Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/22

Pse çadra po e çmend Edi Ramën




Nga Andi Bushati

Megjithëse fillimisht u duk si një lëvizje nga halli, megjithëse u komentua si një manovër për të shmangur vettingun, megjithëse u përfol si një alibi për t’i shpëtuar humbjes së paevitueshme në zgjdhje, protesta e opozitës ka arritur ta destabilizojë keq kryeministrin.

Po të shohësh me kujdes lëvizjet e Ramës, në këtë muaj kur opozita është ngujuar poshtë zyrës së tij, nuk është e vështirë të dallosh, çorientimin, kaosin dhe siç thoshte ditët e fundit një nga mbështetësit e tij: “ankthin”.

Le t’i marrim me radhë…

Sapo PD shpalli vendimin e saj për t’u ngujuar në çadër dhe Basha bëri thirrjen e pazakontë se ishte gati për luftë, në zyrat e Kryeministrisë u përpunua ideja e çadrës alternative të qytetarëve pro vettingut. U mobilizuan me shpejtësi disa mercenarë të shoqërisë civile të paguar me taksat e shqiptarëve dhe hapën ngado strehëza propagandistike për mbledhjen e firmave.

Por nuk zgjati shumë dhe kësaj butaforie të mjerë i doli boja. Nga Gjirokastra në Tiranë, më shumë se një media vërtetoi se procesi i nënshkrimeve ishte fals, se ato nuk kishin asnjë besueshmëri dhe se çadrat e vogla të Rilindjes ishin ngritur vetëm për t’i shërbyer ministrave si tribunë për të folur kundër çadrës së madhë para Kryeministrisë.

E gjithë kundërpërgjigjja dështoi me turp edhe autorët e saj i humbën edhe ato mundësi që kishin për ta shfrytëzuar fabulën e vettingut si një armë propagandistike.

Po nën efektin e çadrës Rama vendosi të presë edhe kokën e Saimir Tahirit. Nuk ka rëndësi nëse ishte Meta që e kërkoi vënien e saj në gijotinë, apo ishin ndërkombëtarët që donin ta përdornin atë si monedhë shkëmbimi. Po të mos kishte thirrur opozita për bojkot, Saimir Tahiri do të ishte ende në detyrë.

Por, në vend që t’i shërbente, ky kurban i shkoi Ramës më shumë në dëm të vet. Kur Tahiri e pa se ai qe thjesht një objekt në pazarin e negociatave, ai refuzoi të largohej. Kjo përplasje dere në fytyrën e kryeministrit solli maskimin e saj përmes arrnimeve në kabinet. Por edhe “gjetja” e spin doctor-ëve se ndryshimet po bëheshin për të favorizuar partinë para qeverisjes, nuk zuri aspak vend. Të gjithë u tallën me këtë gënjeshtër të prodhuar në panik që mori me vete kot së koti edhe kokat e Beqes, Klosit dhe Çuçit.

Pra Rama shkarkoi një të tretën e kabinetit të tij dhe askush nuk ia zuri për të mirqenë këtë hara-kiri.

Edhe atij që kryeministri shpresoi t’ia shesë këtë sakrificë si dhuratë, e refuzoi me përbuzje. Pikërisht në ditën kur Rama bëri tërheqjen më të madhe të këtij mandati, Ilir Meta në vend që ta përgëzonte nxori në resht dy ministra për të thënë se LSI e donte kryetarin e saj kryeministër. Një thikë më të egër pas shpine pikërisht në ditën kur Rama dukej më keq se kurrë nuk mund të kishte.



Si për ta konfirmuar gjendjen e tij të rënë kryeministri bëri edhe dy dalje publike. Ai nuk bindi askënd me monologun e tij të së dielës në Facebok, më të zymtin, më të shkurtrin dhe me pak argumentuesin që ka mbajtur ndonjëherë. Edhe një ditë më pas, “për të ndrequr gabimin” ai u shfaq tek “Top Story” i Sokol Ballës, por edhe aty në vend që të shpjegoonte dhe të bindte publikun, t’i përgjigjej drejt përdrejt pyetjeve që i bëheshin, filloi të kërcënonte gazetarin se do largohej nga emisioni, se ai ishte pjesë e çadrës së PD-së dhe shantazhe të tilla të rëndomta. Edhe aty ai u paraqit i çorientuar, i pasigurt dhe gjithë ankth.

Këtë gjendje jo stabël psikologjike Rama e vulosi më në fund duke kopjuar të gjithë autokratët që përjetojnë fundet e regjimeve të tyre. Ai akuzoi armiqtë e jashtëm se në bashkëpunim me opozitën po kërkonin të keqen e Shqipërisë që ai e identifikonte me të keqen e tij.

Kjo është pak a shumë kronologjia e ngjarjeve që tregon se si është sjellë kryeministri që kur PD-ja ngriti çadrën poshtë zyrës së tij. Kjo është renditja e ngjarjeve nga e cila nuk është e vështirë të kuptosh se sa kaotik, i panikuar dhe pa busull ka qenë Edi Rama që prej 18 shkurtit të kaluar.

Prandaj edhe nëse ka dështuar në shumëçka, së paku këtë efekt çadra e PD-së e ka arritur.

Nuk janë të paktë ata që mendojë se ajo çadër reziston aty për të shmangur vettingun. Të tjerë janë të bindur se Basha vazhdon ta mbajë duke shtrënguar dhëmbët, sepse ai nuk ka asnjë shpresë reale për të fituar zgjedhjet. Edhe unë renditem mes tyre.

Por pavarësisht nga këto, ajo duket se po e mbërrin një qëllim. Në lojën e pisët të goditjeve nën brez, ajo po i shërben opozitës si presioni i vetëm për ta shtyrë kundërshtarin drejt gabimit. Dhe sa më shumë kjo trysni do të rritet, duke vazhduar me bojkotin e zgjedhjeve, aq më shumë Rama do të destabilizohet.

Çdo ditë më shumë e Bashës në çadër është një makth më tepër për Ramën në zyrë. Prandaj vazhdimi i betejës poshtë dritares së tij, është e vetmja armë që i ka mbetur në duar kreut të PD-së.

Deklarata luftënxitëse e Bashës po shtyn Shqipërinë drejt ’97-s, ndihmoje Zot!


Image result for rexhep qosja

Akademik Prof.Dr.Rexhep Qosja

Prej 18 shkurtit, ditës së parë të protestave të Partisë Demokratike, të cilat kanë hyrë në muajin e dytë, kam dëgjuar një numër të madh deklaratash të kryetarit të sotëm të kësaj partie, Lulzim Basha, dhe të kryetarit të djeshëm e të sotëm të kësaj partie, Sali Berisha, në të cilat shumë më tepër se vetëpërmbajtje, ka shfryrje me fyerje, akuza, shpifje, denoncime, kërcënime e mujshi të tjera poshtëruese gjuhësore që në shtetet juridike të botës ndëshkohen!
Duke i dëgjuar çka po thoshin e ngushëlloja veten: “Lëri le të flasin ç’të duan, sepse ende nuk kanë mësuar se ajo që dikush e thotë për tjetrin njëkohësisht flet edhe për të”.

Prej 18 shkurtit – ditës së parë të protestave të PD-së, që kanë hyrë në muajin e dytë, kam dëgjuar një sërë deklaratash të kryetarit të sotëm të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, dhe të kryetarit të djeshëm e të sotëm të kësaj partie, Sali Berisha, në të cilat ka shumë më tepër dhunë e robëri, sesa paqe e liri!

E ngushëlloja veten: “Lëri, lëri le të bëjnë qejf sepse ende nuk kanë mësuar se të gjitha luftërat qytetare dhe luftërat shtetërore më së pari bëhen me fjalë dhunuese e kërcënuese e, mandej, me duar e këmbë, me hunj, me sakica, me allti, me pushkë, me mitraloza, me aeroplanë e në kohën tonë edhe me raketa! E me mjete të tjera!

Dje, më 17 mars 2017, derisa po dëgjoja përimtimet e një vargu publicistësh e analistësh për koalicionin pushtetar e për koalicionin protestues, për qeverinë e “krimit”, për qeverinë e “drogës”, për qeverinë ‘teknike”, për qeverinë “septike”, si tha një publicist i Prishtinës, për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit, për zgjedhjet e shtyra për kushedi kur, për ministrat e “flijuar” e për ministrat e riemëruar, dëgjova deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të përsëritur sa e sa herë në mediet e Tiranës dhe në mediet e Prishtinës në të cilën thuhej se: “Fatmir Xhafa mund ta kalojë pragun e Ministrisë vetëm përmbi trupat tanë!”

Çka u tha në këtë deklaratë? Kujt iu drejtua kjo deklaratë? Kush u kërcënua me këtë deklaratë? Kush u rrezikua me këtë deklaratë?

Sipas të gjitha gjasavë me të u thuhej anëtarëve të PD-së; me të u thuhej përkrahësve të PD-së; me të u thuhej atyre në pushtet; me të u thuhej gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipërinë shtetërore por kudoqofshin ata, se juristi i socialistëve të Shqipërisë, Fatmir Xhafa, s’mund të bëhet ministër i Brendshëm pa vendimin e PD-së, në të vërtetë pa vendimin e Lulzim Bashës e të Sali Berishës! Me të u thuhej shqiptarëve në Shqipëri e kudoqofshin ata se ministër i Punëve të Brendshme në Shqipëri mund të bëhet vetëm ai që e don, e cakton, e emëron PD-ja, në të vërtetë Lulzim Basha me Sali Berishën! Se kryetar i Shqipërisë mund të emërohet, mund të caktohet, mund të bëhet vetëm ai që e duan, e caktojnë, e emërojnë, e bëjnë Lulzim Basha e Sali Berisha! Se zgjedhjet në Shqipëri mund të bëhen vetëm po të formohet qeveria çfare duan ata, qeveria teknike! Se zgjedhjet në Shqipëri mund të bëhen jo me 18 qershor, kur i ka caktuar Kuvendi i sotëm i Shqipërisë, por kur duan Lulzim Basha e Sali Berisha! Se vetingu dhe në përgjithësi reforma e drejtësisë, prej së cilës varet e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë shtet normal, në të cilin bën të jetohet, mund të miratohen vetëm mbasi të mbahen zgjedhje “të lira e të ndershme” në të cilat do të fitojnë Lulzim Basha e Sali Berisha!

E pse kryetari i PD-së, Lulzim Basha, të mos e japë një deklaratë ashtu luftënxitëse siç është ajo e sipërthëna?! Po vetëm pak ditë më parë ai ia kishte mbushur mendjen vetes dhe kushedi edhe sa anëtarëve të partisë së tij se: “Asgjë nuk është si më parë pas 18 shkurtit të lavdishëm të lëvizjes popullore”!

E çka paska ndryshuar në Shqipëri e në Kosovë e në jetën e shqiptarëve kudoqofshin pas 18 shkurtit të “lavdishëm”? Çka, vërtet, çka?

E para, sasia e prishësive politike tmerrësisht të shumta e të shumëllojshme opozitare e pushtetore në Shqipëri është shtuar vërtet shumë!

E dyta, numri i kokave të dehura, të turbulluara politike, numri i kokave histerike politike, të cilat e duan pushtetin më shumë se atdheun është shtuar tejdukshëm dhe tejshpejtueshëm!

E treta, sasia e frikës së shqiptarëve pas deklaratave të shumta e të ndryshme të kryetarit të sotëm të PD-së, Lulzim Basha e të kryetarit të djeshëm e të sotëm të PD-së, Sali Berisha, në mënyrë të veçantë pas deklaratës së djeshme të sipërcituar luftënxitëse të Lulëzim Bashës po thuhet se është shtuar shumë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginën e Preshevës!

E katërta, numri i shqiptarëve që mbas deklaratave të këtilla të dy prijësve politikë të PD-së, Lulzim Bashës e Sali Berishës, në mënyrë të veçantë të deklaratës së sipërcituar luftënxitëse të Lulëzim Bashës, që dëshirojnë sa më parë të ikin prej vendit të vet e të gjejnë shpëtim në Evropë, në SHBA, në Australi, në Zelandë të Re, në Turqi a në Japoni, po ashtu është shtuar shumë!

Deklaratat e muajit të fundit e jo vetëm të muajit të fundit të kryetarit të sotëm të PD-së, Lulzim Basha, dhe të kryetarit të djeshëm e të sotëm të PD-së, Sali Berisha, e në mënyrë të veçantë deklarata e sipërcituar luftënxitëse e Lulëzim Bashës, më bënë të mendoj se të gjitha përimtimet, gjykimet, vlerësimet e zhvlerësimet e gjendjes politike në Shqipëri nga publicistë e analistë të ndryshëm, sado ekspresive qofshin, janë të kota, prandaj shumëkujt i lënë përshtypjen e një llafologjie më pak a më shumë perverze!

Për politikën e atyre gjuhën e të cilëve e karakterizojnë ultimatumet, fyerjet, kërcënimet, mujshitë, luftënxitjet janë të kota përimtimet e mbështetura në kulturën e mendimeve.

Them kështu sepse me deklaratat e dy prijësve të PD-së, e në mënyrë të veçantë me deklaratën e sipërcituar luftënxitëse, Shqipëria po shtyhet drejt vitit 1997!

Ajo sot po përjeton luftë qytetare foljore e cila dikush dëshiron që të shëndërrohet në luftë qytetare me mjete të tjera!

Prej kësaj dëshire ndoshta s’është i liruar senatori italian, Aldo Di Biagio, i cili ftuesve të tij nuk ngurroi t’ua këshillojë në çadër parullën fashiste: “Nuk kthehemi mbrapsht, do të ecim vetëm përpara”!

Ndihmoji Zot Shqipërisë!

E do t’i ndihmosh vetëm në qoftë se e shpëton prej atyre që s’duan të ulen bashkë e të merren vesh, prej atyre që e kanë kthyer në fushëbetejë për karriget e veta, në fushëbetejë në të cilën janë rrënuar të gjitha sistemet e vlerave, në fushëbetejë në të cilën konfliket e pandërprera 25-vjeçare, vrazhdësitë e poshtërsitë e llojllojshme e kanë cënuar rëndë pamjen e shtetit shqiptar në botë duke e bërë shtet pikëllues për ata që kanë dëshiruar e dëshirojnë të jetojnë në të!

Ndihmoji, Zot, edhe Kosovës!

Asaj i duhet ndihma jote edhe më shumë se Shqipërisë.

Gazetari Berat Buzhala kritikon ashpër Edi Ramën: Të fortëve iu puth duart, miqve iu ha kokat

Gazetari  Berat Buzhala, njëherësh drejtori i gazetës “Express” në Kosovë ka bërë një shkrim kritik ndaj kryeministrit Rama. Duke e quajtur frikacak ndaj të fortëve dhe të ashpër e të pamëshirshëm me të dobëtit, Buzhala thotë se fajtor nuk është vetëm ai. Analisti flet për marrëdhëniet e Ramës me bashkëpunëtorët e tij, por edhe me të fortët, të cilët, siç artikulon ai, janë të vetmit që kryeministri iu puth duart.

Shkrimi i plotë:

NJË PSIKOGRAFI PËR EDI RAMËN

Kryeministri Rama është politikan frikacak. Sa herë e ka punën pisk, të parat koka që i ha janë ato të miqve të afërt – sepse për ta poshtëruar, ato edhe ia kërkojnë.

Nuk e besoj që dikush ka ditur ta përshkruajë karakterin e Edi Ramës më mirë se sa një mik i imi nga Shqipëria, përmes një postimi të shkurtër në Facebook.


Kur Rama po takonte fshatarët e Shqipërisë sa në një cep në një tjetër, ai kishte shkruar:

“Në këto takimet paraelektorale të Kryeministrit me katundarë, një gjë më bën përshtypje: Më shumë janë të trembur fshatarët e ngratë se mos i tall Kryeministri, se sa ky i fundit nga pyetjet e tyre. Në fund, kur katundarët dalin nga takimi pa u përqeshur, marrin frymë të lehtësuar”.

Ky postim ishte bërë gjatë fushatës për zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryebashkiak të Dibrës, të cilat u mbajtën për shkak se i pari i kësaj partie në këtë qytet, Shukri Xhelili, ishte kapur në flagrancë, duke i kërkuar një vajze seks, në këmbim të një vendi të punës.

Çdo lideri normal, që e ka ndërgjegjen në vend, do t’i vinte zor t’ua kërkonte votën për herë të dytë banorëve të rajonit të skandalizuar. Rama jo vetëm që ua kërkoi, por edhe ua mori, duke i parë në dritë të syrit fshatarët e trembur prej fuqisë së paskrupullt të pushtetit, që po e përdorte brutalisht Edi Rama.

Askush nuk guxonte as ta përmendte Xhelilin para Ramës, sepse ky i fundit, rrezik që do ta arsyetonte ish-zyrtarin, e prapë do t’i detyronte të votonin sipas urdhrave të tij. Në njëfarë forme ishte një ilustrim praktik i fenomenit të sindromit të Stokholmit, kur i dhunuari ndien simpati dhe dhimbje për dhunuesin. Tjetër shpjegim nuk ka.

Frikësimi i fshatarëve, ose mënyra se si ata e nuhasin se duhet të janë të frikësuar para Kryeministrit, flet mjaft për një lloj deformimi serioz të Edi Ramës, në komunikim, ose në sjellje, me njeriun.

Karakteri i tij, standardet e tij të dyfishta dhe të shumëfishta, ilustrohen edhe në shumë raste të tjera. Ai është frikacak dhe tolerant para të fortëve, kurse është mizor ndaj të frikësuarve. Posaçërisht ndaj atyre që ia kanë nevojën. E nëse je Kryeministër i bie që ta ka nevojën e gjithë shoqëria.

Kështu, Rama pafuqinë e tij, politike ose njerëzore, ndaj atyre që ai i konsideron superiorë, ndaj atyre që ai u ka nevojën, e kompenson, e edhe e tejkalon, ndaj atyre që kanë nevojë për të.

Në kushte normale, një individ i papushtet që manifeston sjellje të tilla sociopatologjike mund të vihet nën kontroll pa pasoja të mëdha për rrethin. Komunikimi i dendur, ndërlidhja e nevojave, kontrollet dhe balancat, e sjellin njëfarë barazimi në fund të ditës.

Por kjo gjë nuk ndodh, ose ndodh me mjaft dhimbje, nëse je njeriu më i fuqishëm politik në vend. Konkretisht, Kryeministri Rama, kompleksin e tij, pafuqinë e tij, ose frikën e tij, ndaj disa personave, e kompenson ndaj miliona të tjerëve, që ai i sundon.

Kështu për shembull, Edi Rama nuk i dërgon më të fala Sandrit, as nuk i hakërrehet Sokol Ballës në Top Channel, mirëpo imagjinata e tij shfrenohet tërësisht kur është fjala tek ofendimi i mediave më të vogla, i portaleve të varfra.

Rama në krye të herës, në librat e tij, e ka definuar se i duhet të këtë raporte të mira me Topin, Klanin 1, Klanin 2, Vizionin, Çilin. Kaq. Nuk ka më të tjerë. Dhe meqë nuk ka më të tjerë, ose edhe nëse janë, ata janë nëngazetarë, nënnjerëz, nënqënie. Duke qenë të tillë, ata, sipas filozofisë së mbijetesës së Ramës, meritojnë asgjë më pak se sa asgjësimin. Hë për hë, vetëm asgjësimin verbal. Varësisht prej zhvillimeve, forma e asgjësimit mund të rishqyrtohet.

Gjuha që përdor Rama ndaj kundërshtarëve të tij, ndaj mediave të pavarura, aktualisht është e aplikueshme në Turqi dhe në Shtëpi të Bardhë. Sa ironike, Rama e adhuron diktatorin në ardhje të Turqisë, kurse bën, ose bënte gjoja, që e pengon Donald Trump. Sipas një shkrimi që e lexova tash në Washington Post, në disa muajt e fundit numri i gazetarëve të arrestuar në Turqi është më shumë se sa gjysma e të gjithë gazetarëve të arrestuar në botë. Kurse Rama e admiron. Nëse ka jetë të gjatë, e nëse i jepet mundësia, do ta shprehë admirimin e tij edhe ndaj Donald Trump. Sepse është punë e karakterit të tij. Ai thjesht kishte menduar që Trump nuk do të fitonte, prandaj ishte nxituar.

Mirëpo, për ta ilustruar Ramën nuk kemi nevojë që të udhëtojmë kaq larg.

Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, terreni i rrëshqitshëm i muajve të fundit, flasin më qartë se sa çdo gjë tjetër. Rama, arroganti dhe parimori i paepur, e ka nuhatur rrezikun që po i troket në derë. Tash, sipas traditës, Rama ua puth duart dhe ua plotëson një për një të gjitha kërkesat, të gjithë atyre që ai mendon se e kanë në dorën e tyre fatin e tij. Deficitin e karakterit ndaj më të fortëve, prapë Rama i kompenson ndaj më të dobëtëve.

Ose, Rama është kaprec përbrenda, shyt përjashta. Duke e ditur që zgjedhjet janë afër, duke e ditur që rrethanat politike ndryshojnë sa hap e mbyll sytë, i frikësuar se mund të gjendet jashtë lojës, Rama në takime të rëndësishme, me ata që ua ka nevojën, i heq brirët. I mban vetëm veshët. Ndërsa, për ta ruajtur burrërinë, për t’u dukur i fuqishëm, i pamposhtur, i pasfiduar, brirët, atje ku janë më të mprehtit, i vë kundër qytetarëve dhe kundër gazetarëve që ai i konsideron të parëndësishëm.

Që Rama mos përfundojë si Duçja, i varur kokëposhtë



Nga Aurel Plasari

Në vend që këtë t’ia bëja unë, ia bëri këtu e një javë të shkuar z. Carlo Bollino, i cili historinë e Italisë së tij e njeh bukur mirë. Duke e përkapur me intuitë se ku mund ta çojë kryeministrin e Shqipërisë dhe parlamentin e “shumicës” së tij kriza e rëndë politike e daljes së opozitës nga parlamenti dhe e gjasës së refuzimit prej saj të zgjedhjeve të pritshme, gazetari në fjalë nuk e ka fshehur aluzionin politik: “Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë nuk është kështu…” etj. Duke qenë se nuk shkruan për lexues italianë, por për lexues shqiptarë që nuk e kanë nxënë në shkolla historinë e fashizmit, merret vesh që duhet ftilluar paksa se ç’kuptim ka të festuarit e parlamentit mussolinian me “shumicën” fashiste brenda dhe opozitën jashtë. Që të mos ua hedhim kështu, pa të keq, lexuesve.



Mbas “krimit Matteotti’, siç u quajt rrëmbimi dhe zhdukja më 10 qershor 1924 e deputetit opozitar Giacomo Matteotti prej gangsterëve me ndihmën e të cilëve Mussolini ishte ngritur në pushtet, parlamenti italian kishte hyrë në krizë. Qenë vrazhdësuar termat e luftës politike me t’u njoftuar rrëmbimi i deputetit. Opozita nuk kishte ngurruar ta akuzonte drejtpërsëdrejti Duce-n, qysh në moment e para të lajmit, si “vrasës”. Nga ana e vet Mussolini bënte bé e rrufe që jo vetëm nuk kishte dorë në “zhdukjen” e deputetit opozitar dhe kundërshtar vetjak të tij, por që ndihej edhe fort i dhëmbysur. Ndërkohë që premtonte se qeveria e tij do të bënte çmos e çnuk për ta zbardhur të vërtetën dhe për ta fashitur krizën e besimit, si për të provokuar edhe më parlamentin dhe parlamentarizmin më 25 qershor Dhoma dhe Senati ia konfirmonin edhe një herë Mussolinit pikërisht atë: “besimin”.

Dy ditë më vonë deputetët e opozitës vendosnin të mos merrnin më pjesë në punimet e atij parlamenti derisa qeveria e Mussolinit të mos kishte sqaruar pozicionin e saj ndaj rrëmbimit dhe zhdukjes së Matteottit. Vijoi të qëndronte në parlament, përkrah shumicës fashiste, një segment i çuditshëm i kinse-opozitës: komunistët. Opozita u mblodh në një sallë tjetër, që njihet si salla e Aventinit, nga emri simbolik i një kodrine të Romës ku në shek. V (para e. r.) mblidheshin plebenjtë sa herë që kishin konflikte me patricët. Ishte një aksion politik që athua se opozitarët italianë e kishin imituar nga Shqipëria jonë: edhe parlamentarët opozitarë të 1924-s, mbas vrasjes së deputetit Avni Rustemi dhe varrimit të tij, kishin qëndruar në Vlorë dhe i patën vijuar aty mbledhjet opozitare. Shprehja “Me u tërheqë n’Aventin” ka hyrë tanimë me këtë kuptim në politologji.

U rrek Mussolini t’i bënte njëfarë makijazhi qeverisë së vet duke zëvendësuar nja tre-katër copë ministra, të arsimit (Gentile), të punëve publike (Carnazza), të ekonomisë kombëtare (Corbino) dhe ndonjë tjetër. Por, kur në një pyll në rrethinat e Romës u gjet më 16 gusht kufoma e deputetit opozitar të masakruar, kriza parlamentare rezultoi e paprapsueshme. Një Bonomi, një Salandra, një Orlando, një Amendola iu drejtuan mbretit që t’ia hiqte Mussolinit portofolin kryeministror dhe të ushtronte autoritetin e tij për një qeveri që të rivendoste ekuilibrat politikë. Vittorio Emanueli III u përgjigj si filozof anglosakson: “Unë jam qorr dhe shurdh. Sytë e mi dhe veshët e mi janë Senati dhe Dhoma...”. Sikur të kishte vepruar për t’i vënë ledh fashistizimit të parlamentit qysh në atë vit të hershëm 1924, ndryshe do të kishte qenë historia jo vetëm e Italisë, por edhe e Europës, brenda saj edhe e Shqipërisë. Mirëpo historia nuk bëhet me “sikur” dhe populli italian do t’ia shpaguante mbretit filozof anglosakson kur të vinte momenti historik: duke votuar kundër monarkisë dhe pro republikës.

Kështu u mbërrit te “festa” e 3 janarit 1925, që njihet në historinë e Italisë fashiste si “Dita e Mussolinit”, çfarë do të thotë dita e vendosjes së diktaturës së mirëfilltë fashiste që ta bie ndër mend pikërisht përkujtesa e gazetarit në fjalë për kryeministrin e Shqipërisë: “Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë nuk është kështu…”. Jo vetëm që opozita e kishte braktisur parlamentin e Mussolinit dhe mblidhej veçan, por mbi Partinë fashiste kishte rënë një bombë: zv.sekretari i saj Cesare Rossi qe shtrënguar të jepte dorëheqjen ngase ishte zbuluar përfshirja e tij në “krimin Matteotti”. Atëherë Mussolini lozte kartën e fundit: atë të vendosjes përfundimtare të diktaturës së një partie. Ia kishte mbërritur asaj dite: në parlament nuk kishte më opozitë, i gjithë pushteti ishte vetëm e vetëm i Partisë së tij, që do të thotë i tiji personal. Ishte ora e tij më patetike me atë fjalim të 3 janarit në parlamentin tanimë pa kundërshtarë. Me fytyrë të irnuar, por me një arrogancë gati epsharake, hodhi poshtë edhe akuzat e vetë Cesare Rossi-t të Partisë së tij, i cili kishte pranuar që Duce-ja kishte krijuar një polici politike, kundër kundërshtarëve politikë, të ngjashme më ÇEKA-n bolshevike. Pa ndërruar çehren, të gjithë përgjegjësinë për sa kishte ndodhur atyre muajve e mori mbi vete: “Io assumo, io solo, la responsabilità politica, morale, storica di tutto quanto è avvenuto”! Të mbledhurit e opozitës në Aventin e shpalli veprimtari “revolucionare” dhe “antikushtetuese”. Legjitimoi në atë fjalim të 3 janarit 1925 përdorimin e dhunës “kirurgjike”, “inteligjente”, madje “kalorësiake”. I kërceu damari dhe u premtoi italianëve se do ta spastronte Italinë nga “fundërria me shkollë” dhe se pushteti fashist do të delte prej krizës edhe më i fortë, si për ta thënë në shqip: “Qentë le të lehin, karvani fashist çan përpara”! Ka edhe ndonjë ish-funksionar të fashizmit, si Alessandro Lessona, që në kujtimet e veta të sheqerosura shkruar pranë oxhakut e bën bashkëfajtore opozitën: ajo nuk paskësh zbritur nga Aventini që të vente e “të pajtohej” me zotërinë e tij “Kalorësin Mussolini”. Athua se një opozitë duhet t’i kërkojë pushtetit të falur që është opozitë.

Kështu ndodhi që u vendos plotësisht në Itali diktatura fashiste sepse - për dokëdo që shtiret kinse nuk e ka mendjen - pa opozitë nuk mund të ketë demokraci. Morën fund edhe ndoca liri demokratike që kishin mbetur pa u shkelur deri më 1924-n dhe u shpallën, nga 1925 më 1926, ligjet që njihen në histori si “fascistissime”. Jo vetëm në parlament nuk do të kishte më opozitë, por edhe zgjedhjet mbaskësaj nuk do të kishin kurrfarë nevoje për opozitë. Votat fashizmi do t’i kishte me miliona, të numëruara e të panumëruara. “Oh, what a lovely story!” mund të thotë me sensualitetin e vet turbullues ndonjë damë ambasadore që e ka Shqipërinë thjesht çështje page, sa s’ia thashë edhe emrin për pak.

Për rendin juridik italian ky qe shndërrimi në një regjim fashist në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të termit. Kjo është arsyeja se përse 3 janari ishte për fashizmin, deri në rrokullisjen e tij, një “festim” i vërtetë vit për vit derisa kohë të vështira të vinin edhe për vetë fashistët, festim si ky që ta përkujton aluzioni politik i gazetarit në fjalë për kryeministrin e Shqipërisë: “Edi Ramës nuk i mbetet tjetër veçse të festojë. Megjithatë nuk është kështu…”. Që megjithatë nuk është kështu e di çdo lexues me trutë në kokë që nuk jeton në ndonjë klimë abstrakte. Madje i pari që e di është vetë kryeministri mik i gazetarit në fjalë, - dhe imi në daçi, - i cili, ndonëse mund të mos e njohë festimin e 3 janarit fashist, me siguri që e di një tjetër festim popullor: atë të 28 prillit 1945, d.m.th. të ditës së fundit të Duce-s. Dhe, prej asaj date historike, asnjë kryeministër në botë nuk e ka lakmuar pozicionin.

Nishani “fali” Xhafën dhe goditi Bashën




Nga Andi Bushati

Ndryshe nga pritshmëritë e krahut që mbështet Lulzim Bashën në PD, Bujar Nishani ka vendosur të mos e përfshijë presidencën në strategjinë e thellimit të krizës politike. Ai ka mbajtur një qëndrim legjitim, që bazohet në traditën e pararadhësve të tij, për t’i çuar drejt parlamentit dekretet e të gjithë ministrave që kërkon kryeministri.
Në pamje të parë vendimi i presidentit është në respekt të thellë të kushtetutës (bibla dhe kurani i postit të tij sipas vetë Nishanit). Në radhë të dytë ai mbyll një debat që zgjat prej vitesh: në republikën tonë kreu i shtetit nuk mund t’i kundërvi het shefit të ekzekutivit për zgjedhjet e anëtarëve të kabinetit. Së treti ai i lejon presidentit aktual të lërë pas një mandati që shpesh përkoi me interesat e partisë nga vinte, kostumin e njeriut që di të qëndrojë mbi interesat e palëve.

Por edhe nëse të gjitha këto konstatime janë të vërteta, vendimi që Bujar Nishani mori këtë të diel nuk mund të shikohet jashtë kontekstit të luftës politike që po zhvillohet brenda forcës prej nga ai vjen.

Dhe një pjesë e mirë e demokratëve prisnin që presidenti “i tyre” të mos e dekretonte Fatmir Xhafën për ministër të Brendshëm. Hipotezat e këtij krahu ishin disa. Ata pretendonin se për shkak të së shkuarës të vëllait të tij, Xhafa mund të përbënte një problem për sigurinë kombëtare. Ata këmbëngulnin se për shkak të profesionit që kishte kryer në kohën e regjimit komunist, i poropzuari si drejtues politik i policisë, nuk mund të mbante funksione të larta shtetërore. Për të mbështetur këto pandehma “u zbuluan” ditët e fundit histori të vjetra familjare, denoncime të ish-të përndjekurve, rezoluta të parlamentit shqiptar dhe të Këshillit të Europës.

Pas kësaj zhurme mediatike erdhën dhe argumentet juridike. Sipas ekspertëve pranë PD-së, presidenti nuk ishte thjesht një noter, por ai e kishte tagrin për të mos e dekretuar një ministër. Jo më kot ligji i linte atij shtatë ditë për t’u menduar për kandidaturat. Jo më kot kushtetuta i njihte atij të drejtën për të kthyer edhe ligje me shumicë të cilësuar dhe kur ato ishin konform saj. Jo më kot ajo i jepte të drejtën në një rast, të caktonte vetë dhe emrin e kryeministrit.

Pra argumentet për ta penguar dekretimin e Xhafës megjithëse të kërkuar me tepër vështirësi ekzistonin.

Ato argumente i mbronte krahu më pranë Lulzim Bashës, që po mbështet me forcë idenë e bojkotit të kuvendit, idenë e rrëzimit të qeverisë Rama, idenë e moshyrjes në zgjedhje madje të shkatërrimit të tyre.

Këtij grupimi që ka zgjedhur rrugën e destabilizimit me çdo çmim, që ka vendosur ta luftojë Ramën me të njëjtat armë sikurse kryeministri ka luftuar këto tre vjet, i duhej ky akt i Nishanit.

Politikisht, ai e mbante zvarrë qeverinë Rama, e linte atë ose sipas precedentit Nano të drejtonte me zëvendësministër, ose më keq akoma hapte një sherr të ri Presidencë – Kryeministri që mund të fillonte me ankim në gjykatën kushtetuese dhe mund të përfundonte me vënien në punë të mekanizmit të shkarkimit të kreut të shtetit.

Një zgjedhje e tillë e destabilizonte dhe më tepër Ramën dhe i shtonte vatrat e krizës në vend. Ajo i jepte pikë më shumë strategjisë së kreut aktual të PD-së që do të turbullojë gjithçka për të arritur te një përfundim i kthjellët.

Por kundër linjës “ekstremiste” të Bashës janë shumë nga elefantët e PD-së. Duke nisur që nga Berisha e Topalli e deri te shumica e anëtarëve të qeverisë së vjetër, nuk janë për këtë rrugë të ashpër. Ata i kanë hequr sistematikisht nga dora kryetarit të ri, të vetmen armë që ka për të arrtitur aty ku kërkon: kërcënimin me bojkotin dhe prishjen e zgjedhjeve.

Kjo linjë brenda PD-së duket sikur ndryshe nga objektivat e shpallura, ka për qëllim vetëm pengimin e vettingut. Më tej ajo do zgjedhje që i sigurojnë vendet në parlament, stabilitet dhe status quo.

Pikërisht me këtë linjë u reshtua edhe Bujar Nishani. Ai refuzoi të dëgjonte thirrjen e kryetarit zyrtar të PD-së për ta penguar hyrjen e Fatmir Xhafës në zyrë, qoftë dhe me trupat e demokratëve.

Ai vendosi t’a interpretojë kushtetutën në mënyrën e tij. Askush nuk mund ta gjykojë për këtë. Ai mund të ketë qenë vërtet i bindur se po i qëndron betimit të pesë viteve më parë. Ai mund të ketë qenë i ndërgjegjshëm se po bën atë që duhet.

Por ai e ka ditur gjithashtu, se duke hedhur këtë hap e kompromentonte fort rrugën që tashmë ka shpallur Lulzim Basha.

Fevziu, me sjelljen më hipokrite dhe hileqare në shoqërinë shqiptare



Marrë nga gazeta “Dita”

Intervista e mbrëmshme në emisionin Opinion në TV Klan e Blendi Fevziut me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pati dy përfundime.

E para, Veliaj triumfoi dukshëm në debat. E dyta, intervista rivuri në dukje modelin e shëmtuar “Fevziu”. Pse është i shëmtuar ky model.

Nuk është e tepërt të themi se në të gjithë botën, shumica e shtetasve i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me regjimet dhe qeveritë duke u bazuar në interesat e veta. Këta lloj shtetasish i përkasin vetes dhe, e shumta, familjes së tyre. Deri këtu nuk ka gjë të keqe. Fevziu, apo kushdo tjetër nuk përjashtohen nga e drejta për të zgjedhur në përputhje me interesin e tyre.

E keqja dhe e dëmshmja fillon kur këta, në saje të pozitës së fituar apo dhuruar për shkak të shërbimeve të kryera, bëhen persona publikë dhe pozitën e tyre e propagandojnë si raport të të gjithë shoqërisë me shtetin, privilegjet e tyre përpiqen t’i paraqesin si mirëqenie të shoqërisë.

Vetëm një pjesë e vogël e shtetasve e çmojnë klasën politike për sjelljen e saj ndaj gjithë shoqërisë dhe, në këtë mënyrë, përcaktojnë marrëdhëniet e veta me të. Këta shtetas, ose heshtin ndaj arbitraritetit (kur nuk kanë guximin e duhur), ose ngrenë zërin e protestës (idealistët), por asnjëherë nuk pranojnë të rreshtohen në gardën politike, propagandistike apo administrative të pushtetarëve të djeshëm apo të sotëm që shkelin interesat e shtetasve të tjerë.

Po le të ndalemi te kategoria e parë, ajo së cilës i përket Fevziu.

Këta tipa nuk tuten prej gënjeshtrave dhe as prej shpjegimeve shtrembëruese (shpesh edhe idiote) që bëjnë, sepse një gjë e dinë me siguri: pushtetit apo ish-pushtetit të cilit i shërbejnë dhe prej të cilit shpërblehen i duhet dhënë gjithmonë të drejtë, ndërsa për padrejtësitë dhe krimet që ky kryen haptazi duhet shpikur gjithnjë një alibi.

Mënyra e të menduarit dhe të sjelljes që karakterizojnë këtë detashment shërbyesish, është bërë gangrenë për shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Këta, duke shkelur mbi të vërtetat, duke shtrembëruar realitetet me qëllim që të krijojnë realitete që nuk ekzistojnë, ia kanë kushtuar gjithë energjitë e tyre mbrojtjes së interesave të një grupi të vogël të majmurish nga kurtizania ku bëjnë pjesë edhe vetë.

Falë ekraneve të shpërndarë gjithandej dhe papunësisë së lartë ata janë aq të kudondodhur dhe aq intensiv, saqë njeriu, i cili ka privilegjin dhe barrën të arsyetojë, fillon të vërë në dyshim aftësinë e vet perceptuese. Nën trysninë e këtyre, njeriu arsyetues pyet veten: A nuk jam unë në gjendje të kuptoj realitetin apo këta duan të më bëjnë të marrë?

Këta “analistë” vijnë edhe nga sfera të tjera jashtë mediatike dhe paraqiten si analistë që japin mendje për të shpëlarë mendjet e njerëzve të thjeshtë.

Ky lloj ka disa karakteristika. Nuk ka kurrfarë idesh dhe as idealesh, nuk njeh skrupuj moralë, nuk mbron ndonjë alternativë, e di se privilegjet e veta i ka në saje të pushtetit dhe bën çmos t’i mbrojë ato, shfaqet aty-këtu, thuajse çdo ditë dhe paraqitet si i pavarur (për t’u bërë më i besueshëm), është agresiv dhe i guximshëm për të mbrojtur të pavërtetën.

Ata janë pjesë përbërëse e trinomit pushtet politik- pushtet ekonomik-pushtet mediatik. Të tria pjesët i shërbejnë njëra-tjetrës dhe kanë si mision përjetësimin e pozitës së tyre sociale. Ata nuk përbëjnë elitën intelektuale dhe aq më pak atë morale. Mirëpo, janë elita sunduese e Shqipërisë tonë.

Për t’i identifikuar me lehtësi ata si Fevziu na mjafton të shohim qëndrimet që kanë mbajtur ndaj gjëmave që ka bërë regjimi i Sali Berishës. E thënë ndryshe, le t’i referohemi ndërgjegjes së tyre dhe do vërejmë se:

Nuk kanë ndërgjegje kombëtare pasi, përndryshe nuk do të pajtoheshin me Marrëveshjen Antikombëtare të Detit, me ndërtimin e varrezave greke në tokat shqiptare apo me kontrabandën e naftës me Serbi-Mali i Zi kur Kosova luftonte për pavarësi.

Nuk kanë ndërgjegje demokratike, përndryshe nuk do të pajtoheshin me dhunimet e zgjedhjeve.

Nuk kanë ndërgjegje sociale, përndryshe nuk do të pajtoheshin me shpërdorimet e pasurisë kombëtare dhe mosndëshkimin e askujt dhe as me diferencat marramendëse në pasuri, të krijuar kryesisht në rrugë të paligjshme.

Nuk kanë ndërgjegje juridike, përndryshe nuk do pajtoheshin me shkeljet e pafundme të ligjshmërisë nga ish-kasta në pushtet që sot kerkon pushtetin me 100 vetë që hanë e pinë në bulevard.

Sikur Fevziu dhe shokët e tij të përfaqësonin një shqetësim të çiltër intelektual për fatet e vendit nuk do kishin mbajtur ato qëndrime që kanë mbajtur dhe, me kohë, do i kishin thënë Sali Berishës: “Mjaft më”!

Ata përfaqësojnë sjelljen më hipokrite dhe më hileqare në shoqërinë e sotme shqiptare.

Koha kur në ish-Nish Cigaren e Durrësit shtypeshin edhe libra


Të gjithë durrsakët e mbajnë mend ish-Nish Cigaren e dikurshme, e cila ne vitet e para të themelimit të saj njihej me emrin Stamles.

Stamles (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve) u krijua pas miratimit nga qeveria shqiptare më 21 shkurt 1922 të Ligjit për Formimin dhe Vendosjen e Monopolit Shtetëror të Letrës së Cigareve, Shkrepëseve dhe Letrave të Lojës.

Ajo është cilësuar si krijesa më e shkëlqyer e kapitalit shqiptar në kushtet e krizës së rëndë të vitit 1933.

Në të janë punësuar dhe formuar profesionalisht mijra banorë të Durrësit ndër vite, ku thuhet se është dhënë një kontribut të paçmuar për emancipimin e grave dhe vajzave durrsake.

Vlen të përmendim që qyteti i Durrësit është nga të parat qytete të vendit tonë që kishte energji elektrike dhe këtë e kishte mundësuar pikërisht Stamles-i, që kishte ngritur edhe centralin e parë elektrik në Durrës. Pas formimit të shoqërisë së re Stamles në vitin 1934, shoqëria e vjetër Stamles do të ekzistonte duke i shitur energji elektrike qytetit të Durrësit.

Por e veçanta që duam të përcjellim, është se nga Stamles-i kanë dalë deri dhe libra. Një i tillë është botuar ne vitin 1932.

Ai ka qenë një roman satirik i titulluar “Mehanexhiu i Parlamentit”. Ky libër, nga sa shihet, vërehet se është shtypur në Durrës pikërisht në Stamles, në repartin e punërave grafike, aty ku duhet të bëhej edhe shtypja e paketave te duhanit. Qytetarët e Durrësit e kanë konsideruar kurdoherë shoqërinë Stamles si pjesë të krenarisë së tyre qytetare.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...