2018-07-02

DON ALFONS TRACKI (1896 – 18 KORRIK 1946)


Nga Fritz RADOVANI

MISIONARI GJERMAN NGA BRESLAU QË U PUSHKATUE SE NDERHYNI ME SHPETUE JETEN E SA SHQIPTARËVE NDER KAMPET GJERMANE NAZISTE. NË DITËT E FUNDIT TË NANDORIT 1944, TRACKI KA SHPETUE EDHE 100 BURRA SHQIPTARË NË VELIPOJË, QË DO TË VRITESHIN NGA GJERMANËT… NJË LOJË E KURDISUN NGA JUGOSLLAVËT.





1 KORRIK 1946 Enver Hoxha dekorohet nga Marshali J.B.Tito në Beograd “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e ka edhe sot në 1 Korrik 2018.
2 KORRIK 1919: Memorandumi per Konferencen e Paqës në Paris i firmuem nga Imz. Jak Serreqi Argjipeshkëv i Shkodres, Imz. Gjergj Koleci Ipeshkev i Pultit, Don Zef Gjinali administrator i Abacisë Mirditës, At Bernardin Shllaku, Don Nikoll Kimza në Lezhë, nga familjarë të Veriut e bajraktari i Shkrelit Vatë Marashi me 100 kryefamiljarë.
19 korrik 1900 Asht le At Çiprian NIKA O.F.M., U pushkatue me 11 Mars 1948.
11 Korrik 1924 Bajram CURRI vjen në Shkoder. Populli i Shkodres i ban nderimet e rastit. Ndoshta, asht një nga pritjet ma të perzemerta nga shkodranët.
■16 Korrik 1944 Vritet pabesisht në Tropojë At Lekë LULI (36 vjeç) Fillon me këte vrasje edhe Gjenocidi komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar.

14 Korrik 1945 dënohet me vdekje Ndue Pali e Caf Meti, në Kinema Rozafat Shkoder. Ekzekutohen në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkoder…
Korrik 1945 Vazhdojne ndjekjet dhe pushkatimet nga brigadat komuniste ne krahinat e Veriut. Krahas vrasjeve u digjen kullat dhe u plaçkiten bagtija…

3 Korrik 1946 Ekzekutohen të dënuemit me vdekje: Xhahid Koka, Qenan Dibra, Telat Drini, Shaban Balla, Sami Qeribashi, Mahmut Meniku, Mehmet Beshiri dhe Ali Kraja. Fjala e fundit e Tyne asht: “Rroftë Shqipëria e lirë me Kosoven…”.
Korrik 1946 Ridënohet në Tiranë Frano MIRAKAJ, dhe pushkatohet atje…Urdhni i vrasjes së Tij u lëshue nga Gjeneral Kolonel Enver Hoxha.

17 Korrik 1946 Dënohet grupi i Llesh MARASHIT, Kol ASHIKUT, Nikoll DEDAJ, e me këte grup ekzekutohet edhe Don Alfons TRACKI dhe Kel ABATI. Dënimi ju dha me 17 Korrik e, ekzekutimi u krye me 18 Korrik 1946 ora 5 nade, në Zallin e Kirit në Shkoder.
Dosja e të dënuemve as sot s’ ka vendimin e Gjykatës së Naltë e as të Kuvendit Popullor.

8 Korrik 1946 dënohet në Tiranë At Pashko Bardhi S.J. 6 vjet burg si “kriminel”,…

31 korrik 1948 Dijetarët Don Aleksander SIRDANI e Don Pjeter ÇUNI mbyten në gropat e zeza të hetuesisë Koplikut, nga xhelatët e sigurimit të shtetit.
5 Korrik 1949 Arrestohet Don Loro NODAJ dhe bani 15 vjet burg nder kampe pune…

2 Korrik 1950 Vdiq Don Kolec PRENNUSHI, Famullitar në Dajç të Bregut të Bunës. Ishte i arrestuem në vitin 1948 – 49 dhe u torturue mizorisht nga sigurimi i shtetit, mbasi nuk u pajtue me aprovimin e “Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik.

30 korrik 1951 Aprovohet “Statuti i Kishës Katolike në Shqipni”…Dekreti u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me kryetar Dr. Omer Nishani dhe sekretar Sami Baholli.

12 Korrik 1972 Vdes Nana e Nanë Terezes, Drande Bojaxhiu. Nanë Tereza nuk lejohet me ardhë per vorrimin e Nanës së vet në Tiranë…
29 korrik 1982 Vdes i helmatisun pabesisht Don Lazer Jubani (1925 – 1982).
Korrik 1983 Vdes në Shkoder At David Pici, meshtar në Vermosh në vitin 1945.

17 Korrik 1985 vdes piktori shkodran Shtjefen PALUSHI (29 Qershor 1943 – 1985).

28 Korrik 1988 vdes At Pjeter Meshkalla S.J., mbas 25 vjetësh burg në Shkoder.
20 Korrik 2000 vdes në Kuvendin e Fretenve At Konrrad Gjolaj O.F.M. Asht Autor i librit “Çinarët” botue në Shkoder në vitin 1997.

***

Shenim nga Fritz Radovani: Ju lutem familjarëve dhe të njohunve që kanë materiale per këto Fletë Kalendari, të lanë shenime nder site e kryesisht, percaktime datash të plota.

Melbourne, 1 Korrik 2018.

Cikël poetik nga ARTUR SHEMAJ


MULLIRI

Bota është një mulli gjigant,
Në bark bluan miliona dëshira,
Një dashuri me hov brilant
Dhe sa hidhësira…
Kështu përditë bluhet jeta,
Në miell kujtimesh gatuan,
Sa të vërteta dhe gënjeshtra
Dhe ky mulli sterrndriçon e bluan…

KUR SHUHET NJË YLL

Ç`mister ka kur një yll shuhet
Ec kupto dritën e tij,
Mos në dashurinë për tokën shkruhet
Etja gjer në pafundësi?
Fluroriteti i shpirtit peng
Tenton të ngjitë shpirtrat tanë atje,
Dhe ai digjet dhe na tremb,
Për shuarjen,
Vallë do ndizet më?…

HUMB E PO HUMB TRADITA…

Satirë
Humb e po humb tradita
Meratë e kullotave në Labëri,
mbillen hashash e kanabis sativa
duke i lënë pa blegtori…
Do fluturojmë shatë pash thellë
kohën kur piqej keci ftunjak,
veç në dorë do mbajmë një hell,
lëpjeta e rrodhe për darkë.
Më dhimbset vendi im me çmim cinik
Një pjesë të fajit kam këtu,
Nëse e dua një dackë pa frikë
Qeveritë duan dru e hu…
S`merrem me botën as me njeri
As të fajësoj tjetër s`dua,
Dhe kur s`vendosim drejtësi,
Vetingu të fillojë me mua…
Liria e fjalës eh,ç`liri fjalë
Me fjalë vë rregull ,anarshi,
Si kular i vihet të vobegtit për qafe,
Dhe e lavdëron për guximin e tij…

Vargu i ngrohtë i poetit Artur Shemaj


Akademik Prof.dr Eshref Ymeri,Ph.D



Këtu e ca kohë më parë, poeti i talentuar, por i pabujë, Artur Sheme, më pati dhënë për të lexuar vëllimin e tij me titull “Arratia e ëndrrës”. Një libër i thjeshtë në paraqitje, por që të emocionon me vargjet poetike që përmban.

Kam dëshirë të flasë për poezinë e tij nga pozitat e një lexuesi të thjeshtë. Se lexuesit të thjeshtë nuk i intereson se me ç’varg janë shkruar poezitë, se ç’hijeshi kanë rimat e tij. Më shumë atë e intereson kuptimi që ato bartin, se ç’temë të rëndësishme ato zbërthejnë, temë që i emocionon të gjithë lexuesit dhe që ndihmon për formimin e një këndvështrimi të shëndetshëm, që zgjeron horizontin e perceptimit të realitetit dhe të kuptimit të jetës që na rrethon.

Me poezinë e tij, Arturi ka gjetur mënyrën për t’u përcjellë lexuesve informacionin për dritëhijet e jetës në përthyerjen e tyre të ngjeshur, të kulluar dhe lehtësisht të kapshme. Përmes tyre, ai ndan me lexuesit gulshet që i ziejnë përbrenda, drithërimat e zemrës dhe ngrohtësinë e shpirtit.

Në poezitë e Arturit gjen edhe vargje poetike, në dukje hijerënda, edhe figurative, edhe tjetërthënëse (alegorike), edhe metaforike. Në përmbajtjen e tyre vijnë e shpërfaqen nota psikologjike dhe filozofike që e nxitin përfytyrimin e lexuesit. Ka mes tyre edhe nga ato, kuptimi i të cilave të bën të përsiatësh gjatë për shkak të nëntekstit të tyre. Ka poezi boll të ndiera, në vargje të lira dhe të rimuara, me të cilat autori ngre ura komunikimi dhe mirëkuptimi të natyrshëm me lexuesin, vendos lidhje shpirtërore me të.

Për ta njohur nga afër shpirtin e poetit, duhet hyrë thellë në përmbajtjen e vargjeve te tij. Sepse në to, si në pasqyrë, ravijëzohet bota e tij e brendshme. Heronjtë e poezive Arturi i krijon sipas përfytyrimeve të veta, ashtu thjesht, pa sforcime dhe pa figura të kërkuara, ashtu siç janë të thjeshta rrëfimet që i burojnë nga zemra. Shikoni se sa natyrshëm e përshkruan Arturi zejen e një misërpjekësi në poezinë me të njëjtin titull:



Mund të shesësh misra të pjekur,

Me zë lutës.

Njerëzit me hap të thekur

I zgjasin brengën rrugës.



Hajde, misra të pjekur,

Refren migjenian,

Kjo ditë diku ka mbetur

Peng i luksit shafran.



Vargje të thjeshta këto që përcjellin afshin e zemrës së poetit, të stëpikura me ca ndjenja të heshtura trishtimi. Arturi ka derdhur në to ndjenjat e tij të holla, shpirtin e tij delikat.

Veçorinë më mbresëlënëse, në këndvështrimin tim, të kësaj përmbledhjeje, e përbën lirizmi i Arturit, që frymon aq mirë kur e kundron në kontekstin e krijimtarisë së tij poetike. Tek zbulon kapilarët gjakmbartës në indin e fjalës poetike të Arturit, lexuesi pikas pjesën organike të shpirtit të tij, vjen e krijon portretin e tij me një pamje të qeshur dhe me një vështrim ëndërrimtar dhe nuk mund të mos bindet që ai, si autor i kësaj përmbledheje, ecën në rrugët e jetës me zemër në dorë, me shpirtin behar, pa e vrarë mendjen për të kthyer kokën prapa dhe për ta hedhur vështrime anash.Me sa duket, ka diçka prekëse dhe tërheqëse në shpirtin e poetit që të kujton çiltërsinë e fëmijës.

Ç’bukuri mahnitësë ka poezia “Retë”.



Ndjek imazhin tënd nëpër re,

Reja hollohet si dhimbja jote,

Fytyrën askund nuk e le,

Ike si hija e kësaj bote.



Duket që shpirti i poetit është i trazuar. Ai e ndien tek vërtitet së brendshmi një hije konflikti. Ai është poet i ndjenjave, zemërçelur, i drejtpërdrejtë. Lumturia e poetit duket sikur përndritet nga nje rreze hyjnore në larminë e jetës që e rrethon. Prandaj edhe lirika dashurore e Arturit është shumëplanëshe: herë përngjan si sentimentale, her si ironike, herë si filozofike, duke marrë përmasa hapësinore dhe duke pëftuar një joshë idilike.

Poezia e Arturit, që ka një diapazon të gjerë lirik, nuk mund të kuptohet pa notat e fuqishme që ushtojnë në regjistrin e sipërm patetik të temës qytetare. Këto nota të fuqishme shpërfaqen në poemën e tij me titull “Epopeja e tredhjes”. Pikërisht në një rregjistër të tillë ushton zëri i fuqishëm dhe ndihet dukshëm fryma rebelore e poetit kundër një realiteti të shpërfytyruar gjatë këtij çerek shekulli, kur politika e ka nanurisur popullin në detin e gënjeshtrave dhe të mashtrimit.



Epoka që erdhi

Të gjithë i shfajësoi,

Për fajet që bënë

Asnjeri s’pagoi.



Shpejt e kapën veten

Ustallarët e vjetër,

Duhet mbijetuar

Në epokën tjetër.



Ndihet në këtë poemë një sëmbim i thellë në zemër dhe një dhimbje përcëlluese qytetare: dhimbja e “epokës së ndryshimeve”.

Poeti ndien dhimbje në shpirt se e ka të pamundur ta kundrojë jetën në kuadrin e një ideje të turbullt shoqërore, ende të pamishëruar në praktikë. Një poet me ndjenja të holla ka vetëm një privilegj: të rri në cakun mes dëshpërimit dhe gëzimit.

Në këtë poemë mbizotëron patosi shilerian (i poetit gjerman Shiler) i mendimit mbi patosin e ndjenjave. Kur përsiat për natyrën e pashtruar të poetit të talentuar Artur Shemaj, dëshiroj t’i uroj që të vazhdojë ta bartë gjithmonë dhuntinë e shenjtëruar në kapilarët e pastër të zemrës, pa u shqetësuar nga pasionet dhe veset e mëkatarëve që na rrethojnë gjithndej me “shpatën” e pushtetit në duar.

Këtij vëllimi poetik i paraprin parathënia me titull “Poezia e Artur Shemajt – një kaleidoskop ngjyrash njerëzore”, me autor poetin dhe kritikun e talentuar Qazim D. Shehu, i cili i ka bërë një vlerësim mjaft të bukur, duke theksuar se “…poezia e Shemajt e realizon më së miri një komunikim të ngrohtë estetik me lexuesit dhe dashamirësit e poezisë, ajo mbahet mend për këndvështrimet e mprehta dhe idetë origjinale, për detajet e freskëta dhe plot dritë….”.

Kur lexova një poemë(Letër poetit Artur Sheme)


Image result for eshref ymeri


Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri,Ph.D


I dashur Artur,Poema jote me titull “Duke u larguar nga Shqipëria”(e botuar në Portalin e nderuar “Fjala e Lirë” të datës 30qershor 2018), një titull ky mjaft domethënës, përcjellrënkatën e fortë të shpirtit të një poeti të talentuar, i cililargimin nga atdheu e përjeton me një zemër dridhërimë
përmalluese.

 Poema jote, ore poet i dashur, e shkruar nga një penë e dridhëruar, të ngjall emocione të fuqishme dhe mallin për atdheun ta ndez flakë.

Në poemën tënde ti ke ballafaquar Atdheun e brengave të mëdha me Evropën-ulkonjë, e cila ia copëtoi brinjët pa mëshirë dhe pa pendim edhe sot e gjithë ditën.

 Në poemën tënde ti ngjarjet në atdheun amë i kundron së larti, nga një hapësirë ajrore pa fund e pa anë, duke i lënë të nënkuptohen shkaqet e dëshpërimit të thellë që të vlon në shpirt.

 Ti, me një delikatesë poetike, e bën lexuesin mendje hollë që t’i përfytyrojë vetë shkaqet e dëshpërimit shpirtcopëtues tek largohesh nga trojet amtare.

 Se,domosdo, dikush është fajtor për dëshpërimin tënd, është  fajtor për atdheun tënd, të cilin e ka katandisur në atë derexhe, saqë ti detyrohesh ta braktisësh me zemër të plagosur.

Poema jote më kujton një poezi shpirt sfilitëse të poeteshës së shquar ruse Marina Cvetajeva
 (1892-1941).

Poezia titullohet “Malli për atdheun”. Pesë vjet pas vendosjes së diktaturës bolshevike në Bashkimin Sovjetik    dhe pikërisht në vitin 1922, ajo u largua nga atdheu.

Mallipër atdheun e brente përbrenda dhe dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1934, ajo nxori nga pena poezinë elart përmendur. Në vitin 1939 ajo u kthye në atdhe. Por  meqenëse diktatura sovjetike ia pati shndërruar tokën amë në një njerkë të vërtetë, në vitin 1941 ajo e mbylli jetën me vetëvrasje.

Poema jote, i dashur Artur, të ngjall trishtim të thellë dhe zemrën ta copëton. Ajo e bën lexuesin e vëmendshëm të përsiatë gjatë dhe të shtrojë pyetjen se si duhet të dilet nga kjo gjendje e pashpresë, ku e ka katandisur vendin tonë kjo klasë politike pa ndërgjegje kombëtare, pa moral kombëtar dhe i ka detyruar qindra mijë shqiptarë të braktisin atdheun?

Të shtrojë pyetjen se sa gjatë populli ynë do të vazhdojë të rri kurriz shtruar para kësaj klase politike dhe a do të jetë në gjendje vallë që ta heqë qafe një herë e mirë dhe të nxjerrë nga gjiri i vet një tjetër klasë politike, me vetëdije të lartë kombëtare, me moral të lartë kombëtar, që t’i hyjë punës për begatimin e vendit,për rritjen e standardit të jetesës së njerëzve në mbarë vendin?

 Tiranë, 01 korrik 2018

2 korrik ’90, dita kur shqiptarët e nisën vetë përmbysjen e diktaturës komuniste

2 korrik ’90,  dita kur shqiptarët e nisën vetë përmbysjen e diktaturës komuniste 23 vjet më parë

Sot përkujtohet 2 Korriku, datë e shënuar në historinë e Shqipërisë si “dita e rrëzimit përfundimtar të murit të Berlinit”, që ndante bllokun lindor komunist nga ai perëndimor. Më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë u futën masivisht në ambasadat perëndimore në Tiranë, ngjarje të cilat u shoqëruan dhe me përleshje mes kundërshtarëve të regjimit dhe pushtetit të diktaturës komuniste 45 vjeçare, të përfaqësuar në këtë përleshje, prej Sigurimit të Shtetit. Qershori i vitit 1990, u shoqërua me disa të plagosur, ndërkohë që jo zyrtarisht, u deklarua se pati edhe një numër të vrarësh që tentonin të kalonin kufirin. Këto tashmë janë konfirmuar si të vërteta, paçka se regjimi i vitit 1990-1991, tentoi t’i fshihte këto krime njerëzore, që e kishin emrin “demokraci” dhe “liri individi”.

Ish-ambasadori gjerman, në ‘90: Ramiz Alia planifikoi sulm ushtarak mbi ambasadën tonë

Ish-Ambasadori gjerman i asaj kohe në vendin tonë, Verner Daum, kujton: “Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke. Sipas tij, ata ishin 15 deri në 25 veta, ndërkohë që disa të tjerë shkuan në ambasadat egjiptiane, italiane, por edhe franceze. Ambasadori gjerman Daum gjatë intervistës së tij, rrëfen se në atë kohë i ka kërkuar punonjësit të sigurimit të kufirit federal që të linte të pakyçur derën e Ambasadës, në mënyrë që të vihej re nga njerëzit dhe ata të fillonin të futeshin aty. Pasi kjo u vu re, një “Skoda” shembi murin rrethues të godinës së Ambasadës Gjermane, duke u futur brenda me një numër shtetasish shqiptarë që kërkonin azil politik. Veprimi u përshëndet menjëherë nga qeveria e Bonit, e cila i konfirmoi mbështetjen azilkërkuesve shqiptarë. Dy apo tri vite më parë, kam mësuar nga ambasadori shqiptar në Londër, që asokohe ka qenë shef i kabinetit të Reis Maliles, se qeveria e Ramiz Alisë kishte vendosur ta sulmonte ushtarakisht ambasadën gjermane si dhe ambasadat e tjera, por vihej theksi mbi atë gjermane. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë unë nuk do të isha këtu përpara jush, por do të kisha ndoshta një monument në Tiranë. Qeveria ishte e vendosur për këtë sulm, por Reis Malile kishte kërcënuar se do të jepte dorëheqjen publikisht dhe do t'i bënte publike të gjitha detajet. Pra, ai arriti ta bllokojë këtë vendim", deklaron ish-ambasadori Daum, për radio “DW”. Por, si fakt njihet se tentativa e parë “e hyrjes” brenda selive të përfaqësive të huaja diplomatike, u shënua më 20 qershor. Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj dhe Edmond Vokshi ndaloi “rastësisht” rreth orës 07:40 pranë mureve të ambasadës greke. Pas kësaj, dy djemtë e rinj hapin baxhon e sipërme të autobusit, e prej andej hidhen në territorin e brendshëm të ambasadës greke, duke e zënë në befasi policinë shqiptare. Më 23 qershor 1990, kamioni “Liaz” i drejtuar nga Fatos Kaceli, shpërtheu portën hyrëse të ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen rreth orës 22:00, “Skoda” e drejtuar nga Kastriot Mano çau murin e ambasadës gjermane, duke e shembur atë. Në makinë, përveç shoferit ndodheshin edhe Burhan Kalaja, Gëzim Tota, Ilia Miri e disa të tjerë. Por, “spektakli” më i madh ishte shembja e murit të ambasadës turke me një makinë plehrash dhe disa persona të veshur si punëtorë të komunales. Të vetmet ambasada që nuk pranuan bujtësit e terrorizuar nga regjimi komunist, ishin ambasadat kubane dhe ajo kineze. Hyrja në ambasadat e huaja në Tiranë vijoi edhe pas datës 2 korrik, nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte.

Ramiz Alia: “U zumë në befasi, menduam se shqiptarët do besonin partinë”

“Futja e 5 mijë vetëve në ambasadat e huaja është një ngjarje që padyshim ka lënë vragë në jetën politike të vendit. Ngjarja e 2 korrikut ishte një paralajmërim, që situata në vendin tonë po acarohej. Natyrisht kjo qe një gjë e papritur, ajo dyndje masive e njerëzve. Edhe shqetësim ngjalli. Problemi ishte që ajo duhej kapërcyer me qetësi. Në mënyrë që të mos ndodhte asnjë konflikt me masën e njerëzve, që të çonte në përdorimin e forcës. Ky ishte dhe shqetësimi kryesor ato ditë. Prandaj ne u morëm vesh në atë kohë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, i cili dërgoi një person të ngarkuar zyrtar të tij, që u mor vesh me ambasadat e huaja për të hyrë ato në marrëdhënie me qeverinë. Pra me ndërhyrjen e zotit de Kular u bë e mundur që ambasadat e ndryshme të na dorëzonin emrat e të gjithë shqiptarëve, që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja dhe qeveria jonë përgatiti pasaporta për të gjithë, të gjithë u pajisën me pasaporta shqiptare në mënyrë që largimi i tyre, i cili u bë në mënyrë të organizuar, të ishte jo më si refugjatë ilegalë, por si njerëz me pasaporta dhe ata shkuan në vendet ku ata dëshironin. Në këtë mënyrë mori fund si të thuash ajo etapë. Por kjo nuk do të thotë që situata në Shqipëri nga ky moment ndryshoi në kuptimin as pozitiv, as negativ. Fakti është ky: U zumë në befasi, menduam se shqiptarët do besonin partinë. Por edhe duar lidhur nuk qëndruam, sepse fundja ne kishim pushtetin. Por çdo gjë kishte mbaruar, kishte dalë jashtë kontrollit.

Ylli Bodinaku, ja si e çau 20 vjet më parë murin e ambasadës gjermane

Ishte Ylli Bodinaku, ai që më 2 korrik, çau me kamionin e tij tip “Skoda” murin e ambasadës gjermane. Ai kujton si sot, atë mbrëmje, kur i ra murit mbrapa të ambasadës gjermane dhe hyri brenda me kamionin e tij brenda të cilit kishte gruan dhe dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dy muajsh, po kështu mbi karroceri kishte shokë, miq, gjithsej 36 persona. Dhjetëra të tjerë vërshuan më pas në ambasadën gjermane, nga muri që ai rrëzoi. Atë mbrëmje, në Bon të Gjermanisë, u raportua se në ambasadën gjermane në Shqipëri, ishin futur menjëherë 86 vetë. “Punonjësit e ambasadës, kujton Ylli Bodinaku, na mblodhën dhe na lexuan një faks, që kishte dërguar Genscher, ku shkruhej: “Shoferi bashkë me të tjerët janë heronj të demokracisë shqiptare. Ata shembën murin e Berlinit të Shqipërisë”. Shembjen e atij muri Bodinaku e kishte projektuar në ëndrrat e tij më të guximshme, që nuk e thyen prej torturave të Sigurimit të shtetit në Tiranë. Ideja se një ditë ai do t'i binte atij muri e mbajti gjallë më pas në qelinë e burgut famëkeq të Spaçit, ku regjimi e çoi si të burgosur politik.

Heqja e vizave, 20 vjet pas 1990, me 65 mijë të vrarë e të mbytur në Otranto

Megjithëse lëvizja e lirë u mundësua e fundit për shqiptarët, madje me afat “semestral” 3 mujor, pushteti “Berisha” e konsideroi këtë mundësi-mëshirë të ofruar nga BE, si “arritje private” të personazhit tij. Prej 20 vitesh, në vend të lëvizjes së lirë, Berisha u ofroi shqiptarëve mashtrimin, izolimin dhe largimin si klandestinëve me pagesa, me viza false, maleve e majë gomoneve vrasëse. Gjatë sundimit të tij në vitet 1992-1997 përveç krimeve ekonomike me pasojë shkatërrimin e vendit dhe jetës së shqiptarëve, ka shkaktuar një krim të rëndë mbi popullsinë shqiptare. Është fjala për humbjen e jetëve njerëzore për shkak të mungesës së lëvizjes së lirë të shqiptarëve, prej qeverisjes-sundim të komanduar nga Sali Berisha dhe junta e tij e instaluar në pushtet. Paralel me grabitjen e lekëve nëpërmjet firmave piramidale, pushteti “Berisha” u morri mijëra shqiptarëve edhe jetën. Ndërsa në 5 vitet e Luftës së Dytë Botërore, nën plumbat dhe artilerinë e dy pushtuesve italianë e gjermanë, rezulton se janë vrarë 28 mijë shqiptarë ose 2.2% e popullsisë, në 5 vitet e pushtet-sundimit “Berisha” i viteve 1992-1997 janë vrarë, janë mbytur në det e janë zhdukur afro 120 mijë shqiptarë, ose 4% e popullsisë. Vrasja me masive ka qenë ajo e vitit 1997 me afro 3000 shqiptarë. Një bilanc i tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, ku të jetë vrarë e zhdukur 4% e popullsisë, 70% e të cilës figurojnë të moshës 15-30 vjeç. Por ja që ka ndodhur dhe është shkaktuar në Shqipëri prej pushtetit “Sali”, këtij Saliu që vazhdon e ligjëron për liri, të drejta, për siguri jete, për jetë luksi, për lëvizje të lirë, për integrim e futje në BE. Nëse do të kishin “gojë” Otranto, Sazani, Semani, Korfuzi, Karaburuni, Ohri, Drini, Divjaka, Vlora, Himara, Shëngjini, apo Qafë-Bota, Tre-Urat, Kakavija, Kapshtica, Gramozi e male të tjerë, do të tregonin përmasat e tragjedisë së shqiptarëve. Mijëra shqiptarë kanë përfunduar në fund të detit, në faqet e maleve e në humnera. Pushteti “Berisha”, me qeverisjen e tij të mbrapsht, të korruptuar e kriminale, detyroi shqiptarët të largohen në rrugët e “vdekjes” në një mungesë të një vize e cila nuk i jepej, sepse ishte shkak pushteti “Berisha”.

Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës: 2 korrik 1990




Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.


Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

Nuk ka asnjë dyshim se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpjerë deri në ditët e sotme, kur Kosova tashmë gjendet në prag edhe të pavarësisë formale si shtet. Në rrethanat e tashme dhe pas përfundimit të luftës, të masakrimeve, të eksodit masiv të popullit të Kosovës e të shkatërrimeve të tmerrshme, mund të thuhet se ekziston një kontinuitet i fuqishëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi e për shtetësi.

Ky kontinuitet nuk mund të mohohet nga askush dhe kjo që po përjeton tash Kosova është meritë e popullit, e atyre që për lirinë e Kosovës u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht, e atyre që u sakrifikuan dhe që dhanë jetën për lirinë, për demokracinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Deklarata na bashkoi në rrugën e pavarësisë

Ka kaluar një kohë e gjatë nga 2 korriku i vitit 1990. Shumë ngjarje kanë pasuar pas saj, por unë kisha dashur t’i kujtoj lexuesit se në atë kohë kishin filluar të shihen shenjat e para të dekompozimit të ish-Jugosllavisë dhe siç bënin të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë edhe ne aspironim për njësi federale, edhe ne ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa mbrojtës kushtetues, juridikë e politikë, në mënyrë që të jetësohet vullneti i popullit shqiptar. Qysh atëherë ishte fare e qartë që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Ishte kohë e karakterizuar edhe me një lëvizje jashtëzakonisht të fuqishme politike, që rrjedhimisht ka filluar në Kosovë me paraqitjen e partive të reja politike, konkretisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera, të cilat e artikulonin vullnetin e popullit të Kosovës. Natyrisht, delegatët e Kuvendit të Kosovës e përcjellin në mënyrë shumë të përpiktë vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ishte kjo faza e parë e një veprimi të tillë legal të institucioneve legale, në mënyrë që vullnetit të popullit t’i jepej forma kushtetuese juridike.

Nuk duhet harruar se fillimisht është paraqitur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rezolutën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe me pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara. Në rezolutën e ASHAK-ut ishte e formuluar shumë qartë pozicioni politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj. Mund të themi se rëndësia e Deklaratës Kushtetuese për atë kohë ka qenë se ka filluar përfundimisht që Kosova ta marrë një rrugë të mëvetësisë, për ta përcaktuar fatin e saj dhe të popullit të vet.

Të gjitha ngjarjet, që kanë ndodhur më pas, kanë një lidhshmëri dhe janë pjesë e një procesi, e cila shpresoj se do të përfundojë këtë vit me pranimin e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur nga bashkësia ndërkombëtare.

Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot e ka një rëndësi të veçantë, sepse e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës. Ky ishte mesazh shumë i qartë sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe ishte një akt, që i bashkoj qytetarët e Kosovës në rrugën e tyre për pavarësi dhe për krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur.

Deklarata, projekt i pavarësisë

Duke medituar disa vjet pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, e cila në historinë më të re të Kosovës njihet si Deklarata e Pavarësisë, mendoj se dy ngjarje të mëdha e shënuan vitin 1990 që me pietet dhe mburrje do të kujtohen brez pas brezi: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe Shpallja e Republikës së Kosovës, përkatësisht, miratimi dhe shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të të njëjtit vit, si aktin më të lartë politik dhe juridik të një shteti. Ndërkaq, fundshekullin e XX do ta pasojnë edhe vendimet dhe aktet e tjera jo më pak të rëndësishme se dy të parat: Rezoluta mbi shpalljen e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur e 22 shtatorit, Referendumi për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur që u mbajt nga 26-30 shtator të vitit 1991 dhe lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.

Vlen që të përkujtohet se Kosova e viteve tetëdhjetë u gjet në një situatë shumë të vështirë, për shkak të synimeve agresive të pushtetit serb që të zhbëjë gjithçka shqiptare, duke përdorur të gjitha mekanizmat e presionit dhe të dhunës në mënyrë që t’i nënshtrojë shqiptarët dhe Kosovën.

Pas suprimimit të subjektivitetit politik dhe kushtetues-juridik të Kosovës nga ana e Serbisë, përmes ndryshimeve kushtetuese të dhunshme, për popullin e Kosovës dhe klasën e saj politike dhe intelektuale u shtrua dilema hamletiane - të jesh apo të mos jesh. Në këto rrethana u lind Alternativa politike (LDK), si lëvizje politike mbarëpopullore, nën udhëheqjen e presidentit legjendar, Dr. Ibrahim Rugova, e cila krijoi një platformë politike sui generis, për një status të ri për Kosovën. Duke u nisur nga e drejta universale për vetëvendosje dhe përcaktimin se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror, Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990, miratoi dhe shpalli Deklaratën Kushtetuese, përkatësisht, Deklaratën e Pavarësisë. Tani ndodhemi në një fazë të re kur nga institucionet e pushtetit shtetëror të Kosovës, me të drejtë kërkohet njohja e pavarësisë, ndërsa nga faktori ndërkombëtar kërkohet që të bisedohet për status.

Edhe në qoftë se do të ketë biseda, ato duhet të bëhen me institucionet relevante ndërkombëtare, mbi bazën e platformës politike dhe juridike të përcaktuar më parë, siç është përcaktuar në aktet e përmendura edhe rezoluta e fundit e Kuvendit aktual të Kosovës e miratuar kohë më parë.

Shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të gjithë shqiptarët, kudo që janë, e kanë përjetua si fitore të tyren.

Ngjarja e 2 korrikut 1990, paraqet një akt sublim në historinë më të re shqiptare

Image result for jahja lluka


Nga Jahja Lluka

Një shekull robëri nuk arriti ta shuaj etjen e një populli shqiponjash që të zgjidhin krahët e tyre nga regjimi serbo -sllavë.

Kombe dhe popuj janë shuar, janë harruar gjuhë e kultura, duke mos i qëndruar vuajtjeve dhe torturave.

Fatin i tillë e patëm dhe ne por me një dallim, sepse në vuajtet e mëdha, kombi ynë nuk u shua por u rritë.

Një dhimbje shekullore u shenjtërua në forcë edhe atëherë kur këmbanat binin në melodinë e qyqeve.
Në çaste kritike kur gjithë skenaret e historisë dhe rrethanave botërore shkruheshin me gjakun tonë, një energji thyente ligjet duke i dhënë goditje të keqes që haptas donte të përbijë gjithçka shqiptare.
Një frymë mençurie dhe atdhedashurie na mbajti edhe atëherë kur çasti vinte rrëmbyeshëm duke na e mohuar vet ekzistencën.

Me 2 Korrik 1990, Kosova ishte para një faze kritike dhe jo vetëm sikurse asgjë nuk mjaftonte për ti shtruar zullumin një populli që pikonte gjak.

Duhej guxim dhe mprehtësi për të marrë vendime që kushtonin me jetë.

Duhej sakrificë për të çelur derën e s'ë ardhmes e cila nuk shihej në horizont sepse një sistemi të madh sikur ai i ish -Jugosllavisë, kishin filluar ti dridhen themelet.

Fati i shqiptarëve të Kosovës matej si një fije e hollë peri e cila nëse këputej do sillte pasoja të hidhuna për Ballkanin dhe Evropën.

Për ta filluar një lëvizje dhe për të marrë fatin -e një populli mbi supe duhej guxim i rrallë, urtësi dhe saktificë deri në vetëflijim.

Delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës ishin të vetëdijshëm për rrethanat në të cilat gjendeshin e që kishte vetëm dy mundësi : heshtje përballë fatkeqsive të regjimit serb apo lëvizje revolucionare e cila poashtu do të ngjizte dhe të tjera pasoja, faturën e të cilave do e paguanin shqiptarët.

Me gjithë këtë guximi për të miratuar publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpallë njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave, paraqet një akt sublim.

Dy muaj më pas me 7 shtator të njejtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik -Kushtetutën e Republikës s'ë Kosovës, vendim ky që formalisht i dha Kosovës statusin e Republikës.

Këto ngjarje në historinë tonë më të re duhet trajtuar në mënyrë të veçantë, sepse pas tyre filluan lëvizjet e gjëra me karakter popullor të cilat kishin një synim të përbashkët "rrënimin e regjimit serbo-sllavë" deri në pavarësinë e Kosovës e cila ishte mohuar një shekull vuajtje, lotë, gjak e robni.


Populli shqiptarë u tregua largpamës dhe I matur sepse ndryshe do ishte e pamundur të mbijetonin n'ato kohë.

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...