2017-05-01

LETËRSIA SHQIPE NË RREZIK TË MADH


“Letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës, së të gjithë krahëve. […]politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për Kadarenë dhe Agollin, sikur letërsia shqipe zë fill me këta shkrimtarë dhe duket sikur do ta ulë siparin e vetë me këta. Letërsia e mirë, do të vijë dhe do të pastrojë shërbesën, përdorimin dhe shpërdorimin e saj, sidomos kur të çlirohet nga mitizimi i korifejve të realizmit socialist, larg shërbesës dhe dobisë së famës…”

Nga Behar Gjoka

Si kortezi e Dritero Agollit

“Letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës, së të gjithë krahëve. […]politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për Kadarenë dhe Agollin, sikur letërsia shqipe zë fill me këta shkrimtarë dhe duket sikur do ta ulë siparin e vetë me këta. Letërsia e mirë, do të vijë dhe do të pastrojë shërbesën, përdorimin dhe shpërdorimin e saj, sidomos kur të çlirohet nga mitizimi i korifejve të realizmit socialist, larg shërbesës dhe dobisë së famës…”

Letërsia në rrezik është titulli i një libri të T. Todorov, botuar në vitin 2007 në Francë. Ky libër u përkthye edhe në shqip, madje u fut me të madhe në leksionet e shkollave të larta. Megjithatë këmbanat e alarmit të studiuesit nuk mbërritën tek ne, të botuesit, politikëbërësit, studiuesit e lauruar me shumë tituj, por pa libra, që t’i qasen seriozisht fatit të hidhur të letërsisë shqipe në vitet e totalitarizmit deri më sot.

Letërsia shqipe është në rrezik, sepse autori dhe teksti, nuk janë as në periferi të axhendës së politikave kulturore dhe botuese. E drejta e autorit ka mbetur pa autor, pra tani ai që paguan determinon hartën e letërsisë shqipe. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse mendohet vetëm si biznes, si mall që shitet, fal botuesve dhe reklamave televizive. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse politikat kulturore dhe universitare, mendojnë dhe organizojnë veprimtari vetëm për Kadarenë dhe Agollin, sikur letërsia shqipe zë fill me këta shkrimtarë dhe duket sikur do ta ulë siparin e vetë me këta. Letërsia shqipe është në rrezik, sepse politikanë, opinionistët, gazetarët, kushdo që ka nevojë për famë, mjafton të lajmëroj TV-në dhe shpallet gjeni. Letërsia shqipe është në rrezik nga çmimet letrare që ndahen para se të lexohen librat…

Ka shumë faktorë, të cilët e kanë vënë në zgrip letërsinë shqipe e në këtë mjegullnajë, ofrohen si barka shpëtimi, dy alternative absurde:

A – Nga ata që kanë ndarë çmime me shumicë dhe pakicë, shpallet se nuk ka letërsi shqipe. Kur nuk ka letërsi shqipe, çfarë vlere ka të ketë katedra të letërsisë shqipe?

B – Në panairin e librit në Tiranë, sipas medias, u dha si urë shpëtimi, që të shkruhet në gjuhë të huaj, pra të hiqet dorë nga gjuha shqipe! Është më serioze se sa duket, se sa e shohim, se sa rrekemi të bindim veten se kemi ose se nuk kemi tekste letrare. Letërsinë shqipe, po e vrasim nga pak dhe përditë, me të gjithë format, ku askush nga ata që ka shkruar në gjuhën shqipe, nuk shpëton nga përgjegjësia e mjerimit të letërsisë, si vatër ku strehohen horrat, politikanët, delirantët, matrapazët e historisë. Letërsia është atdheu i lirisë, i njerëzve të lirë. Letërsia shqipe ende është e ngujuar në kafazin e politikës, së të gjithë krahëve. Letërsia e mirë, do të vijë dhe do të pastrojë shërbesën, përdorimin dhe shpërdorimin e saj, sidomos kur të çlirohet nga mitizimi i korifejve të realizmit socialist, që e kanë zatet për fyti fatin e letërsisë shqipe larg shërbesës dhe dobisë së famës…

Burgjet mendore dhe diktatura politike në romanin “193 kafazet”e Rezart Palluqit



Shkruar nga kritikja dhe shkrimtarja itlaliane, Irma Loredana Galgano

Shtëpia botuese Ensemble botoi, në edicionin e parë në dhjetor 2016, përkthyer nga Iris Hajdari «193 kafazet» (titull origjinal 193 kafazet) të shkrimtarit shqiptar Rezart Palluqi.

Bëhet fjalë për një libër interesant që duket të jetë shkruar për t’i rrëfyer botës tërë emocionet, ndjenjat dhe sfilitjet më intime e të fshehura të protagonistit, që në realitet mund t’i përkisnin cilitdo dhe ndodhnin kudo.

193 kafazet rrëfen ngjarjet dhe vështirësitë e një fëmije, por dhe të familjes së tij. Të përndjekur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxha, ata qëndrojnë të pafuqishëm përballë arrestimit të babait. Më vonë të keqtrajtuar nga paria dhe fqinjët e tyre, ata detyrohen ta braktisin vendin e tyre, Shqipërinë. Madje edhe pse rritet në një vend demokratik si Hollanda Ylli s’ia del ta kapërcejë dramën e të kaluarës, e cila e sfilit gjatë gjithë ditës dhe që i shfaqet si shqetësim psiqik, si dhe gjatë natës si makth. I stresuar e i pa qetë, Ylli përfundon në një tunel marramendës të mashtrimeve e të mistereve, të kurdisur nga prej vjerrit, që teksa i premtonte drejtësi, u hakmor, për të satën herë kundrejt një krijese të pafuqishme dhe të pambrojtur. Kështuqë Ylli, teksa kërkonte të rigjejë e të nderojë kufomën e babait, përfundon edhe ai si i ati, si një qënie krejt e pambrojtur.

Në të vërtetë duke lexuar 193 kafazet e kupton menjëherë që nuk është Ylli protagonisti real i ngjarjes por mendja e tij, e cila mund t’i përkiste kujtdo personi që ka qenë i detyruar të pësojë vështirësi dhe përjashtime, që një diktaturë, e çfarëdo ngjyre apo flamuri ku kanë lindur, u dikton atyre që nuk mposhten nga regjimi. Lexuesi, në fakt fillimisht, has ndonjë vështirësi për të kuptuar strukturën rrëfyese, të përzgjedhur nga Palluqi. Disa meditime të protagonistit duken banale dhe paksa të lodhshme, dhe ai që i lexon, ndjehet thuajse i ‘hutuar’ nga synimet përsëritëse që duket sikur ia heqin vëmendjen nga ngjarja kryesore e librit. Vetëm duke vazhduar leximin, mund të depërtohet në fokusin e përzgjedhur nga autori e në të njëjtën kohë kuptohet se nganjëherë është e nevojshme të ‘largohesh’ nga ngjarja, sepse ç’ka i ka ngjarë Yllit nuk është kaq e largët apo e ndryshme nga dhimbja e atyre që detyrohen ta braktisin vendin e tyre për shkak të luftës, diktaturës, varfërisë…

Megjithë mënyrën shumë ‘intime’ të të rrëfyerit të romanit të Palluqit, ai nuk harron të rrëfeje atë që ka ndodhur në vendin e tij të origjinës gjatë viteve të diktaturës të Enver Hoxhës, udhëheqësi i Partisë Komuniste. Aty ndeshim lista apelesh, arrestime, ekzekutime dhe gropa anonime të cilat janë mbushur përgjithmonë dhe në mënyrë dramatike. Janë e kaluara e një populli dhe një pjese të historisë të vendit të tij, për fat të keq ENDE thuajse të injoruar krejtësisht nga bota.

«Gjermanët kanë dhënë një shembull të madh duke i larë llogaritë me xhelatët e Luftës së Dytë botërore, ndërsa ne jo»- Dhe kur nevojitet të «hapen dosiet» për të bërë llogaritë me të kaluarën, «provon një farë përçudnimi. Sikur vrasësi t’i bënte autopsinë viktimës së tij»- thotë auori ndër të tjera.

Në roman rezultojnë interesante konsiderimet mbi aktualitein dhe fetë që autori ia beson protagonistit të librit, të cilat shkrihen aq mirë në faqet më meditative dhe poetike të romanit. Paksa të sforcuara rezultojnë dialogët me fraza ndërmjetëse pak të natyrshme dhe disi larg nga gjuha e zakonshme, dhe tejet të ngarkuara në frazat që pasojnë në disa pasazhe të ndryshme. Megjithatë faqe pas faqe, lexuesi magjepset gjithnjë e më shumë, sidomos në kapitujt që rrëfejnë mendimet e personazhit kryesor, Ylli Xixa.

Në përfundim, 193 kafazet i Rezart Palluqit rezulton të jetë një libër i mirë, që lexohet lehtë dhe është interesant.

Shtatë femrat e tmerrshme të poezisë shqipe

Utopiket e post komunizmit: Nga destinet krijuese që bashkohen rrallë në një vend për t’u identifikuar si kod, si shenjë letrare ku disa prejt tyre kanë kapërcyer edhe kufinjtë e Shqipërisë. Në një përpjekje natyrore për të qenë prezente, dhe për t’u pranuar si stil letrar dhe si një zë që kanë akumuluar sa histori personale, aq dhe të vendit që mbartin në psikë. Këto poete janë: Natasha Lako, Flutura Açka, Mimoza Ahmeti, Lindita Arapi, Rita Petro, Entela Tabaku dhe Ledia Dushi
Përgjatë vitit 2016, nga Mapo letrare janë intervistuar disa poete në siglën e thyerjes së tabuve letrare sa u takon stilit, angazhimit të tyre social dhe perceptimit të shoqërisë sidomos në raportet gjinore, si krijuese femra. Një identifikim intelektual që i ka vënë shpesh përballë kujtesës jo të lehtë për të memorizuar një histori të postkomunizmit. Nga destinet krijuese që bashkohen rrallë në një vend për t’u identifikuar si kod, si shenjë letrare ku disa prej tyre kanë kapërcyer edhe kufinjtë e Shqipërisë. Në një përpjekje natyrore për të qenë prezente, dhe për t’u pranuar si stil letrar dhe si një zë që kanë akumuluar sa histori personale, aq dhe të vendit që mbartin në psiqikë. Këto poete janë: Natasha Lako, Flutura Açka, Mimoza Ahmeti, Lindita Arapi, Rita Petro dhe Ledia Dushi.
Flutura Açka poete, prozatore, botuese ndan jetën mes Holandës dhe Shqipërisë, duke i rezistuar një gjurme letrare jo të lehtë për t’u identifikuar. Një profil letrar kompleks, poete rebele e ankthit, aktive, reflektuese që na rrëfen çfarë ndodh me ekzistencën e njeriut, asaj të gruas të quajtur “poete të tmerrshme”
Ka një ekzistencë, sidomos ajo e mundësisë për të cilën krijimtaria e Açkës i ka përkitur një vrulli që nuk nënkupton as feminizëm, as dobësinë, as rezistencën… Qartas selekton një frymë kundërshtuese, dhe jo pak herë e lëshon ironinë. Konkretisht është një shqetësim, ankth, së cilës Açka i është përgjigjur:
Mbase kjo ka të bëjë me thelbin tim, rebelizmi i natyrës sime, mbase ka gjetur të çarë diku koshienca për të “helmuar” subkoshiencën time. Jo, unë nuk jam shkrimtare feministe, madje kam bezdi nga hove që i ndajnë burrat nga gratë. As dobësi, as rezistencë. Ajo që ju lexoni si kundërshti, është përgjegjshmëri. Mbase është jeta ime që e mbështet këtë përgjegjshmëri, unë nuk kam asnjë varësi nga shoqëria së cilës i përkas, nuk pres  asnjë favor, asnjë shpërblim, asnjë mirënjohje, dhe kjo mbase e ka mprehur sensin tim të përgjegjësisë. Ndoshta në rrethana varësie, edhe mund të kisha qenë më pak kundërshtuese, si shumë kolegë të mi, të cilët janë “politikisht korrekt” dhe që e dinë se sa e rëndësishme është kjo në kohë heqakeqesh shoqërore e periudha kaotike që po kalojmë bashkë me tranzicionin e gjatë. Fundja, kjo është zgjedhje, e imja ka privimet e veta, që kurrsesi nuk është përqarje, por më ka dhënë më shumë lexues. Shkrimtari sot, pra shkrimtari i kohëve të reja, është edhe një qenie mediatike, pra më i ekspozueshëm, për shkak të ritmit dhe mjeteve me të cilat operon shoqëria sot me informacionin. Kjo sigurisht të detyron të përdorësh edhe mjete të tjera ballafaqimi me lexuesin, jo vetëm atë të kuvlisë e studios tënde të rehatshme.
Kjo sjellje ndryshe, reflektohet edhe në sjelljen ndryshe të lexuesit ndaj teje; lexuesi sot është shumë më i ndjeshëm ndaj ligjërimit tënd, edhe atij publik. Çështja është a e di ti si shkrimtar, se ke shenjën e “delegimit të zërit të shoqërisë tënde”, siç thotë Mario Luzzi? Ndaj edhe them se kjo është zgjedhje, dhe çdo zgjedhje, është e drejtë e çdokujt. Ka duar që nuk i druhen zjarrit, ka duar më të zgjuara që zgjedhin mashën për zjarrin, dhe ka duar që as i afrohen fare, e të tjera që veshin doreza dhe preferojnë ta ngrijnë kohën për veten”.  Mimoza Ahmeti, një poete subversive, duke lënë gjurmë në një kulturë meditimi, si gjuha dhe imagjinata kapërcejnë kufinjtë, për ta identifikuar si një poete evropiane.
Librin më të fundit me poezi, Mimoza Ahmeti e ka quajtur “Libri i lumturisë” duke e konsideruar një libër që kërkon botën, imagjinatën, ëndrrën që nuk identifikohet me një qëndrim ideal, besim apo njeri, qoftë kjo edhe dashuria. Ky libër i Ahmetit, në dallim nga dy vëllimet e tjera me poezi “Delirium”, 1994, apo “Pjalmimi..” 2002, i jep rëndësi jetës, si një media transmisioni pafundësie, ku funksioni social i saj është vetëm njeri, por jo gjithçka ku metafizika e kësaj poezie të re, është e lidhur me trendet e reja mendore e sjellje të njeriut të sotëm, në zgjerimin e lirisë së tij nëpërmjet humbjes së identitetit, me rënien e tij metafizike, me humbjen e gjërave më të shtrenjta thotë poetja, me të cilat ai identifikohet.
“Ky proces ndërrimi është shoqëruar me ngritje të reja, të padukshme, të brendshme, të pafolshme, njësoj si lulet e fjetura në kraharore njerëzish. Shoqëria po përpiqet të pranojë vetveten dhe të bëjë vend për veten; ajo gjendet në një pikë daljeje me një mbështetje në të shkuarën dhe me një të ardhme ende të pastrukturuar por që ajo e përpjek dhe e shkel në referencën e saj më të brendshme…”, është përgjigjur Ahmeti. Me këtë poezi Ahmeti jep edhe një kontribut në zhvillimin e shpirtit edhe brenda kulturës sonë, jo vetëm si poezi por edhe si një koncept historik e i lëvizshëm..
Vëllimin e parë me poezi, Ledia Dushi e ka në gegnisht, edhe e gjithë krijimtaria e saj poetike kështu ka rrjedhur. Në gegnisht. Mund të jetë ndër të vetmet autore nga veriu, fanatike e krijimit e shkrimit natyral të dialektit gegë. Ka shkruar vetëm poezi, ka përkthyer, ndërsa ka një perceptim gjenealogjik të poezisë si vijnë raportet me sendet, jetën, vdekjen – pa trysni të gjuhës, me gjurmë të fshehura të nënvetëdijes. Për këtë Ledia përgjigjet: “Unë vetë nuk përplasem. Mendja e njeriut është e lidhur me shqetësimet e tij. Përbëhet prej tyre, drejtohet prej tyre. Sa më i madh e sipërfaqësor shqetësimi, aq me e madhe nxitja për kundërshti.
Të menduarit në një mënyrë të diktuar, cilido qoftë burimi i kësaj mënyre, e drejton njeriun kah vështrimi i dobët. Ideologjia njëdrejtimëshe e një kohe shpresoj, të kaluar, ka diktuar ndër të tjera edhe gjuhën, edhe mënyrën e të shkruarit. Unë kam filluar të shkruaj çdo ditë mbas asaj kohe. Si shumica e atyre që shkruajnë, edhe unë shkruaj e them të vërtetat e mija. E për të vazhduar më tej, kam mjetet e mija të përzgjedhura e të dashura, nëse doni. Gjuha është njëra prej tyre, e dashur por aspak thelbësore. Asgjë nuk është ashtu siç duket, as poezia s`është ajo që duket. Nëse gjuha është mjeti, thelbësor në këtë rast është ajo çka mjeti përcjell, asosacionet, e padallueshmja me sy të lirë, shenjat, simbolet, alegoritë, këto janë “qëllimi”, rruga drejt së vërtetës, “filli i artë”, zanafilla.
Ky është qëllimi që duhet t`i shqetësonte njerëzit që janë të prirur për t`u “shqetësuar”…Pra, polemistat dhe përpjekjet e tyre kanë shkuar kot. Si gjithnjë polemistat nguten ose qëllimisht i fryjnë zjarreve që digjen kot duke nxjerrë kështu jashtë vëmendjes thelbin e sendeve. Ajo çka ishte për t`u “thyer” ishte dhe është mënyra e të menduarit në një mënyrë të diktuar pa asnjë shteg ikjeje…”
Luljeta Lleshanaku që misterin e shpjegon tek gjërat që shihen, e cila në një mënyrë abstraguese ka zbuluar gjatë gjithë krijimtarisë së saj fëmijën e diktaturës, ku rrëfimet vijnë për vendet, diktaturën, gratë “e shenjta”, personazhet historikë, pa ndarë fëmijërinë dhe në një rast të rrallë për dashurinë. “Nuk besoj se fëmijëria ime kishte ndonjë gjë ideale, por risjellja e fëmijërisë të krijon mundësinë për t’u lidhur me vizionin e pastër që kishe atë kohë për botën, ku çdo gjë kishte emrin dhe vendin e vet, një vizion që sa vjen dhe turbullohet rrugës. Por jo se është më e lehtë ta improvizosh botën përmes syve naivë të një fëmije. Nuk e di se si shpjegohet, por thuhet se shkrimtarët meshkuj, janë më të prirur se femrat për idealizimin e fëmijërisë”, është shprehur Lleshanaku.
Ndërsa në librin e saj të fundit, në ciklin e Siçilisë të impresionon me forcën e grave, me atë lloj pushteti disi pasiv mbi jetët e tyre, poezia “Kusht për t’u mbajtur mend” të duket sikur i kundërvihet thelbit të feminizmit…për të cilën Lleshanaku është përgjigjur se: “Ideja është që ne ndoshta gabojmë nganjëherë kur e identifikojmë feminizmin me pushtetin e grave në shoqëri. Nuk e di se çfarë mund të themi për atë grua, e cila me vullnetin e saj, zgjedh të jetë shtëpiake, t’u shërbejë fëmijëve dhe të shoqit, sepse thjesht aty e gjen kënaqësinë. I respektoj shumë ato gra që luftojnë për veten e tyre, për status social, por i respektoj edhe të tjerat, të cilat përpiqen të krijojnë identitetin e tyre me angazhimet e thjeshta të jetës”.
Me një krijimtari intensive në fillim të viteve ’90, duke u renditur në krijueset e para femra të postkomunizmit, Lindita Arapi gjithë arsyen krijuese, po ashtu dhe rebelimin e sheh në brendi, në veten e saj, si domethënie për t’iu përgjigjur ekzistencës, drejt pyetjes: kush jam unë. Përgjigjja janë pesë vëllime poetike, dhe një roman “Vajza me çelës në qafë”, ku përballja me të kaluarën shfaqet në tri brezni grash. Vendosur në këtë gjendje, ja përse shkruan Arapi: “Koha, ky është kushti paraprak. Koha merr një kuptim tjetër me kalimin e viteve, nganjëherë unë e quaj beteja për të fituar sadopak minuta për veten, janë këto minuta për veten që kthehen në minuta të çmuara, kur ke fëmijë për të edukuar e ushqyer, familje për të mbajtur e mirëmbajtur. Ka dy lloj tipologjish poetizuese për femrën që shkruan – ose ajo është intensivja, “e çmendura” që shërohet me fjalë, e papërshtatshme për jetën, sepse e jeton atë në krizë të përhershme, ose ajo është një “Lady” e blatuar, e latuar, e ngritur në fronin letrar sepse ashtu erdhën rrethanat.
Mes këtyre dy profileve ekziston një ushtri e tërë femrash që shkruajnë, luftojnë, sakrifikojnë veten, sakrifikojnë për fëmijët, japin dashuri, marrin dashuri, marrin urrejtje, në këtë ndërkohë japin edhe libra. Disa nga këto vepra të fjalës mund të jenë të lexueshme, disa mahnitëse, disa jo. Është e thjeshtë, puna me fjalën është punë, nganjëherë ke aty pranë “frymën” e krijimit që e ngre lart fjalën, nganjëherë jo. Unë nuk idealizoj”.
Prej më shumë se 30 vjetësh, poete dhe skenariste, Natasha Lako ka rezistuar duke mos ndërprerë shkrimin; një autore që nuk kërkon të vërtetën por thjesht ndjen në një gjendje sociale duke krijuar lirikën e saj. Thyen e para tabutë e socrealizmit, por edhe në fillim të ’90-ës. Libri i parë më ’72-in, dhe i fundit “Kundërpërfytyrimi” i pak ditëve më parë, për të cilin rrallë ndodh që kritika të reagojë në kohë reale duke e konsideruar ngjarje për poezinë bashkëkohore; një libër shqetësues që “nuk sjell hare dhe paqe…”, që e detyron Lakon të thotë:
“tani ka ardhur si duket radha e stoicizmit tim”. Në fakt, qysh prej vitit ’72, Natasha vazhdon të shkruajë poezi tani në një gjendje “kundërpërfytyrimi”, siç ajo e quan vëllimin e fundit me poezi. Në vitin ’90-të kritika  e cilëson se ka thyer tabu. Por edhe në vitet e regjimit komunist. Si e ka mbajtur këtë frymë, përse kjo rezistencë e të shkruarit? Lako përgjigjet: “Më pëlqen kjo pyetje për rezistencën e të shkruarit. Diku kam thënë se shumica e poeteve gra që kam adhuruar, pothuaj janë vetëvrarë.Vetëm kjo mund të dëshmojë se nuk jam e llojit të tyre as nga fati, as nga talenti, as nga vendi ku kam lindur”.
Si poete e gruas, femra e letrave: grua nënë, grua bijë, grua gjyshe, grua motër…e konstruktuar në një “qytet femëror” Lako thotë se “Ka shumë e shumë keqkuptime për botën e femrës deri sot, që reflektohen edhe në qëndrime letrare…Quhet ende guxim i madh ose profilizim i madh i saj kur shkruan për çështje të shtratit, gjëra që fjala vjen letërsia franceze i ka thënë dy shekuj më parë. Të lexosh qënien tënde sot, kur në vend të një pulle poste çdo njeri ka vënë në facebook fytyrën e vet, është gjë e bukur dhe e vërteta edhe më e ndërlikuar, nga e cila nuk del dot. Ka të bëjë me ekzistencën e sotme, sepse njeriu ka gjithnjë nevojë për një adresim, që të dijë dhe të gjejë veten. Mua më ka ndodhur që kromozonet të më bëjnë grua.,.jo vetëm një nga dy llojet kryesore të njerëzve, por si çdo tjetër, edhe të papërsëritshme më”.
Poetja që tronditi gjithë shoqërinë shqiptarë përmes një vëllimi poetik, mbartur vetëm në një fjalë, Rita Filipi duket se ka dhënë përgjigje me vëllimin poetik “Kënga e turmës”, të shoqëruar me skica, dhe imazhe erotike por jo më, me këngë të tilla; raporti mes intimes, erosit dhe një personaliteti krijues të poetes me pretendimin utopik për ndryshimin e shoqërisë…
Identiteti femëror përballë përvojës së saj, e shtyn Petron të thotë se: “…dëgjoj shpesh që poeti i mirë nuk ka gjini, nuk i dallohet gjinia. Nuk jam kundër kësaj pasi një mesazh universal nuk është as femëror dhe as mashkullor. Dhe shumica e poezive të mia janë të tilla. Por unë nuk vuaj as nga kompleksi, që kanë disa poete se mos ngjaj si femër. Unë jam femër dhe truri im do apo nuk do komandon një trup me organe gjenitale femërore. Instinktet e mia më tepër do ngjasojnë me instinktet e një ulkonje apo luaneshe se sa të një ujku apo të një luani. Nga ana tjetër,  ka dhe letërsi të ashtuquajtur femërore, kur tematika është e një natyre të kufizuar dhe i drejtohet në një mënyrë komerciale apo të angazhuar vetëm botës femërore.
Në këtë rast, kemi të bëjmë me një letërsi brenda kornizave. Në poezinë time është individi në përgjithësi (dhe indirekt femra, gruaja ) që përballet me dukuritë e jetës gjatë udhëtimit nga lindja në vdekje. Shumica e këtyre ndjesive dhe eksperiencave janë të njëjta si për botën femërore ashtu dhe për atë mashkullore. Ndaj poezia ime nuk ka tematikë femrën, gruan, problemet e saj; femra gruaja janë boshti rreth të cilit sillet kozmosi”.
Violeta Murati
Fenomeni në rrjetet sociale
Poezia e Entela Sorman Tabaku tashmë është shndërruar në një fenomen në rrjetet sociale, pas këtij ”testi” me lexuesin ajo sjell vëllimin poetik ”Një grusht jete sa me vdekë”, që nuk është i pari, por vjen pas një shkëputjeje prej 16 vjetësh, emigruar në Suedi; Një konstrukt i munguar për shqipen me lirizmin e saj të brishtë, Tabaku sjell një filozofi të sendeve të thjeshta, të cilave u jep frymë, jetë  në një marrëdhënie natyrore që e lë të lirë njeriun të zgjedhë; një raport mes qënies në ekzil dhe poezisë jashtë këtij konteksti. “Njё ndёr ndjenjat mё tё trishtueshme pёr njё emigrant ёshtё kur e kupton se rruga e mёrgimit ёshtё njё rrugё pa kthim. Patjetёr qё mund tё kthehesh, Shqipёria nuk ёshtё nё luftё, por nё momentin kur ikёn nisin paralelisht edhe dy procese tё pakthyeshme. Sё pari ti ndryshon vetё, nuk je mё ajo qё ike. Njё dimension i ri bёhet pjesё e vetes tёnde, unё e quaj dimensioni i dritares. Ёshtё ai dimension qё nё njё moment tё caktuar tё jetёs tёnde tё rritur ta ndalon rrjedhёn normale, tё kthen nё fёmijё qё s’mund tё shprehet siç duhet dhe tё vendos nё dritare si kundruese. Gjatё kёsaj periudhe, qё mund tё zgjasё edhe me vite, derisa integrohesh nё shoqёrinё e re me gjuhёn e vendit, derisa gjen njё punё qё tё pёrshtatet, miq, partner, etj. kundron jetёn pёrreth, veten tёnde, pa mundur tё zbresёsh nё rrugё. Nga dritarja gjithçka ka njё pamje tjetёr. Nuk je ende aty, tek jeta e vёrtetё qё nё tё mirё a nё tё keq shkon pёrpara. Kjo tё ndryshon si njeri, kёrkon shumё forcё karakteri pёr ta pёrjetuar pozitivisht.Kur mё nё fund inkubatori i dritares mbaron, nёse mbaron sepse shumё e kalojnё gjithё jetёn nё dritare, nuk je mё ajo qё ishe mё pёrpara. Kurse procesi i dytё ёshtё ndryshimi i vendit nga ike. Njerёzit, situatat, gjuha, gjithçka ndryshon gjithё kohёn. Kurse pёr ty vendi jot fosilizohet nё atё vend qё ishte kur ti ike. Dhe mendoj se nuk ka rёndёsi nёse shkon shpesh apo rrallё atje. Ky fosilizim ёshtё fenomen i gjithёvlefshёm. Dhe zhgёnjimi ёshtё i pashmangshёm, sepse sa herё kthehesh ti kёrkon atё dashurinё e hershme. Mund tё jetё edhe gёzim, kur vёren se gjёrat pёrmirёsohen, por pa ty ama. Largёsia tё jep edhe njё favor, sepse nga largёsia i sheh mё mirё disa fenomene. Por ne nuk na pёlqen qё njё shqiptar t’i kuptojё mё mirё gjёrat tona, prandaj shumicёs sё emigrantёve u thonё: “eh, ku di ti ç’bёhet kёtu, kollaj tё gjykosh nga larg, erdhёn kёta tё na japin mend, etj”. Dhe ёshtё e vёrtetё, ёshtё kollaj tё gjykosh nga larg, nё tё gjitha kuptimet

POEZIA MODERNE BASHKËKOHORE SHQIPTARE DHE PROBLEMET QË DALIN

Nga VASIL TABAKU
VIZIONI I RI MODERN I POEZISE
Poezia Bashkëkohore Shqiptare, pas viteve 1990, fitoj një vision te ri, me një evoluim tepër cilësor e cliruar nga dogmat e letërsisë së angazhuarm të Realizmit Socialist,duke shkatërruar cencurën zyrtare si dhe duke fituar kështu përmasat e mëdha të një lirie krijuese mjaft dom ethënëse dhe cilësore artistike.Në të gjitha përpjekjet e autorëve debutues, pati një hop cilësor, një shpërfaqje mjaft të gjerë të vlerave, figuracionit, shprehjes dhe mbi të gjitha të një lirie krijuese me përmasa të jashtëzakonshme.
Por pikërisht këtu lindën edhe problemet e para të keqpërdorimit të lirisë krijuese . Natyrisht pati një shpërthim emrash krijues dhe një begati poetike e gjerë.Në të gjithë këtë ghapsirë krijuese, pati mjaft abuzime, të cilat sot janë shëndruar në mani krijuesish me botime lib rash të rëndomtë, pa vlera artistike dhe mediokër.Pavarsisht kësaj, në horizontin poetic pati emra të spikatur krijuesish serioz dhe të talentuar, të cilët më mjaft art dhe profesionalizëm solën në vlerat e poezise bashkëkohore, contribute te cmuar dhe me peshë artistike, duke krijuar kështu fizionominë e re modern të Poezisë Bashkëkohore Shqiptare.
Kuptohet poetë të këtij niveli në Shqipëri numrohen me gostat e duarëve, pra janë të pakët, por tepër cilësor dhe të suksesëshëm. Një pjesë e tyre ishin të ardhur nga ish Letërsia e Realizmit Socialist,që arritën të ngrihen mbi dogmat partiake dhe deklarativizmin për të bërë një poezi modern dhe me vlera artistike, ndërsa pjesë më e madhe e këtyre kontribuesëve të suksesëshëm ishin debutues. Autorë të tillë arritën të ngrihen mbi vetveten dhe të sjellin një poezi mjaft modern, të ciltër dhe cilësore.
Poezia e këtyre poetëve shënoj një nivel të ri cilësor si dhe kontribuoi në rritjen e nivelit krijues kombëtar me risi dhe prurje mjaft të arrira, jashtë skemave dhe kufizimeve.Brezi tjetër I poetëve të pasviteve 1990 është më I pakët në numër por më I spikatur në cilësi, tëpër të clirtë e të shpenguar, të drejtpërdrejtë dhe mjaft cilësor.Autorë të tillë shënuan një arritje të re në Poezinë Bashkëkohore Shqiptare, me prurje mjaft cilësore dhe vlera artistike të mirfillta. Poezia e këtyre poetëve, është në zhvillim e sipër me rritje të ndjeshmë, sa orgjinale aq dhe e realizuar artistikisht.
VËRSHIMI I PAZAKONT I USHTRISË SË PSEUDOPOETËVE MEDIOKËR
Nuk mund të mos flasësh dhe nuk ka si të heshtësh përpara një fenomieni të tillë unikal në Shqipëri, ku qindra pseudokrijues, të vetquajtur poetë prezantohen me librat e tyre poetic që vetëm poezi nuk kanë nëpër mjedise publike, locale apo edhe në mjedise si Ministria e Kulturës.
Të armatosur me një vargëzim patetik, këta pseudopoetë botohen papushim nga shtëpi botuese kioska që mbijetojnë me sajesa të tilla botimesh.Nuk ka asnjë kriter, asnjë qëndrim professional, libra të pakorrektuar gramatikisht, me redaktime të përcudnuara apo edhe pa redactor, pa recenzentë, paraqiten nëpër përurime librash si “kryevepra” poetike.
Ligjërues cinikë që nuk I lidh asgjë me letërsinë ligjërojnë gjithë patetizëm, plotë emfazë, thua se autori në fjalë eshtë një fenomen poetic, kur ne fakt, pot ë lexosh librin vetëm poezi nuk është.Por mbi të gjitha mendoj se përgjegjësia kryesore bie mbi këto shtëpi botuese, që e “lëshojnë”dorën për hirë të fitimit, pa krijuar filtërat e domosdoshëm professional të kalimit të një libri për të fituar të drejtën e publikimit.
Gjithashtu, një përgjegjësi jo pak më të vogël kanë edhe një sërë firmash krijuese me përvojë që vënë emrat e tyre posht parathënieve panagjerike apo dhe redaktimit sipërfaqësor të librit, vetëm për të marrë ca lek nga pseudopoeti.Nuk është aspak e moralshme që emra të spikatur të botës së letrave shqipe vihen në parathënie apo si redactor të librave dështak të autorëve grafomanë e mediokër vetëm e vetëm se kanë nëvoj për disa lekë.Ky nuk është justifikim.
Nuk mund të bëhen compromise të tilla me cilësinë e botimeve shqiptare, pasi krijohet kështu një lloj konglamerati letrar aspak serioz dhe dinjitoz.Përgjithësisht poezitë e këtyre pseudopoetëve, janë sajesa vargëzimesh pa art dhe vlera poetike ose edhe plagjiatura të papërgjegjëshme njerëzish cinikë pse jo dhe dështakë, që duan të provojnë të fitojnë emër dhe të bëhen public me sajesa të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me poezinë e vërtetë.
Ndaj këtij fenomeni të shëmtuar dohet të ket reaGIM SERIOZ TË INSTANCAVE PËRGJEGJËSE, TË Ministrisë së Kulturës, shoqatave të shkrimtarëve dhe të personaliteteve të letërsisë dhe Kulturës sonë Kombëtare.Kjo gjë, e shëmton së tepërmi tablon shumngjyrëse të Poezisë sonë Bashkëkohore Shqiptare, duke krijuar deformime, përcudnime poetike dhe krijojnë shije vulgare pa asnjë interes për lexuesin e vërtetë elitar, serioz dhe me dinjitet.
KRITIKA E MIRFILLTË LETRARE NË SHQIPËRI MUNGON
Nëse do të flasim për kritikë lëtrare të mirfilltë, mendoj se kjo kritikë në Shqipëri, aktualisht mungon. Në vend të saj ka disa “qoka” të miqëve apo disa njerëzve të interesuar për autorin që bëjnë vetëm ca shënime me lëvdata. Në ndonjë rast këto lëvdata e kalojnë sensin e masës dhe e paraqesin autorin sikur të jetë një gjeni, një zbulim në fushën e letrave shqipe, kur në të vërtetë është thjeshtë një krijues I rëndomtë pse jo dhe mediokër.
Mungesa e kritikës profesioniste si për letërsinë ashtu dhe për artin në përgjithësi, mendoj se ka sjell një pështjellim të madh tëk qëndrimi estetik dhe vlerësues I lexuesit të mirfillt.Nuk flas këtu për lexuesin e kualifikuar, pasi ai di mirë ta bëjë vlerësimin e veprës së lexuar, unë flas për ata qindra mijëra lexuës të thjeshtë qe manipulohen nga gjithfarë lloj grafomanësh.
E meqë jam në këtë pikë, do të bëja apel për një qendrim më korrekt dhe racional të atyre që marrin mundimin të bëjnë shënime për librat, pse jo dhe më të përgjegjëshëm në vlerësimet që bëjnë për autorë të ndryshëm.
Në këndvështrimin tim, e gjithë kjo tablo poetike ne vend kërkon një qëndrim më rigoroz, më kërkues, më professional, për të nderuar poezinë dhe për ti dhënë asaj dhe autorëve të vërtetë vendin e merituar në Altarin e Poezisë Shqiptare.

Në kohësinë e lirizmit të poezisë moderne

Nga Anila Kruti
“Mos më pyet ku kam qenë” ,është libri i ribotuar tashmë i poetit Ilirian Zhupa ,i cili që në titull vjen tek lexuesi me kohësinë e vet ,sepse ky libër mbart poezi moderne që nuk e humbasin vlerën dhe kohën e tyre.Poezia e Ilirianit ka një empati të veçantë që në vargjet e para që lexon dhe të udhëheq drejt një universi mendimi e ndjesie fine.Mendimi ,figuracioni ,leksiku ,stilemat ,janë të zgjedhura me kujdes për të hyrë në një dialog imagjinar dhe për të gjetur veten në vargjet e tij.Diskursi poetik në të gjithë tharmin e librit e bën poetin hyjnor dhe tokësor.
Ai vjen poetik,i brishtë,i fortë, i dashuruar,i shfaqur dhe i fshehtë.Ai vjen mes tokës dhe qiellit,stinëve,ditë-netëve,me kohë e pa kohë.Libri hapet me poezinë e parë ‘Atdheu’
Atdheu zgjerohej si rrathët mbi ujëra,
Këtu poeti na shpalos një dashuri të madhe për Atdheun që sa vjen e rritet ,e cila e ka shoqëruar atë që nga vegjëlia e tij e deri tash në udhën e jetës.Po kaq intereante është zëvendësimi i atdheut si emër i përveçëm i gjithë dimensionin esencial të afinitetit ,ku dashuria është e jetshme dhe sublime,veçoj vargjet:
E megjithatë mësova kaq gjëra ,prapë në mendje më mbeti ,
‘Atdheu i parë’,zëri i nënës,lojnat ,përrallat e gjyshes…
Shpesh ,poeti identifikohet me Vjosën ,ashtu si dhe vargjet e tij,që vinë ëmbël ,pastaj rrëmbyeshëm ,më pas të lenë të mendohesh derisa të merr rrjedha e mendimit dhe të çon në universin e natyrës.I gjithë botëkuptimi i tij në një baladë,që të mbush shpirtin me muzën dhe ndjeshmërinë e vargut ,por padyshim dhe mendimit që e shoqëron gjithë poemën.Ndër të tjera tek poema Baladë për Vjosën dhe për vete,veçoj:
Dhe kalë jelebardhë që brigjeve rend
Dhe brymë e mardhur dhe erë dhe shpend.
Asosacioni i mrekullueshem i kalit brigjeve ,apo i shpendit krahasimisht me lumin të jep idenë se ai ecën i lirë bashkë me vrullin e vargjeve,epiteti jelebardhë e bën të gjithë togfjalëshin kristal ,ashtu si valët e bardha të lumit ,ku mbështjellin shpirtin e poetit dhe rrjedhën jetësore.Po kështu tek kjo poemë ,vargjet:
Gjëmon edhe flet,thërret e pisket
Dhe këngë dhe vaj dhe vdekje dhe jetë…
Tek vargu i parë shkallëzimi poetik vjen si forcë e mendimit të brendshëm ashtu si vrulli i shtratit të lumit ,por edhe shpirtit njerëzor.
Në vargun e dytë , antiteza poetike ,kënga-vaji;vdekja-jeta.Këto vargje kanë ndjesi të fuqishme dhe me anë të figurshmërisë poeti është njerëzor,ai shpërfaq destinën e njeriut .
Një tjetër poezi që të mbush me emocion,me lotë ,me ndjenjë mëmësie ,brengë dhe vuajtje ,dhimbje të përhershme duke u futur në shpirtin e poetit ,poezia :Ishe fëmijë ,shpejtove të rriteshe.
Ku mban dedikimin e shkruar -Nipit tim të vogël-
Hap sytë.Ti largohesh me vrap ,pa kuptuar.
Lë prapa veç ca shenja prej ere.
Vrapoj jashtë.S`je askund.Të kam brenda.
Ndjenja atërore ,malli dhe dhimbja ,dramaciteti ,por dhe mbartja brenda shpirtit mbartin dukshëm dashurinë e afinitetit që me vargun e tretë antologjik do të thosha ,shpreh dashurinë e terëbotshme të poetit për njeriun e dashur ,të mungueshëm fizikisht por madhështor dhe të jetshmëm,brenda shpirtit.
-Lirizmi modern si himn i dashurisë gjithë-dimensionale
Lirizmi magjik,idili i dashurisë me ngjyresa të shumëfishta emocionale ku poeti niset nga uni vetiak ,për të gjetur veten më pas në kumtin që përçon strofa, apo poezia ,vinë befasishëm ,të gjetura dhe kredo poetike mes tij dhe universit njerëzor.
Lirizëm i gjallë ,tronditës ,i jetshëm dhe herë herë vdekatar. Poeti lartëson unin e tij në emër të dashurisë njerëzore për të hyrë në komunikim me lexuesin ,sigurisht.Vargu estetik ,por edhe plot mendim udhëton me poetin,ndërsa ai është altruist,i paqtë dhe i natyrshëm.
Tek poezia Borxhet e dashurisë,veçoj vargjet:
Jam veshur hollë në këtë botë të ndjeshme,
Gjithkush që më do ma hollon veshjen…
Mungesa e dashurisë ,por edhe kumti i saj të shkrira me një ndjesi fine i japin vargjeve ngjyresa të gjalla.Poetët gjithnjë shkruajnë për mungsa ,por mungesa të trajtuara në mënyrë lakonike dhe lirike e bëjnë heroinën lirike të pushtueshme në vlerën e saj dashurore.
Nga poezia Është vonë të më mungosh,veçoj vargjet:
Më mungojnë shumë gjëra ,por ti më mungon e para.
Po,kështu mendimi filozofik ,revolta shpirtërore ndaj kohës e shoh të qepur aq bukur në dy poezi tepër domethënëse,Manikinët dhe Njeriu prej leckash ,veçoj vargjet:
Rrimë në vitrinë …
Na veshin,
Na zhvshin,
Na fshijnë.
Ne presim të qetë dhe heshtim
Se jemi manekinë .
Njeriu prej leckash
Përkulet majtas e djathtas nga shkulmat e forta të dimrit.
Shtrëngon fort kapelën mbërthyer nën mjekrën e ftohtë.
Mendoj se ,këtu poeti shpreh revoltën shpirtërore ndaj njerëzve të përshtaur me destinën e shoqërisë së asaj kohe,por edhe revoltën e tij për të kundërshtuar me forcë atë cfarë ngjet.
Komunikimi me natyrën te ciles i referohet poeti ,por edhe hapësirës kozmike ,ku spektri i vargjeve thelbësohet nga fryma e dashurise fryma.Verbi unik ku sintetizon figurshmërinë letrare e bejne poezine ta lexosh me endje .Shtjellimi i së bukurës ,me ngjyra të holla , për të vizatuar figurën delikate të femrës me vijën paralele të mështenkës si gjetje e veçantë ,poeti i sjell fluide dhe të skaliten në mendje.Veçoj poezinë:
Mos më prek
Mos më prek!
– më ka thënë një mështenkë në rrugë,
-Kam lëkurë të hollë ,
Prekja jote lë gjurmë…
Tek ky libër ndoshta ka edhe më shumë thesare dhe gjëra të pagjetura nga unë,por si lexuese dhe krijuese së njëjtës gjini letrare,mendoj që ky libër është i tërëkohshëm ,sepse poezia ka verb të fuqishëm esencial dhe estetik.Poezi të tilla si poezia e poetit Zhupa ,të shijojnë dhe lënë gjurmë në kujtesë dhe në shpirt kanë fatin hyjnor të jenë univerale.
Nga Anila Kruti

POETI DHE TURMA

Nga Rita Petro
Këndova këngën tënde turmë,
Më shumë se këngën time,
Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh nga
manipulatorët.
Këndova në rreshtin e parë,
Por ti më vure para.
Të dua se je e vërtetë,
Je e përlyer, erëdjersë, erëhashash kundërmon,
Je ndejllëse, gojëpisët, e marrë, budallaqe,
Kokëkrisur, zemërplagë, gojështhurur,
Zëfortë, potente, vullkan, e pandalshme…
T’u dhashë ty trup e shpirt,
Po në vend të dashurisë
Më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë
Me gjithçka që të dilte përpara
Se në dorë t’i jepnin manipulatorët,
Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,
Se ç’kuptim do kishte jeta jote pa mua,
E imja jo e jo pa ty.
Dhe ja ku më ke,
Lakuriq para teje kam vendosur të jem,
Duke kënduar bukurin e frikës nga mëkati
Kundër frikës që na mban mbërthyer në vend…

Flet poetja Sabina Elmazaj: Varfëria që pllakosi në Selenicë më detyroi të emigroja

Belgjika më ka dhënë shanse, Shqipëria është burim frymëzimi
Nga Albert Z. ZHOLI
Me baba me origjinë nga Çamëria dhe me nënë vlonjate, Sabina e rritur në Selenicë është rritur me këngët çame dhe me ato vlonjate. Poezia ishte e përditshme në shtëpinë e saj mes bisedave prindërore, ndaj dhe ajo qysh në fëmijëri filloi të hidhte ne fletore vargjet e para…me fillimet e emigracionit ajo emigroi në Belgjikë ku dhe krijoi familje por kurë nuk reshti së shkruari. Pikërisht në Belgjikë ajo ideoi dhe solli para lexuesve për botim librin e saj të parë me poezi  “Zemër e plagosur” që ka ngjallur shumë interes.
  • Si i kujtoni vitet e fëmijërisë dhe të shkollës?
-Ishin vite të bukura, por edhe vite të varfra. Ishin vite që si gjënë më të shtrenjtë kishim librat. Kur gjenim libra gëzoheshim pa kufi. Nga lëndët kisha qejf historinë, gjeografinë dhe letërsinë. Selenica ishte një qytet i bukur, qytet minatorësh ku  kishte dhe gjallëri. Duke lexuar libra me poezi filloi dhe dëshira ime, për të shkruar. Kur më vinte frymëzimi ulesha në tavolinë dhe shkruaja poezi. Por kisha shumë qejf të luaja dhe futboll (qesh)
-Cila ishte poezia e parë juaj?
Po, e mbajë mend poezinë e parë. Titulli i saj ishte  “Otranto”. Mbaj mend që mësuesja e leximit e pëlqeu shume kur e lexova para klasës dhe mé tha:
Sabina nëse dëshiron ta çojmë poezinë në gazetat që botojnë në Tiranë. Nuk e di si vajti puna pasi ngjarjet evoluuan.  Ja dy vargje nga poezia:  Zgjohu moj Vlorë e shkretë,/ Qiell e det po ulëret,/ U egërsua natyra dhe deti,/ Të mjerën Vlorë ç’e gjeti …
-Pse dhe si lindi ideja për tu emigruar jashtë shtetit për në Belgjikë?
-Ishin dy arsyet kryesore, ngjarjet e mbrapshta që sollën pasiguri dhe varfëria që pllakosi në Selenicë pas shkatërrimit të minierës. Pas vitit 1990, Selenica u zbraz. Nuk kishte më asnjë të ri. Iku rinia, ikën të rejat, punë nuk kishte, miniera u mbyll, papunësia arriti shifra ekstreme. Pra aty nuk jetohej më. Qyteti ku linda dhe u rrita më dukej skëterrë. Nuk shihja asnjë të ardhme. Perspektiva e jetës sime në Selenicë ishte skëterrë. Doja të arsimohesha, doja të diplomohesha.  Dhe kështu vendosa aplikoj për vizë duke pasur disa të njohur dhe të afërm në Belgjikë.
-Çfarë shkollimi ndoqe në Belgjikë dhe a e ndjeve racizmin?
Unë bëra disa shkolla profesionale si për floktore, (fizazishte) profesion i veçantë për gra, për fizioterapi. Gjithmonë kam dëshiruar dhe ëndërruar si çdo njëri të krijoja familje të ngrohtë dhe të kisha fëmijë. Falënderoj zotin për këto dhurata që më realizoi. Aktualisht kam dy fëmijë një djalë dhe një vajzë të dy në shkollë.
  • A keni ndjerë shenja racizmi në Belgjikë?
  • Jo, nuk e kam ndjerë. Nqs këtu punon dhe sheh familjen dhe punën të respektojnë. Belgjika më ka dhënë shanse në jetë, Shqipëria është zemra ime e ngrohtë që më frymëzon.
-A njihet Shqipëria në rrethet e tua shoqërore në Belgjikë?
Po njihet. Mund të them njihet shumë mirë. Për vendin tonë flasin për bukurinë, për klimën për traditat. Por nga ana tjetër thonë se është një shtet me probleme, ku ka kriminalitet dhe korrupsion. Por e respektojnë shumë si vend, pasi dihet mediat i zmadhojnë gjërat. Madje vitet e fundit thonë se qeveria Rama po punon shumë mirë.
Kur shkruan poezi në emigracion?
Shkruaj në momentet kur ndihem mirë, por dhe momente kur ndiem keq dhé s’më zë gjumi nga méndimet e tepërta. Në këtë mënyrë heq mendjen, frymëzohem më shumë dhe më ndihmon të qëndroj e fortë, të mendoj qartë dhe të shpreh atë që ndjej lirisht dhe njëkohësisht kur shkruaj, kam me vete një pjesë së ëndrrës së fëmijërisë dhe një pjesë të atdheut.
-Cilët janë shkrimtarët dhe poetët e preferuar?
-Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, ndërsa nga të huajt Cvajg.
-Ke menduar të kthehesh?
Jo, përpara kam edukimin e fëmijëve, që është qëllimi kryesor.
Synimet për të ardhmen në krijimtari?
Kam në dorë një vëllim tjetër me poezi por po përgatis dhe një monografi të jetës time.
Share:

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...