Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/03/13

MARTIN CAMAJ, POETI I ARRATISUR DREJT LIRISE


Shkruar nga: Agim Xh. Deshnica





... Para kthimit të demokracisë shumë vetë kishin dëgjuar në radiot e huaja të flitej për një poet e lektor shqiptar në Gjermami, me emërin Martin Camaj. Shpesh atë profesor të panjohur e përfytyronin vetëm me disa të dhëna të vagta. Mbi të gjitha vlerat ia shtonin qenia e tij në Universitetin e Mynihut. Asnjë gazetë, apo revistë, as radio, a televizion në Tiranë, nuk njoftonte publikun shqiptar për këtë bashkëkombas të talentuar, i cili aso kohe i shërbente vendit të vet me krijimtarinë letrare e studimet shkencore, ku shprehej dashuria dhe malli për atdhe. As në vitin 1983 emëri e vepra e tij nuk u cek në librin “Historia e letërsisë shqiptare”, kur fama për të ndihej me të madh në Kosovë, Itali, Gjermani e SHBA. Dihej gjithashtu, se në Itali në gazeta e revista, me shkrimtarët Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Namik Resuli e Mati Logoreci, bashkëpunonte edhe Martin Camaj, kurse larg në SHBA, jetonte e krijonte Arshi Pipa. Katër të parët ishin larguar nga atdheut para mbarimit të luftës botërore, dy të tjerët u arratisën për t’i shpëtuar terrorit komunist. Të gjithë këta shkrimtarë patën fate të ndryshme: Koliqi, Gurakuqi, Resuli, Logoreci dhe Camaj, nuk mundën të ktheheshin kurrë në atdhe, ndërsa Arshi Pipa i lumtur e pa të lirë nga sundimi komunist. V.etëm vepra e tyre pati po një fat. Qysh në vitet e para të demokracisë ajo u kthye e gjallë e ngadhënjyese nga mërgimi i gjatë, e mirëpritur në duart e lexuesve shqiptarë.
Po kush ishte ky poet e profesor?

Martin Camaj tashmë njihet në botën letrare e kulturore shqiptare, si njeri me ndjenja atdhetare, profesor, poet e shkrimtar modernist, novelist, romancier, dramaturg, eseist, studjues në fushën e albanologjisë dhe folklorit. Ai u lind në Temal të Dukagjinit, më 21 korrik 1925. Mësimet e para i mori në Kolegjin Severian në Shkodër. Pas luftës punoi mësues në shkolla fshati, Aty nga viti 1948 pas kryengritjes së Postribës u arratis nga Shqipëria përmes maleve dhe u vendos në Beograd, ku mundi të studionte për romanistikë e ballkanologji. Në vitet 1953 -1954 në Prishtinë botoi dy vëllime me poezi: “Një fyell ndër male“ dhe “Kanga e vërrikut.“ Krijimet e përfshira aty, me motive nga malësitë e veriut, të kujtojnë për nga stili e metrika poezitë e draditës shkodrane, sidomos të Ndre Mjedës. Në verën e vitit 1956 e la Jugosllavinë dhe shkon për studime në Itali. Në Universitetin e Romës mbron doktoratën për gjuhë e letërsi. I pajisur me kulturë të gjerë punon lektor për gjuhën shqipe në universitet, ndërkohë bashkëpunon me Koliqin në revistën “Shejzat”, si kryeredaktor i saj. Këtu u njoh më nga afër me komunitetin arbëresh. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Mynih të Gjermanisë. Në Universitetin e këtij qyteti mbron doktoratën për albanoligji. Po aty pranohet pedagog për letërsinë shqiptare. Më pas krijon katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe dhe e drejton deri në fund të jetës.



Shfaqja e një shkrimtari të ndryshëm nga shumë të tjerë.



Duke bashkëpunuar me shkrimtarët e shquar Ernest Koliqi e Karl Gurakuqi, Camaj u shfaq me një mënyrë të re shkrimi, me prirje moderniste, siç janë, metaforat e shumta, hermetizmi, simbolet e zhveshja nga rregullat e ngurta të traditës. Mesa dukej leksionet e poetit modern Ungereti, patën ndikim të qartë në poezinë e tij, por me një dallim, sepse tek Camaj ndihej prejardhja e kultures, me zanafillë nga vendlindja, Buzuku, Bogdani dhe edukata e marrë nga Fishta e Kolegji Severian. Në poezitë e tij vlon malli e dhimbja për lirinë e humbur të atdheut e veçanërisht për Shkodrën: “Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra./E të thirrën qytet me kunora/e të hodhën përkrye gur/ e hekurat e para.”

Ky ndryshim apo largim shkallë-shkallë nga tradita drejt modernizmit, u pa në një seri veprash letrare të botuara në Romë, si “Djella”, roman lirik bashkë me disa poezi 1953 dhe “Legjenda”, poezi 1954. Vite më vonë në Mynih: “Lirika mes dy moteve”-poezi, “Njeriu më vete e me të tjerë”, poezi, “Shkundullima- pesë proza dhe një dramë”, të tre më 1967; “Rrathët”, roman 1978; “Dranja-madrigal” e “Poezi 1953-1957”-1981; “Karpa”, roman -1987. Me titull “Poesie”, në Palermo-del libri “Njeriu më vete e me të tjerë”-1985, përkthim në italisht nga Francesco Solano. Në Nju Jork botohet:“Selected poetry”-1991, përkthim nga Leonard Fox. Njëkohësisht në Nju Jork e Mynih më 1991: “Palimpsest”, poezitë e fundit të kijuara nga Camaj, përkthimi nga Leonard Fox. Po atë vit në Mynih, botohet në gjermanisht vëllimi “Gedichte”, përkthim nga Hans-Joachim Lanksch. Disa prej dramave janë “Loja e pasdrekës” dhe “Kandili argjandit.” Përveç tyre, Camaj ka botuar shkrime kritike, reçensione në revista, si “Shejzat”, “Zjarri”, “Albania”, “Jeta e re”, “Südost Forschungen” etj



Camaj për albanalogjinë e folklorin shqiptar.



Gjuha e Camajt është një standart i përkryer verior, një ndërthurje e gjuhëve të autorëve shkodranë, pothuaj afër standartit të gjuhës-1972, me pasuri fjalësh burimore, plot zanore të kumbueshme që mungojnë tek “Fjalori i sotëm i gjuhës shqipe”. Për më tepër paskajorja e pranishme dendur, i jep krijimtarisë së tij hapësirë e lirshmëri në poezi e prozë. Kjo shihet menjëherë vetëm nga leximi i dy copëzave të romanit “Diella”: “Natë. Shiu kishte pushue para gjysmë ore.Nga pullazi cirkoshin vetëm pikë. Dy mësuesit e shkollës fillore të fshatit të Ndërsanës rrijnë para llampës me vojguri ashtu si para një shekulli varë në mur mbi tryezën e vrashtë, dy krena një e bardhë e tjetra e zezë.” Ose: “ Ajo verë në vendin e të parëve në Malësi më mbeti në kujtesë sepse u lidh me përjetime të pashlyeshme. Po mos të kisha takue atje për të parën herë Sosen, edhe ajo kohë do t’u kish përngja verave tjera, kalue në male qysh prej fëminisë, në fillim me prind e ma vonë pa ta.”

Camaj u shqua si albanolog sidomos me punimet e veta për gjuhësinë shqiptare gjatë tërë viteve të jetës studimore. Ndihmesa e tij me vlerë, me studimet kushtuar Buzukut e Bogdanit i shërben historisë së gjuhës shqipe. Ndërkohë për çështjen në fjalë ai i kushtoi një vemendje të veçantë studimit e të folmeve në provincat arbëreshe me anën e të cilave botoi,”La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino, Firence 1961; “Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza”, Mynih 1977, si dhe me një seri shkrimesh për dialektet italo-shqiptare, si “Zur Albanischen Mundart von Barile in der Provinz Potenza”, Mynih 1971, “Il bilinguismo nelle oasi linguistiche albanesi dei Italia meridionale”, Piza 1974; “Sprahreste des albanischen Mundart von villa Badersa in der provinz Pescara, Mynih 1975; “Per una tipologia dell’arberesh,” Palermo 1982; “Albanian Grammar”, Wiesbaden 1984.

Martin Camaj la vepra me vlerë edhe për folklorin shqiptar me studimin rreth një këngë kushtuar Skenderbeut, “Edu ital-albanischen-Lied aus dem Skanderbeg Zyklus” Mynih 1970; me vëllimin tregime popullore, “Rocconto popolari di Greci e di Barile” 1972, dhe sidomos me vëllimin me përralla shqiptare, “Albanischen Märden” Dyseldorf më 1974.

Pra, gjithë kjo pasuri e rrallë kulture, fshihej e mbahej në heshje gjatë gjithë kohës së diktaturës komuniste.



Kthimi i veprës letrare në Atdhe.



Në mars 1992, nga Lenggries, një javë para se të ndahej nga jeta, Martin Camaj gazmor për rikthimin e demokracisë, do të dërgonte një mesazh të përzemërt: “Të dashun miq e vëllazën Shqiptarë, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë që keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për nji gjysmë shekulli, unë jami jueji dhe ju jeni të mijt.” Në letrën e bashkëshortes, Erika Camaj, 1 dhjetor 1996, ndër të tjera lexohet: “…Kam kënaqësi të falenderoj me këtë rast Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, që me dekretin e datës 25. 5. 1996 përfshiu në programin e saj dhe mori përsipër financimin e veprës letrare të Martin Camajt…”

Më së fundi vepra letrare e Martin Camaj doli në dritë më 1996 në Tiranë me pesë vëllime. Mbulesat e saj në ngjyrë gri e të zezë, ndoshta ishin diçka si përzitje për poetin e munguar. Në të ardhmen pritej, botimi më i plotë në nëntë vëllime, i këtij poeti të lirisë, sigurisht me ngjyrë blu të çelur, por sipas një kronologjie pas vitit 1997 Martin Camaj nuk botohej më në Shqipëri. Nuk dihet as shkaku përse në vitin 1998 çmimi Penda e Artë, i miratuar nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve, u tërhoq befasisht një ditë para mbledhjes solemne. Gjithësesi po atë vit botohej në Mynih “Palimpsesti”, i përkthyer në gjermanisht nga albanalogu prof.Wilfried Fiedler. Një vit më vonë në Klagenfurt, me titulll “Weibgefiedert wie ein Rabe”, del në gjermanisht vëllimi “Njeriu më vete e me të tjerë,” përkthyer nga Hans- Joachim Lanksch. Në vitin 2000 në Pejë, botohet më i plotë vëllimi ‘’Lirika” me poezi, redaktuar nga Rexhep Smajli.

Shumica e kritikëve të sotëm bashkohen në një mendim, se Camaj megjithëse nuk botoi shumë, ai u bë i njohur me trajtimin e çështjeve të artit e shkencës; punoi me përkushtim, pa harruar vendin e të parëve, në kohë e hapësirë si një intelektual me ndjenja fisnike, me nderim e krenari për heronjtë mitik të lashtësisë ilire, pa përbuzur bukurinë e këngëve të trashëguara nga rapsodët tanë. Dhe mbi të gjitha, ai u shqua me larushi gjinish në letërsinë e gjuhësinë shqiptare. si askush tjetër

Me rastin e një përvjetori të poetit, muzikologu i paharruar Ramadan Sokoli, do të shkruante: “pas katër dhjetëvjeçarësh u zgjuam nga një ankth i lemerishëm dhe u ça akullnaja e heshtjes që pat rrethuar shumë autorë shqiptarë, po shtohet dita-ditës kureshtja jonë për veprat e tyre, të botuara në mërgim e të ndaluara këtu prej asaj zgjedhe që na ndau nga bota e na ndryni si në varr, për së gjalli, duke dëmtuar rëndë artin, kulturën dhe përparimin tonë. Vallë, cili popull i qytetëruar mund të ketë tradita aq të pasura, t’i gjymtojë e t’i mohojë pa keqardhje siç ndodhi këtu te ne? Kush mund t’i flakte vlerat e dala nga gjiri i popullit tonë përveç një mendësie dogmatike të çmendur?”



Disa nga krijimet e Martin Camajt.



GJAKMARRJA

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lòt.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mal e vrrî.





NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.



MOTIV I VJETËR NË KTHIM

Shtatë vasha u çuen peshë
kur ngjyra e korbit fluturoi
përmbi shtyllën e jetës:
sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u çuen peshë
e u turrën vrap me funda
në duer sa qethi mbas korbave
e vetëm me za i tretën si plafa të murmë
nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,
kur të zbardhen pusat e ujit
në lumë përpara agimit,
ngurzohen edhe duert e foshnjeve
në palaré.



DRENI PLAK

Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën
për ngrohësinë e vërrijeve.
Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë
punë grash e qeshin
me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,
prej pusi në pus.

Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,
e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej
shkoi e u kap me të bijtë për punë
drenushash.

I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi
gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi
mërgues për vendet e vuta e bar dimni
që kurr nuk ka me e prekë!

Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat
e i panë ndër bebza
shum drej tue pi currila uji.



VRASJA E POETIT

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.



ATY SI TASH PARA SE ME ARDHË FISET

Aty si tash para se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t’lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.



DALLËNDYSHA

Krahët e zez i rrah
mes flokëve të borës
mbi alpe dallëndysha
mërguese e vonueme
për Jug.
Lufton me flatra gjethi
të vjeshtës së vonë
kundra rrymave t’erës
kah qafa ma e naltë.

Çdokush ka dy shtigje para
e dallëndysha nji:
me u ba e bardhë.



FORMULË MËNGJIE

Lejthia lejthia lejthia
njimijë ngjyra në këtë dhé
faqja e kuqe e grues së bardhë
me lythin e zi në mollëz
nuk më do nuk më do
e kaptë dhimba e kresë
le të vijë e të thotë:
ma largo ma largo!

Lejthia lejthia lejthia
andrrat e mia andrrat e mia
i lumi unë për ty
më le shteg me folë:

Peni u kuq në rremb
e liga larg trupit tand
shkëndija shkëndija në gurë
zemra i plastë sy-grizhës
shkëndija shkëndija n’unur.

Natë e vetmia plastë
mbi malin e thatë
mbi andrrën e keqe!
Lejthia lejthia lejthia
e liga ndër leqe!



SOSJA E VETMISË NË VAPËN E DITËS

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.

Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.

Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim.



MBAS KRYQËZIMIT TË ZOGJVE

Erret nata e fundit e dashunisë
nisë si për lojë:
ai ec në shputa të larme
shpendësh dimnues në Veri
nëpër banesën shum-dritaresh.
Zogëza mat trollin me kambë të zeza
para se me u nisë për Jug:

zanet e jashtme të botës ushtojnë
dhe rruga asht e ndame dyshë,
gjysma akull e gjysma diell.



TRAJTA

Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta,
e kandshme për sy e veshë.
Trajtë e thjeshtë e lindun
ndër mundime prej guri,
e përshkueme shtigjesh të parrahuna
me kambë ose patkoj.

Pendël e lehtë në dukje
po e randë hekur në peshë,
tingull ose ngjyrë
e kthjellët deri në dritë.

MARTIN CAMAJ, SHKRIMTARI I LARTËSIVE

Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë. Pa përjashtuar përftimin eufemik të shprehjes, atë që ka lidhje me gjithë shkrimtarët e mëdhenj të një letërsie, te Camaj shprehja merr një kuptim të mirëfilltë. Në shumicën e veprave të tij, në mjediset e përshkruara, në klimën e tyre, te personazhet, ajri, madje dehjet e shëndetshme apo të turbullta që vijnë prej tij, janë ato të alpeve.

Image result for Martin Camaj

Sipas Ernest Koliqit, adhurues e njëherësh mentor i shkrimtarit, ky luks gjeografik lidhet me zanafillën e shkrimtarit. Lartësitë e bjeshkëve, më saktë Dukagjini, ku ai kishte lindur, kishin gjetur, më në fund, te biri i tyre, mjetin e vet shprehës. Është një mendim i fisëm, nga ata që sa ç’kuptohen me lehtësi, aq edhe kanë nevojë për plotësim. Është e vërtetë se visoret dhe klima në veprën e Camajt të kujtojnë shpesh ato të vendeve veriore, madje tepër të skajshme, si Islanda, por ato afrohen çuditërisht me klimën e teatrit grek, nëpërmjet të njëjtit fill të padukshëm që, siç e ka vënë re francezi Jean-Pierre Faye, kultura parake shqiptare përkitej me antikitetin.

Rrugëtimet e brendshme të ndjeshmërisë artistike mbeten shpesh të pazbuluara prej nesh. Por kjo nuk pengon që në një tjetër hartë ato të kryqëzohen, ashtu siç ndodh me sagat islandeze, doket e vjetra ballkanase dhe artin antik. Ka gjasë që më shumë se te këto, te vetmia e shkrimtarit të gjendet shkaku i thellë i këtij mënjanimi.

Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.

Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën.

I larguar tepër i ri nga atdheu, i cili çdo ditë e më tepër bëhej i huaj për të, për shkak të komunizmit, ka kujtuar se atë ç’ka humbur e ka gjetur disi në Kosovë, por ky nuk mund të ishte veçse një iluzion. Ka ndërruar truall përsëri, madje e ka lënë Gadishullin dramatik të Ballkanit, për një tjetër gadishull, më pak të tillë, atë të Apenineve, gjersa edhe prej andej është larguar përsëri.
Po të kishte qenë muzikant ose piktor, më lehtë ndoshta do ta kishte shkëputjen, por arti i tij lidhej me gjuhën shqipe, atë vargor të rëndë, të cilën as mundte e ndoshta as donte ta ndërronte dot. Te viset e arbëreshëve, ku, ashtu si Koliqi, shkonte shpesh, gjente vërtet një spikamë të botës shqiptare, por kishte gjasë që, ndonëse e pabezdisshme prej doktrinës, ajo spikamë e zbehtë, më shumë se zëvendësuese, ishte thjesht një trishtim. E ka kuptuar se përderisa poeti Zef Skiroi, ndonëse i lindur në këto vise, i kishte quajtur megjithatë “te dheu i huaj”, aq më tepër do të ishin të tilla për të.
Image result for Martin Camaj Një tjetër Zef, ai i Serembes, një shekull e ca më parë, e kishte shpjeguar të fshehtën: Arbëria që prapa detit na kujton Se ne të huaj jemi te ky dhé. Ishte gjithmonë ajo, Shqipëria, që në epoka të ndryshme rrezatonte të njëjtin trazim. I vendosur më në fund në Lenggries të Bavarisë, në këmbë të alpeve gjermanike, që i kujtonin bjeshkët e Dukagjinit, e ka ndier se ato, në fund të fundit, nuk ishin veçse pamje. E ka ndier përfundimisht se ashtu si Filokteti antik, me plagosjen e tij të pashërueshme, ai gjithashtu nuk do ta kapërcente dot mungesën e atdheut. Dhe atëherë, duke e parë se nuk i largohej dot më, ka bërë atë, për të cilën me siguri ka kujtuar se s’do të ndodhte kurrë: të dëgjonte lajme që vinin andej, pikërisht prej katrahurës, së cilës i ishte larguar me aq ngulm. Të dëgjonte ç’ndodhte me atë popull, me zhurmat e tij, me kambanat që po heshtnin, me burrat që kishin ulur kryet, me gratë e hijshme, së fundi me gjuhën shqipe dhe me shkrimtarët dhe fatin e tyre ziplot.

Një qerthull, nga ata që duket se krijohen prej harmonive të epërme, po mbyllej, më në fund, për të sqaruar raportet e ndërlikuara të shkrimtarit me lirinë dhe me vendin e vet. Liria dhe Shqipëria ishin të ndara. Së bashku ngjanin ende të pamundura. Martin Camaj, ashtu siç iu qëllon rrallëherë shkrimtarëve, u rrek të kapërcejë pikërisht të pamundurën. Ishte ky epilog që, në trajtë testamentare, u shpreh në fjalët e tij, drejtuar gjithë shqiptarëve, e natyrisht kolegëve të tij, pak kohë përpara se t’i linte lamtumirën kësaj bote: “Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë”.

2 Letërsia shqipe është krahasuar disa herë me një ngrehinë të rreptë e të ftohtë, gjysmë kështjellë, gjysmë manastir. Fillimet e saj si letërsi murgjish, e kanë nxitur ndoshta një përftim të tillë. E paktë, e tkurrur tragjikisht, për shkaqe dhe rrethana që dihen, me një ndalim të gjatë shumëshekullor, me një periudhë dygjuhëshe, latine dhe shqipe, me alfabet të padashur, madje të demonizuar në ceremoni zyrtare fqinjësh, ka mbërritur në shekullin e njëzetë, ku, në kundërshtim me shpresën, e ka pritur një zezonë e re: censura dhe vetëcensura, fajtore për të cilat nuk ishte askush tjetër veç vetë Shqipërisë. Ndonëse e tillë, e ngushtë, përherë e pamjaftueshme, spartiate e pa madhështi të jashtme, si gjithë vlerat shpirtërore të krijuara përmes vështirësish, e rrezatonte megjithatë një hije të rëndë. Ndërkaq, për një paradoks të madh, në vend që të ishte mikpritëse ndaj shkrimtarëve që do të plotësonin mungesat e saj, bënte të kundërtën. Portat e saj rrinin më shumë mbyllur se hapur. Prej tyre ishin nxjerrë përdhunshëm personazhe të mëdha, ikja e të cilave bënte që të ngjanin edhe më të zbrazëta hajatet dhe qelat e saj.

Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj. Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij. Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare. Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan.

Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli. Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej. Studiuesit do ta kishin më të lehtë të pohonin se, meqenëse në një epokë të tillë mizore nuk mund të krijohej letërsi, ata e kishin braktisur krijimin letrar.

Ndërkaq, pikërisht në kohën e vështirë ishin krijuar disa nga perlat më të çmuara të të gjitha epokave, si vjershat “Gremina” dhe “Flaka” të Poradecit ose “E madhe është gjëma e mëkatit” e Kutelit e ndoshta të tjera vlera, që do të zbuloheshin më pas. Pyetje të shumta do të lindnin: ç’do të bëhej me këto perla?

Do të mohoheshin, ngaqë bezdisnin klishetë dhe mendjet e ngushta, apo mashtrueshëm do të kalonin në tjetër kohë? Edhe më të vështira do të ishin pyetjet për aradhen e shkrimtarëve që kishin lindur ose ishin rritur në epokën që quhej e gabuar. Për shkak të saj, e pas rrëzimit të saj, ata do të quheshin gjithashtu të gabuar e do të binin bashkë me epokën, apo fati i tyre do të vendosej pas ligjesh të tjera, e nga një tjetër verdikt?

Martin Camaj nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë. Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme.

Në vetmi, rrallëherë i kuptuar nga njerëzit, Camaj vazhdonte veprën e tij, duke u përpjekur të ruante dritësimin e saj alpin, qoftë në poezitë, qoftë në prozën e tij. Ishte pakti i tij i pandryshueshëm me artin, me lartësitë e bjeshkëve nga kishte dalë, e ku një ditë shpresonte se do të kthehej.

S’due me qenë si moti i lig, kumtonte në një nga vjershat, duke shpallur kështu kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte vështirë të përftohej bota shqiptare. “Poezia shihet si formulë për ngadhënjimin e tragjikes”, shkruante për veprën e tij poetike studiuesja gjermane E. Glaser.

Ai vetë do të sqaronte se “prej letërsisë kam pasë gjithçka, edhe vullnetin për të jetue”. Që nga përmbledhja e parë “Një fyell në male” e vitit 1953, në Prishtinë, e gjer te “Palimpsesti”, i botuar më 1991 në Munih e Nju-Jork, pak kohë përpara vdekjes, shtrihen dyzet vite krijimtarie të pandërprerë poetike. Poezisë së tij, ndonëse e një drejtimi që gabimisht dukej i huaj në letrat shqipe, modernizmit europian, kryesisht hermetizmit, përkundër paragjykimeve shkollareske, i shkon natyrshëm kostumi shqiptar.

Arti i madh është njëherësh i kohës e i gjithëkohës. “Këngët e Milosaos” e De Radës, e cila disa vite më pas do të mbushë dy shekuj jetë, na tingëllon po aq e freskët e moderne sot, sa në vitet kur u shkrua. Në art asgjë e epërme nuk është e përjashtuar, e aq më pak përjashtuese.

Kështu janë poezitë e Camajt, romani i shkurtër “Djella”, me shoqërimin poetik, që si një pasqyrë iu hap udhë rreshtave të prozës, veprat e tjera, si “Dranja” dhe “Karpa”, ku në të parën u rrek të sendërgjojë fatalitetin a mallkimin, me fjalë të tjera, të rrokë të parrokshmen e të shprehë të pashprehshmen, tundim jo i rrallë i shkrimtarëve. Ndërkohë në të dytën përpiqet të shkojë edhe më larg, i ndjellë prej një magjistareje lojcake, gjuhës shqipe, prej përdorimit të së cilës, siç thotë vetë: “e kam ndie veten shpesh virtuoz, d.m.th, jam në gjendje të thom shqip gjithçka due!”.

E po kështu vijnë veprat e tjera, si romani “Rrathët”, dy dramat e përkora, për të mbërritur te novelat e gjata, “Pishtarët e natës” dhe “Rrungajat në mars”, ato “fletë të lume” në letrat shqipe, po të përdornim shprehjen e Koliqit, e që ndoshta përbëjnë majën më të lartë të artit të tij.


3 Në tetorin e vitit 1981, një nga stinët më të zymta të tiranisë shqiptare, rrethanat e sollën të takoj Martin Camajn. Isha i ftuar në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt, kur, në mbarim të një konference shtypi, gjatë së cilës iu isha përgjigjur pyetjeve jo të lehta të gazetarëve, m’u afrua një burrë i gjatë e i hijshëm që, me njëfarë mëdyshjeje, më foli shqip: quhem Martin Camaj, a mund t’ju flas?

E kisha dëgjuar emrin e tij, madje diçka kisha lexuar prej tij në revistën “Shejzat” të Koliqit, që botohej në Romë e gjendej me vështirësi në Tiranë. I thashë, natyrisht, që mund të flisnim dhe ai shtoi se kishte ardhur enkas nga Munihu për të më dëgjuar. Një mik i tij shqiptar që e shoqëronte, ka përshkruar vite më pas në shtypin e diasporës ato pak minuta të takimit, kryesisht mëdyshjen dhe shqetësimin e tij se mos, duke më folur, më dëmtonte. Ishim aty, në atë sallë të zhurmshme, shkrimtarë të të njëjtin vend e të së njëjtës gjuhë, por të largët si dy qenie, më saktë, dy fantazma të planetëve të ndryshëm. Ishim dy Filoktetë, gjithmonë me të njëjtën plagosje të njohur të pashërueshme, njëri që e kishte atdheun, por jo lirinë, tjetri, me liri, por pa atdhe.

Folëm diçka, në vështrim të parë të rëndomtë, por që, me siguri, nuk kishte të bënte me atë çka do të duhej të flisnim. Rreth dhjetë vite më pas, Werner Daum, intelektual dhe diplomat i shkëlqyer gjerman, mik i përbashkët i imi dhe i tij, personazh i dorës së parë në ngjarjet dramatike të Tiranës 1990, më ka takuar në Paris, për të më sjellë ndër të tjera përshëndetje nga Martin Camaj.

Me ndërmjetësinë e diplomatit u vendos midis nesh një shkëmbim i përkorë mesazhesh, madje u caktua dhe një takim në Munih, ku do të udhëtoja dy muaj më pas, në mars të vitit 1992, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh.

Ky takim nuk ndodhi kurrë, për shkak të ikjes së tij të parakohshme, pikërisht në muajin mars të atij viti.

S’më mbetej veçse, me ndihmën e shoqërueses sime, gazetares së “Frankfurter Rundschtau”, Verena Nolte, që e njihte dhe e çmonte, të kërkoja varrezën ku pushonte, për të vënë një tufë lulesh sipër tij.
Nëpërmjet Werner Daum-it, kisha arritur t’i tejçoj disa mendime për veprën e tij. Por ato ishin tepër të pakta në krahasim me atë çka do të duhej të thuhej. Një pjesë e tyre janë shprehur në këtë hyrje të botimit të veprave të tij të plota, tetëmbëdhjetë vite më pas, e gjithmonë janë pak. Të tjerat e kanë kohën e tyre përpara, atëherë kur vepra e shkrimtarit do të ketë qasjen e saj të plotë të lexuesit, atje ku nis një jetë tjetër e artit të letrave, ajo që përtëritet prore, në pafundësi.

Epokat dhe popujt zakonisht nuk bëjnë gabime në vlerësimin e artit të madh. Edhe kur gabimet ndodhin, nuk janë veçse të përkohshme. Gjithmonë vjen ora kur të vonuarit mbërrijnë dhe të munguarit shfaqen. Kështu kanë për të zënë vendet e tyre Anton Pashku i Kosovës dhe Zef Zorba i heshtur, dhe të tjerë ndoshta, të cilët, prej rastit ose rrethanave, janë penguar diku. Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara.

Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha. Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për “engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre”.

Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos.

ISMAIL KADARE Prill 2010

(Marrë nga Vëllimi i Parë i veprave të M. Camaj, Onufri, Tiranë, 2010)

Martin Camaj ne teater

Martin Camaj ne teater

Stefan Çapaliku ngre një shfaqje mbi jetën dramatike të poetit. Kujtimet personale të dramaturgut dhe një shqetësim: tekstet e letërsisë janë paragjykuese ndaj veprës së Camajt.

Më 24 shtator Qendra Albanologjike i kushton një ditë shkencore 85-vjetori të lindjes së Martin Camajt. Tani që të gjithë janë kthyer nga pushimet mund të merren me detyrime që do duhej të përmbusheshin në kohën e vet. Megjithëse i lajmëruar disa muaj përpara 21 korrikut, data e përvjetorit të Camajt u injorua plotësisht në çdo rang institucional, po edhe të ndonjë lloj komuniteti kulturor.

Gjithsesi, nesër, shfaqet performanca poetike "Jam larg atyne që flasin si unë", me regji dhe libret të Stefan Çapalikut. Dramaturgu ka zgjedhur nga veprat me poezi të Camajt pjesët ku autori tregon për fëmijërinë në Temal, largimin nga Shqipëria dhe jetën në mërgim. Janë shkëputur edhe pjesë nga romani "Rrathë" (1978) dhe vepra poetike "Dranja" (1979). Poezia e Camajt nuk ka qenë e lehtë të interpretohet nga të rinjtë studentë të degës aktrim, sepse "ai është një poet modern, hermetik dhe nuk është i thjeshtë për t'u perceptuar". Muzika e Fatos Qerimajt shoqëron leximin që mbyll maratonën akademike të konferencës kushtuar Martin Camajt në kulturën shqiptare. Nesër në mbrëmje, ora 20.00 te "Sarajet", Tiranë.

Si e keni menduar inskenimin e teksteve poetike të Martin Camajt?

Performanca nuk është bazuar në një tekst dramatik të Camajt. Jam mbështetur në poezinë e tij, pasi në krye ai është poet. Në përzgjedhjen e poezive kemi ndjekur kriterin tematik, që përmblidhet qartë në titullin e performancës, "Jam larg atyne që flasin si unë". Kjo ka qenë drama personale e Martin Camajt. Drama e largësisë, e pamundësisë së kthimit në atdhe, që nxjerr krye herë pas here në poezitë e veta. I jemi referuar edhe prozës poetike, "Dranja" dhe romanit "Rrathë". Te "Dranja" poeti rrëfen për një breshkë, "një frymor i papërsosur", siç e quan ai, fati i së cilës është i pleksur me fatin e tij personal. Kurse, nga "Rrathë" kemi marrë momentin ku personazhi kryesor asiston në një ritual mistik.

Përzgjedhje është bërë për motive estetike, në mënyrë që performanca të ketë edhe momente të qeta, të ndjekë edhe një ritëm. Gjykoj që është një punë më e vështirë të drejtosh një performancë poetike sesa një tekst dramatik. Te shfaqja e bazuar në një tekst dramatik, është ngjarja ajo që e prin regjisorin dhe ka një mekanizëm shkak-pasojë. Në rastin e performancës, kjo nuk ekziston. Atëherë thirren në ndihmë elemente të tjerë, elementët skenografikë, ritmikë, muzika, lëvizjet. Performanca interpretohet te "Sarajet", një prej shtëpive karakteristike të mbetura të Tiranë. Mendoj se djemtë dhe vajzat e përfshirë në këtë projekt kanë punuar mirë sepse kanë përballë tekste të vështira. Ky është njeri nga rastet ku bukuria dhe vështirësia qëndrojnë bashkë.

Çfarë duhet të marrë parasysh ai që performon Camajn?

Camaj është poet mjaft modern, hermetik dhe nuk është i thjeshtë për t'u perceptuar. Duhet ta qëmtosh fjalë pas fjale. Është poet i cili me anë të poezisë ndërton imazhe, si një piktor. Imazhet e tij janë surrealiste, herë naive. Po t'i referohemi kujtimeve të fëmijërisë mbi Dukagjinin, mbi vendin ku ai ka lindur, shohim që ato janë shpërfytyruar, deformuar. Mund ta krahasojmë me pikturën e një fëmije, që pa ndonjë qëllim të caktuar e deformon realitetin. Këto janë vështirësitë e realizimit në skenë. Jemi përpjekur që stilistikisht ta ruajmë mjedisin në të cilin Camaj ka jetuar në fëmijërinë e vet. Materialet skenike janë materiale të natyrës, dru, hekur, sëpatë, bohçet e pishave, mollët, shegët. Janë elementë me simbolika të forta që aktorët i zbulojnë duke hyrë në marrëdhënie me to. Skenografia e Merita Spahisë krijon idenë e vjeshtës, që ai e ka të pranishme në poezi.

Kur e keni pasur kontaktin e parë me veprën e tij?

Për fat të mirë, kur ai ishte gjallë. Kam një korrespondencë dhe një relike të çmuar, kolanën e veprave të tij me një mbishkrim. Ma ka dhuruar para se të vdiste. Në vitet 1991 kam botuar në gazetën "Republika", artikullin "Martin Camaj i gjallë e i vdekur". Kisha dëgjuar për të dhe e dija që ishte një figurë e rëndësishme. Para se të përgatisja artikullin, i gjeta adresën e banimit, në Bavari. I shkruaj një letër duke treguar interesimin tim personal për veprën e tij. Ai u entuziazmua prej kësaj, sepse ishte një shenjë e sinqertë që vinte nga atdheu. Në këtë kohë më kishin rënë në dorë dy librat e tij të parë, të botuar në Kosovë, pasi ai ishte arratisur, "Kanga e Vrrinit" dhe "Nji fyell ndër male". Librat m'i kishte dhënë një koleg i mirë në Universitetin e Shkodrës, profesori i gramatikës historike Safet Hoxha, i cili kishte qenë shokë klase me Martin Camajn në Universitetin e Beogradit.

A flitej për Martin Camaj në Shkodër?

Veprat e tij thuajse nuk ekzistonin. Rasti i profesor Safet Hoxhës ishte unikal sepse ai kishte pasur guxim t'i ruante ato dy vepra të Camajt. Në fund të fundit, Camaj konsiderohej armik i sistemit dhe nuk ishte e thjeshtë të mbaje në shtëpi veprat e tij.

Camaj nuk iku i famshëm nga Shqipëria. Jehona e tij do të ngelej, siç ngeli jehona e Ernest Koliqit. Edhe ai iku si Camaj, por e kishte bërë veprën më të madhe para se të ikte, kurse Camaj e bëri pasi iku. Ishte një fakt që natyrisht njerëzit e Shkodrës nuk kishin si ta dinin. Martin Camaj ishte një mësues fshati kur iku. E gjithë karriera nisi në ekzil.


Çfarë ju shkruante Camaj në letrat e tij?

Kam pasur një korrespondencë jo të gjatë, pasi ai u sëmur. Letra e parë dukej si një rrëfim i tij mbi jetën. Në letrat e tjera ai shpesh qëndrimin e tij lidhur me letërsinë, sidomos atë të realizmit socialist. Nga letrat kuptohej që ishte njeri i prerë. Martin Camaj ishte autor që nuk e njihte kompromisin.

Në letra tregon edhe për njohjet, kontaktet me letërsinë moderne, me botën perëndimore. Krijimtaria e tij ndahet në tri faza, letërsia që shkroi në kohën e studimeve në Beograd, letërsia e shkruar në Itali, ku ai ishte afër Koliqit dhe aty u njoh me poezinë hermetike, mori leksione nga Xhuzepe Ungareti, një prej eminencave të poezisë italiane. Faza e tretë është ajo e viteve '68-69, faza gjermanike, ku ai thellon njohjen ndaj poezisë moderne, njihet me poetët e mëdhenj të pasluftës së dytë botërore, poetët anglezë. Ka shumë afrimitet me Tomas Eliot. Martin Camaj ka qenë i informuar edhe për poezinë e Lindjes, kryesisht për poetët baltikë. Ishte njeri i kthjellët, i ndërgjegjshëm për atë që bënte dhe e ka bërë në mënyrë të ndershme.

Si e shikoni vendin që zë ky autor në tekstet shkollore?

Nuk është problemi shumë te sasia e faqeve që ky poet ka në tekstet shkollore, sesa te mundësia që mësuesit e letërsisë kanë për ta komentuar drejtë dhe mirë dhe me dashuri këtë poet. Problemi i Camajt është i lidhur ngushtësisht me problemin e gegnishtes. Në Shqipërinë e sotme ka paragjykime për këtë lloj letërsie, prej njerëzve të paditur, që nuk e shohin dialektin si një pasuri e gjuhës.


Në 85-vjetorin e lindjes po kujtohet jo ashtu si e meriton. Ju si mendoni, a duhet lënë përkujtimi i figurave të tilla në duart e burokracisë?

Në promovimin e vlerave të kulturës shqiptare duhet të kontribuojnë shumë faktorë. Kushdo duhet të japë një dorë, qoftë edhe burokracia, nuk ka asgjë të keqe. Çdo faktor është i mirëpritur për të dhënë një kontribut, duke filluar prej shtetit, deri te komuniteti i artistëve. Kur komuniteti i artistëve fatkeqësisht nuk është i organizuar, për të bërë një aktivitet të vetin, nuk ka një flamur për të dalë në bulevard për të thënë ne jemi dhe ne mundemi, shpesh këto gjëra i mbeten individëve, rastësive, nismave krejtësisht private.


Shteti, i kursyer për Camajn

Nesër, ora 9.00 deri në orën 21.00, Qendra e Studimeve Albanologjike organizon konferencën shkencore "Martin Camaj në kulturën shqiptare" me rastin e 85-vjetorit të lindjes së poetit, shkrimtarit, albanologut (1925-1992). 32 studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia, Gjermania referojnë nga 10 minuta secili në aktivitetin maratonë. Konferenca ndahet në dy seksione: studime që fokusohen në letërsinë e Camajt, në tiparet gjuhësore dhe estetike të veprave "Njeriu më vete e pa të tjerë" (1978), "Rrathë" (1978), "Karpa" (1987), "Loja mbasdrekës" (1981), "Kandili argjendit" etj..

Në seksionin e dytë, studiuesit referojnë për kontributin e Camajt në gjuhën shqipe dhe albanologji me vepra si "Formimi i fjalëve në shqipe" (1969), "E folmja arbëreshe e Greçit në provincën e Avelinos" (1977) etj..

Me kaq përfundon aktiviteti që Qendra e Studimeve Albanologjike mban për Martin Camajn. Ky institucion nuk jep asnjë kontribut për botimin e plotë të veprës e cila po përgatitet këto kohë nga gjuhëtari Bardhyl Demiraj dhe përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Hans-Joachim Lanksch.

Edhe aktiviteti i mbajtur me këtë rast tkurret në një ditë të vetme për të kursyer financat.

Martin Camaj për poezinë fishtjane


Featured Image



Ndue Ukaj

Vepra letrare e Fishtës është objekt i studimeve, monografive dhe teksteve me premisa letrare dhe jo letrare. Përgjatë shekullit të kaluar, Fishta mori vlerësimet më të larta, siç ishte epiteti i Homerit shqiptar, nga Maximilian Lambertzi, por edhe ato më përbuzëse, kur aidhe vepra e tij u tentua të zhdukeshin, duke uqitë në harresë. Si rrjedhojë e dhunimit kulturor që ideologjia komuniste i bëri kulturës shqiptare, vepra e tij u gjykua gabimisht-u ndalua- ndërsa autori, nuk u la të prehej i qetë as në varr. Jetën dhe veprën e tij e goditën një rrebesh stuhish, furtunash e trazimesh nga më të dhimbshmet:ajo qe e mbushur me lëvdata dhe përbuzje, u gjykua dhe u paragjykua, u lexua tinëz, dhe u luftua nga idiotësia komuniste në mënyrën më të pështirë të mundshme. Por, me rënien e ideologjisë staliniste-ideologji kjo që gjymtoi dhe e deformoi kulturën shqiptare dhe shijen për artin- vepra e Fishtës u aktualizua dhe u bë pjesë e jetës aktive letrare në botën shqiptare.
Pikërisht në vitet e para të lirisë kulturore e politike, nevojën e aktualizimit të veprës së Fishtës dhe trajtimit të saj si vepër artistike, e shtroi MartinCamaj, në tekstin “Aktualizim i poezisë fishtjanë.” (Ky tekst qe i përgatitur për t’u lexuar para Shoqatës “Át Gjergj Fishta”, më 23 tetor 1991 në Shkodër, por nuk u realizua për shkak të gjendjes së rënduar të autorit dhe mbeti në dorëshkrim, për t’u botuar në numrin parë të revistës “Hylli i Dritës” të vitit 2017.)
Aktualizimi për të cilin shkruan Camaj, lidhet me procesin e këputun që përjetoi vepra e tij; proces ky që ruajti një fill të vazhdueshëm në traditën letrare jashtë hapësirave shqiptare, në të cilën realisht janë shkruar vepra shumë të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Vepra fishtjane bëri një jetë të çuditshme: ndonëse e ndaluar, ajo u lexua me admirimnë diasporën shqiptare. Dhe pas rënies së murtajës komuniste, vepra e tij u kthye në tryezën letrare të shqiptarëve, si vepër e madhe letrare- si vepër që “shënon një kthesë pa të cilën nuk do të kishte pasë zhvillim të matejshëm poezia jonë.” (M. Camaj)

Martin Camaj, poeti më i fisëm i shekullit të kaluar, në tekstin “Aktualizimi i poezisë fishtjane” analizon raportet e veprës fishtjane me mendimin letrar e kulturor shqiptar dhe të huaj. Autori i këtij teksti,që në titull e sfidon lexuesin dhe mendimin letrar me nevojën që vepra e fishtjane të aktualizohet, në kushte e rrethana të reja, dhe të kundrohet si art.
Camaj del kundër mendimit të afirmuar shqiptar që vlerat e veprës së Fishtës i ndërlidh kryesisht me epikën e tij, dhe kërkon që leximi dhe vlerësimi i veprës së tij duhet të shtrihet edhe në lirikë dhe në ironinë e satirës, dhe po ashtu kërkon që vepra e tij të lexohet dhe të vlerësohet në kontekst të një letërsi të shkruar në periudhën dramatike të formimit të shtetit shqiptar.
Camaj, si shkrimtar dhe studiues me shije të kultivuar letrare, flet për dobitë letrare që dalin nga leximi i veprës së Fishtës, dhe vë theksinteaspekti artistik e estetik i saj, i cili, në mendimin letrar dhe jo letrar shpeshherë është anashkaluar. Po ashtu, Camaj merret me problemin që paraqet kuptimi i veprës fishtjane për ata që u verbuan nga deduksionet komuniste; deduksione që deformuam shijet për artin dhe kulturën. Në kontekst të kësaj, Camaj shkruan: “Problemi për kuptimin e poezisë fishtjane si të çdo autori tjetër të madh të letërsisë tonë, Poradeci apo Mjeda dhe në kohë të reja Mitrush Kuteli, për shembull, paraqet forma, kryekreje gjuha e lidhun ngushtë me stilin vetjak të poetit (language). Dukuni e përgjithshmepër të gjitha vendet e diktaturës staliniste, me pak përjashtime si janë gjuhët me traditë të gjatë kulturore, ashtë formalizmi i gjuhës në një drejtim të caktuem për ta ba atë mjet e vegël përçuese të propagimit të doktrinës dhe praktikave të shtresës sunduese.”

Në këtë tekst, Camaj bën një paraqitje të thuktë të jetës që bëri vepra e Fishtës në rrafshin botëror dhe shkruan: “Fishta ka hy me kohë në letërsinë botnore, posaçe në studimet monografike specifike rreth epikës botnore, meqenëse Pyeti ynë në këtë gjini letrare zë vend të posaçëm: Lahuta e Malcis mbahet si vepra e fundit epike nëkontinentin tonë.”

Ndonëse e ndaluar në atdheun e tij dhe në trojet tjera shqiptare, Camaj tregon se vepra e Fishtës bëri jetë të aktive në diasporë, dhe atje nukështë “qitë kurrë në harresë”. Në këtë aspekt, ai jep të dhëna tëbotimit të veprës së tij, siçështë botimi me 1950 i veprës Lahuta e Malcis në Romë në mijëra ekzemplare. Po ashtu, aijep shpjegime rreth botimit të kësaj vepre në Gjermani, dhe shkruan: “Lahuta është përkthye në gjermanisht nga albanologu i përmendun Max Lambertz, i cili ishte profesor i Universitetit në Leipzig, në zonën komuniste, dhe atëbotë qeveria e Enver Hoxhes kishte ndërhyrë, dhe libri doli në Gjermaninë Perëndimore, në Munchen, 1958. Vepra e Fishtës pati një audiencë letrare edhe në Itali. Camaj përmend faktin se këngë të ndryshme tëLahutës dhe pjesë nga satira e tij qenë përkthyer nga shkrimtari i madh Ernest Koliqi, dhe u botuan në revistën letrare “Shejzat”, ndërsa Lahuta e përkthyer nga albanologu arbëresh Ignazlio Parrino doli në Palermo, në vjetet ’60.
Në këtë tekst, Camaj tregon edhe për vëmendjen që i kushtoi kësaj vepre studiuesi Arshi Pipa, i cili, po ashtu ka përkthyer nga vepra e tij.
Duke i sintetizuar këto arritje të larta të veprës fishtjane, Camaj shkruan se breznia e re shqiptare gjendet para një vepre të madhe, para një vepre që për një shekull u ndalua nga “asi njerëzish të paaftë me gjykue çka është art e poezi, po se po, por edhe pa vlera morale e patriotike, tipa Tartufësh që simbas Fishtës edhe në kohën e tij kishin këso parimesh:

“Ti ke mbajtun
Gjithmonë këtë rregull:
Erzin e shpirtin
Do t’losesh shregull
Do t’i shesishvllaznet,
Do t’mohojsh fisin
Sa herë qin’shekull
Ta laverdisin
(Anzat e Parnasit)

Camajnuk le pa përmendë edhe lidhjet ndërmjet veprës së Fishtësme autorë e dukuri tjera letrare:“Gjergj Fishta dhe Jeronim De Rada janë klasikët tanë që lidhën traditën letrare gojore popullore, me siguri një traditë letrare mija vjetësh, me letërsinë refleksive apo individuale të shkrueme.”

Camaj e përfundon këtë tekst të vlefshëm me një thirrje për lexuesit shqiptarë: “breznitë e reja gjenden para mundësive të reja që edhe përmes poezisë të klasikëve tanë të përvetësojnë cilësitë estetike të lira e të natyrshme e që andej të nisen rrugëve të reja në zbulimin e jetës së artit tonë, të ethnos-it.”
Koha ka treguar se vepra letrare e Fishtës është dosido vepër, por një vepër e madhe dhe me shumë ndikim. Pikërisht kjo është arsyeja pse me të është marrë politika dhe kultura, janë marrë lexues të kultivuar dhe të pa kultivuar.
Fakti seme veprën e tij janë marrë studiues të ndryshëm e të kohëve të ndryshme, është një dëshmi e parë e një vepre me ndikim letrar, e cila, si e tillë, i ka tunduar ata që e duan, por edhe ata që s’e duan.
Kritika politike enveriste e gjykoi veprën e tij nisur nga urrejtja e çmendur që ushqente kundër klerit katolik. Por, Fishta qe artist dhe vepra e tij i mbijetoi kohët e liga dhe hyri në shekullin e lirisë së shqiptarëve si një vepër e madhe letrare, dhe për këtë tërheq vërejtjen Camaj kur shkruan: “Tek Fishta, për shembull, mbivlerësohet funksioni patriotik dhe s’kujtohemi se Fishta së pari ashtë poet i madh.”
Ky tekst i panjohur i Camajt për Fishtën është një freskim për të njohur Fishtën dhe artin e tij, dhe një qasje dobiprurëse për të lexuar veprën e Fishtës pa shtrëngime dhe pa ngarkesa paraletrare.

Martin Camaj, shërbestari vullnetmirë i shqipes dhe parmenda e rand e mërgimtarit


Albert Vataj


Nga Albert Vataj

Sot 13- mars 2015 do të shuhej një prej pishtarëve më kulmues të shqipshkrimit. Një zemër e tretun tuj shndrit u ndal për me lan mbasvedi, vullnesën e mirë të endun me përkujdesin që diti vetëm ai për me e dëshmu. Martin Camaj me mbylljen e syve, ndal kandën për me shkel në tokën amë, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuni nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai lëvroi me parmendën e rand të mërgimtarit. Camaj, megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në tokën amë, për kurrnji moment nuk u shqit shpirtit të lënduem dhe plagëve lënguese të shqiptarëve. Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes, dhe arbërishtes. S’andejmi ai mundi me dëshmu botnisht mbi atë që vete ka të mbrujtun shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bani gegnishtes, e pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e tana përpjekjeve të mahershme dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyne në rrafshin shkencor, e dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtu gjithseçka të mirë, e për me i shtru në një sofër larushinë e dialekteve si vlerë gjuhësore e dallon atë dhe e rrjeshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.
Martin Camaj
Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtu, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq se ai ishte arratisun, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit gegnisht. Megjithkëtë ai nuk e flligu gojën dhe shërbesës ogurmirë nuk i’a vuni damkën, e cila mund të gjehej e përligjun te ndokush tjetër por kurrqysh jo tek ai. Tuj dëshmua mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol atnor dhe këshillues për tana ata që kanë në dorë shqipen dhe i’a duan t’mirën asaj. Ai nuk bani dallime e dasi, nuk e kqyri shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”. Ai kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon diversitete dhe nuk priret prej qëllesave anatemuese, me nda dhe me veçu. Kinse, kqyrim shpërthimet greke të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për me ardh masanej te trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës, Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë të tjerëve, që lindën e u naltësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar, standartit. Duke mos pas tavan mbi krye, ata krijuan atë thesar, të cilin me krenari munena me e pagzu si testament të vlerave të njimendta të letërsisë shqipshkruese.

Camaj rendi tuj shkru e lëvru gegnishten, pa e ndal turrin, e pa kqyr përsipër nëse kishte qiell për kreninë e tij, apo jo, nëse kishte kresht për me e majt këtë naltësim. Gjithë sa bani ai e rriti brenda vetes me tagrin një besimi dhe mëvetësie që kishte si zanafillë, si vazhdë dhe si mbramësi. Vepra u rrit me të, dhe ai e gjalloj përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie njësimi. Ata i dhanë dhe morrën prej njani-tjetrit shumëçka, por në kryerend, motivin e ngulmit për me u ngjit në ma t’naltat kjartësina, prejnga nuk do të mund t’i zdrypte ndokush. Mveshun prej kësaj magjie dhe ngadhnjimi, ai ban me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe. Ma shumë se një perifrazë, një urti e nxjerr prej lëmit të tij letrar, kjo është një sentencë e gjithë asaj përpjekje të pashoq që ai bani për shqipen dhe kandën artshkruese të saj. Ai me këtë dëshmoi njëmëndësinë e asaj që e udhërrëfeu atë dhe duhet të ysht tankënd që don me lan mbas të gjallëve të tij, një vepër të patëdytë, një kreni për tankush e njohu dhe e përcolli asohere dhe tashembas.

Gjithqysh, në kryeherë, gegnoshtja dukej se do të ishte për të një sfidë, një apogje ku ai ngulmonte të ngjiste kreaturën që shfaqet tetan çka ai la, që nga poezia, proza, drama, pa i lan mënjanë edhe në ngulmime të tjera që prekim punë të tij studimore dhe shkencore. Poetët dhe narratorët që skaliten letrat shqipe në këtë dialekt, siç mund të përmendim, Ndre Mjedën, At Gjergj Fishtën, Filip Shiroka, Ernest Koliqi, Migjeni, etj fillëruan rrugën e tij shtegngushtë dhe përplot me hendeqe. E ai nën vullnesën shndritëse të këtyre titanëve të gegnishtes rendi, për të sosur të gjallët e tij, 20 vjet më parë, dhe për të lënë një vepër me vlera të njëmendta.

Një meritim të veçtë, Martin Camaj mvesh kontributit dhe emrit të tij dhe teksti arbërisht. Mbamendjen e ketillë dhe shkrimtaria e tij, ka ngucatun studiuesi Behar Gjoka, i cili e ka qëmtuar këtë ngarendje të shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut, dhe jo vetëm. Sipas tij, romani “Karpa”, novelat “Shkundëllima”, dhe “Fshati me shtatë gjuhë”, që e marrin motivin nga jeta e arbëreshëve, shpërfaqin përkujdesin e Camajt për arbërishten. Studiuesi “guxon” ta rëndisë Camajn të parin që ka lëvruar këtë copëz të vyer të shqipshkrimit. Sipas tij, Camaj është rilindasi i fundit që mori gjithçka të ligjërimit letrar në gegnisht dhe arbërisht, që ishte prodhuar përpara tij dhe në kushtet e ndalimit të këtyre dy varianteve. Nën barrën e vetmisë, ai arriti të vërtetojë se këto dy variante vazhdojnë të jenë funksionalë, vazhdojnë të jenë pjesë e diversitetit gjuhësor, saktëson studjuese. Tekstet e tij letrare, dëshmojnë se bashkë me ikjen, Camaj mori me vete zhguallin e gjuhës, pra dialektin e gegnishtes, por edh jo pak dromca të variantit të arbënishtes, të cilët edhe në vetmi të plotë, edhe në kundërshtim me normat e 1972, i mbajti gjallë, si me thënë e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit letrar, gjithnjë si gjuhë e autorit dhe e letërsisë. Nga ana tjetër, me vlerë jetike janë edhe udhështegtimet e shkrimtarit në Prishtinë, Beograd, Romë dhe Mynih, që i shërbeu si një dritare e madhe për ta rreshtuar ligjëratën letrare në rezonim me ngjyresat bashkëkohore evropiane. Si ligjërues letrat, si qëmtues dialekti dhe si yshtës i vlerave të nëpërkëmbura në vendin e amës, Camaj dallon edhe për një frymë moderniteti, duke u bërë sakaq dorzan i një letërsie ndryshe, që po lindte. Poezia, gjithashtu mbart një trajtesë të atillë që ndeshet ndër përkimet e mjeshtërve të ligjërimit të asj kohe. Camaj me krjimtarinë e tij, mbajti shqipen dhe shqiptarët në radhën e atyre letërsive dhe kombeve që zotonin universin e letrave.

Siç asht përshkru edhe në enciklopeditë, Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit, Shkodër, më 21 korrik të vitit 1925 dhe vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih, bash 23 vjet më parë. U dha me mish e me shpirt shkrimtarisë, të cilën e endi me dialektet që ai gaditi me ëndje dhe kreni. Edhe si albanolog, mbetet një dimension i pamatshëm. Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit ai mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd romanistikën, mori gjithëpoaq mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Atje ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në fund të të gjallëve të tij. Emri dhe krijimtarinë e Camajt e kudogjejmë në gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Qëmtimet akademike të Camajt u ngulmuan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë Jugore. Mëtimi letrar i Camajt në 45 vjet kumton disa hope të njimbasnjishme zhvillimi. Ai e pikënisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik përgjatë gjithë jetës. Anipse vitet e fundit të përkushtimit i’u dha ma s’shumti prozës. Galeria e tij krijuese asht e bollshme e plot larushi. Varganin e gjatë të asaj pene e pikënis: “Nji fyell ndër male” -Prishtinë 1953, për me vazhdu me “Kanga e vërrinit” -Prishtinë 1954, “Djella” (novelë) – Romë 1958, “Legjenda” – Romë 1964, “Lirika mes dy moteve” – Munih 1967, “Poezi” (1953-1967)- Munih 1967, “Njeriu më vete dhe me të tjerë” -1978, “Poezi 1981, “Drandja” (proza poetike)- Munih 1981, “Rrathë (novelë) – 1981, “Shkundullima” – 1985, “Karpa” (novelë) -1987. Vijon kjo kolanë krijimtarie e Camaj me botimet dygjuhëshe, “Poezi” (shqip-italisht)- 1985, “Me pendlat e korbit të bardhë” (shqip-gjermanisht). Për me vazhdu me një syshikim në lëmet e tjera të letrave, përpjekjet e tij albanologjike, gjuhësore, estetike, studimore, eseisike: “Meshari i Gjon Buzukut” – Romë, 1960, “Tekst mësimor i gjuhës shqipe” – Wiesbaden 1969, “E folmja shqipe në provincën e Avelinos” – Firence 1971, “Antologjia: Këngë shqiptare” – Dusseldorf 1974, Gramatika shqipe – Wiesbaden 1984. Tankjo mëvetësi krijuese, ndryshe ngase priret prej shumë emnash dhe penash që kanden duke mbete brenda vetes dhe duke mbushin zgafellën e vetmisë së tyne, Camaj e bani gjithseçka, ngriti deri në zenit ngulmin e vlerës dhe mëtimit, vetëm dhe veçmas për shqipen dhe shqiptarët, për vendlindjen dhe gjakun e t’parve. Megjithëse ai gjithë veprën e tij e shkroi jashtë Shqipërisë, në Beograd, Romë, Mynih, s’mundi me ken tjetërkush vetëm biri i Temalit, anda e një trolli të ashpër dhe ora e një djepi të mirë. Tançka bani e gjithçka la, kjartazi dhe dashtazi e kishte për bashkëkombasit e tij, të cilët edhe tash nuk asht se e njohin dhe aq edhe pse ai tashma asht riatdhesu si kijimtari, si botkuptim dhe si gjënezë, përkundër një dasie të stërgjatë që mbolli komunizmi ndër shqiptarë. Ky shërbestari vullnetmirë i shqipes, diti me shkru fort mirë emrin e tij në historinë e letrave shqipe dhe me mbet aty, ndoshta jo me hatrin e shumëkujt, qi u mundun me e mbajt larg këtë kolos të mendimit. Tash, shumëçka ka mbetun mbrapa, kujtimet e zehërta të një anateme, shija e helmët e do gojëve të liga, e kanda e vrame e një armate ngrehaluce mediokrish, të cilët tuj dasht me ndalu Camajn, guxun me besu se po e mbanin të përjashtume, gegnishten. Por ky dalzotës i këtij dialekti, diti dhe mundi me qëndru, me besimin se dokurdo do të lindte ajo ditë përplot me dritë pranie, pranimi dhe mëvetësimi të shqipshkrimit.

Malli i Martin Camajt: Për dashurinë, për një libër e mue t’harruemLexime




Fatmira Nikolli

“Liria e fshehun ndër vargje të poezisë, nuk ishte vetëm: para tyne rrishin galuc roje, shpend mishngranës/ me fytyrë njerëzore. E ti ishe për ta nji bletë, tue u rropatë ka drita në qelq, andej kufijve të botës njerëzore”. Këto vargje, Martin Camaj i titullon “Vrasja e poetit”, pse ndryshe nuk mund të ish’- liria e fshehun në vargje nuk ishte vetëm- ajo kontrollohej nga shpend mishngranës, shkruan poeti duke nënkuptuar me këta shpend “vrasjen” e poetit, të vargur e të lirisë, që të çojnë matana kufijve të botës njerëzore.


25 vjet prej ditës kur ai kaloi në botën tjetër, e 92 vjet prej ditës kur lindi, vargjet që la pas, mbi lirinë e fshehur e të tjera kumte kumbojnë në heshtjen tonë të përmortshme.
Pat lindur “në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm asht ky vend”, siç thoshte vetë.
Malësori i Temalit të Shllakut, me kohën kish fituar staturën e një dijetari europian ‘par exellance’, përtej poezisë e prozës, pas studimeve në Beograd, Romë e Mynih, profili i albanologut e filologut hedh rrënjë të forta.
Së pari, i ndaluar, mandej i pa kuptuar e i palexuar, Camaj, shkrimtari i lartësive, mbetet ende i pazbuluar, nëse merremi vesh se zbulimi nuk është veç të dish se është, por edhe të dish çfarë është. Duket, se fjalimet mbi ‘madhështinë e paarritshme’ nuk dalin përtej auditorëve të konferencave, ashtu si rrekjet për të shpërndarë vargun e tij më gjerë se aty.
I ndjerë i përjashtuar, në ekzilin e pafundmë ku mbylli sytë, peti i vetmuar, duket se i druhej kësaj harrese, sikur të përgatitej për të.
Te poezia “Malli” shkruan “Po të bie nji libër të harruem, të mendojsh për mue deri nesër, për mue të harruem./ Fletët ia njohin gishtat e mij,/ e vargjet e tij zemra e shqetësueme./ Në kët libër janë mbytun/ rrezet e syve të mij/ pa lanun gjurmë./ Merre këtë libër të harruem/ deri nesër e nata që na ndan/ të harrohet deri nesër/”.
Ai nuk e humbi kurrë lidhjen me vendin që pat lënë pas, në kërkim të lirisë që e vuri pas hekurash të reja. Shkruan: “Mjedjes- E randja e makthit të katundares të Nënshkodrës mbas vargjeve të duhanit herë hera ta ndjeva ndër vargje të dlirta në kohën e parë. Në kohën e parë më tërhoq vetmia e mbramjeve tua të qeta dhe në zemrën tande idhnake s’besova kur”.
MBI DASHURINË E TË TJERA
Nga botimi “Veprat poetike” Onufri, 2017, janë përmbledhur vargje që
Te poezia “Reliket e kohës” ne gjejmë edhe vargjet e dashurisë, e mallit, a qoftë të asaj nostalgjie që sqarohet edhe nga Milan Kundera, në të gjitha nuancat e gjuhët, që endet mes mallit, nevojës, dëshirës, kujtesës dhe kandjes deri në lot. E prej këtij botimi, janë shkëputur vargjet me të cilat e kujtojmë poetin në këtë përvjetor.
Camaj, e sheh dashurinë si pjesë të qenësishme të vetes, në këto vargje: “Dhe dashunoj ma tepër atë grue/ pse ende merr pranverën e jetës/ në atë trup të mbuluem me tesha/ të ashpra zhguni/ pse ajo asht nji rreth në vargonin/ e jetës seme që e due ta tanësishme”.
Për dashurinë, ai shkruan edhe te “Dashtuni e prendueme”- ku duke e parë fundin e saj, shpirti i poetit ndjen tashmë mallin e asaj cope të vetes, që e ka humbur, siç humb një ditë, me perëndimin: “E ndjeva n’fundin e shpirtit dhe ‘i herë/ si motit at za/ si mik që vjen me m’pa/ si barkë që kthen në lima…E ndjeva si lulet që mardhen/ erën në Jug/ a si flladin e Veriut kur vjen me luejtë/ me gjeth në terr/ dhe iku si drita e hyllit të rrxuem/ kur bjen në mal”.
Mandej, Camaj, ndërsa endej larg vendit të t’et, përshkruan që atë që mund të ishte, “Mbramja e gyrbetxhis”. Ai trishtim në ngjyra monokrome në të cilat shkruan, më shumë se sa varfërisë materiale, i drejtohen asaj vetmie të brendshme kur thote: “Sonte nga puna etpër vonë kam kthy/ në kaçorr, ku flej/ në kaçorrin e vetmuem, pa zot, në terr/ Sonte kam vrejtur hyjt me mall mbi kry…”
ISHULLI (Shqipëria?)
Është ndër poezitë më prekëse të Camajt që qe mbyllë në një “Ishull”, larg prej vendit gjuhën e të cilit fliste, e me kujtimet e të cilit ushqehej. Ishulli që ai la pas është i zymtë, i ngjan një burgu të madh, rrethuar me tela me gjemba, me ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë, ku nuk hyn e as nuk del dot- “Çdo hymje n’ishull u mbyll, spitali dyer hekuri u mbyll/ e çmendorja për qen, pranë” dhe vijon
“Banorët e idhullit enden, shkullueshëm, nëpër një ishull sa nji qeth buke në harte, para qenit të sëmunë, enden me vargonj qeni në dorë dhe era u vjen djersë qeni”.

MARTIN CAMAJ (1925 – 1992 )

Image result for fritz radovani skenderbeu

VITI  2018  I  KASTRIOTIT …

DHE  I  MADHI

12 MARS 1992...

Asht le në fshatin Temal të Veriut të Shkodres. Prindët e dergojnë në Gjimnazin e Jezuitëve të Shkodres, ku merr mësimet e para. Në vitin 1944 shkëputet nga Shqipnia dhe per pak vite asht mësues.  Në vitin 1949 i jepet mundësia me ndjekë studimet në Beograd, ku perfundon shkelqyeshem universitetin per gjuhen sllave dhe romane. 

I hapet njëfarë “drite” që per arsye të studimeve fillestare në Shkoder, i shuhet edhe ajo.
Detyrohet me u largue nga Beogradi në vitin 1956, dhe shkon në Romë Itali, ku vazhdon studimet dhe konsiderohet Akademik.

Në vitin 1969 triumfon në zemren e Martinit dashunia per Gjuhen Shqipe të Nanës…
Perfundon studimet per Albanologji në Universitetin e Mynihut në Gjermani.

Ishte Profesor aty, kur me 12 Mars 1992 mbylli sytë vezullues të Tij si shkectar i vertetë, tue na lanë një perlë shumë të çmueshme artistike nder Veprat e Tij…

Në Letersinë Shqipe, Martin Camajt, vendin ia ka caktue Prof. Arshi Pipa…

Image result for martin camaj
NGA MARTIN CAMAJ

HIJA  E  GJERGJ  KASTRIOTIT

Shum vjet mbas vdekjes barijt e panë
Gjergjin mbi majet e Dibrës  në kalë
tue shkue për Krû.
Andej lumit i ecte hija shpatit
tue i prekun majet e lisave kryet;
“Gjergj, ndalu njiherë, pashë Zotin! -
I britte nji plak tue ngâ mbas tij kambzdathë.
-Turqit m’a vranë djalin dhe vajzën…
vajzen m’a shnderuen te votra.
Ndalu, ndalu, Skanderbeg e kthe dalë!
Shatorret anmiku në mbrame i dij ku i ngul
e shtiqet e ngushta n’udhtim ku i këput.
Un due me vdekë, o zot, i ngimë me gjakun e tyne,
përndryshej toka s’ka me më lanun mbrendë
me djalë, as qiella me thithun nji ajr me vajzë.
Nxire pallën, bre burrë!”.
Skanderbegu pa sjellun kryet ulej majes teposhtë,
parzmorja e hekurt e armët pa krisë.
-O plak fatkeq, pse e mundon ashtu hijen?
-Britne barít për së largut.
Lene Gjergjin me shkue për Krû!”.
Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,
por andej lumit hija i eci mbi lisa me qinda vjet
për rrugë tue shkue në Krû.

Shenim: Në këte Pervjetor, ky material u pergatitë nga Fritz Radovani.
Melbourne, Mars 2018.

Image result for fritz radovani

Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.

Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.

Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.

Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.

Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...