Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/17

Cikël poetik nga Përparim Hysi

Një cikël me poezi

Perparim_Hysi
Nga Përparim Hysi

Unë e ti

Unë i djathtë dhe ti i majtë
(Sikur të na kenë zënë djajët?!)
Njëri- tjetrin shohim vëngër
(Unë? Shenjti! Ti? Veç shëmër!)

Të mira? Dihet: bëj veç unë
Ti se ç'bën? Janë veç për lumë!
Shkurt: fajin kundërshtari
( A s'e shihni? Kundërshtari- vet djalli!!!)

Nuk ka pak, mbi çerek shekull
Gjysëm gjallë e gjysëm vdekur
E ku ishe? Asgjëkundi.
Shqipëri, të mori lumi!

Pa shiko, liderët ngjirren
Rrahin gjoksin edhe çirren
Gjasme për ne po "robëtohen"
Po për vete, pasurohen.

Kanë vila e shtëpi
(Që të gjitha; me"kredi")
Veç kreditë i kanë të"buta"
Edhe majmen si mamutha.

Të gjithë:"derra të kënaqur"
Ne, po dihet:"Sokratë të vuajtur"
Unë zë bëhem pak MIGJEN:
-Deri kur kështu, ma...,- po them.

Se s'duron më ky popull
Mjaft i erdhi mendja rrotull
Mblidhni mendjen, o "liderë"
Ndryshe, do shkoni në FERR!

15 mars 2017

Statue quo

As jam tretur dhe as jam ligur,
Por jam trashur e dhjamosur
Veç nga koka unë jam thinjur
Dhe nga mendja jam djallour.

Asnjë natë nuk fle rehat
Gjumin unë e bëj me copa
Se më shfaqet një "xhelat"
Me hanxhar më rri tek koka.

Ç'shkruaj, është një realitet
Dhe asgjë nuk po shpik
Situata për ibret
Sa mbi kokë t'më bjerë një pikë.

Televizorin s'e hap dot
Se më bën çdo gjë me stres
S' ka qetësi fare në botë
As këtu ku unë kam pjesë.

Dalin në të ca sharlatanë
Që më hiqen si "paqësorë"
Ca "menderë politikanë"
Të korruptuar dhe që kanë "dorë"

Dorë, domethënë hajdutë
Që më hiqenë krej imunë
Kush s'i njeh këta kopukë
Turp nuk kanë (meritojnë drunë)

Birbollani më rreh gjoksin
Kundërshtari është hajdut
Si boksier i tregon boksin
Vet: Made in kryehajdut!

Mua? S'do mend që më dhëmb koka
Pa zë thinjem,edhe thinjem
Ku është ligji për këta horra
Veç atëherë unë do nginjem.

10 mars 2017

Pse nuk botoj?
(Përgjigje për një dashamir)

Një mik më shkruan:- Pse nuk botoj?
(Nuk ke guxim apo ke ndrojë?!)
Që nuk botoj, nuk më mungon guximi
Por kacidhe në xhep nuk ka Përparimi.

E vërtetë është: kam kohë që kam heshtur
Se donator der tani kund nuk kam gjetur
Por sado që si pensionist jam xhepshpuar
Gjatë gjithë kohës, vazhdimisht kam shkruar.

Kam shkruar poezi dhe, rrallë, tregime
Ndonjë rencencë apo dhe ndonjë përshtypje
"Makazina" ime krijuese, pothuaj, është plot,
Por ja që nuk mundem që t'i botoj dot.

5 mars 2017

Pleqëria

Mu si qen që të ha pa lehur
Ja, e tillë:është pleqëria!
Ca kusure (nga janë gjendur?)
Të çudit; befasia.

Si? Kaq shpejt? Po s'është e mundur
Dje qeshë mirë e pa siklet
Sot? Krejt tjetër: nuk sos së "kruhur"
Dolën puçrra : për ibret!

O doktor? Po ç'kam kështu?
Pse më ha e pse më "kruhet"?
Tek doktori tutje-thu
( se më"ha" atje ku "s'thuhet")

Ja, kështu, është pleqëria
Nga pleqtë nuk mbarojnë ankesat
Pleqëria si fëmija
Vet jam plak, ndaj besojuni "rreshtave"

Tiranë, 17 mars 2017

Thani Naqo : VLONJATJA


Thani Naqo - Wikipedia

-Gruaja duhet të jetë më e shkurtër dhe pesë gjer në dhjetë vjet më e re se burri...- dhe teto Dabucka shtoi se ajo kishte qenë dhjetë vjet më e re e katër pëllëmbë më e shkurtër se i shoqi, kurbetliu
vulëhumbur. Bëri krahasime me të cifteve nga të Vërës së Ariut dhe fshatrave përqark, por unë e dija se shumica e tyre ishin shkurtuar nga punët e rënda dhe kërrusja që sjell pleqëria. -Femra,sido të jetë,e shkurtër apo e gjatë, e shëndoshë apo e thatë, nuk meret kaliqafë, - vazhdoi teto Dabucka. - Po qe se gruaja është e shkurtër, kur hyn në shtrat, burrit i duket e gjatë. Në është e dobët, si shkarpë ose cironkë, kur zhvishet, duket bojalleshë... Vullnetarkën nga Vlora e caktuan të flerë në shtëpinë tuaj sepse është e bukur dhe nga 24 beqarët e fshatit, ti je më i urti e më i ndershmi. Behari në Vërën ë Ariut është i shkurtër.Hyri Korriku,fillon korrja,thahen lulet dhe vlonjatja, sa të futë teserën e partisë në sytjena, do harrojë premtimin që i ka dhënë Partisë e do lëshohet e malluar për detin tatëpjetë malit ...Atëherë, ti do mbetesh beqar për tërë jetën dhe oxhaku i Shalëgjatëvë nuk do tymojë. Hajde, shko vish kostumin e tët'eti e dil. Vlonjatka është ulur në cakëllin e rrugës, atje ku ulet çdo mbrëmje. E përgjova që prapa gardhit dhe e dëgjova që psherëtinte e gjesh më pikoi zemra kur mendja më shkoi për ters se mund të ketë dashnor dhe ëndërron për të e jo për ty...Mirëpo, u qetova se femrat, kur u shkrepet të bëhen komuniste, pjellin 5-6 fëmijë, ama nuk ëndërrojnë aq shumë për dashuri, por për herroizma e si e si t'i shërbejnë sa më mirë Atdheut. Kam miell gruri të,argasur, enkas për pogaçe.Kam kanellë.Kam stafidhe greku,prej qëmoti. Kam oshafe kullumbrie e prej thane. Kam liko prej luleshtrydhe mali. Me to do t'i zbukuroj e lezetoj pogaçet në dasmën tëndë. Kam edhe një byzylyk të larë më flori. E kam taksur për nusen tënde. Edhe vëthët do t’i heq dhe t’i varë vlonjatka. Hajt, ngrihu! Mos e mer dashurinë me frikë se s'je dash i dredhur e as shytak. Sonte fshati erëmon, si kurrë ndonjëherë, zhumbricë dhe borzilok...

I shkova mjekrës dy herë briskun, vesha këmishë të bardhë e kostumin e tim eti. Lyeva sqetullat me sapun venus, edhe leshin e gjoksit e fërkova me venus dhe u ula pranë vlonjatkës. Ajo kishte veshur
triko të bardhë dhe flokët e saj të zeza m’u dukën më të kaltra se manushaqet.

Ja fillova:

-Sa natë e bukur .Yjet janë ndezur prush, duket sikur i kemi një pëllëmbë mbi kokë e presin që t'i përkëdhelim. Por edhe në dimër,kur rresht dëbora, këtu del një hënë,si në asnjë vend tjetër të
botës. Po të kesh dylbi të forta,-thotë mësues Marroku,- shikon gjurmët e kozmonautëve. Ja Kashta e Kumtrit, ja dhe ylli i mëngjezit, që ndryshe i thonë edhe Afërditë...

Vlonjatka u kthye befas nga unë dhe më vështroi drejt në sy; sytë e saj blu shkrepëtinë. Mora guximin dhe i qëndrova vështrimit të saj.

“Plasi dashuria," - i thashë vetes kur pashë vezullimin e lotëve, si pika vese, mbi qërpikë. Ah,moj teto Dabuckë, ti di të lexosh zemrat e njerëzve! Po shkava poshtë malit dhe zura bregdetin,me
prindërit e mi eja edhe ti. Një lugë më shumë do të shtohet. Edhe unë do ta kem të vështirë se do të lë malin, por edhe me detin do të mësohem...Ndërsa mendoja këto, vlonjatka më vuri dorën në sup dhe më pyeti:

-Kush t’i ka mësuar këto astronomira, Lejlek?

-Im kushëri, Paganini; ai që luan kitarën. Paganini ka mbaruar gjimnazin, bën këngë e shkruan poezi.

Gjer atë çast nuk kisha parë gjë më të bukur dhe më të magjishme se sytë e kaltër e të përlotur. Gjaku më vërshoi nëpër damarë dhe me erdhi të shkulja kurrorën e yjeve, të hapja krahët e ta përfshija
për beli vlonjatkën.Zemra m'u shkund e trokëllima e patkojnjve të një kali egërshan gjesh më shkallmoi krahërorin kur vlonjatka u afrua ngjitur me mua dhe bryli i saj preku brylin tim. Mirëpo, ajo ishte katër pëllëmbë me e shkurtër se unë dhe koka e saj nuk
u mbështet në supin tim,por në bryl. Kurrorën e flokëve të saj e preka me buzë dhe sa a u bëra gati ta mbërrtheja për beli, tha:

-Paganinit e ty u mbinë opingat në këmbë dhe ëndërroni si astronomë.

U cua rrëmbimthi, kaloi me vrap përmes llogjeve me përime, dy e nga dy i ngjiti shkallët e u mbyll në dhomën e saj. Dëgjova derën që u mbyll me forcë dhe atëherë m’u duk sikur zëmra më pushoi dhe
kisha vdekur. Nuk mund të lëvizja asnjë muskul,as këmbët, as krahët e as vetullat që më kishin mbetur ngrehur lart nga hutimi.

-Çfarë i bëre, o ditzi, - tha nëneja dhe pleksi pëllëmbët mbi gjoks. Im atë shpalosi kortinën e dritares e më pa sa me inat aq e me dhëmbshuri. Hoqi kapelen dhe filloi të kruajë kokën.Pikërisht
atëherë erdhi teto Dabucka. Mezi merte frymë nga nxitimi. U ul në shkallaren e parë dhe pyeti me sytë e mbërrthyera në kupë të qiellit:

-Ë puthe me zor?

-As më zorr dhë as pa zorr. Nuk i preka një fijë floku.

-Mos gjë ja plase dashurinë,o bir,sic e ka zakon fisi ynë i Shalëgjatëve, - pyeti im atë kokëulur.

-Jo.Nuk i fola për dashuri,as për aguliçe dhe as për manushaqe. I fola për yjet.

-Atëhërë, kjo vullnëtarkë,pikoftë si yjt. - tha teto Dabucka me iinat dhe u çua. Shkundi me pëllëmbë fustanin e leshtë xibun dhe iku në shtëpinë e saj.

Atë natë m'u arratis gjumi, njëlloj e dhe prindërve të mi, sepse qentë e fshatit lehnin me të madhe, sikur kishte rënë ujku ndër tufë e pastaj përgjonim me ankth çdo kërcitje të dyshemesë e lëvizjet
e vlonjatkës. Ende nuk ishte gdhirë kur dëgjova që plasi grindja në dhomën e gjumit të prindërve..

-Fajin e ka jot motër, - e ngriti zërin nëneja. -Nuk i ka dalë nami kot që është magjistarë.Tani m'u mbush mendja top se gratë shterpa bëhën magjistare e ngatërojnë botën e tërë.Ja bëri magjinë
tim biri dhe e futi në bela. Motër e ke, kunatë e kam, ama që sot e tutje, kapërxeu pragun,do t'ja thyej këmbët e kryqet më llostongarkën e portës. I është qepur tim biri, sikur është biri i saj e jo i imi,”o martohu,o rrashë e vdiqa!" dhe nëneja e holloi
zërin dhe imitoi teto Dabuckën: "Kam miell gruri të argasur.Kam byzylyk larë në flori.Kam një shami koke, më copë të mëndafshtë japonezi Kam një shall, prej leshdeveje. Është shall prej dyqaneve të Vjenës, e kam përdorur vetëm njëherë sepse nuk dua të kujtoj
tradhëtinë e vulëhumburiit në Rumani.Oi, ç'na gjeti, - klithi nëneja dhe dëgjova që përpiqte pëllëmbët e qante sikur unë të kisha vdekur. - Pa lindur dielli, në Vërën e Ariut do vijnë policët dhe të sigurimit...I tërë fshati është spiun...

Dielli lindi dhe vlonjatka nuk u cua e as u përgjigj kur nëneja thirri, njëlloj si ditët e tjera:

Zgjohu bijë e nënës se çaji zjeu dhe skuqa vezë me gjalpë e gjizë.

Vesha rrobat e punës e nuk e mora çantën ku nëneja kishte vënë dy vezë të ziera, çerek pllake bukë misri, një kokër domate, e një piperkë gogozhare, tre ose katër qepujka dhe një lugë kripë, mbështjellë me gazetë.

-Harrove çantën e bukës, - tha im atë.

-Më mirë të vdes nga uria e kosa, se sa nga dashuria, - u përgjigja dhe dola në rrugë me kosën në dorë.

Sa dola në sheshin e fshatit më kaploi paniku dhe e kuptova se 1200-shit më kishin përgjuar tërë natën e kishin lajmëruar në qendrën e kooperativës. Fillimisht pandeha se të mëdhenjtë e partisë
kishin erdhur në Vërën e Ariut se do fillonte fushata e korrjes së grurit, por kjo pandehmë optimisti u shemb kur pashë Strucin dhe shefin e policisë e dy operativat zonës. U ktheva nga rruga, u ula në sofatin e portës tonë, e ndërsa të tjerët hynë në dhomën
e vlonjatkës. Erdhi nëneja, dyllë e verdhë, duart e i dridheshin, u ul pranë meje e më tha:

-Po e pyesin e po e pyesin të gjorën cupë, - por pikërisht atëherë vlonjatka hapi kënatën e dritares e thirri me zë të lartë që të dëgjontë i gjithë fshati:

-Unë me të shkoj në qendër të tokës dhe ai s’ka për të më prekur një fije floku.

Pas një ore u përshëndet më prindërit e mi, e puthi nënenë në të dyja faqet e atë çast, si me magji, u shfaq edhe teto Dabucka. Vlonjatja e përqafoi dhe qau, sikur teto Dabucka të ishte gjyshja
e saj e nuk do ta shikonte më. Vlonjatka më lëshoi në dorë valixhen e saj prej druri dhe më tha që ta shoqëroja deri në qendër të kooperativës. Sa hipi në shkallaren e parë të autobusit, më përqafoi, më puthi në faqe e pëshpëriti sypërlotur:

-Oh i miri dhe i mjeri ti; mbeç me shëndet.


2005, motiv sipas romanit Përgjumje e iluzione.



2017/03/16

Trashëgimia e veçantë shqiptare e Eposit të Kreshnikëve në Malin e Zi


Shqiptarët në Mal të Zi janë të njohur për këngët e eposit të kreshnikëve, të cilat ende sot gjallojnë në Malësi, Plavë e Guci, Krajë dhe në Anë të Malit. Studiuesit e kësaj fushe vlerësojnë se eposi i kreshnikëve është monument i veçantë i poezisë gojore shqiptare, që pati një ndikim të fuqishëm edhe tek popujt e tjerë në Ballkan.


Krerët e Komisionit të Zbulimit amerikan : Nuk ka prova për përgjimin e Presidentit amerikan Donald Trump


Dy senatorët që kryesojnë Komisionin e Senatit për Zbulimin thanë të enjten se nuk ka prova që të mbështesin akuzën e Presidentit Donald Trump se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama kishte përgjuar telefonat e tij në Kullën Trump në Nju Jork, në javët para zgjedhjeve në nëntor.

Republikani Richard Burr dhe Demokrati Mark Warner thane se “Në bazë të informacionit që kemi në dispozicion, nuk shohim të dhëna që Kulla Trump ishte subjekt përgjimi i asnjë elementi të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, para ose pas ditës së zgjedhjeve 2016”.

Deklarata e tyre pasoi atë të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan i cili gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e bujshëm të presidentit më 4 mars se zoti Obama kishte urdhëruar përgjimin. “E kemi qartësuar që nuk ka prova për një gjë të tillë”.

Megjithatë zoti Trump, i tha televizionit Fox News të mërkurën në mbrëmje se “shumë shpejt” ai do të bëjë publike prova për veprimet e Presidentit Obama. Udhëheqës të lartë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, thane se akuza e Presidentit Trump është pa bazë, por ai tha se administrate e tij “do t’i dorëzojë gjëra” panelit dhe se ndoshta ai vetë do të flasë për pretendimin e tij javën e ardhshme.

Pse Serbia e kërkon me çdo kusht kokën e tij? Ja çfarë thotë gjeneral Ramush Haradinaj

Image result for ramush haradinaj


Sonte në emisionin “Komiteti” – i drejtuar nga Berat Buzhala – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjin, kreut i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për gjykimin e disahershëm të tij për shkak të kërkesave të mëdha të Serbisë për persekutimin e tij.
Ai ka treguar se pse, sipas tij, Serbia ka mllef të theksuar ndaj Haradinajt dhe vazhdon të kërkojë me ngulm dënimin e tij dhe zbulimin e provave që shteti serb thotë se i ka për krime lufte.

Haradinaj ka përmendur qëllimet që, sipas tij, kishte Serbia në zonën e Dukagjinit, ku ai komandonte gjatë kohës së luftës.

Për më shumë ndiqeni rrëfimin e Haradinajt:


Cilin komandant të UÇK'së Ramush Haradinaj e çmon më së shumti?

Image result for ramush haradinaj

Sonte në emisionin “Komiteti” – i drejtuar nga Berat Buzhala – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjin, kreut i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për luftën e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për raportet që kishte me shokët e tij të luftës.
Ai ka treguar se sa ishin të përgatitur ushtarët e tij në zonën e Dukagjinit dhe nëse kishte ushtarë të trajnuar në UÇK.

Haradinaj ka folur rreth ushtarëve që, sipas tij, shquheshin për zotësi të mëdha ushtarake, duke treguar se cili ishte ushtari që më së shumti e çmonte për këto aftësi.

Për më shumë detaje ndiqeni videon e mëposhtme:

Kryeministri Edi Rama tregon pse po ndodhin përplasjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri Edi Rama ka folur me gazetarët në Sarajevë, në lidhje me zhvillimet ne Samitin e zhvilluar me vendet e rajonit. Rama ka folur edhe për “sherrin” e raportuar në media të ndryshme të Ballkanit, mes Aleksandar Vuçiç dhe Isa Mustafës. "Unë mendoj që këto tensione janë artificiale. Janë të ngritura për shkaqe elektorale, që nga treni, te muri, madje dhe te lajmi i përhapur në Prishtinë dhe Beograd, sipas të cilit, qenka bërë sherr mbrëmë në darkë", ka treguar Rama.
Si e shihni të ardhmen e rajonit pas këtij takimi dhe çfarë rëndësie kishte?

Kryeministri Edi Rama: Ky takim është një takim përgatitor të vigjilje të Samitit të radhës, në kuadër të procesit të Berlinit, në Trieste.

U diskutua për avancimin e axhendës së tregut të përbashkët, që është kalimi në një fazë të re të idesë së hedhur prej nesh qysh në Samitin e Parisit. Për ne, ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, pasi do të krijojë mundësi të reja dhe një afrim të mëtejshëm me BE. Ashtu sikundër, pa asnjë diskutim, do t’i japë një nxitje shumë të konsiderueshme ekonomisë, tregtisë dhe marrëdhënieve në rajon.

-Prisni që të sjellë diçka, sidomos në këtë fazë, kur Ballkani dhe Shqipëria është akuzuar nga Serbia dhe ka patur mjaft tensione? Mendoni që do të tejkalohen në një Samit tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që këto tensione janë artificiale. Janë të ngritura për shkaqe elektorale, që nga treni, te muri, madje dhe te lajmi i përhapur në Prishtinë dhe Beograd, sipas të cilit, qenka bërë sherr mbrëmë në darkë. Unë isha në darkë dhe s’pashë asnjë sherr. Përkundrazi. Kështu që, deri kur të mbarojnë zgjedhjet në Beograd, mos u çudisni nga këto lloj “tensionesh”.

Për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, unë besoj që janë marrëdhënie të vështira, është një dialog i vështirë, por është e vetmja rrugë për të trajtuar çështje që, jo thjesht janë në interes të përbashkët, por që kanë të bëjnë edhe me përcaktimin në rrugën e integrimit europian dhe me përkatësinë në atë pjesë të komunitetit ndërkombëtar që ne kemi zgjedhur të jemi.

-A është ky model i tregut të përbashkët, d.m.th.një alternativë kundrejt integrimit në Bashkimin Europian?

Kryeministri Edi Rama: E kundërta është e vërtetë, që ky nuk është një model alternativ. Ky është model zhvillimi që përshpejton procesin e integrimit në BE dhe e bën integrimin e tregut të përbashkët europian dhe tregut të përbashkët ballkanik një realitet më shpejt se sa ç’mund të ndodhë me anëtarësimin e vendeve tona në BE.

-Ju e shihni si model të përshtatshëm?

Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi propozuar. Si mos ta shohim si model të përshtatshëm.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...