2018-04-02

Në kujtim të një dashurie hyjnore...një buqetë orkidesh me aromë Shqipërie

Vilhelme Vrana Haxhiraj



“Legjendë…,apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”

“Legjendë…, apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”-është titulli i novelës sime të re, që sapo u botua nga Sh B “Nacional”, e cila vlen si një dhuratë e këtij marsi të egër, pse jo, edhe si një relike e një dashurie të rrallëndodhur dhe të pamundur. Në shikim të parë duket sikur ngjarja ka bërë një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm nëpër shekuj. Si duket i erdhi fundi këtij udhëtimi të harruar që ka nisur qysh nga errësira e Mesjetës. Ndoshta ky rrëfim tronditës e rrëqethës i një dashurie të mohuar dhe të parealizuar erdhi për ta njohur brezat e kohës moderne. Ndaj sot kjo novelë nxjerr në pah të vërtetën e bukur, por të hidhur, duke na sjell në mes të ditës me diell, një ëndërr magjike, apo mrekullinë e një legjende dashurie të pavdekshme, se e tillë ka qenë, është e do të jetë kjo ndjenjë e sinqertë, e ëmbël, pasi rrezaton vetëm mirësinë dhe bukurinë që di e dhuron jeta. Për horizontet që hap kjo ndjenjë, në shekuj ka zilepsur, joshur dhe lumturuar njerëzimin si asnjë kënaqësi tjetër, duke i dhënë përparësi zhvillimit qytetërimeve me hapa galopante.
Si gjatë leximit dhe pasi e përfundon novelën cilido që ndeshet për herë të parë me brendinë e saj, si: redaktori, botuesi dhe më pas lexuesi, pas një heshtjeje paksa të gjatë, do të futet në mendime të dyzuara. Veç mbresave që i lë kjo dashuri e ndaluar, ndoshta më e madhja e kohës kur ajo u jetua, ai ndalet në hamendësimet e veta dhe tejet i befasuar pyet ndërgjegjen: “A ka ndodhur vërtet një marrëdhënie e tillë, apo mos vallë nuk është gjë tjetër, veçse një trill që u transmetua nga brezi në brez si gojdhënë dhe mbërriti deri në ditët tona?! “
Në këtë novelë shohim një dashuri të madhe që lindi, u rrit e u zhvillua në kushte të pabarabarta sociale, ku vepronin ligjet e egra drakoniane dhe despotike të xhunglës. Flitet për një dashuri, e cila ka ecur përmes dritë-hijeve të një kohe të
errët. Gjithsesi, duke lënë pas mentalitetin e kohës së sëmurë, e cila ishte e mbarsur me ambicje, me ethe të etura dhe egoizëm të pashoq për pushtet të pakufishëm, me një synim të vetëm, se cili do të jetë fitimtari. Gjithsesi, pas shumë betejave dhe traumave sociale apo morale dhe vrasjes shpirtërore që ka pësuar ajo ndjenjë vitale, kjo dashuri e jashtëzakonshme, për fat sot po troket edhe në veshët tanë. Një histori e bukur si në përralla vjen përmes shekujve duke dalë prej labirinteve pa diell të Mesjetës si një dritë verbuese, për t’i treguar botës së kohës moderne se, dashuria si ndjenjë ka lindur qysh në prehistori bashkë me lindjen e dy njerëzve të parë, burrit dhe gruas. Të dy, të befasuar, qysh në shikimin e parë, pasi spikatën bukurinë tërësore të kurmit, cilësitë fizike, pamjen e jashtme të secilit, kurse afërsia mes tyre, çoi në njohje, e cila solli një tërheqje emocionale ndaj njëri-tjetrit. Si pasojë të dy ndjen nevojën e mbështetjes tek secili prej tyre, si dhe kanë parë si të arsyeshme domosdoshmërinë e të qëndruarit bashkë për të përballuar padrejtësinë shoqërore të kohës së padijes. Qëndrimi bashkë i një çifti, për kohët antike, spjegohet për shkak të shumë arsyeve, që varen nga rrethana të ndryshme...apo faktorë të brendshëm, por veçanërisht ndikimeve negative të faktorëve të jashtëm, si nevojë e domosdoshme për sigurinë e jetës.
Shkencërisht, për shekuj me radhë, kjo ndjenjë që lindi mes dy sekseve, ende nuk përcaktohej si dashuri. Porse komunikimi me fjalë, më pas lindja e shkrimit, sidomos dalja e sofistëve (njerëzve të ditur), lindja e filozofisë si shkencë, e bënë të ditur dhe të njohur në shoqërinë njerëzore, dashurinë, si ndjenjë humane. Kurse ata që ditën t’i spjegojnë shkaqet e lindjes së joshjes mes dy sekseve, ose përgjigjen e mirëkuptimit në zhvillimin e kësaj ndjenje, ku loja nis me bukurinë femërore ose karakterin, apo forcën fizike të mashkullit, që vazhdon me pasojat e kësaj ndjenje që kanë qenë e vazhdojnë të jenë triumfi apo disfata të këtyre ndjesive, krijuan një nga zbulimet e veçanta shkencore, që u deklaruan në veprat letrare më të bukura të lashtësisë. Kurse nga pikëpamja e dijes, duke pasur parasysh kushtet e lindjes së dashurisë dhe zhvillimit të sa e sa rasteve në kohë e rrethana të ndryshme, dijetarët arritën t’i konceptojnë këto njohuri të reja më të avancuara për kohën dhe papritur i demonstruan nëpërmjet librave shkencorë. Kjo u quajt “Filozofia e Dashurisë”, që është një nga degët e shkencës së Filozofisë. Pra kjo ndjenjë e bukur tejet, personale mori formë, ngjyrë, trajtë dhe duke u bërë pjesë e pandashme e ekzistencës së qenieve njerëzore, dha të kuptohet, se pa të cilën jeta nuk ka kuptim. Qysh në ballafaqimin e hershëm antik, edhe pse pati, vazhdon të ketë e do të ketë kundërshti, përsëri u pranua si një ndjenjë e domosdoshme e cila krijon lidhje, besim, mirëkuptim dhe tolerancë jo vetëm mes çiftit por, është dashuria njerëzore ajo që forcon mbarë komunitetin. Këtu qëndron edhe bukuria e jetës. Një jetë pa dashuri, është e zbrazët, e zbehtë dhe aspak tërheqëse. Ku ka dashuri, ka mirësi dhe begati.



Janë të panumërta veprat që i janë kushtuar dashurisë, ku secili ka paraqitur këndvështrimin e tij. Porse shembullli më i mirë, i dhënë që në antikitet, është vepra filozofike e Platonit, “Bashkëpirja”, ku përmes një dialogu të ethshëm filozofik, autori trajton temën më njerëzore, erosin. Dijetari jetoi nga viti 427 deri në vitin 347 para erës sonë, i cili qysh në gjysmën e dytë të shekullit të V-të para Erës së Re, ka ndarë ndjenjën e vërtetë të dashurisë me seksin, të cilin e paraqet si akt kalimtar, brutal që shkaktohet prej veseve që lindin nga një jetë e shthurur, pa norma, veprim që nuk njeh rregullat dhe ligjet e shoqërisë. Platoni ballafaqoi ndjenjën e bukur të dashurisë me seksin, ky i fundit, jo si ndjenjë por si epsh i lindur nga mungese e kulturës së mjaftueshme të njeriut, gjatë të cilit përdoret dhuna, inferioriteti ndaj femrës si seks i dobët, ku gjykon dhe vendos vesi.
Le të ndjekim me vëmendje Platonin në këtë vepër, ku në çdo paragraf e frazë aq të goditur nga dijetari, ndeshim thënie filozofike tejet të vyera si: “Është pikërisht Erosi ai që e përndez njeriun, përmes një energjie që i buron fuqishëm nga vetvetja”… “Erosi, hyjnisht priret për nga virtyti”.... “jo çdo Eros është i hijshëm…i këtillë është vetëm ai që na përndez dëshirën për të dashuruar në një mënyrë sa më të hijshme”…“njerëzit s’e kanë haberin ndaj Erosit dhe gjithsa lidhet me fuqinë e tij”...“Erosi s’e njeh dhunën”… “ duke mos pasur në dorë as gjërat e bukura dhe as të mirat, Erosi dëshiron pikërisht këto gjëra që i mungojnë çdo truri që nuk njeh as arsyen dhe as logjikën.” Platoni ishte i pari që theksoi se, studimi i dashurisë i takon një dege të shkencës filozofike. Nëse ndalemi dhe e shohim në kahjen shkencore, dashuria nuk ka atdhe, kurse të dashuruarit kanë vendlindje, e cila ka nevojë për evolucion ashtu siç kërkon edhe jeta. Si rezultat i nevojës për të gjetur rrugë të reja në zhbirimin e të panjohurave të Universit, apo të jetës në tërësi, lindi shkenca. Nëse zbulimet e reja apo ligjet e shkencës nuk do të gjenin zbatim në jetën e përditshme, do të ngeleshin si kalliri bosh. Bazuar në ligjet e natyrës dhe marrëdhëniet që veprojnë në botë, dijetarët formuluan kodet zanore të këtij evolucioni përmes veprave letrare por sidomos të atyre shkencore.
Nëse paralelizojmë thëniet monumentale të Platonit me dashurinë e Arkitekt Sinanit dhe Sulltaneshës Mihrimahn, gjejmë se ata të dy kërkojnë nga jeta e nga koha në të cilën jetojnë, si dhe nga shoqëria, atë që u mungon dhe i plotëson si qenie humane, që është bukuria e dashurisë.
Një proverb latin thotë:*“E bukur nuk është ajo, që është e bukur, por e bukur është, ajo që më pëlqen mua!”*- meqënëse jam e një mendjeje me këtë thënie lapidar, shpreh mendimin tim lidhur me këtë cilësi: “Bukuri nuk është pamja fizike, sepse ajo është e përkohëshme. Bukuria gjendet brenda vetes, se si ndihesh ti me vetqenien, gjë që e reflekton përmes syve. Të jesh i/e bukur do të thotë se ke arritur të jesh vetvetja”.
Janë këto arsye, të cilat, dashurinë e pastër, të pasur e të virtytshme, si ajo e Sullatneshës Mihrimahn dhe Arkitekt Sinanit, mbështetur në bukurinë shpirtërore të të dyve, koha e ka ngritur në piedestal vlerash që meriton të kujtohet me nderim.
Ashtu si të rejat e shkencës, që i shërbejnë zhvillimit dhe jo shkatërrimit të qytetërimit, edhe dashuria, kjo ndjenjë fisnike duhet t’i shërbejë shoqërisë si hallk ndërmjetëse mes njerëzve në mirëkuptim dhe harmoni.
Në emër të dashurisë dhe në kujtim të kësaj ndjenje sublime, të më së bukurës, më të pafajshmes dashuri hyjnore...nga vendi ynë i bukur buzë deteve...le të rrugëtojë bashkë me kohën kjo buqetë orkidesa me aromë Shqipërie!


Një buqetë orkidea me aromë Shqipërie, në kujtim të bukurisë dhe dashurisë së Arkitekt Sinanit me vajzën e vetme të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm , të bukurën Mihrimahn!
Vivra
Vo.: Proverbin latin *këtë thënie e solli bashkëshorti im ,Fitim Haxhiraj.

“AJO QË KA NGJA NË SHQIPNI TË DASHTUN VLLAZEN E MOTRA, NUK ASHT PA KURRË NË HISTORINË E NJERZIMIT…”



Image result for fritz radovani

Nga Fritz RADOVANI:
1 PRILL 2018  Shqiptarve në Botë Ju urojmë:
Per shumë mot Pashkët!


25  PRILL 1993: PAPA  GJON  PALI  II,
PERBALLË  GJERGJ  KASTRIOTIT SKENDERBEUT    TIRANË, KA THANË:

AJO QË KA NGJA NË SHQIPNI TË DASHTUN VLLAZEN E MOTRA, NUK ASHT PA KURRË NË HISTORINË E NJERZIMIT…

     M U E J    P R I L L    2 0 1 8:  K u j t o j m ë ...

1 PRILL 2018 PER SHUMË MOT PASHKËT !
2 Prill 1991: Masakra e terroristit Ramiz Alia në Shkoder.
Vritet Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka e Bujar Bishanaku dhe, u plagosen 89 demostrues studentë të shkollës mesme “Jordan Misja”, qytetarë dhe pjesmarrës në atë protestë paqsore... Deri sot askush nuk u dënue per këte veper kriminale!..
***
●25 Prill 1893 Asht le At Serafin Koda O.F.M., i mbytun nga kriminelët me 11 Maji 1947.
4 Prill 1904 Shugurohet meshtar At Mati Prennushi O.F.M. U pushkatue në 1948.
5 Prill 1920 Asht le Don Ejëll Kovaçi, pushkatue me 10 Nandor 1958. Nuk pranoi Statutin e qeverisë komuniste të Tiranës, dhe u torturue në mënyrë shnjerzore nga sigurimi.
23 Prill 1925 Asht le Don Lazer Jubani, vdiq i helmatisun tradhtisht me 29 Korrik 1982... Ishte nder Klerikët ma të përgatitun në fushen e historisë dhe letersisë shqipe.
17 Prill 1935 Asht le Don Mikel Beltoja. E shkyen bishat e sigurimit me 10 Shkurt 1974.
●27 Prill 1946 Don Injac Gjoka dënohet me 10 vjet burg e punë të randë të detyrueme...
18 Prill 1947: Gazeta “Bashkimi” njofton se Gjykata e Garnizonit të Tiranës dënoi një grup klerikësh si “armiq të Popullit.” Në këte grup u dënue: Don Shtjefen Kurti 20 vjetë. At Pjeter Mëshkalla 15 vjet. Rrok Oboti 8 vjetë dhe Imz. Irene Banushi 5 vjetë.
●3 Prill 1948 pushkatohet Imzot Gjergj Volaj (1905), Ipeshkvi Shqiptar ma i ri i Pultit.
U pushkatue 43 vjeç. Pak kush asht torturue nga sigurimi komunist si Ky Ipeshkëv...
25 Prill 1948 Arrestohet per herë të dytë Don Mark Shllaku, prift  i Obotit. Don Lazer Dedi, dhe dënohet 15 vjetë burg... Lirohen per me firmue “Statutin e Kishës së 1951”...
30 Prill 1948 Vdes në tortura Don Dedë Plani, nder Martirët e Pathyeshem në hetuesi...
14 Prill 1950 Vdes në tortura At Gasper Suma O.F.M., nuk dishmon per shokët e vet.
4 Prill 1954 At Karlo Serreqi (1911) vdes i masakruem nga kriminelët në burgun Burrel.
●27 Prill 1959 Dënohet me vdekje Don Dedë Malaj se nuk firmoi “Statutin e qeverisë...”
Ndersa, At Konrrad Gjolaj dënohet me 20 vjet burg e punë të detyrueshme. Me Këta dy Klerikë u dënuen edhe vllaznit Lazer e Gjon Simon Parubaj, Gjeto Luc Budashi...
***
3 PRILL 1967 Në Komitetin Ekzekutiv të Shkodres i komunikohet Klerikëve Katolik që i ndalohen të gjitha llojet e sherbimeve fetare, dhe se do të lëshojnë qelat.
●5 Prill 1967 At Pjeter Mëshkalla S.J., i shkruen leter kryeministrit Mehmet Shehu.
7 Prill 1967 arrestohet Kleriuku i Parë Katolik Don Mark Hasi me “Revolucionin 1967”.
●29 Prill 1967 në Institutin Pedagogjik të Shkodres...Arrestohet At Pjeter Mëshkalla per letren që i ka dergue kryeministrit terrorist Mehmet Shehu. Në mbledhje ka thanë:
“Populli Shqiptar asht Popull besimtarë dhe nuk asht vullneti i Tij me prishë ate që ka ndertue ai vetë me ndergjegjen e tij. Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës dhe i Xhamisë, kurrë nuk nxjerrë jashtë Populli priftin e hoxhen nga katundi. Ky veprim që bani ju sot asht vetem turp para Zotit e para Popullit, asht turpi i juej para gjithë vendeve t’ Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombtar GjERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT, mbrojtësit të Krishtenimit... Vetem këte mendoni se çka ka me thanë Europa per ju?...”
●1 Prill 1969 Don Marin Shkurti (1933) e kthyen jugosllavët me e pushkatue “shqiptarët”.
Nga familja Shkurti u arrestuen: 1. Don Marin Kolë Shkurti, 2. Ndrekë Kolë Shkurti,         3. Jakë Kolë Shkurti, 4. Gasper Kolë Shkurti, Lazer Ndrekë Shkurti, 6. Prenda Kolë Shkurti, 7. Leze Simon Shkurti, 8. Liza Jakë Shkurti, 9. Ruke Lazer Shkurti. (Dosja 2312)
●29 Prill 1976 Imz. Errnesto Çoba asht dënue 25 vjet burg dhe e kanë mbytë në sigurimin e shtetit në Tiranë me 8 Janar 1980, Dosja 3359... U dënue dhe vdiq.., pa e pa njeri!
●4 Prill 1986 Vdiq Don Lec Sahatçija (1906), i masakruem në burgun e Tiranës...

25 PRILL 1993 PAPA GJON PALI II vjen në Shqipni...
(Pjesë nga Fjala e Papës në Sheshin Skenderbeu Tiranë, 25 vjet para vitit 2018...)
●Të dashtun Vllazën e Motra!
Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej.
Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar...
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë.
Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare?
A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat? 
Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré. 
Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia... ”
●Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk e ka njohë até që ka ngja në Shqipni... 
Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!..
Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe! »
            Melbourne, 30 Mars 2018.




Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.

Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.

Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.

Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.

Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.[

UNË JAM BARBARI, UNË JAM VANDALI


Image result for rexhep shahu

REXHEP SHAHU

UNË JAM BARBARI, UNË JAM VANDALI

Pas protestës së 31 marsit 2018 në Kukës të banorëve vendas, demokratë e socialistë, jo dilbera, pranë tunelit të Kalimashit, pas djegies së kioskave ku paguhet taksa, pronë private e kompanive koncensionare, pas ngjalljes së një entusiazmi popullor se u pohua që ende nuk ka vdekë protesta dhe as demokracia në Shqipëri, doli dhe volli plumba urrjetje kundër kuksianëve ministri i brendshëm duke i quajtur protestuesit, barbarë dhe kryeministri duke i quajtur, vandalë.
Unë nuk munda të hesht. Unë nuk jam trim. Por unë nuk dua konflikt mes njerzve të mi të gjakut dhe qeverisë së zgjedhur të vendit tim. Dua paqe.
Unë jam barbari, unë jam vandali z. Kryeministër, z. ministër!
Po, unë biri, vëllai, prindi, daja, nipi, miku, shoku i atyre protestuesve në Kukës jam barbari, jam vandali !
Unë jam barbari, unë jam vandali e ti z. Kryeministër duhet të krenohesh me mua barbarin, me mua vandalin që nuk rri si ai miku nën këmishë.
Sepse unë barbari, unë vandali, i dhashë dinjitet e krenari shqiptarit kudo ku është derdhë nëpër planet.
Unë barbari pohova e tregova faqe botës së madhe e të vogël, faqe miqve e armiqve, faqe ambasadorëve që u hutuan e ulën kokat e mbyllën sytë e gojët, se nuk ta kthej faqen tjetër nëse më godet në njërën faqe.
Unë barbari pohova se në këtë Shqipërinë tonë nuk ka vetëm lopë por ka edhe njerëz që ngrihen, njerëz që nuk janë si “ai miku” i kryeministrit që nuk ngrihet e as ta hedhë shurrën më larg se maja e këpucës së tij.
Unë barbari pohova e tregova shqiptarët që nuk pranojnë të fyhen tej çdo caku, që nuk dinë vetem të ikin me vrap, që nuk janë vetëm frikacakë.
Unë barbari e vandali pohova e tregova se këtu në këtë vend është vrarë frika njëherë e mirë, pohova e tregova se nuk ka më Enver e diktator që më vret a më var në litar siç ka vrarë qindra lumjanë, hasjanë, tropojanë, dibranë kur nuk kishte as italianë as gjermanë përballë.
Unë barbari e vandali pohova e tregova se nëse më shpërfill njëherë, do të shpërfillesh dy herë.
Ministri i rendit doli si trimi pas beteje duke lexuar trakt urrejtje kundër meje barbarit, trakt të shkruar në zyrat e Komitetit të dikurshëm qëndror, duke treguar dobësi, dhe më quajti barbar!
Barbar mund të jetë vetë ai ministër, unë nuk jam barbar. Unë jam qytetar i këtij vendi, jam rrënjë e këtij vendi, rrënjë e pashkulshme. Barbar mundet të jetë ai ministër.
Mua barbarin më ka lindë nëna nga vrima e shurrës, ndërsa ata që më urrejnë kaq shumë e më quajnë barbar mund t’i ketë pjellë nëna e tyre nga vrima e mutit.
Unë barbari, unë vandali reagova sepse më ftoi, më nxiti policia speciale me anë të gazit lotsjellës që të reagoj, që të mbroj sytë e mi. Po të mos më lëshonte policia gazlotsjellës, të jesh i bindur se nuk do ndodhte asgjë. Duhej ta provoje që të bindesh për këtë dhe që nuk e provove nuk është faji im por yti.
Se sa barbar e vandal jam unë, e dinë mirë ata që më njohin nga afër, ata që kanë ndenjur qoftë dhe njëherë me mua. Ndaj kur më quani ju barbar e vandal, ju shpikni urrejtje, nxisni urrejtje, nxisni përçarje e ndasi që nuk ekzistojnë mes shqiptarëve pa pushtet e karrige.
Dijeni të dy, kurrë kuksianët nuk kanë qenë njerëz të refuzuar, të përbuzur nga askush, përkundrazi janë nderuar e pse jo, janë admiruar nga të tjerët.
Sepse kuksianët janë vetja e tyre, gjithmonë vetja e tyre, nuk të tradhëtojnë, nuk të shesin, nuk dinë të përbuzin, dhe durojnë sa Pikëllima dhimbjen e Gjalica dimrat…
Unë barbari, unë vandali nuk do ta shaloj historinë se ju zhvlerësoj shumë me historinë time, por dua tu kujtoj se po bëni keq, po e menaxhoni keq situatën.
Hiqi policët z. kryeministër, mos i bëj kuaj urrejtje se nuk zgjidh asgjë me policë. Mos i burgos njerzit se ata dalin nga burgu sado i gjatë, pasi kanë dalë edhe nga burgjet e Enverit e të Ramizit. Mos bëj terror policor se mbjell hakmarrje e urrjetje të verbër. Urrejtja juaj nuk ngre ura. Mos përdor spiunë e bij spiunësh të hershëm e rishtarë se njerzit atje e dinë dhe njohin mirë njëri – tjetrin.
Mos e përbuzni kaq shumë Kukësin që e lidh vetëm një urë me Shqipërinë. A e keni parë urën mbi Drinin e Zi kur hyni në Kukës. Vetëm ajo urë na lidh me Shqipërinë. Mos i fusni policët në kurthin e urrejtjes, mos e armiqësoni Kukësin me policinë sepse çdo herë në Kukës ka dalë e humbur policia sado speciale që ka qenë e është. Sepse gjithmonë ka më pak policë se sa qytetarë.
Një Kukës është në Kukës, një është në Tiranë e Durrës, një është në Angli, një është në Gjermani, Belgjikë e Zvicër. Je qeveri shumë e vogël dhe shumë e përkohëshme të matesh me gjithë këto Kukësa. Ulu me njerzit sy më sy e mos mashtroni e kuvendoni me ta nga ekrani i televizionit. Mos mendo se do të kuvendosh me të pavarurit që nuk ekzistojnë askund. As me ata që e mendojnë se po bëhen të rëndësishm e po spikaten në këto protesta, mos shaloni kuajt e vegjël të inateve e konfliteve të vogla të njerzve të vegjël që gjenden dhe aty si kudo ku ka njerëz.
Po i josh barbarët e vandalët me abone, me mashtrime e privilegje që janë dyer e deriçka për vjedhje. Ato 120 mijë eurot që koncensionari do u japë atyre që kanë nevojë në bashkitë lokale, mbaji për vete e ha një drekë princërore me to.
Nëse don zgjidhje që ta pranojnë të gjithë, cakto taksë fikse më të ulët 200 lekë/ 2 euro, për çdo veturë, 500 lekë / 5 euro për çdo mikrobuz, 1000 lekë/ 10 euro për çdo autobuz e maune.
Nëse është pak për koncensionarin sot, le të bëje pak mirëmbajtje tani, e nesër kur të hyjnë makinat e Serbisë e më gjërë në atë udhë, e koncensionari të fitojë shumë, le të bëjë më shumë mirëmbajtje.
Kuptoji ato njerëz, mos ushtro forcë dhune se nuk je i fituar edhe pse të duket ashtu. Shtoje buxhetin për Kukësin sepse nga pasuritë që janë në atë rajon, bashkia nuk fiton asgjë.
Ja një shembull: 23 hidrocentrale lokale që ke dhenë me koncension në Kukës, që janë natyrisht me shumë fitim se ndryshe do mbylleshin, a duhet ta derdhin 1 përqind të fitimit të tyre në bashkinë Kukës ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Kukësi është ura mes tri kryeqendrave shqiptare, Shkup, Prishtinë, Tiranë. Është fat.
Këta barbarë e vandalë z. Kryeministër, kanë flijuar qytetin e fshatrat e tyre, kanë flijuar tokat e trojet e tyre, kane flijuar fëmijërinë, ëndrrat, që të ndërtohej hidrocentrali i Fierzës që prodhon energjinë elektrike për gjithë vendin.
Është e vështirë ta kuptoni flijimin e një qyteti.
Ne barbarët e vandalët e kemi bërë. Në emër të dritës e të zhvillimit.

"Vrasja" e një MISSI



Tregim

Image result for perparim hysi


Nga Përparim Hysi

Aso kohe as që flitej për MISS! Nëse po e quaj kështu, mos kujtoni se po shpejtohem apo jam pak i njëanshëm. Sado që kjo ka ndodhur aty nga vera e vitit 1957-të, unë them jo vetëm e kam njohur atë MISS, por kam parë me sytë e mi se si e "vranë". E vranë barbarisht: mu para syve të mi. Unë,atëherë, qeshë student në Institut dhe,ngaqë më pëlqente folklori, isha dërguar enkas nga i ndjeri,Profesor Zihni SAKO, për të vëzhguar një ceremoni dasme apo qoftë dhe fejese në një nga fshatrat malorë të juglindjes. Kisha shkuar atje bashkë me Asllanin, dhe ky student për biokimi. Asllani qe, pothuaj, i familjes dhe ky më mori në atë shtëpi. Pra qeshë mik i Asllanit dhe,ngaqë në fshatra të tillë ta japin shpirtin në dorë, mua më dukej se nuk qeshë mik,por si i shtëpisë. Them i shtëpisë,se atje qendrova 10 ditë dhe kurrë nuk e harroj jo vetëm pritjen e ngrohtë,por dhe trajtimin po aq të ngrohtë. Ç'njerëz babaxhanë! Ende në atë zonë malore nuk kish rënë "cunami i kolektivizimit" dhe,përgjithësisht, njerëzit rronin ku e ku më mirë,krahasuar me ato fshatra ku kolektivizimi e kish"vyshkur" atë pak gëzim të njerëzve të lirë.

* * *
Asllani, kur më njohu me njerëzit e tij, tha:- Ky është Arturi,shoku im, dhe shkurtimisht e thërresim Turi. Kaq mjaftoi që burrat e shtëpisë të më përqafonin dhe gratë, si qenkej zakoni atyre anëve, më puthën në të dy faqet. Kjo puthje në faqe, njësoj siç bën dhe me Asllanin, qe si një"cartabiankë" sigurie që më thoshte: Artur apo Turi,sa do qëndrosh këtu, je po aq i afërt siç është Asllani. Dhe kaq nuk qe pak. Pas njohjes, ne, burrat, hymë në odën e pritjes. Oda e pritjes qe goxha e madhe: me dysheme dërrase dhe tavan po prej dërrase. Dërrasa që vetëtinin nga një lloj vaji që nuk e humbte shkëlqimin dhe jo vetëm kaq: mu në mes të tavanit një ornament me gdhëndjeje prej një dorë mjeshtëri që i jepte krejt odës një prezencë të veçantë ,sidomos, kur e shihje për herë të parë siç ndodhte dhe me mua. Mu në krye, pothuaj në qendër të krejt asaj ode të madhe, qe vatra e madhe dhe një oxhak,edhe ky i derdhur me ornamente. Asllani,ngaqë pa "humbjen e pusullës sime", pas këtyre punimeve kaq artistike, më shpjegoi:- Ç'sheh me sy në këtë odë, është dorë e mjeshtrave nga Opari. Aty,ndërsa nga njëra anë e oxhakut u ul i zoti i shtëpisë, nga ana tjetër apo kundruall tij, u ula unë si mik dhe, fill pas nesh, sipas moshës,u ulën katër burra të tjerë që ishin ose nipoj apo dhe ndonjë i afrëm tjetër.
I zoti i shtëpisë apo BABEU,siç i thërrisnin të gjithë, qe aty mbi moshën 50-vjeç, i mbajtur mirë dhe i pavrarë nga puna.
Qe i madhi dhe,siç thoshte, hallemadhi. Ai ishte për pritje e përcjellje miqësh dhe,sado që nuk zinte punë me dorë, kishte jo vetëm qesenë e shtëpisë, por qe ai që jepte urdhëra dhe, të tjerët, me gra e burra,qenë si "skllevërit idulgjentë të tij", do t'i zbatonin këto urdhëra pa gëk e mëk. Siç e gjykova, sa qeshë atje, nuk qe burrë i keq, por i pëlqente të kapërdisej (ndonjëherë, si maçoku në thekër) dhe,sikur bënte paradë force,kur demonstronte para meje forcën e urdhërave të tij. Nuk di pse krejt atë familje të madhe e mendova si një repart ushtarak dhe BABEUN si Komandant që jepte urdhëra. Jo vetëm jepte urdhëra,por,siç më shpjegonte Asllani, kurrë nuk kish ndodhur që dikush ta thyente këtë urdhër: as nga burrat dhe,sa për gratë,këto as llogariteshin si të gjalla. Mua dhe Asllanit të gjitha vaktet na shërbeheshin tek oda e pritjes. Burrat me BABEUN në krye darkën e hanin tok me ne. Si mbaronte darka, vinin gratë dhe qoftë dhe njëra prej tyre, na shtronte për të fjetur. Nuk kish krevat,por mbi dyshekët me lesh, hapeshin çaraçafët dritë dhe mbi ta jorganë të mbushur me lesh. Sa gjumë të rehatshëm që flinim! Flinim, kur thonë blegtorët, si ata shelegët që ka zënë gërshëra:për 7-qejfe!
* * *
Qe, me sa më kujtohet, nata e tretë. Burrat nuk erdhën për darkë dhe BABEU, si "hallemadhi" që qe, se ku kish shkuar për mik. Kish ndodhur ai"çlirimi i qenit nga zinxhiri": e lëshon dhe nuk i zënë putrat e këmbëve mbi supe. Mbeta unë e Asllani. Darkën e solli një nga nuset e shtëpisë dhe,kur do na shtronin, nusja kish marrë me vete një nga çupat e BABEUT. Kur hynë, ajo,ngaqë dhe me Asllanin nuk qe parë atë ditë, u shkëput dhe e puthi në dy faqet. Pastaj, pa ia bërë syri tërr, si një rit që do ta bënte me domosdo, erdhi dhe të njëjtën gjë bëri dhe me mua.
Moj Merushe,- tha Asllani,- po kam dy ditë që nuk të shoh. Dhe unë fiksova:kjo që më puthi mua qenka Merushja! Jo, po hamendësoja,nuk është Merushja, por Bukurushja! Nën dritën e fortë të llambës së madhe,ajo qe si një dritë llamburitëse. Tek qeshte me Asllanin krejt pafajësisht, në sytë e mi u shfaq si një pafajësi e bukur apo si një mrekulli. Aq e bukur qe, sa unë u vura në ngasje që ta illustroja,sado pak këtë bukuri, me vargje nga këngët popullore, por gjithmonë më dukej se qeshë larg në analogjinë time dhe,tek e vështroja, pak me droje, sigurisht, doja të bërtisja:- O ZOT, vallë edhe ti punon me hile?! Përfytyroni një trup fidan dhe një fytyrë trëndafili, me ca buzë të trasha (unë i përfytyroja tërë lëng) dhe pa guxuar t'i hedh sytë mbi gjoksin e bëshëm, që femrat e atyre anëve dinë si ta shtrëngojnë e mbyllin si në kafaz. U skuq,sikur kish bërë turp dhe, tek u mat t'i kthente përgjigje Asllanit, foli nusja:- Epo Merushja ka"halle" të tjera tani. Pasnesër vinë krushqit! Kaq u desh dhe Merushja, u bë zog fluturak dhe iku nga oda. Asllani u befasua,kurse unë qeshë ca më keq: qeshë duke përjetuar një çast të bukur dhe,befas, dikush sikur ma rrëmbeu çastin dhe e ndjeva veten si më të humburin e frymorëve. Nuk di nëse Asllani e vuri re trishtimin tim, por, tek u shtrimë për të fjetur, unë e hapa prapë muhabetin. Asllani qe aq i paditur sa unë ,por më kujtohet që tha:- Merushja është njëra nga çupat e shtëpisë dhe ka radhën e fejesës. Vetëm për një gjë lus,- tha ai,- ishalla mos e marrë më qafë Babeu. Nëse Babeu i ka dhënë fjalën dikujt, atëherë fati i Merushes është përcaktuar. Sot është e martë,- tha Asllani,- krushqia vjen të enjten. Të enjten bëhet gostia (i vihet vula vendimit të Babeut) dhe ti,-më tha,- hap tefeterët i mbushi plot që të kënaqësh Profesor Zihninë. Kështu më tha, por unë aq e kisha humbur nga bukuria e Merushes, sa isha në atë gjendjen e atij që këndoi:" Bie të fle/gjumi s'më zë/ halli si t'i bënetë?". Të enjten,- thosha me vete,-ç'bujashka do bjerë lumi? Si do ta ketë fatin BUKURUSHJA? Vonë, shumë vonë më zuri gjumi. Copëra herësh sikur isha me Merushen. Si thashë, Merushen? Jo isha me BUKURUSHEN. E vërteta është që po vuaja atë sindromën e Xhaferrit që humbi simiten. E merrja portretin e BUKURUSHES dhe e ktheja mbarë e prapë:-Bobo,- thosha,- sikur ta ketë marrë më qafë Babeu! Tek mendoja,vetëm anën e keqe,qeshë gati që t'i hidhesha mu mbi kokë Babeut dhe t'ia shkulja ato mustaqet "spic" që, sado po e merrja inat, ke parë që i shkonin .
* * *
Tek prisja të enjten, natën e të mërkurës as që mbylla sy. Mbaja veten me gajret dhe thosha:- Nuk do fle! Kështu si unë sot nuk po fle dhe BUKURUSHJA! Tërë natën pothuaj se e thava detin me filxhan. Një i ri ëndrrimtar që bukuria e një MISSI të këtyre anëve e ka goditur mu në kokë dhe, nga një student pasionat pas nomeve popullore, ka katandisur në një Don Kishot që po lufton me"mullinjtë e erës".
Pothuaj se nuk e preka mëgjesin dhe,ndoshta nuk më ka tradhtuar çehreja, se nga shpirti jam zeher. Ndërkaq, një çunak bërtiti:- Po vinë krushqit! Kjo klithmë gëzimi,për mua qe si një thikë që dikush ma nguli: krushqit për mua qenë"exheli"që do binte mbi BUKURUSHEN!
BABEU doli në krye dhe, sakaq,"reparti" qe rreshtuar. Gratë ndiqnin diku, si fshehur, ardhje e krushqëve. Qenë gjithësej 7 krushq, të gjithë të veshur me shajake. Mundohesha që,mes tyre, të dalloja dhëndërrin. Krushqit sikur i kish prerë një metro: rroba njësoj, qylafët njësoj dhe,vetëm kur u ulën ballë nesh, munda ta dalloja atë "rivalin" tim.
BABE,- mallkova me vete,- t'u bëftë në grykë,kur asaj BUKURUSHES i ke zgjedhur këtë short. Këtyre anëve thonë:- Dardhën e qullur e ha breshka. Analogjia ime ishte pak e çalë se ku BUKURUSHJA dhe ky,"rivali im", një leshraqen që njëherë nuk ka krehur flokët, do hajë një dardhë aq të ëmbël si BUKURUSHJA. Filluan dollitë e shëndetet, këngët e vallet sa tundej dhoma dhe,ndërsa atomsfera u ndez e mori zjarr, unë përjetoja njëlloj si BUKURUSHJA atë dhimbje shpirtërore të saj që do binte në kthetrat e këtij skifteri. E urreja,sado që ai qe i pafaj.
* * *
Por sado që"reparti i Babeut" qe i disiplinuar, kishte dhe ndonjë "ushtar të moshuar" që nuk ia kishte as për pesë Babeut. Ky"ushtari" qe as më pak dhe as më shumë,por një nga plakat e moshuara të shtëpisë. U ngjit me"nënrepartin e grave të tjera", mori gotën me raki dhe,pasi uroi krushqit, shtiri sytë nga dhëndëri dhe,sa e pa, tha:- Moj gra, do ia them një kënge,po hajde dhe ma mbani: " Bëra poshtë, moj, bëra poshtë/bëra poshtë nga Larushku/ edhe pashë, moj, edhe pashë/më i madh qe dhëndërri/ se sa krushku/. Kjo nuk qe këngë,por qe si rrufe që bie së kthjellti. Babeut i lëvizi musteqja, por Hanko XHIXHIA kish "status" të veçantë dhe i bënte hij komandantit. Të them të drejtën, mal m'u bë zemra nga kënga e Hanko XHIXHISË dhe qeshë gati ta merrja në krahë. Me mendja qeshë nga BUKURUSHJA që atje, si një fshesë që lëmë pas derës, vajtonte fatin e keq. Krushqit,sado që u sëmbuan, të dielën mbrritën dhe e morën BUKURUSHËN dhe,tek ikte bashkë me kujen e saj, mua sikur m' ua hap një plagë në shpirt. Tri ditë pas ikjes së BUKURUSHËS,edhe unë u largova për Tiranë. Ia dorëzova fletoren PROFESORIT tim aq të dashur dhe, tek po i tregoja për këngën e HANKO XHIXHISË dhe ai nuk e mbajti të qeshurit. Më kujtohet që më tha:- Ç'minierë e pasur është tarshëgimia popullore!Ç'xehërorë që fshihen në të! Një nga këta "xehërorë" e ke zbuluar ti me këngën e HANKO XHIXHISË. Të lumtë! I miri PROFESORI i ndjerë,i ëmbëli ZIHNI SAKO! Dhe gjithmonë MISS BUKURUSHJA, për disa kohë, jetonte me mua. Vallë, si i shkoi jeta me atë skifterin leshrapakrehur?!
* * *
Pas 50 e ca vjetësh,bie ndesh me një mik që njihte BABEUN me gjithë "repartin" e tij. Pyetja e parë imja qe:- More, si i shkoi jeta asaj, Merushes? Aha,-tha ai,- e paske njohur atë? - Isha në dasëm,- i thashë
Flamë e shkuar flamës i shkoi. E la burrin e parë (kaq m'u hodh zemra) , por me të dytin e kanë goditur fatkeqësi njëra pas tjetrës që, dhe,po ta shohësh, nuk e njeh më. Është mbledhur si në shportë nga dhimbja dhe nuk shkon gjëkundi. Njdeva po atë dhimbje të dikurshme. Po si mos ndjesh dhimbje ,kur para syve,vrasin një bukuri?Vrasin një MISS! Dhe miku sikur ma lexoi dhimbjen në fytyrë, më tha:- A e sheh atë çupën e bëshme atje? Është një nga çupat e Merushes,- më tha.
E thërret dot që të vijë këtu? -Po si nuk e thërres,- tha. E thirri dhe, tek po vinte drejt nesh, m'u bë sikur po vinte vet BUKURUSHJA. Na njohu dhe unë fola:- Si është mamaja? -Ka rënë shumë,- më tha. Nxora nga xhepi një dhjetëmijë lekësh dhe i thashë:- Do shkosh t'ia japsësh mamasë. Nga Turi,- i thuaj. Nguroi,po miku që na njohu qe njeriu i saj dhe i tha :merri! -Të faleminderit zotëri,në emër tim dhe të mamasë,- tha vajza e Bukurushes. Tek u largova nga ai takim, m'u bë i afër ai fat mizor që goditi atë MISS bukurie që e"vranë"për së gjalli.

Tiranë, 2 prill 2018


Përparim Hysi ka lindur më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe ne vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arësimit të lartë për gjuhë letërsi. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, ““Luftë” me dashurinë”. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë. Ka botuar librat në prozë: "Tregime","Faji" i Isakovskit, "Një meshë për "Rrobaqepsin" e Konti Monte Kristos", "Lotët e Kumurisë" dhe librat me poezi:"Eh,si qenka dashuria!","Kurthi i mallit","Kot s'jam i vdekshëm", "Njerëz që dua" dhe "Mbeta dashurive".Veç këtyre në "makzazinën" e tij krijuese janë në pritje për botim qindra poezi dhe dhjetra tregime. Në pritje për botim është një libër me esse dhe përshtypje të autorit për libra të autorëve shqiptarë. Në pirtmëni për një libër më vete, është dhe libri me përshtypjet e autorëve të tjerë për të.

Kosova nuk është zotërim feudal as i Erdoganit, as i Thaçit e as i Behgjet Pacollit…

Barometri diplomatik




Akademik Prof.Dr.Mehdi HYSENI


Kosova nuk është zotërim feudal as i Erdoganit, as i Thaçit e as i Behgjet Pacollit…


Image result for hashim thaqi me erdoganin


-Por, shtet i pavarur dhe sovran, të cilin e ka njohur edhe vetë Turqia, kur e njohën edhe Amerika me aleatët e saj të Evropës Perëndimore (17 shkurt 2008).

Prandaj, si presidenti Erdogan, ashtu edhe qeveria dhe parlamenti turk, patjetër, sipas konventave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe dispozitave dhe neneve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duhet të përmbahen nga çdo formë ndërhyrjeje arbitare qoftë sekrete, apo të hapur në çështjet e brendshme të Repubikës së Kosovës.
Image result for hashim thaqi me erdoganin
Në këtë kontekst si politika e brendshme, ashtu edhe ajo e jashtme e Turqisë me presdidentin Erdogan në krye, duhet ta respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, sepse kjo është e vetmja formë e logjikshme, e dobishme dhe e drejtë e bashkëpunimit dhe e mirëbesimit për inteteresat dhe për marrëdhëniet e ndërsjella ndërshtetërore mes Kosovës dhe Turqisë, pavarësisht se kush është në krye të saj, sot, Erdogani, apo nesër ndonjë lider tjetër turk.


Image result for hashim thaqi me erdoganin


Arrestimi dhe ekstradimi sekret, nuk ishte "skandal", por ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës

Erdogani, duhet ta mbështetë popullin dhe shtetin e SOVRAN të Kosovës, JO individët e sëmurë për pushtet dhe për pasuri siç po dëshmohen Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli, që në rastin konkret të arrestimit dhe të ekstradimit të gjashtë shtetasve turq në Stamboll, e anashkaluan kryeministrin (Ramush Haradinaj) dhe kryekuvendarin e Kosovës(Kadri Veseli). Ky është një atak i fshehtë kundër qeverisë dhe kundër kuvendit të Kosovës ngase pa dijeninë dhe pa vendimin e tyre u cenua sovraniteti territorial dhe shtetëror i Kosovës.

Image result for hashim thaqi me erdoganin

Pavarësisht nga raportet vëllazërore, miqësore, ekonomike e tregtare të presidentit Hashim Thaçi dhe të ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan.


Image result for hashim thaqi me erdoganin


 Kjo nuk nënkupton, në asnjë mënyrë se Kosova është ndonjë “hallkë e vogël” në zinxhirin e gjatë të aleancës së re ruso-serbo-turke qoftë në Ballkan, në Evropë, apo më gjerë. Përkundrazi, që nga 24 Marsi 1999, kur Amerika dhe NATO-ja bombarduan Serbinë kolonialiste dhe gjenocidale, Kosova nuk i përket asnjë aleance tradicionale ballkanike, evropiane, aziatike, afrikane, arabe rajonale, por vetëm AMERIKËS dhe ALEATËVE TË SAJ EVRO-PERËNDIMORË (BE-së dhe NATO-s). Ky është FATI dhe ARDHMËRIA E KOSOVËS, përkatësisht i KOMBIT SHQIPTAR DHE I SHQIPËRISË ETNIKE, jo Turqia, as Rusia, as Azia, as Arabia, as Serbia e as Greqia etj.

Image result for hashim thaqi me erdoganin

Esadistët e rinj, mirë me Turqinë sikurse dikur Esat Pashë Toptani kundër Kosovës dhe Shqipërisë

Këtë fatekqësi kombëtare dhe shtetërore, veç monopolizimit tregtar dhe ekonomik biznesor 18-vjeçar (2000-2018), së fundi e provoi edhe ndërhyrja direkte politike e Turqisë në çështje të brendshme të Kosovës, me rastin e arrestimit dhe të kidnapimit sekret të 6 shtetasve turq në Kosovë, të ndihmuar dhe në bashkëpunim me organet policore dhe sekrete të Kosovës, pa dijeninë e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës.

Image result for hashim thaqi me erdoganin


Prandaj, në rastin konkret, nuk ka pse të hidhërohet dhe të hedhë akuza presidenti Rexhep T. Erdogan kundër kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, sepse ndërhyrja sekrete e Turqisë (duke cenuar të drejtën e sovranitetit territorial dhe shtetëror të Kosovës) ka bërë shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të normave të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë rast fatkeq, jo Erdogani, POR kryeministri, kryekuvendari dhe kryeatari i Kosovës, do të duhej ta kritikonin dhe të kërkonin përgjegjësi ligjore nga Ankaraja zyrtare, për shkak të përzierjes sekrete politike në punë të brendshme të Kosovës.


Image result for hashim thaqi me erdoganin

Pra, gabimi, faji dhe përgjegjësia ndërkombëtare, është në anën e Turqisë (sepse ka shkelur të të gjitha rezolutat dhe konventat ndërkombëtare të OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare që kanë bëjnë me mosndërhyrjen e një shteti në çështje të brendshme të një shtet tjetër), jo në anën e qeverisë së Ramush Haradinaj, e cila është anashkaluar nga puçistët politikë sekretë të policisë së Kosovës, si dhe nga ana e urdhëdhënësve të tyre, Hashim Thaçi (kryetar) dhe Behgjet pacolli (minister i Jashtëm).


Image result for hashim thaqi me erdoganin

 Këta dy funksionarë të lartë të shtetit të Kosovës mbajnë përgjegjësinë kryesore për “regjinë filmore” të kidnapimit dhe të deprotimit të gjashtë (6) shtetasve turq, si dhe për mosnjohtimin dhe për mosbashkëpunimin me kryeminsitrin e qeverisë, Ramush Haradinaj dhe me kryetarin e kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Këtë akt penal kundër popullit dhe shtetit, qeveria dhe kuvendi nevojitet ta debatojnë edhe në kuadrin e Qeverisë, edhe në atë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që, të mos përsëriten gabime dhe tradhti të këtilla kundër shtetit të Kosovës.

Për këtë “incident” penal kombëtar dhe ndërkombëtar, është përgjegjëse vetë Turqia, e cila panjohtuar dhe pa marrë pëlqimin e ligjshëm nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës, ka kryer vepër penale, duke dërguar në Kosovë agjentët operativë dhe aeroplanin sekret për kidnapimin e shtetasve turq në Kosovë.

Image result for hashim thaqi me erdoganin

Prandaj, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan nuk ka të drejtë morale e as ligjore, që ta kërcënojë dhe ta krtikojë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pse ka shkarkuar ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e AKI-së, Drtion Gashin për shkak të përfshirjes në aksionin e arrestimit dhe të deporetimit sekret (pa marrë pëlqimin e kryeministrit të qeverisë së Kosovës), sepse ai ishte një akt piratesk antiligjor, antikushtetues dhe antijuridik ndërkombëtar i përzierjes direkte të Turqisë në punë të brendshme të Kosovës.

Image result for hashim thaqi me erdoganin

Kjo lloj ndërhyrjeje e paprecedencë në çështje të brendshme të Kosovës, është e dënueshme sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe normave e parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Një pyetje e thjeshtë për presidentin Rexhep Taip Erdogan, a do të lejonte qeveria turke, që agjentët e policisë dhe të shërbimit sekret të Kosovës, të hynin në Turqi për kryerjen e një operacioni të këtillë sekret policor për arrestimin dhe kidnapimin e qytetarëve të saj, PA NJOFTIMIN, PA PëLQIMIN DHE PA LEJEN PëRKATËSE LIGJORE TË QEVERISË DHE TË PARLAMENTIT TË TURQISË?

-Po qese do të ndodhte diç e tillë, përgjigjja dihet, të gjithë agjentët dhe policët e Kosovës, do të arrestoheshin dhe do të përfundonin në pranga me procedurë të shkurtur për shkak të përzierjes në punë të brendshme të Turqisë.

Image result for hashim thaqi me erdoganin

Fundja, si Erdogani, ashtu edhe Thaçi, edhe Pacolli, duhet ta kenë të qartë se Kosova nuk është kurrfarë vetëshërbimi privat "hy e merr e lë çfarë të duash", por është shtet, që ka ligjet dhe Kushtetutën e vet. Prandaj, ata që shkelin ligjet dhe Kushtetutën e saj në fuqi, edhe do të marrin përgjigjen adekuate, sipas veprës dhe sjelljes së tyre të jashtëligjshme dhe jashtëkushtetuese. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kurfarë "turpi", por vetëm me drejtësinë dhe me zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës, si dhe të ligjeve ndërkombëtare, që garantojnë pavarësinë dhe sovranitetin nga çdo agresion dhe ndërhyrje e jashtme.

2018-03-31

Gjenerali shqiptar Ramush Haradinaj nuk i frigohet Erdoganit

Ndal kadal Erdogan !

Image result for erdogan


Erdogan e kërcënon Ramush Haradinajn, i fton kosovarët të protestojnë kundër tij

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, në një fjalim të sotëm, e ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, gjeneralin e luftës dhe Heroin e paqës zt. Ramush Haradinaj se do të japë përgjegjësi për menaxhimin e situatës me turqit e deportuar!


Image result for erdogan

Jo Erdogan , Kosova nuk proteston kundër gjeneralit të vet !

Ai e ka kritikuar atë për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së, dhe i ka ftuar kosovarët të protestojnë kundër tij.

Tutje, Erdogan, në fjalimin e tij, e ka quajtur kryeministrin Haradinaj “kukull”, litarët e të cilit i lëvizin të tjerët.

“Karriera e kryeministrit të Kosovës do të merr fund”, parashikon Recep Tayip Erdogani.

“Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë, vend i cili mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe ti për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di, do të kërkojnë llogari prej teje për këtë. Unë e di edhe këtë”, deklaroi Erdogan, raporton Koha.net.

Presidenti Erdogan gjithashtu duke folur për kreun e organizatës terroriste, tha se “edhe ai që ka ikur në Pensilvani është në telashe. Thotë ‘Çfarë do të ndodhë me mua?’. Çka ndodhi me ata në Kosovë do të ndodhë edhe me ty”.

Image result for hashim thaqi me erdoganin

https://www.youtube.com/watch?v=Egcl10rWDXg

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mohuar se ka qenë i informuar për arrestimin e gjashtë gylenistëve, duke pohuar se arrestimi ka shkuar përmes AKI-së, Zyrës për Refugjatë dhe Ministrisë së Brendshme.

Thaçi ka thënë për televizionin publik se Turqia ka kërkuar disa herë arrestimin dhe deportimin e disa shtetasve të Turqisë, por asnjëherë nuk ka marrë emrat e personave që janë arrestuar .

“Ambasadorja e Turqisë dhe institucionet tjera kanë kërkuar emra tjerë, por asnjërin nga këta emra”, tha ai.

Ai po ashtu ka pohuar se veprimi që ka ndodhur sot, institucionalisht është i pa pranueshëm, kurse aspekti teknik ka mbetur që të vlerësohet dhe të sqarohet plotësisht.


Askush s’do t’i ikë përgjegjësisë për këtë puç brenda institucioneve

Zëvendësministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, e ka quajtur puç vendimin për arrestimin e gylenistëve në Prishtinë.

Ka thënë se ky puç, do të sqarohet deri në fund dhe askush s’do të ikë nga përgjegjësia që ka.

Ramadani, gjithashtu ka thënë se tentimi që këtë veprim gjithsesi ta ndërlidhë me Haradinajn, është i pakuptimtë.

Postimi i plotë i Ramadanit në Facebook:

Puçi brenda institucioneve do të sqarohet deri në fund. Masat ndaj kësaj veç sa kanë nisur.

Tentimi për të ndërlidhur gjithsesi Kryeministrin Haradinaj me këtë puç institucional është krejtësisht i pakuptimtë.

Në njëfarë forme relativizon vendosmërinë për të ndëshkuar këtë operacion kundër-shtetëror.

Nuk do të ikë kush nga përgjegjësia. Jo, jo!


Ndësa njohësi i çështjeve të të drejtave të njeriut dhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, e ka quajtur situatë të anarkisë këtë që po ndodh kohëve të fundit në Kosovë.

“Çka po ndodh kështu? Kryeministri  Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri  Veseli reagojnë për arrestimin dhe deportimin e gylenistëve duke lënë të nënkuptohet se nuk ishin fare në dijeni për këtë operacion. I pari duket se ishte shumë pak i njoftuar edhe me situatën që solli ngjarjet dramatike të së hënës në veri”, ka thënë Murati.

Sipas tij, kjo është e paprecedentë.

“Situata të tilla anarkiste mund të na vendosin në pozita të rënda si shtet para çdo procesi politik në të ardhmen dhe vënë në pikëpyetje funksionalitetin e institucioneve”, ka shtuar më pas ai.

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...