Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/03

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, Federica Mogherini do të vizitojë nesër Kosovën.


 Federica Mogherini

Gjatë vizitës,Federica  Mogherini do të takohet me autoritetet politike, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Isa Musta dhe udhëheqësit e partive politike parlamentare, përfshi ato opozitare.

Në agjendën e dërguar nga Zyra e BE-së, konfirmohet se ajo do të vizitojë urën e Mitrovicës, ku kohët e fundit kishte zhvillime dramatike në lidhje me ndërtimin e parkut mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit. Aty, Bashkimi Evropian është i përfshirë në projektin për lëvizjen e lirë mbi dhe përreth urës kryesore mbi lumin Ibër.

Njëherësh, vizita e Mogherinit vjen në kohën e zhvillimeve tjera politike në Kosovë, siç janë paqartësitë rreth ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, si kusht i Kosovës për t’u përfshi nëliberalizimin e vizave.

Mogherini është ndërmjetësuese edhe në procesin e bisedimeve Prishtinë – Beograd, dhe pritet që ajo të adresoj edhe çështjen e marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë në procesin e dialogut të Brukselit.

Vizita e Mogherinit në Kosovë po realizohet në kuadër të një turni që ajo po zhvillon në rajonin e Ballkanit.

Kosova me mbi 700 raste të tuberkulozit, prin Prishtina


Ilustrim


Të paktën 700 persona në Kosovë janë të prekur nga tuberkulozi, duke e bërë vendin më të prekur nga kjo sëmundje në mesin e shteteve të rajonit dhe në Evropë.

Institucionet shëndetësore në Kosovë thonë se zona më e prekur me tuberkuloz është Prishtina, për shkak të numrit të madh të banorëve, ndërkohë që sëmundja është shtrirë edhe në Komunën e Podujevës, Lipjanit, në Ferizaj dhe Kaçanik.

Profesionistët shëndetësorë thonë se veçanërisht mosha e të prekurve me tuberkuloz është shqetësuese sepse ajo sillet ndërmjet 14 deri në 34 vjeç.

Ata thonë se shkaktarët që çojnë tek sëmundja e tuberkulozit ndërlidhen me mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe sidomos me kushtet dhe rrethanat e jetesës në Kosovë.

Rukije Mehmeti, pulmologe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se është shqetësues numri i madh i të prekurve me tuberkuloz.

"Kosova i takon vendeve mesatarisht të zhvilluara, dhe tuberkulozi paraqet problem. E keqja është se po prek moshën 15 deri në 34 vjeç dhe po paraqet problem madhor në vend. Edhe më tutje kemi donacione, por që po shkurtohen çdo vjet fondet, megjithëse Fondi Global prej vitesh e ndihmon luftimin e tuberkulozit.”, thotë Mehmeti.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thonë se po përcillet vazhdimisht situata epidemiologjike, dhe tuberkulozi është vënë me theks të veçantë e prioritet të lartë. Sipas drejtuesve të Institutit, po bëhën përpjekje për ta mbajtur nën kontroll sëmundjen dhe për ta luftuar atë.

Në anën tjetër, Majlinda Gjocaj, menaxhere kombëtare për tuberkuloz, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ndonëse numri i të prekurve me sëmundjen e tuberkulozit ndër vite po shënon rënie, përsëri numri i të prekurve mbetet i lartë, krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropën.

"Tuberkulozi ngjitet përmes rrugëve të ajrit dhe është vështirë të eliminohet. Ne kemi arritur ta ulim numrin e të prekurve meqë në vitin 2016 kanë qenë 60 raste më pak se një vit më parë, kur numri i të prekurve ishte 717 raste. Janë 40 pacientë në 100 mijë banorë, e që është numër i lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës. Ministria e Shëndetësisë e përkrah programin e Fondit Global për tuberkulozin me barnat e linjës së parë. Ne kemi nisur blerjen e tyre", tha Gjocaj..

Kohë më parë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se patologjia e sëmundjes së tuberkulozit në Kosovë në krahasim me rajonin ende është shumë e shprehur, por qe zotuar për përkrahjen e punës së profesionistëve shëndetësorë dhe blerjen e barnave të nevojshme. (REL)

 16x9 Image


Ariana Kasapolli - Selani

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Nesër fillon punimet Simpoziumi i parë ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”

DITA IME  6 MARSI



Nesër, në prani të qindra profesionistëve e studentëve të drejtimit të Stomatologjisë, fillon punimet Simpoziumi i parë ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”. Seancat e punimeve shkencore fillojnë në orën 09:00, ndërsa hapja solemne bëhet në orën 11:00, në Swiss Diamand Hotel Prishtina.

Simpoziumi ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, ka për qëllim edukimin cilësorë, informimin dhe trajnimin e profesionistëve dhe studentëve të drejtimit të stomatologjisë, me të arriturat aktuale të shkencës dhe teknologjisë aplikative.Në simpoziumin ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, profesionistët e lëmive të ndryshme të stomatologjisë do të prezantojnë punën e tyre edukative, shëndetësore, hulumtuese e shkencore.Simpoziumi ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, pos ligjeratave plenare të përzgjedhura, do të ofroj edhe kurse e trajnime profesionale (teorike dhe praktike), si dhe referues të ftuar nga ekspertiza e stomatologjisë në nivel ndërkombëtar. Ligjërues të huaj janë, Roberto Cameriere,  Kryetar i projektit “Age Estimation”, projektit më të suksesshëm në 15 vitet e fundit në fushën e Forenzikës Stomatologjike në nivel ndërkombëtar, pastaj Luz Andrea Velandia Palacio nga Columbia, Henri Diederich nga Luxemburgu, Jean-Marc DERSOT nga Franca,  Marin Vodanovic e Ivan Galic nga Kroacia, si dhe Roberto Scrascia nga Italia.Marrë parasysh se simpoziumi organizohet për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Dentistëve, ky projekt do të jetë tradiconal, duke i’u dhënë në këtë mënyrë vendin e merituar dhe respektin ekspertëve të Stomatologjisë për kontributin në ruajtjen e shëndetit oral, edukimin e gjeneratave te reja, ngritjen profesionale si dhe afirmimin shkencor dhe hulumtues.Në kuadër të hapjes solemne, për Veprimtari Jetësore, do t’u ndahen mirënjohje Prof. Rifat Ymeri, Prof. Beqir Lupqi, si dhe për Prof. Roberto Cameriere. Prof. Ymerit dhe Prof. Lupqit, kjo mirënjohje u ndahet për kontribut në edukimin e gjeneratave të reja, promovimin dhe ruajtjen e shëndetit oral të popullatës, si dhe kontributit të tyre në themelimin e departamentit të Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Ndërsa Prof. Cameriere, kjo mirënjohje i ndahet për suksesin e arritur në kuadër të Projektit për Përcaktim të Moshës “ÁgEstimation” në nivel ndërkombëtar.Për më tepër në lidhje me projektin dhe programin final, mund të informoheni në linkun në vazhdim : http://kiscoms.org/registration_dentistday/

Elena Risteska propozon veprimtarin Fatlum Rushiti për President të Maqedonisë

elena

Ish-përfaqësuesja e Maqedonisë në Eurosong, Elena Risteska propozon për kryetar shteti diplomatin dhe veprimtarin e kauzës shqiptare Fatlum Rushiti. Qytetarët e Maqedonisë (veçanërisht shqiptarët) nuk janë aspak të kënaqur nga udhëheqja e presidentit aktual Gjorge Ivanov.

Këngëtarja e bukur shkupjane potencon për gazetën Fokus se deklaratat e presidentit Ivanov kundër të drejtave legjitime të shqiptarëve janë një fyerje e madhe ndaj komunitetit shqiptar dhe përbëjnë një sulm të rëndë ndaj bashkëjetesës ndëretnike.

“Ivanov nxit urrejtje, mosdurim dhe dhunë midis popullit. Veprimet e këtilla rrezikojnë qytetarët dhe po e destabilizojnë vendin. Maqedonisë i nevojitet një lider markant në çdo nivel të shoqërisë demokratike. E rekomandoj publikisht për kryetar shteti diplomatin Fatlum Rushiti.

Person fenomenal. Kam admirim dhe respekt të madh për Mr. Lumin. Ai i posedon të gjitha atributet për ta udhëhequr shtetin tanë në rrugë të mbarë,” konkludon këngëtarja e njohur Elena Risteska.

Misteret e Çatisë së Gjarpërinjve


Image result for eshref ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri




Këtu e dy vjet të shkuara, shkrimtari vlonjat Eqerem Canaj, pati botuar romanin me titull “Çatia e gjarpërinjve”. Para se ta niste për në shtypshkronjë, ai ma pati dërguar me postë elektronike.Kishte dëshirë që të shprehja ndonjë mbresë. E lexova romanin me shumë kureshti, i pata hedhur ca mbresa në kompjuter dhe ia nisa. Por duke qenë shumë i zënë edhe me përgatitjen për botim të librin tim“Përkthimi, një histori pasioni” dhe me artikuj publicistikë, mbresat për atë roman i pata harruar në magazinën e kompjuterit dhe më pati dalë nga mendja për t’i botuar në internet, paçka se zotëria Eqerem Canaj i pati përfshirë ato si recension për romanin e botuar. I kërkoj ndjesë për botimin e mbresave të mia në internet me dy vjet vonesë.
Para se të ndalem në këndvështrimin tim për këtë roman, dëshiroj të theksoj se poet-shkrimtari Eqerem Canaj e ka lidhur vërtetësinë e realitetit që përcjell në krijimtarinë e vet me shtresëzimet e një stili të papërsëritshëm që e shpërfaq me një shpirt krijues të jashtëzakonshëm. Gjuha e tij vjen e përfton disa shtresëzime stilistikore që ndërkëmbehen herë me finesën e gjuhës së latuar letrare, herë me rrëfimtarinë e pasur të gjuhës dialektore.Kësisoj realiteti shqiptar i përcillet lexuesit përmes një mjedisi gjuhësor të kristalizuar.
Në të njëjtën kohë, në krijimtarinë e tij dalin në spikamë të gjitha ngjyrimet semantike dhe ekspresive të regjistrit gjuhësor.Veç kësaj, duhet theksuar domosdoshmërisht frymëzimi tepër karakteristik që e dallon poet-shkrimtarin Eqerem Canaj tek endet në krahët e fantazisë së tij krijuese.Frymëzimi i tij nuk është gjë tjetër, veçse një ndjesi e gjallë, një dhuratë qiellore, një rreze drite e dërguar nga Hyjnia.Si një krijues me një talent të veçantë, Eqerem Canaj mbetet poet edhe në prozë, e cila të mahnit me elegancën e saj. Frymëzimi i tij lind nga kontaktet me jetën që i nxit pasionin krijues, i cili, si prushi mes hirit, vjen e përflaket nga flladi i fantazisë.
Kjo është edhe arsyeja që në prozë-poezinë e tij çdo fjalë lind një mendim, çdo mendim na jep një tablo, çdo tablo na nxit një ndjenjë, çdo ndjenjë na përcjell një shprehje herë të hyjnishme, herë të përndezur, herë plot freski.
E reja ose e pazakonta e ndjenjave që shpreh ky autor në krijimtarinë e vet, qëndron në faktin se ai, me shprehjet, ngjasitë, ndjenjat apo tablotë që përcjell me penën e vet, i lë lexuesit gojëhapur deri në mahnitje.
Fjala ka një autoritet të jashtëzakonshëm në penën e këtij poet-shkrimtari.Sqima e tij është befasuese në përzgjedhjen e fjalëve.Fjala e tij është tërësisht e tabanit kombëtar.Krijimi i fjalëve të reja me brumin e shqipes sonë hyjnore, duhet të shërbejë si shkollë për të gjithë krijuesit tanë të rinj. Pasuria leksikore që sjell në gjuhën shqipe ky autor i talentuar, duhet të tërheqë vëmendjen e Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë.
Që këtu e ca vite të shkuara, pata lexuar romanin “Njeriu me nofulla të hekurta” të këtij poet-shkrimtari me një individualitet origjinal.Më pas pata lexuar përmbledhjen me tregime dhe me novela me titull “Legjenda e Marsidës”, librin “Romani i një urtaku” romanin “Metastazë në blu” dhe përmbledhjen poetike “Gjethi i kuq”.
Tani ky autor vë në dorën e lexuesve romanin e ri “Çatia e Gjarpërinjve”. Ky roman përbën një risi në letërsinë shqipe, sepse, për herë të parë në prozën tonë artistike, plazmohet një dukuri e çuditshme, një heroinë e pazakontë për lexuesin shqiptar, por fort e pranishme në historinë tonë kombëtare. Heroina kryesore e këtij romani është… anarkia.
Po ç’është kjo anarkia? Ç’do të thotë kjo fjalë? Në përkthimin nga greqishtja, do të thotë “pa” dhe “shtet”.Ndokush këtë fjalë mund ta lidhë me nocione të tilla, si “kaos” ose “kryengritje”, “çrregullim” ose “liri e plotë” apo “liri pa kurrfarë kufizimi”. Po cila është arsyeja e një të kuptuari të tillë të kësaj fjale, cili është kuptimi i saj i vërtetë?Sipas shpjegimeve që jepen në fjalorë të ndryshëm enciklopedikë, anarkia është një filozofi politike, e cila përmbledh në vetvete teori dhe pikëpamje që nënkuptojnë likuidimin e çdolloj qeverisjeje dhe autoriteti të dhunshëm të njeriut kundër njeriut.
Romani “Çatia e Gjarpërinjve” shërben për lexuesin si një“aparat projeksioni”, i cili përcjell në skenën e jetës shqiptare ca të vërteta tragjike që vijnë nga koha e terrorit komunist, vazhdojnë me përmbysjen e tij zyrtare dhe vijojnë me dukuritë anarkiste të përçudnisë demokratike.
Sipas përcaktimit të mësipërm, anarkia përfaqëson një doktrinë të tërë filozofike, e cila propagandon shembjen e pabarazisë mes njerëzve para ligjit.Pikërisht kjo pabarazi shërben si zanafillë e luftës së anarkistëve me një të tillë institucion siç është shteti.
Në këtë roman, shkrimtari Eqerem Canaj ka arritur t’u kthjellojë mendjen lexuesve për bindjet e tyre të ngulitura djallëzisht në heshtjen e tyre gjatë shumë dhjetëvjeçarëve, si pasojë e indoktrinimit me hape me efekte mendjeturbulluese, sikur sistemi komunist në Shqipëri na paska qenë gjoja më i organizuari dhe se rendi shtetëror dallohej për rregullin dhe disiplinën shembullore, paçka se në kushtet e një diktature të egër. Kjo nuk është aspak e vërtetë.Shteti represiv komunist shqiptar ka qenë karakterizuar nga një botëkuptim thellësisht anarkist në marrëdhëniet me qytetarët e thjeshtë.Asokohe, i vetmi individ që gëzonte imunitet të plotë, ishte vetën Njëshi.Të tjerët ishin “mikroparcela eksperimentale”, ku Njëshi bënte prova pas provash për të ruajtur dhe për të përjetësuar pushtetin e vet.
A mund të mos quhej anarkist një vend kur një individ i hierarkisë së lartë shtetopartiake një ditë më parë tundej në kolltuk, kurse të nesërmen përfundonte në një mbeturinë sociale ose para skuadrës së pushkatimit? Ose kur një individ i thjeshtë që nxirrte bukën e gojës pranë tornos apo pranë parmendës, një ditë të bukur përfundonte me hekura në duar për hiçgjë?A ka anarki më të madhe se kjo?
Me skenën që autori përshkruan mjeshtërisht se si kriminelët e Njëshit i presin gjuhën ministrit të brendshëm me aq barbari që të kujton kohën e inkuizicionit të tmerrshëm, lexuesi nuk mund të mos bindet që anarkia e sistemit komunist, e kultivuar me aq fanatizëm prej Njëshit, ishte themeli i ekzistencës së tij.
Vrasja e gjeneralëve dhe internimi i kufomave të tyre diku larg, siç thotë autori në këtë roman, a nuk ishte shprehja më e koncentruar e anarkisë në ushtrimin e pushtetit të pakufizuar prej Njëshit, si i vetmi individ me imunitet të paprekshëm?
Me këtë roman, shkrimtari Eqerem Canaj ka bërë demaskimin më shembullor të anarkisë komuniste që ka tromaksur një popull të tërë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore. Prandaj ideja kryesore e këtij romani përmblidhet në pikësynimin për të përmbysur jo çdolloj autoriteti shtetëror, por vetëm atë lloj autoriteti që bën të mundur pabarazinë mes njerëzve para ligjit.
A kishte gjë më të tmerrshme sesa anarkia e bandës së kuqe, që, në kapërcyellin e ekzistencës së saj në majat e pushtetit, iu vërsul vendit, i cili, mbi gërmadhat e varfërisë komuniste, arriti të ndërtonte një ngrehinë delikate të rregullit dhe të qetësisë?
Shkrimtari Eqerem Canaj, në këtë roman, ngre mjeshtërisht siparin e ca të vërtetave tragjike që shoqëruan anarkinë komuniste në vitet e demokracisë përçudnore. Fuqia e papërmbajtur e magjisë që pllakosi botën shqiptare, fuqi kjo që më parë s’përmendej as për ndofarë hijesh fantazore zbehtake, pa bërë kurrfarë dallimi, erdhi e i pajisi njerëzit e zakonshëm me ca mundësi të reja. Ajo nuk bënte naze në përzgjedhjen e njerëzve: nëse njeriu ishte i mirë ose i keq, i turpshëm apo i pamëshirshëm, i thjeshtë apo kriminel i lindur. Ajo s’e çante kokën fort se cilat janë motivet që e udhëheqin njeriun në këtë jetë.
Ky roman herë-herë të kujton romanin e famshën filozofik të shkrimtarit, të mendimtarit dhe të gazetarit anglez Çesterton (Gilbert Keith Chesterton -1874-1936), me titull “Njeriu që quhej e Enjte” (The Man Who Was Thursday) dhe me nëntitull “Mishmashi i Natës” (A Nightmare), i botuar në vitin 1908. Në këtë roman përshkruhet historia e një të riu me emrin Gabriel Sajm, i cili hyn në një përleshje fantastike me të keqen e gjithësisë që përfaqësohej nga një grup anarkistësh të kuturisur.
Diku në këtë roman, shkrimtari Eqerem Canaj shkruan jo pa një rëndim në shpirt:
“Secili turret, lakmon të rrëmbejë dhe vetëm të rrëmbejë: të jetojë mbi stërmundin e tjetrit”.
Këto fjalë drithëruese më sjellin ndër mend veprën e filozofit gjerman Maks Shtirner (Max Stirner 1806-1856), me titull “I vetmi dhe prona e tij”. Kjo është vepra më e njohur në historinë e anarkizmit evropian.Idetë e tij, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, shënuan lulëzimin e individualizmit dhe të nihilizmit në kulturën evropiane. Ideja themelore e veprës së tij mund të përmblidhet në pak fjalë:
“Puna ime nuk duhet të jetë as e mirë, as e keqe, as hyjnore, as njerëzore, meqenëse e mira, e keqja, Hyjnia, njerëzimi - të gjitha këto janë nocionet e mia subjektive: përveç meje, për mua nuk ekziston asgjë”.
Autori nuk ndalet në këtë roman në vitet e mjerimit komunist, kur individi i thjeshtë i masës “popull” u varfërua deri në caqe mitike. Por ai shpalos mjeshtërisht para lexuesit produktin e varfërisë mitike që polli ideologjia komuniste: individin e tjetërsuar, të ndërkryer në varfërinë e tij, e cila e ka shndërruar atë në një shëmbëlltyrë individualiste, të karfosur keq nga një egocentrizëm i skajshëm. Dhe tek sodit një individ të tillë mjeran, autori shpërthen:
“…keq unë, keq ti, mirë, kur të tërë jemi keq”.
Tek ravijëzon tiparet karakteristike të një mase gjigante njerëzish të varfëruar që kërkon të shfryjë në prehrin e anarkisë, autori nuk thotë as edhe një fjalë të vetme për kundërtinë e saj, të cilën lexuesi duhet ta nënkutojë me nuhatjen e vet: për tufën e vogël të pasanikëve, të rrasur brenda gjerdheve të Bllokut komunist. Se një gjë e tillë merret me mend kollaj. Se ky është ligji i jetës: kur një popull i tërë varfërohet në skajshmëri, një bandë e vogël në krye të tij pasurohet deri në pabesueshmëri.
Në faqet e këtij romani anarkia vjen e merr të tilla përmasa të frikshme, saqë autori nuk e quan të arsyeshme të hyjë më përsiatje të panevojshme. Ai mjaftohet me një frazë të vetme, e cila zbërthen filozofinë mbizotëruese që e ka karfosur keq psikologjinë e njerëzve të lebetitur nga varfëria dëshpëruese:
“Populli, ngrirë e mbirë pranë ekraneve TV, lotonte, psherëtinte.Dhe, padrejtësisht, lutnin epokën e Diktatorit, edhe pse kishin qenë skllevër të bindur të tij”.
Në këto kushte, bandat e trafiqeve të gjithfarllojshme marrin në dorë frenat e shtetit dhe Adriatiku bëhet dëshmitar i fatkeqësive të renda njerëzore që i mban të fshehura brenda humnerave të tij të mistershme. Dhe Blloku i dikurshëm, i ndarë nga masa e individëve të thjeshtë me murin e bajonetave të Gardës Kombëtare, vjen e zhvendoset në Çatinë e Gjarpërinjve, ku kush e kush më parë mundohet të luajë rolin e “përdëllimtarit më të kulluar” për fatet e një populli të mjerë, taman si në skenën e një teatri absurd, nëpër të cilën vërtiten të gjithë heronjtë kryesorë të romanit
Në këto ngjarje e sipër, autori nxjerr në skenë një këshilltare të huaj, Stela Moretin, e cila, për ta shpëtuar miletin nga thonjtë e varfërisë, rekomandon hapjen e “Firmave Rentiere”. Simbolika është interesante: politikanëve të huaj vetëm “për të mirën” e Shqipërisë “u është përvëluar shpirti gjithmonë”. Rendja e njerëzve drejt dyerve të atyre firmave, me shuqe parash ndër xhepa, merr përmasa të frikshme.Dhe prapa dyerve të atyre Firmave fantazma, paratë përfundojnë në thasë plastmasi, në të cilat do t’u merrej fryma ca nga ca, deri në zhdukjen e tyre tërësore. Prandaj autori s’e fsheh dot dëshpërimin e vet për gjëmën që i pret njerëzit nga Firmat Rentiere:
“Ata najlonë a plastmasë të zinj - arkivole të punëtorëve, fshatarëve, të të paditurve, qyqarëve që, ca pas ca, varrosnin jetë njerëzish: fati mjeran i një populli i cili beson tej mase”.
Gjithë katrahurën e individëve të marrosur nga varfëria në kapërcyellin e dy sistemeve shoqërore dhe sidomos pas fashitjes së frymëmarrjes së Firmave Rentiere, autori e përcjell me nota tragjikomike: njerëzit turren drejt depove ushtarake të armatimit për të rrëmbyer armët. Dhe autori vazhdon rrëfimin e tij me të vërteta të gjëmshme për fatin e turmave të mashtruara:
“Ushtarakët e vjetër morën detyra të reja, të rëndësishme.Patën shërbyer pesëdhjetë vjet në ushtri e s`e kishin provuar fishekun - plumbin luftarak.Perëndia ua pruri në derë, do të mund të vrisnin vëllain, gruan, nënën, babën, njeriun e gjakut”.
Analiza e koncepteve të Platonit dhe të Aristotelit të krijon mundësinë për ta trajtuar lëvizjen e kategorive të tragjikes dhe të komikes jo vetëm në formën e kundërvënies, por edhe në formën e tërheqjes drejt njëra-tjetrës dhe të kalimit nga njëra te tjetra. Rrjedhimisht, me notat tragjikomike, me të cilat shkrimtari Eqerem Canaj pasqyron keqardhjen për masën e përvuajtur të njerëzve që kanë humbur toruan dhe nuk dinë se çfarë bëjnë në marrëzinë e tyre kolektive, lidhet të kuptuarit e faktit se fatkeqësitë e tyre, në një masë të caktuar, janë pasojë jo vetëm e një organizimi shoqëror me mangësi të theksuara, por edhe e dobësisë së intelektit, e budallallëkut dhe e vullnetit të dobët individual.
Tragjikomedinë në përshkrimin e ngjarjeve, autori e ndërkërmben herë-herë edhe me groteskun, si mënyrë artistike, për t’u dhënë edhe më shumë mprehtësi dhe nota kontrastuese skenave reale në botën e individëve të tromaksur që nuk dinë nga t’ia mbajnë. Kjo është edhe arsyeja që ai shkruan:
“Do të nënkuptohej koncepti filozofik i epokës së re, tash e prapa, nuk hedhim valle në gojë të ujqërve, po në gojën e qenëve të ngordhur”.
Ky është një pohim i dhimbshëm i një figure të mirënjohur të letrave shqipe, si shkrimtari Eqerem Canaj, që përcjell një të vërtetë tragjike për fatet e një populli që ka gati një çerek shekulli pas rënies zyrtare të diktaturës komuniste, që nuk po hyn dot në hullinë e normalitetit. Me sa duket, Njëshi vërtet ka kohë që ka ikur në botën e përtejme, por litarin e ka lënë nëpër këmbët tona. Dhe ne nuk jemi ende në gjendje për ta prerë atë një herë e mirë, ashtu si Aleksandri preu me shpatë nyjën gordiane.

Santa Barbara, Kaliforni
03 dhjetor 2014


Teknika e veçantë e romanit “DRITA E ÇAKMAKUT”




“Ndjenja e bukurisë është e vetmja gjë njerëzore që nuk na
gënjen, sepse është e vetmja gjë që i përket krejtësisht njeriut”


A. FRANC



Shkruan : Albert Z. ZHOLI

Pas romanit “Unë dhe të tjerët”, shkrimtari Niko Gjoni, vjen ndryshe këtë radhë me romanin “Drita e çakmakut”. Edhe pse tema e romanit është sociale apo kalon në jetën private të personazheve duke e gërshetuar atë me jetën sociale të cilën e bën shoqëria ku jetojnë. Kompozicioni i romanit është një shtrirje e butë kohore dhe psikologjike që bën të përjetojmë mes emocioneve ngjarje të caktuara përfshi dhe ato intime.

 Përfshirë në harkun kohor të viteve 87-92, autori qëndron më shumë në jetën private të personazheve, kryesisht të personazhit kryesore, se sa në atë të mbarë shoqërisë. Këtu, qysh në faqet e para të romanit lexuesi do të mësoj atë që përcjellin ngjarjet e shumëllojta, ku dashuria
sundon gjithçka, edhe ne vetë i nënshtrohemi dashurisë.

Flirtet që e mbushin ndjenjën e personazhit kryesor, Besnikut, tregojnë një lëkundshmëri në karakterin e tij, ashtu siç ishte e lëkundur gjithë jeta sociale e shoqërore e bashkëmoshatarëve në atë periudhë. Ky roman ka marrë përsipër të trajtoi një temë e cila i përket letërsisë rozë, të cilën rrallë e takojmë tek shkrimtarët e tjerë.

Një natyrshmëri që të përfshin dhe ty dhe mund të dish të mbash pozicionin e duhur duke e vlerësuar këtë ndjenjë fisnike, siç është dashuria e cila lulëzon vetëm atëhere kur ajo ndihet në momente kulmore të jetës plotësisht e vërtetë.

Personazhi kryesor, mbasi e ke mbaruar së lexuari romanin, në mendimin e parë mund të thuash se ke të bësh me një Don Zhuan, por duke analizuar situatat dhe vlerësuar raportet që ai krijon me vajzat e bukura, del në një tjetër përfundim. Ai di ta vlerësojë ndjenjën dhe të marr vendime për një dashuri afatgjatë apo lidhje martesore, në një kohë të caktuar.

Personazhi kryesor njeh dy botë, atë të jetës shoqërore në Paris dhe atë që kish lënë mbrapa në Tiranën e viteve të diktaturës komuniste ku njerëzit ishin të kushtëzuar në gjithçka, përfshirë këtu dhe lidhjen martesore. Diktatura komuniste e kish tjetërsuar këtë ndjenjë të veçantë dhe ish ajo që dëmtonte raportet shoqërore, sociale dhe intime.

Çlirimi shpirtëror i tij bëhet i plotë në një qytet të “skalitur” nga demokracia siç është Parisi, të cilën e kish ëndërruar si shumë bashkëqytetarët e tij në rini.Këtu njihet në kushte të specifikuara, në spital me Alesien, tek e cila njeh gruan e brishtë, të qytetëruar dhe të sakrificës dhe që krijon lidhjen martesore, një hap ky i vetëdijshëm. Po, a është tashmë një personazh i qëndrueshëm Besniku?

Këtë do ta mësoni duke lexuar këtë roman që të tërheq si me magnet nga një moment në tjetrin.

Libri “ITALIA, SHTETI FQINJ DEMOKRATIK PERËNDIMOR” një mesazh miqësie


Image result for albert zholi


Albert Z. ZHOLI (shkrimtar-publicist)


Për Italinë si shtet, si Perandori, si vend i Artit dhe Kulturës, si një nga shtetet më të zhvilluara të botës, si një vend me bukuri të rralla natyrore, si një vend me pasuri të mëdha natyrore, për popullin e saj punëtor dhe artdashës është shkruar shumë, por z. Agim Gruda e ka parë këtë vend në një këndvështrim tjetër, duke sjellë, kujtime, mbresa, copëza historish, meditime, përjetime, tregime nga babai i tij, kryesisht të bazuara në 110 vjetët e fundit. Italia është një shtet fqinj me ne, që në thellësi të historisë ka pasur marrëdhënie shumë të mira, por në momentet historike do të përmendim katër momente që historia ka dëshmuar për lidhje të forta: Së pari, marrëdhëniet e saj me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, për ti bërë ballë sulmeve turke që kishin synim pushtimin e Europës. Së dyti, pritja që, i bëri populli italian shqiptarëve (arbëreshëve) të larguar nga vendi i tyre pas vdekjes së Skënderbeut. Së treti, ndihma e madhe që i dhanë arbëreshët Garibaldit në krijimin e shtetit të ri italian dhe së fundi mikpritja që i bëri populli italian popullit shqiptar në emigrimin masiv në vitet 1990, pas rënies së komunizmit.

Image result for Libri “ITALIA, SHTETI FQINJ DEMOKRATIK PERËNDIMOR” një mesazh miqësie

 Italia (zyrtarisht Republika Italiane, italisht Italia respektivisht Repubblica Italiana) është shtet në pjesën jugore të Evropës, në Gadishullin Apenin. Pjesë e këtij vendi janë dhe ishujt në Detin Mesdhe, si Sicilia dhe Sardenja. Në Alpet e larta në veri të saj gjendet kufiri me Francën, Zvicrën, Austrinë dhe në brigjet e Adriatikut kufizohet nga Sllovenia. Në brendësi të këtij shteti gjenden dy shtete të vogla: Vatikani dhe San Marino. Roma, kryeqyteti i Perandorisë Romake në lashtësi, është edhe kryeqytet i shtetit të ngritur në bërthamën e perandorisë. Perandoria Romake ishte perandoria që u ngrit dhe u qeveris nga qyteti i Romës gjatë 6 qindvjeçarëve, Para Krishtit. Dy datat që shënojnë fillimin dhe fundin e Perandorisë Romake janë viti 27, (fillimi i vitit të principatës së Oktavianit, me marrjen e titullit “August”) dhe 395, pas Krishtit, kur me vdekjen e Teodosit Perandoria, u nda përfundimisht në mes, në pjesën perëndimore atë lindore. Nga koha e Augustusit, gjer në rënien e Perandorisë Perëndimore, Roma zotëronte Euroazinë Perëndimore dhe Afrikën e Veriut dhe përbënte shumicën e popullsisë së rajonit. Zgjerimi i Perandorisë Romake nisi shumë më parë se shteti romak të kthehej në një Perandori dhe arriti kulmin e saj nën perandorin Trajan, me pushtimin e Dacisë në vitin 106. Në këtë kulm, sipërfaqja e zotëruar nga Perandoria Romake përfshinte rreth 5 900 000 kilometra katrorë. Tregtia, artet dhe kultura arritën lulëzimin e parë të lartë të tyre gjatë kohës së Perandorisë Romake dhe në zonat e qeverisura nga ajo. Perandoria Romake ushtronte ndikimin e saj jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe përtej tyre. Gjuha latine si gjuha e Romës, ishte gjuha zyrtare që përdorej në mbarë Perandorinë Romake. Perandoria Romake e Perëndimit ra gjatë qindvjeçarit të 5-të dhe 6-të. Perandoria Romake e Lindjes njihet gjerësisht sot, si Perandoria Bizantine, e cila i ruajti traditat ligjore dhe kulturore greko-romake së bashku me elementet helenike dhe ortodokse të krishtera edhe për një mijëvjeçar tjetër, gjer në rënien e saj në duart e Perandorisë Osmane në vitin 1453. Vlen të përmendet se, ndikimi në kulturë, ligj, teknologji, arte, gjuhë, fe, qeverisje, ushtri dhe arkitekturën e qytetërimeve që pasuan, vazhdon ende sot. Sistemi qeveritar i Perandorisë Romake ka ndikuar shumë në sistemin shtetëror Europian, para së gjithash në drejtësi dhe ligjshmëri. Shenja më e mirë që shpreh bashkimin e popullit është flamuri. Ai i Italisë u njoh si i tillë më 7 janar 1797, në Rexhio Emilia nga kongresi ku merrnin pjesë përfaqësuesit e Bolonjës, Ferrarës, Rexhio Emilies dhe Modenës, nga i njëjti kongres që kishte shpallur Republikën Çispadane. Autor i këtij propozimi ishte patrioti e shkrimtari i njohur Giuseppe Compagnoni (1754-1833). Italia nuk ka ekzistuar si shtet deri më 1861, kur u bashkua. Për shkak të këtij bashkimi të vonuar dhe autonomisë historike të regjioneve që tani e përbëjnë Gadishullin italian, shumë tradita dhe kultura që tani identifikohen si italiane mund të identifikohen nga regjionet nga kanë ardhur. Me gjithë izolimin social dhe politik të këtyre regjioneve, kontributet e Italisë në trashëgiminë kulturore dhe historike të Evropës mbeten shumë të mëdha. Italia është vendi me, më së shumti trashëgimi kulturore në UNESCO (41 deri më tani). 25 prilli i 1945-ës, festa e çlirimit të Italisë shënoi rrugëtimin e saj drejt formës së re republikane. Qershori i 1946-ës, solli referendumin, që hodhi poshtë monarkinë, ndërsa 5 maji i 1948-ës përcaktoi stemën e Republikës së re Italiane, një ndër pesë simbolet identifikues të Republikës Italiane bashkë me Flamurin Trengjyrësh, Himnin Kombëtar, Flamurin Presidencial dhe Viktoriani, i njohur edhe si Altari i Atdheut. Në 1947, flamurit italian iu hoq shqyti i Savojës dhe u njoh si flamur i Republikës së re të porsadalë nga Lufta e Dytë Botërore. Për më tej, libri publicistik i z. Gruda ndalet gjatë në politikën, zhvillimin ekonomik, arritjet sportive, ndihmën ndaj shqiptarëve në vitet 1991-1992 (ku sot jetojnë rreth 600 mijë), roli i Italisë në BE, zhvillimi i madh i futbollit, i mediave vizive dhe gjurmët e arta që lë në muzikë Festivali i “Sanremos” në të cilën i ka sytë gjithë bota muzikore. Autori në këtë libër ka përcjellë në mënyrë elegante, pa superlativa, me kulturë dhe ekuilibra intelektualë, të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Itali pas luftës së Dytë Botërore. Me një ndjeshmëri qytetare për vendin në të cilin jeton për mëse 25 vjetësh, autori si një gazetar investigativ, ka ditur të sjell këndshëm, ato momente delikate të politikës italiane, ku politikanët janë munduar të sjellin pranë popullit ndjenjën e përgjegjshmërisë, për ti dhënë atyre nivelin e duhur ekonomik, qetësinë sociale dhe garancinë e jetës. Shpesh herë politika italiane në këto vite ka qenë dhe tepër e tensionuar, ku ka pasur dhe politikanë të korruptuar, por në përgjithësi, autori përcjell me qetësi atë politikë që bëhet pjesë e halleve dhe shqetësimeve të popullit, që e çuan zhvillimin e Italisë në vendin e 5 të fuqisë botërore ekonomike. Autori, shpesh herë është dhe kritik ndaj politikës së acaruar, të njëanshme, që sheh interesat partiake mbi ato kombëtare dhe asaj mbarëkombëtare. Me një realizëm, autori sjell dhe humanizmin dhe ndjeshmërinë e popullit italian që priti në momentet më të vështira, shumë emigrantë shqiptarë pas përmbysjes së komunizmit. Ata hapën dyert e shtëpive dhe portat e zemrave me lot në sy, që fqinjët e tyre të mos ndjeheshin të vetmuar tek fqinji i tyre perëndimor. Po kështu ka bërë populli italian edhe ndaj shumë emigrantëve të Afrikës Veriore që janë munduar të depërtojnë në Europë përmes Italisë. Në një lexim të shpejtë, ky libër duket një libër modest, por që ka brenda ngjarje, histori, ndodhi, meditime, rrëfime tejet tronditëse dhe reale që përbëjnë thelbin e historisë së fqinjit tonë perëndimor në 70 vjetët e fundit. Në këtë libër, çdo emigrant shqiptar në Itali gjen një pjesë të jetës së tij, ndërsa çdo lexues shqiptar, gjen ato pjesë të historisë më të rëndësishme të popullit italian që, në momente të caktuara, fatet e të dy popujve kanë qenë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën.

Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill – heshtje nga ministrit

         Shkruan Akademik Flori Bruqi Qafa e Çakorriit  ose  Çakorri  është një qafë mali që shtrihet në  Alpet Shqiptare , në kufi në mes M...