2017-07-15

Roli i Sigurimi i Shtetit në sherrin e PD-së ?!



Nga Nebil Çika

Media botoi këto ditë një “peticion” të disa anëtarëve te PD-se ne Korçë e ne Vlorë qe kundërshtonin zgjedhjet për kryetar te PD-se ne 22 korrik . Ky rezultoi një lajm i rremë pasi shumica e atyre qe kishin emrat ne listë deklaruan se firmat e tyre ishin te falsifikuara gjë qe ka hapur një problem qe shume njerëz e mendojnë një pjese deklarojnë publikisht por qe me sa duket nuk po merret ende seriozisht nga PD-ja : Prania e Sigurimit ne “sherrin” e brendshëm ne PD.
Disa dite me parë kryetari i PD-se Lushnjë Myslim Murrizi denoncoi publikisht faktin e pranisë së agjenteve te ish policisë sekrete politike te komunizmit ne zhvillimet aktuale ne PD dhe kërkoi qe te gjithë drejtuesve e deputetëve të PD-së tu kërkohej dhe publikohej certifikata e pastërtisë se figurës qe vetëton bashkëpunimin apo jo te tyre me Sigurimin e Shtetit një mase qe PD-ja duhet ta kishte marre me kohe por qe fatkeqësisht nuk e ka bere edhe 27 vjet mbas krijimit te sajë.
Grupi anti-Basha ne PD ka shume emra te përfolur ne vite si bashkëpunëtor te Sigurimit te shtetit bashkëpunim qe një pajise te tyre ua ka bere publik vete PD-ja. Pjesa tjetër ajo e përfolur edhe pse ka pas detyra te larta ne PD i kane injoruar akuzat publikë megjithëse e kane pasur mundësinë ta bëjnë ketë zyrtarisht duke publikuar certifikatën e pastërtisë se figurës. Kjo mungese transparencë e lidhjeve te drejtuesve te larte te PD-se me sigurimin e shtetit dhe krimet e komunizmit ka qene dhe mbetet një nga problemet e PD-se ne raport me publikun dhe elektoratin te saje sidomos gjatë drejtimit te saje prej Berishës . Z. Berisha e kishte informacionin e duhur ne dispozicion për lidhjet e njerëzve te tij me Sigurimin e Shtetit por e përdori ne mënyre permanente, jo për ti larguar nga drejtimi e përfaqësimi i partisë dhe qeverise se tij por për ti mbajtur nen kontroll ata , ndoshta i mban ende . U mendua qe Basha ne krye te PD-se do ti largonte ata gjë qe ja kam kërkuar edhe vete publikisht dhe ne mënyre kofidenciale .Nuk i dha rendësi apo nuk mundi ketë nuk mund ta dimë me siguri por tani jemi para faktit ku kjo “pamundësi” ju kthye ne një bumerang te madh . Sot ai po përballet jo vetëm me njerëzit por edhe me metodat e Sigurimit te Shtetit dhe listat e falsifikuara te kundërshtarëve te tij brenda PD-se janë prova me e mire për ketë .
Por sigurisht qe “mëkatari” i vetëm për praninë e konsiderueshme te spiunëve te sigurimit ne PD nuk është vetëm Berisha. Basha gjithashtu përkrahu e ngriti ne kupolën politike te drejtimit te partisë se tij disa prej tyre te përfolur apo te vërtetuar publikisht si te tille madje edhe ne listën e tij te deputeteve qe tani i kane dale kundër . E beri vet apo ja imponuan, këtë duhet ta sqarojë ai, por fakt është se një pjesë janë rreshtuar pro tij, politikisht dhe mediatikisht dhe po e dëmtojnë me shume se ata qe i kane dalë kundër .
Nuk e di ne ka zënë mend apo jo por ne se ai vërtet dëshiron ta ngrejë PD-ne pas zgjedhjes duhet ta filloje pikërisht këtu , tek spastrimi nga spiunet apo me mire te themi tek çlirimi i PD-se nga Sigurimi i Shtetit. Për këtë ne i ofrojmë përvojën tone tek Shoqata Antikomuniste e te Përndjekurve Politike pasi edhe ne në një fare mënyre kemi vuajtur te njëjtin fenomen me PD-ne. Një nga pikat e statutit tonë qe nga viti 1994 është kushti që drejtuesit , anëtare te Këshillit Kombëtar ( kryesia kombëtare dhe kryetar e sekretar dege ne te gjithë vendin ) te mos ishin bashkëpunëtorë te Sigurimit te shtetit gjë qe nuk ishte bërë e munduar deri tani edhe për shkak te mungesës se një institucioni qe mund ta vërtetonte zyrtarisht këtë .Mirëpo me ngritjen dhe funksionim e Autoritetit te Hapjes së Dosjeve të Sigurimit qe pas zgjedhjeve te reja ne muajin maj ne po e vëmë ne zbatim këtë ne dhe shumica e drejtuesve tanë e kane marre apo kane aplikuar për ta marre certifikatën e pastërtisë. Kush nuk e merr dot i ndërpritet mandati automatikisht . Ju garantoj qe funksionon .Besoj se kjo i duhet me shume se gjithçka edhe PD-se . Duhet te kishte qene kusht qe tek kandidatet për kryetar. Basha jo pasi ai ka qene nen 18 vjeç ne vitin 1991 , Selami me pa tjetër. Por kjo mund te behet edhe pas zgjedhjeve . Mendoj se është domosdoshmëri për politiken veçanërisht për PD-ne lustarcioni. Ajo duhet te pres çdo lidhje me PPSH dhe Sigurimin pavarësisht kostove apo djegieve qe mund ti vijnë personave te veçantë prej saje . Këshilli Kombëtar i PD-se , drejtuesit kryesor te saj , deputetet , kryetarët e bashkive etj përfaqësues duhet te kalojnë filtrin e pastërtisë . Basha, PD-ja janë te dënuar ta bëjnë këtë për të shmangur shkatërrimin përfundimtar te tyre .
Sigurisht qe tek kundërshtaret e Bashës ne PD mund te këtë edhe një pjese qe nuk janë lidhje te sigurimit por kanë arsye te tjera te kenë ketë qëndrim . Ajo qe un nuk kuptoj dot tek këta është fakti pse ndodhen ne te njëjtat lista me spiunët e sigurimit dhe pse nuk reagojnë publikisht kur skenarë te tille si lista e falsifikuar te Vlorës, modele te ish komiteteve te shpëtimit publik te vitit 1997, i serviren publikut ne emër te tyre . Ky ne mos është një bashkëpunim është një kompromis jo moral , jo parimor me Sigurimin dhe bashkëpunëtoret e tij . Ata duhet te distancohen ne se nuk janë pjese e këtyre pisllëqeve komuniste . Ne se do te isha anëtar i PD , edhe sikur te mos isha me Bashen duke parë nga kush dhe si po tentohet te largohet ai ne kareu i PD-se , do te ish bërë me të.
Por është ai dhe vetëm ai ,qe sot është viktima kryesore e tyre që nesër menjëherë pas rikonfirmimit duhet te gjeje forcën e te reagoje urgjent ndaj kësaj pranie kriminale te sigurimit ne PD. Ja kam thënë disa here e po ja them prapë : Z. Basha ! Pastroje PD-ne nga plehrat komuniste , ata qe gjete e ata që solle vete.

Lista e zezë,Akademik Moikom Zeqo kundër Edi Ramës: Juridikisht nuk është e saktë

Moikom Zeqo

Që korrupsioni është endemik dhe kapilar në Shqipëri, kjo nuk përben asnjë sekret të paditur për popullin, pa harruar dhe sintagmën tashmë gati aksiomatike që vetë populli shqiptar këto 27 vjet ka qenë edhe objekt për fat të keq, edhe subjekt i korrupsionit. Nuk duhet harruar kjo e vërtetë ulëritëse!

Pra korrupsioni nuk është i klasifikueshëm rigorozisht, p.sh të bëjmë sikur të arsyetojmë se korrupsioni i takon vetëm PD-së, LSI-së etj, kurse PS-ja është e pakorruptueshme. Ose zyrtarët e nivelit të ulët dhe të mesëm të administratës janë të korruptueshëm, kurse zyrtarët e nivele më të larta nuk janë të korruptueshëm.

Ose të arsyetojmë në sensin e kundërt, pa harruar, se kthimi mbrapsht i dorashkës, nuk e zhbën dot identitetin e të njëjtës dorashkë. Kryetarët e partive kryesore që zotërojnë 27 vjet pushtetin në Shqipëri janë akuzuar me emra dhe me detaje për aferat e mëdha korruptive.

A mund ta bëjnë këta politikanë luftën kundër korrupsionit? Mendoj me trishtim, por edhe me përkorje, se këta politikanë kryesorë nuk e luftojnë dot korrupsionin, që e ka kthyer Shqipërinë e gjorë në një nga vendet më të korruptuara të botës. E tërë shoqëria shqiptare, mjerisht është e korruptuar. Mentaliteti bizantin dhe otoman i korrupsionit është përhapur edhe tek gjeneratat e reja. Ajme!

Korrupsioni nuk luftohet nga sipër, por duhet të jetë një revolucion i madh moral nga poshtë, në substancën dhe vetëdijen e shoqërisë shqiptare. Por ky ndryshim kopernikan duhet konceptuar nga intelektualët e ndershëm dhe vizionarë, duke stimuluar domosdoshmërinë e ndryshimit në një situatë apokaliptike për jetë a vdekje, për të ringjalluar sistemin e vlerave që ka kohë që ka vdekur në Shqipëri.

Lista e të korruptuarve e publikuar nga Rama, juridikisht nuk është e sakte, sepse çdo i akuzuar ka të drejtën e gjyqit dhe të mbrojtjes. Ky proces ciklik dhe i pafund do të krijonte më tepër një tautologji se sa drejtësi! Politika shqiptare e ka shkatërruar frikshëm konceptin e drejtësisë këto 27 vjet. As të vrarët e Gërdecit, as të 21 janarit etj, nuk janë konceptualizuar nga optika e drejtësisë supreme. Askush nuk beson në këtë drejtësi, madje as unë.

Klasa politike delitante shqiptare ka vetëm një alternativë ndryshimi real, zbatimin e Vettingut, jo vetëm për gjykatësit, por sidomos për vetë politikanët. Pa këtë universalizim të vettingut, Shqipëria mund të konsiderohet pa shpresë dhe pa kauzë morale. Po vetëm vettingu mundet të luftojë korrupsionin.

Vetëm vettingu mund të bëjë ose të nisë ndryshimin e madh. Vettingu në të gjitha konceptimet juridike dhe si instrument i epërm, i pakontaminuar nga politika shqiptare është përgjegjësja historike dhe konceptuale e korrupsionit marramendës në Shqipëri. Vetëm vettingu!

“Lista e zezë”/ Dalin sekretet e Edi Ramës, pse e përfshiu Mentor Petrelën dhe frika që ka nga Ilir Meta



Një ditë pas publikimit të ashtuquajturës “lista e zezë” e Edi Ramës, ku akuzoheshin 100 zyrtarë të rëndësishëm në vend, ka reaguar edhe ish kryeministri i vendit Sali Berisha.

Në një postim në rrjetet sociale Berisha e quan këtë listë kopje e listave të mëparshme të etërve të Edi Ramës, ndërsa zbulon dy sekrete për Ramën.

Ish kryeministri sqaron se fakti që Edi Rama ka vënë në listë profesorin e njohur, Mentor Petrela do të thotë se ai ka frikë nga ai dhe nga thirrja e Ilir Metës, i cili kërkoi publikisht që Rama të bënte një vizitë për shëndetin mendor pas 25 qershorit.

Më poshtë postimi i plotë i Sali Berishës:

Lista e zeze e Rames, Trieste dhe presidenti i zgjedhur Ilir Meta!

Sot, Edvin Kristaq Rama, ne nje akt te pashembullt, antiligjor, antikushtetues botoi listen e tij te zeze apo listen e urrejtjes, hakmarrjes dhe gjahut te shtrigave. Ai, sikur te ishte ne mjekim pa rezultat ne ndonje spital psiqiatrik, ka renditur ne liste 101 persona me emer ose funksione duke mos paraqitur asnje prove, fakt, deshmi apo dokument per asnjerin prej personave te akuzuar dhe i ka vendosur ne listen e tij te zeze.

Shkurt, njelloj si dikur per eterit e tij, akuza eshte njekohesisht dhe prova e fajsise se te akuzuarit!

Ne te vertet, historia e listave te zeza eshte histori diktaturash mizore. Keshtu, ne vitet e para pas luftes, eterit e Edi Rames, per te mbjelle terror mbushnin muret e shkollave dhe ndertesave te tjera publike me listat emerore te armiqve te regjimit te varur apo pushkatuar ate dite apo ate jave.
Po keshtu, lista te zeza por top sekrete dhe jo publike mbante policia sekrete hoxhiste me emrat e personave qe do pushkatoheshin pa gjyqe ne rast te nje situate te veçante.

Prandaj dhe dje, nje mik i imi qe kishte patur emrin ne listat top sekret te sigurimit dhe qe femije kishte lexuar emrin e xhaxhit te tij, ne shkurt te vitit 1945, ne nje liste te varur ne nje shtylle se bashku me 8 emra te tjere te pushkatuar ate jave ne qarkun e Shkodres, i tronditur me shkruante dje se Rama u kthye tek shteti i listave!

E verteta eshte e vertete, lista e zeze eshte liste e zeze!

Mirepo konstatoj se lidhur me qellimet e listes se zeze te Edi Rames ka konfuzion.
Une mendoj se dy jane qellimet me kryesore te Edi Rames dhe listes se tij te zeze.

Njeri prej tyre edhe lidhet me Triesten, natyrisht jo me perpjekjen e Rames per te mbuluar deshtimin e tij te plote ne samit per sa u perket projekteve, siç kane shkruar dje ne media disa gazetare. Lista lidhet me Triesten me diçka tjeter qe nuk ka asnje lidhje me projektet.
Cilido qe lexon me vemendje te veçante listen, personazhet e saj konstaton se qellimi me kryesor i listes eshte nje perpjekje e ulet amorale per te perbaltur njerin prej personaliteteve me te shquara te shkences shqiptare te te gjitha koherave, mjekun e shquar me reputacion nderkombetar, Prof. Mentor Petrelen. Kurse emrat e ndonje narko-drejtori te Lal plehut etj, vendosur perbri tij jane thjesht per te maskuar sadopak qellimin me kryesor te listes.

Kjo goditje hakmarrese selektive duket se ka ne baze fajin e vetem te Prof. Petreles; njohurite qe ai ka, per shkak te profesionit, per shendetin mendor te autorit te listes, shendet qe tani perflitet gjeresisht ne kancelarite europiane, institucionet dhe takimet nderkombetare, perfshire dhe dje Triesten.

Rama mendon se shkak i kesaj peshperitje dhe perfolje nuk jane sjelljet, shperthimet e tij deliroze, afektive, halucinante me zyrtare shqiptar dhe te huaj, por dijenite e Prof. Petreles per shendetin e tij mendor dhe shkelja nga ana e tij e betimit te mjekut, gje qe Prof. Petrela nuk e ben kurre.

Mirepo kerkesa publike e Ilir Metes, pas zgjedhjes se tij president, per nje kontroll psiqiatrik te Rames por dhe disa takime e vizita diplomatesh ne neuropsiqiatri, i kane hedhur benzine zjarrit dhe kane bindur gjer ne fiksim Ramen se problemi i tij madhor nuk eshte shendeti i tij mendor por njohurite per shkak te profesionit, te kahershme dhe aktuale, te profesor Petreles, i cili me kushtetute eshte i detyruar ti japi cdo informacion konfidencial presidentit te Republikes ne detyre dhe atij te zgjedhur.

Perveç kesaj, Meta si president, ndonese me funksione kryesisht ceremoniale, prap se prap eshte kryetar i Keshillit te Sigurise Kombetare dhe padyshim shendeti mendor i kreut te ekzekutivit eshte nje problem madhor per sigurine kombetare dhe mund te behet ne çdo rast çeshtje paresore ne axhenden e Keshillit te Sigurise Kombetare.

Ketu dhe vetem ketu e ka burimin edhe kercenimi i Rames ndaj Metes per ti prishur ceremonine e betimit.

Keshtu qe, duke e listuar Prof. Petrelen ne listen e tij te zeze, ai beson se do mund te bej te pabesueshme apo ti shpalle se paku ne konflikt interesi njohurite per shkak te profesionit te Prof. Petreles per shendetin e tij mendor.

Qellimi i dyte madhor i listes se zeze Rama eshte ai qe e dine te gjithe, pra te perdore pushtetin ekzekutiv, Agaçin e tij, sekretar i pergjithshem i mafies shteterore per te linçuar publikisht cilindo qe nuk i paguan atij ryshfetin, gjoben apo nuk pranon cdo lloj kerkese antiligjore te tij per te mos hyre ne listen e zeze! sb

Koha e gjyqeve publike “Në emër të popullit” ka perënduar


Nga Zamira Çavo

Dy fjalë për Kryeminstrin:

I dashur Edi, Që administrate publike është në gjendje të mjeruar këtë tashmë e di cdo qytetar e cdo institucion. Fakti që ju e keni në prioritetin tuaj reformën në administratën publike e bën këtë cështje edhe më të ndjeshme.

Por rruga që keni zgjedhur duke bërë publike emra që “akuzohen” nga qytetarë për korrupsion ose paaftësi, ose mungesë respekti ose.. etj nuk është rruga që I duhet reformimit të Administratës dhe nuk mund të jetë asnjë alibi për ju , për ti pushuar nga puna!

Koha e gjygjeve të tilla publike “Në emër të popullit” ka perënduar dhe nuk ju shkon ju të zgjidhni këtë rrugë. Modestisht po ve në dukje disa elementë: – Ne shqiptarët kur nuk na plotësohet një interes apo dëshirë jemi të “aftë” të ngeremë dhjetra akuza për personin që nuk na e ka mundësuar këtë. Ndaj më parë se të publikoni emrat, dërgoni ekipe të njohin gjendjen sepse gjendja nuk njihet nga fcb.

– Me këto publikime bëni më shumë dëm se sa përmirësoni gjendjen. Ju fusni frikën e “gjygjeve” popullore në punonjësit e administratës duke tkurrur aktivitetin e tyre në favor të shërbimit qytetar. – Administrata është përgjegjësia tuaj dhe besoj e dini se ka institucione që janë paralizuar për shkak të paaftësisë jo t ë zyrtarëve të thjeshtë por të personelit të lartë në këtë administrate, përfshi këtu dhe ministrat tuaj.

– Gjykoj se shfaqe të tilla më shumë tërheqin vëmëndjen e njerëzve për tu marrë me emra dhe jo për të denoncuar realisht mosfunksionimin e administratës në shumë institucione. Deri në shtator është shumë vonë për ta risjellë qeverisjen në funksionin e vet normal, ndaj më shumë se këto sjelle jo të hijshme kryeministrore, do duhej të krijonit qeverinë e re që të merrte përgjegjësite për gjithcka. Edhe për të paaftët dhe të korruptuarit. Por rruga që keni zgjedhur është thjeshtë një shpërqëndrim më I madh nga hallet reale të vendit.

Refleksione rreth librit “ Shqiptarët në tokën e ëndërruar” të Rush Dragut.

Nga : Gjovalin Çuni 



 Libri më i fundit i Rush Dragut, është një kontribut i shtuar personal, por edhe i gazetarisë shqiptare, andej dhe këndej Atlantikut.



Libri duhet të lexohet i parë në dy aspekte, atë të gazetarisë si dhe të publicistikës, që në rastin konkret kalojnë përmes intervistave personale dhënë gazetarëve, por edhe të intervistave të bëra nga vetë autori në mediume të ndryshme, me personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan, dhe të miqve të tyre, mes të cilëve edhe me shkrimtarin e njohur, dramaturgun, poetin dhe romancierin Fadil Kraja.
Mjeshtrat e mendimit citohen të kenë thënë: “Të bësh pyetje është më e vështirë se t’i përgjigjesh atyre”. Për autorin, intervistat, kjo formë e pasqyrimit publcistik të medias së shkruar nuk para qesin vështirësi, pasi ai njeh shumë mire, jo vetëm komunitetin që i përket, por edhe arritjet dhe problematikat e tij. Ai ka vite që e ushtron profesionin, por edhe mjeshtrinë e gazetarit e jo vetëm ka dije të plota rreth asaj që pasqyron, por zotëron edhe mjeshtrinë gazetareske të lidhur me të mbledhurit e fakteve, verifikimin, përzgjedhjen dhe përpunimin të tyre deri në botim. Kjo vërehet më së miri në botimin më të fundit: “Shqiptarët në tokën e ëndërruar”.
Intervista e cilësuar si formë e pasqyrimit publik ka funksion të dyfishtë, pasi lidh kumtin me interpretimin duke vendosur raporte të caktuara mes pasqyrimit dhe asaj që pasqyrohet, mes atij që pyetet dhe atij që përgjigjet.
Në libër autori është në rolin e të intervistuarit dhe të intervistruesit. Në rastet e intervistave të dhëna në “Albavision” dhe “ACTV”, ai ka zgjedhur të japë opinionet e tija rreth tematikave, që ngjallin interes, dhe që akoma janë “një fushë beteje” për gazetarinë dhe historinë shqiptare, siç janë problemet politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë post – komuniste, por edhe probleme të ndryshme historike, që ndihmojnë në shkrimin e saktë të historisë shqiptare.
Në të dyja fushat opinionet e tija janë të sakta. Autori ishte vetë i përfshirë në proçeset demokratike, pas shëmbjes së komunizmit në vitin 1990-1991, duke kryer deri në vitin 2000 disa funksione politike dhe administrative në zonën e Malësisë së Madhe, si përfaqësues i Partisë Demokratike, forca e parë politike opozitare në Shqipëri.
Ai nuk ngelet prapa as në trajtesat historike. Teksa lexon intervistat rreth problemeve të Kryengritjes se Malësisë së Madhe të vitit 1910-191 dhe Kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, vlerësimin rreth figurave qëndrore të këtyre kryengritjeve, si: Dedë Gjo Luli e Prekë Cali etj., të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një historian të vërtetë, që di të zgjedhë dhe të analizojë faktet duke qenë objektiv, transparent dhe i sinqertë.
Mendimet e shprehura e analizat e bëra ndihmojnë lexuesit, sidomos ata të gjeneratës së re të emigracionit shqiptaro- amerikan, për të kuptuar problemet politike të Shqipërisë të viteve të para të sistemit demokratik, probleme që vijojnë të jenë akoma të pranishme dhe të pazgjidhura përfundimisht edhe në ditët e sotme.
Në pjesën e dytë në libër, sipas një tematike të caktuar nga autori, janë përcjellë mendime dhe opinione të njerëzve të fushave të ndryshme të diasporës shqiptare; biznesmenë, publicistë, njerëz të shquar të kulturës dhe sportit.
Përmes pyetjeve të sakta autori i ka bërë ligjëruesit të shpalosin mendimet e tyre rreth problemeve për të cilat janë ftuar.
Libri i takon publicistikës, por një lloj publicistike të bashkëndarë. Autori, realitetin e ri, që të krijon toka e ëndërruar e analizon duke u mbështetur tek vetja, por edhe tek njerëzit që e rrethojnë. Kësisoj në këtë libër është shkruar historia personale, por edhe historitë e jetëve të tjera të komunitetit shqiptaro – amerikan, të cilat ndonëse kanë ndryshuar në kohë e hapësirë, përpiqen të krijojnë jetën e re duke ngelur përherë të lidhur me rrënjët e prejardhjes.
Në libër “thelbi i gjasë”, kur i thuhet në gjuhën e popullit, nuk janë sensacionet e jetës së personaliteteve të komunitetit ky jeton, por përkundrazi, Rush Dragu përmes intervistave të tija përpiqet të pasqyrojë “mikrobotën shqiptare” të krijuar brenda asaj toke të ëndërruar ndër vite nga ata; botë që më tepër se vendi i tyre i ndihmoi të shkruanin suksesin.
Në Amerikë ka edhe mjete të tjera informimi, por puna e bërë nga Rush Dragu në rrjete të ndryshme informative ka ndihmuar në rritjen e suksesit të gazetarisë shqiptare në përgjithësi. Ajo wshtw modeli i një gazetarie të pakapshme dhe të dhunueme nga pushtetet; të një gazetarie të bazuar gjithnjë në informim të drejtë dhe të paanshëm të ngjarjeve që ndollin në komunitet dhe në atdheun e tyre.
Libri i Rush Dragut është një mozaik personazhesh dhe ngjarjesh edhe nga Shqipëria; një dokumentar i përpjekjeve të brezave për intergrim; i realizimit të ëndërrave për një jetë më të mirë, në një tokë bazuar në përpjekjet e të gjithëve për lartësimin e vendit ku jetojnë, Amerikës së ëndërruar në shekuj, dhe nga të gjithë.
Le të lexojmë këtë libër për të kuptuar e njohur më mirë, veten dhe tjetrin; le ta lexojmë këtë libër, me të cilin një ditë nipat dhe stërnipat e Shqipërisë do të krenohen para fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëvë të tyre.

Sovraniteti, apo “Gjithçka është e lejueshme


Gjykata speciale si përdhunim i Kosovës

Arber-Zaimi-670x400

Arbër Zaimi

Në vitin 2000 në Francë u publikua një film që shkaktoi shumë skandal aty e gjetiu në botë, filmi “Baise-moi” i regjisoreve Virginie Despentes (autore e novelës mbi të cilën ishte bazuar filmi) dhe Coralie Trinh Thi. Në një nga skenat e para të filmit ngjet një përdhunim. Dy vajza të reja, të cilat paraqiten si të varfra, narkomane, e që hera-herës prostituojnë për të mbajtur vetveten gjallë, kapen në një parking nga tre burra, të cilët i përdhunojnë. Njëra nga vajzat reziston sa mundet fizikisht e verbalisht. Ndërsa tjetra – rreth së cilës sillet filmi – qëndron pasive, nuk kundërshton dhe e pret dhunimin thuajse pa lëvizur e pa folur. Pas ndodhisë, shoqja që rezistoi e pyet shoqen që nuk rezistoi për arsyen e pasivitetit të vet. “S’kam ç’bëj unë nuk kam fuqi të ndaloj dot askënd (që të më penetrojë)” – është përgjigjja e papritur e vajzës – që me sinqeritet çarmatosës shpall moskontrollin absolut të trupit të saj. Në një botë “të rrugës”, aty ku qytetërimi dështon të mbërrijë me aparatet e tij të edukimit, mirëqenies e drejtësisë, çka mund të bënte kjo vajzë – përpos të shpallte radikalisht pafuqinë e saj përballë “më të fortit”.

Vajza e cila pranon zhveshjen e vet totale prej sovranitetit hyn në një qerthull të pandërprerë dhune spektakolare, e cila nis duke vrarë të vëllain, e më pas bashkë me një shoqe të sajën marrin një veturë dhe nisen në një udhëtim ku praktikisht secilin problem e zgjidhin përmes vrasjes. Vrasin për të marrë para, kur u duhen, vrasin dikë që i ofendon me fyerje raciste, vrasin kë i kërcënon e kë i pret rrugën – e në fund vdesin.

Secilit konservator kjo mund t’i duket si një narrativë dostojevskiane (si psh. tek “Vëllezërit Karamazov” ku Dmitri i tregon Aljoshës se si e ka pyetur Rakitinin “Çka do të ndodhë me njerëzit nëse nuk ekziston Zoti dhe jeta e përjetshme?”. Përgjigjja e Rakitinit: “Atëherë gjithçka është e lejueshme”). Pra kur vdes “zoti” i të drejtës universale mbi integritetin trupor të personit (individual apo publik), i këtij sovraniteti mbi të cilin ngrihet secili sovranitet tjetër e secila politikë, atëherë gjithçka bëhet e lejueshme.

A nxjerrim dot prej këtij filmi ndonjë analogji me Kosovën? Ndoshta po, Kosova nuk është në gjendje ta ndalojë askënd prej penetrimit jokonsensual të trupit të saj me turlifarë misionesh, gjykatash speciale, korporatash, privatizimesh për dy lekë, mediash të zotëruara nga njerëz me interesa të dyshimta, mafiash, ojq-sh jotransparente që përfaqësojnë interesat e kushedikujt, organizatash terroriste etj. etj. Ndoshta sipas qëndrimit moralist vetë Kosova, si vajzat në film e ka “provokuar” apo “ndjellë” çdo “dhunim” së jashtmi të sovranitetit të saj fillestar, me rrugaçëritë e kurvëritë e veta, korrupsionin, krimin e brendshëm, e elitën e saj politike-ekonomike të udhëhequr nga një logjikë kryekëput instrumentale.

E nëse është kështu, nëse logjika instrumentale e ka vrarë çdo “zot”, apo çdo pretendim universal të së drejtës e të sovranitetit, sado minimalist qoftë ky pretendim – atëherë i bie që, për të vazhduar me Dostojevksin, Kosova s’është veçse një vend Raskolnikov, i banuar nga Raskolnikovë, i qeverisur nga Raskolnikovë. Ç’është Raskolnikovi? Një student i zhgënjyer, i cili pasi sheh që pretendimet universale të qytetërimit, idealet për të cilat ai lexon nëpër libra, shkelen e përbuzen aq shumë në përditshmërinë e tij – vendos që t’i braktisë tërësisht ato, vendos të bëhet tërësisht i pjesshëm, të relativizojë gjithçka, të justifikojë gjithçka, përfshi edhe krimin e tij. Dështimi i arsyes universale i hap përfundimisht rrugën arsyes instrumentale, dhe përfundojmë në një terren ku nuk ka më të mirë e të ligë, të drejtë e të padrejtë, as nuanca në mes tyre, por vetëm moralizime të pasinqerta, pafuqi dhe dhunë.

Vetë pranimi i pafuqisë, mosprotestimi ndaj dhunimit të sovranitetit kushtetues, territorial, demokratik të Kosovës, madje justifikimi me “s’kemi ç’i bëjmë” apo me “e meritojmë”, i hap rrugë perspektivës së Kosovës së Raskolnikovëve, apo të Kosovës që ndjek rrugën e personazhes kryesore të filmit “Baise-moi”. Sipas logjikës së famshme dostojevskiane, apo më pas sartriane, i bie që tashmë asgjë nuk është më e ndaluar, gjithçka është e lejueshme. Por a është vërtet kështu?

A bëhet gjithçka e mundshme për Kosovën pas vdekjes së parimit universal të sovranitetit të shteteve e të barazisë mes tyre? A është gjithçka e mundshme tashmë që në Kosovë është imponuar një drejtësi selektive, ndërkohë që vetë shtetit i mohohet integriteti i trupit të tij, ndërkohë që bëhet përfundimisht i penetrueshëm nga gjithçka e kurdo, ndërkohë vetë shtetit i mohohet habeas corpus-i? Siç shohim në dy shembujt e marrë, filmi “Baise-moi” dhe romani “Krim e ndëshkim”, për personazhet nuk bëhet e mundshme gjithçka, por vetëm një gjë. Në të dyja rastet, frustrimi i krijuar nga shkërdhimi i parimit shpërthen veç në dhunë. Pra, nëse “zoti” s’është, atëherë e vetmja gjë që ndryshon nga më përpara është shpërthimi i dhunës, e justifikuar instrumentalisht ose e pajustifikuar. Duket se kjo “tezë” qëndron edhe në rastin e Kosovës. Sa më shumë që pranohet pafuqia e saj për t’u vetërregulluar sovranisht, sa më shumë pranohet se ajo nuk mund të ndalë askënd që rreket ta penetrojë, aq më shumë shtohen shpërfaqjet e dhunës në Kosovë. Ndoshta ndonjë “analist” që me intuitë mund ta ketë kuptuar këtë lidhje të sovranitetit me të drejtën për t’i thënë jo penetrimit, pikërisht për këtë arsye përpiqet të ngrejë artificialisht idenë se Shqipëria dëshiron të penetrojë Kosovën, dhe ajo afirmon sovranitetin e saj pikërisht duke mos lejuar penetrimin prej Shqipërisë. Por kjo skemë bie, për shkak të indiferencës thuajse absolute të Shqipërisë (e cila gjendet jo larg situatës së Kosovës në këtë drejtim) për një relacion të tillë.

Por Kosova e cënuar, ndryshe nga personazhi i filmit “Baise-moi” e ndryshe madje edhe nga vetë Raskolnikovi, nuk mund t’i ushtrojë dhunë askujt jashtë saj. Kosova nuk ka agjensi të veprimit të jashtëm, nuk ka asnjë peshë ushtarake, ekonomike apo diplomatike që të mund ta shpërthente dhunën jashtë vetes. Kështu që dhuna shpërthen vetëm së brendshmi. Shpërthen në formë objektive, si dhunë e më të fortit ndaj më të dobëtit, si dhunë e më të pasurit ndaj më të varfërit, si dhunë kriminale, si dhunë e të pashpresit. Shpërthen si dhunë ndaj gjinisë e seksualitetit, shpërthen si dhunë ndaj gjuhës a dialektit, si dhunë ndaj ngjyrës së lëkurës. Shpërthen si dhunë ndaj të punësuarit e si dhunë ndaj të papunit. Si mosdurim i tjetrit. Por të mos gënjehemi duke thënë se kjo dhunë rrjedh vetëm nga pushtetarët e familjarët e tyre, që s’e kanë për gjë të rrahin edhe policinë.

Kjo dhunë jo rrallë, e mishëruar në gjuhë, del edhe tek ata që shfaqen si partizanët më të zjarrtë të paqes me çdo kusht, të cilët kryesisht janë gazetarë apo ojq-istë, ose filozofë rrjetesh sociale. S’janë të rralla rastet kur këta pacifistë të paepur ngjisin çdo lloj etikete poshtëruese ndaj cilitdo që nuk e mendon si ata. Të mos e mendosh si ata do të thotë të jesh cak i merituar i dhunës simbolike – të quhesh terrorist, bandit, polpotist e ku di unë. Por nuk është kjo gjuhë ultra-partizane rrjedhojë e ndonjë pozicionimi të fortë politik të atyre që e përdorin, përkundrazi. Nuk janë të rralla rastet kur ata që në mëngjes shajnë dikë (për t’i mbyllur gojën) duke e quajtur komunist, në mbrëmje shkojnë e i referohen, fjala vjen Brecht-it. Hibridizim përmes zbrazjes, asi që do ta kishte zili secili artist performativ postmodern.

Por forma më e ligë në të cilën shfaqet dhuna e brendshme e Kosovës së Raskolnikovëve është dhuna sistemike, dhuna së cilës nuk i dihet autori. Është ai momenti kur – edhe pse formalisht ke të drejtën të jetosh – nuk mundesh sepse nuk ta lejon xhepi. Ai momenti kur – edhe pse mundesh të flasësh – nuk mundesh se nuk ta lejon xhepi. Hannah Arendt thotë diçka për këtë, tek reflektimet e saja për dhunën:

“Disidentët në Lindje lypin lirinë e fjalës e të mendimit, si kusht themelore për aksion politik; protestuesit në Perëndim jetojnë nën kushtet kur këto premisa nuk munden më të krijojnë hapësirë veprimi për një ushtrim domethënës të lirisë. Transferimi i qeverisë në administratë, i republikës në burokraci, si dhe zvogëlimi rrënues i publikes që vjen bashkë me të, ka një histori të gjatë e të komplikuar gjatë gjithë epokës moderne…”

Disidentët e Lindjes, për të cilët flet Arendt, janë disidentët shqiptarë të Rezistencës së pandërprerë Shqiptare në ish-Jugosllavi. E sot, pasi e arritën atë çka kërkuan e sakrifikuan aq gjatë, pavarësinë dhe demokracinë, e shohin se si këto nuk u krijuan hapësirë veprimi për të ushtruar lirinë, përkundrazi ua mbyllën këto hapësira në një proces reaksioni të vazhdueshëm të mishëruar në negociatat e pandërprera që prej 1999 e këtej të cilat shkallë pas shkalle i kanë mësuar Kosovës se nuk mundet t’i rezistojë penetrimit të askujt. Por, sërisht Arendt thotë:

“Ajo çka e bën njeriun qenie politike është fakulteti i tij për të vepruar. I jep atij mundësinë që të bashkohet me të ngjashmit e tij, të veprojë së bashku dhe të mëtojë qëllime e sipërmarrje që nuk do të hynin kurrë në mendjen e tij, aq më pak në dëshirat e zemrës së tij, po të mos e kishte këtë dhunti…”

Filozofja gjermane-hebreje nuk është duke thënë gjë tjetër përveçse duke konfirmuar një parim të lashtë së paku 25 shekuj. Që në kohën e filozofëve të parë në Greqinë e lashtë (pra s’ka nevojë të përdorim klishetë e Mazllovit) bëhej ndarja midis dy formave të jetës: zoe – jeta e thjeshtuar në riprodhim e në funksione biologjike, shqetësim i së cilës është thjesht të ngrënët, të pirët, të riprodhuarit dhe mundësimi i të gjitha këtyre sa më shpesh e sa më gjatë (pra të grumbulluarit); dhe bios – jeta brenda bashkësisë politike, jeta me sovranitet e me fakultete të veprimit. Zoe gëzojnë kafshët dhe njerëzit pa të drejta. Bios, veç qytetarët të cilët në demokraci i karakterizonte angazhimi në secilën vendimmarrje si detyrë e në aristokraci i karakterizonte angazhimi vetëm në rolet e përcaktuara prej hierarkisë sociale të parapërcaktuar. A për skllevërit, gratë e ata të zhveshur prej bios-it, pak ndryshonte nëse kishte demokraci apo aristokraci.

Pak ndryshon edhe për shqiptarët e Kosovës nëse është pavarësi apo vijim nën Serbi, për sa kohë ata janë të zhveshur prej fakultetit të veprimit e të funksionimit si bashkësi politike, e prej sovranitetit politik. Shqiptarët e Kosovës janë të reduktuar në zoe prej këtij mohimi radikal të qenies së tyre politike. Ata nuk mund të thonë “jo”, ashtu siç nuk mund të thotë “jo” personazhja e “Baise-moi”, apo skllavi X i Greqisë së lashtë. Ashtu siç nuk mund të thotë “jo” i zhveshuri prej politikës, i përjashtuari prej saj. Gjallesa që nuk mund të thotë “jo” as për vetveten, pra nuk është sovrane, më shumë ka të përbashkëta me kafshën se sa me njeriun. Dhe vazhdimisht është trajtuar si e tillë.

Situata pra, paraqitet dëshpëruese. Vdekja e “zotit” të sovranitetit nuk i ka lejuar Kosovës gjithçka, por ka lejuar gjithçka me Kosovën dhe në Kosovë. Afirmimi i impotencës universale të jashtme ka shpërthyer dhunën e omnipotencës partikulare të brendshme. Kjo mund ta çojë vëzhguesin në dy pozicione, në atë të skeptikut ose në atë të cinikut. Skeptiku është ai që nuk beson më në asgjë për shkak se trishtohet shumë, ciniku është ai që nuk beson më në asgjë për shkak se nuk i bëhet vonë – për të parafrazuar një shkrimtar amerikan. Ndoshta ka vlerë të bëhet një ndarje mes të dyve e të vlerësohet se skeptikut ndoshta i duhet njohur merita se është përpjekur gjersa është lodhur me dështimet. Ndërsa cinikut kurrë nuk i ka “ngrënë palla” për asgjë, ai kënaqet duke parë se si gjithçka dështon, dhe vazhdimisht lëshon rromuze me pafuqinë e vet të tipit “pse e tjerr kaq gjatë, a thua se të lexon njeri, ky muhabet vendoset tjetërkund”.

Por vëzhguesi i vëmendshëm nuk mundet të bjerë pre e dëshpërimit, edhe pse ky vazhdimisht shfaqet spektakolar. Dorëzimi, heqja dorë prej kërkesës për sovranitet në radhë të parë, të mos harrojmë, favorizon dhunuesin. Dorëzimi nuk është veçse konfirmim i parimit xhunglor “i forti bën të drejtën”.

Ata që besojnë se i forti ka të drejtë nuk mund të zhvillojnë kurrë drejtësi, qytetërim apo kulturë post-mesjetare. Dhe do të shihen gjithnjë me përbuzje prej të tjerëve si servilë, të prapambetur dhe pa dinjitet.

Nuk ka nevojë as për institucione, as për parlament e as për drejtësi, për të konstatuar “të drejtën e më të fortit”, dmth. për të thënë shteti X, korporata Y, apo personi Z janë më të mëdhenj, më të pasur, më të fuqishëm se shteti A, korporata B apo personi C – pra këta të fundit të ulin kokën e të pranojnë fatin e tyre. Kjo është logjika që përcillet në filmat ëestern, logjika e xhunglës, jo logjika e qytetërimit.

Në qytetërim e në demokraci drejtësia themelohet si e verbër (pra si jo-selektive dhe jo specifikuese), si një sistem i cili në teori e në praktikë kufizon pikërisht të fuqishmin, shtetin e fuqishëm, korporatën e fuqishme, personin e fuqishëm, pra kufizon fenomenin e “bullyizmit” në të gjitha format e veta.

Sigurisht që në histori të vjetër e të re kjo ka dështuar disa herë. Lëvizja politike që mund t’i përshkruhet neoliberalizmit-postkolonializmit-postmodernizmit vazhdimisht e shpall të pavlefshëm një parim pikërisht për shkak të dështimeve të veta në realitet, e kësisoj kryhen privatizimet, imponohet globalizmi, rrënohet arsimi publik, rrënohen konceptet e vetë politikës etj. Por fakti që secili ligj, rregull a parim ka dështimet e veta nuk do të thotë që duhet fshirë krejt ligji, rregulla a parimi (shembull: edhe ligji kundër pedofilisë vazhdimisht ka dështimet e veta kudo në botë, po nuk çohet njeri të kërkojë heqjen e ligjit).

Neoliberalizmi ka një projekt për rrëzimin e këtij parimi të qytetërimit, për rrëzimin e këtij lloji të drejtësisë që kufizon “të fortët”, dhe afirmimin e parimit antidemokratik “i fuqishmi ka të drejtë”. Në secilin rast kjo synon të na kthejë në raporte mesjetare, në atë lloj shoqërie kur Galileut ia ulën kokën të fuqishmit e kohës dhe e bënë të pranonte publikisht se toka s’luan (paçka se ndër dhëmbë thonë se tha “eppur si muove”).

Por prej historisë na mbetet neve të zgjedhim ç’duam të ndjekim, shembullin e afirmimit të qytetërimit, apo atë të diktatit. Në paçim frikë se mos përfundojmë si Bruno, së paku ndër dhëmbë e me kokën ulur nuk na pengon asgjë të themi të vërtetën tonë, edhe ne si Galileu “eppur si muove”.

Le të mos bëhemi pjesë e sklerozës ahistorike dhe le të kujtojmë dy poetë tanët që e refuzuan në kohën e tyre logjikën: “i forti e i madhi ka gjithnjë të drejtë”. Mjeda: “Ky shekull or’ e ças ndrrohet / Bijn posht të naltit, i vogli çohet…” apo Noli: “Se i vogli shtrin viganin / E i shtypuri tiranin…”. Ka dije në këto vargje, dije që edhe në historinë e shkurtër shtetformuese të shqiptarëve mund të konfirmohet bindshëm – vërtet të fortët kanë rënë.

Të mos harrojmë se fenomeni i “intelektualit” që mbron interesat e perandorive nuk është i ri. Plot “intelektualë” të tillë kanë mbrojtur interesat e Perandorisë Otomane si i forti i kohës, të tjerë interesat e Italisë fashiste, të tjerë të Gjermanisë naziste, të tjerë interesat e imperializmit të kuq të Beogradit apo Moskës e kështu me radhë me çdo të fortë që na është bërë “friend with benefits” apo haptazi dhunues. Por Mjeda e Noli, për mendimin tim, kanë ende të drejtë.

Logjika “le të bëhet Specialja, me rëndësi të shkojnë n’burg kryekriminelët e qeverisë” ka dy probleme. Së pari, nuk do shkojnë në burg sepse dinë t’i korruptojnë ndërkombëtarët duke iu dhënë një copë Kosove për të shpëtuar veten, siç provon EULex dhe UNMIK. Së dyti – dhe çfarë është më e rëndësishme, në burg këta do të mund t’i çonte edhe ISIS-i, por ne duhet të këmbëngulim vetëm për drejtësi republikane, që mban përgjegjësi para qytetarëve dhe që është jo-selektive.

VETËVENDOSJE! dhe aktivistët e saj jo vetëm që e kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale, por edhe e kanë fituar secilin debat e secilin argument sa i përket asaj, qoftë me shqiptarë e qoftë me ndërkombëtarë. Në fakt, Gjykatën Speciale e kanë kritikuar edhe vetë ofiqarët ndërkombëtarë në Kosovë, edhe pse veç kur kanë dalë prej pushtetit.

Por një elitë politike e korruptuar gjer në imtësi ta shkatërron shtetin, demokracinë e të drejtën, ta sjell Specialen ashtu siç ka për të sjellë vazhdimisht veç krizë, krim e rehabilitim të Serbisë pa de-millosheviçizim. Qysh tani kjo elitë ia ka nisur ta përdorë Gjykatën Speciale për të kërcënuar kundërshtarët, për të hequr vëmendjen nga korrupsioni dhe perversioni i tyre, e sidomos për ta hequr vëmendjen nga dështimet ekonomike e shoqërore. Me Gjykatën Speciale ata e kanë marrë peng diskursin politik edhe për disa vjet, duke qenë se hapi i ardhshëm do të jetë krijimi i Zajednicës, pra bosnjëzimi i Kosovës. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë, se këta vendin e kanë në institucione riedukimi e jo në pushtet.

Prandaj duhet angazhimi, në të mirë tonën edhe të gjithë qytetërimit, për ta mposhtur cinizmin dhe skepticizmin e atyre që thonë “mirë e keni, por s’keni ç’bëni”. Nuk duhet, pra nuk mundemi të lejojmë rikthimin e paradigmave koloniale, dhe nuk kemi për ta pranuar kurrë që një gjykatë e tillë, e dyta pas Nurembergut, të gjykojë çlirimin e Kosovës. Është detyra jonë të hyjmë në bios, të dalim prej situatës së kafshës, është detyra jonë të jemi të barabartë me të tjerët e të afirmojmë sovranitetin mbi veten tonë – jo një sovranitet absolut i cili do të dështonte dhe do të ngjallte zhgënjime, por një sovranitet relacional, një sovranitet si të vendeve të tjera. Nuk mund të lejojmë që Kosova të trajtohet si një tryezë laboratorike ku eksperimentohen praktikat e dështuara të qendrave globale. Nuk duhet të na dëshpërojnë “skllavopronarët”, as “skllevërit”, sepse i dimë nga rrjedhin pozicionimet e tyre.


2017-07-14

Letër nga Melburni

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e XIX

GJENOCID ME MASKEN 
“REVOLUCION IDEOLOGJIK EKULTUROR” 

ENVERI: KËTA DY I RREGULLOJ UNË, TI RAMIZ, MERRU ME SHKODREN !

1966, Amerikani Harold Uajzberg tha: “Vrasësi tipik e shikon veten si ndonjë hero.”
1967 Asht viti i shfaqjës së haptë të surratit të përbindshit antishqiptar, antikatolik terrorist, i fundamentalistit aziatik Enver Hoxha, me pasuesin e vet skilën Ramiz Alia.
N. S. Hrushov ka shkrue: “Pikrisht kështu, ka kenë tek né në kohen e Stalinit. 
Ai zhdukte gjithë kuadrot e hershme e populli thërriste: ‘Rroftë Stalini!’. Liderat shqiptarë nisen nga idea se Populli asht turmë. Ai duhet mbytë në frikë, tue e nënshtrue me kërcënime. Kështu vepron edhe Mao Ce Duni.
●Komunistët kudo ku kanë marrë pushtetin, kanë inaugurue terrorizmin në masë si mjet qeverisje.
Mbas fjalimit “programatik” të 6 Shkurtit 1967, PPSh dhe personalisht vet Enver Hoxha, udhëzon, drejton dhe kontrollon punën e organeve të Sigurimit të shtetit. Çdo vendim del nga Byroja Politike e KQ të PPSh, shpërndahet në rrethe dhe zbatohet nga komitetet e partisë, që kanë në varësi Sigurimin e shtetit dhe organizatat terroriste. 
●Vetë terroristi Enver Hoxha, në “veprën” e tij nr. 19, tregon se kryesore per té asht depersonalizimi i njeriut, tue e çveshë até nga “e drejta me besue në Zotin”, me arrijtë me e ba instrument të sigurimit të shtetit në sherbim të PPSh, për shpartallimin dhe varrosjen perfundimtare të Identitetit Kombtar, shemtimi ma i madh i këtij “Revolucioni” që edhe  sot “dr. prof dhe akademikët e RPSSh”, nuk e konsiderojnë endè Gjenocid i mirfilltë kunder Shqiptarëve.
SHKURT 1967, Enver Hoxha në “Fjalimin Programatik” të tij, për thellimin e “Revolucionit socialist” mbi bazen e “mësimeve të panderprera proletare të PPSh”, synon në të gjitha fushat e jetës politike, shoqnore, historike, kulturore dhe arsimore, me ba “spastrimin” e shoqnisë Shqiptare nga të gjitha “mbeturinat e vjetra”, nëkëte rrugë: 
■Dhunimi i identitetit kombtar, tue fillue nga Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, i cili nga “dr.prof e akademikët” quhet “Skënderbeu Gjergj Kastrioti” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSh, Tiranë 1985 fq. 964), vazhdohet: “Heroi Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh që udhëhoqi luften për pavarësi kunder pushtimit osman,...një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV...
■Dhunohet e drejta zakonore Shqiptare, ku perfshihet “Kanuni i Skenderbeut”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”... që ruejten kenien e Popullit Shqiptar nder shekuj, si komb,gjuhen dhe kulturen e tij. Pasuen brez mbas brezi tiparet Shqiptare: Besë, Burrni, Bujari.
■Dhunohet Nderi i Shqiptarit, qё ruen dhe trashigon vlerat e Familjes Shqiptare.
■Dhunohet në Vaun e Dejës, në vitin 1969 edhe Kisha ku asht kunorzue Heroi ma i madh i Kombit Shqiptar, pikrisht në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Tij. Thëmelet e saj janë e vetmja dëshmi e vjetersisë së saj. Veprat e artit e afreskit u shkatrruen...
■Dhunohet Opera e “Skenderbeut”, me zhdukjen e kompozitorit Prenkë Jakova. 
■Dhunohet “Kanuni i Skenderbeut” me dënimin me vdekje të Don Frano Illisë (1968).
■Dhunohet në Kuvendin e Françeskanëve Troshan, vepra e artit, pikturë me vaj per Gjergj Kastriotin, e cila, vidhet nga Galeria e Arteve në Tiranë, me leje nga shteti.
■Dhunohet Dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë Kombtare në 1912. 
■Dhunohet edhe “Kushtetuta e RPSh” e hartueme nga vetë shteti komunist në vitin 1946.
■Dhunohet gjuha Gegnishte Shqipe me një “kongres” turpi dhe “Drejtshkrimi” në 1972. 
■Dhunohen letersia dhe artet, arrestohen dënohen dhe vuejnë nder burgje e kampe shfarosje ata që mendohet se në kokë, ruejnë të tjera ide nga ata socialiste e komuniste.
■Dhuna në letersi e arte merr trajtën e plotë të “realizmit socialist” mbas plenumit të KQ të PPSh në qershorin 1973, kur vendoset edhe “spastrimi” i teksteve shkollore nga disa “mbeturina” të letrarëve dhe shkrimtarëve të Gjuhës Gegnishte Shqipe të Veriut. 
■Dhunohet shkolla Shqiptare mbas fjalimit të Enver Hoxhës, me 7 mars 1968, per “revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës”, aprovohet rruga “revolucionare” me ligj nga plenumi i VIII i KQ të PPSH, në qershor 1969, ku shenohet: “Qellimi perfundimtar i shkollës nuk është marrja e diplomës e mbarimi i universitetit, por për t’i shërbyer atdheut e socializmit ku të jetë nevoja. Në qender të të gjithë procesit mësimor-edukativ të shkollës, si shtyllë e paluajtshme kurrizore u vendos boshti ideologjik marksist-leninist.” “Dr. prof. e akademikët” e dijnë ma mirë se unë, se “ku kishte nevojë PPSh.., dhe kush varej nga ajo.. ”, mbasi shumica vazhdojnё “me i krye ato detyra” edhe sot...
■Dhunohet e drejta e “Shtetit të Pavarun” nga PPSh dhe tirani kriminel E.Hoxha.
■Dhunohet e drejta Kushtetuese...e mbrojtjes së të “pandehurit” nga avokati.
■Dhunohen të drejtat civile të qytetarëve që perfshihen në “Luften e kllasave”, tue humbë të gjitha të “drejtat e liritë njerëzore dhe qytetare”. 
Ata u përkasin vetëm “atyne” me “të drejtat socialiste”. Si pasojë: 
■Dhunohet e drejta me vazhdue shkollat e nalta pa u “aprovue” nga PPSh.
■Dhunohet e drejta e mbrojtjes së titujve “dr. prof, akademik, jurist,” ...nga ata që janë perfshi në “luften e kllasave”...
■Dhunohet e drejta e krijimit të familjes pa miratimin e PPSh...
■Dhunohet e drejta e punës private dhe në administraten shtetnore per arsye biografije
■Dhunohet e drejta e punës në arsim dhe asaj krijuese në art e kulturë.
■Dhunohet e drejta e punës kooperativiste për klerikët katolik. 
■Dhunohet e drejta e perkthimeve për me trashigue në kulturen kombtare veprat e kulturës botnore. Arrestohen dhe dënohen randë perkthyesit Prof. Nikoll Dakaj, Prof. Mark Dema etj. Dënohet kangtari Lukë Kaçaj, se reciton “Lahuten e Malsisë”. 
■Dhunohet e drejta e pronës private dhe trashigimia nga prind të “deklasuar”. 
■Dhunohen dokumentat e Gjendjes Civile per qellime “shpifje” nga shteti. 
Zhduken nga Sigurimi fletët e regjistrave të paravitit 1944.
■Dhunohet e drejta e trashigimit të Tokës dhe pronës paluejtshme nga pronarë që janë të “deklasuar”, të pushkatuem etj., ose kulakë. “Ato prona i merr shteti !”
***
■Dhunohen të gjitha ligjët që u caktuen në “Statutin e Kishës Katolike”, që edhe ky, u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me datën 30 korrik 1951, nga Dr. Omer Nishani.
■Me 6 shkurt 1967 terroristi Enver Hoxha, shpallë haptas “Lëvizjen kunder Fesë”...
■Prof. At Zef Valentini S.J. shkruen me 1954: “Tue kenë me arsim shumë të ngritun, katolikët shqiptarë gjithmonë u patën ngjallë zili disave. Vrasësi antikatolik Hoxha e pranonte këte tue i ba nder katoliçizmit, por katoliçizmi dhe në veçanti kleri katolik ishin pengesa ma e madhe per triumfin e komunizmit.” 
■Tirani anadollak Enver Hoxha persëritë: “Çka thotë partia bën Populli!”...Asnjë veprim tjeter nuk ka të drejtë askush me ba, vetem até “çka thotë PPSh!”... Po PPSh kush ishte? – Enver Hoxha me kriminelët e tij, të byrosë politike...Hysni Kapo, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu dhe i zgjedhuni nga kriminelët e Spanjës Mehmet Shehu, si specialist masakrash per dhunimin e të drejtave të njeriut, per me detyrue njerzit “mos me Besue në Zotin”, dhe me eleminue Klerin Katolik Shqiptar perfundimisht, tue zbatue ligjet e Gjenocidit komunist.Duhej luftue deri në zhdukje botkuptimi fetar me luftë kunder institucioneve fetare që ruenin Fenë në zemren dhe mendjen e Popullit. 
Ishin pikrisht Ato Kulla... që ishin ngritë që në Shekullin e Parë të Epokës mbas Krishtit, nga Shen Pali në Durrësku, “rinia revolucionare”, në shembullin e “gardistëve të kuq”, të Mao Ce Dunit vuni “Fletë Rrufenë” e parë. 
■Kryetari i Kishës Katolike Imz. Errnesto Çoba, me 1 Qershor 1966, kur ishte vendosë me u mbyllë Kisha e Zojës 1000 vjeçare tek Kalaja e Shkodres, i kishte shkrue një leter Enver Hoxhës, ku shenon: “Na jemi të gatshem të bajmë sakrifica per mbarëvajtjen e Atdheut, kjoftë edhe me jeten tonë!”...(Arkivi i Min. Mbrend. 1998).
■Enver Hoxha shpallë “Shtetin e Parë Ateist në Botë”...me dekretin 4337: “Shteti nuk njeh asnjë fé dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar të njerëzit botkuptimin shkencor e materialist” Artikulli 37 i Kushtetutes RPSSh, 1976.
■Me 19 mars 1967, mbyllen perfundimisht Kishat Katolike tue fillue me Kishen Katedrale të Shkodres. Njëheri fillon edhe dhunimi i vorrezave nder Kisha të Atyne klerikëve që kishin vdekë edhe para vitit 1900 dhe 1944
Prill 1967: Me porosi të KQ të PPSh dhe të terroristit EHoxha, tek Dosja 2291. Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme, prokurori i pergjthshëm Lefter Goga, urdhnon:.. “Hetuesit mund të përdorin torturat më shnjerëzore deri në vdekje të burgosurëve, pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurëve që mund të vdesin në duart e tyre në hetuesi.”
■Shqipnia e viteve 1944 – 1991 asht i vetmi vend në Botë që me “Revolucionin apo Gjenocidin komunist të vitit 1967”, ka krye Vetvrasje Kombtare perfundimtare!
●Shqiptari përjetoi jetën e të pambrojtunit të dërmuem nga diktatura komuniste dhe të sulmuem nga bishat të egra të pyllit. Shqipnia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, Shqipnia Evropjane, shpallët me Kushtetutë: “Shteti i Parë Ateist në Botë”. Rrugët e përgjakuna të Shkodres Heroike prap njomën me Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike. 
●Don Shtjefën Kurti, vetëm se Pagëzoi një fëmijë: Pushkatohet. “Revolucioni Ideologjik Kultural” i tipit kinez, edhe njëherë përmbytë Popullin Shqiptar në llomin e ideologjisë komuniste, tue mos lanë asnjë Kishë Katolike në Shqipni.
■Gjithsejt mbyllen 2169 objekte kulti. 
●At Pjetër Meshkalla, me datën 5 Prill 1967, i tregon haptas drejtuesve terroristë të Shtetit komunist, se: “...Ajo që kërkoni me ba ju asht vetëm kjo: Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sëpse, i lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë Ate që beson; dhe kështu, fushata që po bahët, synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut.”(Nga letra e dergueme M. Shehut).
25 PRILL 1993 Edhe konkluzioni asht dhanë nga Miku i Madh i Popullit Shqiptar:
PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...” (Sheshi Skenderbeu Tiranë)
Vazhdon Pjesa e XX dhe e fundit...
Melbourne, Korrik 2017.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...