Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/07

Cikël poetik nga Afërdita Xani,Suedi


Reflektim

Atëherë nuk e dija,
Që koha mëshirë nuk ka,
T´mplakur në pamje ,
E t´vegjël në shpirt na lë.
Atëbotë nuk e dija që koha jetohet, por…
Për t´ kthyer, s´kthehet më.
Sikur ta dija që sekondat ndertojnë,
Vite, dekada e shekuj,
Mendimit tim nuk do i trembesha,
Shpirtin, trishtimi s´kish për t´ma prekur.

Do zgjohesha herët pa dalë agimi,
Drita tokën ende pa e pa.
Synimin do ta kisha në diell!
Do fluturoja mbi halle e derte,
E lumturinë ta jetoja në qiell!

Do harroja hatërmbetjet,
Më askend s´do mbaja mëni,
Do bartja mbi supe
Qoftë edhe fajet e pabëra,
Vetëm mos t´lëndoja asnjeri.

Nuk do më bënte pershtypje,
Edhe pse do më shikonit si të marrë,
Sepse dashuri do jipja ,
Edhe atëherë kur nuk më ishte kërkuar.

Shumë gjëra do ti bëja ndryshe,
E disa nga gabimet do t´i bëja prapë,
S´do perfillja kode e barriera,
Nuk do t´a njihja as fjalën: NDAL!

Po t´a dija se jeta ka një Pikë,
Ku do kthehem pas t´shikojë,
Më gjithë qënjen do të doja të jem aty ku isha, por….
Me Përendinë dot nuk luftoj.

Sikur ta dija që në këtë udhëtim,
Biletë kthyese ska për të ekzistuar
Do mësoja dhe artin magjik,
Helmin ne shije mjalte do e kisha shënderruar.

Ëndrra t´mbrapshta pse më ndiqni?
Dhe më qeshni më ironi,
Sikur doni t´më tregoni,
Se sa e dobët është të qënja njeri!

Po ta dija sa zgjatë jeta ,
Vdekjes s´do i druhesha dje as sot,
Do fitoja mbi sfidat e mia,
Për botën tjeter s´do shpresoja dot!
 
Kufiri ose – ose


Mos më ndjek pas kujtim i egër,
S’dua të të kujtoj,
vrazhdësi që më kaplove mua
dhe popullin tim.
Hije e zezë,
që mbulove jeten
dhe ëndrrat tona.
Ik nga unë,
trishtim që ende
jeton thellë në qenjen time.
Pse o qjellë,
ishe aq i pameshireshem atëbotë,
Që cdo ditë,
murmurisje rënd e më rënd?
Pse o djellë ngrohe gjithësinë,
e ne na mbaje akullë të ngrirë?
Atëbotë të gjithë na paten harruar !
Jetonim për të vdekur,
donim të vdisnim për të jetuar!
Natës 
Natës së qetë,
kaherë i jam lutur:
me bëj yllin tënd të pare.
Më rrëmbe,
në lartesinë e brishtë
ose
hijen ma dërgo në djall.

Më humb,
Në errësirën tënde, dhe
asnjëherë mos më kthe!

Më shpjer kudoqoftë
Vetëm gjurmët mi fsheh!

Më mirë një zjarr vullkani
Se një fije zjarri që përherë prek
Më e kuptim ka një vdekje e heshtur
Se një heshtje që çdo çast vret!

Më zhyt në fund të detit,
kur stuhisë dot si  bëj ball!
Më e drejtë një rrugë amshimi
Se një jetë e tërë pritje e mall!

Heshtja fshehurazi vret,
E ditët radhazi me prejnë në besë
Më mirë një jetë e tërë mashtrim
Se një ditë e vetme pa shpresë.

Lutjet,
nuk janë dobësi,
Por vijnë nga pafuqia,
që i vetëm të fitosh…

Vetmia nuk vjen
nga mungesa e njerëzve
Por kur rrethohesh me njerëz
që smund tu besosh.

Lirohu!

Mos u pengo nga ndërrimi i stinëve,
As nga pranverë e vonuar.
Ka shumë nga ato ditë,
Që dielli ka për t’munguar.

Ka nga ato orë,
që shekuj kanë për t’u dukur,
Dhimbje e dashuri të mëdha
Që koha shpejt do t’i këtë zhdukur.

Po pate forcën dhe guximin ,
nga litari i frikës të lirohesh,
do mbash botën në duar,
dhe pendimin s’do ta njohësh.

Nese mohon vetvetën,
Për parajsën që të është premtuar,
i burgosur mbrenda trupit tënd,
do të banojë një shpirt i trazuar.

Po u bëre rob i paragjykimit,
Kjo farë veç ankthin mbjell.
Duaje lirinë tënde,
më shumë se frymën që merr!

Nëntori

Pse duhej të të prisja ty,
e vetme
Kur një tjetër si unë,
i gëzohej,
ardhjes tënde?
Në një mesnatë të ngrirë acari,
erdhe në kohën kur
bota më fliste egërsisht,
E retë  kishin për qëllim të ërresonin,
çdo hapësirë të kthjellët
gjithëandej.
Hapat tu të lehtë
frikësonin dhe lumturonin
njëkohësisht
shpirtin tim të trazuar.

Një fund nëntori të akullt,
Kur jeta m’i ngjasonte
një ëndrre ankthi.
E pasigurtë nëse
dashuria ime e madhe
të mjafton Ty.
Ti erdhe,
e unë nuk kisha
asgjë për të dhënë veç,
lotit e dashurisë!
Nëntori i atij viti i ngjante,
Trishtimit tim.

Cikël poetik nga Pjetër Jaku





DON KISHIOTI







Don Kishoti i mërguar  
Përsonazh


Përsonazh i Servantesit ka dalë në skenë
I ka hypur Rozinantit dhëmbërënë
Me shpatën e mprehur të luftoi me
karkalecat e lagjes;
Vetëm në emër të paqes!

Të gjithë i bëhën armiq,
Të gjithë i bëhën të ligj
Njeriut të lig,
Hajdutit me duar prej bebi
Që i futen çdo xhepi!

Medet për madhështinë e tij minore
Përulësisë së tij prej zagari të vogël
Me sytë si gogël!
Rozinantët shohin me sy nga qielli!


LUTJE  PRESIDENTIT 
atdhetar
I nderuar President i vendit tim
Dekoroi të gjithë ata që duan t’i mburren vetes
Medaljet t’i varin si brekët
E t’i veshin si thongs Kelvin Klein me emrin tënd!
Të gjithë bëj kalorës edhe pse gomarit si kanë hypur kurrë
Të lutem bëjë këtë për hatër të shkopit që mban flamurin,
he burrë
Mos i le të vuajn kandil-bishtukët që e bëjnë dritën terr,
patriotët frikacakë, veteranëve që nuk dinë ç’është lufta
mbushua gjoksin me dekorata, si ata i mbushin me deklarata!
Delirantëve që u duket vetja heronj e besojnë rrenat e veta
mos të dhimben bre burrë dhe, nëse janë të shtrenjta!
Paguan populli fukara i mësuar më kësi heronjësh,
Mburravecë të pashoq, të rrumbullakosur si dorëza kashte
Vlerësoje heroizmin e tyre të shtrirë si kaposhat në pjata
Sidomos, të atyre që vijnë nga mërgata!
Jepjau në emër të statukuosë shëndetësore,
të vuajtjeve që heqin për të ardhur deri tek ti,
Brilantizmit mendor e në emër të flamurit që e mbajnë
Në makinë, sa herë dëgjojnë këngëtarët grekë,
Muziken serbe dhe kushedi ça dreq bidonash të zhurmshëm
Jepjau të gjitha medaljet e mundshme!
Jepjau Urdhërin e Skenderbeut e sajoje atë të Sulltan Hamitit,
Se për kombin u digjet dhe terri i shpirtit!
Japjau kalorsin pa frena dhe kuajt e gjithë kontinentit më të vjetër, jepjau
Të betohem, në emër të Kryeshoqatës së Diasporës
Që ka mbetur ne tre qyqana
Nuk u duhen gjë pos varjes në xhaketa
Sa herë për kombin shtrojnë darka e dreka
Sa herë për nderin e japin jetën nëpër bërxolla e verëra!
Po vdesin duke shitur hamburger pa një meritë për t’u dukur
Duke lyer bodrume e duke bërë heroizma të mëdha për atdheun
Jepjau , t’i kenë të paktën për t’u mburrur!
Je bujar vërtetë e bëje veten dorëlëshuar, sa je ende në karrige
E , bash kur të vijë fundi, në fundin e mbramë
Për hatër edhe të portofolit tand
Jepu dekorata , medalje për festa e ditëlindje, për gjithëfarë lloj sebepi
Bëje këtë bre burrë, mos të dhimbet shteti!
Pleshti

Pleshti desh u bë gjeneral
Spaletat i vuri në hapsirë
I shihte në ëndrra të zgjuara!
Kohët e tij pleshtërore
U bënë  vite të mërguara!
Kërcen kot së koti
Si dëllenjat në zjarr.
Pleshti plesht do mbetet
Jo vetëm në të gjallë!


Metamorfozë

I pandryshuari s’ndryshon
Me hapat e tij brumbullor
Si kali i Don Kishiotit!
Deri sa të arrij majat e fitimtarit
I bien gradat ferrave
I bien “fuqia” e të fortit!


Këshillë

Nuk mund të jesh poet
Pa katër këshillat e Shkrelit,
As pesë këshillat e vetes,
Ndryshe do mbetësh
Një shtërzues i mendjes!
Kapsllëku mendor
është shumë më i keq
Se kapsi në bark,
Kur nuk je poet
Në asnjë fjalë,
Në asnjë varg!
Poezia është frymë
Nga një shpirt i mire, e dale
O njeriu shpirt e tru çalë!


Mars

Kur s’të bëri as Marsi poet
Ç’pret o shprtziu i vogël,
ç’pret?!
Mbyte  veten tënde
Me lapsin tënd!
Vetëm një…

Gjithë të bukurat të sillen
Nuk ka tjetër, vetëm një
Si vetima të na fshihen
Syri njërën do ta zë.

Sheh nga sheh e sillesh prapë
Nuk ka tjetër , vetëm një
Mendja jote mund të kapë
Çka ty syri nuk ta sheh.

Ka në botë vërtetë shumë
Por s’ka tjetër, vetëm një
Le të ngrihen dallgë e shkumë
S’ka stuhi t’a marrë atë.

S’ka në botë një të dytë
Bota ka vetëm një
Kur e sheh shpirti dhe sytë
Gjithë të tjerat janë asgjë.

Nuk ka tjetër kurrë , askurrë
Nuk ka tjetër, vetëm një
Që e mban në jetë një burrë
Të mos jetë një çast pa të!

Nuk ka tjetër , vetëm një
Që bën dritë  dhe është lule
Që e mban një mal të tërë
Veç në gjoks edhe në supe.

Asaj femër ne i themi
Por s’ka tjetër vetëm një
Shkojmë e vijmë , ngado që vemi
Një minut s’jetojmë pa të!

Nuk ka tjetër, vetëm një!

Dora është grua

Vetëm dorën ti më dhe
Rastësisht në rastësi
Syrin nuk munda ta zë
Strukur ishte si flori.

Si floriri aq i paktë
Që nuk  shihet aq kollaj
Në fytyrën e përflaktë
Ishte fshehur brenda saj!

Nuk u lodha të të thëm
Qoftë vetëm dhe një fjalë
Kur përdore ishim zënë
Më rëndoje sa një mal.

Vetëm tokën shihje ti,
Ndoshta udhën, ndoshta veten
Por, për mua nuk e di
Se ku sytë e mi u gjenden.

Kur padashur dorën time
E shtërngove pak më fort
Emocionet s’u bënë trime
Se poshtë syve ra një lot.

Ra një lot sa një ortek
Që bjen malit rrokullim
E rrëzon edhe një shkëmb
Aspak toka pa iu dhimb.

Veç ndalon aty në mes
Tek një rrafsh, tek një burim
Sa një  grusht  do ta gjeshë
Siç u bë  në fillim…

Vetëm dorën ti më dhe
Brenda saj ishte gjithë bota
Çdo ortek e dinte se
Do të shkrihej veç nga dora.

Vetëm dorën ti më dhe…

Kam një mike

( JP )

Kam një mike që e dua
Gjithësesi nuk është mëkat
Nëse n’kokë je mjegullua,
Nëse veten merr inat!

Herë më duket njëra motër
Që ma thotë një këshillë
Herë herë më duket nënë
Gjithësesi një grua e mirë!

Kam një mike, që në jetë
Se kam pasur  kurrë më parë
Të ka bir dhe n’mos të ketë
Vjen aq ëmbël si ujvarë.

Unë i thëmë mrekullia
Siç një femër duhet t’jetë
Në gjithë rruzullin dashuria
Është mrekulli e tetë…

Dashuria është femër
Si ajo në botë nuk ka
Ngjiz njeriun n’çdo vërteber
Globin mbi vete e mba!

Shkruaj hartime e bëj këngë
Bëj portrete e bëj art
N’çdo qelizë e mba një brëngë
Një planet leviz n’çdo hap!

Është ajo pra mrekullia
Femra-mrekulli e parë
Nuk vjen kurrë lumturia
Kur një femër s’të ka ardhë!

Që pa lindur gjer kur vdesim
Atë ne e kemi pranë
Shpirtit t’saj  borxh i mbesim
Kur dhe  fryma bëhët fjalë.

Le t’i duam dhe t’i duam
Ato janë për t’u dashur
Kur sëmuremi dhe vuajm
Dhe kur jemi zemërplasur.

Kërkojmë nënën, duam motrën
Me sy gruan e kërkojmë
Kam një mike sa gjithë botën
Dashuri asaj i thonë!
 Dashuria nuk është faj

Një lum vërshon prej meje tek ti
Të prek në këmbë, të zë padashur
Siç një rreze mengjesit të ndritur
Udhëton me ty!
Kur s’e ke pritur,
Të bëhët pjesë e mendimit
Uliks, Odise sa shkëmbi i Munellës
Gurë i rëndë në mendje
Si ai Sizifit
Që e shtyn sa mundet drejt majes
Më beso, nuk është faji im
Se unë nuk e di masen e faljes!

Të të thëm më fal se të ndesha
Me sytë e mesditës
Tërë zjarr!
Të të thëm më fal
Se të vrava me një ëndërr
Që kurrë s’ta thashë!
Unë jam ai që i dua dhe gurët
Dhe fjalët, gjithë hiret e botës
Veç për veten time!
Ndoshta, pa qënë i zoti t’i mbaj
Përsëri nuk është faji im
Se nuk di kur jam në faj!

Ritëm gjethesh

Si një gojë e zëzë  hapsira
Seç m’i ha mengjeset mua
Sytë në shtigje të vështira
Mi rrëmbeu veç një grua!
Përpiqem të shkruaj fjalë
Në rrebeshe të vështira
Kur  nga zemra nuk kanë dalë
Nuk janë fjalwë, janë vetëm shifra.

Ritëm gjethesh krejt të rëna
Në një heshtje që shumë flet
Nuk e di si i zgjon kënga
E i ngjit serish në degë.
Isha …

Isha një pikë kalimi
për të shkuar ti
atje ku duhej
Një Nostradamus gjenial
Parashikues i fundit që nuk thuhej
Isha një urë mendore që lidhte e zgjidhte fjalë
Në ndjekje shpirtërore te ngadaltë…
Isha në të djeshmen e ndjeshme
Gurë me rënje të menjëhershme……
brenda thellësisë tënde
të pa skajshme….
Burimeve tua të pashtershme!


Pjetër Jaku lindi në fshatin Mollë Kuqe të Mirditës është shkrimtar shqiptar.

Ka mbaruar studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe.


 Ka punuar disa vite si mësues në rrethin e Lezhës, drejtues shkolle dhe kryetar i Degës së Librit për këtë rreth (mbas viteve 90-të). 

Ka botuar që në moshë të re në gazetat letrare të asaj periudhe, duke fituar edhe çmime në konkurse kombëtare. 

Në vitin 1994 ka krijuar Shoqërinë Botuese “Kuvendi”, në qytetin e Lezhës që, deri më sot ka afro 60 tituj të botuar. 

Është autor i dy librave poetik “Harrimi i vetes” dhe “Ankthe” dhe disa librave studimor e publicistik. Është autor i librit voluminoz "Shqiptarët në Detroit" dhe botues i Revistës së përmuajshme, informative dhe kulturore "Kuvendi", e cila del në Detroit që nga muaj Maj i vitit 2001.

ILIR SECI : NATA E SHËNKOLLIT NË THETH…





-“A po vjen e dalim ne Theth per Shënkoll?!” – me pat dvetë nje mbramje fundnandori ne Shkoder, miku jem prej Thethi, Petrit Gjeçaj… Ka kene viti 1993…
-“Mos më thuej dy here!” – i thashë, – “kallzomë ditën!…Me vrap vij!”
Ashtu e lamë dhe dy dite para Shënkollit, heret në nadje pritem per makina rasti ne dalje te Shkodres, ka rruga e Dobraçit…
-“Ne mujshim me gjete ndonji makine deri mbi Bogë se ma nalt asht borë e Qafa e T’thores asht e bllokueme.” – tha Petriti, rritë i msuem me dimnat ne Dukagjin…
Jo në Dhetuer po kajhere edhe ne gjysë të Nanduerit zehej Qafa e T’thores…
…Erdh nji makine “Skodë” e Sharrave, shoferi na tha se shkonte deri mbi Bogē po s’kish vende para… u kacavjerrëm te dy ne karroceri, u mbajtem per sponda te “Skodës” aty nalt per nja dy ore te mira deri sa mbrrime mbi Bogë…
…Me të shpejtë ja nisem me u ngjitë shpatit per ne Qafë T’thore… mbas nja nji gjyse ore na u desh me ecë neper bore. Sa ma nalt ngjiteshim ma shume bore kishte…Ne Qafë te T’thores mund te kishte ngat nji metre e gjyse bore…Por ajo ngjitje aty ate dite ka me mbetë nji nder gjanat ma te bukura qe kam ba ndonjihere! Sa dolem mbi Qafë, pamë qe s’kish kalue kambe njeri ato ditë, (nuk kishte asnji gjurme hapash), pse dimnit ma shumë rrahet udha e Bregut te Lumit… U ndalem ne Qafe, njaty ku kane vendose monumentin e Edith Durhamit dhe kundruem panoramen e mahnitshme te Thethit ne dimën… Thethi asht i bukur në çdo stinë por njeriu nuk e ka pa tanë bukurine e atij vendi ne kjoftë se nuk e kundrue te pakten njihere ne dimen, mblue me borë…
Krejt Majat perqark Thethit kishin vendue plisat e bardhe te bores mbi krena e ashtu rreth e perqark lugines se Thethit ngjajshin si pleq te moçem ulun në Oda Burrash…Ne balle te Odës bante shenjë Jezera…
Poshtë Lugina e Thethit asaj dite nuk dallohej se e kish mblue jezeri, (mjegulla), deri mbi ahishtë…Çfare spektakli i rrallë që ish ajo pamje, nalt ne Qafe ku ishim ule na, dielli shkelzente e ish dite e bukur, kthjellët si kokrra e lotit…Majat e maleve shendojshin tane shkelzim e poshte jezerë njicopet…Pamje prrallore!
Tue kundrue ate pamje kur vërej nji gja qe me mrekulloi… Ku e kish mblue jezeri dukej si nji liqen i bardhe tamli e here mbas here ky tamël dukej sikur vlonte…kcejshin pikla ne ajri… kur shoh qe ato pikla jezeri i ngrejshin nalt do shpend qe vijshin prej perfundi jezerit e dilshin me pa driten e diellit! Jo nji, dy apo tre por shume zogj delshin mbi ate jezer… kur i vuna mend ma shume pashe që ato zogj sa delnin mbi jezer, lshojshin nje pingramë, gati pasthirrmë shendi që po dilshin ne diell…Hapshin krahet e pluskonin tane andrrim mbi jezer per disa minuta e kridheshin prape ne jezer…e dilshin prapë, e prapē! Nji loje e magjishme atyne zogjve! Ka ngriheshin mbi jezer zogjte me trupin e tyne terhjekshin mbas veti do shllunga jezeri, ato qe ne fillim me ishin duke si pikla qe kcenin! Çfare metafore me kishte ruejte ajo dite e bukur ne Majë te Malsisë! Metafora e lirisë…a nuk shendon edhe shpirti i njerit bash njashtu kur shlirohet e del ne dritë!? E isha gati edhe vete me lshue ate pingrramë,atë pasthirrmë, bash si ata shpend!
…Per shpirt kishe ndejtë pafundësisht njaty por na duhej me ecë se “na drue me na nxanë nata” …kadalë-kadalë u ulem shpatit teposhtè e mbas disa oreve mbrrime ne Gjeçaj te kulla e Petritit ku na uruen mireseardhjen dhe u gezuen fort qe mbrrime para Nates se Shenkollit… u gzuen per Djalin qe u erdhi dhe u gzuen per mikun qe kish pru Zoti…
Ate nate fjetem heret…ishim lodhe prej tane asaj rruge! Ne mjes u çuem heret, na prunë kafet e gotat e rakisë, Deda, plaku i kulles na dha kutine e duhanit…
-“Mire se u ka pru Zoti!”
Per mue ish hera e pare qe shikojshe si festohet Shenkolli ne Dukagjin… edhe isha me fat se ate dite i pashe pergatitjet ne Kullen e Gjeçajve, pashe si e gaditi ferlikun Deda, plaku i moçem dhe e vuni perballë zjermit te oxhakut…
-“Duhet me e mbajte ferlikun me masë, as fort ngat zjermit por as fort larg jo!” – me tha kur e dveta pse e vendoi ashtu, – “piqet kadale-kadale tanë diten e ne mbramje asht gati per me e hjeke e me e vu në sofer!”
Tane diten e rrotulloi ate ferlik plaku Dedë. Jo vetem e rrotullonte ferlikun tane durim por e pashe qe kish kaq shume knaqsi ne ate punë… Na dolem neper Theth per disa ore dhe kur u kthyem aty e gjetem, ngeshem tue pjekë ferlikun… Kur e dveta a ish lodhe hala me tha :
-“Eh mor bir po sa vjet kam dishrue vetem e vetem me mujte me pjeke ferlikun e Shenkollit ne kulle teme pa na ardhe operativi i zones e me na çartë! Shazoten sot e baj per qejf e me zgjatë nji javë nuk merzitem!”
…U ulem edhe na ne postiqe, me gota te rakise para, e bame kuvend me te! Deda ishte plak i rralle! Rrotullo ferlikun e baj muhabet me ne tue na diftue per kohnat e kalueme…per gjithshka qe na e dvetem ate dite dimni… Njashtu si rrotullohej ferliku i asaj nate, njashtu rrotullohej edhe kuvendi e rrotullamá e kuvendit doli te besimi ne Zot, te feja qe ish ndalue per gati 30 vjet…
-“Eh more djelm!” – filloi kuvend Deda, – “Shazoten kurrsend nuk asht ma i madh se besimi! Ju jeni rrite ne kohe qe â kanë ndalua e s’jeni msue me besim por asht punë e madhe! Kurrgja nuk shkon mbare ne jete mos me pase besim dhe e mbara vjen kur ban mire, kur bekon gjithshka, kur nuk nemë as true. Kur jep hakun e merr hakun e gjithshkafit! …Po jau bie nji shembull … Ju qe erdhet Qafes së T’thores e keni pa udhen qe asht e hapun se gati 70 vjet… Shazoten qat rruge e kane çele zotnite e Shkodres ne ate vakt, e kane pague hakun e mundimin e punetoreve me napolana ari! E s’ja kane hanger kujt kurrnji grime, mund as hak! Udha asht nise me urate, asht hape me urate e shazoten dej sot vetem nje rast jane rrzue gjindja ne ate udhe e kane vdekë… edhe ne ate rast kanë kenë do te deleguem prej Parties që patën ardhe me çarte kishen e Thethit! Shazoten kush tjeter pra rrezue nuk asht per 70 vjet në ate udhe, pra, e boll udhë e vshtire asht! Se asht e bame me urata! Per tjetren ane merrne shembullin e rruges qe kè hape mbasi hyni Partia, ajo udhe asht çelë me pune vullnetare, pa pague hak as mund, sa loti asht lanë aty e sa ahti ka me nxanë!…Shazoten prej se asht hape ajo udhe vjetë pa u rrzue dikush ne ta s’ka kalue ne këto male!”…
…Deda kapi mashën e shprushi zjermin e bungut…
-“Ferliku asht gati!”
…U shtrue sofra… U thane uratat e familja banê kryqin…
…Une kisha mbete i magjepsun prej gjithshkaje…sikur po lexoja përshkrimet e Ate Bernardin Palajt ase Donat Kurtit te “Visaret e Kombit”…
Sa me fat kam kenë qe asaj nate mujta me pa si lutej Nata e Shenkollit para se moderniteti me ndrrue gjithshka…

Te mbasnesermen kur u ndame me Gjeçajt, e muerëm udhen për Shkodër, Deda, Plaku, na uroi :
-“U ruejte Shënkolli, mbrojtesi i tanë udhëtareve!”

(Kjo foto shoqnuese asht foto e vjeter e nji udhtari te huej qe ka kalue neper Malsi.)

Cikël poetik nga Elida Rusta

elida-r
Asaj që u rrit ne varreza …



Me jetë ta paguej buzëqeshjen

Jena kaq të forta bashkë anipse

nuk mbushim nji dhomë me frymën e sytë.

Si u gjetëm?! Kur ta kuptosh ma trego

edhe mue e të jetojmë bukur.

Të gjallët nuk mund t’shkelin mbi ne

t’gjallë s’ka…





E du dashnine tande pa goje



Mbështetem n’diell si vajzë ortiqesh,

të ruej si yll dëshirash që shkëputesh pa t’pa.

T’kam rrëfim në dhomën e lutjeve,

dëshirë në strehën fjalëlidhun t’mëkateve t’pabame.

Të zgjedh ty si far që natën ma ruen t’virgjën,

si dallgë që ke qejf me u mbyt prej saj.

E du dashninë tande t’pagojë shtyn lirikën teme t’pacak.

Zgjou e ndijma frymën, dita s’fillon pa ty!



Si nuk te ndali fryma



Ai erdhi te unë pērmes fjalës së dridhun, të pathanë…

Më ndryshoi ma shumë se ditën,

m’bani me vuejt.

Bota ku më çoi ish pa hanë.

Anjezë moj tingull i zymtë soundit,

si nuk të ndali fryma

kur s’mujte me e përpi vranësinën tande.

Të ruej prapë sonte në atë kopësht qorr

ku muret ta thërrasin britmën pikturat tueja

të lanë pa bojë.

Aparati yt shkrep krisje zemrash.

Vij vërdallë me ta gjetë nji monstër tjetër,

mënyra jote e të dashtunit

e mund edhe djallin.

Moti nuk kam ndi urrejtje kështu,

gjithçka mundem me të thirr,

edhe e krisun veç njeri jo!!!

Endu në hapësinë tash,

helmi që ke mbrendë e bani punën e vet.

E di, nuk të mbërrijnë fjalët e mia,

kërkoj aty ku nuk guxojnë.

Une kurrë s’kam me të fal

se ëngjëlli që i bjen kresë me grushta

qeshë qeshë me gjithçka tonën.

E mu më vret vetja mandej



S’du me ik



S’ka shumë që i shtova dy vija në rrudha

Nyje të forta i lidha litartē e lumtunisë

Me dhambin netët e mia të fildishta

M’dhimbet dita që ec si e marrë e m’len vetëm me dëshirat

Vajza mbrendë meje,nuk flen me nji parfum pishet n’trup

shpirtin e lan me njolla drite përdore më merr e m’i tregon kufinjtë

Unë s’du me ik,du me kenë e gjunjëzueme

e ndalem si kohë n’rini

Ndoshta rrugës gjej diçka që prap

na ban me u dashtë mbi vogëlsina

Je dëshirë me u pa prapë

dëshirë që m’ban me u çu prej toket

Sa fillova me t’dashtë erdh koha me u nda



BAJRAM CURRIT

(qytetit te lindjes)

T’kërkova sot në erën që lëkundet si hapat

Gjeta ngjyrë të haptë me u veshë me ty

Fije psherëtimash ikin e vijnë në lamsha pikëpyetjesh

Pranvera me sy të thamë mbrendë teje zbutet

në dhimbjet e ambla që i duron e pakoha jeme.

Qyteti ynë i shkyem n’komplekse, malok i mendjes

përtej e pa lidhje me vitet. Përralla e andrralla jeme,

Shkëlzeni që nuk më len me çu kry

I hupuni për me u gjetë

M’shtrëngo! deri sa ngërçi t’na kapin gjuhët

tu u puth

M’ke këtu

T’vogel para teje e të qeshunës tande prej femije!



Në kohën e librave të mi

Në kohën e librave të mi
kryet në thyesa e rreshta e kena plasë,
marrja dridhej si thupër në trup,
sot shkon e vjen pa i bâ përshtypje.
Në kohën e librave të mi
jena gjujt topa bore për mirakânde,
jo për smirë.
Kur çalote e majta
fajin nuk ia hidhte të djathtës,
stanet nuk bâheshin prej lepujsh.
Në kohën e librave të mi,festat
me dritë hâne i kena bâ.
Cubat nuk thirreshin heronj,
gungaçin nuk e përzinim prej loje.
Kufini te thana u vu me ardh rrotull qetë,
jo me thy qafën n’pragje tona.
Në kohën e librave të mi,
ishin të aftë me “vra” për një buzëqeshje,
Shpirti ish gjallë
Njeriu ish NJERI.
Sot,
dashnia ka hy në zgavra dhembjesh si korb,
qiell pa planete asht bä.
Kohën e librave të mi
ma kanë bâ t’marrë
Shkon udhës tuj i këndue betejat e humbuna.
Prej asaj kohe kam harru sa vjet i kam,
në çfarë moshe jam…

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...