Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/06

Historia në shtratin e së vërtetës


Related image


Prof.Dr.Eshref Ymeri 



Pedagogu dhe filozofi anglez Xhon Lok (John Locke - 1632-1704), idetë e të cilit patën një ndikim të fuqishëm në zhvillimin e filozofisë politike, ka lënë një aforizëm të shkëlqyer për brezat pasardhës. Ai ka thënë:

“Asgjë nuk është kaq e mrekullueshme për syrin sesa e vërteta për mendjen, asgjë nuk është kaq e shëmtuar dhe kaq e papajtueshme për arsyen sesa gënjeshtra”.

Intelektuali i mirënjohur erudit Mërgim Korça, në harkun e viteve 2005-2014, ka botuar tre libra interesantë nga fusha e historiografisë. Në vitin 2005, shtëpia botuese “Media Enter”, hodhi në qarkullim librin e tij të parë me titull “Histori të pashkruara” (268 f.) Në vitin 2008, shtëpia botuese “Maluka” nxori nga shtypi librin e tij të dytë me titull “Hedhje dritë rreth shtrembërimesh historike” (351 f.). Libri i tretë me titull “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë!” (519 f.) është botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Detroit) në vitin 2014. Pra, në tërësi, këto tre libra prej 1138 faqesh gjithsej, i kushtohen kohës së luftës dhe periudhës së diktaturës së egër enverhoxhiste gjysmëshekullore.

Në një paraqitje të shkurtër që i ka bërë vëllimit “Histori të pashkruara”, publicisti i mirënjohur Mero Baze shkruan:

“Nëse do të ketë ndonjëherë një bilanc të asaj çfarë duhet të ishte shkruar dhe asaj çfarë duhet të ishte fshirë nga letrat shqipe, në raport me Shqipërinë e pesëdhjetë viteve të komunizmit, ky libër do të mbetej. Kam dyshimin e madh se në asnjë vend të bllokut lindor, regjimi nuk ka pasur fatin komod që ka pasur në Shqipëri. Për komunizmin shqiptar u prodhuan mijëra dhe miliona faqe të shkruara për ta mbajtur atë në këmbë dhe thuajse asgjë për ta ndriçuar errësirën e tij pas rënies. Shqipëria është thuajse i vetmi vend që nuk ka dokumentuar aksidentin e saj më të madh historik” (f. 5).

Mendoj se publicisti Mero Baze ka bërë një vlerësim mjaft objektiv për përmbajtjen e këtij libri, duke nxjerrë në spikamë faktin se historia pesëdhjetëvjeçare e komunizmit shqiptar ka në themelin e vet gënjeshtrën dhe mashtrimin. Për më tepër, gënjeshtra dhe mashtrimi vazhdojnë të gëzojnë një status të privilegjuar edhe pas ndërrimit të sistemit në fillim të viteve ’90, paçka se që asokohe ka kaluar më shumë se një çerek shekulli.

Shkrimtarja dhe publicistja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj shkruan:

“Të bësh diçka për atdheun është përgjegjësi morale, detyrë dhe nder” (“Bashkë në dashuri dhe atdhetari. Aurelia dhe Ajvaz Voka. Amanda Edit”. Bukuresht 2013, f. 139).

Pra, duke pasur parasysh faktin që e vërteta historike vazhdon të mbetet e pandriçuar dhe gënjeshtra dhe mashtrimi shiten ende si “produkt i cilësisë së lartë” në veprat e historianëve të traditës, intelektuali Mërgim Korça, nisur nga dëshira për të bërë diçka për atdheun, i pati hyrë punës për largimin e territ informativ dhe për nxjerrjen në dritën e diellit të mjaft fakteve tronditëse për shumë ngjarje të rëndësishme dhe personalitete të shquara të kombit shqiptar.

Pas 08 nëntorit të vitit 1941, kur, nën mbikëqyrjen e rreptë të dy emisarëve shovinistë jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, u themelua Partia Komuniste e Shqipërisë, në vendin tonë u hodh fara e mallkuar e përçarjes kombëtare, e cila u kurorëzua me shpërthimin e luftës civile në fillimvjeshtën e vitit 1943. Domosdo që lufta civile do të vendoste përballë njëri-tjetrit shqiptarin kundër shqiptarit, në përputhje me strategjinë afatshkurtër dhe afatgjatë të serbosllavizmit. Sipas asaj strategjie, shqiptarët duhej të ishin patjetër të përçarë, se vetëm kësisoj duhej të mbetej e paprekur Çështja Madhore e Ribashkimit të Trojeve Etnike Shqiptare, të cilat shovinizmi evropian i pati copëtuar dhe ua pati aneksuar dy armiqve tradicionalë të kombit shqiptarë, sllavëve dhe grekëve. Prandaj të gjitha ato formacione politike, intelektualë të shquar dhe përfaqësues të besimeve fetare që ishin për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe për mbijetesën e tij edhe në kushtet e pushtimit fashist, për dëbimin e emisarëve jugosllavë, si edhe për ribashkimin e trojeve tona etnike, u shpallën armiq dhe tradhtarë dhe kundër tyre u ndërsye tërë propaganda komuniste. Në anën tjetër të barrikadës, u radhitën komunistët shqiptarë, aleatët besnikë të sllavizmit dhe varrmihësit e nacionalizmit shqiptar, me Enver Hoxhën në krye, të cilët pas luftës shpërthyen luftën e egër të klasave, si vazhdim të luftës civile, që u shoqërua me pushkatime të kundërshtarëve politikë, që kishin filluar që gjatë viteve të luftës, me burgosje afatgjata, me shpronësime dhe me internime nëpër kampe përqendrimi, duke pasur në themel shpifjen e pamëshirshme kundër tyre.

Faktet dhe të vëertetat u vunë në shënjestër të shpifjes komuniste. Historiani i lashtësisë romake Taciti (Tacitus - 55-120) ka thënë:

“Humbi turpi, sundon poshtërsia, zanati i shpifjes nuk e njeh turpin! Shpifja gjithmonë kërkon të vrasë të vërtetën,… të vrasë historinë” (Citohet sipas: Rasim Bebo. “Artikuj dhe ngjarje. Pjesa II”. Botime “Vllamasi”. Tiranë 2013, f. 122).

Pamjen më të dhimbshme të përçarjes tragjike mbarëshqiptare, e ka dhënë poeti i talentuar Gjovalin Lumaj, kur, në vëllimin poetik me titull “Kelmendi në vargjet e mia”, përshkruan luftën vëllavrasëse që shpërtheu kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe. Këto vargje Mërgim Korça i citon në librin në fjalë:



“Dit’e ftohtë kjo ditë janari,

Cemi rrjedh me gjak shqyptari,

N’të dy anët ka viktima,

N’të dy anët ka djelm trima,

Rreptë t’u ndeshë porsi dragoj,

Trima boll, por jo heroj,

Heroizëm ktu nuk ka,

Tragjedi, tmerr e hata?,

Luftoi sot vllau me vlla,

Serbi fort i ka përça! (f. 155).



Tek ndjek faqet e këtij libri, lexuesi nuk mund të mos përjetojë një ndjenjë të lemerishme kur njihet me shkrimin me titull “Shqiptarët pushkatojnë shqiptarët që shumë e deshën Shqipërinë”. Në këtë shkrim bëhet fjalë për pushkatimin e disa të rinjve nacionalistë korçarë më 20 qershor 1945. Në qendër të shkrimit është i riu sypatrembur Ajdin Kulla nga Zëmblaku. Me dorën e dridhur mbi tastierën e kompjuterit, Mërgim Korça, sipas vendimit të trupit gjykues, u bën të njohur lexuesve arsyen se pse Ajdin Kulla dënohej me vdekje:

“…për agjitacion e propagandë, duke qenë koshient i politikës së Shqipërisë Etnike” (f. 177).

Pra, qëllimi kryesor që shtronin në programin e vet komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye, nën vëzhgimin e përhershëm të Beogradit, ishte zhdukja nga fjalori i gjuhës shqipe i shprehjes “Shqipëri Etnike”.

Të gjitha këto ngjarje tragjike, kanë gjetur një pasqyrim befasues në penën e intelektualit të shquar Mërgim Korça. Ai është mbështetur vetëm në fakte konkrete, duke i vjelë ato me shumë kujdes nga dokumentet që ruhen në rojtinën (arkivin) e shtetit. Në këto dokumente shtjellohet hollësisht veprimtaria atdhetare, me të dhëna të hollësishme, e shumë figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, si Atë Gjergj Fishta, Hasan Dosti, Lef Nosi, Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Patër Anton Harapi dhe shumë e shumë të tjerë, përfshirë këtu edhe përfaqësues të shquar të klerit katolik.

Në këtë libër më ka lënë mbresa të fuqishme një fakt mjaft interesant që sjell autori për moralin e lartë, me të cilin ishte mbrujtur karakteri i Mustafa Krujës, kur ky ishte Kryetar i Këshillit Ministror. Konsulli gjerman në Tiranë i kishte kërkuar asokohe që t’i dorëzoheshin Gjemanisë 300 hebrenj që ndodheshin në Shqipëri, si refugjatë të ardhur nga Jugosllavia. Kërkesën e vet, konsulli e pati shoqëruar me listën emërore të hebrenjve dhe me adresat e tyre në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja mori masa të menjëhershme për t’i zhvendosur hebrenjtë në zonën e Gjirokastrës, dha porosi t’u ndërroheshin emrat dhe të pajiseshin me pasaporta shqiptare. Paskëtaj ai e pati njoftuar konsullin gjerman se të gjitha hetimet që qenë kryer në Kosovë lidhur me listat emërore, kishin rezultuar negative.

Mërgim Korça citon librin e mëkëmbësit italian në Shqipëri Farnçesko Jakomoni , me titull “La Politica dell’Italia in Albania” (Politika e Italisë në Shqipëri”). Ja se si është shprehur Jakomoni për Mustafa Krujën:

“Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe nëpërmjet tij mundësuam përmes përfaqësive tona jashtë shtetit, t’i pajisnim hebrenjtë gjermanë, bohemë, polakë, hungarezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësia t’u shmangeshin persekutimeve raciale, duke iu drejtuar Shqipërisë” (f. 93-94).

Me këtë qëndrim tejet fisnik që mbajti ndaj hebrenjve, në bashkëpunim të ngushtë me familjet shqiptare që i strehuan në vatrat e tyre, Mustafa Kruja e dëshmoi në praktikë se Shqipëria ia shpëtoi moralin Evropës, siç deklaronte para do kohësh qytetarja 84-vjeçare hebreoamerikane Johanna Neumann, sipas një shkrimi të publicistes së talentuar Elida Buçpapaj, me titull “Takimi me zonjën Johanna Neumann, e cila i tregoi botës se moralin e Evropës e shpëtuan shqiptarët”, të botuar në internet më 14 maj 2014.

Për këtë qëndrim të lartë, burrëror, besëmadh, që ka mbajtur Mustafa Kruja ndaj hebrenjve para furisë së nazizmit gjerman për shfarosjen e tyre, e meriton plotësisht të vlerësohet nga Presidenti i Republikës me dekoratën më të lartë “Nderi i Kombit”. Është e çuditshme se si është e mundur që Presidenti i Izraelit nuk e ka shpallur Mustafa Krujën “Hero Kombëtar”. Ata hebrenj, përfshirë këtu edhe zonjën Johanna Neumann, që Mustafa Kruja i shpëtoi nga vdekja e sigurt, dhe pasardhësit e tyre, duhej ta kishin ngritur me kohë zërin për nderimin e figurës së lartë të Mustafa Krujës nga ana e autoriteteve izraelite.

Pra, në gjykimet që jep për të gjitha këto personalitete shqiptare, Mërgim Korça ka si busull vetëm kriterin e së vërtetës. Prandaj ai shkruan:

“Burimi i parë, ndihmën e të cilit kërkuam për të përcaktuar kriterin e gjykimit tonë ndaj figurave që luajtën rol tejet aktiv në përcaktimin e fateve të kombit tonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, na mëson që t’i referohemi së vërtetës dhe këtë të fundit ta gjykojmë me drejtësi” (po aty, f. 35).

Analiza mjaft interesante ka bërë Mërgim Korça për Enver Hoxhën, si një figurë qendrore në historinë gjysmëshekullore të sundimit të tij me mjetet më të egra të diktaturës, si edhe për bashkëpunëtorë të tij të afërt, si Bedri Spahiu, Mehmet Shehu e shumë të tjerë, të cilët i eliminoi njërin pas tjetrit. Për Enver Hoxhën, ai shkruan:

“…brumosja e tij me amoralitetin e Leninit, me kriminalitetin paranojak të Stalinit, çoi në lindjen e asaj krijese dështake që Enver Hoxha e quante me mburrje njeriu i ri socialist. Përse e zgjodhi ai këtë rrugë? Përgjigjja është tejet e thjeshtë. Amoraliteti i Leninit ishte ylli i tij polar. Te shpirtvogëlsia, smira e skajshme si dhe shpirti gjakatar i Stalinit si pasojë e të qenit i dështuar ndërmjet bashkëkohësve të tij, Enver Hoxha shihte alteregon (vetëshëmbëlltyrën), mësuesin e tij… Ai dhunoi, torturoi, ua bloi kockat, ua shkuli thonjtë dhe i ropi të gjallë intelektualët dhe klerikët e virtytshëm më të shquar e gjithashtu ajkën e burrave të ndershëm e patriotë… Dhunoi gjithashtu kampeve të përqendrimit dhjetëra mijëra vetë që t’ia shtinte drithmën popullit mbarë dhe kësisoj e transformoi shqiptarin në një krijesë amorfe pa shtyllë kurrizore. Këtë la prapa Enver Hoxha” (f. 35-36).

Mërgim Korça është ndalur edhe në përshkrimin e një ngjarjeje që lidhet me figurën kriminale dhe të pabesë të Mehmet Shehut. Kur legjenda e maleve Prek Cali i Kelmendit, me dy malësorë trima, kishte mbetur në një shpellë, i rrethuar nga forcat komuniste dhe dëgjoi thirrjen që i qe drejtuar për t’u dorëzuar, ai kishte vënë si kusht që të vinte vetëm Mehmet Shehu, duke shpresuar në besën e tij. Mehmet Shehu shkoi dhe iu drejtua Prek Calit:

“E more Prek Cali, të pat ardhur dita ta mbyllje historinë tënde me shkronja ari po të ishe bërë me ne! Pse bërë kështu? I gjegjet trimi legjendar burrnisht: Zotni, faji bjen mbi ju se ju u b?të aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin!” (f. 51).

Pra, aleanca vetëposhtëruese e komunistëve shqiptarë me shovinizmin serbomadh, ishte arsyeja kryesore e shpërthimit të Kryengritjës së Malësisë së Madhe në janar të vitit 1945. Trimi Prek Cali vendosi të dorëzohej në besë të Mehmet Shehut, me kusht që t’i falej jeta. Mehmet shehu i dha fjalën se do t’i falej jeta. Por pas ca kohësh Prek Calin e pushkatuan. Valentin Previzi, ish-oficer akademist, shok burgu me Prek Calin, në kujtimet e veta që ia pati lënë për t’i botuar të vëllait të vet, piktorit Lek Previzi, shkruan për Prek Calin:

“Ai s’e priste që Mehmet Shehu ta hante fjalën e dhanë. Si malësor, ai s’mund ta konceptonte nji gja të tillë. Por harronte ai se Mehmet Shehu nuk ishte si burrat e Malësisë që kur jepnin fjalën, e mbanin atë edhe me çmimin e jetës. Ai nuk ishte tjetër, veçse nji aventurier gjakatar, i etun për pushtet, që nuk e kishte për asgja me thye besën e mos me mbajtë fjalën” (Valentin Previzi. “Si u dorëzue dhe si u pushkatue Prek Cali”. Faqja e internetit “Radi and Radi”. 22 prill 2014).

Me të njëjtat përjetime emocionuese e përcjell lexuesi edhe përmbajtjen e librit “Hedhje drite rreth shtrembërimesh historike”, në të cilin autori ngre një sërë problemesh të mprehta, gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe në polemikë të hapur me historianë të moshuar që ende nuk kanë mundur të çlirohen dot nga vargonjtë e ideologjisë komuniste në pasqyrimin e dogmave të një periudhe të perënduar.

Mjaft mbresëlënëse është parathënia e këtij libri, me autor Prof. Ardian Ndreca, i cili, në harmoni të plotë me këndvështrimet e autorit në trajtimin e historisë, e vë theksin te roli i gjëmshëm që luajti Enver Hoxha dhe klika mercenare rreth tij, të cilët “u përpoqën sistematikisht në dekadat e errëta të regjimit komunist, me u dhanë me hangër shqiptarëve nji histori të mykun e të kalbun prej paragjykimeve marksiste, klasore, ateiste, sektare, rajonale, politike, personale… tue e kthye historinë në nji copë parafinë që mund të modelohej prej zjarrmit revolucionar që frynte asokohe prej Tirane në të gjithë vendin” (f. 6-7).

Në librin e tretë “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë!”, Mërgim Korça, mbi bazën e fakteve konkrete, heq një paralele mes bashkëpunimit të figurave të shquara nacionaliste shqiptare, si Mustafa Kruja etj. me italianët, bashkëpunim që ishte tërësisht në shërbim të atdheut, dhe bashkëpunimit të Enver Hoxhës me shovinizmin jugosllav, i cili, siç e vërtetoi koha, ishte varrmihës për fatet e kombit shqiptar.

Nga leximi i të tre librave të lartpërmendur të Mërgim Korçës, vjen përfundimi i vetvetishëm se historia e Shqipërisë duhet rishkruar mbi bazën e dokumenteve rojtinore (arkivore), duke pasur në themel vetëm kriterin e së vërtetës. Të bën përshtypje fakti që një inxhinier i talentuar në profesionin e vet, i ka hyrë me mjaft pasion, me mjaft përkushtim intelektual, zbardhjes së të vërtetave historike për periudhën e lartpërmendur.

Nga një intervistë që i ka dhënë Revistës “Kuvendi”, lexuesi njihet me rrugën e brumosjes së Mërgim Korçës që në moshë të njomë me një moral të lartë kombëtar në mjedisin e familjes së tij. Ai shkruan:

“Që në fëmijëri, im atë më ka pasë mëkuar dashurinë për Atdheun, krenarinë kombëtare si edhe njohjen e së kaluarës historike e gjithashtu edhe përpjekjet e rilindasve për gjuhën tonë të bukur shqipe. E si të mos më nguliteshin këto gjëra në kokë tek më jepte detyra shtëpie të mësoja përmendësh vargjet e Lahutës, poezitë e Nolit, bukolikat tejet atdhedashëse të Naimit e nga ana tjetër dëgjoja pastaj nga goja e Mid’hat Frashërit apo Mustafa Merlikës se si flisnin për Kongresin e Manastirit, si edhe përpjekjet e tyre lidhur me gjuhën e shkruar shqipe… Po gjithashtu e kam të qartë vrullin, me të cilin fliste Qazim Koculi me krenari të madhe kombëtare rreth flakjes në det të forcave italiane më 1920” (“Histori të pashkruara”, f. 158).

Kuptohet vetvetiu që Mërgim Korça ka shkelur në sinoret e historianëve të brumosur keq me ideologjinë komuniste, nga e cila nuk mund të shërohen dot derisa të vijë koha për të shtegtuar në botën e përtejme. Për këtë kategori historianësh, që e trajtojnë historinë si “pronë të tyre”, Prof. Ardian Ndreca, në parathënien e librit të dytë (f. 7), ka bërë një vlerësim bukur të qëlluar:

“Qarqet e vjetra të inteligjencies ish-zyrtare që përbajnë shumicën e historianëve shqiptarë, shohin me përbuzje çdo përpjekje me u fut në territorin e tyre, i cili trajtohet si ekskluziv dhe i paprekshëm”.

Historia e periudhës së sundimit komunist vërtet duhet rishkruar, por vetëm duke e vendosur atë në shtratin e së vërtetës, ashtu siç është munduar ta vendosë intelektuali i shquar Mërgim Korça. Në të kundërt, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një vend larg qytetërimit. Sepse e vërteta, - thotë shkrimtari, publicisti dhe filozofi francez Alber Kamy (Albert Camus - 1913-1960) është i vetmi përparim i qytetërimit.

Historia në fjalë duhet rishkruar sidomos për dy arsye kryesore:

Së pari, që shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare të kuptojnë dhe të binden për fjalët profetike që prifti ortodoks Imzot Irne? Banushi (1906-1973) i pati thënë dikur inxhinierit Mërgim Korça:

“…armiqtë tanë shekullorë, sllavët, e organizuan komunizmin në Shqipëri pikërisht për të na gëlltitur si komb” (“Histori të pashkruara”, f. 228).

Së dyti, që shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, ta kuptojnë dhe të bëhen të ndërgjegjshëm plotësisht për pasojat tragjike të organizimit të komunizmit në vendin tonë. Sepse në këtë mënyrë do të vetëdijësohen plotësisht për trashëgiminë kriminale të veprës së Enver Hoxhës, i cili, si i dështuar ndërmjet bashkëkohësve të tij gjatë viteve të qëndrimit në Francë, filloi të vuante nga kompleksi i inferioritetit, çka e bëri që, kur erdhi në pushtet, të shikonte rreth vetes vetëm armiq.

Prandaj, me shumë të drejtë, Mërgim Korça shtron pyetjen:

Po ç’la prapa Enver Hoxha? Dhe përgjigjet:

“Kjo është edhe fatkeqësia edhe më e madhe: … është lënia e shqiptarit në mes të katër udhëve. Morën arratinë shqiptarët për pak bukë, për pak mirëqenie. Gjysmë milioni përballen përditë me trusninë e ndërrimit të fesë, të detyruar nga nevoja që si lëmoshë Qiries grek t’ia shesin lirë, më lirë nga të tjerët, krahun e tyre të punës, qoftë edhe në Janinë, në Janinën e Ali Pashait. Nuk u vjen turp atyre? Jo, nuk u vjen, se aty i katandisi diktatori. Po ato vajza shqiptare që detyrohen dhe nderin e tyre e shesin rrugëve të Evropës, nuk kanë sadopak turp? Jo, nuk kanë, se diktatori i dogji në turrën e druve kanunet tona të vjetra e kështu e preu me sëpatë trashëgiminë morale që vajzat tona kishin nga vajzat Suljote” (po aty, f. 112-113).

Më lart u tha se historia e periudhës komuniste duhet rishkruar. Por a do të jetë e lehtë për ta realizuar një gjë të tillë, duke e ndarë atë nga politika? Kjo do të jetë një ndërmarrje e vështirë, për arsyen e thjeshtë se duhet të ketë në themel të vërtetën. Sepse, siç thotë Alber Kamy, “nuk ka të vërtetë të mos mbartë në vetvete ashpërsinë e vet”. Sepse e vërteta do t’ia heqë petët “lakrorit” komunist që gatoi Enver Hoxha dhe këtë, së bashku me kriminelë të tjerë rreth tij, do t’i demaskojë në një mënyrë të pamëshirshme në sytë e mbarë kombit shqiptar. Gjithsesi, kanë filluar të hidhen hapat e para drejt së vërtetës historike. Hapa të tillë janë vënë re në veprat e mjaft penave të talentuara, si Profesori i mirënjohur i historisë Rasim Bebo, Mërgim Korça, dr. Vasfi Baruti, Enver Lepenica, Kastriot Dervishi, Pjetër Pepa, Kostaq Xoxa e të tjerë.

Le të shpresojmë që të vijë një ditë kur e vërteta, duke mbetur jashtë rrethojave të politikës, të marrë statusin që i takon dhe të bëhet “kryezonjë” e historisë sonë kombëtare edhe në mjediset e Akademisë së Shkencave. Le të shpresojmë që të bëhen realitet fjalët e Shtjefën Gjeçovit (1873-1929), i cili thoshte:

“Kur të binden shqiptarët se të gjithë janë të një Gjaku, Gjuhe dhe Ideali, nga një anë, e kur mes tyre të mbizotërojë Njerëzia, Vëllazëria, Besa dhe Mirënjohja, nga ana tjetër, atëherë atyre s’kanë ç’t’u bëjnë armiqtë” (Vilhelme Vranari Haxhiraj, vepër e cituar, f. 142).

Dritëro Agolli : “Mos vdis!”




Nga Flori Bruqi


Image result for dritero agolli



Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 ne Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme "Zëri i popullit", dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet'60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një "gjuhe të vogël", ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet '60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për "rreptësinë" e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e "un-it", përkundër poezisë së "ne-ve", që shkruhej "për të bashkuar masat". Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një semundje kronike në mushkri. Ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare.


Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.). Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).

Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri. Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”

Tituj të veprave

Në rrugë dolla, 1958

Hapat e mia në asfalt, 1961

Zhurma e erërave të dikurshme, 1964

Shtigje malesh dhe trotuare, 1965

Mesditë, 1968

Komisari Memo, roman, 1969

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, roman 1973

Nënë Shqipëri, 1974

Njeriu me top, 1975

Fjala gdhend gurin, 1977

Trëndafili në gotë, roman, 1980

Fytyra e dytë, dramë

Mosha e bardhë, dramë

Udhëtoj i menduar, 1985

Njeriu i mirë, tregime
Kalorësi lakuriq, roman - 1996
Arka e djallit, roman - 1997
Teshtimat e lirisë : njeriu, politika dhe kultura - 1997
I përndjekuri i dashurisë, poezi - 2013
Prit edhe pak, poezi - 2016


Image result for dritero agolli


Mos vdis”, është një ndër poezitë më të mira të tij, e cila po shpërndahet masivisht në rrjetet sociale menjëherë pas mësimit të lajmit se Dritëro Agolli ndërroi jetë. Por në rrjetin social të facebook, dhimbja për humbjen e shkrimtarit është shprehur duke vendosur vargjet epitaf, “Këtu s’do jem më”, duke hedhur edhe videon e këngës, nga është marrë frymëzimi.

Sadije-Agolli-473x380

“Mos vdis”



mos vdis, se pas shirave arën e mbushi bari,

ka rënë në ullishte mizë e ullirit.

hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali

dhe ende s’ka dalë nga plisi kërcelli i misrit.

ne ëndërronim të bënim një anije,

kurkush s’e mendonte me ç’dru do ta ngrinim,

kishim ndërmend ta ndërtonim me degë hardhie

dhe vela t’i vinim.

bodrumet e saj t’i mbushnim me poçe me verë

dhe të lundronim në ishujt e Havajës;

ta pinim verën me vajzat e ishujve në belvedere,

zezaku të bënte fresk me fletën e palmës.

mos vdis se kalit i ra në vrapim një patkua

dhe nisi ta ngrejë nga dhimbja këmbën e parë;

kërkojmë patkonj e s’na jep njeri hua,

s’e gjejme as nallbanin e marrë.

ne ëndërronim të shkonim në hipodromë,

në vende të lumtura ku mundën me kuaj,

tani dhe kali çalon e s’na ha as barin e njomë;

me sy si gota na sheh si të huaj…

mos vdis, se dielli në oborr e ka shtruar sofrën e madhe

dhe presim të vijnë vajzat të gjitha,

të gjitha ato që ti u thoshje “sorkadheve”,

kur grisnin fustanet në driza.

mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë

është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh!

ne ëndërronim një vdekje më të mirë:

duke vdekur, fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës.

Agolli

Nga poezitë e fundit

Dalëngadalë

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:

Në oborr u tha në fillim një dardhë,

U shterr dhe pusi i madh tek avllia,

Ku kishte koliben qeni i bardhë.



Dhe vdiqën njëri pas tjetrit

Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna ;

Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit

Tek bulevardit zvarris këpucët e ngrëna .



Kështu , më i vjetri nga fisi jam unë

Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,

Por ka dhe të tjerë, madje edhe shumë,

Që thonë:”Ende ky gjallë”?



Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,

Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!

Kur gripi më ze, i ngrenë veshët

Dhe bëjnë sikur u vjen keq:”Vërtet i sëmurë”?




Ta mburrim njëri -tjetrin

Sipas B.Okuxhavës

Pa ejani ta mburrim njëri-tjetrin

Dhe mos kursejmë as fjalë lavdërimi,

T’ia bëjmë shoku-shokut komplimentin

Në çaste dashurie dhe pendimi.



Pa ejani dhe çiltërisht të qajmë

Ku veç e veç dhe ku me shoqërinë,

Mëri për fjalët sharëse mos mbajmë,

Se dashuria fqinje ka mërinë.



Pa ejani,dhe gjysmë fjale qoftë

Për ne pendim,pajtim dhe marrëveshje:

Që kush gaboi , më tutje mos gaboftë,

Nëse kupton se jeta ka një vdekje.


Agolli ne UET


Këtu s’do jem

Këtu s’do jem, do jem larguar,

Në tokë i tretur si të tjerët,

Në kafenenë e preferuar

Nuk do më shohin kamarierët.



Dhe nëpër udhët ku kam ecur

S’do ndihet kolla ime e thatë,

Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur,

Nje qipariz si murg i ngratë.



Ti do trishtohesh atëherë,

Se s’do më kesh në dhomë gjallë,

Dhe kur në xham të fryjë erë,

Do qash me erën dalëngadalë.



Por kur të jesh mërzitur shumë,

Në raft të librave kërkomë,

Aty i fshehur do jem unë,

Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.



Mjafton që librin pak ta heqësh,

Dhe unë do zbres, do vij pas teje

Ti si dikur me mall do qeshësh,

Si një blerim pas një rrëkeje.




Korbi dhe dhelpra

(Fabul)

Kish marrë shoku Korb pak djathë

Dhe po e hante në një degë peme.

Andej kaloi një dhelpër fustangjatë

Dhe shpejt qëndroi të bënte thashetheme.

Filloi t’i thurë lajka dhe ta prekë,

T’i flasë si dikur për bukurinë,

Po Korbi djathin vuri në një degë

Dhe heshti si strateg me pelerinë.

Pastaj i tha: – Ti kot i bie legenit?

Kërkon ta marrësh djathin tim të bardhë

Po gjuha jote është e La Fontenit

E përsëritur mot për mot me radhë.

Me përralla s’më gënjen, moj shoqja Dhelpër,

Se përrallat i mësova edhe unë,

Ka ikur e mbaruar gjuhë e vjetër,

Tani ka veç veprim konkret dhe punë.

Jetojmë shekullin e mendjes dhe progresit,

Kërkojmë shkencën, hopin cilësor

Dhe s’dergjemi në diellin e mëngjesit,

Teknika çan me hapin madhështor.

Më bëj një nder se ta jap vetë djathin;

Ti miq ke shumë e miq për shokët fut

E kam të talentuar djalin,

Përpiqu ta dërgojmë në Institut.

Dhe mos u merr me plakun La Fonten,

Me La Fontenin djathin nuk e gjen!

Flutura Açka: Letërsia nuk mund të qortohet…

“Si e gjithë vepra ime, edhe ky roman e ka një angazhim social. Unë nuk do t’ia pranoja vetes rolin e një historishkrueseje të rëndomtë; po të doni rrëfenja, lexoni përralla. Ky është një libër për Atdheun, një qëndrim personal si qytetare që zotëron një medium të fuqishëm për ta thënë fjalën e saj, një akuzë ndaj kohës dhe përçudnimit të shanseve që liria na dha. “Kukullat” janë metafora në funksion të këtij qëndrimi. Shihni andej e këtej kufirit ku jetojnë e qeverisin shqiptarët, hidhini një sy çfarë po i bëjmë Atdheut? E zhveshëm nga pyjet, ia shkatërruam lumenjtë, ia vramë zogjtë, ia zumë tokat me fjetore, iu çakërdisëm banorët me dhunë nga ekranet, i polarizuam në ekstrem prej një tufe politikanësh të papërgjegjshëm që na drejtojnë. Cili Atdhe nuk dhemb pas kësaj? Kjo nuk është një retorikë patriotike boshe, por një dhembje për gjeneratat që vijnë, dhe të cilave nuk u kemi lënë më Atdhe, ose më mirë një Atdhe të shfytyruar”.



Intervistoi: Vera Pelaj

Zonja Flutura, ju jeni shkrimtare, poete dhe botuese e njohur në letërsinë tonë shqiptare dhe në fushën e botimeve. Ndër krijimet tuaja më të njohura, do të veçoja romanin “Ku je” dhe “Kukullat nuk kanë Atdhe”. “Ku je?”, është roman që i kushtohet Drita Çomos, vajzës së një ish-funksionareje në kohën e Enver Hoxhës. Ndërsa, ju jeni e para që keni shkruar për të. Cili ishte motivi që ju shtyri të vëni në pah jetën e Drita Çomos?

Unë jam nga të pakët njerëz (jashtë familjes) që kam pasur mundësi të shfletoj ditarin e plotë të saj, pasi pjesa e botuar e tij nën titullin “Dritë që vjen nga humnera”, është vetëm një fragment i shkurtër. Kjo ka ndodhur vite më parë, diku nga fundi i viteve 90-ta, dhe qysh atëherë më la mbresë të thellë. I lidha ëndrrat e Drita Çomos me veten time, dëshirën e saj për t’u bërë shkrimtare, pa mundur dot kurrë të bëhej. Ishte po e njëjta përpjekje që kisha gjetur tek vetja vite të tëra, duke përmbajtur ëndrrat e mia, në kushtet e një robërie, siç ishte diktatura shqiptare. Drita Çomo është një nga karakteret e romanit tim të katërt “Ku je?”, roman i vendosur në vendlindjen time, në Elbasan, hartë ku është endur edhe vetë ajo. Fare pak kohë pas botimit të “Ku je?”, u publikua edhe “E penguara” e Kadaresë, që ka në qendër pakashumë të njëjtin personazh të inspiruar nga i njëjti njeri, me aq sa mund të lejojë letërsia që realiteti të bëhet pjesë e saj. Ishte një rastësi që mund ta dëmtonte Ira Gjormin (Drita Çomon) time, por asgjë nuk ndodhi, përkundrazi u lexua edhe më me etje, që do të thotë se zgjedhja ime nuk kishte qenë e gabuar dhe kjo ngaqë Drita Çomo është një figurë e pasur; si e tillë mund të frymëzojë edhe shkrimtarë të tjerë më pas.

Jeni dëshmitare e epokës së skëterrshme të diktaturës, pre e së cilës është dhe personazhi juaj. “Ku je?”, është thirrje, pyetje, apo bëhet fjalë për ndonjë nocion tjetër të fshehur?

“Ku je?” është një vaj, një thirrje më e thellë se një pyetje e thjeshtë që të vjen nga të lexuarit rrafsh të titullit. Në krye e kisha titulluar “Kuja”, çka do t’i ngushtonte kufijtë romanit. Ndaj e ndryshova, pasi jam e bindur se e ka edhe ngarkesën e vajit ku doja unë të mëshoja me titullin tim të parë. Secili prej nesh, një çast i vetmuar e bën këtë thirrje, që mund të jetë ndaj gjithçkaje munduese e munguese që kemi, ndaj kujtdo për të cilin na zë malli, i gjallë ose i vdekur qoftë. Është thirrja më e rëndomtë e jona, madje më e shpeshta e bisedave tona telefonike, por njëherësh, më e thella në çastet tona të humbjes. “Ku je?” është thelbi i romanit dhe, kur e lexon, e kupton se çdo titull tjetër do të ishte më pak i nevojshëm.


Keni qenë redaktorja e ditarit të Drita Çomos, i keni ndjerë njëkohësisht edhe përjetimet e saj, ndërkohë që në romanin tuaj ka shumë personazhe, por duke iu referuar kohës, nuk dalin personazhe negative? Është ky justifikim, apo përpjekje për ta shpjeguar ndjenjën njerëzore?

Nuk e di nëse kjo është e qëllimtë në roman, pavarësisht një angazhimi social që mund të ketë shkrimtari në të shkruarit e një vepre, ajo mbetet produkt shpirtëror pa skllavërime që vijnë nga qëllime të caktuara. Ndaj, një vepër e vërtetë letrare është, para së gjithash, produkt i spontanitetit. I tillë është edhe ky roman. Duke e njohur se sa e rëndë është tema që lidhet me vitet e errëta të diktaturës, unë e ndryshova perspektivën e romanit, e lashë në roman të plotë absurdin e asaj kohe dhe shpesh ti qeshë me ngjarjet që ndodhin dhe, madje, bëhesh pjesë në këtë lojë. Ndryshe, romani do të ishte i lodhshëm, veçmas për një brez të ri, i cili është ftohur nga letërsia, por edhe më, ka një neveri ndaj veprave me motive të kohës së diktaturës. Mbase është i lodhur nga ripërtypja e gjatë që i bëjnë prindërit atyre asaj kohe, të cilët e kanë jetuar me të gjithë dramën e saj dhe, mbase, do të vdesin me tatuazhin e saj në trup. Unë nuk doja të bëhesha moraliste, të nxirrja konkluzione, të merrja anë politike. E lashë ngjarjen të rrjedhë siç kishte ndodhur, siç e kam përjetuar unë atë kohë. Por është ende triler, por një triler i furnizuar shumë nga e vërteta e jetuar. Ka shumë nga fëmijëria ime, nga njerëz të dashur që më rrethonin e që kam takuar, prania e të cilëve e bëri diktaturën të dukej më pak e egër për sytë e një fëmije e më pas të një vajze të re si unë. Këta njerëz të dashur na mbrojtën nga e liga, ndaj dhe ky roman ka këtë qasje që ju vëreni. Egërsinë e kohës ju e lexoni kudo, por më parë duhet të eksploroni fatet dhe përditën e karaktereve që e jetojnë atë.

Romani juaj i fundit “Kukullat nuk kanë Atdhe”, u vlerësua shumë, madje u shpall edhe romani më i mirë i edicionit të 15-të të Panairit të librit në Prishtinë. Pse iu mungon Atdheu kukullave tuaja dhe, edhe kur iu mungon, gjithkund Atdheu i tyre është me shkronjë të madhe?

Po, më vjen mirë që e keni vërejtur. Si e gjithë vepra ime, edhe ky roman e ka një angazhim social. Unë nuk do t’ia pranoja vetes rolin e një historishkrueseje të rëndomtë; po të doni rrëfenja, lexoni përralla. Ky është një libër për Atdheun, një qëndrim personal si qytetare që zotëron një medium të fuqishëm për ta thënë fjalën e saj, një akuzë ndaj kohës dhe përçudnimit të shanseve që liria na dha. “Kukullat” janë metafora në funksion të këtij qëndrimi. Shihni andej e këtej kufirit ku jetojnë e qeverisin shqiptarët, hidhini një sy çfarë po i bëjmë Atdheut? E zhveshëm nga pyjet, ia shkatërruam lumenjtë, ia vramë zogjtë, ia zumë tokat me fjetore, iu çakërdisëm banorët me dhunë nga ekranet, i polarizuam në ekstrem prej një tufe politikanësh të papërgjegjshëm që na drejtojnë. Cili Atdhe nuk dhemb pas kësaj? Kjo nuk është një retorikë patriotike boshe, por një dhembje për gjeneratat që vijnë, dhe të cilave nuk u kemi lënë më Atdhe, ose më mirë një Atdhe të shfytyruar.

Në qasjen e së vërtetës mbi subjektin e këtij romani shquhet një veçori tejet filozofike, që ka të bëjë me numrat: pse kukullat tua kanë numra dhe s’kanë emra?

Përtej metaforës, për të cilën ju fola, unë doja që ky roman, jo vetëm të lexohej (dhe për fat të mirë është lexuar nga mijëra lexues deri tani), por të mbahej mend, siç mbahen mend të këqijat që të kujtojnë të mos i përsëritësh. Lexuesi nuk do ta mbante mend librin nëse do t’u kisha dhënë emër kukullave të mia. Lexuesi nuk mund të harrojë lehtë Kukullën 13, Kukullën 6 dhe i identifikon fare lehtë kukullat e këtij libri, edhe kukullat meshkuj, edhe pse këto i kam lënë me emër. Ky është pozicioni i gruas shqiptare në shoqërinë tonë, ai i kukullës. Kështu na shohin dhe kështu shpesh kemi dëshirë të jemi. Shqetësimi më i madh i grave shqiptare sot, është si të duken më bukur para burrin që duan, ndryshe janë të kërcënuara nga braktisja, ajo shpirtërorja më shumë. Këtë atmosferë unë e kam etiketuar “shturje sociale”, diçka është prishur në thelbin e raporteve tona dashurore, një ndjesi mosbesimi na i ka bërë marrëdhëniet tona më vulnerabël, dhe ne vetë shumë më të prekshëm nga sindroma e mosbesimit. Kjo është stuhia që vjen bashkë me lirinë. Çështja është: si sillemi ne me mundësitë që na jep liria.

E shfaqni një realitet të egër jetësor në kryeqytetin e Atdheut, i cili është i frikshëm dhe kukullat që marrin frymë, e kanë të pamundur t’i realizojnë ëndrrat e tyre pa devijime deri te caku. Ju, përmes zhanrit artistik, romanit, e ndjeni që e keni arritur qëllimin e mesazhit tuaj?

Nuk e di. Letërsia nuk mund të qortohet pse nuk i ndryshon fatet, sepse ajo nuk diktohet, por vjen vetë si nevojë, si një shkarkesë, edhe në qiejt e ngarkuar të kohëve të reja shqiptare. S’mund t’ia kërkosh letërsisë atë që s’është detyrë e saj, por mund të qortohet nëse është e shkujdesur me këto fate. Por, edhe kjo varet nga autori, nga natyra; ka mes tyre të angazhuar me shoqërinë dhe shqetësimet e saj, ka nga ata që nuk e lidhin letërsinë me atë çfarë i rrethon. Letërsia ecën me një ritëm ndryshe nga historia, nga vetë shoqëria, sepse ka nevojë që perceptimet e saj të kalojnë filtrin e maturuar të reflektimit. Të shkruash për kohën në të cilën jeton, është një kurth i madh, sepse mund të biesh lehtë në gabime që vijnë nga përputhja e kohës së shkrimit me kohën kalendarike. Unë besoj se “Kukullat nuk kanë Atdhe” kanë mundur ta shmangin këtë përplasje dhe ia ka dalë të japë atë mesazh që unë projektova në mendje tek e shkruaja.

Është thënë se romani përmban edhe elemente të pornografisë. Janë këto, vërtet, elemente pornografike apo shantazhe ndaj kukullave pa Atdhe? Përse keni zgjedhur figurën e një zhigoloje, si viktimë të të tjerëve dhe, njëherësh, si hero të mbijetesës së unit…?

E kam dëgjuar ndonjëherë këtë çështjen e elementeve të pornografisë, që natyrisht vjen nga lexues që lexojnë rrafsh, ose mbase vetëm ato faqe që ata mendojnë se janë të tilla. Nëse flitet kështu për romanin tim, do të thotë se ata nuk e njohin pornografinë, sepse, letërsinë jo se jo, dhe ndonjë element i tillë në roman, është vetëm për efekt letrar, jo për vëmendje dhe kurthe leximi. Unë nuk mund të merrem me kufijtë e moralit, me kodet, të cilat në sytë e mi janë vetëm forma të diktatit. Letërsia është si kozmosi, pa kufi. Asnjëherë në letërsi nuk mund të thuhet: kjo është shumë pornografike, kjo është shumë vulgare, kjo është shumë lirike. Nuk ka “shumë” në letërsi, sepse nuk ka matësa për këtë. Nëse ka, ato janë sajesa të moralit njerëzor, për kufijtë e të cilit unë kam dyshimet e mia. Figura e Zhigolos nuk ka qenë e trajtuar në letërsinë tonë më parë, besoj, as edhe shumë tema dhe subjekte që, nisur nga natyra ime dhe e shkrimit tim, për mua nuk bëjnë befasi, siç ndodh me shumë lexues që kanë lexuar “Kukullat nuk kanë Atdhe”. Dhe kjo është e kuptueshme; fundja një libër është argëtim, por kur ai sjell një shkallë të re emancipimi të shoqërisë, përse të mos e bëjë?!
Figura e ‘burrit’ në letërsinë tuaj, priret drejt përfektes, aq sa duket se edhe të metat e tij, nga pena jote marrin një lloj vlere unifikuese me vlerat e nocionit tuaj për burrin. Përballë Mond Shpalit dhe Ed Zagorisë, vjen një personazh i ‘lloji’ thuajse i frikshëm, i neveritshëm dhe, në fund, vrasës. Pse kaq i suksesshëm ky lloj personazhi në Atdheun tonë…?

Është e trishtueshme të arrish në këtë përfundim, por kjo është e vërteta. Është modeluar figura e një burri në thelbin e të cilit vërehet vetëm ethja për para, produkt i një pasurimi të shpejtë që vjen më së shumti nga të qenit pjesë i sistemit të korruptuar shoqëror. Siç e thashë, e gjitha kjo erdhi nga korruptimi i lirisë, dhe ky është rreziku më i madh që ka shoqëria e sotme dhe, jo vetëm ajo shqiptare. Tek shoqëria shqiptare ajo është në ekstremin e vet, pasi ka terrenin e duhur prej mentalitetit, traditës, pasigurisë, mosveprimit të ligjit, shkujdesjes dhe, mbi të gjitha, nga shpërfillja e detyrës së parë të secilit prej nesh: Të lemë mundësira edhe për gjenerat që vijnë. Ne jetojmë një kohë kaosi të thurur prej nesh. Dhe në epiqendrën e këtij kaosi, është modeli i këtij burri si Vokërr Delia dhe modeli i gruas homologe me të. Por ka edhe burra “të bukur” të cilët e meritojnë kujdesin tim si karaktere në roman, por edhe dashurinë time dhe mirënjohjen time në jetën reale. Të tillë burra, unë kam patur fatin të takoj; kjo mbase më ka bërë më pak feministe, si grua, dhe më pak të pozicionuar në gjini, si shkrimtare.

Për lexuesit, të cilët nuk e njohin realitetin e kryeqytetit të atdheut, mendoni se e kanë të vështirë ta kuptojnë edhe romanin?

Nuk e besoj, por gjithsesi ky nuk është shqetësimi im. Lexuesi, kushdo qoftë ai, lexon ngjarjen, si shkëmbim të realitetit. Nëse e njeh edhe realitetin mbi të cilin ngrihet realiteti fiktiv, aq më mirë. Kjo ka ndodhur me shumë lexues, të cilët janë tronditur. Shumë prej tyre më kanë shkruar të shqetësuar, se si e shihnin përditë se diçka nuk shkonte para syve të tyre, por iu desh “Kukullat nuk kanë Atdhe” për ta kuptuar se çfarë. Dhe fundja, kjo është detyra e letërsisë, të raportojë ndjesi të deleguara prej të tjerëve, ta bëjë të dukshme atë çfarë njeriu e ka dhe nuk e sheh shpesh nga shkujdesja, por shpesh ngaqë nuk di se si ta shohë. Letërsia di ta bëjë të lehtëperceptueshme.

Për një shkrimtare, si është të pihet një kafe në kryeqytetin e kukullave?

E mërzitshme, ka shumë show dhe pak qenësi në gjithë këtë kaos. Ajo, shkrimtarja, pi rrallë e më rrallë kafe nëpër bare…

Për juve, është më e dashur poezia apo proza?

Janë dy gjendje të ndryshme të muzës sime. Poezia është dhembja ime, por proza – fryma ime. Dhembjen nuk do ta ndieja, nëse nuk do të frymoja, por edhe po të mos e kisha dhembjen, do të thoshte se nuk frymoja, pra nuk jam e gjallë. Janë si dy të dashur, që shpesh grinden mes tyre se cili do të më posedojë, ngaqë e dinë se nuk kam zgjedhje mes tyre.

Veç tjerash, jeni edhe botuese e një shtëpie prestigjioze në viset shqiptare “Skanderbag Books”, ku keni sjell në gjuhën shqipe edhe veprat e nobelistëve, siç është Orhan Pamauk. Madje, autorin fizikisht e keni sjellë edhe në Shqipëri. Sa e vështirë është për një botuese të realizohen të gjitha këto?
Nuk është e lehtë, veçmas në një shoqëri për të cilën ti je një kukull, si të gjitha gratë e tjera, që janë pak të besueshme të jenë të barabarta me burrat në punëra të tilla. Flas në krye, por nga ajo kohë kanë kaluar 25 vite, mjaftueshëm për t’i mbijetuar këtij asimilimi gjinor. Kanë qenë vite të vështira, dhe në vite të ngarkuara me ngjarje të shumta politike, siç janë ato të tranzicionit shqiptar, libri është hallka më e dobët në zinxhirin shoqëror. Në zërin e financave të shtetit shqiptar, është pothuajse i papërfillshëm, po kështu në buxhetin e varfër të familjes shqiptare, është thuajse periferik. Për shqiptarët libri është ende luks dhe, sa të jetë i tillë, botuesit shqiptarë do të mbeten vetëm idealistë. Personalisht nuk botoj shumë tituj që të kërkoj mirënjohje nga tregu i librit, por kam botuar libra të mirë, më mirë të them, autorë shkëlqyer, autorë të shijeve të mia të cilët nuk i njihte biblioteka shqiptare, por që kanë arritur pas kaq vitesh të vijnë tashmë me kolanë të plotë dhe me lexues të sigurt. Autori e sjell veprën dhe, bashkë me të, edhe lexuesin. Kjo është motoja e “Skanderbeg


Ne sjellim autorë, autorët sjellin veprat.

Sa ia vlen në ditët e sotme të shkruhet, të përkthehet dhe të botohet?

Ti nuk nisesh nga kjo shtysë; po ta bësh këtë, më mirë zgjidh një profesion tjetër. E kam fjalën si botuese. Ndërsa si shkrimtare, kjo nuk është dilemë. Ti shkruan, sepse ke nevojë të shkruash. Madje, në syrin tim, shkrimtarët janë në radhët e artistëve më fatlumë, sepse kanë një mjeshtri që është shumë individuale. Ti dhe vepra jote përballë njëri-tjetrit; çështja e publikimit është një fazë e dytë dhe nuk është vendimtare për raportin tënd me talentin tënd. Pa mendoni aktorët, muzikantët, të cilët më së shumti janë të detyruar të performojnë në një komunitet të caktuar, fijet mes elementëve të të cilit është shumë e vështirë t’i lidhësh, t’i mbash në baraspeshë dhe ta bësh të suksesshëm ansamblin e tyre. Shkrimtari ka nevojë vetëm për vetveten për të bërë artin e tij dhe ky është një fat i madh, që nuk varet se në çfarë ditësh jeton ai. Fati ose pafatësia lidhet vetëm me mundësitë e botimit, por ky është një diskutim i gjatë e që kërkon kohë.

Ç’ka pas “Kukullat nuk kanë Atdhe”?

Mbase poezi. Tanimë po punoj me një tekst historik, i pari imi i kësaj natyre. Është sa joshëse aq edhe e lodhshme, sepse ndryshe nga një rrëfim tërësisht i trilluar, siç u tha deri tani, ky është një roman i mbështetur në fakte historike dhe përgjegjësia është pjesë e tij.
Diçka për fund të kësaj bisede?
Po ja, e kam borxh një libër për Kosovën, për Prishtinën, të cilën kam nevojë ta njoh më mirë, edhe pse kam vite që vi pareshtur. Nëse do të më shihni ndonjë ditë rrugëve të Prishtinës, besojeni se unë kam vendosur ta shkruaj atë libër.

“Shukriu? Kemi ministra me nga 4 dashnore dhe prostituta në Bllok”


Image result for flutura acka

Nga Flutura Açka

U morët me ditë të tëra me fushatën e shukrizimit, i latë punë e zanat, siç bëni përherë duke iu bashkuat parodisë së shëmtuar shqiptare, që shpesh e më shpesh na beft enkas për t’u hutuar nga gjërat esenciale.


bllok


U morët me poturet, dhe jo me ato poshtë potureve që drejtojnë, në të vërtetë, vendin tonë me një dhunë autokratike të paparë në këta 25 vite.

U morët me brimën e potureve, dhe jo me brimën e xhepave tuaj të shpuar, që po ju hapet përditë e më shumë nga varfëria.

U morët me fjalët banale dhe të krupshme të dialogut rruspane-rruspi, por jo me thelbin e fjalës së tij: “Do të hap një galeri pikturash.” Kështu tha ai: Me një llaf do t’i bëj rrush e kumbulla paret e qytetit tim. Kjo duhet t’ju kishte shqetësuar, ky trend për art kallp mbi një varfëri ekstreme e tronditëse.

Eh fundja, ai është vetëm buloni më i parëndësishëm i kësaj Qirtoreje të madhe me emrin shtet, që kemi ngritur në emër të demokracisë. A nuk është keshtu? A nuk kanë ministrat tanë, mbase, secili nga disa dashnore? Një ministër u pushua dikur sepse nga tabulatet e telefonave i dolën 4 copë të dashura që i mbante me paratë e shtetit. A nuk e dimë ne se politikanët tanë i kanë të nënkuptuar të lëvizin çdo herë me escort-girls? Pyesni bodygardët e tyre “të kërcënuar të heshtin për vdekje” dhe do ta shihni se panorama e shtetit të ndërtuar mbi seksomaninë, është mënyra e funksionimit të tij.

A nuk janë ca nga profesorët tanë të nderuar, edhe pse shpesh me prostatë, të darovitur shpesh me të tillë ëmbëlsirë për një provim?

A nuk e hedhin syrin shefat e redaksive shpesh te vajzat e reja studente që aspirojnë të jenë gazetare të pavaruara; shumë prej tyre ngaqë vendosin të mos hyjnë në këtë “provim” nuk bëhen kurrë gazetare, edhe pse mund te jenë të talentuara? A nuk kemi ne në mes të Tiranës te blloku rreth 2000 prostituta, ma të bukurat e dheut, të gatshme për të shërbyer, të cilat kanë sekserë personalë?

A nuk është bërë propogandë publike për punësime “vajzat të reja të pamartuara”, pasi janë më në dispozicion të punëve të shtetit? Nuk e di se si ju duket juve, por mua më bie erë, edhe pse e thënë pa ndonjë sherr dhe qeder të madh. Pse bëni sikur nuk i dini, dhe merreni me shukri-ziun?

Ku kemi katandisur, o Zot! Duhet një ligj i rreptë, shumë i rreptë, mbi intimidimin seksual në shtet dhe administratë kudoqoftë, shtet e privat, dhe të shënohet në kontratën e punës ky kusht, që duart e këtyre pushtëve të rrinë larg, që vajzat të shkojnë pa frikë të trokasin në dyert e shtetit.

Pse shqiptarët janë kaq pesimistë për vendin e tyre?




Pse shqiptarët janë kaq pesimistë për vendin e tyre? Përse janë gati në të urryer në lidhje me të? Pse është kjo ideja masive e braktisjes së vendit për t’u përshtatur në mënyrë perfekte në vendet e tjera, pa asnjë dëshirë për rikthim?

Këto janë pyetjet që mundojnë çdo shqiptar, por kjo pikëpyetje është hedhur në rrjet, në faqen më të madhe të pyetje-përgjigjeve në botë, në Quora.

Dhe një amerikan ka dhënë një përgjigje, që duket se i ka pëlqyer rrjetit.

Më poshtë përgjigjia:

“Fillimisht, vendi juaj nuk ka e ka njohur lirinë nga shtypja përveçse vitet e fundit, prandaj ka kuptim që e keni moralin e ulët. Fillimisht romakët, bizantinët, më pas otomanët, nazistët, më pas 40 vite komunizëm nën Enver Hoxhën. Shqipëria ka qenë gjithmonë nën shtypjen e fuqive më të mëdha ose të korruptuara. Që prej rënies së komunizmit, Shqipëria akoma po merret me qeveri shtypëse, të korruptuara, të mbushura me skandale dhe krime. Dhe, që nuk kanë kurrfarë kujdesi për njerëzit e tyre.

Së dyti, pavarësisht raportimeve të qeverisë shqiptare, papunësia është shumë e lartë. Thuajse gjysma e gjithkujt që njoh në Shqipëri, nuk kanë një punë. Nëse sheh një të moshuar ose një grua që rrëmon në plehra për të mbijetuar, e kupton se gjendja është e rëndë. Dhe, nëse je nga ata persona me fat që ka një punë ose një biznes, niveli i taksave është kaq i lartë dhe pagesat janë kaq astronomike, sa mbetet shumë pak për punëtorin apo për pronarin. Shumica e bizneseve në Shqipëri nuk rezistojnë për një kohë të gjatë dhe përgjithësisht falimentojnë pa mbushur një vit.

Së treti, nuk ka mundësi. Ndoshta disa biznese, por nuk ka fabrika, punishte, kompani të huaja, asgjë. Shumica e gjërave importohen në vend. Njoh shumë shqiptarë që janë të mirëedukuar dhe kanë diploma të mira, por nuk gjejnë punë, pasi nuk ka punë. Edhe nëse ka mundësi, vendet e punës mbushen me njerëz që paguajnë për atë vend. Ka shumë marrëveshje që bëhen nën tryezë. Korrupsioni ka depërtuar shumë thellë në popullsi.

Dhe së fundmi, kur sheh imazhet e një jete më të mirë jashtë vendit, në televizor, filma apo foto, ose dëgjon histori, nuk është e vështirë të bësh krahasimin. Dhe fakti është se jeta në shumicën e vendeve europiane është më e mirë se në Shqipëri. Shqipëria ka një infrastrukturë të dobët, qeveri të korruptuar, papunësi të lartë dhe shumë varfëri. Nuk është çudi pse shumë shqiptarë e kanë moralin e ulët dhe shpesh thonë ‘të q… Shqipërinë’.

Të jem i sinqertë, kam jetuar në Shqipëri për pesë vite vetë, prandaj e kuptoj pse morali është i ulët. Gjithmonë u kam thënë miqve shqiptarë se nëse do isha si ata, do bëja gjithçka për të marrë një edukim të mirë, të mësoja anglisht dhe t’ia mbathja nga Shqipëria.

Sepse përveç bukurisë natyrore, njerëzve të ngrohtë dhe miqësorë, Shqipëria nuk ka shumë për të ofruar… të paktën për momentin.

Memuaristika e rrallë: Dhimbjet që trondisin letërsinë shqipe


Një lëndë romanore e rrallë, rrëfim historik nga diktatura se si e përjetoi persekucionin një adoleshente. Alma Gjurgji, në librin “Krahë të këputur” të botuar së fundi nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave Komuniste, ka treguar në formë letrare për historitë e tmerrshme përndjekjes në diktaturë…Nëse “romani” e realizon misionin e tij, së shpejti ky libër do të tregohet edhe nga kinemaja, nga regjisori Besnik Bisha

Intervistoi: Violeta Murati


Alma ju keni shkruajtur një memuar të rrallë. Një vajzë 10 vjeçare që rrëfen të kaluarën, persekutimin. Si mundet ta organizonit një kujtesë të tillë, prej një vajze të vogël?

Mendoj se çdo qënie njerëzore ka një rrugëtim të caktuar në jetën e saj, që në mënyrë të pashmangshme është e mbushur me ngjarje të thjeshta apo mbresëlënëse. Këto episode jetike fiksohen në memorien e secilit prej nesh. Sigurisht ngjarjet e pazakonta, ato që dhëmbin shumë, ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë, është vështirë të harrohen. Të tilla kanë qenë ato që shoqëruan vitet e brishta të fëmijërisë dhe të rinisë sime, ashtu si qindra e mijëra fëmijëve të tjerë që së bashku me familjet e tyre vuajtën në kampet e internimit. Fëmijë të pafajshëm që duhej të vuanin pafundësisht, brez pas brezi për bindjet politike të gjyshërve baballarëve, apo të afërmëve të tyre. E si mund të harroj ditëlindjen time të 10-të, për të cilën kisha fantazuar një tortë me qirinj, urime dhe dhurata nga të gjithë të afërmit e mi. Pikërisht atë ditë, të hipur majë një makine përbindësh, familjarisht po internoheshim nga Tirana…Këtë episod kaq të dhimbshem e kam përshkruar kështu në librin tim: […] Nuk mbaj mend me saktësi sa orë zgjati ai udhëtim drejt ferrit. E hipur majë dengjeve, ndjeja lëkundjet e pamëshirshme të asaj makine të zezë në rrugët e pashtruara, me gropa e gurë, mes atyre kodrave me shkurre të përzhitura nga vapa e verës që ishte në ditët e fundit të saj. Në të ngrysur mbërritëm në fshatin që ishte caktuar për familjen time, diku në kodrat e Dumresë. Makina ndaloi në mes të fshatit dhe rreth saj u afruan disa banorë të tij. Me një kuriozitet të natyrshëm, por dhe me një gëzim të lig se “armiqtë” kishin marrë “ndëshkimin e merituar”, u munduan të orientojnë shoferin të vijonte dhe disa metra më tutje drejt asaj kasolleje që ishte caktuar për ne. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë. Ishte vërtet një kasolle e ndërtuar me shkarpa dhe e mbuluar me kashtë. Dyshemeja me dhe. Ngjitur me atë vrimë që quhej derë, ishte një gur i stërmadh me forma të çrregullta, dhe unë nuk e kuptova kurrë si dhe pse ai gur ishte vendosur aty. Ndoshta ishte shkëputur nga kodrat përreth dhe kasollja ngjitur me të ishte ndërtuar shumë kohë më pas. Ndoshta. Deri në atë kohë kisha besuar se të tilla kasolle ngrihen për kafshët shtëpiake, dhe më kishte ndodhur të shihja të tilla edhe në ndonjë film për jetën e fiseve dhe tribuve të Afrikës. Jo, nuk isha në ëndërr dhe as në kinema. Ajo kasolle ishte e vërtetë dhe ne duhej të banonim aty. Ishim të gjithë të mpirë, ndërsa mamaja nuk e mbajti më veten, ia plasi të qarit. Motra ime e vogël vazhdonte të shtrëngonte kukullat e saj, ndërsa kaçurrelat e verdha i ishin ngjitur në fytyrë nga djersët dhe vuajtjet e rrugës. Sytë e kaltër, më të bukura se qielli pranveror, e kishin humbur shkëlqimin e tyre. Ajo krijesë e vogël kishte inteligjencën dhe intuitën të mos kërkonte asgjë, nuk kërkoi të hante, nuk kërkoi të flinte, vetëm na vështronte me radhë, si për të kuptuar shkaqet e asaj situate të panatyrshme […].

Me lejoni të kujtoj se gjatë këtyre viteve është shkruar mjaftueshëm për historitë e tmerrshme të persekucionit komunist, por me keqardhje kam konstatuar dhe përjetoj një indiferencë të pazakontë dhe cinike ndaj këtyre vuajtjeve. Sigurisht që kujtimet e atij trajtimi çnjerëzor ishin të gjalla brenda meje, por nuk kisha menduar asnjëherë që të shkruaja rreth tyre. Shtysë për këtë u bë një moment i veçantë, rreth tre vite më parë. E tmerrshmja ”lufte e klasave”, në një formë tjetër, po riciklohej sërish në realietin e tranzicionit të trazuar shqiptar. Kështu, në shkelje të çdo ligji u përjashtuan nga puna me qindra dhe mijëra persona që kishin bindje politike të ndryshme nga partia në pushtet. Një luftë e pafund, një përjashtim mizor nga mundësitë e integrimit dhe mjetet e jetesës. Gjithë këtë ngarkesë negative dhe dhimbje që akumulova sërish, kisha nevojë ta shkarkoja diku…kështu u ula të shkruaj, gjë që nuk e kisha bërë kurrë më parë. M’u duk sikur me mundim zgjidha grykën e një thesi të mbyllur mirë. Kujtimet ishin aty, mjafonte vetem t’i tregoja rrugën për të dalë jashtë. Po shkruaja vetëm për vete. Ishte një konfidencë që nuk kisha menduar asnjëherë se, do ta ndaja me qindra mijëra të tjerë. Fragment pas fragmenti, episod pas episodi, dhe rezultati ishte libri im i parë “Krahë të këputur”. Familjarët dhe miqtë e mi të afërm, të mrekulluar për stilin e atij rrëfimi sa të vërtetë, po aq dhe mbresëlënës, me inkurajuan që këtyre kujtimeve dhe fakteve të tmerrshme duhej domosdoshmerisht t’i hapja rrugën e botimit. Dhe kështu ndodhi. I vlerësuar nga Instituti i Studimit dhe Botimit të Krimeve të Komunizmit, si një kontribut në hedhjen dritë dhe denoncimin e këtyre krimeve, ky libër gjeti rrugën e botimit prej tij.

“Krahë të këputur” është quajtur libri, është gati në zhanrin e një historie pak të vështirë për t’u “besuar”, por lexohet si një histori romanore. Kurioziteti është i natyrshëm mbi përjetimet e kësaj fëmije, që u bë adoleshente, si mundet të reflektojë tani?

Teksa me drejtonit këtë pyetje, m’u kujtua një prononcim i At Zef Pllumit, dhënë në intervistën e fundit të tij, para se të ndërronte jetë. I pyetur për vërtetësinë e rrëfimeve në librin emocionues “Rrno për me tregue”, ai pak a shumë u përgjigj në këtë mënyrë: “….kam treguar shumë pak rreth të vërtetave të jetuara në ferrin komunist, pasi nuk dëshiroja të isha i pabesueshëm për lexuesit e rinj…”Në këtë rast, unë do pohoja të njëjtën gjë për të vërtetat e jetës sime. Një kalvar persekucioni i shtrirë në 23 vite, sigurisht ka në përmbajtjen e tij një numër të madh vuajtjesh, tmerresh, denigrimesh, shtypjesh dhe kërcënimesh për mua dhe familjen time. Për shkak të gjyshit të ekzekutuar nga regjimi komunist, konsideroheshim kundërshtarë politikë, ose për të qenë më e saktë, armiq të partisë. Nësë do kujtoja e shkruaja rreth çdo episodi të jetuar në dhjetëravjeçarë, rezultati do të ishte një histori tejet e gjatë dhe interesi për të do të ishte minimal. Për këtë arsye bëra redaktimet dhe shkurtimet e duhura. Isha e ndërgjegjshme që në një material sa më të shkurtër të përmendja disa nga kujtimet e mia më të pashlyeshme dhe të dhimbshme,….qëllimi im ishte të përshkruaja me vërtësinë më të madhe përjetimin e atyre ngjarjeve fatkeqe,…çdo gërmë, çdo fjalë, çdo paragraf është i vërtetë, mbuluar me terror dhe tmerr. Eh, reflektimi i tanishëm…në realitet unë nuk kam mbajtur ditar. Kujtimet e mia shumë të sinqerta janë sjellë në këtë libër ashtu siç i kisha përjetuar. Mendoj se, përpos të vërtetave të patjetërsueshme, libri im është ndërkohë dhe një reflektim për tragjeditë njerëzore të atyre përmasave. Ndonëse të vështirë dhe me kosto të mëdha për jetën e qindra e mijëra njerëzve, në fund të fundit e konsideroj gjithashtu një triumf, një ngadhnjim të së mires mbi të keqen. Rënia e regjimit kriminal komunist e konfirmon diçka të tillë.

Në libër tregoni mbi “refuzimet”…Ç’ishin këto përjetime për moshën tuaj?

Isha shume e vogël kur u përballa me refuzimet. Problemet që familja ime kishte me regjimin i provova që në moshen 8 vjeçare, kur të dy prindërit e mi u dëbuan nga arsimi për të punuar në fermën bujqësore “Gjergj Dimitrov”, në Sauk të Tiranës. Në të vërtetë nuk e kuptoja çfarë ndodhte, pasi bisedat që kishin në themel padrejtesitë e sistemit nuk mund të bëheshin kurrë në prani të një fëmije. Përballja e parë e vërtetë me diktaturën dhe refuzimet e saj, dhe ndërgjegjësimi im për atë që po perjetonim, ndodhi në moshën 10 vjeçare. Kjo lidhet drejtpërdrejt me internimin e familjes sime, i cili u pasua nga flakje të njëpasnjëshme…ja si e kam përshkruar në librin tim ditën e nesërme të internimit: […]

Ndesha në vështrimin e pashpresë të prindërve të mi. I pashë të shkatërruar. Sytë e tyre ishin përhumbur poshtë rrathëve të zinj. Im atë me ftoi të afrohesha pranë dhe për herë të parë në jetën e tij më shpjegoi atë që po ndodhte dhe shkaqet e saj. Më foli për diktaturën e proletariatit, për luftën e klasave, për të atin e tij intelektual të ekzekutuar nga komunistët dhe se ne duhej të paguanim për këtë. Duhej të paguanim të gjithë, madje dhe motra ime e vogël trevjeçare që ende flinte. Ndërkohë gjumin e saj të pafajshëm dhe ëngjëllor po e prishnin mizat dhe grerëzat që ardhja e ditës i kishte gjallëruar. Në agresivitetin e tyre dhe ato krijesa të vogla të natyrës ishin kundër nesh. E gjithë kjo ishte shumë për mua. Një ditë më parë kisha mbushur dhjetë vjeç. Deri aso kohe isha indoktrinuar dhe unë nga propaganda komuniste. Në shkollë më kishin mësuar të isha e lumtur për Partinë dhe xhaxhin Enver, “se Partia ishte nëna e të gjithë fëmijëve”. Më kishin mësuar se fëmijët shqiptarë “ishin më të lumturit në botë”, e të tjera broçkulla si këto. Sa e sa vjersha për Partinë kisha mësuar dhe recituar…Im atë nuk po fliste me një fëmijë dhjetë vjeç, por me një të rritur, që duhej të ndërgjegjësohej për atë që e priste. U ndjeva aq konfuze, sa nuk isha në gjendje të bëja asnjë pyetje. Vetëm përpiqesha të kuptoja. U përfshiva nga një dhimbje e gjithanshme. Po më shembej bota nën këmbë. Brenda tri ditëve, çdo gjë ndryshoi në atë që ishte jeta ime, çdo gjë që kisha besuar apo dëshiruar në ëndrrat e mia fëminore nuk ekzistonte më…

…Ndonëse isha vetëm një fëmijë, rrëfimi i jashtëzakonshëm dhe emocional i tim eti për atë që po ndodhte më bëri të ndjehesha menjëherë e rritur. E kuptova se fëmijëria ime kish marrë fund, dhe se do të më duhej të përshtatesha me këtë realitet të shëmtuar, do të më duhej të ndihmoja prindërit në përballimin e asaj jete të vështirë në atë skëterrë […]

Ju përmendni vende, ku jeni degdisur, rreziqet, aventurat, gjendjet emocionale por asnjë emër, përveç një shoqeje, që është një personazh real. Ja për shembull historia e mësueses na duket e tmerrshme për nga demoralizmi psikik, pse nuk keni emra?

Për hir të së vërtetës, kjo pyetje më është drejtuar dhe më parë. Siç jam shprehur më lart, nisa të rikujtoj dhe shkruaj këto të vërteta të dhimbshme të jetës sime, pa menduar se rezultati do ishte një libër, tashmë i mirëvlerësuar. Personazhet që shkaktuan aq padrejtësi për mua dhe familjen time, kanë një emër, dhe unë i kam të gjallë në kujtesën time. Por ata mjeranë ishin pjellë e atij sistemi monstër që fabrikonte krijesa të tilla të përbindshme. Nuk jam penduar aspak që nuk kam përmendur emra, pasi qëllimi im ka qene dhe është të denoncoj atë sistem të pashpirt që kishte ndërtuar atë strukturë të stërmadhe kriminale, që mbillte terror dhe shtypje që asnjë vend tjetër nuk e kishte përjetuar. Edhe nëse do t’i rikthehesha librit e ta rishkruaja, sërish nuk do ta bëja. Mendoj se publikimi i bëmave, si dhe ndëshkimi moral i këtyre shërbëtorëve të paskrupuj të regjimit është dhe mbetet detyrim i politikanëve, analistëve dhe historianëve. Tashmë ata individë nuk kanë asnjë rol në jetën time, as nuk e di ku ndodhen. Ndoshta disa prej tyre janë diku nëpër botë, apo ndoshta janë në role drejtuese të politikes aktuale dhe në mënyrë cinike japin leksione për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk ka kërkuar ndjesë.

Dëshiroj dhe uroj me gjithë shpirt të reflektojnë dhe një ditë të pendohen për gjithçka kanë bërë. Për fat të keq, reagime të tilla njerëzore të këtyre personave që shkatërruan jetë njerëzish, pothuajse nuk kam ndeshur asnjëherë.

Ndërsa personat e mësipërm në librin tim janë thjesht anonimë, nuk mund të rrija pa përmendur me emër, shoqen time të dashur të feminisë, Ritën. Ajo ka qenë dhe është shumë më tepër se kaq. Eshte motra ime. Prindërit e saj më kanë bërë dhuratën më të bukur të atyre viteve. Pas vdekjes së gjyshes më kanë mbajtur në shtëpi dhe më kanë trajtuar si bijën e tyre. Dhe kjo ndodhte në një periudhe terrori, kur të gjitha dyert e të afërmve na ishin mbyllur. Ajo familje më bëri të kuptoj dhe provoj mirënjohjen, ndoshta nga më të bukurat në botë. Ende sot e kësaj dite mbetet e tillë.

Sa i takon marrëdhënies së vështirë me mësuesen e parë që pata në internim, pashpirtësinë e asaj që duhej të ishte edukatore dhe prind i dytë, e kam përshkruar në këtë mënyrë:[…]Ndërsa marrëdhëniet me fëmijët e tjerë po ecnin drejt normalitetit, nuk mund të them të njëjtën gjë për mësuesen. E krahasoja me mësuesen time të mrekullueshme në Tiranë dhe ndjeja se ajo nuk donte t’ia dinte fare për ata fëmijë, që ndonëse frekuentonin shkollën, ishin pothuajse analfabetë. Ndryshe nga ata, unë kisha patur fatin të më rrinin mbi kokë tre mësues në shtëpi. Sigurisht, këtu përfshij edhe gjyshen. Prindërit e atyre të ngratëve gdhiheshin e ngryseshin arave për të siguruar bukën për fëmijët e shumtë që sillnin në jetë. Në shenjë hakmarrjeje, me pushtoi dëshira ta sfidoja. Ishte një formë rebelimi. Veçanërisht në orën e matematikës, që ishte lënda ime e preferuar. I bëja pyetje me të cilat e vija në vështirësi. Madje, ndjeja një lloj kënaqësie të pakuptueshme, kur asaj i ndryshonte ngjyra e fytyrës. Kishte raste kur i kërkoja mënyrat alternative për zgjidhjen e disa problemeve. Duke kërcitur dhëmbët, ajo e duroi disa ditë këtë situatë, por një ditë në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, në kulmin e tërbimit më tha:

“-Mëso sa të duash, kazma të pret”. Ky shpërthim ndodhi në klasë, në sy të gjithë fëmijëve, të cilët shihnin të habitur herë mua, herë mësuesen. Unë kisha pritur një reagim prej saj, por kurrë kaq të pamëshirshëm dhe vrasës të shpresës dhe ëndrrave. Isha aq e mpirë, gati të qaja.

Në atë regjim çnjerëzor kishe ndrojtje edhe të qaje… . Lotët mund të konsideroheshin pakënaqësi dhe sfidë për sistemin. Lotët e pafajshëm të një krenarie të vrarë ishin kërcënim. Ka disa momente në jetë që lënë gjurmë të thella dhe ky ishte një prej tyre. Ndjeva të ndahesha në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat më zbehën besimin se një ditë do të arrija t’i mblidhja e t’i ngjisja sërish.

E urreva me gjithë shpirt atë mësuese. Eshtë një nga personat e paktë që kam urryer. Jo se kanë qenë të paktë ata që më kanë lënduar, por isha unë që më pas u mundova ta përjashtoja urrejtjen nga bota e ndjenjave të mia. Nuk më linte të jetoja. Ishte shumë sfilitëse si ndjenjë, gërryese, aq sa më zinte frymën. Unë e doja aq shumë shkollën dhe kisha thurrur ëndrra se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Pas kësaj nuk u mora më me mësuesen, as ajo me mua. U vendos një “paqe” e akullt. Një vit më pas mësuesja ime u përdhunua nga disa ushtarë të cilët e zunë atë në befasi, teksa po kthehej në fshatin ku banonte familja e saj. Në atë moshë nuk arrija të kuptoja çfarë ishte përdhunimi, dija vetëm se asaj i kishte ndodhur diçka shumë e keqe dhe e turpshme. Madje në fshat thuhej “e kapën me zor”. Ushtarët paguan me burg për këtë, ndërsa mësuesja u transferua përgjithmonë nga shkolla e atij fshati. Nuk ndjeva asnjë keqardhje për mësuesen time. Më shumë më erdhi keq për veten që isha katandisur në një qenie aq të pandjeshme sa të mendoja se ajo e kish merituar diçka të tillë. Tek rikujtova këtë episod të jetës, më erdhi në mendje një ndër mesazhet e lamtumirës së Gabriel Garcia Marquez, drejtuar miqve të tij, pak para se të largohej nga kjo botë: “Nëse Zoti do më jepte një copë jetë, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar, jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin tim. Zoti im, nëse do të mundesha, do të shkruaja urrejtjen time mbi akull dhe do të prisja të dilte dielli” […]

Një kujtesë e tillë, përshkrime me detaje e çdo momenti të jetës në diktaturë përveç një antropologjie se si arrinte të denigronte njeriun në të kundërtën nga “formimi i njeriut të ri”, duket se ka lënë gjurmë të fortë tek ju. Ju ndalni rrëfimin në moshën 15 vjeçare, ç’mundime ishin?

M’u kujtua një thënie e shkrimtarit të madh Fyodor Dostojevsky: “…Askush nuk mund të thotë se ka jetuar nëse nuk ka një histori për të treguar…”, por kujtimet dhe përjetimet e mia shkojnë përtej kësaj. Mendoj se traumat dhe ngjarjet e pazakonta lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e secilit prej nesh. Të përshkruash një jetë të mbushur me dhimbje, privacione, përjashtime, varfëri, përçudnim, frikë, sigurisht nuk ka qenë aspak e lehtë.

Nga ana tjetër, propaganda komuniste trumbetonte me nota të lavdishme epërsinë e diktaturës së proletariatit dhe luftën e klasave, që në vetvete do të thoshtë terror, kamxhik, denigrim, vrasje. Lufta e paprecedent ishte e shtrirë në të gjitha nivelet. Të gjithë jetonin në panikun e pasigurisë nga ndonjë denoncim i mundshëm që mund të vinte nga kushdo. Ndonëse rrëfimi i kujtimeve të mia ndalet në moshën 15-vjeçare, historia e plotë e përsekucionit nuk mbaron këtu. Ajo u pasua me përballjen e tmerrshme të punës skllavëruese të bujqësisë, me trajtimin përçudnues të drejtuesve të fshatit, me kërcënimet e operativëve të sigurimit për përplasje pas hekurave të burgut, e sa e sa të tjera. Ndonëse historia që kam përshkruar në libër ndalet në vitin 1972, në mënyrë permanente, ajo vazhdoi si e tillë deri në vitin 1991, vit kur ra regjimi komunist.

Viti 1972. Flisni për një epidemi gripi, kur shumë vdekje nga kjo arsye u fshehën. Çfarë ngjarje ka qenë kjo, si e kujtoni?

…Ishte viti 1972. Ndonëse në horizont po frynin erëra liberalizmi, koha ishte kundër meje. Në nëntor të atij viti ra një epidemi gripi shfarosëse. Çdo ditë shihja të mbusheshin shtyllat me njoftimet e vdekjeve dhe makinat funerale që më kalonin para syve. Asnjëherë nuk u mor vesh numri i viktimave, pasi makina e propagandës komuniste nuk publikonte kurrë realitete të tilla.

Gjyshja ime u sëmur rëndë, dhe në këto rrethana në Tiranë mbërriti mami me vëllain dhe motrën. Pas disa ditësh u sëmurën edhe ata. Unë mbeta e vetme për t’iu shërbyer katër të sëmurëve. Shtëpia u kthye në spital. Nuk ia dilja dot. Isha vetëm 14 vjeçe. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, duhej të duroja edhe “qiraxhiun” i cili ishte entuziast që e gjente derën pa shul dhe ishim të detyruar të dëgjonim monologjet e tij të çekilibruara deri pas mesnatës. I dërgova një telegram urgjent babit, i cili ia doli mbanë të merrte leje për të ardhur. Mbërriti pas tre ditësh në Tiranë. Me gjithë mjekimin që merrnin, nuk kishte asnjë shenjë përmirësimi për të sëmurët e mi.

Një mëngjes, gjyshja u ndje më keq se zakonisht. Nuk merrte dot frymë dhe këmbët i kishte akull të ftohta. Me zë të ulët më ftoi të ulesha pranë saj, në shtrat. Ajo grua e fortë, që nuk më kishte folur kurrë për vdekjen, ndjehej shumë pranë saj. Me sy të shuar si kurrë më parë më tha se e ndjente që po largohej nga kjo botë me një peng shumë të madh në zemër, që ishte dëbimi ynë…

…Pas disa minutash ajo dha shpirt. Aty në gjoksin tim, ndjeva kokën e saj të lëshohej. Sytë i kishte mbyllur për të mos i hapur më kurrë. Mjekët më larguan prej aty dhe i lidhën mjekrën. Pas disa minutash, ata u larguan duke ngushëlluar babin dhe mua. Unë kisha ngrirë. Nuk e besoja dot se gjyshja më kishte lënë vetëm në rrugëtimin tonë të përbashkët. Ajo nuk jetonte më. Nuk kisha lot. Më dukej se personi që po përjetonte këtë fatkeqësi nuk isha unë, por dikush tjetër….

…E putha për të fundit herë në ballin e saj të akullt. Ajo nuk e ndjeu puthjen time. Gjyshja nuk ishte më. Kishte ikur diku larg për të mos u kthyer kurrë. Pas varrimit të saj, të afërmit u larguan në shtëpitë e tyre, ndërsa unë u lëshova në krahët e dëshpërimit dhe qava e qava për orë të tëra…

Shkëpusim një moment kur rrëfeni për një temë hartimi ku duhej të shpreheshit për mrekullitë e ndërtimit socialist…keni hezituar, sigurisht?

E kujtoj këtë moment kështu në librin tim: […] Po afronin provimet dhe isha tërësisht e përqendruar të përgatitesha sa më mirë. Me Ritën pranë, kjo gjë ishte më e lehtë, pasi mbështesnim njëra-tjetrën. Shoqet dhe shokët e klasës kishin vendosur pak a shumë si do t’i vijonin studimet më tej. Prindërit e tyre kishin filluar përpjekjet për të siguruar shkollën e dëshiruar, ndërsa unë nuk kisha kurajo të mendoja se çfarë më priste. Gjithçka ishte aq e zymtë. Veçanërisht muajt e fundit, disa nga mësueset e shprehnin hapur keqardhjen për pamundësinë e të qenit e barabartë me të tjerët. Përpiqeshin të më thoshin ndonjë fjalë inkurajuese, por pa dobi. Nuk kishin asgjë në dorë të ndryshonin fatin tim të parashkruar. Mbërritën dhe ditët e provimeve. Unë isha përgatitur mjaft mirë dhe u paraqita shkëlqyeshëm. Pata një lloj dileme për provimin me shkrim të letërsisë. Ishte një hartim me temë që lidhej me mrekullitë e socializmit shqiptar. Duhej të shkruaja për diçka që nuk kishte lidhje fare me atë që ndjeja dhe mendoja, një hipokrizi e gjallë. Ishte si të dilja kundër vetes. U përpoqa shumë. Megjithatë, arrita të hidhja disa fjalë të bukura në ato rreshta. Në perceptimin tim, e tërë përmbajtja e asaj që kisha shkruar ishte patetike dhe pa jetë. Mora vlerësimin maksimal. Nuk isha aspak e sigurt, nëse e meritoja. Me sa duket mësuesja e letërsisë e kishte mirëkuptuar zbrazëtinë time. Ajo e njihte shumë mirë raportin që familja ime kishte me diktaturën dhe socializmin. Përfundimi i sezonit të provimeve ishte çlirim për të gjithë. Sado e përgatitur të jesh, paraqitja përpara një komisioni që kërkon të eksplorojë njohuritë e tua të fituara në vite, është shumë stresues. Organizuam një festë të vogël lamtumire. Rrugët e jetës në mënyrë të pashmangshme po ndaheshin. Gjithkush do të merrte drejtimin e vet. Vetëm unë nuk kisha të drejtë të ëndërroja dhe të shprehesha për perspektivën time. Ishte kaq emocionuese dhe e trishtueshme njëkohësisht. E parandjeja se shumë prej tyre nuk do të kisha rastin t’i takoja më kurrë…

…Brenda pak minutash m’u rikthyen shumë situata të bukura dhe të trishtuara që kishin shoqëruar fëmijërinë time. Po të qëndroja edhe ca, isha gati t’ia plasja të qarit dhe nuk kisha kërrkënd pranë të më fshinte lotët. Pasi kontrollova edhe një herë dyert nxitova të largohem, për të mos humbur trenin. Si asnjëherë tjetër, ai nuk ishte i mbingarkuar me udhëtarë. U ula në një kabinë pranë dritares. Natyra më kishte ndihmuar që fizikisht të rritesha shumë shpejt. Dukesha shumë më e madhe se ç’isha në të vërtetë. Kjo më kish krijuar “komoditetin” e imponuar të udhëtoja vetëm. Karshi meje ishte ulur një çift të moshuarish, që për fat të mirë nuk më kushtuan aspak vëmendje. Ishin mjaft të zënë me bisedat e tyre. Mua nuk më interesonte fare çfarë bisedonin ata. Isha tepër e zënë me refleksionet e mia. Ditët e fundit kisha përjetuar shumë emocione që kishin në themel të tyre lamtumirën. Situatat filluan të më ngatërrohen me njëra-tjetrën. Po humbisja. Më zuri gjumi….

I keni përjetuar mbylljet e dyerve, dhe kur mesuesja ua përplaste në fytyrë shprehjen: mëso sa të duash, në kazëm do përfundosh…Duket sikur ju ushton ende në vesh, apo jo? Të dhimbshme këto episode?

Sigurisht, këto episode dramatike dhe vrasëse të endrrave të pafajshme të një fëmijë nuk munda t’i harroj kurrë. Ajo e mësueses ishte si një profeci kriminale që më ndoqi këmba këmbës… Dy vite më pas, prindërit kishin mundur të më largojnë nga internimi. Për një periudhë 4 vjeçare jetova me gjyshen time të moshuar, të mbetur e vetme në shtëpinë tonë, në Tiranë. Por dhe ajo ndërroi jetë duke më lënë krejt të pashpresës në rrugëtimin e dëshpëruar drejt arsimimit. Pas kësaj, kujtoj me trishtim gjithashtu përjashtimin nga shkolla e mesme teknike e Tiranës, pas përfundimit të vitit të parë…

….Shtatori erdhi sërish shumë shpejt dhe më duhej të kthehesha në Tiranë për të vazhduar vitin e dytë të shkollës. Këtë radhë më shoqëroi vëllai im, i cili ishte rritur, madje ishte bërë më i gjatë se unë. Nuk kisha pikën e entuziazmit që po rikthehesha në shkollë. Kisha një parandjenjë të keqe. Çdo vit duhej të rikonfirmohej regjistrimi. Hyra në shkollë për të kryer këtë procedurë. Oborri ishte plot me nxënës që kishin ardhur për të njëjtën arsye. Mësimi fillonte dy ditë më pas. Me hapa të shpejtuara, u shmanga të mos takoja asnjërin. Me një lloj pasigurie dhe ndrojtjeje u futa në godinën e degës elektrike. Ngjita me shpejtësi shkallët dhe vura re se dera e zyrës së drejtorit, në katin e dytë ishte gjysmë e hapur. Ai ishte mësues fizike dhe matematike, me autoritet të padiskutueshëm. Trokita lehtë. Drejtori më ftoi të futesha në zyrë, por njëkohëshisht vura re që u prish në fytyrë. Pasi më pyeti sesi i kisha kaluar pushimet, i vënë dukshëm në vështirësi, më tha se ishte i detyruar të më informonte se unë nuk mund të vazhdoja më shkollën aty. Më tej vijoi me fjalë ngushëlluese se isha e re dhe nuk duhej të dekurajohesha, se jeta do të më ofronte mundësi të tjera. Ndonëse për një moment u mpiva, në të vërtetë për mua ishte fundi i një ankthi, e kisha parandjerë, e kisha pritur një fund të asaj natyre. E mësuar me goditje dhe shtypje të tilla, u përpoqa të mblidhja menjëherë veten dhe me gjysmë zëri e pyeta se kush ishte shkaku i këtij përjashtimi. Dhe përgjigja që mund të tingëllojë shumë e çuditshme dhe gati e pabesueshme ishte kjo: “…nuk duhej të merrje dhjeta në mësime, dikush të ka njohur nga fotoja në tabelën e nderit dhe morëm urdhër të prerë që të mos vazhdosh më këtu”. Nuk kishte vend për asnjë koment. Me zemër të copëtuar i dhashë dorën dhe njëkohësisht lamtumirën. Në të vërtetë nuk pata më rastin ta takoja kurrë këtë profesor që ia lexova keqardhjen e të qenit i detyruar të flakte në rrugë një nxënëse 15-vjeçare, e cila kishte “guxuar” të merrte vlerësime maksimale në mësime. Me të njëjtën shtysë për të mos takuar askënd, u largova me shpejtësi nga ajo shkollë për të mos u kthyer më…

…Kish mbaruar gjithçka. Unë po kthehesha përfundimisht në fshatin e internimit, për të vuajtur dënimin e paracaktuar për gjyshin, të cilin nuk e kisha njohur kurrë. Do të punoja në krah të prindërve të mi, tashmë të mposhtur nga puna disavjeçare skllavëruese në ato kodra të zhuritura. Kisha provuar disa prej tyre muajt e verës, por me kohë të plotë dhe në mënyrë definitive ishte diçka tjetër. Do të përballesha me brigadierët arrogantë që të fyenin e të denigronin, do të përballesha me mospranimin e shumë fshatarëve të një “armikeje” të re në gjirin e tyre.

Do të përballesha me urinë, me etjen, me frikën nga gjarpërinjtë që i ndeshje kudo. Do të përballesha me orët tejet të zgjatura të punës, në shi, në ngrica apo dhe në vapën përvëluese. Të gjitha këto i dija. Por kishte dhe gjëra që ende nuk i imagjinoja.

Unë nuk mund ta dija se në moshën 17-vjeçare do të rrezikoja burgun pas kalbjes së disa rrënjëve domatesh për shkak të vaditjes. Disa nga fshatarët do të më akuzonin si sabotatore, ndërkohë që vaditjen e kishte bërë dikush tjetër. Nuk mund ta imagjinoja dot se për vite me radhë do punoja në një serë me domate, ku temperatura shkonte më shumë se 50 gradë, ku dehidratimi dhe etja ishin më shumë se torturë…

…Treni fishkëllente drejt rrugës pa kthim. Sirena e tij m’u duk si kënga e dëshpëruar e një kukuvajke. Si asnjëherë tjetër m’u kujtua sërish mësuesja e fëmijërisë dhe parashikimi i kobshëm i saj: “Mëso sa të duash, kazma të pret”. Kishte pasur të drejtë. Profecia e saj kriminale ishte përmbushur.

Nga Agim Baçi : George Oruell: Makthi i parashikimit tronditës


orwell


Shënime për romanin “1984” të Geroge Orwell, Zenit 2005/ Policia e mendimit, Ministria e të Vërtetës, Drejtoritë e Dashurisë, Trillit, Fitores, apo edhe Dy Minutat e Urrejtjes apo Java e Urrejtjes, që janë edhe institucionet kryesore në shoqërinë ku vdes mendimi, ku vdes ëndrra, ku vdes dashuria – janë realiteti i frikshëm që ndodhi thuajse në çdo autokraci dhe totalitarizëm, ndërkohë që fanatikët e asaj humnere vijojnë të përshfaqin gjithë hartën e dështuar të vlerave njerëzore.



Ç’ndodh me një shoqëri që nuk ka dritare, nuk ka kujtesë, por ka vetëm persona nën vëzhgim dhe pa asnjë udhë drejt Njeriut?….Thuajse shumica e asaj që Oruelli e parashikoi në romanin “1984” ka ndodhur jo vetëm me një popull, jo vetëm në një kohë. Shqiptarët, të paktën, e kanë jetuar imagjinatën tronditëse dhe të kobshme të Oruellit, që përmes një grotesku tronditës parashikoi që më 1949 vdekjen e përditshme të njeriut në një sistem totalitar, të njeriut që kthehet në makineri numëruese dhe soditëse të së keqes. Por jo vetëm aq. Oruelli e njohu mundësinë e rebelimit, (prolet që jetojnë ndryshe nga njerëzit e partisë) dhe ishte përfaqësues i zhgënjimit nga komunizmi dhe diktaturat, pasi pa se ç’kish ndodhur në Rusi në emër të sistemit të ri, në emër të njeriut të ri, në emër të besimit të ri. Por ai nuk pikturoi vetëm totalitarizmin ndaj nuk shkau në imagjinatën që të besonte se ata që do të sillnin ndryshimin politik do të arrinin të zotëronin edhe pushtetin.

Policia e mendimit, Ministria e të Vërtetës, Drejtoritë e Dashurisë, Trillit, Fitores, apo edhe Dy Minutat e Urrejtjes apo Java e Urrejtjes, që janë edhe institucionet kryesore në shoqërinë ku vdes mendimi, ku vdes ëndrra, ku vdes dashuria – janë realiteti i frikshëm që ndodhi thuajse në çdo autokraci dhe totalitarizëm, ndërkohë që fanatikët e asaj humnere vijojnë të përshfaqin gjithë hartën e dështuar të vlerave njerëzore.

Uinstoni dhe Xhulia janë dy personazhet e vetme që kanë formë në gjithë rrëfimin e tij, ndërkohë që për këdo tjetër përvijimi i plotë është gati i pamundur. Ata tentojnë të ndjejnë, të dashurojnë. Dhe kaq mjafton për mëkatin vdekjeprurës në një shoqëri që ka nevojë jo për ndjenja, por për atë që nuk ka qenë e që s’do mund të jetë kurrë individë– njeriun pa kujtesë dhe pa ëndrra.

“Shoku Ogilv, i paimagjinueshëm një orë më parë, tashmë ishte një fakt. E forta është, mendoi, se qenka më e lehtë të krijosh njerëz të vdekur sesa të gjallë. Shoku Ogilv, i cili nuk kishte patur kurrë të tashme, tashmë do të kishte shkuar dhe, kur akti i tij i falsifikimit të harrohej, do të ekzistonte në mënyrë autentike, mbështetur nga të njëjtat fakte me Karlin e Madh apo jul Çezarin”. (George Orëell, “1984”, Përkthim nga Çelo Hoxha, Zenit 2005, f.69)

Dhe padyshim, që parullat që ndërtojnë edhe rrugëtimin e mendimit të ri, që vjen përmes gjuhës së re, janë të qarta. (“Lufta është paqe/ Liria është skllavëri/ Injoranca është fuqi”) Të rreshtuara që në nisje, ato përbëjnë moton e atyre që jetojnë nën një shoqëri ku njeriu është bjerrur nga njerëzorja. Tkurrja, – siç thotë Milan Kundera për këtë libër- është tkurrje politike, është tkurrje e njeriut nën propagandë. Ndërkaq, fëmijët përgatiten të jenë luftëtarët e rinj të denoncimit të kujtdo, e sidomos të prindërve dhe të afërmve të tjerë, për të treguar devotshmërinë, për të garantuar vijimin e vdekjes së sigurt të shoqërisë.

“1984” është një roman që kapërceu me imagjinatë edhe mizorinë e humbjes së vetëdijes mbi të shkuarën dhe të ardhmen, pasi duket se parashikoi edhe udhën e mendimit të dinjitetit dhe individualitetit edhe në një totalitarizëm tjetër – në totalitarizmin e vëzhgimit të përditshëm të njeriut. Është parashikimi i shuarjes së të gjitha mureve mes privates dhe publikes, mes morales dhe amorales, mes mendimit dhe pamundësisë për të menduar. Personazhet e “1984” janë të paaftë të krijojnë një botë larg vëzhgimit apo totalitarizmit të kontrollit dhe vëzhgimit, nga ajo që Oruelli e pagëzoi “Vëllai i Madh” e që sot jeton kudo.

–Ti, Uinston, nuk e ke aq qejf Gjuhën e Re, – tha ai pothuajse me trishtim. – Kur shkruan, ti mendon ende në të folmen e vjetër….. Nuk e shikon se qëllimi kryesor i saj është të ngushtojë hapësirën e mendimit? Do të vijë një ditë që krimi i mendimit do të zhduket krejt, sepse nuk do të ketë fjalë me të cilat mund të shprehet. Çdo koncept që do të jetë i nevojshëm, do të shprehet vetëm me një fjalë, me kuptimin e saj të përkufizuar me fanatizëm, ndërsa gjithë kuptimet dytësore janë shuar dhe flakur në harrim”. (Po aty, f. 73).

Fantazia e shoqërisë tek Oruelli është tronditëse, vetëshkatërruese. Makthi dhe grotesku përfshijnë personazhet në një testament të frikës nga shoqëria që humb raportin me vetveten, me tjetrin. Uinstoni është ende njeriu që mund të besojë në një ndryshim, për sa kohë mendon se 2+2=4. Por për partinë ky përfundim është i pamjaftueshëm. Dhe ai që ka pranuar të punojë në drejtorinë e falsifikimit të së vërtetës, në një çast do të ndryshojë, dhe pashmangshëm vjen fundi, kur pohon se 2+2=5. Tashmë Uinstoni nuk ka më asnjë ëndërr. Ai ka vdekur. Siç u kthyen në kufomë të gjithë ata u mbuluan me vdekjen e së vërtetës. Apo edhe që vijojnë të mbulohen e të numërojnë “matematikisht” sipas asaj që i sugjerohet….

“1984” nuk është një roman i veçantë për stilin, por është një mënyrë e jashtëzakonshme për të kuptuar misteriozen në të sotmen, në emër të mungesës së ideve dhe në emër të mungesës së individit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...