Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/07

Cikël poetik nga Pjetër Jaku





DON KISHIOTI







Don Kishoti i mërguar  
Përsonazh


Përsonazh i Servantesit ka dalë në skenë
I ka hypur Rozinantit dhëmbërënë
Me shpatën e mprehur të luftoi me
karkalecat e lagjes;
Vetëm në emër të paqes!

Të gjithë i bëhën armiq,
Të gjithë i bëhën të ligj
Njeriut të lig,
Hajdutit me duar prej bebi
Që i futen çdo xhepi!

Medet për madhështinë e tij minore
Përulësisë së tij prej zagari të vogël
Me sytë si gogël!
Rozinantët shohin me sy nga qielli!


LUTJE  PRESIDENTIT 
atdhetar
I nderuar President i vendit tim
Dekoroi të gjithë ata që duan t’i mburren vetes
Medaljet t’i varin si brekët
E t’i veshin si thongs Kelvin Klein me emrin tënd!
Të gjithë bëj kalorës edhe pse gomarit si kanë hypur kurrë
Të lutem bëjë këtë për hatër të shkopit që mban flamurin,
he burrë
Mos i le të vuajn kandil-bishtukët që e bëjnë dritën terr,
patriotët frikacakë, veteranëve që nuk dinë ç’është lufta
mbushua gjoksin me dekorata, si ata i mbushin me deklarata!
Delirantëve që u duket vetja heronj e besojnë rrenat e veta
mos të dhimben bre burrë dhe, nëse janë të shtrenjta!
Paguan populli fukara i mësuar më kësi heronjësh,
Mburravecë të pashoq, të rrumbullakosur si dorëza kashte
Vlerësoje heroizmin e tyre të shtrirë si kaposhat në pjata
Sidomos, të atyre që vijnë nga mërgata!
Jepjau në emër të statukuosë shëndetësore,
të vuajtjeve që heqin për të ardhur deri tek ti,
Brilantizmit mendor e në emër të flamurit që e mbajnë
Në makinë, sa herë dëgjojnë këngëtarët grekë,
Muziken serbe dhe kushedi ça dreq bidonash të zhurmshëm
Jepjau të gjitha medaljet e mundshme!
Jepjau Urdhërin e Skenderbeut e sajoje atë të Sulltan Hamitit,
Se për kombin u digjet dhe terri i shpirtit!
Japjau kalorsin pa frena dhe kuajt e gjithë kontinentit më të vjetër, jepjau
Të betohem, në emër të Kryeshoqatës së Diasporës
Që ka mbetur ne tre qyqana
Nuk u duhen gjë pos varjes në xhaketa
Sa herë për kombin shtrojnë darka e dreka
Sa herë për nderin e japin jetën nëpër bërxolla e verëra!
Po vdesin duke shitur hamburger pa një meritë për t’u dukur
Duke lyer bodrume e duke bërë heroizma të mëdha për atdheun
Jepjau , t’i kenë të paktën për t’u mburrur!
Je bujar vërtetë e bëje veten dorëlëshuar, sa je ende në karrige
E , bash kur të vijë fundi, në fundin e mbramë
Për hatër edhe të portofolit tand
Jepu dekorata , medalje për festa e ditëlindje, për gjithëfarë lloj sebepi
Bëje këtë bre burrë, mos të dhimbet shteti!
Pleshti

Pleshti desh u bë gjeneral
Spaletat i vuri në hapsirë
I shihte në ëndrra të zgjuara!
Kohët e tij pleshtërore
U bënë  vite të mërguara!
Kërcen kot së koti
Si dëllenjat në zjarr.
Pleshti plesht do mbetet
Jo vetëm në të gjallë!


Metamorfozë

I pandryshuari s’ndryshon
Me hapat e tij brumbullor
Si kali i Don Kishiotit!
Deri sa të arrij majat e fitimtarit
I bien gradat ferrave
I bien “fuqia” e të fortit!


Këshillë

Nuk mund të jesh poet
Pa katër këshillat e Shkrelit,
As pesë këshillat e vetes,
Ndryshe do mbetësh
Një shtërzues i mendjes!
Kapsllëku mendor
është shumë më i keq
Se kapsi në bark,
Kur nuk je poet
Në asnjë fjalë,
Në asnjë varg!
Poezia është frymë
Nga një shpirt i mire, e dale
O njeriu shpirt e tru çalë!


Mars

Kur s’të bëri as Marsi poet
Ç’pret o shprtziu i vogël,
ç’pret?!
Mbyte  veten tënde
Me lapsin tënd!
Vetëm një…

Gjithë të bukurat të sillen
Nuk ka tjetër, vetëm një
Si vetima të na fshihen
Syri njërën do ta zë.

Sheh nga sheh e sillesh prapë
Nuk ka tjetër , vetëm një
Mendja jote mund të kapë
Çka ty syri nuk ta sheh.

Ka në botë vërtetë shumë
Por s’ka tjetër, vetëm një
Le të ngrihen dallgë e shkumë
S’ka stuhi t’a marrë atë.

S’ka në botë një të dytë
Bota ka vetëm një
Kur e sheh shpirti dhe sytë
Gjithë të tjerat janë asgjë.

Nuk ka tjetër kurrë , askurrë
Nuk ka tjetër, vetëm një
Që e mban në jetë një burrë
Të mos jetë një çast pa të!

Nuk ka tjetër , vetëm një
Që bën dritë  dhe është lule
Që e mban një mal të tërë
Veç në gjoks edhe në supe.

Asaj femër ne i themi
Por s’ka tjetër vetëm një
Shkojmë e vijmë , ngado që vemi
Një minut s’jetojmë pa të!

Nuk ka tjetër, vetëm një!

Dora është grua

Vetëm dorën ti më dhe
Rastësisht në rastësi
Syrin nuk munda ta zë
Strukur ishte si flori.

Si floriri aq i paktë
Që nuk  shihet aq kollaj
Në fytyrën e përflaktë
Ishte fshehur brenda saj!

Nuk u lodha të të thëm
Qoftë vetëm dhe një fjalë
Kur përdore ishim zënë
Më rëndoje sa një mal.

Vetëm tokën shihje ti,
Ndoshta udhën, ndoshta veten
Por, për mua nuk e di
Se ku sytë e mi u gjenden.

Kur padashur dorën time
E shtërngove pak më fort
Emocionet s’u bënë trime
Se poshtë syve ra një lot.

Ra një lot sa një ortek
Që bjen malit rrokullim
E rrëzon edhe një shkëmb
Aspak toka pa iu dhimb.

Veç ndalon aty në mes
Tek një rrafsh, tek një burim
Sa një  grusht  do ta gjeshë
Siç u bë  në fillim…

Vetëm dorën ti më dhe
Brenda saj ishte gjithë bota
Çdo ortek e dinte se
Do të shkrihej veç nga dora.

Vetëm dorën ti më dhe…

Kam një mike

( JP )

Kam një mike që e dua
Gjithësesi nuk është mëkat
Nëse n’kokë je mjegullua,
Nëse veten merr inat!

Herë më duket njëra motër
Që ma thotë një këshillë
Herë herë më duket nënë
Gjithësesi një grua e mirë!

Kam një mike, që në jetë
Se kam pasur  kurrë më parë
Të ka bir dhe n’mos të ketë
Vjen aq ëmbël si ujvarë.

Unë i thëmë mrekullia
Siç një femër duhet t’jetë
Në gjithë rruzullin dashuria
Është mrekulli e tetë…

Dashuria është femër
Si ajo në botë nuk ka
Ngjiz njeriun n’çdo vërteber
Globin mbi vete e mba!

Shkruaj hartime e bëj këngë
Bëj portrete e bëj art
N’çdo qelizë e mba një brëngë
Një planet leviz n’çdo hap!

Është ajo pra mrekullia
Femra-mrekulli e parë
Nuk vjen kurrë lumturia
Kur një femër s’të ka ardhë!

Që pa lindur gjer kur vdesim
Atë ne e kemi pranë
Shpirtit t’saj  borxh i mbesim
Kur dhe  fryma bëhët fjalë.

Le t’i duam dhe t’i duam
Ato janë për t’u dashur
Kur sëmuremi dhe vuajm
Dhe kur jemi zemërplasur.

Kërkojmë nënën, duam motrën
Me sy gruan e kërkojmë
Kam një mike sa gjithë botën
Dashuri asaj i thonë!
 Dashuria nuk është faj

Një lum vërshon prej meje tek ti
Të prek në këmbë, të zë padashur
Siç një rreze mengjesit të ndritur
Udhëton me ty!
Kur s’e ke pritur,
Të bëhët pjesë e mendimit
Uliks, Odise sa shkëmbi i Munellës
Gurë i rëndë në mendje
Si ai Sizifit
Që e shtyn sa mundet drejt majes
Më beso, nuk është faji im
Se unë nuk e di masen e faljes!

Të të thëm më fal se të ndesha
Me sytë e mesditës
Tërë zjarr!
Të të thëm më fal
Se të vrava me një ëndërr
Që kurrë s’ta thashë!
Unë jam ai që i dua dhe gurët
Dhe fjalët, gjithë hiret e botës
Veç për veten time!
Ndoshta, pa qënë i zoti t’i mbaj
Përsëri nuk është faji im
Se nuk di kur jam në faj!

Ritëm gjethesh

Si një gojë e zëzë  hapsira
Seç m’i ha mengjeset mua
Sytë në shtigje të vështira
Mi rrëmbeu veç një grua!
Përpiqem të shkruaj fjalë
Në rrebeshe të vështira
Kur  nga zemra nuk kanë dalë
Nuk janë fjalwë, janë vetëm shifra.

Ritëm gjethesh krejt të rëna
Në një heshtje që shumë flet
Nuk e di si i zgjon kënga
E i ngjit serish në degë.
Isha …

Isha një pikë kalimi
për të shkuar ti
atje ku duhej
Një Nostradamus gjenial
Parashikues i fundit që nuk thuhej
Isha një urë mendore që lidhte e zgjidhte fjalë
Në ndjekje shpirtërore te ngadaltë…
Isha në të djeshmen e ndjeshme
Gurë me rënje të menjëhershme……
brenda thellësisë tënde
të pa skajshme….
Burimeve tua të pashtershme!


Pjetër Jaku lindi në fshatin Mollë Kuqe të Mirditës është shkrimtar shqiptar.

Ka mbaruar studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe.


 Ka punuar disa vite si mësues në rrethin e Lezhës, drejtues shkolle dhe kryetar i Degës së Librit për këtë rreth (mbas viteve 90-të). 

Ka botuar që në moshë të re në gazetat letrare të asaj periudhe, duke fituar edhe çmime në konkurse kombëtare. 

Në vitin 1994 ka krijuar Shoqërinë Botuese “Kuvendi”, në qytetin e Lezhës që, deri më sot ka afro 60 tituj të botuar. 

Është autor i dy librave poetik “Harrimi i vetes” dhe “Ankthe” dhe disa librave studimor e publicistik. Është autor i librit voluminoz "Shqiptarët në Detroit" dhe botues i Revistës së përmuajshme, informative dhe kulturore "Kuvendi", e cila del në Detroit që nga muaj Maj i vitit 2001.

ILIR SECI : NATA E SHËNKOLLIT NË THETH…





-“A po vjen e dalim ne Theth per Shënkoll?!” – me pat dvetë nje mbramje fundnandori ne Shkoder, miku jem prej Thethi, Petrit Gjeçaj… Ka kene viti 1993…
-“Mos më thuej dy here!” – i thashë, – “kallzomë ditën!…Me vrap vij!”
Ashtu e lamë dhe dy dite para Shënkollit, heret në nadje pritem per makina rasti ne dalje te Shkodres, ka rruga e Dobraçit…
-“Ne mujshim me gjete ndonji makine deri mbi Bogë se ma nalt asht borë e Qafa e T’thores asht e bllokueme.” – tha Petriti, rritë i msuem me dimnat ne Dukagjin…
Jo në Dhetuer po kajhere edhe ne gjysë të Nanduerit zehej Qafa e T’thores…
…Erdh nji makine “Skodë” e Sharrave, shoferi na tha se shkonte deri mbi Bogē po s’kish vende para… u kacavjerrëm te dy ne karroceri, u mbajtem per sponda te “Skodës” aty nalt per nja dy ore te mira deri sa mbrrime mbi Bogë…
…Me të shpejtë ja nisem me u ngjitë shpatit per ne Qafë T’thore… mbas nja nji gjyse ore na u desh me ecë neper bore. Sa ma nalt ngjiteshim ma shume bore kishte…Ne Qafë te T’thores mund te kishte ngat nji metre e gjyse bore…Por ajo ngjitje aty ate dite ka me mbetë nji nder gjanat ma te bukura qe kam ba ndonjihere! Sa dolem mbi Qafë, pamë qe s’kish kalue kambe njeri ato ditë, (nuk kishte asnji gjurme hapash), pse dimnit ma shumë rrahet udha e Bregut te Lumit… U ndalem ne Qafe, njaty ku kane vendose monumentin e Edith Durhamit dhe kundruem panoramen e mahnitshme te Thethit ne dimën… Thethi asht i bukur në çdo stinë por njeriu nuk e ka pa tanë bukurine e atij vendi ne kjoftë se nuk e kundrue te pakten njihere ne dimen, mblue me borë…
Krejt Majat perqark Thethit kishin vendue plisat e bardhe te bores mbi krena e ashtu rreth e perqark lugines se Thethit ngjajshin si pleq te moçem ulun në Oda Burrash…Ne balle te Odës bante shenjë Jezera…
Poshtë Lugina e Thethit asaj dite nuk dallohej se e kish mblue jezeri, (mjegulla), deri mbi ahishtë…Çfare spektakli i rrallë që ish ajo pamje, nalt ne Qafe ku ishim ule na, dielli shkelzente e ish dite e bukur, kthjellët si kokrra e lotit…Majat e maleve shendojshin tane shkelzim e poshte jezerë njicopet…Pamje prrallore!
Tue kundrue ate pamje kur vërej nji gja qe me mrekulloi… Ku e kish mblue jezeri dukej si nji liqen i bardhe tamli e here mbas here ky tamël dukej sikur vlonte…kcejshin pikla ne ajri… kur shoh qe ato pikla jezeri i ngrejshin nalt do shpend qe vijshin prej perfundi jezerit e dilshin me pa driten e diellit! Jo nji, dy apo tre por shume zogj delshin mbi ate jezer… kur i vuna mend ma shume pashe që ato zogj sa delnin mbi jezer, lshojshin nje pingramë, gati pasthirrmë shendi që po dilshin ne diell…Hapshin krahet e pluskonin tane andrrim mbi jezer per disa minuta e kridheshin prape ne jezer…e dilshin prapë, e prapē! Nji loje e magjishme atyne zogjve! Ka ngriheshin mbi jezer zogjte me trupin e tyne terhjekshin mbas veti do shllunga jezeri, ato qe ne fillim me ishin duke si pikla qe kcenin! Çfare metafore me kishte ruejte ajo dite e bukur ne Majë te Malsisë! Metafora e lirisë…a nuk shendon edhe shpirti i njerit bash njashtu kur shlirohet e del ne dritë!? E isha gati edhe vete me lshue ate pingrramë,atë pasthirrmë, bash si ata shpend!
…Per shpirt kishe ndejtë pafundësisht njaty por na duhej me ecë se “na drue me na nxanë nata” …kadalë-kadalë u ulem shpatit teposhtè e mbas disa oreve mbrrime ne Gjeçaj te kulla e Petritit ku na uruen mireseardhjen dhe u gezuen fort qe mbrrime para Nates se Shenkollit… u gzuen per Djalin qe u erdhi dhe u gzuen per mikun qe kish pru Zoti…
Ate nate fjetem heret…ishim lodhe prej tane asaj rruge! Ne mjes u çuem heret, na prunë kafet e gotat e rakisë, Deda, plaku i kulles na dha kutine e duhanit…
-“Mire se u ka pru Zoti!”
Per mue ish hera e pare qe shikojshe si festohet Shenkolli ne Dukagjin… edhe isha me fat se ate dite i pashe pergatitjet ne Kullen e Gjeçajve, pashe si e gaditi ferlikun Deda, plaku i moçem dhe e vuni perballë zjermit te oxhakut…
-“Duhet me e mbajte ferlikun me masë, as fort ngat zjermit por as fort larg jo!” – me tha kur e dveta pse e vendoi ashtu, – “piqet kadale-kadale tanë diten e ne mbramje asht gati per me e hjeke e me e vu në sofer!”
Tane diten e rrotulloi ate ferlik plaku Dedë. Jo vetem e rrotullonte ferlikun tane durim por e pashe qe kish kaq shume knaqsi ne ate punë… Na dolem neper Theth per disa ore dhe kur u kthyem aty e gjetem, ngeshem tue pjekë ferlikun… Kur e dveta a ish lodhe hala me tha :
-“Eh mor bir po sa vjet kam dishrue vetem e vetem me mujte me pjeke ferlikun e Shenkollit ne kulle teme pa na ardhe operativi i zones e me na çartë! Shazoten sot e baj per qejf e me zgjatë nji javë nuk merzitem!”
…U ulem edhe na ne postiqe, me gota te rakise para, e bame kuvend me te! Deda ishte plak i rralle! Rrotullo ferlikun e baj muhabet me ne tue na diftue per kohnat e kalueme…per gjithshka qe na e dvetem ate dite dimni… Njashtu si rrotullohej ferliku i asaj nate, njashtu rrotullohej edhe kuvendi e rrotullamá e kuvendit doli te besimi ne Zot, te feja qe ish ndalue per gati 30 vjet…
-“Eh more djelm!” – filloi kuvend Deda, – “Shazoten kurrsend nuk asht ma i madh se besimi! Ju jeni rrite ne kohe qe â kanë ndalua e s’jeni msue me besim por asht punë e madhe! Kurrgja nuk shkon mbare ne jete mos me pase besim dhe e mbara vjen kur ban mire, kur bekon gjithshka, kur nuk nemë as true. Kur jep hakun e merr hakun e gjithshkafit! …Po jau bie nji shembull … Ju qe erdhet Qafes së T’thores e keni pa udhen qe asht e hapun se gati 70 vjet… Shazoten qat rruge e kane çele zotnite e Shkodres ne ate vakt, e kane pague hakun e mundimin e punetoreve me napolana ari! E s’ja kane hanger kujt kurrnji grime, mund as hak! Udha asht nise me urate, asht hape me urate e shazoten dej sot vetem nje rast jane rrzue gjindja ne ate udhe e kane vdekë… edhe ne ate rast kanë kenë do te deleguem prej Parties që patën ardhe me çarte kishen e Thethit! Shazoten kush tjeter pra rrezue nuk asht per 70 vjet në ate udhe, pra, e boll udhë e vshtire asht! Se asht e bame me urata! Per tjetren ane merrne shembullin e rruges qe kè hape mbasi hyni Partia, ajo udhe asht çelë me pune vullnetare, pa pague hak as mund, sa loti asht lanë aty e sa ahti ka me nxanë!…Shazoten prej se asht hape ajo udhe vjetë pa u rrzue dikush ne ta s’ka kalue ne këto male!”…
…Deda kapi mashën e shprushi zjermin e bungut…
-“Ferliku asht gati!”
…U shtrue sofra… U thane uratat e familja banê kryqin…
…Une kisha mbete i magjepsun prej gjithshkaje…sikur po lexoja përshkrimet e Ate Bernardin Palajt ase Donat Kurtit te “Visaret e Kombit”…
Sa me fat kam kenë qe asaj nate mujta me pa si lutej Nata e Shenkollit para se moderniteti me ndrrue gjithshka…

Te mbasnesermen kur u ndame me Gjeçajt, e muerëm udhen për Shkodër, Deda, Plaku, na uroi :
-“U ruejte Shënkolli, mbrojtesi i tanë udhëtareve!”

(Kjo foto shoqnuese asht foto e vjeter e nji udhtari te huej qe ka kalue neper Malsi.)

Cikël poetik nga Elida Rusta

elida-r
Asaj që u rrit ne varreza …



Me jetë ta paguej buzëqeshjen

Jena kaq të forta bashkë anipse

nuk mbushim nji dhomë me frymën e sytë.

Si u gjetëm?! Kur ta kuptosh ma trego

edhe mue e të jetojmë bukur.

Të gjallët nuk mund t’shkelin mbi ne

t’gjallë s’ka…





E du dashnine tande pa goje



Mbështetem n’diell si vajzë ortiqesh,

të ruej si yll dëshirash që shkëputesh pa t’pa.

T’kam rrëfim në dhomën e lutjeve,

dëshirë në strehën fjalëlidhun t’mëkateve t’pabame.

Të zgjedh ty si far që natën ma ruen t’virgjën,

si dallgë që ke qejf me u mbyt prej saj.

E du dashninë tande t’pagojë shtyn lirikën teme t’pacak.

Zgjou e ndijma frymën, dita s’fillon pa ty!



Si nuk te ndali fryma



Ai erdhi te unë pērmes fjalës së dridhun, të pathanë…

Më ndryshoi ma shumë se ditën,

m’bani me vuejt.

Bota ku më çoi ish pa hanë.

Anjezë moj tingull i zymtë soundit,

si nuk të ndali fryma

kur s’mujte me e përpi vranësinën tande.

Të ruej prapë sonte në atë kopësht qorr

ku muret ta thërrasin britmën pikturat tueja

të lanë pa bojë.

Aparati yt shkrep krisje zemrash.

Vij vërdallë me ta gjetë nji monstër tjetër,

mënyra jote e të dashtunit

e mund edhe djallin.

Moti nuk kam ndi urrejtje kështu,

gjithçka mundem me të thirr,

edhe e krisun veç njeri jo!!!

Endu në hapësinë tash,

helmi që ke mbrendë e bani punën e vet.

E di, nuk të mbërrijnë fjalët e mia,

kërkoj aty ku nuk guxojnë.

Une kurrë s’kam me të fal

se ëngjëlli që i bjen kresë me grushta

qeshë qeshë me gjithçka tonën.

E mu më vret vetja mandej



S’du me ik



S’ka shumë që i shtova dy vija në rrudha

Nyje të forta i lidha litartē e lumtunisë

Me dhambin netët e mia të fildishta

M’dhimbet dita që ec si e marrë e m’len vetëm me dëshirat

Vajza mbrendë meje,nuk flen me nji parfum pishet n’trup

shpirtin e lan me njolla drite përdore më merr e m’i tregon kufinjtë

Unë s’du me ik,du me kenë e gjunjëzueme

e ndalem si kohë n’rini

Ndoshta rrugës gjej diçka që prap

na ban me u dashtë mbi vogëlsina

Je dëshirë me u pa prapë

dëshirë që m’ban me u çu prej toket

Sa fillova me t’dashtë erdh koha me u nda



BAJRAM CURRIT

(qytetit te lindjes)

T’kërkova sot në erën që lëkundet si hapat

Gjeta ngjyrë të haptë me u veshë me ty

Fije psherëtimash ikin e vijnë në lamsha pikëpyetjesh

Pranvera me sy të thamë mbrendë teje zbutet

në dhimbjet e ambla që i duron e pakoha jeme.

Qyteti ynë i shkyem n’komplekse, malok i mendjes

përtej e pa lidhje me vitet. Përralla e andrralla jeme,

Shkëlzeni që nuk më len me çu kry

I hupuni për me u gjetë

M’shtrëngo! deri sa ngërçi t’na kapin gjuhët

tu u puth

M’ke këtu

T’vogel para teje e të qeshunës tande prej femije!



Në kohën e librave të mi

Në kohën e librave të mi
kryet në thyesa e rreshta e kena plasë,
marrja dridhej si thupër në trup,
sot shkon e vjen pa i bâ përshtypje.
Në kohën e librave të mi
jena gjujt topa bore për mirakânde,
jo për smirë.
Kur çalote e majta
fajin nuk ia hidhte të djathtës,
stanet nuk bâheshin prej lepujsh.
Në kohën e librave të mi,festat
me dritë hâne i kena bâ.
Cubat nuk thirreshin heronj,
gungaçin nuk e përzinim prej loje.
Kufini te thana u vu me ardh rrotull qetë,
jo me thy qafën n’pragje tona.
Në kohën e librave të mi,
ishin të aftë me “vra” për një buzëqeshje,
Shpirti ish gjallë
Njeriu ish NJERI.
Sot,
dashnia ka hy në zgavra dhembjesh si korb,
qiell pa planete asht bä.
Kohën e librave të mi
ma kanë bâ t’marrë
Shkon udhës tuj i këndue betejat e humbuna.
Prej asaj kohe kam harru sa vjet i kam,
në çfarë moshe jam…

Cikël poetik nga Irma Kurti


Irma Kurti ka lindur në 20 mars 1966 në Tiranë. Ka kryer studimet në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega anglisht në 1988.Ka punuar si mësuese e gjuhës angleze dhe më vonë gazetare në disa organe shtypi, gazeta “Mësuesi”, “Dita Informacion" etj.

Në shtator 1997 ndjek në Universitetin e Athinës, Greqi, kursin 1 vjecar për mësimin e gjuhës dhe kulturës greke.Ka kryer kurse të ndryshme specializimi e trajnimi për gazetari në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Francë, Itali, Zvicër etj.

 Për vite të tëra Irma Kurti ka lëvruar poezinë, kryesisht atë lirike.

Irma Kurti ka nisur të lëvrojë poezi në moshë të hershme. Në 1980 u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35-vjetorit të Revistës “Pionieri”.

Në 1989 nderohet me çmimin e dytë në Konkursin e organizuar nga Radio Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Në publikun e gjerë Irma Kurti njihet si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere.

Shumë prej këngëve me tekstet e saj janë nderuar me çmime e poezitë e tyre kanë mbetur ende tek dashamirësit e muzikës së lehtë. Spikasin bashkëpunimet me Ilir Dangëllinë e këngëtaren Ermira Babaliu: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njejta ëndërr”, po dhe të tjera si: “Një çast në kujtesën tënde”, “Trokite tek dera”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, ”Nën dritën e qirinjve” etj.

Për auditorin e muzikës së lehtë në maj 1998 ajo lançoi kasetën e më vonë CD me disa nga këngët e saj më të mira nëpër vite: “E njëjta ëndërr”.

Irma Kurti është përfshirë në disa antologji të Librarisë Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, USA si: “Forever spoken” (Të thëna përgjithmonë), Antologjinë poetike: “The best poems and poets of 2007” (Poezitë dhe poetët më të mirë të 2007) etj.

Poezitë e saj janë përfshirë në antologjitë: “Il Federiciano” publikim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore 2010, Antologjinë e Konkursit "Diffusione Autori” 2011 të "GDS Edizioni".

Eshte botuese e pese librave me poezi. Përvoja me muzikën e ka pasuruar dhe ridimensionuar vargun e saj të hapur, të sinqertë dhe dialogues.

Irma Kurti jeton prej vitesh në Bergamo, Itali.




Poezitë e Irma Kurtit janë të strukturura qartë, përshkohen nga një ritëm melodik, janë të rimuara për të krijuar maksimumin e një akustike të brëndshme të krejt figurave stilistike. Nga kjo pikëpamje, sinqeriteti i poetes është metafora e saj më autentike. Poezitë e Irma Kurtit lexohen me një frymë, sepse janë ndërtuar mbi motivet e dhembjes njerëzore. Kjo dhembje shpesh ështe e ankthshme dhe shqetësimndjellëse. Në të vërtetë është një monolog i dhembjes që kërkon të kthehet në dialog.Poezitë e saj janë një klithmë për dashuri dhe respekt të ndërsjelltë, një apel për mostjetërsimin e njerëzve në sende.

Veprat

Këtë natë me ty-poezi, 1999

Shihemi në një tjetër botë, poezi 2002

Qirinjtë janë fikur, poezi 2003

Bëj sikur fle-poezi, 2005

Puthja e fundit, poezi 2007

Midis dy brigjeve-libër autobiografik , 2010

Libra në gjuhën italiane

Tra le due rive (Midis dy brigjeve), botim i Shtëpisë Botuese Kimerik, 2011

Risvegliare un amore spento (Të rizgjosh një dashuri të shuar)-poezi, botim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore, 2011

Un autunno senza ritorno (Një vjeshtë pa kthim) -përmbledhje me tregime, Kimerik, 2012

Çmime

Çmimi i tretë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2010 “Napoli Cultural Classic”, Itali, në kategorinë e autorëve te huaj.

Çmim special në Konkursin Ndërkombëtar “Coluccio Salutati”, Borgo a Buggiano, Pistoia.

Çmimi i parë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2011 “Napoli Cultural Classic”, në kategorinë e autorëve te huaj.

Çmimi i parë ne seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo- Europa e Cultura” edicioni i 9-të, në Paullo, Milano për librin “Midis dy brigjeve”.

Çmim nderi në Konkursin Ndërkombëtar “Terre di Liguria 2011”(Tokat e Ligurias) në La Spezia për librin “Midis dy brigjeve”

Çmimi i kritikës në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë e Prozës 2011 “Integrimi kulturor për një botë më të mirë” në Milano me përmbledhjen poetike: “Të rizgjosh një dashuri të shuar”.


Në gjuhën amtare



Kur mbrëmja ulet mbi degë pemësh

dhe lodhja në trupin tim hedh rrënjë,

më ndodh aq shpesh në gjuhën time

të shqiptoj padashur një frazë të tërë.



Kur natën endem në botën e ëndrrave

e ankthi më merr frymën e më mbyt,

nuk kërkoj ndihmë në gjuhë të huaj,

më nxjerr “nga rreziku” një fjalë shqip.



Në ato çaste nuk mundem ta kuptoj,

ajo ç’kam thënë është në gjuhën time,

se aq natyrshëm nga shpirti më buron

siç rrjedh e qetë rrëkeja mes shkëmbinjve.



Dashuri e vështirë



Dashuria ime për këtë qytet të largët

është e fortë, oksigjen për mushkëritë,

por shpesh më heq dëshirën ta vizitoj,

e befas shndërrohet në mllef, zemërim.



Kujtimet e trishta zgjohen nga kllapia

-molat që shpirtin fillojnë të ma brejnë,

si ajrin dikur e ndotnin fjalë e skorie,

jetën time e spërkasin plot me helm.



Bota e fëminisë e kthjellët si kristal

krisej nga furia e thashethemeve pa fund.

Më vjen keq për vitet që në kalendarin

e zemrës, nuk lanë më të voglën gjurmë.



Kalon kohë e qyteti më tërheq si magnet,

më shkundin zëra e nota muzikore plot,

shoh veten me flokët e mbledhur gërshet,

tek këndoj në skenë e dridhem me emocion.



Në ëndrra më del parku i madh i qytetit,

ku me prindërit përdore shëtisnim bashkë,

nuk di pse parajsën e imagjinoj të tillë,

me ato lojëra të pakta që humbnin mbi bar.



Mllefi e trishtimi zbuten, s’i ndjej më,

dua ta vizitoj veç një çast tokën e tij,

të përulem, të mbaj në gishta e të puth

dheun ku shkelën përditë prindërit e mi.

Dashuria për këtë qytet është e vështirë…



Nuk shitet kjo shtëpi



Nuk shitet, as nuk blihet kjo shtëpi,

aty flenë e zgjohen miliona kujtime,

si thërrmija të bardha enden në ajër

bisedat që lamë atje dhe ëndërrimet.



Në korridorin e tkurrur nga vetmia

jehojnë ende hapat e prindërve të mi,

ecejaket e lehta të nënës e mbushnin

si simfoni hyjnore të gjithë shtëpinë.



Hyj në kuzhinë: divanët e lodhur –

njëri prej tyre ku mbështetej im atë,

mund të duket i vjetër, gati i rrënuar,

por ai praninë e tij ende e mban.



Në aneksin e vogël, dy hapa më tutje

ndihet aroma e kafesë së ngrohtë,

s’e krahasoj me parfumet më të mira

që shiten nëpër dyqanet pafund sot.



Ky kuadër me bojëra vaji mbi mur,

ku në ishull strehohet një shtëpi-vilë,

përmbledh dëshirën time për të jetuar

tok me familjen në një botë më të mirë.



Kujtimet i japin një vlerë që s’llogaritet,

e bëjnë shumë të shtrenjtë, jo si çmim –

po për shpirtin, zemrën, ndjesitë e mia.

Nuk shitet, as mund të blihet kjo shtëpi!



Dridhem si gjethe



Më ndodh shpesh, gati çdo ditë

që nostalgjia më troket në shpirt

e pas çdo zileje të celularit, Nënë,

më duket sikur do t’më flasësh ti:



“Shpirt i mamit vishu, bën ftohtë,

mos u lodh, kujdes për veten ki!”

Ndihem e mbrojtur e s’kam frikë,

më transformon në fëmijë zëri yt…



Nëna ime nuk mund të kthehet më

e ndihem e dobët, e vetme në botë,

s’më përkëdhel dot me vështrim,

dashuri e saj s’mund të më shpëtojë.



Ka ikur, ka ikur, ka ikur pa kthim,

askush në zemër s’ma zëvendëson,

s’mund të ndajmë së toku një gëzim,

as një dhimbje dhe as një pikë lot.



Përjetoj gjithnjë ndjesi të çuditshme,

dridhem si gjethe vjeshte dhe pres

që pas çdo zileje të telefonit, Nënë,

zëri yt t’më ledhatojë si fllad i lehtë.



Prag Krishtlindjeje



Ti këtë mbrëmje je duke i rënë kitarës

në një skenë të improvizuar me shokë,

gishtat e tu dridhen më shumë se telat

mbështjellë nga acari i dimrit të ftohtë.



Nuk munda të vij dhe pse jemi pranë,

të shëtisja atje këtë prag Krishtilindjeje,

më mirë të them, s’doja të shihja erën

teksa fytyrën tënde pa mëshirë e rrihte.



Ti pret kalimtarët të ndalin, të dëgjojnë,

shumë prej tyre ikin, zhduken në heshtje.

Si ndihesh tek shquan shpinat e tyre?

Indiferenca të godet si kamzhiku i erës.



Dikush ndalon, të hedh ndonjë romuz

e ti me siguri hesht o buzëqesh me zor.

Nipi im, zërin e butë e delikat të shpirtit,

ta dish, pak njerëz arrijnë që ta kuptojnë.



Njerëzit që do të dashurohen me tingujt,

ata që do ndalin hapat në atë shëtitore,

ata që do kuptojnë dridhjet e shpirtit tënd,

do të jenë aq të rrallë, sa gishtat e një dore.



Mos u trishto, kështu ndodh dhe në jetë,

do takosh njerëz meskinë e të vegjël plot,

të tjerë cinikë që do përpiqen me një fjalë

pasionin tënd për muzikën ta helmojnë.



Një ditë ti do interpretosh në një skenë

me drita verbuese e me publik elegant,

por kurrë mos e harro minikoncertin

në rrugën pa emër të qytetit, atë natë.



Sa do të doja këtë mbrëmje të isha atje,

por dije që megjithatë të mendoj shumë,

pak trishtim e mallëngjim më ngërthen,

teksa tingujt e kitarës mbërrijnë tek unë.

2016/12/06

Letër nga Mimoza Dajçi

Regjisori Jotti Ejlli, një yll në ngjitje

Nga Mimoza Dajçi

M.D - Përshëndetje Z. Ejlli, gëzohem që jemi së bashku në këtë bisedim artistik, për të folur rreth kinematografisë shqiptare. Ju edhe pse i ri në moshë, keni arritur sukses si kineast. Si ja dolët, kujt ja dedikoni këto arritje?

Jotti Ejlli - Përshëndetje Mimoza edhe unë ju falenderoj për këtë bisedë, por është akoma herët për të folur për suksese, janë gjëra të vogla që bëhen të mëdha me kalimin e kohës. Ndonëse mosha më tregon të ri, unë kam mbi 12 vite që jam pjesë e skenës artistike. Ose më saktë prapaskenës artistike. Çdo gjë i dedikohet viteve të gjata shkolle dhe pune.

M.D - Si lindi tek ju pasioni për artin skenik?

- Jotti Ejlli - Kam qenë gjithmonë i tërhequr nga arti, duke filluar që në moshë të vogël me dhuntinë time për pikturën, pasionin për muzikën dhe prodhimet kinematografike me të cilat unë kam ndarë një pjesë të madhe të fëmijërisë dhe adoleshencës. Pavarsisht pasjonit tim për muzikën nuk ishte dëshira ime që të profilizohesha në një fushë të veçantë.
Pasioni im dalë nga dalë u shëndërrua duke krijuar mundësitë për të tjerët që të shfaqin talentet e tyre. Unë isha inicjator i shumë evenimenteve artistike në qytetin tim të vogel duke nxjerrë shumë talente që më pas hynë dhe në skenën kombëtare shqiptare. Kuptova që më pëlqente të isha pas skenës dhe të organizoja të tjerët me qëllimin për të argëtuar publikun. Me kohën kuptova që mënyra e shprehjes së artit tim ishte të qëndroja pas skenës, ose në rastin konkret pas kameras.

 M.D - Pas shkollës së mesme në Shqipëri, ju ndoqët studimet në Universitetin e Firences (Itali) dega kinematografi. Pse u përqëndruat pikërisht në këtë fushë, menduat se këtu mund të shkëlqenit si artist?

Jotti Ejlli - (Disiplinat e Artit të Muzikës dhe Spektaklit) ishte dega ku unë u magjepsa dhe e ndoqa me shumë interes. Më interesonte të dija çdo detaj të artit në përgjithësi, gjatë viteve të studimeve kuptova që pasjoni im dhe ku gjeja më shumë veten ishte Kinemaja. Pasion të cilin e ndoqa duke ndjekur profilizimin në Kritikën e Kinemasë.
Pas diplomimit u regjistrova në një shkollë profesionale për filmmaking, për të thelluar më shumë dijet e mija në këtë fushë.
Kinemaja si arti i 7-të është për mendimin tim forma më e madhe e shprehjes artistike.

M.D - Duke mos lënë në harresë muzikën, ju në Itali Jotti studjuat edhe për muzikë, a menduat se muzika do t'ju shërbente për një përsosmëri të bukur mes filmit me muzikën?

Jotti Ejlli - Muzika padyshim më ka skalitur shumë shqistat, më saktë kur unë punoja si DeeJay dhe vendosja muzikën për qindra njerëz që unë nuk i njihja, ishte detyra ime që të argëtoheshin. Ndjesi e emocioneve që të jep kjo punë nuk mësohet në shkollë dhe pothuajse në asnjë vend tjetër. Me kalimin e viteve unë krijova një ndjesi perceptimi të ndjenjave të shumë njerëzve pa komunikuar në mënyrë direkte me to. Dhe ky është ndjesia e ritmit. Dhe është pikerisht ritmi pika ime me e forte ne prodhhimet kinematografike, ritmi i tregimit të ngjarjes, ndërthurja e saj me muzikën dhe sekuencat e imazheve.

M.D - Filmi juaji i parë është "Rosso Fuoco". Film i cili arriti të mbërthente audiencën pa frymë përballë ekranit të vogël. Si u ndjetë pas këtij realizimi?

Jotti Ejlli - "Rosso Fuoco" ishte një detyrë që duhet të kryeja, praktikisht diçka që po e tregoja prej shumë kohësh me fjalë por që nuk kuptohej mjaftueshëm idea. Kishte nevojë që mendimet të ktheheshin në imazhe. Prodhimi u mirëprit nga audienca e cila është gjithmonë e vëmëndshme kur bëhet fjalë për forcën e kinemasë, për atë emocion që vetëm kjo fushë mund të përcjellë. Unë u ndjeva i kënaqur dhe i konfirmova vetes vazhdimin e përcjelljeve të emocioneve në këtë fushë.

 M.D - Shumë të rinj shqiptarë pasi kanë përfunduar studimet jashtë, kanë preferuar të qëndrojnë përsëri atje. Po ju, pse u kthyet në atdhe? A shikonit ndonjë dritë jeshile në horizontin e punës tuaj krijuese? Apo nëse më lejohet arsye familjare?

Jotti Ejlli - Shqipëria është një vend që ka nevojë për njerëz që të vazhdojnë trashëgiminë kulturore. Besoj fort se kinematografia shqiptare ka shumë për të dhënë. Ne jemi një popull me një shumëllojshmëri kulturash. Vetë pozicioni gjeografik i Shqipërisë bën që të jemi pothuajse një nga vendet e veçanta ku ndërthuret kultura lindore dhe ajo perëndimore, por me baza shumë të hershme autoktone.
Kthimi në Shqipëri ishte rezultat i shumë faktorëve, po mbi të gjitha është nevoja e zbulimit të brendshëm artistik ku çdo artist me kalimin e kohës duhet ta gjejë dhe ta amplifikojë. Dhe mendoj që unë këtë “un” artistik duhet ta gjeja në Shqipëri.

M.D - Shumë shpejt do të vinte tek ju filmi "Hije", ku në nëntor të vitit 2015, Qendra Kombëtare Kinematografike në Tiranë do t'ju suportonte në një konkurs me një shumë të konsiderueshme të hollash. Çfarë ishte për ju ky film, sa i rëndësishëm ishte për audiencën shqiptare veçanerisht?

Jotti Ejlli - Hije sjell realitetin shqiptar duke reflektuar në të kaluarën. Unë kam jetuar për shumë vjet jashtë Shqipërisë dhe ndoshta këtë realitet e shoh në një mënyrë më të ftohtë. "Hije" sjell një hishtori shqiptare në një gjuhë filmike të pa exploruar në Shqipëri. Realizimi i një filmi thriller në Shqipëri është akoma një eksperiment i cili do vlerësohet nga publiku.
Prodhimi kinematografik kalon në disa faza shumë komplekse dhe ka shumë nevojë për mbështetje financiare. Por kur është dëshira vullneti dhe puna, një zgjidhje gjendet gjithmonë.
Projekti nisi me mbështetjen e Kinostudio "Dardan" e cila propozoi projektin në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë për ndihmë financiare. Dua të them që forca e skenarit e bëri projektin të vazhdonte në hapa të sigurtë, ku aktorët elitë të Shqipërisë pranuan të ishin pjesë e projektit ndonëse buxheti ishte shumë i vogël.
Një ndihmë e madhe erdhi dhe nga bashkëpuntorët e mi në Itali, të cilët iu përgjigjën kërkesës time për një bashkëpunim. Mbështetja e madhe erdhi nga SAE Institute Milano e cila mundësoi disa hapa deçiziv të realizimit të filmit.

M.D - A mund të njihemi me personazhet kryesore të këtij filmi dhe nga kush interpretohen ato?

Jotti Ejlli - Personazhet janë karaktere të veçantë të cilët janë sjell në jetë nga një kastë mjaft prestigjoze aktorësh. Kam patur nderin të bashkëpunoj me profesionistët si Alfred Trebicka, Gent Kame, Eglantina Ceno, Sokol Angjeli, Kastiot Shehi si dhe aktorë të rinj që vijnë për herë të parë në ekran, por kanë surprizuar me talentin e tyre, Antonio Kowdrin, Kol Kunora etj...

M.D - Po artistë të huaj, kanë qenë protagonistë të filmit tuaj?

Jotti Ejlli - Jo të gjithë artistët ishin shqiptarë.

M.D - A mendoni se filmi "Hije" ishte një produksion i mirëfilltë i juaji si regjisor i ri?

Jotti Ejlli - Hije është një film i mirëfilltë indipendend. Ka një gjuhë shumë të qartë kinematografike dhe një forcë të madhe në përcjelljen e idesë. Pavarësisht se më sipër përmenda buxhetin e vogël, në prodhimin e filmit nuk kam bërë asnjë kompromis në humbjen e kualitetit teknik dhe human. Filmi është realizuar në të gjitha parametrat filmike botërore. Ishte një sfidë e përditshme me kohën, por në fund çdo lodhje paguhet.
Artisti s’është asnjëherë i kënaqur me punën e tij, por kinemaja ka të përfshirë shumë faktor. Unë e shoh këtë prodhim me këmbë në tokë dhe jam mëse i kënaqur me produktin e realizuar.

 M.D - Pak kohë më parë ju Z. Ejlli ishit i ftuar në Javën e Festivalit të Filmit Shqiptar në New York, ku ishit fitues i dy Çmimeve?

Jotti Ejlli - Në Javën e Filmit Shqiptar në New York ishte Rosso Fuoco i cili mori dy çmime. Çmimin e kolonës zanore më të mirë, dhe surpriza ime e madhe, ishte Çmimi e publikut. Them surpriza e madhe sepse filmi ishte në gjuhën Italiane, nuk e prisja të përcillej kaq fort mesazhi. Jam ndjerë vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar, sepse misioni i një filmi është të përcjellë një ndjenjë, dhe kur kjo vlersohet nga publiku mund të them që është vlersimi më i madh që mund të marrësh.

M.D - Cili është regjisori apo regjisoria juaj e preferuar shqiptare, qoftë edhe e/i huaj?

Jotti  Ejlli - Të flasësh për kinematografinë shqiptare është pak delikate, sepse prodhimet para '90 kanë pasë një ngurtësim në shprehje, pra sado që kanë shumë vlerë për kohën, nuk mendoj që regjisorët kanë dhënë një mendim të plotë mbi perceptimin e tyre.
Preferencat e mia janë ato produkte filmike ku regjisorët e kanë kaluar cakun e përcjelljes thjeshtë të imazheve. Më pëlqen kinematografia simbolike dhe metaforike, filmi komunikon në mënyrë direkte dhe indirekte me publikun. Mund të përmend këtu të gjithë fimografinë e Stanley Kubrick.  

 M. D - A mendon se filmografia shqiptare ka avancuar, si e sheh prespektivën e saj?

Jotti Ejlli - Mendoj që është akoma herët, kinemaja shqiptare nuk ka avancuar me hapin e kohës. Pas viteve '90 u ndje një frymë e kthimit në prodhimin e filmave neorealist. Ishin vitet kyçe ku në botë kishte një boom në zhvillimin e zhanerave të ri kinematografik, me mundësitë e teknikave që erdhën në ato vite. Dëshira për tu kthyer në prodhimin e filmave Neorealist që fqinjët tanë i kishin prodhuar para 50 viteve nuk ndihmoi në zhvillimin e kinematografisë. Dhe pasojat ndjehen në çdo prodhim shqiptar të këtyre  25 viteve, sepse janë filma pa identitet. Mund të them në vendin e gabuar në Kohën e gabuar.
Një përgjegjësi e madhe është dhe sistemi arsimor në Shqipëri i cli, në mendimin tim, nuk ka avancuar me kohën por ka ngelur shumë shumë prapa. Unë jam shume dakort që duhet studiuar e kaluara dhe bazat e kinematografisë, por ato principe janë evoluar aq shumë saqë sot nuk i përgjigjen nevojave të prodhimit dhe kreativitetit.

M.D - Sa i ndjekur është filmi në Shqipëri, a tregohen dashamirës shqiptarët ndaj një produksioni vendas, krahasuar me atë të huaj në përgjithësi?

Jotti Ejlli - Fatkeqësisht kjo është pasoja më e madhe e mos-avancimit që përmendëm më sipër. Publiku sot ka një pafundësi zgjedhjesh në mbarë botën dhe nëse do ti tërheqësh vëmendjen duhet të flasësh me gjuhën që bota flet. Në Shqipëri Filmbërësit e kanë harruar publikun, dhe si pasojë publiku e ka harruar filmin shqiptar.
Më vjen shumë keq për këtë, dhe nëse kjo duhet të ndryshojë duhen mbështetur breza të rinj të cilët kanë dëshirë dhe kurajo për të eksperimentuar dhe ndryshuar gjërat. Edhe pse diçka ka filluar të nuhatet, akoma shikohet me skepticizëm ky ndryshim.

M.D - Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Jotti Ejlli - Planet janë të shumta, gjithmonë në prodhimin kinematografik. Një film i ri do fillojë së shpejti njëkohësish po punojmë fort në krijimin e kontakteve që të forcojmë prodhimin në Shqipëri dhe ti kthejmë vëmendjen studiove ndërkombëtare në mbështetjen e produktit shqiptar. Duhet punë dhe mbështetje, uroj të gjejmë gjuhen e duhur në Shqipëri që të kemi një zë më të fortë jashtë saj.


M.D - A e shikoni ju Z. Ejlli se një ditë në duart tuaja, mund të keni si një "Oskar" si Dhuratë?

Jotti Ejlli - Nuk dua të tregohem modest, por synimi im nuk janë çmimet. Oskari për mua është çdo njeri që shkon në kinema dhe ndan kohën e tij me mua. Mund të ketë shumë arsye ku ti mund të marresh një vlerësim nga profesionistët, por çmimi më i madh që mund të marrësh është sinqeriteti I publikut të thjeshtë.

M.D - Faleminderit Jotti

Jotti Ejlli - Faleminderit edhe juve Mimoza




Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...