Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/22

Alfons Dovana autori i panjohur i fjalorit të rimave shqipe


Nga Gëzim Kabashi

 Alfons Dovana vdiq më 29 dhjetor të vitit 1967, vetëm dy ditë pasi bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël i kishin uruar në barakën e ftohtë të familjes, 49-vjetorin e lindjes së tij. Pinjoll i njërës prej familjeve të njohura tregtare në Durrës, Alfonsi i sëmurë me zemër, ishte i detyruar të flinte prej disa ditësh në kuzhinë, atje ku ishte pak më ngrohët se në pjesën tjetër të shtëpisë me llamarin.



Ç’ BËN NË EKONOMIK NJË POET?!

Historia e jetës së Alfonsit është e ngjashme me atë të mjaft familjeve të pasura në Durrës, e në të njëjtën kohë është po aq e veçantë, sa të duket se po ndjek fillin e një historie Krishtlindjesh. I arsimuar si ekonomist në Milano ai punoi shumë pak kohë në drejtimin e shoqërisë aksionare “Vëllazën Dovana”. Jeta e tij ndryshoi katërçipërisht kur pushtetin e morën komunistët, të cilët pasi konfiskuan të gjitha pronat, kalbën në burgje shumë prej tyre. Burrë i pashëm, elegant dhe sqimatar, administratori i firmës tregtare do ti kishte humbur lidhjet me botën, nëse nuk do ti kishte ardhur në ndihmë kultura e tij. Për vite me radhë ai hodhi në letër gjithçka kishte mësuar e po mësonte mbi letërsinë, historinë dhe mitologjinë, duke përmbushur profecinë e një poeteje të njohur italiane, e cila pas një bisede të gjatë në Milano, i kishte thënë: -Çfarë bën në fakultetin e Ekonomisë një djalë si ti?!

PALLTOJA E BURGUT

Ndër pesë fëmijët e Vlash Dovanës dhe Mellani Terkës, (nje tjetër mbiemër i dëgjuar tregtarësh dhe politikanësh në Durrës), Alfonsi vinte i treti. Vëllai tjetër, më i madhi i fëmijëve, Nik Dovana, ka hyrë në historinë e sportit durrsak si futbollisti i mirënjohur dhe filantropi i skuadrës, aq sa stadiumi i vetëm i qytetit prej 20 vjetësh ka marrë emrin e tij. Tri motrat, Ksantipi, Elsa dhe Belina, patën secila fatin e vet, mjaft të afërt me pjesëtarët e tjerë të familjes. Alfonsi nuk i kishte kaluar 30 vjetët, kur u arrestua dhe dënua me burgim të përjetshëm. Pas kësaj ai do të falej dhe do të dënohej disa herë. Në qelinë e ftohët do t’i “këndojë” kështu palltos, të cilën e kishte veshur për herë të parë dhëndër:

“Sikur të kishe gojë do flisje si jam dridhur,

Me pranga e zinxhira dhe këmb’ e duar lidhur,

Atje n’ato bodrume, nën tokë, në qeli,

Me muaj kur qëndronim, së bashku në vetmi!”

(O pallto e bekuar)

JO POSHTËRIMIT

Ishte në burg, kur u bë baba për herë të parë në vitin 1951. Kur morri lajmin nga nëna e tij, mbi kapakun e paketës së cigareve e kishte shkruar dukshëm emrin “Vlash”. Pasardhësi i tij, do të mbante përjetë emrin e gjyshit të nderuar.

Kur del nga hapsana, Alfons Dovanën e dërgojnë të punojë në periferi të qytetit për hapjen dhe zhbllokimin e kanaleve. Më pas kërkojnë ta poshtërojnë me të njëjtën punë, brenda në Durrës. Poeti rebel nuk përulet, largohet nga puna dhe e kthen në një studio të vogël barakën, çatinë e së cilës familja e tij e ndante me katër familje të tjera.

ZARFE, FJALORË, SUMBULLA E POEZI

“Babai dilte shumë pak nga shtëpia. Gjatë ditës prodhonte sumbulla dhe zarfa, të cilat më pas shiteshin në dyqanet e tregtarëve të vegjël”. Kështu e kujton Alfons Dovanën, e bija, Nirvana, e cila në atë kohë ishte vetëm 10 vjeç. Argjila që mblidhte në kodrat e Currilave thahej deri sa bëhej pluhur dhe me të përgatitej balta që hidhej në tabelën me format e ndryshme. Gjithçka bëhej gati në sobën dhe tavolinën e vetme në kuzhinë-dëshmon Nirvana, e cila ka ruajtur edhe disa nga sumbullat e përgatitura prej të atit më shumë se një gjysmë shekulli më parë. Qoshet e tyre qëroheshin me thikë dhe pastaj me ndihmën e nënës ato lyheshin me një bojë të veçantë, që u jepte shkëlqim. Kur paratë nuk mjaftonin gatiste edhe zarfe me ngjyra. Kjo ishte puna që bënte gjatë ditës zotëria, që kishte studiuar për ekonomi, ndërsa kur binte mbrëmja Alfons Dovana harrohej pas poezisë dhe punës shkencore. Në dimër, njërën dorë e mbante mbi borsën me ujë të ngrohtë, e shkruante me tjetrën-kujton qetësisht Nirvana tablonë e shtëpisë-barakë ku banuan për shumë vjet.

“HALLKA TË ÇKËPUTURA”

Alfons Dovana kishte studiuar në Liceun francez të Korçës e më pas edhe në gjimnazin e Janinës. Ishte i dashuruar me letërsinë franceze, të cilën ua lexonte shpesh fëmijëve, ashtu siç u lexonte edhe poezitë, që shkruante netëve të gjata, në shtëpinë në periferi të qytetit. Në vitin 2003, 36 vjet pasi i ati i kishte mbyllur sytë, Nirvana Dovana i ka botuar poezitë e të atit në dy vëllime me titullin “Hallka të çkëputura”. Bashkë me lirikat që pasqyrojnë shpirtin e trazuar të poetit shquhen edhe përkthimet nga Alfred dë Vinji dhe Alfons dë Lamartin. “Nuk kam pasur asnjë vështirësi për t’i mbledhur poezitë e babait, – vijon rrëfimin e saj Nirvana. – I kishte lënë të gjitha gati, në fletoret e tij me kapak blu, madje bashkë me kapitujt kishte caktuar edhe titullin e të dy vëllimeve”.

INFO

“Rimari i gjuhës shqipe”, vepra që pret të botohet

Në vitet 1950 Alfons Dovana ka përgatitur “Fjalorin e rimave” të gjuhës shqipe. Bashkë me zërat e parë të një “Fjalori mitologjik” është një punë titanike 10-vjeçare, ende e pabotuar. Në korrespondencën me ndërmarrjen shtetërore të botimeve “Naim Frashëri” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqi, shkruante në atë kohë se “puna e bërë nga Alfons Dovana është një punë e durueshme dhe e zellshme, me kritere të shëndosha shkencore”.

Më pas ai shton se “ky Rimar, i pari në vendin tonë, do të ishte një ndihmë e madhe për studiuesit e gjuhës dhe të poezisë shqiptare, si brenda dhe jashtë shtetit”. Vetëm një muaj më parë, më 2 maj 1960 thuajse të njëjtin vlerësim jep për veprën edhe dekani i fakultetit të histori-filologjisë, Androkli Kostallari. “Të bie në sy larmia e rimave, gjë që dëshmon se autori ka hetuar dhe gjurmuar me durim një numër të madh fjalësh nga thesari leksikor i gjuhës sonë”, – nënvizon Kostallari, duke e rekomanduar veprën për botim, njëlloj siç bën edhe Shuteriqi në korrespondencën e tij zyrtare me shtëpinë botuese. Opinionet e dy drejtuesve nuk kanë mjaftuar për ta kaluar veprën në rotativat e shtypshkronjës. E vetmja përgjigje e vagullt për autorin ishte justifikimi se letra mungonte dhe se ishte vendosur të botoheshin vetëm librat me një numër të kufizuar faqesh. “Rimari” i Alfons Dovanës, i vetmi i këtij lloji i përgatitur në vendin tonë vazhdon të ruhet nga familjarët e tij. Dy vëllime me 75 kapituj, dhe përkatësisht me 416 dhe 619 fletë të shkruara në makinë shkrimi para 60 vjetëve përbëjnë edhe një studim të poetëve shqiptarë të vjetër e të rinj. “Fjalori i rimave të gjuhës shqipe” meriton të botohet për të mos mbetur si një relikte e familjes.

Nderim për figurën e shquar të shkencës gjuhësore shqiptare, Prof. Androkli Kostallari


Image result for eshref ymeri

Prof.Dr.Eshref Ymeri 

Në përkujtim të 25-vjetorit të ndarjes nga jeta të Prof. Androkli Kostallarit më 22 mars 1992, sot në Tiranë organizohet prezantimi i vëllimeve I,II dhe V të veprave tëtij, siç më njoftonte para do kohësh Prof.as.dr. Kujtim Kapllani, kurse prezantimi i të pesë vëllimeve është parashikuar të bëhet më 07 nëntor 2017, me rastin e 95- vjetorit të lindjes së tij.

Meriton të përshëndetet mjaft ngrohtësisht Prof.as. Kujtim Kapllani për gjithë atë punë të mundimshme kërkimore që ka kryer për grumullimin dhe për kompjuterizimin e veprës së Prof. Androkli Kostallarit dhe për përgatitjen e saj për në shtyp.

Po aq ngrohtësisht e meritojnë të përshëndeten edhe anëtarët e tjerë të grupit të punës që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për dërgimin në shtyp të veprës së Prof. Androkli Kostallarit, si redaktorja Irinë Kostallari, recezentët Prof.dr. Rami Memushaj (edhe qortues i veprës), Prof.dr. Emil Lafe dhe Prof.dr. Qemal Murati

Image result for Androkli Kostallari


Në punimin e tij hulumtues me titull “Jeta dhe veprimtaria shkencore e Prof. Androkli Kostallarit”, Prof.as.

 Kujtim Kapllani i ka bërë një homazh të shkëlqyer veprimtarisë shkencore të Prof. Androkli Kostallarit, të këtij personaliteti të shquar të kombit shqiptar në fushën e shkencës së gjuhësisë shqiptare.

Unë këtu do të ndalem jo në veprën shkencore të Prof. Androkli Kostallarit, të cilën Prof.as. Kujtim Kapllani e ka trajtuar në një mënyrë shteruese në punimin e lartpërmendur.

 Unë do të ndalem vetëm në dy kujtime personale nga kontaktet e shumta që kam pasur me Profesor Androkliun dhe në disa aspekte të tjera, ku hidhet dritë mbi personalitetin e tij, si një figurë shumëpërmasore në gjuhësinë shqiptare.

Së pari, Prof. Androkli Kostallari dallohej për një formim intelektual me një shpirt humanist të jashtëzakonshëm dhe për dashamirësinë e tij karakteristike ndaj intelektualëve të rinj të fushës së gjuhësisë dhe të letërsisë.

Mendoj se një sërë shkencëtarësh me emër në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë shqipe, sot duhet t’i jenë mjaft mirënjohës Prof. Androkli Kostallarit, i cili s’i pati reshtur asnjëherë përpjekjet e veta të pandërprera për “t’i gjuajtur” ata atje ku punonin, në rrethet e tjera të vendit, dhe për t’i tërhequr në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë.

Në saje të atyre përpjekjeve të Prof. Androkli Kostallarit, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë erdhi e mori formatin e një institucioni shkencor me shumë autoritet në vendin tonë, duke dhënë një kontribut të shquar me botime shkencore nga fusha e leksikografisë, e gramatikës, e terminologjisë, e dialektologjisë dhe e letërsisë artistike.

Së dyti, me interesimin e drejtpërdrejtë të Prof. Androkli Kostallarit, për vite me radhë, qenë organizuar ekspedita gjuhësore në mbarë vendin për skedimin e leksikut të gjuhës shqipe.

 Si rezultat i asaj pune shumëvjeçare të atyre ekspeditave gjuhësore, në bashkëpunim edhe me degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë dhe me mësuesit e gjuhës shqipe, gjer edhe në skajet më të largëta të vendit, në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë erdhi e u krijua një kartotekë mjaft e pasur e leksikut të gjuhës shqipe që arriti deri në rreth 5 milionë skeda, çka përbën një thesar të pashtershëm për hartimin e fjalorëve të gjuhës shqipe.

Në periudhën nga 01 prilli deri më 31 korrik të vitit 1968, në kuadrin e qarkullimit të disa kuadrove të Universitetit të Tiranës në bazë, mua më caktuan në Shkollën 12-vjeçare të Memaliajt.

Para se të nisesha për atje, pata një takim me Profesor Androkliun. Sapo mori vesh që do të shkoja për një qarkullim katërmujor në Memaliaj, bashkë me Ferdinand Lekën (prof.dr.), bashkëpunëtor shkencor i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, më porositi që, krahas mësimdhënies në atë shkollë, të merresha edhe me vjeljen e leksikut të gjuhës shqipe të asaj zone.

Pas përfundimit të pushimeve verore, në fillim të muajit shtator të atij viti, shkova te Profesor Androkliu dhe i dorëzova një listë me 408 fjalë të reja që i pata vjelë gjatë atyre katër muajve. Disa nga ato fjalë figurojnë edhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, të botuar në vitin 1980.

Së treti, Prof. Androkli Kostallari ka dhënë një kontribut mjaft të shquar edhe në drejtimin e punës shkencore të mjaft shkencëtarëve të rinj jashtë Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë.

Ai pati udhëhequr një sërë disertacionesh të shumë pedagogëve të rinj të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë, duke iu çelur rrugën atyre për një punë kërkimore-shkencore afatgjatë, e cila i pati çuar ata deri në marrjen e titujve më të lartë shkencorë.

Profesor Androkliu ka qenë udhëheqës edhe i disertacionit tim shkencor me titull “Paralele leksiko-frazeologjike të shqipes me rusishten në përkthim”, të cilin e pata mbrojtur para Këshillit shkencor të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë në vitet ’80.

Nga kontaktet e shumta që pata me Profesor Androkliun gjatë kohës së përgatitjes së disertacionit, në figurën e tij njoha shumë më nga afër një personalitet të shquar të kulturës shqiptare dhe një intelektual me një erudicion të jashtëzakonshëm.

Gatishmëria e Profesor Androkliut për t’i ndihmuar kuadrot e rinj, ishte me të vërtetë e admirueshme.

Ajo shërben si një shembull mjaft domethënës për të gjithë shkencëtarët tanë të fushës së gjuhësisë dhe të letërsisë me tituj të lartë shkencor, të cilët po japin kontributin e tyre të pakursyer në ndihmë të shkencëtarëve të rinj për të çarë me vetëbesim në fushën e studimeve shkencore në lëmin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.

Santa Barbara, Kaliforni

22 mars 2017

******

Eshref Ymeri ka lindur nё fshatin Mesaplik të Vlorës mё 25 dhjetor 1938. Pasi mbaroi arsimin fillor nё Mesaplik, vazhdoi shtatё vjeçaren nё fshatin Ramicё dhe në vitin 1959 mbaroi Gjimnazin "Ali Demi" tё Vlorёs me rezultatin shkёlqyeshёm.

 Nga ky rezultat i përpjekjeve të para për t’u pajisur me dije dhe kulturë, iu dha e drejta pёr tё studjuar nё Leningrad të B. S. pёr gjuhёn ruse. 

Kur u prishёn marёdhёniet me Bashkimin Sovjetik , nё qershor tё vitit 1961 ai u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi Universitetin e Tiranёs pёr gjuhё letёrsi ruse nё fakultetin "Histori Filiologji", të cilin e mbaroi me rezultate të larta nё vitin 1966 dhe u emrua pedagog nё katedrёn e gjuhёs dhe letёrsisё ruse. 

Mё vonё e caktuan shef të redaksisё sё botimeve nё gjuhё tё huaja deri nё vitin 1990. 

Gjatё kёsaj periudhe ai drejtoi redaksinё pёr pёrkthime nё gjuhё tё huaja për veprat e Enver Hoxhёs. 

Mё 1992 filloi sërish punёn si pedagog pёr gjuhёn dhe letёrsinё ruse, deri mё 31 gusht 2003, kur doli nё pesion.


Prof.Dr.Eshref Ymeri ,është njeri prejshkencëtarëve më të frytshëm në botë. 
Botime

Fjalor frazeologjik rusisht shqip : 25 160 shprehje frazeologjike - 2015
Përkthimi, një histori pasioni - 2015

Etj.

Floripress

2017/03/21

Trafikimi me qenie njerëzore në Kosovë vazhdon të thellohet si shqetësim i përgjithshëm.

Raportohen të zhdukura, përfundojnë të trafikuara apo edhe me martesë
Riza Murati, shef i Sektorit Qendror të trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndër vite trafikimi po shënon rënie, por si fenomen, vazhdon të mbetet shqetësues.

Ai bën të ditur se që nga viti 2010 janë fuqizuar kapacitetet policore në luftimin e kësaj dukurie, ndonëse ende mbetet sfidë.

“Mund të them që është një rënie e lehtë sa i përket trafikimit me qenie njerëzore. Moshat e trafikuara si viktima, janë nën moshën 18-vjeçare. Rastet kur raportohen femrat si të zhdukura, kryesisht u takojnë situatave kur ato largohen nga shtëpia, qoftë me premtime të rreme, apo premtimi për një vend pune”, thotë Murati.

Sipas tij, në momentin kur femrat raportohen si të zhdukura, policia angazhohet dhe në bashkëpunim me njësitë relevante provohet që të verifikohet informacioni në lidhje me ndonjë rast të trafikimit.
“Një rast, këtë vit, ka rezultuar si viktimë e shfrytëzimit në prostitucion”, shton Murati.

Sakibe Doli, drejtoreshë e Shtëpisë së Sigurt në Gjakovë bën të ditur se mosha e femrave të trafikuara, që janë identifikuar nga personat përgjegjës ndër vite, varion kryesisht nga 18 deri në 25 vjeç.

“Shumë prej tyre ka që janë martesa të hershme, martesa që bëhen jashtë vendit dhe rrallë herë ka ndodhur që burri të jetë trafikant. Kohëve të fundit ka rënë trafikimi, por vajzat kamuflohen si punëtore, apo këngëtare, por ato shpesh kapen në pozita të palakmueshme dhe bëhen viktima të trafikimit pa dëshirën e tyre, por joshen shumë lehtë nga trafikantët”, thotë Doli.

Në Kosovë, thekson ajo, është Strehimorja Shtetërore që ka kapacitet të mjaftueshëm. Po ashtu, shton ajo, Kosova i ka ligjet adekuate dhe janë krijuar mekanizmat për ta luftuar dukurinë e trafikimit.

Statistikat e Policisë së Kosovës flasin se gjatë këtij viti, janë 17 vajza që janë raportuara si të zhdukura, ndersa në vitin 2016 kanë qenë 117.

Ndërkohë, jo të gjitha vajzat e raportuara si të zhdukura përfundojnë si viktima të trafikimit.
Shumë nga to në moshë shumë të re edhe martohen, por që fillimisht ikin nga shtëpia dhe raportohen si të zhdukura.

Ka raste kur ato janë edhe në moshën 12- vjeçare dhe martohen. Apo raste kur që si 13- vjeçare lindin dhe bëhen nëna. Kjo dukuri, raportohet të jetë më e theksuar te komuniteti rom, ashkali e egjiptian.

Njëri nga familjarët e një vajze të martuar që 12 vjeçe, flet për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti:

“Ndodh që vajza 12 vjeçe ikën nga shtëpia dhe martohet. Kjo po ndodh shpesh, sidomos në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Prindërit nuk i pyesin. Ikin nga shtëpia. Që 12 vjeçe ikën te burri dhe 13 vjeç bëhet nënë dhe lind fëmijë”.

Edhe Ramjana Gashi, e komunitetit rom, tani i ka mbushur 19 vjet. Ajo para moshës 16- vjeçare ishte martuar. Tani kujdeset për 3 fëmijët e saj, në kushte të vështira ekonomike.

“Qe 4 vjet jam martuar, i kam 3 fëmijë. Po lypin të hanë, e të pinë. S’po kam çka t’iu ofroj. As ndihmë sociale nuk kemi. Unë në shkollë asnjëherë nuk kam shkuar, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, edhe kam vendosur të martohem e re. Por, edhe këtu te burri kushtet ekonomike i kemi shumë të vështira”, thotë ajo.

Kohë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) kishte vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk i plotëson në tërësi standardet minimale për eliminimin e trafikimit.

Raporti kishte vlerësuar se korrupsioni qeveritar krijon “një ambient që mundëson disa prej krimeve të trafikimit”, derisa kujton se “disa oficerë policorë, punonjës të Ministrisë së Punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, janë akuzuar apo dënuar për krime të trafikimit”.

Dekriminalizimi edhe në Kosovë: hashim Thaçi: Personat nën hetim jashtë institucioneve

Dekriminalizimi edhe në Kosovë: Thaçi: Personat nën hetim jashtë institucioneve
Institucionet e Kosovës nuk duhet të kenë poste për njerëz nën hetime, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Njerëzit nën hetime, të mos lejohen jo vetëm të marrin poste publike, por as të përfshihen në listat zgjedhore”, ka deklaruar Thaçi.

Këto komente ai i bëri në konferencën “Lançimi i programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë”.

“Synojmë që në Kosovë të kemi parti politike gjithëpërfshirëse e transparente”, tha Thaçi.

Nisma e tij për miratimin e një kodi për dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë, është mbështetur edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Conell. Ai tha se sondazhet tregojnë se partitë politike janë më së paku të besueshme nga qytetarët.

“Ky fakt, është mjaftë shqetësues për Britaninë e Madhe. Andaj, ne kemi ofruar eksperiencën tonë që partitë politike të bëhen më përgjegjëse dhe transparente dhe së bashkua ta luftojnë të keqën”, ka thënë O’Conell.

“Populli duhet të kërkoj më shumë nga përfaqësuesit e zgjedhur dhe t’i mbajë ato llogaridhënëse”, theksoi ai.

Por, brenda partive politike, vijoi ai, ka njerëz që janë nën hetime për vepra kriminale.

“Si mund të presim që kriminelët të japin llogari qytetarëve të vet”, theksoi ambasadori O’Conell.

“Duhet të kemi parti politike të shëndosha, demokratike e transparente”, theksoi O’Conell, duke u pajtuar plotësisht me nismën e presidentit Thaçi, për miratimin e kodit për dekriminalizimin e skenës politike.

Qëllimi i kësaj konference, u tha se është të ndihmohen proceset demokratike në Kosovë dhe të ndikohet te partitë politike të rrisin transparencën e financimit, llogaridhënies dhe përgjegjësisë para votuesve.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Partitë politike duhet të bashkohen për interesat e shtetit

Thaçi: Partitë politike duhet të bashkohen për interesat e shtetit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në lansimin e programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për vetë Fondacionin e Westminster për Demokraci, për partitë politike, për jetën politike dhe për tërë Kosovën.

“Për dallim nga e kaluara kur kishim nevojë për përkrahje në rindërtimin e vendit nga lufta, sot kemi nevojë për përkrahje më specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Sot kemi nevojë për përkrahje në projektet për fuqizimin e demokracisë në Kosovë, të fuqizimit të pluralizmit politik të gjeneratave që do të vijnë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se Fondacioni Westminster për Demokraci ka punuar në promovimin e pluralizmit të ideve, të demokracisë shumë partiake dhe për parimin që betejat politike të zhvillohen rreth politikave, ideologjive apo ideve në përgjithësi dhe jo të jenë beteja për personalitetet apo mes personaliteteve.

“Që në fillim të marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës kam promovuar idenë e dekriminalizimit të partive politike në Kosovë. Më saktësisht, kam hedhur idenë që partitë politike në Kosovë të ndërtojnë një kod të mirësjelljes në mes vetë partive, e që thotë që njerëzit nën hetime apo të akuzuar nga organet e drejtësisë nuk do të lejohen as të hyjnë në listat për deputetë dhe as të marrin poste në institucionet publike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ky hap, sipas presidentit, do të ndihmonte në forcimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në vetë partitë politike, në aspiratën e tyre që të punojnë për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Partitë politike, veçanërisht gjeneratat e reja të politikanëve të Kosovës, sigurisht që do të përfitojnë nga projektet e Fondacionit Westminster për Demokraci”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se eksperiencat e fituara do të jenë jetike për të ardhmen demokratike të Kosovës, që do të edukojmë gjeneratat e reja të politikanëve për diplomacinë dhe për politikën në përgjithësi.

“Më saktësisht, kjo do të thotë që gjeneratat e reja të politikanëve të ndeshen rreth politikave, rreth ideve, rreth ideologjive… e jo të hyjnë në konflikt për shkak të personaliteteve apo individëve. Si shoqëri kemi nevojë për të zhvilluar tutje praktikën e përballjes së politikave dhe të ideve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Vetëm duke ballafaquar idetë tona, vizionet tona, presidenti ka thënë se do të gjejmë rrugën më të mirë për Kosovën.

“Partitë politike në Kosovë kanë treguar se përkundër mospajtimeve që kanë në mes vete, megjithatë, kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme për Kosovën, atëherë këto dinë të bëhen bashkë dhe të bashkërendojnë veprimet e tyre”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosovën e presin vendime të rëndësishme, që kërkojnë bashkërendim të veprimeve tona.

Këto, sipas presidentit Thaçi, gjithashtu janë momente kur partitë politike duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të dëshmojnë përsëri se klasa politike në Kosovë di të shikojë përtej interesave të veta politike e partiake dhe të vendos se çfarë është më e mira për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Të pranishëm në lansimin e programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë ishin edhe ambasadori britanik Rouri O’connell, si dhe ai i OSBE-së, Jan Braathu.

Nga Dr. Bledar Kurti : Si u themelua CIA?

Si u themelua CIA?
Në vitin 1947, Lufta e Ftohtë ishte në fillimet e saj. Në 12 Mars, 1947, Truman paraqitet përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit dhe kërkoi 400 milionë dollarë për të ndihmuar dhe shpëtuar Greqinë dhe Turqinë prej rrezikut Komunist…


Gjatë shtatë dekadave të fundit ka patur një numër shumë të madh mitesh rreth kultit të inteligjencës dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, e njohur ndryshe si CIA (Central Intelligence Agency). Shpeshherë këto mite kanë prejardhjen nga mungesa e njohurisë për shërbimet e inteligjencës, nga lajmet në media ose nga libra triller of aventuresk.

CIA perceptohet kryesisht për operacionet e fshehta. Gjatë Luftës së Ftohtë, operacionet e fshehta ishin një aspekt unik në marrëdhëniet ndërkombëtare amerikane dhe ishin këto operacione që përkufizuan imazhin publik të CIA-s. por, kjo Agjenci lindi për qëllime tërësisht të ndryshme: lindi vetëm për të mbledhur dhe koordinuar informacion dhe jo për të kryer operacione të fshehta. Kush e transformoi atë në agjencinë që është sot? Drejtuesit e saj ndër vite apo Presidentët Amerikanë? Ndoshta që të dyja palët

Nga OSS në CIA

Nevoja për një agjenci inteligjence të fortë dhe kompetente doli dukshëm pas 7 Dhjetorit, 1941, datë në të cilën, pavarësisht paralajmërimeve të shumta, Pearl Harbor u sulmua prej aeroplanëve bombardues japonezë. U duk qartë se sistemi i vjetëruar dhe i decentralizuar i inteligjencës, i cili nuk ishte në gjendje të bënte dallimin midis ‘zhurmës së rëndësishme’ nga zhurma e sfondit, ishte tejet e papërshtatshme.

Presidenti F. D. Roosevelt kishte plotësuar pjesërisht nevojën e koordinimit të inteligjencës duke krijuar OSS-në (Office of Strategic Services) Zyra e Shërbimeve Strategjike, nën drejtimin e Gjeneral Major William J. Donovan. Ajo u formua në Tetor të vitit 1941. OSS-ja ishte një organizatë inteligjence aktive shumë e shpërndarë dhe e fuqishme e cila rrodhi prej një agjencie të mëparshme por më të vogël e quajtur Office of Co-ordination of Information (Zyra e Ko-ordinimit të Informacionit). OSS-ja kreu punën e saj gjatë viteve të luftës dhe hodhi themelet për një agjenci të përshtatshme për në kohë paqe, kjo agjenci që pasoi ishte CIA.

Në fillimet e saja OSS-ja konsiderohej si një agjenci civilësh. William J. Donovan dhe Presidenti amerikan i Luftës së Dytë Botërore, Franklin D. Roosevelt e themeluan atë për të mbledhur informacione, një agjenci amerikane e shpërndarë në tërë botën por nën juridiksionin e Departamentit të Luftës, dhe si një model i të famshmes Federal Bureau of Investigation (FBI), e cila ishte e mjaftueshme.

Presidenti Roosevelt dhe Gjenerali Donovan u përpoqën ta ruanin statusin civil të OSS-së, por pavarësisht nga përpjekjet e tyre, ndodhi një proçes gradual dhe i pashmangshëm militarizimi. Pati shumë pjestarë të OSS-së të cilët e kundërshtuan kategorikisht militarizimin, por kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallën luftë forcave qendrore (Gjermani, Itali, dhe më vonë Japoni) dhe kur Gjenerali Donovan u paraqit me uniformë ushtarake, pranimi i militarizimit të organizatës u nënkuptua dhe u pranua unanimisht. Lufta mund të mbështetej prej civilëve por ajo nuk luftohej prej tyre, ajo luftohej prej njerëzve me uniformë, ndaj një gjë ishte e sigurtë, që në fillimet e saj OSS-ja nuk ishte një organizatë policie që ruante rendin pa luftuar. Detyrat e saj ishin të mbështeste konfliktet e armatosura, operacionet e fshehta, klandestine dhe luftrat sekrete, pra ishte një organizatë lufte.

Kur lufta mbaroi dhe forcat e armatosura u kthyen në detyrat e tyre të para-luftës, OSS-ja, pa e patur një preçedent të tillë, nuk u kthye në rolin e saj parësor. Ajo nuk kishte patur një strukturë bazë që ti rikthehej. Ajo kishte lindur prej luftës. Për aq kohë sa Presidenti Roosevelt jetonte (ai vdiq vetëm një muaj dhe katër dite përpara kapitullimit të Gjermanisë në Europë) agjencia e Gjeneralit Donovan ishte e sigurtë nga zaptimi që mund ti bënin shërbimet ushtarake. Megjithatë, OSS-ja nuk gëzoi të njëjtën mardhënie me pasardhësin e Roosevelt-it në Shtëpinë e Bardhë, presidentin Harry S. Truman, i cili mendonte se OSS-ja nuk nevojitej më. Gjithashtu, ai dukej se bashkohej me mendimin e shefave të shërbimeve ushtarake se espionazhi duhej të ishte pjesë e ushtrisë, ndërsa për gjëra të tjera FBI-ja do mjaftonte.

Gjenerali Donovan argumentoi për vazhdueshmërinë e egzistencës së OSS-së kundër mendimit ndryshe që kishin shefat e forcave ushtarake, detare dhe ajrore të ShBA-së, si edhe komiteteve të Kongresit dhe shumë komisioneve të tjera. Ai e konsideronte të pakonceptueshëm rikthimin e inteligjencës amerikane në statusin e saj të para-luftës. Ai, herë-pas-here ngulmoi në besimin e tij se nevoitej një agjenci e pavarur, me një status civil, dhe e ndarë nga kontrolli i ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore, që të funksiononte në kohë paqeje si një organizatë inteligjence me detyrën e mbledhjes së informacionit dhe inteligjencës. Gjenerali Donovan u mundua të bindte Truman edhe për rëndësinë e lidhjes me Shërbimet Sekrete të Inteligjencës Britanike dhe se ajo duhej ruajtur dhe jo humbur.

Truman tashmë e kishte vendosur në mendjen e tij se nuk nevojitej një agjenci inteligjence e huaj në periudhën e pas luftës. Ai nënshkroi Urdhërin Ekzekutiv 9621, i cili e lëndoi OSS-në. Në fund Donovani dha dorëheqjen dhe OSS-ja u mor nën zotërimin e Departamentit të Luftës. Shuarja e saj e plotë ishte e shpejtë. Emri ndryshoi në “Njësia e Zyrës së Shërbimeve Strategjike – Departamenti i Luftës” por më pas ndryshoi përsëri në “Grupi i Inteligjencës Qendrore – Departamenti i Luftës”. Në 22 Janar, 1946, Presidenti Truman themeloi “Autoriteti i Inteligjencës Kombëtare”, i cili përbëhej prej sekretarit të shtetit, të luftës dhe marinës, dhe kishte si detyrë të planifikonte, zhvillonte dhe koordinonte të gjitha aktivitetet e inteligjencës.

Në vitin 1947, Lufta e Ftohtë ishte në fillimet e saj. Në 12 Mars, 1947, Truman paraqitet përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit dhe kërkoi 400 milionë dollarë për të ndihmuar dhe shpëtuar Greqinë dhe Turqinë prej rrezikut Komunist. Për dyzetë vitet në vazhdim “Frenimi” i Bashkimit Sovietik u bë baza e politikës së jashtme Amerikane. Ngritja e tensionit të Luftës së Ftohtë bëri që të ngrihej propozimi për themelimin e një agjencie qendrore të inteligjencës.

Në 26 Shkurt, 1947, në Kongresin amerikan u dërgua për miratim një ligj, i cili me pak amandamente, u aprovua dhe doli për zbatim në 26 Korrik dhe njihet si Ligji i Sigurisë Kombëtare Ky ligj themeloi Këshillin e Sigurisë Kombëtare si edhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës ose në origjinal CIA, “me qëllimin për të ko-ordinuar aktivitetet e inteligjencës së shumë departamenteve dhe agjencive të qeverisë në interes të sigurisë kombëtare.” Drejtuesit të CIA-s iu shtua titulli Drejtor i CI-së, që vazhdon të njihet edhe sot e kësaj dite me shkurtimin DCI, i cili do kishte autoritet edhe mbi komunitetin e inteligjencës ndaj jashtë vendit, kjo e fundit ishte vetëm një autoritet në parim dhe jo plotësisht në praktikë.

Ishte Ligji i Sigurisë Kombëtare ai që i dha jetë CIA-s, duke e bërë këtë agjenci të jetë një shtesë e qeverisë së Sh.B.A. Detyrat e saj u përkufizuan si detyrat e një organizate e cila kishte për qëllim të mblidhte informacione, më të shumtën me anë të mënyrave të pacaktuara dhe jo të drejta.

Detyra e CIA-s ishte të këshillonte Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ajo duhej të vlerësonte informacionet që kishin të bënin me mbrojtjen apo çështjet kombëtare dhe duhej të bashkëpunonte me organizatat e tjera të inteligjencës amerikane. Ajo nuk duhej në asnjë mënyrë të merrte pjesë në formulimin apo bërjen e politikave.

Ligji i Sigurisë Kombëtare bëri që Sh.B.A të zhvillojë një shërbim informativ të madh, modern, dhe shpeshherë mbresëlënës. Por gjithashtu, ky ligj i hapi derën shumë abuzimeve të cilat, pasi do dilnin në dritë një brez më vonë, do e alarmonin Amerikën. Këto abuzime nuk erdhën automatikisht. Disa muaj më pas, kur Lufta e Ftohtë arriti në një gjendje alarmuese, Këshilli i Sigurisë Kombëtare autorizoi operacione të fshehta. Duke dhënë autorizime të tilla, ajo e udhëhoqi CIA-n në një fazë ku kjo agjenci nuk ishte më e kënaqur vetëm me raportimet dhe analizat e ngjarjeve jashtë vendit por asaj i duhej të influenconte mbi këto ngjarje në përputhje me interesat amerikane.

Seksioni 102 vendosi përgjegjësinë e plotë të veprimeve të CIA-s nën urdhërat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por, meqë kreu i Shtëpisë së Bardhë ishte mbi pjestarët e Këshillit, ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara ai që kishte carte blanche.

Përfshirjet dhe operacionet e CIA-s urdhëroheshin nga KSK. Ato sanksionoheshin nga Sekretari i Shtetit, Drejtori i Zyrës së Mobilizimit Mbrojtës dhe Civil, Sekretari i Mbrojtjes, Zëvendës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, pjestarë të rëndësishëm të Kongresit, të cilët, në këtë aspekt, ishin nën urdhrat e Presidentit.

Pjesa më e rëndësishme e Ligjit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me CIA-n ishte Titulli I, “Koordinim për Sigurinë Kombëtare – Agjencia Qendrore e Inteligjencës.” Ndoshta detyra më e rëndësishme e CIA-s, dhe drejtorit të saj (DCI), ishte ko-ordinimi i të gjitha përpjekjeve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.

Si fillim, ligji siguronte caktimin e drejtorit të Inteligjencës Qendrore nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara me këshillimin dhe aprovimin e Senatit, dhe specifikonte se të emëruarit mund të ishin oficerë aktualë apo të dalë në pension nga shërbimet e armatosura ose njerëz të jetës civile. Në vitin 1953, kjo pjesë e ligjit u ndryshua nga Kongresi për të caktuar një zëvendës drejtor dhe deklaroi se të dyja pozicionet asnjëherë nuk duhet ti përkasin një personeli ushtarak.

Seksioni 102 (d) shtjelloi arsyen për krijimin e CIA-s. Kjo pjesë nuk ishte e shkruar qartë dhe lejonte shumë interpretime; “Për qëllimin e koordinimit të aktiviteteve të inteligjencës ndërmjet shumë departamenteve qeveritare dhe agjencive, në interes të sigurisë kombëtare, do jetë detyra e Agjencisë, nën drejtimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare …” Arsyeja që kjo pjesë e ligjit ka shkaktuar konfusion qëndron tek katër fjalët e para. “Për qëllimin e koordinimit …” Shumë prej atyre që besonin që CIA kishte më shumë pushtet sesa duhet, apo që bëri gjëra që s’duhet të kishte bërë, u shprehën se këto fjalë tregonin qëllimin e Kongresit se CIA vetëm duhet të kishte koordinuar aktivitetet e agjencive të tjera dhe jo të mblidhte informacione apo të vepronte vetë. Balanca e këtij paragrafi do dukej sikur do dështonte për të justifikuar këtë argument.

Një prej detyrave të para të Agjencisë ishte të këshillonte KSK-në për aktivitete inteligjence të qeverisë të cilat kishin të bënin me sigurinë kombëtare. Kjo do të thoshte se CIA raportonte tek KSK mbi informacione dhe operacione, dhe se ishte zëri i inteligjencës në veshët e atyre që bënin politikën. Drejtori i CIA-s Allen Dulles shkruajti se Ligji i vitit 1947 ishte “një krah i bërë publik i degës ekzekutive të qeverisë, pavarësisht, dhe sigurisht, që kishte detyra të tjera me natyrë sekrete.” Për më tepër, Dulles argumentoi se plani strukturues dhe skema e gjerë e CIA-s ishte “unike”. Ajo u themelua “për të mbushur boshllëqet në strukturën e inteligjencës egzistuese pa zëvendësuar apo konkuruar njësitë e inteligjencës amerikane në Departamentin e Shtetit apo Mbrojtjes.” Sipas Dulles, një funksion tjetër i strukturës së CIA, e cila nuk erdhi menjëherë por që ishte si rezultat i “përshtatjes graduale me eksperiencën që tregoi të ishte praktike dhe efiçente,” ishte përfshirja e të gjitha aktiviteteve klandestine dhe operacioneve të fshehta.

Në Seksionin 102 të Ligjit, gjithashtu ishte e shkruar se CIA do autorizohej herë-pas-here prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare për “të kryer funksione dhe detyra të tjera në lidhje me inteligjencën dhe sigurinë kombëtare.” Seksioni 102 ishte pjesa më thelbësore e Ligjit, kjo pjesë ishte përgjegjëse për aq shumë aktivitete të cilat më vonë do krijonin një skepticizëm të hidhur si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu ka të bëjë edhe me mënyrën sesi u formulua, një miratim i heshtur që përcakton “të papërcaktueshmet”.

Kongresi Amerikan e kishte pranuar CIA-n si një agjenci koordinuese, prodhuese, dhe operative. Gjithashtu, ishte në dijeni se po autorizonte spiunazh dhe kundër-spiunazh ndaj shteteve të huaja, dhe padyshim i siguroi asaj liri të konsiderueshme veprimi me anë të klauzolës “për të kryer funksione dhe detyra të tjera” sipas autorizimit të KSK. Në atë kohë, Kongresi e njihte karakterin pioner të legjislaturës, ndaj duke iu frikësuar krijimit të një Gestapo-je, i privoi agjencisë forca policore apo mbrojtjeje të brendshme. Kongresi Amerikan, në një atmosferë tensionuese të Luftës së Ftohtë, e lejoi veten të bindej prej profesionistëve të inteligjencës. Me pasazhin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare, i lejoi agjencisë së re përjashtime të veçanta nga proçesi rishikues i zakonshëm i Kongresit, dhe këto përjashtime u shtuan më shumë dy vjet më vonë me Ligjin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të vitit 1949.

Megjithatë, disa senatorë u shprehën se historia legjislative e Ligjit të vitit 1947 nuk indikon se Kongresi parashikoi që CIA do përfshihej në luftra politike të fshehta përtej kufijëve. Ndërsa të tjerë u shprehën se gjuha e e Ligjit të vitit 1947 nuk autorizonte drejtpërdrejtë aplikimin e operacioneve të fshehta, dhe me sa duket Kongresi nuk kishte për qëllim t’i autorizonte agjencisë një autoritet të tillë.

Sipas raportit përfundimtar të Komitetit të Zgjedhur për të Studiuar Operacionet Qeveritare, të ngritur prej Kongresit në vitin 1976, e njohur ndryshe edhe si Komiteti Church, Ligji i vitit 1947 nuk fuqizonte në mënyrë direkte CIA-n për të mbledhur inteligjencë apo për të ndërhyrë në mënyrë të fshehtë në punët e brendshme të shteteve të tjera. Por shprehja elastike “funksione të tjera” u përdor prej Presidentëve të ardhshëm Amerikanë për ta shtyrë CIA-n të përfshihej në spiunazh, operacione të fshehta, operacione para-ushtarake, dhe mbledhje inteligjence teknike. Shpeshherë argumentohet se Ligji i Sigurisë Kombëtare i dha fuqi të rëndësishme dhe fleksibilitet CIA-s dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por në fakt ai ligj ia dorëzoi atë autoritet Presidentit.

Transformimi i CIA-s nga një agjenci për mbledhjen e inteligjencës në një institucion i përfshirë në aksione të fshehta nuk ishte i menjëhershëm por gradual. Pavarësisht ambiguitetit të “funksioneve” të shkruar në Ligjin e vitit 1947, arsyeja kryesore e transformimit ishte Lufta e Ftohtë dhe rrethanat e saj të pazakonta, të cilat bënë që Ekzekutivi dhe Legjislativi të inkurajonin CIA-n për aksione të fshehta.

Termi “aksion i fshehtë” mund të përkufizohet si ndërhyrja e një shteti në punët e brendshme të një shteti tjetër me qëllimin e zgjerimit të kontrollit politik dhe ekonomik, duke përdorur mënyra të padukshme dhe të papranueshme. Presidenti Truman nuk kishte për qëllim që CIA të bënte më shumë sesa të mblidhte informacionet e disponueshme dhe t’ia paraqiste presidentit. Ai e përmendi qartë në kujtimet e tij qëllimin e vërtetë të krijimit të CIA-s; “Një nga agjencitë e tjera të çmuara të krijuara prej ligjit ishte Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) nën urdhrat e Këshillit të Sigurisë, për të koordinuar dhe vlerësuar aktivitetet e inteligjencës dhe të dhëna …”

Truman nuk e miratoi CIA-n që ajo të operonte si një agjenci ndërkombëtare e përfshirë në operacione të fshehta, megjithatë ishte vetë ai që i dha fytyrë të re komunitetit të inteligjencës moderne të Shteteve të Bashkuara dhe që autorizoi Agjencinë të përfshihej në aksione të fshehta.

Italia dhe Lufta e Koresë

Aksioni i parë i fshehtë i autorizuar nga Truman erdhi si rezultat i frikës së fitores së komunistëve në zgjedhjet e Prillit të vitit 1948 në Itali. Dokumenti i parë i numerizuar i lëshuar prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare, KSK 1/1, më 14 Nëntor 1947 paralajmëroi se “Qeveria Italiane, e anuar ideologjikisht drejtë demokracisë perëndimore, është e dobët dhe është bërë subjekt i sulmeve të vazhdueshme nga e forta Partia Komuniste.” Përveç mbështetjes publike për qeverinë Italiane në rrezik, KSK rekomandoi një program “për të luftuar aktivisht propagandën komuniste në Itali me një program efikas të informacionit të SH.B.A-së dhe me të gjitha mënyrat e tjera të aplikueshme, duke përfishrë edhe përdorimin e fondeve të padeklaruara.” Truman aprovoi KSK 1/1 në 24 Nëntor. Në 14 Dhjetor, Presidenti firmosi KSK 4/A duke i ngarkuar CIA-s përgjegjësinë për “luftë psikologjike”. Një javë më pas, Agjencia ngriti Grupin e Proçedurave Speciale (GPS), e cila pastroi mbi 10 milionë dollarë të kapura prej nazistëve dhe fashistëve për t’i përdorur për fushatën elektorale në Itali.

Disa prej milionave të pastruara nga GPS-ja iu dhanë në dorë në fshehtësi kryeministrit italian Alcide de Gasperi, për të financuar fushatën e partisë së tij Kristian Demokrate. Milionat e tjera shkuan tek fushata mediatike për të shpërndarë propagandë të zezë kundër komunistëve dhe për të promovuar virtytet e kandidatëve anti-komunistë. Truman tregoi një interesim personal si në përpjekjet e hapura ashtu edhë në ato të fshehta për të mbështetur Kristian Demokratët dhe për të mposhtur komunistët. Pavarësisht nga një përfshirje e njëjtë nga ana e Sovietikëve në zgjedhje, Kristian Demokratët fituan 307 prej 574 vendeve. Mposhtja e komunistëve në zgjedhje shihet historikisht prej CIA-s jo vetëm si fitorja e saj e parë por edhe si një nga operacionet e fshehta më të suksesshme.

Suksesi i dukshëm i aksioneve të fshehta kundër komunistëve në Itali bëri që kjo formë operimi të zgjerohej. Në Maj të vitit 1948, George F. Kennan, kreu i grupit të planifikimit në Departamentin e Shtetit dhe apostulli kryesor i “Frenimit”, propozoi krijimin e një grupi të përhershëm për aksionet e fshehta të aftë për të bërë një punë shumë më të madhe sesa vetëm luftë psikologjike. Një muaj më vonë, Truman firmosi KSK 10/2, dhe urdhëroi krijimin e Zyrës së Koordinimit të Politikave (ZKP), e cila ishte brenda strukturave të CIA-s dhe kishte për detyrë të planifikonte dhe të merrte pjesë në aksione të fshehta. Megjithatë, më vonë, duhet përmendur se George F. Kennan u bë skeptik ndaj operacioneve të tilla dhe ndaj rolit të inteligjencës në mardhëniet Amerikano –Sovietike. Ai shkruajti se “Unë vetë kam patur mundësinë të shoh rast pas rasti në të cilat autoritetet e inteligjencës amerikane kanë mbledhur, apo përpjekur të mbledhin, operacione të cilat kanë përfunduar, apo do përfundonin, në një abuzim direkt jo vetëm të marrëdhënieve formale diplomatike Amerikano-Sovietike por edhe ndaj mundësive për arritjen e një mirëkuptimi midis dy qeverive.”

Si reagim i premisës së Bashkimit Sovietik dhe vendeve satellite të saj, të cilat kishin nisur një program “vicioz” aksionesh të fshehta “për të zhvlerësuar dhe mposhtur qëllimet dhe aktivitetet e Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore,” KSK i hapi dritën jeshile operacioneve të fshehta: “propagandë, luftë ekonomike, aksione direkte parandaluese që përfshinin sabotazh, anti-sabotazh, masa shkatërruese dhe evakuimi, rrëzimin e shteteve armike, duke i dhënë ndihmë lëvizjeve të fshehta të rezistencës, guerilave dhe grupeve çlirimtare emigrantësh.” Arritja e misioneve të tilla pati një ndikim të thellë në drejtimin e Agjencisë dhe statutin e saj relativ brenda qeverisë.

Operacionet e fshehta nuk nisën brenda CIA-s, por prej zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara, midis të cilëve Sekretari i Luftës, Sekretari i Mbrojtjes, Sekretari i Shtetit, dhe George F. Kennan, Drejtori i Grupit të Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit.

KSK 10/2 adaptoi formalisht principin e “mohimit të mundshëm”. Në ndryshim me raportin që paraqitej në tryezën e Truman, operacionet e fshehta nuk duhej të arrinin në Zyrën Ovale të Presidentit. Truman urdhëroi që operacionet e fshehta duhet të ishin “të planifikuara dhe ekzekutuara në atë mënyrë që përgjegjësia e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të mos ishte e dukshme për njerëzit e pa-autorizuar, dhe nëse zbuloheshin Qeveria Amerikane mund të mohonte përfshirjen e saj.”

Megjithatë, mohimi i mundshëm nuk mbronte presidentët, ajo vetëm kishte dobësuar një hallkë në zinxhirin e autoritetit. Në shumicën e rasteve një nga mënyrat për të mbrojtur presidentin nga turpi politik ishte të mos ta informoje aspak atë për operacione të fshehta të veçanta, të paktën jo formalisht. Koncepti i “mohimit të mundshëm” aplikohej fjalë-për-fjalë: “Qeveria ishte e autorizuar të bënte disa gjëra për të cilat Presidenti nuk ishte i informuar.”

Harry S. Truman ishte presidenti i parë që themeloi një agjenci operacionesh të fshehta në një kohë paqeje. Në Gusht të vitit 1948, ai aprovoi KSK 20, që autorizonte operacione guerilash përtej Perdes së Hekurt duke përdorur emigrantë sovietikë të rekrutuar në perëndim. Parathënia e KSK 20, e shkruar nga Kennan, deklaronte me ndjenjë optimiste që “ndonëse nuk është qëllimi ynë për ta hedhur poshtë Qeverinë Sovietike në kohë paqeje,” aksionet e fshehta mund të krijojnë “rrethana dhe situata” të cilat do e bënin të vështirë që “udhëheqësit aktual Sovietik … të mbajnë pushtetin e tyre në Rusi.”

Në 31 Janar 1950, Truman urdhëroi Sekretarin e tij të Shtetit dhe Mbrojtjes të kryenin një rishqyrtim të gjerë të objektivave gjatë periudhës së luftës dhe paqes. Rezultati i këtij rishqyrtimi rezultoi në KSK 68 në datën 7 Prill. KSK 68 e interpretoi Luftën e Ftohtë si një përleshje elementare midis forcave të dritës perëndimore dhe errësirës lindore, midis lirisë dhe skllavërisë. KSK 68 rinisi doktrinën e “frenimit” të zgjerimit sovietik dhe parashikoi një rol madhor të aksioneve të fshehta brenda bllokut sovietik. Ndonëse nuk e përcaktoi në detaje këtë rol, ky dokument bënte thirrje për “intensifikimin e… operacioneve të fshehta në fushën e luftës ekonomike, politike, dhe psikologjike.”

Krizat botërore, të rrezikshme sa ato të Luftës së Parë dhe Dytë Botërore, i bënë interesat amerikane tejet vitale, mënyrat u bënë të përballueshme, ndërsa metodat të justifikueshme. Rrënjët e operacioneve të fshehta u thelluan për shkak të obsesionit për Luftën e Ftohtë. Kjo luftë ishte si një lojë globale shahu, ku gurët luheshin herë nga njëri lojtar e herë nga tjetri. Kjo gjë bëri që CIA të zhytej në një seri aktivitetesh të fshehta, të projektuara për t’iu kundërvënë përpjekjeve konkuruese të KGB-së.

Gjatë vitit 1949, operacionet e fshehta brenda bllokut sovietik kishin filluar në Poloni, Ukrainë, dhe Shqipëri.

Një ngjarje e rëndësishme për transformimin e CIA-s ishte Lufta e Koresë, 1950-1953. Kur nisi lufta, CIA u vu menjëherë nën presionin e Administratës së Trumanit e cila e akuzoi se ajo kishte dështuar për të siguruar informacione apo paralajmërime se Korea e Veriut, e mbështetur nga sovietikët, do konsideronte një luftë të hapur. Informacioni i CIA-s, i mbledhur nga rrjeti i saj i inteligjencës aziatike, i ishte transmetuar Komandantit të Përgjithshëm të SHBA-së Gjeneralit Douglas MacArthur dhe të tjerëve, si edhe Presidentit Truman, të cilët i kishte informuar për mundësinë e mbledhjes së trupave të Kinës Komuniste përgjatë kufirit midis Mançurisë dhe Koresë. Ky informacion u ishte bërë i qartë muaj përpara se Kina e Kuqe të sulmonte.

Me fillimin e luftës ndodhën ndryshime të menjëhershme. Ai më i rëndësishmi ishte caktimi në detyrë i drejtorit të ri të CIA-s, Gjeneralit Walter Beddell Smith, i cili zëvendësoi Admiral Hillenkoetter. Bedell Smith themeloi tre zyra të rëndësishme – ajo e Planeve, Inteligjencës, dhe Administrimit. Ai e drejtoi CIA-n në një periudhë thelbësore të historisë së saj. Lufta e Koresë ishte shpërthimi i fundit i cili i detyroi Shtetet e Bashkuara të rinovonin sektorin e mbrojtjes dhe të ndërtonin një sistem modern të shërbimit të inteligjencës.

Lufta e Koresë, e cila kishte gjeneruar kriticizmin dhe reorganizimin e CIA-s, e ndihmoi Agjencinë. Gjatë kësaj lufte, personeli dhe buxheti i saj u ngrit në mënyrë spektakolare. Personeli i OPC-së u rrit nga 302 në 2,812 (plus 3,142 agjentë në vende të huaja), duke ushtruar aktivitetin e saj në 47 qendra në vende të huaja në vitin 1952. Në të njëjtën periudhë, buxheti i saj arriti majën nga $4.7 milionë në $82 milionë. Kur betejat në Kore u stabilizuan në mesin e vitit 1951, OPC shtoi operacionet e saj në luftë guerilase. Gjatë periudhës Prill deri në Dhjetor të vitit 1951 ajo stërviti dhe vuri në veprim 44 grupe guerilash koreane përtej territorit armik me qëllim sabotimin e rrjetit të komunikimit të komunistëve dhe ndalimin e furnizimeve nga Kina.

CIA rekrutoi spiunë, sabotatorë, etj, dhe në disa raste madje bleu edhe politikanë, arsimtarë, defektorë koreano-verior, dhe njerëz me pozicione të larta, të cilët të gjithë ndihmonin përpjekjet e luftës së Sh.B.A –së dhe Kombeve të Bashkuara për të luftuar Korenë e Veriut. Me mbarmin e Luftës së Koresë, vlera e CIA-s si një agjenci tejet kompetente u themelua tërësisht.

Lufta e Koresë nuk pati një impakt vetëm në fushën e inteligjencës por solli edhe një perceptim të ri mbi Luftën e Ftohtë. Ajo i hapi rrugën operacioneve të tjera të fshehta në zona më të mëdha gjeografike.

CIA u themelua si rezultat i nevojës për një agjenci inteligjence për të koordinuar dhe mbledhur informacione. Ligji i Sigurisë Kombëtare ishte i dyshimshëm në vendosjen e natyrës së vërtetë të kësaj agjencie e cila ishte direkt nën urdhërat e Presidentit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ndoshta Truman nuk kishte dashur që CIA të përfshihej në operacione të fshehta, por faktet tregojnë se ai ishte përgjegjës për transformimin e saj duke firmosur Direktivën NSC 4/A e cila e inkurajonte agjencinë të kryente luftë psikologjike. Më vonë ai firmosi NSC 10/2 dhe NSC 20/2 të cilat themeluan OCP-në, me detyrën për të planifikuar dhe u përfshirë në operacione të fshehta dhe guerilase përtej Perdes së Hekurt. NSC 68, e kompozuar dhe e firmosur nga zyrtarët më të lartë, përfshirë edhe Presidentin, kërkonte intensifikimin e operacioneve të fshehta.

Transformimi i CIA-s nga një agjenci informative në një agjenci operacionesh të fshehta ishte e paevitueshme dhe u nxit nga politikë-bërësit dhe jo nga brenda saj.

Profecia e gjeneralit të NATO për komandot shqiptarë: Nëse nuk i mbani do kthehen në kriminelë


Por pas dhënies së lajmit harrohet të shkohet përtej ngjarjes dhe të bëhet një analizë; përse një ushtarak që është edukuar më shumë se çdo qytetar tjetër të zbatojë ligjin dhe rregullat arrin dhe kthehet në kriminel?

Nga Qamil Xhani

Në vitin 1998, kur Shqipëria certifikonte Batalionin e parë ushtarak të Operacioneve Speciale (BOS), një prej gjeneralëve të huaj që kreu trajnim e trupave kishte një porosi për Ministrinë e Mbrojtjes. Në ceremoninë e inaugurimit, ushtaraku i huaj i tha ministrit të asaj kohe dhe gjeneralëve shqiptarë, se trupa e re ishte trajnuar me stërvitjet më të veçanta të kohës, mes të cilave vlerësohen si më specialet; kursi i mbijetesës dhe qitja e besimit (me fishekë realë). Ata që i njohin si funksionojnë këto trajnime ekstreme, e dinë se vetëm pak persona në një mijë vetë arrijnë t’ja dalin. Këshilla e ushtarakut të lartë të NATO ishte kjo: “Kemi krijuar elitën e ushtrisë shqiptare, nëse nuk i trajtoni siç duhet moralisht dhe financiarisht, jashtë ushtrisë këta trupa rrezikojnë të kthehen në kriminelë potencialë”.
Profecia e gjeneralit të NATO për komandot shqiptarë: Nëse nuk i mbani do kthehen në kriminelë
Kjo deklaratë e bërë 20 vjet më parë sot merr një tjetër kuptim, kur sheh se pjesa kryesore e ngjarjeve kriminale të ndodhura këtë vit kanë për protagonistë pjesëtarë të Batalionit të Operacioneve Speciale në ushtri dhe të forcave komando. Vjedhjet e bankave rezultuan se ishin ideuar dhe ekzekutuar nga ushtarakë profesionistë. Po ashtu dhe ngjarja makabre dje në Këlcyrë u krye po nga një ish-ushtar profesionist. Në total janë rreth 15 raste kur vrasjet, grabitjet dhe ngjarjet kriminale kanë për autorë ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë të Batalionit të Operacioneve Speciale dhe Komando.

Më të drejtë, në ngjarje të tilla theksohet fort fakti se autorët janë ushtarakë. Por pas dhënies së lajmit harrohet të shkohet përtej ngjarjes dhe të bëhet një analizë; përse një ushtarak që është edukuar më shumë se çdo qytetar tjetër të zbatojë ligjin dhe rregullat arrin dhe kthehet në kriminel?

Arsyet e dhunës nga pjesëtarët e Forcave të Armatosura nuk duhen kërkuar vetëm tek historitë personale të tyre, por edhe tek trajtimi që u bën shteti. Për të bërë pjesë e BOS dhe Komandove, të rinjve u duhen disa vite stërvitje dhe mbijetese. Pjesëmarrja në misione të huaja ka dhe trauma psikologjike, për të cilat ushtria shqiptare nuk ka luksin e ushtrive të tjera për trajtimin me psikologë edhe pas misionit. Në fund, gjithë puna e forcave speciale ushtarake shpërblehet vetëm 30 deri në 40 mijë lekë në muaj. Pas disa vitesh shërbim, shumë prej ushtarakëve zgjedhin të largohen me dëshirë nga detyra ose nxirren jashtë sistemit për shkak të gradave. Të gjendur në një ambient tjetër, pa rregullat e ushtrisë dhe pa pasur asnjë mundësi për t’u integruar në shoqëri, një pjesë e tyre gabimisht zgjedhin të bëjnë atë për të cilën janë stërvitur, të përdorin armët.

Sigurisht, çdo krim duhet trajtuar dhe dënuar sipas ligjit dhe nuk ka justifikim për autorët. Por ngjarjet e fundit përveçse dëshmojnë dhunën e ushtarakëve, sofistikimin e krimit dhe pasojat e mosmjekimit mendor, flasin dhe për harresë dhe neglizhencë të institucioneve ndaj pjesës më të rëndësishme të elitës ushtarake. Nëse një ushtarak e trajnon 10 vjet si makinë dhe i jep 30 mijë lekë pa i lënë asnjë shans të jetojë si qytetarët e tjerë, mos prisni që kur largohen nga ushtria të sillen si njerëz normal.

Fatkeqësisht shumë prej krimeve kanë ndodhur nga ushtarakët që kanë marrë pjesë në misione të rrezikshme në Irak dhe Afganistan. Një pjesë prej tyre kanë marrë medalje nga Shqipëria, SHBA dhe NATO dhe janë vlerësuar si heronj. Sot kur i sheh emrat e tyre në kronikën e zezë për vrasje dhe grabitje kupton sesa lehtë nga hero mund të kthehesh në kriminel.

Gjithë këto krime të kryera nga ushtarakët shqiptarë janë dhe një kambanë alarmi për Ministrinë e Mbrojtjes dhe politikat e saj të trajtimit të veteranëve të rinj të luftës dhe ushtrisë shqiptare. Vende të tjera të NATO-s kanë programe të veçanta për të kthyerit nga misionet luftuese ushtarake. Përveç trajtimit shëndetësor dhe psikologjik u sigurohet dhe vazhdimësia e karrierës dhe trajtimi financiar. Janë mijëra të rinj që kanë marrë pjesë në misione, nëse hidhen në rrugë rrezikojnë të kthehen në një “bombë” sociale. Ndaj deklarata e Gjeneralit të lartë të NATO-s, 20 vjet më parë ngjan si profeci për forcat speciale të ushtrisë shqiptare; “Nëse nuk i trajtoni siç duhet, jashtë ushtrisë rrezikojnë të kthehen në kriminelë”.

***

Kush janë komandot që u kthyen në vrasës dhe grabitës

Batalioni i Operacioneve Speciale (BOS) dhe Batalioni Komando i Forcave të Armatosura janë repartet elitë të ushtrisë shqiptare, efektivët e së cilit janë trajnuar dhe stërvitur ndër vite me metodat më speciale luftarake të asgjësimit të “armikut”.

Ky batalion ka patur në përbërje të tij ushtarakët më të zotë, që kanë nderuar ndër vite Shqipërinë gjatë pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse të NATO-s në vendet e përfshira në konflikt të armatosur ku rreziku për jetën ka qenë maksimal, si në Irak apo Afganistan.

Të stërvitur vetëm “për të vrarë”, efektivët “Komando” nuk janë të trajnuar për të bërë ndonjë “gjë” tjetër në jetë: veç neutralizimin dhe asgjesimit me gjaktftohtësi po qe nevoja. Ndaj dhe shumë efektivë pas mbarimit të misioneve, të braktisur ndër vite nga shteti, të hedhur në rrugë, pa asnjë mundësi punësimi alternativ dhe të pa asistuar kurrë nga ana psikologjike, me kalimin e kohës nga “paqeruajtës” janë shndërruar në rrezik potencial për sigurinë: vrasës me pagesë, grabitës të rrezikshëm, trafikantë droge e deri në xhihadistë.

Më poshtë mund të lexoni disa nga rastet më të bujshme kur efektivwt specialë të ushtrisë janë kthyer në kriminelë…

17 Shtator 2011/ Grabit 176 unaza prej ari, pranga komandos

Një oficer i ushtrisë, në repartin e forcave speciale “Komando” arrestohet me akuzën e grabitjes. Oficeri që kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan, përfundoi në pranga, pasi kërkohej prej disa muajsh me akuzën e grabitjes ndaj një biznesmeni në Durrës.

Kujtim Çeliku, 33 vjeç, nga fshati Mullet i Tiranës, akuzohej për ngjarjen e ndodhur në maj 2011, respektivisht për vjedhjen e një çante me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Mullet të Tiranës, u gjetën edhe municione dhe kallëpe tritoli, që ai i mbante pa leje. Çeliku po përgatitej për një tjetër mision paqeruajtës në Irak, që do të niste pas dy javësh. Emri i tij figuronte në listën me 58 komando paqeruajtës, të cilët janë dekoruar në vitin 2003 me medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, dhënë nga Presidenti i Republikës.

Kujtim Çeliku, kishte marrë pjesë në 5 misione të tilla si pjesë e forcave Komando. Nga të dhënat rezultonte që ai të ketë qenë me shërbime të tilla, tri herë në Irak dhe 2 herë në Afganistan, raporton “BalkanWeb”.

6 Qershor 2013/ Komandoja dënohet me 12 vjet burg, vrau të “dashurin” e nënës

Gjykata e Tiranës, dënon me 12 vjet burg oficerin e forcave komando, Aldo Morina për akuzën e vrasjes së taksistit Mehmet Beqiri. Por në aplikim të gjykimit të shkurtuar u vendos ulja e dënimit me 8 vite burgim. Oficeri Morina, që ditën e vrasjes, më 1 janar 2013 u dorëzua në polici dhe pranoi krimin, me pretendimin se viktima i dhunonte nënën. Sipas prokurorisë, Beqiri dhe nëna e të pandehurit kishin një lidhje jashtë martesore, lidhje e cila nuk është pritur mirë nga komandoja që në debat e sipër e ka qëlluar me armën e punës taksistin Beqiri.

Tetor 2013/Vret veten efektivi i BOS

Nënoficeri Mariglen Bramati plagos veten dhe më pas ndërron jetë në spital. Bramati ndodhej me mision në Afganistan në shtator të vitit 2013. Analizat dhe testimet psikologjike rezultojnë me probleme gjatë misionit. Për këtë qëllim, mjekët sugjerojnë kthimin e tij në atdhe dhe ndërprerjen e misionit, me shënimin për vijimin e kurimit në Shqipëri. Disa muaj pas kthimit në Tiranë, nënoficeri i Batalionit të Operacioneve Speciale tenton vetëvrasjen dhe ndërron jetë në spital.

21 Mars 2014/ Katër komando të Zall Herrit i bashkohen ISIS, dy vriten

Hetimet e prokurorisë për shqiptarët që shkonin të luftonin në Siri, zbulojnë të dhënë tronditëse. Sipas organit të akuzës, pjesë e ISIS ishin bërë edhe katër ish-komando shqiptare, dy prej të cilëve kanë gjetur edhe vdekjen. Diamant Rasha (Emri fetar Ebu Amar– vrarë në Siri në dhjetor 2013, ish-komando në Zall-Herr) Erjon Alinj (Vrarë në Siri, ish-komando në Zall- Herr). Artur Balla (Emri Fetar Omer, kthyer nga Siria më 5 shkurt 2014, ish-komando në Zall-Herr). Leonard Përlika (I kthyer nga Siria, ish-komando në Zall- Herr)

15 Korrik 2014/ Prodhonin mina me telekomandë, arrestohen 3 komando

Nga policia e Durrësit arrestohen tre komando për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, respektivisht Fran Kola, Kleo Gjinkola dhe Alban Donaj, të cilët montonin e tregëtonin mina me telekomandë. Sipas hetuesve të çështjes, Gjinkola pranoi faktin se ka prodhuar 7 mina me telekomandë dhe se ka kërkuar gjetjen e tregut për shitjen e tyre, ndërsa Donaj ka pranuar se bënte lidhjen e qarqeve me celularët dhe C4. “BalkanWeb” raporton se dy ushtarët me pagesë deklaruan se kishin prodhuar vetëm 7 minat që gjeti dhe sekuestroi policia dhe se nuk kanë mundur të shesin asnjë në treg. Ndërkohë policia pretendoi se minat e prodhuara nga ushtarët janë përdorur në tre atentate, respektivisht në vrasjen e biznesmenit Xhemal Çela, ekzekutimin e Baki Xhabaftit dhe plagosjen e kryekomunarit Fredo Berberi, raporton “BalkanWeb”.

17 Shtator 2014/ Dënohet me 35 vjet burg për vrasje ish-komandoja

Gjykata e Tiranës dënon me 35 vjet burg ish-oficerin e Forcave të Armatosura Ndriçim Ballën, për akuzën e vrasjes me dashje të Majlinda Hoxhës dhe plagosjen e Elton Fushës në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 shtator 2013 në zonën e ish-Bllokut, ku Balla qëlloi me armë zjarri në drejtim të Elton Fushës ndërsa ky ndodhej në lokalin e marrë më qira në këtë zonë, por plumbat kapën 35-vjeçaren Majlinda Hoxha e cila humbi jetën menjëherë. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Elton Fusha, objektivi i atentatit, i cili i kishte 20 mijë lekë të reja borxh vëllait të autorit të vrasjes.

15 Qershor 2016/ Arrestohet për trafik droge një komando

Në sajë të operacionit të koduar “Fast” policia arreston Romin Davidhi, 28 vjeç, banues në Durrës, komando i Forcave Detare si dhe Arjan Tabakut, 49 vjeç, banues në Krujë.

“BalkanWeb” raporton se arrestimi i tyre u bë pasi më datë 14.06.2016, në lagjen Nr.13, Plazh, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Fiat, me targa AA 799 LB, me drejtues Arjan Tabakun, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: Rreth 10 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa. Një trup pistolete bashkë me tytën. Fishekë të kalibrit 7.62 mm

8 Nëntor 2016/ Arrestohet ish-komandoja, do kryente akt terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael

Parandalohet akti terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael, arrestohet komandoja që prodhoi bombën me telekomandë. Katër ditë para zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Izrael një operacion ndërkombëtar i shtrirë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, finalizohet me arrestimin e 18 personave të dyshuar për lidhje me ISIS. Në bazë të informacioneve të shërbimeve sekrete partnere, veçanërisht CIA-s dhe MOSSAD-it u bë e ditur se këta persona do kryenin një akt terrorist në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit të Izraelit. Një nga të arrestuarit, i cilësuar nga Prokuroria, si personi kyç në grupin e xhihadistësve ishte edhe Medat Hasani, ish-komando e Ushtrisë shqiptare, i cili ka qenë pjesë e brigadave terroriste të ISIS, që drejtohen nga dy kosovarët Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi. Në një raport operativ të SHISH dërguar Prokurorisë, thuhet se Medat Hasani është larguar më 28.07.2013 drejt Sirisë dhe është kthyer në dhjetor 2013 në Shqipëri. Raporton se Hasani dikur ka qenë efektiv i forcave speciale të ushtrisë, duke marrë pjesë në një mision ushtarak paqeruajtës në Irak. Në këtë mision, Hasani ka shërbyer 6 muaj, dhe më pas është kthyer së bashku me të gjithë anëtarët e grupit. Mirëpo pas largimit nga ushtria, mendohet se ai ka rënë në kontakt me persona ekstremistë që predikojnë fenë islame, duke u indoktrinuar prej tyre që aftësitë e tij ushtarake t’i zbatonte për të kryer krime terroriste. Hasani besohet se kishte marrë përsipër të ndërtonte apo të siguronte bombat me telekomandë, që do përdoreshin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në stadiumin e Shkodrës.

9 Shkurt 2017/ Grabiten 3.2 milionë USD në Qafë-Kashar, arrestohen dy ish-komando

Në kuadër të operacionit “Patriot”, policia arreston 4 nga 8 grabitësit e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së në afërsi të Rinasit. Mes të arrestuarve ishin edhe dy ish-komandot, Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj. “BalkanWeb” zbuloi se Avdulaj është larguar nga ushtria në 2011 pas një mase disiplinore për shkak të mungesave në punë, ndërsa Memlikaj është larguar është larguar për mbarim qëndrimi në gradë. Ka mësuar se Ditjon Memlika që ka shërbyer për një vit në Afganistan mësohet të jetë njohës i mirë i blindave, pasi ka drejtuar mjete të tilla. Ndërsa Naim Avdylaj, kushëriri i tij njihet si frekuentues i rregullt i basteve sportive dhe kazinove.

Neim Avdulaj nga Vlora ka shërbyer më herët si ushtar profesionist në Forcat Ushtarake të Zallherrit. Avdulaj ka qenë më parë i ndaluar në Itali për shpërndarje kokaine në vitin 2012, ku gjatë kontrrollit rutinë të policisë lokale u kap në flagrancë me 12 gramë kokainë, të cilën po përpiqej ta shpërndante te klientët në njërin nga lokalet e zonës së Cegias. Edhe Ditjon ka shërbyer më herët në Forcat e Armatosura dhe ka qënë pjesë e disa misioneve paqeruajtëse jashtë vendit, kryesisht në Irak dhe Afganistan, në vitin 2010. Memlika ka qenë pjesë e Forcave Komando të Zallherrit deri para dy viteve. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë. Të dy komandot u arrestuan falë operacionit “Patriot” që vijon ende edhe për kapjen e 4 prej 8 të dyshuarve si grabitës.

5 mars 2017/Vrasja në Këlcyrë

Alban Voda është emri më i fundit nga radhët e ish-komandove, i cili i preu kokën një fqinjit të tij 65-vjeçar. Ai kishte 3 vjet që ishte kthyer nga Afganistani.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...