitjen e dorëheqjes.

Në Guatemala, një investigim ndërkombëtar zbuloi afera disa milionëshe që implikonin direkt ish-presidentin Otto Perez Molina. I vënë në presion ndërkombëtar, ai u detyra të paraqiste dorëheqjen pas ngritjes së aktakuzës.

Në Peru, ish-presidenti Alberto Fujimori është aktualisht duke vuajtur një dënim me burgim prej 25 vitesh për aferat e paimagjinueshme korruptive që mendohet t’i kenë shkaktuar dëme financiare Perusë në vlerën e 4 miliardë dollarëve. Presidenti paraprak, Alan Garcia është hetuar për faljen kolektive që u bëri 400 trafikantëve të drogës, “me qëllimin për të zbrazur burgjet e tejmbushura”, sipas administratës së tij.

Rastet e mësipërme janë shoqëruar nga ndjekje penale, por hetimet kanë qenë të pjesshme dhe përgjithësisht, kanë rezultuar në pandëshkueshmëri apo ndëshkim të limituar të zyrtarëve të korruptuar. Shpeshherë, zyrtarët e implikuar kanë vazhduar me karrierën politike, pa ndonjë pasojë.

Në të kundërt, disa nga aferat korruptive të viteve të fundit në Brazil duken të jenë hetuar dhe proceduar seriozisht në instancat e gjyqësorit dhe personat përgjegjës, jo vetëm janë larguar nga pozicionet drejtuese, por kanë marë dënimin e merituar.

Në Brazil, ndjekje serioze penale

Në Brazil- vendin mikpritës të Olimpiadës së fundit, presidentja Dilma Rousseof u largua nga zyra në maj 2016 për shkak të keqpërdorimit të detyrës dhe është në proces impeachment-i para Senatit Brazilian.

Por një skandal edhe më i madh duket se konfirmon synimin serioz të Prokurorisë për luftë kundër korrupsionit, ai i lidhur me skemën Lavo Jato. Sipas akuzës, anëtarë të ekzekutivit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lidhur kontrata në emër të kompanisë publike të naftës “Petrobras” për një periudhë 10 vjeçare (2004-2014) duke përfituar miliarda dollarë dhe kaluar këto shuma në llogaritë personale të tyre apo në fondet e partive të tyre politike.

Aktualisht janë nën hetim shumë zyrtarë, përfshirë 13 senatorë, 22 deputetë federalë dhe 2 guvernatorë, përfshirë dhe deputetin Eduardo Cunha, që kryesoi impeachment-in kundër presidentes Rousseof.

Një studim mbi aferat korruptive në Brazil tregon se lidhur me korrupsionin e madh këto 5 vitet e fundit janë arrestuar mbi 160 zyrtarë të lartë dhe dënuar mbi 100 prej tyre. Ndër personat e dënuar me burg afatgjatë janë Macelo Odebrecht, CEO i mëparshëm i kompanisë më të madhe të ndërtimit në Amerikën Jugore, ish-drejtori i kompanisë publike “Petrobras”, Jorge Zelada dhe ish-arkëtari i Partisë së Punës, Joao Vaccari Neto.

Çfarë e veçon Brazilin nga shtetet fqinjë është forca me të cilën institucionet shtetërore – Prokuroria dhe Gjyqësori Federal – kanë reaguar ndaj korrupsionit të madh që implikon zyrtarët e lartë të shtetit.

Përgjigja ndaj korrupsionit në Kosovë

Në Kosovë, rastet e ndjekjeve penale të aferave korruptive të zyrtarëve të lartë janë kryer në mënyrë të pjesshme nga Prokuroria e Misionit të EULEX-it. Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës është marrë kryesisht me raste të korrupsionit të vogël.

Duke njohur rëndësinë e merituar nevojës për të luftuar korrupsionin e vogël, është i domosdoshëm adresimi me intensitet dhe seriozitet i korrupsionit të madh, veçanësisht për dëmin financiar dhe social shumëfish më të madh që shkakton.

Në mënyrë ironike, skandalet janë shenjë pozitive, sepse tregojnë që ekziston përpjekja për të garantuar llogaridhënie dhe ndëshkim. Por një administrim publik i ndershëm bëhet realitet vetëm kur krijohet kulturë averzioni ndaj korrupsionit të madh dhe ekziston vullnet real i gjyqësorit për të luftuar korrupsionin.

Eksperienca botērore nē kriminologji konfirmon që ballafaqimi i zyrtarëve të korruptuar me turpërim publik, arrestim, ndjekje penale dhe dënim me burg thellon kulturën e ndëshkueshmërisë dhe frenon rastet e keqpërdorimeve me detyrën zyrtare në të ardhmen. Gjithashtu, është e vërtetë e njohur që lufta kundër korrupsionit fillon nga kokat e mëdha. Në rastin konkret, disa “shefa” të Kosovës meritojnë të hetohen dhe të provohet nëse vërtetë janë të fajshëm, siç lënë të kuptojnë regjistrimet në fjalë.

Gjithçka që ndodhi në gjykatat e Kosovës



Megjithatë gjyqësori gjatë vitit që e lamë pas ishte në kërkim të fitimit të besimit të qytetarëve, pasi gjykimet e pakta të “peshqve të mëdhenj” zvarritja e proceseve gjyqësore, përfundimi i disa rasteve të korrupsionit pa epilog fajësues, ose dënimet e ulëta e mosvuajtja e dënimit u japin shumë të drejtë atyre që ndihen të pakënaqur me gjykatat në Kosovë.
Rasti që bëri bujën më të madhe ishte ai i kryetarit të Gjykatës së Apelit Sali Mekaj.

Pasditen e 20 korrikut të vitit që lamë pas, kryetari i Gjykatës së Apelit, u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Arrestimi i Mekajt humbi dhe dëmtoi edhe më shumë besimin e qytetarëve karshi institucioneve të drejtësisë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës si pasojë e fillimit të hetimeve pezulloi nga puna Mekajn deri në përfundimin e tyre.

Për Mekajn gjatë 2015-ës nuk pati as ngritje aktakuze, as përfundim hetimesh.

Gjatë vitit që shkoi aktakuza u ngritën edhe ndaj atyre që duhet të ngrënë akte akuzuese.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës Shpresa Bakija u gjet në bankën e të akuzuarve. Ndaj sa u ngrit aktakuzë në gusht të vitit të kaluar nën akuzat për tri vepra penale, mes tyre edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

E arrestuar dhe me aktakuzë përfundoi edhe prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Vahide Badivuku.

Gjykime të ministrave e kryetarëve të komunave

Fatmir Limaj, Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Ramadan Muja, Sami Lushtaku, Nexhat Demaku, janë vetëm disa nga zyrtarët që patën punë me gjykatat gjatë vitit 2015.

Fatmir Limaj, në vitin 2015 vazhdoi të mbetet i akuzuar. Këtë herë, akuzat kishin të bënin me kohën kur Limaj ishte ministër i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Dy rastet në të cilat Limaj ishte i akuzuar, MTPT 1 dhe MTPT 2, u bashkuan në një rast të vetëm.

Limaj u deklarua i pafajshëm, ndërsa akuzën e quajti të ngritur me urdhër politik. Rasti aktualisht është duke u proceduar, ndërsa do të duhej të përmbyllet gjatë vitit 2016.

Limaj përpos rastit MTPT ishte pjesë e gjykimit për të tretën herë edhe në rastin Kleçka, për të cilin dy herat e kaluara ishte shpallur i pafajshëm, por pas ankesës së prokurorisë Gjykata e Apelit shqyrtoi “Kleçkën”.

Në listën e të dënuarve nga gjykata e shkallës së parë për vitin 2015, figurojnë edhe ish-ministrat e kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. Që të dyve iu shqiptuan dënime relativisht të lehta me kusht.

Ramadan Muja përkundër se ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren në mars të vitit 2014 për keqpërdorim të detyrës, ai gati dy vite më pas vazhdon të jetë kryetar i Prizrenit edhe pse ishte gjetur fajtor dhe dënuar me dy vjet burgim me kusht.

Gjykata e Apelit, afër një vit e gjysmë pasi Muja ishte dënuar, vendosi që këtë çështje ta kthejë përsëri në rigjykim në Gjykatën Themelore të Prizrenit, duke e kthyer kështu rastin në pikën zero.

Por, kjo nuk ishte e tëra në rastin Muja gjatë vitit 2015. Në përmbyllje të vitit 2015, Gjykata Supreme e Kosovës i dha një kthesë interesante këtij rasti duke e rrëzuar vendimin e Apelit me të cilin lënda e Mujës ishte kthyer në rigjykim.

Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt në maj të vitit të kaluar u dënua me 12 vjet burgim nga gjykata, nën akuzat për vrasje të kryer në vitin 1998, ndërsa në rastin e njëjtë por për akuzat e keqtrajtimit të civilëve gjatë luftës me 6 vjet burg u dënua Sylejman Selimi.

Sylejman Selimi, ishte pjesë e grupit që u gjykua në rastin e njohur si “Drenica 2”, ku u dënua edhe me 8 vjet burg për keqtrajtim të të ndaluarve në Likovc.

Përpos Selimit, në këtë rast u dënuan edhe nëntë personat tjerë të “Grupit Drenica 2” që akuzoheshin bashkë me Sylejman Selimin. Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg. Gjykata në këtë rast dënimin prej 3 vjetësh ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Pjesë e këtij rasti ishte edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku. Ai u dënua me 3 vjet burg.

Kryetari i Drenasit, fajtor u gjet edhe Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në një rast të një natyre tjetër. Ai është dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burgim nga gjykata e shkallës së parë nën akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në cilësinë e kryetarit të Komunës së Drenasit.

Për dallim nga Lushtaku dhe Demaku, ndonëse u gjet se Komuna e Shtërpcës kishte lidhur një aneks-kontratë që nuk ishte në përputhje me ligjin e prokurimit në Kosovë, kryetari i kësaj komune Bratisllav Nikoliq, dhe zyrtari i prokurimit i kësaj komune Agim Rexhepi, u shpallën të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kryetari i trupit gjykues vlerësoi se të akuzuarit kishin qenë nën lajthim faktik dhe juridik.

I pafajshëm u shpall edhe kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi dhe konsulli i Republikës së Kosovës në Sofje, Lulzim Rifaj. Të dy akuzoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Pafajësia për shpërdorim detyre iu shqiptua edhe ish-kryetarit të Kamenicës Shaip Surdulli.

Gjatë vitit 2015, me aktakuzë u bë edhe një ish-kryetar komune. Mehmet Krasniqi ish-kryetari i Komunës së Obliqit, u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare. AI u deklarua i pafajshëm lidhur me aktakuzën. Rasti do të vazhdojë në vitin 2016.

Raste tjera në të cilat u përfshinë zyrtarë të ministrive dhe që zgjuan vëmendje gjatë vitit 2015 ishin gjykimet për Parkun e Biznesit në Drenas dhe për mbetjen e udhëtarëve pa aeroplan në Aeroportin e Prishtinës në vitin 2009.

Rasti i Parkut të Biznesit në Drenas përfundoi me dënimin e të akuzuarve, por dënimet u konsideruan si relativisht të buta. Nexhat Krasniqi, si ish-shef i prokurimit në Mistrinë e Tregtisë dhe Industrisë u gjet fajtor dhe u dënua me 26 muaj burgim me kusht, ndërsa Adem Zogjani me 10 muaj, Sadri Hykosmani me 8 muaj dhe Safet Fazliu 7 muaj burgime me kusht.

Të pafajshëm u shpallën të gjithë të akuzuarit edhe në rastin e udhëtarëve të mbetur në Aeroportin e Prishtinës. Dy zyrtarët e Ministrisë së Transportit, Nexhat Bala dhe Ismal Berisha u shpallën të pafajshëm për akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Besnik Mustafa, djali i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Ai akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në fjalën përfundimtare prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ali Rexha u tërhoq nga akuza ndaj tij dhe dy kolegëve të Besnik Mustafës, Shefqet Qerkinit dhe Seladin Ujkanit.

Në bankën e të akuzuarve në vitin 2015, u paraqit edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj. Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës lidhur me një manifestim në Komunën e Prizrenit. Ai u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën, ndërsa pritet që gjatë vitit 2016 të ketë epilog lidhur me këtë rast.

Terrorizmi

Të dyshuarit për terrorizëm, janë një dukuri relativisht e re për Kosovën dhe gjykatat e saj. Shumë të rinj kosovarë u bënë pjesë e luftërave me karakter religjioz në Siri dhe Irak duke u rreshtuar krahas organizatave terroriste.

Rrjedhimisht, të njëjtit pas kthimit në Kosovë u përballën dhe vazhdojnë të përballen me aktakuza për pjesëmarrje në grupe terroriste dhe vepra të tjera të ngjashme që lidhen me terrorizmin.

Rastet që bënë bujën më të madhe gjatë vitit 2015, janë rasti i Liqenit të Badovcit ndaj pesë personave të arrestuar te ky liqen në mëngjesin e 11 korrikut të vitit të kaluar. Fillimisht u ngritën dyshime për helmim të ujit, por këto dyshime nuk dolën të vërteta pasi që në aktakuzën që u ngrit më 10 dhjetor doli se qëllimi ishte helmimi i ujit por leximi i një deklarate besnikërie ndaj liderit të ISIS-it.

Rast tjetër i terrorizmit që bëri bujë mediatike ishte edhe rasti i Zeqirja Qazimit dhe të tjerëve. Zeqirja Qazimi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm. Zeqirja Qazimi dhe të tjerët kishin mohuar akuzat dhe deklaruar veten të pafajshëm.

Po ashtu ndoshta njëri nga rastet që bëri jehonën më ta madhe në Kosovë, është rasti i Slobodan Gavriqit. Ai ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2014 dhe i ishin zënë rreth 12 kilogram eksplozivë. Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit të kaluar. Rasti është duke vazhduar dhe pritet të ketë epilog gjatë këtij viti.

Raste tjera të rëndësishme

Viti 2015 kishte një llojllojshmëri të madhe të rasteve që u paraqitën në gjykatë. Ngjarjet politike në vend e veçanërisht ato që ndodhën në Kuvendin e Kosovës, rezultuan me arrestime të shumta të aktivistëve e po ashtu edhe të deputetëve të opozitës, ndaj disa për të cilëve u ngrit edhe aktakuzë.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi dhe Faton Topalli janë disa nga deputetët ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë, u arrestuan dhe vuajtën edhe paraburgim. Gjithsej 13 deputetë të opozitës kaluna nëpër procedura policore e gjyqësore nën dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Rast tjetër i rëndësishëm në vitin 2015 që mori epilog në këtë vit ishte edhe gjykimi për vrasjen e policit të njësisë speciale Enver Zymberi në korrik të 2011-ës. Radovan Radiqi dhe Millovan Vllaskoviqi u shpallën të pafajshëm për vrasjen e Zymberit.

Për dallim prej tyre, 6 policët e njësisë speciale të Kosovës, u gjetën fajtor dhe u dënuan lidhur me rastin e truprojave të Vulinit.

Gani Konjuhi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa me dënime me kusht u dënuan Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Nexhmedin Sahiti, Sevdaim Abdullahu dhe Ilmi Rexhepi. Ata akuzoheshin për keqtrajtim të disa personave gjatë vizitës së ish-shefit të zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin në Kosovë më 7 janar 2013.

Me 3 vjet e 2 muaj burg dhe me 4000 mijë euro gjobë u dënua edhe Shefki Hallaqi, i njohur si “Sheki”. Ai nga Prokuroria Themelore në Prizren akuzohej për përdorim dhe armëmbajtje të armës duke sulmuar stacionin e Policisë së Kosovës në Prizren.

Rasti i Naser Kelmendit, i cili edhe pse i arrestuar në maj të vitit 2013, dhe i cili akuzohet për vrasje dhe narkotikë, nuk ka arritur të përfundojë gjatë vitit 2015, ndërsa kjo pritet të ndodhë në vitin 2016. Kelmendi vazhdimisht ka deklaruar se ndihet i pafajshëm.

Ngjashëm me Kelmendin po vazhdon edhe gjykimi i Enver Sekiraqës që akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, ndonëse seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte mbajtur në tetor të vitit 2014. Sekiraqa po ashtu asnjëherë nuk e ka pranuar fajësinë për veprat që i ngarkohen. Pritet që gjykimi të përfundojë këtë vit.

Rast tjetër, i cili ndodhi për herë të parë në Republikën e Kosovës, ishte edhe rasti i parë i shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm.

Rast tjetër i rëndësishëm në Kosovë në vitin 2015 ishte edhe rasti i gjykimit të ish-deputetit Gani Geci. Ai akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqrit në gusht të vitit të kaluar.

Edhe pse gjatë 2015-ës kishte shumë gjykime të zyrtarëve të lartë, lëndët e të cilëve filluan, vazhduan ose morën epilog vitin e kaluar, dënimet e buta, dështimi i prokurorisë për të provuar fajësinë dhe si rezultat shpallja si të pafajshëm e shumë të akuzuarave, veçanërisht për korrupsion, e së fundmi edhe dyshimi edhe arrestimi i figurave kyçe të institucioneve të drejtësisë nuk kontribuuan në krijimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Korrupsioni në gjykatat shqiptare

Sondazhi i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë është i pari që sjell të dhëna dhe vlerësime nga gjyqtarët për sistemin e drejtësisë.
Korrupsioni në gjykatat shqiptare vazhdon të mbetet problem kryesor. Këtë përfundim e kanë pohuar së fundi edhe vetë gjyqtarët në një sondazh të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre pohojnë se sistemi gjyqësor është i korruptuar dhe pa integritet. Po ashtu pjesa dërrmuese e gjyqtarëve pohojnë se janë të pakënaqur nga pagat.

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë publikoi sot një sondazh me gjyqtarët e shkallës së parë ku ata vetë e cilësojnë sistemin e drejtësisë shqiptare si të korruptuar dhe pa integritet. Në sondazhin që përfshiu më shumë se gjysmën e gjykatave të vendit, kryesisht në qytetet e mëdha, gjyqtarët deklarojnë se korrupsioni dhe mungesa e integritetit vijnë nga joshja e madhe për të favorizuar njërën palë në gjyq dhe nga ndërhyrjet e shumta të deputetëve, zyrtarëve të lartë qendrorë dhe vendorë për të ndikuar në vendimet e gjykatave.

Në sondazhin e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë morën pjesë rreth 60 për qind e gjyqtarëve; ose 177 gjykatës nga 305 gjithsej, të anketuar në 14 gjykata nga 23 gjithsej. Ekspertët mendojnë se përfundimet e studimit janë përfaqësuese për opinionin kritik që ata vetë kanë shprehur për gjendjen e sistemit të drejtësisë.



Rreth 25 për qind e të anketuarve deklarojnë se gjyqësori në Shqipëri është i korruptuar, ndërsa 58 për qind thonë se ky është vetëm perceptim, ndërsa rreth 18 për qind deklarojnë se gjyqësori nuk është i korruptuar. Gjysma e të anketuarve, 57 për qind, janë shprehur se sistemi gjyqësor është pjesërisht i varur nga politika, ndërsa 33 për qind e gjyqtarëve të pyetur mendojnë se ai është i pavarur prej politikës. Në po këto raporte janë edhe mendimet e tyre edhe lidhur me integritetin e sistemit gjyqësor.

Lidhur me rryshfetet, rreth 30 për qind e gjyqtarëve deklaruan se një herë, disa herë dhe shumë shpesh kanë patur oferta për pagesa për të favorizuar me vendime një palë në gjyq, ndërsa rreth 60 për qind e tyre deklaruan se nuk kanë pasur oferta të tilla. Por nga vijnë ndërhyrjet për favorizime në procesin gjyqësor? Gjyqtarët e anketuar thonë se ato vijnë 5 për qind nga qeveria, 5 për qind nga deputetët, 4 për qind nga presidenca, 31 për qind nga avokatët, 16 për qind nga zyrtarë të pushtetit vendor.

Dështimi apo zvarritjet e gjyqeve vijnë kryesisht nga mungesat e avokatëve si dhe nga mungesa e dëshmitarëve, ndaj ata kërkojnë ngritjen e një strukture të posaçme që t’i sjellë ata në gjyq. Gjyqtarët vlerësojnë se shoqëria civile nuk i ka ndihmuar aspak në punën e tyre, ndërsa media përbën presion në shumë raste.

Gjyqtarët e anketuar janë të pakënaqur me pagën, rreth 70 për qind e tyre, dhe të kënaqur janë vetëm 7 për qind. Po ashtu mbi 75 për qind e tyre ndjehen të pasigurtë dhe pak të sigurtë në vendin e punës. Gjatë anketimit gjyqtarët kanë treguar se si ata japin pagesa për të marrë shërbime mjekësore, administrative etj, duke rënë edhe vetë pre e korrupsionit.

Sondazhi i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë është i pari që sjell të dhëna, vlerësime dhe propozime nga vetë gjyqtarët për gjendjen e sistemit të drejtësisë, i cili perceptohet masivisht në opinionin publik si fusha më e korruptuar e jetës shqiptare, pas doktorëve dhe doganierëve.

Vonesa e shqyrtimit te lëndëve në gjykata, mundësi për zhvillim të korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency Internacional në Kosovë, ka publikuar studimin më të ri “Pritja për drejtësi” i cili rithekson nevojën për kushte më të mira në gjyqësi dhe të angazhojë më shumë juristë për të zvogëluar numrin e lëndëve në gjykata. Raporti u diskutua në tryezën ku merrnin pjesë përfaqësues të gjykatave, prokurorisë, shoqërisë civile, etj.

KDI ofron këshilla ligjore për dëshmitarë, viktima dhe sinjalizues të korrupsionit, i cili shërbim gjatë gjithë vitit ka pranuar raporte të ndryshme nga qytetarët në lidhje me sistemin e drejtësisë në vend, e në veçanti me kohën që ata duhet të presin derisa çështja e tyre të merr epilog përfundimtar para organeve të drejtësisë.

Rastet që janë raportuar në KDI tregojnë që në gjykata vazhdon të mbetet një numër shumë i madh i lëndëve të vjetra e të pazgjidhura, madje edhe nga viti 1999. Nëse një palë, qoftë në procedurë civile, penale, administrative apo ekonomike nuk e merr drejtësinë në kohë të arsyeshme, atëherë detyrohet t’i drejtohet mënyrave të tjera zgjidhjes së çështjeve të tyre.

“Mënyrat e tjera nënkuptojnë rrugët joligjore si mitdhënia dhe favorizimi, që në vete përbëjnë korrupsion”, potencoi Florent Spahija, këshilltar ligjor në KDI.

E gjetura tjetër nga raporti është kostoja ekonomike që u shkaktohet palëve por edhe vet shtetit nga vazhdimi i pafund i gjykimeve për çështjen e njëjtë. Palët në këto raste dalin dy herë të dëmtuara, njëherë si taksapagues pastaj edhe si palë në procedurë.

Visar Sutaj nga KDI theksoi që të gjeturat janë bazuar në hulumtimin e realizuar nga KDI dhe analizimin e statistikave të KGjK-së në lidhje me menaxhimin e lëndëve nga sistemi i drejtësisë. Tutje i njëjti shtoi se “sistemit të drejtësisë i duhen më shumë këshilltarë ligjorë dhe bashkëpunëtorë profesionalë në mënyrë që të zvogëlohet numri i lëndëve dhe që qytetarët të marrin drejtësinë”.

Përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Agim Maliqi tha se për shumë rekomandime që janë ngritur në raport kanë filluar aktivitete konkrete, është rritur numri i gjykatësve në gjykata themelore për të trajtuar lëndët e natyrave korruptive, ndërsa parashihet edhe trajnimi i tyre. Sa i përket llogaridhënies ai potencoi se ka gjëra që duhet përmirësuar, ndërsa theksoi se ligji i ri parasheh masa ndëshkuese më ashpra, p.sh. gjyqtarët tani mund të shkarkohen për shkak të mosperformancës.

Arton Demhasaj, drejtori i organizatës Çohu tha që dënimi me kusht për lëndët e korrupsionit është nxitje e korrupsionit, ndërsa masat ndëshkuese për lëndët e korrupsionit është e ulët dhe shqetësuese për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai po ashtu vuri theksin te parashkrimi i lëndëve, si problem kryesor që vazhdon ta përcjellë punën e gjykatave.

Shërbimin për Këshilla Ligjore për viktima dhe sinjalizues të korrupsionit në KDI përveç mundësisë për të takuar direkt zyrtarin ligjor në zyrën e saj, ka edhe linjën telefonike pa pagesë 0800 77 777, ku qytetarët mund të raportojnë raste korrupsioni, qofshin si dëshmitarë apo viktima të këtyre rasteve. Gjithashtu formë tjetër e raportimit është edhe adresa elektronike info@kdi-kosova.org.


Lexoni :

http://www.akk-ks.org/repository/docs/Raport_Analize_2012%20(1).pdf

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...