Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/06

Kanceri i gjirit: Si ta hetoni sëmundjen


Dr.Dhurata Tarifa

Nga Dr.Dhurata Tarifa



Tri mënyra për të zbuluar kancerin në gji; një është mamografia, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm; mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku; dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t’u kryer sipas rekomandimeve.

Balerinat, notaret dhe atletet duket se janë femrat më me fat, kanceri i gjirit tek to haset shumë rrallë. Më të prekurat nga kjo sëmundje rezultojnë intelektualet, gratë në karrierë dhe kryesisht femrat beqare. Nga ana tjetër edhe pse incidenca më e lartë është në grupmoshat 55-59 vjeç, vitet e fundit mjekët onkologë deklarojnë se ka rritje të rasteve me kancer gjiri edhe te moshat e reja nën 35 vjeç. “Ka shumë faktorë që akuzohen për këtë” – shpjegon Dhurata Tarifa, shefe e Kimioterapisë në Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”-“por vonesat në martesa si rrjedhim dhe në lindje, lindjet e kufizuara, mosushqyerja me gji, përdorimi i kontraceptivëve të pakontrolluar, kufizimi i aktivitetit fizik, janë shkaqet kryesore për të cilat akuzohet sot zhvillimi i kancerit të gjirit te femrat”. Por a duhet të prisni të keni një shqetësim, dhimbje apo problem shëndetësor për të kryer kontrolle? Absolutisht jo! Veçanërisht për shëndetin vlen shprehja e Albert Ajnshtajnit, i cili ka thënë: “Nuk mund të parandalosh dhe të përgatitesh për luftë në të njëjtën kohë”. Ndaj gratë dhe vajzat nuk duhet të presin shenja patjetër që të kryejnë një kontroll mjekësor te një mjek onkolog. Doktoresha onkologe, Dhurata Tarifa shpjegon se: “diagnoza e hershme e kancerit të gjirit është shumë e lidhur me prognozën dhe mbijetesën e sëmundjes. Sa më i hershëm të jetë stadi i sëmundjes, aq më pak agresiv është dhe trajtimi, aq më e mirë është prognoza dhe mbijetesa”. Për ato vajza dhe gra të cilat janë diagnostikuar me këtë sëmundje, ndjekja dhe trajtimi i sëmundjes bëhet periodikisht, sipas protokolleve të përcaktuara nga linjat guidë ndërkombëtare.

Tetori është muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, por a mund të parandalohet?

Muaji Tetor është muaji i sensibilizimit të luftës kundër kancerit të gjirit. Në fakt lufta kundër kancerit të gjirit duhet të shtrihet gjatë gjithë vitit, por në muajin tetor i cili është bërë personifikim i kësaj lufte ndodh një masivizim i shprehur i grave, që paraqiten në strukturat mjekësore të dedikuara për diktimin e hershëm të sëmundjes. Këto struktura fillojnë që në shërbimin primar te mjeku i familjes i cili duhet të këtë njohuri jo vetëm të përgjithshme por edhe specifike rreth kancerit të gjirit. Në qoftë se ai nuk i ka këto, mund të çojë në një diagnozë të vonuar që pasohet nga një prognozë e pafavorshme. Struktura e dytë është onkologu i rrethit përkatës, i cili seleksionon rastet e dyshimta dhe i dërgon në strukturat terciare për diagnozë definitive.

Cilat janë shenjat që duhet të çojnë patjetër një grua drejt një vizite te mjeku onkolog?

Gruaja mund të paraqitet te mjeku edhe pa patur simptoma. Megjithatë shenja kryesore është konstatimi i një formacioni tredimensional në gji, i cili mund të mos ketë simptoma lokale ose të përgjithshme. Simptoma të jashtme që duhet të tërheqin vëmendjen janë ndryshimi në lëkurën dhe formën e gjirit, rrjedhje të sekrecioneve nga mamela apo edhe konstatimi i një limfonoduli në regjionin e sqetullës.

Cilat janë kategoritë më të rriskuara? Nisur nga rastet që ju keni ekzaminuar, a ka një trend të prekjes së moshave të reja, kam parasysh këtu moshën nën 50 vjeç?

Në vitet e fundit në vendin tonë, incidenca më e lartë është në grupmoshat 55-59 vjeç. Vëmë re një rritje të incidencës edhe në mosha të reja, që ne quajmë moshat nën 35 veç. Ka shume faktorë që akuzohen për këtë, përmendim vonesat në martesa si rrjedhim dhe në lindje, lindjet e kufizuara, mosushqyerja me gji, përdorimi i kontraceptivëve të pakontrolluar, kufizimi i aktivitetit fizik etj.

Flitet për shumë shkaqe dhe akuzohen shumë faktorë, predispozues për të shkaktuar këtë sëmundje, por a janë stresi, përkushtimi ndaj karrierës, lindjet e vona apo edhe beqaria faktorë predispozues?

Faktor kryesor akuzohet hormoni femëror estrogjeni. Sasia më kryesore e këtij hormoni buron nga vezoret. Në periudhën e shtatzënive ky hormon nuk prodhohet, si pasojë gruaja është më e mbrojtur nga ndikimi i këtij hormoni. Burim tjetër i hormonit estrogjen është indi dhjamor. Kjo i bën gratë obeze më të predispozuara. Kjo është arsyeja që grave iu rekomandohet aktivitet fizik dhe dieta me fibra. Janë pikërisht këto arsyet që incidenca është më e lartë te gratë e zonave urbane, tek ato intelektuale, te gratë në karrierë, të cilat shpesh e harrojnë aktivitetin fizik. Kanceri i gjirit haset shumë rrallë tek atletet, balerinat, notaret.

Në rast konstatimi të sëmundjes, si bëhet ndjekja e rasteve dhe a mund të vijojnë jetën normale, pas trajtimit të sëmundjes? Cilat janë aktivitetet dhe kujdesi që duhet treguar pas shërimit?

Diagnoza e hershme e kancerit të gjirit është shumë e lidhur me prognozën dhe mbijetesën e sëmundjes. Sa më i hershëm të jetë stadi i sëmundjes, aq më pak agresiv është dhe trajtimi, aq më e mirë është prognoza dhe mbijetesa e sëmundjes. Diagnoza përfundimtare përcaktohet nga biopsia dhe imunohistokimia, të cilat japin të dhëna të gradës së malinjitetit, por gjithashtu japin të dhëna shumë të rëndësishme të biologjisë tumorale, që do të thotë të faktorëve prognostikë, shumë të rëndësishëm në përcaktimin adekuat të protokollit të trajtimit medikamentoz. Protokolli përfundimtar i trajtimit të një pacienteje përcaktohet nga një staf multidisiplinar, që përbëhet nga morfologu, kirurgu, onkologu mjekësor, radioterapeuti dhe imazheristi. Pasi pacientët përfundojnë të gjitha modalitetet e përcaktuara nga stafi multidisiplinar, rekomandohet të bëjë ndjekjen periodike sipas protokolleve të përcaktuara nga linjat guidë ndërkombëtare.



Box :

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja dhe përhapja jashtë kontrollit e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit.

Shenjat

Ndryshime të gjirit: tumori, ndryshimi i madhësisë, pozicioni i formës së gjirit. Ndryshimet e lëkurës: gropëzime, fiksimi, ulcerimi, simptoma e kores së portokallit. Ndryshime të thithit: rrafshimi, futja brenda, spostimi, ulcerimi, sekrecionet. Masë aksilore (nën sqetull). Tumori është një simptomë mbizotërues dhe më i kapshëm nga vetë e sëmura. Ai preket prej tyre në 90% të rasteve, ndërsa në ekzaminimin fizik është i pranishëm në 98% të rasteve. Veçori dalluese e tij është fortësia, sipërfaqja e çrregullt, kufij jo të qartë dhe lëvizshmëri e kufizuar brenda gjirit. Zakonisht ai nuk dhemb në prekje.



Tri mënyra për ta hetuar

Ndërkohë që mjekët onkologë tregojnë se ka tri mënyra për të zbuluar kancerin në gji. Një është mamografia, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm. Mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku, dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t’u kryer sipas rekomandimeve.



Këshilla për zvogëlimin e rrezikut:

Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme;
Kryeni rregullisht aktivitet fizik;
Konsumoni ushqime me yndyra të pakta;
Konsumoni perime dhe fruta;
Mos konsumoni alkool;
Konsultohuni me mjekun për kontraceptivët;
Mos pini duhan dhe eliminoni duhanpirjen pasive;
Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj;
Flisni me mjekun, për mundësinë e vlerësimit të rrezikut tuaj nga kanceri i gjirit.
Të dhënat

OBSH evidenton se kanceri i gjirit është i dyti, pas kancerit në mushkëri, që prek më shumë gratë. Para moshës 30 vjeç, probabiliteti për t’u prekur nga sëmundja është 1 në 2.200. Në moshën 30-40 vjeç gjasat janë 1 në 235, kurse mbi 60 vjeç rriten në 1 në 23 gra.

Shtohen viktimat nga gripi, MSH: 7 të vdekur nga ky virus


pacienti-spital-2


Rritet numri i viktimave të prekur nga virusi i gripit që ka “pushtuar” të gjithë vendin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në total janë 7 viktima që rezultojnë të prekur nga ky grip.

Sipas lajmërimit të MSH, dy të moshuara, përkatësisht një në Vlorë dhe një në Korçë kanë ndërruar jetë dhe sipas analizave u vërtetua se ishin të prekura nga gripi i stinës.

Ndërkohë po sot u komunikua se një fëmijë vetëm 3 vjeç në Lezhë ka ndërruar jetë nga gripi.

Lajmërimi i MSH:

Ministria e Shëndetësisë informon se:

Pacientja S. S., 82 vjeç, banuese në Vlorë, shtruar në shërbimin infektiv, dhe më tej në reanimacionin e spitalit rajonal të Vlorës në datë 01/01/2017, me diagnozë, “Insufiçencë multiorganore, post-gjendje febrile,” ka ndërruar jetë në datë 14/01/2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Pacientja V. B., 71 vjeç, banuese në Korçë, e shtruar në spitalin e Korçës më datë 09.01.2017, me diagnozë: “Insufiçencë multiorganore, Meningoencefalit, Sëmundje Renale akute, Pneumoni masive sinistra”, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së datës 16.01.2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik, konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Arrin në shtatë, numri i rasteve të konfirmuara, pas dy rasteve të raportuara në dt. 05/01/2017, atij të datës 11/01/2017, rastit të datës 13/01/2017 dhe rastit të mëngjesit të sotshëm (dt. 17/01/2017), nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A.

Dermatologia: Xhinset e modës së fundit, rrezik për sëmundjet e lëkurës!

ripped-730x440
Pantallonat ‘e grisura’, si pjesë e tendencës së modës, kanë shtuar numrin e personave të prekur nga sëmundja e morthit, si pasojë e ekspozimit ndaj të ftohtit”. Thirrja për të bërë kujdes vjen nga mjekja dermatologe, pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3, Blerta Gjoni, e cila shpjegon në detaje shenjat e sëmundjes më të shpeshtë të lëkurës gjatë dimrit si dhe masat që duhet të marrë çdokush për parandalimin e saj.

Doktoreshë, një nga sëmundjet më të shpeshta të lëkurës gjatë stinës së ftohtë është morthi. Çfarë është kjo patologji?

Morthi është një sëmundje që te fëmijët ose lëkurat që kanë ndjeshmëri ndaj të ftohtit prek duart dhe pjesën e këmbëve. Veshja e papërshtatshme shton agresivitetin që i ftohti ka ndaj një lëkure të ndjeshme, duke ua bërë të dukshëm elementët në lëkurë. Morthi është një sëmundje që vjen nga ndjeshmëria e vazave të gjakut periferike dhe normalisht kur nuk kanë funksionimin e duhur, krijohen elementët e një dermatoze të skuqur.

Cilat janë shenjat e para?

Shenja e parë është skuqja e gishtave. Pastaj mund të ketë edhe ngjyrime të mavijosjes, fryrje, ënjtje, dhimbje e deri kruarje. Duke qenë se shumë njerëz nuk e dinë nga se iu vjen, këto predispozita shtohen nga ekspozimi i përditshëm ndaj të ftohtit, i pambrojtur nga veshjet e duhura, sidomos te pjesa e ekstremeve, që janë duart dhe këmbët. Megjithatë nuk përjashtohen dhe mundësitë e prekjes nga morthi edhe të llapës së veshit dhe majës së hundës.

Cila është tendenca e kësaj sëmundjeje këtë vit?

Ne kemi raste, që vijnë si pasojë e veshjeve të papërshtatshme, që nuk i mbrojnë nga i ftohti e që janë xhinset e ‘modës së fundit’, që janë të ‘grisura’ në disa pjesë. Kjo lloj mode, ka rritur numrin e rasteve të prekur nga morthi. Kjo situatë është favorizuar edhe në kushtet e ambienteve që frekuentojnë. Për shembull kemi shkollat, që janë ambiente të mëdha, klasat janë të larta dhe në pamundësi të kushteve optimale të të ngrohtit, janë të ekspozuar në temperatura të ulëta për një kohë më të zgjatur. Prandaj iu thuhet pacientëve, të cilët shfaqin këto elemente, të veshin veshje të përshtatshme, që në njëfarë mënyre të minimizojnë sëmundjen, në mënyrë që të mos shfaqet në forma më agresive.

Çfarë duhet të bëjnë personat që vërejnë këto shenja në lëkurë?

Për këta pacientë është shumë e rëndësishme që të drejtohen menjëherë te mjeku dermatolog, sepse nuk marrin vetëm trajtimin e duhur, por edhe edukohen për arsyet se përse kjo sëmundje shkaktohet. Jo gjithmonë është zgjidhja e duhur që këta persona, që shfaqin probleme të lëkurës, të shkojnë direkt në farmaci ose të përdorin produkte që përdoren nga një person i afërt me ta. Ndaj është mjeku specialist: të vendosë diagnozën e duhur, që të marrë dhe trajtimin që e çon drejt shërimit total. Ka persona që preken vazhdimisht nga morthi.

Çfarë masash mund të merren për parandalimin e morthit?

Përveç veshjes së duhur, që përmenda pak më sipër, përdorimi i kremrave mbrojtës është një tjetër masë. Kjo do të thotë që pjesa e ekspozuar, kryesisht e duarve, duhet të jetë e ribalancuar me bazat e duhura të përbërësve të kremrave, që në njëfarë mënyre nuk lejojnë që i ftohti të prishë strukturën mbrojtëse që vetë lëkura e ka si funksion. Pra, duhen përdorur kremra hidratues. Ata duhen mbajtur me vete që të bëhet lyerje herë pas here. Pastaj, nëse janë pacientë që e kanë kaluar një herë dhe shikojnë shenjat e para të rifillimit në një vit tjetër, duhet të marrin produkte ushqimore, kryesisht me përmbajtje të vitaminës C, ku futen frutat e stinës. Po ashtu, vitamina C gjendet edhe në zarzavate. Ajo duhet marrë në dozën e duhur, në mënyrë që të ndihmojë vazat e gjakut që të mos jenë kaq të ndjeshme ndaj të ftohtit. Pra mënyra e të ushqyerit ka të bëjë shumë në mbrojtjen ndaj morthit. Ndërkohë që, në rast se personat tashmë janë prekur nga morthi, detyrimisht do të kalojnë në pjesën e trajtimit.


Morthi, mund të prekë çdo lloj moshe?

Morthi nuk përjashton asnjë lloj moshe, qofshin femra apo meshkuj. Më të predispozuara për t’u prekur janë moshat e reja sepse janë më të pakujdesur për veshjen e tyre apo, siç theksova edhe më sipër, duke ndjekur tendencën aktuale të modes.

Këngëtarët e tallavasë dhe debati Kosovë-Shqipëri

Dy ditë më parë Ben Blushi shkaktoi shumë debat me një shkrim të tijin, ku thoshte ndër të tjera se Kosova po na mbizotëron kulturalisht, sidomos në art dhe në sport.

Për ta argumentuar këtë, Blushi paraqiste si shembuj sukseset e Era Istrefit dhe të këngëtarëve të tjerë komercialë nga Kosova, pa të cilët, sipas Blushit, do të ishim të gjithë më të mërzitur.

Në fakt, për t’u mërzitur është që konsiderohet si art muzika turbo-folk, apo komerciale, ku sundojnë tekste dhe fjalë kyçe si “t’lagi me shampanjë, t’lagi me shampanjë”, “noshta ti ma ki bo bllok, noshta ti ma ki bo bllok”, “e ke ftyrën tbardh si kokaina”, “bon bon, edhe nëse s’bon, s’bon”, etj.

Është për t’u mërzitur që serviren si shembuj të artit këta këngëtarë tallavaje-pop dhe thuhet se ndërkohë Shqipërisë i mungonka një arsenal i tillë talentesh.

Me sa duket Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, primobalerini i Operës së Vienës, Kledi Kadiu dhe shqiptarë të tjerë të dorës së parë nuk janë të denjë për t’u konsideruar si shembuj arti, pasi ata bëjnë art klasik, të fisëm dhe për elitat, dhe jo turbo-folk të përzier me pop, një muzikë për masat.

Po të ecim me logjikën e Blushit, sipas të cilit kosovarët na çuan në evropian dhe na nderuarn atje dhe se pa ta nuk do ta kishim njohur këtë sukses, mund t’i përmendim se aksionin dhe golin e vetëm të fitores së vetme në Evropian e gatuan dy shqiptarë të Shqipërisë, Hysaj dhe Sadiku.

Nuk ka Shqipëria medalje ari në sport dhe ka Kosova kaq e vogël?

E vërtetë, por kjo sepse Pirro Dhima pështyu tre herë bukën që hëngri në Tiranë që nga lindja e deri kur si emigrant shkoi në Greqi dhe i përgatitur nga Shqipëria e ngriti shtangën dhe ia dedikoi tre medaljet e arta vendit që sapo e kishte pritur, duke mohuar çdo kontribut të vendlindjes dhe atdheut të tij.

Mund të vazhdojmë me shumë kundëragumenta të tilla se çfarë ka më shumë Shqipëria e më pak Kosova, dhe anasjelltas, por nuk ia vlen.

E vërteta është se sukseset e Shqipërisë dhe të Kosovës janë komplementare dhe jo në konkurrencë me njëra-tjetrën.

Ato i shërbejnë Rilindjes së vërtetë dhe të vonuar e mohuar për shekuj të një kombi të lashtë sa vëtë gurët e trojeve ilirike, apo ballkanike ku është shtrirë ngahera.

Të gjitha xixat në këtë mes janë të dëmshme.

Shqipërisë i shërbejnë këngëtarët kosovarë, po aq sa këngëtarëve kosovarë u shërben tregu shqiptar dhe anasjelltas.

Kjo logjikë vlen jo vetëm për artin, por për sportin, ekonominë, dijen, arsmin dhe çdo sferë tjetër shoqërore.

Nga kjo mundet vetëm të përfitojmë të gjithë.

Shqipëria ka edhe detin që ia ka falur natyra ose Zoti.

Shumë kosovarë vijnë dhe e shijojnë çdo vit atë. Kjo vetëm sa na bën më të mirë të gjithëve, duke lënë mënjanë stereotipet.

Për shembull, kosovari dhe fotografi i talentuar Nëntor Oseku, me fotografitë e tij ka kohë që e adhuron dhe e reklamon bregdetin e Shqipërisë.

Ai është një shembull bashkimi dhe përparimi dhe jo xhelozie dhe kompleksesh prapanike.

Këtë duhet të bëjmë edhe ne me Kosovën, jo vetëm në arenën politike, sepse këtë e kemi bërë gjithnjë, por edhe përmes punës artistike të qytetarëve të thejshtë.

Vetëm kur të shënjojmë një vijë barazie mes Kosovës dhe Shqipëprisë dhe të sillemi me respekt reciprok jo vetëm kur luan kombëtarja, por çdo ditë, do t’u shërbejmë vërtet të dyja shteteve dhe do të rrëzojmë barrierat e dukshme dhe imagjinare që ekzistojnë mes popujve.

Të investohesh për të gjetur dallime, ëngjej e demonë mes nesh, është sa fantazioze aq edhe në dëm të kësaj.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i përgjigjet RAI-t: Drogë mbillet edhe në Itali



Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka zgjedhur ta pranojë problemin që po kalon vendi me çështjen e drogës duke zgjedhur një mënyrë të re për tu përballur në publik. “E dimë që problemi ekziston, por ne po e luftojmë”,- ishte fraza që ministri përsëriti disa herë në studion e Sokol Ballës në “Top Channel”. Pas reportazhit të fundit të gazetarëve të RAI-t në Krujë, Tahiri tha se, ata kishin shkuar në një parcelë të shkatërruar nga qeveria.

“E tha dhe gazetari italian që ishte në një parcelë të shkatërruar nga policia. Unë nuk e kam fsheur që ka një problem. Në këtë rast edhe gazetari u bë dëshmitar i një parcele të shkatërruar nga policia. Nëse fillojmë këtë luftë politike nuk mbarojmë kurrë.

Në Foxhia u zbulua parcela e dytë në Europë më e madhe pas Lazaratit me 180 mijë bimë. Askush nuk akuzon atje se kjo është një Kolumbi e dytë apo se është inkriminuar policia”,- tha Tahiri.

Përsa i përket deklaratës së personit të intervistuar se policia merr 40% të parave të çdo bime narkotike, ministri tha se nuk ka dijeni nëse kanë filluar hetime.

“A ka raste policësh të lidhur me narkotrafikun? Absolutisht që ka. Ka hetime për këtë çështje. Rasti i RAI-t është i përfshirë. Nuk kam dijeni nëse po e heton SHKB. SHKB dhe prokuroria janë të përfshirë në hetime. Janë mbi 10 policë të arrestuar”,- tha Tahiri.

“Ajo që kam quajtur front i të keqes hedh balte mbi ata që nuk ka në kontroll”,- tha Taniri mbi akuzat që i bëhen

‘Fundi i botës’… aty ku stërviten forcat speciale më të mira në Tokë

Shtetet me zhvillim të lartë, duhet të kenë edhe siguri më të lartë, dhe për këtë shpesh forcat speciale me ndërhyrjet e tyre tregojnë seriozitetin shtetëror.
Si pjesë e trajnimit dimëror, forcat speciale amerikane, pjesëtarët e këmbësorisë së lehtë, u hodhën në ujin e akullt të Letonisë, në një vrimë të bërë në një liqen të ngrirë.
Këtë, ata e bënë nën drejtimin e instruktorëve të tyre lituanez.



Ky trajnim praktik është testim për mbijetesë në situata ekstreme të motit.





Koment mbi librin “Enver Hoxha”/ Stalinizëm me specifikë shqiptare

Blendi Fevziu ka lindur me 18 maj 1969. Ai është drejtues i emisionit Opinion që në 31 gusht 1997. Është diplomuar për letërsi dhe gjuhe shqipe në Universitetin e Tiranes me 1991.

Në vitin 1989 ka qene pjesë e stafit te gazetës Studenti në Universitet. Me dhjetor 1990 dhe shkurt 1991 ka qene pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes Studentore që solli ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Në 5 janar 1991 ka qene bashkëthemelues i gazetës Rilindja Demokratike, organi i pare i shtypit te lire pas thuajse 70 vitesh në Shqipëri.



Karreira në mediat e shkruara

Kryeredaktor i Gazetës Koha Jone me 1992
Kryeredaktor i gazetës Aleanca 1993 - 1996
Bashkekryeredaktor i gazetës "Poli i qendrës" 1996
Shef i Politikes në gazetën "Indipendent" 1997
Redaktor në Revistën Klan 1996 - 2001
Drejtor i gazetës Korrieri 2001 - 2005
Drejtor i gazetës Koha Jone 2007 - 2008

E diela debat

Në vitin 1997 filloi në TVSH emisionin "E diela debat", emision i përjavshëm i debatit politik që transmetohej direkt, ditën e diel, në ora 20:30.

Emisioni Opinion

Në tetor 1998 emisioni u transferua në Tv Klan. Qe prej vitit 1999 emisioni u transferua te enjten në ora 21.00 dhe që nga 2001 u quajt Opinion. Prej vitit 2008 Opinion transmetohet 4 here në jave, nga e hëna te merkuren në ora 22:30 dhe te enjten në ora 21:00.

Botime

"100 ushtare" 1992 (bashkautor me Ben Blushi) ;
"Piedestale pa Statuja" 1994 ;
"Gjysma tjetër e botes" 1996 ;
" Para dhe pas kamerave" 1999 ;
" 50 + 1" 2004 ;
"Histori e Shtypit Shqiptar 1848 - 2005" 2005 ;
"Jeta ime... Intervistë me Blendi Fevziun" 2010 ;
"Hiri i Vullkanit" 2010 ;
"Piedestale pa Statuja" (Ribotim i plotësuar) 2011 ;
"Enver Hoxha" Biografi 2011 ;
"100 vjet" - nje ekskursion ne politiken shqiptare 1912 - 2012 (2012)


******



Pas viteve '90 dëshira për ta treguar historinë e Enver Hoxhës dhe të karrierës së tij ashtu siç ishte, reale, shpesh i zhyti rrëfimtarët në kurthin e kalimit të cakut, të denigrimit pa shkak dhe të memuaristikës së diktuar nga zhvillimet e ditës. Enver Hoxhën u orvatën ta zhdukin nga çdo piedestal, duke nisur nga pyetjet bazike: A kishte qenë ai realisht komunist? A kishte qenë ai i pari i Partisë apo e kishte uzurpuar Partinë që mori pushtetin në dorë? Pothuajse askush nuk pati kthjelltësinë të kuptonte se e gjitha kjo kishte pak rëndësi. Enver Hoxha iu imponua lëvizjes komuniste, shfrytëzoi problemet dhe grindjet në gjirin e saj, lëvizi me talent spikatës mes liderëve të zhurmshëm të kohës, u ngjalli atyre besim, iu imponua, doli në krye dhe, më pas, i eliminoi një nga një...(Floripress)





Koment mbi librin “Enver Hoxha”
Stalinizëm me specifikë shqiptare

Nga K.K. Khudoley –

Akademik Rus

Gjatë viteve të fundit ka një tendencë, e cila është orientuar në fushën e studimeve biografike, për të përqendruar vëmendjen në lëvizjet e spikatura komuniste. Shtëpia botuese I. B. Tauris në Londër, ka prodhuar serinë “Jeta e komunistëve” ku ka shfaqur disa biografi të plota të VladyslaV Gomulka, Josip Broz Tito, Imre Nagy, Georgi Dimitrov, dhe disa të tjerë. Edhe pse libri i Blendi Fevziut, për komunizmin shqiptar dhe diktatorin Enver Hoxha nuk është pjesë e serisë, ai sërish meriton një vëmendje serioze. Në dallim me figurat e tjera të lartpërmendura politike, biografitë e të cilëve tashmë janë paraqitur gjerësisht në një sasi të konsiderueshme të letërsisë, përpjekja e B. Fevziut është me të vërtetë e para për të krijuar një biografi, më shumë ose më pak të plotë, të E. Hoxhës. Fevziu nuk është një historian me profesion; gazetari i njohur shqiptar ka prodhuar një serë emisionesh televizive në lidhje me E. Hoxhën, të cilat tërhoqën shumë vëmendje në Shqipëri.
libri-everit
Seria televizive siguroi bazën për librin (p. X-XI). Ndoshta, si pasojë e një zhanëri origjinal, libri nuk është vetëquajtur si tregim i qetë, i rrugës së diktatorit, por më tepër si një grup i skicave të dukurive më të rëndësishme të jetës së tij. Fevziu ka vënë në përdorim një lëndë të gjerë arkivore, shumë prej të cilave i ka sjellë në dritë për herë të parë në këtë libër. Për më tepër, janë të shumta burimet që ka përdorur, pasi në libër ka referenca nga dëshmitarë okularë, intervista, kujtime, vlerësime, dhe argumentet që hedhin dritë mbi kontekstin historik në të cilin E. Hoxha erdhi në pushtet dhe zotëroi për kaq shumë vite.



B. Fevziu madje nuk e fsheh qëndrimin e tij negativ ndaj Enver Hoxhës, i cili pa dyshim ka qenë sundimtari më brutal dhe më i përgjakshme në historinë e Shqipërisë. Megjithatë, ajo që e bën këtë libër kaq të fortë është se autori ka kërkuar dhe ka arritur të paraqesë këndvështrimet e ndryshme, nga kundërshtarët si edhe nga mbështetësit e ish-diktatorit.

Identiteti i Enver Hoxhës paraqitet si një figurë narciziste politike, me një grusht të hekurt dhe me një epsh të madh për pushtet. Në varësi të mendimit të autorit, e cila është vërtetuar edhe nga burime të tjera, këto veçoritë të karakterit paranojak, të Hoxhës janë përforcuar nga gruaja e tij Nexhmije Hoxha (p 96.). Autori tregon se ajo ka ushtruar më shumë ndikim në politikën e vendit, duke mbajtur nën mbikëqyrje disa poste të rëndësishme edhe pas vdekjes së burrit të saj – nën pasuesin e tij Ramiz Alia.
B.Fevziu tregon bindshëm se, ndërsa populli shqiptar jetonte në mjerim, ose, në fakt, i uritur, Enver Hoxha dhe shoqëruesit e tij ishin duke shijuar jetën e tyre komode. Një seksion i tërë i librit është i mbushur me kujtime të detajuara për jetesën në ish Bllok – Tiranë, në të cilët jetonin antarët dhe kandidatët e pushtetit. Vetëm ata dhe jo të tjerë ishin në gjendje të përdornin dyqanet e veçanta të rrobave perëndimore, dhe të siguronin shumë privilegje të tjera në dispozicion të tyre. Banorët e Bllok-ut ishin pjesë ekskluzive e një kaste të lartë – fëmijët dhe nipërit e tyre martoheshin në rrethin e tyre të ngushtë (pp. 162-163). Natyrisht, ata kishin kujdes të veçantë mjekësor; kishin trajtim të veçantë dhe vëmendjen e mjekëve të huaj. Enver Hoxha nuk ishte kursyer të sillte specialistë të huaj për ta trajtuar në shumë raste(f 200-211.). Mospërputhja mes thirrjeve zyrtare për barazi dhe realitetit të ashpër, ishte shumë e madhe.


Natyrisht, terrori në masë ishte një karakteristikë përbërëse e regjimit komunist në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera. B. Fevziu nuk e shpreh atë, por nënkuptohet që ka pasur një bazë konceptuale për terror masiv në Shqipëri- viktimat e saj nuk ishin vetëm ata që i rrezistuan regjimit, por edhe për ata që thjesht nuk i plotësuan kriteret për t’u bërë pjesë e kësaj “shoqërie të re.” Urdhrat e parë për të krijuar kampet e përqendrimit, u dhanë nga Enver Hoxha në fund të vitit 1944. Atëherë u mbajt shfaqja e gjyqit të parë, ku u dënuan pothuajse të gjithë kuadrot dhe figurat e shquara politike të cilët simbolizonin, ngjarje e mëparshme historike, duke përfshirë edhe ata që në vitin 1912 kishin nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Gjyqi i dytë i madh politik ka ndodhur në vitin 1949, kur në mesin e shumë figurave të dënuara përfundoi Koçi Xoxe, i cili deri në atë moment kishte mbajtur pozitën rangut të dytë brenda partisë komuniste.


Dënimi i tij, i shoqëruar nga një numër zyrtarësh të tjerë të nivelit të lartë, erdhi pas akuzave për qëndrimet e tyre pro Jugosllavisë, në një moment kur marrëdhëniet me këtë të fundit ishin duke u prishur. Libri nuk përmban të dhëna të sakta mbi numrin e viktimave të terrorit, por B. Fevziu përshkruan një tablo dramatike në lidhje me historitë e mirëfillta të disa njerëzve. Jeta e tyre ishte shkatërruar, edhe pse në disa pika ata mund të kenë dhënë një shërbim të paçmuar. Kështu, u dënua me vdekje Bahri Omari – i cili ishte kunati i Enver Hoxhës dhe gjatë një periudhe të shkurtër – Ministri Shqiptarë i Punëve të Jashtme. Ai u ekzekutua pavarësisht nga fakti se në vitin 1942, menjëherë pas martesës Enveri dhe Nexhmija (atëherë të dy figura të shquara brenda partisë komuniste), qëndruan për tetë muaj në shtëpinë e tij. Enver i kërkoi atij që të mos emigrojnë, duke i dhënë garanci personale për imunitet (p. 96). Prokurori i përgjithshëm në gjyq ishte një nga shokët e klasës së Enver Hoxhës, Bedri Spahiu. Gjyqi u zhvillua ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë.
I ngjashëm ishte fati i pothuajse të gjithë udhëheqësve, anëtarëve të qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të cilët kanë punuar me E. Hoxhën. Ata u ekzekutuan, burgosën, internuan, ose u shtynë për të kryer vetëvrasje. Pothuajse të gjithë të afërmit dhe miqtë e tij u persekutuan si pasojë, edhe në qoftë se ata nuk kishin asnjë lidhje me politikën. Të njëjtin fat patën shumë mike femra të Nexhmije Hoxhës. Në fund të jetës së saj ajo ngeli vetëm. I vetmi që i mbijetoi eliminimit ishte R. Alia – i cili ishte ende në nivele të larta të politikës dhe shumë më i ri se Hoxha.

Ndër tiparet tipike të regjimit të Hoxhës ishte kulti i tij personalitetit. Madhëstia e tij si sekretar i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë himnizohej në të gjithë mediat, propaganda verbale ishte e shtrirë edhe në sistemin e arsimit, kulturës. Megjithatë, duke imituar J. Stalinin, E. Hoxha dëshironte të ishte bashkëpunëtor, i vërtetë dhe direkt i kultit dhe personalitetit të tij. Në këtë aspekt, një interes të madh paraqet ajo pjesë e librit, ku autori tregon historinë e marrëdhënieve të E. Hoxhës me Ismail Kadare, një shkrimtar i shquar shqiptar i cili gjithnjë ka qenë një konkurrent serioz për Nobel. Sapo u bë e njohur se I. Kadare kishte qëllim të shkruante një roman në lidhje me konfliktin sovjeto-shqiptar, ai dhe bashkëshortja e tij u ftuan menjëherë për të biseduar me Enverin dhe Nexhmijen në lagjen e tyre private. Si rezultat i këtij, romani i Kadaresë “Dimri i madh”, u bë një nga ngjasimet më të afërt të vijës zyrtare të asaj që kishte ndodhur. Megjithatë, Kadare tërhoqi kritika të ashpra nga bërthama e segmenteve komuniste. Duket se nga E. Hoxha u pritën më shumë sulme ndaj Kadaresë, por nuk pati sulme të drejtpërdrejta kundër shkrimtarit,(fq. 188). Në mënyrë të qartë, E. Hoxha kërkonte bashkëpunimin e I. Kadaresë për ardhmen e vendit. Por fati i shumë intelektualëve të njohur, doli mjaft tragjik.


Gjatë pothuajse gjithë periudhës së sundimit të tij, Hoxha i qëndroi një kursi konfrontues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Fevziu tregon një detaj interesant. Një moment në Perëndim u shpresua, veçanërisht në Britani, që E. Hoxha, i cili ishte i vetmi lider komunist në Evropën Lindore që kishte kaluar vitet e tij studentore në Francë, mund të renditej, të paktën pjesërisht, në favor të vlerave demokratike (fq. 121). Realiteti nuk mund rezultoi kështu, pasi ai refuzoi të lejojë kandidatët e pavarur për të marrë pjesë në zgjedhjet për Kuvendin e parë Popullor (zgjedhjet u mbajtën pikërisht sipas formulës sovjetike – ka pasur vetëm një konkurrent i vetëm me dorë nga partia komuniste për çdo vend). Misionet britanike dhe amerikane u largua nga Tirana. Marrëdhëniet me Tiranën, u përkeqësuan pasi dy luftanije britanike ranë në mina në ngushticën pranë ishullit të Korfuzit. Linja zyrtare ishte se minat ishin të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë në vitin 1990 B. Spahiu deklaroi se minat ishin vendosur nga ushtria jugosllave me kërkesë të qeverisë Shqiptare (p.126). Në fakt, në vitin 1947 e njëjta histori është komunikuar personalisht me V. Molotov nga vetë E. Hoxha, i cili ka pranuar se vendimi për të vendosur ato mina pa një konsultim paraprak me Rusine ka qenë një gabim [1, l. 5-6]. Më vonë E. Hoxha do të injoronte edhe sugjerimet më të parrezikshme që kërkonin rivendosjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.


Natyrisht, puna e B. Fevziu nuk është e përsosur, ndërsa disa prej argumenteve janë të diskutueshme. Por duhet theksuar se disa prej tyre janë veçanërisht te rëndësishme.

Së pari, struktura e librit duket larg nga çështja e politikave të jashtme të kohës. Psh, lidhjet e Enver Hoxhës me Bashkimin Sovjetik. Autori ka përdorur pak nga materialet e publikuara nga arkivat sovjetike ose ndonjë shkrim nga studiuesit rusë. Në këtë pjesë ka disa pika shumë të diskutueshme. Për shembull, dikush mund ta ketë të vështirë të pajtohet me deklaratën se “marrëdhëniet e Hoxhës me Hrushovin qenë normale deri në vitin 1955” (p.147). Në fakt, ato qenë përkeqësuar menjëherë pas vdekjes së J. Stalinit. Në qershor të vitit 1953 udhëheqësit sovjetikë kërkuan që E. Hoxha të zbusë politikat e tij brenda dhe jashtë vendit [3, l. 2-12]. Nën presionin e Bashkimit Sovjetik, E. Hoxha u detyrua të heqë dorë nga posti i kryeministrit, si dhe ato të ministrit të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme. Ai filloi me të vërtetë të frikësohet nga N. Hrushovi i cili mund të përpiqej për ta zëvendësuar atë me një nga mbrojtësit e tij, apo një tjetër aleat. Përveç kësaj, udhëheqja e re sovjetike u angazhua në një fushatë të përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve sovjetike dhe vendosi të ndërpresë ndihmat e tyre në vende të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. Pra, E. Hoxha duhet të harronte një numër të planeve ambicioze. Ai ishte i frustruar edhe me afrimin sovjetiko – Jugosllav të 1955-56. Në prag të vizitës së N. Hrushovit në Beograd (1955) E. Hoxha u shfaq si udhëheqësi komunist i vetëm i cili foli kundër tërheqjes së rezolutave të hartuara nga Zyrat e Informacionit të disa partive komuniste ndaj Jugosllavisë, edhe pse disa ditë më vonë, pas takimit me të dërguarin sovjetik, Hoxha mohoi pozitën e tij [4, с. 616-618]. Libri nuk flet shumë për ndikimin e Kongresit të 20-të C.P.S.U., denoncimin e kultit të personalitetit të J. Stalinit, as për atë të kryengritjes hungareze e 1956. Megjithatë, duhet të theksohet se pikërisht këtu B. Fevziu zbulon një fakt të panjohur. Në lidhje me djalin e ish-ministrit të mbrojtjes B. Baluku, ai shkruan se në nëntor të vitit 1960, kur E. Hoxha, M. Shehu, dhe R. Alia ishin në udhëtimin e tyre për në Moskë, ambasadori i Bashkimit Sovjetik ka inkurajuar Ballukun për të kryer një grusht shtetit, por ka marrë një refuzim prej tij(pp.132-133). Thashetheme kishte kohë që qarkullonin, që në vitin 1960, BRSS kishte planifikuar komplot për të hequr E. Hoxha me ndihmën e ushtrisë shqiptare, por para citimit të Fevziut, vetëm ushtarakë të rangut shumë të ulët e kanë pohuar këtë. Nëse janë apo jo të vërteta këto, nuk dihet. Fevziu është faktikisht korrekt kur thotë se kjo nuk mund të konfirmohet përfundimisht derisa arkivat përkatëse sovjetike të hapen.
Së dyti, libri do të kishte përfituar shumë, në qoftë se B. Fevziu do të kishte hetuar arsyet se pse E. Hoxha ishte në gjendje ta mbante pushtetin e tij aq gjatë. Terrori, pa dyshim, ishte një faktor i rëndë, por do të ishte një thjeshtësim i përgjithësuar për të qënë arsyeja e vetme. E. Hoxha arriti të ndërtojë një bazë të fuqisë së regjimit, të përbërë nga masat e varfra dhe fshatarë të keq-arsimuar të cilët sollën me vete në qytet paragjykimet dhe stereotipet e një shoqërie tradicionale. E. Hoxha u bashkua me lëvizjen komuniste në vitin 1930, kur ajo tashmë ishte marrë trendin nga ideologjia e stalinizmit. E. Hoxha e ruajti admirimin e tij për J. Stalinin deri në ditën e tij të fundit. Por versioni i tij i stalinizmit u përzie në mënyrë organike me nacionalizmin dhe dëshirën që të drejtojë Shqipërinë, i vetëm nga çdo kërcënim i pranishëm ose imagjinar i pavarësisë së saj. Kështu, një version shqiptar i nacional-stalinizmit u ngjiz. Ballafaqimi me Perëndimin dhe konfliktet me Jugosllavinë, BRSS dhe Kinën e çuan Shqipërinë në izolim total ndërkombëtar. Megjithatë, në sytë e shumë njerëz në Shqipëri ato konflikte ndihmuan për t’i siguruar legjitimitet regjimit. Është interesante se në të gjitha pyetjet e tjera lidhur me kombësinë E. Hoxha ka qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm. B. Fevziu është absolutisht i saktë kur ai vë në dukje se E. Hoxha nuk kishte ngritur ndonjë pretendim për Kosovën (p.134). Natyrisht, çështja e qëndrimit të E. Hoxhës për problemin e Kosovës do të ishte një përpjekje më hetimore.


Në përgjithësi, libri i B. Fevziut është një shembull i një hulumtimi të suksesshëm biografik, i cili do të mund t’u rekomandohej të gjithë atyre që janë të interesuar për Historinë Europiane, në gjysmën e dytë të shekullit 20-të.

opinion.al

(Aurori është Dekan i Studimeve Europiane në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Shën Petërsburgut, Rusi)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...