Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/11/24

Isabelle Arnal prokurorja që kërkonte arrestimin e Limajt, me ose pa prova

Kjo ishte prokurorja që kërkonte arrestimin e Limajt, me ose pa prova

Në gjykimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe të tjerëve në procesin e njohur si Rasti i MTPT ka dëshmuar një rreshtere e Policisë, e specializuar për krim të organizuar, e cila tha se ka dëgjuar thashetheme se ish-udhëheqësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka kërkuar nga ekipi që të “kapin Limajn, me prova apo pa prova”.

Marina Tojvenen pas një kohe që kishte hyrë në EULEX u bë hetuesja kryesore në rastin e Limajt dhe të tjerëve.


Gjatë asaj kohe udhëheqëse e PSRK-së kishte qenë Isabelle Arnal, për të cilën Tojvenen tha se nuk ka pasur reputacion të mirë dhe se “ka dëgjuar për temperamentin e saj”.

“Kam dëgjuar, ne nuk kemi pasë të drejtë të hyjmë në zyrën e saj sepse nuk kemi pasë vlerë të lartë për të. Ka pasë fjalë të ndryshme mirëpo të gjithë kanë thënë që ajo ishte ‘bitch’”, tha Tojvenen.

Sipas të akuzuarit Limaj, kishte qenë pikërisht Isabelle Arnal ajo e cila ka urdhëruar që ai të “kapej”, me apo pa prova dhe kjo gjë sipas Limajt është dëshmuar nga hetuesi i IT-së në EULEX.

“Ajo ka thënë para një ekipe se me prova ose pa prova Fatmir Limajn e du në burg”, ishin fjalët e cituara të Isabelle Arnald nga Limaj, raporton Kallxo.com.

E pyetur nga Limaj se a ka dëgjuar ndonjëherë për këto fjalë, dëshmitarja tha se i ka dëgjuar si thashetheme të bartura “gojë më gojë”.

“Po unë nuk e kam dëgjuar ta ketë thënë këtë, kam dëgjuar që shumë kolegë të mi nuk ishin të kënaqur me sjelljen e Isabelle Arnald dhe nuk më kujtohet kush ka thënë, por më kujtohet që dikush ka thënë që e ka thënë në prani të tjerëve por saktësisht se kush e ka thënë nuk mund të them”, është përgjigjur dëshmitarja.

Para se Limaj të merrte fjalën, prokurori Charles Hardaway pyeti ish-udhëheqësen e hetuesve edhe për hetuesin Troy Wilkinson, për të cilin Limaj pretendon se ka vërtetuar se Arnald ka kërkKuar kapjen e tij.

“A të kujtohet nëse Troy Wilkinsonit që atij i është thënë dikush nga PSRK- ja që të kapë Fatmir Limajn?”, ishte pyetja e prokurorit drejtuar dëshmitares.

“Nuk e kam dëgju këtë nga Wilkinson, por e kam dëgju këtë në përgjithësi si thashetheme”, theksoi dëshmitarja.

Më pas, Hardaway e pyeti dëshmitaren se nëse i kujtohet që Wilkinson i është bashkangjitur mbrojtjes, dëshmitarja tha se nuk i kujtohet kjo gjë.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga pjesa e parë e seancës së sotme gjatë të cilës dëshmoi Marija Tojvenen, e cila pritet të vazhdojë dëshminë edhe nesër, kur do të merret në pyetje nga mbrojtja.

Një ‘copë letre’ që e përballi Limajn tri vite me gjyqin

Një ‘copë letre’ që e përballi Limajn tri vite me gjyqin
Rreth 7 orë seancë janë dashur që mbrojtja të jap fjalën përfundimtare dhe rreth 3 vite janë dashur që këtij procesi gjyqësor të njohur si MTPT t’i vijë fundi.

Në gjykimin e sotëm të zvendëskryeministrit Fatmir Limaj, së bashku me Endrit Shalën, Nexhat Krasniqin, Shpëtim Telakun e Florim Zukën, është dhënë fjala përfundimtare nga të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.


I pari që e filloi fjalën e tij përfundimtare, ishte avokati i Limajt, Karim Khan, të cilit iu deshën mbi 3 orë që ta përfundojë atë.

Khan e nisi fjalën përfundimtare duke treguar se dita e sotme është ditë mjaft e rëndësishme për vet Limajn, si dhe për vetë procesin gjyqësor të Republikës së Kosovës pasi që, sipas tij, është mundësia e mbrojtjes që të shpjegojë se të gjitha pretendimet e paraqitura nga zyra e prokurorisë janë “plotësisht të pabaza”.

Khan tha se ky rast, i paraqitur nga Policia Speciale e Republikës së Kosovës, ka qenë një rast “i vrasjes në mënyrë metaforike” kundër familjes Limaj.

“Rasti të cilin e kanë paraqitur PSRK- ja ka qenë thjesht një rasti i vrasjes në mënyrë metaforike kundër familjes Limaj. Kanë qenë të përfshirë dy vëllezërit e tij, e gjithë kjo pakumptimësi është refuzuar nga gjyqtarja Adamska, dhe të gjitha mesazhet e rrejshme, çka mund të themi tjetër”, tha Khan, duke iu referuar aktakuzës së rastit të njohur si MTPT 1, ku para se të konsolidohej, pjesë e aktakuzës ishin edhe dy vëllezërit e Limajt, Florimi e Demiri, për të cilët u hodh poshtë akuza.

E prokurori përmendi edhe Troy Wilkinson, ish- hetuesin e EULEX, për të cilin në ditën e djeshme prokurori tha se ka bashkëpunuar me grupin e Limajt pasi që është larguar nga EULEX. Kjo pasi që Limaj pretendon se Wilkinson ka provuar se ish- shefja e PSRK- së, Isabelle Arnald ka thënë ta kapin atë, “me apo pa prova”.

Avokati i Limajt, Khan, tha se Wilkinson është kritikuar vetëm pse ka thënë se gjërat në EULEX nuk janë ashtu siç duhet të jenë.

Sa i përket artikullit në “Le Monde” ku ish- udhëheqësi i gjyqtarëve të EULEX, Malcolm Simmons, ka thënë se EULEX është mision politik që dëshiron “rrëzimin e një klase të politikanëve kosovarë, sikur Fatmir Limaj”, Khan tha se do të shihet përmes shtypit se çfarë do të ndodhë më tutje.

“Kolegu im ka përmendur Troy Wilkinson, Malcolm Simmons, se individët të cilët kanë qenë shërbyes në këtë mision, të rekrutuar nga EULEX, janë kthyer kundër, të cilët janë kritikuar kur thonë se gjërat nuk janë ashtu siç duhet të jenë. E kemi parë këtë në rastin e Wilkinson, dhe do ta shohim përmes shtypit se çka do të ndodhë me të nderuarin gjyqtarin Simmons”, shtoi ai.

Sa i përket dëshmitarëve të marrë në pyetje deri më sot, Khan tha se asnjëri nga ta nuk e ka përkrahur këtë rast.

Në veçanti, avokati Khan i kushtoi më shumë kohë dëshmitarit tani më të ndjerë, Mehmet Shkodra, sipas tij “shtytësit të këtij rasti”.

Khan përmendi disa SMS-ë të Shkodrës dërguar Fatmir Limajt, Adem Grabovcit e Nexhat Krasniqit, përmes të cilëve Shkodra kishte këmbëngulur vazhdimisht që të takohej me Limajn, e sipas avokatit, duke përmendur në SMS takime fiktive mes Limajt e tij.

Në SMS-në e përmendur, Khan tha se Shkodra disa herë ka shkuar në zyrën e Limajt dhe e ka pritur me orë të tëra duke insistuar që tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve ti jepet atij, gjë e cila edhe nuk ka ndodhur.

“Fakti se nuk i janë dhënë tenderët tregon se procesi i tenderimit ka funksionuar me rregull”, tha Khan.

“Kompania e tij që ka qenë tërësisht e papërshtatshme për të dhënë tender… Shkallën impresive e ka pasur zero”, shtoi Khan.

E fjalën e tij përfundimtare, avokati i Limajt e përmbylli duke theksuar se Limaj asnjëherë nuk i ka ikur këtij procesi gjyqësor, nuk i është fshehur, nuk i është arratisur, por, është ballafaquar me akuzat.

Khan, kërkoi që Limaj të lirohet nga të gjitha pikat e akuzës.

Pas tij, fjalën e morri Fatmir Limaj, i akuzuari kryesor në këtë proces gjyqësor.

“Ja ku jemi sot, pas 2,764 ditëve që unë ballafaqohem me këto akuza. Që nga 2015 kur kemi filluar procesin, i kemi kaluar të gjitha provat e prokurorisë, i kemi dëgjuar gjithë ata dëshmitarë dhe në fund kemi dëgjuar fjalën përfundimtare të prokurorit. As në shkresa të lëndës dhe asnjë dokument dhe nga asnjë dëshmitar nuk është thënë që edhe një cent është abuzuar nga unë gjatë kohës sa kam qenë ministër”, theksoi Fatmir Limaj.

Sipas Limajt, çdo gjë kishte filluar nga një ankesë, një copë letre, e cila e ka mbajtur atë për kaq shumë vite me radhë në këtë proces gjyqësor, dhe tani që arriti fundi “asgjë tjetër nuk ka përveç asaj ankese”.

“As ndonjë provë apo dëshmi që do të vërtetonte akuzën e prokurorisë”, tha Limaj.

“Jam krenar që pas këtyre 2764 ditëve kjo që kam thënë unë tashmë është provuar sepse para jush nuk është prezantuar asnjë provë që vërteton akuzën e prokurorisë”, shtoi Limaj.

Limaj e përmbylli fjalën e tij përfundimtare me kërkesë nga Gjykata që vendimin ta marrë në bazë të provave të paraqitura dhe në përputhje me ligjin, duke thënë se “është koha është që të flasin faktet dhe provat, jemi lodhë nga thashethemet që kanë ndodhur deri sot”.

Kërkesën për lirimin nga të gjitha pikat e akuzës e patën edhe avokatët tjerë mbrojtës, si Nysret Islami, Florent Latifaj, Blerim Prestreshi e Sevdali Zenjullahu.

Që të gjithë kërkuan nga trupi gjykues që në mungesë të provave të lirohen mbrojtësit e tyre në të gjitha pikat e akuzës.

Avokati i të akuzuarit Endrit Shala, Nysret Islami, theksoi se e gjithë aktakuza ndaj Shalës është e bazuar në pretendimet e prokurorisë në disa SMS që, sipas tij, janë të fabrikuara.

“E gjithë aktakuza ndaj klientit tim Shala, është e bazuar në pretendimet e prokurorisë në disa të ashtuquajtur SMS, në disa letra hardcopy e të cilat kanë qenë një dokument i fabrikuar, dhe po ashtu prokuroria në gjithë aktakuzën ka bërë interpretime tërësisht të gabuara të situatave të caktuara dhe të komunikimeve reale të klientit tim”, tha Islami, duke shtuar se përmbajtja e këtij dokumenti tani më është e shpallur si provë e papranueshme.

Avokati i Florim Zukës, të akuzuarit për dhënie ryshfeti Blerim Prestreshi, tha se gjatë tërë procesit kanë dëgjuar “vetëm thashetheme dhe jo prova”. Ai theksoi se nga dy pikat për të cilat akuzohet Zuka, njëra nga to vetëm se është parashkruar në kohën kur është konsoliduar MTPT 1 dhe MTPT 2, ndërsa për pikën e dytë, sipas tij, prokuroria asnjëherë nuk ka arritur t’i përforcojë këto pretendime përtej dyshimit të bazuar.

Njëjtë u shpreh edhe avokati i Shpëtim Telakut, Sevdali Zenjullahu i cili tha se “kush e analizon këtë aktakuzë e vëren se nuk ka kuptim logjik”.

Sipas Zenjullahut, me asnjë provë të prokurorisë nuk mund të vërtetohet pretendimi se grupi kriminal është i krijuar.

“Me cilat prova është vërtetuar që ndonjëri nga të akuzuarit ka përfituar në çfarë do mënyre”, ishte pyetja e tij, duke aluduar se nuk ka prova për një pretendim të tillë.

Që të gjithë të akuzuarit mbështetën fjalën e mbrojtësve të tyre.

Edhe i akuzuari Endrit Shala, pati disa fjalë më shumë për t’i thënë trupit gjykues.

Ai tha se prokurori në fjalën e tij përfundimtare nuk u mbështet në asnjë provë të vetme apo dëshmi përmes së cilës do të mbështetej apo dëshmuar akuza kundrejt tij.

“Ndihem krenar që kam punuar me korrektësi dhe profesionalizëm, në përputhje të plotë me kompetencat e mia, në shërbim të vendit tim”, tha i akuzuari Shala, duke theksuar më pas se asnjë veprim i tij gjatë atyre 3 viteve punë në MTPT, nuk ka qenë i kundërligjshëm.

Mbrojtjen e tij Shala e përmbylli duke thënë se drejtësia do të ishte e vetmja gjë e cila do të shëronte plagët e tij dhe të familjes, të shkaktuara gjatë këtij procesi gjyqësor.

Në ditën e djeshme, prokurori i çështjes, Charles Hardaway, ka thënë fjalën e tij përfundimtare.

Rreth dy javë më parë, KALLXO.com ka bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit të këtij rasti, do të bëhet këtë të premte.

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar.

Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala.

Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Gjykimi lidhet me disa rrugë të asfaltuara në komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Gjenerali Fatmir Limaj flet në Gjykatë për artikullin e ‘Le Monde’ rreth EULEX-it



Në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve në Rastin MTPT1 dhe MTPT2 është folur për artikullin e “Le Monde” në lidhje me dyshimet për korrupsion në EULEX.

Intervista e ish-kreut të gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons, në të cilin ai përmend dyshime për korrupsion brenda Misionit Europian për Sundim të Ligjit është përmendur sot në gjykimin e Fatmir Limajt për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.


Sot parashihej të dëshmonte Skender Gashi, por Tahir Rrecaj, avokati i fatmir Limajt tha se mbrojtja ka hequr dorë nga ftesa e tij për të dëshmuar.

Pastaj, gjatë seancës, Fatmir Limaj e shpjegoi pse mbrojtja hoqi dorë nga dëshmia e Gashit, duke e lidhur këtë me artikullin në “Le Monde”.

Ajo që është me rëndësi për mua është që është përmendur specifikisht emri im dhe është thënë se ky është një mision politik që ka target zotin Limaj, tha Limaj në gjykatë.

“Unë zonja gjyqtare për 7 vjet gati tetë prej ditës së parë kam shpreh shqetësimin. Kjo për mua është shokante përfundimisht”, tha Limaj duke folur për artikullin në “Le Monde”.

Në artikullin e publikuar në “Le Monde”, ish-udhëheqësi i gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons përmendi ehe Fatmir Limajn.

“Është një mision politik. Kushdo që e mendon të kundërtën është ose naiv ose i marrë. EULEX dëshironte të rrëzohej një pjesë e klasës politike kosovare, sikur Fatmir Limaj…”, thuhej në artikullin e publikuar në “ Le Monde”.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik

EULEX-i kurdisi Rastin e gjeneralit Fatmir Limaj


Ishte akuzuar nga EULEX-i për krim të organizuar dhe vepra të lidhura me korrupsion. Por, sipas një ish gjyqtari të misionit evropian në Kosovës, rasti kundër Fatmir Limajt është i kurdisur.

Britaniku, Malcolm Simmons, kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it, në një intervistë për gazetën franceze, Le Monde, ka deklaruar se akuzat e ngritura në vitin 2012 ndaj ish komandanti i UÇK-së, tani lideri i Nimës për Kosovën, janë të motivuara politikisht.


“Kam qenë kryetar i gjyqit në këtë proces në vitin 2013 dhe shumë shpejt e kuptova se misioni EULEX dëshironte t’i nxjerr atij pengesa në rrugë kur afroheshin zgjedhjet. Kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it të asaj kohe, Charles Smith, më tha që misioni EULEX dëshironte që z.Limaj të dënohej”, ka deklaruar britaniku Simomons.

Simmons, ka treguar edhe arsyet pse erdhi deri të gjykimi i komandant Çelikut.

Ai ka thënë se EULEX është një mision politik.

Ish-kryetari gjyqtarëve të EULEX-it i shqetësuar për besueshmërinë e Gjykatës Speciale


Televizioni publik i Kosovës sjell fakte të reja mbi presionin që menaxhmenti i lartë i EULEX-it ka ushtruar vazhdimisht në gjyqtarët e këtij misioni, duke ndikuar në vendimet në disa procese gjyqësore.

Në një dokument të ish-kryetarit të gjyqtarëve të këtij misioni, Malcolm Simmons, që ua ka dërguar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, britaniku ka numëruar shkelje të shumta, duke përfshirë presion e ndëshkime mbi gjyqtarët që nuk kanë vepruar ashtu si janë urdhëruar.


Simmons hedh dyshime edhe nëse Gjykata Speciale do të ndajë drejtësi, meqë, sipas tij, zyrtarë të EULEX-it që bënin trysni te gjyqtarët janë angazhuar edhe në Gjykatën Speciale.

Ekzistojnë prova të reja të cilat dëshmojnë keqpërdorime brenda misionit më të madh evropian në Prishtinë.

RTK posedon një dokument tjetër që ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i ka dërguar zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian, e në të cilën britaniku numëron një nga një shkeljet e këtij institucioni.

“Shkëlqesia juaj, kërkoj vëmendjen tuaj për akuzat për korrupsion dhe sjellje të keqe në misionin e EULEX-it.”

Ata janë në dijeni për qasjen diskriminuese dhe fyese, ku sipas Simmons jo rrallë herë Dariusz Sielicki, gjyqtari kryesor në rastin ‘Drenica’, u ishte referuar të pandehurve shqiptarë si kafshë. Misioni i EULEX-it, sipas e-mailit nuk i ka trajtuar këto pretendime. Në vend të kësaj, Malcolm Simmons kishte marrë një kërcënim, kur ai vet tentoi që të sjellë prova në Gjykatën Supreme për keqpërdorimet e EULEX-it, në rastin “Drenica 2”.

“Menaxhmenti i misionit më kërcënoi se do të ndërmerr masa disiplinore kundër meje, nëse jap një deklaratë për këshillin e mbrojtjes”, thotë ai.

Sipas Simmons, ata që kërkonin drejtësi kërcënoheshin, e ata që bënin presion në gjyqtarë gjetën angazhime. Madje sipas Simmons, njëri prej tyre do të ndajë drejtësi edhe në Gjykatën Speciale, e cila do të trajtojë krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Një nga menaxherët e përfshirë në disa raste të përpjekjeve për të ndërhyrë në vendime gjyqësore është tani në listën e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave Speciale. Kjo, qartazi ngre shqetësime legjitime në lidhje me besueshmërinë e asaj gjykate”, deklaroi ai.

Ky nuk është manipulimi i vetëm i evidentuar nga Simmons, në e-mailin dërguar zyrtarëve të BE-së më 2 Tetor të këtij viti. Madje, sipas britanikut, kërcënime të ngjashme kanë marrë edhe gjyqtarët tjerë, sa herë që verdiktet e tyre nuk u shkonin për shtati udhëheqësve të këtij misioni.

“Gjyqtarët e EULEX-it kërcënoheshin me shkarkim nëse do të merrnin vendime gjyqësore, të cilat menaxherëve të misionit nuk u pëlqenin.”

“Unë kam qenë pjesë e bisedave në një takim ku menaxhmenti i lartë i misionit ndërmorri masa disiplinore kundër një gjyqtareje, me synim që ta shkarkonin atë, sepse nuk i pëlqyen vendimet e saj.”

Sipas letrës që Simmons e adresoi në BE, verdiktet e gjyqtarëve të EULEX-it gjithmonë janë lidhur me perspektivën e Misionit, e asnjëherë me drejtësinë.

“Menaxhmenti i lartë i Misionit më tha se e ardhmja e misionit mund të dëmtohet shumë nëse të pandehurit në një rast të profilit të lartë për krime luftë do të liroheshin. Në atë kohë, kjo çështje u raportua me shkrim në Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe u bë shkas për një takim të mëvonshëm me zëvendës-ambasadorin”, ka thënë ai.

Me qëllim që verdikti t’i shkojë për shtati misionit Evropian, Simmons kishte shkruar në këtë email se ka pasur edhe manipulim të provave e trajtim jo të duhur të dëshmitarëve të mbrojtur.

“Ka mangësi serioze në EULEX në trajtimin e një dëshmitari të mbrojtur në një rast të prolifit të lartë të krimeve të luftës që përfundoi me vetëvrasjen e tij.”

“Manipulimi i provave në një rast të krimeve të luftës, përbënte një përpjekje për të shtrembëruar rrjedhën e drejtësisë. Menaxhmenti i misionit ishte i informuar për këtë dëshmi. Unë kam kryesuar një panel disiplinor të ankesave. Në mëngjes, gjatë diskutimeve të paneleve, kam marrë një thirrje telefonike nga shefi i misionit të atëhershëm, duke më udhëzuar se si duhet të vendosë kolegji. Edhe dy anëtarët e tjerë të panelit morën telefonata të njëjta nga shefi i misionit”, ka thënë Simmons.

Arsyet politike, shpesh herë ndikonin në vendimet e gjyqtarëve të EULEX-it, shkruan në letrën e britanikut.

“Menaxhmenti i misionit të EULEX-it është përpjekur që të ndërhyjë në kohën e gjykimit të Oliver Ivanoviqit, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve lokale të Mitrovicës.”

“Në një rast të krimeve të luftës, administrata e misionit të Eulex-it u përpoq të ndërhynte në kohën e gjykimit, sepse një nga të pandehurit – një politikan i shquar – ishte kandidat në zgjedhjet e ardhshme. U udhëzova nëpërmjet një email-i nga menaxhmeti i misionit të procedonim shpejtë këtë rast për “arsye politike”.

Redaksia Hulumtuese e emisionit Udhëve ka kërkuar përgjigje për këto akuza dhe gjetje nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme, Frederica Mogeherini, Komandantit të Operacioneve Civile të BE-së, Kenneth Deane dhe vet zyrtarëve të EULEX-it.

Në rast se do të ketë përgjigje, RTK do të publikojë ato në ciklin e hulumtimeve për misionin e EULEX-it, i cili do të vazhdoj edhe gjatë ditëve në vijim.

Maria Bamieh: Në EULEX janë 11 prokurorë të pakualifikuar

Bamieh: Në EULEX janë 11 prokurorë të pakualifikuar
Maria Bamieh, një ish-prokurore, e cila akuzoi Bashkimin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, për përfundim të padrejtë të kontratës së punës, pasi ajo kishte ngritur shqetësime lidhur me korrupsionin brenda vet EULEX-it, ka mbrojtur ish-kolegun e saj, ish-kryetarin e gjykatësve në EULEX, i cili ka mashtruar me vite të tëra, duke prezantuar diplomën false të doktoraturës.

Bamieh bëri deklarata të tilla pasi Insajderi publikoi hulumtimin mbi atë sesi Malcolm Simmons kishte prezantuar në CV kur ishte punësuar në EULEX, diplomën false të “Fairfax University” që ishte mbyllur në vitin 2004 për shkak se ishte institucion që shiste diploma.


“Nuk ka nevojë që të kesh doktoraturë që të jesh gjykatës në Kosovë apo në Mbretërinë e Bashkuar. Ndoshta Universiteti që Simmons ka përdor është mbyllur pasi ka marrë doktoraturën e tij dhe më pas ndoshta për këtë arsye e ka hequr nga CV-ja”, ka shkruar Bamieh.

Simmons kishte prezantuar në CV-në e tij këtë diplomë në vitin 2008 kur ishte emëruar gjykatës në EULEX dhe e kishte hequr nga CV-ja në vitin 2014, kur ishte emëruar kryetar i Gjykatësve të EULEX-it.

Bamieh ka thënë se në EULEX ka edhe njerëz të tjerë që janë të pakualifikuar.

“Ka shumë njerëz të pakualifikuar në EULEX. Claudio Pala, Alan Cansick dhe shumë të tjerë. Prokurori duhet të tregojë nëse ata kanë qenë prokurorë në shetet e tyre. Unë jam ankuar për prokurorët e pakualifikuar në EULEX qysh në vitin 2013. Gjithashtu jam ankuar tek OALF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit v.j). Hulumitimi i tyre zbuloi se në EULEX ishin 11 persona të pakualifikuar. Jam e sigurtë që Malcolm nuk ishte një prej tyre”, ka shkruar Bamieh.

Ajo nuk ka treguar se cilët janë këta prokurorë të EULEX-it që kanë dalë të pakualifikuar.

Dyshimet për biografinë e gjyqtarit që akuzon për korrupsion në EULEX

Dyshimet për biografinë e gjyqtarit që akuzon për korrupsion në EULEX

Një avokat i njohur pak në Britani u ngrit aq shumë në detyrë, sa u bë një nga gjykatësit më të fuqishëm të Kosovës, pavarësisht mungesës së kredencialeve për të shërbyer si gjykatës ndërkombëtar, sidomos duke pasur parasysh polemikat mbi postet e tija të mëparshme në Ballkanin Perëndimor.

Në një mënyrë të tillë nisë shkrimi hulumtues i Natalia Zaba i botuar në “see-whistleblowing.org” një platformë e përbërë nga më shumë se 30 organizata ndërkombëtare nga 13 vende të Evropës Juglindore që ka për qëllim luftimin e korrupsionit.


Bëhet fjalë për Malcolm Howard Simmons që ka dhënë një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” duke akuzuar BE-në se kanë dërguar në Kosovë një mision politik e jo ligjor sikurse EULEX-i, në këtë shkrim thuhet se ai nuk ka të kaluar dhe aq të mirë, transmeton Insajderi.

Megjithëse gjyqtari më i fuqishëm në EULEX, Simmons nuk shërbeu kurrë si gjykatës në Angli apo Uells, bazuar në informacionet e Gjykatave në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një rregulloreje të OKB-së të vitit 2000, gjykatësit ndërkombëtarë duhet të kenë së paku pesë vjet përvojë pune si gjykatës në vendet e tyre, përpara se të dërgohen në Kosovë.

Malcolm Howard Simmons ka vendosur mbi shumë raste kritike në Kosovë, Bosnjë e Hercegonivë gjatë një periudhe kohore prej 11 vitesh, edhe pse ai kurrë nuk është vendosur në ndonjë pozitë si gjyqtarë në vendin e tij Mbretëria e Bashkuar. Përvoja dhe trajnimi thelbësorë janë zakonisht kushtpër të shërbyer si gjyqtarë ndërkombëtarë.

Sipas këtij shkrimi, pavarësisht nga mungesa e përvojës, Simmons ka shërbyer në shumë gjykata në Kosovë, përfshirë edhe Gjykatën Supreme si dhe në një gjykatë boshnjake për krime të luftës, sipas raportimeve të mediave dhe gjykatave në atë vend.

Por ai njihet më së shumti për rastin e Komandant Çeliku, Fatmir Limajt në vitin 2013, ku shërbente si kryetar i trupit gjykues në rastin “Kleçka” që konsiderohet nga Qendra për të Drejtën Humanitare si një prej gjykimeve më të rëndësishme të krimeve të luftës në Kosovë.

Simmons ishte edhe kryetar i Trupit Gjykues në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe gjykoi çështje të krimeve të luftës që u trajtuan gjatë vitit 2015 dhe nxori vendime mbi çështje penale që përfshinin kontrabandën ilegale të emigrantëve brenda dhe jashtë Kosovës. Këto raste u gjykuan gjatë viteve 2013 dhe 2014.

Në vitin 2014, Simmons u emëruar kryetar i gjykatësve në misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX. Ai u dërgua aty në vitin 2008 nga Zyra e Jashtme dhe ” Commonwealth Office (FCO)” në Britani. Ai dha dorëheqje këtë të enjte duke bërë akuza për korrupsion, teksa EULEX-i tha se ai “ishte duke u hetuar në lidhje me akuza serioze ndaj tij” që nga viti i kaluar.

EULEX i ka kushtuar BE-së 63 milionë euro në vit me mbi 800 punonjës. Por EULEX ka qenë burimi i disa skandaleve në vitet e fundit, duke përfshirë akuzat për ryshfet, korrupsion, fshehje të fakteve e deri tek hakmarrjet e ndryshme. Deklaratat e Simmons janë akuzat më të reja rreth EULEX-it.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...