Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/23

Haremi, vendi ku argëtoheshin deri në degjenerim sulltanët

Haremi ose shtepitë publike “VIP” të epokës otomane që derivojnë ndër shekuj nga kultura e lashtë arabe, vijnë nëpërmjet këtyre kuadrove të pikturuara brenda ambienteve të atyre që konsideroheshin si vende “qejfi” për sulltanët.


Haremi ishte një fenomen dhe një shërbim i përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme por ishte një privilegj vetëm për shtresat më të larta të shoqërisë së vendeve Islame.
Këto piktura që sjellin thuajse të gjallë momentet e argëtimit deri në harbim e degjenerim të atyre që frekuentonin haremet, por dhe të kurtizaneve që punonin brenda tyre për të dëfryes sulltanët e pashallarët e kohës.





Flori Bruqi : Viti i Prenk Jakovës: Jeta e errët e kompozitorit në diktaturë



Teatri i Operës dhe i Baletit shpall vitin 2017, vit i kompozitorit Prenk Jakova, i cili konsiderohet edhe si themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe “Mrika”.

Prenk Jakova lindi më 27 qershor të vitit 1917 dhe vdiq tragjikisht më 16 shtator të vitit 1969 ishte një Kompozitor shqiptar.


Kompozitor i shquar dhe themeluesi i gjinisë së operas kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" dhe "Mrika" . Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës.
Opera e dytë e Prenk Jakovës "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" ishte shumë më solide se "Mrika" e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.
Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Këngët e tij "Syrin tek qershia" dhe "Margjelo" janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumë kush i identifikon si këngë popullore shkodrane.

Prenk Jakova u lind në vitin 1917 në familjen e patriotit të njohur shkodran Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920.

Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.

Pjakova.jpg

Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.
Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.

Prenk Jakova kishte dhe një vëlla tjetër Dedën, i cili ishte fotograf i respektuar në qytetin e Shkodrës.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe shkroi mjeshtri i madh Prenk Jakova.

Vdekja tragjike e Jakovës

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare "Mrika", gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: "Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë". Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t'i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën "Skënderbeu", kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën. Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.

Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas "Skënderbeu" dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.

Ndonëse opera "Skënderbeu" u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

Teatri i Operës e Baletit ka shpallur 2017-n, vitin e kompozitorit Prenk Jakova, pasi ky vit përkon me 100-vjetorin e lindjes. Prenk Jakova, një nga kompozitorët më brilantë, konsiderohet edhe si themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” dhe “Mrika”, në ironi e para që e zhyti në një histori dramatike, dhe e dyta që nuk e mbushi me aq lavdi, për shkak të skematizmit të tepruar të shfaqjes, por për kohën bëri histori. Me libret të Llazar Siliqit, “Mrika” është opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën ai e vuri në skenën e teatrit Migjeni në Shkodër, për të cilën vetë kompozitori, ndan në kujtimet e tij në kohën kur ai punonte për këtë vepër: “Besimi i madh që kishin shokët dhe aftësitë e mia dhe dëshira për të pasurue repertorin e muzikës shqiptare me vepra të gjinive të nalta muzikore, më shtyu që në korrikun 1956 t’i hyj punës për kompozimin e operës ‘Mrika’. Për të shkrue këtë vepër isha pasunue me folklorin e pasun të muzikës sonë popullore dhe në këtë mënyrë u përpoqa t’ua jap gjithë personazheve dhe të gjithë momenteve lirikë dhe dramatikë, pse vetëm në këtë mënyrë do t’i shërbeja artit tonë popullor”.

Përfaqësuesit zyrtarë pak ose aspak kanë marrë në konsideratë ndarjen tragjike nga jeta të Jakovës, mbi një të vërtetë që mbërriti mjaft vonë. Ish-drejtori i Operës, Zhani Ciko, ka qenë ndër të parët që institucionalisht ka hapur arkivin dhe ka dhënë versionin e plotë e ngjarjes tragjike me jetën e Jakovës. Ekstremiteti i jetës, në një anë duke kompozuar perla simfonike, këngë lirike si “Syrin te qershia” dhe “Margjelo”, muzikë filmash, kantata deri në vepra të plota operistike nuk përkojnë me brendinë, anën shpirtërore çka i shkaktoi regjimi. Kështu ndodhi me operën e dytë të Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, shfaqur në Tiranë, u prit shumë mirë që në premierën e saj, por kritika zyrtare mediokre e detyroi kompozitorin të ripunojë disa pjesë. Pikërisht kjo situatë dhe peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë.

Deklaratat e kreut të Antimafias italiane, Tahiri: 2 miliardë euro drogë ishin në kohën e Saliut

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar pas deklaratave të kreut të antimafias italiane Franko Roberti të bëra gjatë një konference me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe akuzave të opozitës. Tahiri sqaron se 2 miliardë euro drogë ishin në kohën e qeverisjes së kaluar, ndërsa sot është sukses shkatërrimi, duke postuar edhe një pjesë nga raporti i OSBE-së për këtë çështje.

“Për ata që mezi priten të hidhnin prapë baltë, sqarimi shumë i qartë: 2 miliardë EU drogë ishin në kohën e Saliut. Sot sukses shkatërrimi”, shkruan Tahiri në Twitter.

OSCE tahiri

Ministri ka edhe një përgjigje për kreun e PD-së, Lulzim Basha.
“Mëshirë për L.Bashën dhe flm për OSCE për sqarimin mbi “përkthimin e gabuar” të radhës”, shkruan në një status tjetër Tahiri.

Tahiri twitter
Drejtori i Antimafias italiane, Franko Roberti gjatë një konference për median së bashku me kryeprokurorin Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme ngriti shqetësimin e shtimit të rasteve të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali. Sipas tij, është trefishuar sasia e drogës që është kultivuar në Shqipëri.

“Trafikimi i lëndëve narkotike ka ardhur në rritje mes Shqipërisë dhe Italisë. Kemi nevojë që bashkë me kolegët shqiptarë të kuptojmë se cili është motivi i rritjes së këtij trafiku dhe në të njëjtën kohë çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë dhe bashkëpunimin”,- tha ai.

Pse shuhen gjuhët?




6000 gjuhë janë të regjistruar në botë, sipas UNESCO-s. Gati gjysma e tyre mund të vdesë, më të rrezikuarat janë gjuhët indigjene.

Gjithkund në botë gjuhët janë të rrezikuara nga shuarja -në Gjermani psh. gjuha e sorabishtes së ulët, e cila flitet në Gjermani nga gati 7000 vetë, apo në SHBA-në veriore, ku rreth 250 vetë flasin gjuhën amtare Cayga. Ndërsa gjuhën indigjene, Dalabon e flasin vetëm 11 vetë.

Me Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, OKB kërkon të tërheqë vëmendjen tek larmia gjuhësore e njerëzimit. Sipas UNESCO-së në të gjithë botën fliten 6000 gjuhë. 2500 nga këto janë të kërcënuara nga vdekja. Katharina Haude, studiuese në Qendrën Kombëtare për Studime Shkencore në Francë, thotë se “shenja e qartë për rrezikimin e gjuhës, është kur prindërit nuk e flasin gjuhën me fëmijët.”

Ndikimi i globalizimit

Studiuesja Katharina Haude e ka vënë re këtë fenomen në Amerikën Latine. Për një periudhë prej 10 vjetësh ajo udhëtoi në Santa Ana del Yacuma në veri të Bolivisë. 12.000 banorët e qytetit janë një objekt interesant studimi për linguistët. Këtu jetojnë 1500 vetë që flasin gjuhë indigjine, Movima, por praktikuesit e saj janë mbi moshën 70 vjeç. Studiuesi, Paul Trilsbeek nga Instituti Max-planck për psikolinguistikën në Nimvegen, thotë se për shuarjen e gjuhëve ka shumë arsye, por “një faktor është globalizimi”.

“Njerëzit mendojnë, se ata kanë shanse më të mira në jetë, nëse flasin gjuhë me shtrirje të gjerë”, thotë ai .Faktor tjetër sipas tij është largimi i njerëzve nga zonat rurale.

Shuarja e gjuhëve

Më të rrezikuara janë gjuhët indigjene, të cilat nuk shkruhen. Ndërsa në Bolivi dobësimi i gjuhës Movima ka lidhje edhe me sistemin shkollor. “Në vitet 50-të në Bolivi u ndërtuan shkolla, në të cilat ofrohej vetëm spanjishtja”, thotë studiuesja, Katharina Haude.

Sipas UNESCO-s nga viti 1950 janë shuar më shumë se 200 gjuhë. Sipas linguistit, Paul Trilsbeek rëndësi vendimtare ka motivimi. Në projektin e tij për dokumentimin e gjuhëve, synimi ishin mbledhja e regjistrimeve që mund të përdoreshin edhe si bazë mësimore. “Fillimisht duhet të krijohet nga e para motivi për të transmetuar gjuhën tek gjeneratat e tjera”, kërkon studiuesi. Përdorimi i smartphonëve dhe internetit ka efekte pozitive. “Kështu tani gjen online më shumë gjuhë indigjene, psh, në YouTube. Edhe kjo mund të ndihmojë në ruajtjen e gjuhëve”, thotë Trilsbeek.

Një studim i rrallë francez për shtypin shqiptar të viteve 1848–1939



Nga Aurenc Bebja, Francë*

Shkrimi në vijim është botuar në revistën e Universitetit të Shkencave të Shtypit të Parisit. Në numrin e tretë të saj (korrik – shtator 1939), francezi, André Ravry, përmes një analizë të hollësishme, na sjell detaje të shumta për shtypin shqiptar asokohe, brenda dhe jashtë atdheut.

Periudha e studiuar fillon me lëvizjen për pavarësi të Rilindasve shqiptarë dhe mbaron me pushtimin fashist të Shqipërisë. Ndër elementë të shumtë, teksti na mundëson, për shembull, të dimë se :

cili ishte nismëtari i parë i shtypit të shkruar posaçërisht për Shqipërinë ;
kur dhe ku u botua gazeta e parë në gjuhën shqipe, dhe nga kush ;
kush ishte revista e parë shkencore ;
cila ishte revista e parë e botuar në shqip dhe në Shqipëri ;
në cilat shtete botoheshin gazetat shqiptare dhe cilat ishin emrat e tyre ;
cila ishte ajo gazetë shqiptare e publikuar në Amerikën e Jugut dhe në cilin shtet botohej ;
cilat ishin gazetat krahinore ;
cilat gazeta ekzistojnë ende edhe sot ;
cila gazetë u bë përditshme në Amerikën e Veriut ;
kush ishte gazeta e parë shqiptare e përditshme ;
cila ishte zonja e vetme që drejtoi një gazetë ;
cila ishte gazeta e parë satirike, etj.
Në vazhdim shkrimi i plotë :

“Nuk ka shtetësi shqiptare” ka thënë dikur Bismarku. Kancelari i Hekurt është gabuar krejtësisht, sepse në qoftë se ne supozojmë se elementët e një kombësie janë gjuha e përbashkët, vetëdija e solidaritetit historik, kujtimi i vuajtjeve dhe lavdive të përbashkëta, përputhshmëria e interesave, komuniteti i civilizimit, atëherë duhet të pranojmë se asnjë nga këto elementë nuk u kanë munguar kurrë shqiptarëve.

Në fakt, Shqipëria, brenda kufijve të saj politikë, të vendosur në mënyrë arbitrare, përfaqëson një njësi gjeografike, etnike dhe gjuhësore më të madhe se sa disa vende të tjera, dhe shqiptarët, që nga kohët e lashta, nuk kanë reshtur kurrë së luftuari kundra pushtuesve të huaj (Gotët, Avarët, Bullgarët, Gepidët, Sllavët, Turqit), për të ruajtur bashkimin, gjuhën dhe zakonet e tyre.

Historia e këtij vendi të vogël (sipërfaqja e të cilit është gati e barabartë me atë të Belgjikës) është në të vërtetë një vazhdim i gjatë përpjekjesh për pavarësi politike ; por kjo do të arrihet në shekullin e njëzetë, ku më në fund Shqipëria do të jetë e lirë nga zgjedha e huaj.

Për sa i përket shtypit të shkruar, shqiptarët që jetonin jashtë vendit, vetëm nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, filluan ta përdorin atë, një lloj – siç ka ndodhur me shumë popuj të tjerë të shtypur – për të mbajtur gjallë tek atdhetarët e tyre ndjenjën kombëtare, por gjithashtu – dhe mbi të gjitha – për të tërhequr vëmendjen e kombeve të tjera dhe për të shpallur të drejtën e tyre për të jetuar si shtet i lirë dhe i pavarur.

Vijon nga kjo se shumë botime periodike, shqiptare nga fryma dhe prirjet e tyre, shqiptare gjithashtu prej redaktorëve të tyre, janë shkruar në gjuhë të huaj : italisht, frëngjisht, greqisht, anglisht, etj.

Përpjekja e parë nis në 1848. Më 23 shkurt të atij viti u shfaq në Napoli “e shtypur në letër me cilësi të dobët dhe me karaktere të vjetra”, numri i parë i “Albanese d’Italia”, publikuar, në italisht, nga patrioti dhe redaktori shqiptar, Jeronim de Rada, i cili fillimisht realizonte gjithçka vetë, por më pas u ndihmua edhe nga studenti prej Abruzzi, Nicola Castagna.

De Rada besonte se Italia do të ishte e gatëshme për të mbështetur kauzën e tij dhe, menjëherë, ai shkruajti për pavarësinë e Shqipërisë; por ngjarjet nuk vonuan t’i tregonin atij se ishte ende heret, duke parë gjendjen në të cilën ndodhej Evropa, për të tjatuar një problem të tillë. Si arsye, pas disa numrave të botuar, ai u tërhoq në vendlindje për të pritur ditë më të mira.

Vitet kalonin. Pas traktave të Shën Stefanit dhe Berlinit, dhe copëtimit të tokave shqiptare, u formua një lidhje për mbojtjen kombëtare e mbështetur masivisht nga kolonitë shqiptare në Rumani, Itali, Egjipt dhe në SH.B.A. Shqiptarët u grupuan. Veprat e shtypura lulëzuan gjithandej. Bibla u përkthye në shqip dhe gazetat u botuan kudo.

Gazeta e parë në gjuhën shqipe (plus versionit greqisht) u botua në 1882 në Athinë dhe titullohej : “Phônê tês Albanias – Zëri i Shqipërisë”. Themeluesi, Anastasio (Anastas) I. Kullurioti, i përndjekur nga qeveria greke për shkak të kësaj propagande shqiptare që ai bënte në Athinë, e transferoi gazetën e tij në Bukuresht, pastaj, meqë vazhdonte të përndiqej, u strehua në Gjirokastër, por aty, autoritetet turke, me urdhër të konsullit grek, e ndaluan dhe e dërguan në burg në Korfuz. Pasi u lirua, u ritkhye në Athinë, dhe, për disa kohë, botoi sërish gazetën e tij ; i arrestuar për herë të dytë, përfundimisht vdiq në burg, me shumë gjasa i helmuar.

Në 1883, “një komitet fisnikësh shqiptarë” filloi të botojë në Corigliano Calabro (Itali) një revistë mujore në italisht dhe shqip : “Flamuri i Arbërit”, numri i parë i të cilit u shfaq në 20 korrik. Në të vërtetë, kjo revistë u bë e mundur falë sakrificave personale të Jeronim De Radës, i cili ishte në të njëjtën kohë drejtor, redaktor dhe administor i saj. Austria, Turqia dhe Greqia, të cilat, për arsye të ndryshme, ishin të interesuara për izolimin e Shqipërisë, si rrjedhim ndaluan qarkullimin e saj ; E privuar nga shumica e abonentëve (blerësve potencialë) të saj, gazeta e De Radës u përbuz nga shqiptarët e Italisë, të cilëve u dukej e mërzitshme. Numri i fundit i njohur është i datës 15 Nëntor 1887, botuar në Kozencë (Cosenza).

Në vitin 1884 u botua në Konstandinopojë revista e parë shqiptare shkencore: “Drita”, e botuar nga shoqëria letrare me të njëjtin emër. Drejtuesi i saj ishte Pietro Poga, i cili bashkëpunonte me Naim Frashërin dhe J. Vreton.

Më 31 mars 1887, u krijua në Palermo “Arbri i Ri”, revistë mujore e drejtuar nga Franc Stassi Petta dhe Giuseppe Schiro, e botuar në shqip dhe italisht. Dy drejtorët e rinj, pavarësisht besimit e guximit të tyre, nuk arritën të vazhdonin përtej numrit të tretë.

Ne thamë se “Flamuri i Arbërit” i De Radës pushoi botimin në fund të 1887. Një vit më pas, patrioti Nicola Naço, “i cili simbolizonte reagimin e Shqipërisë kundër dominimit të pafytyrë të grekëve”, themeloi në Bukuresht, për të vazhduar, gazetën “Shqiptari”, e shkruar në shqip dhe rumanisht. Në vitin 1895, një botim i veçantë u botua në rumanisht nën titullin “Albanesul” ; Edicioni shqiptar duket se ka zgjatur deri në vitin 1903.

Duke ndjekur kronologjinë, arrijmë në periodikun e parë të publikuar në tokën shqiptare, revistën fetare mujore “Elçija i Zêmers Jesu Krishtit”, themeluar nga jezuitët e Shkodrës në mars të 1891. Publikimi i këtij periodiku në territorin shqiptar, në një kohë kur, me urdhër të Sulltan Abdul Hamidit, u ndaluan të gjitha veprat në gjuhën shqipe, shpjegohet me faktin se Shkodra, ishte një qendër e madhe e kulturës së përgjithshme, kundër të cilës autoritetet turke nuk kishin guxuar ta godisnin.

Në vitin 1895 u zhvillua në Corigliano Calabro, nën presidencën e Jeronim De Radës, kongresi i parë i gjuhës shqipe ; u vendos aty krijimi i një periodiku, dhe një vit më pas, u botua “Ylli i arbëreshve”, ku redaktimi iu besua Kryepriftit Antonio Argondizza. Në 1897, kjo gazetë u zëvendësua nga “Nazione albanese”, revistë dymujore në italisht që ekzistoi deri sa vdiq (22 mars 1924) redaktori i saj, Anselme Lorecchio.

Më 25 mars 1897 në Bruksel u botua, në shqip dhe frëngjisht, nga Faik Konica, numri i parë i revistës së madhe “Albania”, një prej revistave më të rëndësishme që ka ekzistuar ndonjëherë, kushtuar çështjes shqiptare. Nga 1899 dhe për rreth tre vjet, Konica krijoi një shtesë politike me titull “Albania e Vogël”. Në vitin 1902, ai e zhvendosi gazetën e tij në Londër, ku dhe vazhdoi të dalë deri në 1909.

Në vitet që pasuan, periodike të tjera shqiptare u krijuan kudo – por gjithmonë jashtë atdheut – dhe disa prej tyre patën një rëndësi të vërtetë. Mes 1897 dhe 1908, ne do të përmendim :

Në Itali, “L’Albania letteraria” – (1897), gazetë dymujore e redaktuar nga një grup të rinjsh italo-shqiptarësh të Corigliano Calabro-s ; “La Nouva Albania” – (1898 – 1904), organ dyjavor i komitetit politik shqiptar të Napolit ; “Flamuri i Shqipërîs”, revistë mujore italo-shqiptare e themeluar më 1 janar 1904 në Napoli nga Profesor Giuseppe Schiro, “Gazzetta Albanese” (1904); “Laimtari i Shqypenies”, që u botua në Romë (1905) në italisht dhe shqip ; “Shpnesa e Shqypeniis”, publikimi i të cilës filloi më 10 shtator 1905 në Raguza dhe zgjati dy vjet. Ajo u botua në gjuhën shqipe, italiane dhe kroate.


Në Rumani : “Shqipëria”, e botuar çdo dy javë nga 1897 deri në 1899 në shqip, greqisht dhe rumanisht nën kujdesin e grupit shqiptar të Bukureshtit me moton : “Shqipëria e shqiptarëve”; “L’indépendance albanaise”, e themeluar në Bukuresht në 1898 nga Dervish Hima dhe transferuar pas një viti në Romë me emrin “Zani i Shqipënisë” ; “Yll’i i Shqipërisë”, organ i patriotëve shqiptarë të Bukureshtit (1898 – 1900), pavarësisht se ishte në shqip, publikonte edhe shkrime në gjuhën frënge dhe greke ; “Përlindia Shqipëtare”, gazetë dyjavore e shkruar tërësisht në gjuhën shqipe, përveç artikullit kryesor që ishte në frëngjisht në numrin e saj të botuar në Bukuresht më 15 Maj 1903.


Në Egjipt : “Bashkimi i Shqipëtarevet”, dyjavore e shkruar në gjuhën shqipe dhe frënge (Kajro, shtator 1900) ; “Besa – Besën”, themeluar në Kajro në tetor të 1900 ; “Besa”, revistë mujore botuar në Kajro nga 1904 deri në 1915.


Në Bullgari : “Drita”, e botuar në Sofje dy herë në muaj nga 1901 deri në 1908.


Në Serbi : “Albanija” – 1905, gazetë tre-mujore botuar në Beograd në shqip dhe serbisht.


Në Trieste (atëherë e Austro-Hungarisë) : “Dashamiri”, revista dy mujore themeluar me 14 nëntor 1907 dhe e shkruar në dialektin geg.


Në Zvicër : “Albania”, revistë e botuar në shqip dhe frëngjisht (1905).


Në Turqi mundi të publikohej vetëm një periodik, “Shqyptari”, që i përkiste shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, themeluar në 1904, i cili mundësoi për disa vite, përmbledhjen e ngjarjeve që kishin ndodhur një vit më parë.
Shqiptarët e Amerikës, nga ana e tyre, krijuan, gjatë kësaj periudhe, dy gazeta, njërën në Amerikën e Jugut, “La Questione albanese”, numri i të cilës u botua për herë të parë me 1 shkurt 1905 në Buenes Ajres ; tjetra në Amerikën e Veriut : “Kombi”, dymujore, themeluar në Boston me 9 qershor 1906 dhe që u zëvendësua me 1 janar 1909 nga “Dielli”.

Lëvizja xhonturke e vitit 1908 dukej, në fillim, sikur po premtonte ditë më të mira për të patriotët shqiptarë, të cilët ishin të shtypur ashpër deri më tani. Menjëherë pas miratimit të Kushtetutës, u shfaqën, në kufijtë e Perandorisë Osmane, gazetat shqiptare.

Këto ishin në :

Korçë : “Korça”, 15 dhjetor 1908 ;
Selanik : “Lirija”, në 1908 ; “Diturija” dhe “Lidhja orthodhokse” në 1909 ;
Manastir : “Bashkimi i Kombit”, e krijuar nga fundi i vitit 1909 falë shoqërisë “Shoqërî Botonjëse Literare” dhe e botuar në shqip dhe turqisht ; “Drita”, e themeluar në 1909 ; “Kombi”, e themeluar në 1911 ;
Elbasan : “Tomorri”, organ i Normales së qytetit, themeluar me 25 mars 1910 dhe botuar në Manastir nëpërmjet shoqërisë “Bashkimi i Kombit”;
Janinë : “Zgjimi i Shqipërisë”, organ dyjavor i shoqërisë “Bashkimi”, krijuar më 1909 ;
Shkodër : “Koha”, në 1910, e cila në numrin e dytë të saj u emërua “Bashkimi”.
Brenda Konstandinopojës, u publikuan në 1909 “Shqipetari”, ndërsa në 1911 “E Vërteta”.

Jashtë Turqisë, u krijua gjatë vitit 1909 në Sofje “Shqypeja e Shqypënis”, ndërsa në Kajro “Rrufega” dhe “Shkopi”.

Por shumë shpejt situata do të përkeqësohej ; lëvizja e sapolindur u shtyp, pjesa më e madhe e gazetave shqiptare u pezulluan dhe shumë nga redaktorët e tyre u burgosën. Gazeta të tjera u hapën jashtë vendit si për shembull “Liri e Shqipërisë” në Sofje ; “Trumbeta e Krujës” në Santa – Luis (SH.B.A) ; “Zëri i Popullit” në New York ; “Atdheu” në Rumani ; “Fiala e t’in’zoti” në Piana dei Greci (Itali) ; “La Rivista dei Balcani” po ashtu në Itali mes viteve 1911 – 1912. Në të njëjtën kohë, “Dielli” në New York, u bë gazetë e përditshme.

Tentativat e xhonturqëve për të asimiluar shqiptarët në osmanë i nxituan gjërat. Një kryengritje e përgjithshme u organizua, dhe, në 1912, Shqiptarët morën Shkupin dhe kërcënuan për të marrë edhe Manastirin. Për të ndaluar këtë lëvizje, e cila ishte duke u bërë serioze, dhe për të kufizuar dëmet, qeveria turke premtoi të njohë autonominë shqiptare me disa kushte të caktuara. Shpresa të mëdha lindën edhe një herë, por Lufta Ballkanike vuri gjithçka në pikëpyetje.

Pas disfatës së turqve, Shqipëria ishte e pushtuar pothuajse tërësisht nga malazezët, serbët dhe grekët. Në kulmin e pushtimit, më 28 nëntor 1912, një grup i vogël patriotësh shqiptarë, arritën në Vlorë me një anije austriake, ngritën flamurin e vjetër të Skënderbeut dhe shpallën pavarësinë e vendit ; një burrë shteti, i moshuar, Ismail Qemal bej Vlora, mori drejtimin e qeverisë së përkohshme.

Ishte momenti i duhur, sepse zgjerimi i vendeve ballkanike përdrejt Adriatikut shqëtësonte në të njëjtën kohë si Italinë ashtu edhe Austrinë dhe shpallën “Shqipëria e shqiptarëve”.

Konferenca diplomatike e mbajtur në Londër pranoi, me 20 dhjetor 1912, krijimin e një Shqipërie të pavarur nën mbikqyrjen e një princi evropian të zgjedhur nga populli. Bëhet fjalë për princ Vidin, i cili u zgjodh mbret me 3 dhjetor 1913 dhe zbarkoj në portin e Durrësit me 7 mars 1914.

Gjatë këtyre dy viteve, çfarë ndodhi me shtypin shqiptar ? Të gjitha gazetat e vjetra – me përjashtim të disave të publikuara jashtë – ishin zhdukur, por, nga mesi i 1913, të tjera u shfaqën për t’i zëvendësuar kësaj here brenda tokës shqiptare, më në fund e lirë. Këto ishin :

“Konkordia”, gazetë politike javore e Gjirokastrës ;
“Ushtimi i Krujës”, e publikuar në Durrës ;
“Besa Shqyptare”, e rilindur, me 18 maj 1913, me një emër të ri, “Bashkimi” i Shkodrës, ku dhe disa numra botimi mbajtën edhe emrin “Zàn i Shkodres”;
“Përlindja Shqipëtare”, gazetë politike dyjavore e Vlorës, e themeluar nga D. Berati me 6 gusht 1913, por që u mbyll që me 14 mars 1914 ;
“Xgjimi”, revistë mujore korçare, që filloi me 1 tetor 1913 dhe u ndal në mars të 1914. Deri në numrin e tretë ; ajo u shtyp në Bukuresht, në pritje të largimit të grekëve nga Korça.
Duhen shtuar edhe :

“Taraboshi”, gazeta e parë e përditshme shqiptare, e themeluar në Shkodër me 26 shtator 1913 nga T. Tocci, dhe që vazhdoi deri në fund të nëntori 1914, dhe pas një periudhe të gjatë ndërprerje, u rikthye në vitin 1921 ;
“Hylli i Dritës”, revistë mujore e madhe, e themeluar me dëshirën e Superiorit françeskan të Shkodrës në tetor 1913.
Gjatë mbretërimit të Princ Vidit, vetëm dy gazeta u botuan në Shqipëri :

“Populli”, që u shfaq në Vlorë nga 4 prilli deri në 19 gusht 1914 dhe pastaj u transferua në Shkodër, kur Vlora ra në duart e kryengritësve ;
“Zana”, revistë letrare dyjavore dhe e ilustruar, e drejtuar nga Zonja Lulo Malësori, e botuar në Bari (Itali) dhe e publikuar nga qershori deri në gusht të 1914 në Durrës.
Pastaj erdhi Lufta e Madhe, me largimin e mbretit Vid dhe pushtimin e Shqipërisë nga ana e trupave armike. Çështja shqiptare u gjend përsëri para botës dhe gazeta të tjera shqiptare u shfaqën jashtë kufijve të shtetit të vogël. Në Amerikë, pati një lëvizje të madhe, ku u krijuan gazeta si “The Albania” (në fillim në Denver, më pas në Chicago, 1915), “Illyria” (Boston, 1916), “Perparimi” (Watertown, Mass, dhe më pas në New York, 1916), “Yll’ i Mëngjezit” (Boston, 1917), “Shqiperia” (New York, 1918), The Adriatic Review (Boston, 1918).

Në Lozanë (Zvicër) u themelua në vitin 1915 “L’Albanie”, “organ dyjavor mbrojtës i interesave shqiptare”, dhe në Romë, në korrik të vitit 1918 “Kuvendi”, javore politike italo-shqiptare.

Në Shqipëri, pavarësisht vështirësive të panumërta, patriotët trima arritën të krijojnë disa revista të reja :

“Posta e Shoqnies”, javore politike e publikuar gjatë disa muajve në Shkodër që nga 5 dhjetori 1916 ;
“Gazeta e Korces”, si fillim e përditshme dhe më pas tri-javore, e krijuar në Korçë me 12 tetor 1916 ;
“Zoja Shkoders Drita Shqypnis”, periodik katolik i publikuar në Shkodër nga prilli i 1917 deri në korrik të 1919 ;
“Kopështi Letrar”, revistë që u shfaq në Elbasan në gusht të 1918 deri në korrik të 1919.
Kur morën fund luftimet, gazeta të tjera u publikuan, për tu kujtuar kombeve që negocionin kushtet e paqes dhe ribënin hartat e Evropës, se Shqipëria nuk duhej harruar : “Agimi”, “Koha e Re” dhe “Populli”, të publikuara në Shkodër në fillim të 1919 ; “Opinga” dhe “Xgjimi i Shqipërisë”, revista të themeluara në Paris po gjatë atij viti ; “Shqiperia e Re”, në Bukuresht ; “La Rassegna italoalbanese” në Palermo, etj.

Paqja u arrit më në fund. Me 9 nëntor 1921, Konferenca e ambasadorëve konfirmoi përfundimisht kufijtë e Shqipërisë dhe, me 21 janar 1925, u shpall republikë.

Tashmë, gazetat do të zhvilloheshin normalisht, megjithëse pa pritur këtë moment, fleta të reja kanë mbirë, si kërpudhët pas shiut : mund të llogarisim më shumë se gjashtëdhjetë, të shfaqura mes 1920 dhe 1925, por zakonisht shuhen në lulen e jetës. Ne do të përmendim ndër më të rëndësishmet, si për shembull :

“Demokratia”, javore e madhe e Gjirokastrës (1925) ;
“Ushtimi i Vlorës” ;
“Zekthi”, gazeta e parë satirike shqiptare (Korçë, 1922) ;
“Fletorja Zyrtare”, e themeluar në Tiranë në 1922 me titullin inicial “Dit e Re”.
Me 1 shtator 1928 u rivendos monarkia dhe presidenti në detyrë, Ahmet bej Zogu, u ngjit në fron nën emri Zog I-rë. Sovrani i ri, që kishte jetuar për një kohë të gjatë në Konstandinopojë dhe në Vjenë, e njihte rëndësinë e shtypit dhe e favorizoi me aq sa mundi zhvillimin e saj. Gazeta kishin një mision për të përmbushur në mbretërinë e re : imponimin e autoritetit të qeverisë qendrore në fiset që jetonin në malësi për të cilët hakmarrja (kanuni) nuk i përkiste ende të kaluarës. Influenca e gazetave duhet të ishte akoma dhe më e madhe tek ata, sepse ishte i vetmi ushqim intelektual për popullsinë e shkolluar. Pikërisht për shkak të këtyre kushteve të veçanta, qeveria shqiptare mendonte se ishte më mirë që të ketë pak gazeta, por të mira, se sa shumë dhe mediokre ; ligji i 24 janarit 1931 vendosi që çdo editor (botues) duhet të ishte 25 vjeç e sipër dhe të kishte një dëftesë (diplomë) gjimnazi ; nevojitej gjithashtu një depozitë prej 5000 frangash ari. Dispozitat e këtij ligji, me më shumë se 60 artikuj, cënuan të drejtën e lirisë të shtypit dhe gjendja u rëndua më shumë prej dy dekreteve të 1 shkurtit 1937, sepse u eliminua një numër i rëndësishëm gazetash. Mbetën vetëm gazeta e “mëdhaja” por me baza të qëndrueshme : në prag të pushtimit të Shqipërisë nga italianët, kryeqendra e çdo krahine kishte gazetën e saj, shpesh të përditshme.

Revistat, po ashtu, ishin të shumta, le të përmendim më të lexuarat :

revistën letrare “Minerva”;
revistën pedagogjike “Normalisti” të Elbasanit ;
revistën shkollore “Vatra e Rinis”;
revistën fetare të myslimanëve “Zani i Nalte”, etj.
Në një vend me 1.2 milionë banorë, gazetat periodike nuk mund të pretendojnë të shiten në masë, sepse ky vend ka ruajtur disa tipare orientale, ku gazetat e botuara kanë përballë tyre një konkurent të fortë, “shtypin e folur”, i cili praktikohet në kafene dhe pazare. Gjithsesi, mund të konstatojmë se gazetat arrijnë shpejt deri në fshatrat më të izoluar dhe shohim shpesh, këto kohët e fundit, fshatarë të rinj, të cilët kishin sjellur prodhimet e tyre në treg, dhe të marrin gjatë rrugës së kthimit për në malet e tyre gazetat e gjithë javës.

Pushtimi i Shqipërisë nga italianët ka shkaktuar zhdukjen e të gjitha gazetave të pavarura, duke përfshirë edhe “Dritën”, gazetën e përditshme të Tiranës, e cila është zëvendësuar nga “Fashizmi”, “organ i partisë fashiste shqiptare”, numri i parë i botuar i përket datës 25 maj 1939. Faqja e gjashtë e kësaj gazete është në italisht, të tjerat në shqip. Është e vetmja gazetë që ekziston akoma në Shqipëri.

Katër gazeta të tjera që botohen një apo dy herë në javë janë “Littorio Coritca”, “7 Prilli” (data e pushtimit), “Gazeta e këmishave të zeza” (Vlorë) dhe “Rinia Fashiste” (Shkodër). Janë të gjitha organ i partisë fashiste dhe botohen në italisht e shqip.

Ish-kreu i SHIK: Mbi 1 mijë të vrarë, ja pse dështoi CIA në vitet ’50 në Shqipëri

Studiuesi Irakli Koçollari, ish-shef i Shërbimit Informativ Shtetëror, zbulon dokumentet e CIA-s amerikane ku, sipas të cilave, grupet diversante që kanë hyrë në Shqipëri në vitet 1948-1956 kanë vrarë mbi një mijë roje kufiri, oficerë dhe civilë të pafajshëm gjatë misioneve të tyre, ndërsa shërbimet kufitare shqiptare kanë asgjësuar apo kapur 300 prej tyre.



Këtë fakt ai e mbështet në dokumente sekrete tashmë të deklasifikuara të shërbimeve të huaja, sipas të cilave ka qenë faktori shqiptar që ka çuar në dështimin e këtyre misioneve, jo bashkëpunimi me rusët siç besohet gjerësisht.

Koçollari për herë të parë tregoi në emision se dokumentet fillojnë që me planin e parë në ’49 për operacione kundër Shqipërisë.

Plani prej 97 faqesh, në vitin 1949 u hartua nga Frenk Wizner, një nga oficerët e lartë të CIA-s dhe synonte rrëzimin e pushtetit komunist të dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas Koçollarit, në takimet me ekspertët e CIA-s në ditët tona, dështimi i këtyre misioneve pranohet hapur, edhe pse ky fakt është mbajtur sekret për dekada të tëra.



Zoti Koçollari, më ndjeni të them se teoria juaj se shërbimet sekrete të huaja në Shqipëri kanë dështuar për shkak të shqiptarëve, nuk më ka mbushur ndonjëherë mendjen plotësisht…

Është normale të tundohesh dhe të ruash këtë mendim. Hamendësitë e kanë një bazë, por unë do të doja të thoja që operacionet e tyre kanë dështuar këtu. Tani jemi përpara një kohe tjetër dhe kemi edhe gjëra të tjera, të cilat fatmirësisht mbështesin konkluzionin tim që dështimi nuk ka qenë për shkak të rusëve.

Po të kujt?

Merita i takon vetëm specialistëve të shërbimit sekret shqiptar. E pranon njeriu i parë që shkroi për këto operacione të organizuara nga CIA, bashkë me të cilën ka qenë shërbimi sekret britanik, shërbimi sekret jugosllav (të dihet mirë) dhe shërbimi sekret grek.

Natyrisht kanë qenë edhe italianët bashkëpunëtorë të këtij plani.

Duhet kuptuar një gjë që ata nuk do të vinin vetëm nga ajri dhe ju duhej edhe mbështetja e grekëve, përmes territoreve të tyre.

I pari njeri që shkroi për këto operacione, të cilat e kanë marrë çertifikimin që kanë dështuar përpara shqiptarëve, është Nikolas Bethel, në një botim në vitet ’80, “The great betrayal”.

Ai është i pari që ka thënë se dështuan dhe gjithçka u mbajt në heshtje për këto operacione. Ka një ligj që quhet FOIA, që detyron vendet të deklasifikojnë mbas 30 vjetëve dokumentacionin e mbajtur sekret. Çuditërisht këto operacione janë mbajtur sekret më shumë duke shkelur edhe këtë ligj. Pyetja që shtrohet është “Pse pikërisht me keto informacione ky ligj nuk u respektua?” Natyrisht ka shumë arsye, të cilat thuhen tanimë.

Ai thotë se jo vetëm dështuan, por duhet kuptuar që dështimi nuk lidhet vetëm me filmin, por me shërbimin shqiptar të sigurisë.

Tani jemi në një stad tjetër. Pas tij ka edhe shumë autorë të tjerë që flasin për këto operacione. Por ajo që është me shumë rëndësi është deklasifikimi i materialeve.

Dokumentet fillojnë që me planin e parë të hartuar për vendimin e marrë për operacione kundër Shqipërisë dhe plani për mua është një plan për t’u admiruar.

Pasi bëri një analizë të situatës dhe si e vlerësojnë amerikanët Shqipërinë, autori përcakton në mënyrë konkrete, në një plan prej 97 faqesh, në vitin 1949. Plani i parë i cili i hap rrugë ndryshimeve është miratuar.

Hartuesi është Frenk Uizner, një nga kuadrot e CIA-s, i cili ka vdekur herët për shkak të një sëmundejeje. I biri i tij është rikthyer në politikë dhe i është rikthyer temës së shqiptarëve.

Frenk Uizner Junior ka qenë ambasador në Kosovë dhe shumë pozitiv në çështjen e pavarsisë së Kosovës.

Dhe çfarë synonte ky plan?

Plani e thotë hapur. Përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e një qeverie pro perëndimore, pro amerikane.

Si do të realizohej?

Përmes operacioneve sekrete dhe luftës së ftohtë. Duke krijuar baza, rekrutuar njerëz, të cilët do të krijonin terrenin e duhur.

Në letër thatë se plani ishte i mirë. Po në zbatim?

Ata kanë hyrë, kanë kryer veprime spiunazhi, por ka edhe nga ata që janë kapur dhe janë shtënë në kurthe, ndër agjentët më më të aftë të amerikanëve.

Pse dështoi, çfarë ndodhi?

Ka një sërë arsyesh. E para, ata që erdhën i takonin një kontigjenti njerëzor që ishin kolaboracionistë, ishin larguar bashkë me pushtuesit. Një pjesë e tyre u gjykuan për krime lufte, opinioni i njihte si të tillë.

E dyta, e vërteta është që terreni nuk njihej si duhej. Operacionet filluan në vitet ‘50, nga 44 kishin kaluar disa vite, ndërkohë këtu ishin ngritur institucione që kishin marrrë masa për të parandaluar veprimet dhe kishin një lloj eksperience.

Heronjtë cilët ishin, oficerët e sigurimit, kufitarët që mbronin regjimin komunist, apo diversantët që donin të rrëzonin atë regjim?

Amerikanët por edhe shërbimet e tjera që kanë organizuar këto operacione shprehen që veprimet nuk janë legjitime. Në analizën e dokumenteve bëhet e qartë ç’ishte e ligjshme dhe ç’ishte e paligjshme.

Amerikanët i qëndruan konsekuentë mendimeve të tyre, për rrëzim të regjimit komunist, por kurrë për copëtim të Shqipërisë. si grekët e jugosllavët. Ata ishin për një Shqipëri sovrane, por me një qeveri pro perëndimore.

Kur për herë të parë nisin plane për ndërhyrje ushtarake nga jugosllavët, amerikanët kanë ndërhyrë me deklaratë të pashpallur publikisht, që vërtetë ne po bëjmë këto operacione, por ne nuk do të lejojmë askënd të cënojë sovranitetin e këtij vendi.

Pse të mos themi që kjo përçarje është arsyeja e dështimit?

Jo.

Hekuran Bobrati, Hasim Aliko… Si dalin këta personazhe në këndvështrimin tuaj, sipas studimeve? Pse ju i vlerësoni këta shqiptarë?

Këtu ka përballje të intelektualëve të fushave të inteligjencës, për të arritur një synim të caktuar politik, pra një plan që bëhet për të arritur objektivin dhe një kundër plan për ta penguar. Këtu përballen 2 grupe. Këta njerëz përballuan luftën e ftohtë dhe për dështimin e operacioneve, meritën e kanë këta njerëz. Ka edhe të tjerë që nuk njihen, si Pilo Shanto, një nga punonjësit e inteligjencës së asaj kohe.

Sa të vrarë pati kjo luftë? Të gjithë shqiptarë sihin?

Po, nga ato që di unë, nga grupet e dërguara nga CIA dhe shërbimet e tjera janë rreth 300 të kapur dhe të vrarë, ndërsa, këta njerëz vranë roje në kufij, njerëz të pafajshëm, i kalon mbi 1 mijë të vrarë.

Në cilat vite saktësisht?

Ka filluar në vitet ‘48 dhe ka përfunduar në ‘56.

Sipas jush, a e shfrytëzoi partia gjithë këtë, sapo morën pushtetin?

U shfrytëzua patjetër edhe nga propaganda. Ka një gjë të çuditshme që e thonë dokumentet amerikane dhe të tjera, sepse ata e kanë parashikuar që do të ketë një propagandë. Prandaj në dërgimin e gjithë grupeve është bërë kujdes i madh, që të mos dalin në mënyrë të drejtpërdrejtë, që është dora e shërbimeve sekrete perëndimore, por janë organizime të vetë shqiptarëve në perëndim.

Në takimet tuaja me personalitete të rëndësishme të CIA-s e të tjerë, a është prekur ndonjëherë kjo temë?

Së fundmi institucionalisht, gjithnjë e më shumë ata pranojnë që dështimi u ka ardhur nga shërbimi shqiptar.

Propozimi i ri i Lulzim Bashës, Edvin Kristaq Rama: Kësaj i thonë duam qiqra në hell

Nuk ka vonuar shumë dhe përgjigja e Kryeministrit Edi Rama ndaj kërkesës së re të bërë sot nga Lulzim Basha që vettingu të miratohet nga qeveria e re teknike.

“Qeveri Teknike pastaj rishikim të 7 ligjeve pastaj vettingun?!Kësaj i thonë duam qiqra në hell pastaj flasim për ç’do Shqipëria:Vetingun”, shkruan Edvin Kristaq Rama në Facebook.

Basha tha sot se opozita do të votoje vettingun dhe amendimin e shtatë ligjeve nëse pranohet qeveria teknike.

“Edi Rama dhe Ilir Meta duan t’i emërojnë vetë njerëzit e drejtësisë.

Nga 27 vende të lira, kanë 29 kandidatë. Pra nuk ka zgjedhje. A mund ta pranojmë ne një drejtësi të kapur nga Edvin Kristaq Rama? Nëse nuk kanë frikë nga vettingu, menjëherë pas paktit për qeveri teknike, urdhëroni ta bëjmë vettingun dhe të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur. Kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e pa kapur? PD do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi.

Ne do ta hapim këtë rrugë bashkë me qytetarët shqiptarë. Ti hapin rrugë qeverisë teknike, të ndryshojmë së bashku shtatë ligjet e drejtësisë që i bënë përsheshë. Nëse jo do ti zgjidhim me qytetarët shqiptarë.

Qëndresa jonë sapo ka filluar.

Beteja jonë po merr hov nga dita në ditë. Mbështetja për këtë betejë vjen nga realizimi se rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...