Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/06

Memuaristika e rrallë: Dhimbjet që trondisin letërsinë shqipe


Një lëndë romanore e rrallë, rrëfim historik nga diktatura se si e përjetoi persekucionin një adoleshente. Alma Gjurgji, në librin “Krahë të këputur” të botuar së fundi nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave Komuniste, ka treguar në formë letrare për historitë e tmerrshme përndjekjes në diktaturë…Nëse “romani” e realizon misionin e tij, së shpejti ky libër do të tregohet edhe nga kinemaja, nga regjisori Besnik Bisha

Intervistoi: Violeta Murati


Alma ju keni shkruajtur një memuar të rrallë. Një vajzë 10 vjeçare që rrëfen të kaluarën, persekutimin. Si mundet ta organizonit një kujtesë të tillë, prej një vajze të vogël?

Mendoj se çdo qënie njerëzore ka një rrugëtim të caktuar në jetën e saj, që në mënyrë të pashmangshme është e mbushur me ngjarje të thjeshta apo mbresëlënëse. Këto episode jetike fiksohen në memorien e secilit prej nesh. Sigurisht ngjarjet e pazakonta, ato që dhëmbin shumë, ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë, është vështirë të harrohen. Të tilla kanë qenë ato që shoqëruan vitet e brishta të fëmijërisë dhe të rinisë sime, ashtu si qindra e mijëra fëmijëve të tjerë që së bashku me familjet e tyre vuajtën në kampet e internimit. Fëmijë të pafajshëm që duhej të vuanin pafundësisht, brez pas brezi për bindjet politike të gjyshërve baballarëve, apo të afërmëve të tyre. E si mund të harroj ditëlindjen time të 10-të, për të cilën kisha fantazuar një tortë me qirinj, urime dhe dhurata nga të gjithë të afërmit e mi. Pikërisht atë ditë, të hipur majë një makine përbindësh, familjarisht po internoheshim nga Tirana…Këtë episod kaq të dhimbshem e kam përshkruar kështu në librin tim: […] Nuk mbaj mend me saktësi sa orë zgjati ai udhëtim drejt ferrit. E hipur majë dengjeve, ndjeja lëkundjet e pamëshirshme të asaj makine të zezë në rrugët e pashtruara, me gropa e gurë, mes atyre kodrave me shkurre të përzhitura nga vapa e verës që ishte në ditët e fundit të saj. Në të ngrysur mbërritëm në fshatin që ishte caktuar për familjen time, diku në kodrat e Dumresë. Makina ndaloi në mes të fshatit dhe rreth saj u afruan disa banorë të tij. Me një kuriozitet të natyrshëm, por dhe me një gëzim të lig se “armiqtë” kishin marrë “ndëshkimin e merituar”, u munduan të orientojnë shoferin të vijonte dhe disa metra më tutje drejt asaj kasolleje që ishte caktuar për ne. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë. Ishte vërtet një kasolle e ndërtuar me shkarpa dhe e mbuluar me kashtë. Dyshemeja me dhe. Ngjitur me atë vrimë që quhej derë, ishte një gur i stërmadh me forma të çrregullta, dhe unë nuk e kuptova kurrë si dhe pse ai gur ishte vendosur aty. Ndoshta ishte shkëputur nga kodrat përreth dhe kasollja ngjitur me të ishte ndërtuar shumë kohë më pas. Ndoshta. Deri në atë kohë kisha besuar se të tilla kasolle ngrihen për kafshët shtëpiake, dhe më kishte ndodhur të shihja të tilla edhe në ndonjë film për jetën e fiseve dhe tribuve të Afrikës. Jo, nuk isha në ëndërr dhe as në kinema. Ajo kasolle ishte e vërtetë dhe ne duhej të banonim aty. Ishim të gjithë të mpirë, ndërsa mamaja nuk e mbajti më veten, ia plasi të qarit. Motra ime e vogël vazhdonte të shtrëngonte kukullat e saj, ndërsa kaçurrelat e verdha i ishin ngjitur në fytyrë nga djersët dhe vuajtjet e rrugës. Sytë e kaltër, më të bukura se qielli pranveror, e kishin humbur shkëlqimin e tyre. Ajo krijesë e vogël kishte inteligjencën dhe intuitën të mos kërkonte asgjë, nuk kërkoi të hante, nuk kërkoi të flinte, vetëm na vështronte me radhë, si për të kuptuar shkaqet e asaj situate të panatyrshme […].

Me lejoni të kujtoj se gjatë këtyre viteve është shkruar mjaftueshëm për historitë e tmerrshme të persekucionit komunist, por me keqardhje kam konstatuar dhe përjetoj një indiferencë të pazakontë dhe cinike ndaj këtyre vuajtjeve. Sigurisht që kujtimet e atij trajtimi çnjerëzor ishin të gjalla brenda meje, por nuk kisha menduar asnjëherë që të shkruaja rreth tyre. Shtysë për këtë u bë një moment i veçantë, rreth tre vite më parë. E tmerrshmja ”lufte e klasave”, në një formë tjetër, po riciklohej sërish në realietin e tranzicionit të trazuar shqiptar. Kështu, në shkelje të çdo ligji u përjashtuan nga puna me qindra dhe mijëra persona që kishin bindje politike të ndryshme nga partia në pushtet. Një luftë e pafund, një përjashtim mizor nga mundësitë e integrimit dhe mjetet e jetesës. Gjithë këtë ngarkesë negative dhe dhimbje që akumulova sërish, kisha nevojë ta shkarkoja diku…kështu u ula të shkruaj, gjë që nuk e kisha bërë kurrë më parë. M’u duk sikur me mundim zgjidha grykën e një thesi të mbyllur mirë. Kujtimet ishin aty, mjafonte vetem t’i tregoja rrugën për të dalë jashtë. Po shkruaja vetëm për vete. Ishte një konfidencë që nuk kisha menduar asnjëherë se, do ta ndaja me qindra mijëra të tjerë. Fragment pas fragmenti, episod pas episodi, dhe rezultati ishte libri im i parë “Krahë të këputur”. Familjarët dhe miqtë e mi të afërm, të mrekulluar për stilin e atij rrëfimi sa të vërtetë, po aq dhe mbresëlënës, me inkurajuan që këtyre kujtimeve dhe fakteve të tmerrshme duhej domosdoshmerisht t’i hapja rrugën e botimit. Dhe kështu ndodhi. I vlerësuar nga Instituti i Studimit dhe Botimit të Krimeve të Komunizmit, si një kontribut në hedhjen dritë dhe denoncimin e këtyre krimeve, ky libër gjeti rrugën e botimit prej tij.

“Krahë të këputur” është quajtur libri, është gati në zhanrin e një historie pak të vështirë për t’u “besuar”, por lexohet si një histori romanore. Kurioziteti është i natyrshëm mbi përjetimet e kësaj fëmije, që u bë adoleshente, si mundet të reflektojë tani?

Teksa me drejtonit këtë pyetje, m’u kujtua një prononcim i At Zef Pllumit, dhënë në intervistën e fundit të tij, para se të ndërronte jetë. I pyetur për vërtetësinë e rrëfimeve në librin emocionues “Rrno për me tregue”, ai pak a shumë u përgjigj në këtë mënyrë: “….kam treguar shumë pak rreth të vërtetave të jetuara në ferrin komunist, pasi nuk dëshiroja të isha i pabesueshëm për lexuesit e rinj…”Në këtë rast, unë do pohoja të njëjtën gjë për të vërtetat e jetës sime. Një kalvar persekucioni i shtrirë në 23 vite, sigurisht ka në përmbajtjen e tij një numër të madh vuajtjesh, tmerresh, denigrimesh, shtypjesh dhe kërcënimesh për mua dhe familjen time. Për shkak të gjyshit të ekzekutuar nga regjimi komunist, konsideroheshim kundërshtarë politikë, ose për të qenë më e saktë, armiq të partisë. Nësë do kujtoja e shkruaja rreth çdo episodi të jetuar në dhjetëravjeçarë, rezultati do të ishte një histori tejet e gjatë dhe interesi për të do të ishte minimal. Për këtë arsye bëra redaktimet dhe shkurtimet e duhura. Isha e ndërgjegjshme që në një material sa më të shkurtër të përmendja disa nga kujtimet e mia më të pashlyeshme dhe të dhimbshme,….qëllimi im ishte të përshkruaja me vërtësinë më të madhe përjetimin e atyre ngjarjeve fatkeqe,…çdo gërmë, çdo fjalë, çdo paragraf është i vërtetë, mbuluar me terror dhe tmerr. Eh, reflektimi i tanishëm…në realitet unë nuk kam mbajtur ditar. Kujtimet e mia shumë të sinqerta janë sjellë në këtë libër ashtu siç i kisha përjetuar. Mendoj se, përpos të vërtetave të patjetërsueshme, libri im është ndërkohë dhe një reflektim për tragjeditë njerëzore të atyre përmasave. Ndonëse të vështirë dhe me kosto të mëdha për jetën e qindra e mijëra njerëzve, në fund të fundit e konsideroj gjithashtu një triumf, një ngadhnjim të së mires mbi të keqen. Rënia e regjimit kriminal komunist e konfirmon diçka të tillë.

Në libër tregoni mbi “refuzimet”…Ç’ishin këto përjetime për moshën tuaj?

Isha shume e vogël kur u përballa me refuzimet. Problemet që familja ime kishte me regjimin i provova që në moshen 8 vjeçare, kur të dy prindërit e mi u dëbuan nga arsimi për të punuar në fermën bujqësore “Gjergj Dimitrov”, në Sauk të Tiranës. Në të vërtetë nuk e kuptoja çfarë ndodhte, pasi bisedat që kishin në themel padrejtesitë e sistemit nuk mund të bëheshin kurrë në prani të një fëmije. Përballja e parë e vërtetë me diktaturën dhe refuzimet e saj, dhe ndërgjegjësimi im për atë që po perjetonim, ndodhi në moshën 10 vjeçare. Kjo lidhet drejtpërdrejt me internimin e familjes sime, i cili u pasua nga flakje të njëpasnjëshme…ja si e kam përshkruar në librin tim ditën e nesërme të internimit: […]

Ndesha në vështrimin e pashpresë të prindërve të mi. I pashë të shkatërruar. Sytë e tyre ishin përhumbur poshtë rrathëve të zinj. Im atë me ftoi të afrohesha pranë dhe për herë të parë në jetën e tij më shpjegoi atë që po ndodhte dhe shkaqet e saj. Më foli për diktaturën e proletariatit, për luftën e klasave, për të atin e tij intelektual të ekzekutuar nga komunistët dhe se ne duhej të paguanim për këtë. Duhej të paguanim të gjithë, madje dhe motra ime e vogël trevjeçare që ende flinte. Ndërkohë gjumin e saj të pafajshëm dhe ëngjëllor po e prishnin mizat dhe grerëzat që ardhja e ditës i kishte gjallëruar. Në agresivitetin e tyre dhe ato krijesa të vogla të natyrës ishin kundër nesh. E gjithë kjo ishte shumë për mua. Një ditë më parë kisha mbushur dhjetë vjeç. Deri aso kohe isha indoktrinuar dhe unë nga propaganda komuniste. Në shkollë më kishin mësuar të isha e lumtur për Partinë dhe xhaxhin Enver, “se Partia ishte nëna e të gjithë fëmijëve”. Më kishin mësuar se fëmijët shqiptarë “ishin më të lumturit në botë”, e të tjera broçkulla si këto. Sa e sa vjersha për Partinë kisha mësuar dhe recituar…Im atë nuk po fliste me një fëmijë dhjetë vjeç, por me një të rritur, që duhej të ndërgjegjësohej për atë që e priste. U ndjeva aq konfuze, sa nuk isha në gjendje të bëja asnjë pyetje. Vetëm përpiqesha të kuptoja. U përfshiva nga një dhimbje e gjithanshme. Po më shembej bota nën këmbë. Brenda tri ditëve, çdo gjë ndryshoi në atë që ishte jeta ime, çdo gjë që kisha besuar apo dëshiruar në ëndrrat e mia fëminore nuk ekzistonte më…

…Ndonëse isha vetëm një fëmijë, rrëfimi i jashtëzakonshëm dhe emocional i tim eti për atë që po ndodhte më bëri të ndjehesha menjëherë e rritur. E kuptova se fëmijëria ime kish marrë fund, dhe se do të më duhej të përshtatesha me këtë realitet të shëmtuar, do të më duhej të ndihmoja prindërit në përballimin e asaj jete të vështirë në atë skëterrë […]

Ju përmendni vende, ku jeni degdisur, rreziqet, aventurat, gjendjet emocionale por asnjë emër, përveç një shoqeje, që është një personazh real. Ja për shembull historia e mësueses na duket e tmerrshme për nga demoralizmi psikik, pse nuk keni emra?

Për hir të së vërtetës, kjo pyetje më është drejtuar dhe më parë. Siç jam shprehur më lart, nisa të rikujtoj dhe shkruaj këto të vërteta të dhimbshme të jetës sime, pa menduar se rezultati do ishte një libër, tashmë i mirëvlerësuar. Personazhet që shkaktuan aq padrejtësi për mua dhe familjen time, kanë një emër, dhe unë i kam të gjallë në kujtesën time. Por ata mjeranë ishin pjellë e atij sistemi monstër që fabrikonte krijesa të tilla të përbindshme. Nuk jam penduar aspak që nuk kam përmendur emra, pasi qëllimi im ka qene dhe është të denoncoj atë sistem të pashpirt që kishte ndërtuar atë strukturë të stërmadhe kriminale, që mbillte terror dhe shtypje që asnjë vend tjetër nuk e kishte përjetuar. Edhe nëse do t’i rikthehesha librit e ta rishkruaja, sërish nuk do ta bëja. Mendoj se publikimi i bëmave, si dhe ndëshkimi moral i këtyre shërbëtorëve të paskrupuj të regjimit është dhe mbetet detyrim i politikanëve, analistëve dhe historianëve. Tashmë ata individë nuk kanë asnjë rol në jetën time, as nuk e di ku ndodhen. Ndoshta disa prej tyre janë diku nëpër botë, apo ndoshta janë në role drejtuese të politikes aktuale dhe në mënyrë cinike japin leksione për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk ka kërkuar ndjesë.

Dëshiroj dhe uroj me gjithë shpirt të reflektojnë dhe një ditë të pendohen për gjithçka kanë bërë. Për fat të keq, reagime të tilla njerëzore të këtyre personave që shkatërruan jetë njerëzish, pothuajse nuk kam ndeshur asnjëherë.

Ndërsa personat e mësipërm në librin tim janë thjesht anonimë, nuk mund të rrija pa përmendur me emër, shoqen time të dashur të feminisë, Ritën. Ajo ka qenë dhe është shumë më tepër se kaq. Eshte motra ime. Prindërit e saj më kanë bërë dhuratën më të bukur të atyre viteve. Pas vdekjes së gjyshes më kanë mbajtur në shtëpi dhe më kanë trajtuar si bijën e tyre. Dhe kjo ndodhte në një periudhe terrori, kur të gjitha dyert e të afërmve na ishin mbyllur. Ajo familje më bëri të kuptoj dhe provoj mirënjohjen, ndoshta nga më të bukurat në botë. Ende sot e kësaj dite mbetet e tillë.

Sa i takon marrëdhënies së vështirë me mësuesen e parë që pata në internim, pashpirtësinë e asaj që duhej të ishte edukatore dhe prind i dytë, e kam përshkruar në këtë mënyrë:[…]Ndërsa marrëdhëniet me fëmijët e tjerë po ecnin drejt normalitetit, nuk mund të them të njëjtën gjë për mësuesen. E krahasoja me mësuesen time të mrekullueshme në Tiranë dhe ndjeja se ajo nuk donte t’ia dinte fare për ata fëmijë, që ndonëse frekuentonin shkollën, ishin pothuajse analfabetë. Ndryshe nga ata, unë kisha patur fatin të më rrinin mbi kokë tre mësues në shtëpi. Sigurisht, këtu përfshij edhe gjyshen. Prindërit e atyre të ngratëve gdhiheshin e ngryseshin arave për të siguruar bukën për fëmijët e shumtë që sillnin në jetë. Në shenjë hakmarrjeje, me pushtoi dëshira ta sfidoja. Ishte një formë rebelimi. Veçanërisht në orën e matematikës, që ishte lënda ime e preferuar. I bëja pyetje me të cilat e vija në vështirësi. Madje, ndjeja një lloj kënaqësie të pakuptueshme, kur asaj i ndryshonte ngjyra e fytyrës. Kishte raste kur i kërkoja mënyrat alternative për zgjidhjen e disa problemeve. Duke kërcitur dhëmbët, ajo e duroi disa ditë këtë situatë, por një ditë në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, në kulmin e tërbimit më tha:

“-Mëso sa të duash, kazma të pret”. Ky shpërthim ndodhi në klasë, në sy të gjithë fëmijëve, të cilët shihnin të habitur herë mua, herë mësuesen. Unë kisha pritur një reagim prej saj, por kurrë kaq të pamëshirshëm dhe vrasës të shpresës dhe ëndrrave. Isha aq e mpirë, gati të qaja.

Në atë regjim çnjerëzor kishe ndrojtje edhe të qaje… . Lotët mund të konsideroheshin pakënaqësi dhe sfidë për sistemin. Lotët e pafajshëm të një krenarie të vrarë ishin kërcënim. Ka disa momente në jetë që lënë gjurmë të thella dhe ky ishte një prej tyre. Ndjeva të ndahesha në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat më zbehën besimin se një ditë do të arrija t’i mblidhja e t’i ngjisja sërish.

E urreva me gjithë shpirt atë mësuese. Eshtë një nga personat e paktë që kam urryer. Jo se kanë qenë të paktë ata që më kanë lënduar, por isha unë që më pas u mundova ta përjashtoja urrejtjen nga bota e ndjenjave të mia. Nuk më linte të jetoja. Ishte shumë sfilitëse si ndjenjë, gërryese, aq sa më zinte frymën. Unë e doja aq shumë shkollën dhe kisha thurrur ëndrra se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Pas kësaj nuk u mora më me mësuesen, as ajo me mua. U vendos një “paqe” e akullt. Një vit më pas mësuesja ime u përdhunua nga disa ushtarë të cilët e zunë atë në befasi, teksa po kthehej në fshatin ku banonte familja e saj. Në atë moshë nuk arrija të kuptoja çfarë ishte përdhunimi, dija vetëm se asaj i kishte ndodhur diçka shumë e keqe dhe e turpshme. Madje në fshat thuhej “e kapën me zor”. Ushtarët paguan me burg për këtë, ndërsa mësuesja u transferua përgjithmonë nga shkolla e atij fshati. Nuk ndjeva asnjë keqardhje për mësuesen time. Më shumë më erdhi keq për veten që isha katandisur në një qenie aq të pandjeshme sa të mendoja se ajo e kish merituar diçka të tillë. Tek rikujtova këtë episod të jetës, më erdhi në mendje një ndër mesazhet e lamtumirës së Gabriel Garcia Marquez, drejtuar miqve të tij, pak para se të largohej nga kjo botë: “Nëse Zoti do më jepte një copë jetë, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar, jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin tim. Zoti im, nëse do të mundesha, do të shkruaja urrejtjen time mbi akull dhe do të prisja të dilte dielli” […]

Një kujtesë e tillë, përshkrime me detaje e çdo momenti të jetës në diktaturë përveç një antropologjie se si arrinte të denigronte njeriun në të kundërtën nga “formimi i njeriut të ri”, duket se ka lënë gjurmë të fortë tek ju. Ju ndalni rrëfimin në moshën 15 vjeçare, ç’mundime ishin?

M’u kujtua një thënie e shkrimtarit të madh Fyodor Dostojevsky: “…Askush nuk mund të thotë se ka jetuar nëse nuk ka një histori për të treguar…”, por kujtimet dhe përjetimet e mia shkojnë përtej kësaj. Mendoj se traumat dhe ngjarjet e pazakonta lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e secilit prej nesh. Të përshkruash një jetë të mbushur me dhimbje, privacione, përjashtime, varfëri, përçudnim, frikë, sigurisht nuk ka qenë aspak e lehtë.

Nga ana tjetër, propaganda komuniste trumbetonte me nota të lavdishme epërsinë e diktaturës së proletariatit dhe luftën e klasave, që në vetvete do të thoshtë terror, kamxhik, denigrim, vrasje. Lufta e paprecedent ishte e shtrirë në të gjitha nivelet. Të gjithë jetonin në panikun e pasigurisë nga ndonjë denoncim i mundshëm që mund të vinte nga kushdo. Ndonëse rrëfimi i kujtimeve të mia ndalet në moshën 15-vjeçare, historia e plotë e përsekucionit nuk mbaron këtu. Ajo u pasua me përballjen e tmerrshme të punës skllavëruese të bujqësisë, me trajtimin përçudnues të drejtuesve të fshatit, me kërcënimet e operativëve të sigurimit për përplasje pas hekurave të burgut, e sa e sa të tjera. Ndonëse historia që kam përshkruar në libër ndalet në vitin 1972, në mënyrë permanente, ajo vazhdoi si e tillë deri në vitin 1991, vit kur ra regjimi komunist.

Viti 1972. Flisni për një epidemi gripi, kur shumë vdekje nga kjo arsye u fshehën. Çfarë ngjarje ka qenë kjo, si e kujtoni?

…Ishte viti 1972. Ndonëse në horizont po frynin erëra liberalizmi, koha ishte kundër meje. Në nëntor të atij viti ra një epidemi gripi shfarosëse. Çdo ditë shihja të mbusheshin shtyllat me njoftimet e vdekjeve dhe makinat funerale që më kalonin para syve. Asnjëherë nuk u mor vesh numri i viktimave, pasi makina e propagandës komuniste nuk publikonte kurrë realitete të tilla.

Gjyshja ime u sëmur rëndë, dhe në këto rrethana në Tiranë mbërriti mami me vëllain dhe motrën. Pas disa ditësh u sëmurën edhe ata. Unë mbeta e vetme për t’iu shërbyer katër të sëmurëve. Shtëpia u kthye në spital. Nuk ia dilja dot. Isha vetëm 14 vjeçe. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, duhej të duroja edhe “qiraxhiun” i cili ishte entuziast që e gjente derën pa shul dhe ishim të detyruar të dëgjonim monologjet e tij të çekilibruara deri pas mesnatës. I dërgova një telegram urgjent babit, i cili ia doli mbanë të merrte leje për të ardhur. Mbërriti pas tre ditësh në Tiranë. Me gjithë mjekimin që merrnin, nuk kishte asnjë shenjë përmirësimi për të sëmurët e mi.

Një mëngjes, gjyshja u ndje më keq se zakonisht. Nuk merrte dot frymë dhe këmbët i kishte akull të ftohta. Me zë të ulët më ftoi të ulesha pranë saj, në shtrat. Ajo grua e fortë, që nuk më kishte folur kurrë për vdekjen, ndjehej shumë pranë saj. Me sy të shuar si kurrë më parë më tha se e ndjente që po largohej nga kjo botë me një peng shumë të madh në zemër, që ishte dëbimi ynë…

…Pas disa minutash ajo dha shpirt. Aty në gjoksin tim, ndjeva kokën e saj të lëshohej. Sytë i kishte mbyllur për të mos i hapur më kurrë. Mjekët më larguan prej aty dhe i lidhën mjekrën. Pas disa minutash, ata u larguan duke ngushëlluar babin dhe mua. Unë kisha ngrirë. Nuk e besoja dot se gjyshja më kishte lënë vetëm në rrugëtimin tonë të përbashkët. Ajo nuk jetonte më. Nuk kisha lot. Më dukej se personi që po përjetonte këtë fatkeqësi nuk isha unë, por dikush tjetër….

…E putha për të fundit herë në ballin e saj të akullt. Ajo nuk e ndjeu puthjen time. Gjyshja nuk ishte më. Kishte ikur diku larg për të mos u kthyer kurrë. Pas varrimit të saj, të afërmit u larguan në shtëpitë e tyre, ndërsa unë u lëshova në krahët e dëshpërimit dhe qava e qava për orë të tëra…

Shkëpusim një moment kur rrëfeni për një temë hartimi ku duhej të shpreheshit për mrekullitë e ndërtimit socialist…keni hezituar, sigurisht?

E kujtoj këtë moment kështu në librin tim: […] Po afronin provimet dhe isha tërësisht e përqendruar të përgatitesha sa më mirë. Me Ritën pranë, kjo gjë ishte më e lehtë, pasi mbështesnim njëra-tjetrën. Shoqet dhe shokët e klasës kishin vendosur pak a shumë si do t’i vijonin studimet më tej. Prindërit e tyre kishin filluar përpjekjet për të siguruar shkollën e dëshiruar, ndërsa unë nuk kisha kurajo të mendoja se çfarë më priste. Gjithçka ishte aq e zymtë. Veçanërisht muajt e fundit, disa nga mësueset e shprehnin hapur keqardhjen për pamundësinë e të qenit e barabartë me të tjerët. Përpiqeshin të më thoshin ndonjë fjalë inkurajuese, por pa dobi. Nuk kishin asgjë në dorë të ndryshonin fatin tim të parashkruar. Mbërritën dhe ditët e provimeve. Unë isha përgatitur mjaft mirë dhe u paraqita shkëlqyeshëm. Pata një lloj dileme për provimin me shkrim të letërsisë. Ishte një hartim me temë që lidhej me mrekullitë e socializmit shqiptar. Duhej të shkruaja për diçka që nuk kishte lidhje fare me atë që ndjeja dhe mendoja, një hipokrizi e gjallë. Ishte si të dilja kundër vetes. U përpoqa shumë. Megjithatë, arrita të hidhja disa fjalë të bukura në ato rreshta. Në perceptimin tim, e tërë përmbajtja e asaj që kisha shkruar ishte patetike dhe pa jetë. Mora vlerësimin maksimal. Nuk isha aspak e sigurt, nëse e meritoja. Me sa duket mësuesja e letërsisë e kishte mirëkuptuar zbrazëtinë time. Ajo e njihte shumë mirë raportin që familja ime kishte me diktaturën dhe socializmin. Përfundimi i sezonit të provimeve ishte çlirim për të gjithë. Sado e përgatitur të jesh, paraqitja përpara një komisioni që kërkon të eksplorojë njohuritë e tua të fituara në vite, është shumë stresues. Organizuam një festë të vogël lamtumire. Rrugët e jetës në mënyrë të pashmangshme po ndaheshin. Gjithkush do të merrte drejtimin e vet. Vetëm unë nuk kisha të drejtë të ëndërroja dhe të shprehesha për perspektivën time. Ishte kaq emocionuese dhe e trishtueshme njëkohësisht. E parandjeja se shumë prej tyre nuk do të kisha rastin t’i takoja më kurrë…

…Brenda pak minutash m’u rikthyen shumë situata të bukura dhe të trishtuara që kishin shoqëruar fëmijërinë time. Po të qëndroja edhe ca, isha gati t’ia plasja të qarit dhe nuk kisha kërrkënd pranë të më fshinte lotët. Pasi kontrollova edhe një herë dyert nxitova të largohem, për të mos humbur trenin. Si asnjëherë tjetër, ai nuk ishte i mbingarkuar me udhëtarë. U ula në një kabinë pranë dritares. Natyra më kishte ndihmuar që fizikisht të rritesha shumë shpejt. Dukesha shumë më e madhe se ç’isha në të vërtetë. Kjo më kish krijuar “komoditetin” e imponuar të udhëtoja vetëm. Karshi meje ishte ulur një çift të moshuarish, që për fat të mirë nuk më kushtuan aspak vëmendje. Ishin mjaft të zënë me bisedat e tyre. Mua nuk më interesonte fare çfarë bisedonin ata. Isha tepër e zënë me refleksionet e mia. Ditët e fundit kisha përjetuar shumë emocione që kishin në themel të tyre lamtumirën. Situatat filluan të më ngatërrohen me njëra-tjetrën. Po humbisja. Më zuri gjumi….

I keni përjetuar mbylljet e dyerve, dhe kur mesuesja ua përplaste në fytyrë shprehjen: mëso sa të duash, në kazëm do përfundosh…Duket sikur ju ushton ende në vesh, apo jo? Të dhimbshme këto episode?

Sigurisht, këto episode dramatike dhe vrasëse të endrrave të pafajshme të një fëmijë nuk munda t’i harroj kurrë. Ajo e mësueses ishte si një profeci kriminale që më ndoqi këmba këmbës… Dy vite më pas, prindërit kishin mundur të më largojnë nga internimi. Për një periudhë 4 vjeçare jetova me gjyshen time të moshuar, të mbetur e vetme në shtëpinë tonë, në Tiranë. Por dhe ajo ndërroi jetë duke më lënë krejt të pashpresës në rrugëtimin e dëshpëruar drejt arsimimit. Pas kësaj, kujtoj me trishtim gjithashtu përjashtimin nga shkolla e mesme teknike e Tiranës, pas përfundimit të vitit të parë…

….Shtatori erdhi sërish shumë shpejt dhe më duhej të kthehesha në Tiranë për të vazhduar vitin e dytë të shkollës. Këtë radhë më shoqëroi vëllai im, i cili ishte rritur, madje ishte bërë më i gjatë se unë. Nuk kisha pikën e entuziazmit që po rikthehesha në shkollë. Kisha një parandjenjë të keqe. Çdo vit duhej të rikonfirmohej regjistrimi. Hyra në shkollë për të kryer këtë procedurë. Oborri ishte plot me nxënës që kishin ardhur për të njëjtën arsye. Mësimi fillonte dy ditë më pas. Me hapa të shpejtuara, u shmanga të mos takoja asnjërin. Me një lloj pasigurie dhe ndrojtjeje u futa në godinën e degës elektrike. Ngjita me shpejtësi shkallët dhe vura re se dera e zyrës së drejtorit, në katin e dytë ishte gjysmë e hapur. Ai ishte mësues fizike dhe matematike, me autoritet të padiskutueshëm. Trokita lehtë. Drejtori më ftoi të futesha në zyrë, por njëkohëshisht vura re që u prish në fytyrë. Pasi më pyeti sesi i kisha kaluar pushimet, i vënë dukshëm në vështirësi, më tha se ishte i detyruar të më informonte se unë nuk mund të vazhdoja më shkollën aty. Më tej vijoi me fjalë ngushëlluese se isha e re dhe nuk duhej të dekurajohesha, se jeta do të më ofronte mundësi të tjera. Ndonëse për një moment u mpiva, në të vërtetë për mua ishte fundi i një ankthi, e kisha parandjerë, e kisha pritur një fund të asaj natyre. E mësuar me goditje dhe shtypje të tilla, u përpoqa të mblidhja menjëherë veten dhe me gjysmë zëri e pyeta se kush ishte shkaku i këtij përjashtimi. Dhe përgjigja që mund të tingëllojë shumë e çuditshme dhe gati e pabesueshme ishte kjo: “…nuk duhej të merrje dhjeta në mësime, dikush të ka njohur nga fotoja në tabelën e nderit dhe morëm urdhër të prerë që të mos vazhdosh më këtu”. Nuk kishte vend për asnjë koment. Me zemër të copëtuar i dhashë dorën dhe njëkohësisht lamtumirën. Në të vërtetë nuk pata më rastin ta takoja kurrë këtë profesor që ia lexova keqardhjen e të qenit i detyruar të flakte në rrugë një nxënëse 15-vjeçare, e cila kishte “guxuar” të merrte vlerësime maksimale në mësime. Me të njëjtën shtysë për të mos takuar askënd, u largova me shpejtësi nga ajo shkollë për të mos u kthyer më…

…Kish mbaruar gjithçka. Unë po kthehesha përfundimisht në fshatin e internimit, për të vuajtur dënimin e paracaktuar për gjyshin, të cilin nuk e kisha njohur kurrë. Do të punoja në krah të prindërve të mi, tashmë të mposhtur nga puna disavjeçare skllavëruese në ato kodra të zhuritura. Kisha provuar disa prej tyre muajt e verës, por me kohë të plotë dhe në mënyrë definitive ishte diçka tjetër. Do të përballesha me brigadierët arrogantë që të fyenin e të denigronin, do të përballesha me mospranimin e shumë fshatarëve të një “armikeje” të re në gjirin e tyre.

Do të përballesha me urinë, me etjen, me frikën nga gjarpërinjtë që i ndeshje kudo. Do të përballesha me orët tejet të zgjatura të punës, në shi, në ngrica apo dhe në vapën përvëluese. Të gjitha këto i dija. Por kishte dhe gjëra që ende nuk i imagjinoja.

Unë nuk mund ta dija se në moshën 17-vjeçare do të rrezikoja burgun pas kalbjes së disa rrënjëve domatesh për shkak të vaditjes. Disa nga fshatarët do të më akuzonin si sabotatore, ndërkohë që vaditjen e kishte bërë dikush tjetër. Nuk mund ta imagjinoja dot se për vite me radhë do punoja në një serë me domate, ku temperatura shkonte më shumë se 50 gradë, ku dehidratimi dhe etja ishin më shumë se torturë…

…Treni fishkëllente drejt rrugës pa kthim. Sirena e tij m’u duk si kënga e dëshpëruar e një kukuvajke. Si asnjëherë tjetër m’u kujtua sërish mësuesja e fëmijërisë dhe parashikimi i kobshëm i saj: “Mëso sa të duash, kazma të pret”. Kishte pasur të drejtë. Profecia e saj kriminale ishte përmbushur.

Nga Agim Baçi : George Oruell: Makthi i parashikimit tronditës


orwell


Shënime për romanin “1984” të Geroge Orwell, Zenit 2005/ Policia e mendimit, Ministria e të Vërtetës, Drejtoritë e Dashurisë, Trillit, Fitores, apo edhe Dy Minutat e Urrejtjes apo Java e Urrejtjes, që janë edhe institucionet kryesore në shoqërinë ku vdes mendimi, ku vdes ëndrra, ku vdes dashuria – janë realiteti i frikshëm që ndodhi thuajse në çdo autokraci dhe totalitarizëm, ndërkohë që fanatikët e asaj humnere vijojnë të përshfaqin gjithë hartën e dështuar të vlerave njerëzore.



Ç’ndodh me një shoqëri që nuk ka dritare, nuk ka kujtesë, por ka vetëm persona nën vëzhgim dhe pa asnjë udhë drejt Njeriut?….Thuajse shumica e asaj që Oruelli e parashikoi në romanin “1984” ka ndodhur jo vetëm me një popull, jo vetëm në një kohë. Shqiptarët, të paktën, e kanë jetuar imagjinatën tronditëse dhe të kobshme të Oruellit, që përmes një grotesku tronditës parashikoi që më 1949 vdekjen e përditshme të njeriut në një sistem totalitar, të njeriut që kthehet në makineri numëruese dhe soditëse të së keqes. Por jo vetëm aq. Oruelli e njohu mundësinë e rebelimit, (prolet që jetojnë ndryshe nga njerëzit e partisë) dhe ishte përfaqësues i zhgënjimit nga komunizmi dhe diktaturat, pasi pa se ç’kish ndodhur në Rusi në emër të sistemit të ri, në emër të njeriut të ri, në emër të besimit të ri. Por ai nuk pikturoi vetëm totalitarizmin ndaj nuk shkau në imagjinatën që të besonte se ata që do të sillnin ndryshimin politik do të arrinin të zotëronin edhe pushtetin.

Policia e mendimit, Ministria e të Vërtetës, Drejtoritë e Dashurisë, Trillit, Fitores, apo edhe Dy Minutat e Urrejtjes apo Java e Urrejtjes, që janë edhe institucionet kryesore në shoqërinë ku vdes mendimi, ku vdes ëndrra, ku vdes dashuria – janë realiteti i frikshëm që ndodhi thuajse në çdo autokraci dhe totalitarizëm, ndërkohë që fanatikët e asaj humnere vijojnë të përshfaqin gjithë hartën e dështuar të vlerave njerëzore.

Uinstoni dhe Xhulia janë dy personazhet e vetme që kanë formë në gjithë rrëfimin e tij, ndërkohë që për këdo tjetër përvijimi i plotë është gati i pamundur. Ata tentojnë të ndjejnë, të dashurojnë. Dhe kaq mjafton për mëkatin vdekjeprurës në një shoqëri që ka nevojë jo për ndjenja, por për atë që nuk ka qenë e që s’do mund të jetë kurrë individë– njeriun pa kujtesë dhe pa ëndrra.

“Shoku Ogilv, i paimagjinueshëm një orë më parë, tashmë ishte një fakt. E forta është, mendoi, se qenka më e lehtë të krijosh njerëz të vdekur sesa të gjallë. Shoku Ogilv, i cili nuk kishte patur kurrë të tashme, tashmë do të kishte shkuar dhe, kur akti i tij i falsifikimit të harrohej, do të ekzistonte në mënyrë autentike, mbështetur nga të njëjtat fakte me Karlin e Madh apo jul Çezarin”. (George Orëell, “1984”, Përkthim nga Çelo Hoxha, Zenit 2005, f.69)

Dhe padyshim, që parullat që ndërtojnë edhe rrugëtimin e mendimit të ri, që vjen përmes gjuhës së re, janë të qarta. (“Lufta është paqe/ Liria është skllavëri/ Injoranca është fuqi”) Të rreshtuara që në nisje, ato përbëjnë moton e atyre që jetojnë nën një shoqëri ku njeriu është bjerrur nga njerëzorja. Tkurrja, – siç thotë Milan Kundera për këtë libër- është tkurrje politike, është tkurrje e njeriut nën propagandë. Ndërkaq, fëmijët përgatiten të jenë luftëtarët e rinj të denoncimit të kujtdo, e sidomos të prindërve dhe të afërmve të tjerë, për të treguar devotshmërinë, për të garantuar vijimin e vdekjes së sigurt të shoqërisë.

“1984” është një roman që kapërceu me imagjinatë edhe mizorinë e humbjes së vetëdijes mbi të shkuarën dhe të ardhmen, pasi duket se parashikoi edhe udhën e mendimit të dinjitetit dhe individualitetit edhe në një totalitarizëm tjetër – në totalitarizmin e vëzhgimit të përditshëm të njeriut. Është parashikimi i shuarjes së të gjitha mureve mes privates dhe publikes, mes morales dhe amorales, mes mendimit dhe pamundësisë për të menduar. Personazhet e “1984” janë të paaftë të krijojnë një botë larg vëzhgimit apo totalitarizmit të kontrollit dhe vëzhgimit, nga ajo që Oruelli e pagëzoi “Vëllai i Madh” e që sot jeton kudo.

–Ti, Uinston, nuk e ke aq qejf Gjuhën e Re, – tha ai pothuajse me trishtim. – Kur shkruan, ti mendon ende në të folmen e vjetër….. Nuk e shikon se qëllimi kryesor i saj është të ngushtojë hapësirën e mendimit? Do të vijë një ditë që krimi i mendimit do të zhduket krejt, sepse nuk do të ketë fjalë me të cilat mund të shprehet. Çdo koncept që do të jetë i nevojshëm, do të shprehet vetëm me një fjalë, me kuptimin e saj të përkufizuar me fanatizëm, ndërsa gjithë kuptimet dytësore janë shuar dhe flakur në harrim”. (Po aty, f. 73).

Fantazia e shoqërisë tek Oruelli është tronditëse, vetëshkatërruese. Makthi dhe grotesku përfshijnë personazhet në një testament të frikës nga shoqëria që humb raportin me vetveten, me tjetrin. Uinstoni është ende njeriu që mund të besojë në një ndryshim, për sa kohë mendon se 2+2=4. Por për partinë ky përfundim është i pamjaftueshëm. Dhe ai që ka pranuar të punojë në drejtorinë e falsifikimit të së vërtetës, në një çast do të ndryshojë, dhe pashmangshëm vjen fundi, kur pohon se 2+2=5. Tashmë Uinstoni nuk ka më asnjë ëndërr. Ai ka vdekur. Siç u kthyen në kufomë të gjithë ata u mbuluan me vdekjen e së vërtetës. Apo edhe që vijojnë të mbulohen e të numërojnë “matematikisht” sipas asaj që i sugjerohet….

“1984” nuk është një roman i veçantë për stilin, por është një mënyrë e jashtëzakonshme për të kuptuar misteriozen në të sotmen, në emër të mungesës së ideve dhe në emër të mungesës së individit.

Kanceri i gjirit: Si ta hetoni sëmundjen


Dr.Dhurata Tarifa

Nga Dr.Dhurata Tarifa



Tri mënyra për të zbuluar kancerin në gji; një është mamografia, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm; mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku; dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t’u kryer sipas rekomandimeve.

Balerinat, notaret dhe atletet duket se janë femrat më me fat, kanceri i gjirit tek to haset shumë rrallë. Më të prekurat nga kjo sëmundje rezultojnë intelektualet, gratë në karrierë dhe kryesisht femrat beqare. Nga ana tjetër edhe pse incidenca më e lartë është në grupmoshat 55-59 vjeç, vitet e fundit mjekët onkologë deklarojnë se ka rritje të rasteve me kancer gjiri edhe te moshat e reja nën 35 vjeç. “Ka shumë faktorë që akuzohen për këtë” – shpjegon Dhurata Tarifa, shefe e Kimioterapisë në Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”-“por vonesat në martesa si rrjedhim dhe në lindje, lindjet e kufizuara, mosushqyerja me gji, përdorimi i kontraceptivëve të pakontrolluar, kufizimi i aktivitetit fizik, janë shkaqet kryesore për të cilat akuzohet sot zhvillimi i kancerit të gjirit te femrat”. Por a duhet të prisni të keni një shqetësim, dhimbje apo problem shëndetësor për të kryer kontrolle? Absolutisht jo! Veçanërisht për shëndetin vlen shprehja e Albert Ajnshtajnit, i cili ka thënë: “Nuk mund të parandalosh dhe të përgatitesh për luftë në të njëjtën kohë”. Ndaj gratë dhe vajzat nuk duhet të presin shenja patjetër që të kryejnë një kontroll mjekësor te një mjek onkolog. Doktoresha onkologe, Dhurata Tarifa shpjegon se: “diagnoza e hershme e kancerit të gjirit është shumë e lidhur me prognozën dhe mbijetesën e sëmundjes. Sa më i hershëm të jetë stadi i sëmundjes, aq më pak agresiv është dhe trajtimi, aq më e mirë është prognoza dhe mbijetesa”. Për ato vajza dhe gra të cilat janë diagnostikuar me këtë sëmundje, ndjekja dhe trajtimi i sëmundjes bëhet periodikisht, sipas protokolleve të përcaktuara nga linjat guidë ndërkombëtare.

Tetori është muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, por a mund të parandalohet?

Muaji Tetor është muaji i sensibilizimit të luftës kundër kancerit të gjirit. Në fakt lufta kundër kancerit të gjirit duhet të shtrihet gjatë gjithë vitit, por në muajin tetor i cili është bërë personifikim i kësaj lufte ndodh një masivizim i shprehur i grave, që paraqiten në strukturat mjekësore të dedikuara për diktimin e hershëm të sëmundjes. Këto struktura fillojnë që në shërbimin primar te mjeku i familjes i cili duhet të këtë njohuri jo vetëm të përgjithshme por edhe specifike rreth kancerit të gjirit. Në qoftë se ai nuk i ka këto, mund të çojë në një diagnozë të vonuar që pasohet nga një prognozë e pafavorshme. Struktura e dytë është onkologu i rrethit përkatës, i cili seleksionon rastet e dyshimta dhe i dërgon në strukturat terciare për diagnozë definitive.

Cilat janë shenjat që duhet të çojnë patjetër një grua drejt një vizite te mjeku onkolog?

Gruaja mund të paraqitet te mjeku edhe pa patur simptoma. Megjithatë shenja kryesore është konstatimi i një formacioni tredimensional në gji, i cili mund të mos ketë simptoma lokale ose të përgjithshme. Simptoma të jashtme që duhet të tërheqin vëmendjen janë ndryshimi në lëkurën dhe formën e gjirit, rrjedhje të sekrecioneve nga mamela apo edhe konstatimi i një limfonoduli në regjionin e sqetullës.

Cilat janë kategoritë më të rriskuara? Nisur nga rastet që ju keni ekzaminuar, a ka një trend të prekjes së moshave të reja, kam parasysh këtu moshën nën 50 vjeç?

Në vitet e fundit në vendin tonë, incidenca më e lartë është në grupmoshat 55-59 vjeç. Vëmë re një rritje të incidencës edhe në mosha të reja, që ne quajmë moshat nën 35 veç. Ka shume faktorë që akuzohen për këtë, përmendim vonesat në martesa si rrjedhim dhe në lindje, lindjet e kufizuara, mosushqyerja me gji, përdorimi i kontraceptivëve të pakontrolluar, kufizimi i aktivitetit fizik etj.

Flitet për shumë shkaqe dhe akuzohen shumë faktorë, predispozues për të shkaktuar këtë sëmundje, por a janë stresi, përkushtimi ndaj karrierës, lindjet e vona apo edhe beqaria faktorë predispozues?

Faktor kryesor akuzohet hormoni femëror estrogjeni. Sasia më kryesore e këtij hormoni buron nga vezoret. Në periudhën e shtatzënive ky hormon nuk prodhohet, si pasojë gruaja është më e mbrojtur nga ndikimi i këtij hormoni. Burim tjetër i hormonit estrogjen është indi dhjamor. Kjo i bën gratë obeze më të predispozuara. Kjo është arsyeja që grave iu rekomandohet aktivitet fizik dhe dieta me fibra. Janë pikërisht këto arsyet që incidenca është më e lartë te gratë e zonave urbane, tek ato intelektuale, te gratë në karrierë, të cilat shpesh e harrojnë aktivitetin fizik. Kanceri i gjirit haset shumë rrallë tek atletet, balerinat, notaret.

Në rast konstatimi të sëmundjes, si bëhet ndjekja e rasteve dhe a mund të vijojnë jetën normale, pas trajtimit të sëmundjes? Cilat janë aktivitetet dhe kujdesi që duhet treguar pas shërimit?

Diagnoza e hershme e kancerit të gjirit është shumë e lidhur me prognozën dhe mbijetesën e sëmundjes. Sa më i hershëm të jetë stadi i sëmundjes, aq më pak agresiv është dhe trajtimi, aq më e mirë është prognoza dhe mbijetesa e sëmundjes. Diagnoza përfundimtare përcaktohet nga biopsia dhe imunohistokimia, të cilat japin të dhëna të gradës së malinjitetit, por gjithashtu japin të dhëna shumë të rëndësishme të biologjisë tumorale, që do të thotë të faktorëve prognostikë, shumë të rëndësishëm në përcaktimin adekuat të protokollit të trajtimit medikamentoz. Protokolli përfundimtar i trajtimit të një pacienteje përcaktohet nga një staf multidisiplinar, që përbëhet nga morfologu, kirurgu, onkologu mjekësor, radioterapeuti dhe imazheristi. Pasi pacientët përfundojnë të gjitha modalitetet e përcaktuara nga stafi multidisiplinar, rekomandohet të bëjë ndjekjen periodike sipas protokolleve të përcaktuara nga linjat guidë ndërkombëtare.



Box :

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja dhe përhapja jashtë kontrollit e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit.

Shenjat

Ndryshime të gjirit: tumori, ndryshimi i madhësisë, pozicioni i formës së gjirit. Ndryshimet e lëkurës: gropëzime, fiksimi, ulcerimi, simptoma e kores së portokallit. Ndryshime të thithit: rrafshimi, futja brenda, spostimi, ulcerimi, sekrecionet. Masë aksilore (nën sqetull). Tumori është një simptomë mbizotërues dhe më i kapshëm nga vetë e sëmura. Ai preket prej tyre në 90% të rasteve, ndërsa në ekzaminimin fizik është i pranishëm në 98% të rasteve. Veçori dalluese e tij është fortësia, sipërfaqja e çrregullt, kufij jo të qartë dhe lëvizshmëri e kufizuar brenda gjirit. Zakonisht ai nuk dhemb në prekje.



Tri mënyra për ta hetuar

Ndërkohë që mjekët onkologë tregojnë se ka tri mënyra për të zbuluar kancerin në gji. Një është mamografia, që e zbulon kancerin 2 vjet para se të bëhet i dukshëm. Mënyra e dytë është vizita e rregullt te mjeku, dhe e treta nëpërmjet kontrollit të vetes, i lehtë për t’u kryer sipas rekomandimeve.



Këshilla për zvogëlimin e rrezikut:

Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme;
Kryeni rregullisht aktivitet fizik;
Konsumoni ushqime me yndyra të pakta;
Konsumoni perime dhe fruta;
Mos konsumoni alkool;
Konsultohuni me mjekun për kontraceptivët;
Mos pini duhan dhe eliminoni duhanpirjen pasive;
Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj;
Flisni me mjekun, për mundësinë e vlerësimit të rrezikut tuaj nga kanceri i gjirit.
Të dhënat

OBSH evidenton se kanceri i gjirit është i dyti, pas kancerit në mushkëri, që prek më shumë gratë. Para moshës 30 vjeç, probabiliteti për t’u prekur nga sëmundja është 1 në 2.200. Në moshën 30-40 vjeç gjasat janë 1 në 235, kurse mbi 60 vjeç rriten në 1 në 23 gra.

Shtohen viktimat nga gripi, MSH: 7 të vdekur nga ky virus


pacienti-spital-2


Rritet numri i viktimave të prekur nga virusi i gripit që ka “pushtuar” të gjithë vendin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në total janë 7 viktima që rezultojnë të prekur nga ky grip.

Sipas lajmërimit të MSH, dy të moshuara, përkatësisht një në Vlorë dhe një në Korçë kanë ndërruar jetë dhe sipas analizave u vërtetua se ishin të prekura nga gripi i stinës.

Ndërkohë po sot u komunikua se një fëmijë vetëm 3 vjeç në Lezhë ka ndërruar jetë nga gripi.

Lajmërimi i MSH:

Ministria e Shëndetësisë informon se:

Pacientja S. S., 82 vjeç, banuese në Vlorë, shtruar në shërbimin infektiv, dhe më tej në reanimacionin e spitalit rajonal të Vlorës në datë 01/01/2017, me diagnozë, “Insufiçencë multiorganore, post-gjendje febrile,” ka ndërruar jetë në datë 14/01/2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Pacientja V. B., 71 vjeç, banuese në Korçë, e shtruar në spitalin e Korçës më datë 09.01.2017, me diagnozë: “Insufiçencë multiorganore, Meningoencefalit, Sëmundje Renale akute, Pneumoni masive sinistra”, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së datës 16.01.2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik, konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Arrin në shtatë, numri i rasteve të konfirmuara, pas dy rasteve të raportuara në dt. 05/01/2017, atij të datës 11/01/2017, rastit të datës 13/01/2017 dhe rastit të mëngjesit të sotshëm (dt. 17/01/2017), nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A.

Dermatologia: Xhinset e modës së fundit, rrezik për sëmundjet e lëkurës!

ripped-730x440
Pantallonat ‘e grisura’, si pjesë e tendencës së modës, kanë shtuar numrin e personave të prekur nga sëmundja e morthit, si pasojë e ekspozimit ndaj të ftohtit”. Thirrja për të bërë kujdes vjen nga mjekja dermatologe, pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3, Blerta Gjoni, e cila shpjegon në detaje shenjat e sëmundjes më të shpeshtë të lëkurës gjatë dimrit si dhe masat që duhet të marrë çdokush për parandalimin e saj.

Doktoreshë, një nga sëmundjet më të shpeshta të lëkurës gjatë stinës së ftohtë është morthi. Çfarë është kjo patologji?

Morthi është një sëmundje që te fëmijët ose lëkurat që kanë ndjeshmëri ndaj të ftohtit prek duart dhe pjesën e këmbëve. Veshja e papërshtatshme shton agresivitetin që i ftohti ka ndaj një lëkure të ndjeshme, duke ua bërë të dukshëm elementët në lëkurë. Morthi është një sëmundje që vjen nga ndjeshmëria e vazave të gjakut periferike dhe normalisht kur nuk kanë funksionimin e duhur, krijohen elementët e një dermatoze të skuqur.

Cilat janë shenjat e para?

Shenja e parë është skuqja e gishtave. Pastaj mund të ketë edhe ngjyrime të mavijosjes, fryrje, ënjtje, dhimbje e deri kruarje. Duke qenë se shumë njerëz nuk e dinë nga se iu vjen, këto predispozita shtohen nga ekspozimi i përditshëm ndaj të ftohtit, i pambrojtur nga veshjet e duhura, sidomos te pjesa e ekstremeve, që janë duart dhe këmbët. Megjithatë nuk përjashtohen dhe mundësitë e prekjes nga morthi edhe të llapës së veshit dhe majës së hundës.

Cila është tendenca e kësaj sëmundjeje këtë vit?

Ne kemi raste, që vijnë si pasojë e veshjeve të papërshtatshme, që nuk i mbrojnë nga i ftohti e që janë xhinset e ‘modës së fundit’, që janë të ‘grisura’ në disa pjesë. Kjo lloj mode, ka rritur numrin e rasteve të prekur nga morthi. Kjo situatë është favorizuar edhe në kushtet e ambienteve që frekuentojnë. Për shembull kemi shkollat, që janë ambiente të mëdha, klasat janë të larta dhe në pamundësi të kushteve optimale të të ngrohtit, janë të ekspozuar në temperatura të ulëta për një kohë më të zgjatur. Prandaj iu thuhet pacientëve, të cilët shfaqin këto elemente, të veshin veshje të përshtatshme, që në njëfarë mënyre të minimizojnë sëmundjen, në mënyrë që të mos shfaqet në forma më agresive.

Çfarë duhet të bëjnë personat që vërejnë këto shenja në lëkurë?

Për këta pacientë është shumë e rëndësishme që të drejtohen menjëherë te mjeku dermatolog, sepse nuk marrin vetëm trajtimin e duhur, por edhe edukohen për arsyet se përse kjo sëmundje shkaktohet. Jo gjithmonë është zgjidhja e duhur që këta persona, që shfaqin probleme të lëkurës, të shkojnë direkt në farmaci ose të përdorin produkte që përdoren nga një person i afërt me ta. Ndaj është mjeku specialist: të vendosë diagnozën e duhur, që të marrë dhe trajtimin që e çon drejt shërimit total. Ka persona që preken vazhdimisht nga morthi.

Çfarë masash mund të merren për parandalimin e morthit?

Përveç veshjes së duhur, që përmenda pak më sipër, përdorimi i kremrave mbrojtës është një tjetër masë. Kjo do të thotë që pjesa e ekspozuar, kryesisht e duarve, duhet të jetë e ribalancuar me bazat e duhura të përbërësve të kremrave, që në njëfarë mënyre nuk lejojnë që i ftohti të prishë strukturën mbrojtëse që vetë lëkura e ka si funksion. Pra, duhen përdorur kremra hidratues. Ata duhen mbajtur me vete që të bëhet lyerje herë pas here. Pastaj, nëse janë pacientë që e kanë kaluar një herë dhe shikojnë shenjat e para të rifillimit në një vit tjetër, duhet të marrin produkte ushqimore, kryesisht me përmbajtje të vitaminës C, ku futen frutat e stinës. Po ashtu, vitamina C gjendet edhe në zarzavate. Ajo duhet marrë në dozën e duhur, në mënyrë që të ndihmojë vazat e gjakut që të mos jenë kaq të ndjeshme ndaj të ftohtit. Pra mënyra e të ushqyerit ka të bëjë shumë në mbrojtjen ndaj morthit. Ndërkohë që, në rast se personat tashmë janë prekur nga morthi, detyrimisht do të kalojnë në pjesën e trajtimit.


Morthi, mund të prekë çdo lloj moshe?

Morthi nuk përjashton asnjë lloj moshe, qofshin femra apo meshkuj. Më të predispozuara për t’u prekur janë moshat e reja sepse janë më të pakujdesur për veshjen e tyre apo, siç theksova edhe më sipër, duke ndjekur tendencën aktuale të modes.

Këngëtarët e tallavasë dhe debati Kosovë-Shqipëri

Dy ditë më parë Ben Blushi shkaktoi shumë debat me një shkrim të tijin, ku thoshte ndër të tjera se Kosova po na mbizotëron kulturalisht, sidomos në art dhe në sport.

Për ta argumentuar këtë, Blushi paraqiste si shembuj sukseset e Era Istrefit dhe të këngëtarëve të tjerë komercialë nga Kosova, pa të cilët, sipas Blushit, do të ishim të gjithë më të mërzitur.

Në fakt, për t’u mërzitur është që konsiderohet si art muzika turbo-folk, apo komerciale, ku sundojnë tekste dhe fjalë kyçe si “t’lagi me shampanjë, t’lagi me shampanjë”, “noshta ti ma ki bo bllok, noshta ti ma ki bo bllok”, “e ke ftyrën tbardh si kokaina”, “bon bon, edhe nëse s’bon, s’bon”, etj.

Është për t’u mërzitur që serviren si shembuj të artit këta këngëtarë tallavaje-pop dhe thuhet se ndërkohë Shqipërisë i mungonka një arsenal i tillë talentesh.

Me sa duket Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, primobalerini i Operës së Vienës, Kledi Kadiu dhe shqiptarë të tjerë të dorës së parë nuk janë të denjë për t’u konsideruar si shembuj arti, pasi ata bëjnë art klasik, të fisëm dhe për elitat, dhe jo turbo-folk të përzier me pop, një muzikë për masat.

Po të ecim me logjikën e Blushit, sipas të cilit kosovarët na çuan në evropian dhe na nderuarn atje dhe se pa ta nuk do ta kishim njohur këtë sukses, mund t’i përmendim se aksionin dhe golin e vetëm të fitores së vetme në Evropian e gatuan dy shqiptarë të Shqipërisë, Hysaj dhe Sadiku.

Nuk ka Shqipëria medalje ari në sport dhe ka Kosova kaq e vogël?

E vërtetë, por kjo sepse Pirro Dhima pështyu tre herë bukën që hëngri në Tiranë që nga lindja e deri kur si emigrant shkoi në Greqi dhe i përgatitur nga Shqipëria e ngriti shtangën dhe ia dedikoi tre medaljet e arta vendit që sapo e kishte pritur, duke mohuar çdo kontribut të vendlindjes dhe atdheut të tij.

Mund të vazhdojmë me shumë kundëragumenta të tilla se çfarë ka më shumë Shqipëria e më pak Kosova, dhe anasjelltas, por nuk ia vlen.

E vërteta është se sukseset e Shqipërisë dhe të Kosovës janë komplementare dhe jo në konkurrencë me njëra-tjetrën.

Ato i shërbejnë Rilindjes së vërtetë dhe të vonuar e mohuar për shekuj të një kombi të lashtë sa vëtë gurët e trojeve ilirike, apo ballkanike ku është shtrirë ngahera.

Të gjitha xixat në këtë mes janë të dëmshme.

Shqipërisë i shërbejnë këngëtarët kosovarë, po aq sa këngëtarëve kosovarë u shërben tregu shqiptar dhe anasjelltas.

Kjo logjikë vlen jo vetëm për artin, por për sportin, ekonominë, dijen, arsmin dhe çdo sferë tjetër shoqërore.

Nga kjo mundet vetëm të përfitojmë të gjithë.

Shqipëria ka edhe detin që ia ka falur natyra ose Zoti.

Shumë kosovarë vijnë dhe e shijojnë çdo vit atë. Kjo vetëm sa na bën më të mirë të gjithëve, duke lënë mënjanë stereotipet.

Për shembull, kosovari dhe fotografi i talentuar Nëntor Oseku, me fotografitë e tij ka kohë që e adhuron dhe e reklamon bregdetin e Shqipërisë.

Ai është një shembull bashkimi dhe përparimi dhe jo xhelozie dhe kompleksesh prapanike.

Këtë duhet të bëjmë edhe ne me Kosovën, jo vetëm në arenën politike, sepse këtë e kemi bërë gjithnjë, por edhe përmes punës artistike të qytetarëve të thejshtë.

Vetëm kur të shënjojmë një vijë barazie mes Kosovës dhe Shqipëprisë dhe të sillemi me respekt reciprok jo vetëm kur luan kombëtarja, por çdo ditë, do t’u shërbejmë vërtet të dyja shteteve dhe do të rrëzojmë barrierat e dukshme dhe imagjinare që ekzistojnë mes popujve.

Të investohesh për të gjetur dallime, ëngjej e demonë mes nesh, është sa fantazioze aq edhe në dëm të kësaj.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i përgjigjet RAI-t: Drogë mbillet edhe në Itali



Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka zgjedhur ta pranojë problemin që po kalon vendi me çështjen e drogës duke zgjedhur një mënyrë të re për tu përballur në publik. “E dimë që problemi ekziston, por ne po e luftojmë”,- ishte fraza që ministri përsëriti disa herë në studion e Sokol Ballës në “Top Channel”. Pas reportazhit të fundit të gazetarëve të RAI-t në Krujë, Tahiri tha se, ata kishin shkuar në një parcelë të shkatërruar nga qeveria.

“E tha dhe gazetari italian që ishte në një parcelë të shkatërruar nga policia. Unë nuk e kam fsheur që ka një problem. Në këtë rast edhe gazetari u bë dëshmitar i një parcele të shkatërruar nga policia. Nëse fillojmë këtë luftë politike nuk mbarojmë kurrë.

Në Foxhia u zbulua parcela e dytë në Europë më e madhe pas Lazaratit me 180 mijë bimë. Askush nuk akuzon atje se kjo është një Kolumbi e dytë apo se është inkriminuar policia”,- tha Tahiri.

Përsa i përket deklaratës së personit të intervistuar se policia merr 40% të parave të çdo bime narkotike, ministri tha se nuk ka dijeni nëse kanë filluar hetime.

“A ka raste policësh të lidhur me narkotrafikun? Absolutisht që ka. Ka hetime për këtë çështje. Rasti i RAI-t është i përfshirë. Nuk kam dijeni nëse po e heton SHKB. SHKB dhe prokuroria janë të përfshirë në hetime. Janë mbi 10 policë të arrestuar”,- tha Tahiri.

“Ajo që kam quajtur front i të keqes hedh balte mbi ata që nuk ka në kontroll”,- tha Taniri mbi akuzat që i bëhen

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...