2017-05-01

Një monodramë që bën mirë për shëndetin!

Nga Anxhela Devole
Mbrëmjen e 14 nëntorit, në Sallën e madhe të Universitetit të Arteve u vu në skenë “Malkony”, një vepër e shkruar dhe interpretuar nga Taulanda Jupi (Dushku), me regji të Prof.asoc.Dr. Aneta Malaj. Premiera e monodramës i dedikohet dhe erdhi në mbështetje të secilës prej femrave që fati i vendosi përballë kancerit të gjirit.
“I gjithë inati përzier me frikë pingulet në kokën time në formën e një pyetje: Pse unë? Kush më zgjodhi mua?…” – Këtë pyetje ia drejton vetes çdokush që gjendet në vështirësi të tilla, ku mund të triumfosh ose të humbash betejën, që për shkaqe supersticioze, ndodhin atëherë kur nuk e pret.
“Kishim një dëshirë për të treguar që një pjesë e mirë e forcës tejet artistike është këtu, dhe këtu bëhet mësim dhe art. Përpos faktit që ata u bashkuan me shumë dëshirë, duke pasur parasysh mesazhin e veprës, mesazhin final të këtij aktiviteti. Thelbi është sensibilizimi. Jam e bindur që të gjithë ata që kanë dhënë kontributin në këtë monodramë, pasi e kemi shfaqur, apo kur ta rishfaqim nëse do të na jepet mundësia, në qoftë se do të jetë qoftë edhe një grua që do shkoj dhe do të shpëtojë jetën e saj, e sensibilizuar nga kjo gjë, ne do të jemi shumë të lumtur, do të ndihemi shumë të shpërblyer. Ky është qëllimi, sensibilizimi! Bravo i qoftë të gjithë kolegëve që janë bërë pjesë, bravo i qoftë të gjithë atyre që e ndoqën dhe “haram” u qoftë të gjithë atyre që nuk gjetën mundësinë ta ndiqnin,” – kështu është shprehur autorja e veprës, Taulanda Jupi, e cila njëherësh tregon se frymëzimi për të shkruar ka qenë gjinia femër.
Ajo thotë se është shumë aktive sa i përket çështjes së femrave, dhe dëshiron ta thotë fjalën e saj, e në këtë rast u frymëzua për ta thënë në këtë formë, nëpërmjet një interpretimi të ndjerë të Anës, që personifikon gjithë “Ana”-t që vuajnë nga kjo sëmundje, emri i së cilës nuk ka kombësi, pra Ana mund të jetë një shqiptare, një italiane, amerikane…
Sa i përket procesit të të shkruarit, Jupi e identifikon mjaft interesant, dhe tregon se i është dashur rreth dy vite për ta menduar, por e ka shkruar brenda dy muajve, konkretisht gjatë verës së këtij viti. “Zgjodha të interpretohej nga vetë unë për dy arsye. E para, sepse e kam shkruar me shumë dashuri, e kam përjetuar dhe e dyta, sepse më mungon pjesa e të aktruarit. Nuk më jepen shumë shance, duke qenë se jo gjithmonë biem dakord me atë teatër që bëhet në Shqipëri. Ndiej nevojën e një teatri të mirë, jo gjithmonë na jepet mundësia për të bërë teatër të mirë dhe për këtë arsye, unë zgjedh të luaj shumë pak. Pata rastin të bëja këtë gjë, dhe mendova të luaja vetë, ndoshta për ta përcjellë më mirë atë që kam shkruar”Â  – tregon më tej Taulanda, e cila është ngjitur për herë të fundit në skenë me rolin e Poncias tek “Shtëpia e Bernarda Albës”, tri vite më parë. Ajo shprehet se interpreton vetëm kur ngacmohet artistikisht dhe jo çdoherë kur i ofrohet një rol në një shfaqje.
Lidhur më përgatitjet për të vënë në skenë “Malkony”, tregon regjisorja Aneta Malaj, e cila thonë se diskutimi është bërë që herët dhe tematika i është lënë surprizë. “Nga Taulanda prisja diçka, por në momentin e propozimit prisja diçka tjetër” - thotë Malaj, ndërkohë që tregon “sekretin” vetë Taulanda, - “Priste një komedi”. “Në momentin që u njoha me këtë tekst, u emocionova shumë, edhe për faktin që tematika është shumë aktuale dhe emocionuese. Ka një përjetim shumë të madh. Mua më pëlqeu edhe për faktin që disa nga njerëzit që unë njoh, deri diku edhe njerëz të afërt, kanë përjetuar në veten e tyre një dramë të tillë të madhe. Dhe çuditërisht, ata kanë luftuar shumë. Një pjesë ia ka dalë, një pjesë tjetër nuk ka mundur. Ajo pjesë që ia ka dalë, edhe sot vazhdon të jetë, siç thotë edhe teksti i monodramës “Më të fortë se kurr딝, për të përballuar gjithçka dhe e bëjnë jetën duke u përpjekur si gjithë të tjerët pa asnjë tërheqje”.
E prekur nga kjo ngjarje, ajo tregon për ata që nuk kanë mundur ta mposhtin këtë sëmundje, dhe nuk ndalet te femrat, por te të gjithë ata që kanë luftuar dhe luftojnë me sëmundjen e kancerit. Përmend vjehrrin e saj dhe babanë, e teksa tregon, përlotet. “Në kohën që ka vdekur im atë kanë qenë vitet ’90. Nuk dinim asgjë për atë sëmundje, dhe nuk mundëm të bënim asgjë. Nuk ka pasur as kimioterapi dhe nuk ka qenë edukata e njerëzve që të shkonin dhe të vizitoheshin apo të bënin analizat çdo gjashtë muaj. Edukatë e cila ka munguar, dhe tani ka filluar kujdesi ndaj vetes te çdo person. Kryesorja është sensibilizim për të gjithë njerëzit, jo thjesht për femrën me një sëmundje të tillë, por njëkohësisht për të gjithë njerëzit, që kontrollin shëndetësor dhe jetën ta kenë primare. Të mos mendojmë vetëm për veten, por edhe për të ardhmen, për fëmijët tanë, që mos të rriten jetimë dhe për t’u treguar dashurinë e madhe për jetën, forcën, kurajon”, – ky është mesazhi thënë nga regjisorja dhe që përcillet nëpërmjet interpretimit të Taulanda Jupi.
Box
Bashkëpunëtorët e monodramës. Regjisore: Prof.asoc.Dr. Aneta Malaj, Taulanda Jupi (Dushku) Udhëheqës artistik: Alert Çeloaliaj
As.Regjisore: Albana Sançolli. Video dizajn: Albes Fusha, Ardian Isufi, Grafik dizajn; Petraq Papa, Përshtati tekstin: Rovena Lule (Kuka)
Producent ekzekutiv: Genc Përmeti, Make-up artist: Besa Kurti, Koreograf: Fjoralb Doci, Instrumentistë: Arben Llozi (violinë), Arbër Çerri (kitarë), Video dizajner: Elis Mataj, Interpretoi: Taulanda Jupi (Dushku)
Monodrama, detajet nga shfaqja e “Malkony”
Anës i këputet kënga në mes. Dhe sipas regjisores dhe autores së veprës, njeriu duhet të bëjë një pakt me veten. Njerëzit ndonjëherë janë shumë egoistë, mendojnë të bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë, janë të dhënë pas gjërave materiale dhe harrojnë më kryesoren, harrojnë të qenit njeri, të jenë të lumtur dhe mirënjohës për çdo ditë që hapin sytë. Jeta nuk duhet jetuar me urrejtje dhe egërsi. Thelbi i tekstit nuk ka të bëjë me anën mjekësore, por çfarë ndiejnë këta njerëz, çfarë përjetojnë, çfarë u shkon ndërmend, çfarë emocionesh kanë, si e ndajnë me të tjerët, si i përfshijnë të tjerët, si i largojnë të tjerët, a e luftojnë, a e pranojnë realitetin? Një luftë e brendshme. Taulanda Jupi pohon se ka pasur shancin të intervistojë disa femra që e kanë këtë sëmundje dhe në tekst ka gjëra reale, disa batuta që nuk janë të sajat, për shembull, çështja e orës “Ishte kjo orë kur e mora atë telefonat딝 (momenti kur mëson për sëmundjen). “Unë e kam reale dhe ai personazh (Ana) është mishërim i disa grave që janë në kokën time dhe unë e quaj veten si zëri i tyre, që flet në sken딝, shpjegon Jupi. “Që ne të bënim një punë vërtetë serioze dhe profesioniste, duhet që të bashkëpunonim me profesionistë. Përderisa profesionistët ndodhen në Universitetin e Arteve, nuk kishim arsye pse të dilnim jashtë Universitetit” , tregon më tej Aneta Malaj, teksa përmend edhe emrin e producentit ekzekutiv, Genc Përmeti, pa të cilin kjo shfaqje nuk do të mund të realizohej.
Pse “Malkony”?
Titulli i monodramës është vjen si një bashkim apo përafrim i dy termave “melankoli” dhe “mallkim”. Të dyja janë gjendje që përjetohen nga personazhi, një fjalë që nuk është në shqip e cila intrigon dhe sjell një gjë që nuk është as mallkim dhe as melankoli, por diçka e ndërmjetme. Kohëzgjatja e shfaqjes është rreth një orë, pasi ka një dramë dhe përjetim të madh, i cili është aktual dhe pjesë e njerëzve real.
Ballkonet Fillimi
Shfaqja fillon me një këngë dhe një atmosferë të gëzueshme e të këndshme, sepse është ditëlindja e saj (Anës) e tridhjetë e pestë. Ajo merr një telefonatë, dhe pas asaj atmosferë të këndshme përpara telefonatës, personazhi bie në një qetësi, por një qetësi që nuk është e saj, që qetësi që e mundon.
Koreografia
Fjorald Doci ka realizuar koreografinë dhe është njëherësh balerin në monodramë, i cili i jep një ton interesant shfaqjes. Një plastikë që gati-gati shtyn, si lëng, pa kocka që futet në një fustan të zi që është simboli i vdekjes. Në momentin kur Ana thotë: “Sot do të vesh një fustan të bardh딝, sepse ishte ideja e ditëlindjes, dhe po atë ditë, ajo telefonohet nga spitali për përgjigjet e analizave. Shfaqja merr një atmosferë tjerët, më të zymtë, me nota trishtimi.
Skenografia
Gjetje simbolike, bardh e zi. Nuk ka ngjyra pasi ngjyrat përbëjnë simbolika, dhe vepra ka shumë simbole, në tekst, mënyrën e lojës, ndaj skenografia ka brenda saj disa dhurata, që më vonë kalojnë në objekte e më pas në një krevat spitali. Të gjitha lëvizjet apo ndryshime të dhuratave në objekte (që janë disa karrige), të cilat transformohen në krevat, i bën simboli i vdekjes (balerini në rol).
Përballja
Tregohet gjendja emocionale e Anës, në momentin kur ajo qëndron përpara fotos me kokë poshtë, për të treguar atë përmbysje që iu bë jetës së saj dhe në fund, ky personazh i përballet asaj fotoje dhe del mbi të. Sepse jeton, doli fitimtare nga një luftë, nuk e frikëson më asgjë.

Ekspertiza që futi në burg Visar Zhitin

Partia dhe organet e punëve të brendshme Tiranë caktuan dy anëtarë LSHA, redaktorë në redaksinë e poezisë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për të bërë ekspertizën e krijimtarisë poetike të autorit Visar Zhiti
Visar Zhiti u arrestua më 8 nëntor 1979. Një arrestim që erdhi si rrjedhojë e një përndjekje sistematike, dosja e të cilit kishte vite që po mbushej nga sigurimi i Shtetit. Natyrisht, arrestimi i tij në ditën e themelimit të Partisë dhe në prag të 36 vjetorit të çlirimit, ishte përmbushje e objektivave si dhe goditje për të gjithë “armiqtë” e Partisë. Kolegët, mësues apo shkrimtarë, spiunë dhe sigurimsa kishin kohë që ndiqnin “veprimtarinë armiqësore” të Visarit. Por që të kompletohej kjo punë duhej edhe një analizë shkencore për gjithë krijimtarinë e tij. Për fatin e tij të keq, Visari këmbëngulte në botimin e poezive të tij dhe njëherësh kishte siguruar material të bollshëm, për Sigurimit, duke aluduar e nënkuptuar poezitë e vargjet e tij. Neni 55/1 i agjitacionit dhe propagandës ishte i qartë dhe çdo tentativë apo propagandë e hapur dënohej. Nuk mjaftonin deponimet, e shkruara mbetej, nga organi i akuzës ngarkoi dy vetë dy redaktorë  në redaksinë e poezisë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, për të bërë ekspertizën e krijimtarinë poetike të autorit Visar Zhiti. Raporti u dorëzua në 24 tetor 1979 dhe dy javë më pas, më 8 nëntor Visarit i vunë prangat. Në atë kohë Sigurimi i lante duart me ekspertizën e kolegëve për kolegët dhe sot akuzohet Diana Çuli, Koçi Petriti, etj për vrasjen e poetëve të Librazhdit, Vilson Blloshmi e Genc Leka. Po edhe ky raport i mëposhtëm nuk është më i lehtë se të tjerët. Pas këtij mund të përfundoje edhe në plumb, sepse kupa ishte mbushur. Ja ekspertiza që prangosi shkrimtarin dhe poetin Visar Zhiti:
“Ne, Ramazan Vozga dhe Pandeli Koçi, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe redaktorë në redaksinë e poezisë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” sipas kërkesës së organeve të punëve të brendshme Tiranë, ekspertuan krijimtarinë poetike të autorit Visar Zhiti.
Ka shtatë vjet, duke filluar që nga viti 1972, që Visar Zhiti sjell për botim librin e tij. Ky ka qenë një problem serioz për redaksinë e poezisë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Edhe pas plenumit të 4 të KQ (1973) ky letrar ka vazhduar me ndërgjegje të ecë në gjurmët e një poezie të huaj për shoqërinë tonë dhe të mbushur me ide të gabuara politike, me koncepte dekadente ose “të majta” dhe me një ndikim të hapur të poezisë moderniste reaksionare.Në të gjitha variantet e sjella në redaksi, ai ka po ato poezi, po atë koncept për poezinë, gjë që dëshmon se ai me bindje ka vazhduar të ecë në një rrugë të gabuar politike dhe artistike.
Fantazia e sëmurë, paqartësia dhe hermetizmi, ekuivokët e rrezikshëm me nëntekst politik, konceptimi modernist kanë qenë disa nga tiparet kryesore të poezisë së tij.
Duke analizuar për së afërmi dhe tërësisht poezinë e këtij letrari, arrijmë në përfundimin se gabimet e tij janë të rënda dhe bien ndesh me gjithë zhvillimin e poezisë sonë të realizmit socialist. Gabimet e tij, që reflektohen nëpër poezi, mund t’i ndajmënë 3 grupe.
Së pari, në shumë poezi ka pikëpamje të gabuara politike në vështrimin e realitetit tonë. Ta konkretizojmë këtë me shembuj nga krijimet e tij.
Në poezinë e vitit 1972 gjejmë vargje të tilla: “Dëgjo miku im, ca fjalë që dridhen/diell të dytë do të krijojmë/me gjakun që derdhet”.
Në poezinë tone dielli është simbol i Partisë i marksizëm – leninizmit, i komunizmit, në përgjithësi i idealeve tona të shenjta. Kurse ky autor thotë “diell të dytë do të krijojmë me gjakun që derdhet”. Tek ne nuk derdhet gjak dhe kjo mbetet një shpifje për realitetin tonë dhe dielli i dytë është kundërrevolucioni për këtë autor. Këtë ide ai e shpreh më hapur në poezinë “Eci” ku thotë: “E di që do të dal në një arë me diell”, pra është konsekuent në mendimet e veta armiqësore. Dhe këtë “diell” ai e parashikon të vijë nëpërmjet shkatërrimit të diktaturës së proletariatit. Për këtë flet hapur në poezinë “Homeri”: “Iliada ime lexohet kudo, tha ai (Homeri)/Iliada juaj s’ka mbaruar akoma/dhe iku …” Poema “Iliada’ e Homerit përshkruan shkatërrimin e Trojës së lashtë nga grekët një Iliadë të tillë, pra shkatërrimin tonë, pret dhe autori i këtyre vargjeve.
Në poezinë “Fytyrat” motivi është i përcaktuar në kohë dhe hapësirë, kjo të bën të mendosh që ato që thuhen, i atribuohen njerëzve tanë. Tek njerëzit tanë, te punëtorët dhe fshatarët tanë, autori sheh ambicie në sytë e tyre, sharje që varen buzëve si jargë etj, duke shtrembëruar kështu pastërtinë e figurës së njeriut tonë të ri. Ai nuk ka afeksion për këta njerëz, po për vajzat e spiunëve, siç thotë në poezinë “Gruas sovjetike” me vargjet: “Vajza jote – statujë tragjike e miqësisë/unë vajzën tënde e dua sinqerisht”.
Këto vijnë e trashen dhe në librin e sjellë në redaksi në vitin 1974. Në poezinë “Pakënaqësia ime” gjejmë vargjet: “Pakënaqësia ime s’kënaqet nga gjoksi/brinjët i thyej copë-copë si frëngji/deri në pamundësi”. Kjo është esenca e gjithë këtyre shfaqjeve armiqësore. Autori nuk është i kënaqur me realitetin tonë dhe është gati të thyejë edhe brinjët e tij, vetëm të dalë nga ky realitet, të cilin ai e quan frëngji.
Vazhdojnë këto edhe në librin e vitit 1976. Në poezinë “Natyrisht, nuk jemi gjithmonë fëmijë” lexojmë “Unë nuk çava përpara në art, sepse paskam dashur gërmadhat/por nuk më deshën/dhe s’më ndihmuan/sepse unë duke u bërë burrë/do të isha talent/i tmerrshëm! … Dhe nëpër depo e lanë zemrën time si një mi/që bren veten e vet…”Ai e ndjen veten të persekutuar padrejtësisht dhe e parandien se fundi i tij do të ishte i turpshëm. Akuza që ai bën kundër shoqërisë sonë që e shtyp këtë “talent të tmerrshëm” siç e quan ai veten, (kuptohet i tmerrshëm për shoqërinë tonë) është shpifje sepse ky pushtet i ka dhënë shkollë dhe punë, pra nuk e ka lënë “si një mi që ha vetveten” në depo, por i ka dhënë të gjitha mundësitë që të ecë në jetë si njeri i ndershëm, duke e bërë edukator të brezit të ri.
Më tej vjen poezia “Dritaret” me këto tri vargje: “Dritaret/janë britma ime që të braktiset me forcë/dhoma e errët e vetmisë”. Ja si ekarakterizon ky element armik vendin tonë “një dhomë të errët vetmie” dhe për këtë ai kërkon “braktisje me forcë” duke aluduar kështu në një veprim kundërrevolucionar. Por këtu ka edhe një farë sinqeriteti. Si element armik ai e ndjen veten të vetmuar dhe të braktisur në ambientin tonë revolucionar.
Probleme të kësaj natyre gjejmë edhe në poezinë “Fusha e betejës”, “Lagjja ime e vogël”, “Dreri”, “Macja dhe macja e pasqyrës”, “Tromba dhe burokratët”, “Studentët e Shkodrës (strofa e III), “Fëmijët e detit”, “Mermeri i ditëve dhe i statujave”, “Revolucioni”, “Baladë moderne për një skllave”, “Vrulli i mençur”. Më hapur shprehet ky element armik te poezitë “Mikut tim që punon”, “Fëmija me këpucë të mëdha”, “Djali i Rozafë Xhulisë”, ku pozicioni i tij armiqësor është i përcaktuar mirë. Kjo për faktin se shpreh “shqetësimin” e tij për një fëmijë malësor që zbret së pari në qytet dhe ngaqë nuk ka ç’të veshë ka mbathur këpucët e mëdha të të atit (në poezinë “Fëmija me këpucë të mëdha”, kurse në poezinë “Xhulia” një malësore shkon në universitet e veshur me xhaketën ushtarake që ia dhanë të vëllait, kur ai mbaroi shërbimin ushtarak. Këtu duket qartë qëllimi i tij. Me këto vargjekërkon të njollosë jetën tonë dhe shpif për mirëqenien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si gjithë popullit, edhe malësorëve tanë.
Në librin e vitit 1977 gjejmë poezinë “Do të dal kundër robërisë” megjithëse i është thënë gjithmonë që është me nëntekst, por ai mjaftonte vetëm me ndërrimin e titullit.
Edhe në librin e vitit 1978 gjen të tilla gjëra. Në poezinë “Bisedë me një punëtor për Partinë” autori ka një koncept të “vetin” për Partinë në strofën I, kurse poezia “Sfinksi” me karakterin e saj të papërcaktuar dhe në lidhje me mjaft poezi të tjera të gabuara, fsheh një mendim të poshtër. Paralele të fshehura ka edhe në poezinë “Në amfiteatrin e madh” ku lexojmë vargjet “ndoshta një djalë të guximshëm/ (ai paska fytyrën time)/e burgosë në sallën me tigra/se desh të bënte kryengritje”.
E paadresuar është edhe poezia “Poetëve që mbyllën në kullën e fildishtë” që mund të interpretohet edhe si reagim kundër poezisë sonë sidomos me vargjet “vallë ç’duhet bërë për të shpëtuar poezinë nga fati i drunjtë i dobësive?!”
Në librin e vitit 1979 është poezia “Ne 20 vjeçarët që shkuam në fshatin e ri socialist’. Poshtë titullit të saj është vënë një citat i shokut Enver. Por fundi i poezisë nuk përkon me të, bile e kundërshton. “Valle burrash me Mic Sokolin në krye” nuk ka asnjë detaj nga koha e Mic Sokolit, kështu, edhe kjo fsheh mendimin e autorit. “Njerëzit e punës “– fillimi dhe fundi i kësaj poezie janë shprehje e një anarkie të thënë troç.
Së dyti, në mjaft poezi ky pseudoletrar shpreh hapur edhe botëkuptimin e tij ideologjik të huaj për shoqërinë tonë, sidomos lidhur me rolin e artit. Kjo del në poezinë “Vagneri”. Ky është një kompozitor i njohur gjerman që ka të mirat dhe dobësitë e tij. Ai shpreh në veprën e vet protestën kundër shoqërisë borgjeze të asaj kohe, por protesta e tij është individuale dhe e mbyllur në vetvete. Ka edhe një gjuhë të vështirë muzikore për t’u kuptuar. Pikërisht këtë zgjedh si “idhull”, si mësues të vet ku element armik. Veç kësaj, kuptohet që këtu s’i drejtohet Vagnerit, por simbolit të tij, pra, artistit që është kundër rendit ekzistues dhe i bën thirrje atij “të flakë” tej jorganët e heshtjes, të thyejë llambën e zbehtë të gjumit, të nënshtrojë qentë, t’i bjerë ballit të ftohtë të mosmirënjohjes” etj. Pra, ai bën thirrje për një art që të ngrihet kundër socializmit.
Në poezinë “Kockat që kalben” (1972) gjejmë një influencë të hapur nga poezia e sotme revizioniste. Plot nëntekste të kësaj natyre janë edhe poezitë “Gurët e një lumi”, “Natë dimri”, “Mos lyeni këpucët” etj.
Konfuzion ideologjik vumë re edhe në librin e vitit 1978. në poezinë “Pjekuria” autori huton një vajzë 16 vjeçare me “filozofitë” e tij, kurse në poezinë “Lirikë me zogj dhe me burokratë” burokratizmin e sheh si fatalitet kur thotë “Lart e më lart/veç kujdes, kujdes/se lart janë edhe zogjtë naivë” dhe në fund predikon “të ecim në rrugët e vërteta njerëzore”.
Problem është poezia “Tregimet e dimrit” (1979), ku spikat tendenca drejt një poezi me prirje borgjezo-revizioniste, që shprehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë. Poezia mbart idenë e dashurisë “pannjerëzore” në dy strofat e para. Një udhëtar në një natë dimri troket në një shtëpi malësore. Derën ia hap një grua e re, e cila thotë autori “s’e ngriti fenerin të shihte se kush isha. Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut”.
Pra, malësori ynë, sipas këtij pseudopoeti, ia hap derën kujtdo, mikut dhe armikut, mjafton që ai t’i shkojë në shtëpi. Kurse realiteti ka treguar se malësori ynë s’e ka pranuar armikun në shtëpi. Mendja e sëmurë e bën këtë element armik që të sajojë edhe fener në malësi, kur dihet që drita elektrike ka shkuar kudo në vendin tonë, edhe në skajet më të largëta të atdheut. Nëntekstet kanë edhe këngët që vihen në fund në gojën e plakut dhe të mbesës.
Në poezinë “Ç’do t’i thuash Migjenit më 1937” gjen jehonë një mendim i disa studiuesve kosovarë për “subkoshiencën” në veprën e Migjenit (“Ti ‘Migjeni’ brenda teje ndjen një ulërimë ujku të përzier me yje”),“Kravata s’do të kishte kuptim/në qoftë se s’do të bëhej litari i varjes” – si ka mundësi që t’i thuhet kjo gjë Migjenit!
Në poezinë “Një çështje e errët në jetën e M. Golemit” ai përkrah një tezë të rrëzuar nga historiografia jonë dhe thotë diku se “… dhelpëria e domosdoshme/s’qenka dhelpër, por qenka luan …” pra, mjeti justifikon qëllimin.
Së treti, nga pikëpamja e konceptimit dhe e mjeteve të shprehjes kypseudoletrat përgjithësisht është në pozita moderniste, edhe formaliste. “Dëshirat e mia”, “E bukura” (1972). Flagrante për këtë janë poezitë e vëllimit të vitit 1976, tre vjet pas plenumit të 4 të KQ, kur krijuesit dhe opinioni ynë kishin dënuar me forcë shfaqje të huaja të këtij karakteri. Këtu përmendim poezitë “Përrallë e vërtetë e radios”, “Lahuta”, “Këngë me kitarë për Frederik Garcia Gorkën” (shtrembëron thelbin e poezisë së këtij autori të madh). “Mund të flasim edhe ashpër për të kuptuar bukurinë” etj. Kurse poema “Ruman partizan’ është një krijim i mirëfilltë simbolist dhe i çoroditur. Këto krijime janë shkruar sipas modeleve të shëmtuara të poezisë që kultivohet sot në vendet borgjezo-revizioniste dhe lexuesi e ka të vështirë të kuptojë se ç’thonë vargjet, cili është mendimi i autorit. Këto janë një kundërvënie e hapur ndaj mësimeve të partisë për artin dhe ndaj letërsisë së metodës së realizmit socialist, qëllimi i së cilës është edukimi komunist i masave punonjëse.
Duhet thënë se këto qëndrime armiqësore të këtij elementi armik që theksuam si në aspektin politik, ideologjik ashtu edhe në atë të konceptimit të mjeteve të shprehjes (të cilat spikatin fund e krye në krijimtarinë e tij) nuk janë të ndara me thikë, përkundrazi ato thuren me njëri-tjetrin dhe i shërbejnë njëri-tjetrit në qëllimin e këtij pseudoposti.
Pas kësaj analize, arrijmë në disa përfundime. Ky element armik është i bindur në mendimet e tij të gabuara dhe armiqësore. Vërejtjeve të redaksisë, këshillave që edhe ai ta vërë talentin në shërbim të popullit, V. Zhiti s’ua ka vënë veshin fare, përkundrazi, për vite me radhë ka vazhduar të ngulë këmbë që këto krijime armiqësore të botohen. Me këto krijime ai ka dashur të çorodisë lexuesit, të derdhë helm në mendjet dhe ndjenjat e tyre. Siç u vu re më sipër, në mjaft poezi ai shpreh hapur apo në mënyrë të tërthortë pikëpamje të gabuara politike në pasqyrimin e shtrembëruar të realitetit tonë socialist duke iu kundërvënë kështu gjithë letërsisë dhe arteve tona që militojnë në ndihmë të Partisë për edukimin e popullit. i ndikuar rëndë nga ideologjia borgjezo-revizioniste ka rënë në prehrin e një poezie të huaj dhe armiqësore për ne, që dëmton vijën e partisë.
Nëpërmjet një gjuhe të errët dhe plot nëntekste ai ka synuar të mbjellë idetë e tij kundërrevolucionare. Në raste të tjera ai është krejt i mbyllur dhe përdor figura që nuk zbërthehen dot. Këto poezi hermetike e të pakuptueshme janë në kundërshtim me orientimet e partisë për një letërsi të qartë e të kuptueshme. Ky pseudopodet me imitimet e shëmtuara të artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra për të helmuar kopshtin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën letrare.
24 tetor 1979
Visari u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak, në prill të vitit 1980, me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore. Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u “lejua” nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në SHBA.

Nga Irena Gjoni (Papas) : Një shpirt nën det

Jashtë filloi të binte shi. Ata të dy u futën brenda në lokal gati me një frymë. Sapo hynë u përplasën me zhurmën karakteristike të një mjedisi të tejmbushur. Pothuajse të dy hodhën sytë tek tavolina ku rrinin shpesh.
– Oh, qenka e zënë, – tha me keqardhje ai duke u kthyer nga e fejuara. Dy “pushtuesit” e pavetëdijshëm të tavolinës së tyre, u çuan si të kishin dëgjuar atë batutë keqardhjeje. Njeri, para se të largohej fiku cigaren e fundit në tavëll dhe bishtin e la në anë të saj. Vajza e pa. Një drithërimë i përshkoi trupin. Gjatë rrugës së shkurtër për tek tavolina e lirë, shikimi i saj u ndesh me atë të fikësit të cigares. Ajo i hoqi menjëherë sytë. Me një qetësi të shtirur vazhdoi të ecte. Në një kthim të lehtë koke (i pa vënë re prej askujt), pa befasimin e tjetrit që ndali pak hapat. Dea u ul tek vendi ku pak më parë gjendej fikësi i cigares. I fejuari u ul përballë saj. Kamarieri me një shpejtësi të rrufeshme mori dhe solli porosinë.
Ajo e kundroi nga afër bishtin e cigares. Do të donte ta merrte e ta thithte fort atë çast. Ndoshta ruante ende ngrohtësinë dhe shijen e buzëve të atij që e kishte pirë. Për sytë e Deas nuk ekzistonte asgjë përreth, veç atij bishti cigareje. Për të ishte baras “AI”. “Dashuria e parë është si ylberi, – mendoi – që ngrihet vetëm një herë në jetën tonë e pastaj e kërkojmë dhe e presim gjithë jetën.”
– Përse u hutove kështu? – e pyeti i fejuari që po e shihte prej një copë here aq të përhumbur.
– E di? – dhe ajo çoi kokën vrullshëm si e dalë prej një ëndrre. – Po bëj çudi. Gjithmonë në çastin që hyjmë te ky lokal, luhet e njëjta muzikë, – i erdhi për të qeshur me veten me atë sajesë qesharake për justifikimin e hutesës së saj.
– Nuk më intereson sfondi. Për mua nuk ka vlerë. Asnjëherë nuk e vë re. Ajo që më tërheq është objekti kryesore që gjendet tek ky sfond, – i tha i fejuari dhe i përkëdheli dorën që ajo e kishte vendosur mbi tavolinë si t’i thoshte: “Ajo që më intereson, je ti Dea ime.”
– Ndërsa për mua sfondi është i nevojshëm. Madje i domosdoshëm, – i fliste Dea dhe kundërshtimi po i jepte kënaqësi. – Prej tij varen shumë gjëra, – vazhdoi ajo. – Mund të jetë një pikturë e mrekullueshme në një sfond skandaloz dhe gjithçka të duket e pavlerë. Si mund të jetë edhe e kundërta.
I fejuari mohoi duke këmbëngulur në mendimin e tij për pavlerësinë e sfondit.
– Shih aty! – i tha Dea duke i treguar një pikturë të varur në mur. – Të lutem, më përcakto sfondin dhe objektin kryesor të asaj pikture! – foli me një cinizëm përzier me ironi dhe me një ton profesori ndaj një shkollari të rëndomtë.
Në pikturë ishte një peisazh deti të dallgëzuar dhe dy pulëbardha paksa të veçuara. Gati mikroskopike para përmasave të pikturës. Megjithëse ishte një bisedë e nisur kot, Dea donte ta sfidonte në mendim të fejuarin e saj. Ai s’po gjente një përgjigje dhe ajo preferoi të fliste vet:
– Është një pikturë e ndërtuar pothuajse nga sfondi. Objekti kryesor nuk duket lehtë. Megjithatë unë e shoh, – i fejuari vazhdonte të heshtte. Edhe Dea heshti dhe filloi të ngacmonte ëmbëlsirën duke shkarravitur mbi krem pa futur asgjë në gojë. La pirunin dhe mori në dorë bishtin e cigares që qëndronte në anë të tavllës. Duke ia ngulur sytë, vazhdoi mendimin e lënë përgjysmë: – Megjithatë unë e shoh. Është një shpirt nën det… . Po përpëlitet për të dalë në sipërfaqe… . Por ai nuk mund… . Ngelet nën det… . Në sipërfaqe duken vetëm dallgët shkaktuar prej tij… . – Ajo vendosi bishtin e cigares mes dy gishtave. Duke e rrotulluar mes tyre, pa në fundin e tij. Aty, nga përthyerjet e filtrit, dalloi që u krijua një shkronjë “D”. Diçka i lëvizi brenda shpirtit. Ishte loja e tyre e preferuar. Sa herë që AI pinte cigaren, Dea ia rrëmbente filtrin për të parë shkronjën në fund të tij. Nuk i kujtohej kush dreq ia kishte treguar atë sekret të vogël lozonjar: AI që kishte pirë cigaren, ishte i dashuruar me një person, emri i të cilit fillonte me shkronjën e krijuar prej përthyerjeve të filtrit në rrotullim. Të dyve u pëlqente ajo lojë. Ende filtri ishte i dashuruar me shkronjën “D”.
– Ej, ç’po bën? Po kërkon të zbulosh sekretet e atyre që kanë të njëjtin vend uljeje me ne në këtë lokal? – e pyeti i fejuari. Dea qeshi hidhur duke vazhduar të rrotullonte filtrin.
– Çohemi? – i tha ajo në vend të përgjigjes.
– Ha, të paktën ëmbëlsirën, – iu lut ai duke treguar ëmbëlsirën e paprekur, por vetëm të shkarravitur, – ti vdes për to.
– Nuk më hahet dhe po më zihet fryma nga gjithë ky tym cigareje, – dhe u çua vet e para pa pritur aprovimin e tjetrit. Filtrin e cigares e mbylli në grusht duke e marrë me vete. Brenda lokalit la shpirtin që vazhdonte të përpëlitej nën det duke krijuar dallgë. Sikur të mos ishin ato dallgë, do mendonte se shpirti ishte mbytur. Të paktën egzistonte, paçka se nën det.
Dolën jashtë. Era i frynte në të kundërt dhe flokët iu përplasën në fytyrë. Ndjeu se ato mbanin erë cigareje. “Si dikur” – mendoi Dea. Vuri re ngjyrën e tyre. E verdha iu duk më e theksuar. Ndoshta kishin ngelur në to gjithë filtrat e cigareve që kishte pirë AI. Në dorë vazhdonte të shtrëngonte bishtin e cigares. . .


Nga Entela Kasi : Shqipëria e përjetshme në veprën e Kadaresë

Që në fillim, ideja se Kadare kishte projektuar librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’, me bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni, u bë çështja dhe teza ime kryesore e këtij studimi. Mendimi se ai ndërtoi tempullin e letërsisë universale duke shkruar  veprat e Shqipërisë së përjetshme, më bënte të besoja se ai me vetëdije u shndërrua në një shërbestar apo murg të saj.
Gjithmonë dëshira për ti lexuar shkrimtarët, ka qenë prirja e lexuesve kudo qofshin ata në cepat ndritur apo të harruar të botës, pavarësisht gjuhëve dhe origjinave të tyre. Lexuesi, qoftë ky i zakonshëm apo i specializuar, kur është përballur me vepra të mrekullueshme të letërsisë, ka mbajtur përgjithmonë fuqinë e bukurisë të saj. Bota njerëzore e mbushur me psiqikë, shpirt dhe mendime ka vendosur kështu shkëmbimin e saj me banesën e përhershme të njeriut, planetin. Gjuha me të cilën është endur njeriu në tekste, mbushur me fjalë, thurur prej shkronjash, shndërrohet në gjuhën e universit ku kufijtë e gjuhëve shemben sikur të mos kenë ekzistuar, e të krijohet bindja se fuqia e krijimit të letërsisë të ketë sfiduar shumë-gjuhësinë e kufizuar.
Nga Buzuku tek shkrimi i veprave të letërsisë, në retrospektivën e kujtesës, qëndron përpjekja për të dokumentuar dijen për shqiptarët. Rëndesa e kësaj dije autentike, dëshmohet prej Buzukut, pikërisht në Kolofon, cituar në këtë fjali të shkruar prej tij. ‘Gjithë atyne t arbëneshëve gji ta marrënë me e xgjedhunë e me xanë’[1] Ndërsa Kadare në shekullin e XX-të  do të shkruante romanet e Shqipërisë së përjetshme, duke u kthyer pas në historinë e Shqiptarëve.
Të lexosh Kadarenë si shkrimtar, kupton se temat që ai përzgjedh dhe koha që ai risjell në letërsi, i takon çështjeve të identitetit të shqiptarëve në historinë e tyre. Shqipëria historike do të bëhej cikli i romaneve që e krijuan shkrimtarin[2]Këto romane nuk janë vetëm letërsi, por një dëshmi e Shqipërisë, një dëshmi për historinë e saj. M. Druan, sekretar i akademisë së Francës dhe A. Plantey, do ta shikonin me këtë vështrim veprën e Shqipërisë së Kadaresë, i cili i ka bërë një shërbim jo vetëm letërsisë botërore por vendit të tij veçanërisht. Kadare do të mund të projektonte librat e Shqipërisë historike pikërisht në ‘post Age of liberation’. Ai krijon bllokun e romaneve të Shqipërisë, në kohën kur vendi gërryhet nga revolucioni. Ai ndërton tempullin e letërsisë universale duke shkruar  veprat e Shqipërisë së përjetshme.[3] Ndërsa propaganda krijon histori masive, krijon psikozën kolektive të masave Kadare hedh baza të tjera, pasi me vetëdijen më të lartë ka kuptuar lëvizjen rrethore të kohës, qarkun e saj ciklik. Presioni politik asgjësues është i pafuqishëm përballë gjenisë krijuese të shkrimtarit!
Duke shkruar këto libra të historisë së Shqipërisë së përjetshme, ai vazhdon atë që pa frikë do ta quaja shkolla e nacionalizmit të letërsisë shqipe.
Ndërsa hebrenjtë pas holokaustit dhe armenët e pas gjenocidit, i kthehen etnisë së tyre duke e përdorur këtë argument historik në rilindjen e etnisë së tyre, me bllokun e romaneve të lartpërmendura Kadare  ndërton etninë e Shqipërisë së përjetshme. Kjo etni është boshti i Shqipërisë historike.
Me anti-otomanizmin në të vërtetë ai i rikthehet identitetit të etnisë kombëtare në periudhën kur internacionalizmi ishte bërë parimi i bllokut lindor të shteteve ku identiteti tkurrej e rrudhej prej perandorisë komuniste e cila degjeneroi në diktaturë të egër.
Ai heq paralele midis perandorisë otomane dhe perandorisë komuniste. Sipas tij, të dyja perandoritë vijë nga lindja, dhe popujt e lindjes janë vazhdimisht në përballje me rrezikun  dhunës, gjenocidit, shpërbërjes, shuarjes.
Ai sjell frymën kundër asimilimit të identiteteve në periudhën e perandorisë komuniste. Ngjarjet që ai i vendos në historinë e Perandorisë osmane na udhëheqin në kohën e shkrimit të veprave. Ka një dy-kohësi të habitshme. Një të kohës në të cilën vendos ngjarjet dhe një të kohës në të cilën shkruhen veprat.
Këto romane historikë njëkohësisht janë romane të letërsisë botërore. Të përkthyera në shumë gjuhë të botës, këto romane kanë tërhequr vëmendjen e botës letrare të shekullit të XX.
Kompozicioni i tyre, përshkrimi i mjedisit, alegoria, kodet e fshehta të leximit, kanë bërë që kritika botërore ti qaset Kadaresë, duke zbuluar përmes mjeshtërisë së autorit, dëshmi të historisë qindravjeçare të Evropës së ndarë më dysh, midis lindjes dhe perëndimit prej një kohe të largët, në periudhën e dy perandorive të lindjes, së cilat në rënien e  tyre do të sillnin edhe luftërat botërore. Në fakt luftërat kishin nisur pikërisht në këtë rajon përgjithmonë të tronditur.
Shqipëria e mjedisit të Ballkanit modern të shekullit të XX-të me rrënjët në qytetërimin e hershëm Ilirik, është arkeologjia e shtratit arketip, të mbushur me vepra të letërsisë botërore. Gadishulli është bërë përjetuesi dhe dëshmuesi i ngjarjeve universale. Ati i tragjedisë, Eskili ka jetuar këtu së bashku me dramat e humbura. Këtij humbësi të madh vetë Kadare i ka kushtuar një ese si një rrugë për ti kumtuar botës së shekullit të ftohtë rënien e qytetërimit në një verbërim izolues.
Kadare si pararendësit e tij letrarë, shkruan veprat e Ballkanit modern të perandorive lindore ku nën sundimin e tyre janë shformuar, rrezikuar të shuhen etni dhe kombe dhe popuj.
Akademia Franceze dhe  përfaqësuesit zyrtarë të saj janë shprehur, se Shqipëria përmes magjisë së stilit ka hyrë në historinë e përjetshme. Shqipëria historike është një vlerë e pamohueshme në romanet e Kadaresë.[4]
Duke kapërcyer rajonin e Ballkanit, duke u bërë pjesë e tërësisë evropiane, duke iu bashkëngjitur letërsisë botërore Kadare padyshim mbetet shkrimtari universal. Letërsia mbetet atdheu i tij i përhershëm  pavarësisht etnisë e cila e gjendet në themel të veprave të tij si peshë e rëndesës. Ai ka fuqinë ta shndërrojë letërsinë e tij në një letërsi universale, duke mos dëmtuar as njërën as tjetrën. Ekuilibri midis lokales dhe universales duket sikur të jetë shkrirë në lëndën që mban peshën e arkitraut të ngrehinës së totalit në veprën letrare të Kadaresë.
Letërsia e krijuar në Evropë, nga Mesdheu në veri të saj dhe nga lindja në perëndim do të mbetet një pasuri e jashtëzakonshme për kulturën e Evropës. Në të gjitha kohët shkrimtarët e Evropës, Homeri, Eskili, Virgjili, Ovidi, Dante, Servantes, Shekspiri, Hygoi, Gëte, Dostojevski, Kafka, Kadare, do të mbeten përgjithmonë një pasuri e saj.
[1] Buzuku, – Kolofoni
[2] Përcaktim i imi në lidhje më këtë studim si çështje e temës
[3] Përcaktim i imi, si çështje e këtij studimi
[4] Henri Amovorox, Akademia Franceze


DOSJET KRIMINALE TË TIRANËS, JANË EDHE DOSJET E PRISHTINËS…

Xhejlane Kaçiu Dosjet kriminale të Tiranës, janë edhe dosjet e Prishtinës…

Disa mendime rreth romanit të Rezart Palluqit, 193 kafazet.
193 kafazet, një roman me gjuhë të pasur,me një temë komplekse të trajtuar me shumë kujdes,ngjarje të zhvilluara në kohë të gjatë por të përmbledhura bukur. Personazhet e kompletuara dhe sidomos kryepersonazhi e bëjnë veprën edhe më madhështore. Ylli, një poet shqiptar dhe një kuzhinier universal, dy profesione që atij i kujtojnë atë që më së paku e dëshiron, atdheun. Loja me yjet në fillim të romanit e ka efektin e vet dhe gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjeve nuk bëhet asnjëherë e tepërt. Duke filluar me yjet e flamurit amerikan, për të vazhduar me yjet e qiellit e me yllin komunist shqiptar i cili bëhet ”mollë sherri” për Yllin.
Libri edhe pse bën fjalë për periudhën e diktaturës në Shqipëri, shumë lehtë do të mund të pasqyronte vitet 1981-2015 ne hapësirën shqipfolëse të Kosovës.
Po i referohem direkt një paragrafi te romanit, për të ilustruar cka thashë më sipër:
“ Kjo qeveri po bën aq shumë potere, po mburret, po krekoset si gjel deti për zbulimin e eshtrave,por sa për përgjegjesit e zhdukjes së të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm po flitet pak ose aspak.Madje besoj se gjysma e dosjeve janë zhdukur me porosi prej vetë spiunëve dhe ish-funksionarëve të lartë hoxhistë.Kur bërtasin si tellallë : “Të hapen dosjet për t’u distancuar nga e kaluara.”,mua më vijnë zorrët në fyt. Është sikur vrasësi t’i bëj autopsinë viktimës së tij ose të kërkosh të vërtetën në një arkivol bosh. Mbas vitit nëntëdhjetë kanë lindur tre breza të rinj dosjesh ,pra një mal i ri me krime.Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse dosjet e diktaturës do të ishin hapur fill mbas rënies së saj.”
Edhe gjashtëmbëdhjetë vite pas luftës, këta tanët këtej kufirit, krekosen se do t’i gjejnë eshtrat e të vrarëve.Vetëm përmendet një padi kundër shtetit serb, padi kjo e cila është e pavlefshme pasi është shpërbërë gjykata e Hagës. E sa të tillë u vranë, që vetëm emrin e personazhit të 193 kafazëve,Ylli, nuk e kishin. Dhjetëra të tjerë po lihen ende të vdesin prej urie ,sa e sa të tjerë kërcënohen ose blihen? Bile këta të fundit e përbëjnë shumicën bashkë me ata që lëpihen.
Unë nuk isha ende as 5 vjeç në kohën kur shpërtheu lufta, por duke parë se çka bëjnë ish-“komandantët” e UQK-ës, edhe tash 16 vite pas luftës, sado ta kem imagjinatën e zhvilluar, prapë nuk mundem as ta paramendoj se çka kanë mundur të bëjnë atëherë kur ishte Luftë (nuk thotë kot populli “si në luftë ma”).
Zërat e viktimave kanë hasur shumë në vesh të shurdhër edhe këndej nga ne. Disa prej tyre janë : Ukshin Hoti ( i zhdukur, i gjallë apo i vdekur; spekulimet nuk kanë fund),si Jusuf Gërvalla që u ndoq edhe jashtë kufijve, apo Dino Asanaj në rastin e të cilit policia i dha vulën idiotizmit të vet duke e quajtur vetëvrasje ndërkohë që ai u gjend në një dhomë hoteli me trupin shoshë të shpuar nga plot 11 të rëna thike.
Këta mund të mos jenë dhe sigurisht nuk janë të vrarë për qëllime të njajta, por prapë mbeten raste vrasjesh të dyshimta për të cilët ELITA politike di më shumë ,i dinë edhe fajtorët e padënuar si në rastin e babait të Yllit XIXA në romanin e Palluqit.
Jo më larg se katër muaj më pare, thuajse u ndoqën nga shtëpitë e tyre, mbi 35 mijë kosovarë. Kufijtë u hapën si dyert e stallave të derrave. Kemi të bëjmë pra, me të njëjtat plagë shoqërore, paçka se personazhit tragjik të romanit 193 kafazet, Yllit, iu desh të arratiset përpara 35 viteve. Nuk ishte ose është pra vetëm Ylli që përballet me problemin e atdheut dhe flamujve mashtrues, me të cilët ai në shenjë proteste bën mbathje dhe shami hundësh. Të njëjtin mashtrim e përjetuan pak kohë më parë edhe vëllezërit e tij kosovarë.
Tani po ju jap një citat tjetër nga romani në fjalë.
Cit nga 193 kafazet :”Së fundi ime ëmë u ndje e lumtur ngase mund të falej e lirë përsëri pas aq vitesh ,që kur diktatori Hoxha ,në vitin 1968,e kishte shpallur fenë zyrtarisht të ndaluar duke e shndërruar atëherë Shqipërinë si vendin e parë ateist në gjithë botën”.
Shtet laik jemi shpallur nga e nderuara dhe shumë e respektuara zonja presidente, megjithate ezanin dhe këmbanat janë në proçes për t’i ndaluar. Çka t’i themi tjetër kësaj pune veq “luja diktaturë luja”.
Edhe në kohën e xhaxhit Enver kishte izolim, por atë kënaqësi që e shijonte ai, nuk ju mungon as këtyre tanëve me pasaporta diplomatike, që bredhin botën anembanë ndërsa neve s’na lënë ta qesim as hundën më larg se në Serbi. Që dorën në zemër, po të mos ishte e shkreta Luginë, më mirë do të ishte ta mbyllnin atë kufij me mure 100-metërshe te lartë.
Një ndër tre shtëpi, në mos më shumë, e ka një nënë Florë që vuan në të zeza, siç është edhe NËNA FLORË e kryepersonazhit Ylli Xixa, në roman. Apo një personazh, si Bardhi, i Palluqit, ka Kosova sa të duash, që bëjnë tregti me pushtetarët sa herë të shohin leverdi, tradhtojnë shokët e tyre të fëmijërisë, siç ndodh në rastin e KRYEPERSONAZHIT, Yllit me Bardhin.
Nuk po e zgjas fort me personazhet e tjerë mjaft intrigues dhe të pafytyrë, si ish shefi i sigurimit hoxhist, Viktori, dhe vajza e tij jashtmartesore, ose gruaja e Yllit, Zhaneta, mbasi MBI ta, mund të shkruhen shumë romane të tjerë. Pa harruar këtu Alketën, lajmsen e Yllit, apo spiunin familjar, xhaxhain e Yllit.
Nuk ia vlen të flasim, sepse të gjithë e kemi dikë që është rehatuar për vete dhe aq i bën edhe nëse i del flaka Kosovës. Si, Shpëtimi, jetimi, që kemi shumë të tillë midis nesh. Ylli ia ka vënë birit të tij të vetëm këtë emër, me shpresë që ardhmëria jonë të paktën të shpëtoje. Nuk i harrova as miqësitë por çfarë vlen të përmendet te shoqëria që ndahet si me thikë në dy pjesë: njëra mundohet të të udhëzojë me aq sa ka takatin dhe tërhiqet, ndërsa tjetra provon të të bëj si veten e saj, përndryshe nuk të sheh ose pranon në vatrën e miqësisë së saj.
Thënë në pak fjalë: ish-diktatura e atyre andej nga Tirana, i përcjell këndej nga ne, ende frutat e saj të kalbura ose vrastare, por që NE fatkeqësisht, i shijojmë si fruta të freskëta atdhetare…
Xhejlane Kaçiu/ studente e fakultetit filologjik të Prishtinës

Si dallova diferencat midis “budallait” dhe të çmendurit!

Nga Altin Bamllari
Mos.., goma e makinës! Ç’të bëja?! Edhe kjo më duhej, ndërkohë që po nxitoja të kapja lajmet e orës 19:30 për zgjedhjet në Dibër.
Zbres shpejt e shpejt për të vendosur rezervën dhe në nerva e sipër nuk po gjeja dadiçekët (vidat që shtrëngojnë rrotën).
Turfulloj nga inati që po humbas debatin mes kandidatëve për postin e Shukriut dhe as ia kam idenë ç’duhet të bëj. Ndodhem përballë spitalit Nr. 5 dhe matanë rrethimit një banor i spitalit ka gjithë kohës që ndjek veprimet e mia.
Shoh majtas-djathtas, hap celularin dhe e para gjë që më vjen në mendje është të thërras dikë për të më ndihmuar. Ku i dihet, them me vete, humbas lajmet e Dibrës, por mbase kap këto të hashashit në Tepelenë.
Pikërisht në këtë kohë, banori i 5-ës më afrohet dhe më thotë njerëzisht:
-Nëse je me nxitim, hiqu gomave të tjera nga një dadiçek, vendosja rezervës dhe mbaron punë!
E shoh gjithë dyshim këtë njeri dhe sa s’po pëlcisja që nuk më shkoi në mendje. I kënaqur që po gjeja zgjidhje i drejtohem:
-Po që s’qënke dhe aq budalla ti!
Ai më vështroi ftohtë e ma ktheu:
-Budalla je vetë! Unë jam vetëm i çmendur.
Kishte të drejtë. Isha vërtet një budalla…!

Më iku trishtimi. Se fola me nënën…

Nga Agim Xhafka
Kur je jashtë Shqipërisë çdo ditë të troket malli si breshër kokërrmadh. Për njerëzit më të dashur së pari. Për motrën,më të dashurën,më të përkushtuarën. Ndaj rrëmben kompjuterin dhe në skype bla,bla,bla. E qesh ,e qesh,e qesh.
Po njësoj me vëllain, hallën, xhaxhain, shokët, miqtë,…
Pastaj të vjen si vegim nëna, si valë e butë deti, si vello që bije mbi supe të lakuara nusesh e…ngec. Në grykë të bëhet komb. Nuk të shpëton as skype,as celulari. Nis e si fillim të dridhet buza,sytë njomen e malli vërshon në tru si magmë vullkani.
Fryma ndalet,nis vetiu monologun. I vetmi që të shpëton. Ilaç i shpirtit:
-Nëna ime e bukur,nuk të kam dashur sa më ke dashur. Nuk dhashë dashuri sa më dhe. Nuk të dëgjova sa më dëgjove. Nuk këndova sa më këndove. Nuk të ledhatova sa më ledhatove.
Po,e vërtetë,kështu ndodhi. Bërtisja kur më këshilloje. Plot nerva kur më kërkoje të shkoja një herë për qumësht a vajguri. Të nënvlerësoja kur më shaje për cigaren. Britma në qiell kur nuk kishe ca të holla për mua si pare xhepi.
Nënë unë e di që më ke falur,por veten e dënoj çdo ditë. Se do derdhja dy pika lot më pak po të të dëgjoja më shumë. Por mos u merakos. Se u bëra i mirë. I drejtë e punëtor. I respektuar e i nderuar. E lashë cigaren. Edhe alkoolin. I lashë të gjitha veset. Dhe doja të ishe gjallë që të mburresha.
Por ti më dëgjon. Se ky rrëfim është shmallja me ty. Ja,tani ndjehem mirë. Më iku trishtimi. Se fola me nënën. Do lidhemi prapë nesër. Mos e mbaj mbyllur “telefoni”!
Natën,mëma ime bukur. Good night,i themi në Amerikë. Mos u mërzit se do të t’i mësoj ca fjalë anglisht. Pa merak.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...