Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/18

Vendimi në peshoren e argjendarit

Veton Surroi



Veton Surroi është publicist  shqiptar dhe themelues e udhëheqës i Partisë Reformiste ORA. Ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës  nga viti 2004. Zt.Veton  Surroi në vitin 1997 themeloi gazetën e përditshme në Kosovë, “Koha Ditore”, dhe për disa vite punoi si kryeredaktor në këtë të përditshme.

Më vonë, i pakënaqur me elitën politike në Kosovë ai vendosi të futet ne skenën politike duke e themeluar Listën Qytetare ORA, të cilën më pas e shndërroi në parti politike. Në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, të mbajtura ne vjeshtë të vitit 2004, ORA morri 6.2% të votave dhe siguroi shtatë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Veton Surroi vjen nga një familje e njohur shqiptare dhe i ati i tij, Rexhai Surroi, ishte ambasador i ish-RSF Jugosllavisë në Spanjë dhe në një numër të vendeve Latino Amerikane. Si rrjedhojë, Surroi e kaloi një pjesë të jetës së tij në botën spanjisht-folëse dhe u shkollua atje.

Themeluesi i grupit medial “Koha”, Veton Surroi, dikur me tërë fuqinë e tij publicistike ishte vënë në mbrojtje të Jugosllavisë dhe Kushtetutës së vitit 1974, duke kundërshtuar hapur përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi.

Në artikullin e tij “Rojat e Kushtetutës”, të botuar më 4 mars 1989 në gazetën “Rilindja”, Surroi shkruante me nënçmim për protestat e klasës punëtore, grevat në Kosovë dhe për protestat e emigrantëve shqiptarë jashtë kufijve të Jugosllavisë.

“Nëpërmjet të gjoja përkrahjes së klasës punëtore zhvillohet një proces i agjitimit të një programi politik që në thelb s`ka të bëjë me klasën punëtore kosovare. Kështu, në demonstratën e Gjenevës, në të cilat brohoritet lart se organizohen për hir të përkrahjes së punëtorëve kosovarë, harrohet e dhëna se në të njëjta valë të protestës nuk morën pjesë punëtorët e nacionalitetit serb e malazias”, shkruante asokohe Surroi, i shqetësuar për serbët dhe malazezët, derisa kritikonte shqiptarët.

Sipas Surroit, e ashtuquajtura „përkrahje e punëtorëve“ në Gjenevë u përcoll me brohoritjen e parullës nacionaliste „Kosova Republikë“, e kjo gjë është për t`u habitur, kur dihet se pos në disa raste të rralla të brohoritjes gjatë protestave të nëntorit, klasa punëtore shqiptare, turke e myslimane nuk u paraqit me këso parulla e as që e përkrahu.

“Por, rasti i Gjenevës nuk qe i izoluar dhe faktikisht tregoi më përafërsisht se për çka është fjala. Në Bruksel po ashtu në emër të përkrahjes së klasës punëtore, demonstruesit nga pozitat e nacionalizmit shqiptarë arritën të bëjnë një kësi konstrukti të palogjikshëm politik. Nga njëra anë, siç thanë ata, u angazhuan që të mos ndërrohet Kushtetuta e vitit 1974, e nga ana tjetër u angazhuan për „Kosovën Republikë“. Nuk ka nevojë të madhe për elaborim e për të shpjeguar se është në kundërshtim të plotë ruajtja e Kushtetutës së vitit 1974, ku saktësisht definohet pozita e Kosovës si KSA, me parullën „Kosova Republikë“, e cila angazhohet mu për ndryshimin e bazave themelore kushtetuese. E nëse nevojitet edhe ndonjë ilustrim pse të mos përmendet fakti se nacionalistëve shqiptarë mu Kushtetuta e vitit 1974 u pengonte dhe tentuan që me metoda të ndryshme jo institucionale e të dhunshme ta ndërrojnë”, shkruante asokohe rojtari i Jugosllavisë, Veton Surroi.

“Bashkangjitur me programin politik, në kreun e të cilit është parulla „Kosova Republikë“, nacionalistët shqiptar u shpërndan gazetarëve të huaj edhe një hartë, siç thanë ata të territoreve shqiptare në Jugosllavi. Plotësisht në përputhje me ideologjinë nacionaliste të „truallit dhe gjakut“ këto grupe manifestuan jo vetëm sesi e shohin gjeografikisht Jugosllavinë, por si e shohin edhe fatin e nacionalitetit shqiptar”, shkruante Surroi në këtë artikull të tij.

Së pari, sipas Surroit, këtë e bënë duke u shërbyer në radhë të parë me praninë numerike të nacionalitetit shqiptar, vendin ku ata jetojnë e punojnë e shpallin si „truall shqiptar“, duke vënë në rangë të „mysafirëve“ të gjitha nacionalitetet e tjera, gjë që është padrejtësi e madhe ndaj tyre, sipas tij, pra edhe ndaj shqiptarëve që ndajnë të mirën dhe të keqen së bashku me to (në këtë kategori bënte pjesë edhe Surroi).

“E sa larg mund të shkoj kjo tezë mbi truallin e gjakun nuk shihet vetëm në histori, sepse çdo të ndodhte në këtë Jugosllavi po të cilësohej „territor kombëtar“ hapësira ku jetojnë një shumicë e theksuar numerike kombëtare”, shkruante Surroi.

Por, sipas të gjitha gjasave, shton Surroi, as që mendohet për Jugosllavinë kur flitet për „territoret shqiptare“, sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së madhe, edhe ky, sikundër çdo nacionalizëm shtetomadh, nuk mund të duroj kufi tjerë pos atij etnik, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet „lufta përfundimtare“ për shkëputje nga Jugosllavia.

“Animoziteti i tyre militant, megjithatë, u ka bërë që të harrojnë disa gjëra”, thoshte Surroi në këtë artikull për shqiptarët që kërkonin Kosova Republikë.

Ndërsa, në artikullin tjetër, të titulluar “Vendimi në peshoren e argjendarit”, i botuar fillimisht në gazetën “Borba” më 29 tetor 1993 dhe pastaj i ribotuar edhe në numrin e parë të gazetës shqipe “Forum”, më 20 nëntor 1993, Surroi e sulmonte edhe ish-presidentin Rugova, i cili kishte thënë se shqiptarët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, sepse i kanë pasur zgjedhjet e veta dhe me referendum e kanë deklaruar vullnetin e tyre për pavarësi.

Themeluesi i grupit “Koha”, Veton Surroi, asokohe shfaqej shumë i përkushtuar për forcimin e demokracisë në Serbi dhe për shqiptarët shkruante sikur mos të ishin lloji i tij.

Madje, thoshte se “mosdalja e shqiptarëve në zgjedhjet e Serbisë do të mund të konsiderohej edhe njohje e Serbisë, d.m.th. njohje e të drejtave për të dominuar në Kosovë”.

“Tashmë gjatë kohë shqiptarët e Kosovës e kanë humbur iniciativën politike. Në vend të invencionit dhe kreacionit në sjelljen politike i kanë përqafuar vajtimet dhe të shikuarit në qiellin politik”, shkruante Surroi në këtë artikull.

“Zgjedhjet do të mund të ishin mbase një ngjallje e frymës së sfidës dhe e demonstrimit të forcës”, thoshte Surroi në 1993 për mospjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e Serbisë.

“Shikuar nga qielli – çfarëdo qëndrimi që të marrin shqiptarët në zgjedhjet serbe të dhjetorit – do të gabojnë. Dalja në zgjedhje do t’u krijonte një mosbesim më të madh se pavarësia e Kosovës është aty dikund, pas kthinës së parë të një konference. Do ta humbnin shpresën (e ndoshta edhe mundësinë), që, në atë kthinë historike, t’u çelë fati. Mosdalja i lë aty ku janë – në pozitën e vetëkënaqësisë së të folurit me vetveten, me gjithë vetëpranimin konsensual se kanë të drejtë”, shkruante Surroi për shqiptarët e Kosovës.

2.



Debati mbi islamin :Ben Blushi & Veton Surroi 


Mënyra se si duhet të sillemi ndaj islamit dhe se si duhet të mbrohem nga terrorizmi ka hapur një debat jo të zakontë edhe në Shqipëri. Në një “luftë” konceptesh dhe idesh kanë hyrë dy njerëz që shquhen për thellësinë e mendimit dhe forcën e argumentave, Ben Blushi dhe Veton Surroi.

I pari, Blushi shkroi pak ditë më parë enkas për Lapsi.al (shihe të plotë poshtë ose tek rubrika Ide) reagimin "Koha për të ndihmuar Islamin”. Me pak fjalë shqetësimi i tij ishte se si duhen bindur të rijtë muslimanë të Evropës të mos hedhin në erë shtëpitë dhe rrugët ku janë ritur, në emër të fesë së tyre.

Dhe zgjidhja që ofronte Blushi në shkrimin e tij qe një zbutje e mundshme e islamit dhe ndihma që perëndimi duhet të jepte për këtë. “Unë besoj se Islami mundet, nëse bindet" klithte Blushi.



Po nga ana tjetër publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi, autor i librit "Ambasadori i Melkizedekut" pretendon se Blushi bën gabimin e të gjithë atyre që jetojnë larg islamit. Në një përgjigje të tij të shkruar për Koha Ditore që e ka dërguar edhe për lapsi.al (lexo poshtë) ai thotë:

“Të vlerësosh se Islami shtyn në sulme terroriste në Evropë, në një këso krahasimi, ka të njëjtën peshë argumentuese (pa krahasuar dimensionin e shkatërrimit njerëzor) si të thuash se Krishterizmi është frymëzimi i Holokaustit. Sipas mendimit tim, në të dyja rastet kemi të bëjmë me paragjykim” thotë Surroi.

Më pas ai hedh poshtë mundësinë që islami të vetëkorigjohet sepse ndryshe nga Katolikët që kanë Vatikanin apo ortodoksët që kanë patriarkanën e Stambollit, muslimanët nuk kanë një qendër që të reformojnë fenë e tyre.

Dhe së fundi po në replikë me Blushin, Surroi zbret edhe në Shqipëri. Ai mendon ndryshe nga Blushi se islami shqiptar (“I vetmi islam evropian i vërtetë”) nuk ka nevojë të ndihmohet për tu korrigjuar sepse së pari sipas Surroit ai i nënshtrohet shetit sekular dhe së dyti se ai i nuk do ti mbivendoset identitetit kombëtar.

Pikërisht për këto arsye Surroi e kundërshton fort tezën e Blushit se islami duhet të vetëreformohet dhe se kjo duhet bërë edhe me ndihmën e perëndimit.

Reflektimi i Surroit do të vazhdojë për 5 ditë me radhë në Lapsi.al. Nesër ai do të flasë për katër mësimet që shqiptarët duhet të nxjerin nga përballja me terrorizmin: “Shqiptarët nuk kanë ku të fshihen, siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull që e konsideron veten pjesë të Aleancës perëndimore. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull që nuk e konsideron veten pjesë të Aleancës perëndimore. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë popull , çfarëdo që të jetë konsiderata për veten. Siç nuk ka ku të fshihet asnjë individ, pa marrë parasysh në do ta quajë veten pjesë të një populli, një besimi a një kundrimi politik.

Terrorizmi i cili goditi sërish Parisin të premtën e 13 nëntorit të vitit 2015 është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, me pretendime të shtrirjes globale”.


3.

Pse s’jam unë President? Sepse shoqëritë kanë njerëzit që i meritojnë në krye

Kosova si një shqetësim i hershëm i Veton Surroit… raporti me Hashim Thaçin dhe kritikat ndaj Presidentes Atifete Jahjaga… liria e shtypit, femrat në shoqërinë shqiptare dhe qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama.

Këto janë temat për të cilat flet publicisti Veton Surroi në një intervistë dhënë gazetës “Shqip” në Tiranë.

“Tashmë e kaluam kufirin, hymë në Libër. A mund të dalim mbrapa, a mund të kthehemi nga libri këtu ku jemi, pyeti shefi, duke lexuar nga rreshti i parafundit i Librit? Nuk e di nuk e kam provuar, tha ai …” 10 vjet më parë, më 2005-n, Veton Surroi e mbyllte me këto rreshta librin “Fluturimi i vetëm i Azem Berishës për në kështjellë” (botimet “Koha”). Një analizë e kthjellët politike për Marti Ahtisarin, finlandezin e zgjedhur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, për të udhëhequr negociatat për pavarësi, bërë nga një personazh që ishte nën lëkurën e këtyre lëvizjeve, që atëherë kur ndiqte studimet në Meksikë, dhe përtej grishjes së jetës së një studenti që kalon orët më të gjata në skutat e letërsisë, që të joshin ta shohësh me superioritet botën, pasi ke shëtitur përmes tyre në jetë, vende sekrete ku mëson ta ndiesh ndryshe shijen e jetës, ai kërkonte të gjente mes tyre rrugën që do ta ndryshonte historinë e vendit të tij. I biri i një diplomati, ai u rrit herët me Kosovën si një shqetësim, që një ditë bisedat në tryezat e familjes Surroi do të shndërroheshin në ato mbi atë çfarë do të bënte një shtet i ri. Tre vjet pas këtij libri, Kosova do të ishte e pavarur dhe në historinë e kësaj pavarësie ai do të mbetet padyshim jo thjesht si një dëshmitar, por si një protagonist i rëndësishëm i saj. Një protagonist që si shkrimtar e di që gjërat janë më të sigurta kur i fut në një libër. Pasi, nuk mund t’i ikësh kurrë një libri.

“Shpirti i Azem Berishës ishte paralizuar ditën kur duhej të merrte vendimin se a do të mbetej ende në kështjellë apo të kthehej në fshat. Të kthehem, do të dëgjoj pallavra katundi, mendoi. Të mbetem, do të dëgjoj përlarje të këtyre që i çuam për negociata …” Simbolika është një gjuhë me të cilën Surroi depërton për të treguar një vend që jeton me simbolet. 10 vjet pas këtij libri “Ambasadori i Melkizedekut”, është një tjetër simbolikë, që ashtu si “Fluturimi i Azem Berishës, për në kështjellë” ka futur personazhe, ngjarje, lëvizje, ide apo dhe Minieren, kujdestaren e fëmijëve të tij në një libër. I shkruar ndryshe, me gëzimin e një fjalie që endet shpesh mes rreshtash që është “pavarësia”, dhe trishtimin e asaj çfarë një klasë politike apo një shoqëri ende e brishtë, vuan sot, duke mos pasur një model. “Ambasadori i Melkizedekut” është një libër mbi rëndësinë e modelit, në një kohë kur idetë, si një filozofi që Marksi arriti t’ia ngjisë shekullit XX, vazhdojnë të sjellin tensione sot në shekullin XXI. Një model të “shqiptarit të ndershëm”, që deri tani Kosovës i është imponuar o nga Serbia, o nga ndërkombëtarët. Analiza që ai i bën Sejdo Bajramoviqit dhe Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, është më tepër se një çështje politike, por ravijëzon një kontekst të gjerë historik, i cili ende drejton fatet tona. “Një përzgjedhje që kishte të bënte me faktin se Kosova, gjykuar sipas ballinës së revistës “Foering policy” e me fotografinë e Kryeministrit Hashim Thaçi në të, nën titullin “Shtet mafioz”, nuk kishte kredibilitetin më të lartë të sigurisë dhe fytyra e një policeje në krye të shtetit do të ishte imazh krejtësisht i kundërt? Pra zgjidhej pjesë e ndershme e një shteti të pandershëm? – shkruan Surroi.

Me një gjuhë kritike që nuk e ka fshehur ndaj mënyrës sesi po drejtohet shteti më i ri i Ballkanit, duke akuzuar hapur protagonistë të tij, si ish-kryeministrin Hashim Thaçi, më poshtë, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Shqip”, Surroi flet më qartë për këto shqetësime, të cilat po vonojnë të ardhmen, për t’u ndalur sërish te letërsia.

Dy subjektet me të cilat identifikoheni, njëra mediatike (“Koha”) dhe tjetra politike (“Ora”) kanë të bëjnë me një njësi matëse. Koha vazhdon të funksionojë, ndërsa Ora është ndalur … Themeluat “Orën” për të matur “Kohën” apo shove “Orën” për të lënë “Kohën” të ecë lirshëm …?

Lëvizja politike “Ora” kishte një qëllim, krijimin e një hapësire më të lirë në jetën politike kosovare, e dëshironte ta bënte atë, sepse liria në politikë rrjedh përmes arsyes dhe përmes nënshtrimit të çdo gjëje, verifikimit të arsyes. Në jetën politike duhet të kalosh filtrin e arsyes, për të arritur në nivelin e debatit dhe niveli i debatit është niveli i lirisë.

Jeta politike në Kosovë ka qenë e ngarkuar dhe është, me mungesë të debatit e arsyes e rrjedhimisht dhe me mungesë të lirisë. Dhe shoqëria kosovare jo rastësisht trajtohet si një sistem gjysmë totalitar, sepse natyra e sistemit politik është i tillë. Lëvizja politike “Ora” nuk pati sukses, ose pati sukses shumë pak, të kufizuar dhe një prej arsyeve pse nuk arriti të ketë sukses është sepse u konfrontua me një sistem politik autoritar. Nuk mund të pretendosh të marrësh pjesë në një garë politike, ndërkohë që ekzistojnë parti politike që kanë shërbimet e tyre sekrete. Në Europë nuk ekziston një shembull që një parti politike të ketë pasur shërbimet e veta sekrete, por në Kosovë ka ndodhur e ndodh ende me Partinë Demokratike të Kosovës. Në Europë nuk ka ndodhur që një shtet në fund të krijojë një gjykatë të veçantë për të gjykuar udhëheqësit e saj, duke shkelur rendin e saj ligjor, por në Kosovë kjo ndodh. Kështu që lëvizja “Ora” duhet parë brenda këtij konteksti.

Në librin “Këmbët e gjarprit” keni alegorizuar personalitetin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, dhe disa prej figurave të UÇK-së. Si rezultat i kësaj pati disa reagime në opinion që shkuan deri në djegien e librit … Meqë shkoi në këtë pikë marrëdhënia, i bie që u dogj dhe mundësia për të bashkëpunuar me Thaçin?

Djegia e librit ishte fundi i mundësisë sime të bashkëpunimit me primitivët. Ata që djegin libra e tejkalojnë mundësinë e debatit, nuk ka më debat me njerëz që djegin libra. Ata tregojnë pozicionin e tyre paramesjetar, para Gutenbergut. Mendoj se ajo çka mund të bashkëpunoja me ta është që atyre njerëzve me kontributin tim vullnetar t’u paguaja kursin e alfabetizmit, të mësonin të lexonin fillimisht e pastaj të mund të integroheshin në shoqëri.

Dramaturgia Borka Paviçeviq, ju ka bërë një pyetje në Beograd, të cilës unë doja t’i dija përgjigjen: Përse nuk jeni ju president?

Të mos jesh në parti politike nuk do të thotë që s’je apo nuk merresh me politikë. Posaçërisht në kohën dhe hapësirën në të cilën ne jetojmë, edhe ne merremi me politikë e politika merret me ne. Kam frikën se kjo do të ndodhë përgjatë jetëve tona, do ta kemi këtë fazë interesante të ndërlidhjes mes politikës e jetës sonë. Njeriu mendon apo shprehet politikisht në forma të ndryshme, ndonjëherë në formë artikulli, ndonjëherë në formë libri apo interviste, e kjo është një mënyrë e marrjes me politikë. Pastaj presidenti, jeta jonë dhe fakti që merremi me kulturë, na i sjell gjërat, edhe ju që jeni pasionante e kulturës, edhe mikja ime që është drejtoreshë e teatrit, do ta merrni me thjeshtësi një pyetje pse nuk je ti president kur je një miku im i mirë ose ta kam lexuar librin e më pëlqen libri … Por këto dy gjëra nuk shkojnë njëra me tjetrën. Shoqëritë në masë të madhe kanë njerëzit që i meritojnë në krye dhe ata janë indikatorët e aftësisë, paaftësisë janë po ashtu indikatorët e kaheve të lëvizjes të shoqërive. Përjashtim bëjnë disa lëvizje historike që krijojnë figura, të cilat tejkalojnë produktin e tyre mesatar, nëse mund të quhet ashtu. Nelson Mandela doli tej asaj çfarë mund të pritej prej një vendi si Afrika e Jugut, Vaclav Havel doli tej momentit historik që e prodhoi. Kosova kishte fatin e kundërt, të krijojë lidership dhe përfundimisht produktin e vet mesatar intelektual e politik.

A i ngjasonte një lëvizjeje të tillë ajo çfarë ndodhi në vitet ’90 në Kosovë?

Në vitin ’89 – ’90 dola në sipërfaqe, së bashku me disa figura të tjera të reja shoqërore, si një njeri që jepte sugjerime për drejtimin e shoqërisë, por unë nuk e kam krijuar atë lëvizje, ajo ishte një lëvizje kapilare, ishte një nevojë e tërë atij populli të ngrihet. Nuk e kishte krijuar as Ibrahim Rugova, i cili u vu në ballë të asaj lëvizjeje kur tashmë ishte një valë e madhe e saj. Këto veprime historike nuk janë riciklike e nuk është se ndodhin çdo 10 apo 20 vjet, e gjithnjë do të vijë një lëvizje, do ta spastrojë gjendjen e do të fillojë nga e para. Tani jemi në një evolucion e ky evolucion do ta krijojë dikur gjendjen e re.

Ian McWan thotë se “sistemet totalitarë kanë të drejtë që i “kyçin” shkrimtarët, sepse romani është, ose mund të jetë, shprehja më e thellë e lirisë së fjalës”. A ishte censura një arsye që ju iu kthyet letërsisë?

Padyshim që shkrimi i romanit është akt çlirues, ndonëse njeriu shkruan brenda kornizave, brenda ligjeve që i ka vetvetiu letërsia apo brenda kornizave shoqërore. Të shkruash roman apo të shkruash një tregim, është akt shumë i madh çlirues, sesa është shkrimi i një artikulli apo një komenti, sepse u ikën disa prej konvencioneve politike. Natyrisht edhe letërsia i ka konvencionet e veta, është problem i shkrimtarit se sa duhet të jetë i sinqertë me vetveten, sa do të jetë i lirë me vetveten që t’i sfidojë dhe ato konvencione.

Duke u nisur nga grupi mediatik “Koha” që ju keni në Kosovë dhe ajo çfarë ndodh me shtypin sot, si e shihni se është përmirësuar liria e shtypit?

Në Kosovë unë e them me krenari që “Koha” ka qenë e mbetet një qendër e cila ka radiacionin e vet në shoqëri, një qendër e lirisë dhe profesionalizmit. Një qendër që funksionon në kushte të vështira, të rrezikimit të përhershëm fizik, e të kërcimit të përhershëm. Nuk mund të kesh lehtësisht shtyp të lirë në një shoqëri gjysmë totalitare, shtyp të lirë të papenguar, pasi është një çmim që ky shtyp duhet ta paguajë. Megjithatë “Koha” ka bërë një punë të madhe që kushton shumë. Nuk u është shitur interesave politike apo ekonomike të klaneve të ndryshme politike a ekonomike. Ky është një avantazh i madh në liri e shprehje, por mund të jetë disavantazh në ekonomi. Në fund të fundit, njeriu duhet të shohë interesin parësor. Unë në kompaninë “Koha” nuk jam prej 2004-s dhe gazeta e kompania funksionojnë më mirë se kur isha unë aty. Një punë e madhe për njerëzit që e bëjnë atë, në radhë të parë Flaka, motra ime, e cila është menaxhere e jashtëzakonshme.

Duke u ndalur te Flaka, së cilës i dedikoni dhe librin tuaj të fundit, si do ta vlerësonit rolin e femrës në hapësirën shqiptare?

Femra është në një avantazh të madh në shoqëri, që janë në zhvillim të madh dinamik siç është kjo jona, ku mund dhe duhet të hapen mundësi për femra profesionale.

Rreziku për femrat është një rrezik i dyfishtë sot. I pari është ai tradicional, që është një evolucion. E në evolucion mund të fshihen të drejtat e femrës si një pikë dikund në ardhmëri, pa e përcaktuar rrugën deri tek ajo. Do të thotë, një shprehje politike formale.

Edhe rreziku i dytë është formalitet, është ai që e vendos femrën në pozitë sa për sy e faqe dhe Kosova e ka pasur atë fat të keq në përzgjedhjen e disa njerëzve, ku përzgjedhja e femrës është bërë në mënyrë të tillë dhe shembulli më i mirë është Presidentja e Kosovës, e cila nuk ka me çka tjetër të mburret përveçse me gjini, e kjo nuk e ndihmon femrën. Përkundrazi, e shndërron femrën në objekt apo e rishndërron në objekt, tashmë politik.

Një rritje të kuotimit të femrave në parlament apo institucione publike e ka bërë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si e shihni punën e tij?

Ka ndryshuar perceptimi i Shqipërisë jashtë padyshim. Si profesor i arteve pamore, zoti Rama ka ndikuar për mirë në këtë drejtim, i ka hyrë konceptualisht shndërrimit të pamjes së këtij vendi dhe efektet pamore që ai i ka dhënë vendit nuk janë të parëndësishme.

Shqipëria, në përmasat e veta europiane, si përfaqësim politik, si vend i NATO-s, mund të ilustrohet pak a shumë me një detaj që duket i parëndësishëm, por është simbolik. Shqipëria mund të matet me rrugën prej Plepave deri në Durrës. Ishte një rrugë në një hapësirë gjysmë të egër të provincës ballkanike, tash është një promenadë me aspiratë mesdhetare.

Identiteti mesdhetar, i Mesdheut verior, i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm. Nuk e di në është ky koncepti i tij transformativ, sepse nuk kam biseduar me të, nuk jam takuar me të prej kohësh, por mendoj se identiteti mesdhetar i Shqipërisë është natyrshëm pjesë e një projekti, i cili duhet të jetë i qeverisë së tij e qeverive pasuese.

E kjo do të thotë vendosje të kornizës ekonomike që nga turizmi deri te prodhimi bujqësor, nga kultura deri te rendi dhe siguria.

Në këtë drejtim, imazhi i Shqipërisë është gjithsesi më i mirë se ç’ishte ndonjëherë.

Por, pastaj është problem që unë e ngre edhe në libër, sepse janë disa çështje që nuk zgjidhjen me aplikimin e teorisë pamore. Janë disa çështje që kërkojnë ndryshim thelbësor, strukturor. Një prej tyre për mua ka qenë shokante, që të lexoj se ambasadori amerikan bën verifikimin e listave për kandidatë për deputetë dhe të thotë se ky është kriminel e ky jo … Nuk dyshoj që ai këtë e bën me dëshirën më të mirë. Por vendi, i cili konsideron se tjetërkush duhet të merret me spastrimin e listave të kandidatëve për deputetë tregon se nuk është në gjendje të mirë. Kjo tregon gjithashtu për një dobësi të madhe në gjithë sistemin e drejtësisë apo politikë. Se çfarë do të ndodhte po të mos ishte ambasadori amerikan apo ambasada amerikane në Shqipëri? Gjysma e parlamentit duhet të ishte me njerëz që merren apo janë marrë me aktivitete kriminale? Kjo është e pakuptimtë për mua. Nuk është ilustrim, është maja e ajsbergut, e kjo tregon për një thellësi të depërtimit të krimit në shoqëri, e thellësi të paralizës së elementëve mbrojtëse të shoqërisë ndaj krimit.

Po shkruani roman të ri?

Po, po shkruaj. Është si çdo gjë çliruese, është çliruese deri sa të mos përfundoj.

Çfarë po shkruani?

Po t’jua them, atëherë do të robërohem me formulën, të cilën do t’jua jap.

Është torturues procesi i të shkruarit?

Për mua është torturues akti i të mosshkruarit, akti i të shkruarit ndonjëherë mund të shkojë në drejtime që nuk i pret. Ndonjëherë shkon në drejtime që as i ke dashur e as nuk i do, e kthehesh sërish. Por gjëja më e bezdisshme është akti i të mosshkruarit, është konsumimi i panevojshëm i fjalëve që duhet të shkonin tjetërkund.

Këtë numër të revistës “Saras” ia kam kushtuar letërsisë së shkruar nga femrat. A ndihet gjinia në letërsi?

Në fund, letërsi është padyshim. Kur të ulet dikush të analizojë ku është ajo që e përcakton vijën ndarëse, do të hynte në një kolektivizëm, është si të thuash se ekziston një dallim ekzistencial mes meshkujve të bardhë e atyre me ngjyrë në letërsinë që bëjnë. Se ekziston dallimi substancial mes japonezëve urbanë e ruralë. Dallimi duhet të ekzistojë dhe me këtë njeriu duhet të hyjë dhe në analiza, por janë vijat ndarëse brenda copës së mermerit, janë vija që e artikulojnë mermerin dhe aty nuk ka vija mashkullore e femërore.

Nëse do të kujtohej tani një libër i mirë i shkruar nga një autore femër, cili do të ishte?

Prej Margaret Atwood, Marguerite Duras, Virginia Woolf … do të gjesh libra të mirë.

Me kalimin e viteve është e vështirë përzgjedhja e librave për të lexuar. Çfarë lexoni tani?

Është shumë e vështirë përzgjedhja. Jam duke lexuar librin e ri të Noel Malcolm, një histori e shkruar prej një eruditi, për më tepër një shkrimtari të mirë. Dhe para tij isha duke lexuar histori, parë me një vështrim krejt tjetër të vitit 1913 nga një historian australian. Është shumë e vështirë përzgjedhja se e ke të limituar kohën dhe oferta është gjithnjë në rritje e sipër, sepse jo vetëm që jemi rritur ne me moshë, por është rritur dhe oferta globale e shkrimit. Jam në dilemë të madhe se çfarë do të lexoj. Ekzistojnë dy frikëra në momentin kur shkruan. E para është të shpërqendrosh vëmendjen tënde në lexim, pasi mendja nuk është organ i disiplinuar dhe po u shpërqendrua është rreziku i rikthimit në tema që në atë moment të shqetësojnë dhe e dyta është po qe se i hyn letërsisë, është si të futesh në zërin e tjetërkujt. Kur lexon letërsi ti lexon zërin e tjetërkujt, e një njeriu tjetër, e një gruaje tjetër që shkruan dhe është rreziku që do i bësh iso zërit tjetër. Këto janë rreziqe, por disavantazh është nëse nuk lexon e kufizon vetveten.

Ndikojnë autorët që lexojmë gjatë procesit të të shkruarit?

Akti i shkrimit është akt shumë i ndjeshëm dhe percepsionet e njeriut janë shumë më të avancuara. Njeriu kur shkruan ndien më shumë, dëgjon më shumë, ndien aroma më shumë, muzikën më shumë. Këtë e ka thënë më herët Garsia Markez; ai së paku ka mundur të identifikojë muzikën që ka dëgjuar në shkrimet e veta. Se edhe ritmi i të folurit dhe i të shkruarit e ritmi i muzikës janë ritme, e njëri-tjetrin mund ta influencojnë.

E shihni të shkruarën si një autobiografi?

Çdo shkrim është autobiografi për nga natyra, je duke përshkruar përjetimin apo perceptimin tënd për një veprim apo një person. Është vështirë të mos jesh autobiografik. Balancën mund ta arrish, sikur në gazetari, me krijimin e distancës së mjaftueshme që të lejon ta shohësh edhe veten nëse do, por prej një këndvështrimi tjetër.

Ka ndikuar letërsia latino-amerikane, realizmi magjik, në shkrimin tuaj?

Ka ndikuar padyshim vetë jeta në Amerikën Latine. Kam jetuar si fëmijë, pastaj dhe si student, kështu që ka ndikimin e vet …

Nga libri

“Islami politik ka sot të njëjtin kapacitet mobilizimi që kishin ideologjitë totalitare në Perëndim: ato u mundën ushtarakisht, sikur nazizmi në Luftën e Dytë Botërore, por u nevojit një luftë më e gjatë e ndërtimit të institucioneve të demokracisë, që të pengonin rishfaqjen e mendimit ‘të të vërtetave absolute’ në Europën Perëndimore dhe shembjen e së ‘vërtetës absolute’, në Lindjen Komuniste”.

4.

“AMBASADORI I PARKINGUT”

Veton Surroi , njohësi i periudhave të gjata historike dhe futuristike të vendit, intelektuali  është përballur me veprim rrugaç dhe të pasjellshëm për botën e qytetëruar nga një biznesmen i quajtur Rexhep Shoshi.

Shkrimtari Veton Surroi i cili ka qenë duke ecur ngadalë rrugës nëpër lagjen e tij, si një qytetar dhe intelektual aktiv për ndryshime në Kosovë, ka vërejtur sesi biznesmeni në fjalë ka parkuar veturën aty ku nuk e lejon Ligji për Parking.

“Askush nuk është mbi ligjin por ja që bisha e egërsuar më sulmoi. Por unë si intelektual nuk ia ktheva dorën as grushtin sepse do t’i reagoj ashpër me një libër të cilin do ta quaj ‘Ambasadori i Parkingut’”, ka thënë Surroi, për medien e tij.
Surroi nuk ka dashur të jap detaje rreth rrahjes sepse sipas tij, ai është një gjest i rrugaçëve dhe që atij nuk i bënë përshtypje.

“Dajaku është për rrugaç. Unë jam intelektual, andaj do të shkruaj libër”, ka thënë ai.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan– turqve: Bëni pesë fëmijë, jo tre. Ju jeni e ardhmja e Europës



Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan iu ka bërë thirrje qytetarëve të Turqisë në Evropë, për të rritur normat e tyre të lindjes dhe të bëjnë nga pesë fëmijë, duke thënë se një rritje e popullsisë turke do të jetë përgjigja më e mirë për të “vulgarizimin, armiqësinë dhe padrejtësinë” e BE-së, raporton Telegraph.uk duke iu thënë turqve që jetojnë në vendet e BE-së se ‘ju jeni e ardhmja e Europës’.

“Ju bëj thirrje qytetarëve të mi, motrave dhe vëllezërve në Europë. Vendi ku po jetoni dhe punoni është bërë tani atdheu juaj. Hapni më shumë biznese, dërgoni fëmijët tuaj në shkollat më të mira, jetoni me familjet tuaj në lagjet më të mira, mbani makinat më të mira, jetoni në shtëpitë më të mira”, vijoi ai gjatë një fushate në qytetin perëndimor Eskisehir.

Mesazhi u drejtohet 1.4 milion votuesve turq që jetojnë në Gjermani, si dhe popullsisë së madhe turke në Holandë, Austri, Bullgari dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Në kuadër të mbajtjes së referendumit turk në 16 prill, ku pritet të votohet për shtimin e kompetencave të presidentit Erdogan, Hollanda dhe Gjermania kanë ndaluar aktivitetet politike të Turqisë. Kjo solli akuza të ndërsjellta mes Turqisë dhe vendeve të BE.

Pse Europa “pushtoi” botën

Image result
Nga Robert Fulford


Kina shpiku barutin, dhe bota arabe shënoi përparime të rëndësishme në fushën e matematikës. Por pse ishte Evropa ajo që doli në krye? Kjo është një pyetje, të cilën historianët e kanë shtruar për dekada të tëra. Në vitin 1000, teksa filloi mijëvjeçari i dytë, evropianët ishin të vrazhdë e të paaftë, dhe askush nuk premtonte diçka të mirë.

Asokohe, ishte e pamundur të imagjinohej sesi kontinenti do të përfundonte duke dominuar globin, përhapur gjuhët, kulturën dhe produktet e tij, tek të gjitha kombet e tjera. E megjithatë, deri në vitin 1900, Evropa dhe kolonitë e saj si SHBA-ja dhe Kanadaja, ishin më të pasurat dhe më të fuqishmet, se e gjithë pjesa tjetër e botës. Si ndodhi kjo?

Pse Europa “pushtoi” botën

Kjo nuk është thjesht një çështje akademike. Në vitin 2015, implikimet e tij qëndrojnë tek të gjitha tregimet e suksesit kombëtar dhe tragjedive, për të cilat ne mendojmë ditë për ditë. Të gjithë njerëzit jetojnë me pasojat e triumfeve të mëdha politike, më të mëdha që prej ngritjes së Perandorisë Romake.

A ishte fuqia industriale arsyeja pse Evropa triumfoi? Jo, sepse në vitin 1800, kur Revolucioni Industrial sapo kishte nisur, Evropa e kishte shtrirë tashmë pushtetin në afro 35 përqind të globit (vetë Evropa përbën 8 përqind). A ishin sëmundjet që çuan evropianët me vete në vendet që ata pushtuan, ato që i dëmtouan armiqtë potencialë? Jo, popullsitë vendase, ndërsa u shfarosën nga lija dhe fruthi, besonin se këto sëmundje mbanin mjaftueshëm larg ushtarët spanjollë, portugezë dhe britanikë.

Pushtuesit e famshëm nga Spanja, Hernando Kortes dhe Francisko Pizaro, drejtuan një ushtri prej vetëm disa qindra ushtarësh, luftuan me ushtritë vendase që ishin mijëra. Ata humbën disa beteja, por në mënyrë të pashmangshme i fituan luftërat.

Në vitin 1533, Kortes rrëmbeu perandorin Aztek, Atahualpa, duke demonstruar kështu superioritetin spanjoll. Ai e mori peng perandorin në bordin e një anije spanjolle dhe gjuajti me top vendin. Atahualpa, të cilin Kortes më vonë e vrau, ishte sundimtari i fundit vendas i Aztekëve. Duke provuar një pije të quajtur Xocolatl, Kortes e njohu vlerën e saj dhe krijoi një rrjet plantacionesh kakaoje në të mbarë Karaibet. Spanja, përfundoi duke u bërë dominuese e biznesit të çokollatës për shumë vite.

Zhurma e atyre topave shpalli fundin e pavarësisë për vendasit e Amerikave, dhe fillimin e hegjemonisë së evropianëve. Ishte baruti, dhe të gjitha teknikat dhe strategjitë që e shoqëronin, që udhëhoqën dhe i dhanë formë këtij ndryshimi të rëndësishëm në pushtetin botëror.

Filip Hofman, një historian i ekonomisë në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, ka shkruar një libër të bazuar në fakte të sigurta, në të cilën ai lë mënjanë shumicën e shpjegimeve të mëparshme dhe jep përgjigjet e tij në librin “Përse Evropa e pushtoi botën”? (Princeton University Press).

Është sigurisht një fakt i pakëndshëm për t’u menduar, por puna kryesore e Evropës për shekuj me radhë ishte lufta – dhe se ky obsesion, u shndërrua në një avantazh të madh të saj, kur filloi të pushtojë dhe skllavërojë pjesë të mëdha të njerëzimit. Për shkak se ka patur shumë shtete, të udhëhequra nga kaq shumë sundimtarët egomaniakalë, një militarizim i pamëshirshëm e dominoi kontinentin.

Kultura e luftës, lulëzoi nën një atmosferë krijuese dhe konkurruese. Çdo gjë është bërë për të rritur saktësinë dhe shpejtësinë. Inovacioni ushqeu risitë. Teknologjia e barutit u bë në mënyrë të vazhdueshme, më vdekjeprurëse dhe efektive. Sot liderët premtojnë paqe dhe prosperitet. Për qindra vjet, mbretërit europianë premtuan të njëjtën gjë.

Princat u rritën duke ëndërruar luftën, në atmosferën rivalizuese të Evropës pas Mesjetës. Si mbretër, ata zhvilluan luftëra dhe në çdo njërën prej tyre përmirësuan përdorimin e teknologjisë së barutit. Ata mësuan të prodhojnë topa që mund të montoheshin në anije, artilerinë e lehtë që përdorej shpejt kur ishte e nevojshme, dhe vendosjen e armëve për të mbrojtur kalatë.

Edhe kur humbisnin një betejë, ata kridheshin në mendime se si të vidhin idetë më të mira të armiqve të tyre. Kjo është ajo që e bëri imperializmin të mundur, dhe që rezultoi në krijimin e kolonive evropiane në Afrikë, Amerikë dhe Azi. Kombet evropiane kontrolluan, për periudha afatshkurtra apo afatgjata, 84 për qind të botës.

Teknologjia e avancuar e barutit, edhe kur nuk u përdor, i tmerronte ata që nuk e zotëronin atë. Ajo ndërkaq tërhoqi aleatë në mesin e vendasve, të cilët dëshironin të ishin në anën e pushtetit. Kjo ndodhi vetëm në Evropë, pasi kjo e fundit ishte një hapësirë që mbeti politikisht e fragmentuar.

Monarkitë konkurruese, i rezistuan çdo sugjerimi që ata të bashkoheshin, në vend se të provokonin njëri-tjetrin. Dhe mbretërit krenarë, ishin shpesh të kënaqur të provokoheshin. Ata kryenin eksperimente të pafundme dhe bërë investime të mëdha në hulumtime.

Në kontekstin e përshkruar nga Hofman, Lufta 100-vjeçare mes Francës dhe Anglisë që u shtri përgjatë pesë brezash mbretërish, nga mesi i shekullit të XIV-të deri në mesin e shekullit XV-të, duhet të ketë qenë epoka më madhështore e të gjitha mundësive për të mësuar. / “National Post”

“Koalicioni Edvin Kristaq Rama- Ilir Meta bie brenda një muaji, nuk do të hyjnë bashkë në zgjedhje”

“Koalicioni Rama-Meta bie brenda një muaji, nuk do të hyjnë bashkë në zgjedhje”


Henri Çili mendon se koalicioni Rama-Meta do të bjerë brenda një muaji.

Sipas tij, PS dhe LSI nuk do të shkojnë bashkë në zgjedhje.

“Unë e kam argument, jo parashikim.

Ky koalicion zgjat maksimumi dhe një muaj. Rama dhe Meta nuk do të hyjnë bashkë në zgjedhjet e 18 Qershor 2017.

Pra, do të garojnë në vete, nuk do të ketë një koalicion parazgjedhor”, tha Çili mbrëmjen e djeshme në emisionin “Zonë e Lirë”.

Së fundmi janë shtuar ndjeshëm për prishjen e koalicionit PS-LSI dhe madje, kjo gjë reflektohet dhe në vetë deklaratat e drejtuesve të lartë të këtyre dy partive.

Vetëm një ditë më parë, Luan Rama dhe Saimir Tahiri shkëmbyen replika të ashpra, duke treguar se marrëdhëniet PS-LSI nuk janë miqësore.

Presidenti amerika Donald Trump takon kancelarën gjermane Angela Merkel: Një Amerikë e fuqishme është në interes të të gjithë botës

Trump takon Merkel: Një Amerikë e fuqishme është në interes të të gjithë botës


NATO, tregtia, emigracioni dhe lufta kundër terrorizmit ishin në fokus të takimit të parë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Kancelares gjermane Angela Merkel.

Duke kujtuar miqësinë shumëvjeçare që lidh të dyja vendet, ata e vunë theksin te vlerat e përbashkëta të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Numri një i Uashingtonit rikonfirmoi mbështetjen për aleancën e NATO-s, duke përsëritur kërkesën e tij që të gjitha vendet anëtare të paguajnë pjesën e tyre të kontributeve.

“Një Amerikë e fuqishme është në interes të të gjithë botës”, tha Trump, duke iu referuar planeve të tij për të përqëndruar prodhimin brenda kufijve. Ai këmbënguli se nuk kërkonte izolim, por një politikë të drejtë tregtare, pasi siç tha, shumë vende kanë përfituar deri më tani nga SHBA-të.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane pohoi se takimi ishte i frytshëm dhe se ishin përpjekur të gjenin pika takimi lidhur me çështjet për të cilat nuk binin dakord.

Sa i përket emigracionit, Merkel tha se pavarësisht përkushtimit për t’i mbrojtur kufijtë, nuk mund t’i linin në baltë emigrantët.

Merkel, e cila shoqërohet nga disa sipërmarrës të kompanive të mëdha gjermane, duhej të mbërrinte në kryeqytetin amerikan të hënën, por vizita u shty për shkak të një stuhie bore që goditi verilindjen e vendit.

Takimi mes dy udhëheqësve ka qenë i shumëpritur për shkak të përplasjeve publike mes tyre për çështje të rëndësishme.

Në muajin janar, Trump pohoi se kancelarja gjermane kishte bërë një gabim katastrofik duke i hapur dyert qindra mijëra refugjatëve dhe emigrantëve në Gjermani.

Ndërsa Merkel nuk i ka kursyer kritikat për planin e Trump për të ndaluar udhëtimet nga 7 vende me shumicë myslimane.

E përbashkëta e fundit, sipas Trump, është se të dy ata, së bashku me kancelaren Merkel, janë përgjuar nga administrata e kaluar amerikane e drejtuar nga presidenti Barack Obama.

Përse presidenti rus Vladimir Putin është njeriu më i fuqishëm në botë

ANALIZA/ Përse Putin është njeriu më i fuqishëm në botë

Presidenti rus Vladimir Putin konsiderohet si njeriu më i fuqishëm në botë. Por përse? Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje edhe Kina, janë shtete më të fuqishme se Rusia.

Fuqia e kreut të shtetit përcaktohet si nga fuqia e shtetit, ashtu edhe nga aftësia që lideri ka për të ushtruar këtë fuqi, në mënyrë të njëanshme, të pa frenuar nga institucionet e tjera, partitë e forcat politike.

E duke bashkuar këto dy gjëra, është e lehtë për të kuptuar përse Vladimir Putin qëndron në krye të listës.

Putin ka krijuar atë që ai e quan “fuqi vertikale”, diçka që zor se mund ta shohësh në kombe të tjera të mëdha. Ashtu sikurse ka vënë në dukje mjeshtri i madh rus i Shahut, Gary Kasparov, një kritik i ashpër i Putin, e gjithë struktura e fuqisë politike ruse qëndron tek një njeri.

Kur Cari vdiq, dihej struktura që do të zgjaste dhe procesin me të cilin pasardhësi, djali i tij, do të ngrihej.

Kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Sovjetike komuniste vdiq, ishte Komiteti Qendror dhe Byroja Politike që zgjidhte pasardhësin e tij.

Por kur të vdesë Putin, çfarë do të ndodhë? Askush nuk e di.

Për të kuptuar Putin është e nevojshme të kuptosh Rusisë. 100 vitet e fundit, ky vend ka parë rrëzimin e monarkisë, kolapsin e demokracisë, depresionin e madh, Luftën e Dytë Botërore, ku u vranë me miliona rusë. Brutalitetin e totalitarizmit të Stalinit, kolapsin e komunizmit, shpërbërjen e Bashkimit Sovitik dhe vitet e kaosit e korrupsionit të Boris Yeltsin.

Më pas vjen Vladimir Putin, i cili përcjell stabilitet në perceptimin popullor, duke rritur standardin e jetesës, rëndësi dhe respekt në botë. Ky respekt është i rëndësishëm.

Rusët kanë një krenari të madhe kombëtare. Rusia është shteti më i madh në planet, 48 herë më i madh se Gjermania dhe shtrihet në 11 zona kohore që përfshijnë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Rusia është gjithashtu një vend i pasur, që përmban disa prej depozitave më të mëdha të lëndëve të para, nga nafta dhe gazi natyror, te nikeli e alumini.

Nga ana kulturore, ajo e ka konsideruar shpesh veten si Roma e tretë, duke e ruajtur Krishterimin edhe kur Roma dhe Bizanti ra në duart e barbarëve.

Putin e kupton Rusinë. Por ai kupton gjithashtu botën. Ai është aq inteligjent sa për të mos e sulmuar drejtpërdrejt Amerikën apo Europën. Por ai di si ta përdorë fuqinë në mënyrë asimetrike, duke përdorur mjete kibernetike dhe dezinformimin.

Ai kupton gjithashtu dobësitë e shoqërive të lira, ndarjet e mosmarrveshjet e tyre të brendshme. Ai e kupton brishtësinë e institucioneve si Bashkimi Euripian dhe ide të tilla si integrimi e diversiteti.

Me pak fjalë, Vladimir Putin na kupton shumë mirë. Por pyetja që lind natyrshëm është: A e kuptojmë ne vërtetë? Po Trump?

Bashkim Shehu: “Si nisi ftohja me Enverin, Mehmeti dyshonte se i vunë përgjues në shtëpi”

Bashkim Shehu: “Si nisi ftohja me Enverin, Mehmeti dyshonte se i vunë përgjues në shtëpi”

Fejesa ishte prishur, por Mehmet Shehu nuk ishte ende i qetë. Dukej se gjendja e tij varej vetëm nga një telefonatë, nga një rutinë e prishur nga ana e “shokëve”, nga një buzëqeshje apo shtrëngim dore nga ana e Enver Hoxhës. Djali i Mehmet Shehut, shkrimtari Bashkim Shehu, në librin e tij “Vjeshta e ankthit”, përshkruan situatën nëpër të cilën po kalonte i ati, gjatë ditëve të Kongresit të PPSH-së, kongresin e fundit në të cilin do të merrte pjesë.

Tashmë asgjë nuk fliste për përmirësim të pozitave të tij. Edhe vetë Mehmet Shehu e kishte kuptuar këtë, aq sa ishte përfshirë nga një paranojë mbi gjithçka që ndodhte përreth tij. Ndoshta jo me pa të drejtë. Pas një shtrëngimi dore të Enver Hoxhës, ditën e parë, që shkaktoi një gëzim të rremë, filloi ftohja, ngurtësimi i fytyrës së diktatorit gjatë fjalimit të tij, trembja e duartrokitjeve në sallë, planet që jepte Televizioni Shqiptar kur fliste ai. Përtej gjithë varianteve të deritanishme mbi vrasje/vetëvrasjen e Mehmet Shehut, Bashkim Shehu tregon ditët e fundit të të atit, bisedat me Fiqreten dhe ato mes vëllezërish…

NGA BASHKIM SHEHU

Mëngjesin e hapjes së kongresit, Mehmet Shehu ishte në ankth. Mbasi piu kafenë, pa u ngritur nga shtrati, ai thirri mjekun t’i bënte EKG. Dy javë të shkuara kishte pasur një krizë kardiake dhe tani, sado që s’ndiente asnjë të therur apo shtrëngim në zemër, megjithatë, duke menduar ditën që kishte përpara, i tendosur siç ishte dhe i gushmuar prej ankthit, një tendosje e një ankth që priteshin dhe që do të vinin duke u acaruar dhe duke u stërhequr përgjatë asaj dite, të gjitha këto mund t’i shkaktonin një krizë të re e një mendim i këtillë gjithë ia shtonte ankthin. EKG-ja i doli normale.

E mblodhi veten disi, po vetëm për një copë të shkurtër. S’ishte tani shqetësimi për ndonjë krizë të re të zemrës. Dhe as kishte qenë. Po sa më tepër që afrohej ora për t’u nisur, aq më ligsht ankthi sa vinte i rritej dhe e guzhmonte sërishmi. Ndryshe nga kongreset e tjera, ai nuk e dinte vendin ku duhej të takoheshin më përpara anëtarët për të shkuar së toku në kongres. Askush nuk i kishte thënë gjë Byrosë Politike. As librin me raportin që do të mbante Enver Hoxha s’ia kishin dërguar.

Me siguri ishte i vetmi anëtar i Byrosë Politike që s’e kishte atë libër. Atij iu parafytyrua vargu i gjatë i veturave të zeza të Byrosë Politike, përmes bulevardit, ndërsa njerëzit në të dyja trotuaret përshëndetnin e brohoritnin. Te sheshi, përpara pallatit ku do të mbahej kongresi, brohoritjet shtoheshin. Po vetë nuk ishte aty. Iu parafytyrua, sakaq, vetura e vet, arkivol i zymtë e i vetmuar, midis çmeritjes së syve të panumërt. I telefonoi më në fund, gjithsesi me njëfarë ngurrimi, Ramiz Alisë, të pyeste si do të bëhej për t’u nisur. Iu përgjigjën se Ramiz Alia nuk ishte, porse së shpejti do të kthehej.

U la fjalë që ta telefononte me t’u kthyer. Por telefoni po vononte, ndërsa ora afrohej e afrohej. Nuk i rrihej në një vend, sa në studio, sa në korridor, sa në tjetrin, pastaj prapë në studio, duke kontrolluar përbrenda çantës, mos kishte harruar gjë, por asgjë nuk kishte harruar, dhe pastaj prapë në korridor thuajse rrekej ashtu ta harronte kohën që ikte e ikte pa kthim, me një ngadalësi sfilitëse, ndërsa ai dëshironte që kjo ndërkohë të rridhte sa më shpejt, të vinte ora për t’u nisur dhe të merrte fund kjo pritje.

Fundja, të shkonte vetëm. U mendua një copë herë e nuk iu duk dhe aq e rëndë që të shkonte vetëm, por ama pak me vonesë. Le të ishte pak më vonë, veçse jo pak më herët, kurrsesi pak më herët, se ashtu i vetmuar, ndërsa të tjerët ende pa ardhur, do t’i duhej të priste mjerueshëm në ndonjë sallë të pallatit, ndërsa vështrimet pyetëse të një mizërie të pafundme sysh do të vazhdonin ta ndiqnin edhe aty brenda, dhe ai s’do të dinte si t’u përgjigjej.

Madje po i dukej se edhe këtu, në shtëpinë e tij, ndodhej tashmë nën një vëzhgim të pareshtur sysh. Dhe atë botë i feksi papritmas në mendje se raportin e Enver Hoxhës nuk ia kishin dhënë ngase aty qe shtuar diçka, të cilën vetëm ai nuk duhej ta dinte, ngase ajo diçka kishte të bënte me të, me Mehmet Shehun. Por po aq vetëtimthi iu duk e marrëzishme ajo që sapo kishte menduar. Gjëra të tilla s’mund të shtypen në një libër që bie në mijëra duar, tha me vete.

Bile në asnjë lloj libri s’mund të shtypeshin të tilla gjëra. Ai e dinte mirë. E megjithatë, sërishmi vazhdoi të përsiatej e të përbluante se mosdhënia e librit, edhe pse nuk fshihte e nuk mund të fshihte diçka, ishte prapëseprapë një lloj paralajmërimi. Një shenjë paralajmëruese e qëllimtë, për t’i kumtuar se ajo çka nuk qe shkruar atje dhe që, po të shkruhej, libri nuk do t’i jepej, por që s’mund të shkruhej, edhe pse nuk qe shkruar, qe menduar të bëhej. Po atëherë nuk duhej ta paralajmëronin.

Apo tamam ky paralajmërim tregonte se çka ishte menduar të bëhej do të bëhej dhe se ai s’do të mund ta ndalte dot. Luhatej kësisoj mes ndërmendjesh të kundërta, teksa koha ikte pa u vënë re, apo në të vërtetë ishte ndalur, kur ndërkaq ra telefoni dhe ishte Ramiz Alia në telefon, që po i thoshte se ku do të mblidheshin. Për të shkuar së toku. Atëherë mori çantën dhe u nis.

Në seancën e hapjes së kongresit foli Enver Hoxha. Ishte një variant i shkurtuar dhe i ngjeshur i raportit të tij, në emër të Komitetit Qendror, të lexuar një herë në variantin e plotë nga plenumi dhe të dëgjuar me magnetofon një ditë para hapjes së kongresit, po në këtë sallë, nga delegatët që nuk bënin pjesë në plenum. Si mbaroi së foluri, Enver Hoxha, në ndryshim nga kongreset e mëparshme, nuk u kthye në presidium ku ishin anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, dhe as u ndal që të priste urimet e tyre e t’i përqafonte njërin pas tjetrit.

Duke u çapitur rëndshëm përskaj presidiumit dhe pa u hedhur asnjë vështrim, Enver Hoxha vazhdoi të përshëndeste platenë e rrëmbushur nga delegatët që duartrokisnin dhe brohorisnin emrin e tij, dhe ashtu doli nga salla. Por, mbasi doli, pak minuta në një sallë tjetër anësore, si për të pushuar, derisa u mbyll seanca dhe derisa erdhi aty e gjithë Byroja Politike. Aty dhe i bënë urimet e rastit Enver Hoxhës.

-E, si t’u duk? – i tha Mehmet Shehut, duke ia shtrënguar dorën atij më së pari – shkoi mirë? Se u lodha, ç’është e vërteta.

-As ndjehej fare, – i tha Mehmeti – si këtu e tridhjetë vjet më parë! Dhe u rrokën në grykë dhe u puthën. Atë ditë Mehmet Shehu u kthye nga kongresi i lehtësuar prej ankthit, me humor të mirë, madje. Por ditën e nesërme, pasi kishte mbajtur fjalimin e vet, ai u kthye në shtëpi krejt ndryshe.

-A e ndoqe në televizion? – më pyeti, posa më pa.

-E ndoqa, – i thashë.

-A shkoi mirë? -Mirë.

-Si e jepte? Jepte sallën më shumë? Deshi të shtonte diçka, por nguroi dhe heshti, duke pritur ndërkaq përgjigjen time.

-Jo, të jepte mjaft edhe ty, – i thashë, pa menduar, i shtytur aty për aty nga dëshira që ta qetësoja. Po edhe në të vërtetë ashtu kishte qenë. Porse e keqja qëndronte tjetërkund. Dhe ai e dinte se ku qëndronte kjo e keqe, por kishte nguruar të më pyeste drejtpërsëdrejti. Ajo nuk kishte të bënte thjesht me sallën, por me ato mijëra fijëza të gjithëfuqishme ndërmjet duarve të sallës dhe presidiumit, ose më mirë mesit të presidiumit, ku ishte ulur Enver Hoxha.

Sa herë fillonin duartrokitjet në sallë, ngurosja e tij e zymtë dhe duart e tij, çuditërisht të palëvizshme, që vetëm në një ose në dy raste duartrokisnin, por vetëm e vetëm për të treguar, ashtu, se në rastet e tjera duartrokitjet duhej të reshtnin, e bënin sallën t’i ndërpriste duartrokitjet dhe të shtangte sakaq e heshtur. Po të paktën ata që s’kishin qenë në sallën kongresore dhe që e kishin ndjekur nëpërmjet televizorit, dhe që ishin shumë më tepër, të mos e kishin parë me sytë e tyre një gjë të tillë…

Sidoqoftë, thashethemnaja do të ishte e pandalshme. S’mund të kalonte pa u vënë re as ajo që ngjau ditën e përshëndetjes së delegacioneve të huaja. Kur i erdhi radha kryetarit të delegacionit të partisë marksiste-leniniste të Spanjës, pasi lexoi përshëndetjen, ai shkoi te presidiumi, nën duartrokitjet e zhurmshme të sallës, u përqafua me Enver Hoxhën dhe, pas tij, përqafoi edhe Mehmet Shehun. Duartrokitjet u shtuan edhe më. Po kështu bëri edhe i huaji tjetër që i erdhi radha mbas spanjollit.

Pastaj i erdhi radha një tjetri, por, me të mbaruar ky, Enver Hoxha u ngrit nxitimthi dhe i doli përndruall duke e përqafuar pa e lejuar të afrohej te presidiumi. Më në fund, erdhi dita e zgjidhjeve për në forumet e larta partiake, çka do të ishte edhe mbyllja e kongresit. Ditën e djeshme, gjatë gjithë asaj kohe që ndenjën në shtëpi, Mehmeti dhe Fiqreti bisedonin me zë të ulët kokë më kokë. Ishin të pasigurt nëse Mehmeti do të rizgjidhej në Byronë Politike, po edhe më të pasigurt nëse Fiqreti do të rizgjidhej anëtare e Komitetit Qendror. Në të dyja këto forume do të kishte ndryshime, të tilla që anëtarë të mëparshëm do të ngeleshin jashtë, e motivuar, kjo, të paktën zyrtarisht, me moshën e tyre të shkuar.

Kjo mund t’i ndodhte edhe Mehmetit, ose, sidomos Fiqretit, meqë ajo i përkiste një rangu më të ulët dhe kësisoj heqja e saj nuk do të binte dhe aq në sy, por do të ishte hapi i parë i kobshëm që të kumtonte gjithçka dhe s’të kuptonte asgjë, ndaj dhe ishe krejt i pafuqishëm dhe s’kishe ç’të bëje për të ndalur hapin tjetër, dhe tjetrin, dhe tjetrin, gjersa gjithçka do të dukej sheshazi, porse atëherë do të ishte tepër vonë. Megjithatë, që të dy u rizgjodhën. Ndërkaq në Byronë Politike u shfaqën edhe disa emra të rinj, të panjohur, ose të njohur për aftësinë e tyre atje ku kishin punuar.

-Është një mënyrë e Enver Hoxhës, – më tha Vladimiri, – për t’i treguar atij, dhe të gjithë anëtarëve të vjetër, se janë fare pa vlerë, se janë njëlloj si këta që sapo vuri, dhe se me cilindo ai mund të veprojë si të dojë, të vërë e të heqë kë të dojë. Përpos që këta të rinjtë janë më të bindur, sikurse më të bindur duhet të bëhen tani edhe të tjerët.

-Me një fjalë, historia e kalit të Kaligulës në kolltukun e senatit romak.

-Veçse këta nuk janë kuaj. Këta janë gomarë. Sidoqoftë, prindërit tanë nuk ishin aq të kënaqur që u rizgjodhën aty ku kishin qenë. Më anë tjetër, që të rizgjidhej Mehmeti edhe Sekretar i Komitetit Qendror, për këtë as që mund të flitej. Mbetja e Mehmet Shehut jashtë sekretariatit të KQ-së nuk ra dhe aq në sy, ngase ata që kishin dijeni për këtë punë qenë të rrallë, sadokudo, po shumë e më shumë më tepër qenë ata që e kuptuan, sakaq, se me Mehmet Shehun diçka nuk shkonte, madje kishte edhe syresh që ajgëtonin tashmë fundin e tij të afërt. Po Mehmet Shehu vetë, kur e kuptoi çfarë po ndodhte me të?

Mund të thuhet se e kishte kuptuar mjaft herët, dhe po ashtu, mund të thuhet se asnjëherë nuk e kuptoi. Konferenca partiake e rrethit të Korçës, e shtyrë për shkak të mungesës së të deleguarit të KQ-së, Mehmet Shehut, mbasi e kishte thirrur ngutshëm prej andej Enver Hoxha për të prishur një fejesë, u shty me javë të tëra, derisa u mbajt në fund të shtatorit.

Ditën kur u kthye nga kjo konferencë, Mehmet Shehu dyshonte se i kishin vendosur në shtëpi aparatura përgjimi. Në studion e tij të katit të poshtëm, tek bisedonte me Fiqretin duke mbajtur përpara një fije letre të daktilografuar dhe duke i treguar asaj diçka në të, dikur, ashtu befas, ai mori Fiqretin përjashta, në verandë, dhe aty vazhduan të bisedonin kokë më kokë, me të pëshpëritur, gjithë me letrën përpara, dhe mbas pak u kthyen në studio për ta vazhduar aty bisedën.

Në mbrëmje, në emisionin televiziv të lajmeve, u transmetuan njëra pas tjetrës disa kronika televizive të konferencave partiake të rretheve të ndryshme. Për konferencën e rrethit të Korçës asgjë nuk po transmetohej. Mehmeti dhe Fiqreti, të vrerosur e gjithë herë më të shqetësuar në çdo minutë që kalonte, vështronin ngultazi ekranin e kaltëryer, herë-herë shkëmbenin kalimthi ndonjë vështrim me cep të syrit, pastaj sytë ktheheshin sërishmi tek ekrani me një ngulmim të ankthshëm.

-Nuk dha asgjë, – tha Fiqreti, si mbaroi emisioni i lajmeve.

Mehmeti e pa me inat, si të ishte ajo fajtore. Mbas pak të dy dolën nga dhoma, duke mbetur aty vetëm unë me Vladimirin.

-Për konferencën e Korçës e kishin, apo jo? Ngaqë nuk e dha televizori, – i thashë.

-Po, – tha Vladimiri. -Me sa duket, babai nuk i ka punët mirë. -E, pra.

-Të jetë për fejesën? -Për fejesën, pra, për çfarë tjetër!

Vetvetiu të shkonte mendja te fejesa. Megjithatë s’mund të jetë kështu, thashë me vete. Ose, po të ishte kështu, s’mund të ishte ndonjë gjë e madhe, mirëpo as kjo s’do të ishte dhe s’ishte asgjë… Megjithatë, një diç e ligë po më brente së brendshmi:

-Po Enveri, mbasi u prish fejesa, demek i tha babait që…

-E pra, ndryshe u nis, – tha Vladimiri, gjithsesi i habitur edhe ai.

-E si mund të kapen te fejesa?! Çfarë mund të nxjerrin prej asaj fejese?

-Ohu, po t’u vu Enver Hoxha… Ai edhe vetes po t’i vihet, mund t’i gjejë çfarë të dojë! -Çudi, si nisi kjo punë e si po merr krejt befas… Në të vërtetë, nuk duhej të ishte dhe aq për t’u çuditur. Dhe asfare për t’u befasuar.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...